VOAL

VOAL

ISIS KËRCËNON NË SHQIP BALLKANIN – SHQIPËRINË DHE KOSOVËN

June 5, 2015

Komentet

Uashingtoni t’i japë fund përkëdheljes së Serbisë, të mbështesë përpjekjet e Prishtinës për qeverisje në veri

Të premten, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq njoftoi masat me të cilat synon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Ai nuk është më i kënaqur me refuzimin e njohjes së Kosovës, por dëshiron të marrë të paktën një pjesë të saj. Ndërkohë, ambasada amerikane në Beograd vazhdon të shprehë besimin se ajo po e çon Serbinë drejt Perëndimit.

Kështu shkruan profesori amerikan i John Hopkins, Danier Serwer, i cili në analizën e tij të fundit thotë se përkëdhelja e Serbisë nuk funksionon dhe as ndëshkimi i Kosovës nuk funksionon, raporton Gazeta Express.

Uashingtoni duhet të rivendosë politikën e tij për Ballkanin në drejtime më koherente, thotë Serwer, i cili ka radhitur në disa pika se si mendon që kjo rivendosje e politikës duhet të bëhet:

Ai [Uashingtoni] duhet të mbështesë përpjekjet e Prishtinës për të qeverisur në mënyrë të barabartë në veri të Kosovës dhe të ndihmojë në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në atë drejtim.

Duhet t’i japë fund përkëdheljes së Serbisë, të kritikojë publikisht synimet irredentiste dhe antidemokratike të Vuçiqit dhe t’i jepet fund grumbullimit të lavdërimeve dhe parave për Beogradin.

SHBA duhet të inkurajojë rishpërndarjen e EUFOR-it në qytetin verilindor të Bosnjës, Brcko, ku do të përfaqësonte një pengesë serioze ndaj shkëputjes.

Uashingtoni duhet të insistojë që Bosnja të zbatojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që do t’i jepnin fund politikës me bazë etnike të vendit.

Uashingtoni duhet të udhëheqë një përpjekje për të izoluar rusofilët e Malit të Zi nga informacionet e ndjeshme të NATO-s.

Ai gjithashtu duhet të paralajmërojë Maqedoninë se do të jetë e radhës nëse rusofilët atje mbeten në pushtet.

Serwer thotë se mënyrat se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ushtron sovranitetin në veri e shqetësojnë Perëndimin, por thotë se Kurti “pa mëdyshje” rreshtohet kah Perëndimi.

“Kosova, ku ndërrimi i pushtetit ka ndodhur disa herë, ka një kryeministër popullor, i cili ushtron autoritet sovran në veriun e Kosovës me shumicë serbe në mënyra që u japin shqetësime amerikanëve dhe evropianëve. Ata duan që ai të konsultohet dhe të marrë leje për çdo gjë që bën që mund të shqetësojë ose serbët e Kosovës ose Beogradin. Ai nuk ka qenë i gatshëm ta bëjë këtë. Por kryeministri Kurti gjithsesi rreshtohet pa mëdyshje me Perëndimin. Ai nuk ka alternativë”.

‘Asociacioni, po – jo?’, Kurti i përgjigjet pyetjes direkte të Al Jazeera-s: Si pako, po

Kryeministri Albin Kurti i tha Al Jazeera-s se e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pyetje direkte: Asociacioni, po apo jo?”, pyetet Kurti në një dokumentar me titullin “Kosova: Krijimi i një shteti”.

“Natyrisht që Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Megjithatë kjo është pjesë e marrëveshjes bazike tash. Neni 7 thotë se komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim. Nga ana tjetër, neni 10 thotë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen. Kështu që unë nuk e mohoj këtë. Megjithatë, vetëm si pjesë të pakos së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë”, thotë Kurti.

Ai tha se s’mund të zgjidhet vetëm njëra prej 39 marrëveshjeve me Serbinë, “sikur të jetë tavolinë suedeze” dhe “as ta vendosni përpara marrëveshjes bazë”.

“Si pako, kam thënë po”, nënvizoi kryeministri.

Kurti tha paraprakisht se nuk është kryeministër vetëm i shqiptarëve.

“Ne e kemi 93% të popullsisë shqiptarë, por unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve. Ne kemi 4% serbë dhe kemi 3% minoritete të tjera”.

Ai përmendi “diskriminimin pozitiv” që tha se shteti e bën për serbët, duke përmendur të drejtat që ata i gëzojnë në Kosovë. sn

Barometri i Ballkanit- Rritet papunësia në Shqipëri, niveli më i lartë rajonal!

Këtë vit, INSTAT nuk ka publikuar asnjë tregues në lidhje me punësimin në vend, për shkak të përputhjes së Anketës së Forcës së Punës me të dhënat e reja të popullsisë që buruan nga Cens 2023.

Por të dhënat nga anketa e Barometrit të Ballkanit 2024 treguan normë të lartë papunësie në mesin e të anketuarve në Shqipëri.

Nga 1000 të pyetur, 20% ishin të papunë në vendin tonë, niveli më i lartë rajonal dhe me diferencë nga të tjerat.

Mesatarja rajonale e papunësisë në mesin e të anketuarve ishte 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezultoi në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%.

Në mesin e të anketuarve gjithashtu Shqipëria kishte vetëpunësimin 15%, niveli më i lartë në Rajon, për rrjedhojë kemi përqindjen më të ulët të të punësuarve me pagë.

Në 1000 persona të pyetur në vendin tonë, 39% e tyre ishin të punësuar me pagë, Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%.

Nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, një përqindje e madhe në Maqedoninë e Veriut (21%) dhe në Serbi (28%) ishin pensionistë.

Në shqyrtimet tremujore të ecurisë së ekonomisë, Banka e Shqipërisë nëpërmjet të dhënave alternative referoi se ka rritje më të ngadaltë të punësimit më 2024.

Treguesit e vrojtimeve tregojnë se pritjet e bizneseve për punësimin janë zvogëluar gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që situata vlerësohet e përmirësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual.

Treguesi i punësimit ndoshta do të pësojë ndryshimin më të fortë nga të dhënat e reja të Cens 2023. Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e Cens 2011.

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune./Monitor

Turistët nga Kosova braktisin Shqipërinë? Hyrjet e tyre në sezonin veror ranë me 16%

Hyrjet e shqiptarëve të Kosovës ranë me 16% në korrik 2024 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave lidhur me vendet e origjinës nga kanë ardhur shtetasit që kanë hyrë në vendin tonë, konfirmojnë atë që më herët pohuan edhe tur-operatorë: në bregdetin shqiptar pushuan më pak shqiptarë të Kosovës.

Në muajin e 7-të të vitit hynë në total 710 mijë shtetas nga Kosova teksa një vit më parë ishin mbi 847 mijë. Kjo është hera e parë që nga pandemia që ky grup shënon rënie teksa ka mbajtur çdo vit peshën kryesore të turizmit duke mbetur në nivelet mbi 40 për qind të totalit të hyrjeve. Deri në qershor në fakt shifrat tregojnë për një ecuri pozitive të hyrjes së turistëve nga Kosova ku në qershor 2024 ishin 15 për qind më shumë se qershori i një viti më parë.

Rënia e numrit të vizitorëve nga Kosova u paralajmërua që në fillim të vitit si efekt i liberalizimit të vizave që nisi nga janari. Turoperatorët e Kosovës pohuan se kishte një numër në rritje të shtetasve që Kosovës që po preferonin destinacione të reja si Greqia apo Kroacia përmes rritjes së frekuencës së autobusëve që i çonin ata në destinacion, teksa edhe udhëtimet nga Tirana për destinacone me linja low cost panë rritje.

Shifrat e raportuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës treguan për një rritje të shtetasve nga Kosova që zgjodhën për të fluturuar nga ky aeroport. Liberalizimi i vizave pakësoi jo vetëm udhëtimet e fundjavave drejt Shqipërisë, por mesa duket edhe pushimet e verës.

Tur-operatorët do të vlerësonin se tashmë jemi përpara faktit se epoka e turizmit patriotik ka përfunduar dhe tërheqja e turistëve nga Kosova do të duhet të bëhet në një raport të drejtë me shërbim dhe oferta konkurruese në raport me tregjet potencialë ku këta të fundit mund të shkojnë.

Një tjetër shkak që duket se ndikoi tek prania e më pak shqiptarëve të Kosovës në vend ishin edhe çmimet e rritura këtë vit. Nga Velipoja deri në Ksamil, vendi pati rritje të çmimeve nga vlerat minimale deri në gati 2-fishim dhe edhe pse Shqipëria ofroi sërish alternativa për të gjithë duket se paniku që u krijua në rrjete sociale sidomos në qershor dhe fillim korrik “trembën” turizmin patriotik.

Pushuesit nga Kosova u qëndruan kryesisht në Velipojë dhe Shëngjin ku çmimet ishin më ekonomike teksa në Golem kishte më pak pushues e po kështu edhe në Jug. Krahas rritjes direkte së çmimeve, rënia e Euros është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht në turizmin e Kosovës. Nëse disa vite më parë për 100 euro, turistët merrnin 120-125 lekë, tashmë ata marrin më pak sesa 100 lekë./Monitor

Ukraina i fton OKB-në dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Kursk të Rusisë

Ukraina tha të hënën se i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) t’u bashkohen përpjekjeve humanitare në rajonin Kursk të Rusisë, në të cilin forcat ukrainase e kryen një inkursion në gusht.

Ushtria ukrainase tani ka nën kontroll rreth 100 vendbanime në rajonin e Kurskit një muaj pasi e nisi inkursionin befasues, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse i kanë rimarrë nën kontroll edhe dy fshatra të tjera në këtë rajon.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se e udhëzoi të dielën Ministrinë e vet t’i ftojë OKB-në dhe ICRC-në të punojnë në rajonin e Kurskut.

“Ukraina është e gatshme ta lehtësojë punën e tyre dhe të sillet në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Sybiha në X gjatë një vizite në Sumi, nga ku forcat ukrainase e nisën sulmin matanë kufirit.

Ai tha se ushtria ukrainase po garanton ndihmë humanitare dhe kalim të sigurt për civilët në rajonin e Kurskut.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se ftesat u janë dërguar OKB-së dhe ICRC-së “duke marrë parasysh gjendjen humanitare dhe nevojën për të siguruar të drejta themelore njerëzore në territorin e rajonit të Kurskut”.

Ajo tha se i ka kërkuar ICRC-së të vëzhgojë nëse Ukraina po vepron në përputhje me parimet e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Nuk është e qartë nëse OKB-ja dhe ICRC-ja janë përgjigjur.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, duke thënë se deklarata të tilla janë “provokuese”.

Ai e bëri të qartë se Moska, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022, pret që OKB-ja dhe ICRC-ja të mos i pranojnë ftesat. REL

FSK-ja vazhdon stërvitjet për mbrojtjen e territorit të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në kuadër të ushtrimit “Arroë Delta 01”, togu i rikonicionit dhe togu i mortajave nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë janë duke demostruar testimin e kapaciteteve të tyre për mbështetjen e operacioneve mbrojtëse dhe aftësive të liderëve kyç.

Duke shpërndarë disa fotografi të ushtarëve në rrjetin social Facebook, ministri thotë se krahas furnizimit me pajisje dhe sisteme të armatimit, trajnimi dhe testimi i shkathtësive individuale dhe ekipore janë shtylla tejet të rëndësishme për zhvillimin e aftësive luftarake të njësive të FSK-së.

Më poshtë postimi i plotë i Maqedoncit:

Me qëllim përgatitjen për të qenë e aftë për të ushtruar njërën nga tre detyrat kyçe të misionit të saj, mbrojtjen e territorit, Forca e Sigurisë e Kosovës po vazhdon përgatitjen dhe trajnimin e njësiteve të saj.

Në kuadër të ushtrimit “Arrow Delta 01”, togu i rikonicionit dhe togu i mortajave nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë janë duke demostruar testimin e kapaciteteve të tyre për mbështetjen e operacioneve mbrojtëse dhe aftësive të liderëve kyç.

Krahas furnizimit me pajisje dhe sisteme të armatimit, trajnimi dhe testimi i shkathtësive individuale dhe ekipore janë shtylla tejet të rëndësishme për zhvillimin e aftësive luftarake të njësive të FSK-së. sn

Banka Botërore: Mbi 400 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri

Drejtuesi i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas ka zbuluar shifrat e varfërisë në vendin tonë.

Sipas tij, jane mbi 400 mije shqiptare te cilet jetojne ne varferi, ndersa nje pjese e madhe tjeter eshte shume prane ketij pragu.

‘Gati 14 për qind e popullsisë në Shqipëri jetojnë në varfëri, pra kanë më pak se 5,5 dollarë në ditë për të jetuar’, tha Salinas në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Shqipëri.

‘Një pjesë tjetër e konsiderueshme jeton në kufirin e varfërisë. Shqipëria duhet të luftojë varfërinë, pabarazinë duke krijuar vende të mira pune’, shtoi ai. sn

Haxhiu: Ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë t’i dorëzojë kriminelët

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 24 të akuzuarve për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Haxhiu ka thënë për Ekonomia Online se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimin e tyre për mos ngritjen e aktakuzës për krye terroristin Milan Radojiçiq dhe të grupit të tij.

“Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tonë sepse nuk është ngritur aktakuza për krye terroristin Milan Radojiçiq dhe për terroristët tjerë të cilët kanë kryer sulmin terroristë në Banjskë, që kishte për qëllim aneksimin e Veriut të vendit tonë, dhe duke pasur parasysh që pas këtij sulmi ka qëndruar Serbia, ka financuar terroristët dhe ka financuar dhe trajnuar ata, kemi konsideruar Prokuroria Speciale është dashur qysh më herët të ngritë aktakuzën për këtë rast, dhe sigurisht që siç ka thënë kryeministri më mirë vonë se kurrë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që “Serbisë t’i bëhet presion që t’i dorëzojë kriminelët terroristë”.

“Ne e kemi mirëpritur aktakuzën si Ministri e Drejtësisë kemi adresuar të gjitha përgjegjësitë në kohë reale që i kemi pasur në këtë rast por për shkak të ndjeshmërisë ne nuk mund të flasim për to, tani po e përcjellim këtë rast me vëmendje të madhe, sikurse ne si Qeveri po edhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Ajo çfarë e konsideroj që është e rëndësishme që Serbia të dorëzojë krye terroristin Rajodociq dhe po ashtu terroristët tjerë që kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë. Dhe që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion për të jo që të kërkohet nga Kosova që të dorëzojë prova Serbisë, sepse ju e dini që i vetmi autoritet të vetmet institucionet të cilat kanë përgjegjësinë për kompetencën për ta hetuar këtë rast dhe për ta gjykuar është Republika e Kosovës. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet presion që t’i dorëzojë kriminelët, terroristët dhe në anën tjetër gjithçka çka varet nga ne do ta adresojmë në kohë reale”, theksoi ajo.

E pyetur se a mund të ketë një sulm të ngjashëm përsëri, Haxhiu ka potencuar se nga Serbia mund të pritet gjithçka, “duke parasysh qëllimet hegjemone dhe pretendimet territoriale që Serbia i ka ndaj vendit tonë”.

“Ne prej Serbisë gjithçka mund të presim duke pasur parasysh që Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, që Serbia i ka përkëdhelur terroristët që kanë kryer këtë sulm terrorist në |Kosovë. Duke pasur parasysh qëllimet hegjemone dhe pretendimet territoriale që Serbia i ka ndaj vendit tonë, nxitjet që ia bënë e njëjta grupeve kriminale të cilat nuk po i lënë të qetë serb që të jetojnë lirshëm në Republikën e Kosovës. Prej Serbisë gjithçka pritet, ne jemi vigjilent, institucionet tona të sigurisë po ashtu këtu më duhet ta vlerësoj lartë rolin që ka pasur Policia e Kosovës jo vetëm në sulmin në Banjskë, por gjatë gjithë kësaj kohe që me veprimet e tyre, me vetëmohim kanë qëndruar në përgjegjësitë e tyre si njësite brenda Policisë së Kosovë, natyrisht që edhe të gjitha institucionet tjera që kanë dhënë një kontribut në këtë drejtim, qoftë ato të sigurisë, inteligjencës dhe të drejtësisë” është shprehur ajo për EO.

Megjithëkëtë, ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që Radojiçiqi bashkë me grupin e tij të dalë para përgjegjësisë.

“Emri i krye terroristit Rajodociq dhe terroristëve të tjerë tashmë është edhe në kuadër të Interpolit dhe sigurisht që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky person të del para përgjegjësisë, tashmë gjithçka çfarë ka qenë në kuadër të policisë tonë ne e kemi adresuar, sigurisht që do të duhet të ketë drejtësi për atë që ka ndodhur në Banjskë. Ne si Qeveri e Kosovës gjithçka që varet nga ne do të adresojmë në kohë reale, përgjegjësia për këtë është e rëndësishme, e duhur dhe duhet të ndodh sa më parë”, shtoi ajo.

Ministrja theksoi se në vend të Kosovës, Serbia ishte dashur që të dënohen, sanksionohet për sulmin që ka bërë nga partnerët ndërkombëtarë.

Duke shtuar që prapa sulmit në Banjskë, ka qëndruar Serbia me armatim, trajnim dhe financim.

“Sigurisht që Serbia është dashur që të dënohet, të sanksionohet për sulmin që ka bërë, gjatë kohës kur ne kemi qenë në negociata një shtet si Serbia e ka bërë sulmin terrorist në Basnjkë, pra Serbia nuk mund ta fsheh që qëndron prapa këtij sulmi. Vetë fakti i deklarimeve publike që ka pasur por edhe armatimit, trajnimit dhe financimit që i është bërë këtij grupi terrorist e dëshmon këtë, sigurisht që partnerët tanë ndërkombëtarë është dashur që të vendosin masa, madje sanksione për Serbinë, jo për Kosovën që në vazhdimësi është duke bërë përpjeke për të shtrirë sovranitetin dhe për të respektuar integritetin territorial, gjegjësisht për të mos lejuar që ky integritet të cenohet, por që fatkeqësisht masat ia janë vënë Kosovë, dhe jo një vendi si Serbia që ka kryer sulm terrorist në Republikën e Kosovës.

Në vazhdimësi kemi thënë edhe në takimet tona me partnerët tanë ndërkombëtarë por edhe publikisht që konsiderojmë që kjo është e padrejtë, sepse dikush duhet të ndëshkohet për sulmin terrorist dhe për veprimet destruktimve, për refuzim të implementimit të marrëveshjeve të dakorduara të cilat i referohemi në vazhdimësi sigurisht që është Serbia dhe jo Kosova”, shtoi ministrja.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për 45 persona, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, për veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” dhe “Shpëlarja e parave”.sn

Zelensky kërkon përshpejtim të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sërish u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë “të zbatojnë shpejtë” marrëveshjet për armët dhe furnizimet e tjera për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit të nisur nga Rusia.

Në një video-mesazh të publikuar në orët e vona të 14 shtatorit, ai tha se “është e rëndësisë kritike që të gjitha shtetet, veçmas SHBA-ja, të zbatojnë menjëherë marrëveshjet e arritura me Ukrainën”.

“Ndikimi duhet të ndihet në front”, tha Zelensky. “Çdo vonesë e pakove ushtarake ka pasoja negative në front. Çdo dërgesë në kohë, dërgesë e shpejt ka ndikim pozitiv”.

Përpjekjet e mëdha për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën po vazhdojnë, teksa NATO-ja po përballet me thirrje nga disa shtete anëtare që të furnizojë Kievin me armë më të avancuara.

Kievi po ashtu vazhdimisht thotë se ka nevojë që të kryejë sulme brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi, në mënyrë që të mbrojë veten nga forcat pushtuese ruse. Ky argument ukrainas është mbështetur nga disa zyrtarë të NATO-s.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua në Shtëpinë e Bardhë më 13 shtator me presidentin amerikan, Joe Biden, për të diskutuar nëse duhet miratuar kërkesa e Ukrainës për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi kundër caqeve në Rusi.

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha më 14 shtator se Biden “është i vendosur që t’i përdorë katër muajt që i kanë mbetur të mandatit që ta vendosë Ukrainën në pozitën më të mirë të mundshme në mënyrë që të triumfojë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më herët gjatë javës se Perëndimi do të ishte “në luftë” me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë me raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në Perëndim, ndërkaq Medvedev tha më 14 shtator se Rusia mund ta shkatërrojë kryeqytetin ukrainas, Kiev, me armë jobërthamore nëse Perëndimi heq kufizimet e tij.

Medvedev, që tani shërben në postin e kryetari të Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, po ashtu tha se Rusia mund të përdorë armë bërthamore. /REL/

A do të sulmojë Ukraina territorin rus me armët perëndimore? Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s: Kievi ka të drejtën për të goditur!

Ukraina ka të drejtën e fortë ligjore dhe ushtarake për të goditur thellë brenda Rusisë për të fituar avantazhe luftarake, tha të shtunën kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer.

“Çdo komb që sulmohet ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo e drejtë nuk ndalet në kufirin e kombit tuaj,” tha Bauer, i cili shërben si këshilltari kryesor i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, duke folur në mbyllje të takimit vjetor të komitetit.

Kombet kanë të drejtën sovrane për të vendosur kufizime në armët që dërgojnë në Ukrainë, shtoi ai. Gjenerallejtënant Karel Řehka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Çeke, tha se kombi i tij nuk vendos kufizime të tilla armësh në Kiev.

“Ne besojmë se ukrainasit duhet të vendosin vetë se si ta përdorin atë,” tha Řehka.

Por ai gjithashtu vuri në dukje rreziqet politike dhe potencialin e përshkallëzimit: “Është e rëndësishme të merret parasysh çdo aspekt, duke përfshirë potencialin e përshkallëzimit dhe gjëra të tjera.”

Komentet e tyre erdhën ndërsa Presidenti i SHBA Joe Biden po peshon nëse do të lejojë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë të siguruara nga SHBA për të goditur thellë në Rusi.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Kievi për Perëndimin për ta lejuar atë të godasë më thellë në Rusi, liderët perëndimorë duken ende në mëdyshje.

Biden u takua me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të premten pas vizitës së kryediplomatëve të tyre në Kiev, të cilët u vunë nën presion të ri për të hequr kufizimet e armëve. Diskutimet për lejimin e goditjeve me rreze të gjatë besohej të ishin në tryezë, por asnjë vendim nuk u shpall menjëherë.

Uashingtoni ka lejuar Ukrainën të përdorë armët e ofruara nga SHBA në sulmet ndërkufitare për të kundërshtuar sulmet nga forcat ruse. Megjithatë, ai nuk lejon përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.bw

Gërvalla: Ndërkombëtarët të dënojnë qasjen armiqësore të Vuçiçit

Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar ndaj deklaratës së një dite më parë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Hipokrizia e tejdukshme e Aleksandër Vuçiçit”, shkruan Gërvalla ndërsa shton se “Vuçiqi gjatë konferencës së tij teatrale, na tregoi dje se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare”,

“Hipokrizia e tejdukshme e Aleksandër Vuçiçit

Gjatë konferencës së tij teatrale, Vuçiçi na tregoi dje se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare.

Pasi që vet kishte urdhëruar:

1. Largimin e tyre nga funksionet në komunat veriore të Kosovës dhe më pas bojkotimin e zgjedhjeve lokale, të cilat i organizuam madje dy herë, vetëm e vetëm për të krijuar mundësinë e shprehjes së lirë të vullnetit politik të qytetarëve tanë në veri të vendit;

2. Largimin kolektiv të zyrtarëve policorë nga Policia e Kosovës dhe përfshirjen e ish-policëve në aktivitete ilegale dhe vepra penale në veri;

3. Largimin e detyrueshëm të gjyqtarëve, në kundërshtim me legjislacionin përkatës dhe shtytjen e tyre në aktivitete të dyshimta në interes të Serbisë;

4. Shtytjen, organizimin dhe financimin e grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në barrikadimin e rrugëve dhe akteve të tjera të dhunshme, përmes presionit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale;

Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve.

Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra.

Përmes shpalljes së djeshme teatrale të Kosovës si zonë të veçantë sociale, Vuçiçi synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës. Që transparenca e këtyre fondeve është zero dhe keqpërdorimet janë masive, mjafton të shohësh vilën luksoze të Radojçiçit tek Ujmani, e cila është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokal.

Përmes themelimit të të ashtuquajturës prokurori e posaçme synohet ngritja e tensioneve, cenimi i sovranitetit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha shfrytëzimi i këtij mekanizmi për të ndjekur në mënyrë arbitrare sidomos qytetarët serb të Kosovës, të cilët nuk po i binden më pushtetit të Vuçiçit dhe klaneve të tij.

Deklarata e tij për kinse shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, është përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës. Synimi është pengimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë.

Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, me territor të mbrojtur dhe integritet territorial të pacënueshëm, si shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, si shteti i qytetarëve të saj, sot është më e fortë se asnjëherë më parë.

Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës”. sn

Deputetja koservatore: Vuçiçi po përdor strategjinë e Putinit për aneksimin e veriut të Kosovës, Britania urgjent të fokusohet te Ballkani

Deputetja konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, Alicia Kearns, ka reaguar pas masave që Serbia i shpalli si reagim ndaj veprimeve të Kosovës në veri.

Të premten, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkoi që në pjesën veriore të Kosovës të kthehet “gjendja e mëparshme” duke kërkuar kthimin e policëve në detyrë, të gjyqtarëve e prokurorëve, pagesat me dinarë, lirimin e “të burgosurve politikë” siç i quajti ai serbët e burgosur për shkak të dhunës në veri kur atje ishin vendosur barrikada.

Ai po ashtu kërkoi themelimin urgjent të Asociacionit, pa të cilin tha se s’ka bisedime.

Duke reaguar në “X”, deputetja britanike shprehet se pas deklaratave të Vuçiçit, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjentisht në Ballkan.

Ajo thekson se Vuçiçi po përdor taktikën e Vladimir Putinit duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës.

“Pas deklaratave të mbrëmshme të Presidentit Vuçiç, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjentisht në Ballkan.

Gati një vit pas sulmit në Banjskë ende nuk ka drejtësi, dhe pavarësisht përfshirjes së shtetit serb, ende nuk ka sanksione nga BE-ja (vetëm marrëveshje për litium dhe avionë). Vuçiç po ndjek strategjinë e Putinit, duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës. Kosova është një shtet sovran.

Ballkani duhet të largohet nga pikëpamjet sektare, njerëzit e Kosovës së Veriut dhe serbët e Kosovës meritojnë më shumë, jo të përdoren si pengje dhe gurë shahu në ambiciet irredentiste”, ka shkruar ajo në X.bw


Send this to a friend