– Dikur në sistemin monist thuhej: Të mos e errësojmë realitetin! Por kështu ka ndodhur.
-Si ka ndodhur?
Nuk dihet sesi u end fjala në krye të herës, por miku im Valmir Çoba, sot biznesmen, me një buzëqeshje të hidhur varur në cep të buzëve, kujtoi një rrëfim të thjeshtë nga koha e emigracionit të parë në Greqi, vite e vite më parë.
Ishim kater persona që punonim në montim panelesh diellore. Atë ditë kompania na kishte planifikuar të shkonim në një banesë tip vile në Argos.
Sotiris, greku që ishte edhe përgjegjësi ynë i punës dhe dashamirës me ne, na dha një porosi shoqërore duke na thënë:
-Djema, atje ku do shkoni bëni kujdes se zonja e shtëpisë është raciste. Mos thoni fare që jeni shqiptarë….Oqej?
-Ok. Po si do të themi?,-pyetëm njeri -tjetrin.
-Unë di mirë greqisht. Domethënë jam nga Janina. Kështu do them.-tha i pari.
-Edhen unë do them se jam nga Arta, Thesproti.
-Unë do të jem nga Preveza.
-Po unë që nuk di kokërr fjale greqisht, kam vetëm katër ditë këtej dhe vetëm kalimetra dhe efxaristo poli* ( Mirëdita dhe Faleminderit!)di nga gjuha greke?
Të tjerët ngritën supet.
-Po si do të thuash?
-Do them të vërtetën: Quhem Ferdinand dhe jam nga Tirana. Kaq e thjeshtë është. Kalimera! Exfaristo poli!
***
E zonja e shtëpisë sa u afruam na përshëndeti dhe na pyeti sikurse e prisnim të gjithë:
-Apo pu iste , pedhia?*( Nga jeni ju djema?)
Pamë njeri-tjetrin. Por rolet ishin ndarë si në provat e estradës së qytetit.
–Ime Nikollas qe ime apo ta Joannina.*( Unë jam Nikolla dhe nga Janina),-tha greqisht Niku.
Pak heshtje.
–Ime o Lefteris qe ime apo tin Arta.*( Jam Lefteri dhe jam nga Arta).
Sytë e tre të tjerëve u ndalën te Berti.
-Ime o Venetis dhe jam nga Preveza*( Jam Veneti dhe jam nga Preveza.)
-Orea!*(Bukur), -bëri nikoqirja duke shprehur kënaqësinë për punëtorët e rinj. Papritur vëzhgoi se djali i fundit nuk ishte prezantuar.
– Esi, vre agori, apo pu ise?* (Po ti. more djalosh, nga je?)
-Unë jam i huaj,-u përgjigj i fundit Nandi. -Jam Ferdinandi. Nuk di greqisht se tani kam ardhur dhe jam nga Tirana.
Ia përkthyem.
Gruaja nuk u shpreh por qëndroi në këmbë, mënjanë për të parë nisjen e punës.
Vonë atë mesditë janari kishim përfunduar së punuari për ditën e parë te shtëpia e zonjës Elpiniqi dhe po mblidhnim veglat e punës. Zonja na shtroi drekë pranë oxhakut të treve ne “grekëve“, duke na afruar karriget pranë një tryeze.
Karrigen e katërt e vendosi jashtë në oborr. Atje duhej të ulej ai, i huaji nga Tirana. Dhe ashtu u veprua. Këtë ndarje e përtypëm në heshtje.
Pas gjysmë ore do të mbërrinte me furgonin e kompanisë Sotiris, përgjegjësi dhe pronari ynë grek për të na marrë nga fronti i punës te shtëpia ku punonim.
Në këtë çast, te oborri i rrethuar me kangjela të dekoruara metalike u shfaq një veturë e vogël e cila ndaloi brenda oborrit me shumë lule. Prej saj doli një grua e moshuar por shumë e mbajtur.
E zonja e shtëpisë nxitoi t’i dilte para për ta pritur.
-Mirë se erdhe! -i tha ajo në gjuhën shqipe të sapombërriturës.
Mësuam se vizitorja e moshuar ishte vjehrra e zonjës së shtëpisë.
Një çast ngrimë nga fjalët e mirëseardhjes që sapo dëgjuam. Nusja dhe vjehrra mësuam gjithashtu se ishin familje arvanitase.
Të nesërmen, shkuam sërish te objekti për të përfunduar punën e nisur një ditë më parë. Këtë herë me skuadrën tonë të punës ishte edhe përgjegjësi, Sotiris.
Gjatë pushimit të punës i treguam historinë e një dite më parë. Ai u vërejt.
-Si? Juve ua shtroi drekën në shtëpi kurse shokut tuaj nga Tirana që nuk dinte gjuhën, ia vendosi jashte në oborr në të ftohtë?
-Po.
Sotiris iu mbush balli me re.
-Gamóto!*(Dreqi ta hajë, mallkuar qoftë ! ) -tha i nervozuar.
Në kohën e drekës kur kishim mbaruar krejt punën, e zonja e shtëpisë na ftoi sërish për drekë duke thënë se kishte bërë për ne edhe sup me mish viçi.
-Jo. Faleminderit! Kemi ngrënë! -tha Sotiris dhe na bëri me shenjë prerë të hipnim në furgonin e punës.
Kishim hipur të gjithë dhe po ktheheshim në kompani, andej nga u nisëm.
Asnjeri nuk fliste. Ndoshta nga lodhja e punës. Pas dy ditëve do të merrnim pagesën për punët e bëra.
Rrugës dikush pyeti Zenunin, më të madhin në moshë nga ne që vinte nga viset e Vlorës.
-E more, Zeno, ç’i thua ti kësaj kur i dëgjove shqip të dyja gratë?
-Eh, -ia bëri Zeno..-Nuk është për t’u habitur shumë.
Pastaj lëshoi hidhur edhe dy fjalë:
-Gjak i shprishur! ///
—o0o—-