VOAL

VOAL

Inaugurimi i skulpturës: ‘Vajza me Lule’, realizuar nga artisti i popullit Mumtas Dhrami

November 5, 2021
blank

Komentet

blank

Vallet e njerëzimit, “similariteti ballkanik” dhe gadishulli më i bukur i Evropës – Nga S. Guraziu

Vallet e njerëzimit, “similariteti ballkanik” dhe gadishulli më i bukur i Evropës
S. Guraziu – Ars Poetica, K 2022 (Koment)

Dy-tre javët e fundit, herë pas here (por “besnikisht”) e kam vizituar video-kanalin e artistit grek, të koreografit Vasilis Petropoulos (në Youtube – s’kam ditur më parë, tek sivjet e “zbulova”).
Thjesht sikur s’kapërthehet me fjalë puna e mrekullueshme e tij, prej vitesh tashmë. Del si abstraksion por s’është e tepruar nëse të thosha sikur jam mahnitur me vetë “mrekullinë”, ose sadopak me konkretisht, me punën e palodhshme, me volumin, me përkushtimin e tij, me talentin artistik e me gjenialitetin koreografik.

Ta hedhësh në “kartë” diversitetin e valleve të mbarë botës, ta prezantosh sa më thjeshtë e plotësisht në disa video 10-minutëshe… afërmendsh, s’është asfare e lehtë. Individualisht është punë e stërmadhe, kërkon studime, strukturalitet dhe sistematikë të angazhimit marramendës. Pothuaj sikur diç më shumë s’ka bërë as vetë UNESCO, dmth. e kam fjalën për “karto-grafinë internetike të trashëgimisë kulturore të njerëzimit”…

Ose, më e lehtë të thuhet se puna e tyre në thelb është e ngjashme. Edhe UNESCO-n edhe djaloshin Vasilis i frymëzon humanizmi, punës i qasen me dashuri… ndaj kulturës dhe ndaj gjithçkaje. Përkushtimin e tij thuase e “justifikon” me moton “vallëzimi është gjuha e fshehur e shpirtit”. Duke qenë anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Vallëzimit të UNESCO, buzëqeshja e tij (ndër qindra vallëzime improvizuese, ekzekutuar nga ai vetë për videot) patjetër se i ngjallë buzëqeshjet e miliona vizitorëve aneskaj rruzullit.

Personalisht i jam mirënjohës me gjithë zemrën e me ngrohtësinë e saj. Parë nga aspekti kultorogjik-informativ, sa i përket bukurisë dhe laryshisë së vallëzimit, më shumë kam mësuar dy javët e fundit nga puna e tij, sesa për dekada të jetës ngjeshur së bashku.

Ashtu-kështu video-faqja e tij do i ketë grumbulluar me miliona vizita – Vasilis jo vetëm e ka imresionuar auditoriumin e mbarë botës, por dhe sikur ia ka dalë të “dëshmojë” se kompleksiteti kulturor i ecejakeve të njeriut në thelb është një mozaik i vetëm; na duket i koklavitur, me pjesëzat e “shkapërderdhura” mozomokeq… por në fakt është kompakt. Pjesëzat e mozaikut vetëm janë duke “vallëzuar”, s’është se ka diç kaotike, përkundrazi.

Sikur s’mund ta pikasim as kompletësinë dhe as kompleksitetin e mozaikut nëse t’mos i lartësonim sadopak dhe përspektivat. Njeriu dikur pandehte se toka është një pllakë e rrafshët, shtriqur diku në “lëndinën yjore” të pafundësisë universale. Me punën e tij Vasilis sikur “insiston” se i gjithë zhvillimi dhe avancimi kulturogjik i popujve në fakt është e “njëjta kornizë”, sikur gjithçka është një “dans”, vallëzim ekuilibrues i vetë “mozaikut” kulturor.

Bie fjala, Ballkanin e quan “gadishulli më i bukur i Evropës por njëkohësisht më i ndërlikuari dhe më i trazuari”. Për popujt e Ballkanit shprehet:

“…mesazhi (i video-grafisë sime) është skajshmërisht i thjeshtë; paqja! Ballkani konsiderohet si fuçi baruti e Evropës, fuçi e gatshme të shpërthejë në çdo kohë. Duhet ta “fshijmë”, ta hedhim tutje këtë titull famëkeq dhe të punojmë drejt ardhmërisë më të mirë. Punoni drejt PAQES. Nëpërmjet kësaj videoje shpresoj ta shihni se gjithë popujt e Ballkanit janë aq të ngjashëm me njëri-tjetrin. Lufta (verbalisht, ose dhe më keq, realisht) nuk sjell gjë në fund. Ne hamë të njëjtat gjëra, kemi të njëjtin mentalitet, të njëjtat instrumente, kemi vallëzime dhe ritme të ngjashme, lista e “similaritetit ballkanik” vazhdon. Jemi të fuqishëm nëse të gjithë të bashkuar, jo të ndarë”.

Veç e thashë më lart se për ta kapërthyer mirëfilli punën e tij na duhen ndoshta 2-3 javë. Mirëpo them se nxënia (e cila na kthehet si shpagesë) ia vlen. Ndoshta as leximin e një libri prej 400-500 faqesh s’e mbarojmë brenda 1 dite. Sepse ngarendja pas punës, obligimet, dhe buja e jetës në përgjithësi, kohëve të fundit na i shteron mjaft resurset kohore.
Gjithçka e qartë, mospasjen e kohës përherë e kemi të justifikuar. Tekefundit, si një vijë e “thjeshtësuar”, dhe vetë jeta jonë s’është ndryshe por një vazhdimësi, një linearitet kohor prej sekondash, minutash, ditësh, muajsh 🙂

***
Video-kanali i Vasilis Petropoulos në Youtube:

[ https://www.youtube.com/c/VasilisPetropouloschannel/videos  ]

blank

Hapet ekspozita “Kokë më kokë me Omer Kaleshin” në Gostivar

Gjatë ditëve të fundit në Galerinë Kult në Gostivar, u realizua ekpozita ”Kokë më kokë me Omer Kaleshin” e artistit Saimir Strati, i cili ekpozoi 10 mozaikë të realizuar në Koloni të ndryshme artistike në Kosovë dhe Maqedoni. Motoja kryesore e ekpozitës ishte shpalosja e mozaikut të të ndjerit Omer Kaleshi, i realizuar nga copëza guri.

Kuratorja e ekpozitës Vlora Demiri theksoi: “Maestro Saimir Strati përveçse njihet si artisti i cili nga copëza të ndryshme krijon tërësi, ai sot e dëshmoi që përveç veprave të realizuara ne gurë dhe gjësende të ndryshme, ai sonte me anë të kësaj ekpozite arriti të krijojë edhe një mozaik të gjallë, duke mbledhur, artistë  e artdashës nga troje të ndryshme në një vend te vetëm, për nje arsye te vetme: Për të kujtuar një artist i cili pak para pak kohësh u largua fizikisht nga mesi jonë, Omer Kaleshin.

Artisti i cili jetën e tij e ndau si një mozaik, duke dashur që çdo copë e tija t’i përkiste vendeve të ndryshme.” Ajo gjithashtu theksoi se “Saimir Strati sonte na vjen me mozaik brenda mozaikut. E them këtë sepse veprat që i shihni janë të realizuara në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Janë vepra të realizuara në mes miqësh. Maestro Strati përveçse bëri një përmbledhje të veprave te tij, ai arriti të na bashkojë edhe neve për ti bërë homazh piktorit Omer Kaleshit.

Përveç rekordeve Guinnes, rekordi më i madh i tij është kjo aftësia e tij për të na mbledhur në një qe edhe njëherë na e bëri të ditur kuptimin e vërtetl të mozaikut. Falë kësaj ekpozite ne sot kemi mundësi të ngremë dolli pranë figurës së Omer Kaleshit, për hirë të krijimtarisë së tij artistike që na e la për trashigimi.”

blank

Në ekspozitë përveç publikut gostivaras ishin të pranishëm dhe artistë nga Kosova, Shqiperia, si dhe shumë vende të botës si pjesë e Kolonisë Artistike në Gostivar. gsh

blank

Portrete në mozaik prej druri! 18 personalitete të shquara prezantohen në një ekspozitë të veçantë: “Gjama”

Ekspozita e veçante e titulluar “Gjama” me autor Nagip Tashin një shqiptar që jeton në Serbi u hap në ish-burgun politik të diktatures në Fishtë të Lezhës që sot është kthyer në sipermarrje prodhimi.

Autori i kësaj ekspozitë Nagip Tashi, thotë se ka qenë një ënderr e tij që këto portrete ti prazantoj në vendlindjen e “At Gjergj Fishtes”, ndërsa për realizimin e tyre ka përdorur 30 mijë copa druri.

Ekspozita në mozaik prej druri tërhoqi vemendjen e shumë të pranishmeve, ndërsa e vetmja figure e prezantuar që sot është gjallë ishte Fahrie Hoti.

Kultivimi i artit dhe shijes në ish-burgun politik të Fishtes është qëllimi i sipermarresit Altin Prenga.

Ekspozita me portretet e 18 përsonaliteteve të shquara të kombit shqiptar, do të qëndroj e hapur për 10 dite me radhe. gsh

blank

Alfred Mirashi Milot, skulptori shqiptari vjen triumfues në Napoli me “Key of Unity” në “Artis Suavitas 2022” – Nga Albert Vataj

Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, vjen triumfues këtë fundqershor në Napoli me “Key of Unity”, çelësin e përdredhuar të unitetit. Ai beh guximshëm dhe besimplot të hapi dyert e një bote që tenton të na mbajë kyçur në një të tashme, ku ne jemi pjesë e gjithçkaje në një botë ku e mundshmja e vogëlon rruzullin dhe ne na shpërblen me bujarinë krijuese si shprehje e një vullneti të lartë, përmes artit si shkas dhe shpirtit të artistit si kushtim.

blank
Fundqershori i “Artis Suavitas Civitas”, aty ku shqiptari i madh i pikturës dhe skulpturës, Alfred Mirashi Milot ka dëshmuar përmes veprës lartësinë e një shpirti të paepur krijues, do të shndërrojë Napolin në kryeqendrën e ngjarjeve kulmore të Artit, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Emra dhe personalitete, identitete mëtimesh estetike dhe potenciale kumtesh transformuese përmes pasionit, shpirtra të energjive potenciale të së bukurës, ëndërrtarë dhe sfidues, do të tregojnë me kryevepër se njerëzorja është një mision, dhe Napoli do të jetë altari i lartë, ku lutja e tyre do të “zbresë” Krijuesin në tre ditë kremtimesh të blatimit të shpirtërores.
Tre ditë kushtuar artit dhe kulturës me figura ndërkombëtare do t’i mëkojnë shpirtit krijues kushtimet e hyjshme në Napoli, nga 28 deri më 30 qershor. Palazzo Reale do të dehet në përkundjen magjishme të Artis Suavitas Civitas kermesse.
Skulptori dhe piktori, Alfred Mirashi Milot do të jetë artisti shqiptar, pjesëmarrës dhe triumfator në këtë shpërfaqje të sfidës, karshi emrave të tjerë të mëdhënj, ndër të cilët, Giovanni Allevi, Piero Angela, Pupi Avati, Oscar Farinetti, Stjepan Hauser, Liu Ruowang, Michelangelo Pistoletto, Massimiliano Gallo, Catena Fiorello.
Më 28, 29 dhe 30 qershor 2022, do të jenë një zhytje në përsosmërinë e ngjizjes së madhështores së Arteve, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Tri ditë plot me takime, iniciativa dhe evente, me një qëllim madhor: nxitjen e dialogut midis brezave për çështje aktuale, në një nga vendet më ndjellëse të qytetit të Napolit, pikërisht në Pallatin Mbretëror.
E gjithë kjo dhe shumë më tepër është Artis Suavitas Civitas, projekti kulturor i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Artis Suavitas Aps, e kryesuar nga Avv. Antonio Larizza, me patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rajonit të Kampanisë, Qytetit Metropolitan të Napolit, Bashkisë së Napolit, Universitetit të Napolit “Federico II”, RAI – Campania dhe Pallatit Mbretëror të Napolit.
Udhëzimet – ka thënë për mediat avokati Antonio Larizza, krijuesi dhe organizatori i Artis Suavitas Civitas – i politikës së promovimit dhe përmirësimit të trashëgimisë artistike, kulturore dhe peizazhit të miratuar nga Artis Suavitas Aps, të cilin kam nderin ta kryesoj, bazohen në nevojën për të kontribuar në rizbulimin të identitetit të territorit, duke rinisur thirrjet e tij më të mira. Prandaj, Artis Suavitas Civitas është konfiguruar si një “Lista e lojërave kulturore” e vërtetë, një përmbledhje e zhanreve të ndryshme artistike dhe spektatorëve, të cilët do të bashkohen për të jetuar dhe ndarë emocione të paharrueshme me personazhet ndërkombëtarë, në një skenar unik dhe të pasur.
Përveç Pupi Avatit (regjisor), Massimiliano Gallo (aktor) dhe Laura Delli Colli (gazetare) që do të shpërblehen me vlerësime dhe nderime më 28 dhe 29 qershor, në mbrëmjen finale të 30 qershorit, ata që do të marrin çmimin “Artis Suavitas 2022”: Piero Angela (gazetar dhe shkrimtar shkencor); Francesco Ivan Ciampa (dirigjent i Verona Arena); Diego De Silva (shkrimtar); Oscar Farinetti (sipërmarrës); Catena Fiorello (shkrimtare); Stjepan Hauser (muzikant); Alfred Mirashi Milot (piktor dhe skulptor); Michelangelo Pistoletto (piktor dhe skulptor) dhe Liu Ruowang (piktor dhe skulptor).
Italia, qytetërimi i një botë të magjepsur nga e bukura e shpirtit krijues dhe pasioneve shpërthyese të shprehjeve të magjishme, është përtej detit, por Napoli do të jetë këtë fundqershor në sytë dhe zërin tonë, në rrahet kuqezi të zemrës dhe krenarisë së identitetit shqiptar, përfaqësuar nga piktori dhe skulptori, Alfred Mirashi Milot, i cili më shumë se një emër i zëshëm në përfaqësimit shqiptar të vlerave, është një kresht e lartë e kaplimit tonë ëndërrtar. Ai i tregoi Italisë, do të dëshmojë në Napoli, botës mbarë i ka shpërfaqur, se cili është ai shpirt sfidues shqiptar, që si një sfinks ngrihet nga hiri vet për të rrokur fluturimin e hyjt të së bukurisë dhe triumfueses.
Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, përmes veprës fituese “Key of Unity” (Çelësi i Unitetit) prezantuar në bocet, (treguar në foto), që do të ndërtohet në Firence, i qaset “Artis Suavitas Civitas” me mesazhin e dialogut dhe unitetit, e harmonisë së diversitetit të kulturave, kurajës për sfiduar dhe shpirtit të madh krijues, për t’i blatuar tashmërisë të hyjshmen e njerëzores që na bashkon. Më shumë se një vepër arti, “Key of Unity”, ky përdredhim i çelësit që hap dyert që tentojnë të na ndajnë, është altari të cilit Milot i propozon së tashmes, nevojës së ngutshme për unitet, urëbashkimit ndërmjet gjithëndryshueshmërisë që na përfaqëson si identitete dhe njëbotshmërisë që na bashkon dhe së cilës i përkasim dhe e meritojmë, në njeriun si dimension krijues i shëmbëllimit të Krijuesit në ne, në çdoditshmërinë tonë përmes zërit të shpirtit dhe mëkimit të artit.
Jo vetëm kaq, vlen të mëkohet si një osto e shenjtë e besimit te mrekullia e krijimit, fakti se kompania nga Los Angelos “JeanWolfe” bashkë me kompaninë italiane “Mille Volti”, do të jenë mundësuesit financiar të realizimit të skulptures monumentale “Key of Unity”, që do të ekspozohet në Napoli, Romë, Berlin, Brussel, Paris, dhe pastaj në San Francisco, SHBA. Vullnetet e lartësuara në qëllime do t’i japin botës përmes artit bekimin që sjell uniteti, përbashkimi, triumfi i dashuris sublime.

blank

Pse ky artist kinez po e tejkalon Van Goghun

Zhang Daqian mund të mos jetë një emër i njohur në Perëndim, por në Kinë dhe në tregun global të artit në përgjithësi ai është në të njëjtin nivel me Warhol dhe Monet.

Një mjeshtër i pikturës klasike kineze, i cili më vonë ri-imagjinoi artin modern në atdheun e tij të adoptuar amerikan, puna e Zhang përfshinte traditat nga peizazhet me bojë te abstraksioni. Dhe ndërsa krahasimi i përhapur “Picasso i Lindjes” është mashtrues stilistikisht, ai megjithatë flet për aftësinë e tij për të kapërcyer zhanrin dhe çmimet e larta që pikturat e tij tani kanë.

Në prill, pothuajse 40 vjet pas vdekjes së tij, piktura e Zhang-it e vitit 1947 “Peizazhi pas Wang Ximeng” u bë vepra më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand, me vlerë prej 47 milionë dollarësh në Sotheby’s në Hong Kong.

Ishte vetëm i fundit në një varg shitjesh të mëdha. Puna e artistit gjeneroi më shumë se 354 milionë dollarë në ankand në vitin 2016, duke tejkaluar çdo artist tjetër të vdekur apo të gjallë në botë atë vit, sipas një renditjeje vjetore të prodhuar nga baza e të dhënave Artprice. Vitin e kaluar, ai përfundoi i 6-ti në të njëjtën listë, përpara peshave të rënda të tregut si Vincent van Gogh dhe Banksy.Lapsi

blank

blank

blank

Paul McCartney, 80 vitet e një legjende

Artisti britanik feston ditëlindjen në turne dhe në top formë: ja, gjatë koncertit të mbajtur të premten e kaluar në Inglewood, Kaliforni.

Nga Beatles në Përjetësi: 18 Grammy, 32 Billboard i pari, 2200 riinterpretime të këngëve të tij

 

VOAL- Paul McCartney, i njohur edhe si “Beatle i lezetshëm”, mbush sot, të shtunën, 80 vjet. Ai tashmë ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me serinë e tij të re të koncerteve “Got Back”. Një titull ikonik që kujton nga njëra anë rikthimin e tij në “live” pas pandemisë – periudhën në të cilën ai regjistroi “III”, albumin e tij të fundit si solist – dhe nga ana tjetër këngën e frikshme “Get back”, po ashtu. si emri i dokumentarit nga Peter Jackson mbi krijimin e “Let It Be”.

blank

Paul McCartney mbush 80 vjet

Kanë kaluar më shumë se gjysmë shekulli që kur Beatles u shpërbë dhe McCartney ishte vetëm 28 vjeç në atë kohë. Forca e tij nuk ishte të mbetej i burgosur i valës dërrmuese të suksesit të grupit, duke u bërë i vetëdijshëm për veçantinë e tij që e çoi atë, ndër çmimet e pallogaritshme, në 18 Grammy dhe të ishte 32 herë i pari në listat e Billboard, e përjavshme e mirënjohur Amerikane e përkushtuar ndaj muzikës.

Fraza emblematike “I hope I die before I get old” ose “Shpresoj të vdes para se të plakem” e albumit My Generation nga The Who, duket se vazhdon të rezonojë në mendjen e artistit, i cili, ende në turne nuk ndalet të sjellë muzikën e tij në skenë. “Ai ka një energji rinore që nuk njeh moshë, ka ende pak nga ai djali 21-vjeçar që shkëlqen në të gjitha performancat e tij”, tha Bob Spitz, biograf i Beatles… Por nga ana tjetër unë këndoj, një Beatle nuk del kurrë në pension. rsi-eb

blank

70 VITET E HATASHME TË ISABELLA ROSSELLINIT-Aktore, modele, fotografe, i ka ndarë sukseset në SHBA dhe Itali: fatin të shkruar në mbiemër

VOAL- Isabella Fiorella Elettra Giovanna Rossellini lindi në Romë më 18 qershor 1952, nga martesa e aktores suedeze Ingrid Bergman me regjisorin italian Roberto Rossellini. Isabella ka një motër binjake, Isotta Ingrid Rossellini (profesore e letërsisë italiane); një vëlla, Roberto Ingmar Rossellini, i cili punon në botën e financave.

E rritur mes Romës dhe Parisit, në moshën 14-vjeçare ajo iu nënshtrua një operacioni delikat për të korrigjuar një skoliozë. Në moshën 19-vjeçare ajo u transferua në Nju Jork, ku filloi të punonte si përkthyese dhe gazetare për Rai. Ajo bëri debutimin e saj në ekranin televiziv si “korrespondente nga Nju Jorku” në programin e Renzo Arbore “L’altra domenica”.

Ajo u martua me regjisorin italo-amerikan Martin Scorsese në vitin 1979 dhe u vendos përgjithmonë në Nju Jork. Lidhja përfundoi disa vjet më vonë, më 1982, pas së cilës ajo u martua me modelin gjerman Jon Wiedemann më 1983 (më vonë për t’u bërë menaxher për Microsoft). Ajo sjell në jetë vajzën e saj Elettra. Marrëdhënia me Wiedemann përfundon më 1986.

Në vitet në vijim, Isabella Rossellini  ( Izabela Rozelini) ndërthur lidhje të shkurtra dashurie me disa emra të njohur, duke përfshirë David Lynch, Gary Oldman, Christian De Sica dhe Gregory Mosher.

Karriera e saj e modelingut nisi kur ishte 28 vjeçe, falë punës së fotografit Bruce Weber për edicionin anglez të “Vogue”, dhe të Bill King për edicionin amerikan. Gjatë gjithë karrierës së saj Isabella Rossellini bashkëpunon me shumë fotografë të famshëm, duke përfshirë Richard Avedon, Steven Meisel, Helmut Newton, Peter Lindbergh, Norman Parkinson, Eve Arnold, Francesco Scavullo, Annie Leibovitz dhe Robert Mapplethorpe.

Imazhi i saj shfaqet në kopertinat e gazetave si Marie Claire, Harper’s Bazaar, Vanity Fair dhe ELLE.

Në mars 1988, një ekspozitë fotografike me titull “Portreti i një gruaje” iu kushtua Isabella Rossellinit në Muzeun e Artit Modern në Paris.

Aktiviteti i modelingut e afron atë me botën e kozmetikës, kështu që në vitin 1982 ajo bëhet dëshmitarja ekskluzive e shtëpisë ndërkombëtare të bukurisë Lancôme, duke zëvendësuar Nancy Duteil në Shtetet e Bashkuara dhe Carol Alt në Evropë. Në vitin 1990 ajo mori pjesë në zhvillimin e parfumit të ri Lancôme, Trésor. Më vonë, në vitin 1995, ajo bashkëpunoi me Coty Group dhe lançoi linjën e saj personale të kozmetikës, “Manifesto di Isabella Rossellini”. Në vitin 1996, pas 14 vitesh në shërbim të kompanisë, tashmë mbi dyzet, ajo u zëvendësua si një imazh i gruas Lancôme sepse ishte “shumë e vjetër”.

Debutimi i saj në film ishte në vitin 1976, së bashku me nënën e saj, me një paraqitje të shkurtër si murgeshë në “Nina” (nga Vincente Minnelli). Megjithatë, debutimi i saj i vërtetë profesional daton në vitin 1979 me “Il prato”. Në vitin 1985 ajo luajti në “Dielli në mesnatë”, filmi i saj i parë amerikan. Famë kinematografike vjen kur ajo luan personazhin e Dorothy Vallens – këngëtares së klubit të natës – në “Blue Velvet” të David Lynch.

Të tjerë role të rëndësishëm për t’u mbajtur mend janë ato në filmat “Kushërinjtë”, “Vdekja të bën të bukur” dhe “Pa frikë”. Një interpretim tjetër i dukshëm është ai i perëndeshës Minerva në filmin “The Odyssey” (1997).

Që nga viti 2003 Isabella Rossellini merr pjesë si yll i ftuar në disa episode të serialit “Alias” (nga J.J. Abrams), në pjesën e djallëzores Katya Derevko. Në të njëjtin vit ajo shfaqet në filmin kanadez “The Saddest Music in the World” me regji të Guy Maddin. Në vitin 2004 ajo luajti rolin e kryepriftëreshës Thar në miniserialin “Legjenda e Tokës”.

Në vitin 2006 ai u shfaq në televizion për disa dokumentarë: për një speciale televizive në Itali nga Discovery Channel dhe për një episod të serialit Iconoclasti të Sundance Channel së bashku me Dean Kamen, shpikësi i Segway, në të cilin ajo tregon historinë e saj dhe përjetimet e saj personale.

Përveç filmit, modës dhe kozmetikës, Isabella Rossellini është këshilltare e Rrjetit për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe drejtoreshë e Fondacionit Howard Gilman, një institucion i përkushtuar për ruajtjen e natyrës dhe ruajtjen e artit, fotografisë dhe kërcimit. Falë saj, të dyja shoqatat kanë marrë fonde të rëndësishme nga grupi Disney.

Ka botuar tre libra: autobiografinë “Some of me” “Diçka nga unë” (1997), “Looking at Me (on pictures and photographers)” “Duke më parë (në foto dhe fotografë)” (2002) dhe “In the name of the Father, the Daughter and the Holy Spirits: Remembering Roberto Rossellini” “Në emër të Atit, të bijës dhe të shpirtrave të shenjtë: Kujtimi i Roberto Rosellinit”. “(2006). Së bashku me librin e fundit ajo xhiroi filmin me metrazh të shkurtër “My Dad is 100 years old”  “Babai im është 100 vjeç” të cilin e përkufizoi si “një letër dashurie 15 minuta për babain tim”.

Në vitin 2008 ajo shpik një aventurë të re artistike me konotacione të çuditshme: xhiron një seri filmash të shkurtër kushtuar jetës seksuale të insekteve, në të cilët ajo vetë, në episode të shkurtra një minutëshe, interpreton krijesat e vogla. Titulli është “Green Porno” “Porno jeshile” dhe pavarësisht emrit është një vepër ironike dhe lozonjare, me shumë ngjyra dhe jo vulgare.

Në këto vite Isabella Rosellini iu kushtohet roleve në serialet televizive.

Më 2016 drejtoi Master of Photography, të parin talent show që ka në qendër botën e fotografisë. /Elida Buçpapaj

blank

Më 16 qershor 1961 balerini i madh Rudolf Nureyev kërkoi azil politik në aeroportin Le Bourget të Parisit

VOAL- Rudolf Nureyev, balerini i paharruar, është personazhi që revolucionarizoi rolin e mashkullit në kërcim.

Rudolf Hametovic Nureyev lindi më 17 mars 1938 në një tren në një rajon të liqenit Baikal, gjatë një udhëtimi që nëna e tij kishte ndërmarrë për t’u bashkuar me burrin e saj në Vladivostok (i cili ishte shpërngulur atje për arsye pune).

Filloi të merrte mësime kërcimi në moshën njëmbëdhjetë vjeç nga një mësuese e moshuar, zonja Udeltsova, e cila nuk i përkiste askujt tjetër veçse “Ballet Russes” legjendar të Diaghilev (të njëjtëve që kishin bashkëpunuar me personalitete artistike të kalibrit të Stravinskit, Ravel. Matisse, etj.).

Vitet 1950 dhe 1960

Në vitin 1955 ai u bashkua me shkollën prestigjioze të baletit të Teatrit Kirov në Leningrad. Tre vjet më vonë ai pranohet në kompani.

Gjatë një turneu në Evropë, si shumë artistë të bashkatdhetarëve të tij, ai i kërkoi Francës azil politik, për t’i shpëtuar regjimit shtypës sovjetik, imponimeve dhe hierarkive të tij.

Është 16 qershor i vitit 1961: në histori kjo është një datë që do të thotë vetëm një gjë, Lufta e Ftohtë. Kontrasti, i bazuar në ekuilibrin e pasigurt bërthamor, midis dy superfuqive në atë kohë në fuqi, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në atë klimë tashmë të nxehtë, kur antikomunistët nuk humbasin rastin të denoncojnë kushtet famëkeqe të jetesës në vendin e socializmit real, shpaloset një rast i vërtetë ndërkombëtar.

Rudolf Nureyev është një figurë ndërkombëtare

Emri i Rudolf Nurejevit del në të gjitha gazetat, jo gjithmonë për arsye fisnike që lidhen me kërcimin, por për arsye më tokësore të politikës dhe kësaj. Kjo e bën atë, dashur apo jo, të njihet nga një publik më i gjerë, jo domosdoshmërisht i interesuar për artin dhe kërcimin.

Kështu filloi karriera e tij në Perëndim me shoqërinë e Markezit të Cuevas, me Baletin Mbretëror Danez të Erik Bruhn dhe më pas me Baletin Mbretëror të Londrës; Në këtë kontekst, ndër të tjera, krijon një partneritet të famshëm me balerinën britanike Margot Fonteyn, me të cilën formojnë çiftin legjendar të destinuar të magjepsin publikun në të gjitha teatrot e botës.

Gjatë jetës së tij, Nurejev luan dhjetëra role, klasike dhe moderne, gjithmonë me potencial dhe identifikim të madh teknik. Kjo do të thotë se, ashtu si këngëtarët e operës, të cilët për të qenë të tillë në të gjitha aspektet, nuk duhet të kufizohen në aftësinë për të kënduar, kërcimtari rus është gjithashtu një aktor i shkëlqyeshëm, i aftë për të përfshirë audiencën dhe për ta tërhequr atë në vorbullën e historive të treguara. në muzikën e kompozitorëve të mëdhenj.

Së fundi, nuk duhet harruar se për të kanë krijuar të gjithë gjenitë më të mëdhenj të koreografisë, përfshirë Frederick Ashton, Roland Petit, Kenneth MacMillan, Maurice Béjart dhe Paul Taylor.

Vitet e fundit

I sëmurë prej kohësh nga SIDA, balerini i madh Rudolf Nureyev ndërroi jetë në një spital parizian më 6 janar 1993 pas marrëdhënies së tij të fundit të trazuar me këngëtarin e rrokut Freddie Mercury.

Në vitin 2018 u realizua një film biografik për jetën e tij, me titull Nureyev – Korbi i Bardhë, me regji të Ralph Fiennes (përshtatje filmike e biografisë letrare Nureyev: La vita, shkruar nga Julie Kavanagh).

Rudolf Nureyev, një nga kërcimtarët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, i kishte të gjitha: bukurinë, gjenialitetin, sharmin, pasionin dhe seksi. Asnjë interpretues tjetër i vallëzimit klasik nuk ka ngjallur ndonjëherë të njëjtin eksitim të gjallë në audiencë, brenda dhe jashtë skenës./Elida Buçpapaj

blank

Piktura e dashuruar – Nga Nadire Buzo, Studiuese Arti

 

Piktura, si dimension i rëndësishëm i artit, zhvillon shijen e publikut në disa drejtime. Në perceptimin e ngyrave, estetikës dhe mesazhit filozofik dhe jetësor që përcjell tek secili shikues.

 

blank

Nuk ka një përcaktim të rymave që ndjek piktori. Izmat tashmë janë të tejkaluara, thonë specialistwt e artit viziv. Askush nuk mund të thotë se cila nga rymat e artit është më e mirë, ka vetëm tablo të bukura drejt përsosmërisë. Ndryshimi vjen prej mendimeve të secilit piktor. Modernizmi dhe postmodernizmi në pikturat e Mandit, është më kompleks. Armand Xhika, është një piktor në kërkim të formave, teknikave dhe stileve të reja, duke sjell një progres në pikturën moderne nga taboja në tablo e ditë pas dite. Është mënënyra e tij e të vështruarit të fenomeneve. Pikturat e tij marrin formën, pamjet e shoqërisë dhe kohës që jetojmë dhe asaj që vjen pas. Kjo me një shkallë ngjitjeje të befasishme. Të bën të mendosh se, Piktura është e dashuruar me Armandin.

Natyra e bukur, realiteti egzistues dhe imagjinata artistike, përdorimi mjeshtëror i të gjitha ngjyrave, e bwjnw kështu zotëruesin e artit të tij. Tematika të ndryshme lëvizin dhe gjallërohen në tablotë e piktorit. Peisazhet mahnitës me koloritin magjepës dhe prespektiva e tyre linare duke sfumuar horizontin e largët. Lëvisja e gjetheve që shkunden nga pema, loja e reve, dallgëzimi i detit dhe brigjet e tij vazhdojnë të na relaksojnë. Kontrastin, ku hijet dhe drita bien lehtë pa konture të turbullta. Përdor sfumaturën me ngjyrat e zbutura, ku një formë shkrihet në një tjetër. Duke lënë gjithmonë të intrigojë imagjinatën tonë, se çfarë fshihet pas tyre. Kontrastet e forta i përdor bukur tek pigmentet e ngjyrave, në tablotë ku ndryshon dhe stilin piktorik, duke na dhënë kështu forma tridimensionale.

Portretet e tij janë psikologjike dhe të deformuara. Imagjinata e zjarrtë, proporcionet e çregullta, si një projektues i përsosur. Rezet e dritës vijnë nga kënde të ndryshme. Shprehitë e lëvizjes së figurave tregojnë gjendje. Përdorimi i ngjyrave me grafikën reflektojnë drithijen e tyre. Teknika e përdorur ka arritur kulmin e saj si një iluzion i plasticitetit dhe vëllimit tridimensional. Fytyra të shformuara me shprehje e veçoritë psikologjike me një ndikim të gjallë emocional. Një vepër arti është një rrëfim. Kështu piktori përcjell vizionet e tij, kudo ndodhet dhe prek botën.

Armandi, një djalë i talentuar mbaroi studimet në Liceun e Korçës, me rezultate shumë të mira. Piktura e tij ishte një avangardë. Akademia ishte në Tiranë, larg provincës dhe mundësive të tij ekonomike për të siguruar një vend atje.

Qyteti lindor ishte tepër i vogël për artistë të mëdhenj, që lindnin shpesh atyre anëve prej kohëve të hershme. Poetë, shkrimtarë nga më të mëdhenjtë e vendit me sharm botëror dhe piktorë të famshëm, nga më të mirët.

Armandi, do të kalonte një kalvar mundimesh për tu larguar nga vendi i vet. I cili nuk u falte artistëve të rinj, asgjë. Papunësi dhe endje trotuarev prej derteve dhe mendimeve të errëta, pa shpresë.

Me një boshllëk në shpirt, u largua nga prindërit, drejt hapsirave pa fund. Në një vend tjetër të botës do të studionte dhe lëvronte artin e tij. Pas shumë vitesh në amerikë, u kthye në Shqipëri. Falë dashurisë për Eldën. Vajzën e mirë kuksiane, e cila ja rrëmbeu zemrën sapo e pa në Amerikën e largët. Elda kishte përfunduar studimet në një universitet amerikan. Ndodhej, me një praktikë pune për ekonomi –financë. Qe shkruar të lidheshin bashkë. Elda, do të kthehej në Shqipëri, për të vazhduar punën në vendin e saj. Armandi la gjithçka kishte ndërtuar në kontinentin e largët, erdhi pranë saj, me mallin për vendin dhe prindërit. Të vendosur në Tiranë, jo me pak mundim nisën punën dhe jetën e re. Lindën një vajzë ëngjëllore me emrin Elma.

Është e pamundur të lulëzosh në një vend që e kanë mbuluar gjembat e korrupsionit. Aq më tepër dikush që është shkolluar dhe ka jetuar në perëndim. Ka pengesa dhe të papritura të paimagjinueshme. Fati e ndihmoi çiftin e ri të largohej përsëri. Elda do të vazhdonte doktoraturën në një vend tjetër të largët. Angli – Londër. Më pas me punë në Liverpul. Atje, ku skuadra e famshme e futbollit, që kishte shumë adhurues e tifozë botërorë midis tyre dhe Mandin. Qytet me një ekonomi të zhvilluar, falë edhe portit të madh prej kohës Viktoriane në Britaninë e Madhe. Liverpuli ishte porti i regjistrit të vaporit oqeanik, “RMS Titanic”, dhe fjalët Titanic, Liverpool, mund të shiheshin në sipërfaqen e anijes.

Elma e ëmbel, vazhton mesimet, është e mençur si një e rritur. Elda punon si ekonomiste në kompani të mëdha. Armandi eci përpara me pikturën, duke mahnitur këdo që e ndjek atë në faqet sociale dhe ekspozita… Tashmë, prej disa kohësh, jetojnë në Irlandën e Veriut. Rrethuar prej Oqeanit Atllantik, me gjiret e shumta që krijojnë pamje impresionuese, për një piktor bashkohor si Armandi. Rilievi i maleve të ulta, bjeshkët e gjelbëruara të një klime të veçantë, me një dimër të butë dhe verë të freskët. Armandi, i dha lirinë shpirtërore emocioneve të tij, në të gjitha rymat e artit. Pejsazhet, mahnitëse ku triumfi i ngjyrave nuk thërret, po të fut në një botë tjetër magjike që reflektojnë me drit-hije. Një botë qetësie ku dhe tufanet e oqeanike të bregut të Irlandës të duken parajsë. Portretet në tablotë e tij, janë përfytyrimet e njerëzve të shpërfytyruar nga ëndra dhe makthe. Nga ambicje dhe zhgënjime, të një kohe të ankthshme luftrash dhe pandemish. Nuk ka buzëqeshje. Tjetërsimi i njeriut prej sistemeve të vjetruara në rrënie, vetëm luftrat i mbajnë në këmbë. Maska e grisur, makiazhi, fytyra të shformuara me një shprehje të fuqishme.

Shpesh tërhiqet, ndryshon gjendje, nuk përpiqet të pikturoj ndjenjat e shpirtit të tij, as bukuritë e madhështitë e Belfastit dhe qyteteve që e rrethojnë tashmë. Thjeshtë, hedh në telajo vogëlsitë që rrethojnë botën, “mizën në xham”, që zukat në qetësinë e përkorë, ngaqë nuk mund ta thyej xhamin dhe të dal matanë. Përsëri miza, pingul mbi ujë, do të fshihet, por nuk mundet. Krijon rathë të padukshëm por nuk mbytet. Miza duket sikur është jashtë planit të tablosë. Miza qëndron, si një objekt më vete e realizuar me drit-hijet e ngjyrave. Teknika dhe teknologjia, është në kulmin e saj si një iluzion i plasticitetit dhe vëllimit tridimensional, duke i mëshuar ngjyrave ne errësimin e tyre të plotë, herë të pastër e herë të përzier. Ti ndjen ta përzesh mizën prej tablosë por nuk mundesh. Ajo është aty. Nuk lëviz. ”Artisti është si Zoti, krijues i gjithçkaje. Dhe simbolika është arithmetika e gjësë”-përgjigjet ai, me përkufizimet e të mëdhenjve. Përpara habisë tonë, ç’ka dashur të thotë vallë, me metaforën e mizës… ?

Me Inteligjencën e tij, në përdorimin e ngjyrave ndez zjarre në tablo. E kuqja ngjan me të kuqen e Onufrit dhe të birit. E revolton fakti se njerzit nuk dinë ta përdorin zjarrin, ata dinë vetëm të luajnë me të. Armandi di, i vjedh ngjyrat dhe i shkrin me ujrat. Një varkë e vetmuar larg mbi valët oqeanike, humbet në mjegullat shumëngjyrëshe. Një shpresë në horizontin e largët, i kujtonë vendlindjen. Atje, ku jeta lind, vdes e ringjallet drejt të përjetshmes. Portretizon poetin e madh të pwrjetsisw, L. Poradecin. Tablotë e tij, kanë një qëllim brenda tyre, pavarësisht rymave është një harmoni. Është paradoksale të pretendosh të shpjegosh një krijim artistik. Megjithëse një vepër arti është një rrëfim, Armandi e shmang naracionin. Ndaj shpesh tablotë e tij janë, “Pa titull”.

Ngjyrat e theksuara, që reflektojnë dritë hije, apo ato të zbehta, kanë brenda tyre shprehje të fuqishme në tablotë e tij. Konturet e turbullta dhe ngjyrat e zbutura të secilës gamë, lejojnë që një formë të shkrihet me një tjetër, duke lënë gjithmonë të lirë imagjinatën tonë. Proporcionet totalisht të çregullta, krijojnë harmoninë e ngjyrave dhe përsosmërinë e tablosë.

Shpesh në disa nga tablotë është adhurues i sfumaturave, kombinacionit të tyre dhe thyerjeve të mprehta vizuale. Në një tablo tjetër ndodh e kundërta. Gjithmonë ndryshon në befasi sipas gjendjes emocionale të tij. Po nuk është vështirë të dallohet piktura e tij, prej kënaqësive të përçimit të lëvizjes dhe enigmës së rrëfimit. Përdor bojra vaji, bojra uji, letra kartoni të ashpra, e të buta.

Tenkika të ndryshme dhe teknologji të vjetra e të reja, të krijuara enkas nga Mandi, sipas botës imagjinare të tij. Hijet shkrihet butësisht, e egërsisht. Lëvizjet e ujit janë të qeta dhe me thellësi shpirtërore. “Abstrakte” bojra uji ne letër. Njollat magjike në letër duket sikur marrin formën që ai do, në kompozime ngjyrash të përveçme. Vaj në kanavacë, peisazhe. “ Belfast” , “Porti”, “Pas shiut” . “ Nata e ndritëshme”, “ Blue Sky” , “ Old strit in Belfast”. “ Aftër rain”-oil on canavas. “ Untitled”, “Untitled.” ( Pa titull, Pa titull)” Battle of life” ( betejat e jetës). “Përëndim mbi Adriatik”. “Autum”, “Illusions”. Të gjitha këto me stile, teknika dhe teknologji të ndryshme, prej kalimit nga një gjendje në tjetrën.

Disa nga tablotë e kanë zanafillën nga fëmijëria. E ka të pamundur të shkëputet prej saj. Irlanda, vendi ideal për pikturën, natyra dhe karakteret ngjajnë me atdheun e tij. “ Të vërtetat nuk i rezistojnë dot fuqisë së artit”.- thotë Nietzsche

Tematika në tablotë e Armand Xhikës, ndryshon në çast. Ashtu si gjendja e tij shpirtërore. Natyra e bukur e ndihmon piktorin me peisazhe magjike me ngjyra, me prespektivën e tyre lineare duke sfumuar horizontin e largët. Malet, pyjet, shtëpitë me arkitekturën karakteristike. Brenda peisazhit të qetë, përdor lëvizjen, miza behet gati të fluturojë. Gjethet bien duke vallëzuar simfoninë e nëntë të Bethovenit apo melankolike të Shubertit, lumi rrjedh gjithmonë. Detet dallgëzojnë herë qetë, herë në lartësi dhe tablotë vazhdojnë të na mahnisin. Realiteti egzistues dhe lartësia e imagjinatës artistike e bëjnë Mandin zotërues të artit të tij. Tonaliteti i naracionit të ngjyrave, na jep fytyrat e njerëzve me ambicje të mbyllura. Jo rastësisht ne dy tre tablo të tij është miza.

Metafora e mizës, flet shumë mbi zhvillimet komplekse të jetës me ndryshimet dhe kontrastet kulturore. Organizon mendimin dhe interpretimin e ngjyrave sipas ngjarjeve me gjuhën e formave.

Duke i dhënë secilës tablo, tingullin e përkatës dhe heshtjen e kthen në zhurmë, ashtu si thoshte Francis Bekon, i cili e shëndroi formën në tingull.

Me shumë punë dhe përpjekje, eksperienca dhe studime në fushën e pikturës, merr pjesw nw ekspozita kolektive, kudo ndodhet. Në vitin 2017, merr pjesë në ekspozitën, “Ngjyrat e Familjes”, organizuar në Muzeun Kombëtar nga piktorja amerikane Aubrie Mema Anderson. Mes piktorëve më në zë të vendit tonë, ku dhe meriton çmimin e tretë dhënë nga juria profesioniste. Pas vitesh pune intensive këtë vit, merr pjesë në Ekspozitën “International Watercolors Festival” me pjemarrjen nga e gjithë Bota. Mandi spikat me finesën në kontrastet e ngjyrave dhe drithijeve brilante. Të gjitha këto do ti shohim së bashku në ekspozitën e datës 17 Maj, në qytetetin e Pogradecit të titulluar “Amplitude”. Ku do të shohim mbresat e kalimit nga një gjendje në njw tjetër, duke bërë diferencën. Me pesëdhjet tablo me watercolor dhe trembëdhjetë tablo në vaj. Ekspozitë e përgatitur prej shume vitesh, në respekt dhe dashuri për vendlindjen, prindërit dhe gjakun e tij.

Piktura e Mandit konkuron tashmë edhe me pikturën botërore duke i dhënë artit të tij, dimensionin filozofik.

blank

blank

blank

blank

 

Nadire BUZO
Studiuese arti

 

 

 

 

blank

Kabaizmi Nga Maestro Aleksandër Peçi – Redaktore Zana Shuteriqi

Nga Libri Kabaizmi qe kam ne perfundim, kapitulli per filozofine e muzikes sime. Redaktore Zana Shuteriqi

Fotosinteza e shpirtit, oksigjeni filozofik i muzikës sime

Gjej në laboratorin tim, në një fletë të shkruar vite më parë, këtë tog fjalësh që përmban indicie për aresyetime filozofike: Fotosinteza e shpirtit. Dhe poshtë, dritë + ujë + plus dioksid carboni = oksigjen.

Përse të më ketë ardhur ndër mend fotosinteza (foto-s = dritë; sinthesis = bashkim), e cila ka të bëjë me shndërrimin e energjisë së dritës diellore në energji kimike? Lëndët e para që nevojiten për kryrjen e këtij procesi janë dioksidi i karbonit dhe uji, burimi i energjisë është drita e diellit. Lëndët e përftuara nga fotosinteza janë glukoza dhe oksigjeni. Fotosinteza është procesi më i rëndësishëm biokimik i shkëmbimit të lëndëve në tokë, me rëndësi të madhe për shkak se pa oksigjen nuk ka jetë.

Jam i bindur që fotosinteza duhet të më jetë përmendur për shkak të kuptimit të saj të vërtetë natyror, në simbolikë me brendësinë e shpirtit tim krijues. Kuptimi real: një hapësirë e tejmbushur me dioksid karboni në ngjyrë të zezë, që kur hyn në veprim kimik me ujin dhe dritën e diellit prodhon oksigjen. Po cili është kuptimi simbolik aristik?

Epoka të tejmbushura me ngjyrë të zezë ngjarjesh, tragjedish, cikloniadash, legjendash, mitesh, konfliktesh, luftërash, gjëmash – gjëma e Illyricumit, gjëma te Largo mortore – , oirash, piskamash, copëza majekrahu tek Oirat, brengash migjeneniane – Një natë pa gjumë -, sharkish te ngujuara, lëvizjesh të kundërta tensionuese – Sonata nr. 2 për violinë, Mouvement contraire-, endërrash që rendin drejt shpresave, chromaspectre ylberesh që gëlltiten nga black hole, vajtime kabashë, boroitje strukturash monodike e polifonike, lutje, dhembje, cantuse mortore. Këto të gjitha mbartin tek unë simbolikën e dioksidit të karboni. Muzika, siç unë e konceptoj, shndërrohet në forcë dhe, në se do të perifrazoja Nietzsche-n: “Një vërshim force për të shëruar vetveten dhe njeriun shndërrohet në humor të mirë. Vetë plaga mund të japë ende forcë për të shëruar vetveten dhe njeriun”.

Dioksidin simbolik të karbonit, shpirti krijues i kompozitorit e përthith së bashku me dioksidin real të karbonit. Po uji ku është? do të thoni ju. Uji gjendet te loti i prodhuar nga lacrimal sac, lacrimal glang, lacrimal punktus, lacrimal canaliculus. Por jo vetëm, pasi ashtu si Gilgameshi i poemës katër mijë vjeçare me të njejtin emër, që reth shtatëdhjet përqint të trupit e kishte ujë, ashtu edhe çdo qenie njerëzore ka në trup të njejtën përqindje uji.

Dhe në vijim të kësaj fotosinteze simbolike të shpirtit, brenda nesh janë sigurisht edhe dielli e drita, pasi këto ndodhen në natyrë. Dielli e drita na rëshqasin ndër sy, në fytyrë e në shpirt, dhe shndërrohen në dritë jetëdhënëse brenda lartësive të tingujve. Lartësia e tingullit, si një ndër veçoritë mbizotëruese të tij, së bashku me intensitetin, gjatësinë dhe timbrin u bë një ndër parapëlqimet tejet të rëndësishme në muzikën e shekullit XX, duke fituar, në periudhën e serializmit, atributet e çlirimit tërësor të konstelacioneve të pafundme të yjësive koloristike.

Drita me koloristikën e saj poetike depërton tek unë te Vallja mbi xham, Napoloni, Carousel diellor, Koncerti nr. 4 për piano, Spectrum; ajo gjendet në brendësi të obertoneve të Sonatës nr. 7 për piano Spectalia; është e përfshirë në teknikën “raibow” te Sonata nr. 6 për piano Chromaspectre, Love ???-; te Koncerti për violinë, te Cartesius cantus nr.1 Pluie lunaire, te sonatat nr. 4 dhe 8 për piano Kabacells dhe Megaondul, te Tasti që bën xixa, te vepra simfonike Diellore, te Carousel strukture, te vallet për violinë, pjesët për piano Vals i trëndafilave e Lule bor, te Kids scherzo nga baleti Kecat dhe ujku etj., etj.

Mjeshtëria për ta shndërruar dritën në tingull, në lartësi tingëllore, është ndër gjërat që më argëton dhe emocionon më shumë. Ajo përfaqëson padyshim hijeshi, elegancë, ekspresivitet, magji e forcë tingëllore. Ajo është vetë jeta, përmasa jetëdhënëse, të cilën ia dhuroj publikut në formën e oksigjenit tingëllor.

Pyetjet se çfarë do të mund të ishte jeta pa muzikë, se çfarë kuptimi, kënaqësie, shije do të kishte ajo nëse muzika nuk do të egzistonte, e kanë pergjigjen brenda. Jeta pa muzikë është thjesht një gabim, një torturë e padurueshme, një shkretëtirë e pamasë stërmunduese, një oshëtimë vdekjeje, vetmie dhe heshtjeje, një bosh, një hiç, një mërgim.

Por muzika ka lindur si pasqyrim i botës, i jetës, i natyrës, për t’ia përcjellë këto njerëzve në formën më sublime. Në kuptimin më të epërm parajësor muzika është jetë, që di të ndriçohet përkundrejt dhembjeve, vetmive e harresave. Ajo kurrësesi nuk mund të konsiderohet si një Circe, as si zërat mashtrues të sirenave, që të joshin drejt shuarjes me melankolitë e pesimizmit të tyre dhe tundimet e humbjes. Vetëm muzika që vjen nga sirenat, nga kënga e tyre mashtruese, mund të kryente një rol të tillë të padëshirueshëm e asgjësues, do të thosha madje tejet të rrezikshëm për lartësimin e njeriut dhe virtuteve të tij, në kundërshti me misionin përçues të fuqisë jetëdhënëse. Synimi kryesor i kompozitorit është, që shkëmbimin e elementeve në procesin e fotosintezës së shpirtit ta realizojë në mënyrë sa më të natyrshme dhe oksigjenin artistik ta prodhojë me tërë vetvetishmërinë dhe hirin e mundshëm, për t’ja përcjellë publikut.

Ja pra lexues të dashur, shpirti i krijuesit (kam parasysh kompozitorin dhe jo Zotin) i ka që të tre elementet e fotosintezës, për të prodhuar oksigjenin muzikor nëpërmjet tingujve, nëpërmjet muzikës aq të nevojsheme si përmasë jetësore e njerëzimit: dioksidin e karbonit, ujin, dritën + mjeshterinë = oksigjen muzikor, vlerë. Është një proces tejet interesant ky që ndodh në shpirtin e krijuesit. Në se do ta personalizoja, unë, në gjykimin tim, e ndjej këtë brenda “vendbanimit të shpirtit” dhe qenies time.

Trupi i njeriut, thotë Dekarti, ashtu si Universi, është një makinë. Mbetet që zoti i kësaj makine të jetë shpirti i qenies njerëzore. Është pikërisht shpirti i krijuesit, vendbanimi i të cilit gjendet në pjesën e sipërme të trurit, aty ku ndodhet gjëndra epifike ose epifiza, apo qendra e sistemit nervor, që bën të mundur, nëpërmjet sistemit të fijeve nervore, që kjo “makinë” të funksionojë si një mekanizëm perfekt, për të krijuar vlerat sublime të Artit.

Sot studimet kanë treguar, se gjëndra pineale është në të vërtetë një organ i kombinuar që, krahasuar me të tjerë, të cilët janë të dubluar (sytë, veshët, krahët, këmbët etj.), mbetet i vetmi organ i njehsuar që i shërben të dy hemisferave. Gjëndra pineale, ky vendbanim i shpirtit nga dalin fijet e ndjenjave dhe emocioneve, ndonjëherë i quajtur edhe “syri i tretë i atrofizuar”, besohet se shërben si një organ komunikimi me perënditë. Sipas filozofëve, gjëndra pineale është “mali” i Biblës nga ku bëhet ndërlidhja me më të Epërmin. Shpjegimi që u soll në fillim të librit lidhur me Kabanë dhe Kabaizmin përputhet plotësisht me këtë, përputhet përpikmërisht me ato sinjale, që trupi i jep shpirtit, njeriut në tokë, shpirtit në qiell. Si “vendbanim i shpirtit”, gjendra pineale përçon në veprën që unë shkruaj sinjale të ndjenjave, emocionioneve dhe mendimeve universale, për të më shërbyer kështu si një urë komunikimi me publikun dhe, nëpërmjet Kabaizmit tim, si një gjuhë e re e komunikimit me botën.

Dekarti ripërtëriu kështu dualizmin e vjetër platonik të shpirtit dhe trupit: shpirti, përkundrejt të cilit ngrihet bota materiale e objektit, është subjekti i njohjes. Edhe trupi njerëzor i përket kësaj bote të objektit. Shpirti mendimtar ngulitet me dëshirë te qëllimet dhe mbetet rrënjësisht i ndarë nga bota materiale. Thënia e famshme Unë mendoj, pra unë jam e Dekartit, është një bërthamë filozofike absolute, që shpjegon rolin e madh të ideve, që i paraprijnë qenies krijuese. Pa ide të reja shoqëria nuk mund te eci përpara. Varfëria e ideve është kthim pas, regres. Por, në se do ta personalizoja thënien Unë mendoj, pra unë jam, do të thoja se unë isha e njejta materie edhe përpara vitit 1990. Atëhere përse ndodhi i gjithë ky evoluim i mendimit tim mbi kompozimin, i cili mbërriti deri në logon time Polygravitete CC2 Composition dhe në platformën e Kabaizmit si metodologji e tërë kompozimit? Përse kjo “Fotosinteza e shpirtit”, pra oksigjeni filozofik i muzikës sime nuk erdhi përpara viteve ’90? Përse “Unë mendoj” nuk ndodhi përpara rënies së murit të Berlinit?

Sepse, së pari, “unë mendoj dhe ndaj unë jam” është një tjetër filozofi, është një botëkuptim metafizik (meta = përtej), që do të thotë përtej fizikes, përtej dukjes fizike; është një botëkuptim idealist që hyn thellë në subkoshiencë dhe që në thelb udhëhiqet prej mendimit. Veçse thënia “Unë mendoj” mund të shpjegojë se, si resultat i mendimit, i intuitës lajmëtare, i ëndërrimit, mua më ndodh që edhe në gjendje gjysmë zgjuar e gjysmë fjetur të dëgjoj muzikë me vesh të brendshëm. Pra në gjendjen time epifike nuk vepron veçse mendimi dhe intuita lajmëtare, që me ndriçojnë ide, të cilat, më ndodh jo rrallë që të ngrihem e t’i hedh në letër natën dhe më pas, në një proces të dytë t’i nënshtrohen racionalizmit, i cili troket tak-tak e u jep formë.

Ja ç’më ka ndodhur një natë në shtëpinë time në bregdetin e Durrësit.

Kishte kaluar një farë kohe që, në gjendje gjysmë zgjuar e gjysmë fjetur, në gjendren time epifike më sillej vërdallë tema e betejes e kohës VI të Simfonisë nr. 5 Skënderbeu dhe nuk po gjeja stilolaps për ta shkruar. Ç’më bëre? – i shkruajta Elvisit në email në tre të natës. Por më kot i rashë në qafë tim biri, pasi shtëpia kishte patur lapsa e stilolapsa, të cilat, ashtu në gjendje jermi, nuk arrita t’i gjeja. Sodoqoftë zgjidhjen e gjeta: i shkruajta notat me germa dhe ja dërgova vetes me email. Do të ishte vërtet humbje e madhe në se do ta kisha harruar atë temë-aksion beteje, jashtëzakonisht energjike.

Me pak fjalë, shprehja “Unë mendoj, pra unë jam” e Rëne Dekartit, e cila gjendet në pjesën e katërt të librit të tij Discourse de la Methode, përmban thelbin e filozofisë racionaliste që, e transferuar në muzikë, përbën thelbin e mendimit racionalist të metodës sime në drejtim të elaborimit të ritmit nëpërmjet permutacioneve ritmike, fijet e të cilave dalin nga tabela matematike e prodhimit Cartesian të krijuar po nga Dekarti. Në italisht, Rëne Dekarti quhet Renato Cartesio, në latinisht Renatus Cartesius, në frengjisht René Descartes.

Thënia e Cartesius-it “Unë mendoj, pra unë jam” është një e vërtetë aq absolute, sa të ç’armatos me fuqinë e jashtëzakonshme bindëse. Ajo përligj të gjitha shpikjet e të gjitha shkencave, të gjitha mrekullitë e të gjithë arteve, të gjitha zhvillimet dhe qytetërimet e të gjitha kohërave. Dhe këto kanë ardhur si rezultatit i gjenialitetit të mendimit të njerëzve me inteligjencë të shkallës së lartë, duke qenë pikë së pari fryt i mendimit të tyre, fryt i “unë mendoj”, pas të cilit vjen “unë jam”. Përdorimi i arsyes, i mendimit, i “unë mendoj”, fitoi përparësi në racionalizmin, konstruksionizmin, strukturalizmin e kompozicionit tim të pas viteve ’90.

Pyetjes se – ç’farë jam unë? – do t’i pergjigjesha: një qenie krijuese që mendon. Ç’farë është një gjë që mendon? Është një gjë që kupton, imagjinon, gjykon, analizon, shpik, hulumton. Dhe për këtë, ashtu si objektet që rrotullohen ne nje karusel, më erdhi mendimi se po në formë karuseli mund të rrotullohen edhe objektet tingëllore.

Jeta është e mbushur me konflikte midis lëvizjeve që bëjnë përpara dhe atyre që i tërheqin pas. Lëvizja përpara e refuzon tjetrën, e bllokon, e tërheq nga pas, siç ndodh te bërthama dramaturgjike dhe strukturore e Sonatës nr. 2 për violinë e piano Mouvement contraire (Lëvizje e kundërt). Si rezultat i “unë mendoj”, te Sonata nr. 6 për violinë Chromaspectre and bleck hole, vjen një tjetër ide, “unë dëshiroj”; aty mbizotëron teknika rainbow me spektrin e ngyrave të ylberit përkundrejt vrimave të zeza.

Si rezultat i “unë ndjej”, kjo e fundit del nga vendbanimi i shpirtit, nga gjendra e epifizës dhe nis e shtegëton nëpër dejet e indet e veprave, për të lënë brenda tyre hijen e këtij udhëtari të shpirtit.

Dhe është më se e vërtete që “unë ndjej” edhe kur i drejtohem tragjedisë se Otrantos në operën Oirat, edhe kur marr Oi dhe e trajtoj atë në muzikën e filmit Tokë e përgjakur, edhe kur ndërtoj një vaj (lacrimosa) të dyfishtë midis asaj mozartiane dhe kabasë te Dasma e Sakos, edhe kur përcjell nje parfum tingëllor te Vals i trëndafilave, te Lule bor apo te Arbëreshe, edhe kur shkruaj 12 Cartesius cantus, edhe kur shkruaj 32 Albanian folkdance e folksong, edhe kur shkruaj 15 sonata, 13 koncerte, 2 opera, 2 balete, 6 rapsodi e shumë vepra vokale e dhome, shumë muzikë për filma e shumë këngë. Pra gjithmonë “unë ndjej”.

Pasi u përpoqa këtu të shpjegoj reflektimet e mendimit (tim) cartesian (C2) në metodën time të kompozimit, ndikuar nga filozofia Cartesiane e Cartesius-it, si edhe të shpjegoj reflektime të mendimit tim nga fotosinteza në natyre te fotosinteza e shpirtit, e cila shndërrohet në oksigjen filozofik në muzikën time, do të më duhet ta vijoj më tej këtë rrugëtim filozofik për t’u ndalur edhe në dy dimensionet e tjera të logos sime kompozicionale: poligraviteti dhe lëvizja karusel (C).

Krijuesi (gjithmonë artisti, përfshi kompozitorin) është një qenie që mendon, hulumton dhe reflekton mbi fenomenet e Universit ose me saktë të “multiversit”. Në kërkim e sipër të ideve bërthamë për një veper a një tjetër, është normale që të shtroj edhe disa pyetje thelbësore në lidhje me botën, sikurse janë: A është graviteti, fusha manjetike, lëvizja eliptike e çdo planeti në multivers veçori e cilitdo planeti dhe, për rrjedhojë, çdo planet rrotullohet reth boshtit të tij gravitacional? A është panorama kozmike e multversit poligravitacionale? Në të dy rastet përgjigja do të ishte: padyshim që po! Duke medituar mbi këto çështje universale, kam menduar edhe se si do të pasqyrohet ajo në muzikën time të pas viteve ’90.

Që në korrik të vitit 1992 m’u desh të përballem me pyetjet: Monogravitet si në klasicizëm dhe ashtu siç paraqitej muzika shqiptare para 1990-ës, apo poligravitet? Tinguj që vërtiten reth një mono-boshti, apo boshte që rrotullohen gjithësecili rreth gravitetit të tij, për rrjedhojë përftimi i një panorame shumë interesante poligravitacionle me thurrje polifonike? Monostrukturë modale apo transformim i së njejtës materie në mode të ndryshme për arritjen e një panorame tingëllore polistrukturore, pra polimodale? Mendoj se pyetjeve të tilla u dhashë pergjigje në po atë korrik te vitit 1992 me Pentacentre Polymodale.

Emanuel Kanti ishte i pari që hodhi hipotezën se planetet formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, përkundrejt idesë teologjike fetare, si ide mbizotëruese në kohën kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore. (Zoti sipas doktrinës kristiane ose Allahu sipas doktrinës myslimane.) Në se në një shikim të lirë syri i njeriut e ka të pamundur të shquaj se si këto mjegullnaja grimcash dhe pluhuri vërtiten si masa super gjigande kozmike rreth boshteve të graviteteve të tyre, në muzikën time, te Pentacentre Polymodale dhe te simfonia Skënderbeu, unë mendoj se, në aspektin mikro te kësaj ideje, veshi ka përparësinë që të dallojë përkatësisht pesë dhe shtatë gravitete. Veshi gjithashtu ka përparësinë të dëgjojë dhe dallojë se si këto gravitete rrotullohen reth fushave të tyre manjetike në një makro strukturë horizontale e polifonike. Kjo ndodh te Pentacentre, Polycentrum, Carousel structure, Spectrum, Simfonia Skenderbeu etj; ndodh gjithashtu te platforma ime kompozicionale, Kabaizmi. Fusha manjetike është një ndër leksionet më të vyera, që na vjen nga multiversi, nga bota, shkenca dhe nga klasicizmi. Me vetinë e tij gravitacionale të tonikës, boshtit rreth së cilit përsillen akordet satelitore, tonaliteti është një simbolikë e gravitetit të një planeti.

Por jo vetëm tonaliteti ka veçori gravitacionale. Këtë e ka treguar fare qartë muzika gregoriane dhe ajo bizantine me ostinaton, muzika etnike me telin e dytë te çiftelia dhe sharkia, gajdja me buçallën e shumë instrumente të tjerë, polifonia me praninë manjetike të isos, modaliteti me tonin bazë etj; zogu, qyqja gjithashtu kanë gjithmonë një bosht, një fushë manjetike që tërheq tingujt.

Nga ky rregull fizik, biologjik e psiqik, ndryshimin në muzikë e bëri dodekafonizmi dhe serializmi, ku mungon fusha manjetike, pra tingulli bosht. Fakti që serializmi nuk arriti të përtypej për më shumë se 50-70 vjet, mos ka të bëjë midis të tjerash edhe me arsyen që ai iu kundërvu ligjeve natyrore, atyre ligjeve që e detyrojnë njeriun si qenie biologjike, që t’i mbërthejë fort këmbët në tokë, te graviteti, te fusha e manjetike, duke mohuar kështu rëndesën e gravitetit si ligj universal dhe gravitetin e shpirtit po kaq universal? Të jetë kjo vallë një arsye që bota muzikore pas serializmit rendi drejt kërkimeve të tjera? Mbetet per t’u parë dhe studjuar prej shkencës së muzikologjisë, e cila duhet ta thotë me kompetencë fjalën e saj.

Në se do t’i referohemi Emanuel Kantit, ai gjithashtu do të predikonte praninë e galaktikave të tjera përveç galaktikës sonë. Një tjetër arritje e tij e rëndësishme për t’u përmendur, është studimi mbi ndikimin që ka rrotullimi i tokës rreth vetes në formimin e fenomeneve të tilla si batica dhe zbatica. Dhe ja tek vijmë në veprën time të fundit, Batica zbatica dallgesh polifonike, shkruar në shtator 2021.

Tingujt aty dallgëzohen për lart në baticë dhe tërhiqen për poshtë, rreth një boshti, në zbaticë. Seksion pas seksioni, ky bosht zhvendoset në një gjysmë toni lart, siç ndodh me modulacionin gjysmëtonal të polifonisë labe. Për rrjedhojë, nga boshti Sol, me të cilin fillon vepra, nëpërmjet një udhëtimi real në gjashtë gravitete, përfundohet në boshtin Do. Batica zbatica dallgësh polifonike është interpretuar shumë bukur në “Pianodrom 2021” nga Laura Lila dhe Mimoza Kosturi.

Përveç fushës manjetike në aspektin makro, të reflektuar në një prej dimensioneve më të rëndësishme të muzikës sime të pas viteve ’90, në atë të poligravitetit, planetet në këtë harmoni universale kanë edhe një veçori tjetër: lëvizjen rrethore eliptike. Ato rrotullohen rreth boshtit të tyre, secili në trajektoren e vet dhe, sigurisht, elipsohen rreth diellit apo diejve të tjerë, që shkencëtarët supozojnë se egiztojnë. Lëvizja rrethore eliptike është universalisht absolute. Ajo pasqyrohet padyshim te stinët, te ora me lëvizjen rrethore të kohës ditë-natë, te pamjet gjeometrike rrethore të tyre të Hënës, Tokës, Diellit, Marsit, Venerës, Platonit, Neptunit, Saturnit etj., etj.

Nuk e mbaj mend saktësisht si dhe pse më ka ardhur ndër mend ideja e Carousel structure në vitin 1992, kur studioja në konservatorin Swelink të Amsterdamit, në klasën e prof. Daan Maneke, i cili kishte qenë student i prof. Toon de Leeuw-t dhe ky i fundit nxënës i prof. Olivier Messiaen-it (kishte mbaruar studimet me gjigandin francez të shekullit XX që në vitin 1959). Ka qenë muaji tetor i atij viti kur, në një nga takimet e para me Prof Maneeke-n, i fola atij mbi idenë e një strukture rrethore të ngjyrës, ku instrumentet do të përshkëmbenin ngjyrën, timbrin, lartësinë, strukturën ritmike në formë rrethore, ashtu si njerezit që përshkëmbejnë vendet mes tyre në një karusel. Në këtë “qorrsokak” të bukur me shumë të papritura interesante, i cili i pëlqeu jashtëzakonisht edhe prof. Maneeke-s, edhe prof. de Leeuw-t, pa dashur e pa kuptuar më futi një mirëseardhje intuitive. Pas poligravitetit të Pentacentre polymodale, Carousel structure ishte një dimension i dytë, një filozofi e re në mënyren e të menduarit të kompozimit, e cila, duke u bërë pjesë e logos sime, e vulës sime, kërkonte edhe nje zgjidhje të re, një gjetje të re në aspektin teknik.

Ishte pikërisht teknika “klang-carousel”, për të cilën kam folur më sipër, që m’u bë bashkudhëtare në rrugëtimin reth botës sime muzikore. Lëvizja, lëvizja, lëvizja e ngjyrës, e tingullit, ritmit dhe e gjthçkaje tjetër në muzikë është përparësia që arti muzikor ka përkundrejt statizmit të arteve pamore si skulptura dhe piktura. (“Lëvizja” e tyre mbetet statike, iluzore.) Për të gjitha përparësitë që mbart në thelbn e saj, filozofë si Schopenhauer-i, Cartesius-i apo Nietzsche e konsiderojnë muzikën si “primadonën” e të gjithë arteve.

Duke perifrazuar thënien gjeniale të Debussy-së, në thelb të së cilës ai vendosi bazën e estetikës muzikore të impresionizmit, se Bota është e mbushur me miliona tinguj, lule e ngjyra, aq sa ne kalojmë pranë tyre të shkujdesur e pa i vënë re dhe nata e trishtimit na mbulon me vellon e saj e na lë të shkretë, në një kuptim jo impressionist, por strukturalist, do të thoja se: Bota është çmendurisht e pasur me forma e forma, me struktura e struktura, që duken dhe nuk duken, nga ato më të thërmijëtat e deri te planetaret, nga ato egzistuse të tokës, detit, qiellit, planeteve, natyrës, stinëve, dritë-hijeve, e deri tek ato më abstraktet të qenies njerëzore, të subkonshiencave metafizike e surreale të kësaj qenie, e deri gjithashtu te zbulimet shkencore në fushat e matematikës, gjeometrisë, fizikës etj., etj. Të gjitha këto u shërbejnë krijuesve për të krijuar forma të reja.

Bota sot është shumë më e madhe dhe shumë më e hapur, posaçërisht bota virtuale ku cilido që zotëron talent, intuitë, përvojë, që di të mendojë (mendim… mendim… “unë mendoj”, thotë Cartesius-i), mund të gjejë këndin origjinal të vetvetes. Bota e gjithë është një “dritare” e hapur, pa xhama e grila, nga ku çdo kompozitor mund të gjejë një kend ta ngrohtë. Ja sa bukur e shpreh këtë poeti Xhevahir Spahiu në vargjet e këngës Në një kënd të globit rrisim jetën tonë”,.

Pas kthimit nga një specializim tjetër, dy-vjeçar në Paris, me Prof. Ton de Leeuw-n, dëshirës sime për një sistem regullator të elaborimit të ritmeve nëpëmjet përkëmbimeve të tre njësive (1/8, 2/8, 3/8) apo tre numrave (1, 2, 3), do t’i vinte në ndihmë gruaja ime Ana, profesioniste e matemetikës, e cila më ndriçoi një hapësirë të re:

Prodhimi cartesian si, një metodë e re në organizimin e ritmikës, i dha formë veprave: 12 Cartesius, Polyphonie des heurts e de la resonance (Polifonia e përplasjeve dhe e resonancës), Eteratondo e shumë të tjera. Poligraviteti dhe lëvizja carusel u bashkuan me prodhimin cartesian dhe nisën një udhëtim të përbashkët të kësaj logoje krijuese.

 

POLYGRAVITE CC2 COMPOSITION

 

Por të përpunosh konstruksione e faktura kompozicionale, teknika e metodologji të posaçme, të krijosh një muzikë me prirje drejt strukturalizmit, nuk është plotësisht e mjaftueshme. Po kaq i rëndësishëm është edhe zbulimi, pas këtyre ideve, i metafizikës së shpirtit, i ndjenjës dhe emocionit. Nëpërmjet metafizikës dhe labirintheve te saj mund të shkosh përtej dukjes fizike, përtej asaj çka dallohet me sytë e ballit, por që shihet me syrin e tretë, atë të epifizës. Ndjenja dhe emocioni, së bashku me konstruskionin, janë kategori të cilave unë u kushtoj shumë vëmendje e përkushtim në muzikën time, që në fazën e organizmit të tingujve. Ka raste që i rikthehem dy apo tre segmenteve të veprës, që shquhen për emocionalitet të fortë, për intensitet të lartë shprehës dhe emocional. E bëj këtë për ta shtuar dozën e emocionalitetit, për të lartësuar, rritur e zmadhuar në të gjitha mënyrat shprehjen emocionale, sepse e di që do të përcjelli sinjale të forta ndjeshmërie te pupliku.

Emocioni (lat. ex – jashtë; motio – lëvizje ; emocion – nxitje) është një shtytje nervore, që nxit veprimin e një organizmi. Konsiderohet si një gjëndje e fuqishme mendore dhe e pandërgjegjshme, e shoqëruar shpesh nga ndryshime fiziologjike. Emocioni dallohet nga ndjenja.

Ndjenja është gjendje e brendëshme e njeriut, që shkatohet nga ndikimet e botës së jashtme, të cilat sjellin kënaqësi ose pakënaqësi: ndjenjë e fortë, e zjarrtë, e këndshme, e hidhur, e gëzimit, e dashurisë, urrejtjes, zemërimit, frikës, trishtimit, kënaqësisë, krenarisë etj. Dhe ne themi: ….i ngjalli ndjenja, e pushtoi ndjenja, e mbyti në ndjenja. Ana e brendshme emocionale e njeriut zakonisht dallohet nga arsyeja dhe të menduarit.

Një vepër e realizuar bukur në të gjithë elementet e saj strukturor dhe emocional, një vepër e cila buron nga një organizëm që mendon dhe një shpirt që pulson – le ta quaj epifiza e veprës, gjendra epifike e saj – pa dyshim që ka bagati emocionale.

Kategorinë e begatisë emocionale, Spinoza e ka përmbledhur në fillim të veprës së tij Traktati i përmirësimit të kuptimit (Tractatus de intellectus emendatione), i cili është i thelbi i filozofisë etike të autorit. Ai i konsideronte të mirën dhe të keqen si koncepte relative, duke pretenduar se asgjë nuk është në thelb tërësisht e mirë apo tërësisht e keqe. Sa interesant është ky botëkuptim panteist i Spinozës, i shprehur në formulën e famshme “Deus Sive Natura” (“Zoti ose natyra”)!

E mira ka pamjet e saj bardhë e zi dhe po këto pamje ka edhe e kaqja. Sa e dua, sa e parapëlqej, sa e kërkoj këtë kluster midis tasteve të bardha e të zeza në muzikën time. Në këtë sistem kompozicional, në këtë procedim harmonik me mungesë të tensionit të dominantës, pra të tonalitetit, tensioni bardh e zi apo klusteri midis tasteve te bardha e te zeza është gjetje perfekte për të shtuar tensionin e konfliktin.

Dhe ja tek vijmë në vitin 1993, kur falë akordimit të një burse nga Ministria e jashtme italiane, gjatë qëndrimit gjashtë-mujor në Konservatorin “Santa Cecila”, kompozova Eteratondo, oratorio spaciale. Në formën e saj, kjo vepër duket si një re, e cila, nëpërmjet modelimit te efekteve, avullon me evolucione spektrale drejt lartësish, shoqëruar me pasurime të tingëllimit timbrik; një re që udhëton nga sipërfaqja e ujit dhe e tokës drejt një amfiteatri qiellor prej uji, ajri dhe spiritusi. Dantologët thonë, se Dante gërsheton racionalizmin aristotelian me perspektivë mistike me impulsin e shpirtit, që ngjitet drejt zotit përmes nëntë qiejve danteskë. Kur lexoj nëntë qiej, menjëherë më shkon mendja që t’i “përkthjej” ata në një interval muzikor dhe ky është nona (nona është produkt i treshit), kryeintervali strukturor i kësaj vepre. Kështu funksionon mendimi tek une.

E çfarë do të ishte muzika në se nuk do të qe pjesë apo modus i atributit të të menduarit, por edhe i të ndjerit? Prej këndej duhet thënë se njeriu nuk ka vetëm trup të individualizuar, por edhe një shpirt të tillë, dhe i tillë është padyshim edhe shpirti i krijuesit, i kompozitorit. Çdo gjë materiale gjen shprehje në atributin e të menduarit si ide në mendjen e krijuesit. Ky është aspekti mendor i gjërave, ose funksionalitet i shpirtit krijues. Fjala mendim, në muzikë tregon gjithë përmbajtjen e ndërgjegjes: ndjesitë, emocionet, aresyen e vërtetë të ekzistenës të asaj që ne e quajmë inteligjencë njerëzore. Dhe kjo e fundit, e mishëruar në muzikë, do të thotë inteligjencë muzikore, e cila paraqitet e ndryshme në varësi të subjekteve krijuese të ndryshme.

Mënyra e të menduarit, thellësia e gjerësia të menduarit, metafizika e tij, të gjitha këto pra janë atribut i qenies thelbësore të krijuesit, çka do të thotë që vepra do të lindi si fryt i pasur i mendimit.

Aty ku ka mendim kompozicinal ka edhe emocion, edhe ndjenjë, hijeshi, elegancë, ekpresivitet, me pak fjalë ka gjithçka.

Një tjetër atribut i botës është se ajo vazhdon të jetë përjetësisht duke menduar, për rrjedhoje duke u zhvilluar. Por mendimi nënkuptohet se përfshin disa procese të rëndësishme, siç jane: shkakësia, emocioni, njohja, dija, teoria e dijes, teoria e njohjes. Pa njohje e dije mendimi do të jetë padyshim i cekët e i varfër. Të menduarit njerëzor është një zbulim i pjesshëm i atributit hyjnor të të menduarit. Dija ka fuqi transhendentale mbi emocionet dhe ka përparësi ndaj ndjenjave dhe emocioneve. Këto të fundit nuk mund të përcillen te dëgjuesit në se vepra ka mungesë të dijes dhe njohjes. Në se dija dhe njohja mbeten një “Sahara”, një tokë e plasaritur nga mungesa e ujit, një pemë me rrënjë të thata e pa frute, është krejtësisht e pamundur që emocioni e ndjenja të arrijnë gjendjen e lëngëshme dhe të shndërrohen në lot.

 

Shkakësia

 

Çdo gjë duhet të ketë shpjegimin e vet shkakësor. Asgjë nuk vjen nga asgjëja. Gjëra të veçanta, duke vepruar me njëra-tjetrën, mbi njëra-tjetrën, ndërvaren në procesin zinxhir të kushtëzimit të përbashkët shkakësor. Në këtë proces nuk mund të ketë ndërprerje. E gjithë natyra përfshin një tërësi shkakësish dhe pasojash të pafundme. Janë të shumta shkakësitë, që provokojnë mendjen krijuese të kompozitorit. Po sjell ndërmend një natë në dhomën e konviktit në Amsterdam, ku teksa qëndroja i ulur me një letër muzike përpara, nga jashtë vinin zhurmat e uturimës së erës, shpupurisjes së fortë të degëve të pemëve, breshëritë e shiut e shkrepëtimave. Në dhomë nuk kisha piano dhe rrethanat, më saktë shkakësia, do të sillnin pasojën: për disa ditë e netë iu vura kompozimit, duke shkruar pa piano, të veprës Un soufle de vent (Një fërshëllimë ere). regjistruar në CD ne New York, e luajtur në Itali, Yorkshire Londer, Tiranë.

Vijmë në vitin 1997 me tragjedinë e Otrantos. Fundosja e një anijeje që shkonte drejt tokës italiane solli humbjen e tetëdhjetë jetëve njerëzore, midis tyre gra e fëmijë. Nga kjo shkakësi erdhën në jetë dy vepra të reja muzikore, Albpostmortorium dhe opera Oirat.

Gjatë një bisede me pianistin Kosti Deti, ky i fundit do të më tregonte: Profesori 92 vjeçar i Markus-it, i thoshte profesorit të Kostit se pianisti duhet t’i fusë duart së pari në mjaltë, pastaj në verë, më tej në baltë e së fundmi në zjarr. Në çast mendova: Ja një shkak ideal për t’u vijuar nga një pasojë; të nis një vepër për piano me idenë mjaltë, verë, baltë, zjarr. Edhe një shkakësi tjetër përcaktuese në gjenerimin e ideve të reja kompozicionale dhe realizimin e tyre në krijimtarinë time: tajfuni i para disa viteve në Japoni, ku humbën jetën reth 200 000 njerëz, solli Sonatën nr. 5 për piano, Cycloniana, me tre kohë. CD me Mikhail Kovaleff.

Në vazhdim të këtij reflektimi, po i drejtohem sërish Spinozës. Ai dallon disa nivele të dijes:

1. Opinioni, i bazuar në përfaqësimin ose imagjinatën;

2. Njohuritë e arsyeshme dhe njohuritë intuitive;

3. Niveli më i lartë i njohurive, i cili ka të bëjë me kuptimin e realitetit nga pikëpamja e përjetësisë, domethënë në një lidhje logjike tejet të gjatë me një tërësi madhe. Por edhe ky nivel më i lartë i njohurive nuk mund ta shmangi një individ të caktuar nga pasionet dhe vuajtjet. Ndikimet kryesore të përjetuara nga individi janë tre: kënaqësi, pakënaqësi dhe dëshirë.

Për sa kohë që një individ është nën ndikimin robërues të pasioneve të tij, ndikimet e këtyre të fundit mund të ngërthejnë të gjithë vetëdijen e tij duke e përndjekur në vazhdimësi. Sipas Spinozës, pamundësia e një individi (lexo krijuesi, shën. im) në luftën kundër pasioneve të tij, është skllavëri, e cila çon në përplasjen e aspiratave të ndryshme në shpirtin e një individi, çka përbën dhe “skllavërinë e individit”. Kapërcimi i kësaj skllavërie mund të arrihet vetëm me ndihmën e ndikimeve më të forta përkundrejt atyre mbizotëruese. Krijuesi dallohet prej qenieve të tjera nga fuqia e mendjes dhe e shpirtit. Për t’u përfaqësuar në peisazhin e gjerë të botës artistike, krijuesi (artist) përdor vullnetin dhe ambicien e tij, duke e gjykuar kërkesën për ta parë veten dhe veprën e tij si pjesë të kësaj bote si krejtesisht normale dhe të ligjeshme. Por përderisa është i pajisur me vullnetin për t’u përfaqësuar në këtë botë, ai duhet t’i ketë dyert intiticionalisht të hapura, çka në vendin tonë fatkeqësisht nuk ndodh gjithmonë kështu. Por meqenëse nuk jemi në ndonjë tryezë dabati, le të mos i largohemi thelbit të çështjes në diskutim.

Te Bota si Vullnet dhe Përfaqësim (The World as Will and Representation), Arthur Schopenhauer-i thekson rolin e motivimit themelor të njeriut, të cilin e quan vullnet. Analiza e mbi vullnetin, e çoi Schopenhauer-in në përfundimin se dëshirat emocionale, fizike dhe seksuale nuk mund të përmbushen kurrë. Muzika, thotë ai, me shpërthimin e saj të lirë transmeton nga gjiri i ndërgjegjes njerëzore, ajo përcjell të gjitha lëvizjet e vullnetit për të jetuar, çka do të thotë se gjallëron universin.

Vërtet interesante kjo! Për faktin se mendoj kështu, vullnetit për të jetuar, do t’i shtoja: vullnet për të shkruar, vullnet për të kompozuar, vullnet për të krjuar linja të reja në muzikë, për ta shndërruar polifoninë në pianizëm, për t’i uruar mirëseardhjen për herë të parë barokut në muzikën shqiptare (te Barokjare) duke qëndisur me pejëza kompozicional zbukurime nga ornamentika baroke dhe nga ajo e jareve shkodrane; vullnet për të sjellë këndvështrime të reja në gjinitë e sonatës, koncertit, operës, baletit, muzikës së filmit etj. Pasioni dhe vullneti përfaqësojnë te unë sinonime të njëra-tjetrës. Eh sa e rëndomtë më duket pyetja “ironike”, që më drejtoi një koleg kompozitor 25 vite të shkuara! “Akoma po kompozon mo?!” Sigurisht që unë vazhdova të shkruaj, madje me një rendje edhe më marathonomake, nëse i referohem së paku vetëm periudhës nga viti 2013 e këtej, gjatë së cilës dolën në dritë 15 sonata të krijuara në një hark kohor prej shtatë vitesh. Po me nje rendje marathonomake vijon muzika ime si vullnet e përfaqësim – dhe këtë të fundit besoj se e kam mbërritur – gjatë dy viteve të pandemisë botërore në një tjetër gjini, atë të koncertit. Plot tetë koncerte per instrument e orkestër të shkruara brenda dy viteve. (Në total katalogu tim numëron 13 koncerte)

Është në natyrën e njeriut të formojë dëshira, t’i shohë ato të përmbushura dhe të mbarset menjëherë me të reja. Madje është e nevojshme, për lumturinë dhe mirëqenien e tij, që dëshira të të marrë flatra kënaqësie me përmbushjen e saj dhe nga kjo të lindi një tjetër dëshirë e re dhe, mundësisht sa më shpejt, pasi kënaqësia e vonuar sjell vuajtje dhe mungesa e dëshirës është nje lëngatë e pashmangeshme, që nuk sjell veç mërzi.

Gjuha universale e tingujve, kjo lajmëtare intuitive dhe e racionalitetit logjik, më çon pranë thelbit të gjërave nga njëra vepër në tjetrën. Ky labirinth i subkoshiencës ka brenda tij diçka të papërshkrueshme dhe misterioze. Ai kalon pranë nesh si një parajsë e njohur dhe e panjohur. Por edhe pse përjetësisht e largët, edhe pse krejtësisht e kuptueshme dhe krejtësisht e pashpjegueshme, ajo na zbulon të gjitha lëvizjet, qoftë edhe ato më intimet e qenies sonë, për t’i shndërruar në ide të rëndësishme nëpërmjet fotosintezës se shpirtit. Po ku? Te platofrma për t’i shndërruar në ide të rëndësishme nëpërmjet fotosintezës se shpirtit. Po ku? Te platofrma kompozicionale e Kabaizmit. Po si? Nëpërmjet logos Poligravité CC2 Composition. Te koncerti nr. 6 për violonçel dhe orkestër, lajmëtarja intuitë, nga një zinxhir vonesash mozartiane mbi nje bosht tonal në Re minor, me çoi fare larg për të krijuar një amfiteatër piramidal me disa kate, ku në kontrapunkt dhe në boshte të ndryshme prodhohen zinxhirët e vonesave, të cilët ndahen mes tyre nga intervale kuintash. Krijova pra disa gravitete ku vonesat u multiplifikuan. Vendosja në boshte të rrethit të kuintave është modale, ndërsa ne vetevete vonesa mozartiane është tonale. Ja ku më del përpara përseri “stereofonia”, pse jo edhe “soroundi”, në mënyrën e të menduarit kompozicional.

Por cila është simbolika filozofike e këtij sistemi piramidal vonesash? Janë katet historike të vonesave shekullore në historinë e vendit tim: me vonesë për t’u çliruar, të fundit, nga Turqia; me vonesë për të themeluar shtetin shqiptar; me vonesë për të krijuar konservatorin shqiptar (dhe fat i lumë që u krijua nga profesorët tanë të mençur e të shquar, si Zadeja, Daija, Paparisto, Kraja, Kaçaj, Stringa, Kristidhi etj); me vonesë për të kapur trenin e BE. Vargu zinxhir i vonesave ka qenë, është dhe, me sa duket, do të jetë fataliteti që shoqëron fatin e shqiptarëve. Po përse disa shtresa vonesash? Përse në disa gravitate? Përgjigja gjendet në frazën paraardhëse.

Shumë interesante janë disa marrëdhënie që Schopenhauer-i vendos midis gjuhës muzikore dhe manifestimeve të vullnetit. Ato dëshmojnë kënaqësinë që ai përftoi në gjetjen e analogjive të tij.

Për shembull, katër zërat e harmonisë, thoshte ai, basi, tenori, kontralto dhe soprano, ose katër notat e akordit të përsosur me tonikë, tercë, kuintë dhe oktavë, korespondojnë me katër shkallët: mbretëria minerale, mbretëria bimore, mbretëria e kafshëve dhe mbretëria e njerëzve.

Gjithçka në këto katër mbretëri lëviz, lëviz, lëviz. Lëvizja është atribut i Botës. Lëvizja është atribut i muzikes. Modulacioni, krahas shumë e shumë aspekeve të tjera, është tregues i lëvizjes në muzikë. Në muzikën time, prirja për të moduluar vazhdimisht dhe në mënyre gjysmëtonëshe, nga tingulli themelor apo boshti bazë duke e shndërruar lëndën nëpër boshte të reja me nga një gjysmë toni lart, është pasqyrim, pasojë, që ka për shkakësi polifoninë labe. Kam parasysh shumë vepra, midis të cilave po përmend kabanë te koha e nëntë e Simfonisë nr. 5 Skënderbeu, Hetero-ondulation spacial, Sonata nr. 2 për çelo Mitosfera, koha e tetë e Sonatës për piano Skenderbeu, Baticë e zbaticë dallgësh polifonike, Sonata nr. 2 për piano Argjiro, Vajz e valëve.

Të orientuara nga modulacioni gjysmëtonësh – një fenomen pra, që ndodh në polifoninë labe – , këto vepra përfaqësojnë tek unë dëshirën për lëvizje, për energji, ndryshueshmëri, ekspresivitet, për lartësi koloristike, emocion e ndjeshmëri të shtuar. Ato shprehin aspiratat e shumëfishta të vullnetit e përfaqësimit tim në këtë platformë kompozicioni te Kabaizmi.

Të krijosh një melodi, kjo është një dhunti e brendshme e kompozitorëve, që zotërojnë genin e krijimit, i cili, sigurisht, gjendet edhe tek unë, çka besoj se është dëshmuar gjatë gjithë jetës sime krijuese 52-vjeçare. Aftësia për të ndriçuar thellësitë më të fshehta të zemrës njerëzore, është një aftësi mbizotëruese për të mishëruar këtë apo atë lëvizje të vullnetit, drejtpërdrejt apo spontanisht, për të sjellë brenda unit vetiak një zë të Botës, të Universit të Natyrës.

Muzika ka përparësinë që të gjitha ndjenjat t’i pikturojë me penalatën magjike të tingujve, duke i riprodhuar ato në një forme pergjithësuese. Muzika nuk mund të shprehi një dhembje apo një gëzim të caktuar, por vetë gëzimin dhe dhembjen si një ndjeshmëri përgjithësuese. Si kompozitor, mua më duhet të shpreh kuintesencën e ndjenjës, ndjenjën në formën më përgjithësuese, pa ndonjë nuancë të veçantë, pa asnjë tipar individual.

Imagjinata mund t’i japë një veshje estetikisht të bukur tingëllore kësaj bote magjike të përbërë nga miliona ngjyra e tinguj, t’i veshë ato me parfume delikate dritë-hije kaleidoskopike për të mishëruar imazhe të filtruara nga bota reale. Tek unë, zakonisht muzika ka qenë fare e pastër, pa ndërmjetësinë e arteve të tjera. Për këtë, mund të permenden sonatat, koncertet, simfonitë etj. Por nuk mungojnë edhe bashkëveprimet me arte të tjera, si me imazhin në rastin e muzikës së filmit, me skenografinë në opera, koreografinë në balet, instalacionin, por edhe me fjalën te kengët, veprat vokale apo opera. Për të kuptuar thelbin e kësaj marrëdhënie të ndërsjelltë midis muzikës dhe fjalës, vështirë se do të gjendej ndonjë gjykim më domethënës nga ky fragment i shkëputur prej Schopenhauer-it:

E tillë është origjina e këngës, me fjalë dhe, së fundi, e operës. Por muzika, kur pranon të bashkohet me fjalën, nuk duhet të nënshtrohet kurrë; ajo duhet të kujtojë gjithmonë se, si gjuhë e zemrës është e mjaftueshme dhe se e gjithë gjuha tjetër qëndron më poshtë prej saj. Ajo e bën të perceptueshëm thelbin intim të gjërave, ndërsa artet e tjera tregojnë vetëm të anën e jashtme. Ky karakter i muzikës shpjegon disa efekte të veçanta që ajo prodhon te ne. Kur, në prani të ndonjë spektakli, veprimi, ngjarjeje, perceptojmë tingujt e muzikës së përshtatshme, kjo muzikë na duket se na zbulon kuptimin e saj të thellë; është si komenti i saj i qartë dhe besnik. Dhe në raste të tjera, kur jemi nën magjinë e një simfonie, na duket sikur shohim të gjitha ngjarjet e mundshme të jetës dhe të botës të kalojnë para nesh. Bota mund të quhet një mishërim i muzikës, si dhe një mishërim i vullnetit.

Si qëndrojnë te ne marrëdhëniet midis filozofisë dhe artit? Midis filozofisë dhe muzikës? Sa ndikuese ka qenë filozofia në muzikë? Sa muzika ka qenë e interesuar të perligjë një bashkëveprim të tillë midis saj dhe filozofisë? Sa ka mundur realizmi socialist të shkojë përtej fizikes? A ka mundur ai që nëpërmjet metafizikes të zbërthejë thelbin e shpirtit, thelbin e fenomeneve, thelbin e qenies.

Kur po shkruaja këtë pjesë të tekstit tim, data shënonte 14 shkurt 2022, pra dita Shën Valentinit. I krijova pak ambient gruas me kengën time të dashurisë Mia Clara nga filmi Portreti i pambaruar i Klara Bellinit. Pas kësaj i vura të dëgjojë një kryevepër dashurie, këngën e filmit Love story (versioni i 71-të). E kupton, i thashë Amës, se ku qëndron roli i rëndësishëm i metafizikës në art? Kjo këngë shkon përtej fizikes, përtej trupit si objekt lëndor, përtej arës me grurë, përtej lëmit, oxhaqeve me tym të fabrikave socialiste, ku lindëte dashuria e sforcuar e orientuar në tekste nga aparatçikët e Komitetit Qendror.

Ja përse arti kishte dhe ka nevojë për më shumë mendime metafizike. Por edhe në atë sistem u krijuan këngë të shkëlqyera, në të cilat i është kënduar dashurisë shumë ndjeshmërisht, si për shembull Mesnatë e Shpëtim Kushtës, Erdhi pranvera por unë se besova dhe Dashuria të Pjetër Gacit etj.

Mbas kësaj paranteze, e cila mund të shërbejë për të çlodhur mendjen e lexuesit nga ngarkesat filzofike, le t’i kthehemi marrëdhënieve midis filozofisë dhe artit. Në gjykimin tim, arti i madh i tingujve, me larminë dhe magjinë që ka sjellë në peisazhin botëror dhe atë shqiptar, mbetet një pjesë e harruar e filozofisë së artit. Në historinë e mendimit të vendit tonë gjenden shumë pak shkrime, që i kushtohen specifikave thelbësore të muzikës dhe marrëdhënieve midis saj dhe filozofisë. Përse të ketë ndodhur vallë? Mos ndoshta për shkak të faktit se muzika është forma më e brishtë, më pak konkrete e artit, që kërkon të ndiqet duke vënë në veprim tre shqisa, veshin për ta dëgjuar në koncert, në TV, radio apo CD, syrin për ta parë në partiturë dhe “shqisën” apo syrin e tretë, gjendrën epifike, e cila vë në veprim logjikën analitike për ta kuptuar, studiuar dhe analizuar?

Është gjithashtu interesante të shihet se, deri në cilën masë vepra e kompozitorit ka mbetur te ne një objekt studimi pothuajse i munguar. Estetët dhe studiuesit që merren me teoritë moderne mbi perceptimin e artit do të duhej, që këtë hendek ta mbushin me kontributet e tyre te shndërruara në libra. Une mendoj se ata i kanë të gjitha mundesitë profesionale. Gjithsesi muzika është ai lloj arti sublim, që gëzon të drejtën e paprekshmerisë dhe ndoshta arti që shkakton kënaqësi të menjëhershme dhe të thellë estetike.

Vullneti është mbi të gjitha një burim vuajtjeje, sepse ai shprehet duke i ngujuar individët në pasionet e tyre dhe duke i shtyrë ata gjithnjë e më shumë drejt individualizmit, pra ajo që Schopenhauer-i e quan “parimi i individualizmit”.

I bllokuar në mërzi, njeriu është pre e përjetshme e një force që konsumohet në vullnetin për të jetuar. Ai kurrë nuk e njeh kënaqësinë apo paqen e brendshme, sepse sapo përmbushet një dëshirë, një tjetër vjen për ta zëvendësuar atë. Është një gjueti e përhershme, shkruan Schopenhauri, dhe më tej vazhdon: Muzika është arti metafizik par excellence … më superiori përkundrejt gjithë arteve të tjera, sepse e riprodhon Vullnetin në mënyrë të menjëhershme, ndërsa artet e tjera e bëjnë atë përmes ndërmjetësimit të një përfaqësimi, një objektivizimi. Muzika, përkundrazi, është i vetmi art jo imitues. Ajo nuk shpreh këtë apo atë formë që merr Vullneti në botë, por vetë Vullnetin, thelbin e tij parësor.

Prandaj ajo është arti metafizik par excellence, sepse “shkon përtej ideve” dhe ndodhet në një farë mënyre jashtë botës si objekt fizik. Muzika do të ishte rruga e parë drejt shenjtërisë, një derë që të çon drejt Artit të shenjtë, Muzikës. Ajo e zbulon realitetin më thellë se çdo mënyrë tjetër shprehjeje dhe madje se çdo art tjetër.

Muzika me vlerat e saj më të larta është fryt i përjetësisë. Sa të ekzistojë njeriu, ajo nuk do të shndërrohet kurrë në një këngë mjelme. Muzika, po, i ka ato cilësi mjelmëbardhë që të lundrojë me krahët e saj nëpër valët e frekuencave. Valët e frekuencave kapërcejnë kufijtë e shteteve,kapërcejnë kufijtë e gjuhëve e komunikojnë me të gjithë popujt .Rathët ( ekcentrike ) te frekuencave te muzikës marrin dimensione globale.Ato hyjne e dalin nëpër shpirtra njerëzorë, i japin mesazhe të Epërme qiellit, Botës Universit. Muzika eshte e bukur, e brishtë, fluturake, e bardhë si nje mjelmë, dhe sa të egzistijë njeriu ajo do te mbetet mjelma e pavdekësisë.

Une jam krenar vërtet, e megjithëse gjeneratat ndrohen gjatë 50 vjetëve, ka pjesë e vepra që përcjellin në mënyrë të ilustrueshme idenë se, sa të egzistojë njeriu muzika do te mbetet mjelma e pavdekësisë.Vallet për violin e piano shkruar ne 74,nga dokumentancioni i SACEM – PARIS deshmohet se frekuencat e tyre jane përhapur në: Portugali Finlandë, Belgjikë Itali, France Spanjë USA, Gjermani, Meksikë, Angli, Nederland,Belgjikë , Austri, Portugali, Finlandë

 

blank

Rama, prestigjatori i ‘Ballkanit të Hapur’ me foton e Vuçiçit poshtë xhaketës së rilindjes

Mjeshtri Bujar Kapexhiu ka goditur sërish aktivitetin anti-kombëtar të kryeministrit Edi Rama përsa i përket nismës serbomadhe Ballkani i Hapur të kryesuar nga Serbia.

Kapexhiu ka paraqitur Ramën si kryeministër të shqiptarëve por që përfaqëson denjësisht serbët, duke mbajtur poshtë xhaketës së tij foton e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe duke theksuar se ‘është i hapur për Ballkan i Hapur’.

Gjithashtu ajo që bie tjetër në sy janë vendet bosh në xhaketën e Ramës, të shteteve që nuk i janë bashkuar kësaj nisme serbe, por që Rama dhe Vuçiç kanë theksuar sot nga takimi i radhës në Ohër se nuk do u luten më shteteve që e kanë refuzuar Ballkanin e Hapur.

syri.net

blank

‘Gatituuu’ para Ramës: Kapexhiu ironizon Bajram Begajn

Në rrjetet sociale ka bërë shumë përshtypje fakti se kandidati për president qëndronte gatitu para Edi Ramës. Bajram Begaj u takua me kryeministrin mbrëmë.

Edhe mjeshtri Bujar Kapexhiu e ka ironizuar këtë situatë. Ai sjell karikaturën me titull: “Gatishmëri presidenciale”.

syri.net


Send this to a friend