VOAL

VOAL

Kancelari britanik thotë se dorëhiqet nëse Boris Johnson zgjidhet kryeministër

July 21, 2019

Komentet

Arrestohet në Teksas, lideri i kartelit të drogës Sinaloa të Meksikës

Imazh pa datë i Ismael

 

Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael “El Mayo” Zambada, lider i kartelit Sinaloa të Meksikës, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso në Teksas.

Zambada, 76 vjeç, themeloi organizatën kriminale me Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA.

I arrestuar me Zambada të enjten ishte djali i Guzman, Joaquin Guzman Lopez, tha departamenti i drejtësisë amerikane.

Në shkurt, Zambada u akuzua nga prokurorët amerikanë për një komplot për të prodhuar dhe shpërndarë fentanyl, një drogë më e fuqishme se heroina që është fajësuar për krizën e opioideve në SHBA.

Në një deklaratë me shkrim të enjten në mbrëmje, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland tha se të dy burrat udhëheqin “një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë”.

“El Mayo dhe Guzman Lopez i bashkohen një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të kartelit Sinaloa, të cilët Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në Shtetet e Bashkuara,” tha zoti Garland.

“Fentanyl është kërcënimi më vdekjeprurës i drogës me të cilin është përballur ndonjëherë vendi ynë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do të pushojë derisa çdo udhëheqës i kartelit, anëtar dhe bashkëpunëtor përgjegjës për helmimin e komuniteteve tona të mbahet përgjegjës”, shtoi Garland, oficeri më i lartë i zbatimit të ligjit në. Shtetet e Bashkuara.

Prokurorët amerikanë thonë se karteli Sinaloa është furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.

Autoritetet amerikane kanë vërejtur më parë se fentanili është shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët e moshës 18 deri në 45 vjeç.

Në maj, nipi i Zambada – Eliseo Imperial Castro, i cili njihej si “Cheyo Antrax” – u vra në një pritë në Meksikë. Ai kërkohej edhe nga autoritetet amerikane.

Zambada është padyshim bosi më i madh i drogës në botë dhe sigurisht më me ndikim në Amerikë.

Ai u kishte shmangur autoriteteve për dekada, dhe si i tillë, arrestimi i tij ka ardhur si një tronditje në Meksikë.

Detajet e arrestimit të dy burrave mbeten të paqarta, por duket se ata fluturuan në Shtetet e Bashkuara.

Duke cituar zyrtarë meksikanë dhe amerikanë, Wall Street Journal raporton se Zambada u mashtrua për të hipur në aeroplan nga një anëtar i rangut të lartë të Sinaloa pas një operacioni njëmujor nga Hetimet e Sigurisë Kombëtare dhe FBI.

Zambada besonte se do të inspektonte aeroportet klandestine në Meksikë, raporton gazeta.

Në një deklaratë, Sekretari Amerikan i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas tha se karteli Sinaloa “ishte pionier në prodhimin e fentanilit dhe e ka trafikuar për vite me radhë në vendin tonë, duke vrarë qindra mijëra amerikanë dhe duke shkatërruar komunitete të panumërta”.

Drejtori i FBI-së Chris Wray tha se arrestimet janë “një shembull i angazhimit të FBI-së dhe partnerëve tanë për të çmontuar organizatat e dhunshme kriminale transnacionale si Karteli Sinaloa,” tha ai./SYRI.NET
Image

Majtas Ismael “El Mayo” Zambada  dhe djathtas Joaquin Guzman Lopez

Kush mund ta udhëheqë Rusinë pas Putinit?

Një protestues duke e mbajtur një pankartë në një marsh kundër luftës së Rusisë në Ukrainë. Fotografi e shkrepur në mars të vitit 2022 në Almati të Kazakistanit.

 

Vladimir Putin, 71-vjeçar, ka qenë president ose kryeministër i Rusisë prej vitit 1999, duke shtypur zërat kundërshtarë, ndërkohë që ka krijuar një sistem autoritar, i cili u ka rezistuar sfidave politike, krizave ekonomike, luftërave dhe pandemisë së koronavirusit.

Në janar, kur Putin është përgatitur për një mandat të pestë presidencial, në zgjedhje thuajse krejtësisht të menaxhuara, një korrespodent i mediumit britanik BBC, e ka pyetur një pensioniste në qytezën ruse Rzhev, nëse dikush do të mund të zëvendësonte Putinin.

“Jo tani”, ka thënë gruaja, duke e përsëritur një narrativë që është kultivuar me kujdes nga pushteti i Kremlinit.

“Ndoshta Putin do të gjejë dikë më vonë. Mirëpo, mendoj që ai do të jetë në pushtet edhe për një kohë të gjatë”.

Pavarësisht vështirësive për të menduar “përtej Putinit”, Systema – njësiti hulumtues në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë – ua ka bërë këtë pyetje më shumë se 150 ekspertëve, përfshirë shkencëtarë politikë, sociologë dhe gazetarë në Rusi, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Mbi 40 prej tyre kanë pranuar të përgjigjen dhe janë pyetur se cili është skenari më i mundshëm që Putin të mos jetë më në pushtet dhe kush do të mund ta zëvendësojë.

Shumë prej tyre kanë thënë se këto spekulime janë vetëm mbi bazë fantazie, dhe që identifikimi i emrit të pasardhësit është mision i pamundur.

Disa të tjerë kanë thënë që as vetë Putin nuk ka ide të qartë në këtë drejtim.

“Dobësimi i regjimit të Putinit do të jetë në linjë me plakjen natyrale të Putinit”, ka thënë analisti politik ukrainas, Volodymyr Fesenko.

Derisa vdekja të na ndajë

Shumica e ekspertëve kanë thënë se skenari më i mundshëm për ndryshim të pushtetit në Rusi do të ishte vdekja e Putinit.

Në fakt, pothuajse të gjithë respodentët e kanë përmendur këtë si një prej mundësive më reale për Rusinë, ndërsa tetë prej tyre e kanë parë këtë si mundësinë e vetme.

Ndërkohë, 23 kanë thënë se puçi apo një kryengritje e elitës mund të nxisë ndryshim pushteti.

Dhjetëra e kanë përmendur këtë si mundësinë e vetme.

Vetëm pesë respodentë e kanë përmendur “luftën civile” apo “revolucionin” si mundësi për Rusinë, më pak sesa ata që kanë thënë se regjimi i Putinit mund të marrë fund prej një humbje ushtarake ruse.

Një ekspert ka supozuar që fundi i Putinit mund të nxisë ndonjë katastrofë të madhe, sikurse një katastrofë në central bërthamor apo një tronditje ekonomike globale.

Një tjetër ka thënë se Putin mund të rrëzohet me një “puç të lehtë”, në rast se do të ketë ndonjë sëmundje serioze.

Asnjëri prej respodentëve nuk e ka përmendur fundin e regjimit të Putinit përmes zgjedhjeve. Mirëpo, gazetari Andrei Zakharov ka thënë se “Rusia do të jetë një ditë e lirë”.

Emrat e zakonshëm

Ekspertëve u është kërkuar edhe që të përmendin emrin e pasardhësit potencial të Putinit në dy skenarë të ndryshëm, njërin kur vetë Putin merr pjesë në procesin e përzgjedhjes – sikurse ka vepruar presidenti i dikurshëm Boris Yeltsin kur e ka emëruar Putinin – dhe të dytin, nëse Putin vdes, apo nuk mund të marrë pjesë në proces.

Në skenarin e parë, 19 ekspertë e kanë përmendur kryeministrin aktual rus, Mikhail Mishustin, derisa 18 tjerë e kanë përmendur Sekretarin e Këshillit Shtetëror dhe ish-rojën e Putinit, Aleksei Dymin.

Emra tjerë të përmendur janë edhe ai i kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, ish-presidentit, Dmitry Medvedev, dhe ai i ministrit të Mbrojtjes, Andrei Belousov.

Dy ekspertë kanë thënë se Putin mund të zgjedhë edhe vajzën e tij më të re, Katerina Tikhonova, derisa një tjetër e ka përmendur emrin e vajzës së madhe të Putinit, Maria Vorontsova.

Në skenarin e dytë, në të cilin Putin nuk do të përfshihej në procesin e përzgjedhjes, shumica e respodentëve e kanë përmendur emrin e Mishustinit, derisa Sobyanin ka dalë i dyti.

Shtatë respodentë e kanë përmendur edhe këshilltarin e presidentit, njëherësh ish-shefin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Nikolai Patrushev.

Pesë të tjerë e kanë përmendur emrin e djalit të Patrushevit, zëvendëskryeministrit, Dmitry Patrushev.

Në total, ekspertët kanë përmendur 34 emra të figurave që mund të ngjiten në pushtet pas Putinit, duke përfshirë 75-vjeçaren, Valentina Matviyenko, aktualisht udhëheqëse e Këshillit Federal, si dhe 37-vjeçaren Tikhonova.

Një ekspert e ka përmendur edhe liderin e Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, pavarësisht raportimeve të vazhdueshme se ai po përballet me probleme serioze shëndetësore.

Një tjetër ekspert e ka përmendur biznesmenin në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, 61-vjeçar, si kandidat potencial pas Putinit.

Khodorkovsky ka qenë figura e vetme opozitare që është përmendur nga respodentët.

Aleksei Navalny, kundërshtari më i zëshëm i Putinit në dekadën e fundit, ka vdekur papritur në shkurt, sa ka qenë në një burg në Arktik, pas tre vjetësh e gjysmë mbrapa grilave.

Shumë ekspertë kanë thënë se parashikimi i pasardhësit të Putinit në pushtet është diçka e pamundshme, sepse gjithçka varet nga situata e krijuar.

“Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur, kushdo që e merr pozitën e kryeministrit, ka më së shumti mundësi për të qenë pasardhës”, ka thënë një analist, i cili ka kërkuar të mos i përmendet emri.

“Është e pamundur të dihet tani”, ka shtuar ai, duke përmendur se pak njerëz do të përmendnin emrin e Nikita Khrushchevit si pasardhës të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

Analisti politik rus, Fyodor Krasheninnikov, e ka përmendur kompleksitetin e sistemit qeverisës të Putinit.

“Ne as nuk e dimë se kush realisht e përbën rrethin më të ngushtë të Putinit”.

Sergei Sanovich, hulumtues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford, ka thënë se beson që një tranzicion në pushtetin e Rusisë mund të mos ndodhë deri më 2036, kur mund të përfundojë mandati i gjashtë presidencial i Putinit.

“Nëse ndodh tani, mendoj që pasardhës do të jetë Patrushevi i ri”, ka vlerësuar ai.

“Mirëpo, nuk mendoj që kjo do të ndodhë më herët sesa viti 2036, kur Dmitry Patrushev do të jetë 60 vjeç. Kjo nënkupton që atëherë mund të fitojë dikush më i ri”. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Krenare Cubolli

E hëna e 22 korrikut, dita më e nxehtë në histori

Një punëtor ndërtimtarie në Milluaki të Viskonsinit, Shtetet e Bashkuara. Fotografi e 17 korrikut 2024.

 

Bota ka regjistruar sërish ditën më të nxehtë në histori – të hënën e 22 korrikut – duke e tejkaluar edhe temperaturën e së dielës, sipas të dhënave preliminare të agjencisë monitoruese të Bashkimit Evropian.

Teksa bota përballet me valë të të nxehtit dhe zjarre pyjore, sidomos në Mesdhe, Rusi dhe Kanada, temperatura mesatare e ajrit ka shkuar në 17.15 gradë Celsius të hënën.

Kjo shifër ka qenë 0.06 gradë Celsius më e lartë sesa ajo e së dielës, sipas Shërbimit të BE-së për Ndryshimet Klimatike, Copernicus, i cili mbledh të mëdha për ndryshimet e motit, prej vitit 1940.

Aty përfshihen edhe temperaturat e hemisferës jugore, ku aktualisht është dimër, dhe të cilat e kanë zvogëluar mesataren botërore.

Shkencëtarët kanë thënë se është e mundshme që temperaturat e së martës ose mërkurës së kësaj jave të tejkalojnë temperaturën e së hënës.

Dita më e nxehtë në histori është konsideruar një ditë e korrikut të vitit 2023, mes 3-6 korrikut.

Deri atëherë, një ditë gushti e vitit 2016 ka qenë në krye të listës.

Çfarë e bën rekordin e këtij viti edhe më të pazakonshëm është që, për dallim prej vitit 2013 dhe 2016, bota është përballur në prill me fenomenin El Nino, i cili në përgjithësi rrit temperaturat globale të oqeaneve. REL

Indinjatë pas dënimit nga Moska të gazetares Alsu Kurmasheva

VOA/Jessica Jerreat, Liam Scott

Të premten gjykatat ruse dënuan dy gazetarë amerikanë, Evan Gershkovich të gazetës Wall Street Journal dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

Aktivistët që mbrojnë lirinë e shtypit thonë se të dy janë dënuar padrejtësisht.

Në një seancë me dyer të mbyllura të premten, Alsu Kurmasheva u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg për, siç thotë Kremlini, përhapjen e informacioneve të rreme për ushtrinë ruse.

Vendimi duket se ka lidhje me rolin e saj si redaktore e një libri mbi rusët që janë kundër luftës në Ukrainë.

Është e paqartë nëse po shqyrtohen akuza të tjera kundër gazetarës së Radios Evropa e Lirë që ashtu si Zëri i Amerikës është pjesë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus e quajti gjyqin “tallje me drejtësinë”. Edhe grupet mediatike po dënojnë veprimet e Rusise.

“Kjo tregon sërish se si gjyqet kundër këtyre dy gazetarëve amerikanë në Rusi janë padyshim të manipuluara plotësisht nga autoritetet ruse”, thotë Karol Luczka nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit.

Vendimi ndaj gazetares Kurmasheva erdhi në të njëjtën ditë kur Rusia dënoi Evan Gershkovichin.

Gazetari i Wall Street Journal u dënua me 16 vjet burg për akuzat për spiunazh, të cilat ai i mohon.

Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar lirimin e të dy amerikanëve.

“Mbetemi të përqëndruar në rastin e Alsu Kurmashevës. Ajo është një gazetare e përkushtuar e cila është vënë në shënjestër nga autoritetet ruse për angazhimin e saj të pakompromis për të thënë të vërtetën dhe raportimin parimor”, thotë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Dënimet shënojnë një rënie të mëtejshme të lirisë së medias në Rusi. Ky vend renditet pranë fundit të listës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Moska ka burgosur të paktën 22 gazetarë, më shumë se gjysma e të cilëve janë shtetas të huaj, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Shefja për Marrëdhëniet me Jashtë e Radios Evropa e Lirë, Diane Zeleny thotë se burgosja e padrejtë e Kurmashevës dhe rreziqet për gazetarët e Radios janë shqetësim i përditshëm.

“Është normalja e re. Është e trishtueshme por kjo është gjendja në botë për momentin. Gazetarët nuk janë të sigurt në shumë vende. Mënyrat për t’i ndihmuar ata janë minimale dhe ata po vihen në shënjestër nga qeveritë autoritare”, thotë zonja Zeleny.

E bija e Kurmashevës flet për ndjesitë e saj pas lajmit për dënimin e nënës.

“Do të ishte ndryshe nëse do ta dija thjesht se ajo ndodhet larg meje për një farë kohe, por duke e ditur se ajo është në një vend të pasigurt, në rrezik dhe se nuk është mirë, kjo është diçka që vërtet më trishton”, thotë Bini Butorin.

Ambasada ruse nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për koment. Por në rastin e gazetarit Gershkovich, Kremlini ka thënë se do të ishte i hapur për shkëmbim të burgosurish.

Tërheqja e Presidentit Biden nga gara, shkakton konfuzion lidhur me sfidat globale

VOA/Marrë nga Associated Press

Tërheqja e Presidentit Joe Biden nga gara presidenciale në SHBA, i shton pasiguritë në botë në një kohë kur udhëheqësit perëndimorë përballen me luftrat në Ukrainë dhe Gazë, një Kinë më agresive në Azi dhe forcimin e së djathtës ekstreme në Evropë. Gjatë karrierës së tij prej pesë dekadash në politikë, zoti Biden krijoi marrëdhënie të shumta personale me udhëheqës të huaj, gjë që nuk e ka asnjë nga kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar atë. Pas njoftimit për tërheqjen e tij, mesazhe të shumta mbështetjeje dhe mirënjohjeje për vitet e shërbimit publik nga ana e tij, edhën nga e gjithë bota. Sfidat e shumta të politikës së jashtme me të cilat do të përballet presidenti i ardhshëm i SHBA-së, e bëjnë të qartë se sa e rëndësishme është ajo që ndodh në Uashington për pjesën tjetër të botës. U hedhim një vështrim disave prej këtyre sfidave.

IZRAELI DHE PALESTINEZËT

Mbështetja e fortë e Presidentit Biden për Izraelin që pasi sulmit të Hamasit më 7 tetor, i ka rrënjët në mbështetjen e tij gjysmëshekullore për atë vend si senator, nënpresident dhe më pas president. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, një aleat i ish-presidentit Donald Trump, i cili ka pasur përplasje me zotin Biden lidhur me bombardimet dhe rrethimin e Gazës nga Izraeli në muajt e fundit, nuk komentoi menjëherë lidhur me vendimin e Presidentit Biden për t’u larguar nga gara.

Zyrtarë të tjerë izraelitë vlerësuan mbrojtjen e vendosur të zotit Biden ndaj vendit të tyre. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant falënderoi Presidentin Biden për “mbështetjen e tij të palëkundur”, ndërsa Presidenti Isaac Herzog e përshëndeti atë si “aleat të vërtetë të popullit hebre”.

Përpara se të nisej për në Uashington të hënën – ku ai do të flasë para një sesion të përbashkët të Kongresit të mërkurën – zoti Netanyahu tha se “pavarësisht se kë zgjedh populli amerikan si president, Izraeli mbetet një aleat i domosdoshëm dhe i fuqishëm i Amerikës”.

Duke qenë se nënpresidentja Kamala Harris po shihet si zëvendësuesja më e mundshme e zotit Biden, izraelitët po përpoqen të kuptojnë se çfarë do të thoshte kandidatura e saj për vendin e tyre, që përballet me një izolim global në rritje lidhur me luftën e tij kundër Hamasit.

Gazeta e përditshme izraelite e krahut të majtë “Haaretz” botoi një artikull ku analizonte reputacionin e zonjës Harris si një zë i ashpër që ka kritikuar shpesh me forcë Izraelin se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur civilët.

Alon Pinkas, ish-konsull i përgjithshëm i Izraelit në Nju Jork thotë se
“me largimin e Bidenit, Izraeli ka humbur” nga mbështetësit e fuqishëm të një shteti demokratik hebre.

Palestinezët e intervistuar të hënën në qytetin qendror të Gazës, Deir al-Balah thanë se nuk ka rëndësi se cili do të bëhet kandidati demokrat për sa kohë që Izraeli vazhdon të hedhë bomba të prodhuara nga SHBA në enklavë.

“Ne mendojmë se Shtetet e Bashkuara janë partnere në sulmin ndaj Gazës”, tha Hassan Shaqalieh.

“Të dy (Biden dhe Harris) në fund të fundit kanë të njëjtën platformë dhe kanë një histori të miratimit të politikave të vijës së ashpër izraelite kundër palestinezëve,” thotë Tahani Mustafa, një analist palestinez në Grupin e Krizave.

UKRAINA

Cilido qoftë kandidati demokrat ka të ngjarë të vazhdojë në gjurmët e zotit Biden me një mbështetje të vendosur ushtarake për Ukrainën. Por zhgënjimi me administratën Biden është rritur në Ukrainë dhe Evropë për shkak të ritmit të ngadaltë të ndihmës për SHBA-në dhe kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore.

“Shumica e evropianëve e kuptojnë se Ukraina do të jetë gjithnjë e më shumë barra e tyre. Të gjithë po përpiqen të jeni gati për çdo rezultat të mundshëm”, thotë Sudha David-Wilp, drejtore e zyrës së Berlinit të Fondit Gjerman Marshall.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në platformën X se e respekton “vendimin e vështirë, por të fortë” të zotit Biden për të hequr dorë nga fushata dhe e falënderoi atë për ndihmën “për të parandaluar pushtimin e vendit tonë nga (presidenti rus Vladimir) Putin”.

Ish-Presidenti Trump ka premtuar se do t’i japë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës brenda një dite nëse ai zgjidhet – një perspektivë që ka shtuar frikën në Ukrainë se Rusia mund të lejohet të mbajë territorin që ka marrë nënkontroll.

Kandidati republikan për nënpresident, senatori i Ohajos, JD Vance, është ndër kundërshtarët më të zëshëm në Kongres ndaj ndihmës së SHBA-së për Ukrainën.

Ndërkohë, Rusia hodhi poshtë rëndësinë e garës, duke këmbëngulur se pavarësisht se çfarë ndodh, Moska do të vazhdojë veprimet në Ukrainë.

“Synimet e operacionit special ushtarak do të arrihen”, tha Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, në aplikacionin e mesazheve Telegram, duke përdorur formulimin e Kremlinit për luftën në Ukrainë.

EVROPA DHE NATO

Shumë evropianë ishin të lumtur të shihnin humbjen e zotit Trump, pasi ai për vite me radhë shpërfilli Bashkimin Evropian dhe kritikoi ashpër NATO-n. Qëndrimi në dukje shpërfillës i zotit Trump ndaj aleatëve evropianë në debatin presidencial të muajit të kaluar nuk bëri asgjë për t’i qetësuar këto shqetësime.
Zoti Biden, nga ana tjetër, ka mbështetur marrëdhëniet e ngushta amerikane me udhëheqësit e bllokut. Këto lidhje u dukën qartë pas vendimit të zotit Biden për t’u larguar nga gara.

Kryeministri polak Donald Tusk e quajti zgjedhjen e tij “ndoshta më të vështirën në jetën e tij”. Kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, tha se ai respektonte “vendimin e zotit Biden bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”. Kryeministri irlandez Simon Harris e quajti Presidentin Biden një “amerikan krenar me shpirt irlandez”.

Analistët thonë se këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse NATO-ja do ta ruajë ritmin e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe nëse mund të mbahen nën kontroll ambiciet e shteteve autoritare.

“Ata nuk duan që Donald Trump të jetë president. Pra, ka pak lehtësim, por edhe mjaft nervozizëm” në lidhje me vendimin e zotit Biden për t’u larguar nga gara, thotë Jeremy Shapiro, drejtor kërkimesh në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

KINA

Gjatë muajve të fundit, si zoti Biden ashtu edhe zoti Trump janë përpjekur t’u tregojnë votuesve se kush mund t’i rezistojë më së miri fuqisë ushtarake dhe luftarake në rritje të Pekinit dhe të mbrojë bizneset dhe punëtorët amerikanë nga importet kineze me çmime të ulëta.

Presidenti Biden ka rritur tarifat për automjetet elektrike nga Kina dhe ish-Presidenti Trump ka premtuar të zbatojë tarifa prej 60% për të gjitha produktet kineze.

Doktrina “Amerika e para” e zotit Trump përshkallëzoi tensionet me Pekinin. Por mosmarrëveshjet me rivalin gjeopolitik dhe kolosin ekonomik mbi luftrat, tregtinë, teknologjinë dhe sigurinë vazhduan gjatë mandatit të zotit Biden.

Reagimi zyrtar i Kinës ndaj garës presidenciale në SHBA ka qenë i kujdesshëm.

“Zgjedhjet në SHBA janë politikë e brendshme e SHBA-së. Nuk kam asnjë koment për këtë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

IRANI

Në kushtet kur grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme, janë të përfshira gjithnjë e më shumë në luftën Izrael-Hamas, SHBA përballet me një rajon në kaos. Grupi Huthi i Jemenit që mbështetet nga Irani goditi Tel Avivin për herë të parë javën e kaluar, duke sjellë rezultat kundërpërgjigjen e Izraelit brenda Jemenit të shkatërruar nga lufta. Sulmet ndërkufitare midis grupit militant Hezbollah të Libanit të mbështetur nga Irani dhe ushtrisë izraelite, kanë ngjallur frikën për një konflikt të gjithanshëm rajonal.

Hamasi, i cili gjithashtu merr mbështetje nga Irani, vazhdon të luftojë Izraelin, nëntë muaj pas një lufte që ka vrarë 39,000 palestinezë dhe ka zhvendosur mbi 80% të popullsisë së Gazës.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin për zgjerimin e programit të tij bërthamor dhe pasurimin e uraniumit në një nivel të paprecedentë prej 60%.

Pasi presidenti i atëhershëm Trump u tërhoq në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore, zoti Biden u përpoq të ndryshonte qëndrimin e ashpër të paraardhësit të tij. Por administrata e tij nuk ka arritur të rinegociojë marrëveshjen dhe ka vazhduar sanksionet e ashpra.

Vdekja e papritur e Ebrahim Raisit – një aleat i vijës së ashpër i udhëheqësit suprem – në një aksident me helikopter, solli një reformist në presidencën e Iranit. Masoud Pezeshkian ka thënë se dëshiron të ndihmojë Iranin të hapet me botën, por ka mbajtur një ton sfidues kundër SHBA-së.

Gjatë një konference të hënën, Nasser Kanaani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane, nuk i dha rëndësi tërheqjes së zotit Biden.

“Për ne, ardhja dhe ikja e qeverive dhe personave në krye të administratës amerikane nuk është e rëndësishme në vetvete,” tha ai. “Ajo që mund të ndryshojë marrëdhëniet është një ndryshim thelbësor në këtë politikë armiqësore (të SHBA-së) kundër Iranit.”

MEKSIKA

Marrëdhënia historikisht e ngushtë mes Meksikës dhe SHBA-së është karakterizuar vitet e fundit nga mosmarrëveshjet mbi tregtinë, energjinë dhe ndryshimet klimatike. Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador, i cili mori pushtetin në vitin 2018, ka bashkëpunuar me administratat Trump dhe Biden për të reduktuar imigracionin e paligjshëm në kufirin jugor të Shtetet e Bashkuara.

Të premten, presidenti i Meksikës e quajti zotin Trump “mik” dhe tha se do t’i shkruante për ta paralajmëruar që të mos premtonte të mbyllte kufirin ose të fajësonte emigrantët për sjelljen e drogës në Shtetet e Bashkuara.

“Unë do t’i dëshmoj atij se emigrantët nuk transportojnë drogë në Shtetet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar se “mbyllja e kufirit nuk do të zgjidhë asgjë, dhe as nuk mund të realizohet”.

Reagime në gjithë botën pas tërheqjes së presidentit Biden nga gara për Shtëpinë e Bardhë

VOA

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, shkroi se presidenti Biden “është një njeri i shkëlqyer dhe gjithçka që bën udhëhiqet nga dashuria e tij për vendin e tij. Si president, ai është një partner i kanadezëve dhe një mik i vërtetë”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi se presidenti Biden ka arritur shumë për vendin e tij, për Evropën, për botën.

“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO është e fortë dhe SHBA-ja është një partner i mirë dhe i besueshëm për ne. Vendimi i tij për të mos kandiduar më, meriton mirënjohje”, shkroi kancelari gjerman.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se e respekton vendimin e presidentit Biden për të hequr dorë nga gara presidenciale.

“Unë e di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme, presidenti Biden do ta ketë marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”, shkroi kryeministri britanik.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në një postim në rrjetin X i shprehu admirimin presidentit Biden për atë që ai e cilësoi vendim të guximshëm dhe dinjitoz.

“Falë vendosmërisë dhe udhëheqjes së tij, SHBA-ja e tejkaloi krizën ekonomike pas pandemisë dhe sulmit serioz në Kapitol dhe u bë shembullore në mbështetjen e saj për Ukrainën përballë agresionit rus të (Vladimir) Putinit. Një gjest i madh nga një president i madh që ka luftuar gjithmonë për demokraci dhe liri”, shkroi kryeministri spanjoll.

Kryeministri polak Donald Tusk shkroi në rrjetin X; “zoti President Joe Biden, shumë herë keni marrë vendime të vështira që e kanë bërë Poloninë, Amerikën dhe botën më të sigurt dhe demokracinë dhe lirinë më të forta. Unë e di që jeni udhëhequr nga të njëjtat parime kur shpallët vendimin tuaj të fundit. Ndoshta më i vështiri në jetën tuaj”.

Kryeministri i Çekisë Petr Fiala, tha se ky është padyshim vendimi i një burrështetasi që i ka shërbyer vendit të tij për dekada. “Është një hap i përgjegjshëm dhe personalisht i vështirë, prandaj edhe shumë i vlefshëm. Po lutem që Shtetet e Bashkuara nga konkurrenca demokratike e dy kandidatëve të fortë dhe të barabartë, të fitojnë një president të mirë”.

Kryeministri irlandez, Simon Harris, shkroi se “bota ka ndryshuar që nga fitorja e presidentit Biden në vitin 2020 dhe neve na është dashur të përballemi me sfida të jashtëzakonshme, nga një pandemi globale deri te kthimi i luftës në kontinentin e Evropës me agresionin e tmerrshëm në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë, e cila ka shënjestruar dhe vrarë qëllimisht civilë të pafajshëm. Presidenti Biden ishte një zë i arsyes, multilateralizmit efektiv dhe zgjidhjeve të përbashkëta”, shkroi ai.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere i tha kanalit televiziv kombëtar NRK se e respekton vendimin e presidentit Biden për t’u tërhequr nga gara.

“Joe Biden ka qenë një nga politikanët më të shquar të Amerikës gjatë disa dekadave dhe një president që ka kryer disa reforma të rëndësishme”, tha ai.

“Faleminderit për udhëheqjen dhe shërbimin tuaj të vazhdueshëm president Biden”, shkroi ndërkaq kryeministri i Australisë, Anthony Albanese. “Aleanca Australi-SHBA nuk ka qenë kurrë më e fortë me angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, sigurisë ndërkombëtare, prosperitetit ekonomik dhe veprimit pwr mbrojtjen e klimës për këtë dhe brezat e ardhshëm”, shkroi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se zgjedhjet amerikane do të mbahen pas katër muajsh dhe kjo sipas tij “është një periudhë e gjatë kohore gjatë së cilës mund të ndryshojë shumëçka. Ne duhet të jemi të durueshëm dhe të monitorojmë me kujdes atë që ndodh. Përparësi për ne është operacioni i posaçëm ushtarak,” tha Peskov, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

Boeing: Gati 44.000 aeroplanë do të nevojiten deri më 2043

Prodhuesi amerikan, Boeing parashikon që industria e aviacionit do të ketë nevojë për gati 44.000 aeroplanë në dy dekadat e ardhshme, sipas një parashikimi afatgjatë.

Boeing pret që numri total i aeroplanëve për pasagjerë dhe mallra do të dyfishohet deri më 2043.

“Udhëtimet janë më të rëndësishme tani sesa para pandemisë së koronavirusit”, ka thënë menaxheri i kompanisë, Darren Hulst.

Kërkesa është duke u rritur për shkak se aeroplanët po zëvendësohen më vonë sesa që duhet, për shkak të pengesave në dorëzim.

Si mesatare, ai ka thënë se flota e aeroplanëve është një deri në një vit e gjysmë më e vjetër sesa para pandemisë. REL

Probleme madhore kibernetike në të gjithë botën

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Një ndërprerje globale kibenernetike ka shkaktuar ndalimin e fluturimeve, punën në banka, spitale, media dhe kompani të tjera. Firma e sigurisë kibernetike CrowdStrike, me bazë në Teksas, tha të premten se arsyeja e pengesës nuk kishte të bënte me një incident sigurie apo sulm kibernetik. Kompania tha se po përpiqet për të rregulluar problemin, megjithëse efektet e kësaj avarie kibernetike kanë shkaktuar anulimin e shumë flutumieve në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi.

Firma e sigurisë kibernetike ‘CrowdStrike’, që ofron mbrojtje kundër viruseve në hakerimeve, tha se problemi ndodhi pas një përditësimi të gabuar në kompjuterat që përdorin sistemin ‘Microsoft Windows’.

“Sistemi i kompanisë ‘Crowdstrike’ përdoret në industri të ndryshme globalisht dhe është një nga platformat kryesore në treg. Ndërprerjet që po shohim janë të përhapura si gjeografikisht ashtu edhe në industri të ndryshme”, thotë profesori i sigurisë kibernetike në Universitetin Politeknik të Milanos, Stefano Zanero.

Disa pas zbulimit të problemit, rrëmuja vazhdoi dhe u përshkallëzua. Radhët të gjata u regjistruan në aeroporte në të gjithë botën.

Në Shtetet e Bashkuara, Agjencia Federale e Aviacionit (FAA) tha se ishin pezulluar të gjitha fluturimet e linjave ajrore ‘United’, ‘American Airlines’, ‘Delta Airlines’ dhe ‘Allegiant’.

“Kompania e fluturimit ishte e sinqertë në lidhje me këtë. Na thanë se nuk mund të kontaktonim askënd. Nuk e kemi idenë se çfarë po ndodh. Ata thanë se nuk funksionon sistemet e rezervimit të fluturimeve dhe të hotelit. Po ashtu është dëmtuar funskioni i nxjerrjes së bagazheve nga aeroplani “, thotë Matt Jordan, një nga pasagjerët e bllokuar në aeroport në Uiskonsin.

Transmetimi i disa mediave në Australi u ndërpre për disa orë, siç i ndodhi edhe televizionit ‘Kanali 24’ në Bangladesh.

Spitalet dhe zyrat e mjekëve kishin probleme me takimet e planifikuara me pacientë, ndërsa bankat në Afrikën e Jugut dhe Zelandën e Re raportuan ndërprerje në sistemin e tyre të pagesave ose faqet e internetit.

“Të gjithë këto sisteme janë me rëndësi kritike, spitalet, bankat, agjencitë e fluturimeve dhe kam dëgjuar që edhe shërbimet e emergjencës janë prekur, madje edhe disa supermarkete në Britani. Të gjitha këto sisteme duhet të rregullohen në mënyrë manuale nga një person, duke ndërhyrë në çdo kompjuter. Po fasim për miliona kompjutera”, thotë James Bore, ekspert kibernetik nga Britania e Madhe.

Oganizata ‘DownDetector’, që vëzhgon problemet në shërbimet e internetit, njoftoi se ndërprerjet janë shkaktuar vetëm në kompjuterat që përdorin shërbimet e kompanisë ‘Microsoft’.

“Nuk do të jetë një çështje që do të ketë ndikim afatgjatë. Megjithatë, ndikimi më i madh ndoshta do të jetë tek besimi që kanë përdoruesit në teknologji në përgjithësi me theks të veçant në teknologjinë që ka për qëllim të ofrojë mbrojtje nga viruset”, thotë profesori i sigurisë kibernetike, Stefano Zanero.

Eksperti kibernetik nga Britania, James Bore, tha se një nga dëmet më të mëdha mund të jenë shkaktuar në spitale dhe sipas tij ka mundësi që “të ketë edhe raste vdekjeje për shkak të kësaj situate. ‘Kjo duket e pashmangshme”, thotë ai.

Gershkovichi dënohet me 16 vjet burg në Rusi

Gazetari i Wall Street Journal u shpall fajtor për spiunazh. Spekulimet do të bënin që ai të ishte pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve midis Moskës dhe Uashingtonit

VOAL- Një gjykatë ruse të premten e shpalli gazetarin amerikan Evan Gershkovich fajtor për spiunazh dhe e dënoi me 16 vjet, raportuan agjencitë ruse të lajmeve, në një rast që punëdhënësi i tij, Wall Street Journal, e quajti një farsë.

Gershkovich, një amerikan 32-vjeçar që ka thënë se akuzat kundër tij ishin të rreme, doli në gjyq muajin e kaluar në qytetin e Yekaterinburg. Ai është gazetari i parë amerikan i arrestuar me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë.

Rastet e spiunazhit shpesh kërkojnë muaj për t’u përpunuar dhe shpejtësia e pazakontë me të cilën gjyqi i tij u zhvillua me dyer të mbyllura – seanca dëgjimore e së premtes ishte vetëm e treta në gjyq – ka nxitur spekulime se një marrëveshje shkëmbimi e diskutuar gjatë të burgosurve SHBA-Rusi, duke përfshirë atë dhe potencialisht amerikanë të tjerë të arrestuar në Rusi, mund të jenë tashmë në kartat.

Kremlini, i pyetur nga Reuters të premten për mundësinë e një shkëmbimi të tillë, nuk pranoi të komentojë: “Unë e lë pyetjen tuaj pa përgjigje,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Prokurorët rusë kishin pohuar se Gershkovich kishte mbledhur informacione të klasifikuara me urdhër të CIA-s amerikane për një kompani që prodhonte tanke për luftën e Moskës në Ukrainë, gjë që ai dhe punëdhënësi i tij e mohuan.

Agjentët e shërbimit të sigurisë FSB e arrestuan atë më 29 mars 2023 në një biftekë në Yekaterinburg, 1,400 km në lindje të Moskës. Që atëherë ai është mbajtur në burgun Lefortovo të Moskës. Reuters/ATS/RSI

Problemet kibernetike globale pezullojnë fluturimet dhe bllokojnë bizneset

Shumë kompani të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara, i kanë anuluar fluturimet të premten, duke cituar probleme me komunikim, derisa kompani tjera mediale, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar që kanë probleme me sistemet kompjuterike dhe që po u pamundësohet puna.

Në Kroaci raportohet të ketë rënë Sistemi Qendror Informativ Shëndetësor.

Televizioni britanik Sky News ka qenë për pak kohë jashtë transmetimit.

Policia në shtetin amerikan të Alaskës ka raportuar për bllokim të linjës për emergjenca – 911.

Në Australi, mediat, bankat dhe kompanitë kanë thënë se kanë hasur në probleme me internet, për të cilat Qeveria ka thënë se duket që lidhen me kompaninë globale për siguri kibernetike, Crowdstrike.

Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike dhe ka raportime që një përditësim në sistem ka shkuar keq.

Faqja Downdetector e kompanisë Crowdstrike ka gjetur probleme në qasje në shumë banka dhe kompani telekomunikimi.

Crowdstrike e ka lëshuar një mesazh të incizuar telefonik, me njoftimin se kompania është e vetëdijshme për raportimet e problemeve në sistemin operativ Windows të Microsoftit.

Nuk ka informacione që sugjerojnë që kjo ndërpreje përbën incident të sigurisë kibernetike.

Situata me fluturime në Evropë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nuk është raportuar për ndonjë vonesë.

Aeroporti në Berlin ka paralajmëruar që vonesa në fluturime do të ketë gjithë ditën.

Zëdhënësi i Aeroportit të Cyrihut ka thënë se nuk ka probleme, por fluturimet për Berlin i ka anuluar për shkak të problemeve atje.

Kompania e fluturimeve Lufthansa ka thënë se operacionet e saj janë prekur pjesshëm, dhe që mund të ketë anulime apo vonesa në fluturime.

Air Franc ka raportuar, gjithashtu, që fluturimet e kompanisë janë prekur si pasojë e problemeve me kompani tjera në gjithë botën.

Ngjashëm edhe linja holandeze KLM. REL

Rritja e kërkesës për rrymë “do t’i mbajë gjallë termocentralet me thëngjill”

Thëngjilli konsiderohet ndër ndotësit më të mëdhenj të ambientit.

 

Kërkesa për rrymë në botë është duke shënuar rritjen më të shpejtë në gati 20 vjet, për shkak të përdorimit të kondicionerëve, si pasojë e rritjes së temperaturave, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, në një raport të publikuar të premten.

Sipas gjetjeve, ky trend, që pritet të vazhdojë edhe më 2025, nënkupton vazhdimësinë e përdorimit të energjisë me thëngjill, ndonëse do të rriten kapacitetet e energjisë së ripërtrishme.

Shumë vende në botë janë duke regjistruar temperature rekorde dhe valë të të nxehtit.

Rritja e konsumit global të energjisë pritet të shkojë në gati 4 për qind më 2024 – më e madhja prej vitit 2007.

Rritje e njëjtë është parashikuar edhe për vitin 2025, në krahasim me 2.5 për qind të rritjes së kërkesës më 2023.

India pritet të jetë lidere në këtë aspekt, e pasuar nga Kina.

Në gjetjet e raportit është përmendur që në këtë periudhë do të rriten edhe kapacitetet për energji të ripërtrishme dhe që kjo energji të tejkalojë atë me thëngjill më 2025.

Megjithatë, mënyrat për prodhim të energjisë që shkaktojnë më shumë ndotje, siç është ajo me thëngjill, do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, sidomos në Kinë.

Gjyqi kundër Evan Gershkovichit hyn në fazën finale

Gazetari amerikan, Evan Gershkovich, i cili po mbahet në burg në Rusi.

 

Një gjykatë në Rusi ka nisur të premten seancën me argumentet përmbyllëse në rastin e gazetarit amerikan, Evan Gershkovich, i cili është akuzuar për “spiunim” dhe po mbahet në burgun rus prej vitit të kaluar.

Ndalimi i tij është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe gazeta për të cilën ka punuar, e përditshmja amerikane, Wall Street Journal.

“Gjykatësit kanë hyrë në dhomë. Leximi i argumenteve përmbyllëse ka nisur”, ka thënë zëdhënësja e gjykatës, Yekaterina Maslennikova.

Procesi gjyqësor po mbahet me dyer të mbyllura në Jekaterinburg, ku edhe është ndaluar Gershkovich.

Ai është arrestuar më 29 mars 2023, sa ka qenë në një udhëtim pune, dhe është akuzuar se ka tentuar të mbledhë sekrete ushtarake për t’ia dhënë Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në SHBA.

Ai është gazetari i parë që është arrestuar në Rusi nën akuzat për spiunim prej Luftës së Ftohtë.

Gershkovich, 32-vjeçar – ka lindur në SHBA dhe është i biri i imigrantëve që janë shpërngulur nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm.

Ai përballet me 20 vjet burgim, nëse shpallet fajtor.

Ambasada amerikane në Moskë ka thënë se autoritetet ruse kanë dështuar që të ofrojnë dëshmi për akuzat ndaj gazetarit dhe ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Arrestimi i tij ka ndodhur rreth një vit pasi Rusia ka miratuar ligje të reja, të cilat e kanë bërë vepër penale kritikën ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, të cilën Moska e quan “operacion special ushtarak”.

Gershkovich është një prej dy gazetarëve amerikanë që po mbahen në burgjet ruse.

Alsu Kurmasheva, me shtetësi ruso-amerikane, gazetare veterane e Radios Evropa e Lirë (REL), është ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.

Një regjistrim i tillë është i detyrueshëm sipas një ligji rus që synon të shënjestrojë gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që nuk kanë qëndrime të njëjta me pushtetin.

Kurmasheva është akuzuar ndërkohë edhe për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe mund të përballet me 10 vjet burgim.

Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat ndaj saj janë hakmarrje për punën që ka bërë si gazetare për REL-in në selinë e kompanisë në Pragë. REL


Send this to a friend