VOAL

VOAL

Japin miliona euro, Spanja i liron shqiptarët e kapur me heroinë

May 6, 2018

Komentet

Alarm në Detin e Zi! Sulmi me dronë fundos anijen tregtare pranë Bullgarisë, kryeministri: Shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar

BULLGARI – Kryeministri bullgar Rumen Radev ka dënuar ashpër sulmin me dronë detarë dhe ajrorë ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Zi, njëra prej të cilave është fundosur. Autoritetet vijojnë kërkimet për anëtarët e zhdukur të ekuipazhit, ndërsa deri më tani nuk është identifikuar përgjegjësi për sulmin.

“Një sulm i tillë brenda zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë është absolutisht i papranueshëm”, deklaroi Radev, duke e cilësuar ngjarjen si një shkelje flagrante të së drejtës detare.

Sipas kryeministrit bullgar, sulmi ndodhi rreth orës 03:00 me orën lokale, afërsisht 70 milje detare në lindje të qytetit të Byalës. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e lundrimit dhe rrezikun e përhapjes së mëtejshme të konfliktit në Ukrainë.

Radev paralajmëroi se, nëse lufta nuk merr fund, pasojat mund të shtrihen përtej kufijve të Ukrainës, duke shtuar rrezikun e një konflikti me përmasa globale.

Ai theksoi se sulmet po e vështirësojnë ndjeshëm lundrimin në Detin e Zi, po rrisin kostot e sigurimit dhe po krijojnë pasiguri për transportin detar ndërkombëtar.

BE-ja në mbështetje të Bullgarisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi sulmet ndaj anijeve civile dhe shprehu solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian me vendet anëtare në krahun lindor.

“Anijet tregtare dhe ekuipazhet e pafajshme po bëhen objektiv, ndërsa jetë njerëzish kanë humbur tashmë në det”, deklaroi ajo, duke e cilësuar situatën në Detin e Zi si gjithnjë e më shqetësuese.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për ekuipazhin e anijes së fundosur. Radev siguroi se përparësi mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore, pavarësisht se kujt i përkasin anijet që lundrojnë në zonën ekonomike bullgare.

Tensionet në Detin e Zi po rriten

Kryeministri bullgar paralajmëroi gjithashtu se Sofja nuk do të lejojë që bregdeti i vendit të vihet në rrezik. Ai përmendi edhe rastin e anijes së mallrave Emil, e goditur nga dronë rusë në gusht dhe që tashmë po zhvendoset drejt ujërave bullgare. Moska e kishte konfirmuar sulmin, duke pretenduar se anija transportonte pajisje ushtarake për Ukrainën.

Sulmi i fundit vjen një ditë pasi një anije mallrash në pronësi turke, e cila transportonte drithëra në Detin e Zi, u godit nga të paktën një dron, mori flakë dhe u fundos.

Autoritetet bullgare kanë mbledhur një takim të jashtëzakonshëm me përfaqësues të ministrive të Mbrojtjes, Brendshme, Transportit dhe Mjedisit, si dhe të shërbimeve të sigurisë, për të vlerësuar situatën dhe rreziqet për vendin.

Për momentin, asnjë palë nuk është fajësuar zyrtarisht për sulmin ndaj dy anijeve, ndërsa zhvillimet e fundit shtojnë shqetësimet për sigurinë e transportit tregtar në Detin e Zi.bw

BE shënjestron industrinë ushtarake ruse, miratohen 1600 sanksione ndaj Moskës

Këtë mëngjes, shefja e politikës së jashtme të BE-së ka konfirmuar se unioni ka miratuar gati 1,600 sanksione të reja kundër Rusisë.

Kaja Kallas tha se ata po synonin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, duke shtuar: “Më shumë se gjysma janë të lidhura me zinxhirin e prodhimit për raketa balistike.”

Ministrat e jashtëm të BE-së ratifikuan këtë mëngjes një marrëveshje që ishte arritur të mërkurën e kaluar.

“Sot, ne do të miratojmë gati 1,600 lista të reja sanksionesh që synojnë kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë. Ky do të jetë zgjerimi më i madh i listës sonë të sanksioneve që kur Rusia filloi luftën e saj. Ne gjithashtu mirëpresim armëpushimin energjetik, kur të jetë në fuqi. Por ende nuk e kemi parë nëse Rusia do ta zbatojë atë”, u shpreh ajo. bw

Informacione për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, mobilizim i madh i autoriteteve polake

Policia polake ka marrë informacione për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz. Lajmi u bë i ditur të dielën nga zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Karolina Gałecka.

Në një postim në platformën X, zëdhënësja bëri të ditur se ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, dhe ministri-koordinator i Shërbimeve Speciale, Tomasz Siemoniak, kanë urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve për trajtimin e kësaj çështjeje.

“Pas informacioneve të marra nga policia polake për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński dhe ministri-koordinator i Shërbimeve Speciale, Tomasz Siemoniak, urdhëruan marrjen e masave për këtë çështje”, shkroi Gałecka.

Ajo njoftoi gjithashtu se të dielën, në orën 11:00, do të zhvillohet një mbledhje në Qendrën Kundër Terrorizmit të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme (ABW).

Ky njoftim vjen në një periudhë kur autoritetet polake ndodhen në gjendje të shtuar gatishmërie, pas një serie sulmesh të dhunshme në shkollat e vendit. Panorama

Anëtarët e rinj të BE-së, 15 vite provë: Nëse mashtrojnë, humbin fondet dhe votën

Anëtarët e rinj të Bashkimit Europian mund t’i nënshtrohen një periudhe 15-vjeçare mbikëqyrjeje të posaçme pas anëtarësimit, gjatë së cilës mund të përballen me pezullim fondesh apo edhe të drejtash vote në rast të shkeljeve serioze të shtetit të së drejtës.

Komisioni Europian prezantoi të martën një paketë të re propozimesh që parashikon forcimin e mekanizmave mbrojtës për vendet që do t’i bashkohen BE-së në të ardhmen, si dhe procedura të reja për integrimin gradual të vendeve kandidate.

Masa synon të shmangë situatat kur ndryshimet politike në një shtet të sapoanëtarësuar mund të bllokojnë apo cenojnë procesin vendimmarrës të Bashkimit Europian.

“Jam kritikuar shumë kur thashë për herë të parë se nuk dua të shoh kuaj të rinj trojanë në Bashkimin Europian. Kjo ishte ende para zgjedhjeve në Hungari. Sot mund të them: jo më Viktor Orbán”, deklaroi Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Mekanizma më të fortë mbrojtës

Në qershor, pesë vende themeluese të BE-së kërkuan forcimin e garancive në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, në mënyrë që rastet e regresit demokratik dhe shkeljeve të vlerave europiane të trajtohen më shpejt.

Komisioni po e çon tashmë përpara këtë ide, duke argumentuar se përvoja me Hungarinë ka treguar kufizimet e nenit 7 të Traktatit të BE-së. Ky nen lejon pezullimin e disa të drejtave të një shteti anëtar që shkel vlerat e Bashkimit, por procedura konsiderohet e ngadaltë dhe jo gjithmonë efektive.

Për këtë arsye, propozohet një mekanizëm i ri që do të funksiononte paralelisht me nenin 7. Ai mund të përdorej për të pezulluar fondet europiane dhe, në rastet më të rënda, të drejtën e votës për vendet e reja anëtare që veprojnë kundër shtetit të së drejtës, vlerave të BE-së apo parimit të bashkëpunimit të sinqertë.

Komisioni e konsideron qëndrimin e Hungarisë ndaj Ukrainës si një nga shembujt më të qartë. Budapesti ra dakord që Ukrainës t’i jepej statusi i vendit kandidat, por më pas bllokoi avancimin e procesit.

“Pasi biem dakord për një objektiv, të gjithë duhet të punojmë për të njëjtin objektiv”, tha Kos.

Mekanizmi i ri do të mund të përdorej për një periudhë prej 15 vjetësh pas anëtarësimit dhe vetëm në raste shkeljesh serioze që ndikojnë në funksionimin e Bashkimit Europian.

Masat do të ishin proporcionale, ndërsa pezullimi i të drejtës së votës do të rezervohej vetëm për shkeljet më të rënda.

Procedura mund të nisej nga Komisioni Europian ose nga disa vende anëtare, ndërsa vendimi përfundimtar do t’i takonte Këshillit. Propozimi nuk përcakton ende se me çfarë shumice do të merrej një vendim i tillë.

Mekanizmat mbrojtës nuk janë një praktikë e re në procesin e zgjerimit. Traktatet e mëparshme të anëtarësimit kanë përfshirë klauzola të ngjashme për mangësi serioze në zbatimin e rregullave të tregut të brendshëm, drejtësisë dhe ekonomisë.

Komisioni kërkon që këto klauzola, të cilat në të kaluarën kanë zgjatur tre vjet, të kenë një afat më të gjatë, pa përcaktuar ende kohëzgjatjen.

Në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, Komisioni kërkon gjithashtu që vendet e reja të angazhohen që të mos përdorin kërkesën për unanimitet në çështjet e zgjerimit për të zgjidhur mosmarrëveshje dypalëshe.

Shembulli më i fundit i përmendur është Bullgaria, e cila vijon të bllokojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, përfshirë kërkesën e Sofjes për ndryshime kushtetuese.

Një pjesë e këtyre propozimeve do të kërkojë miratimin e vendeve anëtare. Megjithatë, Komisioni synon që mekanizmat e rinj mbrojtës t’i përfshijë që në fillim të nëntorit në qëndrimin e BE-së për kapitullin e fundit negociues të Malit të Zi.

Integrimi gradual para anëtarësimit

Komisioni Europian ka përfshirë në paketë edhe idenë e “integrimit gradual”, të propozuar më herët nga Franca dhe Gjermania.

Synimi është që vendet kandidate të mund të përfitojnë nga disa elemente të anëtarësimit përpara se të bëhen zyrtarisht pjesë e BE-së.

“Kjo nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Synimi është vetëm që vendet që performojnë mirë të mund të integrohen më herët në ato politika apo sisteme të Bashkimit Europian ku kanë bërë përparim”, tha Kos.

Integrimi gradual do të zbatohej në fusha ku përfitojnë si vendet anëtare, ashtu edhe vendet kandidate. Si shembuj përmenden siguria e zinxhirëve të furnizimit dhe siguria energjetike.

Vendet kandidate mund të përfshihen më herët në programe europiane si Erasmus+ dhe Horizon Europe, të marrin mbështetje nga agjenci si Frontex, të integrohen pjesërisht në tregun e përbashkët, të përfshihen në projekte lidhshmërie dhe të marrin status vëzhguesi në grupe ekspertësh dhe institucione të ndryshme europiane.

Parashikohet edhe një formë më e avancuar integrimi për vendet që janë në përputhje me Brukselin në çështjet strategjike dhe përmbushin kriteret e shtetit të së drejtës.

Komisioni pranon se disa forma integrimi të hershëm ekzistojnë tashmë, por synimi është që procesi të bëhet më sistematik dhe të përshtatet sipas secilit vend kandidat, përmes dialogut të strukturuar dhe financimit të posaçëm.

Kontrollet para anëtarësimit

Në pjesën që lidhet me qeverisjen, Komisioni kërkon që raportet vjetore për shtetin e së drejtës të shtrihen në më shumë vende kandidate dhe që rekomandimet për përafrimin me standardet demokratike të BE-së të bëhen më konkrete.

Synimi është forcimi i institucioneve të pavarura që zbatojnë ligjin dhe përgatitja e vendeve kandidate që, sapo të anëtarësohen, të mund të marrin pjesë menjëherë në Zyrën e Prokurorit Publik Europian.

Në rast se shfaqen probleme serioze gjatë procesit, mund të merren masa deri në shtyrjen e datës së anëtarësimit.

Brukseli synon gjithashtu të testojë para anëtarësimit kapacitetet e vendeve kandidate për zbatimin e rregullave në fusha prioritare si menaxhimi i kufijve, mbikëqyrja e tregut të përbashkët, standardet e sigurisë ushqimore, rrjetet e transportit dhe menaxhimi i fondeve të kohezionit.

Në fusha si bujqësia dhe lëvizja e fuqisë punëtore do të negociohen periudha tranzitore të posaçme.

Para anëtarësimit do të kontrollohen gjithashtu procedurat e prokurimit publik, auditimi i pavarur dhe kapacitetet kundër mashtrimit./Monitor

BE: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Protesta para miratimit të ndryshimeve për Specialen në Kuvendin e Kosovës, më 6 tetor 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, sipas zyrtarëve të Brukselit, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Ligji u votua natën e së martës, pak para se Kuvendi të zgjidhte Justina Shiroka Pulën në krye të shtetit të Kosovës, që u përshëndet nga Brukseli.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujtoi se Brukseli e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si institucion i pavarur gjyqësor, dhe këmbënguli që mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, theksoi Wiegand.

Duke iu referuar kësaj deklarate, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë që nisi iniciativën për ndryshimin e ligjit – Përparim Gruda, insistoi se Kosova nuk po shkel detyrimet e veta ndërkombëtare.

“Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, tha Gruda gjatë një konference për media.

Ai përsëriti deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar, kur kishte thënë se i takon Kosovës të vendosë për ndryshimet në legjislacion, por që duhet të garantohet pavarësia e Gjykatës Speciale.

Nga ana tjetër, BE-ja përshëndeti daljen nga bllokada institucionale, që e kishte mbërthyer Kosovën që nga viti 2025, me zgjedhjen e shefes së shtetit. Brukseli tha se pret rikthimin e stabilitetit institucional, i cili, sipas tij, do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja.

Zëdhënësi i BE-së rikujtoi, gjithashtu, se Kosovën e pret punë e rëndësishme. Këtu përfshihen reformat e lidhura me Planin e Rritjes dhe Reformave, zbatimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe përparimi në bashkëpunimin rajonal dhe në integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.

“Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, nënvizoi Wiegand.

Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Shiroka Pulën presidente të re në minutat e para të 7 tetorit. Zgjedhja erdhi pas një marrëveshjeje politike të arritur në minutën e fundit, e cila siguroi edhe votat e deputetëve për ndryshimet ligjore që kufizojnë kompetencat e asaj që njihet si Gjykata Speciale.

Para votimit për presidenten, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e përmbyllur kështu procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë.

Seanca e jashtëzakonshme u thirr në orët e vona të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet që Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente. Kjo ndodhi pas një dite të tërë pa rrugëdalje mes partive. Ndërkohë, protestat kundër ndryshimeve në ligj vazhduan edhe më 6 tetor, një ditë pasi ishte arritur deri te përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Dhomat kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi.

Tronditet Gjermania- Arrestohet ish-shefi i shërbimit sekret, dyshohet se ishte informator i rusëve

Hetuesit e akuzojnë ish-presidentin e BND-së, August Hanning, për nxjerrjen e sekreteve shtetërore. Sipas informacioneve të WELT, prej vitesh ekzistonte dyshimi se Hanning mund të ishte një informator i shërbimit sekret rus.

WELT

Ish-presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh, sipas informacioneve të WELT. Përveç Hanningut, është arrestuar edhe një ish-bashkëpunëtor i tij i afërt.

Sipas informacioneve, ndaj ish-kreut të shërbimit sekret po zhvillohen hetime nën dyshimin për tradhti ndaj shtetit, për nxjerrje të sekreteve shtetërore dhe për veprimtari agjenturore të shërbimit sekret në favor të një fuqie të huaj.

Sipas një raportimi të gazetës “Bild”, Hanningu dyshohet se ka blerë informacione sekrete nga një ish-punonjës i stafit drejtues të BND-së. Sipas raportimit, këto informacione ishin të destinuara për të ashtuquajturën “Situata e Inteligjencës” në Kancelarinë Federale. Sipas gazetës, synimi i Hanningut ishte t’i rishiste këto dokumente në kuadër të një veprimtarie të mëvonshme këshillimore.

Prokurori i Përgjithshëm Federal po zhvillon hetime ndaj Hanningut dhe ish-punonjësit të BND-së.

Sipas informacioneve, autoritetet ranë në gjurmët e transferimit të dyshuar të informacioneve gjatë hetimeve për rrëmbimin e fëmijëve të sipërmarrëses Christina Block.

Sipas informacioneve të WELT, prej vitesh ekzistonte dyshimi se Hanning mund të ishte një informator i shërbimit sekret rus. Këtë e kishte pretenduar edhe një ish-agjent.

Hanningu e kishte hedhur poshtë vazhdimisht këtë pretendim në deklaratat për WELT, duke e cilësuar si absurditet. sn

Gjermania dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje të reja për mbrojtjen, paketë mbështetjeje 1.3 miliardë euro

Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të re mbështetjeje me vlerë mbi 1.3 miliardë euro, që përfshin ndihmë ushtarake dhe mbështetje për sektorin energjetik.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur marrëveshjen pas takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Sipas tij, paketa synon të forcojë mbrojtjen e Ukrainës dhe sektorin energjetik përpara dimrit.

Merz konfirmoi se rreth 1 miliard euro do të shkojnë për ndihmë ushtarake, ndërsa rreth 350 milionë euro do të përdoren për mbështetjen e energjisë.

Zelenskyy tha gjithashtu se gjatë vizitës janë nënshkruar 15 marrëveshje dhe dokumente, kryesisht në fushën e sigurisë, prodhimit dhe bashkëpunimit industrial, me një vlerë totale prej mbi 8.5 miliardë eurosh.

Ndërkohë, Ukraina dhe Gjermania kanë nënshkruar edhe një marrëveshje të veçantë për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër dronëve. bw

Kancelari gjerman bën një vizitë surprizë në Kiev, dëgjohen shpërthime! Merz: Makineria ushtarake ruse mund të kthehet edhe te vende të tjera

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur në Kiev në një vizitë të papritur, në një kohë kur kryeqyteti ukrainas është nën kërcënimin e sulmeve të reja ajrore ruse.

Pak pas mbërritjes së tij në Kiev, në qytet u dëgjuan shpërthime. Më herët ishin aktivizuar sirenat e alarmit ajror dhe autoritetet kishin paralajmëruar për praninë e dronëve rusë në hapësirën ajrore mbi kryeqytet.

Pas mbërritjes, Merz deklaroi se kishte udhëtuar drejt Kievit për t’i shprehur Ukrainës mbështetjen e Gjermanisë në një periudhë të rëndësishme të luftës.

“Jam në Kiev sepse Ukraina ka nevojë për të gjithë mbështetjen tonë në javët e ardhshme”, tha kancelari gjerman në një deklaratë.

Merz theksoi se mbështetja gjermane për Ukrainën do të vazhdojë dhe se këtë mesazh do t’ia përcjellë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Do t’i them presidentit Volodymyr Zelensky: Mund të vazhdoni të mbështeteni në ndihmën tonë”, u shpreh ai.

Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet vazhdimi i luftës, duke deklaruar se, nëse Rusia nuk ndalet, makina e saj ushtarake mund të kthehet në të ardhmen kundër vendeve të tjera. Panorama

Kandidati për president në Austri: Nëse zgjidhem, do rikthej përkrenaren e Skënderbeut në Krujë

Günther Fehlinger-Jahn

AUSTRI- Günther Fehlinger-Jahn ka njoftuar kandidaturën e tij për postin e Presidentit Federal të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028. Kryetari i “Austrian Committee for NATO Enlargement” ka publikuar një video nga Muzeu i Vjenës, ku ka bërë një premtim të veçantë për Shqipërinë. Fehlinger-Jahn shprehet se, nëse do të zgjidhej president, do të punonte për rikthimin në Krujë të armëve dhe përkrenares së Skënderbeut.

“Si President i Austrisë, zotohem se do të rikthej në Krujë, Shqipëri, përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut, për të nderuar Mbretin Skënderbe,” shkruan Fehlinger-Jahn.

Fehlinger-Jahn, ekonomist dhe aktivist austriak, është prej vitesh një zë publik në favor të zgjerimit të NATO-s dhe BE-së, me fokus të veçantë te Ballkani Perëndimor. Ai është mjaft aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh komenton zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Serbi, si dhe çështjet që lidhen me Rusinë, Ukrainën, NATO-n dhe Bashkimin Evropian./Dosja.al

Brukseli ofron treg të përbashkët nëse vendet kandidate të BE-së “janë të gatshme njëmend”

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një tregu të përbashkët për nëntë shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tregu parashihet në propozimin për ndryshimin e politikës së zgjerimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, dhe miratimi ose publikimi i të cilit pritet më 6 tetor, pas takimit njëjavor të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg.

Tregu i përbashkët për vendet kandidate përshkruhet si “instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike”.

Qasja në këtë treg, hapësira e përbashkët e BE-së në të cilën mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali qarkullojnë lirshëm, deri tani ka qenë plotësisht e mundur vetëm pas anëtarësimit formal.

Megjithatë, që këto propozime, ose disa prej tyre, të hyjnë në fuqi, nevojitet miratimi formal dhe pajtueshmëria e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Dokumenti do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike ndërmjet liderëve të BE-së në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel dhe do t’i kushtohet zgjerimit të BE-së.

Vendet kandidate janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Treg përbashkët, por me kushte

Qasja në tregun e përbashkët nuk ofrohet automatikisht, por lidhet qartë me përparimin konkret të vendeve kandidate në procesin e reformave.

“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet, ndër të tjera, në draft-dokumentin e Komisionit Evropian.

Sipas dokumentit, instrumentet ekzistuese do të zgjeroheshin gradualisht, në përpjesëtim me shkallën në të cilën secili vend është realisht i gatshëm.

Dokumenti parashikon gjithashtu mekanizma mbrojtës kundër “ngecjes” në reforma, që do të thotë se qasja e fituar një herë nuk është domosdo e përhershme.

Megjithatë, dokumenti nuk përmban kritere të sakta, afate kohore apo rrethana të përcaktuara qartë se në cilat kushte qasja mund të pezullohet.

Çfarë ofrohet dhe çfarë ekziston tashmë?

Propozimet e reja të Komisionit Evropian parashikojnë përfshirjen e hershme të vendeve kandidate në sektorë të përzgjedhur, veçanërisht në fushën e teknologjive kritike, ekosistemeve industriale, integrimit financiar dhe zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit.

Propozohet gjithashtu pjesëmarrja në programin “Horizont Evropa”, programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, si dhe në projekte të rëndësishme me interes të përbashkët evropian.

Megjithatë, disa nga ofertat në këtë dokument tashmë janë në dispozicion të vendeve kandidate dhe vendeve potenciale anëtare. Kjo, ndër të tjera, vlen për zonën e përbashkët të pagesave në euro (SEPA) dhe heqjen e tarifave të roamingut.

SEPA tashmë është në dispozicion për shumicën e vendeve kandidate. Pesë vende, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, i janë bashkuar zyrtarisht SEPA-s.

Situatë e ngjashme është edhe me ofertën që lidhet me heqjen e tarifave të roamingut. Ukraina dhe Moldavia e përdorin këtë regjim që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Komisioni Evropian planifikon që vitin e ardhshëm heqjen e tarifave ta zgjerojë edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Cili është përfitimi nga tregu i përbashkët?

Përfitimet e integrimit evropian do të vinin shumë më herët se vetë anëtarësimi, thotë Korina Stratulat, zëvendësdrejtore në Qendrën për Politika Evropiane.

“Megjithatë, oferta duhet të jetë po aq e qartë sa edhe kushtet: çfarë qasjeje sigurojnë kandidatët, kur e sigurojnë atë dhe çfarë do ta justifikonte pezullimin e saj. Kandidatët duhet ta dinë se çfarë do t’u mundësojë përmbushja e kushteve, dhe jo vetëm se sa mund t’u kushtojë mos përmbushja e tyre”, thotë Stratulat për REL-in.

“Integrimi gradual duhet të mbetet rrugë drejt anëtarësimit, dhe jo një dhomë pritjeje e përhershme”, theksoi ajo.

Oferta për qasje në tregun e përbashkët lidhet gjithashtu me Marrëveshjen ekzistuese të Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilën secili vend kandidat e ka me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje përbën kornizën ligjore për afrimin gradual të vendeve kandidate me tregun e përbashkët.

Të dyja sistemet bazohen në heqjen e pengesave tregtare, përafrimin e rregullave dhe standardeve me rregullat e BE-së dhe përfshirjen graduale të vendeve kandidate në hapësirën ekonomike evropiane.

MSA-ja u mundëson kështu vendeve kandidate që, edhe para anëtarësimit të plotë, të përfitojnë nga një pjesë e përfitimeve ekonomike të integrimit, ndërsa njëkohësisht i përgatit ato për integrimin e plotë në tregun e përbashkët.

Çfarë tjetër ofrohet?

Qasja në tregun e përbashkët është vetëm një pjesë e dokumentit të gjerë, në të cilin Komisioni Evropian paraqet propozime të reja, nga të cilat del se vendet e ardhshme anëtare, në momentin e anëtarësimit, nuk do të gëzojnë domosdo të njëjtat të drejta si shtetet aktuale anëtare.

Elementi më i ndjeshëm i draftit lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, e cila në dokument përshkruhet në mënyrë simbolike si “angazhim i përkohshëm në lidhje me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.

Sipas këtij propozimi, vendet e ardhshme anëtare do të angazhoheshin që të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet njëzëshmëri.

Shteteve anëtare u propozohet që në një numër të caktuar fushash, përfshirë zgjerimin, të kalojnë nga vendimmarrja unanime në vendimmarrje me shumicë të cilësuar.

Sipas propozimit, vendimet për hapjen ose mbylljen e kapitujve të negociatave do të merreshin me shumicë të cilësuar, ndërsa vendimi për pranimin e një anëtari të ri do të vazhdonte të merrej në mënyrë unanime.

Ku janë dobësitë e ofertës?

Në “çekuilibër”, është e bindur Korina Stratulat.

“Për kandidatët vendosen kushte të rrepta, ndërsa Bashkimit, në përgjithësi, i ofrohen mundësi dhe jo detyrime”, thekson Stratulat.

Ajo vlerëson se përdorimi më i mirë i marrëveshjeve ekzistuese ka kuptim, por vetëm renditja e instrumenteve nuk është e njëjtë me një detyrim që ato do të përdoren.

“BE-ja duhet të thotë se çfarë do të ndryshojë, kush do ta zbatojë dhe brenda cilit afat. Përndryshe, kushtet më të rrepta për anëtarësim rrezikojnë të bëhen zëvendësim për zgjidhjen e dobësive të vetë Bashkimit”, deklaroi ajo.

Ukraina përdor për herë të parë raketën balistike FP-7, Zelensky publikon pamjet

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar përdorimin e parë luftarak të raketës balistike taktike ukrainase FP-7, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve raketore të vendit.

Sipas agjencisë Ukrinform, Zelensky e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook, ku publikoi edhe një video që, sipas tij, tregon përdorimin e raketës.

 

“Raketa balistike taktike ukrainase. FP-7. Përdorimi i parë luftarak. Faleminderit për rezultatin. Hapi tjetër: prodhimi”, deklaroi Zelensky.

Njoftimi vjen në një kohë kur Ukraina po përpiqet të zgjerojë kapacitetet e saj të prodhimit të armëve dhe raketave, me synimin për të reduktuar varësinë nga furnizimet e huaja.

Më herët, Zelensky kishte deklaruar se forcat ukrainase kishin goditur një sërë objektivash, përfshirë pika në Detin e Zi, një vend për lëshimin dhe magazinimin e dronëve sulmues në rajonin e Oryolit në Rusi, një objekt nafte në rajonin e Samarës dhe një depo furnizimi të forcave ruse në rajonin e Bryanskut.

Pretendimet për goditjet dhe efektet e tyre janë deklarata të palës ukrainase dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. bw

Ambasadori Britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves: Dënimet e fundit nuk janë në asnjë mënyrë një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj

Deklaratë e Ambasadorit Britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves:

“Në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin këtu në Han të Elezit si pjesë e misionit të NATO-s të autorizuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së për të ndaluar spastrimin etnik dhe dhunën kundër popullsisë civile në Kosovë. Politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuara mirë në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, shprehu vazhdimisht shqetësimin e tij të thellë për situatën e rëndë humanitare. Millosheviq refuzoi të gjitha ofertat për paqe, duke përshpejtuar fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe veprimin e NATO-s në Kosovë.

Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë. Ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësi ndërkombëtare, llogaridhënie dhe respekt për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Kosova mori vendimin e vështirë për të krijuar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të shquara në organizatat që ishin qendrore në luftën e saj çlirimtare. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për rajonin në tërësi.

Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera kundër viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato nuk janë në asnjë mënyrë një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me forcë. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre.

Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj të vërtetës rreth Ballkanit Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjithë rajonin dhe ndërkombëtarisht në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet.”


Send this to a friend