Sapo mbarova së lexuari librin me kujtime “Jeta ime me Jakovin” të Dhurata Xoxës, vetvetiu më erdhi mendimi: bëj kujdes, të mos e fusësh shpirtin në gjynah, duke i rënë në qafë atij, që s`të ka asnjë borxh, se do ta vuash. Dita e gjykimit vjen dhe për ata, që të gjykojnë zhveshur nga njerëzillëku. Historia e artit është e mbushur plot me mëkatarë, ku shpesh palët ndërrojnë vendet. Ai që sulmon sot kthehet në viktimë nesër dhe anasjelltas. Shkrimtarët dhe artistët, sikurse klerikët, përfshihen tek shpirtërorët, por, varet se kujt ia falin shpirtin. Më shumë nga studjuesit, monografët, njohësit e pretenduar të letërsisë që vetëgradohen, janë gratë ato, që kanë shkruar libra mbresëlënës për burrat e tyre. I tillë është dhe libri i Dhurata Xoxës shoqëruar me një parathënie nga Natasha Lako.
“Sytë e tij të butë bëheshin edhe më shumë të tillë, duke i dhënë hijeshi dhembshurie, që mua më mallëngjente.”-shkruan autorja, duke vënë në dukje dhe tërheqjen ndaj njeriut me të cilin do lidhte jetën. Më parë, Jakovi i ri, kish patur një idil me vajzën e një tregtari, ku ishte çirak. Më e madhe nga ai në moshë, e cila, para dasmës i dërgon fotografinë, që ajo ia kishte kërkuar dhe ai ia kishte dhënë si kujtim. Sytë e fotografisë ajo i kishte shpuar me gjilpër dhe ai dukej në të si i verbër. Dashuria t`i errë sytë, do i shkonte si diçiturë. Por koha tregoi se më të verbër ishin ata që i shërbenin pushtetit. “Ajo m`i nxori sytë në fotografi, se vetëm aty i kishte. Por se mos të shkon mendja dhe bën si ajo, se ti më ke të gjallë?!”-e ngacmon ai me humor, pa i shkuar në mend se do të ishin vigjilentët e vijës së partisë, kolegët, që të verbuar nga zilia, do kërkonin rrënimin e autorit. Kariera i rrezikohet qysh në fillim. Në gazetën “Zëri i popullit” (1949) botohet një kritik nga M. N. për librin “Novela”, ku akuzohet se në tregime nuk dilte mirë figura e udhëheqësit komunist, e Partisë Komuniste. Më pas do i hedhin poshtë dramën “Buçet Osumi”, duke e përmendur prej vitesh si të dëmshme për letërsinë e realizmit socialist. Ka plot raste se si një dramë kthehet në një dramë për autorin, sikurse i ndodhi dhe Minush Jeros, fill pas laurimit me flamurin e suksesit. Më thoni një, që fill pas një suksesi, të mos i jenë sulur për t`ia helmuar jetën?! Nuk është rastësi, që debate ka vetëm, kur botohen antologji dhe ndahen çmime? Në gjithë kohën tjetër flihet në dafina të rreme. Të pompuarit bëhen përherë e më agresiv, ngaqë i kanë humbur raportet reale me artin.
Sipas autores së kujtimeve, bashkëshortes kryelart të shkrimtarit Jakov Xoxa: me urdhër të DH. Sh-ës, servilët e tij, arritën ta hidhnin poshtë dramën e J. Xoxes “Buçet Osumi”. Servilët e kryetarit s`i përmend me emra, ndërsa ata që e mbrojtën i kujton një për një, si: Luan Qafzezin, Jorgo Bllacin dhe Fatos Arapin. Ky i fundit do sulmohej në të njëjtën mënyrë për dramën “Partizani pa emër”. “I shquari Luarasi më foli fjalë shumë të mira”, kujton ajo Skënder Luarasin, emrin e të cilit e ndesh kudo në mbrojtje të shkrimtarëve. Edhe Drago Siliqi ishte gati ta botonte dramën. Ja dhe arsyeja pse e shkrova këtë ese moralizuese, aq sa i lejohet një shkrimtari. “Më kujtohet se pas fatkeqësisë (vdekjes së Jakovit) më erdhi në shtëpi personaliteti Dh. Sh. me të shoqen…U ul në një kolltuk afër derës dhe fol e qaj. Pikërisht ai! Ai që i kishte dhënë atë dhëmbje të madhe Jakovit dikur! Aq shumë përlotej sa unë u mpiva, e humba dhe s`dija ç`të bëja e ç`të thosha! Më kujtohet dhe pyes veten: si është e mundur që të qante ai aq shumë për Jakovin? Mos i kujtohej vallë në vdekje, ai Jakovi i tronditur përpara tij, si para një gjykatësi mizor, që vetëm fliste e villte kundër?…Mos ishte një pendim i pashprehur?…Kjo bëri,…që të ndryshoja në njëfarë mënyre edhe mendimin për të. Nuk më shkoi mendja, të them të drejtën, te hipokrizia, as te lotët e krokodilit! Jo! E mora si dhimbje njerëzore, të natyrshme, që ndodh mes njerëzish dhe personalitetesh të forta. Ndoshta ishte një pendim për atë dëshpërim që i kishte dhënë Jakovit tim të mirë e të ndjeshëm.” Sa herë që vinte në shtëpi e çonte fjalën tek drama e Jakovit. “Tha shkoqur dhe si i revoltuar, se ishte vepruar keq, shumë keq me atë vepër, por çuditrisht, nuk tha asgjë për veten e tij, asgjë për sa ai kishte bërë në të gjithë atë “të keqe” që i kishte shkaktuar veprës dhe Jakovit! Jo! Asgjë!” Nuk merr pjesë në ditën e 70-vjetorit të lindjes së Jakovit, ceremoni që kaloi jashtëzakonisht mirë, por shkoi dy ditë më vonë në shtëpi, duke kujtuar fjalët e Nonda Bulkos: “Pupupu, ç`qe kjo kështu? Po ç`i bëmë ne Jakovit? Pse u sollëm aq ashpër me të? Po ne e vramë Jakovin, o Dh.! I varrosëm me duart tona Jakovin dhe veprën e tij të gjorë! Apo s`ishte e bukur ajo dramë! Apo gjuha! Apo stili! Në vend që t`i kishim theksuar këto anë e ta linim dramën të jetonte e lirë, bëmë xhelatin!” Vdis pa të dua, apo reflektim njerëzor?! Por, këto skena tronditëse, vazhdojnë: “Nga sa më thanë djemtë, po ktheheshin nga shtëpia e Driteroit, e atij shkrimtari tjetër të madh, ku kishin shkuar për urim. Më treguan se si ai kishte qarë me dënesë (e shoqja mundohej ta përmbante), si u kishte treguar djemve kaq e kaq kujtime të bukura dhe konsiderata, që kurrë s`kisha menduar se do t`i dëgjoja, për Jakovin nga goja e tij.” Nuk mund të mos bëj përshtypje dinjiteti, që kjo zonjë ka treguar, duke i thënë të vërtetat, pa cënuar askënd.
Ka dhe mëkatarë të këtij lloji: “Një kushëri i Jakovit, Xoxë edhe ai për nga mbiemri (dhe nga Fieri), ardhur me punë në Tiranë, na shkruante letër, ku na lutej t`i lironim përkohësisht dhomën tonë, se së shpejti do t`i jepnin shtëpi, për të tërhequr familjen në Tiranë. Na siguronte se ky qendrim do të ishte i përkohshëm dhe se, sapo të ktheheshim me pushime, do ta lironte në çast. Zemra e mirë dhe e butë e Jakovit u prek dhe ai i shkroi të atit, që t`ia lironte përkohësisht dhomën kushëririt të tyre. Babai s`kishte dashur, se nga përvoja kishte dyshuar nga fjalët e lutësit, për të mos ia prishur të birit, e futi brenda. S`kaluan as dy javë dhe pikërisht ditën e Pashkëve, ndihmuar dhe nga forcat e policisë, i nxorën jashtë prindërit e Jakovit, që pa asnjë mbrojtje, i futën në një dhomë. Jo vetëm që s`e morën dhomën të kërkuar me aq përulësi, por na morën dhe një tjetër që na shërbente si kuzhinë dhe si dhomë fjetje për prindërit e gjorë. Jakovin e dëshpëroi shumë kjo sjellje hipokriti e intriganti, i atij që mbahej me të madh te Xoxallarët si komunist i transferuar në Tiranë për punë gjoja të rëndësishme.” (Petro Marko në librin me kujtime “Bisedë me veteveten”, në rrënimin e familjes së tij, akuzon dhe dajëllarët.) Kolegët donin ta përzinin Jakov Xoxën nga letërsia, një i veti e përzuri nga shtëpia. Sa e vështirë një strehë për një të talentuar, të cilit i bëjnë karshillëk gjithfarsoj mitomanësh e delirantësh, të kapërdisur nga hosonara bajate dhe ballon siç janë nga vetëkënaqësia e stimuluar kujtojnë se qendrojnë mbi të tjerët?! Të gjithë e kamuflojnë luftën, gjoja në emër të parimeve, me demek se po u vjen keq për vlerat e shkelura, thua se po i kundrojnë vdekarakët nga “selia e shenjtë” e gjenive. Dhe sa më i butë, që të jesh, aq dhe mizorisht të kafshojnë. Qau vërtetë Akili mbi trupin e Hektorit, por ishte i besueshëm në dhimbjen e tij…
Fatbardh Amursi