VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Grenell: Asnjëherë nuk kemi besuar në marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi

By | July 8, 2020

Komentet

Mbi 9 milionë raste me COVID-19 në SHBA

Shtetet e Bashkuara prijnë për nga numri i rasteve me COVID-19 në botë me rreth 9 milionë të infektuar. Ndërkohë të dhënat tregojnë se të premten u regjistrua numër rekord prej 100 mijë rastesh të reja brenda një dite.

Në shtete si Uiskonsin autoritetet u kërkuan qytetarëve të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit.

“Duhet të ndërmarrim veprime të rëndësishme e kolektive. Duhet të qëndrojmë në shtëpi. Shmangni kontaktin me njerëzit që nuk jetoni”, tha Andrea Palm i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Uiskonsin.

“70 nga 72 qarqet e shtetit tonë kanë nivele shumë të larta të sëmundjes. Spitalet janë të mbingarkuara. Dje, një në pesë spitale në Uiskonsin raportoi shkurtim kritik të stafit”, tha Julie Willems Van Dijk, e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Uiskonsin.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në çdo 1.2 sekonda një amerikan rezulton pozitiv ndërsa një vdes çdo 107 sekonda.

Vendi i dytë më i prekur në botë është India që të enjten raportoi mbi 8 milionë raste prej fillimit të pandemisë. Ministria e shëndetit tha se ka një rritje prej 50 mijë infektimesh të reja ditore.

“Arritëm në 8 milionë infektime sepse njerëzit nuk po respektojnë distancimin fizik. Po ashtu, njerëzit nuk po i lajnë shpesh duart. Kemi shumë pacientë që vijnë pa një maskë në spitale dhe nuk u shmangen turmave”, tha Dr. Pankaj Yadav nga një spital nëDistriktin Moradabad.

Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes ndërsa paralajmërojnë një valë të dytë të pandemisë.

“Nuk duhet ta ulim vigjilencën, sepse mund të vuajmë një valë të dytë. Ajo që kemi mësuar nga sëmundjet SARS dhe MERS, vala e dytë është më e rrezikshmja”, këshillon Prasanna Kumar T, Pulmologe në Spitalin MS Ramaiah.

Brazili është vendi i tretë më i goditur pas SHBA-së dhe Indisë, por zë vendin e dytë në botë për nga numri i viktimave me COVID-19.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro kritikoi vendet që rikthyen masat e izolimit me qëllim bllokimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. Ndërsa numri i vdekjeve rritet, Brazili është kthyer në vendin kyç të testimit të vaksinës kundër koronavirusit si dhe ka miratuar provat klinike të fazës të fundit për katër vaksina.

zëri i amerikës

SHBA: Shifra rekord votimi para datës zyrtare të zgjedhjeve

Katër ditë para datës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, rreth 84 milionë amerikanë kanë hedhur votën, një shifër rekord që është e barazvlefshme me afro 62 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në vitin 2016, që ishte 138.8 milion.

Amerikanët po votojnë herët për zgjedhjet presidenciale të së martës në shifra të pashembullta, si rezultat i bindjeve të forta pro ose kundër dy kandidatëve kryesorë dhe për t’iu shmangur turmave të mëdha të Ditës së zgjedhjeve në qendrat e votimit gjatë pandemisë.

Rreth dy të tretat e votuesve të hershëm të Amerikës kanë postuar ose hedhur fletëvotimet e tyre në kuti të posaçme, dhe pjesa tjetër votuan personalisht në vendet e votimit në të gjithë vendin.

Zoti Biden votoi të mërkurën në Uilmington, Delauerë, ndërsa zoti Trump e hodhi votën e tij të shtunën në një bibliotekë në West Palm Beach, Florida, pranë vendpushimit të tij Mar-a-Lago.

Ekspertët thonë se pjesëmarrja e votuesve për garën midis republikanit Trump dhe rivalit të tij demokrat Biden mund të jetë përqindja më e lartë e elektoratit që nga viti 1908, kur ajo ishte 65%.

Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden i përqendruan përpjekjet e tyre të fushatës të enjten në shtetin juglindor të Floridas, të cilin presidenti e fitoi në vitin 2016.

“Nëse Florida voton blu, fitorja është e jona”, tha zoti Biden në një tubim ku mbështetësit morën pjesë duke mos dalë nga makinat para kolegjit Broward, duke iu referuar ngjyrës së Partisë Demokrate.

Zoti Biden kritikoi Presidentin Trump për mbajtjen e tubimeve plot me njerëz mes pandemisë së koronavirusit ku shumica e të pranishmëve nuk mbajnë maska, duke i quajtur ato “aktivitete super përhapëse”.

Presidenti “nuk po përhap vetëm koronavirusin. Ai po përhap përçarje dhe mosmarrëveshje”, tha Biden në një tubim të dytë me makina gjatë ditës në Tampa që u ndërpre nga një shi i dendur.

Presidenti Trump, duke iu drejtuar një turme të madhe në një stadium në Tampa, përsëri parashikoi pjesëmarrje të madhe të votuesve republikanë – “një valë e madhe e kuqe” – më 3 nëntor, duke iu referuar ngjyrës së republikanëve.

“Ne do të kemi një fitore dërrmuese. Do ta shikoni”, parashikoi presidenti.

Zoti Trump ishte planifikuar të zhvillonte një tjetër tubim të enjten më vonë në Karolinën e Veriut, por për shkak të “motit shumë të keq”, përfshirë erërat e forta, aktiviteti u shty për të hënën, u tha ai gazetarëve.

Në fjalimin e tij në Tampa, presidenti tha gjithashtu se vendi do të kishte një vaksinë për COVID-19 “brenda disa javësh”, duke premtuar se “të moshuarit do të jenë të parët që ta merrnin atë”. Në Florida, njerëzit mbi moshën 65 vjeç këtë vit mund të përbëjnë rreth një të tretën e atyre që votojnë për president.

Në çdo zgjedhje që nga viti 1996, kandidati që ka fituar Floridën ka fituar presidencën. Fituesi atje merr 29 nga 270 votat elektorale të nevojshme për të siguruar fitoren e zgjedhjeve.

Kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara, po i përqendrojnë përpjekjet e tyre të fushatës të premten në katër shtete me rëndësi vendimtare.

Presidenti Donald Trump do të bëjë fushatë në Miçigan, Minesota dhe Uiskonsin, ndërsa ish-nënpresidenti Joe Biden do të bëjë fushatë në Minesota, Uiskonsin dhe Ajova.

Miçigani ka 16 vota elektorale, Minesota dhe Uiskonsin kanë nga 10, dhe Iova 6.

Sipas një mesatareje të sondazheve kryesore të përpiluara nga faqja Real Clear Politics, kandidatët Biden dhe Trump kanë praktikisht të njëjtën mbështetje në Florida dhe Karolinën e Veriut, ndërsa presidenti është pas ish-nënpresidentit në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Sipas sondazheve në shkallë vendi, zoti Biden ka një epërsi prej 7 ose 8 përqind ndaj zotit Trump, edhe pse në disa shtete vendimtare që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin në Kolegjin Zgjedhor, diferenca është sa një e dyta e diferencës kombëtare.

zëri i amerikës

Engel: SHBA duhet të luajë rol aktiv për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi

Keida Kostreci

Më pak se një javë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kongresmeni demokrat Eliot Engel thotë se çfarëdo administrate të jetë në fuqi, duhet t’i kushtojë rëndësi zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe Serbisë dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Në një diskutim organizuar nga prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, si edhe ish- Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark folën për të ardhmen e Kosovës.

Demokrati Eliot Engel, i bëri jehonë faktit se gjatë dekadave, republikanët dhe demokratët kanë ndjekur një politikë dypartiake ndaj këtij rajoni.

Unë shpresoj që çfarëdo administrate të kemi, (cilindo) President, apo Kongres duhet ta kuptojmë se është mirë për Shtetet e Bashkuara të sigurohet që liria të përparojë në të gjithë botën, jo vetëm për të mirën e këtij rajoni, por edhe për të mirën e Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë administratës së ish-Presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright, tha se diskutimi vinte në një moment shumë të rëndësishëm për politikën e jashtme amerikane.

Shpresa ime është që javën e ardhshme të shënojmë një pikë kthese ku të mund të kemi një fillim të ri pas katër vitesh dështimi dhe të fillojmë të largohemi nga qasja e pabalancuar e administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo duke përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të kandidatit demokrat Joe Biden.

Edhe zoti Engel tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara t’i kthehet një roli tradicional në marrëdhëniet e jashtme.

Por administrata e Presidentit Trump thotë se është pikërisht mënyra e saj jotradicionale, që i dha një shtysë të re bisedimeve Kosovë-Serbi, me rënien dakord për normalizimin ekonomik muajin e kaluar, në një takim të parë të një profili të tillë të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se pas “vitesh negociatash të dështuara, administrata ime, propozoi një rrugë të re për të kapërcyer ndasitë”.

Duke u përqendruar tek krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike, të dyja vendet ishin në gjendje të realizonin një arritje të madhe”.

Nuk është ende e qartë se si do të ndikojë një politikë e tillë tek një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, pengesa më e madhe ndaj së cilës është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Për organizatorin e diskutimit, Profesorin e Universitetit të Kolumbias, David Phillips, thotë se nuk do të ketë paqe derisa të ketë normalizim.

Sipas mendimit tim normalizim do të thotë që Serbia ta pranojë se e ka humbur Kosovën për shkak të krimeve që Millosheviçi bëri, që Kosova është një vend i pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Nuk ka kthim mbrapa”, tha ai.

Pasojat e trashëgimisë së luftrave të viteve 90 në Ballkan, rëndojnë ende mbi rajon. Gjenerali Wesley Clark, ishte komandanti i forcave të NATO-s, kur aleanca ndërmori bombardime për të ndalur fushatën e Millosheviçit dhe forcave serbe ndaj Kosovës. Ai vlerësoi arritjet e Kosovës.

Tani sfida është të ndërtohet një shtet të fortë ekonomikisht dhe politikisht në një nga rajonet më të vështira të botës”.

Kongresmeni Engel, duke vlerësuar angazhimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, gjë që u bë e njohur për herë parë, si një nga pikat e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, tha se ashtu si Izraeli dhe vendet arabe po punojnë bashkë, ashtu duhet të ndodhë edhe në Ballkan.

Do të doja ta shihja në Ballkan, me shqiptarë dhe serbë dhe malazezë dhe të gjithë popujt që punojnë së bashku që jetojnë në një rajon shumë të vogël, por është më mirë për të dyja palët, ose të gjitha palët nëse ata punojnë së bashku dhe e njohin njëri-tjetrin”, tha ai.

Ish-zyrtari amerikan thotë se ishte autori “anonim” i artikullit anti-Trump

Një ish-zyrtar i administratës Trump, i cili shkroi një artikull-opinion shumë kritik ndaj presidentit dhe më pas botoi një libër nën emrin letrar “Anonim” e zbuloi identitetin të mërkurën. Ai quhet Miles Taylor dhe ka qenë shefi i stafit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

 

Zoti Taylor doli publikisht me akuzat e tij gjashtë ditë para ditës së zgjedhjeve duke kritikuar presidentin si “njeri pa karakter”. Ai tha se shpresonte që zyrtarë të administratës do “të gjejnë tek vetja ndërgjegjen kur të zgjohen” dhe do të ngrenë zërin si ai.

Ish-zyrtari ka shprehur kritika të shumta në adresë të presidentit gjatë muajve të fundit por deri vonë e kishte mohuar para kolegëve si dhe në intervistë me kanalin CNN se ai ishte autori i artikullit opinion dhe librit. Ai u largua nga administrata Trump në qershor 2019 dhe këtë verë shprehu mbështetjen për kandidatin demokrat Joe Biden.

Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë menjëherë u hodhën në kundërsulm duke e cilësuar zotin Taylor si zyrtar që nuk kishte peshë dhe mbështetje në institucionin ku kishte punuar.

“Ky është një njeri ordiner, me nivel të ulët. Nuk e di kush është, vetëm se e kam parë para ca kohësh në televizor,” tha Presidenti Trump gjatë një tubimi për fushatë në Arizona. Kur po e cilësonte si “njeri të ndyrë“ dhe bënte thirrje për ndjekjen e tij penale, turma që ishte mbledhur për të ndjekur presidentin brohoriste “thaje kënetën,” një referencë për burokracinë federale në Uashington.

Si shef i stafit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, zoti Taylor ka qenë i pranishëm në një numër takimesh në Shtëpinë e Bardhë lidhur me politikat kufitare dhe projekte të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Gjatë kohës që ishte në këtë detyrë zoti Taylor, Presidenti Trump kërcënoi se do të mbyllte kufirin dhe administrata e tij vuri në zbatim rregullore për të detyruar azil-kërkuesit të prisnin në anën meksikane të kufirit ndërsa shqyrtohej kërkesa e tyre.

Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows i cilësoi pohimet e zotit Taylor “një turp monumental” duke postuar në Twitter komentin “kam parë sekrete më interesante në filma me kartona”.

 

Gjatë një interviste me gazetarin Chris Cuomo të kanalit CNN të mërkurën në mbrëmje, zoti Taylor tha se nuk e kishte bërë publik identitetin e tij si autori “anonim” më parë sepse akuzat që ai ngre do të harroheshin brenda 48 orësh.

“Askush nuk do t’ia vinte veshin. Aktualisht amerikanët po analizojnë punën e presidentit, karakterin e tij, prandaj është shumë kritike që njerëz si unë të flasim pasi votuesit po dëgjojnë. Duhet t’u tregojmë se si është ai në realitet”.

Artikulli-opinion, i shkruar nga zoti Taylor nën emrin “anonim” dhe i botuar në shtator 2018 në gazetën New York Times e irritoi presidentin dhe vuri në lëvizje një përpjekje të ethshme në Shtëpinë e Bardhë për të identifikuar autorin.

Në artikull, autori i cili prezantohej vetëm si një zyrtar i lartë i administratës, thoshte se ishte pjesë e një force sekrete “rezistence” që punonte për të kontrolluar “impulset e gabuara” të presidentit si dhe për të minuar disa elementë të axhendës së tij.

Autori shkruante “Shumë prej të emëruarve të presidentit janë zotuar të bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur institucionet tona demokratike, ndërkohë që përpiqen të kontrollojnë impulset e gabuara të zotit Trump, gjatë kohës që është në pushtet”.

Gazeta e indentifikoi autorin si një “zyrtar i lartë” në administratë dhe të mërkurën u ndesh me kritika në platformën online sepse e kishte fryrë postin zyrtar të zotit Taylor. Gazeta, e cila tha se e kishte fshehur identitetin e autorit pasi do të ishte në rrezik të humbiste punën, pohoi të mërkurën se ai ishte vërtetë autori, pasi zoti Taylor kishte hequr dorë nga e drejta e anonimitetit. Gazeta nuk ofroi komente të mëtejshme.

Pas botimit të artikullit të zotit Taylor, Presidenti Trump, tepër i revoltuar, përsëriti akuzat se brenda administratës ka “forca të fshehta” që komplotojnë kundër tij. Presidenti, i cili është ankuar shpesh për nxjerrjen e informatava të brendshme nga operacionet në Shtëpinë e Bardhë, u kishte dhënë urdhër ndihmësve të zbulonin identitetin e autorit, madje kishte ngritur argumentin e “sigurisë kombëtare” si justifikim për hapjen e një hetimi nga Departamenti i Drejtësisë.

Pas artikullit, zoti Taylor botoi vjet në nëntor një libër me titull “Paralajmërimi” ku zgjeronte akuzat e mëparshme duke e përshkruar presidentin si të paqëndrueshëm, të paaftë dhe të papërshtatshëm për rolin e komandantit të përgjithshëm.

Që nga ajo kohë, këto akuza kanë dalë në plan të dytë pasi ish-zyrtarë të tjerë të administratës kanë ngritur kritikat e tyre kundër presidentit.

Pyetje të tjera mbeten pa përgjigje lidhur me intervistën e zotit Taylor për kanalin CNN në gusht ku gazetari Anderson Cooper e pyeti nëse ai ishte autori “anonim” dhe ai u përgjigj: “Unë mbaj maskë për dy gjëra, për Halloween dhe kundër pandemisë. Jo, nuk jam”.

Josh Campbell, korrespondent i rrjetit CNN për sigurinë kombëtare, komentoi në Twitter se edhe ai e kishte pyetur zotin Taylor nëse ishte autori “anonim” dhe ai e kishte mohuar.

 

Zoti Taylor tha të mërkurën se i detyrohejgazetarit Anderson Cooper një birrë dhe një ndjesë. Ai tha se e kishte shkruar në librër se nuk do të pranonte se ishte autori “anonim” nëse e pyesnin, sepse donte që vëmendja të ishte tek argumentet dhe jo tek autori.

“E dini se çfarë problemi del kur gënjen nëse je apo jo autori: tani njerëzit thonë se je gënjeshtar dhe do ta kenë të vështirë të të besojnë,” tha gazetari i CNN-it, Chris Cuomo.

Por gazetari e vazhdoi intervistën për gjysmë ore, gjatë së cilës zoti Taylor vazhdoi kritikat ndaj presidentit. CNN-i tha se zoti Taylor do të vazhdojë të punojë si opinionist kontribues për këtë rrjet.

 

Zoti Taylor tha se beson që presidenti do t’u mëshonte edhe më fort politikave të dëmshme, sidomos ato të ndarjes së familjeve në kufi nëse siguronte një mandat të dytë.

“Ata duan ta kthejnë vendin në kështjellë dhe jo më në qytetin e shndritshëm në majë të kodrës,” tha ai.

Ai tha se e kishte menduar të jepte dorëheqjen që më herët nga administrata Trump dhe tani mendon se bëri gabim që nuk u largua një vit më parë.

Reed Galen, ish-këshilltar i Partisë Republikane dhe një nga themeluesit e grupit anti-Trump Projekti Linkoln, komentoi në Twitter se Taylor “nuk është hero”. Ai shtoi se Taylor “shkonte në dhomat e mbledhjeve, në këshillet e pushtetit dhe lejonte këtë banalitet të lig të vazhdonte. Heroizmi nuk gjendet tek heshtja deri në momentin kur të leverdis dhe është në interesin tënd që të ngresh zërin”.

zëri i amerikës

Shtohet numri i votave me postë të refuzuara; paqartësitë mbi zgjedhjet

Masood Farivar

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, me qindra mijëra fletëvotimi me postë refuzohen nga zyrtarët zgjedhorë për një larmi arsyesh, që nga mbërritja e tyre me vonesë, tek mungesa e firmës në zarf.

Por këtë vit, kur më shumë se gjysma e amerikanëve kanë votuar më herët ose me postë, janë refuzuar edhe më shumë fletëvotime, duke ngritur pikëpyetje rreth të drejtës për të votuar, si dhe nxitur shqetësime për pasiguri paszgjedhore në ato shtete, të cilat mund të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, si Florida apo Xhorxhia. Në këto shtete sipas anketave të deritanishme, të dy kandidatët, Donald Trumpin dhe Joe Biden, janë mbërthyer në një garë të ngushtë mes tyre.

Ndërsa Florida dhe Xhorxhia nuk publikojnë të dhëna mbi numrin e votave të refuzuara para zgjedhjeve, dy akademikë, profesori i kolegjit Dartmouth, Michael Herron dhe profesori i universitetit të Floridës, Daniel Smith kanë analizuar të dhënat zyrtare të shteteve lidhur me votat e hedhura me postë, për të llogaritur numrin e votave në rrezik për t’u refuzuar.

Në Florida, nga 3.8 milionë vota me postë të hedhura deri më tani, më shumë se 15,000 mund të refuzohen, pra rreth 0.4 për qind e tyre, sipas profesorëve Herron dhe Smith. Në Karolinën e Veriut, shkalla e refuzimit është edhe më e lartë. Prej 25 tetorit nga më shumë se 780 mijë fletëvotime të postuara në këtë shtet, më shumë se 10 mijë përballen me një refuzim të mundshëm, një normë skualifikimi prej rreth 1.3 për qind, sipas gjetjeve të studimit.

Votuesit e komuniteteve pakicë

Ashtu si në disa procese të fundit zgjedhore, votuesit e komuniteteve pakicë po përballen me më shumë refuzime të votës së tyre, sesa amerikanët e bardhë. Sipas gjetjeve të studiuesve në Karolinën e Veriut për shembull, votat e afro-amerikanëve kishin tre herë më shumë gjasa të skualifikoheshin, sesa ato të amerikanëve të bardhë.

Kjo është diçka që demokratët mund ta përdorin si bazë ankimimi atje ku rezultati është i ngushtë.

Por jo çdo fletëvotimi e konsideruar me mangësi do të refuzohet automatikisht. Në të dy shtetet, si në shumë të tjera, votuesve u jepet një mundësi për t’i korrigjuar gabimet në fletët e tyre të votimit.

Do të ishte e parakohshme në këtë moment të dilnim në përfundimin se fletëvotimet e kthyera janë refuzuar nga bordi vlerësues dhe nuk janë llogaritur“, thotë Mark Ard, drejtori i përkohshëm i Komunikimit për Departamentin e Shtetit të Floridës.

Në Karolinën e Veriut, zyrtarët kanë filluar të kontaktojnë votuesit me pasaktësi në fletëvotimi, thotë Patrick Gannon, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Bordin Shtetëror të Zgjedhjeve të Karolinës së Veriut.

Një votues i cili nuk ka kohë për ta korrigjuar fletët e votimit mund të votojë fizikisht gjatë periudhës së hershme të votimit deri më 31 tetor ose në ditën e zgjedhjeve“, thotë zoti Gannon në një përgjigje me email.

Në pamje të parë, numri i fletëve të votimit në Florida dhe Xhorxhia të klasifikuara për t’u refuzuar duket i vogël. Sidoqoftë, në Florida dhe Xhorxhia, si dhe në shtetet e tjera ku historikisht rezultati zgjedhor ka qenë tejet i ngushtë, ndonjëherë 10,000 vota mund të jenë përcaktuese për fituesin.

Diferenca në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush (i cili u shpall në fund fitues) dhe demokratit Al Gore zbriti në 537 vota në Florida. Sipas studiuesve edhe gjatë zgjedhjeve paraprake për Senatin në Florida në vitit 2018, republikani Rick Scott fitoi me vetëm 10,033 vota.

Ndërsa në ditë e ardhshme priten të mbërrijnë edhe më shumë fletëvotime me postë, numri i votave të refuzuara nga zyrtarët zgjedhore ka të ngjarë të rritet, në disa raste duke tejkaluar potencialisht diferencën mes kandidatit fitues dhe atij humbës në garat me një rezultat të ngushtë qoftë për president, për një vend në Kongres,.

Ky është një skenar që shkakton vërtet makth kur rezultati është i gushtë dhe numri i votave të refuzuara (ose të shpallura si të pavlefshme) është më i madh sesa diferenca mes dy kandidatëve“, thotë zoti Herron në një intervistë.

Deri të mërkurën 49 milionë amerikanë kishin votuar me postë, sipas një vlerësimi nga organizata “Projekti i Zgjedhjeve”, që jep të dhëna mbi zgjedhjet në SHBA.

Zoti Herron dhe zoti Smith i botuan fillimisht gjetjet e tyre tek “The Conversation”, një publikim me studime e analiza nga ekspertë e akademikë. Ata ndanë me Zërin e Amerikës edhe më shumë të dhëna lidhur me Floridën dhe Karolina e Veriut.

Betejat gjyqësore

Çështja se si do të trajtohen fletëvotimet që kanë probleme me firmat dhe se sa ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit do të lejohet pranimi i fletëvotimeve që të quhen të vlefshme për t’u numëruar, ka qënë prej muajsh objekt i betejave gjyqësore mes republikanëve e demokratëve në të gjithë vendin. Në kushtet kur më shumë demokratë sesa republikanë kanë zgjedhur të votojnë me postë, republikanët kanë kërkuar ndërhyrje të gjykatës, me shkallë të ndryshme suksesi, për të mos lejuar që fletëvotimet që vijnë me vonesë të konsiderohen për t’u numëruar.

Në javët e fundit, Gjykata e Lartë amerikane e kontrolluar nga konservatorët vendosi kundër përpjekjeve për të ndryshuar procedurat zgjedhore, përfshirë afatet e mbërritjes së fletëvotimeve, duke u bazuar tek një doktrinë, sipas së cilës, rregullat zgjedhore nuk duhet të ndryshohet shumë pranë procesit zgjedhor.

Më 19 tetor, para se të konfirmohej e emëruara më e fundit e zotit Trump për Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett, gjykatësit u ndanë në një votim 4 me 4 lidhur me planin e Pensilvanisë për të numëruar votat që mbërrijnë deri në tre ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit) edhe nëse nuk kanë një vulë postare të mund të shihet qartë.

Të mërkurën, gjykasit refuzuan të ndjekin me procedura të përshpejtuara një ankim të ri nga ana e republikanëve ndaj afatit të zgjatur të numërimit të votave për Pensilvaninë.

Por në fillim të kësaj jave, në një vendim që u pa si kthim pas për demokratët, Gjykata e Lartë bllokoi një plan të Uiskonsinit për të numëruar fletëvotimet që vijnë me postë deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit).

Hans von Spakovsky, bashkëpunëtor ligjor i organizatës “Heritage Foundation” në Uashington, tha se fletëvotimet me postë që shpallen të pavlefshme mund të shërbejnë si shkak për ankimime pas procesit zgjedhor.

Dyshoj se mund të kemi vonesa të mëdha në numërimin e votave nëse ka një rritje të konsiderueshme të fletëvotimeve në mungesë (kur zgjedhësit nuk shkojnë fizikisht në qendrat e votimit). Mendoj se mund të ketë çështje gjyqësore mbi refuzimin e votave në mungesë të cilat nuk pajtohen me ligjin e shtetit“, tha në një intervistë von Spakovsky, një ish-anëtar republikan i Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Historikisht, më pak se 1 për qind e votave në mungesë refuzohen ose shpallen të pavlefshme për shkak të gabimeve administrative. Por në kushtet kur një numër rekord njerëzish po votojnë me postë këtë vit, shumë prej të cilëve votues për herë të parë, të paktën 1 milion vota mund të shpallen të pavlefshme, sipas një parashikimi të fundit nga një hulumtim i përbashkët i gazetës USA Today, projektit “Columbia Journalism Investigations” në universitetin Columbia dhe programit “Frontline” të rrjetit televiziv PBS.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, më shumë se 550 mijë fletëvotime me postë janë konsideruar të pavlefshme në 30 shtete, shumë më tepër sesa gjatë zgjedhjeve presidenciale 2016, sipas një analize të muajit gusht të organizatës mediatike NPR. Në pjesën më të madhe kjo ndodhi sepse shtetet ishin të papërgatitura për rritjen e votimeve me postë gjatë pandemisë, vë në dukje Tammy Patrick, një ish-zyrtare e zgjedhjeve në Arizona, i cila aktualisht punon me fondacionin Fondi për Demokraci.

Megjithatë në muajt që pasuan zgjedhjet paraprake, shumë shtete kanë miratuar një numër praktikash më të mira votimi përmes postës, ndryshime që ka të ngjarë të zvogëlojnë numrin e fletëve të votimit të refuzuara, thotë zonja Patrick.

Ata i kanë rishikuar udhëzimet e tyre mbi votimin, kanë rimodeluar zarfet e votimit dhe kanë adoptuar praktika si gjurmimi i votave”, thotë zonja Patrick.

Tashmë votuesit mund të kontrollojnë statusin e tyre të votimit në internet dhe në të paktën 19 shtete bëhen njoftime kur fletët e votimit kanë nevojë të korrigjohen.

Në Kolorado, votuesit me mangësi në fletët e tyre të votimit njoftohen me mesazh në telefon dhe u lejohet ta korrigjojnë gabimin përmes telefonit. Si rezultat, thotë zonja Patrick, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme do të refuzohen më pak vota.

Shifra mund të jetë pak më e lartë se zgjedhjet tradicionale presidenciale sepse do të ketë shumë votues të rinj, por shpresoj se nuk do të shohim të njëjtat shifra që pamë në zgjedhjet paraprake“, thotë zonja Patrick.

Sidoqoftë ajo që nuk mund të parashikohet është çështja e numrit të fletëvotimeve me postë që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve. Ndërsa disa shtete i kanë zgjatur afatet e tyre për të pranuar vota për t’u llogaritur në numërim, 32 shtete, përfshirë Floridën, nuk i pranojnë fletëvotimet që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve, duke u dhënë votuesve pak kohë për të korrigjuar fletët e tyre të votimit. Karolina e Veriut i pranon fletëvotimet deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve, nëse ato kanë një vulë postare që daton më 3 nëntor, ose para kësaj date. Republikanët i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë t’i bllokojë këto plane.

Mendoj se pyetja më e rëndësishme për të cilën nuk ka përgjigje është se sa fletëvotime do të mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve“, thotë zoti Herron.

(Video) Arkiv – LQSHA e kryesur nga Joe DioGuardi nderon Senatorin Joe Biden në vitin 2002 me çmimin Ballkanik për Paqe

voal.ch po ju sjell një video nga aktivitetet me impakt të jashtëzakonshëm të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, lobit më të fuqishëm shqiptaro-amerikan deri më sot në SHBA, në sajë të roli të ish Kongresmenit Joe DioGuardi dhe gruas së tij Këshilltares për Çështjet Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi.

Më 28 prillin e vitit 2002 Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane në praninë senatorit Joe Biden, senatorit Charles Ellis Schumer, kongresmenëve Ben Gilman e Tom Lantos dhe kryetarit të bashkisë të New Yorkut Michael Bloomberg organizon një manifestim të madh “Salute to Albanian Freedom” – “Përshëndetje Lirinë e Shqiptarëve” me rastin e 12 vjetorit të darkës historike në Sheraton të 28 Prillit 1990.

Me këtë rast Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane kishte ftuar një delegacion të liderëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si Pjeter Arbnori, Ramush Haradinaj, Iliaz Halimi, Rufi Osmani, NikollëCamaj, Ferhat Dinosha dhe Riza Halimi për të marrë pjesë në këtë manifestim.

Disa ditë pas darkës, Joe DioGuardi çon në Washington delegacionin shqiptar me udhëheqësit të Kongresit dhe të administratës Bush për të nxjerrë në pah rolin e shqiptarëve në paqen dhe stabilitetit në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Presheve.

Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane sjell Pjeter Arbnorin, Ramush Haradinajn, Iliaz Halimin, Rufi Osmanin, NikollëCamajn, Ferhat Dinoshën dhe Riza Halimi në Washington për të informuar Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës dhe Grupin e Kongresit për të Drejtat e Njeriut, ku ata priten zyrtarisht si përfaqësuesit e “kombit shqiptar”.

Në korrikun e vitit 2002 Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane nën drejtimin e kongresmenit Joe DioGuardi i jep Senatorit Biden në Capitol Hill Club në Washington DC Çmimin Ballkanik për Paqe në praninë e kryetarit të asaj kohe të parlamentit të Kosovës Nexhat Daci. Këtë çmin presitigjioz Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane në 2002 e ndante për herë të dytë. I pari që e kish marrë këtë çmimi ishte Gjenerali Wesley Clark.

Ndërsa në qershorin e 2002 pas një udhëtimi në Kosovë, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes bindin Kongresmenët Benjamin Arthur Gilman dhe Tom Lantos të paraqesin përpara Kongresit Rezolutën 467 në mbështetje të “Pavarësisë së Kosovës tani”, duke thyer heshtjen e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës.

Të gjitha aktivitetet e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane të drejtuar nga kongresmeni Joe DioGuardi dhe Këshilltarja për Ballkanin Shirley Cloyes DioGuardi i ka mbuluar asaj kohe në mënyrë besnike gazeta kombëtare Bota Sot. Jo më kot kjo gazetë asaj kohe arriti një tirazh të paparë në historinë mbi njëqind vjeçare të shtypit shqiptar duke shkuar deri në 200 mijë kopje, në Europë, Kosovë, SHBA dhe një periudhë edhe në Maqedoni. /Elida Buçpapaj

 

 

(Video) Ish Kongresmeni Joe DioGuardi u bë një urë lidhëse midis shqiptarëve dhe Presidentit George H W Bush (1984-1992) e djalit të tij Presidentit George W Bush (2000-2008) 

Voal.ch – E kanë harruar shqiptarët ?! Kaq shpejt i ka kapluar harresa ! Shumë keq nëse i harrojnë ata që i kanë shpëtuar nga rreziku i zhbërjes.

Një nga Ëngjëjt e kombit shqiptar është ish Kongresmeni Joe DioGuardi i cili u bë një urë midis Shqiptarëve dhe administratave Amerikane të drejtuara nga nënPresidenti dhe Presidenti George H W Bush (1984-1992) dhe administrata e birit të tij Presidentit Presidentit George W Bush (2000-2008), duke i kthyer edhe dy Presidentë të SHBA Ëngjëj të kombit shqiptar.

A ju kujtohet “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” që Presidentit George HW Bush  i dha kasapit të Ballkanit Milosheviç ?

A ju kujtohet kur Presidenti George W Bush e deklaroi pavarësinë e Kosovës në mes të Tiranës më 10 qershorin e 2007 dhe pastaj do ta njihte shtetin e Kosovës më shkurtin e 2008!

Mos harroni!

voal.ch po ju sjell videon që ta shihni me sytë tuaj dhe sytë e mendjes!

 

 

 

SHBA konfirmojnë vdekjen e eksponentit të lartë të al-Kaidas

Jeff Seldin

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një eksponenti të lartë të al-Kaidas në Afganistan, duke e quajtur këtë zhvillim një goditje të rëndësishme ndaj grupit terrorist, megjithë konfuzionin në njoftimet fillestare për pozicionin e tij në hierarkinë e Al-Kaidas.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi vdekjen e Abu Muhsin al-Masrit të hënën, duke thënë se forcat amerikane ofruan mbështetje gjatë operacionit afgan në provincën lindore Ghazni.

Në vazhdim, Shtëpia e Bardhë ofroi edhe konfirmimin e saj, duke e lavdëruar operacionin afgan për eliminimin e al-Masrit si një “lajm të mirëpritur”.

Komentet nga zyrtarët amerikanë vijnë dy ditë pasi Drejtoria Qendrore e Sigurisë së Afganistanit (NDS) njoftoi e para vdekjen e al-Masrit nëpërmjet një mesazhi në Twitter në orët e vona të së shtunës, duke e përshkruar atë si numrin dy të njërës prej degëve të Al-Kaidas në Nënkontinentin Indian (AQIS).

NDS gjithashtu tha se al-Masri kishte lidhje të afërta me udhëheqësin e al-Kaidas, Ayman al-Zawahiri, dhe se jetonte në Afganistan nën mbrojtjen e talibanëve.

Në përgjigje të mesazheve në Twitter të palës afgane, Drejtori i Qendrës Kombëtare Amerikane Kundër Terrorizmit, Christopher Miller, i tha të shtunën vonë agjencisë së lajmeve Reuters se vrasja e al-Masrit ishte “një goditje e rëndë” për al-Kaidan, megjithëse nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme.

Sidoqoftë, disa zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë kundër terrorizmit i thanë Zërit të Amerikës se megjithëse me domethënie, vdekja e al-Masrit nuk është goditja që u përshkrua në disa variante.

Ata thanë se në veçanti raportet që thonë se al-Masri ishte i dyti në hierarki pas Zawahirit janë të gabuara, dhe se e kanë ngatërruar me një tjetër eksponent që ndonjëherë përdor pseudonimin al-Masri.

Ata thonë se al-Masri i vrarë në provincën Ghazni të Afganistanit është Abu Muhsin al-Masri, i njohur gjithashtu si Husam Abd al-Ra’uf, një udhëheqës i lartë i cili së fundmi ishte caktuar të punonte me talibanët për bashkëpunimin operacional dhe koordinimin e strehëve të sigurta për luftëtarët e al-Kaidës.

Këta zyrtarë thonë se udhëheqësi numër dy i al-Kaidës, dhe pasardhës i mundshëm i al-Zawahiri, është një al-Masri tjetër, Abu Muhammad al-Masri, i njohur gjithashtu si Abdullah Ahmed Abdullah.

Ndërsa të dy burrat kanë qenë në listën e më të kërkuarve të FBI-së, Departamenti i Shtetit po ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që sjell Abu Muhammad al-Masrin para drejtësisë.

Në një seri mesazhesh në Twitter të dielën, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani lavdëroi forcat afgane për operacionin që vrau Abu Muhsin al-Masrin.

Por zoti Ghani paralajmëroi se operacioni tregon se, “terrorizmi mbetet ende një kërcënim i madh për Afganistanin, rajonin dhe botën dhe se talibanët nuk i kanë ndërprerë ende lidhjet e tyre me rrjetet e tjera terroriste, përfshirë al-Kaidën”.

Zyrtarët lokalë i mbështetën këto deklarata duke i thënë shërbimit afgan të Zërit të Amerikës të hënën se luftëtarët talebanë ishin me Abu Muhsin al-Masri kur hynë forcat afgane.

“Një komandant taliban, Emran Hanzalah, dhe disa luftëtarë të tjerë u vranë”, tha Vahidullah Jumah Zada, një zëdhënës i guvernatorit të provincës Ghazni.

Një zyrtar tjetër i tha Zërit të Amerikës se nuk është e zakonshme të shohësh të huaj që duket se janë nën mbrojtjen e talibanëve.

“Njerëz të tillë shihen shumë në rrethet Qarah Bagh, Andar dhe Giru”, tha Esmatullah Jamoradwal, një anëtar i Këshillit Krahinor të Ghaznit. “Ata flasin urdu, arabisht dhe gjuhë të tjera”.

“Talibanët nuk i lënë vendasit t’i shohin ata nga afër dhe është e qartë se mes tyre janë shumë luftëtarë të huaj”, shtoi ai.

Disa zyrtarë të antiterrorit të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po nënvlerësojnë forcën e al-Kaidës në Afganistan.

Një raport i OKB-së i publikuar në korrik paralajmëroi se grupimi “është fshehtazi aktiv në 12 provinca afgane”, duke shtuar se komandon ndoshta 400 – 600 luftëtarë.

Raporti tha se AQIS besohet të ketë deri në 200 luftëtarë të tjerë në dispozicion; shumë prej të cilëve po u ofrojnë mbështetje talibanëve.

Senati miraton emërimin e Gjyqtares Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë

Senati amerikan konfirmoi të hënën Gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Amy Coney Barrett si anëtaren më të re të Gjykatës së Lartë me 52 vota pro dhe 48 kundër.

Senatorja republikane nga shteti Mejn, Susan Collins iu bashkua të gjithë demokratëve të Senatit që votuan kundër emërimit të zonjës Barrett. Senatorja Collins tha se nuk do të votonte për emërimin e Gjyqtares Barrett për shkak të momentit të zhvillimit të këtij votimi, kur mbeten tetë ditë deri në zgjedhjet presidenciale.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, në bazë të arkivave ekzistuese historike, asnjë anëtar tjetër i Gjykatës së Lartë nuk është konfirmuar pa mbështetjen e asnjë prej senatorëve të partisë opozitare, në të paktën 150 vjet.

Zonja Barrett është e treta anëtare e Gjykatës së Lartë e emëruar nga Presidenti Donald Trump, gjë që ndikon fuqimisht në balancën ideologjike të gjykatës më të lartë në vend. Me përfshirjen e zonjës Barrett, gjykata me nëntë anëtarë ka tani një shumicë të konsiderueshme konservatore prej 6-3.

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Anëtari i Gjykatës së Lartë Clarence Thomas pritet të kryesojë ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett të planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në orët e vona të së hënës.

Demokratët kanë kundërshtuar emërimin e zonjës Barrett, duke shprehur rezerva si për përgatitjen e saj, ashtu edhe për procesin e plotësimit me kaq nxitim të vendit të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg.

Demokratët kishin argumentuar se vendimi për zgjedhjen e një anëtari të ri të gjykatës duhet t’i lihej kandidatit që do të fitonte zgjedhjet presidenciale, një qëndrim që republikanët mbajtën për plotësimin e një vendi të zbrazët në gjykatë në fillim të vitit zgjedhor 2016.

“Senati po vepron siç duhet,” tha të dielën udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. “Ne po vazhdojmë me procesin e emërimit”.

Senati votoi 51- 48 të dielën për t’i mbyllur fjalimet e gjata që synojnë të bllokojnë votimin, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar.

“Demokratët po marrin fjalën gjithë natën për të luftuar këtë proces të rremë nga Republikanët e Senatit,” tha udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer. “Ne nuk do të ndalemi së luftuari.”

Senatorja demokrate Elizabeth Warren e cilësoi votën “të papërligjshme” dhe “grahmat e fundit të një partie të dëshpëruar,” njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjyqtarja Barrett mund të jetë një ndër gjykatësit që mund të peshojnë padi të ngritura lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse nuk është e sigurtë nëse ajo do të kërkojë të përjashtohet pasi u emërua nga Presidenti Trump. Gjatë seancave të konfirmimit ajo nuk pranoi të jepte një përgjigje të qartë ndaj pyetjes.

Zonja Barrett do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosin më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, të cilin zoti Trump ka kërkuar ta rrëzojë.

Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar gjatë administratës së ish-Presidenti Barack Obama në 2010, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë. Fati i ligjit është një shqetësim thelbësor për shumë njerëz mes numrit të shtuar të rasteve të reja të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët kanë argumentuar prej kohësh që Obamacare u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor. Kongresi i udhëhequr nga Republikanët në vitin 2017 eliminoi klauzolën e ligjit e cila e bënte të detyrueshme blerjen e sigurimit shëndetësor. Ata tani duan që Gjykata e Lartë të shfuqizojë ligjin në tërësi, duke thënë se pa këtë dispozitë, pjesa tjetër e ligjit nuk mund të qëndrojë.

Shtëpia e Bardhë: “Nuk do ta kontrollojmë koronavirusin”

Me rritjen sërish të rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows deklaroi të dielën se vendi “nuk do ta kontrollojë pandeminë”.

Zoti Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, “Ne do të kontrollojmë faktin që do të marrim vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera”.

Në një intervistë me gazetarin Jake Tapper, zoti Meadows mbrojti politikën për pandeminë të Presidentit Donald Trump. Komentet vijnë vetëm nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden.

“Jemi shumë më mirë se sa do të kishim qenë. Presidenti i ka bërë të gjitha,” tha zyrtari, i cili shtoi se kandidati Biden “do t’i fuste të gjithë në izolim”.

Zoti Biden, i cili është më përpara se Presidenti Trump në shumicën e sondazheve në shkallë vendi si dhe në shtetet fushë-betejë, u kundërpërgjigj menjëherë, duke thënë se Presidenti Trump ka provuar që është i paaftë për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

“Nuk ishte një lajthitje nga zoti Meadows,” tha kandidati Biden në një deklaratë. “Ishte një pranim i sinqertë i asaj që strategjia e Presidentit Trump ka qenë e qartë që nga fillimi i kësaj krize: të valëvitësh flamurin e bardhë të humbjes dhe të shpresosh që duke e injoruar atë, virusi thjesht do të zhduket. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë.”

Zoti Biden shtoi, “Presidenti Trump dhe administrata e tij duhet t’i kishin dëgjuar me kohë shkencëtarët, të kishin marrë masa dhe ta kishin marrë seriozisht kërcënimin e një virusi që kushton mijëra jetë çdo javë, duke mbyllur shkollat ​ dhe duke detyruar miliona amerikanë të mbeten pa punë.”

SHBA kanë regjistruar deri tani një rekord botëror prej 225,000 vdekjesh dhe 8.6 milion infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Më shqetësuese është rritja e shpejtë e numrit të rasteve të reja, me 32% duke arritur në më shumë se 68,000 në ditë javën e fundit dhe në 84,000 të shtunën e kaluar.

Zyrtarë të shumtë të administratës Trump nuk i kanë ndjekur me rreptësi këshillat e ekspertëve qeveritarë të shëndetit për të mbajtur maska dhe për distancim fizik nga njerëzit e tjerë. Të shtunën vonë, zyrtarët njoftuan se Marc Short, shefi i kabinetit të Zëvendës Presidentit Mike Pence, dhe disa ndihmës të tjerë të zoti Pence janë infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Zoti Meadows tha se fushata e zotit Trump shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

“Është një shoqëri e lirë,” tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht.

zëri i amerikës

Trump dhe Biden përplasen për koronavirusin, racën, taksat…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbajtën debatin e fundit, në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trump, i cili qëndron prapa në shumicën e sondazheve të opinionit, e mbrojti trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit, e cila ishte tema kryesore e debatit.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara “po mësojnë të jetojnë” me virusin dhe se ato do ta kenë një vaksinë kundër tij deri në fund të vitit.

“Duhet të rikuperohemi. Nuk mund ta mbyllim kombin tonë”, tha Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar.

Biden tha se derisa pandemia përhapet, Trump nuk ka ndonjë plan për të ndaluar një “dimër të errët” të vdekjeve nga koronavirusi.

“Kanë vdekur 220,000 amerikanë. Nëse nuk dëgjoni asgjë tjetër që them sonte, dëgjojeni këtë”, tha Biden. “Kushdo që është përgjegjës për kaq shumë vdekje, nuk duhet të mbetet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Biden po ashtu i hodhi poshtë akuzat se ai do ta mbyllte përsëri të gjithë vendin, për shkak të pandemisë, duke thënë se në vend të kësaj, do të merrte një qasje shumë më shkencore.

Të dy fajësuan njëri-tjetrin dhe partitë politike të njëri-tjetrit për dështimin për të siguruar një raund të ri të ndihmës financiare për koronavirus, që aktualisht është bllokuar në negociata.

Një faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë. Deri më tani, rreth 47 milionë amerikanë kanë votuar.

Akuza dhe kundërakuza për korrupsion

Trump po ashtu e sulmoi Bidenin, duke e quajtur politikan “të korruptuar”, ndërsa përsëriti edhe akuzat kundër djalit të tij Hunter, i cili ka shërbyer në bordin e drejtorëve të kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, për pesë vjet, duke filluar nga viti 2014.

Roli i Hunter Bidenit në Burisma është vënë nën vëzhgim të ri, pas akuzave nga Trump, që, sipas tij, janë prova të korrupsionit.

Biden tha se djali i tij nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme derisa ka punuar në Burisma. Ai më pas kaloi në ofensivë, duke thënë se Trump është ai që është fajësuar për marrëdhëniet e tij me Ukrainën.

Biden po ashtu tha se akuzat kundër djalit të tij janë hetuar në mënyrë të përsëritur dhe se ato nuk lidhen me ndonjë keqbërje.

Biden e sulmoi presidentin, duke vënë në dyshim taksat dhe lidhjet e tij me biznese të huaja.

Ata i adresuan edhe çështjet racore në SHBA dhe Biden e akuzoi Trumpin për nxitje të racizmit.

Trump, në anën tjetër, tha se ka bërë për afrikano-amerikanët më shumë se çdo president tjetër, përveç Abraham Lincolnin, i cili i ka liruar skllevërit.

Ai vuri në dukje përpjekjet e tij për reforma në drejtësinë penale dhe përsëriti se, para pandemisë, papunësia në mesin e afrikano-amerikanëve ishte e ulët.

Trump gjithashtu e akuzoi Bidenin se nuk ka bërë asgjë për afrikano-amerikanët gjatë dekadave të tij në politikë.

Ai e kritikoi atë edhe për mbështetjen e një ligji për krimin në vitet 1990, i cili ka rritur nivelet e burgimit në SHBA, veçanërisht për burrat afrikano-amerikanë dhe ata që janë gjetur fajtorë për vepra jo të dhunshme të drogës.

Debati përfshiu edhe sigurinë kombëtare, sigurinë e zgjedhjeve, Kinën, imigracionin, ndryshimin e klimës dhe energjinë e ekonominë.

Debati u mbajt me një rregull të ri, me të cilin i fikej mikrofoni kandidatit që nuk fliste. Rregulli u miratua pas debatit të parë Trump-Biden, i cili u përshkua me ndërprerje të fjalës së njëri-tjetrit.

Debati i parë është mbajtur më 29 shtator. I dyti, i planifikuar për 15 tetor, është anuluar, për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirus.

Komisioni për Debatet Presidenciale ka dashur ta shndërrojë atë në debat virtual, por Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.

Zakonisht në SHBA mbahen tri debate presidenciale përpara zgjedhjeve dhe temat që diskutohen në to janë shpesh çështjet më kontroverse të kohës.

Përgatiti: Valona Tela

Biden propozon krijimin e një komisioni për reformimin e gjyqësorit amerikan

Marrë nga Reuters

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se nëse i fiton zgjedhjet, ai do të krijojë një komision dypartiak për të shqyrtuar reformimin e sistemit të drejtësisë që ai e quajti “të dalë nga binarët”, duke vënë në dukje se ka alternativa të tjera që mund të merren parasysh përveç zgjerimit të Gjykatës së Lartë.

Biden, sfiduesi i Presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, i bëri komentet në një intervistë për emisionin “60 minuta” të kanalit CBS që do të transmetohet këtë fundjavë. Një pjesë e intervistës u bë publike të enjten.

Ish-nënpresidenti amerikan tha se ai do të krijojë një komision dypartiak të studiuesve ligjorë që do të përfshinte demokratë, republikanë, liberalë dhe konservatorë për të rishikuar gjyqësorin amerikan.

“Unë do t’u kërkoj atyre që, pas më shumë se 180 ditësh, të kthehen tek unë me rekomandime se si të reformohet sistemi gjyqësor sepse ai tani po del nga binarët, dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të gjykatës”, shtoi zoti Biden.

“Ka një numër alternativash që … shkojnë përtej mbushjes (së gjykatave me më shumë gjyqtarë)”, tha zoti Biden.

Disa njerëz nga e majta kanë hedhur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka nëntë gjyqtarë, nëse zoti Biden fiton, për t’iu kundërvënë zhvendosjes në të djathtë të gjykatës si rezultat i veprimeve të republikanëve të Senatit në vitin 2016 dhe tani. Republikanët e kanë hedhur poshtë idenë duke e quajtuar atë një përpjekje për të “mbushur gjykatën (me anëtarë të partisë në pushtet)”.

Zoti Biden tha javën e kaluar se ai nuk është “një tifoz” i idesë së rritjes së numrit të gjyqtarëve, por i ka lënë të hapura të gjitha opsionet. Numri prej nëntë anëtarësh i Gjykatës së Lartë është caktuar me ligj më shumë se një shekull më parë. Propozimi për krijimin e një komisioni mund të shërbejë si justifikim për zotin Biden që të mos japë një përgjigje përfundimtare mbi rritjen e numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve.

Komentet e zotit Biden u bënë publike në të njëjtën ditë që Komisioni Juridik i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët votoi për t’i hapur rrugë konfirmimit të plotë të gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Senati ka në plan të votojë për konfirmimin përfundimtar të gjyqtares Barret të hënën.

Konfirmimi i saj do t’i jepte organit më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara një shumicë konservatore 6-3, që mund të jetë e rëndësishme në rastet ligjore që përfshijnë abortin, kompetencat presidenciale, të drejtat fetare dhe të armëmbajtjes, të drejtat e komunitetit LGBT dhe çështje të tjera.

Demokratët janë të zemëruar që republikanët e senatit filluan procesin e emërimit të gjyqtares Barrett kaq afër ditës së zgjedhjeve pasi refuzuan në vitin 2016 të fillonin procesin e konfirmimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama, me arsyetimin se ishte një vit zgjedhjesh.


Send this to a friend