Pati ndodhë nji ditë, tashti në të vonën,
Që, për disa fjalë që i erdhën në vesh,
Mezi ç’po priste mbi të t’lante lesh,
Keqas na u sul Inati mbi Jehonën.
“Se s’më don aspak dallohet prej larg,
Më flet me urrejtje, egër e me maraz,
E shamje, fyemje e mllef m’i çon varg.
Ndërsa me Gëzimin krejt ndryshe vepron,
Gjithmonë i flet amël, me hare e gaz,
Edhe nga goja veç mjaltë e sheqer lëshon”
Në kyt rast Jehona, çka ndodhte krejt rrallë,
S’ia ktheu si zakonisht, me t’njajtën monedhë,
Por, mbasi reflektoi gjatë edhe thellë,
Krejt qetë iu përgjegj nga mali përballë.
“Nëse ti m’drejtohesh me helm e me vner,
Kot pret që unë të ta kthej me takt e amëlsi,
Se kjo, përpos sot, nuk t’ndodh mâ asnjiherë.
SI unë ashtu edhe Jeta ndjek po kyt parim,
Ligësi n’përçosh, mbrapsht t’vjen ligësi,
Të mira në përcjellsh, të mira merr shpërblim.”