VOAL

VOAL

Gjuriq: Nuk heqim dorë nga ndjekja penale e kriminelëve më të dhunshëm shqiptarë

August 2, 2019
blank

Komentet

blank

Moszbatimi i Marrëveshjes për normalizim anulon konferencën e donatorëve

 

Nuk do të ketë asgjë, për momentin, lidhur me konferencën e donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte planifikuar në marrëveshjet ndërmjet liderëve të dy shteteve në Bruksel dhe Ohër, mëson Radio Evropa e Lirë (REL) nga një burim në Bruksel.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) pajtohen që për momentin nuk ka vend për diskutime për organizimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte parashikuar në Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, e arritur nga liderët, më 27 shkurt në Bruksel dhe në Aneksin e zbatimit që u dakordua më 18 mars në Ohër.

Teksti i marrëveshjes parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën, por pagesa do të bëhej vetëm pasi të konstatohej se të gjitha pikat e marrëveshjes janë zbatuar.

Meqenëse asnjëra palë nuk ka zbatuar asnjërën nga pikat, për momentin nuk ka disponim për mbajtjen e konferencës së donatorëve, mëson REL-i në Bruksel.

Me këtë rast, përfaqësuesit e disa shteteve anëtare të BE-së theksuan se përgjegjësia, për heqjen nga agjenda të planeve për konferencë të donatorëve, është e të dyja palëve, sepse as Kosova e as Serbia nuk kanë filluar zbatimin e marrëveshjeve nga Ohri dhe Brukseli.

Kur bëhet fjalë vetëm për Kosovën, shtetet e BE-së paralajmëruan masa “simbolike” kundër Prishtinës, pasi të dërguarit e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, në raportin që parashtruan, i vlerësuan si “të vështira” bisedimet me kryeministrin e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zyrtarët e kabinetit të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë dorëzuar raportin para diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së, për vizitën e tyre në Prishtinë dhe Beograd. Lajçak ka qëndruar atje, gjatë kësaj jave, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç konfirmuan për REL-in disa burime, të pranishme në diskutim, për shkak të mosmarrjes së hapave drejt shtensionimit, e vetmja masë e menjëhershme që mund të ndërmerret në të ardhmen e afërt kundër autoriteteve të Kosovës është anulimi i takimit të Komisioni Evropian dhe Kosovës në një nënkomision në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

Anulimi i mundshëm i këtij takimi do të ishte një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e Brukselit ndaj Prishtinës, për shkak të mosrespektimit të kërkesave ndërkombëtare lidhur me shtensioimin e situatës në veri të Kosovës.

blank

Vuçiq: Askush përveç komunitetit serb nuk ka të drejtë të bëjë propozim për Asociacionin

Radio Evropa e Lirë

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i bëri thirrje Kosovës që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarë të komunave në veri të vendit, derisa të arrihet autonomi më e madhe për serbët etnikë, që përbëjnë shumicën lokale dhe të cilët bojkotuan votimet paraprake.

“Të gjithë serbët në veri e mendojnë Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti”, tha Vuçiq në një intervistë për Reuters-in, më 9 qershor.

Ai tha se “dikush duhet ta marrë situatën nën kontroll dhe të organizojë zgjedhjet (e reja) atje”.

Javën e kaluar, dhuna shpërtheu në veri të Kosovës, pasi kryetarët e komunave, shqiptarë etnikë, u vendosën në objektet komunale, në komunat e banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën në prill, në të cilat pjesëmarrja ishte vetëm 3.5 për qind.

Si përgjigje ndaj trazirave, në të cilat protestuesit serbë u përleshën me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët, Serbia i vuri forcat e saj të armatosura në gatishmërinë më të lartë luftarake. Ndërkaq, NATO dërgoi përforcime në misionin e saj në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Prishtinës që të organizojë zgjedhje të reja rajonin me shumicë serbe, në mënyrë që të qetësohen tensionet, ndërkaq Serbia të braktisë gatishmërinë luftarake dhe të largojë trupat nga kufiri me Kosovën.

Megjithatë, Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë do të duhet të bëjnë disa lëshime për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja.

“Ende nuk kemi një asociacion të komunave serbe, ende nuk ka tërheqje të forcave speciale të policisë (shqiptarëve të Kosovës) dhe kryetarëve të komunave”, tha Vuçiq.

Marrëveshja, tash e 10 vjet e vjetër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashikonte që serbët në veri të themelonin Asociacionin e komunave vetëqeverisëse, në këmbim të njohjes së institucioneve të Kosovës, por marrëveshja nuk u zbatua kurrë, kujton Reuters.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se zona me shumicë serbe, në rast se do t’i jepej autonomi më e madhe në kuadër të Asociacionit të komunave, do të mund të organizojë referendum për bashkimin me Serbinë.

“Serbët (në veri) janë gjithmonë të gatshëm të bisedojnë, por ju duhet t’u ofroni atyre diçka”, tha Vuçiq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të këtij muaji, tha se vendi mund të mbajë zgjedhje të reja në komunat për të cilat bëhet fjalë, në qoftë se 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion, përmes të cilit kërkohen zgjedhjet.

Ajo, gjithashtu, akuzoi Serbinë për ndërhyrje.

Vuçiq ka deklaruar se “ajo që po thonë këta njerëz është tmerruese” dhe akuzoi Kurtin se nuk është gati për kompromis.

“Jam i sigurt se (Kurti) nuk do të investojë asnjë minutë nga koha e tij apo një pikë djerse për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.

Ai, gjithashtu shtoi se Serbia po shqyrton nëse do të zvogëlojë gatishmërinë e saj luftarake.

“Ne do t’i mbajmë trupat tona në gatishmëri të lartë dhe jo në gatishmërinë më të lartë luftarake, sepse kjo kushton shumë”, tha ai.

Vuçiq lidhur me propozimet për Asociacionin

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në intervistën për Reuters-in, më 9 qershor, se askush përveç komunitetit serb nuk ka të drejtë të bëjë propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Vuçiq përmendi se propozimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë paraqitur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri shqiptar Edi Rama, si dhe disa organizata joqeveritare.

“Asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë çfarëdo propozimesh. Propozimin e japin serbët dhe Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi në një konferencë për shtyp se më 7 qershor i ka përcjellë presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz draftin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, tha më 9 qershor se çdo kontribut konstruktiv në dialog, në të cilin diskutohet për Asociacionin, është i mirëpritur, por se dialogu është e vetmja platformë ku duhet të zhvillohet diskutimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët ka propozuar draftin e tij, duke u bazuar në shembullin e pozitës së serbëve në Kroaci.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga obligimet e Kosovës për të cilën BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistojnë më së shumti, dhe pajtimi për formimin e tij është arritur në vitin 2013, si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në intervistën për Reuters-in, Vuçiq tha gjithashtu se Serbia është duke negociuar blerjen e avionëve luftarakë Rafale nga Franca dhe forcimin e mëtejshëm të ushtrisë së saj me armë perëndimore.

Ai tha se Serbia mbetet në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe se ka arritur të balancojë politikën e saj të jashtme, për të mundësuar vazhdimin e marrëdhënieve miqësore me aleatët e saj historikë Rusinë dhe Kinën.

blank

Parlamenti i Republikës Sërpska u kërkon anëtarëve të OKB-së ta çnjohin Kosovën

Radio Evropa e Lirë

 

Parlamenti i Republikës Sërpska ka miratuar më 8 qershor “Rezolutën për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë”.

Shumica në trupin më të lartë legjislativ të entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë udhëhiqet nga Aleanca e Socialdemorkatëve të Pavarur e Millorad Dodikut, i cili njëherësh është presidenti i Republikës Sërpska.

Dodik nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe ka raporte të ngushta me zyrtarët në Kremlin dhe Beograd.

Për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe të dyja shtetet aplikojnë regjim të vizave për qytetarët e vendeve respektive.

Çfarë thuhet në tekstin e rezolutës?

Teksti i rezolutës mbështet të drejtën e Serbisë “për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin, që garantohet nga ligji ndërkombëtar” dhe rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta u propozua nga Nenad Stevandiq, president i Parlamentit të Republikës Sërpska, njëherësh kryetar i partisë Sërpska e Bashkuar, që është në koalicion me partinë e Dodikut.

Në tekst thuhet se Republika Sërpska “dënon aktivitetet terroriste të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të tyre, të cilat paraqesin kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë”.

Përveç rezolutës u miratuan edhe konkluzione, përmes së cilave, Republika Sërpska fton shtetet, anëtarët e OKB-së, të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që e njohin pavarësinë e Kosovës, të shqyrtojnë vendimin e tyre dhe të tërheqin njohjen për Kosovën.

Parlamenti i Republikës Sërpska po ashtu ka kërkuar që përfaqësuesit e këtij entiteti, që janë në institucionet e Bosnje e Hercegovinës, të iniciojnë marrjen e vendimeve që “do të dënonin shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe spastrimin e vazhdueshëm etnik të serbëve në Kosovë dhe Metohi nga shqiptarët e Kosovës dhe autoritetet e tyre”.

Parlamenti tha se do të dërgojë konkluzionet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Parlamentin Evropian.

Rezoluta dhe konkluzionet u mbështetën edhe nga partitë opozitare në Republikën Sërpska.

Kjo çështje u propozua që të vendosej në agjendën e Parlamentit të Republikës Sërpska pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.

Dhuna kulmoi më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

blank

Bërnabiq: Jam e gatshme të jap dorëheqje

Radio Evropa e Lirë

 

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se është e gatshme të japë dorëheqjen.

“Jam e gatshme dhe llogarisni se mund ta keni dorëheqjen time”, tha ajo gjatë një fjalimi publik së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ajo tha se mendon se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare deri në fund të vitit është zgjidhje për krizën dhe shtoi se opozita nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për takim.

Në muajt e fundit, në Serbi janë mbajtur disa protesta të thirrura nga një pjesë e opozitës që është e pakënaqur me përgjigjen e Qeverisë ndaj dy të shtënave masive në muajin maj, që lanë të vrarë 18 persona.

Bërnabiq tha se ka kryer detyrat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se rezultatet e ekzekutivit të saj janë të padiskutueshme.

“Jo gjithçka ishte perfekte, por ne bëmë më të mirën dhe mendoj se kemi rezultate që çdo qytetar, nëse është i sinqertë, mund të krenohet me to”, tha ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është e sigurt se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se pyetja e vetme është se kur do të mbahen ato.

Vuçiq tha se nuk do të ketë qeveri tranzitore.

Presidenti i Serbisë ftoi edhe një herë opozitën për të biseduar.

“Besoj se do të gjejmë bashkëbisedues. Nëse kjo nuk ndodh, do të shkojmë në zgjedhje, por Qeveria nuk do të zgjidhet në rrugë dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore”, tha Vuçiq.

Ndryshe, Bërnabiq ka marrë mandatin për të udhëhequr Qeverinë e re serbe në mesin e vitit 2022.

Atëbotë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur njoftoi për mandatimin e saj në krye të ekzekutivit, tha se Bërnabiq nuk do të qëndronte në këtë post në mandat të plotë, por gjatë vitit 2024 do të kishte ndryshime.

blank

Beograd, gjysmë ore takim i Escobar dhe Lajçak me Aleksandër Vuçiçin

Emisari amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak, ndodhen  tashmë në Serbi, ku takuan presidentin e këtij vendi, Aleksandër Vuçiç.

Siç njofton korrespondentja e RTK-së në Beograd, Anamari Repiq, në këtë takim  ndodhej edhe shefi i delegacionit të BE-së si edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Megjithatë, për dallim prej takimit të mbrëmshëm mes Escobarit e Lajçakut me Kurtin në Prishtinë, takim që zgjati rreth 2 orë, në Beograd ajo me presidentin serbe përfundoi për rreth gjysmë ore.

Gazetarja e RTK-së tha se nga ky takim ende nuk ka njoftim për media, megjithatë tha se nga deklarimet publike të presidentit të Serbisë, në rrjetet sociale, është kuptuar për temat e bisedës.

Ajo tha se Vuçiç ka shkruar se Serbia është e përkushtuar për partneritet në rajon dhe se sipas tij, “Prishtina duhet të përmbushë obligimet e saj me formimin e Asociacionit sipas marrëveshjes së Brukselit”.

Vuçiç ka shkruar në instagram se shtetet perëndimore që kanë ndikim te Kosova, mund ta detyrojnë të atë që t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara.

Duke cituar kreun e shtetit serb, gazetarja Repiq tha se ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta përmbushë obligimet  veta.

“Dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, ka shkruar Vuçiqi.

Megjithatë, gazetarja e RTK-së tha se për detaje më të sakta, pritet që më vonë të ketë edhe një komunikatë për media.

Ajo rikujtoi e ky takim është vazhdimësi e takimeve në të emisarëve amerikan e evropian në Kosovë,  dhe tani mendohet të bisedohet për situatën në veri, se cilat mund të jenë mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen për veri.

“Emisarët kanë kërkuar nga Beogradi, hapa konkret si tërheqja e ushtrisë nga afërsia e kufirit me Kosovën dhe uljen e nivelit të gatishmërisë ushtarake të ushtrisë serbe”, tha gazetarja e RTK-së.

“Ajo çfarë Beogradi zyrtar kërkon është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu”, tha ajo, duke rikujtuar se  pritet të shihen mesazhet e ndërkombëtarëve nga ky takim.

Ndërkohë, Vuçiç ka shkruar se nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit.

blank

Inflacioni në Turqi, nën 40 për qind për herë të parë sivjet

Lira turke.

Inflacioni vjetor në Turqi ka rënë nën shifrën 40 për qind në maj, për herë të parë që 16 muaj.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo ulje është nxitur nga oferta momentale e gazit falas për ekonomitë familjare.

Çmimet e konsumit janë rritur për 39.6 për qind në baza vjetore dhe kanë qenë pothuajse stabile me muajin paraprak, ka thënë Agjencia shtetërore e Statistikave.

Megjithatë, këto shifra zyrtare – të parat prej kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është betuar si president për një mandate të ri më 28 maj – janë duke u sfiduar nga ekonomistët e pavarur të Grupit Kërkimor për Inflacion në Turqi.

Sipas këtij grupi, norma vjetore e inflacionit shkon mes 105 deri më 109 për qind, varësisht nëse merret parasysh ofrimi falas i gazit.

Erdogan, i cili e ka nisur mandatin e tretë si president, ka thënë se luftimi i inflacionit do të jetë prioriteti i tij kryesor.

Inflacioni pati prekur shifrën 85 për qind, në vjeshtën e vitit 2022, para se të niste rënia më vonë.

Ndonëse çmimet vazhdojnë të rriten çdo muaj, trendi është shumë më i ngadalshëm sesa në vitin paraprak.rel

blank

Kryeministrja e Serbisë ia lë ‘topin’ Vuçiçit: Jam e gatshme të jap dorëheqjen, por presidenti refuzon

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, ka thënë se është e gatshme të japë dorëheqjen.

Megjithatë ajo ka shtuar se kjo nuk është pranuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ndër të tjera shtoi se nuk është kundër zgjedhjeve.

“Duke marrë parasysh shkrimet e mediave, për të qenë të qartë, në çdo moment jam gati të jap dorëheqjen si kryeministre dhe presidenti i Serbisë Vuçiç e di këtë dhe për momentin refuzon. Ndoshta ai do të ndryshojë mendje”,  shkruan ajo në Twitter.bw

blank

Vuçiç: Nuk e dorëzoj pushtetin pa zgjedhje, jam gati edhe të vdes

Prej disa ditësh në Serbi janë zhvilluar protesta masive, pas masakrave ku mbetën viktimë të paktën 18 persona.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar sot një takim me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç dhe një pjesë të bashkëpunëtorëve, ndërsa ka deklaruar se është gati të vdesë, por nuk e dorëzon pushtetin pa pasur zgjedhje.

“Të gjitha zgjedhjet do t’i bëj, jam ngopur me të gjitha mashtrimet, jam gati të vdes, nuk kam frikë fare! Ja, po pres që ata frikacakët të vijnë të më vrasin, por atyre nuk do t’u dorëzoj kurrë pushtetin pa zgjedhje”,  ka thënë Vuçiç gjatë mbledhjes, shkruajnë mediat serbe.bw

blank

Media kroate: Vuçiçi po i drejtohet popullit njësoj si Millosheviçi para se të rrëzohej nga pushteti

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i sugjeroi opozitës, një ditë pas protestave të pesta masive, ku kërkohej edhe dorëheqja e tij nga posti i kreut të shtetit, të propozojë në parlament një referendum për votëbesimin ndaj Presidentit të Republikës, por i siguroi se asgjë nuk do të ndryshonte.

Vuçiç u tha gazetarëve se nëse opozita nuk ka vota të mjaftueshme, nisma do të mbështetet nga koalicioni qeverisës dhe më pas qytetarët do të vendosin në referendum.

 

Pas protestës së zhvilluar të shtunën, Vuçiç ka reaguar disa herë në rrjetet sociale.

Në një video-mesazh në Instagram, ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që “të bashkohen pavarësisht dallimeve”.

blank

Mëngjesin e së dielës, në Instagram pasoi një mesazh i dytë me të njëjtën intonacion me thirrje për unitet dhe veprim të përbashkët.

 

“Askush nga jashtë nuk po e rrënon Serbinë, por po e rrëzon një Vuçiç për shkak të Serbisë. Për ta është e rëndësishme që Serbia të jetë sa më e dobët. Ne duhet të punojmë që Serbia të jetë më e fortë,”tha Vuçiç.

 

Krahasimet e mesazhit të Vuçiçit me një deklaratë pothuajse identike të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç para se të rrëzohej nga protestat më 5 tetor 2000 pas zgjedhjeve në të cilat ai refuzoi të pranonte humbjen.

 

“Ata nuk po e sulmojnë Serbinë për shkak të Millosheviçit, por po e sulmojnë Millosheviçin për shkak të Serbisë”, tha në atë kohe  Millosheviç.

 

Që nga fillimi i protestave masive, Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se qeveria nuk do të ndërrohet në rrugë, dhe ka theksuar se nuk do të ketë qeveri kalimtare dhe as nuk do të nënshkruajë asnjë vendim të tillë për aq kohë sa të jetë gjallë.

Në prill të vitit 2022, Vuçiç fitoi një mandat të dytë presidencial pesë-vjeçar me më shumë se dy milionë vota në raundin e parë.

blank

Dhjetëra mijëra serbë ngrihen në këmbë: Vuçiç ik!

Dhjetëra mijëra serbë protestojnë kundër qeverisë në Beograd

Dhjetëra mijëra qytetarë serbë u mblodhën të shtunën për protestën e pestë antiqeveritare brenda një muaji në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, pas dy masakrave radhazi ku u vranë 18 persona, gjysma e tyre fëmijë.

Protestat “Serbia kundër dhunës” kanë evoluar në disa prej mitingjeve më të mëdha që kur demonstratat e përhapura shkaktuan rënien e të fortit Slobodan Millosheviç mbi dy dekada më parë.

Protestat erdhën pas masakrave në fillim të majit që lanë 18 të vdekur dhe plagosur disa të tjerë. Nëntë nga të vdekurit ishin nxënës në një shkollë fillore në Beograd, të cilët u qëlluan me armë nga një nxënës 13-vjeçar.

Demonstratat janë shprehje zemërimi të fortë ndaj partisë në pushtet mbi atë që protestuesit thonë se është një kulturë dhune, e nxitur nga qeveria dhe mediat që ajo kontrollojn.

“Unë jam këtu për të gjithë ne, veçanërisht për fëmijët e mi. Kështu që ata nuk kanë nevojë të protestojnë, por të punojnë dhe të jetojnë në vendin e tyre ashtu siç duhet,” tha matematikanja 33-vjeçare Bojana Popovic për AFP gjatë mitingut.

Protesta e kësaj jave, e organizuar nga disa parti opozitare pro-evropiane, fillimisht ishte planifikuar për të premten, por u zhvendos si një masë paraprake pasi grupet e ekstremit të djathtë njoftuan edhe ato pjesëmarrjen.

Demonstruesit duan gjithashtu që qeveria të revokojë licencat e transmetimit të kanaleve televizive që promovojnë përmbajtje të dhunshme dhe një ndalim të gazetave pro-qeveritare që nxisin tensione duke synuar disidentët politikë.

Ata kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm dhe kreut të shërbimit inteligjent.

Protestat fillimisht ishin të qeta, por u shndërruan në një protestë të plotë antiqeveritare pasi kërkesat e tyre u pritën me kundërshtime të ashpra nga Presidenti dhe aleatët e tij, të cilët talleshin me mitingjet dhe i ofenduan pjesëmarrësit.

Kritikët kanë akuzuar për vite me radhë presidentin serb Aleksandar Vuçiç se po mbështetet gjithnjë e më shumë në masat autokratike për të mbajtur opozitën në kaos dhe nën kontrollin e tij mediat dhe institucionet shtetërore.

Vuçiç i hodhi poshtë protestat si një marifet “politik” dhe ngriti teori konspirative rreth fuqive të huaja që dyshohet se orkestrojnë tubimet.

Udhëheqësi 53-vjeçar populist rrëzoi gjithashtu një pjesë të kërkesës së opozitës për një qeveri kalimtare përpara zgjedhjeve të reja, duke thënë se kjo nuk do të ndodhte “për sa kohë që jam gjallë”./SYRI.NET

blank

Erdogani betohet si president edhe për një mandat pesëvjeçar

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është betuar të shtunën për mandatin e ri presidencial në Ankara.

Teksa e ka lexuar betimin, ai ka thënë se do t’iu përmbahet vlerave të republikës laike dhe do t’i mbrojë të drejtat e njeriut.

Teksa blloku qeveritar e ka duartrokitur, pjesëtarë të opozitës nuk janë ngritur në këmbë, në momentin e betimit, si shenjë proteste.

Erdogan i ka fituar zgjedhjet presidenciale më 28 maj, në rundin e balotazhit, duke i siguruar edhe pesë vjet në pushtet.

Ai veçse është në krye të Turqisë që gati 20 vjet.

Opozita e ka kritikuar presidentin 69-vjeçar, për ato që i konsideron tendenca “autoritare” të tij, si dhe për fushatë të padrejtë zgjedhore.

Presidenti turk tani pritet të vizitojë gjatë ditës mauzoleun e themeluesit të republikës moderne turke, Mustafa Kemal Ataturk, si dhe të takohet me mysafirë të huaj në pallatin presidencial për një darkë speicale.

Të shtunën, Erdogan do ta prezantojë kabinetin qeveritar.

Më shumë se 30 krerë shtetërorë dhe kryeministra janë pjesë e ceremonisë në Ankara – në mesin e tyre edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Të premten, Parlamenti i ri turk e ka mbajtur seancën e parë, pas rrethit të parë të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 maj.

Erdogan dhe aleatët e tij, formojnë një bllok të madh në parlamentin me 600 ulëse.

Megjithatë, atyre u mungon shumica e nevojshme për të kryer ndryshime ligjore.

Presidenti më pas mund t’i miratojë disa ndryshime ligjore përmes dekretit, për shkak të fuqive ekzekutive që i janë dhënë kësaj pozite, prej vitit 2018. rel

blank

Tensionet në veri- Turqia dërgon një batalion komando në Kosovë me kërkesë të NATO-s

Nisur nga tensionet në veri të Kosovës, Turqia do të dërgojë një batalion komando në Kosovë si njësi rezervë, me kërkese të NATO-s.

Njesia do të tranferohet në kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 4-5qershor.

Në deklaratën e Ministrisë së Mbrotjes turke thuhej:

“Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global në kuadër të misioneve të saj të OKB-së, NATO-s, BE-së dhe OSBE-së dhe marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë kontekst, Vendi gjithashtu monitoron nga afër zhvillimet në Ballkan, ku kemi vlera të përbashkëta historike dhe kulturore, merr qëndrim konstruktiv dhe u bën thirrje palëve për përmbajtje për zgjidhjen e ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës mike dhe vëllazërore, të cilat dëmtojnë rajonin, sigurinë dhe stabilitetin, përmes dialogut.

Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë , një batalion komando i lidhur me komandën tonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Kırklareli), i cili më parë ishte caktuar në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), u caktua si njësi rezervë, në bazë të kërkesës së bërë nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s/Napoli (Itali). Është planifikuar transferimi i njësisë sonë të caktuar në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 4-5 qershor 2023. ” syri.net


Send this to a friend