N’kët ditë të shënueme për të tânë besimtarët të mbledhun sot këtu, jam sinqerisht tejet i emocionuem për nderë t’madhe që m’ka bâ famullitari i Kishës Zojës Pajtore t’Shqyptarve, i përnderëshmi Dom Ndue Gjergji si edhe Këshilli i Kishës, tue më nderuem me ftesë të tyne me i folë disa fjalë me kët rast para jush, motra e vllazën bashkatdhetarë t’ mij.
Ẫsht fol’e shkrue aq shum për personin si edhe veprën madhore të Nanës Terezë, sa që nuk m’ka mbetë mue m’u thânë juve asgjâ t’ re rreth saj. E ksisoji mund kenë n’mjedis jush edhë njerz që dijnë me m’thânë mue shum mâ shum se sa kishjem m’u thânë un atyne! Prandej e vendosa t’a kujtojmë s’bashku shpirtin si edhe veprën e Saj t’madhnueshme n’dy drejtime kryesore:
S’parit si mistike e madhe.
S’dytit, si luftëtare e pamposhtun, ku ky aspekt i saji âsht edhe gjâ shum’ e çuditshme, n’pamje t’jashtme: nji murgeshë, e imët fizikisht si ajo, e mû për mâ tepër edhe skâjshmërisht e vorfën, a ka si me pas’kenë luftëtare? Po, t’dashun miq, Ajo jo qi kje e tillë, por kje luftëtare e madhe n’dashtuní e përkushtim Zotit n’personifikim t’Jezuit. Por t’mos i marrim çashtjet rryeshëm. T’shkojmë hap mbas hapi.
Mistika e Nânës Terezë rrezaton fuqishëm n’përkushtimin e Saj m’e pòamun n’çdo send e kudo. Për Nânën Terezë egziston vetëm nji dashtuní: Ajo për Zotin. E tue e përkrye e thellue kët dashtuní mrrihet m’e vlersue çdo krijim t’Tijin! Ky besim e prûni Nânën Terezë me pohue me t’madhe sr vetë vorfnia e skâjshme e Motrave Misionare të Mëshirës si edhe Dashtunisë, u nepte atyne mundësinë me kênë tânsisht t’lira prej çdo ndikimi t’huej e pra prej çfardo vartsije! E kjo liri e tyne u krijote mundësinë me pa n’secilin t’gërbulun n’secilin mâ t’vorfën të t’vorfënve, Zotin vetë, t’cillit ato i shërbejnë me përkushtimin mâ se t’skâjshëm. E kësi shtegu ato pra, tue luftue me bindje t’thella anmikun shpirtnuer ma t’rreptin t’njerit, EGOIZMIN, kanë mrrîjtë n’ato naltsina hyjnore prej kah nuk ka mâ pengesë t’ua ndalë pamjen e Zotit t’Plotfuqishëm si edhe t’Gjithëmëshirshëm!
Kah lutet Nâna Terezë e thotë:
Kur mendoj vetëm për vedi,
Tërhiq vemndjen téme mbi nji tjetër njeri
Ose kah i kërkon Zotit:
Kur kryqi i jêm bâhet i rândë,
Më bân m’e dákryqin e nji tjetrit
Shêmbulli qi Ajo na nep me lutjen e Saj, na difton se Ajo n’kët përkushtim ndaj Zotit e vên vedin n’livelin e vetë Zotit t’mishnuem n’krijesë njerzore, por pa mëkatet e njérit) që me shêmbullin e Tij difton se ka ardhë n’kët dhé me kryqin n’shpinë, m’e e kthye njerzimin mëkatar n’rrugë t’shelbimit e mâ gjatë, t’amshimit!
Kjo sa i tokon mistikës Nânës Terezë.
Po si luftëtare shka e karakterizon Nânën e madhe? Historia ka diftue se të tânë diktatorët mâ t’mdhaj që përmênden, i ka karakterizue egoizmi i tyne i çfrenuem i gërshetuem prej etjes për pushtet. Po megjithatê, respekt të mirfilltë kurr nuk kanë fitue. E ç’âsht mâ e madhja, me dekë të tyne ka mbarue edhe pushteti i diktaturës i vendosun synesh. Kurse Nâna Terezë muejti me i thânë “ndal” luftës n’Beirutin e përflakun në 1982 – shin ku si palestinezët e gjithashtu edhe jahuditë e lejuen m’i nxjerrë prej spitali e m’i marrë me vedi dhjetra fëmijë t’smûet e n’nevojë, Presidenti Kennedy kje n’garë me presidentin De Gaulle kush t’a nderonte mâ nalt. Presidenti Reagan i dha Dekoratën Amerikane t’lirisë, kurse presidenti clinton e bâni qytetare nderi amerikane dhe e quejti Gjigande e Kohëve Tona!
E tashti n’fund qe edhe paradoksi mâ i madh. Ndërhynë shtetárë e gjithashtu edhe Sekretari i Kombeve t’Bashkueme U – Thant, e shteti shqiptar nuk e lejoi Nânën Terezë t’shkote e t’shifte për t’fundit herë për s’gjalli t’âmën edhe t’motrën. E ato ndrruen jetë, si edhe vetë Nâna Terezë, t’dishrueme për njâna tjetrën. E megjithatê, kur Ajo erdh në vjetin 1989 me ua vizitue banesat e fundit nânës edhe motrës saj, pranoi m’e vûe nji tufë lule n’vorr të diktatorit se Nâna e Madhe dite vetëm me dashtë e vetëm me falë! Ai tash, përkrah Luciferrit, kish me dashtë m’ua hângër rrashtat pinjojve e studjuesve që rriti e për gjallje t’tij s’lane gjâ pa thânë edhe e quejtne për dekada rresht deri lavire e përdalë edhe agjente e CIA-së. Kjo se ata tash u bashkohen koreve q’i këndojnë lavde e mundohen me botime albumesh e organizime konferencash, në hijen e Nânës së Madhe, me u rehabilitue. Po ajo nuk ka se si me ndollë se Ajo nuk âsht mâ e ksaj toke e aq mâ pak e truellit shqiptar qi për pesëdhjet vjet veç e përbalti. Nâna Terezë, luftëtarja e madhe e dashtunísë njerzore, tashmâ i tokon të tânë botës. E ata q’e luftuene me ashk deri në fund, janë t’destinuem m’u harrue prej historisë kurse Ajo, Nâna e Madhe që vetëm dashtuni dijti me rrezatue, edhe prej atje nalt ku i prehet shpirti, lutet për të tânë njerzimin e n’mes tyne edhe mâ fort për ata që ashpër e luftuene për s’gjalli. E na sot kena nderin m’e vêndue n’pjedistal shtatoren e kësaj luftëtares madhe të dashtunisë e t’vllaznimit njerzuer! Ju falemnderës.
Fja e mbajtur nga Mërgim Korça në Kishën Zoja Pajtore e Shqiptarëve në qytetin e Beverly Hills të Michiganit. 26 tetor 2003.