VOAL

VOAL

John Kasich – Nëna Tereza të jetë fytyra e 10 dollarëshit amerikan

September 17, 2015

Komentet

Osmani takohet me Macron në Samitin e NATO-s, bisedojnë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron me të cilin ka diskutuar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe reformat në fushën e sundimit të ligjit.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se gjatë diskutimit përmbajtësor kanë folur edhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës

“Diskutim përmbajtësor me presidentin Macron në Samitin e NATO-s në Washington D.C lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani me ftesë të Presidentit amerikan Joe Biden, përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, në Washington D.C.

Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, presidentja Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës. sn

Image

Mbi 213 mijë shqiptarë të Shqipërisë morën shtetësinë e një vendi të BE-së në 5 vite

VOA/Raimond Kola

Rreth 50 mijë shtetas shqiptarë morën nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian gjatë vitit 2022 duke u renditur të tretët në Evropë pas marokenëve dhe sirianëve, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia Europiane e Statistikave, “Eurostat” dhe Rrjetit Europian për Migrimin.

Dy vendet fqinje me Shqipërinë, të njohura tre dekadat e fundit dhe për emigrimin e lartë të shqiptarëve , Italia dhe Greqia janë kryesoret në Europë për numrin e lartë të lëshimit të nështetësive për shtetasit shqiptarë.

screenshot nga raporti

screenshot nga raporti

Ndërsa referuar të dhënave të Eurostat-it, për pesë vitet e fundit mbi 213 mijë shqiptarë fituan shtetësinë një një vend të Bashkimit Europian.

Sipas raportit vjetor mbi migrimin dhe azilin në Europë, 6920 shqiptarë aplikuan për herë të parë për azil gjatë vitit 2023 në një vend të Bashkimit Europian.

Shqiptarët kryesojnë në vitin 2023 listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për nga numri i azilkërkuesve në Europë dhe renditen edhe të pestët në Europë pas turqve, gjeorgjianëve, rusëve dhe ukrainasve.

Ndërkohë, sipas raportit shtetasit shqiptarë renditen të dytët në Europë pas ukrainasve për nga numri i refuzimeve të hyrjes në një vend të Bashkimit Europian gjatë vitit 2023.

Rreth 13855 shtetas shqiptarë që përbëjnë 11.6% të refuzimeve pasojnë rreth 18330 shtetas nga Ukraina, që iu refuzua hyrja në në vend të Bashkimit Europian vitin e shkuar.

Sipas raportit shqiptarët renditen të dytët pas gjeorgjianëve edhe për numrin e lartë të kthimeve vullnetare apo të detyruara nga një vend europian në një vend të tretë gjatë viti 2023.

Sipas raportit 7870 shtetas shqiptarë që përbëjnë 8.5% të kthimeve pasojnë 10 390 gjeorgjianë që kryesojnë listën e vendeve për kthimet e detyruara të migrantëve jo të rregullt nga vendet europiane.

Ndërkohë raporti për migrimin dhe azilin thotë se rreth 76 mijë shqiptarë janë evidentuar në marrjen e lejeve të reja apo të një statusi ligjor të qëndrimit gjatë vitit 2023 në vendet e Bashkimit Europian.

Raporti nuk përfshin migrimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe që doli nga Bashkimi Europian.

Vetëm gjatë vitit 2022 sipas autoriteteve britanike 12658 emigrantë nga Shqipëria u futën në mënyrë të parregullt në Britaninë e Madhe kryesisht nga Kanali La Manshit me varka të vogla.

Të dhënat britanike për periudhën shtator 2022 – shtator 2023, tregojnë se Britania e Madhe përjetoi një rritje të konsiderueshme në kthimet e detyruara të shtetasve të huaj që arritën në 5,506 persona, nga të cilët shqiptarë, përbëjnë mbi gjysmën (52%) të kthimeve të detyruara.

ASK: Kosova ka 1.58 milion banorë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen në fund të vitit.

Ai tha se nuk pritet të ketë dallime të mëdha nga të dhënat paraprake, duke theksuar se sipas praktikave edhe në vendet e rajonit, ndryshimi mund të jetë nga 1 deri në 3 për qind.

Regjistrimi i popullsisë u krye në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Kastrati tha se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas tij, në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.

Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK, tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.

Sipas të dhënave paraprake, në Mitrovicë të Veriut janë regjistruar 2.300 persona, në Zveçan, 435, në Zubin Potok 758 dhe në Leposaviq 3.207.

ASK tha se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32.

Gjatë prezantimit të të dhënave u tha se nëntë komuna kanë pasur rritje të popullsisë, ndërkaq 29 të tjera ka pasur rënie. Fushë Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind. Në këtë komunë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një metër katror, përkatësisht 762.

Osmani në SHBA: Hera e parë që Kosova u përfshi në një samit të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit amerikan, Joe Biden, e përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s që u mbajt në Uashington.

E para e shtetit ka bërë të ditur se pati mundësinë që në përfundim të Samitit të NATO-s të flas me homologun e saj amerikan, Biden, teksa tha se pjesëmarrja në këtë aktivitet është e një rëndësie të veçantë për Kosovën.

“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”.

“Në përfundim të Samitit, Presidentja Osmani ka biseduar me Presidentin Biden,  të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ka pasur mundësi të diskutojë edhe me liderë të tjerë nga disa shtete të botës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, Osmani tha se 25 vite më parë, NATO e shpëtoi popullin e Kosovës nga shfarosja, kurse 25 vite pas, është nderë që t’i bashkojë forcat me aleatët në mbështetje të Ukrainës, nëpërmjet themelimit të iniciativës “Compact Ukrainë”. sn

OECD: Shqipëria është përkeqësuar në 28% të objektivave të zhvillimit 2030, arsimi me rënien më të madhe

Shqipëria ka bërë progres të moderuar drejt arritjes së objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030 gjatë periudhës së vlerësimit në vitin 2023, të bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Organizata e njohur ndërkombëtare analizoi në hollësi zhvillimet në Shqipëri në publikimin e fundit, ku vuri në dukje se vendi ynë ka bërë njëfarë progresi në 30.9% të treguesve, ndërsa performanca është përkeqësuar në 27.9% të treguesve nga grupi i 17 objektivave globale kryesore që duhen realizuar deri në vitin 2030.

Teksa në disa objektiva, Shqipëria ka bërë progres të dobët ose ka qëndruar në vendnumëro, sektori i arsimit ka përkeqësim të fortë.

Një shoqëri e arsimuar është baza për zhvillimin e qëndrueshëm në të ardhmen, ndaj rënia e nivelit arsimor në vend është një ogur i keq për të gjithë fushat e zhvillimit social dhe ekonomik në të ardhmen.

OECD analizon se qeveria ka integruar Objektivat Globalë të Zhvillimit të Qëndrueshëm në axhendat kombëtare dhe sektoriale, por progresi mbetet i dobët për shkak se nuk janë mbështetur me buxhet.

Analiza tregon se, Shqipëria ka ruajtur arritjet në dy fusha, varfëria (Objektivi 1) dhe veprimi klimatik (objektivi 13), dhe është në rrugën drejt arritjes në furnizimin me ujë të pastër (objektivi 6) dhe reduktimin e pabarazive (Objektivi 10).

Progresi ka qenë më i moderuar në fushën e energjisë së përballueshme dhe të pastër (objektivi 7).

Ndërkohë, OECD vë në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit (objektivi 4), me rënie të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor.

Në testimin PISA 2022 që organizohet nga OECD për testimin e njohurive të 15-vjeçarëve, Shqipëria u rendit në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.

Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61, Rezultatet e Shqipërisë shënuan rënie të fortë në raport me rezultatet e testeve paraardhëse.

Vlerësimet e PISA evidentuan se Shqipëria kishte pësuar rënien më të madhe të rezultateve që një vend ka pasur në të gjithë historinë e zhvillimit të testeve që nga 2001.

Shqipëria ka ruajtur ecurinë e saj në eliminimin e varfërisë ekstreme që nga viti 2021 (objektivi 1). Qasja në ujin bazë të pijshëm dhe shërbimet higjienike janë rritur në të gjithë popullsinë (të dyja mbi 95%).

Rezultatet shëndetësore (objektivi 3) mbeten pozitive dhe mesatarisht në përmirësim, me nivelet e synuara për 2030. Por vendi ynë duket se ka bërë hapa pas me rënien e shkallës së vaksinimit tek foshnjat dhe mbulimin e shërbimit universal shëndetësor.

Progresi ka mbetur në vendnumëro në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe komuniteteve (objektivi 11). Përmirësimi i shërbimeve të aksesit në ujësjellës, transport dhe shërbime të tjera mbeten sfida të rëndësishme.

Progresi është gjithashtu i nevojshëm në fushën e ekonomisë rrethore (objektivi 12) dhe mbrojtjen e ekosistemeve tokësore (objektivi 15). Mangësitë më të rëndësishme mbeten në fushat e punës së denjë dhe rritjes ekonomike (objektivi 8), jetës detare (objektivi 14), drejtësia dhe institucionet e forta (objektivi 16).

Progresi ekonomik dhe përfshirja mbeten të kufizuara nga mungesa e aksesit në burimet financiare në të gjithë popullsinë, papunësia e lartë e të rinjve dhe mungesa e të drejtave themelore të të punësuarve.

Drejtësia dhe institucione të forta (objektivi 16) kanë mbetur në vendnumëro nga vrasjet e vazhdueshme, korrupsioni i lartë, praktikat e paligjshme të shpronësimit dhe rënies së lirisë së shtypit./Monitor

Mbërritja e avionëve luftarakë F-16 s’ia zgjidh Ukrainës sakaq problemin e luftës

Dy avionët luftarakë F-16 të Holandës. (Fotografi nga arkivi)

 

Reuters

Tufa e parë me avionët luftarakë F-16, prodhim amerikan, do të mbërrijë së shpejti në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda. Ata do të fluturojnë mbi qiejt ukrainas këtë verë, tha të mërkurën sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Kohëzgjatja e procesit, nga prokurimi i avionëve luftarakë dhe trajnimi i pilotëve ukrainas e deri te fluturimi i tyre, e ka zemëruar Kievin.

Rusia ka pasur kohë për ta përgatitur mbrojtjen në përpjekje për ta asgjësuar ndikimin e avionëve F-16, ndërkohë që Ukrainës i është dashur të mbijetojë me një mbrojtje të dobët ajrore, e cila është shumë më e vogël sesa mbrojtja ajrore e sofistikuar e armikut.

Më poshtë mund t’i lexoni disa fakte për mënyrën se si avionët F-16 mund ta ndihmojnë Ukrainën dhe për pengesat me të cilat përballet ajo për përdorimin e tyre.

Ndikimi i mundshëm

Disa analistë thonë se vetëm avionët F-16 nuk do të dëshmohen si pikë kthese në luftën pushtuese që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.

“Duhet ta ndani simbolizmin nga ndikimi i mirëfilltë në fushëbetejë – i cili do të jetë i dobishëm por i thjeshtë, posaçërisht në fillim”, tha Mark Cancian, këshilltar i lartë për Programin e Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Serhii Kuzan, kryetar i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim, një grup hulumtues joqeveritar, tha se nevojiten së paku 60 avionë për operacione të mëdha në përpjekjet e Ukrainës për ta zmbrapsur aviacionin rus matanë kufijve të vet.

Ligjvënësja Oleksandra Ustinova, e cila e udhëheq komisionin parlamentar të Kievit për armët dhe municionet, tha se Ukraina ka nevojë për gati 120 avionë F-16, për ta forcat dukshëm mbrojtjen ajrore.

Derisa pilotët fitojnë përvojë në qiejt ukrainas dhe ushtria ndërton infrastrukturën ajrore, dërgesat e para mund ta ndihmojnë Ukrainën së paku ta forcojë mbrojtjen e vet ajrore, thonë ekspertët.

“Do të ofrojnë paksa mbrojtje ajrore dhe, mbase, do të ndihmojnë për t’u mbrojtur kundër Shahedëve [dronëve të prodhimit iranianë] dhe kundër raketave lundruese”, tha Justin Bronk, hulumtues i lartë i teknonologjisë dhe fuqisë ajrore në Royal United Services Institute (RUSI).

Ushtria ukrainase ka punuar fort për ta kufizuar kërcënimin ndaj avionëve F-16 në muajt e fundit, duke i sulmuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë, sipas Kuzanit.

“Formimi i fushëbetejës, posaçërisht në jug, është duke ndodhur tashmë. Ukraina ka armë për ta sulmuar vazhdimisht mbrojtjen kryesore ajrore të Rusisë”, tha ai.

Pilotët dhe mirëmbajtja

Trajnimet do të jenë vendimtare.

“Mund të kesh shumë avionë luftarakë të shpejtë, por nëse ata nuk kanë armë efektive dhe ekuipazh për t’i përdorur ata me taktika efektive, atëherë ata do të rrëzohen me shumicë”, tha Bronk.

Kohëzgjatja e trajnimit të pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve F-16 ka qenë tema kryesore e bisedimeve për dërgimin e më shumë se 70 avionëve luftarakë që i janë premtuar Ukrainës.

Deri në fund të këtij viti, Ukraina pret t’i ketë së paku 20 pilotë të gatshëm për t’i fluturuar avionët F-16, thotë Ustinova.

Sipas saj, në fillim Ukraina do të ketë më shumë avionë F-16 sesa pilotë të kualifikuar.

“Nuk është në rregull të presim në radhë për 10 vjet derisa pilotët tanë të jenë të trajnuar”, shtoi ajo.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se pyetet për trajnimet duhet t’i drejtohen Ukrainës dhe kanë theksuar se pilotët mund të stërviten edhe në Evropë. Megjithatë, Bronk tha se kapacitetet e NATO-s janë të mbingarkuara tashmë.

Ai shtoi se mirëmbajtja e avionëve është sfidë edhe më e madhe sesa trajnimi i pilotëve.

Ai theksoi se shumica e mirëmbajtjes dhe ndreqjeve duhet të kryen brenda Ukrainës dhe se asaj mbase do t’i duhet të varet nga kompani të huaja që e njohin këtë lloj avioni.

Bazat ajrore të kërcënuara

Rusia i ka rritur tashmë sulmet ajrore në infrastrukturën e cila mund të përdoret për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e avionëve F-16, sipas disa ekspertëve.

“Rusia po i sulmon të gjitha fushat ajrore, bazat e mundshme të avionëve F-16, çdo ditë, dhe po tenton t’i dëmtojë pistat ajrore dhe infrastrukturën. Këto sulme nuk kanë pushuar në dy muajt e fundit”, tha Kuzan.

Objektivat do të bëhen edhe më të cenueshme kur të mbërrijnë avionët, pilotët dhe ekipet mirëmbajtëse.

Kjo me gjasë do ta detyrojë Ukrainën të vendosë kundërajrorë për t’i mbrojtur ata, edhe pse ajo përballet me mungesë kundërajrorësh dhe municionesh për ta.

“Ne duhet ta pranojmë faktin se fushat ajrore do të jenë të mbrojtura shumë mirë kur të sulmohen objektivat civile”, tha Kuzan, duke shtuar se çdo bazë do të ketë nevojë për së paku dy kundërajrorë Patriot dhe dy bateri NASAMS, për t’u mbrojtur.

“Sapo t’i përforcojmë aftësitë tona luftarake, ne do t’i zmbrapsim avionët luftarakë të tyre dhe terrori do të marrë fund. Por, dy muajt e parë do të jetë vërtet të vështirë”, shtoi Kuzan.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Ekrem Idrizi

NATO shpreh shqetësim: Situata e sigurisë në Kosovë nuk është stabilizuar, ka mundësi për përkeqësim

VOA/Keida Kostreci

UASHINGTON – NATO-ja dhe forca e saj paqeruajtëse në Kosovë, e njohur me shkurtesën KFOR, janë “shumë të shqetësuar për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj” dhe nxisin palët të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike, tha të enjten një zyrtar i aleancës në Uashington, ku krerët e aleancës po takohen për të shënuar 75 vjetorin e saj.

“Në NATO, ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik. Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie,” u tha gazetarëve një zyrtar i NATO-s, i cili foli për situatën e sigurisë në Kosovë, ku NATO ka misionin më të madh dhe më të gjatë paqeruajtës në botë, me kusht që të mos identifikohet me emër.

Sipas zyrtarit të NATO-s, “është për të ardhur keq që angazhimi në dialog nuk ka prodhuar marrëveshje apo çuar drejt thellimit të dialogut dhe kjo nënkupton që tensionet në terren vazhdojnë të kenë pasoja për sigurinë.”

“Ne vazhdojmë … t’i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive dhe më të dobishme, sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike,” shtoi ai.

Sipas zyrtarit, paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë kanë shtuar kapacitetet e tyre, duke rritur numrin e ushtarëve nga 3700 në 4600 paqeruajtës, që përbën shtimin më të madh të forcave të NATO-s në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në kuadër të masave të tjera konkrete, sipas zyrtarit, trupat e NATO-s po ashtu kanë katërfishuar praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto masa të shtuara të sigurië janë bërë si pasojë e përshkallëzimit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, sidomos pas protestave të dhunshme që lanë mbi 90 ushtarë të KFOR-it të plagosur më 29 maj në një përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtonin zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga partitë politike serbe. Dhuna shpërtheu pasi autoritetet e Kosovës shoqëruan me forca policore kryetarët e komunave në zyrat e tyre, me gjithë thirrjet perëndimore për ta shmangur një veprim të tillë.

Situata në Kosovë u përshkallëzua edhe më tej më 24 shtator, kur një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën, gjatë përleshjeve me një grup të armatosur serbësh në veriun e banuar me shumicë serbe, në fshatin Banjskë. Tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.

Një sasi e madhe armatimi u konfiskua gjatë këtij incidenti, për të cilin Kosova fajësoi Serbinë, akuza të cilat Beogradi i hodhi poshtë, duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.

Këto incidente u pasuan me shqetësimin e ngritur nga Shtetet e Bashkuara për një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën dhe kërkesën Serbisë që urgjenisht të largonte forcat nga kufiri.

Mbi këto incidente të sigurisë, zyrtari tha se NATO-ja vazhdon t’i nxisë “të dyja palët që t’i trajtojnë këto situata me seriozitet maksimal, sidomos për sa i përket përgjegjësisë.”

“Është shumë e rëndësishme për NATO, jo vetëm pse ushtarët tanë u plagosën më 29 maj, por sepse pranimi i përgjegjësisë është pjesë e ecjes përpara në këtë proces politik. Të gjitha palët duhet ta ndjejnë se kanë përgjegjësi dhe po ashtu të ndihen që zëri i tyre po dëgjohet, në mënyrë që të jemi në gjendje të ecim drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme,” deklaroi zyrtari.

Në Srebrenicë shënohet 29-vjetori i gjenocidit

Qendra Përkujtimore në Potoçari. 11 korrik 2024.

 

Në Srebrenicë më 11 korrik është shënuar 29-vjetori i gjenocidit, që u krye nga forcat serbe në Bosnje e Hercegovinë.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari këtë vit varrosen mbetjet mortore të 14 viktimave të gjenocidit. Viktima më e re që do të varroset është 17 vjeç, ndërkaq më e vjetra 68.

Për herë të parë këtë vit, 11 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi kjo organizatë miratoi një rezolutë për Srebrenicën më 23 maj.


Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, gjatë ceremonisë përkujtimore në Potoçari tha se është e rëndësishme që shoqëria të kundërshtojë çdo përpjekje për të minimizuar shkallën e gjenocidit në Srebenicë.

“Madhërimi i kriminelëve të luftës është fyerje, në mos kërcënim për viktimat, por po ashtu është edhe shkelje e Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se korriku i vitit 1995 ishte një prej kapitujve më të errët të historisë moderne evropiane.

“Srebrenica vazhdon të jetë një plagë e thellë në historinë e Evropës. Dështimi për të parandaluar këtë gjenocid është një barrë që ne vazhdojmë ta bartim”, shkroi ai në një kolumne.

Borrell tha po ashtu se në Bosnje dhe në mbarë rajonin “ka ende një tendencë shqetësuese të mohimit. Çdo mohim i gjenocidit është shuplakë në fytyrën e drejtësisë dhe pengesë për pajtim”.

Më herët gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për 29-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, miratoi një deklaratë që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit.

Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska. Srebrenica në korrik të vitit 1995 ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme- Miratohet deklarata që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për 29-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, miratoi një deklaratë që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, i cili i përket komunitetit boshnjak, lexoi deklaratën që tha se kundërshton mosndëshkimin e kryesve të gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të tjera të të drejtës humanitare ndërkombëtare.

Deklarata thotë se Kosova mbështet kërkimin e paqes së qëndrueshme, drejtësinë dhe pajtimin. Aty po ashtu vlerësohet miratimi i një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që shpall 11 korrikun, Ditë Ndërkombëtare për Përkujtimin e Gjenocidit.

Shabani tha se Kosova solidarizohet me të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrebrenicë, duke theksuar se kujtimi i “Srebrenicës të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, duke folur për gjenocidin në Srebrenicë, theksoi se “është detyra jonë që gjithmonë të kundërshtojmë urrejtjen dhe diskriminimin, të flasim dhe të ngremë zërin kundër një padrejtësie të tillë”.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës mori vendim që të shpallë 11 korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë. Ndërkaq, më 2021 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari në Srebrenicë në 29-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të 14 viktimave të gjenocidit. Viktima më e re që do të varroset ishte 17 vjeç, ndërkaq më e vjetra 68.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Atëbotë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm./REL

Sot vendosni ju! Të gjithë përpara kryeministrisë sonte në ora 20.00!

Nga Luçiano Boçi

Qytetare dhe qytetarë!

Të rinj e të reja!

Burra dhe gra të këtij vendi!

Ka ardhur dita!

Dita juaj, dita e zemërimit dhe revoltës.

Vendi ka kohë që është zhytur në shpopullim, kaos social, pasiguri ekonomike, korrupsion e drogë.

Kursi politik i mazhorancës dhe i arroganca e saj qeverisëse po eleminon liritë politike dhe standartet demokratike.

Drejtësia dhe shteti si kurrë më parë po përdoren si instrumenta e mekanizma për të luftuar dhe eleminuar çdo qëndrim e formacion opozitar.

Rama me projektin e tij për Narkodiktaturën, po e rrokullis me çmendurinë psiko-politike të tij, fatet tona e të familjeve tona në hone e katakombe pa kthim.

Është detyra juaj, detyra jonë t’i themi ndal dhe t’i sjellim shqiptarëve ndryshimin me zgjedhje të lira e të ndershme!

Zgjohuni dhe mendoni!

-47% e fëmijëve tanë janë të kequshqyer!

-100% e tyre janë të keqarsimuar!

-100% e tyre pa kujdesin e duhur shëndetësor!

-Shqipëria renditet e dyta për vdekshmërinë foshnjore!

-Shqipëria e fundit në renditjen e njohurive arsimore për 15-vjeçarët

-Shqipëria e fundit për cilësinë e Arsimit të lartë!

-1.000.000 shiptarë janë larguar

-Shqipëria me numrin më të vogël të mjekëve për banorë!

-Shqipëria me bujqësinë më të prapambetur e të pambështetur në Europë!

-Me mijëra biznese të falimentura!

-Me të ardhura mesatare më të ultat në Europë!

-Me çmime sa Europa!

-Me naftën më të shtrenjtë në Europë!

-Me pagën minimale më të ulët në Europë!

-Me pensionet më diskriminuese në Europë!

-Me 35% të popullsisë që jeton me 5 dollarë në ditë!

-Me vlerësimin më të ulët për mjekë e mësuesë!

-Me taksat më të larta e me tarifa marramendëse!

Shqiptarë bashkohuni me ne për ta përmbysyr të keqen që ka pushtuar këtë vend!

-Me bandë politike e banda të krimit të organizuar që qeverisin!

-Me korrupsion galopant e hajdutëri të pashoqe pronash e fondesh!

-Me arrogancë, dhunë politike, ekonomike e sociale!

-Me pabarazi ekstreme dhe paligjëshmëri të shndërruar në ligj!

-Me Drejtësi armike të drejtësisë dhe së vërtetës!

Ngrihuni dhe revoltohuni bashkë me ne!

Shpëtoni të ardhmen!

Për familjet tuaja, fëmijët tuaj, fatet tuaja, territoret tuaja, vendin tonë, atdheun tonë!

Sot vendosni ju!

Para Kryeministrisë, ora 20.00!!!!

sn

Intervista- Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin

VOA/Menada Zaimi

Në një intervistë për Zërin e Amerikës presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thotë se vendi i saj kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Zonja Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zonja Osmani foli për garanci për sigurinë, e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte siç tha, më shumë paqe e siguri në rajon.

Ajo shtoi se Kosova nuk po kërkon t’i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha “zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe deyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës”.

Presidentja Osmani i bëri komentet ndërsa ndodhet në Uashington me ftesë të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken për të marrë pjesë në takime që mbahen në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s.

Të martën Departamenti amerikan i Shtetit organizoi një takim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku mori pjesë edhe presidentja Osmani.

Zyra e presidentes Osmani është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve globalë nga zyra e sekretarit Blinken për të themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.


Zëri i Amerikës: Zonja Presidente Osmani gjatë këtyre ditëve në Uashington ju keni patur takime me zyrtarë amerikanë, a mund të ndani me ne çfarë keni diskutuar?

Vjosa Osmani: Në këtë 75 vjetor të NATO-s që padyshim është një ngjarje historike për të gjitha shtetet anëtare dhe të gjitha shtetet që kanë përfituar sa i përket paqes dhe sigurisë nga kjo aleancë ushtarake dhe politike, për Kosovën është dyfish përvjetor i veçantë për shkak se është edhe 25 vjetori, përvjetor vërtet historik i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç e dini, përgjatë këtyre muajve, Kosova me një sërë aktivitetesh në vend dhe nëpërmjet ambasadave tona, kemi shënuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik të trupave të NATO-s në mënyrë që ne të arrijmë lirinë tonë dhe pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot. Prandaj ka qenë po aq më rëndësi, që për herë të parë në histori, Kosova të ftohet në aktivitete në kuadër të Samitit të NATO-s dhe jemi shumë mirënjohës për punën e bërë edhe nga zyra e Sekretarit Blinken, por edhe në përgjithësi e gjithë qeveria amerikane që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes të këtyre të arritjeve sidomos sa i përket agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë. Para se të fillojë pritja lidhur me këtë temë, që ishte edhe hapja e takimit të NATO-s, në fakt ishte aktiviteti i parë i takimit i organizuar në bashkëpunim me NATO-n, unë kisha një bisedë me Sekretarin Blinken dhe natyrisht diskutuam për arritjet e Kosovës. Pata mundësinë që t’i shpreh falenderimet e popullit të Kosovës për gjithë çfarë ka bërë Amerika në këto vite, por në të njëjten kohë edhe për sfidat që i kemi përpara të cilat patjetër duhet t’i zgjidhim bashkërisht. Mbrëmë kishim një takim me një numër të madh senatorësh dhe ligjvënësish që përgjatë viteve e kanë përkrahur Kosovën, por që janë edhe emra kyç do të thoja të të dyja partive sepse përkrahja për Kosovën gjithnjë ka qenë dypartiake, që do të kenë rol të rëndësishëm në përcaktimin e linjave, politikave edhe në të ardhmen. Përveç falenderimeve për kontributin e tyre natyrisht diskutuam edhe për rrugën përpara. Ndërkaq po vazhdojmë takimet edhe me udhëheqës të shteteve anëtare (të NATO-s). Ju e dini që Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s, nuk është as pjesë e partneritetit për paqe, megjithatë siç e përmenda është një arritje e jashtëzakonshme që Kosova është përfshirë në kuadër të këtij samite dhe në të njëjtën kohë në takimet me udhëheqësit veç e veç po shtyjmë para atë që është e pashmangshme që t’i hapen dyert edhe Kosovës jo vetëm për shkak të aspiratës së popullit të Kosovës, ku mbi 96 për qind janë pro anëtarësimit në NATO, por për shkak se Kosova e meriton. Kemi një ushtri e cila është ndërtuar në përputhje të plotë me standardet e NATO-s. Jemi në një linjë me politikat e NATO-s edhe në aspekt bilateral, qoftë me ushtrinë amerikane apo atë britanike, ushtria jonë po kontribuon në misione të paqes dhe të sigurisë nëpër botë. Pra, Kosova edhe pse është shtet i vogël, ka çfarë të ofrojë në një organizatë të tillë dhe jemi duke bërë hapa të rëndësishëm drejtë anëtarësimit

Zëri i Amerikës: Një nga takimet që keni patur në Shtetet e Bashkuara është ai me ndihmës sekretarin e shtetit James O’Brian i cili u shpreh pas takimit me ju se në takim u diskutua për, siç u shpreh ai mbi “nevojën urgjente për t’u riangazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”. Ndërkohë po dje, në Prishtinë, kryetari i parlamentit Glauk Konjufca tha se Kosova nuk ka përse zbaton marrëveshjen me Serbinë përsa kohë që Serbia po e shkel atë. Përballë këtyre dy qëndrimeve të ndryshme të Uashingtonit dhe Prishtinës, si e shihni ju të ardhmen e dialogut?

Vjosa Osmani: Nuk do t’i quaja të ndryshme sa i përket qëllimeve finale të tyre. Në fakt edhe Republika e Kosovës dhe të gjitha institucionet e saj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç e ka thënë në pjesën e parë të postimit të tij në rrjetin social X zoti O’Brian, punojnë për suksesin e një Kosove të pavarur e sovrane me kufijtë e saj aktual dhe të integruar në institucionet euro-atlantike. Dialogu Kosovë-Serbi nuk është e tërë marrëdhënia Kosovë-Amerikë. Mos ta reduktojmë raportin special ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vetëm me atë që ndodh në dialogun me Serbinë.

Natyrisht është aspekt i rëndësishëm për sigurinë në rajon dhe për të ardhmen tone euro-atlantike që të ketë sukses në procesin e dialogut. Kjo është arsyeja e këmbënguljes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë të tjerë sepse sa më shumë që të ketë suksese në dialog aq më shpejtë do të bëjë Kosova hapa vendimtarë drejt BE-së dhe NATO-s.

Por duhet ta bëjmë një gjë të qartë. Në çdo kontratë, në çdo marrëveshje janë dy palë dhe është parim bazik i të drejtës ndërkombëtare që në qoftë se një palë tërhiqet nga marrëveshja, atëherë pala tjetër nuk ka asnjë detyrim që të zbatojë pjesë e saj të marrëveshjes. Ajo çfarë po insistojmë ne si Kosovë është jo që ne të ikim nga obligimet tona, por që të ketë zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka obligime për Kosovën, disa prej të cilave kanë qenë koncesione të vështira, por ka edhe obligime të qarta për Serbinë, të cilat në qoftë se merren në tërësinë e saj konstituojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës siç është potencuar qartë edhe nga liderët evropianë në deklaratën e tyre të 26 tetorit.

Pra, nuk mundet Serbia të deklarohet hapur dhe të dërgojë letër nga ana e Kryeministres që po tërhiqen në tërësi dhe nuk do ta zbatojnë marrëveshjen dhe ne të ofrohemi si vullnetarë që gjithçka të zbatojmë pa marrë garanci në anën tjetër.

Ajo çfarë e kam thënë edhe në intervistën e fundit në fakt për Zërin e Amerikës para pak muajsh kur isha në seancën e Këshillit të Sigurimit, është kjo: në qoftë se të gjithë jemi të bindur edhe ne edhe partnerët tanë që Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë.

Nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime që i ka marrë, na duhen garanci për sigurinë, mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zonja Presidente, ju thatë që Serbia nuk po plotëson pjesën e saj të marrëveshjes, por sa i takon Asociacionit, që është pjesa më e nxehtë e saj. Ka vëzhgues që si shtet sovran, i takon Kosovës që të hedhë hapa në këtë drejtim. Këtu po flasim për qytetarët tuaj, për atë përqindje të komunitetit serb që janë qytetarë të Kosovës. Cili është mendimi juaj në këtë rast?

Vjosa Osmani: Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes de fakto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni.

Zëri i Amerikës: Kjo ka lidhje me marrëveshjen. Unë po them ju si shtet në raport me qytetarët tuaj.

Vjosa Osmani: Në raport me qytetarët tanë ne nuk do të duhej ta krijojmë përshtypjen që Asociacioni ndihmon qytetarët serbë në Kosovë. Në fakt sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston në Republikën e Kosovës tani, me Kushtetutën aktuale, me ligjet e pakos së Ahtisaarit dhe me ligjet e tjera të cilat ne i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut.

Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit, të cilët Vuçiçi për momentin e ka qëllimi t’i kontrollojë dhe në njëfarë mënyre ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Pra Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve serbë, por përkundrazi merr më shumë të drejta nga poshtë dhe i dërgon ato lart, që është në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës, sipas të cilit për t’i fuqizuar komunitetet pakicë duhet të ketë më shumë sovranitet nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Asociacioni në fakt bën të kundërtën.

Edhe vet juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë deklaruar që ajo nuk është në përputhje me parimet e Këshillit të Evropës. Megjithatë, ne e kemi dhënë premtimin dhe Kosova është shtet serioz. Kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar, duhet ta zbatojë atë. Por zbatimi i Asociacionit është në kuadër të një procesi dhe ai proces është Marrëveshja Bazike.

Zëri i Amerikës: Në ç’rrethana do të bënit lëshime për të filluar të paktën procesin e themelimit të Asociacionit, që mund të ishte për shembull, çuarja në Gjykatë Kushtetuese? Jo nga ju, meqë ju nuk e keni kompetencë këtë…

Vjosa Osmani: Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht. Kështu kanë qenë praktikat pas vitit 2018 e tutje.

Mirëpo duhet ta them qartë – që krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje.

Zëri i Amerikës: Nuk i kanë ofruar partnerët këto?

Vjosa Osmani: Deri tani kanë qenë më shumë ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta. Përfundojeni ju fillimisht e pastaj bisedojmë.’ Mendoj që ka ardhur koha që ne të kemi një plan të përbashkët me aleatët tanë dhe kur them me aleatët këtu duhet roli drejtues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç dëshmon historia jonë, vetëm atëherë në rajonin tonë ka pasur sukses që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe afatgjatë. Pra të ulemi bashkë me partnerët tanë, ne e bëjmë këtë, pastaj i marrim nga ana e partnerëve tanë garancitë për siguri, pasi duhet të sigurohemi që ajo çfarë po ndodh në Bosnjë, asnjëherë të mos ndodhë në Kosovë.

Sepse kjo jo vetëm që nuk është në intereset të qytetarëve tanë, pavarësisht cilës etni, por as nuk është në interest të paqes dhe stabilitetit rajonal e pastaj si rrjedhojë, e gjithë kontinentit tonë.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente ju e dini që vizita juaj këtu në Uashington është ndër të rrallat të zyrtarëve të lartë nga Kosova, për shkak të marrëdhënieve tejet problematike mes Kosovës dhe Uashingtont. Cili është mendimi juaj? A janë ato në pikën më të ulët sot?

Vjosa Osmani: Në Kushtetuën e Republikës së Kosovës institucioni i presidentit udhëheq politikën e jatshme. Pra është gjëja më normale që ftesat për në Uashington, për në Nju Jork, për në samitin e ‘Europian Political Community’, ku unë do të udhëtoj pas pak ditësh, në samitin EU Western Balkans, në samitin e Paqes për Ukrainën, ku isha, të jenë për presidenten sepse ky është zbatim i kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kështu ka qenë gjithnjë edhe me presidetët paraardhës, të cilët e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Në asnjë mënyrë unë nuk do të thoja që po injorohet Kosova, në fakt nuk ka asnjë shtet të rajonit që është më prezent sesa Kosova, qoftë në Uashington qoftë në samite të tjera dhe kudo që na jepet mundësia jemi shteti më aktiv me punët tona, natyrisht me raportet tona, me shtetet veç e veç.

Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht.

Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetuën, në aspektin aftgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente pas disa muajsh këtu në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Një pjesë e udhëheqësve të NATO-s kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të ndryshimit të administrave, kjo parë në raport me qëndrimet e zotit Trump ndaj NATO-s, skepticizmit ndaj aleancës. A jeni të shqetësuar ju në këtë aspekt?

Vjosa Osmani: Si presidente e Republikës së Kosovës nuk më takon mua të komentoj qëndrimet e kandidatëve për zgjedhjet këtu në SHA. Ajo që dua të them është se cili është qëndrimi i Republikës së Kosovës sa i takon NATO-s. NATO është aleancë që ka shpëtuar Kosovën nga shfarosja, NATO është aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në historinë e njerëzimit. Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Sa më shumë NATO, sa më shumë prezencë e NATO-s edhe në rajonin tonë, sa më shumë shtete në NATO, aq më paqësore dhe prosperuese do të jetë bota mbarë.

UGSHPD: VELIAJ, 1 KIOSKË GUIDE TURISTIKE PËR 1 MILION VIZITORË NË MUAJ

Përtej qesharakes po bëhen veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj në një kohë kur ky keq-administrues i pushtetit vendor gjendet përballë malit të akuzave për përvetësim pasurie dhe shpërdorim detyre, por që asgjë nuk ia trondit pozitat për sa kohë ai ka para dhe është ende drejtuesi politik i qarkut të Tiranës për Rilindjen Socialiste. Edhe përse në opinion pozita e tij duket shumë e lëkundur, arroganca e tij demonstrohet me mos marrjen e asnjë përgjegjësie për cilësinë e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit, atyre që po shohin se kë kanë zgjedhur si edhe të atyre që provojnë se përse ky mashtrues dhe përvetësues i fondeve publike nuk e meritonte të zgjidhej.
Pasi mbaron pa njoftuar një agjendë ditore pune e cila figuron më shume me vizita jashtë shtetit, impenjimi kryesor i Veliajt është mënyra se si ai mund t’i shmanget banorëve. Në një kohë kur afera e 5 drejtorëve të bashkisë së tij “5D” po hetohet në përmbajtje si grup i strukturuar kriminal nga ana e SPAK dhe vetë kryebashkiaku dyshohet si një aksioner dhe bashkëpronar i një hoteli në qytetin e Durrësit, angazhimi më i pakuptimtë që Veliaj të shfaqet në faqet e lajmeve të propagandës së pushtetit (ATSH), ishte takimi me grupe turistësh që vizitojnë Tiranën. Sa e turpshme kur një administrator i lartë e shet traditën e mikpritjes me mashtrimin personal dhe kur përuron një  kioskë guide-turistike për 1 milion vizitor gjatë një muaji.
A mund të bëhen llogaritë sot edhe pse rezultatet e Censit u zbuluan?
Me këto shifra Veliaj është kryebashkiaku që përgjigjet për një popullsi 2 milionëshe.
A ka Tirana strehë, ujë, energji elektrike, infrastrukturë dhe higjenë për 2 milion njerëz në një kohë kur kreu i bashkisë ndodhet jashtë shtetit për 15 ditë së paku?
Ja pra pse këto sjellje janë përtej qesharakes. Me qenë se Rama si kryeministër iu drejtua Uashingtonit për Samitin e NATO-s, Veliaj nuk mund t’i mungojë faqeve të propagandës pa sajuar lajmet më të kota rreth vetes si për të treguar se është me plot vlera dhe përgjegjësi brenda elitës së Rilindjes Socialiste ku lufta për ekzistencë po shpërfaqet deri në ditët e ardhshme kur Kongresi i PS u shty edhe për një javë dhe do të mbahet më 27 Korrik.
Ky është viti i dytë i bumit turistik sipas Rilindjes dhe të blesh një propagandë të tillë të Velisë kur ATSH-ja thotë :-“Turistët e pranishëm u shprehën entuziastë për mikpritjen dhe për bukuritë që ofron Tirana. Ata vlerësuan ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në qytet dhe shprehën dëshirën për t’u kthyer përsëri”, kjo do të bën të kuptosh se kjo mënyrë qeverisje tallet 1 milion banorët e Tiranës që enden në rradhët e “kioskave” për të paguar faturat e energjisë elektrike, ujit, taksave për infrastrukturë, pastrim dhe gjelbërim të qytetit, shërbime që nuk ekzistojë nga shkollat, kopshtet, transporti dhe ku vetëm cilësia e ajrit është kthyer e padurueshme nga stina e nxehtë e verës.
Tirana është në krizë dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj qëndron në krye të përpjekjeve mashtruese pa ndjerë asnjë përgjegjësi dhe i pa rënduar moralisht nga dosjet e tija përballë drejtësisë për abuzime, përfitime të pandershme dhe korrupsion.

10 Korrik, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend