Viti 1943 shënon një nga kthesat më dramatike në historinë e Shqipërisë. Vendi rrëshqiti drejt një konflikti të brendshëm, pasojat e të cilit do të ndiheshin për dekada me radhë.
Grisja e Marrëveshjes së Mukjes dhe zhvillimet që pasuan pas Konferencës së Labinotit në shtator të atij viti, vulosën fillimin e një përplasjeje të hapur mes shqiptarësh. Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të emisarëve jugosllavë, si Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, udhëheqja komuniste shqiptare e orientoi strategjinë e saj drejt eliminimit të kundërshtarëve të brendshëm politikë. Në këtë klimë përshkallëzimi, lufta ideologjike dhe politike u shndërrua në një konflikt të përgjakshëm, ku armiku kryesor nuk ishte më pushtuesi, por kundërshtari politik shqiptar.
Dokumentet e kohës tregojnë qartë ndryshimin e prioriteteve. Në një letër drejtuar Enver Hoxha, më 3 tetor 1943, Koçi Xoxe shprehej hapur se goditjet ndaj kundërshtarëve po vazhdonin “këmba-këmbës për shfarosje”, ndërsa lufta ndaj gjermanëve mbetej në plan të dytë. Ky formulim nuk ishte thjesht retorikë, por një tregues i qartë i një strategjie që po merrte formë në terren. Ngjarjet e zhvilluara në Lushnjë, në tetor 1943, janë një nga dëshmitë më tronditëse të këtij realiteti.
Më 21 tetor 1943, forcat partizane të Brigadës së Parë, nën komandën e Mehmet Shehu dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë të Dushan Mugosha, u përplasën me forcat e Ballit Kombëtar në zonën e Golemit, në Lushnjë. Forcat nacionaliste, të drejtuara nga figura si Isa Manastirliu, Hamit Matjani, Tefik Sfiri dhe Hajdar Cakrani, përbëheshin nga rreth 400 luftëtarë. Pas përplasjes, një pjesë e tyre u vra në betejë, ndërsa dhjetëra të tjerë u kapën robër. Këtu fillon edhe një nga episodet më të errëta të asaj periudhe. Brigada I sulmoi forcat nacionaliste të komanduara nga Tefik Cfiri dhe Isa Manastirliu, dy komandantë të çetave të Ballit Kombëtar që kishin marrë pjesë në luftimet kundër pushtuesve italianë, bashkë me forcat nacionalçirimtare, Tefiku në Mallakastër, në bashkëpunim me Mehmet Shehun dhe Isai në luftën e përbashkët të Qafë-Shtamës, nën komandën e Abaz Kupit, në 4-5 gusht 1943, pra, një ditë pas Marrëveshjes së Mukjes. Por krerët komunistë e prishën këtë marrëveshje dhe i kthyen pushkët kundër atyre, me të cilët deri atëherë kishin bashkëpunuar kundër okupatorëve. Mehmet Shehu shkruante: “U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë”. (AQSH fondi 41 v.1943 D.32).
“GJYQI” DHE EKZEKUTIMET
Sipas dëshmive dhe dokumenteve të kohës, robërit iu nënshtruan një gjyqi të përshpejtuar, i cili nuk përmbushte as standardet minimale të drejtësisë. Vetë Mehmet Shehu, në një letër drejtuar Shtabit të Përgjithshëm, pranon se vendimi për ekzekutimin u mor nga një trupë e vogël, e përbërë prej tij dhe dy të tjerëve. Rezultati ishte tragjik, dhjetëra robër sipas burimeve rreth 60 deri në 80 u pushkatuan. Në letrën e tij, Shehu shpreh edhe një reflektim të vonuar, duke e cilësuar vendimin si të tepruar dhe duke pranuar se kishte vepruar nën ndikimin e emocioneve dhe urrejtjes së momentit.
Megjithatë, ky pranim nuk e zhbën faktin se ekzekutimet u kryen dhe se ato përbëjnë një akt të rëndë në historinë e konfliktit të brendshëm shqiptar. Historiani i njohur Uran Butka ka mbledhur dëshmi rreth masakrës teksa I është referuar edhe një dëshmitari okulal. Sipas dëshmive të Xh.Staraveckës, i pranishëm në këtë masakër kolektive, pushkatimet u urdhëruan nga Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha, i cili ishte i plotfuqishëm në Brigadën I. Fiqrete Sanxhaktari (Shehu) ndikoi tek Mehmeti për të hequr nga rreshti i ekzekutimit 10 “lafshëpaprerë”, meqenëse balanca rëndonte nga ortodoksët, për t’i bërë qejfin Dushanit. Me gjithë 12 të vrarët në përpjekje dhe tre të tjerëve që Mehmet Shehu i mori me vete dhe i pushkatoi, numri i këtyre viktimave arriti në rreth 80 vetë. Prej katundit Remas: Rako Nako, Bani Lika, Ramë Koçi, Prof Gjata, Qazim Pina. Kryekuq: Murat Malsori, Hysen Ismaili, Osman Plaku, Hamdi Çoku, Shyqyri Leka. Shënkollas: Tafil Doka, Daut Gjata, Haxhi Dedej. Grabian: Ndin Ndoni, Gaqo Ndoni. Çiflig: Beqir Cani, Sabri Bullari, Tafil Llusha, Roç Llusha, Ymer Bullari, Haxhi Sina, Arif Halili. Prej katundit Kalosh: Shemsi Arapi, Cen Arapi, Nazif Qylafi. Prej katundit Gur: Selim Kuqi, Til Bello.
Shënepremte: Haxhi Murrizi, Kadri Murrizi, Avni Murrizi, Hysen Murrizi, Ismail Murrizi. Sulzotaj: Trifon Gjeko, Alush Kasemi, Met Kasemi, Prej katundit Biçak: Asllan Vrapi, Elmas Xhepa, Arif Muça, Rakip Xhepa, Bajram Agushi, Shaqir Sula, Çaush Xhepa, Shaban Sina, Haxhi Sina dhe Ndoni Sako, Fani Trungu, Gori Todi, Jani Gjeka, Jorgji Gjoni, Jorgji Lala, Kozma Zhuka, Ibrahim Luzha, Nasi Zhuka, Koli Tashi, Kristo Shkoza, Loni Bita, Llazi Prifti, Lili Shkoza, Mihal Bita, Nasi Janko, Nasi Sako, Nasi Zaho, Perikli Prendi, Pali Zaka, Ristan Bani, Simon Gjini, Stefan Prendi, Todi Gjurgji, Vasil Përboti, Myslim Bedalli, Bajram Jeshili, Mehdi Pirra, Ruho Nako, Hysen Dupi, Latif Karafili, Muharrem Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Isuf Buzi, Ramazan Kofsha, Shefik Tota, Gori Lala e të tjerë. (AQSH F.41 v.1943 d.32 dhe “Gjëmat e komunizmit”). Vllas Arapi (Pelivani), kuadër i Brig.I, që erdhi pas masakrës, i tha Mehmetit: “Këta pushkatove ti? Trimëri të madhe paske treguar”! M. Shehu iu përgjigj: “Kjo s’është asgjë, me ato që kam parë unë në luftën e Spanjës. Atje janë derdhur lumenj gjaku…” F. Arapi, Kush ishte Vllas Arapi. Tiranë 2000). Në këtë përgjakje të luftës civile, ishte politika e PKJ dhe dora e emisarëve të saj M.Popoviç dhe D.Mugosha.
“Dy sërbët e mallkuar, që rinin në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, sot fërkojnë duart kur shohin se propaganda e tyre, për të cilën ishin dërguar, e bëri punën. Ah, ç’mjerim! Popullin shqiptar e hodhën në vëllavrasje”- thuhet në një dokument të asaj kohe.(AQSH F.270 d.11 v.1943). Ngjarja e Lushnjës pati një jehonë të menjëhershme. Vetëm pak ditë më vonë, Balli Kombëtar reagoi me një trakt ku deklarohej se “vëllavrasja kishte filluar”. Ky nuk ishte më një paralajmërim, por një realitet i prekshëm. Masakra e Lushnjës mbetet një nga ato ngjarje që ngre pyetje të forta mbi kufirin mes luftës dhe krimit, mes drejtësisë dhe hakmarrjes, mes idealit dhe realitetit.
LETRA E MEHMET SHEHUT
Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
Kur ishim në Dumre, unë u nisa me 2 batalione të brigadës dhe me 3 mortaja për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirlliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit e Hajdar Cakranit. Kur shkova pranë Lushnjës ballistët ishin në Myzeqe, kështu bëmë përgatitjet për t’i rënë Lushnjës. Porse para se t’i binim Lushnjës me forcat e Brigadës dhe të Lushnjës, Isa Manastirlliu na doli befas nga krahu i djathtë për të marrë krahët neve ndërsa Hamit Matjani mendonte të na merrte krahun e majtë nga Kosova. Neve u detyruam t’u përgjigjemi menjëherë. U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballistë: 172 robër, 10-15 të vrarë. Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës vendit Lushnjës dhe një partizani të batalionit të parë të brigadës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për Brigadë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur.
Me të vërtetë që ballit i u dha një grusht i fortë me ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij (çerdhe të Hamit Matjanit dhe luftëtarë kundër nesh, me armë, kusarë, kriminelë e grabitës të popullit), porse mua më duket se kam qenë gabuar, kemi ekzekutuar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkatimi i 15-20 ballistëve nga më përgjegjësit. Porse këtë radhë gabimi, faji kryesor është imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe, deri diku, të 2 anëtarët e tjerë kanë qenë influencuar prej meje. Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qesh i mendimit për këtë masë të pamasë! Kjo ka rrjedhur edhe nga shkaku se unë isha vetëm dhe shokët e tjerë të shtabit brigadës ishin larg, s’munda të këshillohesha me ta sepse s’premtonte koha. Sikur shtabi i brigadës të qe i gjithë pranë gjyqit, sigurisht që nuk do mbërrinin në ato përfundime. Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do ta zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem më i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çasteve që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.
Të fala shoqërore, Komandanti i brigadës I V.F.L.P. 30.x.1943
LETRA E ENVER HOXHËS MË 5 NËNTOR 1943
I dashuri shok Mehmet,
Veçanërisht jemi të gëzuar për sukseset e Brigadës sonë Nacional-Çlirimtare. Brigada e jonë e I, dita-ditës po shkon në rrugën e vërtetë që i ka caktuar Shtabi i Përgjithshëm.
Komunikatat e juaja i presim me pa durim pse e dimë që Brigada e I gjatë udhëtimit të saj, i jep grushte të forta okupatorit Gjerman dhe tradhtarëve të vendit tonë. Si kurdoherë dhe kësaj radhe sukseset e Brigadës kundër Gjermanëve kanë qenë të dukshme dhe shokët gjatë përpjekjeve kanë fituar eksperiencën e duhur dhe ashpërsinë e urrejtjen kundër armikut. Rruga e saj do të jetë pa tjetër e lavdishme për nderin e madh të ushtrisë sonë Nacional Çlirimtare dhe për triumfin e çështjes sonë të shenjtë. Përmes teje, u shprehim gjithë shokëve të Partisë në Brigadë përgëzimet tona dhe ju urojmë që në të ardhmen ata të bëjnë dhe më shumë, ata të jenë kurdoherë në radhën e parë të luftës, të jenë shëmbëlla e heroizmës, e pjekunis politike, e gjakftohtësisë, të jenë ushtarët e denjë të çështjes së madhe dhe të Partisë sonë të dashur. Në përpjekjen që bëri brigada me forcat e reaksionit, si kundër që thoni në raportin që i çoni Shtabit të Përgjithshëm, kini zënë mjaft robër dhe pasi i keni gjykuar kini ekzekutuar 65 prej tyre. Ky xhest e errëson tablonë. Ky ekzekutim, shoku Mehmet si kundër që e njeh dhe vetë në letrën që i çon shtabit, është i tepruar dhe pa vend dhe shumë i gabueshëm pse në vend që të na sjedhij fitime, na dëmton.
Duhet të kemi parasysh se katundarët që ndodhen në çetat e Ballit janë elementa të pafajshëm, të pasqaruar dhe viktima. Me këta duhet të sillemi më ndryshe, është detyra e jonë, si ushtarë të drejtësisë që jemi, duhet t’ju flasim këtyre njerëzve, t’i këshillojmë të gjejnë rrugën e drejtë, të dezertojnë radhët e okupatorit e të tradhtarëve. Por jo t’i ekzekutojmë në masë. Ekzekutimi të rezervohet vetëm për ata që me koshiencë të plotë bëjnë lodrën e armikut dhe të gjithë ata që grabisin e gjakosin popullin. S’duhet të armiqësohemi me Katundarët pse ata janë shtyllat e partisë sonë dhe një sjedhje karshi tyre si ajo e juaja sigurisht ka reperkusione ndër shtresat katundare.
Në as një mënyrë s’duhet t’i japim shkak armikut të na akuzojë për asisoj që nuk jemi. Letra e jote që i çon Shtabit të Përgjithshëm për këtë çështje, na siguron se do t’i moderoç ndjenjat e inspiruara nga momenti dhe nuk do të përsëritet më gjë punë e tillë, dhe herë tjetër nuk do të të mungojë gjakftohtësia. Kemi bindje se do të veproç këtej e tutje në këtë mënyrë, dhe këto veprime do të jenë të matura, pa humbur ashpërsinë e duhur dhe këtë do ta bësh, pse si komunist që je, nuk do të permtoç kurrë që me të tilla akte të preket emri i pastër i Partisë sonë të dashur. Të fala ty dhe gjithë shokëve, për Komitetin Qendror të Partis ëKomuniste Shqip./(Shpati)
/Gazeta Panorama