VOAL

VOAL

J. G. Hahn për historinë e dy dialekteve të shqipes dhe reagimet ndaj tij – Nga Bahri Beci

November 26, 2017

Komentet

BIRN: Rama shfrytëzon prezantimin e kreut të ri të AKSHI për të sulmuar drejtësinë

Kryeministri Edi Rama prezantoi të martën Igli Tafën si kreun e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, por e shfrytëzoi fjalën e tij prej më shumë se 20 minutash në prezantim për të sulmuar prokurorinë dhe për të mbrojtur ish-drejtoreshën nën hetim për bashkëpunim me një organizatë kriminale.

Në fjali që duket se kundërshtonin njëra-tjetrën, Rama tha se “nuk hynte në meritën e çështjes”, por mori në mbrojtje Karçanaj duke thënë se ajo kishte “një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik” dhe se po lidhej me “gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën”.

Po ashtu, ndërsa pretendoi se mbështeste atë që e cilësoi revolucion në sistemin e drejtësisë, Rama këmbënguli se ky sistem nuk po respektonte prezumimin e pafajësisë dhe e akuzoi prokurorinë se kishte “keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike” punonjës të AKSHI-t.

“Nuk është një kompjuter që fiket, por një jetë njeriu që vendoset në një pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për t’u pasur zili kur është i pafajshëm”, tha Rama ndër të tjera.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish-drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë. Ndërkohë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët akuzohet se drejtonin grupin dhe se u përfshinë në pengmarrje e afera të tjera korruptive, janë shpallur në kërkim.

Të dy ish-drejtueset janë në masa sigurimi “arrest shtëpie” që prej 16 dhjetorit të vitit që shkoi, por kryeministri, nën të cilin vepron AKSHI, nuk ndërhyri deri disa ditë më parë kur vendosi emërimin e Igli Tafës në këtë pozicion.

Tafa, që u prezantua shkurt nga Rama para punonjësve të AKSHI-t si “dikush që ju e njihni”, ishte deri së fundmi drejtues i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK. Në fjalën e tij, ai premtoi mbështetje dhe energji në vijimin e punës për atë që e quajti “vizioni i kryeministrit” për modernizimin dhe digjitalizimin e të gjitha shërbimeve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania-s, përfshi edhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryen rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.

Agjencia ka qenë herë pas here nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me sigurinë kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdorte, ndër të tjera, pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tendera dhe para publike. Ndërkohë që hetimet e SPAK zbulojnë një skemë abuzimi me paratë publike, ato po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cenimin e sigurisë kombëtare./ Reporter.al/

SPAK jep pretencën me 39 vite burg për 7 të pandehurit e dosjes 5D, ja sa vite burg kërkohen për Redi Mollën, Taulant Tushën dhe Mariglen Qaton

 

 

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dhënë pretencën për 7 të pandehurit e dosjes 5D, mes tyre edhe ish drejtorët e bashkisë Tiranë.


Konkretisht SPAK, ka kërkuar 11 vite burg për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës Redi Molla, 9 vite burg për ish-drejtorin Mariglen Qaton dhe 4 vite për Taulant Tushen.

Po ashtu tre ish drejtorët e Bashkisë, Molla, Qato dhe Tushe kanë edhe dënim plotësues, 5 vjet heqje të drejtës për ushtrim të funksioneve publike.

Ndërkohë për të pandehurit e tjera, Enton Punavija dhe Julian Zanaj SPAK ka kërkuar secilit 3 vite burg, për Alban Jankun 2 vite burg dhe për Nestor Muhametllari 7 vjet heqje lirie.

Hetimet

Çështja Penale në ngarkim të Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe pesë të pandehurve të tjerë është regjistruar për veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv, mosdeklarime, deklarime të rreme apo fshehje të pasurive, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, është provuar se i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato si ish-drejtor i departamentit mbështetës në këtë shoqëri dhe në cilësinë e ish-kryeinspektorit të IKMT në Bashkinë Tiranë, kanë qënë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k., të cilën e kanë zotëruar në mënyrë indirekte dhe e kanë përdorur për të vjelë fondet publike në mënyrë të paligjshme e për pastrimin e parave.

Të pandehurit e tjerë, Taulant Tusha, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të KVO, si dhe anëtarët e tjerë Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku, akuzohen se kanë favorizuar shoqërinë 5D në 3 tendera të Bashkisë Tiranë.

Nga ekspertimi i kryer, ka rezultuar se 5D ka përfituar më shumë se 192.7 milionë lekë nga 12 tendera të zhvilluara në mënyrë të kundërligjshme. Gjithashtu, nga zbatimi këtyre kontratave janë nxjerrë fitime monetare nga kjo shoqëri e zotëruar nga Molla dhe Qato.

“Mos përdorni shqiponjën me dy krena”- Këta janë flamujt që u propozuan fillimisht si flamur të shtetit të Kosovës

Para se të zgjidhej flamuri që valon sot në Kosovë, në qershor të vitit 2007 u hap një konkurs ndërkombëtar për dizajnin e tij, ku morën pjesë 993 konkurrentë me propozime të ndryshme. Nga ky proces u përzgjodh edhe flamuri aktual, që sot përfaqëson identitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

OKB caktoi disa rregulla se si duhet të ishte flamuri i Kosovës. Sipas OKB-së të gjitha simbolet duhet të reflektonin natyrën multi-etnike të Kosovës, dhe duhet të shmangin përdorimin e shqiponjave me dy koka apo përdorimin e vetëm ngjyrës së kuqe dhe të zezës, ose të kuqes, të kaltrës dhe të bardhës. E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e përdorura në flamurin shqiptar, ndërsa e kuqja, e kaltra dhe e bardha janë ngjyrat kryesore të flamurit serb. Përveç kësaj, të gjitha modelet duhet të ishin drejtkëndore.

Një grup politikanësh dhe ekspertësh kosovarë të njohur si “Ekipi i Unitetit” zgjodhi dizajne të cilat do të shkonin përpara për votim nga Kuvendi i Kosovës.

Një sipërfaqe e kaltër me një hartë të bardhë të Kosovës e rrethuar me 5 yje. Yjet ndryshojnë në madhësi dhe përfaqësojnë grupet e ndryshme etnike që banojnë në Kosovë. Ylli më i madh do të përfaqësonte shqiptarët etnikë.

Flamuri u propozua nga Joseph J. DioGuardi për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e Shqipërisë dhe SHBA-së.

Një flamur që ishte sinonim i flamurit kombëtar të Shqipërisë me gjashtë yje të shoqëruar me sfond gjysmë të kuqe dhe gjysma tjetër e kaltër.

Flamuri u propozua më 2005 për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e OKB-së dhe shqiponjës së Shqipërisë.

Një trengjyrëshe vertikale e zezë, e bardhë dhe e kuqe me një simbol spirale në qendër të shiritit të bardhë, i cili është një simbol dardan për diellin rrotullues.

Është Muhamer Ibrahimi i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall pavarësia e vendit. / GazetaExpress

Nga Nju-Jorku deri në Kaçanik: Si u prit shpallja e Pavarësisë së Kosovës?

Doruntina Baliu

Më 17 shkurt 2008, para orës 16, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në një seancë që do të shënonte një kthesë historike. Pas viteve të luftës, administrimit ndërkombëtar dhe negociatave të gjata për statusin politik, Kosova shpalli Pavarësinë nga Serbia.

Por, ajo ditë nuk ndodhi vetëm në Kuvend.

Ajo u përjetua në kohë reale në fshatra e në qytete të Kosovës, në rajon e në diasporë.

Radio Evropa e Lirë u kërkoi lexuesve të saj historitë e tyre të shkurtra, se si e mbajnë mend ditën e shpalljes së Pavarësisë, dhe ata – nga vende, mosha e profesione të ndryshme – u përgjigjën.

Kjo është kronologjia e asaj dite, përmes rrëfimeve të përzgjedhura të njerëzve të zakonshëm, nga një mëngjes në Nju-Jork deri në një natë të ftohtë në Kaçanik.

MËNGJES – Nju-Jork, SHBA

Ndërsa Kosova po i afrohej orës 15:39, kur do të shpallej Pavarësia, Nju-Jorku sapo po zgjohej.

“U zgjuam posaçërisht për ta ndjekur drejtpërdrejt seancën e Kuvendit të Kosovës”, kujton Fadil Alloqi, atëkohë 25-vjeçar.

Me prejardhje nga një fshat i Skenderajt, Fadili kishte rreth dy vite që kishte migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fadil Alloqi me prejardhje nga fshati Çubrel i Skenderajt, që ka migruar në SHBA, e priti Pavarësinë e Kosovës në Nju-Jork.

Fadil Alloqi me prejardhje nga fshati Çubrel i Skenderajt, që ka migruar në SHBA, e priti Pavarësinë e Kosovës në Nju-Jork.

“Ajo periudhë, për ne mërgimtarët, ishte e ngarkuar emocionalisht, me shumë mall, pasiguri, por edhe shpresë të madhe për të ardhmen e vendit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kur lajmi u konfirmua, gëzimi doli nga shtëpitë në rrugë, ku me makina po bëhej festë e madhe.

“E ndamë gëzimin edhe me familjarë dhe me miq, përmes telefonatave, mesazheve dhe rrjeteve sociale”.

“Edhe komuniteti shqiptar në Amerikë ishte i mobilizuar, me flamuj, urime dhe emocion të madh”, kujton ai.

Për Fadilin, ajo ditë ishte “dëshmi se sakrifica e një populli nuk shkon kurrë huq”.

ORA 10:00 – Viti

Për Ibush Nuhiun, 17 shkurti ishte ditë pune. Veçse jo e zakonshme.

Si polic në një fshat të Vitisë, në Kosovë, në pritje të trazirave të mundshme, ai kishte disa ditë që po punonte me orar të zgjatur.

“Ne e kemi ditur [që po shpallet Pavarësia], sepse na kanë angazhuar pak më shumë në punë”, thotë 57-vjeçari, i cili në atë kohë sapo kishte mbushur 39 vjet.

“Ditë e diel, kisha ditëlindjen time dhe festova edhe lindjen e shtetit”, thotë ai.

Për Ibushin ishte gëzim i trefishtë, pasi rreth orës 10 të mëngjesit, atë e njoftuan se i kishte lindur djali i vëllait, që gjendej në mërgim.

Për shkak të angazhimit në punë, Ibushi thotë se nuk pati shumë kohë të mendonte apo të festonte ditëlindjen e tij.

Edhe tani, thotë se më parë e feston ditëlindjen e Kosovës.

“Për mua, më me prioritet është Dita e Pavarësisë, se ditëlindja ime, se ne [si komunitet shqiptar] derisa nuk e kemi fituar shtetin, kemi qenë të nënçmuar, të persekutuar. Nuk kemi guxuar të shfaqim gëzim”.

ORA 15:39 – Gjirokastër, Shqipëri

Një dhomë e vogël, një televizor i ndezur dhe një fëmijë që përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh.

Lajmi për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës kishte arritur në Shqipëri.

“Më 17 shkurt 2008, unë isha 10 vjeç, dhe e mbaj mend shumë mirë edhe sot”, kujton Kelvin Zifla.

“Unë nuk e kuptoja shumë mirë, pasi thosha ‘A nuk është Kosova e lirë? Pavarësi nga kush?’”.

Kelvin Zifla ishte në Gjirokastër kur ndoqi drejtpërdrejt në televizor shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Kelvin Zifla ishte në Gjirokastër kur ndoqi drejtpërdrejt në televizor shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Kelvini, tani 28 vjeç, tregon se gjyshja e tij, që po e ndiqte ngjarjen në televizor, ia kishte shpjeguar situatën në Kosovë, dhe pse ky ishte lajm i gëzueshëm për bashkëkombësit shqiptarë.

Ajo më shpjegoi se Kosova tani do njihej nga bota, dhe do të ishte më e sigurt, më e fortë!”.

“Kam ndier një gëzim të pashpjegueshëm”, kujton Kelvini.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që kishte bërë njohjen zyrtare të Pavarësisë së Kosovës.

PASDITE – Bllacë e Suharekës

Rreth një orë larg kryeqytetit, Prishtinës, disa të rinj, në fshatin Bllacë të Suharekës, kishin marrë lajmin për Pavarësinë.

Pas kësaj, ata kishin një hall: si t’ju bashkëngjiteshin festimeve në qendër të qytetit, pasi kishte mungesë transporti.

Kështu kujton Leonard Hoxha, që atë kohë ishte 17 vjeç.

“Nga dëshira dhe vullneti për të festuar bashkë me njërin vëlla, dhe bashkëmoshatarë nga fshati Bllacë, kemi ecur në këmbë, deri në Suharekë [10 km], sepse veturë nuk kishim, dhe autobusët nuk qarkullonin”, rrëfen Leonardi në një koment për Radion Evropa e Lirë.

“Ishte ditë e ftohtë, me reshje bore herë pas here, por vullneti nuk na u ndal”, shton ai.

Leonard Hoxha nga Suhareka ishte 17-vjeçar në kohën kur u shpall Pavarësia e Kosovës.

Leonard Hoxha nga Suhareka ishte 17-vjeçar në kohën kur u shpall Pavarësia e Kosovës.

Pas ecjes së gjatë, ai grup adoleshentësh arriti në qytet, ku siç kujton Leonardi, “ishte një atmosferë e zjarrtë”.

“Bizneset kishin ofruar ushqime, pije… Gjithçka kishim pa pagesë në sheshin e qytetit”.

“Tupanët gumëzhinin, njerëzit vallëzonin, veturat nuk i ndalnin, thjesht e paharrueshme!”.

Në fund të ditës, siç kujton ai, sërish ishin kthyer në këmbë nga Suhareka në Bllacë.

“Pa e ndier aspak lodhjen”, thotë Leonardi.

MBRËMJE – Vasa, Finlandë

Një natë para 17 shkurtit, Qamil Durmishi mori pjesë në një tubim të komunitetit jo shumë të madh të shqiptarëve në Finlandë.

“E dinim [që do të shpallej Pavarësia]”, thotë ai.

Qamili, me prejardhje nga fshati Rakinicë i Skenderajt, kishte migruar në qytetin finlandez Vasa para luftës së vitit 1999.

Mbrëmjen e 17 shkurtit, Qamili thotë se e pritën jashtë, ndonëse në temperatura shumë të ulëta.

Qamil Durmishi, Finlandë.

Qamil Durmishi, Finlandë.

“Dolëm me flamuj kombëtarë, se flamuri i Kosovës nuk ishte ende”.

“Festuam si të çmendur. E kemi ndezur lagjen, kërcenim dhe këndonim”, thotë Qamili, që në atë kohë ishte 45 vjeç.

Ai thotë se gëzim më të madh se ajo ditë ka pasur vetëm ditën kur NATO-ja filloi bombardimet ndaj caqeve jugosllave më 1999, për të ndalur luftën dhe spastrimin etnik në Kosovë.

“Kurrë në jetë atë gëzim nuk e kisha përjetuar”, thotë ai.

NATË – Kaçanik

Në sheshin e vogël të Kaçanikut, rreth një orë larg Prishtinës, festa po vazhdonte deri vonë, pavarësisht të ftohtit.

Në shesh kishte dalë edhe Linda Fetahu Krivanjeva, bashkë me familjen dhe me dy fëmijët e vegjël, 4 dhe 2 vjeç.

“Ishte shumë ftohtë. Fëmijët ishin të vegjël, nuk kuptonin. Faqet e kuqe, të mërdhirë. U bë nata. Deri vonë, sa kemi mundur kemi qëndruar. Herë në këmbë, herë i mbanim në krahë”, kujton Linda.

Për të, festa pati edhe ndjenja të përziera, që i kujtonin kohërat e vështira të vitit 1999, kur ishte angazhuar si infermiere në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Gëzimi për lirinë u shoqërua me dhimbje dhe mall për shokët e luftës, që humbën jetën për këtë ditë, të cilët nuk arritën ta prisnin shpalljen e Pavarësisë”, thotë Linda, që atë kohë ishte 27 vjeçare.

VITI 2026

Tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova është shtet i njohur nga rreth 120 vende të botës, dhe ka ndërtuar institucionet e saj. Ajo ka zhvilluar zgjedhje të rregullta, ka forca të veta të sigurisë dhe synon integrimin euroatlantik.

Megjithatë, Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përballet me mungesë njohjeje nga disa shtete të Bashkimit Evropian dhe nga disa fuqi botërore, ndërsa vazhdon dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

DW: Impiante jashtë funksionit dhe dete të ndotura, Shqipëria e fundit në Europë për cilësinë e ujërave

Trajtimi i ujërave urbane duhet të jetë funksion publik, i centralizuar dhe i monitoruar. Fragmentimi i tij në qindra impiante individuale rrit rrezikun e ndotjes së heshtur.

DEUTSCHE WELLE

Në fund të vitit 2023, Shqipëria u zgjua në “emergjencë mjedisore”. Qeveria paralajmëroi se ujërat përgjatë bregdetit po ndoteshin në nivele alarmante, duke kërcënuar shëndetin publik dhe imazhin turistik të vendit.

Zgjidhja u shpall e shpejtë dhe e prerë: një akti normativ si ndërhyrje urgjente për të ndalur ndotjen e bregdetit. Por ndërsa emergjenca u shpall në emër të mjedisit, pasojat ranë diku tjetër.

Vetëm pak javë më vonë, një udhëzim i përbashkët i dy ministrive, asaj të Infrastrukturës dhe e Energjisë dhe të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit, i detyroi operatorët turistikë përgjatë vijës bregdetare të instalojnë impiante private për trajtimin e ujërave të ndotura, edhe kur këto biznese ishin të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve dhe paguanin rregullisht për këtë shërbim. Kostoja e imponuar varionte nga 40 mijë deri në 150 mijë euro për subjekt, një barrë e papërballueshme për shumë operatorë të vegjël dhe të mesëm.

Kontrolle masive dhe gjoba në kulmin e sezonit turistik

“Inspektorët e task-forcës nisën kontrollet masive në kulmin e sezonit turistik. Ata vendosën gjoba selektive, shpesh pa dhënë shpjegime të qarta” – tregon pronari i një hoteli të vogël në jug, i cili nuk dëshiron të identifikohet.

Dhjetëra biznese u gjendën kësisoj përballë dy zgjedhjeve: të investonin urgjentisht në impiante private ose të përballeshin me penalitete që rrezikonin mbylljen e aktivitetit. Dhe ndërsa narrativa zyrtare ishte e qartë: kush kundërshton masën, kundërshton mbrojtjen e mjedisit, praktika e zbatimit në terren tregon një realitet tjetër. Nënflamurin e mbrojtjes së mjedisit u ndërtua një mekanizëm zhvatës parash nga xhepi i shumë bizneseve turistike, që të shkonin në xhepin e vetëm pak firmave që tregtojnë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura. Dhe “emergjenca mjedisore” filloi të marrë formën e një krize tjetër: ekonomike dhe ligjore për mijëra operatorë.

Sipas të dhënave të hapura që prej miratimit të aktit normativ për mbrojtjen e ujërave nga ndotjet e subjekteve në fund të vitit 2023 deri në gusht të vitit 2025 janë vënë gjithsej 115 masa administrative, ndërsa tregu i impianteve private lulëzoi me shpejtësi të dyshimtë.

Shumë prej bizneseve turistike ju drejtuan gjykatave, sepse ishin gjobitur edhe pse disa syresh kishin kontrata me operatorë privatë për vendosjen e impianteve, apo dhe me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve për përpunimin e ujërave të ndotura.

Trajtimi i ujërave urbane jo në përputhje me standardet europiane

Ekspertët mjedisorë paralajmëruan se modeli i imponuar nuk përputhej mestandardet europiane. Trajtimi i ujërave urbane, sipas legjislacionit të BE-së dhe praktikave të konsoliduara, është funksion publik, i centralizuar dhe i monitoruar. Fragmentimi i tij në qindra impiante individuale jo vetëm që nuk garanton përmirësim të cilësisë së ujit, por rrit rrezikun e ndotjes së heshtur dhe e bën kontrollin institucional pothuajse të pamundur – thotë Olsi Nika nga organizata Eco Albania.

Ndërkohë ndotësit kryesorë të ujërave, shkarkimet urbane të patrajtuara, impiantet publike jofunksionale dhe ndotja industriale, mbetën jashtë fokusit të emergjencës. Në vend që të investohej në riparimin dhe ndërtimin e impianteve publike, barra u zhvendos te një kategori e caktuar biznesesh, kryesisht ato bregdetare.

Ujërat e ndotura nuk njohin kufij administrativë apo sezonalë. Ato mblidhen në rrjetet urbane, përshkojnë pellgjet lumore dhe derdhen në det, pavarësisht origjinës së tyre. Sipas mendimit te ekspertëve fakti që masat nuk u morën me ndotjen urbane në brendësi të territorit te vendit, as me shkarkimet industriale apo funksionimin e UK-ve joefikase, të bën të mendosh se qëllimi nuk ka qenë pastrimi sistemik i ujërave, por vendosja e një barre të drejtpërdrejtë mbi një kategori të caktuar biznesesh.

Po ashtu ekspertët mjedisorë theksojnë se decentralizimi i trajtimit të ujërave përmes impianteve individuale rrit rrezikun e mosfunksionimit, e bën monitorimin institucional praktikisht të pamundur dhe krijon një efekt kumulativ ndotjeje, që në shumë raste mund të jetë më i dëmshëm se sistemi ekzistues publik.

Rënie e investimeve për impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura

Në vitin 2023, kur u iniciua nisma e qeverisë që ia kalonte barrën sektorit privat për trajtimin e ujërave të ndotura, Shqipëria u promovua si një histori suksesi turistik me mbi 9 milionë vizitorë, ndonëse cilësia e ujërave të larjes arriti nivelin më të keq në dekadën e fundit. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit investimet në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane kanë ardhur në rënie nga viti në vit, ndërsa fondet publike janë përdorur kryesisht për të mbajtur në funksion impiantet ekzistuese, jo për të ndërtuar kapacitete të reja.

Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar

Sipas kuadrit ligjor ekzistues trajtimi i ujërave urbane është funksion publik, që realizohet nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në varësi të bashkive. Vetë materiali shpjegues i Aktit Normativ nr. 8/2023 e pranon qartë se problemi kryesor lidhet me zonat: “që mbulohen pjesërisht me rrjet kanalizimesh” dhe ku subjektet “përdorin zgjidhje të papërshtatshme individuale, si gropat septike”.

Qeveria shqiptare ka investuar mbi 112 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, ndërsa 100 milionë të tjera janë shpenzuar për një impiant që nuk është funksional, si ai i Kasharit.

Në raportin e fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) të qershorit 2025) e cila monitoron ujërat natyrore – bregdetare, liqenore dhe lumore – Shqipëria rendiet në fund të listës. Vetëm 41.2 përqind e 119 ujërave të analizuara të deteve, të liqeneve apo të lumenjve në Shqipëri morën “notë kaluese” nga EUA. /DW

Kosovë: Qarkullimi i 10 kompanive më të mëdha arrin 2.5 miliardë euro në vitin 2025

Dhjetë kompanitë më të mëdha në Kosovë realizojnë rreth 2.5 miliardë euro qarkullim në vitin 2025, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2024, kur totali ishte afërsisht 2.21 miliardë euro.

 

10 kompanitë më të mëdha në Kosovë realizojnë rreth 2.5 miliardë euro qarkullim në vitin 2025, një rritje e ndjeshme krahasuar me 2024, kur totali ishte afërsisht 2.21 miliardë euro.

Dhjetë kompanitë më të mëdha në Kosovë realizojnë rreth 2.5 miliardë euro qarkullim në vitin 2025, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2024, kur totali ishte afërsisht 2.21 miliardë euro.

Këto të dhëna bazohen në modelimet e Data4X, ende pa u publikuar pasqyrat financiare të audituara për vitin 2025.

Struktura e tregut nuk ka ndryshuar dukshëm: energjetika, retail-i dhe derivatet mbeten tri shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.

Këta sektorë po e konsolidojnë kapitalin dhe po e ruajnë dominimin në listën e kompanive me të ardhurat më të mëdha, duke lënë pak hapësirë për hyrje të reja.

Në bazë të këtyre të dhënave del se kompania turke, Kosovo Calik Limak Energy, është kompania më e madhe në vend me qarkullim, ku krahasuar me vitin e kaluar qarkullimi i saj është rritur për 19% apo nga 366 milionë në 2024 në 437 milionë euro në 2025.

Në vendin e dytë është VivaFresh Store me 393 milionë, pastaj ELKOS me 247 milionë, HIB Petrol me kompanitë e tjera të përbashkëta me 236 milionë, Proex (Intrex) 235 milionë, Ex FIS me 220 milionë, KEK me 200 milionë, Noa Energy Trade me 185 milionë, Bucaj me 175 milionë dhe hyrja e re në top 10-she, AlbaPetrol Group 162 milionë euro.

Megjithatë, industria prodhuese ka shënuar rritjen më të madhe krahasuar me vitin 2024 – një sinjal se në vitet në vijim mund të bëhet pjesë e “Top 10”-shes së kompanive më të fuqishme.

Sipas këtij raporti Kosovo Çalık Limak Energy – €437 milionë (nga €366M në 2024) +19%. Viva Fresh Store – €393 milionë (nga €331M) +19%. ELKOS – €247 milionë (nga €243M) +2%. HIB Petrol – €236 milionë (nga €215M) +9.8%. Proex – €235 milionë (nga €223M) +5.4%. Ex FIS – €220 milionë (nga €214M) +3%. KEK – €200 milionë (nga €195M) +3%. NOA Energy Trade – €185 milionë (nga €195M) -5%. Bucaj – €175 milionë (nga €191M) -8% dhe Albapetrol Group – €162 milionë (nga €131M) +24%./Monitor.al

FOTO HISTORI- Presidenti Rugova dhe Sekretarja Albright në Uashington

Presidenti Rugova dhe Sekretarja Albright në Uashington.

Këtë foto e ka sjellë për publikun në fb veprimtari shqiptaro-amerikan Çezar Ndreu së bashkur me urimin:

Gezuar Pavaresine 🇦🇱
Zoti President Rugova🇦🇱!

Kanakarja e Vlorës, mercenarja pa përvojë e atelies së mazhorancës ku qepen ligje me porosi – Nga IRENA BEQIRAJ

Atelies së maxhorancës ku qepen ligje me porosi i është shtuar Zamira, e cila pa u menduar dy herë propozon që ligji 9710 i vitit 2007 për portet turistike në Republikën e Shqipërisë të ndryshojë .

Zamira shkruan në relacionin e projektligjit :

“Ligji 9710 parashikon një rregull të përgjithshëm, realizimin e porteve turistike sipas rregullave konkurruese koncesionare ndërsa Ligji për Investimet Strategjike përcakton proçedura të veçanta administrative “

Ndaj deputetja e re që nuk ka ngrohur akoma karriken, e sheh me vend që të ndryshojë Ligji 9710 i cili kerkon që ndërtimi edhe operimi i porteve turistike të jepen me proçedurë konkurruese, duke propozuar që të përjashtohen nga ky rregull edhe të jepen pa garë portet që janë pjesë e investimeve strategjike. Sipas Zamirës mbivendosjet midis dy ligjeve shkaktojnë vonesa .

Që Zamira të mos i njoh ligjet nuk është mëkat, është e re në detyrë por, të mos i lexojë ato para se të propozojë ndryshime me firmën e saj , është e dhimshme.

E para, Zamira duhet të ketë dëgjuar që ligji për Investimet Strategjike eshtë i përkohshëm dhe shtyrja e afatit të tij 6 herë ka qënë pjesë e shqetësimeve nga partnerët ndërkombëtarë si tregues i mungesës së mirëqeverisjes.

Thënë këtë, në fillim të 2026 të propozosh që një ligj i përhershëm si ai i ndërtimit edhe operimit të porteve turistike të ndryshojë e ti përshtatet një ligj të përkohshëm që përfundon në Dhjetor 2026 , duket jo racionale edhe jo logjike.

E dyta , po ta kishte lexuar ligjin për Investimet Strategjike do të kishte lexuar nenin 17 të tij i cili thotë:

“Kur legjislacioni në fuqi parashikon zhvillimin e procedurave konkurruese/tenderuese/ konçesionare vetëm pas përzgjedhjes së subjektit fitues të garës dhe nëse projekti i propozuar përmbush kërkesat e këtij ligji, Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, vlerëson projektin e propozuar dhe i propozon Komitetit të Investimeve Strategjike miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.

E pra ligji i Investimeve Strategjike është i qartë edhe përcakton se kur investimi strategjik përfshin ndërtimin e veprave për të cilat legjislacioni në fuqi kërkon proçedurë konkurruese/ tenderuese /konçensionare / vëtëm pas zgjedhjes së fituesit së konçensionit me garë jepet statusi i investitorit. Por Zamira nuk është dakord. Ajo mendon se nëse Bamirësit të saj Kryeministrit i është mbushur mendja që të jap një investim strategjik edhe porti pjesë e tij duhet të jepet pa garë.

E treta, deputetja thotë që ky projektligj është në përputhje me vizionin e qeverisë por nuk thotë se ndryshimi i propozuar është në kundështim me kërkesat e legjislacionin europian për të cilin ajo edhe shokët e saj zunë be e rrufe se do ta traspozonin në ligjet tona brenda 2027.

Zamirës me shumë gjasa ja kanë dhënë të gatshëm këtë projektligj edhe si shpërblim për bamirësin që e vuri të dytën në listën e mbyllur ajo duhet ta propozojë atë pa menduar dhe në papërgjegjshmëri të plotë, edhe pse ky ndryshim haptazi lejon që portet të jepen pa garë nga Kryeministri sikur ky i fundit të ishte pronar i vetëm i pronës publike.

Nuk është kollaj të jesh kanakare, haraçi është i rendë! Ajo do të duhet të mbetet mbresëlënëse në përpjekjen e saj për të mbetur e për tu paraqitur si mercenare, edhe ne do të paguajmë papërgjegjshmërinë e saj. /Marre nga fb/ 

Shqipëri: ‘Nxihet’ libri i bardhë i investitorëve të huaj, nga korrupsioni, informaliteti e pasiguritë ligjore

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) nënvizon se klima e biznesit në Shqipëri vijon të përballet me pasiguri strukturore.Në “White Book 2025–2029”, publikuar së fundmi, kjo shoqatë evidenton korrupsionin, informalitetin, pasigurinë ligjore dhe ndryshimet e shpeshta fiskale si pengesat kryesore për investimet e huaja.

Sipas anketës së vitit 2025, perceptimi për klimën e biznesit ka rënë në 45 pikë nga 49 një vit më parë, ndërsa pritshmëritë mbeten optimiste në kahun e moderuar. Sipas publikimit kuptohet se informaliteti dhe korrupsioni vazhdojnë të minojnë konkurrencën e ndershme, ndërsa zvarritjet në gjyqësor dhe çështjet e pronësisë dobësojnë besimin e investitorëve.

FIAA ngre shqetësim të veçantë për sistemin tatimor ku rimbursimet e vonuara të TVSH-së, interpretimet e paqarta të ligjit dhe ndryshimet e shpeshta fiskale krijojnë presion mbi likuiditetin e bizneseve dhe rrisin kostot. Investitorët e vënë theksin te stabiliteti fiskal, qartësia në udhëzime dhe respektimi strikt i afateve ligjore nga administrata tatimore.

Ligji i ri për Tatimin mbi të Ardhurat, megjithëse synon modernizimin e sistemit, sipas FIAA-s ka krijuar paqartësi në zbatim, për shkak të mungesës së konsultimit të gjerë dhe udhëzimeve kontradiktore. Shoqata rekomandon rishikim teknik të dispozitave kyçe dhe harmonizim më të mirë me realitetin e ekonomisë shqiptare.

Tregu i punës mbetet një tjetër pikë e dobët, me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të emigracionit dhe mospërputhjes së aftësive. FIAA sugjeron forcimin e arsimit profesional dhe politika për mbajtjen e talenteve.

Në energji dhe infrastrukturë vërehen përmirësime, por besueshmëria dhe eficienca e kostove mbeten nën mesataren e dëshiruar. Ndërkohë, marrëdhëniet me institucionet publike kërkojnë rritje të kapaciteteve administrative dhe koordinim më të mirë.

FIAA thekson se procesi i negociatave me BE-në përbën një mundësi kyçe për të adresuar këto dobësi përmes zbatimit rigoroz të reformave, forcimit të shtetit ligjor dhe garantimit të një mjedisi të parashikueshëm dhe transparent për investitorët.

Pikat kyçe të Librit të Bardhë të FIAA

Klima e Biznesit dhe Qeverisja

Perceptimi i klimës së biznesit në rënie krahasuar me 2024; pritshmëri e moderuar pozitive.
Korrupsioni dhe informaliteti mbeten ndër shqetësimet kryesore.
Kërkohet forcim i sundimit të ligjit, zbatim më konsistent i vendimeve gjyqësore dhe rritje e përgjegjshmërisë institucionale.
Nevojë për konsultim sistematik dhe të hershëm me biznesin për çdo ndryshim ligjor.
Sistemi Tatimor dhe TVSH

Vonesa në rimbursimin e TVSH-së dhe procedura administrative që cenojnë likuiditetin e bizneseve.
Ndryshime të shpeshta fiskale dhe interpretime të paqarta nga administrata tatimore.
Rekomandohet:
Respektim strikt i afateve ligjore për rimbursim.
Heqje e kushteve që kufizojnë të drejtën për interes në rast vonesash.
Stabilitet fiskal dhe reduktim i kompleksitetit të kuadrit tatimor.
Përmirësim i mekanizmave të apelimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Tatimi mbi të Ardhurat dhe Tatimi mbi Fitimin

Ligji i ri për Tatimin mbi të Ardhurat (2024) ka sjellë pasiguri në zbatim dhe barrë administrative.
Çështje në trajtimin e “Permanent Establishment” (Vendndodhje e Përhershme), transfertave ndërkombëtare dhe tatimit në burim.
Rekomandohet:
Rishikim teknik i dispozitave problematike.
Qartësim i udhëzimeve zbatuese.
Ulje e barrës së tatimit në burim për entitetet e huaja.
Zbatim më i qartë i rregullave të transfer pricing (përcaktimi i çmimit të transaksionit mes kompanive të të njëjtit grup ndërkombëtar).
Tregu i Punës

Mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritje e kostove të pagave.
Emigracioni dhe mospërputhja e aftësive ndikojnë negativisht në investime.
Rekomandohet:
Forcim i arsimit profesional.
Politika për zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor.
Lehtësim i procedurave për lejet e punës dhe qëndrimit.
Pronësia dhe Kadastra

Vonesa në regjistrimin e pronave dhe pasiguri ligjore për titujt e pronësisë.
Problematika në ndërveprimin me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Rekomandohet:
Përshpejtim i procedurave të regjistrimit.
Qartësi në dokumentacionin kadastral.
Akses më i gjerë elektronik për institucionet financiare.
Sistemi Bankar dhe Financat

Nevojë për përmirësim të kuadrit për kreditimin dhe reduktimin e kredive me probleme.
Propozime për:
Miratim të ligjit për Credit Bureaus.
Ndryshime në regjistrin qendror të llogarive bankare.
Forcim të mbrojtjes së bankave në rast sekuestrimesh sipas ligjit antimafie.
Masa për uljen e përdorimit të cash-it dhe de-euroizimin.
Energjia, PPP dhe Sektorë Strategjikë

Ka përmirësime graduale në energji, por kërkohet rritje e parashikueshmërisë dhe eficiencës së kostove.
Nevojë për kuadër më transparent në koncesione dhe PPP.
Qartësi dhe qëndrueshmëri në ligjet për energjinë e rinovueshme, minierat dhe hidrokarburet.
Integrimi në BE

Mbështetje e fortë për përafrimin me acquis të BE-së.
Kërkohet që reformat të fokusohen në zbatim efektiv, jo vetëm në miratim ligjesh.
FIAA ofron bashkëpunim të strukturuar me ekipin negociator për kapitujt që prekin klimën e biznesit.

syri.net

Zbulohen dokumentet për vdekjen e ambasadorit francez dhe atij turk në Tiranë në vitet 1968 e ’77!

Nga DASHNOR KALOÇI/ Ngjarja e trishtë me ish-ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri, Josep Limprecht, i cili ndërroi jetë më 19 maj të vitit 2002, nga një infarkt kardiak, teksa ishte duke u ngjitur në një mal në zonën e Lurës në rrethin e Dibrës, së bashku me bashkëshorten e tij, Nensi dhe zëvendës-ambasadorin, (edhe ai me bashkëshorten), drejtorin e USAID, Haward Sumka, kreun e komunës Hysni Buci dhe shoqëruesit e eskortës, nuk është rasti i vetëm kur diplomatë të huaj, madje titullarë kryesorë të dy prej ambasadave më të rëndësishme në Tiranë, kanë humbur jetën në vendin tonë.  Ngjarje të tilla fatkeqësisht kanë ndodhur në Shqipëri edhe para viteve ’90-të, gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, kur dy ambasadorë të huaj, kanë humbur jetën, po nga “atakë kardiake”!

 

Rasti i parë ka qenë ai i ambasadorit francez në Tiranë, Iv Pino, i cili vdiq më datën 28 tetor të vitit 1968 dhe rasti tjetër, ka qenë me ambasadorin turk, Bulen Kostell, i cili vdiq më 16 gusht të vitit 1977. Po në ç’rrethana humbën jetën në kryeqytetin shqiptar, dy diplomatët kryesorë të ambasadave nga më të rëndësishmet me të cilat ishte lidhur Tirana zyrtare, siç ishte ajo franceze që Enver Hoxha e kishte të vetmen “portë” me Perëndimin dhe ajo turke, për shkak edhe të lidhjeve të ngushta mes dy popujve, në disa shekuj?!

A mund të shpëtohej jeta e ambasadorit francez dhe përse mjeku shqiptar i caktuar për të huajt në Tiranë (me autoambulancën) i shkuan një orë e gjysëm me vonesë, pas marrjes së lajmërimit nga stafi i ambasadës franceze?! Për çfarë insistonte bashkëshortja e ambasadorit francez, dhe çfarë i kërkoi ajo kuzhinierit shqiptar që shërbente në atë ambasadë dhe cili ishte shënimi i Hysni Kapos lidhur me atë ngjarje? Po ambasadori turk, vërtet ndërroi jetë nga konsumimi i “pesë shisheve me birrë” në oborrin e ambasadës së tij, apo pas këtyre “atakëve kardiake” fshiheshin të tjera gjëra?

Sa më sipër këto mbeten vetëm në kuadrin e hamendësimeve dhe ndoshta këto dy histori nuk do të zbardhen kurrë, (ashtu siç kanë mbetur shumë e shumë histori të tjera me diplomatët e huaj në Tiranë gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia) dhe në këtë shkrim po publikojmë dokumentet arkivore për ngjarjet në fjalë, të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe publikohen për herë të parë (bashkë me faksimilet përkatëse) nga Memorie.al

KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 29 TETOR 1968, KU NJOFTOHET VDEKJA E AMBASADORIT FRANCEZ NË TIRANË, IV PINO, NGA VONESA E MJEKUT SHQIPTAR

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                 SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                            Ekzemplar Nr.1

“DEGA E PËRGJITHSHME”                                                      Tiranë, më 29.10.1968 

                                             KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 258

DEGA E II-të

Njofton se më 28.X.1968, vdiq ambasadori francez, Iv Pino, nga infarkti i miokardit. Është mësuar se në pasdreken e kësaj dite, ambasadorit i është ankuar gruas së tij duke i thënë se nuk e ndjente vetën mirë dhe se në orën 19.20 është njoftuar Poliambulanca për të dërguar një mjek se ndodhej keq.

Mjeku përkatës për të huajt nuk ndodhej aty dhe me gjithë kërkimet e bëra, nuk e gjetën, kështu që drejtori i Poliambulancës ka urdhëruar të shkonte për ta parë ambasadorin, Dr. Besnik Petrelën, së bashku me një infermier.

Në kohën që ka arritur mjeku, d.m.th., një orë e ca vonesë, ay vdiq.

Njerëzit e familjes së ambasadorit ose të personelit të ambasadës franceze, nuk kanë shfaqur ndonjë ankesë. Një gjë të tillë e ka vënë në dukje funksionari i ambasadës italiane, Damesi.

Gruaja e ambasadorit siç duket ka dyshuar për helmim, sepse ka thirrur kuzhinierin (shqiptar) dhe ka kërkuar që zorrët të vendosen në një kasë – siç duke për t’i marrë me vete në Francë për ekzaminim.

Kufoma u dërgua në spital për autopsi dhe në mëngjesin e datës 29.X.1968, ajo do t’i jepet familjes në pritje për ta nisur për në Francë.

ZV. KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME

                             KOLI SHUKE 

SHËNIMI I HYSNI KAPOS NË KOMUNIKATËN OPERATIVE SEKRETE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË DATËS 29 TETOR 1968, KU NJOFTOHET VDEKJA E AMBASADORIT FRANCEZ IV PINO

Drejtorisë së I-rë

Pse kaq keq Poliambulanca? Kjo s’na nderon. Të shihen nëse pengojnë këto gjëra si mjeku i kërkuar, ai për urgjencat, që duhet të shkoj shpejt kur duhet?!

KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 17 GUSHT 1977,  KU NJOFTOHET VDEKJA E AMBASADORIT TURK NË TIRANË, BULEN KOSTELL, PASI KISHTE PIRË PESË BIRRA

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                    SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                             Ekzemplar Nr.1

“DEGA E PËRGJITHSHME”                                                        Tiranë, më 17.8.1977

                                             KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 193

TIRANË

Më 16.8.1977, në ora 13.30 në oborrin e ambasadës turke, u gjet i vdekur nga punëtoria e ambasadës, ambasadori turk Bulen Kostell, i cili kishte pirë pesë shishe birrë në atë vend.

Mjekët konstatuan se ai ka vdekur na infarkt akut miokardit. Ka qenë i sëmurë me këtë diagnozë dhe është shtruar dy herë në spital.

Në vend shkuan shokët e protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Zyra e Trupit Diplomatik dhe nga Poliklinika Qendrore./ Memorie.al

                                  KRYETARI

                                 PILO SHANTO

“Financial Times”: Rekrutët dhe ish-mercenarët e ‘Wagnerit’ po përdoren nga Moska si sabotatorë në Evropë!

Ish-rekrutuesit dhe propagandistët për organizatën mercenare ruse ‘Wagner’, janë shfaqur si një bosht kyç për sulmet sabotuese të organizuara nga Kremlini në Evropë, sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore të cituar nga ‘Financial Times’.


Siç theksojnë ata, rrjeti që u krijua për të forcuar operacionet ruse në Ukrainë tani është riorientuar, me një mision për të rekrutuar evropianë ekonomikisht të prekshëm për të kryer akte dhune në territorin e shteteve anëtare të NATO-s.

Statusi i ‘Wagner’ mbetet i paqartë pas kryengritjes së dështuar kundër udhëheqjes ushtarake ruse në qershor 2023, e cila çoi në spastrime dhe – në fund – në vdekjen e themeluesit të saj, Yevgeny Prigozhin.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, mekanizmat e rekrutimit që ishin zhvilluar brenda Rusisë jo vetëm që nuk u çmontuan, por u vunë në shërbim të shërbimeve të inteligjencës ruse me një mision të ri.

Fushata e destabilizimit

Një zyrtar i inteligjencës perëndimore tha se agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, po “përdor talentin që ka në dispozicion”, duke iu referuar rrjetit Wagner.

Si GRU ashtu edhe FSB, shërbimi federal i sigurisë i Rusisë, kanë shtuar përpjekjet për të rekrutuar agjentë “të pashfrytëzueshëm” në Evropë me qëllim shkaktimin e kaosit dhe trazirave sociale.

prigozhin

Gjatë dy viteve të fundit, Kremlini ka zgjeruar një fushatë destabilizimi në tokën evropiane, duke kërkuar të dobësojë vullnetin politik të qeverive perëndimore për të mbështetur Ukrainën. Pas dëbimeve masive të diplomatëve rusë nga kryeqytetet e BE-së, të cilat e zvogëluan ndjeshëm rrjetin e agjentëve sekretë të Moskës, shërbimet ruse janë kthyer gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit dhe përfaqësuesit.

Nga djegia e automjeteve dhe depove deri te shpërndarja e propagandës naziste

Për GRU- në, rrjeti Wagner ka rezultuar veçanërisht efektiv, madje edhe me metoda “të ashpra”, sipas zyrtarëve të lartë evropianë. Rekrutët kanë marrë urdhra që variojnë nga djegia e automjeteve të politikanëve dhe depove me ndihmë humanitare për Ukrainën deri te shpërndarja e propagandës naziste si mjet për të nxitur tensione.

Shumica e të rekrutuarve veprojnë për pagesë dhe shpesh janë individë të margjinalizuar shoqërisht pa orientim të qartë. Siç vuri në dukje një zyrtar evropian, Wagner kishte një rrjet të gatshëm propagandistësh dhe rekrutuesish që “flasin gjuhën e tyre”.

wagner1

Shërbimet ruse, sipas të njëjtit burim, gjithmonë kërkojnë të ndërhyjnë të paktën dy nivele “përgjimi” midis tyre dhe autorëve, duke siguruar mundësinë e mohimit të përfshirjes. Në këtë kontekst, drejtuesit e Wagner kishin një bashkëpunim të gjatë dhe të ngushtë me GRU-në.

FSB, nga ana e saj, është drejtuar kryesisht te rrjetet kriminale që ka kultivuar në “jashtë vendit të afërt” rus, megjithëse, sipas të njëjtave burime, këto rrjete kanë rezultuar më pak efektive në rekrutimin masiv.

Ata po “peshkojnë” për një audiencë përmes Telegram dhe mediave sociale.

Wagner dhe mbështetësit e tij tashmë kishin një prani të konsiderueshme në mediat sociale, duke synuar fillimisht një audiencë ruse, e cila ishte relativisht e lehtë për t’u përshtatur në nivelin ndërkombëtar. Kanalet në Telegram në veçanti karakterizohen nga profesionalizmi dhe aftësia për të synuar audienca specifike.

“Ata e njohin audiencën e tyre ”, tha një zyrtar i dytë evropian.

Prigozhin ishte gjithashtu i lidhur me funksionimin e Agjencisë së Kërkimit në Internet në Shën Petersburg, “ferma më famëkeqe e trollëve” ruse, e cila ka synuar audiencat perëndimore me fushata dezinformimi që nga dekada e kaluar. Shërbimet evropiane po monitorojnë Roli i rrjetit Wagner në fushatën e sabotimit të Rusisë është monitoruar nga afër nga shërbimet evropiane të sigurisë që nga fillimi.

Në fund të vitit 2023, llogaritë e mediave sociale të lidhura me Wagner rekrutuan një grup britanikësh. Dylan Earl, , u rekrutua në internet dhe, në mars të vitit 2024, pasi rekrutoi katër të rinj të tjerë, i vuri flakën një depoje në lindje të Londrës. Ai u dënua vitin e kaluar me 23 vjet burg.

wagner2

Në vendimin e saj për dënimin, gjyqtarja tha se “dora e fshehtë e internetit funksionoi, pasi rekrutues anonimë, përmes bisedave online, zakonisht në platforma të koduara, identifikuan të rinj në Mbretërinë e Bashkuar që ishin të gatshëm t’i nënshtroheshin një forme radikalizimi dhe të tradhtonin vendin e tyre për para në dukje të lehta”.

Pas sulmit, agjencitë evropiane filluan të formojnë një pamje më të gjerë të një rrjeti të gjerë të “të shpenzueshëm” të Wagnerit në të gjithë Evropën. Megjithatë, autoritetet theksojnë se zgjedhja e përfaqësuesve ka edhe disavantazhe për Moskën: atë që fiton në shkallë dhe kosto të ulët, e humbet në profesionalizëm dhe sekret. gsh

18-vjetori i shtetësisë gjen Kosovën mes festës dhe protestës

Krenare Cubolli

Për Hashim Thaçin, e marta e 17 shkurtit është dita e parë pas gjashtë sosh që nuk niset për në sallën e gjyqit për t’i dëgjuar deklaratat përfundimtare në rastin kundër tij dhe tre ish-eprorëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Po të njëjtën ditë, 18 vjet më parë, ai e shkruante historinë: e shpallte Kosovën shtet të pavarur.

Thaçi, ish-president, Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000.

Në këtë video keni më shumë hollësi për punën e Gjykatës:

Pavarësisht mijëra kilometrave larg, ky proces e ka ndikuar shpesh përditshmërinë në Kosovë.

Njëjtë edhe në përvjetorin e pavarësisë: 17 shkurti do të jetë ditë e përzier mes festës dhe protestës. Festë, sepse vendi mbush 18 vjet – numër që simbolizon moshën e pjekurisë në shumë vende, dhe protestë për, siç thuhet, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë.

Në këtë proces, Prokuroria i ftoi rreth 125 dëshmitarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin anonimë, ndërsa mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit ftuan emra me nam, sikurse gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, ish-ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christpher Hill.

Kërkesa e Prokurorisë për 45 vjet burgim preku një “nerv publik”

Prej 9 deri më 18 shkurt, përjashtuar datën 17, në Hagë shpalosen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto deklarata janë një lloj analize e provave që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe kanë peshë të madhe në krijimin e opinionit te trupi gjykues.

“Palët që do të arrijnë të argumentojnë dhe të bindin trupin gjykues që prova të caktuara kanë apo nuk kanë peshë relevante, si dhe vlerësimi i rrethanave, mund të kenë ndikim në marrjen e vendimit përfundimtar”, vlerëson ai.

Prokuroria, gjatë fjalës së vet, kërkoi dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve. Për ekipet mbrojtëse, një kërkesë e tillë është e barasvlershme me burgim të përjetshëm, prandaj ato i hodhën poshtë të gjitha pretendimet e palës tjetër.

Alija thotë se kërkesa e Prokurorisë nuk ka bazë ligjore – as në ligjin ish-jugosllav, që ishte në fuqi në kohën kur pretendohet të jenë kryer krimet më 1998-’99, dhe as në ligjet aktuale të Kosovës.

Asokohe, dënimet maksimale mund të shkonin deri në 20 vjet burgim, ndërsa me ligjet e tanishme të Kosovës dënimet parashohin deri në 35 vjet burgim.

“Në procedurat ligjore, trupi gjykues duhet ta ketë parasysh parimin universal ‘lex midio’, që do të thotë se ligji që është më i favorshëm në rastin e shqiptimit të dënimit duhet të aplikohet në procedurën penale”, pohon Alija.

Trupi gjykues në Hagë.

Trupi gjykues në Hagë.

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Prokurorisë e ka prekur “një nerv publik” në gjithë Kosovën.

Për të, kërkesa e tillë është fyese dhe skandaloze, dhe një përpjekje dëshpërimi e Prokurorisë që të kërkojë maksimumin, që të sigurojë të paktën një dënim më të vogël.

“Nuk mendoj se Prokuroria ka prodhuar rast bindës, ekziston një hendek jashtëzakonisht i madh mes dokumentimit të krimeve, të cilat edhe mbrojtja nuk po i konteston, dhe ndërlidhjes së tyre me Shtabin e Përgjithshëm [të UÇK-së], dhe pretendimin se kjo ka qenë e centralizuar. Me një hendek kaq të madh, verdikti fajësues për mua duket i pabesueshëm. Të kërkosh dënim sikurse për kriminelët e luftës, që kanë vrarë me dhjetëra mijëra civilë të pafajshëm, është krejtësisht joproporcionale”.

Por, përveç zërave që i kanë mbështetur gjithmonë ish-eprorët e UÇK-së, këtë herë fjala në mbrojtje të tyre u përhap edhe në nivele institucionale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit, gjatë prezantimit të përbërjes së re të Qeverisë më 11 shkurt, duke thënë se përpjekjet e Prokurorisë në Hagë janë “një orvatje që bie ndesh me të vërtetën”.

Ai, madje, e themeloi edhe një ministri të re: për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Një ditë më vonë, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë e cila kërkon gjykim të drejtë për të akuzuarit në Hagë.

Kurti, me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, kanë qenë tejet kritikë ndaj Gjykatës Speciale, dhe patën votuar kundër formimit të saj. Më 2017, në Kuvendin e Kosovës ishin bërë përpjekje edhe për shpërbërjen e gjykatës, por pa sukses.

Duke kthyer në kujtesë këtë fakt, për Maliqin qasja kaq e zëshme e Kurtit në mbrojtje të luftës së UÇK-së është përpjekje e tij për t’u dukur më gjithëpërfshirës, ndërsa risi është qasja e presidentes Osmani, meqë në të kaluarën, siç thotë ai, ajo e ka ushqyer një narracion mjaft të ndryshëm me ish-krerët e UÇK-së, sa ata ishin në pushtet.

Osmanit i skadon mandati si presidente edhe disa javë, dhe ajo e ka bërë tashmë të qartë synimin për një mandat të dytë. Megjithatë, nuk dihet nëse do t’i ketë votat e nevojshme.

A mund të jetë kjo njëra prej arsyeve pse Osmani është kaq e zëshme për UÇK-në dhe luftën e saj?

Maliqi nuk e përjashton si mundësi: “Presidentja Osmani është treguar viteve të fundit, le te quaj kështu ‘skiatore e sllallomit’ në mjaft momente të caktuara, e aftë t’i ndryshuar dhe përshtatur qëndrimet në përputhje me interesat e saj politike”.

Sa i përket aspektit juridik, Alija rikujton që deklaratat dhe rezoluta janë veprime politike, protesta është e drejtë kushtetuese, por që në procesin gjyqësor nuk kanë asnjë peshë.

Fotografia e Thaçit afër selisë së Partisë Demokratike të Kosovës, parti e themeluar nga vetë ai.

Fotografia e Thaçit afër selisë së Partisë Demokratike të Kosovës, parti e themeluar nga vetë ai.

Rrugëtimi i Kosovës përgjatë 18 vjetëve

Rezoluta për gjyqin në Hagë përbën ndër vendimet e para që i ka miratuar legjislatura e re e Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Gjithë viti 2025 mund të përshkruhet lehtësisht si vit i humbur legjislativ, pa institucione funksionale dhe me qasje thellësisht përçarëse ndërmjet partive, çka rezultoi me proces të ri zgjedhor, në të cilin Kurti shënoi fitore bindëse – me mbi 51 për qind të votave – dhe kështu e formoi lehtësisht Qeverinë e re.

Por, kur Maliqit i kërkohet të kthehet mbrapa në kohë, përtej 2025-tës, dhe të reflektojë për 18 vjetët e shtetësisë së Kosovës, ai thotë shkurt se sheh rritje simbolike të pjekurisë shtetërore, dhe një përparim të dukshëm, por që mundësitë e humbura janë të jashtëzakonshme.

“Ka konsolidim të demokracisë, por është shumë e brishtë. Dhe, nën presion të vazhdueshëm. Në këtë mandat të dytë të plotë të Kurtit, do të jetë sfidë se si të mbrohen institucionet nga përpjekja për sundim”.

Me raste, Qeveria paraprake e Kurtit është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian për veprime të njëanshme, kur bëhej fjalë për të drejtat e minoritetit serb dhe për mungesë të theksuar kompromisi. Për pasojë, Uashingtoni e ka pezulluar Dialogun Strategjik ende pa nisur, ndërsa Brukseli e ka ndëshkuar vendin me sanksione, që vetëm tani ka nisur t’i heqë gradualisht.

Shikuar në rrafsh ndërkombëtar, Kosova nuk ka arritur as anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në BE, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), apo në Këshillin e Evropës.

Shtetësia e saj njihet prej 121 vendeve të botës sot, por sfidë ende përbën mungesa e njohjeve nga katër vende të NATO-s dhe nga pesë të bllokut evropian.

Si histori suksesi mund të veçohen rastet kur sportistët e kanë ngritur flamurin në gara ndërkombëtare, veçanërisht në sportin e xhudos, ku janë siguruar medalje olimpike.

Në aspektin ekonomik, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, dhe pa investitorë të mëdhenj.

Kapitulli i ri

Si vend me 1.5 milion banorë, prioriteti kryesor duket lehtë i identifikueshëm: ruajtja e aleancave me vendet që i ndihmuan të pavarësohej, sidomos me SHBA-në.

Në këtë drejtim luajnë rol edhe lëvizjet, sikurse ajo e presidentes Osmani për të qenë pjesëmarrëse në themelimin e Bordit të Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

“Kosova e ka jetike marrëdhënien me SHBA-në, njësoj sikurse e ka rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kosova nuk ka çfarë të humbë nëse futet në nisma që nuk bien ndesh me asnjërën prej këtyre dy objektivave”, thekson Maliqi.

Një tjetër proces me rëndësi, sipas tij, është integrimi i serbëve të Kosovës.

Ai porosit liderët që të mos kenë si pikënisje qasjen krejtësisht reaktive ndaj Serbisë, por që ta shpërfillin atë dhe të mos ia mundësojnë prishjen e agjendave të saj.

Serbia vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës, dhe pavarësisht dialogut që zhvillojnë dy palët në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, rezultatet janë të zbehta.

Në këtë drejtim, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zotim i Kosovës që del nga ky proces, përbën ndër sfidat më të mëdha për Qeverinë e re të vendit.

Në periudhë afatshkurtër, rëndësi do të ketë edhe se si përfundon procesi gjyqësor në Hagë.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, rasti do të kalojë te gjyqtarët, të cilët do t’i kenë tre muaj kohë që të marrin një vendim.

Alija beson që ata mund të kërkojnë edhe dy muaj shtesë për shqyrtimin e provave, meqë rasti është goxha voluminoz.

Ndërkohë, më 17 shkurt, sheshet e Prishtinës do të jenë sërish të mbushura me njerëz.

Do të ketë emocione krenarie e mburrjeje për paradën e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është në rrugë për t’u transformuar në ushtri, por edhe thirrje për drejtësi për të akuzuarit në Hagë.

Sheshet ishin plot edhe më 17 shkurt 2008.

Gëzimi atëherë e kishte prekur kulmin, pavarësisht motit të acartë. Ndoshta ishte ogur për gjithë sfidat që do t’i përjetonte Kosova përgjatë rritjes së saj…


Send this to a friend