Ky opinion është botuar më 2018. Sot e sjell In Memoriam, në kujtim të një politikani socialist liberal, që u përpoq të reformonte të majtën, duke dhënë shembullin personal. Qendroi pak në pushtet, bëri 4 vite burg, burgosjen e tij e perdorën si profit krahu konservator i PS që e luftoi Nanon kur më 1997 u bë kryeminister. Dha dorëheqjen dy herë. Nuk ishte i përkryer, por thelbësorja nuk ishte as hakmarrës dhe as uzurpues i pushtetit. Fatos Nano solli në politikë figura të reja nga Rinia Socialiste, të papërlyera nga e shkuara. Solli edhe Edi Ramën, që nuk i ishte kurrë mirënjohës, për kundrazi e nxori nga skena politike. Ngushëllime Familjes dhe Familjes Socialiste që sot është një iluzion dhe jo një realitet.
———————-
Edi Rama ka studiuar për pikturë.
Si i biri i një artisti dhe për shkak të lidhjeve të së jëmës me nomenklaturën, në diktaturë gjithçka i ka shkuar fjollë.
Ka patur vetëm katapultime, pa pikë djerse!
Prej këtej e ka të ushqyer parazitizmin dhe arrogancën!
Kështu shikonte diktatura, me sytë e egër dhe pa asnjë shprehje që na shikon sot Edi Rama me orë të tëra nga ekranet e televizioneve duke hyrë pa u ftuar nëpër shtëpitë e familjeve shqiptare!
Mbasi mbaroi Liceun u katapultua në Akademinë e Arteve,
Pasi mbaroi Akademinë e Arteve katapultohet aty si pedagog, direkt në vendin më të lakmuar duke e urryer nocionin e meritokracisë!
Ju kujtohet koha në Tiranë në mes të diktaturës kur Edi Rama dilte gollomesh sipër biçikletës, pa e trazuar askush, sepse gjithmonë i ka patur krahët e ngrohta!
Asgjë nuk e ka arritur në sajë të personalitetit apo talentit të tij, gjithçka e ka arritur qyl.
Qyl në diktaturën e proletariatit,
qyl në demo(n)kracinë e tranzicionin mafioz!
Prej vitit 1998 është në kupolen e sistemit të kapur.
Edi Rama është trashëgimtar i sistemit të vjetër dhe timonier i kastës në sistemin e kalbur në çdo qelizë!
Edi Rama është produkt i koktejlit me përbërësit: parti e punës, nomenklaturë e superstrukturë komuniste, Fatos Nano e Gramoz Ruçi.
Pa njërin nga këta ingredientë të përmendur më sipër Edi Rama kush e di se sot ku do të ishte !
Ka një periudhë tranzit të jetës së Edi Ramës, jo si periudhat e krijimtarisë të Pikasos natyrisht, në postdiktaturë, kur u rrek të përfshihej në rradhët e PD, pastaj në shtypin pseudopluralist dhe në fund përfundoi si refugjat në Europë, sepse u fol se gjatë trazirave të 1997 u sulmua fizikisht “për arsye politike”.
Kjo është periudha e anonimatit të Edi Ramës, sipas vlerës të vërtetë !
Pikërisht pas trazirave te 1997 kur e majta u rikthye në pushtet, ne prill te 1998, Fatos Nanos i shkrepi në kokë ta katapultonte Edi Ramën nga refugjat në Parisi direkt Ministër të Kulturës!
Fatos Nano ka menduar meqë është artist dhe bir artisti, shoku Edi Rama do të bëjë diç për kulturën kombëtare.
Por gaboi rëndë, se për parazitin e tranzicionit shqiptar, kulturë kombëtare do të thotë vetëm Edi Rama!
Edi Rama është Teatri Kombëtar, Opera Kombëtare, Estrata, Kabareja, Cirku!
Ose thënë ndryshe Edi Rama do të thotë rrafshim i kulturës kombëtare!
Sikur të kishte fuqi edhe artistët që kanë fituar famë nëpër botë, Edi Rama do t’i kthente në atdhe e do t’i linte me rroga nga 100 Euro!
Se çfarë ka bërë për kulturën shqiptare Edi Rama mjafton të shihen monumentet arkeologjike të kulturës shqiptare që rrezikojnë të kthehen në themele rrokaqiejsh ose t’i shiten të huajve.
Pra Edi Rama është dora vetë sinonimi i rrënimit kulturor!
A e shihni si i poshtron artistët Edi Rama nga kolltuku i kryeministrit,
kur llap për sistem kapitalist njëri nga personat përgjegjës për këtë katrahurën shqiptare të degradimit të sistemit.
Sistemi kapitalist bazohet në vlerat perëndimore që janë principet demokratike për treg dhe iniciativë të lirë, për shtet të së drejtës, për institucione të pavarura, për mundësi punësimi, për meritokraci, për mirëqënie, jetë me dinjitet dhe siguri! Ndërsa sistemi demo(n)kratik që ka ndërtuar Edi Rama me shpurën e kupolës politike siguron privilegje vetëm për kastën duke fuqizuar antishtetin dhe kapjen e sistemit!
Kauza e Edi Ramnës sot është rrënimi total i kulturës shqiptare,
kauza e Edi Ramës është që t’i poshtrojë të gjithë artistët dhe krijuesit përmes mjerimit ekonomik që i shndërron ata nga vlerë kombëtare në dordolecë që nuk sigurojnë dot bukën e gojës pas një jete punë dhe kontribute!
Parazitii Edi Rama fiton miliona, kush krijon vlera kombëtare vdes për bukën e gojës!
Kjo është strategjia diabolike antikombëtare e Edi Ramës!
Edi Rama është askushi përpara Robert Ndrenikës,
Edi Rama është askushi përpara Bujar Lakos;
Edi Rama është askushi përpara e sa e sa artistëve të tjerë që sot në Shqipëri bëjnë jetë qeni!
Sot Edi Ramës i paska shkuar mendja të ndërtojë Teatrin, si ngrehinë, duke i hedhur në kosh të plehrave Artistët si qënie njerëzore dhe si personalitete të kulturës!
E dëgjuat Inva Mulën se si tha, turp e faqja e zezë që Artistët e Operas nuk kanë Teatër!
Inva Mula tregoi se si Artistja e shquar Vikena Kamenica për hir të artit kishte pranuar që të bënte prova në një pallat mbledhjesh sikur është Pallati i Kongreseve dhe prej kushteve pa ngrohje kishte marrë të ftohur!
Të njëjtën gjë tha edhe Bujar Asqeriu, se si i madhi Roland Trebicka vinte në Teatër në kushte aspak njerëzore kur artistët bënin prova duke u dridhur prej të ftohtit!
Po a rri dot zonja ministreshë e çkulturës e Edi Ramës në zyrën e saj moderne pa ngrohje?
Nëse do të ishte njeri i kulturës sikur e imagjinoi Fatos Nano, Edi Rama sot nuk do të ishte ekzekutori i rrënimit të identitetit kombëtar shqiptar !
E dini që në Shqipëri nuk ekziston më kritika!
S’ka kritikë! Janë shuar kritikët!
Se po të ekzistonte kritika, kritikët do t’i thoshin Edi Ramës të parit se zhgarravinat e tij janë idiote!
E atëhere e çfarë do t’i mbetej Edi Ramës? As gjethja e fikut!
Edi Rama ka plot 20 (njëzet) vjet në kupolën e politikës shqiptare dhe është një nga rrëmimtarët dhe shkaktarët e degradës të vendit!
Edi Rama s’ka identitet personal, ka vetëm identitet politik, partiak.
Brutaliteti dhe arroganca e tij barazohet me një bazhibozuk shallvaregjërë me atlete, i pacipë, një sulltan sallahan, që nga pozita uzurpatori poshtron emrat e ndritur të elitës kulturore që nuk pranojnë të rreshtohen në skalinonet puthadore të partive politike.
Sot Edi Rama na flet për sistem kapitalist, kur gjithë shteti dhe burimet kombëtare janë ka kthyer në pronë private të tij, të Gramoz Ruçit dhe shpurave politike majtas e djathtas!
O popull, meqë e zura në gojë Gramoz Ruçin, babain shpirtëror të Edi Ramës, pa të cilin Edi Rama do t’i kishte thënë më 2005 lamtumirë politikës, a e mendoni, a ka logjikë që Gramoz Ruçi prej 25 vitesh paguhet me rroga dhe privilegje të majme, ndërsa Artistët shqiptarët me emrat e të cilëve identifikohet kombi, kanë mbetur në mëshirë të Edi Ramës dhe kupolës politike shqiptare !?
Elita kulturore pas një karriere të suksesëshme, së cilës i ka kushtur gjithë jetën, jeton në kushte mjerimi sa nuk ka mundësi të paguajë mjekimin apo Artistë me dimensione gjigande shuhen nën indiferencën e plotë të shtetit barbar të Edi Ramës në apartamente 50 metër katror apo artistë të tjerë për ekzistencë janë të detyruar t’i luten aparatçikëve idiotë të Edi Ramës që të mos mbeten pa rroga?!
Gjithë interesat kombëtare janë në dorën e një egoisti mediokër, i cili gjithë jetën veç ka parazituar e përfituar prej katapultimit pa asnjë kontribut si në diktaturë dhe në demo(n)kraci!
Prandaj Fatos Nano e ka hak mallkimin, mallkuar qoftë që sikur të mos i dilnin eurosocialistët shkoi edhe peshkoi një parazit të çmendur pas pushtetit, që për hir të pushtetit të përfituar pa asnjë mundim, është gati të shkatërrojë gjithë shtetin dhe kulturën!
Ju kujtohet 21 janari 2011?
Ju kujtohet 1 prilli 2013?
Ju kujtohen këta pesë vjet ?!
Ju kujtohet koha kur ishte Ministër i Kulturës?
Ju kujtohet koha kur ishte kryebashkiak?!
Koha që është kryeministër ?!
Mallkuar qoftë Fatos Nano, që Edi Rama “për mirënjohje” e çrrënjosi nga PS brënda 24 orëve pa marrë parasysh se lideri i socialistëve ishte bamirësi i tij !
Fatos Nanos mirë ia bëri, por ç’kusur kanë shqiptarët që të durojnë rrëmetin, tërmetin e qametin që ku shkel atletja e tij mbjell vetëm varfëri e mjerim për popullin e shkretë dhe gjithçka që ka emër apo histori e identitet shqiptar e shndërron në një gërmadhë!
2018