Gjykata dhe Prokuroria fshehën aktakuzën ndaj Bukoshit, Osmanit e Gashit

Analisti Fatos Lubonja mbron tezën se të gjithë forcat politike opozitare duhet të bashkohen për të kundërshtuar sistemin, pasi vendi thotë ai ka nevojë për rotacion.
Sipas Lubonjës, është kalcifikuar i gjithë sistemi dhe qeveria ka kapur çdo gjë.
Ai argumenton se politika është arti i të mundshmëve, duke theksuar se edhe një parti e vogël qoftë me 1%, mund të shndërrohet në një fuqi për të sjellë ndryshimin.
Politika është arti i të mundshmes, unë ndikoj aq sa mundem dhe kam fuqi shumë të madhe. Sepse unë nëse vendos iki dhe i lë pushtetin, atëherë fuqia juaj megjithëse 1% po themi, bëhet aq e madhe sa mund ti bësh shërbim vendit. Po të më thonin mua, unë do shkoja pa dyshim me opozitën, për të ndëshkuar këtë që rri kaq gjatë dhe që ka ndërtuar këtë sistem, me kushte të caktuara.
Është kalcifikuar i gjithë sistemi, kanë kapur cdo gjë. Problemi është ky, nëse populli voton këtë tjetrin, të voton edhe ty, i jep një ndëshkim këtij tjetrit, i thotë Ramës zotëri ti e ke mbushur kupën dhe duhet të largohesh.
Unë them po ja dha populli atij, tregon që ky është i pritur. Unë kam qenë i tezës që këta të kenë qenë të bashkuar, të paktën për të bërë një rotacion. sn
Selia e Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë të enjten se e njeh plotësisht rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme dhe të saktë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Përkushtimi i Radios Evropa e Lirë për të vërtetën dhe raportimin e pavarur, është thelbësor në rajonet me situatë komplekse politike, për fuqizim të komuniteteve dhe forcim të vlerave demokratike. Nga ndalja e punës së saj do të përfitonin vetëm ata që përhapin narrativë përçarës, duke anuar më tej balancën në favor të dezinformimit”, ka thënë zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna lachana.
Më 14 mars, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale – përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit tjerë federalë.
Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare, që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.
Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Transmetuesi për Kubën (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Pak orë pas vendimit të Trumpit, zyrtarë të USAGM-it i kanë ndërprerë punën Zërit të Amerikës dhe Transmetuesit për Kubën, ndërsa kanë ndërprerë grantet për Radion Evropa e Lirë dhe agjencitë tjera.
Radio Evropa e Lirë e ka paditur USAGM-in më 18 mars, si dhe zyrtarët e agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.
Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.
Ndërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat pro-demokracisë.
Ambasada gjermane në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo media është “fener i raportimit të lirë dhe të paanshëm” për më shumë se shtatë dekada në mbarë Evropën dhe më tej.
“Siç ka theksuar përfaqësuesja e Lartë [e BE-së, Kaja] Kallas, BE-ja aktualisht është duke eksploruar mundësitë për të mbështetur punën e rëndësishme të REL-it. Kjo, po ashtu, flet për kontributin e REL-it për demokracinë dhe promovimin e informacionit të besueshëm në mbarë botën”, ka thënë Ambasada gjermane në Prishtinë.
Një ditë më parë, organizata me nam nga shumë vende të botës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë shprehur mbështetjen për lirinë e fjalës dhe mediave, dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i mbrojë gazetarët dhe punëtorët tjerë të punësuar nga USAGM-i, meqë shumë prej tyre përballen me rreziqe personale për shkak të raportimit nga dhe për regjime shumë shtypëse.
“Për më shumë se 80 vjet, entitetet e USAGM-it, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë (REL) kanë luajtur rol vital në shtirjen tek audiencat që jetojnë nën qeveri shtypëse dhe fuqizojnë shprehjen e lirë në disa prej ambienteve më të rrezikshme për raportim. Eliminimi i këtyre organizatave është goditje e madhe për lirinë e mediave dhe dhuratë për autokratët në botë”, është thënë në deklaratën e përbashkët.
Buxheti që ka kërkuar USAGM-i nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.
Fotoreporteri i Radios Evropa e Lirë, Serhiy Nuzhnenko, duke mbuluar pushtimin rus të Ukrainës. Donjeck, prill 2022.
Mes përpjekjeve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’ia ndalur fondet Radios Evropa e Lirë (REL), audienca e saj në disa nga vendet ku ka transmetim, shpreh mbështetje dhe admirim për gazetarinë që bën.
Nga Irani në Bjellorusi, nga Afganistani në Rusi e nga Pakistani në Ukrainë – lexuesit dhe dëgjuesit i vlerësojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë për raportimin e tyre të guximshëm, të paanshëm dhe të ndershëm, dhe shprehen të shqetësuar se puna e tyre mund të ndalojë.
“Unë jetoj në një fshat të vogël. Ne nuk kemi internet satelitor apo stabil. Radioja juaj më jep shpresë”, shkroi një dëgjues nga Irani në një mesazh në Telegram për Radio Farda-n – shërbimin në gjuhën persiane të Radios Evropa e Lirë.
Një tjetër dëgjues nga Irani shkroi në mediat sociale se Radio Farda “është burimi im kryesor i informacionit, për shkak të raportimit të paanshëm dhe profesional”.
“Humbja e saj do të ishte shumë e vështirë. Shpresoj që kjo ditë të mos vijë kurrë”, shkroi ai.
Më 14 mars, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që synon reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë Agjencinë Amerikane për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetues të tjerë të financuar nga taksapaguesit amerikanë, si Zëri i Amerikës.
Pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së, dërgoi një letër, ku tha se granti i miratuar nga Kongresi për Radion Evropa e Lirë, është ndërprerë.
REL-i, megjithatë, është duke vazhduar punën dhe më 18 mars ngriti një padi federale, për të bllokuar përpjekjen për ndërprerjen e fondeve.
Ndryshe nga Zëri i Amerikës, që është një agjenci federale, REL-i është korporatë private, jofitimprurëse, me selinë editoriale në Pragë.
Në Ukrainë, ku Radio Evropa e Lirë mbulon pushtimin rus nga vijat e para të frontit, që kur u urdhërua nga presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt të vitit 2022, lexuesi Oleh Prozorov e falënderoi Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë për “mbrojtjen e lirive politike”.
“Ndonjëherë ishte si një rreze drite që depërtonte në errësirën e gënjeshtrës”, shkroi Prozorov në Facebook.
Në një mesazh për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, lexuesja Lesya Bondaruk shprehu frikë për humbjen e “një bastioni të lirisë së vërtetë të fjalës dhe mendimit”.
“Sulmi ndaj REL-it është sulm ndaj lirisë së fjalës së njerëzimit. Kjo nuk mund të lejohet”, shkroi ajo.
Lexuesit dhe shikuesit e shërbimeve në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë shprehën, po ashtu, mirënjohje për mbulimin e ngjarjeve në Rusi – nga përkeqësimi i lirisë së mediave nën udhëheqjen 25-vjeçare të Putinit deri te pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës.
“Unë jam në Rusi, i zhytur në propagandën zombifikuese, djallëzore të Kremlinit. Current Time është i vetmi kanal televiziv në gjuhën ruse, të cilit mund t’i besohet, me informacione objektive dhe shumë dokumentare”, shkroi një shikues duke iu referuar kanalit televiziv 24-orësh të REL-it.
“Jam i mahnitur pafundësisht nga gazetarët tuaj – që rrezikojnë të punojnë në zonat e vijës së frontit – nga profesionalizmi dhe niveli i lartë i gazetarisë”, shkroi një tjetër shikues i Current Time në një mesazh për rrjetin.
Qindra mesazhe dhe thirrje erdhën edhe nga dëgjuesit e Radios Evropa e Lirë në Afganistan dhe Pakistan.
Ata shprehin shqetësim të thellë për fatin e Shërbimit afgan, i njohur në vend si Radio Azadi, dhe për Shërbimin e Pakistanit, i njohur si Radio Mashaal.
“Radio Azadi është shumë i rëndësishëm për ne. Më mban të informuar për botën. Unë e dëgjoj atë ditë e natë, si në radio, ashtu edhe në telefonin tim”, shkroi dëgjuesi i Radio Azadit, Haji Khodaiberdi, në një mesazh në WhatsApp.
“Radio Azadi është një fije shprese për vendet që shpesh harrohen. Programet e saj i lidhin njerëzit nga fshatrat e vegjël me botën. Duke jetuar në një fshat të largët me vetëm një radio, zëri i saj është vërtet ngushëllues”, shkroi dëgjuesi Safa Mehr.
Një tjetër dëgjues, Nabiullah Zabuli, nga provinca jugore e Afganistanit, Zabul, i bëri thirrje Trumpit dhe “të gjithëve që mund të ndikojnë në këtë vendim, që ta rishqyrtojnë shkurtimin e fondeve për Radio Azadin”.
“Ju lutem, mos i tradhtoni miliona dëgjues tuaj besnikë! Mbajeni të gjallë këtë fener informacioni”, shkroi ai.
Heela Darkhast Ahmadzai, një dëgjuese e Radio Azadit dhe asaj Mashaal, shkroi në një postim në Facebook se të dyja kanalet janë “burime të ndriçimit të mendjes”.
“Ne gratë pashtune mësuam shumë nga këto dy radio-stacione. Mësuam për të drejtat tona, arsimin dhe botën”, shkroi ajo.
Një tjetër dëgjues i Radio Mashaalit, Ebadullah Khan, nga qarku Shangla në Pakistanin veriperëndimor, shkroi në Facebook se gazetarët e saj “e bëjnë punën e tyre me guxim” dhe se “përpjekjet e tyre gazetareske në përhapjen e ndërgjegjësimit mes njerëzve, janë të mëdha”.
Në Bjellorusi, ku Qeveria e autokratit Aleksandr Lukashenko i ka zhdukur pothuajse plotësisht mediat e pavarura, Shërbimi në gjuhën bjelloruse i Radios Evropa e Lirë është një prej pak organizatave të lajmeve që vazhdon të raportojë në mënyrë kritike për autoritetet.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, një lexues me emrin Zmitrok Siemieniuk tha se menjëherë nxitoi për të mësuar se çfarë po ndodhte dhe hasi në kanalin YouTube të Radio Svabodës.
“Kishte miliona shikime, të cilat më ndihmuan të kuptoja se çfarë po ndodhte në të vërtetë, dhe unë ende i shikoj kanalet e Radio Svabodës”, shkroi ai në Instagram.
“Ju jepni lajme pa propagandë dhe urrejtje. Mund të mësoj për ngjarjet më të rëndësishme që ndodhin në botë. Dhe, natyrisht, këtu mund t’i lexoj lajmet në gjuhën time amtare”, tha ai.
Një tjetër lexuese, Tatsiana, tha se Radio Svaboda “është i vetmi vend në botë ku unë mund të ndihem vërtet si qytetare e një Bjellorusie të lirë evropiane”.
“Në vitin 2020, miliona bjellorusë që morën pjesë në revolucionin paqësor kundër autoritarizmit brutal të Lukashenkës, përqafuan vlerat e Radio Svabodës, ndërsa ajo i transmetonte drejtpërdrejt këto ngjarje historike – në kohë reale”, shkroi ajo në një mesazh privat.
“Misioni i saj mbetet i papërfunduar sot – kjo histori duhet të vazhdojë”.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka zbërthyer skemën “5B” të Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se dy drejtorët më të besuar të Ballukut, Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi kanë marrë 32 mln euro tendera, prona publike e leje ndërtimi me firmën e kryeministrit Edi Rama.
“Kompanitë në pronësi të të afërmeve të dy ndër drejtorët më të besuar të Belinda Ballukut, Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi, që veç lidhjeve të gjakut, gëzojnë edhe besimin e shefes së tyre, përllogaritet të kenë marrë të paktën 32 milionë euro tendera, prona publike, leje ndërtimi madje edhe me firmë të kryeministrit Edi Rama.
Ceno Klosi është anëtari më aktiv i bandës elektorale të PS në Fier. Edhe pse me disa dosje në SPAK, tashmë prej vitesh, por për fat të keq ende të pafinalizuara, Belinda Balluku e fshehu përkohësisht në listat e kandidatëve për deputet, duke shfrytëzuar pasurinë e paligjshme për deformimin e vullnetit të zgjedhësve”, shkruan demokrati.
Reagimi
Në historinë e Shqipërisë nuk ka patur kurrë skemë më korruptive sesa vrasja e konkurrencës së lirë dhe përfitimi i fondeve publike nga vetë zyrtarët e lartë të qeverisë. Kjo skemë e zbuluar fillimisht në Bashkinë e Tiranës rezulton se është e shtrirë në çdo institucion publik gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Të dhënat e zbuluara dje nga investigimi profesional i gazetarëve të emisionit PLUG, provojnë se kompanitë në pronësi të të afërmeve të dy ndër drejtorët më të besuar të Belinda Ballukut, Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi, që veç lidhjeve të gjakut, gëzojnë edhe besimin e shefes së tyre, përllogaritet të kenë marrë të paktën 32 milionë euro tendera, prona publike, leje ndërtimi madje edhe me firmë të kryeministrit Edi Rama.
Skema kriminale “5B” e Belinda Ballukut, e zbërthyer nga emisioni investigativ “Plug”, shpjegon edhe importimin e kreut të kësaj skeme Ceno Klosi në listat për deputet të PS në qarkun Fier. 32 milion euro të përfituara nga fondet publike, janë mjaftueshëm për të deformuar vullnetin e qytetarëve të zgjedhje.
Ceno Klosi është anëtari më aktiv i bandës elektorale të PS në Fier. Edhe pse me disa dosje në SPAK, tashmë prej vitesh, por për fat të keq ende të pafinalizuara, Belinda Balluku e fshehu përkohësisht në listat e kandidatëve për deputet, duke shfrytëzuar pasurinë e paligjshme për deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
Gjej rastin të apeloj edhe njeherë Prokurorinë e Posaçme që strategjinë e goditjes së korrupsionit dhe krimeve elektorale të mos e lërë vetëm në letër. Këto janë ditët që ndajnë nëse strategjia është bërë si mjet propagande për të shpërlarë korrupsionin qeveritar dhe zgjedhor të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe bandave të tyre elektorale, apo është vullnet real i prokurorëve të posaçëm për të parandaluar dhe goditur krimet zgjedhore dhe korrupsionin qeveritar.
(BalkanWeb)
Kapja e shtetit, autokracia, ndikimi politik në administratën publike, gjyqësori, media e aktorët keqdashës global”, janë preokupimet e shërbimeve sekrete italiane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në raportin vjetor prezantuar në Senatin Italian.
Narkotrafiku ka protagonist mafian shqiptare e aftësinë e organizimeve kriminale për të përfituar nga dallimet legjislative e ekonomike si për t’u infiltruar në struktura social-ekonomike të vendit.
Gazetarja e Syri Tv, Alba Kepi, ka siguruar raportin ekskluziv të Senatit italian mbi politikat e informacionit të shërbimit të sigurisë kombëtare përgjatë 2024, sfidat globale, skenari ndërkombëtar, siguria kombëtare, mafia e narkotrafiku.
Aktiviteti i shërbimeve sekrete italiane ka vijuar me aktivitet të veçantë gjatë 2024 për shkak të krizës në Lindjen e Mesme e qëndrimin e Italisë pro Izraelit që e ka bërë të jetë në riskun e kërcënimit xhihadist e terrorizimit ndërkombëtar.
Zhvillimet politike e të sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur interes parësor për Inteligjecën Italiane e aktivitetin e shërbimeve sekrete gjatë vitit 2024 për shkak të situatës komplekse që ka ky rajon ashtu dhe për pasojat që kjo situatë jo stabël mund të sillte për Italinë.
Raporti i shërbimeve sekrete Italiane cilëson vendet e Ballkanit Perëndimor të ekspozuara ndaj fenomeneve të niveleve me intensitet të ndryshëm që kompromentojnë qeverisjen e tyre siç janë tendencat e autokracisë, kapja e shtetit, kontrolli politik mbi administratën publike, sistemi gjyqësor, media, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe përshkueshmëria e ndikimeve keqdashëse të aktorëve globalë.
Një vëmendje të vecantë ky raport i ka kushtuar marrëdhënies mes Serbisë e Kosovës që mbetet e tensionuar e preokupon rajonin.
Sa i takon riskut terrorist xhihadist, shërbimet sekrete italiane e konsiderojnë se territori i Ballkanit Perëndimor përfaqëson një mundësi projektimi për kërcënimin ndaj Europës.
Mbi aktivitetin kriminal të mafias e grupeve të strukturuar, raporti evidenton se “gjatë procesit të përshtatjes së tyre me zhvillimet e skenareve ndërkombëtare, rrjetet kryesore kriminale kanë objektiva gjithnjë e më ambicioze duke u infiltruar në strukturat social ekonomike e duke zëvendësuar metodat e dhunshme me strategji korruptive e kërcënuese.”
“Në këndvështrimin e sigurisë kombëtare, këtyre karakteristikave u shtohen aftësitë e organizimeve kriminale për të krijuar aleanca strategjike me aktorë të shumë ekonomikë, ligjorë e për të shfrytëzuar për qëllimet e tyre dallimet legjislative, ekonomike e kulturore në projeksionet e ndryshme që marrin këto organizime”, shkruan raporti, që shton se ” e gjitha kjo rrit shkallën e rrezikshmërisë së tyre”.
Aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare në këtë raport cilësohet Mafia e shërbimet e inteligjencës italiane shkruajnë se “në profilin e narkotrafikut, monitorimi i shërbimeve sekrete italiane ka evidentuar dinamizmin e vecantë të mafias shqiptare.”
“Aftësia e organizatave kriminale shqiptare i ka bërë protagoniste në trafiqe të rëndësishëm ndërkombëtare dhe për shkak të marrëdhënieve e kanaleve të konsoliduara e grupe aktive në vendet e prodhimit të kokainës, në vecanti në Amerikën Latine e destinuar për tregjet europiane”.
Ekspertët italianë informojnë se aktivizimi në rritje i grupeve shqiptare lidhet me shtrirjen kapilare që ata kanë në të gjithë territorin italian e në nivelin e lartë të specializmit menaxhues në trafikun e drogës.
Mikrofonë me logon e Radios Evropa e Lirë.
Organizata me nam nga shumë vende të botës kanë lëshuar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë shprehur mbështetjen për lirinë e fjalës dhe mediave, dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i mbrojë gazetarët dhe punëtorët tjerë të punësuar nga Agjencia e SHBA-së për Media Globale (USAGM), meqë shumë prej tyre përballen me rreziqe personale për shkak të raportimit nga dhe për regjime shumë shtypëse.
“Për më shumë se 80 vjet, entitetet e USAGM-it, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë (REL) kanë luajtur rol vital në shtirjen tek audiencat që jetojnë nën qeveri shtypëse dhe fuqizojnë shprehjen e lirë në disa prej ambienteve më të rrezikshme për raportim. Eliminimi i këtyre organizatave është goditje e madhe për lirinë e mediave dhe dhuratë për autokratët në botë”, është thënë në deklaratën e përbashkët.
Committee to Protect Journalists, Association for International Broadcasting, Reporters Without Borders (RSF), Public Media Alliance, The Press Freedom Center at the National Press Club, Arab Reporters for Investigative Journalism, The Bureau of Investigative Journalism, International Press Institute, Forbidden Stories, Radio Television Digital News Association, PEN America, The European Federation of Journalists, Nieman Foundation for Journalism, Pulitzer Center, World Association of News Publishers (WAN-IFRA), National Press Photographers Association, Society of Professional Journalists, Reporters Committee for Freedom of the Press, Freedom of the Press Foundation, Association of Foreign Press Correspondents, Center for Democracy & Technology, Index on Censorship, Free Press, Global Investigative Journalism Network, Global Reporting Centre, International Women’s Media Foundation, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
Një urdhër ekzekutiv i 14 marsit, i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje USAGM-it që “të eliminohet në maksimum, në përputhje me ligjet e aplikuara”, në kuadër të përpjekjeve për të zvogëluar elementë të burokracisë federale që presidenti i konsideron të panevojshme.
USAGM është agjenci federale e SHBA-së, mandati i së cilës përcaktohet me disa ligje. Ajo mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë, Radion Azia e Lirë, Transmetuesin për Kubën, dhe Rrjetin e Transmetuesve për Lindje të Mesme.
Sipas ligjit amerikan, operacionet editoriale të entiteteve të USAGM-it janë të ndara prej Qeverisë amerikane, me qëllim të ruajtjes së pavarësisë editoriale.
“Është jetike që Kongresi të mbrojë USAGM-in dhe të garantojë siguri për gazetarët dhe të riafirmojë përkushtimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, në shtëpi dhe përtej saj”, është thënë mes tjerash në deklaratën e organizatave.
Radio Evropa e Lirë e ka paditur më 18 mars USAGM-in si dhe zyrtarët agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.
Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.
Ndërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë (REL), pasi Qeveria amerikane i ndërprerë fondet për median që ka selinë qendrore në Pragë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat pro-demokracisë.
Pjesa e parë
Vasil Kokali, me origjinë nga fshati Aliko i Sarandës, ishte vetëm 21 vjeç, kur e internuan në vitin 1946 dhe ai jetoi në internim, deri më 1991, duke provuar kampet me tela me gjemba, ushqimin e kazanit dhe punën e rëndë, që i ofroi për gati gjysëm shekulli me radhë, regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Dëshminë e Vasil Kokalit, që i kaloi të gjitha vitet e diktaturës në burg (6 vjet) dhe në internim (40 vjet), po e publikojmë më poshtë në këtë shkrim, që është marrë nga arkivi i familjes Doko
Dëshmia e plotë e Vasil Kokalit
“Unë kam lindur në vitin 1924 në fshatin Aliko të Sarandës dhe familja ime ka qenë një familje e mesme. Kishim blegtori, merreshim me tregti. Gjashtë muajsh kam qenë kur jam larguar, sepse babai kishte filluar punë si tregtar në Sarandë dhe na tërhoqi si familje. Pastaj, gjatë Luftës, në vitin 1941, u larguam nga Saranda, nga frika e bombardimeve dhe shkuam në fshat. Atje, filluam punën e bujqësisë, mirëpo në vitin 1943, kur filluan çetat partizane, i bënë thirrje babait tim, të merrte pjesë në këto.
Më tepër bënin propagandë për komunizmin, sesa për Luftën Nacionalçlirimtare. Na thoshin që; do hani me lugë floriri. Në të vërtetë, ne nuk donim të hanim me lugë floriri, donim atë lugën që kishim. Kjo ka qenë arsyeja që na kanë internuar. Meqë nuk e përqafuam atë ideologji, u kategorizuam si familje që kishte qenë kundër komunizmit. Në vitin ’43, kur gjermanët donin të kalonin në Shqipëri, babai ka thënë: Lërini të kalojnë, se ata kanë ardhur të kalojnë, nuk kanë ardhur të na pushtojnë’.
Çfarë ndodhi pas vendosjes së regjimit komunist me ju dhe familjen tuaj?
Ne gjithmonë shiheshim si armiq kundër pushtetit, kështu që na kanë keqpërdorur. Kur gjermanët kanë dashur të kalonin, e quajtën babanë si kolaboracionist dhe si Kolona e 5-të dhe kështu që e dënuan me vdekje. Babai u detyrua të ikte, sepse nuk kishte pse rrinte më këtu dhe pasi u arratis babai, ne na internuan. Na çuan në qytetin e Krujës.
Në cilin vit ju internuan?
Që në 1945-ën. Por para se të na internonin, na morën krejt pasurinë. Kishim nja 100 krerë lopë, i kishim në Kakome të Nivicës, atje shkuan na i sekuestruan, edhe depon e drithit na e kanë hapur dhe ne sigurisht që ishim të pakënaqur, përderisa na u bë kjo e padrejtë. Në atë kohë, na kanë internuar. Madje nuk na lanë të merrnim asnjë gjë nga shtëpia, vetëm rrobat që kishim veshur. Kur kemi shkuar në Krujë, s’kemi pasur as lugë që të hanim, kemi ngrënë me lugë druri.
Na kanë mbajtur në Krujë, dy vjet, me 600 gramë bukë misri, ajo ka qenë dhe gjella, edhe me punë të detyruar. Na kanë mbajtur atje me 600 gramë bukë misri, absolutisht asgjë tjetër…! Unë nuk e di si mendonin këta njerëz: si jetonim ne, me 600 gramë bukë misri, pa gjellë, pa kurrgjë…?! Si përfundim, në 1947-ën, ka qenë muaji korrik, kur na hoqën nga Kruja. Na transferuan, na ndanë.
Ku ju dërguan pas Krujës?
Një pjesë e dërguan në fermën e Sukthit, në sektorin Kullë, Rrushkull, ndërsa ne na çuan në Kashar, ku është Radiostacioni. Atje kanë bërë kontratën me ndërmarrjen Rruga-Ura. Kur shkuam atje, çadrat i gjetëm të ngritura. Të nesërmen në mëngjes, na dhanë kazmën, lopatën, të shqepnim asfaltin që ishte më i fortë se betoni.
Pasi mbarojnë punimet atje, shkojmë në Katër Rrugët e Shijakut. Atje takojmë disa të internuar, që kishin ardhur nga kampi i Beratit. Ata punonin nga Katër Rrugët e Shijakut, deri në Rrushbull, ndërsa ne, nga Katër Rrugët e Shijakut, deri në Kashar, domethënë kishim dy sektorë. Si përfundim, si mbaruan punimet atje, na prunë në Valias.
Si ishin kushtet e jetesës në kampin e Valiasit?
Në Valias, s’kishte absolutisht asgjë. Dy shtëpi të vjetra ishin, me stallat e katundarëve. I kishin hequr dhe katundarët se u bë fermë, nuk e dinim se ku i kishin çuar dhe në ato shtëpi të shkatërruara, jetonim ne. Balta ishte deri në gju, punonim duke bërë gropa, duke transportuar pleh që nga Xhafzotaj, natën me ato zetora, binte shi a s’binte shi…! Na përgatisnin dhe ushqim me ato lakrat e qepët që kutërbonte era, 500 m larg. Pa vaj, pa kurrgjë. Atje kaluam nja dy vjet. Pas dy vitesh, na transferojnë…!
Ku ju çuan?
Na ndajnë prapë nga familja dhe na çojnë në Lozhan të Korçës. Para se të na çonin në Lozhan, na mbajtën 17 ditë në qiell të hapur, pa kurrgjë. Atje, si përfundim, kanë ikur nja 9 veta, u arratisën, dolën jashtë kufirit, në Greqi. Një prej atyre Bajraktarëve, quhej Nikollë Gjoni, djemtë e Cen Elezit, Esat Dine, atë e vranë në kufi, një e kapën andej nga Puka, një Selim, nuk më kujtohet mbiemri.
Na shtrënguan shumë…! Pas 17 ditësh, me ato rraqet tona, që kishim nëpër këmbë, kalojmë Grabovën A, Grabovën B, Strelcë, Nikollarë, Shën e Premte…! Pas tri ditësh, të rraskapitur e të lodhur, kemi mbërritur në Lozhan të Korçës, fusha e Maliqit. Kemi ngrënë hardhi të egra nga uria. Katër ditë kemi qenë të shtrirë, se ishte rrëzuar një makinë me ushqime, pas katër ditësh, vjen një makinë tjetër dhe vënë ato kazanët, që morëm atë racionin e gjellës.
Çfarë punësh bënit atje?
Kishim një punë të rëndë, kemi hapur rrugë në Lozhan. Puna ishte e vështirë, kush nuk realizonte normën, futej në ujë deri në brez edhe janë rrahur njerëzit, të rrallë ishin ata që kanë shpëtuar. Është rrahur një Nikollë Biçuni dhe një Xhorxhi, çam ishte ai nga Gumenica…! Vetëm kur u plasi gjaku nga goja që i la ai togeri që i ka shqepur në hu. Atje, kanë prurë nja 80 çamë, për arsye se nuk kishin dëgjuar të shkonin të bashkoheshin me forcat e EAM-it, të luftonin kundër ushtrisë mbretërore edhe i prunë atje te ne.
Ata më së fundi bënin të njëjta punë siç bënim ne, por një ditë, vjen një oficer, Zoi Themeli…! Unë po punoja. Vjen ai “ZIS”-i, ndalet atje, më thotë mua: “Çfarë je ti: i internuar apo nga këta çamët?”. “Jo, – thashë, – i internuar jam”. – “Ku është ai oficeri që është përgjegjësi i këtyre”? – “Atje, te ajo çadra”. Ai dëgjoi. U përshëndetën me të. – “T’i kam liruar çamët”, i thotë atij. Unë e dëgjova.
Thashë: “Ata i liroi, ndoshta dhe ne ikëm një ditë”. Ishim lodhur, ishim rraskapitur me atë punë. Unë kisha një shok të ngushtë çam, edhe i them: “Kam dëgjuar për lirime, por mos i thuaj njeriu, se po ta marrë vesh togeri, mua do më shqepë në hu”. – “Jo, nuk i them njeriu”. Por ky e hapi dhe u përhap që; “jemi liruar”, “jemi liruar” dhe u bë një si punë greve…! Edhe e mori vesh togeri: “Kush ju tha”?!
Edhe filloi t’i rrihte çamët, por ai çami nuk e dha emrin tim. Mbas pak ne na transferuan. Kush e di si e pa të arsyeshme Ministria e Brendshme, dhe mua e gjashtë shokë të tjerë që ishim të kampit të Veriut, na bashkojnë me kampin e Tepelenës. Nga Lozhani na transferojnë në Porto-Palermo. Gjatë rrugës na zë një shi. Atë natë fjetëm në Elbasan. Të nesërmen, shkuam në Porto-Palermo në 10.00 të natës. Atje fjetëm në një kishë aty afër. Në mëngjes, na prunë në kala.
Si jetuat brenda kalasë së Porto-Palermos?
Kalanë e Porto-Palermos është domethënë…me e pa nga jashtë, të zë tmerri, jo të futesh brenda. Ajo, ishte domethënë…! Nuk e di sesi…çfarë mendonin këta njerëz. Nuk e di çfarë mendonin. Nuk kishin gjynah për ata fëmijë që ishin, kishte gra, fëmijë, plaka, pleq…! Të ardhur nga Tepelena një pjesë. I kishin ndarë burrin nga gruaja, gratë nga fëmija, kishin prurë familjet më të mira, familjet më të dëgjuara: të Gjon Markagjonit, të Mirakajve, të Cen Elezit, të Muharrem Bajraktarit…!
Atje, i kishim shumë të vështira konditat. Kemi pirë ujë të kripur. Edhe për të larë, nuk laheshim. Këta të komandës, kishin gjetur burimet, kishin një mushkë dhe e mbushnin ujin nga burimi. Fati ynë që ikëm që andej, ka qenë një anije italiane, ajo ishte ngarkuar me dërrasa dhe shkonte në Greqi.
E zuri dallga natën dhe u fut në atë si ujdhesë, kështu që të nesërmen në mëngjes, kur panë atë anije, u tmerruan. Erdhën na panë, ishim a nuk ishim. Lajmëruan Vlorën menjëherë dhe nga Vlora sollën makinat sovjetike, “ZIS”. Ato erdhën, na ngarkuan dhe na shpunë në Tepelenë. Kemi vuajtur të zinjtë e ullirit atje në Porto-Palermo. Njerëzit janë qorruar nga sytë. Nuk shihnin, nga mungesa e ushqimit. 400 gram bukë thekër, edhe pesë kokrra grosh, ajo ka qenë menyja jonë.
Unë njihja një polic që ishte nga Qeparoi, një Zaho Dede, ka qenë djalë i mirë. Kishte besim te unë, se unë kisha motrën të martuar atje dhe e dinte se kush isha dhe më thotë: “Mjerë ti”. Pse?-i thashë unë. “Se Porto-Palermo, është kamp që hyn e nuk del”. Mirëpo atje kishin prurë dhe shumë të burgosur, që liroheshin nga burgu, si Viktor Dostin e, këtë Bardh Kupin e, dy oficerë që ishin këtu nga Tirana, oficerë të Ministrisë edhe kulakë, atje i kishin prurë.
Si ishin kushtet në Tepelenë, krahasuar me Porto-Palermon?
Tani, me thënë të drejtën, ne kujtuam se shpëtuam nga shiu, por ramë në një breshër, po çfarë breshëri, breshër kokëmadh! S’kishim absolutisht asnjë të drejtë. Na iku jeta në kampe, u rritëm dhe u plakëm në kamp. Atje, puna ishte shumë e rëndë.
Plus që ishte e rëndë, ngarkoheshim me dru, 7 km. larg nga Turhani, por edhe ata që ishin si familje, që ishin për shembull dy djem të rinj, i çonin në Luzat, disa në Bënçë, larg nga kampi dhe shkonim të shtunë në darkë dhe ktheheshim prapë të shtunë në darkë. Ajo punë ka qenë shumë e rëndë. Nga rrokullisja e trarëve, e gurëve, që i hidhnim kështu, se s’kishim si i hidhnim, nuk kishte javë pa të plagosur. Ishte tmerr.
Çfarë episodesh ju kanë mbetur në mendje nga Tepelena?
Ata që ishin në Luzat, në një kasolle jetonin. Edhe lageshin, por ndiznin zjarr të shkretët, për t’u ngrohur. Një komshi, se ishte afër katundit kjo kasollja, kishte therrur një dhi dhe ua fali ato të përbrendshmet. Këta nga uria, hanin edhe thundrat, jo më…! Edhe i lanë këto, i futën në një tenxhere dhe i vunë në një zjarr. Mirëpo mbi zjarr, kishin vënë çorape dhe ato çorapet ranë në tenxhere.
Kur hoqën tenxheren këta, panë çorapet dhe e kuptuan që kishin rënë, por ata nuk pyetën që kishin rënë çorapet e palara, por e hëngrën. Nga uria, çfarë nuk mund të bëjë njeriu…! Edhe një rast tjetër, atje në Luzat. Kapteri që na shoqëronte, se ishin këta të Ministrisë së Brendshme, ka qenë batalioni i Ndjekjes në Tepelenë, edhe vinte shpeshherë kapteri në atë dhomë.
Në atë dhomë, jetonim 20 burra. Kishim një zjarr atje, që mund të gatuanim ndonjë send. Edhe njërit nga Dumreja, njerëzit e vet i kishin prurë ca rosnica, edhe po i ziente. Në atë kohë, që ai po ziente ato rosnicat, vjen ai kapteri. Rastësisht. – “Çfarë ere mban kjo”? – thotë. – “Po ziej rosnica, m’i kanë prurë nga shtëpia njerëzit e mi”, i thotë ai. “Po sikur të jap 1 kile makarona, a mund t’i hash rosnicat, kështu duke zier”? –
“Posi”, – thotë ai. Edhe ia filloi. Që unë nuk kisha për ta besuar, kam qenë vetë atje, që e kam parë me sytë e mi. I ka ngrënë rosnicat: gaveta duke zier, ai duke i ngrënë. U habita. U habita sesi ka mundësi që një njeri t’i hajë rosnicat…por nga uria edhe që përfitonte atë kilen e makaronave! Që kujtdo që t’ia thuash, nuk e beson.
Çfarë bëtë më pas?
Si përfundim, do shkonim në kamp për t’u larë. Na vuri përpara ai, tamam si ato dhitë dhe njëri, Veiz Gjolena, nga Elbasani, e kishte zënë barku…! “Kapter, kështu, kështu”, – thotë. – “Bëje aty në shallvare”. Më fal për shprehjen, në shallvare e bëri. Në kamp, na del ai drejtori i kampit, Xhafer Pogaçe, na sheh kështu. “Si shumë të shëndoshë i ke prurë kësaj radhe. Nuk kanë punë këta njerëz”, – tha ai. Merre me mend tani, që ne ishim bërë telef…deshën të na shihnin kështu. Të zezat e ullirit kemi hequr në Tepelenë. Bëmë ca kohë atje, pastaj na transferuan. Memorie.al
Ushtarët ukrainas duke luftuar kundër forcave ruse në Çasiv Jar.
Liderët e Bashkimit Evropian janë zotuar se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me armë, pavarësisht përpjekjes së Rusisë që të parandalojë dërgimin e armëve të Perëndimit në Kiev, përmes bisedimeve të vazhdueshme për armëpushim.
Liderët e bllokut evropian do të mblidhen në Bruksel më 20-21 mars kur pritet t’i miratojnë konkluzionet e samitit që përcaktojnë se “Bashkimi Evropian beson në qasjen e ‘paqes përmes forcës’, e cila kërkon që Ukraina të jetë në pozicionin më të fuqishëm të mundshëm, dhe kapacitetet e saj ushtarake janë elementët kryesorë”.
Teksti, i cili është parë nga Radio Evropa e Lirë, përcakton që blloku evropian “të mbetet i përkushtuar, në koordinim me partnerët dhe aleatët e linjës së njëjtë, për të ofruar mbështetjen e duhur për Ukrainën dhe njerëzit e saj, teksa ushtron të drejtën e vet për vetëmbrojtje kundër agresionit rus të Rusisë”.
Takimi në Bruksel do të zhvillohet dy ditë pas një bisede teleonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, përgjatë së cilës dy liderët janë pajtuar për një pauzë 30-ditore në sulmet në infrastrukturën e energjisë.
Megjithatë, vetëm disa orë pas thirrjes, agjencitë ukrainase hekurudhore kanë konfirmuar se dronët rusë kanë shënjestruar infrastrukturën e energjisë të lidhur me sistemin hekurudhor në rajonin e Dnjipropetrovskut.
Në rrethana normale, 27 vendet e BE-së duhet t’i miratojnë konkluzionet me unanimitet, mirëpo diplomatët e BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se Hungaria – e cila është secilën herë e më e afërt me Kremlinin – do të distancohet, ashtu sikurse ka ndodhur në një samit tjetër të BE-së të mbajtur më herët gjatë muajit.
Vendet e bllokut evropian janë mbajtur larg negociatave për luftën, të cilat janë mbajtur në Arabinë Saudite, mirëpo dokumenti thekson se “vendet e BE-së do të kontribuojnë në procesin e paqes dhe do të ndihmojnë në arritjen e një paqe afatgjatë për Ukrainën, e cila është në interesin e Ukrainës dhe gjithë BE-së”.
Megjithatë, askush nuk e përmend ndonjë të dërguar të BE-së për këto bisedime.
Spekulimet e fundit që qarkullojnë në Bruksel sinjalizojnë që ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel apo presidenti aktual i Finlandës, Alexander Stubb mund të emërohen në atë pozitë.
Diskutime konkrete nuk ka as për dërgimin e trupave ushtarake evropiane për të mbikëqyrur një marrëveshje potenciale për paqe, ndonëse një mundësi e tillë është shtyrë përpara vazhdimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ndonëse ideja është hedhur poshtë nga Moska.
Brukseli i ka edhe dy armë tjera që administrata Trump duket se i ka vendosur në tavolinën e negociatave, me qëllim të bindjes së Moskës për një marrëveshje për paqe: sanksionet kundër Kremlinit, dhe llogaridhënien për krime lufte.
Blloku evropian i ka vazhduar ndalesat në dhënie vizash dhe ka vazhduar të ngrijë asetet e 2.400 kompanive dhe individëve – përfshirë Putinit – që janë zbatuar prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë më shumë se tre vjet më parë.
BE-ja “vazhdon të jetë e gatshme të rrisë presionin ndaj Rusisë, përfshirë vazhdimin e sanksioneve dhe përmes forcimit të masave ekzistuese”, është thënë në dokument.
Besohet se asetet ruse në vlerë të rreth 200 miliardë eurove vazhdojnë të jenë të ngrira në BE, kryesisht në Belgjikë.
Fondet duhet të mbesin të palëvizura “derisa Rusia t’i japë fund luftës kundër Ukrainës dhe ta kompensojë për dëmin e shkaktuar në luftë”, përmendet në dokument.
Vendet anëtare të BE-së kanë thënë se janë duke çuar përpara idenë e “llogaridhënës së plotë për krimet e luftës dhe krimet tjera serioze që janë kryer përgjatë agresionit rus kundër Ukrainës”.
Mes gjithë këtyre zhvillimeve, Uashingtoni ka thënë se do të tërhiqet nga Qendra Ndërkombëtare për gjykimin e krimeve të kryera kundër Ukrainës, një grup i formuar nga shtetet perëndimore më 2022, për të mbledhur të dhëna për ata që kanë përgjegjësi për krimet potenciale të luftës.
Radio Evropa e Lirë
Njëra nga studiot e Radios Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë (REL) tha më 18 mars se e ka paditur Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), si dhe zyrtarët e USAGM-it, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.
Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.
“Tani nuk është koha për t’u dorëzuar përballë propagandës dhe censurës së kundërshtarëve të Amerikës”, tha presidenti dhe shefi ekzekutiv i REL-it, Stephen Capus.
Morales është shef ekzekutiv i përkohshëm i USAGM-it, ndërsa Lake është këshilltare e lartë e tij.
Ndërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian thanë se po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë (REL), pasi Qeveria amerikane ndërpreu fondet për median që ka selinë qendrore në Pragë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat prodemokracisë.
Ministri çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, u tha gazetarëve në Bruksel më 18 mars se disa shtete kanë mbështetur nismën deri më tani, por blloku duhet të veprojë shpejt “sepse do të ishte një gabim i madh nëse lihet që ky institucion të vdesë”.
“Ne duhet të nxisim një lloj interesi dhe të takohemi me komisionarët dhe disa shtete. Në këtë pikë, kjo nismë është mbështetur nga shtatë shtete të tjera, dhe pasi ne ta bëjmë publike në Këshillin për Çështje të Përgjithshme, edhe më shumë shtete do të na bashkohen”, tha Dvorak, duke shtuar se çështja duhet të zgjidhet “brenda disa javësh”.
Mbështetje për REL-in ka shprehur edhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka biseduar me Dvorakun për këtë çështje.
“Do të bëj gjithçka që kam në duar për të mbështetur vazhdimin e punës së REL-it”, shkroi ajo në platformën sociale X, më 18 mars.
Ambasada gjermane në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo media është “fener i raportimit të lirë dhe të paanshëm” për më shumë se shtatë dekada në mbarë Evropën dhe më tej.
“Siç ka theksuar përfaqësuesja e Lartë [e BE-së, Kaja] Kallas, BE-ja aktualisht është duke eksploruar mundësitë për të mbështetur punën e rëndësishme të REL-it. Kjo, po ashtu, flet për kontributin e REL-it për demokracinë dhe promovimin e informacionit të besueshëm në mbarë botën”, tha Ambasada gjermane në Prishtinë.
Me nismën e Republikës Çeke për mundësinë e mbështetjes së REL-it, në takimin e ministrave të Jashtëm të 27 shteteve të bllokut, të mbajtur më 17 mars, u adresua kjo çështje, teksa e ardhmja e REL-it mbetet e pasigurt pas ndërprerjes së financimit nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës.
Përderisa Dvorak nuk deshi të tregonte emrat e shteteve që tashmë kanë shprehur mbështetje për këtë nismë, burimet diplomatike i thanë REL-it se bëhet fjalë për Gjermaninë, Austrinë, Suedinë, Holandën, Belgjikën, Slloveninë, tri shtetet e Baltikut, Poloninë dhe Republikën Çeke.
“Vështirësitë financiare me të cilat po përballet Radio Evropa e Lirë vënë në rrezik serioz gazetarinë e pavarur në rajone ku shtypi i lirë është i heshtur, nga Rusia dhe Bjellorusia deri në Iran dhe Afganistan”, shkroi në X ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot.
“Nëse REL-i zhduket, dezinformatat dhe propaganda do të mbushin boshllëkun. Kjo do të ishte një fitore e drejtpërdrejtë për ata që kërkojnë të minojnë demokracinë… Evropa nuk mund të lejojë që kjo të ndodhë. Mbrojtja e shtypit të lirë do të thotë mbrojtje e demokracisë. Qasja në raportimin e bazuar në fakte nuk është thjesht një parim, por një domosdoshmëri për sigurinë dhe liritë themelore”, shtoi ai.
Ndërkaq, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, më 17 mars, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, tha se ai ndjeu një “interes të caktuar” nga shtete të tjera anëtare të BE-së lidhur me nismën e shtetit të tij dhe se “është përgjegjësia jonë që ta trajtojmë këtë çështje seriozisht”.
Homologu polak i Lipavskyt, Radek Sikorski, po ashtu shprehu mbështetjen për REL-in, duke kujtuar se si babai i tij dëgjonte këtë radio së bashku me Zërin e Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë.
“Në këtë mënyrë ne mësonim faktet bazike lidhur me shtetet tona sepse propaganda komuniste ishte e kontrolluar”, tha ai për gazetarët. “Dhe këto institucione vazhdojnë të bëjnë punën e njëjtë sot për autokracitë”.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 14 mars që synon të reduktojë shtatë agjenci federale – përfshirë Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyr REL-in dhe transmetues tjerë federalë.
Urdhri u kërkon krerëve të entiteteve qeveritare që brenda shtatë ditësh të dorëzojnë një raport që konfirmojnë zbatimin e plotë.
Disa orë pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, një letër nga USAGM tha se granti i miratuar nga Kongresi, që financon REL-in, ishte ndërprerë.
Presidenti i REL-it, Stephen Capus, ka deklaruar se ndërprerja e fondit do të jetë një “dhuratë e madhe për armiqtë e Amerikës”, një mendim që është shprehur edhe nga vëzhgues për të drejtat e mediave, grupet avokuese për demokracinë dhe politikanët.
Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, tha se “përpjekjet e fundit të administratës Trump për të shpërbërë entitete të themeluara dhe finanduara nga Kongresi, që ofrojnë informacion të saktë për qindra miliona njerëz në vende ku liria e shtypit është nën sulm, minon angazhimin e SHBA-së për demokracinë”.
“Nëse presidenti Trump ia arrin qëllimit të tij, ata që varen nga mediat e pavarura, të mbështetura nga SHBA-ja, si alternativa për mediat kineze dhe të Kremlinit, dhe ata që jetojnë nën regjime autoritare, do të humbasin një burim kritik”.
USAGM është agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane, që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informaciove në mbi 50 gjuhë, për rreth 361 milionë njerëz çdo vit.
Kërkesa për buxhetin nga USAGM për vitin fiskal 2025 ishte 950 milionë dollarë për të financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.
Këtu përfshihen media si REL-i, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Transmetimeve për Kubën (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
“Suedia ka mbështetur nismën çeke për të shikuar për mënyra se si BE-ja dhe shtetet e saj anëtare mund të mbështesin REL-in dhe rolin e tij si zë i lirisë, ku ka më shumë nevojë”, tha ministrja suedeze për Çështje të BE-së, Jessica Rosencrantz.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Evropian, Mafred Weber, tha se vendimi për të hequr dorë nga mbështetja për REL-in është shembull se si situata gjeopolitike është duke ndryshuar.
Ai tha se vlera që definojnë evropianët janë liria, demokracia, sundimi i ligjit, trajtimi i barabartë, ndalimi i diskriminimit kundër grave, e të tjera.
“Duke pasur këtë parasysh, besoj se ata që promovojnë këto vlera, sikurse REL-i, duhet të mbështeten nga BE-ja. Ne po flasim për një buxhet prej rreth 140 milionë eurosh, aq sa aktualisht ka REL-i. Prandaj, sipas meje, ne duhet të kërkojmë një zgjidhje serioze për të siguruar financimin e duhur. Ata po mbrojnë parimet që na përcaktojnë”, tha ai në një prononcim për gazetarë në Podgoricë.
Trump, i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare prej kur ka nisur mandatin e dytë në janar, gjatë mandatit të tij të parë e kishte kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve.
Ai i ka përsëritur këto shqetësime pasi nisi mandatin e dytë. Mbështetësit e transmetuesve thonë se ato janë degë e rëndësishme e diplomacisë amerikane.
Radio Evropa e Lirë
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet