AFRIM IMAJ
“Të komunikojmë me popullin për rezultatet e gjyqit të Kadri Hazbiut dhe pjesës tjetër të grupit armiqësor, po në asnjë mënyrë me pamje filmike”.
Në vijim të fjalës në takim me sekretarët e Komitetit Qendror, më 5 shtator 1983, Enver Hoxha shfaqet sa autoritar, aq dhe diktues. Për të, aq sa i rëndësishëm është informomi i opinionit për ecurinë e procesit të bujshëm, po aq i tillë duhet të jetë kujdesi për të shmangur keqkuptimet dhe debatet pa fund mbi një çështje kaq delikate. “Gjyqi i Kadri Hazbiut dhe bashkëpunëtorëve të tij, shprehet kreu i regjimit, u mbajt me dyer të mbyllura, pasi janë trajtuar aty shumë sekrete ushtarake dhe të Sigurimit të Shtetit, ndaj nuk mund të publikojmë në televizion asnjë informacion prej tij”. Reagimi i Hoxhës vjen menjëherë pas propozimit të Hekuran Isait, i cili ka shfaqur mendimin që me kasetat e regjistruara gjatë seancave gjyqësore të përgatitet një dokumentar i zgjeruar dhe të transmetohet nga televizioni publik.
I qartë në bindjen e tij për të bllokuar çdo publikim nga gjyqi i Hazbiut dhe të tjerëve, kreu u Partisë rreket t’u mbushë mendjen të tijve me argumente nga më të ndryshmet. “Jo me film, sqaron ai, duke refuzuar idenë për shfaqjen e pamjeve nga gjyqet e bujshme, se figura bën të lindin diskutime, e njerëzit të thonë ‘e kanë kurdisur këtë, e kanë regjistruar, e kanë manipuluar, e kanë copëtuar’”. Sidoqoftë, shqetësimi i liderëve si do të bindet opinioni për veprimtarinë armiqësore të grupit tradhtar, mbetet dhe më tej, pavarësisht se aty për aty ata dakordësohen me variantin e komunikatës zyrtare të Gjykatës së Lartë. Madje, edhe vetë Hoxha nuk e fsheh merakun e tij për sqarimin e popullit, megjithëse në fund vendos për të përshtatur variantin e përdorur në rastin e gjyqit të Beqir Ballukut. Në numrin e sotëm po publikojmë pjesën e procesverbalit të mbledhjes së sekretarëve të Komitetit Qendror, ku debatohet mbi arsyet pse u zhvillua me dyer të mbyllura gjyqi i Kadri Hazbiut dhe mënyrën e publikimit të vendimeve të tij…
dokument
DOKUMENTI
RAMIZ ALIA: Unë mendoj se më mirë do të jetë të jepet vetëm komunikata që do të përgatisim se, duke e bërë të njohur çështjen me televizor kudo, lëre një herë, së pari, që do të duhet një goxha kohë sa të përgatitet filmi, po edhe nuk ka pse të merremi ne me këtë punë. Së dyti, një gjë e tillë, organizimi për të informuar njerëzit edhe në këtë mënyrë, mund të lërë të kuptohet sikur ne u themi atyre: “Hajdeni tani t’ju bindim me këtë”. Po përse të veprojmë kështu? Populli ynë është i bindur për këtë tradhti, ai ka besim të plotë te Partia, prandaj pse ta reklamojmë aq shumë këtë çështje? Unë mendoj t’i bëjmë të njohur njerëzit tanë me të shkruar, nëpërmjet informacionit të Gjykatës së Lartë që është një akt zyrtar.
ENVER HOXHA: Pse ta reklamojmë thua ti, po “që të njihen këta armiq edhe me figura, t’i shohin njerëzit”, do të thonë.
Mirëpo figura bën të lindin diskutime, shumica e të cilave sigurisht që do të jenë pozitive, po do të ketë edhe nga ata njerëz që nuk janë dakord me këtë gjyq. Kështu që për figurat që do të nxjerrim, disa mund të thonë “e kanë kurdisur këtë, e kanë regjistruar, e kanë copëtuar”.
RAMIZ ALIA: Dhe, në fakt, ashtu do ta bësh filmin, se ne nuk mund ta lëmë Fiqret Shehun të flasë dy orë në televizor, vetëm pjesë të veçanta nga deponimet e saj do të japim.
HEKURAN ISAI: Këto i dinë patjetër të gjithë njerëzit që kanë qenë në gjyq.
FOTO ÇAMI: Çështjet më themelore që Fiqret Shehu i pranon, i dinë armiqtë. Këta mund të kenë thënë edhe ndonjë gjë tjetër në gjyq, po ama këto janë kryesoret dhe këto i kanë pohuar.
HEKURAN ISAI: Mendime janë këto.
SIMON STEFANI: Ne nuk kemi ndonjë shqetësim që populli të mos na besojë, shoku Enver.
HEKURAN ISAI: Këtu nuk është çështja e shqetësimit, se popullit do t’ia themi si qëndron çështja, po vitin e kaluar ne dhamë me incizim disa pjesë nga pohimet e Fiqret Shehut në hetuesi. Këtë nuk e bëmë sekishim ndonjë shqetësim, se nuk do të na besonin njerëzit.
SIMON STEFANI: Ne e bëmë njoftimin me incizim jo për shqetësim, por se dhamë, në radhë të parë, fjalën e shokut Enver “Tablo sinoptike…” që e punuam në tërë Partinë, me kuadro e me punonjës.
ENVER HOXHA: Tjetër punë se unë i dija të gjitha ato që ka deponuar Fiqret Shehu në hetuesi, por, në të vërtetë, nuk vazhdova dot as gjysmë ore ta dëgjoja, megjithëse ajo fliste rrjedhshëm fare, me oratori. Ka edhe elementë kundër nesh, të cilët mund të thonë se “kjo është përgatitur të flasë kështu” dhe, në fakt, ajo fliste mirë, hesber fare, me gjuhën brisk, është e zonja në të folur. Mua më duket se mund ta lëmë me kaq, sikurse e kemi menduar, të japim vetëm informacionin që po përgatit Gjykata e Lartë për këtë çështje. Si thoni ju?
RAMIZ ALIA: Edhe unë për këtë jam, ta lëmë me kaq.
HEKURAN ISAI: Mirë, mirë, si ta gjykoni edhe ju.
RAMIZ ALIA: Unë e bisedova këtë çështje me Hekuranin, i thashë këtij që të fillojnë të punojnë një çikë në këtë drejtim për t’i nxjerrë këto çështje, po nuk është shumë e favorshme të veprojmë kështu.
ENVER HOXHA: Atëherë mjafton të marrë dijeni populli për këtë gjyq në rrugën që thamë.
HEKURAN ISAI: Për ta marrë vesh populli e ka marrë.
ENVER HOXHA: Po do t’i thuhet edhe zyrtarisht me këtë material, se nuk kanë marrë vesh çdo gjë të tërë.
FOTO ÇAMI: Në informacionin që do të japim ne, duhet të përdorim edhe disa fakte nga ato që armiqtë i kanë pranuar vetë.
ENVER HOXHA: Po, po, këta kanë pranuar që kam bërë këtë dhe kam bërë atë. Me këtë mënyrë ky informacion do t’u vejë zyrtarisht të gjithëve nga ana e Gjykatës së Lartë. Prandaj efektin e bën edhe mënyra që thamë. Pastaj ka rëndësi çështja që kjo punë të mos vazhdojë gjatë dhe të merren njerëzit me këtë çështje, jo ky tha kështu, jo po nuk tha ashtu etj. Edhe kjo anë duhet parë. Që këta kanë qenë plehra, të poshtër, tradhtarë, e ka formuar mendimin populli, prandaj “sikter”, do të thonë njerëzit, “u bë shumë mirë që u dënuan, vetëm se ne duhet të jemi shumë vigjilentë, të nxirren mësime” dhe kjo duhet të dalë mirë në informacion, se ka edhe njerëz që mund të thonë: “Po mirë, ku ishin këta të tjerët, pse nuk i panë këto gjëra?”. Pastaj ka nga ata që nuk i dinë të tëra situatat dhe nuk ka se si t’i dinë, prandaj nuk e kuptojnë si duhet këtë zhvillim dialektik të historisë së Partisë sonë, mendimet, diskutimet, fërkimet që kemi pasur me këta armiq për gjithfarë problemesh, për të cilat jemi vënë shumë herë në kundërshtim, po disa herë edhe nuk jemi vënë në kundërshtim me ta, sepse nuk gjykonim që vepronim si armiq, sikurse i shikojmë tani. Opinioni këtë zhvillim është e zorshme ta kuptojë.
Ka njerëz të tjerë që mund të thonë: “Po mirë, këta na flasin neve për vigjilencë, po për vete kanë qenë vigjilentë, apo nuk kanë qenë? Si duket nuk kanë qenë vigjilentë, se, po të ishin, do t’i kishin zbuluar me kohë armiqtë”, thonë këta dhe lënë mënjanë çështjen që në këtë veprimtari ishin brenda Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, që çështjen e Beqir Ballukut e mbyllën, nuk e lanë të dilte qartë etj.
Popullit do t’i thuhen arsyet e vërteta, që vigjilencë në të vërtetë ka pasur, por ka mjaft faktorë këtu që pengonin zbulimin e identifikimin e këtyre armiqve më përpara. Sigurisht, kur është çështja për të bërë një kritikë, kjo është e lehtë të bëhet, por, po t’i thuash atij që bën kritikën: “Bënte ç’bënte Komiteti Qendror i Partisë, merrte vendim ose nuk merrte vendim kundër këtyre, ti që na i kishe parë këto, përse nuk erdhe të sinjalizoje Partinë për çka po ndodhte me këta njerëz?”.
HEKURAN ISAI: 400 dëshmitarë kanë dalë deri tani dhe me fakte konkrete flasin kundër këtyre armiqve.
ENVER HOXHA: Pra, kur ti krijove bindjen se Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu me shokë ishin agjentë, pse nuk vajte më lart? Detyra si komunist të shtynte që edhe më lart të veje, deri në Komitetin Qendror të Partisë, ku të tregoje se kështu më ka ndodhur mua me këtë çështje. Pra, kur vjen puna për ne, këta njerëz thonë që ne duhej të ishim më vigjilentë dhe kjo duhej të shtohej kundër këtyre akteve armiqësore, po lënë mënjanë faktin që këta armiq kanë qenë shumë të djallëzuar, përveç që kanë përfituar edhe nga rrethanat. Nga cilat rrethana? Se kanë qenë në udhëheqje, kanë shkuar edhe me shpresë se do të shkonte lishio veprimtaria e tyre.
RAMIZ ALIA: Se i përshtateshin vijës ata. Se ashtu u interesonte edhe agjenturave.
ENVER HOXHA: Dhe, kur erdhi koha që nuk mund t’i përshtateshin dot më, atëherë shpërthyen në mënyrë të çorganizuar, se i kishte çorganizuar më parë Partia.
HEKURAN ISAI: Po, se ishin gjithë ata njerëz të tyre që qenë goditur më parë.
ENVER HOXHA: Dhe nga të gjitha goditjet që kanë ndodhur, kanë menduar se do të bëhesh edhe lidhja e veprimtarisë së tyre nga ana e Partisë, kështu që do të zbuloheshin. Megjithatë mundën të shpëtonin nga rrethanat, nga qenia e tyre në udhëheqje, po edhe nga frika, pse duhet të njohim që edhe frikë shumë kishin për vete që nuk vepronin, se gjykonin që si do ta shpjegonin në popull krimin që do të bënin.
Gjithë synimi i tyre ishte të vritej Enveri. Ne e kemi përgatitur këtë situatë, mendonin ata, dhe këtë ngjarje do ta shpjegojmë në popull, pastaj do të marrim masa kundër të gjithë atyre që janë me Enverin, se kështu i klasifikonin ata njerëzit që ishin kundër tyre.
Është e mjaftueshme që ne të bëjmë vetëm informacionin që thamë, mendoj unë, për ta bërë popullin të qartë mbi këto ngjarje.
Ne, gjithashtu, do të tregojmë në informacion edhe për armiqësinë e tradhtinë e atyre që dolën në gjyqin që u bë me dyer të mbyllura, por, meqenëse çështjet, me të cilat kishte të bënte ky gjyq, kanë karakter ushtarak dhe janë delikate për Sigurimin e Shtetit, do të shpjegojmë që ky gjyq nuk mund të bëhej me dyer të hapura.
Rëndësi ka që të gjitha faktet argumentojnë dhe vërtetojnë plotësisht veprimtarinë e këtyre armiqve si agjentë, provokatorë dhe tradhtarë. Edhe populli e pranon se çështjet që lidhen me këta armiq kanë karakter ushtarak, prandaj nuk mund të gjykoheshin hapët. Informimi me anën e televizionit, natyrisht është i mirë, krijon edhe kuriozitet, se të tërë duan të shohin si u zhvillua gjyqi, megjithatë është më mirë të veprojmë si thamë. Nuk e di ç’thoni ju për këtë variant?
FOTO ÇAMI: Po të informohet populli me televizion, kjo punë do të bëhet vetëm në një rreth të ngushtë dhe në salla të mbyllura, nuk mund të bëhet në shkallë të gjerë…
RAMIZ ALIA: Pastaj informimi me televizor vetëm i zhvillimit të gjyqit që u bë me dyer të hapura, do të ngjallë diskutime e pikëpyetje për gjyqin e dytë. Njerëzit do të pyesin: “Përse u bë me dyer të mbyllura?”.
HEKURAN ISAI: Po ne do t’ua themi arsyen për këtë.
RAMIZ ALIA: E di, e qartë është, po informacion do të japim vetëm për gjyqin me dyer të hapura, nuk do të japim asgjë për të tjerët.
ENVER HOXHA: Jo, për të tjerët nuk do të japim asgjë.
RAMIZ ALIA: Tani nuk e kam fjalën për njerëzit e ndershëm dhe besnikë të Partisë, po duhet parë ç’mund të thonë edhe ata që kanë lakra në kokë. “Mirë, xhanëm, do të pyesin këta, e kuptojmë që s’na e dhanë zhvillimin e gjyqit, po pse nuk na i dhanë të paktën si fytyra të tjerët, armiqtë që u gjykuan në gjyqin e dytë me dyer të mbyllura, si Kadri Hazbinë, Feçor Shehun etj., që të shikonim një çikë se çfarë do të thoshin, qoftë edhe një ose dy fjalë. Kaq duam ne të dëgjojmë nga goja e tyre, nuk i duam të gjitha të tjerat që kanë pohuar”
Bibjan Mirakaj
Falenderoj VOAL-Voice of Albanian per botimin e poemes se Prof. Ernest Koliqi, kushtuar atit tim te ndjere Ndoc Kol Mirakaj. Ne respekt te lexuesve te sotem , ne vijim po e sjell kete poeme te transkiptuar ne shqipen aktuale nga mikja jone, Doktoresha e Shkencave Albanologjike, Merita Sauku Bruci
Kënga e NDOC KOLE MIRAKAJ
nga Prof. Ernest Koliqi
Nga Zoti u vendos mbi shpate të ashpra fisi
pararojë e Perëndimit
dhe turri i asnjë thëllimi
në rrjedhë të moteve nuk mundi ta trondisë
shkëlqyen këtu pari e u shembën
Perandorë madhështorë e Sulltanë të rreptë
që ai veç emrin ia mësoi
se e ndjente veten mbret mbi shkëmbinj viganë
I strukur në kulla vetmitare përmbi maja
buzë votrës shpesh i lodhur nga urija
ky besnik i ndejti kanunit
Të stërgjyshave fisnikë e s’u bë vasal
Dhe kur urija shtrëngonte
ndonëse të veshur me zhele e mbathur opinga të grisura
bukën e thatë me shije hante e i lulëzonte në gojë e gëzueshme kënga
Bylmet prej Perëndie, lirija rrojtjes
dhe gjellës i jepte shije
brezat me këtë shije u përtërinë
shqip Zotit duke ia drejtu lutjen e shpresën
Bylmetin plot ajkë atë të dhenvet, të ruajtun në skuta
e fshehte në dollap, me ia përgatit
mikut sofrën bujarisht, kur në derë trokiste
Këtë rrojtje të thjeshtë në këto shkrepa të shkreta
Kush mundi t’ia lakmojë
kujt i shkoi mendja të shuajë
një fis të harruar, ngujuar në gojëdhanat e veta
Stuhia e të pafeve
që bërtet “jepi të mira e gja skamnorit (i varfër)”
më të varfërit fis që bota
Njeh, deri bulmetin e ruajtur për miqt ia mori.
Stuhia e furishme që merr frymëzim nga Moska
deshi të shkulë nga rrënjët në këto shpate
doke e zakone, altarë
të mbruajtura në magjen e qytetërimit që njohu
Perëndimi, se të pashuajturai mbante edhe në varfëri lidhjet jetike
brez pas brezi të trashiguara që e bënë Shqipërinë Europës me i ndejt besnike.
Të tërbuar për gjak, altarët i shkelën me këmbë
me gjak shuan në vatra zjarrin
duke u rrekur me lëndu (prish) tharmin
e qytetërimit perëndimor të skalitur në zemra.
E fisi u mek. Në Malsi flaka e qëndresës sa vinte e shuhej
kur heshtja u trondit nga një kushtrim që ushtonte lart. Ish Ndoc Miraka
Kreshnik i ri, ti u shfaqe në kufijtë e vjetër
Flakrove në sulmim e doke e trashëgime
në gjak i shugurove dhe u dhe një tjetër shndritje mbi trojet e përgjakura
kundra të çoroditurve të dehur në ethe t’huaja i dole mburojë Shqipërisë
Duke çuditur dhe armiqtë me vepra t’huaja e shpejt rrodhën curril me hove të reja
gurrat e vlerave të moçme për prijës ty të zgjodhën burrat
Dhe epopenë e Gjonmarkajve vazhdove.
Në majë të lavdisë u ngjitejo vetëm dëshmove se je fis dragonjsh
por edhe se sa rreze drite
Lëshon një pinjoll që rritet me frymën e zakonit
egërsinë gjakatare dhe mërinë e tërbimit
vala jote përballi me atë virtut që në shpirt të ndezi
Prindi, duke të mësuar urtërinë e vetmohimin
as t’i shkuli shkolla
ato me qumshtin e nanës i thithe, shtysa fisnike,
me idetë e stërholla
që nxisin me përbuz vetitë shqiptare
e ra dëshmor për kombin e vet: veç prap mbi shpatë
trimërija jote e madhe vezullon ndë rradhët e djemve që ranë në luftë me thirrjen tënde
Ashtu, Ndoc, si mbas majave,
në shkëlqimin e vet perëndon buzë mbrëmjes dielli me ar mbi gjethe lisash
duke e mbushur deri vonë të pavenitur qiellin
O flijim i bardhë, përjetësuar në këngë lahute ngushëllim, nga Zoti i Madh
për kobin që na lodhi tepër
kërkoj, të dëgjohesh në psherëtima lutjeje
ndërsa fisi, motra e nana
o dalëzot i vatrave ndër zhurma të tmerrit derdhin lot tek murrana (guri i varrit)
që të mbulon, tue sjellun mbi të dafina nderi.
le të mos qajnë per ty vetëm arbnorët e arbnoret
të vajtojë me lot në faqe
edhe Europa , zonjë harraqe
që s’e di sa të forta i ka në Shqipëri llogoret
se, Ndoc, ky flijimi yt
deshi, me gojdhanat tona të ruajë edhe atë kezë
qytetërimi hirëplotë që i farfurin në ballë Europës plot dritë