Armond Peshku, minatori i cili humbi jetën
Është publikuar fotoja e 29-vjeçarit Armond Peshku i cili humbi jetën ditën e sotme në minierën në Thekën të Martaneshit.
Dy minatorë të cilët punonin si vagonistë në minierë u zunë poshtë nga shembja e një masivi mineral teksa po punonin.
Si pasojë e plagëve të marra minatori Armond Peshku humbi jetën, ndërsa 40-vjeçari Hajdar Bala mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e sotme, ku mësohet se Hajdar Bala po i nënshtrohet operacionit.
Bëhet me dije se subjekti minerar në të cilin ka ndodhur aksidenti është “Ylberi sh.p.k”.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Më datë 21.05.2024, rreth orës 12.50, dyshohet se janë aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Thekën, Martanesh, shtetasi A.P., dhe H.B., të dy me detyrë vagonist në minierë. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi A.P., ka humbur jetën, ndërsa shtetasi H.B., është transportuar në spital për ndihmë mjekësore”, njoftoi policia./Pamfleti