VOAL

VOAL

Kalendari historik: 25 mars

March 25, 2017

Komentet

DITARI I NDOJIT – SI U BË GJENOCID NË MIRDITË PËR VRASJEN E BARDHOK BIBËS

 

Konsiderohet si “Mandela i Mirditës” për rezistencën në burgjet komuniste, por me fat se si arriti t’i shpëtonte listës së ekzekutimit masiv të Mehmet Shehut si hakmarrje për vrasjen e mikut të tij, deputetit Bardhok Biba. Quhej Gjon Mark Ndoj dhe dy dekada i kaloi në qelitë e diktaturës, për shkak të inskenimit të prokurorëve dhe hetuesve, të cilët “e vunë” atë në vendngjarje si vrasës. Themi “e vunë”, sepse Ndoj ishte arrestuar më 27 prill qershor 1949, katër muaj para ekzekutimit të Bibës, 17 gusht 1949. Në kohën kur ndodhi ngjarja, Ndoji, mësues me profesion, qëndronte i prangosur prej 4 muajsh në hetuesi, pasi gjatë kohës kur ndiqte Liceun Françeskan të Shkodrës, së bashku me disa shokë të tjerë, krijoi organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”. Pas dy ditësh intensive me seanca pyetjesh dhe dhune fizike ekstreme, më në fund hetuesit binden që ai nuk kishte aspak lidhje me vrasjen e Bibës, por sërish e dënuan si “dorac” i eliminimit të deputetit, duke e plasur në burg në moshën 21-vjeçare. Ai u dënua me njëzet vjet, dhjetë prej të cilave i kaloi në burgun e Burrelit.

Sigurisht, Ndoji nuk ishte viktima e vetme e pafajshme e asaj hakmarrjeje masive komuniste mbi mirditorët. Për vrasjen e Bardhok Bibës u arrestuan më shume se 500 burra, u internuan gra e fëmijë nëpër kampet e përqendrimit në Tepelenë e Lushnjë, më tepër se 300 familje. Katërqind burra i nisën për në burgjet e Shkodrës. Njëqind të tjerë u dënuan me burgime të gjata. Dhe më tragjikja e tragjikes: Veç 24 orë pas vrasjes, më 18 gusht 1949, janë ekzekutuar pa gjyq 14 persona, fiks në vendin ku u vra Bardhok Biba: Llesh Mëlyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dod Lleshaj, Gjergj Keq Beleshi, Dod Marka Biba nga Kthella. Ded Preng Gjomarkaj, Nikoll Llesh Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Gjet Palaj, Frrok Mata, Marka Ndrec Marku, Ded Paloka dhe Zef Vila. Prej këtyre 4 janë varur në konop dhe 10 të tjerët kanë qenë lidhur me këtë material kur janë pushkatuar. Si u “sharruan” në plumba, me urdhër të Mehmet Shehut u hodhën të gjithë në një gropë, ndërsa ende nuk u kish dalë shpirti dhe përpëliteshin për ndihmë. Masakrimi u ndoq drejtpërdrejt si një “shfaqje artistike” nga rreth 2000 persona nga zonat e Mirditës e Shkodrës, të cilët ishin thërritur me pahir nga Mehmet Shehu, i cili me rastin e gjenocidit, siç do ta quante Ndoji, kishte përgatitur një fjalim, ku ndër të tjera theksonte: Jam betuar mbi varrin e Bardhok Bibës, se pa i mbushur 101 të pushkatuar për hakmarrje, nuk do ta lëshoj Mirditën dhe Kthellën!. Në këtë shifër të vdekjes së paralajmëruar ishte edhe emri i Mark Gjon Ndojit, por katastrofa e Shehut ngeli në mes. Urgjenca e thërriste në Jug të Shqipërisë në krye të Divizionit të Parë, ku sapo kishin nisur provokacionet greke. Ngjarjet e asaj kohe Ndoji i hodhi në një ditar që mbajti në burg, ashtu si edhe pjesën e jetës së tij “pa qiell”. Shkrimi vjen me germa në miniaturë, shpesh me kode dhe i padeshifrueshëm. Një pjesë e shkurtër e këtij ditari të “Mandelës së Mirditës” që nuk jeton më, vjen sot në gazetën “Panorama”, që ka të bëjë me situatën në burgje pas vrasjes së deputetit Bardhok Biba…

***
Pa mëdyshje, veprimet e dhunshme që kryen komunistët në Mirditë nuk ishin si u tha, hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, por ky qe shkaku që dojshin me justifikue veprimin. Këto masa ndëshkuese qenë të parametrave të nji gjenocidi të plotë. Pra ishte nji armiqësi e urrejtje e mahershme. Askurrë dhe asnjiherë nuk u zbut kjo sjellje. Edhe kur urrejtja u ba latent, inati ishte i dukshëm. Qenë ngjarjet në kufinin greko-shqiptar që reduktuan numrin e viktimave nga 101 që kishte planifikue Mehmet Shehu në 14 burra që u ekzekutuen në Valmer. Kishin marrë shumicën e të burgosunve që ishte vendos për t’u gjykue publikisht, kur vetë kryetari i Degës, Abedin Tajari, erdhi e më mori e urdhnoi nji civil që të daktilografojë. Pyetje afër ngjasimit që kërkohej. Letra u ba nji kopje (procesverbal) e me të në dorë më mori me vehte tue pyet për Çarçanin. Si duket qëllimi i tij ishte me më shmang prej gjyqit. Vija në përfundim të arsyetimit se isha i burgosun rreth dy muej para. Duket se nuk u muer parasysh spjegimi i kryetarit, se, pak kohë mrapa, mbasi më pyeti me u sigurue për emnin, më mori nji kapter e më nxori në korridor e me çiftoi me Mark Tucin, e mandej na çuen te shkolla ku u ba gjyqi. Shokët tanë i kishin ulun në disa stola të gjatë. I njeha, ishin 24 e ne të dy baheshim 26. Jashtë kishte mjaft njerëz e shumë ushtarë. Në xhade ishin do makina të ngarkueme me gra, fëmijë e pleq. Tashti e ma parë ndonji vaji fëmije, urdhna, kërcënime… në ballë kardhi nesh ishte tavolina e mbulueme me flamurin kombëtar. Ishte klasa ku kisha dhanë mësim dy klasave të mia. Aty ku kisha dhanë mësim unë, paraardhësit e paraardhësve të mij, do të rrinte trupi gjykues. Procedura qe e shpejtë. Seanca e parë, marrja në pyetje për gjeneralitetet, dëshmitarët, pretencë, vendimi i gjyqit në katër seanca për dy ditë me radhë. Kolegji i gjykatës së naltë ushtarake ishte i përbamë nga kryetari i saj Bilbil Klosi me dy kapitena anëtarë dhe prokurori, zv.prokurori i përgjithshëm ushtarak, major Misto Bllaca. Meqenëse u mungoshin kryekëput provat sadopak fajësuese, për të përligjë vendimin e tyne, u duhej që në sy të popullit të shpikshin faje, por prej popullit nuk pranuen me dalë dëshmitarë të rremë. Këtë e banë nëpunës e kuadro të rrethit. Dëshmitarë të tillë kanë qenë: M.D. kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, P.N.P. shef seksioni, L.T. kapter Sigurimi etj. Tue fillue prej arrestimit, ruejtjes, hetimit e mbikqyrjes, u ba vetëm prej M.P. tue lanë në anë policinë. Brigada e M.P. e stacionueme në Qaf-Shtamë, nën komandën e kolonel Zija Kambos, mbasi i hoqi prej radhëve të saj të gjithë ata mirditas të paktë që ishin të inkuadruem në këtë brigadë, hynë natën dhe u shpërndanë në të gjithë rrethin administrativ të Mirditës. Ata kryen rreth 500 arrestime, grumbulluen me forcë 300 familje në pika të ndryshme për t’i internue në Tepelenë. U ekzekutuen 14 burra, 4 me varje dhe 10 me pushkatim në sy të popullit. Ndonji ra i gjallë në gropën e vorrit. Mandej, mitrolozët grinë e coptuen kufomat tue terrorzue të madh e të vogël që ishin sjellë aty me detyrim për të pa këtë kasaphanë komuniste. Ndodhi konflikti kufitar me grekët, se nuk dihet si do të ndaleshin vrasjet…
***
Unë pata tre dëshmitarë. M.D. tha se unë kam pasë bisedë shoqnore me kriminelin Mhill Kol Gjatën (që u vra në mal). Kam dhanë llogari në gjyq mapara dhe jam dënu me dy vjet burg. L.T. tha se e kam pa në Shkodër tu shëtit me vllanë e kriminelit… Ditën e dytë pasdite, prokurori mbajti pretencë. Për 20 vetë kërkoi dënimin me pushkatim në të njëjtin vend (në Valmer, aty ku u vra Bardhok Biba). Nji ndër këto të 20 që u dënuen me vdekje e pushkatim qe edhe emri em. M’u duk se mbrenda meje diçka u këput, kryet më bahej se pa da rreh, si vaje grashë, tingllimi kombonë-kishe që rrahin në nji anë për të dekun, nana e robtë. Nji ftohtësi e akullt si rrymë përshkoi jo vetëm mue. Por në ftyra zbe, asesi nga kobi i vdekjes, por nji zemrim që shkakton çudia për nji gja të çmueshme që na bjen nga duert e thehet e bahet copa-copa. Ishim njizet vetë me nji fat të përbashkët, shokë e miq dashamirës dhe mbi të gjitha na kërkohej prova burrnore e qëndresës për të qenë të dejë ashtu sin a cilësoi kundërshtari armik jo me faj, por në përmbajtje. Ky përshkrim vlen pak për mue e të tjerët që na u kthye dënimi në burg. Por u përket atynë burrave që as u topitën, as u dobsuen derisa dhanë frymën e fundit në nji vdekje makabre. Thamë të vërtetën ne që pshtuem prej vdekjes, na u duk jo e hijshme ta pranojshim me u nda prej shokve. Ata gjetën forcën tu na urue ne që po pshtuem. Ndër ata që pshtuen qenë: Ndue Gjon Fusha, djalë i ri që u dënue me burgim të përjetshëm, Mark Kola me 20 vjet e Kol Ndue Gjoni me 10 vjet, por që të dy vdiqën në burg pas 2-3 vjetësh nga mungesa e ushqimit. Në burgje, kampe pune dhe internim vdiqën dhe të burgosunit e tjerë, pasi të dënu për atë rast ishin edhe fëmijë, pleq e gra…
***
Tek gjykatësit u vu re nji irritim kur Mrika, e shoqja e Bardhok Bibës, tregoi nji paknaqsi për 14 kaptina. Ajo u shpreh se për Bardhok Bibën duhen vra 100. E kemi marrë dhe mendimin tuej, tha nën za kryetari i trupit gjykues, por u ngjue. Ndërsa të afërmit e tjerë të Bardhok Bibës u munduen me pshtue njerëz. E motra e Bardhokut, nji grue e re dhe e hijshme kishte kërkue për tre me emën si në moshë të re që t’i falte gjykata. Prokurori ndër 20 vetë që kishte kërkue dënimin me vdekje e pushkatim isha unë, Ndue Fusha e Mark Tuci. Ma vonë do të merrshin vesht se kishte qenë Preg Kol Marku, kushrini i saj dhe B. dashamirës i yni që e kishte nxitë dhe msue.

Në fjalën e mbrame, mbas pretencës së prokurorit, unë thashë: Jam tash e tre muej e gjysëm i burgosun dhe organet e sigurimit kanë ba hetimet e veta. E deri më sot nuk ka asnji fakt as me qenë në bankën e akuzës e jo ma kërkesën e prokurorit për dënim kapital. Prandaj nuk kërkoj mshirë, veç drejtsi nëse ka. Kur u ula, një anëtar, kapiten i parë që nuk ia mbaj mend emrin, më pyeti: Kur je arrestue ti? Më 27 prill, iu përgjigja. Ai e shënoi. Ka gjasë se pat ndryshim në synimet e para në numrin që duhej të ekzekutoheshin si hakmarrje. Ngjarjet në kufinin greko-shqiptar për disa ditë që zgjatën qenë alarmuese për Tiranën. Kështu u detyruen me e mbyll problemin e Mirditës…

Mbas vendimit të gjykatës, gjatë natës dhe të nesërmen, thrritën shumë të dënuem me vdekje. Nëse ata do të flitshin e do të kallxojshin punën armiqsore të tyne e të shokve, do t’u falej jeta. Nji tallje kanibaleske… Ti the në gjyq se je i pafajshëm. Ashtu asht, u gjegja. Më afroi nji letër të bardhë e penën, deklaro këtu se je i pafajshëm e të përsërisim gjyqin. Donte i keqi me mbajtë ende aty nën hetim, e me më akuzue si donte e si dinte ai. E kuptova djallëzinë e tij. Vendimi i gjykatës asht i formës së prerë, u gjegja unë. Nuk e kisha kryer fjalën kur nji grusht i fortë më goditi në tamth. Ma hiq sysh, i tha rojes. Sjella ushtarake e rojeve ishte shtazarake kur i muerën të dënuemit. Duart ua shtrënguen me pinc deri në kocka. Jua kthyen prapë e i lidhën dy e nga dy cup më cup. Megjithëse ata kundërshtuen e nguelluen me hec ma tepër, i tërhoqën rrshqanë, motorrët e makinave zhurmoshin jashtë, kërcënime, urdhna, shamje. Ndigjuem që kishin fol ndër veti. Kishin dekën ata burra, por mundimi e rrahjet ishin ma tepër. Atë ditë që mbetëm gjallë, ishim vetëm kufoma të gjalla…

Biba, deputet prej miqësisë me Shehun

Bardhok Biba në moshën 28-vjeçare u lidh me komunistët e Tiranës. Gjatë pushtimit fashist ai propagandonte doktrinën komuniste. Kur Mehmet Shehu hyri në Mirditë me partizanët e tij, Biba u paraqit si njeriu më i madh i asaj krahine. Bardhoku kryesoi më pas nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe pati fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ia dha Mehmet Shehu. Ai u bë deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Bardhok Biba u vra rreth orës 14:00 të datës 17 gusht 1949, në përroin e Valmerit. Ekzekutimi i tij u organizua nga 53 persona, anëtarë të “Komitetit të Maleve”, që ishin kundër komunizmit. Pas aksionit, të gjithë këta u arratisën në Jugosllavi, ndërsa në Mirditë nisi reprezalja. Qeveria komuniste e Tiranës dërgoi reparte ushtarake, ku në operacion mori pjesë Divizioni i Parë që ishte në qendër (fushim) në Qafë Shtamë dhe që komandohej nga kolonel Rido Cako nga Korça, si dhe Brigada Speciale që ishte vendosur në Mirditë, e cila komandohej nga majori L. Bolena. Në krye të operacioni ishte vetë Mehmet Shehu bashkë me ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu. Në operacion kanë marrë pjesë gjithashtu edhe dy kolonelë sovjetikë: Sakolovaski dhe Faloskini.

Kush ishte Gjon Mark Ndoji
Lindi në vitin 1928, në Orosh të Mirditës. Përfundoi liceun “Iliricum” Françeskan në Shkodër dhe nisi punë si mësues. Për shkak të veprimtarive antikomuniste, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u burgos për dy vite. Pasi u lirua në vitin 1948, ai u riarrestua në prill të vitit 1949 për “miqësi me kriminelë” e dogma të tjera komuniste. Teksa 21-vjeçari qëndronte në hetuesi, ai lirohet nga akuzat e para dhe akuzohet direkt për vrasjen e deputetit Bardhok Biba, ngjarje që ndodhi më 17 gusht 1949. Pavarësisht paradoksit kohor, Ndoj u dënua me dy dekada burg, ndërkohë që i shpëtoi vdekje-pushkatimit. I shleu të gjitha vitet e burgut, periudhë gjatë së cilës u mor me letërsi e përkthime. Shkroi novela e tregime, si dhe tre drama dyaktëshe: Mujo Ulqinaku, Hasan Riza Pasha dhe Kordiani. Ka përkthyer nga frëngjishtja Historinë e Diplomacisë dhe Histori e Europës Moderne. Është bashkautor në librin “Mirdita” (1997) dhe Kontakt Poetik (1998). Ndërsa është autor i veprave: “Kardinal Ahuni”, “Ndëshkimi i pafajësisë”, “Davida e Kulakut”, “Luftëtarët e Mirditës”. Ndoji ka qenë kryetari më jetëgjatë i shoqatës të të persekutuarve politikë ndër rrethe, ku në Mirditë e drejtoi nga themelimi në vitin 1991 e deri në vitin 2002, kur dha dorëheqje për shkak të shëndetit të dobët. Ai ishte në prag të botimit të ditarit dhe të sistemimit të një dorëshkrimi për Kosovën, kur ndërroi jetë në vitin 2006. Ndoj la pas bashkëshorten Vitore dhe katër fëmijë: Tre djemtë Valentini, Alberti, Leonardi dhe vajzën e vetme, Vera.

Masakra e Qafës së Valmirit më 1949- Si u ekzekutuan 14 burra të Mirditës, dosja me dokumentet e gjyqit! Hakmarrja për vrasjen e Bardhok Bibës

Në varrezat e Shpalit, në Mirditë u përkujtua dje 77-vjetori i masakrës së Qafës së Valmirit, një prej krimeve më të rënda të kryera gjatë regjimit komunist në Shqipëri, njoftoi Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991.

Familjarë të viktimave dhe përfaqësues të komunitetit u mblodhën për të nderuar kujtimin e 14 burrave që u ekzekutuan publikisht më 17 gusht 1949, pas një hetimi vetëm njëjavor dhe mbi bazën e “indicieve, prezumimeve dhe provave indirekte”. Katër prej tyre u varën në litar dhe dhjetë u pushkatuan në prani të qindra banorëve. Viktimat ishin burra nga zona të ndryshme të Mirditës, ndërsa më i riu ishte 24 vjeç dhe më i moshuari 67 vjeç. Në litar u varën Preng Dedë Kola nga Oroshi, Pjetër Dedë Vila dhe Pjetër Paloka nga Kaçinari, si dhe Dodë Mark Biba nga Kthella e Epërme.

Ndërsa u pushkatuan Nikollë Bardhok Bajraktari nga Rrësheni, Llesh Gjon Mëlyshi nga Malaj, Nikollë Llesh Bajraktari nga Oroshi, Ndrecë Mark Ndoj dhe Frrok Mata nga Kaçinari, Bardhok Dodë Gjini nga Proseku, Gjok Gjin Kaçi nga Bukmira, Gjergj Beleshi nga Kthella e Epërme, Ndoc Gjet Çupi nga Blinishti dhe Preng Shkurt Nikolli nga Oroshi. Masakra ndodhi në një periudhë represioni të ashpër ndaj Mirditës, pas vrasjes së deputetit Bardhok Biba. Si pasojë, regjimi komunist ndërmori masa ndëshkuese kolektive ndaj banorëve të zonës, duke dëbuar me forcë qindra familje dhe duke i internuar, ndër të tjera, në kampin e Tepelenës. Familjet e internuara u përballën me kushte të rënda jetese dhe humbje të shumta, veçanërisht mes fëmijëve. 77 vjet pas ekzekutimit, 14 viktimat vijojnë të prehen së bashku në një varr të përbashkët. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944–1991 thekson se kujtimi i tyre mbetet një plagë e pambyllur për familjet, komunitetin dhe shoqërinë shqiptare. AIDSSH nënvizon nevojën që viktimat të trajtohen me dinjitet dhe që familjeve t’u krijohen mundësitë për t’i nderuar të afërmit e tyre në vendprehje individuale, sipas zgjedhjes së tyre. “Kujtesa është përgjegjësi. Dinjiteti i viktimave dhe e drejta e familjeve për t’i nderuar mbeten një detyrim i përbashkët”, thekson AIDSSH.

HAKËMARRJA PËR BARDHOK BIBËN

Më 17 gusht të vitit 1949 në Qafë të Valmirit në Mirditë, regjimi komunist ekzekutoi 14 burra nga disa zona të Mirditës, 4 prej të cilëve u varën në litar ndërsa 10 u pushkatuan. Ekzekutimi i tyre u bë nga shteti si hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, deputet i parlamentit të kohës dhe sekretar politik i komitetit të PP të kësaj krahine. Bardhok Biba u vra më 7 gusht 1949 në Qafë-Valmir nga Komiteti i Maleve (që e pranoi autorësinë duke lënë letër në trupin e pajetë), kundërshtarë të regjimit të cilët jetonin në arrati. Komiteti i Maleve ishte një grupim rezistence kundër regjimit, i përbërë nga kundërshtarë të regjimit që jetonin në arrati. Pas vrasjes së Bibës, autoritetet ndërmorën një fushatë represive në Mirditë, duke arrestuar disidentë gjatë natës nga disa fshatra, dhe duke dërguar dhjetëra familje në internim. Ndërsa gratë dhe fëmijët niseshin me kamionë drejt kampeve, burrat shkonin të lidhur me tela me gjemba drejt vdekjes. “Hapen dy gropa. Ata ishin të lidhur me pranga dhe kur binte njëri tërhiqte dhe tjetrin, ranë të gjallë brenda”. Prokurori Misto Bllaci kërkoi 20 vendime me vdekje në fillim, ndërsa Gjykata e Lartë Ushtarake në fund të procesit që zgjati nga data 11 gusht, kur u kryen arrestimet, deri më datën 16, kur u dha vendimi, ra dakord për 14 dënime me vdekje. Në vetëm pesë ditë proces hetimor u pranua në dokumentet e lëna pas se asnjëri nuk ishte i përfshirë në vrasje. 14 të burgosurit u dënuan si bashkëpunëtorë të të arratisurve. Pas masakrës së Qafë Valmirit qindra familje të zonës u internuan në kampin e Tepelenës, ku pak prej tyre ia dolën t’i nxirrnin fëmijët të gjallë. Dhjetë ditë më pas, me urdhër të Mehmet Shehut, Gjykata e Lartë Ushtarake ishte vendosur në Rrëshen dhe bëri një proces gjyqësor duke vendosur në kohë rekord dënimin me vdekje të 14 vetave, ndonëse, siç dëshmohet nga dokumentet, asnjë prej tyre nuk kishte qenë i përfshirë në vrasjen e deputetit Biba dhe as nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin për vrasjen e tij. Të 14 viktimat mbetën në dy varret masive të hapura gjatë ekzekutimit për 40 vite, derisa eshtrat e tyre u rivarrosën në një varr monumental me 1991.

DOSJA HETIMORE

Vete dosja hetimore pranon se asnje prej tyre nuk ishte fajtor per vrasjen e sekretarit politik te Partise Komuniste te Mirdites, por hakmarrja ishte e ashpër. Me c’eshtjen merret drejtpërdrejt Mehmet Shehu dhe ka vetem nje hetues per 26 te pandehur. Gjykata e larte ushtarake me në krye Bilbil Klosin, merr vendim te formes se prere. Te arrestuarit dergohen ne kembe drejt Qafe Valmirit ku i pret nje vdekje e vështirë. Dokumentet e Gjykatës së Lartë Ushtarake i akuzojnë se kanë bashkëpunuar me “banda kriminale t’arratisurish” dhe kanë ndihmuar këta të plotësojnë planin e tyre armiqësor për të rrëzuar Pushtetin Popullor. Në dosje, ku shumica e fletëve janë të palexueshme për shkak zbehjes së bojës së germave, thuhet: “… në vargun e krimeve si vrasje, djegie, plaçkitje etj., të kryera nga këto banda që janë ndihmuar nga të gjithë këta të pandehur, shtohet dhe akti i poshtër dhe i shëmtuar i vrasjes së deputetit të popullit dhe sekretarit Politik të Komitetit PPSH për rrethin e Mirditës, Shoku Bardhok Biba, ndodhur më 7.8.1949 në vendin e quajtur Qafa e Valmirit ndërmjet katundeve Peshqesh, Simon, Kaçinar.” Procesi gjyqësor u mbajt nga Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar nga Nënkolonel Bilbil Klosi, Kapiten I Sotir Spiro, Kapiten II Nonda Papuli, ndërsa pranë tyre ishte edhe prokurori i ushtrisë, Misto Bllaci. Vendimi u dha më më 16 gusht 1949 dhe siç zbardhet prej tij, të 14 viktimat janë të pafajshëm për vrasjen e Bardhok Bibës. Gjykata komuniste barazon autorin me bashkëpunëtorin dhe i dënon në bazë supozimesh. “Me veprimtarinë e tyre gjithë këta të pandehur kanë treguar në fakt se ata bëjnë edhe vetë këtë pjesë me këto banda, janë bashkëpunëtorë të tyre. Pjesëmarrja në banda nuk asht një akt formal por konsiston në vullnetin për të qenë pjesë e saj, vullnet i cili manifestohet me veprime te pajtueshëm me planet e bandës. Këtë vullnet e kanë treguar me punën e tyre të pandehurit dhe prandaj pavarësisht nga fakti i mosarratisjes konsiderohen si bashkëpunëtorë të bandave,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake. Gjykata bën me përgjegjësi civilët, ndërsa thotë në vendim se “sipas nenit 27 të P.P të gjithë të pandehurit janë përgjegjës për krimet e kryera nga këto banda, duke u dënuar secili konform nenit 57 të PP, simbas rrezikshmërisë personale”. Masat që u ndërmorën nga regjimi komunist pas vrasjes së Bardhok Bibës rezultuan në shkatërrimin e organizimit të brendshëm të Mirditës, lidhjeve të bajraqeve dhe familjeve të mëdha që drejtonin jetën shoqërore të krahinës pothuaj duke injoruar shtetin komunist. Paralajmërimi për atë që do të ndodhte shihet në vendimin e Gjykatës së Lartë, ku pranohet dënimi i të afërmve e miqve të atyre që regjimi i kërkonte dhe i njihte si autorë të vrasjes:

Padija e të pandehurve dhe rrethanat e tjera të ngjarjeve si dhe rrezikshmëria e secilit të pandehur vërtetohet me këto prova:

1. 1. Lidhjet personale me të arratisurit, lidhje gjaku ose miqësije.

2. Me të kaluarën e tyre të keqe dhe plotë aktivitet kundra pushtetit

3. Me faktin se nji pjes e tyre është hedhur për pak kohë në arrati dhe ashtu bashkuar me bandat kriminale

4. Me procesverbalet e mbajtura nga organet e hetuesisë.

5. Me dëshmitarët e thirrur e dëgjuarë para gjyqit dhe

6. Me pohimet e pjesshme të të pandehurve

Në bazë të dispozitave të përmendura, Gjykata, simbas kërkesës së Prokurorit, Vendos:

Deklaron fajtor për bashkëpunim me bandat e arratisura dhe i dënon:

1) Pjeter Dedë Vila, 2) Dod Preng Kol Gjomarkaj, 3) Dod Llesh Paloka, 4) Dod Marka Biba, 5) Ndrec Mark Ndoi, 6) Nikollë Bardhok Bajraktari, 7) Nikollë Llesh Bajraktari, 8) Llesh Gjon Melyshi, 9) Frrok Ndue Mata, 10) Bardhok Dod Lleshi, 11) Gjin Gjok Keçi, 12) Preng Shkurt Nikolli, 13) Gjergj Keq Beleshi, 14) Ndoc Gjergj Çupi 15) Ndue Gjon Fusha me vdekje

Ekzekutimi i dënimit për Pjetër Ded Vila, Dod Gjon Markaj, Ded Llesh Paloka dhe Ded Mark Biba do të bëhet me varje në litar, të tjerët do të ekzekutohen me pushkatim.

CITIM NGA VENDIMI:

“… ky akt i poshtër brenda kompleksit të veprimtarisë së tyre kriminale çmohet se është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe imponon për Pushtetin Popullor të marrë masa urgjente dhe të rënda, si dhe detyron Gjykatën e këtij pushteti të çmojë me drejtësi revolucionare rreziqet e veprës kriminale dhe të dënojë fajtorët konform me rrezikshmërinë e tyre.”. Ndërsa jep një vendim të formës së prerë më 16 gusht 1949, ku dënon me vdekje pa faj 14 shtetas, Gjykata e Lartë Ushtarake vendos t’i përjashtojë nga sekuestrimi i pasurisë meqenëse nuk kishin pasuri.

Të gjithë të dënuarit me vdekje humbasin të drejtat civile të përhershme. Të tjerët humbin të drejtën elektorale për 5 vjet. Përjashtohen nga konfiskimi i pasurisë të dënuarit mbasi nuk i rezulton Gjykatës të posedojnë pasuri. Ky vendim është i formës së prerë.

Rrëshen 16.8.1949

Pas 10 ditësh, të dënuarit u çuan për t’u ekzekutuar në të njëjtin vend ku ishte vrarë Bardhok Biba, rreth 2 orë nga Rrësheni. Për të parë ekzekutimin e tyre, ishte kërkuar të kishte sa më shumë njerëz. Të 14-të u futën në dy varre të përbashkëta ndërsa pranë tyre përgjatë gjithë regjimit komunist, do të vihej një përmendore e Bardhok Bibës. Sot, 77 vjet më pas, historia e tyre nuk është mbyllur. Ajo vazhdon në arkiva, në dëshmitë e familjeve, në kujtesën e Mirditës dhe në pyetjen se çfarë duhet të bëjë një shoqëri me një të kaluar të tillë. 14 burrat e Qafës së Valmirit janë pjesë e kujtesës së një vendi që ende përpiqet të kuptojë, dokumentojë dhe përballojë krimet e diktaturës. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i madh i përkujtimit.

/Gazeta Panorama 

Objektivi afatshkurtër i Londrës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kostoja ndaj Shqipërisë dhe Kosovës- Nga KASTRIOT HAXHIAJ

 

Analiza historike e vendimeve të udheqjes së Operacioneve Speciale Britanike (SOE) në Shqipëri dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore tregon se si interesat ushtarake afatshkurtra dhe dinamikat e brendshme të zbulimit britanik ndikuan mbi fatin politik të rajonit.

Gjatë viteve 1940–1944, politika britanike ndaj rezistencës në Shqipëri u udhëhoq nga udhëzimi i Winston Churchill-it për SOE: “Vini flakën Evropës”.

Objektivi kryesor i Kabinetit të Luftës në Londër nuk ishte ndërtimi i sistemit politik të pasluftës, por goditja e menjëhershme e linjave të furnizimit të Boshtit me kosto sa më të lartë për Gjermaninë dhe Italinë. Në terren, kjo strategji krijoi një përplasje të thellë midis dy forcave kryesore.

Ushtria Nacional-Çlirimtare (UNÇ/LNÇ) e udhëhequr nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, (nën tutelën jugosllave) tregoi gatishmërinë për të sulmuar forcat e Boshtit, pavarësisht hakmarrjeve të rënda gjermane mbi popullsinë civile.

Nacionalistët (Balli Kombëtar, Legaliteti dhe bajraktarët e veriut), grupe kryesisht pro-perëndimore, ndoqën një strategji për ruajtjen e popullsisë nga hakmarrja gjermane. (Lufta e Zherkës nuk u transmetua asnjëherë në Londër) Synimi i tyre ishte mbështetja e një zbarkimi të mundshëm amerikan në Adriatik.

Meqenëse komanda britanike në Kajro dhe më vonë në Bari (ku thuhet se u manipuluan të dhënat) matën mbështetjen kryesisht me numrin e sulmeve dhe sabotimeve, pjesa më e madhe e armatimit, pajisjeve dhe floririt britanik u dërgua drejt partizanëve komunistë.

Hulumtimet e bazuara në arkiva (veçanërisht ato nga Roderick Bailey) tregojnë se kjo zgjedhje u diktua nga vlerësimi ushtarak i momentit dhe përparësitë e strategjisë aleate, jo thjesht nga ndikime ideologjike.

Kujtimet dhe raportet e oficerëve ndërlidhës britanikë (BLO) – si David Smiley (Albanian Assignment), Peter Kemp (No Colours or Crest) dhe Julian Amery (Sons of the Eagle) – tregojnë se komunistët e përdorën ndihmën ushtarake britanike për të zhvilluar një luftë civile paralele kundër rivalëve të tyre.

Lëvizja Kryeziu dhe Ali Brahimi në Tropojë e Gjakovë është shembulli klasik. Në Malësinë e Gjakovës, vëllezërit Kryeziu dhe Ali Brahimi organizuan një rezistencë pro-perëndimore, antinaziste dhe antikomuniste. Ata shpëtuan pilotë aleatë të rrëzuar dhe luftuan kundër trupave gjermane. Megjithatë, me zhvendosjen e politikës britanike drejt partizanëve, ndihma për Kryezinjtë mbeti e kufizuar, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj sulmeve të brigadave të Mehmet Shehut dhe ushtrisë jugosllave.

Përtej pragmatizmit ushtarak, vendimet e SOE u diskutuan edhe në kontekstin e elementëve të majtë brenda aparateve britanike. James Klugmann, anëtar i Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe dhe i lidhur me rrjetin e spiunazhit sovjetik në Cambridge, shërbeu si zyrtar inteligjence në seksionin e SOE për Ballkanin (kryesisht për Jugosllavinë) në Kajro.

Ai ndikoi tek raportet që favorizuan Titon. Vendimet kyçe u morën në nivele më të larta, bazuar në vlerësimin e situatës ushtarake.

Pas luftës, Kim Philby (kreu i spiunazhit sovjetik në MI6) dha informacione që dëmtuan Operacionin Valuable (1949–1953/56), operacionin anglo-amerikan për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Roli i tij është i dokumentuar, por studimet e reja theksojnë se dështimi i operacionit pati edhe shkaqe të tjera. Ndër to edhe probleme të ekzekutimit të misionit dhe depërtimi i agjetëve Hoxhës.

Gjatë periudhës 1941–1944, Kosova iu bashkua Shqipërisë nën sundimin e Boshtit, duke krijuar një kompleksitet të madh gjeopolitik. Shumica e shqiptarëve të Kosovës e shihnin bashkimin si mbrojtje nga ri-pushtimi serb dhe ngurronin të luftonin kundër gjermanëve, pasi kjo mund të lehtësonte rikthimin e sundimit jugosllav, çka edhe ndodhi pas luftës.

Britania e Madhe nuk i njohu ndryshimet e kufijve të kryera nga fuqitë e Boshtit. Kur Londra vendosi të mbështeste përfundimisht Josip Broz Titon në Jugosllavi, misionet e SOE-së morën udhëzim të mos bënin asnjë premtim për vetëvendosjen e Kosovës.

Nacionalistët që kërkonin një Kosovë demokratike dhe pro-perëndimore mbetën pa mbështetje ndërkombëtare përballë ri-pushtimit nga forcat e Titos dhe brigadat e LNÇ-së.

Strategjia pragmatike e Britanisë e arriti synimin ushtarak afatshkurtër, dëmtimin e trupave gjermane në Ballkan por me një kosto politike të rëndë, çka çoi në konsolidimin e një regjimi diktatorial 45-vjeçar në Shqipëri dhe lënien e Kosovës nën sundimin jugosllav.

Ky rezultat ishte produkt i realpolitikës së luftës në përgjithësi, ku përparësia ishte fitorja mbi Boshtin, jo forma e qeverisjes pasluftës.

Burimet kryesore

Bailey, R. (2004). The Special Operations Executive (SOE) and British policy towards wartime resistance in Albania and Kosovo, 1940–44. PhD Thesis, University of Edinburgh.

Bailey, R. (2008). The Wildest Province: SOE in the Land of the Eagle. Jonathan Cape.

Smiley, D. (1984). Albanian Assignment.

Kemp, P. (1958). No Colours or Crest.

Amery, J. (1948). Sons of the Eagle.

Operacioni Valuable (Long et al.).

Gërmoi buzë lumit për të gjetur trupin, por çfarë zbuloi gruaja franceze e deputetit të pushkatuar! Vrasja e Enver Sazanit më 1947

Historia e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore është e mbushur me fate njerëzore që u ndërthurën në mënyrë tragjike me përplasjet politike të kohës.

Në vitet e para të pushtetit komunist, shumë prej atyre që kishin marrë pjesë në rezistencën antifashiste, që kishin kontribuar në jetën publike dhe që ishin zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët në parlament, do të përfundonin të akuzuar si “armiq të popullit” dhe “agjentë të huaj”. Një prej tyre ishte Enver Sazani, mjeku i shkolluar në Francë, ish-partizani, deputeti i Legjislaturës së Parë dhe një prej të dënuarve në procesin e njohur si “Gjyqi i Deputetëve”. Jeta e tij ishte e shkurtër, por e lidhur me disa prej momenteve më të rëndësishme dhe më dramatike të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX. Ai lindi në Gjirokastër në vitin 1909.

Arsimin e mesëm e përfundoi në Liceun e Korçës dhe më pas shkoi në Francë për të ndjekur studimet universitare për mjekësi. Atje do të ndërtonte një pjesë të rëndësishme të formimit të tij profesional dhe intelektual. Në Francë studioi fillimisht në Montpellier dhe më pas në Lyon, ku u specializua edhe në fushën e patologjisë dhe radiologjisë. Ishte një brez shqiptarësh që, në atë kohë, kërkonte dijen dhe përvojën jashtë vendit për t’i sjellë më pas në Shqipëri. Sazani u kthye në atdhe me profesionin e mjekut, por shumë shpejt jeta e tij do të merrte edhe një tjetër drejtim: atë politik dhe antifashist. Enver Sazani i përkiste brezit të intelektualëve shqiptarë që e shihnin arsimin si një prej mjeteve kryesore për zhvillimin e vendit. Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të Liceut të Korçës, ai vijoi rrugën e arsimit të lartë në Francë. Dy vite i kreu në Montpellier, ndërsa pjesën tjetër të studimeve në Lyon. Më pas kreu edhe dy vite specializim në patologjiradiologji. Për një Shqipëri ende të varfër dhe me një sistem shëndetësor të pazhvilluar, një mjek i formuar në universitetet franceze përfaqësonte një pasuri të rëndësishme profesionale. Sazani u kthye në Shqipëri jo thjesht si një profesionist i formuar, por si një intelektual që do të përfshihej në zhvillimet politike të kohës. Qëndrimi i tij në Francë kishte ndikuar edhe në formimin e tij politik. Sipas të dhënave të publikuara për jetën e tij, Enver Sazani ishte anëtar i Degës së Çlirimit Nacional të shqiptarëve të Francës në Lyon, në vitin 1933. Kjo përvojë do të lidhej më vonë me angazhimin e tij në rezistencën antifashiste në Shqipëri.

MJEKU QË U BË PARTIZAN

Kur Shqipëria hyri në vitet e luftës dhe vendi u përfshi nga pushtimi fashist, shumë intelektualë u përfshinë në forma të ndryshme të rezistencës. Enver Sazani ishte ndër ata që iu bashkuan lëvizjes partizane. Ai mori pjesë në çetën e zonës Krujë-Ishëm dhe më pas në Çetën e Pezës. Kështu, mjeku që kishte studiuar në Francë nuk qëndroi i shkëputur nga realiteti i luftës. Formimi i tij profesional u vu në shërbim të njerëzve dhe të forcave që luftonin kundër pushtuesve. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Sazani ishte pjesë e atij brezi që priste se fitorja mbi pushtuesit do të sillte një Shqipëri të re. Ai do të merrte pjesë në jetën politike të vendit dhe në vitin 1945 u zgjodh deputet në Legjislaturën e Parë. Por klima politike e Shqipërisë së pasluftës do të ndryshonte shumë shpejt.

ARRESTIMI I DEPUTETIT

Pas vitit 1944, pushteti politik në Shqipëri u përqendrua gjithnjë e më shumë në duart e Partisë Komuniste dhe drejtimit të saj. Në fillim, shumë prej njerëzve që kishin marrë pjesë në rezistencën antifashiste dhe që kishin mbështetur ndryshimin politik mund të kishin menduar se do të merrnin pjesë në ndërtimin e një shteti të ri. Por përplasjet brenda jetës politike u ashpërsuan. Në këtë klimë u vu në shënjestër edhe grupi i deputetëve opozitarë. Enver Sazani, i cili ishte zgjedhur deputet në vitin 1945, u bë pjesë e grupit të deputetëve që regjimi i konsideroi kundërshtarë politikë dhe më pas “armiq të shtetit”. Për të, kalimi nga mjek dhe deputet në të pandehur politik do të ishte i shpejtë dhe tragjik. Ai u arrestua bashkë me deputetë të tjerë opozitarë dhe u akuzua për veprimtari kundër shtetit dhe për lidhje me agjentura të huaja, të cilat, sipas akuzës, synonin rrëzimin e pushtetit të ashtuquajtur “popullor”. Kështu nisi një prej proceseve më të njohura politike të periudhës së parë të diktaturës komuniste shqiptare.

“GJYQI I DEPUTETËVE”

Procesi i njohur si “Gjyqi i deputetëve” u zhvillua më 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori” në Tiranë. Ishte një proces me rëndësi të veçantë politike.

Në bankën e të akuzuarve ndodheshin deputetë të Legjislaturës së Parë, njerëz që vetëm pak vite më parë ishin pjesë e jetës publike të vendit dhe që tani përballeshin me akuza tepër të rënda. Në këtë proces u përfshi edhe Dr. Enver Sazani. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake përbëhej nga Major Niko Çeta, kryetar, Kapiteni i I Nexhat Hyseni dhe Kapiteni i II Mustafa Iljazi, anëtarë. Vendimi do të ishte fatal për disa prej të pandehurve. Sazani ishte vetëm 38 vjeç. Procesverbali i gjyqit ruan edhe deponimet e Dr. Enver Sazanit. Në dëshminë e tij, Sazani tregon se kishte marrë pjesë në disa mbledhje ku diskutoheshin zgjedhjet dhe mënyra se si opozita do të vepronte përballë forcës së Frontit. Në një prej mbledhjeve, sipas procesverbalit, Shefqet Beja kishte argumentuar se Fronti ishte i fortë dhe se opozita kishte dy mundësi: ose të dilte jashtë Frontit dhe të kërkonte mbështetjen e misioneve anglo-amerikane për të ushtruar presion që zgjedhjet të zhvilloheshin në mënyrë të lirë, ose të përpiqej të vepron te brenda Frontit. Në këto diskutime përmenden emra të ndryshëm të figurave politike të kohës, ndërsa Sazani përshkruan edhe mënyrën se si, sipas tij, ishin organizuar kontaktet dhe komunikimet. Ai deklaron se kishte marrë pjesë në katër mbledhje dhe se diskutimet kishin të bënin me zgjedhjet dhe mënyrën e veprimit politik. Në një tjetër pjesë të deponimit, ai flet për një strategji politike që synonte kundërshtimin e çështjeve të propozuara në parlament. Procesverbali përmban edhe deklarime të tij për lidhjet me persona të arratisur dhe për kontakte me përfaqësues anglo-amerikanë. Ai përmend emra si Shefqet Beja, Salim Kokallari, Selaudin Totua, Kol Kuqali dhe persona të tjerë me të cilët kishte pasur kontakte ose diskutime. Por një nga pjesët më interesante të dëshmisë është ajo ku Sazani përshkruan edhe marrëdhëniet me mjekë të tjerë. Ai deklaron se kishte pasur takime dhe bisedime me doktor Irfan Pustinën, doktor Fejzi Hoxhën, Irfan Majunin, Qemal Karagjozin dhe të tjerë, me të cilët diskutonte dhe, sipas formulimit të procesverbalit, “i kritikonte indirekt Pushtetin”. Këto deklarime do të përdorëshin në procesin gjyqësor kundër tij.

DËNIMI ME VDEKJE

Në një moment të deponimit, Sazani deklaron se qëllimin e organizatës e kishte kuptuar që në mbledhjen e parë dhe se ai synim, sipas tij, do të arrihej përmes ndihmës së anglo-amerikanëve dhe lidhjeve me të arratisurit dhe të pakënaqurit. Ai gjithashtu shprehet se nuk kishte zhvilluar aktivitet tjetër përveç bisedimeve që kishte bërë me mjekët. Në procesverbal shfaqen edhe ndërhyrje të të pandehurve të tjerë. Hysen Shehu, për shembull, kundërshton një pjesë të deklarimit të Sazanit dhe thotë se Enveri kishte marrë pjesë në mbledhje edhe në praninë e Syrja Selfos. Në fund të procesit, Enver Sazani u dënua me vdekje. Më 10 tetor 1947, vetëm pak ditë pas gjyqit, vendimi u ekzekutua. Dr. Enver Sazani u pushkatua. Ai ishte vetëm 38 vjeç. Një mjek i shkolluar në Francë, një njeri që kishte marrë pjesë në luftën antifashiste dhe që ishte zgjedhur deputet, përfundoi para skuadrës së pushkatimit. Por tragjedia nuk përfundoi me vdekjen e tij. Në diktaturë, dënimi i një njeriu shpesh shtrihej përtej jetës së tij. Ai prekte familjen, të afërmit, fëmijët dhe brezat që vinin më pas. Në rastin e Enver Sazanit, familja do të përballej me një tjetër dramë, zhdukjen e trupit dhe pamundësinë për t’i dhënë atij një varr.

KËRKIMI I TRUPIT

Një prej episodeve më prekëse që lidhet me fatin e Enver Sazanit është kërkimi i trupit të tij pas pushkatimit. Sipas dëshmive të përcjella për këtë ngjarje, bashkëshortja franceze e Enver Sazanit, së bashku me bashkëshorten e Irfan Majunit, vajzën e Tefik Deliallisit, kërkuan vendin ku ishin ekzekutuar të dënuarit.

Vendndodhja ishte në breg të lumit, në zonën pranë asaj që më vonë do të njihej si zona e Uzinës Dinamo. Ato nuk kishin shumë për të udhëhequr kërkimin. Kishte vetëm dyshime, kujtime dhe shpresën e dëshpëruar për të gjetur një gjurmë. Ato nisën të gërmonin. Dhe, sipas dëshmisë, pas gërmimeve ndeshën rrobat që lidhen me të ekzekutuarit. Përballë frikës se edhe këto gjurmë mund të humbisnin, u përdor një mënyrë e thjeshtë dhe tragjike për të lënë një dëshmi për të ardhmen, emrat e tyre u futën në letra dhe letrat u vendosën në shishe. Ishte një përpjekje për t’i thënë së ardhmes, Këtu janë ata që u zhdukën. Por edhe kjo gjurmë nuk do të mjaftonte. Më vonë, ndërhyrja e mjeteve të rënda dhe e buldozerëve do të zhdukte çdo shenjë të vendit. Trupat, varri, gjurmët e ekzekutimit dhe dëshmitë materiale do të humbnin nën tokë. Në këtë mënyrë, regjimi nuk u mjaftua me vdekjen e njerëzve. Në shumë raste, ai tentoi të zhdukte edhe kujtesën fizike të vendit ku ata ishin vrarë. Pas rreth gjashtë muajsh nga pushkatimi i Enver Sazanit, bashkëshortja e tij franceze dhe vajza u kthyen në Francë. Kthimi nuk ishte një largim i zakonshëm. Ajo po largohej nga Shqipëria pa bashkëshortin e saj, pa një varr ku të mund të shkonte dhe pa një përgjigje të plotë për fatin e tij. Ajo mbeti me një histori ekzekutimi, me dëshminë e rrobave të gjetura dhe me një vend që më pas u zhduk nga ndërhyrjet e regjimit. Ndërkohë, pjesa e familjes që mbeti në Shqipëri do të përballej me një tjetër realitet. Familja e vëllait dhe e motrës së Enver Sazanit u përndoq, sipas dëshmive të familjes, gjatë gjithë periudhës së regjimit diktatorial. Për familjen e Enver Sazanit, kjo histori do të zgjaste shumë më tepër se jeta e tij. Ai u ekzekutua në moshën 38-vjeçare, por emri i tij dhe pasojat e dënimit të tij do të vazhdonin të jetonin në kujtesën e familjes.

NJOHJA E PAFAJËSISË

Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, familjet e të dënuarve politikë kërkuan rehabilitimin dhe njohjen e pafajësisë së të afërmve të tyre. Mes tyre ishte edhe bashkëshortja e Enver Sazanit. Në vitin 1991, kur Ramiz Alia shkoi në Paris për të nënshkruar “Kartën e Parisit”, ajo i dërgoi një telegram ku kërkonte pafajësinë e bashkëshortit të saj. Kërkesa kishte të bënte me njohjen e padrejtësisë së dënimit dhe rikthimi i dinjitetit juridik të një njeriu të ekzekutuar nga regjimi. Përgjigjja që mori ishte se kërkesa e saj ishte zgjidhur juridikisht nëpërmjet ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991. Por, sipas familjes dhe materialeve që dokumentojnë historinë e grupit të deputetëve, kjo përgjigje nuk përbënte një njohje konkrete të pafajësisë së Enver Sazanit dhe të të dënuarve të tjerë të grupit. Për familjen, kjo përgjigje ishte e dhimbshme, pas dekadash pritjeje, kërkesa për drejtësi po përballej përsëri me një formulim juridik që nuk i jepte asaj përgjigjen që kërkonte. Ishte një tjetër paradoks i historisë shqiptare, edhe pas rënies së diktaturës, rruga drejt njohjes së plotë të padrejtësive të saj do të ishte e gjatë dhe e ndërlikuar.

/Gazeta Panorama 

Mitologjia e “Gjyqit të kafes” dhe dështimi i dekomunistizimit Nga Agron Tufa

Nga drejtësia e cunguar te dështimi i dekomunistizimit

Në kujtesën politike shqiptare, “Gjyqi i kafes” është shndërruar në një nga shprehjet më të njohura për mënyrën se si u përball Shqipëria me trashëgiminë e diktaturës komuniste. Emërtimi lidhet me gjyqin e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha, dhe me akuzat për përdorimin e fondeve shtetërore, ndër të tjera për blerje e shpenzime që u bënë simbol i procesit. Por, me kalimin e viteve, “Gjyqi i kafes” ka marrë një kuptim shumë më të gjerë nga vetë procesi gjyqësor. Ai është shndërruar në një metaforë për të gjithë drejtësinë që Shqipëria u bëri krimeve të komunizmit.

Dhe pikërisht këtu nis problemi. Sepse “Gjyqi i kafes” nuk ishte e gjithë historia.

Ishte vetëm fillimi i një historie shumë më të ndërlikuar, e cila pati një moment të dytë, shumë më të rëndësishëm juridikisht: përpjekjen për të kaluar nga gjykimi i një individi për shpërdorim të pasurisë shtetërore te gjykimi i përgjegjësisë për krime kundër njerëzimit të kryera nga aparati i diktaturës.

Ajo përpjekje nisi, por nuk u përmbyll. Dhe dështimi i saj është një nga çështjet më të mëdha të pambyllura të tranzicionit shqiptar.

I. “Gjyqi i kafes”: 1991–1993

Nexhmije Hoxha u arrestua më 4 dhjetor 1991. Kjo datë ka rëndësi politike dhe historike. Arrestimi ndodhi gjatë Qeverisë së Stabilitetit, të drejtuar nga Ylli Bufi, pra përpara zgjedhjeve të marsit 1992 dhe përpara ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet. Kjo e përjashton një nga keqkuptimet më të përhapura: se arrestimi i Nexhmije Hoxhës ishte thjesht produkt i qeverisjes së PD-së pas vitit 1992. Nuk ishte.

Edhe kronologjia e Ramiz Alisë është tjetër. Ai nuk u arrestua bashkë me Nexhmijen. Në gusht 1992 u vendos në arrest shtëpie dhe arrestimi i tij formal erdhi në shtator 1993. Kjo është e para ndarje që duhet bërë. Nexhmije Hoxha i përkiste një faze të parë të drejtësisë së tranzicionit. Dhe vetë natyra e akuzës e tregon këtë. Ajo nuk u gjykua për “krimet e komunizmit” në kuptimin juridik që do të merrte më vonë kjo shprehje. Nuk u gjykua për krime kundër njerëzimit. Nuk mund të dënohej juridikisht as thjesht sepse ishte gruaja e diktatorit, as sepse kishte qenë një figurë e lartë e regjimit. Gjykata duhej të gjente një vepër penale konkrete dhe të provueshme.

Dhe procesi u përqendrua te përdorimi i paligjshëm dhe përvetësimi i pasurisë shtetërore dhe shpenzimet e bëra në kundërshtim me rregullat. Kjo është bota juridike e “Gjyqit të kafes”. Në shkurt 1993 ajo u dënua me nëntë vjet burg; më pas Apeli ia shtoi dënimin me dy vjet. Më vonë, përmes ndryshimeve të dënimit dhe amnistive, koha e vuajtjes u shkurtua ndjeshëm.

Pra, “Gjyqi i kafes” mund të kritikohet politikisht, moralisht apo historikisht. Por nuk duhet ngatërruar me diçka që ai nuk ishte: nuk ishte gjyqi i krimeve kundër njerëzimit të regjimit komunist. Dhe pikërisht këtu nis keqkuptimi i madh.

II. Nga “kafja” te krimet kundër njerëzimit

Pas vitit 1992 u zhvilluan procese të tjera ndaj ish-funksionarëve të lartë. Ramiz Alia dhe ish-zyrtarë të tjerë u gjykuan për shpërdorim detyre dhe përvetësim të pasurisë shtetërore. Proceset e kësaj periudhe ishin të rëndësishme, por ende i përkisnin kryesisht logjikës së përgjegjësisë individuale për vepra konkrete. Pastaj erdhi viti 1995.

Dhe këtu ndodh kthesa që nuk duhet harruar.

Kodi Penal i ri përcaktoi veçmas gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit, përkatësisht në nenet 73 dhe 74. Në këtë mënyrë, për herë të parë po krijohej një instrument juridik për ta trajtuar represionin e diktaturës jo vetëm si një varg shkeljesh individuale të ligjit, por si një sistem krimesh të kryera kundër popullsisë civile për motive politike, ideologjike, racore, etnike ose fetare.

Më 22 shtator 1995 u miratua edhe Ligji nr. 8001, “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Shqipëri gjatë regjimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”. Kjo ishte një kthesë thelbësore. Sepse tani pyetja juridike nuk ishte më: “Sa para shpenzoi ky funksionar dhe a i kishte të drejtë t’i shpenzonte?” Pyetja ishte: “A mban ky funksionar përgjegjësi për mekanizmin shtetëror të represionit, internimit, burgosjes, torturës dhe vrasjes?”

Nga “kafja” te krimi kundër njerëzimit. Nga përgjegjësia për një shpenzim të paligjshëm te përgjegjësia për një aparat shtetëror represiv. Kjo është arsyeja pse nuk mund të vendosen në të njëjtën kategori dy periudhat.

III. Vala e dytë: 1995–1996

Në dhjetor 1995 dhe janar 1996 erdhi vala e re e arrestimeve. Human Rights Watch dokumentoi 21 ish-zyrtarë komunistë të arrestuar nën akuzën e krimeve kundër njerëzimit, sipas nenit 74 të Kodit Penal. Në proceset e kësaj kohe u përfshinë figura të larta të hierarkisë komuniste dhe përgjegjësia e tyre lidhej me mekanizmat e represionit politik, përfshirë internimet.

Këtu duhet bërë një dallim i prerë. Nuk është e saktë të thuhet se të gjithë këta njerëz ishin thjesht pjesë e një “gjyqi të kafes”. Ata përfaqësonin një fazë tjetër të drejtësisë penale. Në këtë fazë, Shqipëria po përpiqej të bënte diçka që kishte rëndësi edhe përtej fatit të individëve: të përcaktonte juridikisht përgjegjësinë e një pjese të hierarkisë për krimet e shtetit komunist. Kjo përpjekje pati probleme serioze.

Drejtësia shqiptare ishte ende e brishtë, institucionet nuk kishin fituar pavarësinë dhe proceset u zhvilluan në një klimë të fortë polarizimi politik. Por problemi nuk zgjidhet duke mohuar nevojën për drejtësi. Një shtet demokratik duhet të jetë në gjendje të bëjë të dyja: të gjykojë krimin dhe të respektojë procesin e rregullt ligjor. Pikërisht kjo është drejtësia e tranzicionit. Jo hakmarrje. Jo amnisti kolektive. Jo drejtësi politike. Por përgjegjësi individuale, prova, gjykim dhe kujtesë. Dhe këto që kërkoheshin asokohe, ishin ende të freskëta e me bollëk.

IV. Çfarë ndodhi në vitin 1997?

Pastaj erdhi katrahura shtetërore e civile e1997-ës. Rënia e skemave piramidale solli një shpërbërje të rendit shtetëror. U hapën depot e armëve, u shemb autoriteti i shtetit dhe u godit rëndë sistemi penal. Në atë kaos, shumë procese u ndërprenë ose humbën mundësinë për t’u zhvilluar normalisht. Prandaj është më e saktë të thuhet se kriza e vitit 1997 ndërpreu dhe çorganizoi rëndë procesin e drejtësisë penale ndaj ish-funksionarëve të regjimit, sesa të thuhet në mënyrë absolute se “qeveria Nano i liroi të gjithë”, ndonëse ka hise të madhe dhe kjo më vonë, në puzzle-n e së vërtetës.

Fatos Nano vetë u fal më 14 mars 1997, në një situatë të përgjithshme kaosi dhe amnistish. Por këtu duhet të ndalemi te një pyetje shumë më e rëndësishme. Çfarë ndodh me një shoqëri kur një proces historik i drejtësisë ndërpritet përpara se të përfundojë? Ndodh që viktimat mbeten me ndjenjën se drejtësia nuk u bë. Ndodh që autorët ose bashkëpunëtorët e tyre mbeten të disponueshëm për jetën publike. Dhe ndodh diçka edhe më e rrezikshme: e kaluara fillon të negociohet politikisht.

V. Dekomunistizimi i papërfunduar

Dekomunistizimi nuk është vetëm rrëzimi i një busti. Nuk është vetëm ndryshimi i një emri rruge. Nuk është vetëm hapja e një muzeu. Dekomunistizimi i vërtetë kërkon: dokumentimin e krimeve; identifikimin e përgjegjësive individuale; drejtësinë për viktimat; hapjen dhe ruajtjen e arkivave; edukimin e brezave të rinj; kufizimin e aksesit në funksione shtetërore për kategori të caktuara të autorëve të aparatit represiv, kur kjo bëhet me ligj dhe në përputhje me standardet e shtetit të së drejtës; dhe, mbi të gjitha, një konsensus demokratik se diktatura nuk mund të relativizohet si një alternativë normale politike. Shqipëria bëri përpjekje në këtë drejtim. Në vitin 1995 pati ligje që synonin kontrollin e figurës dhe kufizimin e ndikimit të ish-aparatit komunist në institucionet publike. Por procesi nuk u konsolidua.

Më shumë se një dekadë më vonë, me riardhjen e PD në pushtet, Shqipëria iu kthye sërish çështjes së lustracionit. Ligji i dhjetorit 2008 për pastërtinë e figurës u përplas me probleme serioze kushtetuese dhe institucionale. Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias në vitin 2009 dhe opinioni i këtij të fundit kritikoi aspekte të rëndësishme të ligjit shqiptar. Vetë fakti që në vitin 2008–2009 Shqipëria po përpiqej ende të zgjidhte probleme të trashëguara nga diktatura tregon se procesi i dekomunistizimit kishte mbetur i papërfunduar.

VI. Kur kujtesa institucionale bëhet problem politik

Këtu hyn një institucion që shpesh mungon në rrëfimin për tranzicionin: Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), puna e të cilit nis në fund të vitit 2011. Dihet që ISKK nuk ishte gjykatë. Nuk kishte kompetencë të dënonte njerëz. Por kishte një funksion që një demokraci nuk mund ta anashkalojë: të dokumentonte krimin dhe pasojat e tij. Në këtë kuptim, Instituti përfaqësonte vazhdimin institucional të një pyetjeje që Shqipëria e kishte lënë përgjysmë në vitet ’90: Çfarë ka ndodhur realisht? Kush e ka bërë? Kush ka vuajtur? Dhe çfarë duhet të mësojë shoqëria prej kësaj?

Nën drejtimin e autorit të këtij shkrimi, ISKK u përfshi gjithnjë e më shumë në dokumentimin e dëshmive të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve, në botime, studime dhe përpjekje për ta futur historinë e diktaturës në debatin publik. Por pikërisht këtu filloi edhe një përplasje e re. Dhe kjo përplasje është shumë domethënëse. Sepse një shoqëri mund të tolerojë një institut që merret me të kaluarën si muze. Por kur dokumentimi i së kaluarës fillon të prodhojë përgjegjësi konkrete në të tashmen, situata ndryshon.

VII. Operativi dhe informatori: hallka e harruar e dekomunistizimit

Në fund të vitit 2018, në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit u shtrua një pyetje që në debatin publik shqiptar ishte anashkaluar në mënyrë të çuditshme. Debati për pastërtinë e figurës dhe për trashëgiminë e Sigurimit të Shtetit ishte përqendruar kryesisht te informatorët dhe bashkëpunëtorët e tij. Por kush ishin njerëzit që i rekrutonin këta informatorë? Kush i drejtonte? Kush hartonte planet operative? Kush i përdorte informacionet e mbledhura? Kush i kthente dëshmitë, denoncimet dhe materialet e survejimit në procedura represive?

Përgjigjja ishte: aparati profesional i Sigurimit të Shtetit.

Pikërisht për këtë arsye, Instituti ndërmori një nismë institucionale për t’u kërkuar organeve të shtetit informacion mbi praninë e ish-kuadrove operative të Sigurimit në strukturat e administratës publike. Kërkesa nuk ishte një thirrje për hakmarrje politike, sepse e tham – ISKK – nuk ishte Gjykatë. Ajo mbështetej në Ligjin e Institutit të hartuar nga Kuvendi. në kuadrin ligjor të transparencës, informimit dhe kontrollit institucional. Pyetja ishte konkrete: a kishte në organikat e institucioneve publike persona që kishin shërbyer si oficerë operativë të Sigurimit të Shtetit, dhe a mund të bëhej kjo e ditur në përputhje me ligjin?

Në fazën e parë, disa institucione u përgjigjën dhe dhanë informacion. Më pas, sipas dokumentacionit të Institutit, përgjigjet u ndërprenë dhe kërkesa u ndesh me refuzime: i ranë shpejt në të. Meqenëse kjo përvojë dokumentohet me korrespondencën origjinale, ajo merr një rëndësi përtej episodit administrativ.

Sepse pyetja që ngrihet është kjo: Pse një shtet demokratik do të ishte më i interesuar të zbulonte emrin e informatorit të dikurshëm sesa të dinte kush ishte oficeri që e rekrutonte, e drejtonte dhe e përdorte atë? Kjo nuk nënkupton kurrsesi shfajësimin e informatorëve, por këkkon një hierarki të përgjegjësisë: të vendoset theksi mbi fuqinë shtrënguese të Sigurimit, me metodat e tyre të dhunshme të shantazhit dhe terrorit psikik e fizik mbi pozitën e dobët të rekrutëve informatorë.

Dhe këtu qëndron një prej paradokseve më të mëdha të tranzicionit shqiptar. Viktima e shantazhuar dhe informatori i rekrutuar nën presion mund të bëhej objekt i vëmendjes publike, ndërsa profesionisti i aparatit që ndërtonte dhe administronte mekanizmin represiv mund të mbetej i padukshëm në debatin publik.

VIII. Një institucion që filloi të bezdiste

Pikërisht këtu duhet parë edhe historia e përplasjes sime dhe ISKK me politikën. Sipas raportit vjetor të ISKK-së për vitin 2019, fushata denigruese kundër Institutit solli demoralizimin e bashkëpunëtorëve, intimidimin e dëshmitarëve dhe humbjen e besimit të një pjese të tyre te institucionet dhe te procesi i transparencës mbi krimet e komunizmit. Raporti e lidhte këtë klimë me sulme publike nga një grup deputetësh, një spektër i shtypit, një ish-komandant burgu dhe persona të tjerë që, sipas Institutit, kishin konflikt interesi me ligjin organik të tij.

Ky dokument ka rëndësi pikërisht sepse nuk është thjesht një kujtim personal i Tufës. Është raport institucional. Dhe pastaj vjen pjesa më e pazakontë.Në vitin 2019, ndërsa Tufa kërkonte që krimet e komunizmit të kalonin nga arkivi te drejtësia, vetë dokumentacioni institucional i fjalës së tij në Kuvend pësoi një fat simbolik. Fjalimi i tij n[ Raportin Vjetor të 5 qershorit 2019, sipas materialit të publikuar atëherë nga faqja e Kuvendit, ishte vendosur në video të ndara; pjesa ku parashtroheshin rekomandimet u paraqit veçmas. Më pas, pas largimit të Tufës nga Shqipëria, materiali nuk është më i aksesueshëm në atë formë. Kjo është një çështje që duhet trajtuar me shumë kujdes. Nuk duhet thënë pa provë se materiali “u fshi për ta zhdukur fjalimin”. Por mund të shtrohet pyetja: Si është e mundur që një dokument i një institucioni kushtetues, i lidhur me një seancë parlamentare, të mos jetë më i aksesueshëm në arkivin publik në formën në të cilën ishte publikuar?

Kjo pyetje është vetë pjesë e debatit mbi kujtesën institucionale. Sepse dekomunistizimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që shteti vendos të publikojë. Ka të bëjë edhe me atë që shteti ruan. Një demokraci duhet të ruajë edhe dokumentet e debateve që e shqetësojnë. Sidomos ato.

XI. Kur pyetja institucionale zhvendoset te “herezia”

Ka një mënyrë të njohur për të shmangur një pyetje të pakëndshme: të mos i përgjigjesh pyetjes. Në vend të saj, sulmohet personi që e ka bërë. Në rastin konkret, pyetja mbi praninë e ish-kuadrove operative të Sigurimit në administratë nuk u shndërrua në një debat publik mbi transparencën institucionale. Konflikti u zhvendos në një terren tjetër: te shkrimet, botimet dhe interpretimet historike të mbi 100 vëllimeve studimore, memuaristike, dokumentare, dëshmive, albumeve, filmave dokumentare, serisë së Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, mësimeve të lira mbi diktaturën komuniste që specialistët e ISKK filluan të mbanin nëpër gjimnazet e Tiranës dhe këmbënguljes për rishkimin e currikulave të shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazeve. Si kalë sulmi u vendos libri studimor “Krimet e komunistëve gjatë luftës” i historianit Çelo Hoxha, zëvendësdrejtor asokohe në ISKK, një studim i kryer mbi bazën faktike të letrave e dokumentave të vetë udhëheqësve të PKSH gjatë luftës.

Në këtë mënyrë, pyetja “Kush janë?” u zëvendësua me pyetjen “Çfarë po thotë Tufa?” Dhe më pas erdhi etiketa: “Ballist.”; “Përbaltës i Luftës Nacionalçlirimtare.”; “Pasardhës i Ballit Kombëtar.” Kjo nuk ishte thjesht një polemikë mbi interpretimin e historisë. Ishte një mënyrë për ta zhvendosur debatin nga dokumenti te identiteti i autorit. Nëse një studiues paraqet dokumente arkivore mbi krime të kryera gjatë luftës, pyetja akademike duhet të jetë: A janë dokumentet autentike? A janë interpretuar drejt? A janë kontekstualizuar? A ka kundër-dokumente? Pyetja nuk mund të jetë: “A është autori ballist?” Sepse kjo e fundit nuk është argument historik. Është etiketim politik.

VII. Nga kujtesa te kallëzimi penal

Rasti i Edmond Cajës është, në këtë pikë, jashtëzakonisht domethënës. Në qershor 2019, Agron Tufa, në cilësinë e drejtorit të ISKK-së, depozitoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë një kallëzim penal ndaj ish-komandantit të kamp-burgut të Qafë-Barit, duke kërkuar ndjekjen për “krime kundër njerëzimit”, mbi bazën e nenit 74 të Kodit Penal. Kallëzimi nuk u ngrit në boshllëk. ISKK dëshmonte se kishte në arkiv dokumente dhe dëshmi të shumta të ish-të burgosurve politikë.

Në deklarimet publike të asaj kohe, Tufa foli për dëshmi të shumta okulare dhe dokumentacion të arkivuar lidhur me dhunën dhe krimin e vrasjes në Qafë-Bari. Por ekziston edhe një element që e bën çështjen edhe më interesante.

Para kallëzimit institucional në Tiranë ishte bërë një kallëzim ndërkombëtar në Mynih, dhe më pas ai u pasua nga kallëzimi i ISKK-së në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri. Kjo ishte përpjekje e parë ndërkombëtare për ndjekjen e një prej përgjegjësve të kamp-burgjeve komuniste. Dhe mendoj se këtu kemi diçka që meriton vëmendje të veçantë. Një krim i komunizmit po tentohej të dilte nga kufijtë e kujtesës dhe të hynte në territorin e drejtësisë. Reagimi nuk vonoi: një javë pas kallëzimit ndërkombëtar të Mynyhut, në mars 2019 u ekzekutua në mënyrë mafioze H.B, një ndër dëshmitarët okular të vrasjes së Sandër Sokolit në tortura, fill pas shtypjes së Revoltës në Kamp-Burgun e Qafë-Barit (21 maj 1984). Çështja e vrasjes së tij u mbyll shpejt me një alibi absurde e banale dhe nuk u hap më.

Kallëzimi ynë penal mbi Cajën pati një fat që nuk na habit: ditën e parë të punës kreu i sapozgjedhur i SPAK, prokurori që kishte dhënë dënime politike gjatë diktaturës, Arben Kraja, e mbylli çështjen me përligjje për “moskompetencë”.

Këto kallëzime penale janë shumë më tepër sesa një artikull kundër nostalgjisë komuniste. Ishte një përpjekje e vendosur për të pyetur: Nëse shteti shqiptar nuk e ka gjykuar këtë krim, a mund të kërkohet drejtësi në një juridiksion tjetër? Dhe nëse përgjigjja është po, atëherë kemi një provë se dështimi i drejtësisë shqiptare nuk është thjesht një problem i së kaluarës. Ai vazhdon të prodhojë pasoja.

IX. Kur kërkesa për kujtesë kthehet në çështje sigurie

Në fund të vitit 2019, pas muajsh sulmesh, shpifjesh e linçimesh nga zyrtarë të lartë deputetë, përfshij shantazhet, ndër to edhe të kryeministrit; pas kërcënimesh të përsëritura me vdekje femiljarisht; pas kallëzimeve në polici dhe padive penale ndaj 6 personave publikë politikë dhe një organi shtypi; pas kërkesës sime në Kuvend, në ambasadën e OSBE dhe një letre të Hapur mbrojtjeje për 14 Ambasada perëndimore dhe refuzimit ose mospërgjigjes së tyre, mu desh ta lë vendin dhe bashkë me familjen të kërkoj azil politik në Zvicër, duke qenë i bindur tashmë se askush nuk ishte i interesuar të më ofronte dhe siguronte qoftë dhe një të drejtë elementare – të jetës sime e të familjes.

Por le ta marrim gjithë fushatën e linçimit e kërcënimeve me vdekje ndaj meje e familjes sime në këndvështrimet me reletivizuese e madje dashakeqe e cinike, që dihet se nuk mungojnë asnjëherë, pavarësisht ankesave zyrtare në të gjitha hierarkitë institucionale, pavarësisht padive dhe kallëzimeve penale për të kërkuar drejtësi. Relativizojmë gjithçka e çdo gjë dhe, ndonëse nuk më pëlqen përqasja, ju kujtoj se zv. kryemnistri i Shqipërisë është larguar nga vendi për kërcënime me vdekje. Pra as ai nuk paska qenë në gjendje të mbrohet. Po mua dhe familjen time, kush do të na mbronte? Apo Taulant Balla, i cili, kur kërkova në një mbledhje të Institucioneve të Pavaruar të merrnin masa, të frenonin histerinë e disa deputetëve socialistë që shajnë çdo ditë, kërcënojnë me shuarje ISKK dhe kërcënojnë drejtorin e tij, – m’u përgjigj me cinizëm: “Shko në Gjykatë, shko në Prokurori, besoji institucioneve tona të reja të Drejtësisë së Reformuar, siç e provova me sukses unë pak ditë më parë”?

Le të ndalen skeptikët dhe cinikët thjesht tek fakti politik që nuk mund të anashkalohet: Drejtori i institucionit shtetëror të ngarkuar me studimin e krimeve të komunizmit u largua nga vendi dhe kërkoi mbrojtje jashtë Shqipërisë, duke deklaruar se ishte kërcënuar për shkak të veprimtarisë së tij. Kjo është e mjaftueshme për të ngritur një pyetje të rëndë: Çfarë ka ndodhur me shtetin demokratik shqiptar, nëse ai nuk është në gjendje të mbrojë as njeriun që dokumenton krimet e shtetit totalitar? Kjo nuk është më histori e vitit 1945. As e vitit 1960. As e vitit 1980. Është histori e vitit 2019.

Dhe pikërisht për këtë rasti im përbën një provë e gjallë të mosmbylljes, të mosdashjes për t’i mbyllur llogaritë me të kaluarën.

X. Si mbijeton një regjim pasi ka vdekur?

Kjo është pyetja më e vështirë. Komunizmi shqiptar nuk u rikthye si sistem politik. Nuk u rikthye Kushtetuta e vitit 1976. Nuk u rikthye Partia e Punës si parti-shtet. Por një regjim totalitar nuk mbijeton vetëm duke rikthyer institucionet e veta. Ai mund të mbijetojë edhe si kulturë politike me aleancat dhe përbetimet e vjetra – këlyshët e trashëgimisë së tij.

Kur krimi nuk gjykohet, ai relativizohet. Kur viktima nuk dëgjohet, autori mund të romantizohet. Kur arkivi nuk hapet, boshllëkun e mbush propaganda. Kur përgjegjësia individuale nuk përcaktohet, faji kolektiv bëhet më i lehtë për t’u manipuluar. Kur institucionet nuk pastrohen sipas ligjit dhe standardeve demokratike, kulturat e vjetra administrative mund të vazhdojnë në forma të reja.

Kësisoj aleancat dhe përbetimet e vjetra (me të gjithë mbetjet operative të ish-sigurimit nga fundvitet shtatëdhjetë deri në vitin 1991), shtrëngojnë rradhët në një front të përbashkët, tashmë jo ideologjik, por recidivist, trashëgimor, për ruajtjen e pushtetit dhe pasurimin me çdo mënyrë, me aktorë të vjetër në skenë të re. E përbashkëta e të gjitha veglave vrastare të diktaturave në përkushtimi e tyre ndaj padronëve të rinj është ferri i ndërgjegjes së trashëguar dhe bindja e verbër. Këtu kemi zhvendosjen e këtyre veglave nga diktatura te kartelet dhe çdo lloj krimi.

Dhe kështu komunizmi mund të mos rikthehet si ideologji zyrtare, por të shfaqet si mentalitet. Si klientelizëm. Si paternalizëm shtetëror. Si nënshtrim ndaj autoritetit. Si përçmim i individit përballë shtetit. Si relativizim i dhunës politike. Si nostalgji. Si mosbesim ndaj drejtësisë. Si bindja se pushteti është mbi institucionet. Si patronazhizëm. Në këtë kuptim, mosndëshkimi është edhe mekanizëm i trashëgimisë politike.

XI. “Gjyqi i kafes” si alibi

Kjo na kthen te Nexhmije Hoxha. Nuk është e nevojshme të mohojmë se ajo duhej të përgjigjej për veprat për të cilat u gjykua. Nuk është e nevojshme as të bëjmë apologji të saj. Dhe nuk është ky problemi. Problemi është tjetër: një gjyq për shpërdorim të pasurisë shtetërore nuk mund të jetë zëvendësim për gjykimin e krimeve të një regjimi.

Nëse e reduktojmë gjithë historinë e drejtësisë së tranzicionit te “kafja”, atëherë kemi bërë një padrejtësi të dyfishtë. I kemi bërë padrejtësi historisë së viktimave. Dhe i kemi dhënë një alibi të përsosur shoqërisë së sotme për të mos bërë pyetjen: Po krimet kundër njerëzimit ku janë? Ku janë hetimet? Ku janë dosjet? Ku janë gjykimet? Ku është përgjegjësia individuale? Ku janë vendimet gjyqësore? Ku janë arkivat? Ku është kujtesa institucionale? Dhe mbi të gjitha: çfarë mësuam?

XII. Drejtësia e tranzicionit nuk është hakmarrje

Këtu duhet bërë edhe një sqarim themelor. Dekomunistizimi nuk mund të jetë gjueti shtrigash. Një demokraci nuk mund të dënojë njerëzit vetëm për bindjet e tyre politike. Nuk mund të zëvendësojë provën me hakmarrjen. Ish-të përndjekurit politikë të komunizmit nuk kanë kërkuar për asnjë rast “hakmarrje”, por drejtësi. Nuk mund të përdorë gjykatat si armë partie. Dhe pikërisht për këtë arsye drejtësia e tranzicionit duhet të ishte (jetë) më e fortë se politika.

Ajo duhet të bazohet mbi ligjin, provat, përgjegjësinë individuale, procesin e rregullt dhe standardet e të drejtave të njeriut. Por kjo nuk do të thotë të mos bëhet drejtësi.Përkundrazi. Do të thotë ta bësh drejtësinë aq të fortë sa të mos ketë nevojë për hakmarrje.

XIII. Nga 1991 te 2019: një vijë e papërfunduar

Nëse i vendosim ngjarjet në një vijë të vetme kohore, tabloja bëhet e qartë:

1991: arrestimi i Nexhmije Hoxhës gjatë Qeverisë së Stabilitetit.

1992–94: procese ndaj figurave të larta të regjimit, kryesisht për vepra konkrete si shpërdorimi i detyrës dhe pasurisë.

1995: Kodi Penal dhe Ligji nr. 8001 krijojnë bazën për ndjekjen e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

1995–96: vala e arrestimeve dhe proceseve për krime kundër njerëzimit.

1997: kolapsi i shtetit dhe ndërprerja e rëndë e procesit.

2008–09: përpjekja e vonuar për lustracion dhe përballja e saj me problemet kushtetuese.

2011–19: ISKK përpiqet të institucionalizojë kujtesën, dokumentimin dhe studimin e krimeve.

2019: kallëzimi i Edmond Cajës në Tiranë, pas përpjekjes për ndjekje ndërkombëtare në Mynih.

2019: kërcënimet ndaj Agron Tufës, largimi i tij nga Shqipëria dhe kërkesa për azil politik në Zvicër.

Kjo nuk është historia e një “gjyqi kafeje”. Është historia e një drejtësie tranzitore të filluar, të ndërprerë, të rikthyer pjesërisht dhe të mbetur përsëri pa përfundim. A dështoi Shqipëria vetëm në ndëshkimin e disa kriminelëve të komunizmit, apo dështoi edhe në identifikimin dhe çmontimin e vazhdimësisë së aparatit njerëzor, institucional dhe kulturor që kishte prodhuar atë regjim?

XIV. Përfundim: A e kemi mbyllur llogarinë?

Ndoshta pyetja më e gabuar që mund t’i bëjmë sot historisë është: “A u dënuan disa komunistë?” Po, disa u dënuan. Disa u burgosën. Disa u hetuan. Por pyetja e drejtë është: A u vendos drejtësi mbi krimet e komunizmit? Dhe pastaj: A u ndërtua një sistem që e bëri të pamundur përsëritjen e kulturës së tij politike?

Këtu përgjigjja është shumë më e vështirë. “Gjyqi i kafes” nuk ishte domosdoshmërisht një fasadë. Por shndërrimi i tij në simbolin përfundimtar të drejtësisë ndaj komunizmit është bërë, me kalimin e viteve, një alibi e përsosur për të mos bërë pyetjen tjetër. Sepse Nexhmije Hoxha mund të gjykohej për një vepër konkrete. Por një shoqëri nuk mund ta mbyllë historinë e një diktature me faturën e kafesë.

Në vitin 1995 Shqipëria e kishte kuptuar këtë. Prandaj krijoi një bazë juridike për krimet kundër njerëzimit. Në vitin 2019, Agron Tufa u përpoq ta kthente sërish këtë parim në një kallëzim konkret penal. Nga Qafë-Bari në Mynih e në Tiranë, nga arkivi te dëshmia, nga dëshmia te kallëzimi penal — ishte një përpjekje për t’i dhënë fund një borxhi të vjetër të shtetit shqiptar.

Por në fund, njeriu që drejtonte institucionin e kujtesës u largua nga vendi dhe kërkoi azil politik. Kjo nuk është prova e vetme e dështimit të drejtësisë së tranzicionit. Por është një nga simbolet më të fuqishme të tij në kohët më të vona.

Sepse një demokraci nuk e përfundon dekomunistizimin kur rrëzon monumentin e diktatorit. E përfundon atë kur krimi emërtohet, dokumentohet, gjykohet; viktima dëgjohet; arkivi ruhet; institucioni mbrohet; dhe shoqëria arrin në një marrëveshje morale se diktatura nuk mund të relativizohet më si një formë normale qeverisjeje.

Nëse kjo nuk ka ndodhur plotësisht, atëherë komunizmi nuk është rikthyer. Por një pjesë e tij ka mbetur. Jo si regjim. Si mentalitet. Si aleancë e krimit për kartelet, korrupsionin, vjedhjen e pasurive publike, patronazhizmin, farsën elektorale, sundimin me çdo mjet e mënyrë, shitjen e interesave kombëtare, tehuajësimin e qytetarit të dërmuar, asfiksinë, veleritjen e tij dhe shpopullimin e pandalshëm të Shqipërisë.

Dhe kjo është arsyeja pse “Gjyqi i kafes” si pikënisje nuk duhet të jetë fundi i debatit. Duhet të jetë pikërisht fillimi i pyetjes mbi atë që nuk u gjykua.

P.S: E hapur për mediat dhe portalet

Raporti “Parllaku” dhe mbledhja ku ushtarakët folën hapur për krizën, por u goditën si puçistë! Lufta për kontrollin e ushtrisë

HALIL RAMA / SAKIP CAMI- Fillimi i viteve ’70-të të shekullit të kaluar njohu zhvillime dramatike në gjirin kupolës udhëheqëse të asaj periudhe, kur diktatori shpikte njëri pas tjetrit të ashtuquajturit “grupe armiqësore”. Në këtë kuadër, nisi dhe u realizua edhe fshesa e hekurt në ushtri.

Njëri nga drejtuesit e lartë ushtarakë, gjenerallejtënant Rrahman Parllaku – Nderi i Kombit (ish zvëvendës ministër i Mbrojtjes dhe zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), që u dënua dhe vuajti 17 vite në burgun famëkeq të Burrelit, (ndërkohë që Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako u pushkatuan) pas ’90-tës, u bë iniciues i zbardhjes të së vërtetës në Gjykatën më të lartë të kohës. Ai lë si tesmanet falsitetin e gjyqit politik dhe mungesën e provave të fajësisë së këtyre gjeneralëve, të vërtetuar me Vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Shqipërisë Nr.119 datë 20.07.1994 që shpall pafajësi dhe hedh poshtë akuzat edhe të Kodit të atëhershëm Penal. Parllaku ka lënë të shkruara kujtimet e tij, për të dëshmuar makabritetin e udhëheqjes komuniste, disa prej të cilave iu përkasin të famshmeve “teza dhe antiteza të Mbrojtjes” që i hëngrën kokën “grupit puçist”.

DYSHIMET E HOXHËS TEK MEHMETI

Koha vërtetoi se kjo shoqëri mes këtyre dy figurave kryesore të partisë dhe shtetit , pra e dyshes Shehu – Balluku, e trembte E.Hoxhën që rrezikun e karrikes së tij e ka kërkuar gjithmonë te njerëzit më të afërt. Dyshimet kryesore i kishte tek M.Shehu, pasi e njihte ndikimin e tij në ushtri.

Lidhja e ngushtë e M. Shehut me B. Ballukun, Ministër i Mbrojtjes, ia përforconin dyshimet, prandaj krijoi e nxiti përçarjen mes tyre, deri sa gjeti edhe “shkaqet” për t’i groposur njëri pas tjetrit, por më e keqja ishte se bashkë me ta groposi edhe gjithë lidershipin e Ushtrisë Shqiptare.

Tensionimi i marrëdhënieve mes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes e rëndonte gjendjen e ushtrisë, pasi Kryeministri ishte zëri kryesor në Këshillin e Mbrojtjes ku zgjidheshin problemet kryesore të Forcave të Armatosura.

Ministri i Mbrojtjes e përjetoi me dhimbje gjendjen e krijuar dhe këtë e pohoi edhe E.Hoxha, kur, gjatë dënimit të Ballukut deklaroi se ai i kishte kërkuar të largohej nga detyra për arsye shëndetsore, por ai nuk ia kishte aprovuar. Me sa kuptohet, që atëherë e kishte vendosur ta lironte e më vonë ta eliminonte fizikisht.

Ushtria përfundimisht po shkonte drejt shkatërrimit. Po shpërndaheshin pika hapje në të gjitha fshatrat e vendit, po I ngarkoheshin detyra që nuk kishin asnjë lidhje me objektivat e saj. Ndërtoheshin kazerma për strehim, kudo ku ajo shkonte, pa u lëvruar fondet e duhura për to, pasi duhej zbatuar parrulla: “Çdo gjë ta bëjmë me forcat tona”.

EKLIPSIMI I KOMANDANTËVE

Parllaku tregon: Ne mendonim se duke i ngritur këto probleme që kishin të bënin me forcimin e mbrojtjes së vendit, Ministria dhe Këshilli i Mbrojtjes do të na mirëkuptonin e do të na lehtësonin nga punimet e shërbimet që dëmtonin përgatitjen e gatishmërinë luftarake, por në fakt po ndodhte e kundërta. Kërkesat tona po shikoheshin me dyshim, po përgjoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe mendimet tona po vlerësoheshin si kundërvënie ndaj vendimeve të partisë dhe ideve të Enver Hoxhës, prandaj Hoxha vendosi që, në kuadër të të ashtuquajturave reforma që shpalli Byroja Politike e Partisë në 24 dhjetor 1965 dhe në Letrën e Hapur të Komitetit Qendror të Partisë në 24 mars 1966, drejtimin e ushtrisë ta marrë në dorë Partia. Këto vendime të quajtura reforma goditën direkt principet mbi të cilat organizohej e vepronte ushtria. Komandantëve iu hoq e drejta për të komanduar e drejtuar sipas zbatimit të rregulloreve ushtarake të mbështetura në norma ligjore që e veçojnë ushtrinë, në dallim me strukturat e tjera shtetërore e shoqërore, si një organizëm të rregullt dhe me disiplinë, ku urdhëri i komandantit ishte ligj për vartësit. Urdhëri I sanksionuar me ligj i jepte komandantit të drejtën të çonte në luftë mijëra e miliona njerëz të gatshëm për sakrificën sublime në mbrojtje të atdheut. Vendimet e partisë ua hoqën komandantëve, të të gjitha rangjeve, të drejtën për të komanduar të vetëm. Për t’i zhveshur komandantët nga këto të drejta, u hoqën edhe gradat ushtarake që përcaktonin pozitën e hierarkinë ushtarake, që bënin vartësin në gradë t’i bindej superiorit pa e ditur funksionin e tij, pasi grada jepej bazuar në kulturën, përgatitjen profesionale dhe aftësitë e treguara në kryerjen e detyrave. Shkallët e karrierës ushtarake ngjiteshin jo vetëm nga shkolla e kryer, por edhe nga nivelet e komandimit. Nuk mund të komandosh regjiment, pa komanduar batalion apo të komandosh divizion pa komanduar regjiment, e kështu me radhë drejt njësive më të larta. Këto rregulla dhe kjo eksperiencë tepër e nevojshme për të drejtuar jetë njerëzish u shkelën në ushtrinë tonë, pasi urdhëri i komandantit nuk kishte më vlerë pa firmën e komisarit, i cili vinte nga jeta civile me një shkollë ose kurs partie. Në bazë të vendimeve të partisë duhej kudo firma e komisarit.

Në këto kushte po ktheheshim prapa, te ushtria e dikurshme partizane. Ushtrinë po e çonim në fshat dhe duhej t’i përshtateshim gjendjes së fshatit. Fillimisht, në detyrat e komisarëve të njësive të mëdha u emëruan disa nga ish-komandantët e këtyre njësive, kuadro me përgatitje e përvojë drejtimi. Për mendimin tim, kjo u bë nga udhëheqja e partisë për t’i dhënë funksionit të komisarit vlerë dhe autoritet në masë dhe për të na mikluar me idenë se, edhe tani që do të drejtojë partia, përsëri në krye do të jenë ushtarakët e mirëfi lltë. Nga ana tjetër, ushtarakët e vjetër komandues ishin më të pranueshëm në zbatimin e “reformave” nga komandat dhe efektivat vartëse. Gjithashtu, ata ishin krijuesit e ushtrisë dhe po e drejtonin atë prej njëzetë vitesh, dhe këto fakte nuk i anashkaloi udhëheqja e partisë kur i zgjodhi si komisarë, megjithëse ata nuk mund të shkëputeshin nga komandimi unik dhe drejtimi i ushtrisë sipas rregulloreve. Me organizimin e ri, Parllaku u emërua Komisar i Forcave Ushtarako – Detare, dhe më pas po me këtë detyrë në Komandën e Korpusit të Tiranës, me komandant shokun e tij të ngushtë Vaskë Gjinon. Shkatërrimi i gjithçkaje erdhi me formimin e komiteteve të partisë në të gjitha komandat, regjiment e lart dhe në byrotë e organizatave të partisë në batalion, grup e poshtë.

HARTIMI I TEZAVE TË MBROJTJES NGA SHEHU

Në mbështetje të “reformave në ushtri”, Mehmet Shehu formuloi projekt-tezat e Këshillit të Mbrojtjes.

Projekt-tezat u përgatitën nga Kryeministri, që kishte qenë komandant i njësive më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në luftë dhe kishte kulturë e eksperiencë ushtarake. Puna e tij u vlerësua shumë nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, që në të njëjtën kohë kritikoi Ministrin e Mbrojtjes kur tha: “Keni vite që nuk mundët të përgatisni një material të tillë, kurse shoku Mehmet Shehu brenda tre muajve na dha një vepër shkencore, projekt-tezat që do t’i vlejnë përgatitjes së forcave të armatosura”

Megjithë kritikat e Enver Hoxhës drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, projekt-tezat u pritën me entusiazëm e u vlerësuan lart nga Shtabi i Përgjithshëm, sikur kritikat të mos i adresoheshin Shtabit të Përgjithshëm, që ishte përgjegjës direkt për përpunimin e zhvillimin e Artit Ushtarak në Forcat e Armatosura. U la të kuptohej se sfida ishte personale dhe se Shehu po i kthente Ballukut sfidën që ai i kishte bërë, për hapjen e tokave të reja.

Edhe kuadrot e larta të ushtrisë i pritën fillimisht mirë projekt-tezat, me mendimin se tani do të kishin një material bazë mbi të cilin do të zhvillohej ushtria dhe mendimi ushtarak. Shpresën për zhvillimin e mendimit ushtarak e shkencor ua ngjalli letra përcjellëse e projekt-tezave, që u dërgohej komandave të njësive dhe që ishte e firmosur nga Enver Hoxha me cilësinë e Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në shkresën përcjellëse thuhej: “Po ju dërgojmë këto projekt-teza të Këshillit të Mbrojtjes, t’i studioni, të thelloheni në to, të bëni vërejtje dhe propozime për korrigjime, që sipas ndryshimeve e plotësimeve tuaja, projekt-tezat të bëhen teza.”

Në letrën përcjellëse të projekt-tezave, nga Enveri lihej hapur vazhdimësia e mërive mes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, pasi kërkohej nga Ministria e Mbrojtjes dhe kuadrot kryesore të ushtrisë, të bëheshin vërejtje dhe propozime për ndryshime e plotësime të projekt-tezave të përgatitura nga Kryeministri. Pra, përsëri po vihej Ministri i Mbrojtjes kundër Kryeministrit. Në të vërtetë, gjatë studimit të projekt-tezave, në përmbajtjen e tyre, ushtarakët nuk gjetën atë që prisnin. Në to vazhdonte mbështetja e idesë aventureske të Hoxhës: “Luftë kundër të gjithëve edhe kundër dy superfuqive ushtarake NATO-s e Traktatit të Varshavës të marra së bashku.”. Projekttezat nuk kishin një bosht të qartë. Në to shkruhej për luftën pozicionale aktive siç e kishin planizuar për të vepruar po të kërkohej mbrojtja e vendit.

RAPORTI QË NUK I PËLQEU UDHËHEQJES

Pas një viti pune në drejtim të përgatitjes luftarake, bënë inspektimin dhe vlerësimin e rezultateve të arritura në procesin stërvitor për të gjitha njësitë dhe rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Binte në sy fakti që rezervistët që kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak kur ushtria ishte në kazerma, kishin rezultate më të mira në të gjitha lëndët e përgatitjes luftarake, pasi gjatë shërbimit 2-3-vjeçar stërvitja e tyre kishte qenë intensive dhe shprehitë e fituara i kishin rezistuar kohës. Në raportin e përgatitur pas inspektimit, u vu në dukje rënia e cilësisë së përgatitjes luftarake dhe dobësimi i rregullit e disiplinës që cënonte gatishmërinë luftarake. Si shkak kryesor u theksua shpërndarja e efektivit në shumë pika hapjeje dhe ngarkimi i tyre me shumë punime e shërbime që nuk iu linin kohë për stërvitje.

Raporti u diskutua në udhëheqje dhe në Kolegjiumin e Ministrisë dhe për të nuk pati ndonjë vërejtje të veçantë.

Parllaku i propozoi Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefi t të Shtabit të Përgjithshëm, para analizës vjetore me kuadrot e ushtrisë, që një kopje të këtij raporti t’ia dërgonin Këshillit të Mbrojtjes me shpresë që gjatë analizës, të ishte i pranishëm Kryeministri për të dëgjuar mendimet e tyre dhe të komandantëve të njësive, mbi dëmet që po i sillte ushtrisë shpërndarja, punimet në bujqësi, në ndërtim e në shërbime të tjera, me qëllim që të binin dakord me ta e të ndihmonin në frenimin e këtij fenomeni. Pas dy-tre ditësh, Parllakun e telefonoi Kryeministri, i cili nuk kishte gjetur në zyrë B. Ballukun e P. Dumen dhe pasi u informua nga Parllaku se çfarë kërkonte konkretisht, e pyeti për inspektimin. Parllaku e vuri në dijeni për rezultatet jo të mira, për analizën vjetore, për raportin që kishin përgatitur dhe se mund t’i dërgonte një kopje. Të nesërmen, me anë të një telefonate, M. Shehu i tha se e kishte lexuar raportin, ishte njohur me gjendjen jo të mire që kishin gjetur komisionet në njësi e reparte dhe se kopjen e raportit nuk do t’ia kthente, por do t’ia kalonte për dijeni Enver Hoxhës. Informoi Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefi n e Shtabit të Përgjithshëm që raportin ia kishte dërguar Kryeministrit, por atyre nuk iu erdhi mirë që ishte vënë në dijeni më pare Kryeministri dhe sidomos Komandanti i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, Parllaku ndihej i qetë, pasi kërkonte ta lehtësonte ushtrinë nga punimet e shumta që po ia zinin frymën dhe nuk kishte përse ta fshihte gjendjen e krijuar. Ndërkohë, Drejtori Politik, Hito Çako, kishte dërguar në Komitetin Qendror të Partisë një raport mbi gjendjen moralo– politike të efektivit të ushtrisë dhe mbi disa probleme të stilit dhe të metodës të drejtimit nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilat kishin lindur diskutime.

E ASHTUQUAJTURA KONSULTË PËR USHTRINË

Këto raporte u bënë objekt i një konsulte të organizuar nga Komiteti Qendror i Partisë, që u drejtua nga Hysni Kapo, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Në konsultë ishin thirrur komandantët e drejtorët kryesorë të llojeve të armëve e shërbimeve në ministri, si edhe komandantët e komisarët e njësive kryesore të ushtrisë. Diskutimet e konsultës u përqëndruan në gjendjen e përgatitjes luftarake të efektivave e të kuadrit ofi cer, si edhe të problemeve të tjera të jetës dhe veprimtarisë së trupave. Në konsultë mungonte Ministri i Mbrojtjes, por shumica e kuadrove të ushtrisë radhitën arsyet e uljes së cilësisë në përgatitjen ushtarake, duke theksuar se ofi cerët në vend që të merren me stërvitje, u zihet koha me drejtimin e punimeve operative ekonomike, se jetojnë larg familjeve dhe u mungojnë kushtet për jetesë normale, studim e përgatitje. Hysni Kapos nuk i pëlqyen diskutimet që e vinin theksin te arsyet objektive të rënies së nivelit të përgatitjes luftarake. Në fjalën e tij, ai tha se vështirësitë me të cilat përballet ushtria pas “reformave revolucionarizuese” dihen, por duhet të kapërcehen deri në stabilizimin e reparteve në vendet e reja të dislokimit.

Gjithashtu, ai tha se kishte edhe shumë mungesa subjektive që nuk mund të justifikoheshin me ato objektive, siç ishin ngritur nga Parllaku në raportin “Mbi gjendjen e përgatitjes luftarake”, pas inspektimit vjetor. Për çudinë e të gjithëve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, aprovoi në një farë mënyre mendimet e H. Kapos, duke theksuar të metat e metodës së drejtimit në Ministrinë e Mbrojtjes, në një kohë që ushtarakët kërkonin të frenohej shpërndatja e mëtejshme e ushtrisë në pika hapjeje dhe lehtësimi nga detyrat e shumta jashtë destinacionit ushtarak që po e shkatërronin atë. Parllaku, mendimet e tij, i kishte shprehur hapur në raport dhe ato u mbështetën nga shumica e pjesëmarrësve në konsultë. Ai diskutoi për mendimet që kërkonin shkurtimin e kohës së përgatitjes të studentëve për oficerë në shkollat ushtarake dhe që mbështeteshin nga Hysni Kapo, në një kohë kur Parllaku kërkonte të zgjateshin edhe një vit studimet e tyre dhe kishte rënë dakord me Ministrinë e Arsimit për të shtuar në programet mësimore edhe disa lëndë universitare, në mënyrë që diploma e shkollave ushtarake të bëhej e barazvlefshme me atë të disa instituteve apo fakulteteve. Qëllimi i Parllakut ishte të ndihmoheshin oficerët, që në rast paaftësie ose të daljes në lirim të parakohshëm, të kishin mundësi, sipas diplomës të përftuar, të punonin në institucionet e tjera. Zëvendësi i Parllakut, gjeneral i kulturuar e oficer karriere me akademi të lartë ushtarake, ishte për shkurtimin e kohës së studimit.

U dëgjuan edhe absurditete si në rastin kur një komisar dha shembullin se si një ushtar që kishte mbaruar shkollën e nënoficerit e komandonte togën më mirë se oficeri. Parllaku u detyrua të sqarojë se studentët ushtarakë janë si të gjithë studentët e tjerë që mbarojnë shkollat e mesme. Në universitete zgjerohen njohuritë kulturore dhe bëhen profilizimet në drejtime të caktuara shkencore, e njëjta gjë vlente edhe për studentët ushtarakë, që profilizoheshin sipas armëve, vazhdonin akademitë ushtarake dhe zhvillonin njohuritë e artit ushtarak, si shkencë e të gjitha shkencave. Oficeri përgatitet të drejtojë jo vetëm togën, por duke bërë karrierë do të përgatitet për të komanduar edhe batalion, brigadë, divizion dhe në bazë të aftësive edhe njësi më të mëdha. Nëse arti ushtarak do të vlerësohej si të gjitha shkencat e tjera, atëherë duhet t’i jepej koha e duhur për studim, si mjekut, inxhinierit, etj. Në sallë pati tension dhe krahasimi i Parllakut nuk i pëlqeu Hysni Kapos, por ai vazhdoi. Diskutimet e oficerëve përqëndroheshin kryesisht te përgatitja e gatishmëria luftarake, jo te mbjellja e patateve apo te tufat e bagëtive, pasi përgatitja për mbrojtjen e vendit ishte shqetësimi kryesor.

ANALIZA NË BYRONË POLITIKE

Pas kësaj konsulte, u bë mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, ku u analizua gjendja në ushtri sipas përfundimeve të konsultës dhe raporteve të dërguara nga MM. Në mbledhje ishte i ftuar dhe Rrahman Parllaku.

Diskutuan të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PPSH, të cilët u përqëndruan te raporti i Drejtorisë Politike, që ngrinte probleme të stilit e të metodës të drejtimit në ushtri, gjithmonë duke u spostuar nga problemi kryesor që ishte përgatitja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe kritikuan B. Ballukun e P. Dumen, si drejtuesit kryesorë të ministrisë. Parllaku kritikohej, pasi në raportin mbi gjendjen e përgatitjes e të gatishmërisë luftarake, të metat e dobësitë e konstatuara i kishte justifikuar me shkaqe objektive dhe jo me të meta të drejtimit, që kishin dalë si të meta kryesore gjatë analizës së zhvilluar. Gjithashtu kritikohej për pikëpamje jo të drejta në lidhje me politikën për përgatitjen e oficerëve. Kritikat iu adresuan direkt nga Enver Hoxha, gjatë konkluzioneve të tij. Parllaku bëri një ndërhyrje gjatë fjalës së tij, që u cilësua pa takt nga të pranishmit, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të ndërpritej fjala e E. Hoxhës, por në atë moment ndërhyri Mehmet Shehu, i cili i dha të drejtë, pasi stërvitja donte shumë dije dhe energji. M. Shehu tregoi se në fund të një stërvitjeje të zhvilluar në një repart të Vlorës, komandantët e togave e të kompanive i kishin patur rrobat sikur sapo kishin dalë nga uji. Ndërhyrja e tij e lehtësoi disi Parllakun.

Nga kjo analizë, shumë ushtarakë dolën me vërejtje. Shpërndarja e mëtejshme e ushtrisë vazhdoi. Detyrat në punime bujqësore, në ndërtime e në fortifikime u shtuan. Kjo lloj taktike tashmë po shtonte edhe efektva për shërbimin roje. Koha për stërvitje u reduktua në maksimum. Gatishmëria luftarake e fuqia mbrojtëse e vendit u dëmtuan rëndë. Vendi ishte i ekspozuar para rrezikut për dështimin që mund të sillte katastrofë, pasi tani nuk kishte mbetur më asnjë repart gatishmërie që të priste goditjet e para të armikut, derisa të vihej në gatishmëri ushtria e të bëhej mobilizimi i rezervistëve dhe kompletimi i ushtrisë. Mehmet Shehu, gjatë analizës, të metat e ushtrisë ia ngarkoi kryesisht Beqir Ballukut dhe u përpoq ta largonte atë nga detyra e drejtuesit kryesor të ushtrisë, pasi diheshin marrëdhëniet e tyre të acaruara. Por kjo nuk u arrit dhe në fund të mbledhjes së byrosë, ai propozoi të rishikohej struktura organizative e Ministrisë së Mbrojtjes, për t’iu përshtatur më mirë kushteve të zhvillimit të ushtrisë pas zbatimit të reformave. Propozimi u pranua nga byroja dhe u vu si detyrë të bëhej një studim, që do t’i paraqitej për aprovim Këshillit të Mbrojtjes.

ZHVESHJA NGA KOMPETENCAT

Në bazë të këtij vendimi, në fillim të vitit 1971, Këshilli I Mbrojtjes aprovoi projektin për riorganizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, paraqitur nga grupi i punës. Në strukturën e aprovuar u hoqën nga vartësia e Ministrit të Mbrojtjes të gjitha drejtoritë e shërbimeve e llojeve të armëve. Në vartësi direkte të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm kaluan Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, Komanda e Flotës Luftarake–Detare, Komanda e Artilerisë, e Tankeve dhe drejtoritë, e xhenios, e përgatitjes luftarake, e teknikës dhe e autotraktorëve. Në vartësi direkte të ministrit mbeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që tashmë ishte drejtori kryesor i ushtrisë dhe Drejtoria e Prapavijave të Ushtrisë. Për të ndihmuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm në organikë u emëruan dy zv. ministra. Njëri ishte Rrahman Parllaku, që do të kishte në vartësi Drejtorinë Operative, të zbulimit, të organizim–mobilizimit, të ndërlidhjes, të kimisë, si edhe degën e topografisë e të shërbimeve, kurse zëvendësi i dytë do të ishte Mendu Backa, i cili do të kishte në vartësi Drejtorinë e Xhenios, të fortifikimit xhenier, atë teknike, industrinë ushtarake, si dhe të autotraktorëve.

Motivimi i largimit të Ministrit të Mbrojtjes nga drejtimi direkt i komandave dhe drejtorive të armëve u bë gjoja me arsyen se ai ishte shumë i ngarkuar me detyra të larta partie dhe për arsye shëndetësore, por kjo nuk ishte e besueshme për ushtarakët, që e dinin se marrëdhëniet e Shehut me Ballukun nuk ishin të mira. Kështu, duke mos e larguar dot përfundimisht nga detyra, drejtimi efektiv i ushtrisë po i besohej P. Dumes, si një person më i përshtatshëm për të. Edhe në kushte pune shumë të vështira për ushtrinë, kuadri ofi cer po përpiqej me mish e me shpirt për të inkuadruar efektivin që kryente shërbimin aktiv me atë rezervist dhe po bëheshin përpjekje maksimale për të shfrytëzuar kohën në kryerjen e stërvitjeve të gatishmërisë luftarake. Njëkohësisht, punohej ditë e natë për sistemimin e efektivit në vend–dislokimet e reja, nëpër pikat e hapjes. Puna këmbëngulëse e efektivit oficer çoi në arritjen e disa rezultateve në përgatitjen luftarake të vitit 1970–1971, të cilat u paraqitën si suksese të riorganizimit të udhëheqjes së Ministrisë së Mbrojtjes.“Në mbledhje ishte i ftuar dhe Rrahman Parllaku.

/Gazeta Panorama 

Dossier: Komisioni Hetimor për Shkatërrimet në Shqipëri (dhjetor 1990- shkurt 1992)

Si u grabit dhe u asgjësua pasuria publike në vitet 1991-1992 dhe çfarë zbuloi Komisioni Parlamentar i vitit 1994 mbi një dëm ekonomik prej rreth 5 miliardë lekësh dhe dhjetra viktimash

Nisi me shkatërrime masive historia e tranzicionit shqiptar pas rënies së diktaturës në dhjetor 1990. Pasuria publike e ndërtuar në 50 vite diktaturë me punë të papaguar u shëmb sit ë mos kish qënë brenda pak muajsh. Në dhjetor ’90 dhe muajt e vitet që e pasuan, Shqipëria jetonte ditët më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Komunizmi po shembej dhe shqiptarët besonin se pas dekadash izolimi po hynin në epokën e lirisë. Por, ndërsa sytë ishin kthyer nga politika, një tjetër dramë po zhvillohej larg tribunave dhe mitingjeve. Nëpër magazina, ferma, kooperativa, stalla, punishte dhe ndërmarrje shtetërore nisi një valë grabitjesh dhe shkatërrimesh që brenda pak muajsh do t’i kushtonte vendit miliarda lekë pasuri publike.

Kush e shkatërroi ekonominë shqiptare? Është një pyetje e diskutuar shpesh. Ishte thjesht shpërthimi i një zemërimi të akumuluar për dekada apo pas kaosit fshihej një skenar i organizuar?

 

Këto janë pyetjet që u përpoq t’u përgjigjej një nga komisionet më pak të kujtuara të Parlamentit shqiptar: Komisioni Hetimor për Shkatërrimet, ngritur në vitin 1994 për të hetuar ngjarjet dramatike të viteve 1991-1992.

Raporti i tij, i mbështetur në dëshmi, dokumente zyrtare dhe analiza të komiteteve pluraliste në rrethe, nuk mjaftohet të numërojë dëmet. Ai ngre dyshime të forta se shumë prej shkatërrimeve nuk ishin spontane, por u zhvilluan në një klimë ku institucionet ose nuk vepruan, ose në raste të caktuara dyshohet se toleruan dhe madje favorizuan kaosin.

Shqipëria e vitit 1991: mes shpresës dhe rrënimit

Komisioni e vendos hetimin në kontekstin e një prej viteve më të trazuara të historisë shqiptare. Brenda pak muajsh ndodhën rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit, tragjedia e 2 Prillit në Shkodër ku u vranë katër aktivistë, krijimi i Qeverisë së Stabilitetit, grevat, eksodet masive dhe përplasjet politike që ndanë vendin në dy kampe. Shqipëria përjetonte një krizë ekonomike, sociale dhe morale, gjithashtu një krizë besimi ndaj shtetit.

Në raport evidentohet edhe retorika politike e kohës. Ramiz Alia, pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, deklaronte se “forcat antidemokratike” synonin “shkatërrimin e Shqipërisë”. Autorët e komisionit argumentojnë se ky diskurs shërbeu për të identifikuar kundërshtarët politikë si armiq të shtetit, ndërsa paralelisht vendi po hynte në një fazë të shkatërrimit real të pasurisë publike. Materialet e mbledhura nga komisioni japin një panoramë dramatike.

Shifra që tronditën Parlamentin

Vetëm nga të dhënat operative rezultonte se ishin grabitur rreth 2 700 krerë gjedhë, mbi 1 100 lopë, 1 470 derra dhe mbi 22 mijë shpendë. U vodhën mijëra kuintalë silazh, bar dhe koncentrate ushqimore, ndërsa panxhari dhe lakra në fusha u shkatërruan pothuajse plotësisht.

Objektet ekonomike u kthyen në rrënoja. U dogjën stalla, magazina, ofiçina, zyra dhe linja të përpunimit ushqimor.

Vetëm në Lushnjë dëmi llogaritej afro 59 milionë lekë të kohës, ndërsa në Pogradec vlerësohej rreth 200 milionë lekë. Duke përmbledhur të dhënat nga disa qarqe, komisioni arriti në përfundimin se dëmi real mund të ketë qenë rreth 500 milionë lekë të asaj kohe, ose afro 5 miliardë lekë të indeksuar.

Një nga episodet më të debatueshme të raportit lidhet me ngjarjet e Mamurrasit.

Komisioni pyet: kush urdhëroi që dy kamionë të ngarkuar me sheqer të niseshin nga Porti i Durrësit drejt Mamurrasit, jashtë skemës normale të shpërndarjes së ndihmave të operacionit “Pelikan”? Pse u zgjodh pikërisht ajo zonë?

Dëshmitë e mbledhura nga komisioni japin një version shqetësues. Ish-drejtues vendorë deklarojnë se banorët u nxitën të grumbulloheshin pranë magazinave dhe të merrnin mallrat. Të tjerë dëshmitarë pretendojnë se rajoni ishte zgjedhur qëllimisht, sepse konsiderohej më i lehtë për t’u destabilizuar dhe se persona nga zona të tjera ishin sjellë për të nxitur trazirat. Një tjetër dëshmi flet për një plan që synonte përshkallëzimin e situatës drejt Tiranës.

Në pothuajse çdo rreth të analizuar, komisioni ndesh të njëjtën akuzë: Policia nuk ndërhyri.

Në Laç, drejtues vendorë deklarojnë se efektivët u tërhoqën. Në Pukë flitet për vonesa të pajustifikuara të policisë dhe hetuesisë, ndërsa persona të ndaluar u lanë të lirë. Në Lushnjë drejtuesit lokalë akuzojnë policinë se ishte “më shumë vëzhguese sesa parandaluese”, megjithëse kishte marrë sinjalizime për shkatërrimet. Në Pogradec dëshmitarët flasin për mosveprim, dekonspirim operacionesh dhe tërheqje të forcave të rendit.

Madje, në disa dëshmi të administruara nga komisioni hidhen akuza edhe më të rënda: se efektivë policie kishin marrë pjesë vetë në grabitje ose kishin bashkëpunuar me autorët. Raporti i pasqyron këto si pretendime të dëshmitarëve dhe drejtuesve vendorë të kohës.

Dosja që nuk u mbyll kurrë

Në fund të raportit, Komisioni i Shkatërrimeve arrin në disa përfundime, ndër të cilat: policia nuk veproi në kohë; në disa raste u evidentuan korrupsion dhe mungesë profesionalizmi; mosndëshkimi krijoi bindjen se pasuria publike mund të grabitej pa pasoja; ndërsa veprimtaria e Ministrisë së Rendit në disa raste cilësohej e dyshimtë.

Autorët e grabitjeve nuk u identifikuan kurrë, përgjegjësitë politike mbetën pa u sqaruar. Ndërsa dosja parlamentare e vitit 1994 mbetet një nga dokumentet më domethënëse të tranzicionit shqiptar, njëherësh më pak të diskutuar. Tema sjell pjesë nga raporti i paraqitur në Parlament në vitin 1994, nga kreu i komisionit, Sadedin Balla, i cili sqaron se komisioni kishte punuar për rreth 22 muaj për verifikimin e shkatërrimeve që kanë ndodhur në fund të vitit 1991 dhe fillimin e vitit 1992 në rrethet Pukë, Laç, Peqin, Lushnjë dhe Pogradec.

Komisioni mori në shqyrtim materialet që iu vunë në dispozicion nga rrethet përkatëse, dikastere, institucione qendrore që kanë pasur lidhje me këto ngjarje. Gjithashtu, komisioni zhvilloi takime në rrethet përkatëse, me organet e pushtetit lokal, prokuroritë, SHIK-un, Ministrinë e Rendit, ish-pushtetarë të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet, ish-drejtues të ndërmarrjeve, me përfaqësues të sindikatave, partive politike, si dhe takime me persona të veçantë apo edhe me grupe, si në Fushë-Arrëz.

Më poshtë, pjesë nga raporti, pjesa e parë.

Raporti

Kronologjia e zhvillimit të ngjarjeve fillon në Laç më 03.12.1991. Në qytetin e Mamurrasit, rreth orës 12:00, erdhën 4 mjete të ushtrisë të ngarkuara me sheqer që do të shkarkoheshin në magazinën e tregtisë të këtij qyteti.

Magazinieri, me pretekstin se ishte në kohën e pushimit, nuk e mori në dorëzim mallin. Pas dy orësh që shoferi priste para magazinave, një makinë sulmohet nga disa persona që morën disa thasë sheqer.

Në këtë kohë atje shkon patrulla e policisë dhe merr masa për parandalimin mëtejshëm të kësaj vjedhjeje, largon menjëherë mjetet, duke i shoqëruar për në magazinat e tregtisë së Fushë-Krujës.

Të gjitha këto të dhëna përmenden në materialin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv pluralist të atëhershëm të rrethit të Krujës, më 21.12.1991. Po në atë material, më poshtë janë shkruar: “Për ardhjen e këtyre makinave nuk ishte bërë asnjë njoftim si në Komitetin Ekzekutiv pluralist të Rrethit dhe as në organet e rendit. Pas kësaj ngjarjeje filluan grumbullime njerëzish të irrituar. Forcat e rendit u vendosën përpara magazinave për të prapsur njerëzit që sa vinin e shtoheshin. Turmat i intensifikuan veprimet kundër forcave të Rendit dhe arritën të thyejnë dyert e magazinave. U kërkua ndihma e forcave të ndërhyrjes së shpejtë që u paraqitën, po ndërhyrja e tyre qe pa efektivitet. Në krye të turmës ishin gra e fëmijë.

Pas magazinave turma sulmoi dyqanet e rrëmbeu mallin, duke përjashtuar dyqanin e kinkalerisë, të cilin shitësi e mbrojti vetë. Gjatë kësaj kohe u fikën dritat dhe persona të ndryshëm, duke përdorur për ndriçim letra të ndezura, shkaktuan vatra zjarri dhe rrezikuan djegien e magazinave.

Rreth orës 10:00 të datës 04.12.1991 filluan përsëri grumbullime. U sulmua pularia, stallat e lopëve në Fushë-Mamurras. Në orën 20:00 magazina, dyqane e pularia në Thumanë.

Më 05.12.1991, rreth orës 17:00, pati grumbullime njerëzish në Zhejë, që u orvatën të vidhnin stallat e derrave në Gjorm. Në orën 19:00, në afërsi të magazinave në Laç e Milot, kishte grumbullime dhe rreth orës 20:15 minuta sulmohen magazinat.

Rreth orës 7:00 të datës 06.12.1991 turma të mëdha njerëzish u grumbulluan në Laç, në afërsi të bankës, arkës së kursimit, magazinave, fabrikës së miellit, të bukës, të hekurudhës, kombinatit, ASHLD-së, rajonit hekurudhor, centralit elektrik etj.

Turma sulmon fabrikën e miellit dhe të bukës e zmbrapset, por, prej andej, drejtohet në qendër të qytetit ku shkatërron pallatin e kulturës e djeg një pjesë të tij. Rreth orës 15:00, të datës 06.12.1991, pati përsëri grumbullime e sulme mbi magazinat e tregtisë, të komunales, depot e NB-Gjormit, fabrikën e vajit, ushqimoren.

Më 07.12.1991, turmat, në orët e paradites, sulmuan fabrikën e letrës, kombinatin e drurit, kuptohet, magazinat dhe i plaçkitën.  Kështu më 05.12.1991, rreth orës 16:45, siç u theksua, pati grumbullime në Milot. Turmat shpërthyen e vodhën magazinat dhe konfeksioneve, të fruta-perimeve dhe ato ushqimore. U vodhën e u shkatërruan dyqani ushqimor, ai i bulmetit, libraria e këpucaria private. Më 06.12.1991 u sulmuan vagonët e trenave të ngarkuar me gurë në stacionin hekurudhor, por me ndërhyrjen e policisë turmat u shpërndanë. Po kështu, më 06.12.1991 pati sulme në stallat dhe magazinat e NB-Thumanës, ku u rrëmbyen lopët. Më 07.12.1991, në mëngjes, u vodhën magazinat e NB-Thumanës. Më 07.12.1991 doli dekreti i Presidentit Alia për matjen e objekteve ekonomike dhe bashkëveprimin e forcave të rendit me ato të ushtrisë.  Në zbatim të këtij dekreti Komitetit Ekzekutiv të Rrethit i vjen një telegram, më 08.12.1991, nga ish-Kryeministri, Ylli Bufi. Krijohen nëpër rrethe shtabet e mbrojtjes ku kryetari i këshillit të rrethit është kryetari i shtabit e në përbërje janë kryetari i Rendit Publik, komandanti i njësisë ushtarake, kryetari i SHIK-ut, i hetuesisë etj., që caktohen nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.

Shkatërrimi në Pukë   

Në Pukë, sipas informacionit të degës së Rendit Publik, në datën 07.12.1991, rreth orës 15:30 pati njoftime për grumbullime njerëzish rreth magazinave të repartit 101, të cilët kishin tendencë thyerjen e tyre.

Rreth orës 18:30 u thye njëra nga magazinat e këtij reparti ku ishin ndihmat humanitare, kryesisht veshmbathje dhe ilaçe. Të nesërmen, në datë 08.12.1991 u hap magazina e iu shpërndanë mallrat njerëzve. Pas 4-5 orësh pati përsëri grumbullime njerëzish rreth magazinës tjetër. E thyen dhe morën veshmbathje, medikamente mjekësore. Rreth orës 23:30 njerëzit thyen magazinat ku ishin ndihmat ushqimore të Kryqit të Kuq. Më 09.12.1991 në Fushë-Arrëz pati grumbullime njerëzish rreth magazinave të NFP-së, NTAN-it dhe NSHP-së. Fillimisht sulmohet magazina ushqimore e NFP-së dhe ajo e frutave dhe zarzavateve të NTA-it. Pas disa orësh u sulmua magazina e konfeksioneve. Pasi aty mungonte ndriçimi njerëzit që ishin futur brenda ndezën letra, pishë etj., duke shkaktuar djegien e magazinës ku gjetën vdekjen 38 vetë, 4 prej të cilëve ende të paidentifikuar. Vjedhje pati edhe në fshatrat Apri, Fierzë, Gjegjan, Gojan, Luf etj.

Shkatërrimi në Lushnje

Në Lushnjë, sipas informacioneve të degës së Rendit Publik, më 23.02.1992 në orën 18:00, pasi u fikën dritat, në qytetin e Lushnjës, turmat e shtetasve të irrituar sulmuan dyqanet e shtetasve Lili Deliu e Liza Draga, bashkëpronarë me shtetas grekë. Forcat e rendit nuk e shmangën dot vjedhjen në këto dyqane, por shmangën vjedhjen në dyqane të tjera. Pas dy orë vjedhjesh e dëmtimesh situata u qetësua.

Më 24.02.1992, ora 14:00, pati grumbullime njerëzish që u orvatën të sulmonin dyqanin e një bashkëpronari grek. Pasi nuk ia dolën ta plaçkitnin e ta shkatërronin, turmat u grumbulluan e sulmuan magazinat e ndërmarrjes tregtare të Lushnjës. U vodhën dy magazina të NTAN-it me artikuj ushqimorë e industrialë. Magazina ushqimore u dogj. Në orën 16:30 të datës 25.02.1992, pati përsëri grumbullime masive te magazinat 1 dhe 2 të ndërmarrjes tregtare të Lushnjës, por me ndërhyrjen e forcave të rendit u penguan. Përleshja me njerëzit vazhdoi deri në orët e mesnatës, ku mbeti i vrarë një djalë i ri.  Të nesërmen, më 26.02.1992, gjatë procesionit të varrimit, rreth orës 15:00, u sulmuan zyrat e degës së Rendit, të Prokurorisë, të Gjykatës si dhe të Komitetit Ekzekutiv. Turma të tjera, më vonë, sulmuan magazinat e ndërmarrjes ushqimore, ku vodhën sheqer e vaj dhe dogjën magazinat. Pastaj sulmuan magazinën e NTAN-it, që e hapën, e vodhën dhe më vonë e dogjën.

Në paraditen e datës 27.02.1993 vazhduan grumbullimet e sulmet te magazinat nr. 1, 2, ushqimore, plastmasi, magazina e letrës, magazinat e furrat e bukës, në të cilat vodhën e shkatërruan. Pasdreke gjendja u normalizua.

Më 28.02.1993, gjatë gjithë ditës, u ndaluan njerëz që kishin vjedhur mallra të ndryshme që u kapën në flagrancë.      U dogjën magazinat e nevojave vetjake, magazina e shpimit, u dogj shkolla e Fier-Sheganit, zyra e pyjores, u vodhën zyrat e stacionit të trenit, zyrat e bonifikimit, u vodh magazina e artikujve të përzier në Savër, u vodh shtëpia e Kongresit të Lushnjës, u vodh një sasi e konsiderueshme bagëtish në NB-Çermë. Në mëngjesin e datës 22.02.1992 vazhdoi vjedhja dhe shkatërrimi në NB- frutore, Dushk, në Semenas kanë prerë pyllin, në Bishtqem shkatërrohet magazina e ndërmarrjes tregtare, në Savër hapen e vidhen magazinat e drurit. Më 01.03.1992 vidhen grupi i përforcuesve të televizorit, vidhen 1500 viça majmërie.  Në NB-Thanasaj shkatërrohen magazinat dhe vidhen lopë e bagëti të imëta. Vidhet gruri në depot e NB-Grabianit. Hapen e vidhen depot e duhanit në ndërmarrjen e grumbullimit, vidhen 300-400 kv duhan në Hysgjokaj. Vjedhjet sporadike vazhduan dhe më 2 dhe 03.03.1992.

Shkatërrimi në Peqin

Në Peqin, sipas informacionit nga këshilli i rrethit Peqin, rreth orës 10:00 në qendër të qytetit pati grumbullime njerëzish, më shumë nga fshatrat rreth e rrotull. Në orën 12:00 shkuan drejt stacionit të trenit, ku gjoja do të vinte një tren pune për në Durrës nga Elbasani. Pra, ishin përgatitur për eksod. Treni nuk erdhi, ndërsa një dorë djallëzore i drejtoi papritur nga magazinat e ushqimores. Sulmuan dhe filluan të vjedhin mallrat në magazinën e parë, pas pak u drejtuan në magazinën e dytë dhe e plaçkitën. Pastaj turma iu drejtua magazinës industriale ku, vodhi dhe pas orës 14:00, turma shpërtheu edhe magazinën e katërt.

Mbas një incidenti ku gjetën vdekjen tri vetë, turmat u irrituan më keq dhe vodhën e plaçkitën çfarë mundën, deri në orët e vona të mbrëmjes. Në Pogradec, në rrethin e tij, nga 25 deri më 29.02.1992 turma të mëdha personash kanë vjedhur, shkatërruar, grabitur e djegur pasuri në NT, në industrialen e trikotazh-konfeksioneve, në degën e farërave, degën e furnizimit të bujqësisë, në ndërmarrjen e grumbullimit, në atë komunale, në ndërmarrjen e ndërtimit, në ndërmarrjen pyjore, në ndërmarrjen gjeologjike, në minierat e Gurit të Kuq në Alarup etj. Vjedhje e shkatërrime u bënë gjatë këtyre ditëve edhe në sektorët e këtyre ndërmarrjeve si në Qafë-Thanë, Çërravë, Alarup, Trebinjë, Propisht, Hudenisht etj. Ngjarjet filluan më 25.02.1992 në orët e para të pasdites, në magazinat e ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve, në dalje të Pogradecit, në afërsi të fshatit Vërdovë. Në krye të turmës ka pasur edhe gra e fëmijë. Siç e dëgjuat, ngjarjet e atyre muajve i shëmbëllejnë një lufte të vërtetë. Edhe një sulm ushtarak armik nuk mund të paralizonte e sulmonte me kaq efikasitet pikat kyçe të qyteteve apo zonat ku u zhvilluan ngjarjet.

Pasojat e ngjarjeve

– Në rrethin e Pukës, nga zjarri i shkaktuar në magazinat e Fushë-Arrëzit, sipas informacioneve nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Rendit, del se humbën jetën 38, vetë nga të cilët 4 janë të paidentifikuar.

Nga një informacion i Prokurorisë së Përgjithshme, 01.07.1993, thuhet se numri i të vdekurve është 39, ndërsa nga burime të tjera thuhet se është 40.

Në rrethin e Laçit, sipas informacionit të Ministrisë së Rendit, mbetet i vrarë një ushtar dhe një fëmijë 13-vjeçar, si dhe i plagosur djaloshi Arjan Hoxha, që pastaj vdes në spital. Pra, 3 të vdekur.

Në Rrethin e Peqinit, si rezultat i forcave të ndërhyrjes së shpejtë, vriten 3 persona. Në Rrethin e Lushnjës, më 25.02.1992 vritet me armë zjarri 25-vjeçari Arben Vogli dhe plagosen 15 punonjës policie, 3 nga të cilët shtrohen në spitalin ushtarak të Tiranës.

Në rrethin e Pogradecit, gjatë ngjarjeve të zhvilluara më 25.02.1992 janë asfiksuar nga turmat 2 persona, të cilët kanë vdekur. Pra, numri i të vdekurve, gjatë atyre ngjarjeve, është rreth 50. Nuk ka të dhëna të sakta për të plagosurit.

Dua t’ju kujtoj këtu se natën e 22 dhjetorit në Bukuresht, kur banorët e kryeqytetit kundërshtuan Çausheskun, janë vrarë 50 dhe janë plagosur vetëm 59. Krahasimet bëjini vetë.

Gjatë atyre ngjarjeve, në të shumtën e ndërmarrjeve të dëmtuara janë djegur dokumentacionet. Pas ngjarjeve janë bërë disa llogari për vlerat e dëmtimeve, që për mendimin tonë nuk janë shumë të sakta.

Mendojmë se përgjithësisht, në realitet, shifrat janë më të ulëta sesa ato që janë dhënë nga informata. Sipas rretheve përkatëse nga dokumentacioni rezulton si më poshtë:

Puka, informatat e Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se vlera e dëmit të shkatërrimeve arrin 8 milionë e 591707 lekë. Vetëm në magazinat e Fushë-Arrëzit është vlerësuar një dëm prej 6 milionë e 482581 lekë.

– Në Laç dëmi kap shifrën rreth 80 milionë lekë. Në sektorin e tregtisë dëmi kap shifrën rreth 30 milionë lekë.

– Peqini, dëmi i llogaritur kap shumën 373901 lekë.

– Në Lushnjë dëmi llogaritet në shumën 31 milionë 457990 lekë.

– Pogradeci, dëmi kap shifrën rreth 180 milionë lekë.

Bilanci i përgjithshëm i dëmit të shkaktuar në këto rrethe del 300 milionë e 42598 lekë ose i indeksuar me 3 miliardë e ca lekë.

Vlen të theksohet se kjo shifër, me sa duket, i korrespondon vetëm dëmeve të shkaktuara në ndërmarrjet shtetërore, pa përfshirë vlerat e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë.

E themi këtë pasi, fjala vjen, nga dokumentacioni i Rrethit të Krujës, nënkupto Laç, rezulton se dëmi 80 milionë lekë është vetëm ai i ndërmarrjeve që kanë ushtruar veprimtari në zonat e rajonit të Laçit.

Në po atë material, më tutje, njoftohet se vlera e dëmit në sektorin e bujqësisë, në shkatërrimet e NB-ve, llogaritet në rreth 75 deri 80 milionë lekë.

TemA

Në 65 Vjetorin e ndërtimit: Heronj dhe Mesazhe nga Muri i Berlinit! Nga dr. JORGJI KOTE Mjeshtër i Madh në Diplomaci, Ish Zv.Ambasador në Berlin

 

 

65 vite më parë, në orën 01:54 të datës 13 Gusht 1961 filloi ndërtimi i Murit famëkeq të Berlinit. Pavarësisht nga ngjarjet e shumta, tronditëse dhe zhgënjyese  gjatë këtyre dekadave dhe pas shembjes së tij më 9 nëntor 1989, ajo ditë e ruan rëndësinë e saj epokale. Edhe pse po bëhet sërish ” modë” ngritja e mureve të shumtë  me emra të frikshëm kudo; siç e përshkruan aq bukur edhe te poezia ”Muret ” poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu, ato janë mure fizike, xhami, hekuri, ideologjike, racore, gjinorë, krahinorë, migratorë, etj.

Muri i Berlinit ishte shumë më tepër se sa e tregon emri. Në fakt, ai ishte  impiant gjigand ndarës dhe vdekjeprurës 156 km; përbëhej nga katër breza;  i parë 4 m i lartë ishte me beton dhe tela me gjemba; brezi i dytë që njihej dhe si « zona  e vdekjes » shkonte 80 – 100 m thellësi dhe kushdo do të shkelte aty do të kapej gjallë  ose do ta zinte korenti elektrik; brezi  i tretë ishte plot transhe ndërsa brezi i katërt ishte një trase e pakalueshme. Muri vrojtohej në  gjithë gjatësinë e tij nëpërmjet  302 kullave të vrojtimit, nga të cilat 32 ishin në qytetin e Berlinit.

Ai Mur vërtet që kufizoi ndjeshëm arratisjen e gjermanolindorëve drejt perëndimit, por ndërkohë ai mega absurd ishte katastrofë e vërtetë për imazhin e lindjes komuniste. Ai demaskoi në sytë e gjithë botës dështimin e ” vitrinës së socializmit lindor” përballë suksesit të RFGJ-së me mrekullinë ekonomike dhe shtetin social.

Eshtë folur dhe shkruar shumë për këtë Mur famëkeq; autori i këtyre radhëve, krahas shkrimeve të tjera ka botuar edhe Librin ”Berlini pa Mure” ( 2009) Në këtë shkrim,  po ndalemi në efektet e  ngritjes së Murit, në reagimin dhe kundërshtimin e menjëhershëm të popullatës, nga brenda dhe nga jashtë, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet, rrugët dhe mënyrat për kapërcimin e tij.

 

Gjatë 28 viteve të tij, Murin e kapërcyen me mijra vetë, ndërsa 134 u vranë në përpjekjet e tyre  në kërkim të lirisë. Dëshmori i parë i Murit, Peter Fechter ra më 17 Gusht 1962 në rrugën “Bernauer Strasse”; pikëriësht aty ku ndodhet  Memoriali i Murit, ku çdo vit zhvillohen homazhe në ditën e ngritjes dhe rënies së tij. Ndërsa dëshmori i fundit, 20 vjeçari Christian Gueffroy ra më 5 shkurt 1989.

Ngritja e Murit  u shoqërua me shumë incidente, aksidente por dhe momente emocionuese, për të cilat janë shkruar me qindra libra, këngë, poezi dhe filma. Këtu po ndalem në tri raste të njohura të cilat përmenden më shpesh në këtë 65 Vjetor.

 

Policioti Hans Conrad Schumann

Kapërcyesi i parë i bujshëm i  Murit të Berlinit ishte roja kufitare në pjesën lindore të Berlinit, 19 vjeçari Hans Conrad Schumman. Më 15 Gusht 1961, vetëm dy ditë pas ngritjes së Murit midis rrugës « Ruppiner dhe Bernauer Strasse » diku në qendër të Berlinit, Schumman i kapërceu me guxim telat me gjëmba i inkurajuar nga thirjet e vazhdueshme që vinin nga pjesa perendimore e Berlinit « hajde këtu, hajde këtu! » i ndihmuar edhe nga një makinë policie patrullimi e RFGJ-së.  Fotoja e fotografit të ri  Peter Leibing e shkrepur me  një aparat « Exact »  u botua te ”BILD” dhe  bëri «  xhiron e botës» Si shkak i indinjatës së Schumman-it u bë  kur  një vajzë të vogël që kishte shkuar te gjyshërit e saj në pjesën lindore nuk e lejuan të të kthehej sërish  te familja e saj. Më vonë ai u vendos në Bavari. Por jeta e tij u kthye në një kalvar vuajtjesh psikologjike, për shkak të presionit të vazhdueshëm nga pjestarët e familjes që e qortonin për veprimin e tij. Sepse dihen pasojat e hakmarrjes së rregjimit lindor ndaj tyre. Ra në depresion deri sa vdiq në vitin 1998 kur ishte vetëm  58 vjeç.  Pavarësisht nga këto peripeci,  ai i qëndroi deri në fund  pohimit të tij se « vetëm kur kapërceva Murin jeta ime u bë plotësisht e lirë”.

 

 

 

Hapësi i tuneleve të nëndheshme

 

Gjatë gjithë asaj periudhe pati shumë qytetarë berlinoperendimorë, të cilët ndihmuan me të gjitha mjetet ata që donin të iknin në Perëndim.

Një ndër më të shquarit e tyre ishte  Hasso Herschel, i cili u nda nga jeta këtë qershor në moshën 91 vjeçare. Bashkë me shokë të tjerë ai hapi tre tunele poshtë Murit të Berlinit. Kështu, vetëm përmes “Tuneli 29“ në vitin  1962 kaluan në perëndim  29 vetë,  midis tyre edhe vetë motra e Herschel.

Ky tunel ishte vepër e vërtetë arti. Ai u bë edhe film me titullin “Tuneli“, ku dokumentohet ikja dramatike nëpërmjet tij Ai ishte nga Dresdeni dhe ishte dënuar me burgim disa vite, por kaloi me një pasaportë fallco në perëndim dhe prej andej ndihmoi edhe të tjerë për t’i shpëtuar tiranisë së kuqe.

 

Herschel vlerësohet si njeriu që  më shumë se kushdo tjetër mendohet se ka ndihmuar  rreth 1000 vetë në kapërcimin e Murit.

 

Dy zonjushat e Murit

 

Rasti i tretë por me fund të lumtur ndodhi më 13 Gusht 1961; kur dy vajza 15 vjeçare gjermane, shoqe shkolle në gjimnaz u afruan te njera tjetra dhe shtrënguan duart në formën e një lamtumire mbi murin që po ngrihej dhe po i ndante si shumë e shumë të tjera. E para nga e djathta e fotos më poshtë është Kriemhild Meyer, kurse tjetra nga e majta, Rosemarie Badaczevski. Kjo e fundit e kishte apartamentin në një godinë shumëkatëshe me ballkon nga pjesa perendimore; sipas planit të babait të saj që ishte në perëndim, ajo rrëshqiti poshtë ballkonit me litar më 19 Gusht 1961. Kriemhild mbeti në lindje por u largua më vonë në perëndim.  Ai takim ato ditë bëri bujë të madhe. Fotoja e tyre kishte dekada që qëndronte në Muzeun ‘Treptow‘ në pjesën lindore të Berlinit. Vitet e fundit, Muzeu kishte bërë shumë demarshe  për t’i  gjetur e bashkuar simbolikisht ato dy vajza. Më në fund, të dyja “ zonjushat e Murit” siç njihen në publik u gjetën një e nga një në distance kohore, sepse Kriemhild banonte prej vitesh në Zvicër ku kishte punuar si dekoratore. Ndërsa Rosemaria jetonte  pranë Hamburgut, ku kishte punuar si sekretare në një universitet.

 

Më 15 Qershor 2019,  këto dy shoqe  u ritakuan pas 58 vitesh në katin e tretë të Muzeut në Treptoë, aty ku janë ekspozuar dhe fotot e tyre. E pamundur të përshkruhej gëzimi dhe emocioni i tyre, i stafit të Muzeut dhe publikut gjerman. Ai takim dhe fotoja pranë fragmentit  të Murit në po atë vend ku u ndanë 58 vite më parë, në Harzer Strasse, në kufirin midis lagjes Treptower dhe Neukëln, “ pushtoi” faqet e para dhe kronikat televizive të atyre ditëve dhe në vazhdim.

Si shumë e shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, edhe  rasti i “ dy zonjushave të Murit” dëshmon qartë dhe bindshëm se megjithë suksesin fare të përkohshëm, nuk ka mur, gardh dhe pengesë, sado të gjatë e të sofistikuar qoftë që të ndajë njerëzit.

Këtë mesazh e dha Kancelarja Merkel në fjalimin e saj të zjarrtë më 19 Maj 2019 përpara 20.000 studentëve dhe profesorëve të Universitetit elitar të Harvardit. Ajo bëri thirje që “në vend të nacionalizmit të zgjedhim globalizmin, në vend të unilaterizmit multilaterizmin, në vend të mbylljes hapje, në vend të proteksionizmit tregtar, të hapim tregjet dhe në vend të mëndjengushtësisë mëndje të hapura.“

 

Presidenti që sfidoi Murin e Berlinit

 

Ngritja e Murit të Berlinit  zhgënjeu dhe tronditi thellë jo vetëm berlinezët në të dy anët  e tij por dhe gjithë Perëndimin; sepse u duk sikur  ëndra e madhe e ribashkimit gjerman po shuhej. Por jo, se përtej Atlantikut ndriçonte një dritë e madhe shprese. Presidenti mitik Kenedi fluturoi drejt Berlinit më 26 Qershor 1963 me premtimin monumental për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të solidaritetit dhe të ribashkimit. I shprehu këto mesazhe me shumë emocione por dhe bindshëm, me oratorinë e tij të pashoqe, pikërisht aty, pranë Murit. Berlini oshëtiu atë ditë nga brohoritjet entusiazte “ Kenedi” “Kenedi”!

Me fjalimin e tij historik, mes egzaltimit të gjysëm milionë berlinezë perendimorë të pranishëm, që nisi dhe u mbyll me deklarimin lapidar në gjermanisht “ Ich bin ein Berliner” – “Jam Berlinez”  Kenedi dhe SHBA-të i thurën një himn madhështor Berlinit të ardhshëm të Europës së Ribashkuar, të etur për liri dhe paqe.

Vërtet që ky fjalim i konsideruar si më emblematiku i Luftës së Ftohtë kishte vetëm 685 fjalë; por me karizmën e tij të rrallë, Presidenti i 35 i SHBA-ve i dha zjarr aspiratës gjermane të ribashkimit; duke tronditur Berlinin dhe muret ndarës.

Atyre që kishin iluzione për komunizmin, ai iu drejtua ironikisht, qartë dhe thjeshtë: “ Le të vijnë ta shohin në Berlin!”

Vërtet që disa muaj më vonë e vranë Kenedin, por jo vizionin, ëndrën dhe premtimin e atij “ Berlinezi” të madh. Atë e mbajtën dhe përcollën më tej  pasardhësit e tij, sidomos Presidenti Reagan, kur më 12 Qershor 1987, nga Portat e mbyllura të Brandenburgut i lëshoi thirjen kushtrim Gorbaçovit për ta shembur atë Mur dhe për t’i hapur ato porta; në vijim, me hapat dhe vendimet e tyre epokale ishin “të mëdhenjtë” e botës –  Bush, Thatcher, Kohl, Mitteran dhe Gorbaçhov që më 9 Nëntor 1989 udhëhoqën shembjen e Murit famëkeq me të gjitha rrjedhojat e tij të njohura historike.

Tani, vërtet që po ngrihen gjithandej mure ndarës dhe pengues. Madje, edhe ndonjë urë bashkuese  po kthehet në mur pengues dhe ndarës, për fat të keq edhe në Ballkanin Perendimor. Kjo ka ndodhur në Mitrovicë me urën e famshme mbi Lumin Ibër, një vepër e vërtetë arti me financime edhe nga BE-ja. Mirëpo, për vite të tëra deri tani vonë ajo është kthyer në një mur të madh pengues vetëm e vetëm që të mos i prishet mideja dhe humori politik Beogradit.

 

Konventa e Alpeve ndërton ura bashkuese!

 

Duke ardhur në terrenin tonë, një ndihmesë të madhe në shembjen e mureve, gardheve dhe pengesave të tjera  vazhdon të japë Konventa Ballkanike dhe Gazeta e Alpeve. Kjo falë një seri projektesh, prgramesh dhe nismash të tjera; me synim shembjen dhe shmangien e mureve dhe gardheve ndarës dhe pengues ekzistues në çdo aspekt; midis veriut dhe jugut,  Shqipërisë dhe Kosovës, të moshuarve dhe rinisë,  shtetit dhe shoqërisë, midis atyre që e duan dhe e mbrojnë si sytë e ballit mjedisin, gjelbërimin dhe shkatërruesve/betonuesve të tij. Në këtë betejë madhështore janë shquar mijra qytetarë të Alpeve, njerëz të thjeshtë patriotë. Kjo ndihmesë e çmuar është prezantuar dhe promovuar me cilësi elitare  dhe në shumë veprimtari me jehonë të gjerë sociale, mjedisore, publike dhe mediatike. Në krye të këtyre proceseve kanë qenë me pasion dhe përkushtim pjestarë dhe drejtues të Konventës, me  vlera, virtyte, pasione dhe profesione nga më të ndryshmet.

Në Alpet tona kreshnike kanë lindur, kanë zhvilluar veprimtarinë dhe rrezatojnë imazhin dhe veprën e tyre politikanë të shquar, shkrimtarë dhe poetë të talentuar të formatit ndërkombëtar, afaristë të zotë dhe bujarë, diplomatë dhe  ambasadorë brilantë në metropolet dhe organizatat  më të rëndësishme ndërkombëtare,  mendimtarë, gjuhëtarë dhe filozofë të shquar, arkitektë, ndërtues dhe luftëtarë sypatrembur. Bashkë me këngëtarë, valltarë  dhe instrumentistë të famshëm që vazhdojnë të shkëlqejnë  në skenat më të mëdha  muzikore dhe operistike të vendit dhe të botës, sportistë me emër në të gjitha llojet, etj.

Lista e këtyre personaliteteve anti-mur është tejet e gjatë, por publiku ynë i njeh ata edhe falë promovimit në faqet dhe rubrikat  cilësore të Gazetës së Alpeve, të cilën e drejton me pasion të pashuar publicisti, eseisti dhe veprimtari  i palodhur patriot, zoti Ramiz Lushaj. Në vijim të eventeve të mëparshme, Takimi Ballkanik i kësaj Konvente i zhvilluar në muajin Maj në Valbonën e magjishme dhe evente të tjera gjatë vjeshtës, me praninë edhe të personaliteteve të spikatura nga Brukseli janë dëshmitë më të freskëta të angazhimit dhe rezultateve mbresëlënëse të Konventës Ballkanike të Alpeve në shembjen e mureve dhe gardheve;  mbi të gjitha zëvendësimin e  tyre me ura dhe nyje bashkuese, kudo, por mbi të gjitha në kokat dhe mendjet e njerëzve dhe shoqërive tona.

E pra, pikërisht për të tillë mure bashkues, lidhës dhe  integrues e jo për blloqe ndarës dhe pengues  njerëzit kanë sot  nevojë  më shumë se kurrë.  Ky  është mesazhi më i rëndësishëm  që jep ky  65 Vjetor i ndërtimit të Murit famëkeq të Berlinit.

IN MEMORIAM- Arkivi i Voal.ch- 2012- SKËNDER HALUCI: E VËRTETA E ATENTATIT NDAJ RAMIZ ALISË- Nga FATOS VELIU (INTERVISTA)

– Sot u nda nga jeta të SKËNDER HALUCI, jurist, avokat dhe ish-Kryetar i Gjykatës së Vlorës, ish Komisioner i Avokatit te Popullit, ish i burgosur politik, një personalitet i respektuar i drejtësisë dhe jetës publike.
VOAL, duke marrë pjesë në dhimbjen e madhe për këtë humbje pikëlluese, po ju sjell lexuesve një intervistë të gjerë të botuar më 2012, ku Skënder Haluci shpalos shumë nga sfidat e pashembullta të jetës së tij.

 

E Mërkurë, 02.15.2012, 09:55am (GMT+1)

Ata ishin disa djem nga Bujani i Tropojës që bënin një bisedë mes shokësh. Vetë mosha adoleshente e tyre ish te shkak për një debat më se të sinqertë. Gjithsesi në atë moment as që u shkonte në mendje se pikërisht ajo bisedë e bërë aty në thellësi të maleve të Tropojës, do të bëhej shkaku i një kalvari të stërmundimshëm vuajtjesh dhe peripecish. Nuk do të vononte që gjithçka ishte thënë aty të mësohej saktësisht nga sigurimi i shtetit të asaj kohe. As më pak dhe as më shumë por tema e tyre kishte në epiqendër vetë udhëheqësin komunist Ramiz Alinë. Ishte viti 1983 kur ai kishte pak kohë që kishte përfunduar vizitën e bujshme në rrethin e tyre të Tropojës. Çuditërisht, atyre djemve edhe pse të vegjël, e ndjenin se u ishte mërzitur jeta nga sistemi komunist. Megjithëse të rinj dhe duke jetuar shumë larg Tiranës, në kushtet e transportit të atëhershëm, ata e parashikonin dhe e kuptonin se Enver Hoxha numëronte ditët e fundit të jetës. Tashmë sipas tyre, pengesë për rrëzimin e komunizmit ishte vetëm Ramiz Alia të cilin do të kishin bërë mirë që gjatë kohës që kishte kaluar në rrethin e tyre të mund ta asgjësonin. Kaq ide ishte dashur që fantazia e tyre djaloshare të kalonte nga një variant atentati në një tjetër, se si mund të ishte eliminuar Ramiz Alia. As që mund ta mendonin se vetëm me atë bisedë të atyre çasteve ata do të bëheshin të njohur në të gjithë Shqipërinë, madje rreth portretit të tyre në të gjitha krahinat e vendit do të thureshin subjekte me frymëzim legjendash. Ishte momenti kur me shpejtësinë skëterre, u përhap lajmi se “Shoku Ramiz i paska shpëtuar në fije të perit atentateve të mirëorganizuar në Veri të Shqipërisë për t’i marrë atij me çdo kusht jetën”.

E çuditshme dhe e pabesueshme ngjarja e ndodhur si në filmat hollivudianë ku në qendër të tyre qëndrojnë heronjtë tragjikë, por në Shqipërinë e vogël që bie shumë larg Hollivudit, subjekti s’ka qenë artistik por një ngjarje e vërtetë.
20-30 djem në prangat e policisë ndërkohë që disa prej tyre morën dënimin kapital “Vdekje me Pushkatim”. Dy prej tyre u falën nga dënimi kapital.
Ky ishte pak a shumë bilanci i ngjarjes që pasoi vizitën e bujshme të Alisë në veri-lindje të Shqipërisë, Kukës, Has, Tropojë etj.
Lajmi se në veri kishin funksionuar dy grupe armiqësore shumë të rrezikshme që donin të bënin atentat ndaj udhëheqësit, u bë jo vetëm i besueshëm, por filloi të zgjerohet dhe të lustrohet me episode legjendash. Njëri grup u kap në takimin e Hasit pikërisht kur Alia po hipte në tribunën e mitingut ndërsa tjetri në Tropojë. Të paktën ky është lajmi i përhapur me bujë dhe ai që besuan njerëzit. Por, askush nuk mësoi asnjëherë se ai i Tropojës paskishte qenë vetëm një bisedë të rinjsh të përmendur në fillim të këtij epilogu ndërsa tjetri në Has nga sa mësohet sot paska qenë një konflikt mes dy rivalëve që s’kishin as një lidhje me atentatin për të cilin u akuzuan.
Gjithsesi, dy prej të rinjve të Tropojës të dënuar nga Gjykata e Lartë me “vdekje me pushkatim” u është falur jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte vetë Ramiz Alia. Ata janë dy kushërinj të parë Isuf dhe Skënder Haluci.
Isufi fatkeqësisht nuk jeton më ndërkohë që kontaktojmë me Skënder Halucin i cili tashmë është dekretuar gjyqtar në Vlorë.
Një ndër shkaqet që Skënder Haluci pranon të flas për opinionin publik është fakti se ndjehet i shqetësuar që sërish vijohet të deformohet dhe të mos dihet mirë e vërteta. Ai merr shkas edhe nga një intervistë të dhënë për atë ngjarje nga vetë sekretari personal i Ramiz Alisë zoti Guro Zeneli i cili sipas Halucit nuk është fare i qartë mbi atë çka ndodhur në të vërtetë në ato ditë terrori mbi popullin e Hasit dhe të Tropojës gjatë dhe pas turit politik të Ramiz Alisë në ato krahina.
Për më tepër le të ndjekim vetë intervistën e zotit Haluci.

Zoti Haluci, është folur shumë për atentatin që do t’i bëhej Ramiz Alisë në Has gjatë turit të vizitave që ai bëri në vitin 1983 në veri të vendit. Jo vetëm atëherë por edhe shumë vite më vonë e kam dëgjuar shumë herë faktin se një person është kapur në mitingun e Hasit me granat në xhep dhe është dënuar me vdekje por që më mbrapa është falur nga Ramiz Alia. Është thënë gjithashtu se ai person është quajtur Skënder Haluci, pra jeni ju. Çuditërisht në këtë mënyrë e konfirmo edhe para disa ditësh vetë ish- sekretari i Ramiz Alisë gjatë një cikli intervistash që dha për “Gazeta Shqiptare”.
U zgjata disi në hyrje të pyetjes sime për të të bërë të qartë pak a shumë atë që duam të sqarojmë nëpërmjet intervistës suaj. Thjesht, vetëm ju mund të na shpjegoni të vërtetën.
Ju kuptova qartë zoti Veliu. E vërteta e atentatit dhe e gjithë asaj historie është krejt ndryshe nga sa e dëshmoi ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli. Unë e ndoqa intervistën e tij dhe pashë që ai kishte marrë përsipër të bënte lustrimin e figurës kriminale të Ramiz Alisë, duke ua paraqitur atë shqiptarëve si një udhëheqës dhe politikan shumë njerëzor. Guro Zeneli, të cilin fatmirësisht nuk e kam njohur, po vazhdon t’i shërbejë me besnikëri edhe pas vdekjes padronit të tij diktatorit të fundit komunist në Shqipëri Ramiz Alisë. Sipas këndvështrimit të tij është normale pasi me sa mësova e paska marrë nga Saranda dhe e çoi në paradhomën e tij me kompetenca të jashtëzakonshme. Por Zoti Guro nuk duhet të gënjejë opinionin publik se kjo nuk i shërben askujt. Nuk e kuptoj se përse masmediat shqiptare i kushtojnë kaq shumë rëndësi këtyre figurave të regjimit Sllavo-Komunist shqiptar si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alia etj monstra të tipit të tyre, që masakruan pa mëshire për mëse 45 vjet mijëra shqiptar të pafajshëm vetëm për fjalën e lirë, për prirjet perëndimore të tyre, për besimin e tyre tek Zoti. Sapo na u hoq nga ekranet televizive “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut, sapo u mbushën ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave me akuzat e Nexhmie Hoxhës për humbjen e ditarit personal të Enver Hoxhës, gazeta juaj fillon një Dossier me bamirësitë që sipas Guro Zenelit na paska bërë Ramiz Alia. Nuk është normale dhe e moralshme që të fyhet në këtë mënyrë inteligjenca e shqiptarëve sepse shqiptarët e dinë mirë se kush kanë qenë këta monstra politik.
Që ju jeni akuzuar si atentator i Ramiz Alisë i mbetur në tentativë, ndërkohë që jeni njohur në gjithë Shqipërinë me emër, këtë nuk besoj se ka gënjyer, ashtu siç nuk ka gënjyer që jeni dënuar me “Vdekje me Pushkatim” dhe që ju ka shpëtuar nga plumbi Ramiz Alia apo e kam gabim?
Besoj se nuk ka gënjyer edhe për faktin se në periudhën pas viteve ’90 kur u arrestua Ramiz Alia dhe ish-udhëheqja më e lartë e shtetit komunist pikërisht ju jeni caktuar për të kryesuar trupin gjykues ndaj tyre por që keni dhënë dorëheqjen. Nuk e di nëse kam qenë i gabuar në këto fakte që ju citova?
Është e vërtetë se faktet që thatë juve, qëndrojnë saktësisht ashtu si i thatë, pavarësisht se nuk i shpjeguat mirë.
Çfarë shpjegimi?
Në radhë të parë nuk jeni i qartë për sa ka disiformuar ish-sekretari i Ramizit. Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Krejt ndryshe qëndron e vërteta mbi ato që ish-sekretari e quan “atentat” dhe krejt ndryshe është fakti i arrestimit tim ashtu siç është krejt ndryshe fakti pse Ramiz Alia më ka shpëtuar nga ekzekutimi, ndërkohë që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më kishte dënuar me “Vdekje me Pushkatim”.
Por unë do të thoja madje mjaft i revoltuar që sekretari i Ramiz Alisë nuk thotë të vërtetën për rastin se përse u fala unë që sipas tij, unë qenkam falur nga Ramiz Alia se ai nuk donte ta përuronte atë vizitë të tij në veri duke i faturuar një vdekje madje ka ngulur këmbë për mua që të mos pushkatohesha.
Të lutem mund të më thuash saktësisht se si ka qenë e vërteta se mendoj se do të ishte me shumë interes edhe për opinionin për të hequr çdo aludim apo hamendësim? Ju thash që sekretari i tij ishte shumë larg vorbullave kryesore ku juve ju plasi sigurimi kështu që të vërtetën absolute mund ta deklaroni vetëm ju.
Unë e kam bërë të qartë edhe herë tjetër në masmedia se Ramiz Alia e përgjaku veriun dhe jo nuk donte ta përgjakte si pretendon Guro Zeneli. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për Hasjanët dhe Tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta. Nga pranvera e vitit 1983 kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar disa persona nga kjo zonë të cilët do mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e Qafë-Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket me 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe Hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Më e tmerrshmja që ta dijë dhe ish sekretari i Ramizit është se ata Hasjanë dhe Tropojanë shumica prej tyre të rinj që u arrestuan, torturuan dhe u dënuan me afate të gjata burgimi nuk kishin të bënin fare me atentatin imagjinar për të cilit flet Guro Zeneli. Atentate të tilla ishin vetëm në mendjen e Ramizit dhe të sigurimit të shtetit. Këtu qëndron për mendimin tim edhe një nga arsyet që ka ndikuar tek Ramiz Alia dhe Presidiumimi Kuvendit Popullor që unë të mos ekzekutohesha duke e kthyer dënimin nga “Vdekje me Pushkatim” në dënim me “25 vjet heqje lirie”.
Nuk e kuptova arsyen e faljes suaj?
Siç e theksova edhe më lart, gjatë viteve 1983, 1984, 1985 nga krahina ime ishin pushkatuar 6-7 veta. Pas lirimit nga burgu kam mësuar se Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit tonë, në një takim që ka pasur më Ramiz Alinë i ka thënë atij se pushkatimet që janë bërë në Veri, nuk janë pritur mirë në popull, veçanërisht pushkatimi me dt, 9 Prill i Shkëlzen Doçit, i cili ishte nga një familje e njohur dhe e lidhur shumë me regjimin. Një xhaxha i Shkëlzenit në atë kohë ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Po e pyes Guron pse nuk ia fali jetën Ramiz Alia Shkëlzen Doçit, pas takimit që pati me xhaxhain e tij, një ish-bashkëluftëtar i Ramizit gjatë luftës? Për mendimin tim kjo është një nga arsyet që ne nuk u ekzekutuam në tetor të vitit 1985, pas dënimit me “Vdekje me Pushkatim” nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ju kuptoj madje shikoj se jeni goxha i irrituar me pasaktësitë që mund të ketë pasur dhe që jam i bindur që këto pasaktësi i ka pasur sekretari i Ramiz Alisë përderisa ju që jeni aktori kryesor i subjektit thoni se është krejt ndryshe. Meqenëse jemi në kontakt me mijëra lexues të “Gazeta Shqiptare”, mund të na i sqaroni të vërtetat absolute? Së pari, doja të thoja si ka nisur historia dhe a ka pasur një rast atentati në mitingun e Hasit?
E vërteta është se në Has është kapur një person me granatë por që ai s’kishte të bënte fare me Ramiz Alinë e aq më shumë të mund të kishte përgatitur një atentat. Ai faktikisht ka pasur një sherr banal me dy bashkëqytetarë të Hasit.
Më interesantja ishte se këtë fakt e kanë ditur shumë mirë edhe njerëzit e sigurimit që i arrestuan ata djem me akuzën e bujshme se kishin qëllimin për atentat ndaj Ramiz Alisë. E thashë edhe më lart se atentati ishte vetëm në mendjen e Ramiz Alisë dhe sigurimit famëkeq të shtetit shqiptar të asaj kohe.
Zoti Haluci, thatë se ka pasur dijeni sigurimi se djali me granatë në Has nuk kishte qëllim për Ramiz Alinë megjithatë e arrestoi me atë akuzë të tmerrshme. Si ta kuptoj përse e bënë këtë veprim?
Pikërisht për këtë jam i irrituar unë me atë sekretarin që quhet Guro Zeneli që thotë se “nuk u përgjak veriu”. Ta kesh të qartë ti dhe i gjithë publiku sot e përgjithnjë se ata persona që u arrestuan në Has gjatë dhe pas vizitës së Ramiz Alisë nuk kanë bërë asnjë veprim për të vrarë Ramiz Alinë. Këtë armë-mbajtje pa leje sigurimi i shtetit e përdori për të ngritur alibinë e një atentati të dështuar si pasojë e vigjilencës së lartë të sigurimit të shtetit për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së udhëheqësve të partisë dhe të shtetit. Faktet sa për dijeni të shokut Guro dhe të opinionit janë krejt ndryshe. Kukësi, Hasi dhe Tropoja u përgjakën dhe u masakruan barbarisht pas turit politik të Ramiz Alisë në këto krahina në pranverën e vitit 1983. Vrasjet dhe arrestimet në këto zona jo vetëm nuk u ndaluan por u shtuan sidomos pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë, mos harroni këtu ekzekutimin barbar që iu bë poetit Avzi Nela i cili u var në mes të Kukësit. Ku ishte në atë kohë shefi yt o shoku Guro? Jeni në një moshë të thyer dhe është mirë që nëse vendosni të flisni thoni të vërtetën mbi ata çka mund të keni parë dhe dëgjuar se kështu i shërbeni më mirë shpirtit tuaj dhe ish-shefit tuaj. Shqiptarët kanë nevojë të dinë të vërtetat që kanë ndodhur gjatë 45 viteve sado të hidhura që të jenë.
Nuk e di zoti Haluci nëse ju jeni në dijeni se çfarë u bë me personin e kapur në Has me granatë në xhep i cili siç deklaroni ju është etiketuar për të ngritur alibinë mbi ekzistencën e grupit armiqësor të Hasit.
Me sa di unë nga të thënat e të burgosurve nga Hasi me të cilët kam jetuar në Burgun e Burrelit ai dhe një tjetër janë pushkatuar, më vjen shumë keq që aktualisht nuk jua kujtoj dot emrat se ka kaluar një kohë e gjatë. Di vetëm se shumë të tjerë u dënuan me afate të gjata burgimi dhe ata të cilët i mbijetuan burgut u liruan në fillim të viteve ’90 pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri.
Ju keni njohur njeri nga ai grup i Hasit?
Kam qenë në burg me një burrë shumë të mirë që quhet Xhem Sefolli i cili jeton akoma në Has, dhe deri tani nëse nuk abrogohet ligji për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist, as ai dhe as ata që u pushkatuan dhe as ata që u dënuan dhe vuajtën afate të gjata burgimi nuk përfitojnë asnjë lek si dëmshpërblim sepse janë dënuar si terrorist. Megjithatë qeveria ka paraqitur në parlament një projekt-ligj për disa ndryshime në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist” ku mund të zgjerohet rrethi i përfituesve përfshi këtu edhe grupin “armiqësor” të Hasit.
Sa vjeç ishte ky atëherë?
Mund të ketë qenë rreth 50 vjeç.
Me sa kam informacion një pjesë a atyre që u arrestuan për atentatin imagjinar ndaj Ramiz Alisë, kanë pranuar se kanë dashur që të vrasin Ramiz Alinë gjatë vizitës në Has.
Ndërkohë, juve thoni se nuk kanë pasur fare të bëjnë. Si ta kuptoj?
Ore, po si mund të vepronin ndryshe nën ato tortura çnjerëzore që ata provuan mbi kurrizin e tyre?! E keni idenë se çfarë mund ndodhte në qelitë e burgjeve shqiptare kur sigurimi të arrestonte dhe të akuzonte se kishe menduar të vrisje udhëheqësin e partisë e të shtetit. Nuk ju reziston dot barbarizmave që të bëjnë. Kështu që edhe për të shpëtuar nga torturat mund të pranosh edhe vdekjen.
Le të ndalimi te ngjarja juaj personale zoti Haluci. Mësuam deri tani se nuk jeni ju personi që u arrestuat në mitingun e Hasit por që gjithsesi jeni arrestuar dhe dënuar me vdekje me të njëjtën akuzë. Si ka rrjedhur ngjarja?
Unë me disa shokë të gjithë të moshës nën 26 vjeç, njëri prej tyre ishte kushëriri im Isuf Haluci, i njohur si njeri shumë i zgjuar dhe i shkathët. Ishim duke bërë një bisedë interesante por që ajo do të bëhej shkak që të vërshonin mbi ne plot 13 akuza të cilat ishin të mjaftueshme që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i atyre viteve të na çonte menjëherë drejt skuadrës së pushkatimit, pra të na dënonte me vdekje.
Por cilat ishin ato biseda që bënit juve në mes të Tropojës që e paskan irrituar aq shumë shtetin e atëhershëm?
Sa për dijeni ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua me ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975 ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit pasi ishte ridënuan në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, sigurimi i shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë. Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe me thjesht. Ki parasysh se ne ishim disa rinj plot fantazi dhe të pakënaqur nga jeta sepse nuk kishim asnjë hapësirë për të jetuar të paktën si të tjerët. Nuk e di nëse e përfytyroni atë lloj bisede që mund të bëjnë disa rinj por që kishim një të veçantë nga bashkëmoshatarët tanë në të gjithë Shqipërinë. Mendonim se si do t’ja bënim për të shpëtuar nga regjimi.
Ngjarja që ju përshkruani zoti Haluci dhe vizitat e Alisë në rrethet e veriut të cilat ju sa i përmendët, kanë qenë në vitin 1983. Si mund të përmbysnit sistemin komunist sipas jush duke vrarë Ramiz Alinë ndërkohë që atëherë jetonte Enver Hoxha?
Më vjen keq por unë nuk kam pretenduar kurrë se mund të përmbysja regjimin komunist të asaj kohe, por që në atë kohë kam qenë i bindur se regjimi komunist në Shqipëri nuk është i përjetshëm dhe se çdo ditë po i afrohej fundit. Ne kishim shokë e miq edhe në Tiranë dhe kur vinim ndonjëherë në Tiranë flitej hapur se Enver Hoxha në atë kohë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore fizike dhe mendore. Në Tiranë flitej hapur mes të rinjsh. Këtë mëndim na e përforcoi edhe më shumë turi i Ramiz Alisë nëpër Shqipëri gjatë vitit 1983. Ky tur politik nuk linte mëdyshje tek askush se Ramiz Alia do të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës.
Dhe ju mendonit të shpëtonit Shqipërinë duke vrarë Ramizin?
Ne mendonim të shpëtonim veten. Ne ishim të rinj por nuk e di, e ndjenim dhe e kuptonim se duhej të bënim diçka. Nuk mund të pajtoheshim me atë sistem gjakatar. As me atë fukarallëk të paimagjinuar. Persekutimi dhe hallet na kishin ndërgjegjësuar së tepërmi aq sa të mendonim edhe gjëra të tilla. Ne në atë kohë na punonte mendja vetëm si të shpëtonim nga regjimi. T’i drejtoheshim kufirit nuk mendonim se shpëtojmë sepse të kaloje në Jugosllavi ishe automatikisht i kthyer dhe i kalbur në burg. Unë personalisht e kisha provuar njëherë. Kështu sipas mendimit tonë vdekja e Ramiz Alisë ndërkohë që Enver Hoxha ishte në ditët e fundit të jetës do të përshpejtonte përmbysjen e regjimit.
Sigurisht, ju vetëm aludonit tashmë që Ramizi kishte përfunduar vizitat?
Patjetër, por që neve diskutonim vetëm për hallet tona. Dhe kjo gjë na çonte mendjen deri te Ramizi. Pra ishte një bisedë dhe kaq.

 

Zoti Haluci, u ndalët goxha nga numri i kaluar në lidhje me përpjekjet tuaja për të mos jetuar në Shqipërinë komuniste. Madje të shkoi edhe mendja se përse nuk i bëtë atentat Alisë gjatë vizitës së tij në Tropojë. Pse kishit aq mllef për sistemin, kishit arsye? E them këtë, se të jesh kaq i betuar, do të thotë se duhet të kesh një shkak më shumë se të tjerët, që të bëhesh kaq i shqetësuar që jeton në atë sistem.
Si thua ti, nuk kisha arsye për ta urryer atë regjim?! Kur unë isha vetëm 5 vjeç, babai im për të shpëtuar nga arrestimi është detyruar të arratiset nga Tropoja, së bashku me mua dhe vëllain tim më të madh që atëherë ishte 9 vjeç dhe ka shkuar në ish-Jugosllavi, në Vuthaj të Malit të Zi tek vëllai i tij, i cili ishte arratisur që në vitin 1952. Kam provuar burgjet komuniste duke filluar në moshën 5 vjeç, disa ditë në Titograd, sot Podgoricë, pastaj pasi na kthyen pas 9 muajsh, kam kaluar disa ditë në burgun e Shkodrës dhe disa ditë në qelitë e tmerrshme të burgut të Bajram Currit. Mua dhe vëllain na lanë të lirë për arsye moshe, kurse babain e dënuan me 15 vjet burgim. Si thua ti, Z. Veliu?!
Sa vjeç keni qenë kur jeni arratisur?
Kam qenë vetëm 5 vjeç. Më mori babai me vete, të shpëtonim nga ai regjim i padurueshëm.
Po si ka mundësi, kur ju u ndodhët sërish në Shqipëri?
Na kthyen komunistët jugosllavë. Sigurimi i shtetit shqiptar kishte marrëdhënie të shkëlqyera me UDB-në Jugosllave dhe pas 9 muajsh na kthyen në Shkodër.
Sa vjet burg bëri babai?
Babai im nuk arriti të dilte më nga burgu. Ai pas kthimit nga Jugosllavia u dënua 15 vjet burg. U ridënua përsëri në vitin 1974, pasi mori pjesë aktive në revoltën e të burgosurve politikë të Spaçit. Ishte vetëm 46 vjeç kur ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin në Burgun e Burrelit. Pas kësaj, unë si u rrita, madje kur isha rreth moshës 20 vjeç, duke mos pasur asnjë të ardhme për jetën, mendoja çdo ditë që të arratisesha nga Shqipëria për të shpëtuar njëherë e mirë nga regjimi.
Nuk kishit prapë frikë nga UDB-ja?
Nuk tentova kurrë më të arratisesha nga kufiri me ish-Jugosllavinë, sepse e dija se përsëri do më kthenin. Në vitet 1982-1983 kam shkuar disa herë në Gjirokastër për t’u arratisur në Greqi, sepse grekët nuk të kthenin. Kështu që ndërsa rrinim në Tropojën e përvuajtur nga komunizmi, edhe pse ishim të njomë mendonim si të mund të shpëtonim prej atij regjimi gjakatar. Dhe këtu dolëm te historia të cilën jua përshkrova pak më lart, kur gjashtë muaj si kishte ikur Ramizi ne diskutonim se kishim bërë gabim që s’kishim ndërmarrë ndonjë lloj atentati ndaj tij dhe kështu që pas vdekjes së Enverit, sipas nesh, do të mund të përmbysej komunizmi.
Dhe thatë se pas asaj bisede ju u arrestuat. Si u mësua?
Ne e dinim se ishim gjithmonë të survejuar nga sigurimi i shtetit. Por, siç e dini, sigurimi i shtetit ka qenë i tmerrshëm atëherë. Ku s’i ka pasur spiunët dhe bashkëpunëtorët. Bisedat dhe veprimet tona ishin të njohura për sigurimin e shtetit dhe përfundimi dihet, një arrestim spektakolar. Një demonstrim force përpara popullit të Tropojës, kur na nisën për në Tiranë, duke na nxjerrë në sheshin kryesor të qytetit të lidhur me pranga dhe me litarë, nga Dega e Punëve të Brendshme deri në mes të sheshit ku ishte autokolona e makinave që do na sillte në Burgun e Tiranës.
Kur u arrestuat?
Ka qenë mesnata e 24 nëntorit 1983-it, pra plot gjashtë muaj pasi Ramiz Alia ishte larguar shëndoshë e mirë nga Tropoja. Arrestimi është një histori më vete. Sepse nuk erdhën sikur do të arrestonin dy të rinj, por sikur po arrestonin super kriminelin e botës. E ngjashme me atë aksionin që dimë për kapjen e Bin La Denit. Ishin forca të tëra speciale të 326-ës së famshme, të mbështetura nga mjete të blinduara dhe lloje të ndryshme armësh duke e rrethuar shtëpinë nga të gjitha anët. Atë natë në shtëpinë time u arrestuam unë dhe djali i xhajës tim, Isuf Haluci, i cili siç mund të keni dëgjuar, është vrarë me 29 shkurt të vitit 1992 në urën e Tragetit të Tropojës, ndërkohë që po përcillte drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët ishin në Tropojë për të hapur fushatën elektorale të kësaj partie për zgjedhjet politike të 22 marsit të vitit 1992.
Po si mendoni ju, përse bënë një “spektakël” të tillë?
Demonstrim force, për të terrorizuar tropojanët, për të thënë se kapëm dhe asgjësuam një grup armiqësor shumë të rrezikshëm. Ti duhet ta kesh dëgjuar që është përmendur shumë “Grupi i Tropojës”, që gjoja do të vriste Ramiz Alinë.
Sa muaj hetuesi bëtë?
Plot 26 muaj hetuesi, në hetuesinë speciale në Tiranë, nën tortura çnjerëzore nga një grup hetuesish të zgjedhur në të gjithë Shqipërinë dhe të njohur si hetuesit më gjakatarë që kishte Shqipëria në atë kohë. Disa prej tyre janë edhe sot në organet e drejtësisë, të cilët siç e kam thënë edhe herë të tjera, kanë marrë pjesë aktive në gjurmimin, arrestimin, hetimin, torturimin, dënimin dhe ekzekutimin e shumë shqiptarëve për motive krejtësisht politike. Në përfundim të hetuesisë, një mal me akuza, komplet Kodin Penal të asaj kohe, pjesën “krimet kundër shtetit”.
Mundeni t’i kujtoni?
Po përpiqem, “tradhtia ndaj atdheut në formën e kryerjes së porosive të agjenturave të huaja, (CIA-s dhe UDB-së); “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”; “sabotimi i ekonomisë socialiste”; “tentativa e arratisjes jashtë vendit”; “armëmbajtje pa leje”, si dhe “shkelja e dispozitave mbi arin e valutën” etj.
Hetuesia thatë përfundoi pas 26 muajsh?
Pas 26 muajsh, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me juridiksion fillestar na dënoi me “Vdekje me Pushkatim”. Pastaj gjithë trungu i familjeve tona, plot 18 frymë, do të përfundonin në internim në Kotë të Vlorës, ndërkohë që unë dhe Isufi do të rrinim nën pushtetin rraskapitës të superprangosjes nga duar e këmbë, si dhe me kokën të mbështjellë nga helmeta metalike. Pra në kushtet e njeriut që pret të ekzekutohet.
Por si arritët t’i “shmangeshit” plumbit të skuadrës së pushkatimit?
Historia e thesarit ishte edhe një përpjekje e fundit për të kthyer situatën në favorin tonë. Nga ana tjetër, Isufi, duket gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit e vuante shumë faktin se bashkë më të po shkoja edhe unë drejt dënimit me vdekje. Ishte katër vjet më i madh në moshë se unë. Duket, ndihej përgjegjës. Ndërkohë, unë e kisha vënë re se ai gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, ishte përpjekur që të devijonte akuzat që më përfshinin edhe mua. Saktësisht mohoi të gjitha akuzat, duke i quajtur të montuara, por edhe pohoi gjithashtu, sido që të vinte puna, se Skënderi, pra unë, nuk ishte i përzier me asnjë prej tyre. Mori gjithçka përsipër vetë.
Ju do të thoni se alibia e arit që Isufi hodhi mbi tavolinën e sigurimit në atë kohë nuk ka qenë një ide e momentit, por një veprim i menduar dhe ideuar prej kohësh?
Unë jam i bindur se më shumë se për veten, Isufi e kishte menduar planin e vet deri në imtësi, duke përllogaritur provokim-vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t’u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe jetës sime, me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht në historinë e legjendës së thesarit.
Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij.
Në të vërtetë, ishte marrë Isufi me flori, që i shkoi mendja te një alibi e tillë, duke ditur se do të besohej?
Me Isufin në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe i dërgonim jashtë vendit me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë së jashtme, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës.
Pra Isufi, në një farë mënyre e njihte floririn dhe se duhet të ketë pasur, ndryshe nuk mund të përdorte një alibi të tillë, apo jo?
Para se të na arrestonin, kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan, pas një tulle që duhej hequr. Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, me mjete të sofistikuara të kohës, përfshi edhe mina apo metalkërkues, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe se ku gjendej “një pjesë fare e vogël e thesarit”. Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht pasi hoqën tullën që u kishte thënë Isufi. Duket, saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të besonin tek pjesa tjetër, te thesari i Bujanit, i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë.
Kështu, më 22 shtator, Krerët e Sigurimit të Shtetit së bashku me Isufin u nisën për në Tropojë.
U rakorduat juve me Alibinë e Isufit? Pra a ju morën në pyetje para se të shkonin për të verifikuar atë çka u sajonte Isufi?
Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditë e natë me anë të një kodi që ishte shpikur në burg, i ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive. Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni, u rrëfeva xhelatëve se e dija se Isufi kishte një sasi floriri, por u thashë se nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, se Isuf Haluci nuk i mashtronte për “thesarin”.
Pas kësaj, kishin arsye të shkonin?
Shpura e policisë dhe disa krerë të Sigurimit të Shtetit kishin udhëtuar për gjatë gjithë natës për në Tropojë. Isufin e kishin lidhur këmbë e duar me hekura, ndërsa në dy krahët i rrinin dy policët më viganë të Repartit Special nr. 326, një nga të cilët ishte kampion në sportin e mundjes, të cilët i njoh edhe sot dhe më kanë folur për këtë udhëtim.
Siç më tregoi Isufi më pas, dy policët që e kishin marrë përsipër sigurimin e tij, njërën dorë e kishin të lidhur me pranga me dorën e tij. Kështu kishin udhëtuar gjatë gjithë natës me makinë, kështu kishin ecur përgjatë shtratit të Valbonës, kështu kishin parë shfaqjen për gjetjen e thesarit në vendin ku përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës duke krijuar një zgavër gjigante.
Me të mbërritur te vendi i thesarit, te gropa në lumë, ku Isufi kishte treguar me gisht vendndodhjen e thesarit, një polic, që bënte zanatin e palombarit, ishte zhveshur për t’u veshur me kostumin e zhytjes të stilit të vjetër, të përbërë edhe nga një skafandër që vendosej në kokë. Pasi ishte bërë gati, edhe pse uji ishte i ftohtë brisk, polici ishte zhytur.
Si u kishte thënë Isufi se e kishte fshehur floririn?
Kujtoj se Isufi u kishte thënë se florinjtë, rreth 13 kilogramë, i kishte futur në një arkë metalike dhe se këtë, gjatë kohës së verës, kur niveli i ujit kishte rënë, e kishte lidhur me kavo çeliku pas një shkëmbi në fund të shtratit të lumit, në një tip zgavre.
Pse mendon se u tha se kishte 13 kilogramë dhe nuk u tha për shembull 15 apo 20. Mund të ketë ndonjë domethënie apo kot?
Më pas, këtë shifrën 13 kilogramë e kam peshuar shpesh në mendje dhe gjithmonë rezultati më ka dalë, se duhet të ketë pasur lidhje me 13 akuzat që Sigurimi i Shtetit kishte montuar në adresën tonë. Një profeci e zgjuar e Isufit. Por, le të kthehemi te kërkimi i thesarit. Polici që u fut në ujë ishte nga më të zgjedhurit e më të fuqishmit e Repartit Special Nr. 326. E njihnin të gjithë me emër, Xhiku. Por, u lodh shpejt duke u zhytur. Sepse lumi kishte pasur prurje të mëdha për shkak të shirave dhe për më tepër uji kishte qenë shumë i ftohtë. Për rrjedhojë, polici nuk kishte mundur të kërkonte me kujdes, të eksploronte që të gjitha zgavrat.
Mendon se edhe zgjedhja e një vendi të tillë të paeksplorueshëm për të ndërtuar alibinë nuk mund të ketë qenë rastësisht?
Ashtu është. Unë mendoj se zgjedhja e atij vendi për kërkimin e thesarit, ishte sërish pjesë e mendjes gjeniale të Isufit, pasi në atë zonë të Valbonës edhe në verë, kur ka pak ujë, është e vështirë të shkosh në taban të lumit dhe të eksplorosh të gjitha shpellat e nënujshme.
Pas disa orësh përpjekjeje, polici palombar ishte dorëzuar. Por, ishte dorëzuar, pa u bindur se kishte eksploruar gjithë zonën që Isuf Haluci qarkonte me gisht diku nën sipërfaqen e ujit të Valbonës. Pra, ishte dorëzuar, duke e lënë sërish enigmë të vërtetën e “thesarit”.

Zoti Haluci, e ndërpremë intervistën e numrit të kaluar pikërisht në momentin që specialët të mbështetur nga njerëz të përgatitur fizikisht dhe që bënin edhe polumbarin, po kërkonin dhe nuk mund të gjenin floririn e pretenduar nga yt kushëri Isufi dhe i mbështetur sipas legjendës nga ty. Jemi pikërisht në momentin që polumbari pasi rrëmoi në vorbullën e ftohtë dhe me prurje të shumta të ujërave dimëror pas më shumë se katër orësh doli dhe tha se nuk mundi të gjente gjë por edhe nuk mundi të rrëmonte dot guvat e shtratit të lumit. Ajo që doja të dija unë për ta rinisur këtë bisedë është se a ka reaguar Isufi i cili mbahej i superprangosur në breg të lumit, në këtë moment që është dorëzuar polumbari?
Në këtë kohë Isufi u ishte lutur ta linin atë që të zhytej me qëllim që të nxirrte thesarin. Madje u ishte lutur disa herë. Por, drejtuesit e këtij operacioni nuk e kishin lejuar. Duke pasur parasysh gjendjen e tij pasi Isufi, i katandisur kockë e lëkurë nga torturat, në pothuaj gjysmën e peshës së vet trupore, nuk do të kishte dalë i gjallë që andej. Ma kishte thënë që në momentin e parë që më tregoi për rrengun. Më kishte thënë se, sido që të vinte puna, së paku do të arrinte të shihte Tropojën për herë të fundit. Kështu që fjala e palombarit se nuk kishte mundur të kontrollonte gjithë shpellat në shtratin e lumit, sërish nuk i kishte lëvizur drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, vetë ministrin Hekuran Isai, por edhe Drejtorin e Sigurimit, Zylyftar Ramizi, nga bindja se Isuf Haluci nuk i kishte mashtruar.
Si vepruan pasi nuk e lanë Isufin në idenë e vetë që të kërkonte ai?
Në përfundim të kërkimit pa rezultat, ata kishin urdhëruar që e gjithë zona që qarkonte pikë-takimin e Valbonës me përroin e Shydenicës të rrethohej me tela me gjemba e të ruhej me roje të armatosur. Të njëjtët ishin kujdesur gjithashtu të shmangnin të gjithë kuriozët, duke varur në disa pozicione të gardhit rrethues tabela që shkruanin se sipërfaqja e rrethuar ishte ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.
Pas kësaj thoni ju, u komunikuan anulimin e ekzekutimit tuaj?
Pas katër ditësh nga kërkimi në Valbonë, mua më nxorën nga qelia dhe më çuan në zyrën e hetuesisë. Aty pashë se kishin çuar edhe Isufin, djalin e xhaxhait dhe kuptova se diçka e madhe ishte duke ndodhur. Pasi ishte kthyer nga Tropoja, Isufi me anë të kodit tonë më kishte shkruar një fjali të vetme: “Më duket se ua futa”! Prandaj kur e pashë aty, në dhomën e hetuesisë, të them të drejtën u frikësova. Mendova se Sigurimi i Shtetit mund të kishte zbuluar dredhinë. Por, isha gabuar. Pak çaste më pas në dhomë u dha Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ministri nxori paketën e cigareve dhe na zgjati nga një, mua dhe Isufit. Unë nuk e kam pirë kurrë dhe refuzova. Ai më tha se unë kisha mbetur armik në një mënyrë ku duhet të ketë pasur edhe djallëzi, apo, për atë vetë, edhe humor. Por, kur je i dënuar me vdekje, kur jeta është në fill të perit, nuk e kupton, nuk e nuhat dot humorin e të tjerëve, për më tepër të xhelatit tënd. Ishte edhe koha kur sapo kishim mësuar se familjet tona, 18 frymë, i kishin internuar në Kotë të Vlorës. Ministri nisi të na sillte rrotull me ca histori pa rëndësi dhe në fund na tha se Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte Ramiz Alia, megjithëse ia kishim bërë shumë borxh Partisë e shtetit, na kishte falur jetën dhe se masa e dënimit do të ishte 25 vjet burg. Para se ne të merrnim veten, ministri lëshoi edhe një “megjithëse nuk e meritoni” duke u larguar.
Pra ju thoni se alibia e Isufit i kishte vënë në mendime autoritetet e atëhershme për t’ju falur jetën pasi kuptohet sipas tyre me ekzekutimin tuaj do të kumbisnin edhe shanset për të gjetur floririn. Nuk e di nëse u shpreha qartë zoti Haluci?
Karremi i thesarit kishte bërë punën e vet. Ne të dy të dënuarit me vdekje nga Bujani i Tropojës tashmë kishin shanse të vazhdonin të jetonin, madje falë moshës së re, kishin shanse edhe të jetonin si gjithë të tjerët, të lirë. Më 15 dhjetor 1985, mua më dërguan në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Isufin, pak më larg, në burgun e Qafës së Barit. Por, ditët pa tortura për mua ishin fare pak. Pas dy muajsh, më 18 shkurt 1986, unë u transferova për në burgun e frikshëm të Burrelit. Burgu i Burrelit ishte më i tmerrshmi. Por, unë isha i ri dhe i fortë dhe me ndihmën e familjarëve të mi rezistova. Më vonë e kam menduar se mbyllja ime në burgun e Burrelit duhet të ishte vendosur dhe materializuar edhe si njëfarë presioni ndaj Isufit, që të mos ua dridhte.
Po Isufin, ku e dërguan të vuante dënimin?
Isufin nuk e lëvizën nga burgu i Qafës së Barit. Aty ai arriti ta merrte veten shpejt fizikisht. Madje nga 50 kilogramë peshë trupore që kishte ardhur, kishte rifituar me shpejtësi peshën e zakonshme, por edhe i kishte ardhur në vend zemra dhe guximi.
E kishin lënë të rinisnin kërkimet në verë si të uleshin prurjet e Valbonës?
Në fillim të verës së vitit tjetër, 1986, shpura e policëve ishte bërë sërish gati për të nisur kërkimet e thesarit në zgavrën që krijohet nga bashkimi i Valbonës me përroin e Shydenicës. Sepse ëndrra, ajo ëndrra e florinjtë e ministrit Hekuran Isai dhe të tjerëve vazhdonte.
Biseda e fundit për thesarin e Valbonës mes ideatorit të tij, Isuf Haluci, dhe krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është zhvilluar në verën e vitit 1986 në ambientet e burgut të Qafës së Barit.
Besoj se Isufi tashmë që kishte rifituar jetën nuk i interesonte të vijonte albinë. Pra si ka vijuar biseda me të pasi erdhi vera?
Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me Isufin në burgun e Qafë-Barit. I kishin thënë Isufit se koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se ishte kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi. Por, Isufi që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte. Tjetri ishte detyruar t’i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë me shokun Hekuran Isai… për atë punën e thesarit. Por, përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij “ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain” kujtohej pothuaj me eufori nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej Isufin e kishin rrahur keqas për gati dy javë. Kujtoj se e sollën në Burrel të masakruar. Por, sërish e mori veten shpejt.
Pra dolëm te pyetja ime e ripërsëritur disa herë gjatë vijimit të këtij subjekti kaq interesant se jeta juaj paska shpëtuar nga rrengu apo gracka në të cilën Isufi arriti të fuste sigurimin e shtetit të atëhershëm dhe vetë ministrin Hekuran Isai?
Është e vërtetë që ne të dy përfituam nga rrengu që Isufi thuri për ministrin Hekuran Isai dhe krerët e tjerë të Ministrisë dhe Sigurimit të Shtetit. Por, pas lirimit në qershor 1991, në vigjilje të vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, unë kam mësuar edhe për një tjetër rrethanë që mendoj se ka ndikuar shumë te Ramiz Alia në firmosjen e dekretit që e ndryshoi dënimin tonë, nga me “vdekje me pushkatim”, në “25 vjet heqje lirie”. Prandaj unë mendoj se veç rrengut të thesarit, në faljen e jetëve tona ka ndikuar edhe fakti i pushkatimit në të njëjtën periudhë i katër fatkeqëve nga kjo zonë.
Është thënë shumë zoti Haluci se pas viteve ’90 kur do të gjykohej udhë-heqja më e lartë e shtetit komunist dhe vetë Ramiz Alia, Nexhmije Ho-xha, Hekuran Isai e të tjerë, pikërisht juve jeni ngarkuar me drejtimin e trupit gjykues që do të gjykonte Ramiz Alinë. Detyrë që ju e keni refuzuar dhe keni dhënë dorë-heqjen. Është e vërtetë? Së pari, si mundët të profesionalizoheni në fushën e drejtësisë?
Është e vërtetë. Pas lirimit nga burgu në vitin 1991, në vigjiljen e vizitës së Sekretarit Amerikan të shtetit Xhejms Beiker në Tiranë, mitingun të të cilit me popullin e Tiranës e kam parë në televizion në shtëpinë e një mikut tonë që ishte liruar disa ditë para nesh në qytetin e Laçit. Menjëherë, kam filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me shkëputje nga puna. Kam përfunduar ciklin katërvjeçar me rezultate shumë të mira dhe jam diplomuar jurist në vitin 1995. Në vitin 1996 jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Doja të dija në çfarë pozicioni juridik ndodheshit në momentin e arrestimit të Ramiz Alisë me të cilin tashmë me sa shikoj e solli jeta që ju të ndërronit rolet ku ai ishte në pozicionin e të arrestuarit dhe ju të përfaqësonit ligjin dhe drejtësinë e shtetit. Pra çfarë detyre keni pasur kur ai u arrestua dhe a është e vërtetë zhurma që po bëhet ngado se ju nuk keni pranuar të bëni gjykimin e tij?
Pas arrestimit të Ramiz Alisë diku nga fundi i vitit 1996 fillimi i vitit 1997 jam caktuar për të gjykuar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Ramiz Alia, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Kam dhënë dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje bazuar në parimet themelore të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor duke pasur parasysh edhe faktin se ishte Ramiz Alia, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili kishte firmosur dekretin për ndryshimin e dënimit të dhënë nga Gjykata e Lartë ndaj meje dhe djalit të xhaxhait tim, nga me “Vdekje me Pushkatim” në dënimin me “25 vjet heqje lirie”.
Kishit interpretim ligjor në shkaqet që parashtruat kur refuzuat gjykimin e Alisë?
Dorëheqja ime ka qenë edhe në respektim të plotë të neneve 15, 16, 17 e vijues të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë ku bëhet fjalë për “Rastet e Papajtueshmërisë me Funksionin e Gjyqtarit në Gjykim”. Në të tilla kushte pavarësisht nga shkaqet që e shtynë Ramiz Alinë që të vendosë për ndryshimin e dënimit tim dhe të kushëririt tim nga me “vdekje me pushkatim” në dënim me “25 vjet heqje lirie”, unë kurrsesi nuk mund të isha gjyqtari i tij. Po ju rrëfej se çfarë i ka thënë në fjalën e fundit pra se ta dënonin me vdekje prifti Dom Mark Hasi një gjykatësi shqiptar. “Me vendimin që po merrni ju nuk po më dënoni me vdekje, por ju po më shkurtoni jetën sepse kush ka lindur edhe duhet vdesë”. Kështu që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk po më dënonte me vdekje por po më shkurtonte jetën, gjë të cilën e ndaloi Ramiz Alia me dekretin e tij.
Si e komentoni shprehjen kur ju thonë se Ramiz Alia ju ka shpëtuar jetën?
Më vjen shumë keq kur më thonë se “Ramiz Alia të ka falur jetën”. Jetën ma ka falur Zoti, ndërsa Ramiz Alia nuk e lejoi Gjykatën e Lartë të ma shkurtonte.
E takuat Ramizin kur ishte i arrestuar?
Nuk e kam takuar asnjëherë dhe as nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje për ta takuar. Pavarësisht nga marrëdhënia ime me të, ai mbetet një diktator tipik sllavo-komunist shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës.

(bw)

82 vjet më parë nazistët pushkatuan Av. Dr. Skënder Muçon, nacionalist i shquar, themelues dhe drejtues i Ballit Kombëtar- Nga BUJAR LESKAJ

12 gusht 1944- 12 gusht 2026- 82 vjet nga pushkatimi prej nazistëve i Av. Dr. Skënder Muço dhe bashkëluftëtarëve të tij nacionalistë dr. Yzeir Ismaili (Alimerko) e Zako Mezini.

 

Skënder Muço (1904-1944) ishte avokat, drejtues i lartë i Ballit Kombëtar, themelues i së parës parti Social-Demokrate dhe së bashku me Musine Kokolarin themelues i gazetës “Zëri i Lirisë, organ i kësaj partie, si një alternativë e krahut të Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat, siç konfirmohet dhe me “Dekalogun” e Mit’hat Frashërit.

Skënder Muço, lindi në fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, ishte luftëtar i Pavarësisë . Mbas vdekjes së të jatit u ndihmua për shkollimin nga dajoja i tij Alem Memet Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920.

Shkollën fillore e kreu te Arbreshët e Italisë, në Shëmitër Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e Drejtësisë në Universitetin prestigjioz të Bolonjës.

U kthye në Atdhe dhe ushtroi me sukses profesionin avokat. U arrestua në vitin 1932, si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, “Lëvizja e Vlorës”, bashkë me Hasan Dostin, Hysni Lepenicën dhe miq të tjerë dhe ishte aq aktiv, sa u dënua me vdekje. Falet prej një amnistie të nënshkruar nga Mbreti Zog.

Më 7 prill 1939, me prof.Isuf Luzajn dhe atdhetarë të tjerë, mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë, kundër pushtues të Atdheut.

Në fund të nëntorit 1942, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço, formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin “Shqiponja”. Në krye të saj, ata morën pjesë në shumë luftëra kundër pushtuesve fashistë e nazistë, siç mund të përmendim betejën e parë masive antifashiste të Gjormit, luftën e Dukatit, të Qafën e Dushkut, në Vajzë, në Selenicë, në Gorisht, në Drashovicë, etj, ku bashkë me forcat nacionalçlirimtare, kombinuan disa herë aksione të përbashkëta e të suksesshme.

Skënder Muço ishte misionar dhe iniciator i bashkimit të forcave politike ndërluftuese. Ai, ka marrë pjesë në disa takime gjurmëlënëse dhe efektive në rrethin e Vlorës me të tjera forca nacionaliste si dhe me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Skënderi, për shumë kohë, ishte kreu i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe pjesëtar i këshillit organizativ kombëtar. Në këtë pozicion u thërrit në Konferencën e Pezës dhe mori pjesë aktive në Konferencën e Mukjes dhe në takime të tjera historike.

Merita më e madhe e Skënder Muços qëndron te fakti se ai ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë, sidomos direkt me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin e Togerit amerikan Tomas.

Në Konferencën e Mukjes Skënder Muço , si përfaqësues i Vlorës dhe Ballit Kombëtar ishte një zë i fuqishëm, që dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes dhe të krijimit të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, në të cilin u zgjodh anëtar. Dr.Skënder Muço frymëzoi e drejtoi disa beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste dhe nacional çlirimtare kundër pushtuesve italianë e gjermanë.

Avokat Skënder Muço, së bashku me dy bashkëluftëtarët që e shoqëronin kudo që shkonte, dr.Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini, kapet me pabesi dhe arrestohet nga gjermanët, më 10 gusht 1944, në Urën e Izvorit, Orikum.

Ai u ekzekutua dy ditë më vonë , më 12 gusht 1944,pranë fshatit Bubullimë të Lushnjës.

Ndërkohë edhe vëllai i tij me nënë, Xhevit Mëhilli nga Dukati, i diplomuar gjithashtu në Itali ishte një nga drejtuesit dhe themeluesit e Ballit Kombëtar në Vlorë. Për aktivitetin e tij partiotik pas vitit 1944 u dënua me burg të gjatë nga komunistët.

Skënder Muço ishte i njohur si një nga njerëzit e besuar të anglo-amerikanëve dhe njeriu i ngarkuar për të organizuar mbështetjen e shqiptarëve, sidomos në zonën e Tragjasit- Dukatit e Vlorës për zbarkimin e aleatëve. Ai në atë kohë gëzonte një popullaritet të madh në zonë dhe ishte i pranueshëm nga të gjitha palët, komunistë e nacionalistë. Ishte koha kur misionet po përgatisnin kryengritjen e përgjithshme kundër gjermanëve dhe në Jug të vendit, avokat Skënder Muço ishte i përzgjedhuri i tyre për faktin se ishte i aftë politikisht, zotëronte disa gjuhë të huaja, kishte mbështetje në popull, ishte për bashkim kombëtar e luftë të përbashkët kundër gjermanëve.

Në shkurt të vitit 1944, Skënder Muço, u jep një projekt marrëveshje të shkruar, oficerëve britanikë në Shqipëri. Ai takon majorin Antoni Kuell në Dukat, ku ai kishte shtabin, dhe i kërkoi që këtë marrëveshje ta dorëzonte në komandën ushtarake të Aleatëve në Kajro. Skënder Muço kërkoi gjithashtu që të udhëtojë drejt Kajros për të finalizuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje përmban disa pika mjaft interesante. Balli Kombëtar kërkonte nga britanikët që ata të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte dhe në këmbim, ata ofronin gjithë mbështetjen e tyre ushtarake për të luftuar gjermanët, madje nën komandën e oficerëve britanikë.

Propozimi i Skënder Muços kishte këtë përmbajtje:

1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës.

2-Marrjen e ishullit të Sazanit.

3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët.

4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri.

5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës.

Skënder Muços iu tha gojarisht nga anglezët se politika jonë është të ndihmojë këdo që do t’u rezistojë gjermanëve.

Marrëveshja u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme Britanike.

Lufta e Dytë Botërore, e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një filtër i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë luftës kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve, por duhet theksuar se pjesa më e madhe e forcave balliste, që drejtoheshin nga Hysni Lepenica, Abaz Ermeni, Safet Butka, Muharem Bajraktari, Skënder Muçoetj, vazhduan luftën edhe kundër pushtuesve gjermanë.

Avokat Skënder Muço, ishte njëkohësisht antikomunist, po dhe antifashist e antinazist (deri sa ata e vranë). Ai e donte Shqipërinë e Lirë me Kosovë e Çamëri dhe me drejtim perëndimor, sipas vendimeve të proklamuara prej tij në Konferencën e Mukjes.

Janë këto arsyet që Skënder Muçon e nderojnë dhe e respektojnë në mbarë vendin dhe akoma më shumë Vlorë ,në fshatin e tij Tragjas , fshatin e dëshmorëve dhe në gjithë Labërinë. Ai, i pushkatuar nga pushtuesit Gjermanë, me të drejtë legjitime është shpallur dhe vendosur në listën e dëshmorëve të luftës për Atdhe, mbas fitores së demokracisë 1992.

Në 1994 qeveria Meksi i shpalli Dëshmorë të Atdheut të tre nacionalistët e pushkatuar nga nazistët dhe presidenti Sali Berisha e nderoi av.dr.Skënder Daut Muço , në gusht 1994 ,me titullin më të lartë “Urdhri i Flamurit kombëtar i klasit I”, me motivacionin: “Për merita të shquara në luftën për bashkimin dhe lartësimin e kombit, për unitetin kombëtar, lirinë dhe përparimin e atdheut!”

Në vitin 2024, në përkujtim të 80 vjetorit të ndarjes nga jeta dhe 80 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë,studiuesi i njohur e i apasionuar pas figurave e ngjarjeve të shquara historike e nacionaliste ,luftëtari i dritës në demokraci ,z.Enver Memishaj –Lepenica autor i disa librave për heroin Hysni Lepenica , Luftën e Vlorës 1920 dhe organizatat e ngjarjet në Luftën antifashiste 1939-1944, ka botuar librin studimor mbi aktivitetin patriotik të Av. Dr. Skënder Muço, për të cilën Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali” ka organizuar në Vlorë ( ambientet e Muzeut “Kosova”) promovimin e kësaj vepre.

Vlora, ky qytet me histori të madhe kombëtare i ka borxh të madh Heroit antifashist , nacionalistit demokrat, intelektualit properëndimor avokat dr.Skënder Muço.

Të paharruar përjetë luftëtarët e lirisë dhe demokracisë!

Nga aksionet tek Delphos- Kronologjia e intrigave financiare me Aeroportin e Vlorës

Deri në qershor të vitit të kaluar, dy aksionerët e Aeroportit të Vlorës notonin në ujra të ngrohta me njëri tjetrin. Punimet për ndërtimin e Aeroportit vazhdonin me ritme të larta, ndërkohë që larg syve të publikut Behgjet Pacolli me Valon Ademin kishin bërë dhe planet se si do të ndanin fitimet nga investimi i tyre.

Nga viti 2002 deri në prill të vitit 2025, Pacolli dhe Ademi kishin nënshkruar tre dokumenta për shitjen e aksioneve të aeroportit.

E para, është kjo parakontratë e 20 qershorit të vitit 2022, sipas të cilës palët bien dakord që Mabco të shesë 40 për qind të aksioneve tek Aeroportit, të cilat sapo ja u kishte blerë turqve të YDA, tek shoqëria 2A Group e Valon Ademit.

Kjo parakontratë është nënshkruar nga Valon Lluka në cilësinë e administratorit të Mabcos dhe Valon Ademi si administrator i 2A Group. Por zoti Lluka ishte autorizuar që të firmoste shitjen nga një vendim i asamblesë së Mabcos.

Kjo parakontratë ka disa dispozita interesante. Së pari, 2A Group do ta paguante kontributin e saj për 42 për qind të aksioneve përmes punimeve ndërtimore. Së dyti, nëse projekti dilte me humbje Mabco do të përballonte 58 për qind të humbjeve, ndërsa 2A group 42 për qind të tyre dhe po kështu do të ndaheshin edhe fitimet.

Screenshot

Ndonëse kjo parakontratë nuk u noterizua asnjëhere, dy aksionerët kanë punuar sipas këtyre raporteve, madje edhe nënkontraktimet e kredisë janë ndarë në këto përqindje.

Një vit më vonë, tema e shitjes së aksioneve rikthehet sërish. Në korrik 2023, administratori i Mabcos, Valon LLuka i dërgon një sms Behgjet Pacollit ku e pyet nëse duhet të vazhdojë me proçedurën e shitjes së aksioneve, por këtë herë me një tjetër raport kuotash.

“Përshëndetje z Behgjet. Valon Ademi më thotë që jeni dakortësuar bashkë të bëjmë kontratën e shitblerjes së aksioneve në Aeroport ashtu siç ka qene marrëveshja në fillim (51 me 49). Po më thotë dy herë ndaj të shkrova për ta konfirmu,” i shkruan Valon Lluka Pacollit. Ky i fundit konfirmon duke u përgjigjur; OK.

Pa u mbushur tre javë nga kjo bisedë, asambleja e Mabcos mblidhet sërish për të miratuar shitjen e aksioneve. Në mbledhjen e datës 20 korrik 2023, asambleja e Mabcos miraton shitjen e 47 për qind të kuotave tek 2A Group dhe autorizon sërish Valon Llukën të nënshkruajë transaksionin. Vendimi i asamblesë këtë herë, është firmosur personalisht nga Behgjet Pacolli.

Mbi bazën e këtij vendimi të asamblesë së Mabcos në qershor të vitit 2024, firmoset marrëveshja e shitblerjes nga Valon Lluka dhe Valon Ademi. Por edhe kjo marrëveshje nuk u noterizua.

Dokumenti i tretë, ai që u zyrtarizua është kontrata e shitjes së aksioneve. Kjo kontratë u noterizua në datën 3 prill 2025 nga notere Valbona Selimi dhe u firmos sërish nga Valon LLuka si administrator i Mabco-s dhe Valon Ademi si administrator i 2A Group. Për firmën e Llukës u përdor sërish autorizimi i dhënë nga asambleja e Mabco-s në korrik të vitit 2023 me firmën e Behgjet Pacollit.

Paratë e blerjes së aksioneve, shumën 4700 euro Valon Ademi ja kishte kaluar Mabcos që në korrik të vitit 2024. Edhe pas kësaj firmosje, sërish dy aksionerët vazhdonin në marrëdhënie normale me njëri tjetrin.

Madje një muaj pas noterizimit të shitjes së aksioneve, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi ishin bashkë në fluturimin inaugurues së aeroportit në 8 maj të vitit 2025, kur në Aeroport shkoi kryeministri Edi Rama dhe ministrja e atëhershme Belinda Balluku.

Por me sa duket, kjo ishte qetësia para furtunës.

Shpërthimi

Në 26 gusht të vitit 2025, Edi Rama thirri në zyrën e tij Behgjet Pacollin. Në atë kohë Rama sapo kishte fituar mandatin e katërt dhe po merrej me formimin e qeverisë së re.

Fillimisht lajmi i Pacollit në zyrën e Ramës u shpërnda në media si një takim negociatash për qeverinë e re, madje duke aluduar se Rama i kishte propozuar Pacollit postin e ministrit të jashtëm.

Por dy ditë më vonë, Kapitali shpërtheu luftën e aksioneve. Behgjet Pacolli e përgënjeshtroi zyrtarisht shkrimin e Kapitalit, por ky përgënjeshtrim rezultoi gënjeshtra publike më jetëshkurtër në Shqipëri, kur vetëm pak orë pas publikimit të shkrimit Valon Ademi akuzoi publikisht Pacollin për mashtrim dhe influenca ruse.

Kjo ishte pika e shpërthimit. Menjëherë pas kësaj Behgjet Pacolli mohoi të gjitha kontratat e shitjes së aksioneve, duke deklaruar se firmën ja kishin marrë me mashtrim. Por sërish kjo ishte ajo që dukej në publik. Ndërkohë nën rrogoz, kishte zhvillime të tjera.

Delphos

Në 10 dhjetor të vitit 2024, në Luksemburg themelohet një fond investimesh i quajtur Delphos Securization Sarl. Tre muaj pas themelimit të tij, Delphos nënshkruan një marrëveshje të fshehtë kredie me Mabco-n e Pacollit.

Sipas marrëveshjes, fondi nga luksemburgu do të jepte një kredi prej 100 milionë eurosh për Mabcon, e cila do të përdorej për shlyerjen e kredisë 57 milionë euro që Vlora International Airport kishte marrë tek BKT dhe pjesa tjetër për përfundimin e ndërtimit të Aeroportit.

Por kredia ishte e strukturuar përmes një compartmenti brenda Delphosit i quajtur Delphos Compartment Bernina. Këto janë nënfonde brenda fondeve të investimeve, të cilat funksionojnë si ishuj të pavarur dhe ku huadhënësit janë sekretë. Dokumenti u publikua për herë të parë nga gazeta Tema.

Menjëherë pas publikimit Behgjet Pacolli mohoi akuzat për lidhje ruse, por mbi të gjitha mohoi kategorikisht që VIA të ishte pjesë e kredisë apo që Aeroporti i Vlorës të rrezikonte tjetërsimin, duke theksuar thuajse përditë në publik se kredia ishte marrë nga Mabco dhe ishte garantuar nga Mabco, ndaj VIA-a nuk kishte asnjë rrezik.

“Eshtë një marrëveshje e cila garantohet 100 për qind prej aseteve të Mabco-s,” deklaroi Pacolli në 6 nëntor të vitit të kaluar në emisionin Opinion. Kur Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndodh nëse Mabco nuk e shlyen kredinë e Delphos, Pacolli ishte edhe më i drejtëpërdrejtë.

Pacolli -Ajo është puna ime. A e kam garantuar këtë më mjetet e mia?
Fevziu– Jo me marrëveshjen e koncesionit?
Pacolli– Dëgjoni, absolutisht jo. Për arsye se do të ishte një idiot ai që të jep ty 100 milionë dhe shkon e merr peng një aeroport që nuk është i yti. Kjo është çmenduria e njerëzve të paditur.

Por, pjesë e marrëveshjes së kredisë mes Delphos dhe Mabco-s, ishte dhe një nen, saktësisht 23.1, i cili detyronte Mabcon që të fuste VIA-n, pra shoqërinë koncesionare të aeroportit, si huamarrës shtesë përmes firmosjes së një letre aksesimi.

Pasi shpërtheu konflikti mes aksionerëve, marrëveshja e kredisë mes Delphos dhe Mabco u amendua sërish në gusht të vitit të kaluar, ku Fondi nga Luksmeburgu kërkonte me insistim futjen e VIA-s si huamarrës shtesë, dhe ku Mabco merrte përsipër që ta bënte këtë, pavarësisht kundërshtimit nga aksioneri i pakicës, pra Valon Ademi.

A ishte kredia me Delphos, arsyeja se pse Pacolli kundërshtoi fuqishëm shitjen e aksioneve tek 2A Group? Ky mbetet një mister i madh.

Lufta për një firmë

Që VIA të bëhej pjesë e marrëveshjes së kredisë, administratori i saj duhet të firmoste të ashtuquajturën Letrën e Hyrjes (Açession Letter). Por administratori i VIA-së, Valon Lluka, ai që kishte qenë krahu i djathtë i Behgjet Pacollit për më shumë se 20 vjet, e refuzoi firmosjen për ta futur VIA-n si huamarrës shtesë.

Kapitali publikoi edhe emailin ku Lluka paralajmëronte Pacollët se kjo ishte një kredi e rrezikshme dhe binte ndesh me ligjin për konçesionet.

Emaili i Valon Llukes per Emin Pacollin
Pas kësaj përplasje Pacolli e shkarkoi Llukën duke e akuzuar atë për tradhëti dhe komplot me Valon Ademin. Ai emëroi si administrator të VIA-s, Mentor Hajdarin. Por edhe ky nuk e firmosi letrën e hyrjes dhe u largua dy muaj pas marrjes së detyrës.

Më vonë përplasja mes dy aksionerëve hyri në proçeset ligjore dhe gjykata ngrin votat e Mabcos në shoqërinë koncessionare duke ja dhënë administrimin e aeroportit, aksionerit të pakicës Valon Ademi për më shumë se 6 muaj, deri në vendimin e gjykatës së lartë, që zhbllokoi votën e Mabco-s.

Çfarë rrezikonte Aeroporti?

Kontrata e kredisë mes Delphos dhe Mabcos është dakortësuar të qeveriset sipas ligjit anglez. Por çfarë parashikon legjislacioni britanik për huamarrësin shtesë. Menjëherë pas nënshkrimit të Letrës së Hyrjes, humarrësi shtesë bëhet përgjegjës solidar për 100 për qind të kredisë.

Më pas legjislacioni britanik aplikon parimin e përgjegjësisë së përbashkët. Kjo do të thotë se nëse huamarrësi origjinal nuk e shlyen detyrimin, atëherë ai që ka dhënë borxhin ka të drejtë ta ekzekutojë atë nga huamarrësi shtesë.

Parimi i pergjegjesise se perbashket, ligji anglez
Madje, ky i fundit bëhet përgjegjës për ripagimin e plotë të shumës, pavarësisht nëse paratë janë përdorur nga huamarrësi origjinal apo nga ai shtesë.

Me pak fjalë, në një skenar hipotetik ku Mabco merr paratë nga Delphos dhe i shpenzon ato jashtë projektit të Aeroportit, nëse nuk e shlyen kredinë atëherë Delphos do të merrte paratë nga Aeroporti.

Përtej përgjegjësisë solidare, rreziku tjetër është ai i transferimit të së drejtës në duar të tjera. Compartment-et nuk janë banka.

Ato janë struktura financiare, të cilat mund të shiten dhe ndërrojnë duar sa herë të duan. Në këtë rast nëse Compartment Bernina do ta shiste kredinë e Aeroportit tek të tjerë, qeveria shqiptare nuk do të kishte asnjë mundësi të ndalonte një gjë të tillë.

Këto rreziqe kanë qenë arsyeja e shumë debateve mes Mabco-s, ministrisë së Energjisë dhe Avokaturës së Shtetit. Autoritetet shqiptare dyshojnë se Mabco mund të ketë të tjera marrëveshje sekrete me Delphos, sic dëshmohet nga kjo letër e ministrit të Infrastrukturës drejtuar kompanisë së Pacollit. Por kompania i mohon ato.

Dyshimet e MIE-s

Por rreziku që Aeroporti i Vlorës së bëhet pjesë e kredisë së Delphos, tashmë është shmangur përfundimisht. Dy administratorët e Pacollit nuk e firmosën Letrën e Hyrjes. Më vonë, në lojë hynë gjykatat, të cilat ngrinë votën e Mabcos dhe së fundmi qeveria, e cila njoftoi prishjen e kontratës së konçesionit.

Nuk dihet se çfarë ndodh aktualisht mes Mabco-s dhe Delphos. Një pjesë e fondeve të kredisë u disbursuan në llogarinë e Mabcos në Zvicër dhe gusht të vitit të kaluar u transferuan në degën e Mabcos në Prishtinë. Tashmë që VIA nuk hyri në marrëveshjen e kredisë, Mabco gjendet përpara dy rrugëve. Ose të kthejë lekët mbrapsht ose të zgjidhë me marrëveshje të re marrëdhëniet me Delphos.

Por ky është problemi i Mabcos. Në Shqipëri, problemi është një tjetër. Kompania në qendër të këtyre intrigave financiare tashmë është duke kërcënuar Shqipërinë me arbitrazh. Sipas Mabcos, qeveria shqiptare u bë palë me Valon Ademin në konflikt dhe i hoqi të drejtën të përfundonte projektin duke e shpronësuar.

Arbitrazhi

Nga tetori i vitit të kaluar Behgjet Pacolli, ësjhtë ankuar publikisht në mënyrë sistematike se ndaj tij po bëhet një padrejtësi e madhe. Fillimisht në qendër të akuzave ishin gjykatat, të cilat bllokuan votën e Mabcos dhe e nxorrën atë jashtë administrimit të VIA-s.

Më pas, Pacolli filloi të sulmonte qeverinë, e cila sipas tij, po bëhej palë me aksionerin e pakicës. Ky është argumenti që Mabco me sa duket do të përdorë në arbitrazhin e mundshëm me Shqipërinë. Por qeveria ka një version tjetër. Sipas saj, institucionet kanë ruajtur një rol neutral në sherrin mes dy aksionerëve duke respektuar vendimet e gjykatave.

Ndërsa, sipas shkresës zyrtare të MIE, vendimi për të prishur konçesionin erdhi pas shkeljes së afateve, në përputhje me nenin 15.4d të kontratës së konçesionit.

Argumenti i MIE-s per prishjen e koncesionit
Edhe pse ky është një arbitrazh ku shteti shqiptar është qartazi në pozicion të avantazhuar, duhet që institucionet të bëjnë kujdes për të zbatuar të gjitha proçedurat që parashikon ligji për prishjen e kontratës.

Nuk ishte as shteti shqiptar as qeveria, ajo që bëri bashkë në ortakëri Pacollin me Ademin. Dy aksionerët hynë në marrëveshje me vullnetin e tyre të lirë.

Paralelisht qeveria nuk ka autorizuar asnjë kredi jashtë kredisë zyrtare me BKT-në, që është pjesë e marrëveshjes së konçesionit. Ndaj as përplasja për aksionet dhe as sherri për Delphos nuk janë pasojë e veprimeve të shtetit shqipar.

Ky është një arbitrazh që mund të humbet vetëm nëse qeveria do që ta humbasë duke mos ndjekur në mënyrë korrekte proçedurat ligjore. Por ai skenar do të ishte tradhëti dhe biznes i përbashkët./ Kapitali.al

Ata që vuajtën dënime të gjata për shkak të vrasjes së Bardhok Bibës

Të dhëna dokumentare mbi dënimet e rënda që pasuan vrasjen e Bardhok Bibës, përfshirë katër dënime me varje në litar.

Më 7.8.1949 u vra sekretari i parë i Komitetit të PKSH-së së Mirditës, Bardhok Biba. Për vetë figurën e tij, regjimi komunist ndërmori një hakmarrje të gjerë, pa lidhje me autorët e ngjarjes. 26 persona u morën të pandehur. U akuzuan në bazë të neneve 3/7, 12, të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Me një faqe e gjysmë pretencë, prokurori kërkoi gjykim me procedurë të shpejtuar. Asnjë provë nuk solli prokurori për të mbështetur akuzat e tij, ndërsa e lidhi ngjarjen me “imperialistët amerikanë” dhe “trockistët titistë”. Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e drejtuar prej nënkolonel Bilibil Klosit, prokuror major Misto Bllaci, me vendimin nr.98, datë 16.8.1949 i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me vdekje:

1-Pjetër Dodë Vila. U lind në vitin 1915. Me varje në litar.

2-Dodë Mark Biba. U lind në vitin 1918. Me varje në litar.

3-Dodë Llesh Paloka. U lind në vitin 1908. Me varje në litar.

4-Dedë Preng Gjomarkaj. U lind në vitin 1882. Me varje në litar.

Të tjerët morën dënimet të rënda. Disa prej tyre vuajtën shumë vite heqje lirie. Tre prej tyre ishin:

-Mark Preng Marku (u lind më 7.12.1905 në Gazull të Mirditës), vuajti 17 vjet, 7 muaj, 18 ditë burgim. Kishte dhe një dënim të mëparshëm në vitet 1945-1947. Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 29.3.1967.

-Preng Gjetë Çupi (u lind më 5.6.1916 në Mirditë), vuajti 16 vjet, 9 muaj, 10 ditë burgim. Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 21.5.1966.

-Mark Nikoll Tuci (u lind më 10.11.1924 në Mirditë), u dënua dy herë: në vitet 1949-1957 dhe 1980-1989, duke vuajtur gjithsej: 16 vjet, 1 muaj, 28 ditë. Me punë specialist minierash në Selenicë dhe Rubik. Me origjinë shoqërore fshatar i pasur. Në dënimin e dytë, thuhej se banonte në Ndërfushas dhe punonte në kooperativë bujqësore. Familja konsiderohej se kishte qenë e lidhur me regjimin e Zogut. Xhaxhai i tij Zefi dhe halla Maria, kishin vdekur në burg.

Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 16.2.1957.

Disa vjet pas lirimit, u arrestua më 4.11.1980. U akuzua në bazë të neneve 55/1 dhe 27 (internimi) të Kodit Penal. Ishte spiunuar nga 10 bashkëpunëtorë. Kish qenë nën raportimin e Sigurimit menjëherë sapo kish dalë nga burgu. Në një raportim thuhej se ishte shprehur: “Këtu flitet për barazi, por si qenka kjo barazi kur njëri ha më shumë se tjetri. Thonë me gojë se kemi barazi, në fakt nuk na. Me u dorëzuar nuk kemi ndërmend. Ka ardhur koha që të hanë njëri-tjetrin. Po të vijë koha e luftës, më mirë të më vrasin miqtë e mi, se sa këta. Do bashkohem me miqtë e do u kthehem këtyre. Edhe kur kanë qetësi, këta nuk flenë kollaj. I mbajnë veshët ngritur si lepuri. Kanë frikë nga qetësia se mos u vjen ndonjë e keqe”. Gjykata e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.10, datë 4.2.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe 5 vjet internim. U la në fuqi me vendimin nr.48, datë 26.2.1981 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 27.6.1989 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari./ Kujto.al


Send this to a friend