VOAL

VOAL

Hashim Thaçi: Dhuna ndaj Xharrës e papranueshme

May 13, 2017

Komentet

Kurti: Për zgjedhjen e presidentit pres të takohem edhe me Bedri Hamzën

Deklarimi i Kurtit para mediave më 20 prill.
Radio Evropa e Lirë

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe partia opozitare Lidhja Demokratike (LDK) kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës gjatë një takimi të hënën, dhe palët paralajmëruan se ky ishte takimi i fundit mes tyre.

Duke folur për media pas takimit, lideri i LVV-së, kryeministri Albin Kurti, tha se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i pranoi ofertat e tij për një marrëveshje dhe tregoi se ai tashmë i ka shkruar liderit të partisë kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për një takim të mundshëm.

“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, tha Kurti duke paralajmëruar se vendi rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 28 prill.

Ai tha se ia ofroi LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera.

Në një ofertë tjetër, Kurti tha se ia ofroi LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, theksoi Kurti.

Ndërkohë, Abdixhiku theksoi se nuk do të takohet më me Kurtin pas dështimit të bisedimeve.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij, që një parti nuk mund t’i udhëheqë tre institucionet kryesore në vend: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej partisë së tij.

Kurti, në anën tjetër, nguli këmbë se nuk dëshiron që partia e tij t’i udhëheqë tri institucionet kryesore të vendit.

Ndërkohë, i pyetur nëse ka një përafrim mes LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilës i skadoi mandati më 4 prill, Abdixhiku ka deklaruar se diçka e tillë do të ishte lajm i mirë edhe për Kosovën edhe për LDK-në.

“Është qëllimi im dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”.

Takimi Kurti-Abdixhiku vjen teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit do të skadojë më 28 prill, dhe nëse nuk përmbushet, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Takimi i mundshëm Kurti-Hamza

Ndërkoh, Kurti tha se i ka shkruar kryetarit të PDK-së, për një takim të mundshëm.

“Unë i dërgova mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara”, tha Kurti.

I pyetur nëse do t’i bënte ndonjë ofertë të ngjashme edhe PDK-së, Kurti nuk deshi të tregojë, por shtoi se “oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”.

Zyrtarë të PDK-së kanë thënë rishtazi se po presin shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.

Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.

Ai e përsëriti këtë edhe të hënën, duke thënë: “PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë”.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: S’ka marrëveshje për presidentin, nuk takohemi më

Radio Evropa e Lirë

Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti në opozitë, ka bërë të ditur të hënën se nuk ka arritur asnjë marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për çështjen e presidentit të Kosovës.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij, që një parti nuk mund t’i udhëheqë tre institucionet kryesore në vend: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej LVV-së.

Takimi mes tyre vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit do të skadojë më 28 prill, i cili nëse nuk përmbushet, bën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Pak orë para takimit, Kurti tha se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare dhe bëri thirrje për kompromis.

“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij.

Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut, pas atij të fillimuajit që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri.

Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk e ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.

Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.

Edhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se partitë opozitare nuk kanë propozuar emra për president në takimet e deritanishme me kryeministrin.

“Në asnjë rast deri tani, nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka pasur propozime apo nismë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të propozuar emra”, tha ministrja e Kurtit në një konferencë për media të hënën.

Javën e kaluar, Abdixhiku – partia e të cilit i ka 15 vende në Kuvend – i hodhi poshtë thashethemet se ai do të vetëpropozohej për president.

Duke folur më 11 prill për takimin e atëhershëm me Kurtin, ai e pranoi se nuk ka propozuar asnjë emër nga partia e tij.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kosova e shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

Pjesëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

 

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës e ka shpallur si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjatë një mbledhjeje të hënën në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti tha se “përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”.

“Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi Kurti.

Ai e përshkroi IRGC-në si “strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal dhe global”.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rishtazi, Bashkimi Evropian e shpalli atë si terroriste pasi Teherani i shtypi në mënyrë brutale protestat antiqeveritare në fillim të këtij viti.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë thënë se mbi 6.000 njerëz u vranë gjatë protestave në Iran.

Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, të cilat qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Futja e një grupi apo organizate në listën e zezë nënkupton zakonisht ngrirje asetesh së saj në atë vend dhe regjim vizash për udhëheqësit dhe zyrtarët e saj.

Zëvendëskryeministri i Parë Konjufca mori pjesë në Antalya Diplomacy Forum

 

 

Antalya, 19 prill 2026

 

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dje mori pjesë në Antalya Diplomacy Forum në Turqi.

 

Në kuadër të punimeve të këtij forumi të organizuar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, zëvendëskryeministri dhe ministri Konjufca përfaqësoi Republikën e Kosovës në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6).

 

Zëvendëskryeministri dhe ministri Konjufca tha se në takim u ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe bashkërendimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë.

 

Ai, po ashtu, tha se është diskutuar për zhvillimet e fundit dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe për ndikimin e tyre në rajon dhe më gjerë.

 

KËNDI I DEBATIT-“MASAKRAT NË KOSOVË 1998–1999”- POLEMIKAT DHE FAKTET: E VËRTETA E SHKËLZEN GASHIT

KËNDI I DEBATIT-“MASAKRAT NË KOSOVË 1998–1999”- POLEMIKAT DHE FAKTET: E VËRTETA E SHKËLZEN GASHIT

Kosova arreston një burrë nën dyshimin për përfshirje në sulmin në Banjskë

Dëmet nga sulmi në Banjskë mbi një automjet të Policisë së Kosovës, shtator 2023.

 

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë e kanë arrestuar të premten një burrë për të cilin dyshojnë se ishte përfshirë në sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në vitin 2023.

Në një njoftim për media, Prokuroria Speciale e Kosovës tha se i dyshuari, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.R., u arrestua nga oficerët policorë në pikëkalimin kufitar me Serbinë, Merdare, dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit.

Por, më vonë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari është Stefan Raduloviq, duke e përshkruar atë si “edhe një terrorist i dyshuar, në kërkim, në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit me qëllim aneksimin e veriut”.

“Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapën kudo që hasën. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetutshmëri e ligjshmëri”, shkroi ai në Facebook.

Prokuroria tha se ai u arrestua mbi bazën e dyshimit se ishte përfshirë në vepra penale “të natyrës së rëndë, përfshirë veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.

Ai dyshohet për dy vepra, një terroriste dhe një kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Arrestimi i tij vjen dy ditë pasi të mërkurën prokurorët kërkuan burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për rastin Banjska, gjatë fjalës përfundimtare në gjyqin ndaj tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Policia e Kosovës ishte sulmuar nga një grup i serbëve të armatosur më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë ishte vrarë një rreshter policor, ndërsa gjatë këmbimit të zjarrit në vijim ishin vranë tre sulmues serbë.

Tani, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët mund të përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.

Ata janë vetëm tre nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë, që Kosova e cilëson si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Beogradi, ndërkaq, ka mohuar se qëndron prapa sulmit.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Kuvendi miraton dërgimin e FSK-së në Gazë

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar të premten propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Propozimi – për të cilin nevojiteshin një shumicë votash prej 2/3 – kaloi me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.

Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundoi më 4 prill.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar më herët se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.

Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.

Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha materiale.

Plani për krijimin e kësaj force është pjesë e një pakoje më të gjerë për arritjen e paqes, e cila është pranuar nga palët në konflikt.

Kjo nuk është hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.

FSK-ja është aktualisht në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.

Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, dërgimi i FSK-së jashtë vendit bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit.

Ky ligj, parasheh që dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në bazë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe me shtetin pritës apo në kuadër të ftesës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo me ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ligji parasheh edhe aspekte të tjera të pjesëmarrjes së FSK-së në misione jashtë vendit. Shembull, aty thuhet se para dërgimit në misione, FSK-ja duhet të kryejë stërvitje e përgatitje. Po ashtu, ligji parasheh që mbulimi i shpenzimeve të bëhet nga buxheti i vendit, por edhe nga organizata ndërkombëtare e shtete të tjera, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërinstitucionale.

Po ashtu, aty caktohet edhe kur tërhiqet FSK-ja nga misione jashtë vendit. Tërheqja mund të bëhet kurdo kur vlerësohet se me këtë vendim mbrohen interesat e Kosovës. FSK-ja mund të tërhiqet edhe në rrethana të jashtëzakonshme, thuhet në ligj, dhe këtë vendim e merr presidenti i shtetit.

Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar. Rasti i fundit që një kontingjent u dërgua jashtë vendit në mision humanitar ishte në janar të këtij viti, ku ushtarët kosovarë u përfshin në kërkimin e një personi në Shqipëri.

Po ashtu, pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme. Shembull, në muajin dhjetor 2025, pjesëtarë të operacioneve speciale të FSK-së, në bashkëpunim me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime në xhunglat tropikale të shtetit të Belizës.

FSK-ja po ashtu merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

Kuvendi e kalon në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë

Radio Evropa e Lirë

Ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar në lexim të parë një projektligj për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me gjithë vërejtjet e partive kryesore opozitare për përmirësimin e tij dhe hedhjen e tij në diskutim publik.

Me 81 vota për, asnjë kundër dhe 25 abstenime, projektligji kaloi pengesën e parë pas një debati të gjatë në një seancë të premten.

Ky projektligj – i cili ka qenë prej kohësh prioritet i kryeministrit Albin Kurti – duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.

Synimi i këtij ligji është ta verifikojë ligjshmërinë e pasurisë të të gjithë zyrtarëve publikë në Kosovë, dhe pastaj t’ia lërë në dorë gjyqësorit konfiskimin e saj nëse vërtetohet se ajo ishte fituar kundërligjshëm.

Në paraqitjen e projektligjit, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla deklaroi se projektligji e thotë qartë se “funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”.

“Ky projektligj është mesazh i qartë dhe shumë i pritur nga qytetarët se shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma realë, funksionalë për ta luftuar atë”, tha ajo.

Gërvalla kujtoi se hapat e parë për këtë ligj u ndërmorën më 2021 dhe projektligji i ka kaluar tri opinione të Komisionit të Venedikut, si dhe dy shqyrtime nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“As Komisioni i Venedikut, as Kushtetuesja nuk e kanë kundërshtuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik”, tha Gërvalla, duke shtuar se rekomandimet janë përfshirë në projektligj.

“Procedurat nuk nisi arbitrarisht”, shtoi Gërvalla. “Ato iniciohen në bazë të informacioneve kredibile”.

Sipas ministres, Byroja nuk konfiskon, gjykon apo zëvendëson gjykatat.

“Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”, tha ajo.

Po ashtu, Gërvalla i cilësoi si “propagandë” informacionet se projektligji synon qytetarët e zakonshëm, duke theksuar se cak janë zyrtarët publikë që kanë pasuri të pajustifikuar.

Opozita me vërejtje për projektligjin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Përparim Gruda, tha se në parim, partia e tij nuk është kundër projektligjit, por ka vërejtje.

“Në parim nuk jemi kundër ligjit as kundër konceptit civil të pasurisë. Për dallim nga ai penal që kërkon që barra e provës të vendoset te standardi përtej dyshimit të arsyeshëm, konfiskimi civil e ka një standard më të ulët që është vlerësimi i gjasave”, tha Gruda.

Gruda u ankua pse për projektligjin nuk ka pasur konsultim publik.

Ai po ashtu tha se duhet që projektligji të jetë më i qartë, duke përmendur këtu çështjen e kompensimit, për personat që u bllokohet pasuria, por në fund del se nuk kanë bërë shkelje ligjore. Në ligj, sipas tij, ka formulim të përgjithshëm për kompensimin, ku thuhet se do të bëhet sipas legjislacionit civil.

“Mënyra e shkrimit të tekstit nuk është gjuhë juridike, është publicistikë”, tha ai, duke lexuar disa nene të tij.

PDK-ja, tha deputeti Gruda, do të abstenojë në lexim të parë dhe do ta përkrahë ligjin vetëm nëse vërejtjet e saj adresohen.

“Nëse ne, mes dy leximeve, japim shans që Kuvendi të organizojë konsultim publik legjislativ, ne mund t’i adresojmë të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe ta kalojmë bashkë këtë ligj. PDK sot do të abstenojë që të japë një shans që mes dy leximeve të përmirësohet”, tha Gruda.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkoi që projektligji duhet të hidhet së pari në konsultim publik dhe argumentoi se ai ka paqartësi.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se projektligji si i tillë, nëse bëhet ligj, atëherë mund t’i prekë shumë familje të cilat kanë ndërtuar pasuri falë ndihmës së familjarëve të tyre në mërgim përmes remitancave.

“Ministrja tha se qytetari i rëndomtë nuk do të preket, por ne po harrojmë se 80.000 zyrtarë publikë janë familjarë të qytetarëve të rëndomtë. Një familje në Kosovë, që mund ta ketë një zyrtar publik, mund të ketë pranuar për 18 vjet edhe të holla nga mërgata; para të sjella kesh e pa kontrata. Sipas këtij ligji, kjo familje mund të thirret për ta dëshmuar çdo cent, e çka ndodh me atë familje nëse nuk mund ta dëshmojë këtë?”

Ajo argumentoi se ka paqartësi brenda neve, kundërthënie brenda ligjit dhe shtoi se kur vetë ligji nuk është i qartë “ai nuk është neutral, ai bëhet i rrezikshëm, sepse sot mund të interpretohet në një mënyrë, e nesër në një mënyrë tjetër”.

Kica-Xhelili gjithashtu nënvizoi se Byrosë i mungon pavarësi, duke qenë se, sipas projektligjit, komisioni i saj zgjedh drejtorin e saj, bën vlerësimin e tij dhe ka fuqinë ta shkarkojë atë.

Komisioni i Byrosë zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës me një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh, sipas projektligjit.

Në fund të marsit, Qeveria e Kosovës e miratoi projekligjin dhe e procedoi në Kuvend për miratim në dy lexime.

Kryeministri Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si një nga prioritetet e ekzekutivit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisës së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka kishte dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Haziri i LDK-së: Jemi në konsultime me LVV-në për një marrëveshje për presidentin

Radio Evropa e Lirë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lutfi Haziri, tha se me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke u konsultuar për një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas tij, qëllimi është që sa më shpejt të sigurohet funksionaliteti institucional, teksa Kosova aktualisht ka ushtruese të detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar më 4 prill. Këtë post, sipas Kushtetutës, e mori kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

Haziri tha se konsultimet janë “aktive” dhe se kreu i partisë, Lumir Abdixhiku po punon që t’i jepet “një mundësi marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së”.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së në pushtet, Albin Kurti, po ashtu tha për mediat se është në komunikim me LDK-në dhe se “kur te kemi rezultate do të ju njoftojmë“.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Kurti, ditë më parë ka zhvilluar takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK-së, por takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për presidentin. LDK-ja në legjislaturën e dhjetë ka 14 deputetë.

LVV-ja më herët ka paralajmëruar edhe akime të tjera me LDK-në dhe PDK-në.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Konjufca tha më 16 prill se tërheq kandidaturën nëse opozita del me një kandidaturë të përbashkët.

Më 6 mars, një ditë pas seancës për presidentin, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit 2025 dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.

Kosova merr 61.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Radio Evropa e Lirë

Kosova ka përfituar 61.8 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi vendi ka dorëzuar dokumentet e nevojshme në Komisionin Evropian dhe ka ratifikuar marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

“Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes kësaj përkrahje, BE-ja synon t’i ndihmojë Kosovës të forcojë sundimin e ligjit, të avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si dhe të nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, tha shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi është i përkushtuar për zbatimin brenda afateve të Agjendës së Reformave në mënyrë që të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga plani i rritjes.

“Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona. Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme”, tha Kurti.

Më 13 shkurt, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ratifikoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian. Këto marrëveshje kapin vlerën prej 882 milionë eurove. Më pas, Kosova është dashur që zyrtarisht ta njoftojë bllokun evropian për ratifikimin e këtyre marrëveshjeje.

Gjatë vitit të kaluar, kur Kosova u përball me një krizë politike dhe mungesë të institucioneve të reja, u ngritën shqetësime lidhur me rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, pasi marrëveshjet nuk ishin ratifikuar.

Shuma prej 61.8 milionë eurosh e parafinancimit, sipas BE-së është 7 për qind e totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi me kushte të favorshme për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike.

“Këto mjete do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyç në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në”, u tha në njoftimin e lëshuar nga BE-ja.

Nga 61.8 milionë euro, në buxhetin e Kosovës sot janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur, pra 33.04 milionë euro (17.73 milionë euro grante dhe 15.31 milionë kredi), do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

BE-ja tha se Kosova është zotuar se do të zbatojë 111 hapa reformash, që përfshijnë fusha sikurse sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

“Secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar. Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, u tha në njoftim.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se tani i takon Kosovës që të përshpejtojë reformat në mënyrë që të pranojë rregullisht fonde.

Ai tha se Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është “udhërrëfyes për t’i sjellë ekonomitë e rajonit më pranë BE-së”.

“Sa i përket procesit, deri më tani ne kemi gjashtë agjenda ambicioze të reformave, përfshirë edhe të Kosovës, dhe në këmbim këto reforma mbështeten nga investimet.

Blloku evropian tha se afati i parë 13 hapa të reformave – që kapin vlerën e 90.8 milionë eurove – është deri më 30 qershor të këtij viti. Ndërkaq, në fund të këtij viti do të jetë afati i fundit për 27 hapa të tjera që kapin vlerën e 165.9 milionë eurosh.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Përveç se ka përfituar shumën e parafinancimit, KE-ja po ashtu ka hequr të gjitha masat ndëshkuese që kishte vendosur ndaj Kosovës gati tre vjet më parë për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe WBIF-së.

Kurti dhe Sorensen bisedojnë për integrimet evropiane

Fotografi e shkrepur gjatë darkës së punës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe emisarit evropian, Peter Sorensen.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën në mbrëmje me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka biseduar për integrimet evropiane.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kurtit, në darkën e punës u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por në njoftim nuk u përmend nëse kryeministri kosovar dhe emisari evropian kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, për çka është i ngarkuar Sorensen nga autoritetet evropiane.

Sorensen, që qëndroi shkurt në Prishtinë, ende nuk është deklaruar për këtë takim.

“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat, pavarësisht se shteti ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022, por aplikimi ende nuk është shqyrtuar nga institucionet evropiane.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet kusht i BE-së për të dyja vendet në rrugën e tyre evropiane.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit kosovar nuk u dhanë detaje të tjera nga ky takim, por u tha se Kurti dhe Sorensen po ashtu diskutuan edhe për aktualitetin politik dhe zhvillimet e brendshme.

Emisari Sorensen para se të qëndronte në Prishtinë, kishte vizituar Beogradin më 9 prill, ku zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai deklaroi se me Vuçiqin zhvilloi diskutime për avancimin e diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe analizimin e përparimit për Ligjit për të huajt në Kosovë.

Lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, gjatë marsit Sorensen u takua edhe me zyrtarin e lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, me të cilin tha se u harmonizua për hapat e ardshëm në dialog.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Përgjatë viteve, palët kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

Ndonëse kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Po ashtu, që nga shtatori i vitit 2023, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim në nivel të udhëheqësve. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua në shtator të atij viti, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Gjatë sulmit të kryer nga një grup i serbëve të armatosur, mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Ndërkaq, gjatë këmbimeve të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ky sulm e përkeqësoi edhe më tej situatën, ndërsa dialogu në nivelin politik që nga ai moment ka mbetur i ngrirë.

Kosovë- Sulmi terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale kërkon burg përjetë për tre nga të akuzuarit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023.

 

Prokurori Special Naim Abazi, gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, tha se sulmi terrorist nuk ka qenë një ngjarje e izoluar, por pjesë e një plani të mirëorganizuar dhe të parapërgatitur me synim cenimin e rendit kushtetues.

Abazi theksoi se para sulmit kishte një sërë veprimesh paraprake që dëshmojnë për një organizim të strukturuar kriminal me synime terroriste.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Milan Radoiçiç dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit të 2023. Aktakuza e përshkruan Radoiçiçin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Në sulm mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, ndërsa mbetën të plagosur 4 të tjerë.


Send this to a friend