VOAL

VOAL

At Gjon Shllaku kur mbronte Fishtën: Nuk e dorëzoi Shqipërinë

August 7, 2018
2 Comments
  • author avatar
    Shkambi 8 years ago Reply

    Mbi të gjitha falenderoj nga zemra Françeskanët Át Vitor Demaj, Át Mirash Marinaj, që me dashni sollën gjana të reja për martirin e Atdheut, Dijes dhe Fesë At Gj. Shllaku në gjuhën gege, ku të meshtarët italjan dhe në krye prifti Gjergj Meta ka sulmue keqas gjuhën gege si anakronike dhe e damshme per kohën e tjera idjotizmat e tij, i njohun si sherbtor i tiranës dhe i vatikanit!

Komentet

Nga pesha e moshës te pavdekësia e fjalës, profili i Jusuf Buxhovit në 80-vjetorin e lindjes- Nga Emin AZEMI

Tani që Jusuf Buxhovi shënoi tetë dekada jetë, profili i tij intelektual shpërfaqet në krejt përmasën e vet si institucion i gjallë i kulturës sonë. Ky përvjetor vjen si mundësi e çmuar për të analizuar opusin e gjerë që ka ndikuar thellë në tri fusha të ndryshme: gazetari, letërsi dhe historiografi. I formësuar nëpër fazat më dramatike të Kosovës, Buxhovi ndërtoi profil unik intelektual ku guximi i dëshmitarit shkrihet me finesën e shkrimtarit dhe saktësinë e historianit. Vepra e tij e pasur dhe voluminoze mbetet akt i fuqishëm i kujtesës dhe i rezistencës kulturore, duke i dhënë mendimit shqiptar dimension të ri dhe plotësisht europian.

Opusi i gjithanshëm i Jusuf Buxhovit, në këtë prag të tetëdhjetëvjetorit të lindjes, kërkon një rikthim të vëmendjes te mjedisi jetësor dhe kulturor që formësoi profilin e tij intelektual dhe krijues. Me rrënjë të lidhura fort mes Pejës, Gjakovës dhe Ponoshecit, ku lindi më 4 gusht 1946, ai u rrit në një Kosovë që po përpiqej të konsolidonte hapësirën e vet kulturore nën trysninë e rrethanave të reja politike. Ai përfundoi studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1968, në një kohë kthesash të mëdha kombëtare, ndërsa po aty kreu studimet pasuniversitare në degën e Historisë dhe magjistroi në vitin 1979 me temën mbi Lidhjen Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane.

Mendimtari i madh francez Paul Ricoeur shkruan se kujtesa është një veprim aktiv që rindërton identitetin tonë ekzistencial. Te Buxhovi kjo rindërtim profesionale nisi si një kronikë e pastër e rezistencës intelektuale. Jeta e tij shfaqet si një urë lidhëse mes mendimit europian dhe dramës së Kosovës. Kjo rrugë kalon përmes punës si gazetar i kulturës dhe korrespondent i përhershëm i gazetës „Rilindja“ në Bon të Gjermanisë, duke u përmbyllur me angazhimin e tij si një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989. Tetëdhjetëvjetori e gjen atë në tavolinën e punës, duke përgatitur librin e tij të ri me memoare si një dëshmi e gjallë e dy epokave të mëdha historike.

Kronologjia e botimeve letrare

Krijimtaria e Buxhovit lëvizi nga format e vogla tregimtare drejt strukturave komplekse të romanit historik e psikologjik. Rrugëtimi i tij bibliografik zbulon një disiplinë pothuajse asketike të shkrimit.
Në vitet shtatëdhjetë ai hodhi hapat e parë me vëllimet me tregime „Cirku“ në vitin 1972 dhe „Pioni“ në vitin 1975. Shpërthimi i vërtetë erdhi me romanin „Matanëkrena“ në vitin 1976, i cili tronditi strukturat tradicionale të prozës në Kosovë. Kjo periudhë u pasua nga vëllimi kritik „Çaste“ në vitin 1978  dhe drama „Dinozauri“ në vitin 1979.
Vitet tetëdhjetë shënojnë dekadën e pjekurisë së plotë letrare. Romani „Loja“ i vitit 1980, paraprin kryeveprën e tij mit titull „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të botuar në vitin 1982, i cili u kthye në paradigmë të romanit shqiptar. Më pas vijuan romanet „Ura e Kusturit“ në vitin 1984  dhe triptiku monumental „Libri i të mallkuarve“ në vitin 1986.
Në vitet nëntëdhjetë e tutje, autori kaloi drejt tranzicionit dhe postmodernitetit. Pasuan romanet e internalizimit dhe thyerjes formale si „Prandvera e Zezë“ në vitin 1995. Shekulli i ri solli botime të tjera të rëndësishme si „Libri i Gjakovës“ në vitin 2008, „Lufta e fundit e Bashkim Kosovës“ në vitin 2011, „Dosja e hapur“ në vitin 2012, „Jeniçeri i fundit“ në vitin 2013 [1] dhe „Dosja B“ në vitin 2016.
Rrugëtimit të tij nuk i mungoi ritmi as në vitet në vijim. Autori hapi një cikël të ri krijues që zbron drejtpërdrejt në realitetin e përmbysur shoqëror. Në këtë frymë, ai botoi romanin psikologjik „Dushkaja“ në vitin 2018, një vepër që funksionon si një pasqyrim i kaosit të përditshmërisë në një vend të pasluftës. Ky cikël u përmbyll me romanin „Mona“ të botuar në qershor të vitit 2020, ku shkrimtari analizon me mjete letrare çlirimin pa liri dhe bipolaritetin social e kulturor të shoqërisë së sotme në Kosovë.
Pas romanit „Mona“, Jusuf Buxhovi e ka zgjeruar dhe thelluar edhe më tej projektin e tij mbi anatomizimin letrar të shoqërisë dhe tranzicionit shqiptar.
Në shtator të vitit 2023, autori botoi romanin e tij më të ri me titull „Mendim Drini“. Kjo vepër ndjek fatin e një personazhi që mban emrin e vetë titullit të librit, i cili shfaqet si një lloj alter-egoje narrative për të skanuar krizat shpirtërore, politike dhe morale të kohës sonë. Përmes këtij romani, Buxhovi vazhdon traditën e tij të njohur të thyerjes formale dhe të intelektualizmit metafizik, duke e çuar sagën e tij të vëzhgimit shoqëror deri në ditët e sotme.
Tash së fundmi, autori nxori nga shtypi librin e tij voluminoz të kujtimeve dhe dëshmive me titull „Pasluftat e mia (1946–1999 dhe 2000–2026)“. Ky libër, i strukturuar si një përmbledhje me memoare, biseda dhe dokumente, sjell një rrëfim të drejtpërdrejtë mbi dy epokat më përcaktuese të historisë moderne të Kosovës. Ai analizon me syrin e dëshmitarit dhe të protagonistit, rrugëtimin e vështirë të popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

Poetika e shkrimit, veçoritë e krijimtarisë letrare

Letërsia e Jusuf Buxhovit refuzoi me forcë dogmat e realizmit socialist që ngulfatën Shqipërinë administrative. Ai gjithashtu shmangu folklorizmin mbytës që rrezikonte letërsinë në Kosovë. Autori zgjodhi postmodernizmin e gërshetuar me parimet e romanit të madh historik europian.
Fjalia e tij karakterizohet nga një densitet i lartë filozofik. Ai përdor me mjeshtëri teknikën e palimpsestit, ku nën tekstin e dukshëm fshihen shtresat e historisë, kodet mesjetare, hermetizmi dhe mistika. Personazhet e Buxhovit, ku shquhet Gjon Nikollë Kazazi, shfaqen si alegori të mbijetesës njerëzore përballë murtajave ideologjike dhe fizike. Gjuha e tij përdor një sintaksë që refuzon linearitetin klasik. Ajo përmban thyerje, kthesa dhe një muzikalitet të brendshëm që kërkon një lexues aktiv në zbërthimin e kuptimeve.

Puna hulumtuese dhe botimet historiografike

Si historian, Buxhovi solli një thyerje epokale në historiografinë shqiptare. Pas punës së gjatë hulumtuese në arkivat e huaja, veçanërisht në ato gjermane, ai ndërtoi një qasje të zhveshur nga mitet romantike dhe nga deformimet ideologjike të periudhës komuniste. Punimi i tij bazohet krejtësisht në rigorozitetin e dokumentit arkivor. Filozofi francez Michel Foucault, kur flet për konceptin e arshivës, thekson se historia nuk duhet të jetë një përsëritje e thashethemeve zyrtare, por një zbulim i strukturave të pushtetit. Buxhovi ndjek pikërisht këtë rrugë hulumtuese për të sfiduar mitet dhe dogmat e ngulitura.

Hapat e tij të parë shkencorë nisin me studimin monumental mbi „Kongresi i Berlinit 1878“, i botuar fillimisht në vitin 2008 dhe i rishikuar si „Kongresi i Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare“ në vitin 2012. Në këtë vepër, ai zbardh rolin e diplomacisë europiane dhe analizat e kancelarit Otto von Bismarck, duke sjellë dokumente të papublikuara që ndriçojnë rezistencën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kulmi i veprimtarisë së tij historiografike shënohet me projektin enciklopedik „Kosova“, i cili fillimisht doli në dritë në vitin 2012 si një triptik vëllimesh. Ky projekt u zgjerua më vonë në pesë vëllime kapitale gjatë viteve 2012-2015, për t’u kurorëzuar përfundimisht në një botim monumental prej tetë vëllimesh dhe mbi pesë mijë faqesh. Në këtë vepër, autori rishikon në mënyrë të detajuar Antikitetin, Mesjetën, periudhën osmane, Konferencën e Londrës dhe rrugëtimin e Kosovës përmes tmerreve të ish-Jugosllavisë deri te shpallja e shtetësisë moderne. Buxhovi e vendos Dardaninë në qendër të antikitetit ballkanik, duke treguar se Kosova nuk ishte aneks, por subjekt dhe epiqendër e historisë etnike shqiptare.

Në vitin 2020, autori botoi studimin „Dardania – antika, mesjeta“, një punim që rishikon lidhjet e thella mes qytetërimit pellazgo-ilir dhe shtatësisë dardane, duke demistifikuar pretendimet e historiografisë serbe mbi kishat ortodokse dhe të ashtuquajturin shtet mesjetar serb. Kjo frymë vazhdoi me veprën „Maqedonia nga antika deri te koha jonë“, e botuar në vitin 2021 dhe e përkthyer në gjuhën angleze në vitin 2023 nga shtëpia botuese amerikane „Jalifat Publishing“. Përmes këtij libri, Buxhovi argumenton se Maqedonia, Dardania dhe Epiri përbënin trinomit mbretëror ilir në antikitet.

Rrugëtimi i tij historiografik plotësohet me dy botime të tjera sintetike me vlerë të madhe pedagogjike dhe shkencore. Libri „Kosova – histori e shkurtër“, i botuar dhe i plotësuar në vitin 2024, funksionon si një udhërrëfyes i ngjeshur për studentët dhe studiuesit e huaj. Po ashtu, një vend të rëndësishëm zë libri i tij dokumentar i vitit 2026 i titulluar „Pasluftat e mia“. Buxhovi guxoi të prekte tabu akademike dhe kritikohet shpesh prej qarqeve që mbrojnë dogma të vjetra, mirëpo botimet e tij mbeten një uragan dokumentar që bën thirrje për rishkrimin e plotë të historisë së Ballkanit.
Vepra historiografike e Jusuf Buxhovit, që nga çasti i botimit të vëllimeve të para të projektit „Kosova“, ka funksionuar si një tërmet metodologjik në mjedisin shkencor shqiptar dhe atë ballkanik. Ky korpus voluminoz nuk u prit si një studim i qetë akademik, por ngriti valë të mëdha diskutimesh, duke u ballafaquar me dy rryma krejtësisht të kundërta të vlerësimit.

Kritikë dhe mendimtarë jashtë rretheve të ngurta akademike e pritën veprimtarinë e tij si një akt çlirimi kombëtar nga klishetë e vjetra ideologjike. Ata theksojnë se Buxhovi arriti të zhvishte periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës nga interpretimet e njëanshme sllave, duke i kthyer Kosovës statusin e bërthamës shpirtërore të shqiptarizmit.

Në anën tjetër, reagimet institucionale jashtë dhe brenda Kosovës shfaqën një natyrë mjaft refuzuese e shpesh polemizuese. Historiografia zyrtare në Serbi e sulmoi menjëherë projektin, duke e deklaruar atë si një përpjekje pa baza shkencore që synon të zhvlerësojë mitet mesjetare serbe mbi Kosovën. Megjithatë, reagimi më delikat erdhi nga vetë rrethet e ngurta akademike në Prishtinë dhe Tiranë. Disa historianë tradicionalë e akuzuan autorin për një qasje skajshmërisht romantike dhe për guxim të tepruar në kapërcimin e periudhave kohore, duke pretenduar se tezat e tij mbi etnogjenezën iliro-dardane përmbysin studimet e konsoliduara deri më sot. Kjo xhelozi klanore shkoi deri aty sa institucione të caktuara arsimore tentuan ta izolonin apo ta mënjanonin autorin nga programet zyrtare të përvjetorëve kombëtarë.
Pritja e veprës jashtë hapësirës shqiptare administrative mori një dimension krejtësisht tjetër, sidomos me botimet në SHBA përmes shtëpisë botuese „Jalifat Publishing“. Përkthimi në gjuhën angleze i vëllimeve të „Kosovës“ dhe „Maqedonisë“ u prit me interesim të veçantë nga studiuesit perëndimorë dhe qendrat universitare amerikane, të cilat panë aty një burim alternativ dokumentar, të paprekur nga propaganda e diktatit të ish-Jugosllavisë. Ky interesim ndërkombëtar vërtetoi se puna e Buxhovit, pavarësisht polemikave lokale, arriti ta kthente çështjen e historisë së Kosovës nga një objekt diskutimi rajonal në një subjekt të mirëfilltë të shkencës europiane.

Simbioza e dy botëve, gërshetimi i historisë me letërsinë dhe gazetarinë

Teoricienti  i madh Hayden White në studimet e tij mbi Metahistorinë argumenton se historia dhe letërsia ndajnë të njëjtat struktura narrative. Te Buxhovi ky gërshetim funksionon si një natyralitet i plotë profesional.

Kur shkruan letërsi, ai shfrytëzon përvojën e historianit për të krijuar atmosferën e saktë të epokës, duke shmangur me kujdes anakronizmat e kohës. Kur shkruan histori, ai shfrytëzon plastikën dhe mprehtësinë e stilit të shkrimtarit për t’i bërë dokumentet e ftohta të flasin me zërin e gjallë të njerëzve. Historia i jep letërsisë së tij vertikalitetin e së vërtetës, ndërsa letërsia i fal historisë horizontin e pafundëm të kuptimit njerëzor.

Në profilin intelektual të Jusuf Buxhovit, gazetaria, letërsia dhe historia nuk janë reparte të ndara me mure të padepërtueshme. Ato funksionojnë si enë komunikuese. Buxhovi gazetarinë e ka pasur bukë, ndërsa letërsinë ujë. Ky gërshetim bëri që gazetaria t’i jepte atij dinamikën e jetës, kurse letërsia ndjenjën dhe formësimin estetik.

Në këtë pikëtakim të rëndësishëm intelektual, Buxhovi ndjek matricën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Gabriel Garcia Markez, Ernest Hemingvej apo Dino Buzzati, të cilët rrugëtimin e tyre krijues e kalitën pikërisht përmes shqisës së mprehtë të gazetarit të terrenit. Përvoja e tyre dëshmon se kronika e përditshme nuk është thjesht një regjistrim i përkohshëm ngjarjesh, por një laborator i vërtetë i njohjes njerëzore ku shkrimtari mëson të kapë detajin, të vëzhgojë krizat dhe të zbërthejë mekanizmat e pushtetit në çastin e lindjes së tyre. Gazetaria te Buxhovi funksionon si kapja e faktit të menjëhershëm dhe e aktualitetit politik në gjendje të nxehtë, duke krijuar kështu arkivën e parë të gjallë të jetës.

Mbi këtë lëndë të parë të dokumentuar, ndërhyn shqisa e dytë e profilit të tij, ku letërsia e shndërron faktin e ftohtë gazetaresk në një përjetim të thellë ekzistencial, duke i dhënë ngjarjes kalimtare një përmasë universale përmes metaforës dhe artit. Megjithatë, ky rrugëtim nuk ndalet në rrafshin e fiksionit letrar, sepse në instancën e fundit vjen historiani, i cili e vendos këtë përjetim artistik dhe atë dëshmi gazetareske në kujtesën e përjetshme të popullit. Përmes kësaj simbioze, trinomi i tij krijues arrin të shpëtojë ngjarjen nga vdekja që sjell harresa, duke treguar se si e djeshmja politike kthehet në artin e së sotmes dhe në historiografinë e palëkundur të së nesërmes.

Gazetari Buxhovi edukoi shqisën e vëzhgimit të mprehtë dhe guximin për të dëshmuar në kohë të vështira. Shkrimtari Buxhov i i dha atij mjetet stilistike për të depëutrar në psikologjinë e thellë të masave, kurse historian Buxhovi erdhi si një instancë e lartë etike, e cila refuzon t’ia lërë të kaluarën mëshirës së harresës. Këto tri fusha bashkëjetojnë si një trinom i pandashëm ku secili profil plotëson dhe pasuron tjetrin.

Vendi i Jusuf Buxhovit në letrat shqipe

Jusuf Buxhovi i përket brezit të viteve shtatëdhjetë të letërsisë shqipe në Kosovë (i njohur në kritikën letrare edhe si brezi i modernizimit apo brezi i rilindjes letrare), ku bënin pjesë edhe autorët Teki Dërvishi, Ali Podrimja, dhe Beqir Musliu. Ky brez kreu modernizimin rrënjësor të letërsisë sonë, duke e shkëputur atë nga provincializmi rural dhe duke e hapur drejt rrymave të mëdha letrare  botërore.
Vlerat specifike që Buxhovi solli në letrat shqipe nisin me demitologjizimin e tekstit historik, duke e kthyer historinë në një hapësirë dyshimi dhe filozofimi. Ai solli gjithashtu intelektualizmin metafizik, ku romanet e tij shtrojnë ide të mëdha ekzistenciale. Përmes kësaj qasjeje, ai tregoi se Kosova mund të prodhonte letërsi me standarde të larta europiane.

Vlerësimet kritike dhe polifonia e recepimit

Vepra e Buxhovit ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së kritikës serioze përgjatë gjithë gjeografisë shqiptare. Ibrahim Rugova shihte te „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ imunitetin autokton të kulturës sonë, duke zbuluar një matricë identitare që i bën ballë tjetërsimit. Në të njëjtën linjë institucionale, akademiku Sabri Hamiti e ka përcaktuar prozën e Buxhovit si një hapësirë ku imagjinimi historik shndërrohet në shpirtëzim të pastër të historiografisë, duke i dhënë tekstit një vertikalitet të ri.

Nga ana tjetër, akademiku Ali Aliu ka nxjerrë në pah kapërcimet e mëdha estetike të këtij autori, duke e pozicionuar brenda prurjeve më emancipuese të brezit të tij. Një ndihmesë të jashtëzakonshme në sistemimin e këtij opusi ka dhënë Ramadan Musliu, i cili shërbeu si redaktor dhe mentor i fjalës së fundit për shumë vepra të tij. Musliu, në studimet e tij mbi psikohistorinë e Buxhovit, vëren se romanet e tij si „Jeniçeri i fundit“ funksionojnë si një katarsë kombëtare. Ai po ashtu e vlerësoi projektin pesëvëllimësh „Kosova“ si një vepër kapitale historiografike që rindërton arkivën tonë kulturore.

Ndërkaq, shkrimtari Visar Zhiti ka vlerësuar me tone të larta esejistike natyrën ekzistenciale dhe dimensionin e vuajtjes njerëzore që përshkon prozën e Buxhovit, duke e parë shkrimin e tij si një dëshmi të pacenueshme lirie. Po ashtu, shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj është ndalur te raporti i thellë gjeo-kulturor dhe epistemologjia e diktaturës që autori zbërthen në botimet e tij të fundit, duke e konsideruar Buxhovit si një nga zërat më përfaqësues të vetëdijes sonë moderne letrare.

Në planin ndërkombëtar, vepra e tij ka kaluar kufijtë gjuhësorë. Romane të tij si „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ dhe „Libri i të mallkuarve“ janë përkthyer dhe botuar në gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht, duke bërë që bota të njohë finesën e mendimit tonë letrar.

Kjo trashëgimi intelektuale e krijuese dëshmon për një profil të rrallë autori i cili refuzoi çdo lloj kompromisi me harresën kolektive dhe me plogështinë akademike. Për Buxhovin, shkrimi shfaqet si një akt i ndërgjegjshëm rezistence kulturore, ku prirja estetike dhe profesioni gërshetohen me misionin etik. Kjo rezistencë shtrihet në dy binarë të pandashëm, ku në njërën anë mbrohet vertikaliteti i identitetit kombëtar përballë rreziqeve të tjetërsimit, ndërsa në anën  tjetër synohet integrimi i plotë i vetëdijes shqiptare në horizontin e vlerave universale europiane. Përmes këtij përkushtimi asketik ndaj dokumentit dhe fjalës artistike, ai tregon se si kujtesa e shkruar mund të shndërrohet në mburojën më të fuqishme të një populli përballë stuhive që sjell koha.

Gusht, 2026

Kur Deçani i dha dorën Pogradecit- Nga Neki Lulaj

Erdita dhe Eldi kur dy të rinë për dashuri nuk njohin kufij

Ka çaste në jetë që nuk maten me orë, as me ditë, por me rrahjet e zemrës. Janë ato çaste kur gëzimi bëhet festë, kur loti i mallit përzihet me buzëqeshjen dhe kur dy familje, që deri dje nuk njiheshin, sot bëhen një.

Një ditë e tillë ishte kjo.

Nga Deçani, qyteti i historisë, i besës dhe i krenarisë së Dardanisë, morëm rrugën drejt Pogradecit, qytetit që prehet buzë liqenit si një perlë e lashtësisë shqiptare. Nuk na solli këtu as kureshtja e udhëtimit, as bukuria e natyrës. Na solli një arsye shumë më e madhe: dashuria.

Në këtë udhëtim nuk sollëm vetëm valixhe. Sollëm kujtime, emocione dhe copëza të shpirtit tonë. Sollëm atë që një prind e ruan më me fanatizëm se çdo pasuri tjetër – vajzën tonë, Erlindën, lulen e familjes sonë.

Nuk është e lehtë për një familje ta përcjellë bijën drejt një dere tjetër. Në atë çast zemra ndahet më dysh. Njëra pjesë mbetet në shtëpinë ku ajo u rrit, ndërsa tjetra e shoqëron përgjithmonë në rrugën e saj të re. Por kështu është jeta. Fëmijët nuk lindin për të mbetur gjithmonë pranë nesh; ata lindin për të ndërtuar lumturinë e tyre.

Dhe ne sot jemi të lumtur që Erlinda po e fillon këtë rrugëtim në një familje fisnike, duke lidhur jetën me Eldin, me besimin se dashuria e tyre do të jetë më e fortë se çdo sfidë që mund t’u sjellë koha.

Kjo martesë është shumë më tepër se bashkimi i dy të rinjve. Ajo është takimi i dy familjeve, i dy qyteteve dhe i dy anëve të së njëjtës zemër shqiptare. Deçani dhe Pogradeci sot nuk janë më vetëm emra në hartë. Ata janë bërë ura që lidhin njerëz, kujtime dhe breza.

Për shumë vite kufijtë u përpoqën të na ndanin. Historia ngriti pengesa, por nuk arriti kurrë të ndante gjuhën tonë, këngët tona, zakonet tona dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Sot, kur bijtë dhe bijat tona martohen nga njëra anë në tjetrën, duket sikur historia po shëron plagët e veta.

Dashuria po bën atë që shpesh nuk e arritën dot as traktatet, as marrëveshjet politike. Ajo po ndërton ura mbi lumenjtë e kohës dhe po i afron shqiptarët më shumë se kurrë.

Teksa shikoja të gjithë këta njerëz të mbledhur rreth së njëjtës sofër, më dukej sikur nuk kishte më as lindje e as perëndim, as kufij e as ndarje. Kishte vetëm fytyra të buzëqeshura, duar që shtrëngoheshin me sinqeritet dhe zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm.

Në atë çast kuptova se pasuria më e madhe e një kombi nuk janë vetëm malet, lumenjtë apo qytetet e tij. Pasuria më e madhe janë njerëzit që dinë të duan, të falin, të respektojnë dhe të ndërtojnë miqësi që zgjasin më shumë se një jetë.

Në emrin tim, si Neki Lulaj, vëllai i Xhevatit, dhe në emër të gjithë familjes Lulaj, falënderoj nga zemra familjen mikpritëse për fisnikërinë dhe dashurinë që na dhuruan.

Erlindës dhe Eldit u uroj që rruga e tyre të jetë gjithmonë e ndriçuar nga dashuria, mirëkuptimi dhe besimi. U bëftë shtëpia e tyre një vatër ku të mos mungojnë kurrë buzëqeshja, bekimi i Zotit, zëri i fëmijëve dhe ngrohtësia e sofrës shqiptare.

Dhe le të mbahet mend kjo ditë jo vetëm si dita kur u martuan dy të rinj, por si dita kur Deçani i dha dorën Pogradecit dhe kur dy familje u bënë një, nën bekimin e dashurisë dhe të kombit tonë shqiptar.

Nuk ishin thjesht dy duar që zgjaten te njëra-tjetra. Janë dy degët e pemës shqiptare, janë dy qoshet e një ode. Janë mali dhe liqeni që duken si vëlla e motër.

E fjala e mençur e poetit është kaq e brishte para kësaj bukurie. Ta gëzojmë!! Sot e mot.

Qoftë e bekuar kjo miqësi!

Qoftë e bekuar kjo martesë!

Qoftë i bekuar çdo hap që bashkon zemrat shqiptare.

 

Pogradec, 2 gusht 2026

PEISAZH GRUAJE- Nga RUZHDI GOLE

1.
T’ju them një të vërtetë:
Poezitë e mia
po i shkruan gruaja
në moshën e tretë.
Frymë tjetër prej gruaje
i ka shkruar
poezitë e mia
në moshën e dytë,
tani ajo është paksa
shumëçka mjegulluar
kujtim mjegulluar
nga sytë.
Në moshën e prozës
moshë të tretë
ç’mund
të shkruajmë
unë dhe gruaja
për valët dhe retë?
2.
Gruaja ime abetare
me një alfabet
të njëjtë dhe ndryshe
nga të tjerët,
e lexova vonë
farërave
ndonëse
gratë i njoha herët.
Gruaja ime bibliotekë
e gjitha e lexuar,
pafundësisht
shkronja
livadhe fletësh
troje, ngjarje
në vete
dhe tek mua.
Gruaja ime
është shtëpi
frymëmarrje
së rilinduri,
unë aty unë
ndonjëherë më pak
më shumë se i gjithi.
3.
S’po e shoh
një çast gruan,
Ajri në guzhinë
pi çaj
të ngrohet
drita
ngroh lulet
lulet zgjuar
flejnë
duke rrokur duart.
I shoh të gjitha
gjithçka shëndetshëm,
nga gjella nuhata
aroma
që shkuan
nga uji dëgjoj flatra
që s’do të k’puten
as nesër.
Po gruaja, ku është gruaja?
Ajër dhe dritë
duke rrokur
duart?!
4.
Peisazhi prej gruaje
përhera hijeshon
hijen edhe dritën,
përqafon perëndimin
pa perënduar
as mbrëmjen
as natën,
peisazhi prej gruaje
i huton të gjithë
i ngre të gjithë
në këmbë
edhe ndrojtjen
edhe frikën
ndonjerën e rrëzon
më shpejt se yjet
më ngadalshëm.
5.
Në gjithçka
tingëllojnë gratë
pa i rënë
asnjë vegle muzike,
ato janë orkestra
më me fat
se kudo janë
përhera
dëgjohen
prej të gjithëve.
Orkestrat e botës heshtin
përpara kësaj orkestre…
për ta dëgjuar burrat
veçanërisht burrat
që mburren se ata
vetëm ata
i mbajnë në këmbë
kontinentet.
6.
Në tezgjahe
vrapojnë gishtat
ngrihen velat
vela joshjesh
pa u dukur
kopshtet vilen,
kjo pëllëmbë
tezgjahu i mbrëmjes
thurr mbrëmjen
e përbotshme
velat valëve
gufojnë gjiret.
Gjithçka prej gruaje…
më afër zogjve
kopshteve
më larg, më lart statujave.
7.
Ajo vajzë, grua sot
herët më mundi
motit shkuar
kopësht,
kur zogjtë çukisnin
frutat pa i lënduar
kur mbrëmja
gjak pastër
jetonte
botë.
Ajo botë prej gruaje
jeton pak e ndjerë
tej përtejmë cak,
cipa e atij dimri
nën vete paprerë
s’ka tehe të tjerë
s’ka shpellë
por kopshte fryme
që shkundin
ndonjëherë
t’artën borë
zjarrmth.
8.
Andej jemi, përhera andej,
ndjehemi të këtushëm,
Deti e mban bluzën
veshur përhera
se përhera
ka ftohtë
edhe kur dimri
s’është dimër
neve
nënë diell
na dridhen buzët.
Mot’ i keq për motin
paj, i rëndë burrash
për gratë e nuset
mosmëkeq,
Mali
s’e tret borën
as në verë
shpuzërash
Vera
për nusegratë
pikon lotëvjeshtë.
9.
Përqafohemi çdo mbrëmje
pafund puthemi
lakuriq xhvesh,
besnikërisht
e pabesë nata
mes këmbëve tona
u bie këmborëve
të na mëshirojë
me fjalë qorre
se jemi fishkur
nga mesi e poshtë
(jo nga mesi përpjetë).
Protezë nata mban
mban syze
shpesh
neve na pyet
ajo vet është natë?
Ne
puthemi pafund
përhera stinë korrjesh
drapinjtë tanë
korrin
korrin natën dinake
të kambanave
qorre
buzëthatë.
10.
Nata urtë – urtë
merr teshat tona
symbyll i fsheh diku
shpejt i nder për fresk,
të vetat tesha nata
i bën lëmsh
kur flora
nga blu
bëhet syzezë.
Nata
në mëngjes
vesh teshat tona…
11.
Fryma kapërceu natën,
t’errta, më t’errta
pa fresk
veriget e padukshme
shpuzarake të vapës.
Frymë tjetër bisqet…
Do të flemë ne sonte?
Do të përqeshim dikë
do na përqeshin?
A do grindemi me natën
se nuk jemi ne
të shurdhërit
as gjysma
të verbërit?

IKONA E ZOJЁS SЁ KЁSHILLIT TЁ MIRЁ- Tregim nga ARTUR SPANJOLLI

 

1.

 

Ngjarja e pabesueshme ndodhi gjatë atyre Pashkëve të paharrueshme, dhe shumë vite më vonë, në vend që të harrohej, ajo u kujtua gjithnjë e më shumë.

Në atë epokë të madhe, prijësi shqiptar ishte tashmë në perëndim të jetës së tij. Ndaj hordhitë turke, me një tërbim të pashpirt e famëkeq, po dyndeshin gjithnjë e më shumë në tokat e Arbërit. Dihet se kohët e vështira sjellin gjithmonë ngjarje të mëdha. Ngjarje që ndajnë edhe vetë epokat dhe lënë shenja të pashlyeshme.

Pesëdhjetë vjet kishin kaluar që nga koha e atyre ngjarjeve aq të bujshme në Arbëri. Ishte viti 1517 dhe kohët ishin disi më të qeta. Gadishulli Italik ishte ende i lirë nga thundra osmane, por po kanosej gjithnjë e më shumë.

Manastiri i priftërinjve agustinianë, në Xhenazano, ngrihej fare pranë Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë. Ishte një mbrëmje e qetë pranvere, edhe pse bënte ende ftohtë. Një ftohtë i çuditshëm, sepse përgjithsisht në prill ajri ngrohej dhe kudo pranvera mbushte kodrat dhe fushat me ngjyra e aroma të freskëta lulesh. Por çuditërisht, atë vit i ftohti ende nuk kishte ikur. Për këtë arsye zjarri në oxhakun e madh të bujtinës së De Slavit nuk ishte shuar ende.

Plaku De Slavi rrinte ulur mbi një karrige druri të gdhendur. Ishte punuar aq mjeshtërisht sa njeriu habitej nga ornamentet e saj aq të sakta. Valenca ku mbështetej ishte e butë. Në dorë mbante një libër në gjuhën latine, ku lexohej edhe titulli: “De Obsidione Scodrensi”. Në prehër kishte dy libra të tjerë: “Mater Boni Consilii” dhe “Codex miraculorum”. Ishte plakur aq shumë vitet e fundit, sa dukej sikur nga çasti në çast do të përgjumej përjetësisht.

I kishte sytë e vegjël dhe në ata sy ndrynte një brengë pa fund. Ishte një brengë malli pa skaj.

Në çast dera u hap dhe një burrë i hijshëm e i gjatë u shfaq. Plaku rrinte mendueshëm. I kishte sytë e zbehur dhe flokët e gjatë, tërësisht të thinjur.

“Bir i dashur”, foli plaku i motshëm duke iu drejtuar djaloshit. “Ti e di se si na u trondit jeta, plot 50 vjet më parë. E ke dëgjuar mijëra herë historinë që më ndodhi mua dhe Gjergjit. Paqja e Jezusit qoftë mbi të! Ti e di, ai na la. Por ai më la edhe një amanet dhe unë, siç kemi folur bashkë herën e fundit, duhet ta kryej porosinë! Kam përgatitur gjithçka për t’u nisur.”

“Ke vendosur të kthehesh atje? Në tokën e etërve?    Në një tokë të cilës i ka rënë gjama e zezë prej vitesh? Tokë e shkelur nga turku mizor?!”

“Amaneti është amanet, bir. Askush nuk mund ta përmbushë amanetin përveç meje. Por jam shumë plak për të ndërmarrë vetëm një rrugëtim të tillë. Ndaj dua që të më shoqërosh.”

“Nuk do të lija kurrë vetëm, baba!”

“Bravo, bir! Të lumtë goja! Jeta e plakut është si një gjethe vjeshte, biri im. E fishkur dhe e dobët nga zverdhja e stinës, mjafton një fllad i lehtë dhe ajo mund të rrokulliset në dhé.”

“Por ti mundesh edhe ta lësh fare këtë amanet, babë! Ky vendim yt kaq këmbëngulës mund të jetë i rrezikshëm! Ti e di, atje vendi është plot me armiq. Vetë ma ke thënë që nuk na shohin me sy të mirë.”

“Ndëgjo, bir!” rrëfeu plaku, tani me zë të ulët. “Kam edhe mall t’i shoh ato vise para se të vdes. Aty ku njeriu ka kaluar fëmijërinë, aty edhe shpirti dëshiron të prehet i qetë. Kujtimet e viteve të fëmijërisë më ndjekin kudo, biri im. Përkundrazi. Sa më shumë plakem, aq më të forta dhe këmbëngulëse ato bëhen. Do të më ndjekin ndoshta edhe përtej; deri në fund të botës. Kudo që të shkoj, ato më rrinë mbi krye si një kryq e kënaqësi. Gjithashtu, vullneti i fundit i Gjergjit do të kryhet, bir. Përndryshe, nuk do të kem paqe nën dhé!”

Djali e dëgjonte me kujdes. Flakët e oxhakut, si koka gjarpërinjsh të ndezur, përkuleshin në ajrin e nxehtë, duke konsumuar vrullin e tyre në eter. “Nuk e di, babë. Nuk e di se ç’do të na presë atje. Mort apo gaz!”

“Biri im,” këmbënguli plaku. “Dy gjëra janë të rëndësishme në jetë: nderi dhe besa. Unë i kam dhënë besën Gjergjit. Porosia do të kryhet. Atje, me ndihmën e Zojës së Mirë, me siguri do ta gjejmë mikun e vjetër të Gjergjit, shpresoj të paktën. Dera e Bashajve dikur ishte një nga më të nderuarat në qytet. Ndaj, edhe pse turku është përzier me atë popull, besoj se do ta gjejmë njeriun të cilit i është adresuar letra e Gjergjit. I kam menduar të gjitha. Atje do të prezantohemi si tregtarë ikonash nga Venecia. Turku e ka mirë këtë periudhë me Venecian. Hajde pra, përgatitu dhe na qoftë udha e mbarë. Dhe Zoja e Këshillit të Mirë qoftë me ne!”

 

 

 

Kur plaku dhe i biri u ngjitën mbi anijen tregtare në portin e Leçes, nuk ishin fare në humor të mirë. Ishin të dy krejt të hirrosur nga një parandjenjë kobzeje. Ashtu si qielli përpara shtrëngatës, plaku shikonte detin pa fund të prillit.

Ndërsa djali i ri, i shtyrë gati me forcë për të kryer një mision të tillë, rrinte i heshtur dhe i zymtë si një rrasë varri.

Dukej qartë se nuk e kishte me dëshirë këtë udhëtim, por respekti i padiskutueshëm për të atin e kishte shtyrë ta shoqëronte në këtë udhëtim të mbrapshtë. Ishte një udhëtim që mund të kishte edhe të papritura. Dukej qartë se ai po shkonte fare pa qejf atje.

Ishte ajo një tokë për të cilën ai kishte dëgjuar të flitej që kur kishte qenë fare i vogël. Nuk e kishte shkelur kurrë. Një tokë nga e cila, me qindra e mijëra arbër, për dhjetëvjeçarë tërë, ishin nisur me lot e mundim, për të mos iu gjunjëzuar armikut mizor. Një tokë e cila, në imagjinatën e tij, shfaqej plot lule me erë gjaku dhe aty ku shkelte këmba e turkut, dheu mallkohej e bëhej gur. Nuk mbinte më as edhe një fije bari. Një tokë ku nënat veç mallkonin duke çjerrë faqet dhe, duke shkulur flokët me dhimbje, qanin për djemtë e vrarë o të marrë peng. Një tokë e braktisur nga qielli dhe nga njeriu.

Osmanët e kishin marrë qytetin që prej shumë kohësh. Kishin ndërtuar tashmë xhaminë e parë dhe e kishin shndёrruar nё një vend kulti për ushtrinë e tyre.

Por nuk kish qenё veç kjo arsyja kryesore. Arsyja kryesore e plakut, pse nuk ishte kthyer kurrё nё tokёn e etёrve kish qenё njё tjetёr. Flitej se populli, nuk i shihte me sy të mirë. Mendonin se dy ushtarët, 50 vjet mё parё, e kishin grabitur Ikonën e shenjtё. Me vete kishte një letër qё i ndjeri Gjergj, kishte shkruar duke iu drejtuar një kushёririt tё tij, famullitar në qytet. Ndaj plaku, shpresonte që me ndihmën e priftit; – nëse ai jetonte akoma -, jo vetёm ta kryente amanetin, por tё sqaronte gjithashtu pёrfundimisht mёrinё qytetare 50 vjeçare mbi dy ushtarёt qё ruanin Ikonёn e Shenjtё.

Thonin se qyteti, mbas pushtimit turk ishte mbushur me ardhacakё nga veriu i Afrikёs, Azia; deri edhe nga Rumelia. Kur Shkodranёt e kishin dorёzuar kёshtjellёn, pjesa mё e madhe kishin emigruar nё Venedik, por njё pjesё e vogёl e tyre, kishin vendosur tё jetonin nёn zgjedhёn osmane. Ndaj, ato qё tani e kujtonin ngjarjen ishin shumё pak. Me shkodranёt nё emigrim ishte zbutur edhe mёria e vjetёr. Plaku shpresonte qё ai mund ta kryente gjithçka me qetёsi dhe fare i pa shqetёsuar nga qytetarёt.

Nëse nuk do tё takonte priftin tё cilit i adresohej letra, atëherë ai do ta kryente vetё amanetin. Shpresonte të gjente ndonjë sarhosh nga fisi i madh i Gjergjit.

Ndërsa nga familja e tij, ai e dinte, nuk kishte mbetur askёnd. De Slavi kishte qenё emigrant nё Shkodёr sё bashku me familjen. Ai kish ardhur fare i vogёl nga vendi i shkjaut. Gjatë luftërave me kordhë në dorë, osmanët i kishin vrarë tё gjithё meshkujt e familjes sё tij barbarisht në betejë.

Amaneti kishte diçka të frikshme por edhe madhёshtore brenda. Diçka që të ndillte krupën, të rrënqethte mishrat, por ai nё thelb ishte fisnik. “Eshtrat e mia dua tё prehen nё dheun qё mё lindi!” i kish pёrshpёritur Gjergji nё prag tё vdekjes. Por De Slavis ishte burrë, dhe trimat, shquheshin për kurajo.

Rruga shkoi mirë. Deti ishte i qetë dhe ato udhëtuan, falë erës Maestrale, e cila, duke fryrë drejt Ballkanit, e bëri udhëtimin shumë të pëlqyeshëm.

Djalit i ri, tek rrinte me bërrylat mbi urën e kiçit, shihte dallgët që çaheshin nga anija, dhe njё kuriozitet i çuditshёm i shtohej gjithnjë e më shumë.

Herё herё ndjente frikё dhe kuriozitet grishёs. Do tё shkelte nё tokёn e etёrve tё tij. Njё tokё e nёmur, e dhunuar, e larё me gjak, por edhe kryeneçe dhe e pabindur. Kush ishin këta turqit? Krijesa barbare, të cilët i kishin kondicjonuar jetën që kur kish qenë femijë? Kush ishin këta kafshë me brirë, pa shpirt, të cilët veç digjnin, vrisnin, plaçkisnin, përdhunonin dhe shkatërronin mizorisht gjithçka? Sidomos në tokën e etërve. A ishte gjithçka e vёrtetё?

Tani, tek shoqёronte babёn plak, do tё kishte rast t’i shihte nga afёr. Një tërbim kaq mizor nga turku, – dëgjonte shpesh nga emigrantёt arbёr ardhur në brigjet italiane -, shpjegohej veç me mllefin 25-vjeçar që osmanllinjtё kishin ruajtur nё zemёr, prej Skënderbeut. Por trimi kishte vdekur. Ndaj jo shumë vonë, kalatë e Arbrit kishin rënë një e nga një. Bashkё me to, edhe ajo e Shkodrёs.

Kur zbritën në Durrës, bashkё me dy kuajt, kishin marrё me vete një sëndyk dhe dy shёrbёtorё. Ishin dy djaloshё tё rinj, shpatarё dhe me kurajo, pёr t’i patur nё krah nё rast rreziku dhe nevoje pёr mbrojtje. Rrinin tё armatosur.

Kur preku dheun e panjohur De Slavis i ri, nuk ndjeu asnjë emocjon. Ç’mund të ndjente? Kjo ishte veç toka e heronjve, e legjendave, e kobave turke. S’kishte lidhje fare me të.

Tani ecnin pёrgjatё rrugёs me kalldrёm të dy, babë e bir. Ecnin në rrjesht si karvan. Rrugës për Shkodër, bashkë me trokun e kalit, ndjehej edhe kllok-klloku i trastës së zezë. Se ç mbante ajo trastё brenda veç plaku e dinte. Mbante amanetin. Ishte një trastë e vjetër e thurur me fije lini. Porosia ishte brenda. E mistershme, kurioze, gati e nёmur. E rёndё si plumb, ajo mund tё bёhej akoma edhe mё e rёndё nёse nuk do tё kryhej siç duhej.

Në muzg, tek ecnin drejt veriut, dielli po zbehej përtej reve pranverore. Ditët ishin zgjatur aq sa mund të udhëtoje deri vonë. Rruga ishte e shtruar me kalldrëm. Çuditёrisht, toka ishte djerrё dhe pa lule. Nuk kishte erё lulesh prilli. Luftёra nuk kishte më, osmanët i kishin zaptuar ato troje, por ndjehej shkretia e dheut djerrё. Heshtja ishte e frikshme. Tashmё ato ishin troje, të cilat kishin mbetur ende me Krishtin, por qeveriseshin nga shteti i madh Osman. Populli ishte i detyruar t’i paguante shuma të mëdha pushtuesit pёr tё ruajtur tё drejtёn e pronave tё tyre.

Ecёn pёr tre ditё.

Nuk kishin hyrë akoma në Shkodër dhe gërmadhat e mbetura nga luftërat, plakut i kthyen ndër mend ato kohëra të largëta, pesëdhjet vjet më parë. Sa herë e kishte parë në ëndërr këtë kodër shkёmbore, ku ngrihej sovrane kalaja e saj. Qyteti kishte disa mure rrethuese. Mure që tani ruheshin nga ushtarë osmanё.

Ishte mbrёmje. Tek ecte si i mpirё, ai përpinte gjithçka me sytë e tij tepër kurioz. Emocjone nga mё tё çuditshmet i zgjoheshin nё shpirt. “Kjo është toka,” mendonte, “ku edhe pse emigrant, jam rritur. Kёtu besoj prehen edhe eshtrat e prindёrve tё mi.”

Plakut, iu mbushёn sytё me lotё. Kur i zunё sytё Bunën qё rridhte e qetё, iu kujtua kur ishte fёmijё dhe aty lahej dikur në verë. Iu kujtua si nё mjergull dashuria a parë. Kishte qenë djalosh i ri, me mustaqe tё zeza, të sapo dala. Tani iu kujtuan fytyrat shokëve tё fёmijrisё. Fytyra tё cilat pёr vite me radhё kishin fjetur nё skutat e kujtesёs sё tij. Pastaj i erdhёn ndёr mend turbull, zhurmshëm, betejat e para kundër osmanllinjve. Më pas, betimi solemn për tu futur në ushtrinë e Skënderbeut. Vetëm kur kishte puthur flamurin e Arbrit, e kishte kuptuar se ishte rritur me tërë mend. Kish qenë 18 vjeç atëhere. Tani i kishte kaluar tё 80 tat.

Gjithkund mbi qytet po binte heshtja e thellë. Njё derё qё mbyllej, njё zё fёmije qё ulёriste, njё kёmbanё qё biente e mekёt, dhe zёri i hoxhёs qё kёndonte nga minareti. Qielli po terrej nga muzgu.

“Mirmbrёma” i tha rojes. “Jemi tregtarё dhe vijmё nga Italia!” dhe i zgjati letrat.

Tek porta e qytetit, ndёrsa tregonte kontratat tregtare, plaku, me sytё me lot, shihte me kujdes gurët e rëndë të murit rrethues.

Qyteti ishte i ndriçuar me pishtarë. Nëpër terr, arriti dhe shkoi deri tek bujtina e parë, që i treguan me gisht.

Sa kishte ndryshuar ai qytet! Shihte ndërtesa të reja dhe diku, në muzg, zëri i hoxhës së garnizonit turk, ngrihej deri ne kupë të qiellit. Kisha e Zojёs sё mirё nё rrёzё tё shkёmbit, anash Bunёs, nuk dukej mё gjёkundi. Pikasi veç njё pirg gurёsh tё rrёmujshёm, tё cilёt plot trishtim, rrinin aty braktisur nga shiu dhe harresa. Më pas, i lodhur, u shtri për të fjetur.

Ndihej plaku aq mirё, aq i ngrohur nё shpirt, aq i lumtur nё gji, sa iu kujtuan kohёt e vjetra, kur ishte fёmijё dhe ai i lodhur, strukur nё prehrin e nёnёs qё i ledhatonte kokёn, e zinte gjumi fare i qetё. Ja ashtu ndihej. Si i ledhatuar nga ca shpirtёra tё padukshёm drite qё e bekonin orё e çast. “Dheu i babёs!” pёshpёriste dhe qante plaku nё errёsirё.

Akoma nuk ishte i ndërgjegjshëm deri në fund por, po flinte në tokën e etërve. Në tokën e egër dhe të ëmbël ku lindnin heronj. Një tokë, e cila e kishte shoqëruar gjithkund me hijen e saj, por ku tashmё ai, nuk kishte më as fis as miq. Një tokë e gjallë, e shkrifët, gjithmonë sunduese brenda shpirtit të tij. Një tokë plot bëma. Plot mrekullira. Plot legjenda nënash që flijoheshin për të ngritur mure kalash dhe lutje murgeshash në përgjërim përpara ikonash mesjetare. “Janë veç gёnjeshtra”, i kishin thёnё shpesh miqtё e tij në Xhenazano. “Legjenda!”. Por ai i besonte. Si të mos i besonte kur vetë ai, kishte jetuar më të pabesueshmen ndodhi të jetës së tij.

 

 

 

3.

 

 

Ndodhi në ditёt nё vijim. Bujtёsit e çuditshёm kёrkonin njё prift por nuk po e gjenin. Askush nuk e kujtonte njё prift me emrin Martin B. Tek e kërkonin nëpër sheshe, duke pyetur pёr tё, lajmi ishte pёrhapur gjithandej. Bujtёsit, e kёrkonin tё panjohurin tek lagja ku plaku ishte rritur dhe e mbante mend qё i vogёl. Mes hekurpunuesve, zdrukthtarёve, furrxhinjve, mullixhinve, famullitarёve e kёrkonte me insistim.

Por qyteti, i djegur dhe i shkatёrruar disa herё nga mёsymja osmane, kishte ndryshuar pamjen gati krejt. Megjithatё, plaku mbante mend themelet e ndёrtesave tё rindёrtuara pas luftёrave, njё prag, njё hark tё gurtё. Ai arriti tё gjente edhe njё mbishkrim me majё thike qё njё shoku i tij, kish gёrryer mbi shtuf. Emrin e Rozafёs, vizatuar me gjoksin jashtё.

Fjala kishte marrё dhenё. Një vendas i emigruar, tregtar ikonash, kërkonte nipin e vetëm të ushtarit të dikurshëm: Gjergj Bashaj. Plaku ende nuk e kish treguar se kush ishte. Dy herё, duke pyetur nёpёr famulli, ra nё gjurmёt e priftit qё kёrkonte, tё cilit i ishte adresuar letra e tё ndjerit dhe dy herё doli qё nuk ishte ai. Priftёrinjtё e ndihmuan duke shqyrtuar ato pak dokumenta kadastre qё kishin shpёtuar nga gjylet e osmanve, pёr vite me radhё.

Mё nё fund, plaku, i lodhur sё kёrkuari, ndryshoi taktikё. U detyrua tё tregonte mё tepёr pёr misjonin dhe pёr veten e tij.

Kjo ndodhi në mes të njё sheshi. Aty ku gjithçka dëgjohej dhe gjithçka shihej me sy. Atё mёngjes ishte mbledhur i madh dhe i vogёl.

“Ti, pretendon se e ke njohur ushtarin Gjergj Basha?!” e pyeti njё shkodran i vjetёr, me emrin Drinish. Burri, e dinte ngjarjen sikur ta kishte jetuar vetё.

“Po!” pohoi plaku me kokë. “Ndaj edhe po kërkoj nipin e tij. Kam një amanet nga i ndjeri.”

“Po ju kush jeni?”

“Një mik i tij!”

“Njё mik i tij?!”

“Po!”

“Mund tё flasёsh mё qartё?”

“Mё qartё?!” ishte habitur plaku.

Kёtё herё ai e kishte ngritur zёrin. Kish mbetur nё heshtje, nuk dinte ç tё thoshte. Ende nuk e ndjente ta thonte tё vёrtetёn, por nёse nevojitej, ai do ta thonte atё. Ai do tё bёrtiste: “Unё jam ushtari tjetёr i ndodhisё. De Slavis.”

Çuditёrisht, njerёzit, nё vend qё tё habiteshin nga pohimi, mbetёn si tё gurёzuar. Po flitej pёr ndodhinё mё tё famshme nё qytet. Plaku u habit se si legjenda, edhe pse shumica e qytetarёve ishin ezmerё, berberё dhe kaukazikё, pra, tё ardhur nga larg me ferman tё Sulltanit, prap, ajo legjendё, ishte akoma edhe mё hijerёndё se vetё legjenda e Rozafёs.

“Ti po thua se e ke njohur? Kush ju beson juve?” ngriti zёrin njё tjetёr burrё nga turma. Plaku nga dialekti e kuptonte qё ato qё flisnin, ishin shkodranё tё vjetёr.

Plaku, u ndje i prekur nё sedёr. Nxorri ca letra krejt tё zverdhura. Nё njёrёn nga to shquhej ende firma e Skёndёrbeut, si dhe ajo e Gjerg Bashajt. Ai e ngriti letrёn e zhubrosur, shkruar nga vetё dora e tё ndjerit duke e treguar atё gjithkund.

Njerёzia qё zgjaste kokёn dhe zgurdullonte sytё, kish mbetur pa frymё. Tani rrinin si tё mpirё, sikur tё kishin marrё njё grusht nё kokё. Plaku, mes tё tjerash nxorri edhe vulën e familjes së Gjergjit, bashkë me një kryq floriri, ku qe gdhendur mbiemri e tё ndjerit latinisht.

“U bindёt tani?”

Njё tregtar i ri, i cili i rrinte ngjitur, vazhdonte ta shihte çuditshёm, me mosbesim.

“Ç thoni ashtu?!” shtoi. “Na e paskeni njohur ju?! Dhe tani, pas kaq shumë vitesh, po na shfaqeni kёtu?! Papritur e papandehur, si një vetëtimë në qiellin e gushtit? Na paske ardhur zotrrote këtu, pёr hir tё njё amaneti?! Dhe pale, me habinë më të madhe, po na del edhe miku mё i ngushtë i Gjergjit?!”

“E dini ju se ç mendon populli, pёr ato tё dy?!” ngriti zёrin njё djalё i ri, i cili tani dukej edhe mё i zellshmi.

Djali, kthente sytё andej kёndej, rrudhte ballin sa nga nervat, sa nga habia, pastaj mbushur me frymё vazhdoi: “Ato ishin veç grabitёs ikonash! Ja ç’ka mendojnё shkodranёt për to. Ato pak qё kanё mbetur, sepse, kur kalaja ra; shkodranёt e vёrtetё, ikёn syrgjyn nё Venedik. Nëse ti me të vërtetë e ke njohur Gjergjin? dhe kjo ёshtё e pabesueshme, pse u zhduk ai atёherё?”

“Kjo qё pohoni është e pabesueshme!” ngriti zёrin njё shkodran tjetёr. “Po na vjen tani, pas 50 vjetësh, pse?”

“Pёr të plotësuar një amanet?!” tha plaku.

“Njё amanet?!”

“Po. Amaneti ështё më i rёndё se guri.” Shtoi ai.

“Mirë e the”, u pёrgjigj njё tjetёr nga turma.

“Po ju? Ju? Ç dini pёr dy ushtarёt e Ikonёs sё Shenjtё?” pyeti ardharaku.

Nisi tё flasё njё i moshuar.

“Baba mё ka treguar shpesh – ishte fëmijë atёhere -, se rojet u zhdukёn sё bashku me Ikonën e Shenjtë të Katedrales. Ata ishin dy nga ushtarët më të zgjedhur të Skënderbeut. Ajo Katedrale ishte vetë Zemra e qytetit. Nga frika e osmanllinjve, kisha ruhej ditë e natë. Aty, dyndeshin besimtarët dhe i luteshin Zojës së Këshillit të Mirë.

Hordhitë turke po vinin gjithnjë e më shumë. Si re të zeza, nxinin qiellin e së ardhmes. Pritej të vinin kohë të egra, – tregonte shpesh babai. Skënderbeu ishte i sёmurё rёndё në Lezhë. Osmanët u informuan. Ndaj ato, morën zemër dhe u nisёn me njё hordhi tё re, gjigande. Vinin gjithmonë në pranverë. Ishte kohë Pashkësh. Siç e dini, 50 vjet më parë. Dhe këto dy roje, nga të cilët Gjergji ishte edhe daja i babёs tim, – në vend që ta ruanin Ikonën, ata u zhdukën. E shkёputёn nga suvaja ikonёn dhe me siguri e grabitёn atё.

Kjo ishte tradhti. Ndodhi e paimagjinueshmja, e pamundura. Në një çast aq kritik, populli, u tremb aq shumё sa nuk dinte si tё reagonte. U bindёn! Ikona e shenjtë ishte grabitur. Ja pse Shkodra ra nё mort dhe ajo i mallkoi tё dy ushtarёt.”

Heshtja u bё gёrryese.

“Ju nuk e dini se ç’ndodhi me Ikonën pёrtej detit?!” u mbrojt fuqishёm plaku. “Ajo, pёrtej detit kreu shumë mrekulli!”

“I kemi dёgjuar. Gjepura!” u dёgjuan njё zё.

“Pse nuk mё besoni, pse?!”

“Shkodranёt u mërzitën shumë. Ato i prisnim mrekullitë në Shkodër! Ndërsa ato ndodhën gjethkё, fare larg! Ndaj, shkaktarët e largimit të Ikonës, ishin ushtarёt, emёruar nga vetё prijsi Skёndёrbej.”

“Ato nuk ikën. Ato nuk e rrëmbyen atë. Ato u gjendën nën vorbullën e një mrekullie.” Tha plaku duke zgurdulluar sytё e tij tё bardhё.

“U gjendën nën vorbullën e një mrekullie?!” pyeti njё burrё me mosbesim. Pastaj u ngërdhesh me ironi.

Tani ai e kishte hedhur vёshtrimin nga turma e qytetarëve. Pastaj u kthye prap nga plaku. Me një zë të rreptë, vazhdoi:

“Gёnjeshtra! Populli e mbante atë ikonë si gjënë më të shtrejtë. Ajo ishte shpresa e tij e fundit. Ajo Ikonë kishte ardhur para gati dy shekujsh nga Toka e Shenjtë!”

Plakut De Slavis po i sosej durimi. Tani e kishte gojёn e hidhur. Ndjente njё boshllёk nё gjoks. Kjo ishte e padurueshme, kjo ishte njё shpifje e ndyrё, mendonte. Nisi të dridhej. Po cënohej vetë ndershmëria e tij, e cila ishte edhe gjeja më e shtrenjtë qё kishte.

“Ёshtë një Zot mbi ne që na dëgjon tani, dhe unë po jua pohoj tani. Para kristjanёve qё besojnё dhe qё nuk besojnё. Para tё gjithёve..” tha plaku dhe nuk duroi mё. E plasi lugёn nё gjellёn qё ishte gatuar plot 50 vjet mё parё, aty, nё vendin ku ishte rritur. “Po!” pohoi me zё tё lartё. “Unë jam ushtari tjetёr. Pjetёr de Slavis. Unё dhe Gjergj Basha, u gjendëm në mes të asaj mrekullie të pabesueshme!”

U dёgjua njё zhurmё habie mes njerёzve qё lёvizёn nё çast.

Mё pas, heshtja u bё e qelqtё dhe e ftohtё.

“Nuk e dimё a t ju besojmё a jo!” tha njё zё.

“E ç ishte kjo mrekulli?! Legjenda e fluturimit të Ikonës? E dimё edhe kёtё… E kemi dëgjuar, por nuk e besojmё!”

“Nuk e besoni?!” tha plaku. “Ngjarja po ndodhte përpara syve tanё. Para syve tё mi dhe tё Gjergjit. Ishte ag. Tutje, dielli kishte lindur. Sheshi ishte plot me besimtarё, tё cilёt vinin qё herёt t’i luteshin dhe tё nderonin Ikonёn. Qёndroja nё kёmbё truproje tek dera e jashtme e kishёs. Nё çast, pashё se si një re e madhe si njё vorbull drite, po afrohej nga lindja. U afrua aq shumë, sa na mbështolli krejt si në një mjergull. Njё mjergull plot dritё dhe mister!”

Ndёrkohё qё plaku fliste plot pasjon, rreth tij, vazhdonin tё mblidheshin qytetarë tё tjerё. Në fillim, ishin thjeshtё kalimtarët tё rastit. Tani, fjala kishte marrё dhenë. Poshtё harqeve të Manastirit ishin afruar edhe fetarët e ndërtesës. “Ç’po ndodh? Ç’po ndodh?” pyesnin kalimtarёt. Ato qё dinin diçka, ia shpjegonin tё tjerёve se kush pretendonte tё ishte bujtësi i panjohur.

Ishte akoma ag dhe dielli ende nuk ishte ngritur nga prapa kodrёs.

“Mrekullia?!” qeshi njё burrё me mosbesim. “E vetmja mrekulli,” vazhdoi ai, “ishte fakti, se si ia dolët të iknit deri në Ulqin?! Dhe nga aty. Si arritët të merrnit anijen për Itali. Ja kjo ishte mrekullia e vetme….! Po si nuk u erdhi zor mor burra?!”

Plaku bujtёs u ndje rishtaz keq. Diçka e çuditshme sikur e mbёrtheu fort prej gryke.

“Kam jetuar një jetë të tërë me nder,” tha. “Unë nuk kam asnjë arsye tё gënjej!”

“Nёse jeni ju vёrtetё njё nga ushtarёt, ta dini se e latë shkodrёn në pikё tё hallit. Braktisёt një popull të tërë. Mirë ti, nёse je vёrtetё ai qё ishe edhe shkja; por Gjergji? Atij, shkodran i vjetër, populli nuk ia fali kurrë!”

“More burra, ta dёgjojmё njё herё!” ia pati një zё nga turma. “Mё pas e gjykojmё!”

“Çfar ti dëgjojmë këtij ne?!” foli një tjetër me mosbesim. “Gjepura!”

Qёndronin akoma brenda harqeve të gurta të njё korridori të gjatë.

Vazhdonin tё flisnin me zjarr. Plaku, i cili pretendonte tё ishte njёri nga rojet e ikonёs, mbante, me dorёn shtrёnguar fort njё torbë tё zezë. E cila, sa herë ai dridhej, tingëllonte me një zhurmë të errët klok-kloku.

Kur plaku, i prekur nё sedёr dridhej, ai e shtrёngonte aq fort grykën torbës, sa ajo tundej frikshёm nё ajёr. Si tё kishte brenda njё gjallesё nevrike.

“More burra!” bёrtiti plaku me gjithё shpirt. “Ikona iku, fluturoi mrekullisht, a po merrni vesh a jo?!” Plaku foli kёshtu dhe ngriti krahun duke treguar me gisht qiellin.

Ndërkohё u afrua një prift akoma edhe më i vjetёr. Nga kurioziteti i bisedёs, prifi kish filluar tё hapte rrugёn mes njerёzve me bёrryla. Mbante tё mbathur, zhgunin Franceskan. Ishte famullitari i një kishe pranë.

Në fillim, kish ndenjur në heshtje duke dëgjuar shamatën, e cila kumbonte në korridoret akoma të përgjumura të manastirit.

Ai iu drejtua plakut.

“Ju, pohoni se jeni një nga rojet?!″

“Po!”, ngriti zërin De Slavis. I cili nuk e kuptonte, por nё vend qё tё stepej, po mbushej me frymëzim.

“E kujtoj unë këtë burrë!” u dёgjua njё zë tjetёr nga turma.

Zёri erdhi nga fundi. Tё gjithё kthyen sytё nga zёri dhe çiuditёrisht, po fliste invalidi Avranit Kopliku.  Ky burrё, dergjej nё shtrat qё prej 33 vjetёsh. Qё kur mbas njё aksidenti me kalё, tё dyja kёmbёt nuk i bindeshin mё vullnetit tё tij.

“Ky zotёri i panjohur!” vazhdoi ai, “ёshtё vërtetë një nga dy rojet. E mbaj mend nga ajo vrrjaga në ballë. Isha rreth dhjetë vjeç kur sillesha qark Katedrales. Kurioz nga natyra, i kqyrja me kujdes ushtarët e Skënderbeut. I kqyrja shpatat. Mburojat, pastaj i shihja nё fytyrё. Po! Ky ishte atje! Ky sybardhi me shenjёn nё ballё!”

Njerёzit nuk ia vunё shumё veshin. E dinin qё Avranit Kopliku, qё kur kishte humbur kёmbёt, kishte raste kur delironte pёr orё tё tёra nё Pazar duke sharё edhe mallkuar fatin e tij ndёrsa shkulte flokёt me duf.

U dёgjua njё zhurmё e mbytur fjalёsh nё eter. Njerёzit lёvizёn me shqetёsim dhe kthenin kokat.

“Dhe ju pohoni se ikona e Zojёs, u shkëput vetë nga suvaja dhe u trasportua mrekullisht?!” e pyeti njё burrё tjetёr. Mbante qylaf mbi kokё dhe njё palё mustaqe si kalli misri.

“Ç ka parё, ç kam ndjerё! Veç natёs sё varrit do t’ja tregoj. Tmerr dhe mrekulli!” foli plaku dhe ngriti prap sytё nga qielli.

“Përse Zoja e kёshillёs sё Mirё do e braktiste qytetin e saj të dashur në një moment aq të vështirë? Ne kishim nevojë për ndihmën e saj! Nёnat tona qanin në përgjërim përpara saj. I luteshin që Ajo të na mbronte!”

“Ajo. E Nderuara.” Shtoi plaku. Tani buzёt po i dridheshin. “E dinte që osmanllinjtë do ta pushtonin qytetin. Do t’i vinin zjarrin Faltores. Zjarri do ta bënte shkrumb e hi ikonën.”

“Ikonёn e kanё grabitur!”, ia pat një zë nga turma. “Historia e fluturimit në qiell është veç një legjendë!”

Nё shesh, mes njerёzve qё mprihnin veshёt, kish ardhur gjithfarlloj kuriozësh. Zejtarë, tregtarë, fshatarë hijerëndë me mustaqe. Të rinj me veshje orjentale. Ushtarë, të moshuar me zhgunin fetar, hekurpunies.

“Ikona nuk u grabit!” u indinjua plaku. “Ne u gjendëm në vorbullën e një mrekullie…”, shtoi.

Ndёrsa fliste, e rrokte me vështrim tërë turmёn, e cila vazhdonte tё shtohej. Bashkё me tё edhe nervozizmi dhe dyshimi.

Por, nga mёnyra se si plaku dridhej, dukej qё po thonte tё vërtetën. Tani ishte krejt i skuqur nё fytyrё. “Ky ose ёshtё i çmendur, ose ёshtё vetё ai!” mendonte gjindja.

Plaku vazhdonte tё mbёrthente në dorë thesin e zi qё dridhej lehtas.

“Po aty brenda ç’fshihni?!” pyeti njё tregtar duke treguar me gisht nga thesi.

“Kёtu?” tha plaku. “Amaneti. Për këtë kam ardhur. Gjergji e dëshironte me zjarr. Ai donte të prehej pranë familjarëve tё tij!”

Plaku foli gati pёrdёllim, por nё zёrin e tij kishte edhe njё tmerr tё fshehtё.

Pasoi një heshtje e re.

Ishte një heshtje gërryese si acid. Një heshtje mospajtimi. Fare e padurueshme, në një tokë, e cila gjatë atyre pesëdhjet vjetëve kishte ndryshuar shumё. Pjesa mё e madhe e qytetarёve, vёrtetё ishin të ardhur, por ato e kishin bёrё tё vetёn legjendёn e ikonёs sё zhdukur.

Tani, të gjithë zhbironin me një kuriozitet vrasës torbën e zezë. Ajo, shtrёnguar nё grushtin e bujtёsit, kur dridhej, dukej sikur kёrcёnonte aty gjithkёnd.

“Gjergji dёshironte tё prehej kёtu?” u dёgjua njё zё. “Ai nuk ka vënd këtu. Për kёt qytet ai është një tradhtar.”

“Duam fakte t’ju besojmë. Zoja e Kёshillёs sё Mirё nuk do ta lente kurrë qytetin e saj.”

“Ju doni fakte?!” u habit plaku. “Kur ikona doli fluturimthi nga Kisha, sheshi, ishte plot me njerëz. Kishte atje, murgesha që luteshin. Ishte krejt populli, me sytё e habitur nga qielli. Kishte tregtarë, luftëtarë të Kastriotit. Pleq dhe fëmijë! Por sidomos gra, tё cilat, qё herёt nё mёngjes, vinin tek kisha pёr tu lutur! Unё vetё I pari u habita. Si ёshtё kjo punё? Mendova. Akoma ag dhe dha ka kaq shumё Shkodranё nё xhiro?””

“Ky është një trill. Asnjë nuk ka dёshmuar pёr ikjen e saj siç e pёrshkruani ju. Zhdukja e saj ndodhi nё fshehtёsi. Mbas gjёmёs, familjet e ushtarёve u fshehёn. Ato kёrkuan ndjesё pёr dy ushtarёt e zhdukur pabesisht. Populli i Shkodrёs filloi t’i urrente. Sidomos nënat e tyre, të cilat kishin rritur tradhëtarë. Populli i Shkodrёs i shikonim gjithë mllef. Ndaj gratё nuk dilnin mё nё qytet. U ngujuan nga turpi. Një mëri pesëdhjetëvjeçare”.

“Për besë, nuk di ç’tju them mё shumё,” shtoi plaku.     “E kush i njeh punët e Perëndisë”.

“Punёt e Perёndisё?! Edhe pse kjo legjendё u përhap nё mbarё Europën, ajo nё Shkodёr nuk u besua kurrё.

Ndaj e përsëris! Në emër të të gjithë shkodranëve: Zoja nuk do ta braktiste kurrë qytetin e saj! Ne e adhuronim Atë!”

Plaku heshti. Nuk donte ta shtonte acarimin.

“Jam këtu,” shtoi plaku, “veç pёr amanetin e Gjergjit. Me mua bёni ç tё doni. Nёse mё mbani pёr tradhtarё dhe grabitёs, ja ku jam. Qёllomёni me gurё. Po e theksoj: Gjergji dhe unë, mrekullisht, u gjendёm pёrtej detit.”

“Tregojnё tё vjetrit se as prifti i Katedrales, nuk e besoi mrekullinё! Kjo ёshtё grabitje u shpreh.”

Ky qё foli ishte njё ushtar. Ushtari fliste shkodrançe por ishte veshur me rroba ushtarake osmane. “Ku ёshtё parё e dёgjuar, tё fluturoj Ikona nё qiell, ka thёnё prifti!”

Pёr arsye tё trastёs sё rёndё, dora e plakut, pak nga pak, po lodhej. Ndaj nisi ta ulё atё lehtas mbi gurët e kalldrëmit.

“Njërëz të mirë dhe fisnikё shkodranё!” shtoi plaku. “Më lejoni ta them deri në fund ç’ndodhi.”

“Flisni, po ju dëgjojmë”, ja ktheu njё zё. Sytё e njerёzve u bёnё edhe mё kuriozё, tё pёrqёndruar.

“Atë mёngjes, siç e thashё ne po bënim roje. Dielli po lindte. Nuk e di. E përsëris. Me siguri u përgjuma. Prisja qё tё ndёrrohesha me Gjergjin. Kisha ndenjur zgjuar tёrё natёn, ndaj doja urgjentisht tё pushoja. Tё flija. Nё ag si duket, gjumi mё kishte kёputur tek shkallёt e faltores. Pashë të afrohej një vorbull e madhe reshë plot dritë. Sa më shumë afrohej, aq më shumë dalloja brenda vorbullës, duar, sy, krahë në formë drite. Nga reja, e cila më magjepsi fare, dëgjohej një muzikë e mrekullueshme. Ishte një këngë hyjnore. Nuk i shquaja tingujt, por melodia ishte aq magjepëse sa të habiste krejt. Pranë meje shihja Gjergjin. Se nga kishte mbirё aty. I kishte sytë e zgurdulluar. Rrinte gojëhapur dhe shihte në qiell. Aty, pashë se si nga vorbulla e resё plot dritë, dy figura tё shndritshme, mrekullisht, mbanin me krahët e tyre Afreskun e Zojës së nderuar. Mu bё si perёndim, por nuk ishte ashtu. Ishte ag dhe qielli ishte krejt i kthjellët. Ngjyrё kobalti nё turkez. Muzika hyjnore shtohej. Në atë rrëmujë krahësh, duarsh, syshë, flatrash, të cilat kishin forma drite, dallova qartë katrorin e vogël të afreskut. Ishte shkëputur çuditshёm nga suvaja e Katedrales. Për një moment ula sytë. Sheshi ishte plot me qytetarë qё shikonin drejt qiellit. Klithnin nga habia. Dikush tregonte me gisht, dikush tjetër lutej me pëllëmbët e ngjitura. Një tjetёr, më larg, kishte ngrirё krejt. Të tjerë, nga mosbesimi, s merrnin frymё. Edhe mё tutje. Mbi bedenat e Rozafatit, kishte grupe njerëzish që tregonin me gisht mrekullinë.

Krejt i magjepsur, u ngrita. Bashkë me mua edhe Gjergji. Mendimi se duhej ta ndiqja Ikonën, si rojtari besnik i saj, mё vetёtiu nё mëndje. Nisa ta ndjek me sy Ikonën. Nuk ia shqisja sytë. Ndёrkohё ecja si i prishur mendёsh. Krejt i magjepsur. Shpatёn e mbaja në mill. Ndjeja një si fuqi të pashpjegueshme. Këmbët nuk e ndjenin lodhjen. As trupi. Ndiqja Ikonën me sy. Isha betuar ta mbroja atë. Po si ta mbroja? Ajo po fluturonte vetё nga Kisha e Shёn Stefanit. Po ikte në mes të një vorbulle drite. Ishin re, mbushur me figura drite. Tani, ajo, e bartur mrekullisht nga duart e atyre krijesave plot shkëlqim verbues, po largohej. “Edhe ti e sheh!” arrita t’i them Gjergjit, nё krah. “Po!” tha ai.

Ishim në ëndërr? Ishim zgjuar? Nuk di ç’të them. Më dukej si udhëtimi nëpër natë i Kostandinit me Doruntinën. Isha në ëndërr me siguri, por ajo ëndërr, ishte aq e fuqishme, aq e kthjellët, aq e bukur dhe hyjnore, sa mund ta pohoj me plot gojën se ato emocjone që ndjeva gjatë asaj eksperience, nuk i kam ndjerë kurrë mё. Miq të mirë! Mrekullitë ekzistojnë.”

Tani turma nuk pipëtinte. Rrinin si të magjepsur nga fjalët e plakut me kurriz tё dalё. Sytё, sikur po i zbardheshin akoma edhe mё shumё.

“U gjendёm rrёzё Bunёs” vazhdoi plaku, “I ishim larguar Kishёs. Pastaj, qyteti na u zhduk. Isha krejt i pёrpirё nga kori hyjnor. Duar, këmbë, flokë plot dritë. I kishin sytё zmeraldi plot dritë të gjelbër. Mbanin kurora vezulluese. Oh ç mrekulli hyjnore! Nuk i ulja sytё, por nё ndёrgjegje e dija që ne dy ushtarёt po ecnim mbi valët e detit. Nuk fundoseshim. Ecnim mbi to. Nuk e di ta shpjegoj. Është një mister, të cilin që prej 50 vjetësh e ndryj brenda vetes. U gjendëm në brigjet pёrtej. Flitej gjuhë tjetër. Kishte tradita të tjera. Mё nё fund, Zoja ishte ulur mbi një Kishë tё papёrfunduar. Gjendej mbi një kodër. “Ku jemi kёtu?” pyeta njё fshatar. “Xhenazano!” mu pёrgjigj. “Xhenazano?! Ku gjendet ky vend?!” I panjohuri, i cili mё kuptoi me zor, ma tha. Me siguri e shihte tronditjen time. Nuk kuptonte si duhej.

“Po Roma nga bie?” e pyeta çuditshёm.

Fshatari u ul. Mori njё shkop dhe vizatoi mbi pluhur. Vuri njё pikё dhe shkroi: Roma. Pastaj bёri shenja mbi dhè. Njё vrrjagё tё gjatё, pastaj bёri njё pikё tjetёr dhe shkroi: Genazzano.

Dieci ore di cammino!” tha pastaj.

“Nga vini?” mё pyeti. Mbeta si i shtangur. E dija qё na kishte ndodhur diçka e bukur, por ajo bukuri ishte e tmerrshme. Gati e frikshme.

Ikona, zuri vend në formë mrekullore, afër murit të njё Kishe nё ndёrtim. Një gisht larg nga muri, në lartësinë e një boje njeriu. Rrinte pezull në ajër. Mbante vetveten duke sfiduar qёndrёn e rёndesёs! E shihja me tmerr dhe mrekulli. Nuk i besoja syve tё mi! Kishim qenë dëshmitarë të një mrekullie! Qoftë Lëvduar Jezu Krishti. Ne ishim të vetmit dëshmitarë të ndodhisë. Veç ne kishim parë ndoshta gjithçka? Vazhdoja tё fërkoja sytё nga mosbesimi, çliroja klithma habije. Edhe vendasit e asaj qyteze mbi kodёr, nuk arrinin tё besonin. Na preknin me kuriozitet, si tё kishim ardhur nga Qielli. Thonё qё mrekullitë, Perëndija ia shfaq vetёm atyre qё besojnё nё to. E gjithë qёnja ime, ndёrgjegjja ime, ishte ende e mpirё. Mundohesha tё kuptoja, ç kish ndodhur? E besoja? Si mos ta besoja! Njё pjesё e qenjes time e besonte. Ndërsa pjesa tjetёr e saj, vazhdonte ta vinte nё dyshim. “Ndoshta jam nё ёndёrr” i thoja vetes si i marrё. Prekja dheun, gurёt, njerёzit e atjeshёm. Si kish qenë e mundur? Si kish ndodhur e pabëra? Si kishte mundësi që brenda një dite, ne kishim kaluar një hapësirë për të cilën duheshin mbi dhjetë ditë rrugë? Krejtësisht tё shtangur, nuk arrinim ta kuptonim! Kishte qenë një ndërhyrje hyjnore. Ishte diçka e mirë për ne të dy, kjo ishte e qartё. Qielli na kishte dashur fort. Në sytë e Perëndisë ishim njerëz të mirë ndoshta? Po ne ishim ushtarё! Kishim vrarё njerёz? Apo tё vrasёsh nё luftё, pёr njё çёshtje tё drejtё, ndoshta nё Qiell nuk shihet si mёkat?! Por shtangja më e madhe ndodhi mё pas.

Filluan mrekullitё.

Tani, kthimin nё atdhe, as nuk e mendonim fare. Njerёzit e panjohur, me gazin nё sy, na ndihmuan, na dhanё strehё, bukё, ujё. “Kjo ёshtё mrekulli!” thonin ato qё kishin nё shpirt farёn e besimit. Jeta e jonë tashmë u lidh pazgjidhshmërisht me Ikonën. Me atë Ikonë të bukur, e cila kishte preferuar të Largohej nga Shkodra. E pabesueshme. Ndёrkohё, – mezor merreshim vesht atje. S kuptonim gjuhёn. Ndёrkohё, ngjarja kishte marrё dhenë. Filluan tё ndodhnin gjёra tё çuditshme. Vinin nga tё gjithё anёt e gadishullit, sikur aty tё ishte qёndra e Vatikanit vetё. Vinin me turma, plot djersё, plot dhurata, plot lutje. Vini duke marrё frymё me zor nga ngjitja e kodrёs. Nё kёmbё, mbi gomar, me kuaj, karroca. Vinin plot shpresё dhe besim se do shёroheshin. Ishin nga tё gjitha moshat, por sidomos gra dhe nёna besimtare. Në 110 ditët nё vijim u verifikuan 160 mrekulli. Kishte hallexhi nga mё tё ndryshmit, tё cilёt, sapo ia zinte veshi ngjarjen e mrekullueshme ja behnin nё qytezё. Vinin të paralizuar, të verbër, të tentuar nga djalli. Vinin të sëmurët rëndë, me lebër, vinin të çmendur. Deri edhe ato që nuk besonin, kur shihnin me sytë e tyre mrekullitë, gjunjëzoheshin me lot në sy dhe konvertoheshin. Të tjerë, ngriheshin nga barrelat e vdekjes dhe ktheheshin me këmbët e tyre në shtёpi.

Bujë të madhe bëri Zoja e Këshillit të Mirë ardhë nga Shkodra! Ndërkohё këtu…. Në dheun mёmё, hordhitë turke kishin filluar ta digjnin këtë vend. Qe thënë prej qiellit ndoshta ky fat kaq i lig? Ne nuk i dimë planet hyjnore. Nuk dimё asgjë. Unë di vetëm t’ju them se gjithçka është e mundur pёr Perëndinё dhe se ne, duhet të sillemi mirё.”

Heshtja u bё e thellё.

Plaku u përkul dhe u bë gati të merrte thesin tё cilin tani e kishte mbёshtetur mbi gurёt e dyshemesё. Ç mbante brenda ai thes i zi? Eshtra? Ikona?

“Ndoshta është rasti ta varrosim kёtu Gjergjin. Të gjithë bashkë dhe ta konsiderojmё njё njeri të shenjtë! Ky burrё shkodran, pas asaj qё na ndodhi, iu fut urdhërit Agostinian. I mbylli sytë duke iu lutur Krishtit. Ishte, pёr mua, njeri i shenjtë. Ndërsa unë pata njё fat tjetёr. Mua mё pёlqenin gratё ndaj, para se vesi tё mё hynte thellё, u martova.”

“Po ai lajmi i mirё qё na ke sjellё ç është?!” pyeti dikush nga turma.

Atёherë plaku u ul mbi bordurën e harqeve të gurta. Rrezet e diellit ia ndriçonin fort fytyrën. Mori frymë thellë dhe filloi prap tё ligjёronte.

“Përpara se ikona të fluturonte në qiell. Në manastirin Agostinian të Xhenazanos jetonte një vejushë. Ishte e vjetër. Ajo me kursimet e një jete, kishte filluar të ndërtonte një Kishë e cila kish mbetur papёrfunduar. Të hollat e vejushёs kishin mbaruar dhe Kisha pat mbetur pёr gjysёm. Ngaqё ajo ishte mburrur lart e poshtё nё qytezё se do ta ndёrtonte para se tё vdiste, tani banorët, kur e shihnin, e vinin nё lojё: ‘Petruccia! Akoma Perëndia nuk po t’i sjell paratë për të përfunduar Kishën?’

Petruccia, nuk u përgjigjej provokimeve. Por një ditë iu kthye: ‘Para se të vdes. Kisha do të ngrihet. Virgjёresha e papёrlyer, bashkё me Shёn Agostinin do tё mё ndihmojnё!”

Ngjau siç e kishte parashikuar ajo. Pak kohë më pas. Kur Ikona u ul mrekullisht mbi muret ende tё zhveshura tё asaj Kishe, filluan të ndodhnin mrekullitë. Atëherë u mblodhën aq shumë parà, sa Kisha u përfundua shpejt. Petruccia, me gjithë habinë e saj, erdhi vetë tek ne të dy, pelegrinët e Shkodrës dhe na rrëfeu veças, se Zoja e Këshillës së Mirë, kishte preferuar të largohej nga Shkodra pёr arsye se qyteti do tё digjej nga osmanёt. Por ajo e kishte akoma për zemër Shkodrën e saj!”

Tani ishin mbledhur aq shumё njerëz, sa ishin ngjitur deri mbi pullaze mbi trarёt qё mbanin kollonat. Kishte qytetarё shkodranё, kishte turq, kishte ushtarë tё zinj, kishte tё rinj, fshatarë, gra dhe plaka, të cilët hynin në qytet për të shitur ushqime, bagëti. Kishte lypës deri edhe tё verbër. Disa nuk e kuptonin fare atё arbёrishte tё vjetёr, por tё tjerё, me zё tё ulёt, pёrkthenin fjalёt e bujtёsit tё çuditshёm.

Mes njerёzve, shtrirё mbi një karrocë të shtyrë nga një jevg, rrinte edhe paralitiku më i famshёm i qytetit: Avranit Kopliku.

Burri, kishte mbetur i paralizuar, që kur kishte rënë nga një kal i tërbuar. Tani dëgjonte rrëfimin e plakut dhe nuk e zinte vendi nё vend.

“Boll me broçkulla or mik!” ia preu një djalosh tjetër. “Boll se po na lodh!”

“Bën mirё të ikësh sa më parë!” tha njё tjetёr, “se baballarёt tanё, i kanё dhёnë drejtim kёsaj pune!”

“O burra!” u dёgjua akoma zёri i sakatit Avranit Kopliku. “Mё besoni. Ky njeri tregon tё vёrtetёn. More dёgjoni sepse e kujtoj mirё fytyrёn e tij. Ky ёshtё ai ushtari tjetёr!”

Një ndjesi mospranimi, mospajtimi, po shtohej gjithnjë e më shumë nëpër shpirtëra. Urrejtja po rritej dhe njerëzit, po e fuqizonin atё ndjesi pak nga pak.

Veç një pjesë fare e vogël heshtte. Tё tjerёt ngrinin zёrin, mёrmёrisnin tё pakёnaqur. Lёviznin, shihnin me sytё plot helm. Dikush kapi njё gurё dhe e fshehu nё pёllёmbё.

Nuk ishte çudi qё turma, krejt e inatosur, t’i vёrsulej plakut dhe ta godiste. “Ёshtё veç njё mashtrues!” pёshpёrisnin tё tjerё. Dikush bёnte shenja mospranimi. Ca nuk arrinin t’ia hidhnin mё as sytё bujtёsit. Ai dukej si tё ishte ngritur nga varri dhe tё donte tё dёshmonte pёr gjёra qё kishin ndodhur nё njё jetё tjetёr.

“Bёn mirё të ikësh mor Shkja!” ulëriti një i moshuar i gjatё dhe plot kocka. “Kёtu nuk je i mirpritur!”

“Petruccia!” ngriti akoma edhe mё fort zërin plaku, i cili tani dridhej edhe mё keq. “Petruccia, mu lut edhe për diçka tjetër!”

Plaku, me nxit, hapi thesin dhe nxorri qё andej një ikonë. Ishte një riprodhim i imazhit te Zojës se Këshillës së mirë!

Njerёzit nisёn të lёviznin, tё pёshpёrisnin nervozё. Ndёrkohë që plaku tregonte Ikonën, nisi tё ndjehej keq.

Tani shkundej si degё lisi. Merrte frymё me zor, po nxihej krejt. Sytë nisёn t’i errёsoheshin. Nё çast, gjithçka iu rrotullua mbi krye dhe para se tё rrёzohej, u mbёshtet mbi mermerin e ndërtesës.

Tani njerёzit po ulёrisnin, ndёrsa ai, tek tregonte ikonёn, nuk po e kuptonte arsyen e habisë së njerëzve. Si nëpër ëndërr, po mendonte se njerëzit habiteshin prej Ikonёs që ai po e shfaqte si pёr t’i marrё me tё mirё. Si arma e fundit mbrojtёse, pёrpara se turma ta qёllonte me gurё. Por nuk ishte ashtu.

Plaku ngriti sytё nga qielli. Gjithçka iu bë krejt e bardhë. Dhe në atë bardhësi qumështore, De Slavis shqoi tё njёjtёn rrëmujё flatrash drite, krahësh, syshё, gjymtyrёsh, buzësh rozё, si dikur, kur kish qenё fare i ri. Një mrekulli drite, të cilën e kish parë 50 vjet më parë gjatë ikjes nëpër qiell tё Zojës së Shkodrës.

Dёgjoheshin ulёrima burrash, klithma grashё dhe fёmijёsh tё habitur.

Plaku po dëgjonte melodinë e mrekullueshme hyjnore dhe krejt i magjepsur, në mes të asaj drite, mendonte se a ishte e mundur, që truri i tij të krijonte një melodi të tillë? Kaq e ëmbël, kaq e lehtë, kaq e bukur, ishte ajo melodi për veshët e tij, sa magjepseja po i shtohej.

Plaku u trand mbi dysheme.

“Vdiq ky. Kaq e pat!” u dëgjua një zë në mes të turmës. De Slavis i ri u pёrkul ta kapte.

Por tani, njerëzit, nuk ishin mё tё përqëndruar tek plaku; i cili, shembur mbi dysheme, e mbante Ikonën shtrёnguar nё krah. Tani rrinte krejt i ngrirë.

Njerёzit po shihnin gjethkё.

Ndёrkohё, De Slavi, i ri, i pёrkulur me habi, vazhdonte ta shkundte fort atin e tij. “Babë!” ulёriste ai. “Ngrihu. Lёviz mor burrё i dheut!”

Njërëzit, krejt të shtangur, vazhdonin të klithnin nga habia. Ato, kishin kthyer kokën nga skaji tjetёr i sheshit. Me habinë më të madhe po shikonin Avranit Koplikun, i cili, edhe pse i paralizuar, çuditёrisht, mrekullisht, ishte ngritur nё këmbë. Tani po ecte mbi kёrcinjtё e tij. Po pёrparonte drejt Ikonës. I hidhte hapat natyrshёm, siç kishte bёrё para 33 vjetёsh, kur kali i trmbur nga djalli qё iu shfaq, e kishte hedhur me tёrbin.

Krejt çuditshёm, me kёmbёt e tij, pasi kish braktisur karrocёn, – tabut varri pёr tё -, i hidhte hapat mbi kalldrёm krejt serbes. Ecte drejt Ikonёs ku rrinte shtrirё De Slavis. “Padre, padre, alzati!” vazhdonte tё ulëriste djali i bujtёsit, i cili nga pika e tij nuk kish parё asgjё.

Ndёrsa turma, krejt e habitur, shihte ndodhinё e Avranit Koplikut.

“E thashё njё herё, ai ёshtё!” foli nё ecje.

Alzati padre. La promessa!” vazhdonte ti fliste i biri.

Por De Slavi-sit nuk i arrinte mё fjala. Ishte përtej. Në anёn e panjohur tё botёs. Tashmё, me siguri i çliruar, i sunduar nga drita marramendёse; ndoshta nga kori madhështor i figurave hyjnore. Figura, të cilat i afroheshin gjithnjë e më shumë. Dhe sa më shumë i afroheshin, aq më shumë plaku gёzonte dritёn e re.

“Zoja është gjithkund. Mjafton ta kërkojmë Atё!” u dёgjua njё zё. Ishte famullitari Drinush Bardhi.

Kur u rivendos rregulli dhe qetёsia, ishte ai qё u kujdes për varrimin e dy ushtarёve.

Ikonën çudibёrёse, si të ishte një fëmijë i sapolindur, ardhur nga larg, e mori nёn kujdesin e tij. E mbёshtolli me njё cohё tё bardhё dhe e vendosi nё altarin e Kishёs kryesore. “Zoja e kёshillёs sё mirё ёshtё gjithkund!” mёrmёriti plot gaz dhe ngriti sytё me besim nga Qielli.

 

 

 

 

Artur Spanjolli

Syri i nënës mbeti në mjegull- Cikël poetik nga KRISTAQ TURTULLI

Syri  i nënës mbeti në mjegull
.
 Ne nuk lindëm. Na zgjoi një këngë
që askush nuk e kishte kënduar ende.
Ende pa marrë emra, mbanim në pëllëmbë
një copë qielli të njomë,
dhe besonim se bota hapej me qepallën e një nëne.
Kur ajo ngrinte syrin e kaltër, detet humbnin brigjet,
zogjtë harronin fluturimin,
dhe koha, si një fëmijë i hutuar, na ndiqte zbathur.
Nuk e dinim se mjegulla nuk zbret nga malet.
Ajo lind nga zemrat që historia nuk i lejon të dashurojnë.
.
Një mëngjes, nëna u bë mjegull.
Syri i saj mbeti i hapur mbi të gjitha horizontet,
si ylli i fundit që nuk pranon të shuhet.
Ne ecëm. Jo drejt së ardhmes. Drejt largësisë.
Në valixhet tona nuk kishim bukë, as rroba, as atdhe.
Mbanim vetëm atë sy.
Dhe këngën.
Atë këngë që nuk gjeti kurrë një gojë njerëzore.
Prandaj e këndonin lumenjtë.
E këndonte bora kur binte mbi varret pa emër.
E këndonte era duke kaluar mbi det,
deri në brigjet ku ne u plakëm në një gjuhë tjetër.
.
Sot, kur mbrëmja na mbështet kokën mbi supet e heshtjes,
e kuptojmë: nuk ishte vetëm nëna që humbëm.
As rinia. As atdheu.
Humbëm derën nga ku hyhej në mrekulli.
Dhe që atëherë, jeta është vetëm udhëtimi i gjatë
i një kënge që ende kërkon zërin tonë.
.
Dorëshkrimi i mjegullës
.
Një ditë koha do të hapë sirtarin e saj të vjetër
dhe do të gjejë rininë tonë ende të palosur.
Do të habitet që nuk është zverdhur.
Sepse vitet nuk e plakën, por e harruan.
Ne e kishim shkruar me bojën e pranverës,
por dikush e ktheu librin
para se të mbaronte kapitulli.
.
Që atëherë ecim si fjalë
që kërkojnë fjalinë e tyre.
Në një stinë, në vite
 Ishte e vetmja dritare
nga ku Zoti shihte tokën.
Ne hymë jo në dashuri, por në pafundësi.
Pastaj mjegulla e mbylli librin.
Askush nuk e pa.
Vetëm era vazhdoi të kthente faqet.
Dhe ne mbetëm brenda një fjalie
që nuk mori kurrë pikë.
Prandaj kur na pyesin sa vjeç jemi,
ne heshtim.
Dhe numërojmë fjalët e harruara në xhepa.
që ende presin në anën tjetër të mjegullës.
.
Katedralja
.
Me katedrale brenda vetes lind çdo njeri,
Plot dritë dhe shkëlqim është në fëmini.
Në të këndon zëri i nënës, mrekullueshme melodi,
lutet një ëndërr në vogëli,
lulëzon dashuria e parë gjithë bukuri,
Një vajzë dritaren e shpirtit hapi
Aty ruhet e gjithë ajo që nuk mund të vdesi.
Por vjen një ditë… njeriu harron
rrugën përndritur për te vetja.
Dyert mbeten hapur, por atje askush nuk hyn.
Këngët bien si pluhur mbi gurë.
Lutjet treten në heshtje.
Dhe ne plakemi pa e ndjerë
duke ruajtur një katedrale
ku nuk u ndez kurrë qiriu ynë.
Pastaj syri i vajzës ikën nxitimthi,
Dhe vonë me dhimbje kuptojmë:
Nuk ishte vetëm një sy gjithë bukuri.
Ishte dritarja nga hynte në shpirt mëngjesi.
Kur dritarja u mbyll, brenda nesh,
mbeti një katedrale e madhe, bosh
ende pret hapat e dikujt nëse vijnë…
.
Mërgimi
.
Gjithë jetën ecëm pranë ëndrrës,
pa e prekur kurrë.
e ndiqnim si një dritë larg në horizont,
që largohej sa herë afroheshim.
Jo Kanadaja.
Jo Shqipëria.
Mërgimi ynë ishte më i thellë.
midis zemrës dhe kujtesës hapësirë mbeti,
ku njeriu humbet mes vedi
pa lëvizur nga vendi.
Mund të banosh në shtëpinë tënde,
të njohësh çdo derë, çdo rrugë,
dhe përsëri je i huaj me veten tënde.
Bulëza e fundit e shpresës
që pikonte nga gjiri i hënës,
u tret ngadalë nën frymën e kohës.
.
Kënga
.
Kënga nuk lind nga buzët.
Ajo lind në vendin më të thellë të shpirtit,
aty ku njeriu ruan atë që nuk mund ta thotë.
Kënga është ura e përjetëshme
që lidh të ikurit me të mbeturit,
të djeshmen me të nesërmen,
lotin e drithëruar të nënës me dritën.
Ne menduam se këngën era e shoi si qiri
Por si gjithnë na mundonte gabimi.
Nuk ishte kënga që humbi.
Ishim ne që humbëm rrugën për te zëri,
Ajo në pragjet e vjetra ende rri,
nën hijet e pemëve, në duart e nënave
në heshtje këndon shpirti.
Kënga pret. Pret, që ne të kthehemi.
Ndoshta një ditë dhe fëmijët tanë
do ta dëgjojnë.
Jo si të vjetrën këngë,
por si rrahjen e një zemre
që nuk pranoi kurrë të vdiste.
KRISTAQ@TURTULLI
.
MBRËMË PASHË DIELLIN NË SY
.
Diellin në sy pashë mbrëmë,
në çastin kur bota mendonte
se ai po vdiste.
Askush nuk më tha,
se edhe perëndimi ka verbërinë e vet.
Flaka e tij nuk më dogji retinën.
Ajo depërtoi më thellë, atje ku syri
ia dorëzon shikimin shpirtit.
Dhe shpirti u drodh, që atëherë
më dhembin sytë.
Jo sepse pashë shumë dritë,
por sepse pashë
atë që drita fsheh gjatë gjithë ditës.
Pashë se koha është një plagë
e mban të hapur që universi.
Se njeriu ecën mbi tokë
duke u quajtur i gjallë,
ndërsa çdo hap është një fije
që e tërheq drejt përjetësisë.
.
Pashë se dashuria është e vetmja dritë
që nuk perëndon,
por është edhe ajo që na verbon më shumë.
Pashë fytyra që buzëqeshnin,
ndërsa brenda tyre rrënoheshin qytete të tëra.
Pashë se se nuk ka ze e vërteta.
Ajo shfaqet si një diell
që të detyron ta shohësh drejt,
derisa të mos shohësh më asgjë.
Ndoshta Zoti nuk na fshihet.
Ndoshta dielli është tepër i ndritshëm
që sytë tanë ta përballojnë.
.
Prandaj Zoti na dhuroi mbrëmjen,
si një mëshirë midis nesh dhe pafundësisë.
Sot ende më dhembin sytë.
Por nuk kam frikë nga kjo dhimbje.
Kam frikë nga dita kur do të mund
ta shoh diellin drejt në sy pa ndier asgjë.
Sepse atë ditë nga drita nuk do të jem verbuar
Do të kem humbur aftësinë për t’u mahnitur.
KRISTAQ@TURTULLI
 .
MOS E ZGJONI PËRSËRI HISTORINË!
.
Mos e zgjoni përsëri historinë!
Ajo fle me plagët hapur,
e shpuar brinjë më brinjë.
Jastëk ka gurët e varreve.
Nga oxhaku fryn erë e fortë,
të përmbyt hiri i shekujve.
Mos ia prekni plagët historisë.
Ato nuk mbyllen me harresë.
Nën koren e kohës marrin frymë,
duke ushqyer rrënjët me gjakun e brezave.
Ky vend ka qarë aq thellë,
sa edhe heshtja mësoi të flasë,
ndërsa librat ulën sytë.
Historia ecte në shtegun e të verbërve,
me qefinin e reve mbi supe.
Varroste agimet,
para se gurët të mësonin emrat e të vdekurve.
Flamujt ndërronin ngjyrën e erës;
tradhtia rridhte pikë-pikë
si rrëshirë e zezë nga plagët e lisave.
Nën rrapin e moçëm
buka ngurtësohej në duart e njeriut;
frika i hante hijen,
shpresa i mbinte vetëm si bar mbi varr.
Fitimtarët hynin me kurora drite,
dhe dilnin të zhveshur nga gjyqi i kohës.
Pas tyre mbeteshin vetëm gurët që nuk flinin,
dhe shamitë e zeza,
që era i numëronte si vitet e këtij vendi.
Ndaj me ngërç, e dhunë
mos e zgjoni përsëri historinë.
Lëreni të flejë.
Le të zgjohet vetëm ardhmëria,
nga buzagazi dhe lumturimi i syve të nënave.
KRISTAQ@TURTULLi

ÇAMËRIA SI PSIKOLOGJI SOCIALE- Nga Albert HABAZAJ

 

Dy fjalë për librin e autores Samanta Ademaj: “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”

 

 

 

Librin e Samantes do ta them me 4 vargje:

 

Plag’ e gjak e shpirt që dhemb

Aty ngrehu, aty shemb,

Dritë besimi, trimërie

Marathonomak lirie!…

 

Të nderuar miq të librit dhe dashamirës të Çamërisë!

Të dashur vëllezër e motra çame!

Ndihem i gëzuar, krenar e shpresëblertë, që më bëtë gëzimtar të kësaj veprimtarie kuptimplote, simbolike dhe me mesazhe të qarta të përditësuara të çështjes kombëtare të Çamërisë, e veçantë si prurje në disa rrafshe nevralgjike për qytetarët, për politikanët, për demokracinë, për kohën, për fqinjët, për të mëdhenjtë e të vegjlit, për ne e për ata.

Sinqerisht ndihem mirë dhe për këtë falënderoj mikun e vëllain tim, kryetarin e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, dega Vlorë, atdhetarin artist Sali Nuredini, që më njoftoi dhe më dhuroi një libër vërtet me vlerë të autores Samanta Ademaj me titullin “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”.

E quaj fat për Çamërinë, për Vlorën dhe Shqipërinë, që ka në gjirin e intelektualëve me dritë kombëtare edhe një bijë çame të devotshme si Samanta.

Unë e njoh dhe e dua Çamërinë, porsa ju, edhe pse jam lab, por të mos harrojmë se ne të njëri-tjetrit jemi, bëhemi me njëri-tjetrin në të mira e të këqia dhe furtunat, të parët tanë i kanë përballuar jo sikur të të ishin fqinjëtarë gjeografikë e historikë, por si vëllezër e motra të një gjaku.

Në bibliotekën time kam një syzë të mbushur me libra të miqve të mi autorë çamë, që nga Fadil Zeqiri, Selman Sheme, Ibrahim D. Hoxha, Fatmir Muçaj, Sejdi Kondi, Qamil Buxheli, Bilal Xhaferri, Agim L. Bajrami, Vjollca Staro, Esat Mezani, Selfie Zeqiri, Fabit Beqiri, Shefki Hysa, Arben Kondi, Hekuran Halili, Safet Mustafaj, Shaban Mehmeti, Arben Iliazi, Hyqmet Zane, Enver Kushi, Ibrahim Didani, Fatime Kulli, Mirela Dauti, Namik Mane etj., që janë vlera të mirëfillta kushtuar historisë, kulturës dhe çështjes çame, si pjesë e pandashme dhe e pashmangshme e çështjes kombëtare shqiptare.

Një filiz i ri, i freskët, i veçantë dhe i fortë i së ardhmes po rritet shëndetshëm, edhe nëpërmjet veprës që kemi në dorë “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”.

Ky libër i Samantës është i veçantë, pra unikal deri më sot, (mesa kam dijeni) i pari si vështrim psikologjik mbi çështjen çame.

Ky libër meriton vëmendje akademike, sepse është monografi shkencore. Do të doja të shprehesha gjatë për këtë vepër të autores së re Samanta Ademaj përzgjedhur për lexuesin e kulturuar nga studimi shkencor: “TRASHËGIMIA E TRAUMAVE PSIKOLOGJIKE TË SHKAKTUARA NGA GJEONCIDI GREK NDËR BREZAT E NDRYSHËM TË SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË”.

Si bibliograf më vjen mirëb që të shprehem se S. Ademaj është një studiuese serioze e një teme të vështirë, të dhembshme, dinjitoze për historinë që nuk harrohet. Autorja ka respektuar me korrektesë kriteret e një punimi të mirëfilltë shkencor. Monografia, ndërtuar me 5 kre, ka një aparat bibliografik të pasur, me autorë shqiptarë dhe të huaj. Referencat që ka përdorur autorja, janë tregues i diturisë së saj dhe guximit intelektual.

Samanta Ademaj, ndjenjën e dashurisë për dheun e të parëve, nderimin për gjakun e derdhur për trojet e tyre, e ka gjenetike – në lartësinë e fisnikërisë së idealit.

Samanat Ademaj zotëron dije të plota për Çamërinë:

  • Si kujtesë historike
  • Si memorje e gjallë
  • Si lule e lënduar.

Edhe pse ende nuk ka shkelur në rrugicat e vendlindjes së gjyshit, edhe pse ende nuk i ka puthur gurët e avllisë së Filatit, bila çame e ka në gjak Çamërinë, e ka në eshtër, në shpirt, në dritën e syrit dhe ia njeh mirë psikologjinë, jetën, dramat, begatitë, bukuritë, pasuritë dhe tragjeditë përgjatë rrjedhave të historisë.

Unë e njoh Çamërinë edhe nga këngët popullore të Çamërisë, mbledhur e përgatitur nga adhuruesi i pasionuar i traditave gojore të popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë i folklorit çam – Fatos Mero Rrapaj nga Gumenica e Labërisë së Vlorë, të cilat janë botuar e ribotuar e përbëjnë një thesar shpirtëror dhe kulturor në një vepër solide dhe serioze.

Unë e njoh Çamërinë edhe nga aparati fotografik dhe kujtesa fenomenle e gati shekullorit Skënder Beqiri – Marubit të Vlorës dhe Çamërisë, me të cilin kam njohje gati gjysmë shekullore dhe miqësi familjare, që vijon si stafetë tradite dhe kulture.

Gjenocidi grek ndaj popullatës së pafajshme çame dhe përzënia, shpërngulja e tyre me forcën e armëve nga monarko-fashistët përbën një nga aktet më të dhunshme dhe barbare të ndodhura në historinë e njerëzimit, me trauma aq të rënda e të padëgjuara, saqë jo vetëm njeriun, por edhe gurin e trondisin, e shkërmoqin…

Ky libër është sa shkencor, se trajton tema si psikologjia sociale, gjenocidi, aspekte psikologjike etj., po aq edhe kombëtar, demokratik e qytetar, se trajton çështjen çame, një krahinë shumë të pasur shqiptare, në të gjitha këndvështrimet e mundshme njerëzore dhe qytetare.

E thashë që në fillim, se është fat për ne që kemi një Samantë, sepse është edhe atdhetare, edhe e re, që do ta vijojë këtë stafetë denjësisht, është edhe e ditur që mund të ballafaqohet e të përballet me të tjerët, sidomos ata studiues të huaj, edhe me ndonjë piçirruk tonin, apo edhe lakej e vulgarë të pështirë të tipit Arian Çani për ato deklarata televizive aq të këqia ndaj Çamërisë martire dhe njerëzve të saj, që janë aq të mirë. Po Samanta është pishtare e kësaj teme kaq të rëndësishme e të prekshme që rrok Çamërinë si psikologji sociale, sepse është vijuese (në fushën e saj) e stafetës që mban ende xha Skënderi me arkivin fotografik, si dëshmi tronditëse të sa e sa traumave çnjerëzore të nënave, bijave e bijve çamë, që edhe dora më dridhet t’i shkruaj.

Samanta nuk është vetëm, ajo nuk mund të jetë vetëm. Secili nga ne, jo vetëm bijtë e bijat e Çamërisë, të bëjmë atë që mundim, atë që duhet, ashtu si duhet dhe kur duhet. Koha rrjedh. Për Çamërinë si psikologji sociale, mendoj se vlen të organizohet edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare dhe ç’ jehonë të bukur, të mirë e të dobishme do të ketë.

Nën hijen e maleve të Babunës dhe imazhi poetik i Mjedës për brezin e pashallarëve që nuk bënë dot Shqipërinë- Nga Dorian Koçi

 

 

Poezia “Mustafa Pasha në Babunë” është një nga krijimet më të fuqishme të Ndre Mjedës, që ndërthur fuqishëm ndjeshmërinë patriotike me një vizion të qartë ideologjik të Rilindjes Kombëtare për fatin dhe figurën e prijësve shqiptarë nën Perandorinë Osmane. Titulli dhe tematika përqendrohen në betejën vendimtare të Mustafa Reshit Pashë Bushatlliut, një prej figurave më të rëndësishme të Pashallëkut të Shkodrës, i cili u thye në luftimet e Babunës nga trupat osmane të kryevezirit Reshid Pasha më 1831. Mustafa Pashë Bushatlliu ishte anëtar i njërës prej familjeve më të fuqishme shqiptare të kohës, që nga fundi i shekullit XVIII dhe në pjesën e parë të shekullit XIX kishte sunduar de facto një pashallëk autonom në Shkodër.

Familja Bushatlli ishte përfshirë në një politikë të vazhdueshme të forcimit të autonomisë lokale kundrejt Portës së Lartë osmane, duke luajtur një rol ambivalent midis patriotizmit lokal dhe interesave të pushtetit personal. Mustafa Pasha, nipi i Ibrahim Pashë Bushatlliut dhe pasuesi i tij, trashëgoi jo vetëm një strukturë të konsoliduar feudale, por edhe një konflikt të hapur me Perandorinë Osmane, e cila, nën presionin e reformave centralizuese pas rënies së Ali Pashë Tepelenës kërkonte të rivendoste kontrollin mbi provincat.

Mustafa Pasha, të cilit iu dha grada e vezirit brenda dy vjetëve (maj 1812) punoi që të mbante nën rregull dhe administrim të plotë zotërimet osmane në Ballkan , aq sa u caktua që të shtypte kryengritjen e Ali Pashait të Janinës ndaj qeverisë qendrore. Së bashku me valiun e atëhershëm të Rumelisë , arritën të shtypnin rebelimin e Ali Pashë Tepelenës më 1822. Ai kontribuoi në shtypjen e rebelimeve në zotërimet osmane në Ballkan duke eliminuar sulmet malazeze ndaj viseve shqiptare. Sidoqoftë ai kundërshtoi rekrutimin e rregullt ushtarak që u përpoq të zbatohej në Rumeli, duke u bërë kësodore kundërshtar me kryevezirin Mehmed Reshid Pashën. Mustafa Pashë Bushatlliu u thirr nën armë për luftën Osmano-Ruse të 1828-29, duke iu dhënë komanda e krahut të Edrenesë, iu dha tagër të mobilizonte krejt Rumelinë. Ai luftoi kundër rusëve ku këta kishin okupuar Vidinin dhe Rahovën, shërbime për të cilat u lavdërua nga Sulltan Mahmudi II.

Gjithsesi ai pati pakënaqësi pasi pa që Sulltan Mahmud II dëshironte të eliminonte pushtetin autonom të pashallëqëve. Për këtë arsye u radhit me krerët e pakënaqur boshnjakë, valiun e Egjiptit Mehmet Ali Pashën , princin serb Millosh Obrenoviqin dhe princin malazez Petar Njegoshin II për të kundërshtuar centralizimin e pushtetit persndorak osman në Ballkan. Kur ia hoqën sanxhaqet e Ohrit, Elbasanit dhe Dukagjinit/Pejës nga administrimi i tij, ai reagoi duke shtirë në dorë qytetet e Nishit, Sofies dhe Shkupit, veprim për të cilin u shpall rebel. Në vitin 1831, Mustafa Pasha udhëhoqi ushtrinë e tij kundër forcave të Sulltan Mahmutit II. Beteja përfundimtare u zhvillua në malin Babunë, një vendmal i lartë në afërsi të Perlepit në Maqedoninë e Veriut të sotme.

Babuna, me luginat e thella dhe peizazhin e ashpër, u kthye në një teatër të një disfate të madhe që shënoi fundin e autonomisë së Pashallëkut të Shkodrës. Mustafa Pasha u ngujua në kalanë e Shkodrës, ku pasi u rrethua kërkoi që të dorëzohej dhe e shpunë në Stamboll. Iu dha një banesë në lagjen Sulejmanije, ku në sajë të personalitetit të tij fetar, interesit për letërsinë, poezisë së tij dhe kuvendimeve, rrethi i miqëve të tij në kryeqytet erdhi duke u shtuar. Kësisoj ai u kthye edhe njëherë nëpër detyra qeveritare,në Bolu, Kastamony, Adana, Marash dhe Konja nëpër Anadoll. Më pas u kthye sërish në Rumeli, me detyrë në Hercegovinë me qendër vilajeti në Mostar më 1853. Si detyrë të fundit u emërua shejh-ul harem në Medine, titull nderimi që u jepej dijetarëve islamë nëpër dy qytetet e shenjta.. Ndërroi jetë në Medinë ku dhe u varros në varrezat Bekije të saj.

Ndre Mjeda, si përfaqësues i elitës intelektuale të Rilindjes Kombëtare, ofron përmes kësaj poezie një akt gjykimi moral dhe historik ndaj pashallarëve shqiptarë, të cilët, sipas tij, pavarësisht prejardhjes shqiptare, nuk e shfrytëzuan pushtetin për të çliruar vendin, por për t’u bërë pjesë e sistemit shtypës osman. Në këtë mënyrë, Mustafa Pasha përfaqëson një trajektore tragjike: një figurë shqiptare me autoritet, që nuk u vu në shërbim të kombit.

Në strofat e para, Mjeda përshkruan një peizazh të shkatërruar, të zbrazët dhe të përvuajtur:

E djerr â toka: krrut ndër livadhe / Shkon kau… / E n’mal pa nieri berret firojnë…

Këto vargje janë pasqyrim i gjendjes së Shqipërisë, ku jetesa është rrënuar, burrat mungojnë, prodhimi është ndalur dhe jeta është pezulluar. Kjo zbrazëti nuk është thjesht natyrore, por pasojë politike – rezultat i një pushteti të korruptuar dhe të shërbyer vetes. Në kontrast me pasivitetin e pashait, vjen fuqishëm imazhi i luftëtarëve shqiptarë:

Mbas teje, Shqype, burrat fluturuene / Ndër male t’reja… / T’gjith për atdhe.

Mjeda krijon një ndarje të qartë midis trimit shqiptar të lirisë, që shkon në male për t’u flijuar për Atdheun, dhe figurës së pashait të korruptuar, që rri “mbi thasë florinjsh” duke dëgjuar muzikë orientale në oborret e pushtetit.Figura e Mustafa Pashës portretizohet me sarkazëm dhe përçmim:

E pasha, ndejun mbi thasë t’florive / Ndër valle jevgkash, n’lodër dudumash…

Këtu Mjeda denoncon hedonizmin dhe dekadencën e një klase sunduese që ka humbur kontaktin me popullin dhe që është bërë objekt talljeje, jo vetëm nga armiqtë, por edhe nga forcat e mbinatyrshme (shtojzovallet, që “kcejnë me ty”). Strofat kulmore janë ato ku vjen gjykimi historik dhe moral:

Ora e shqyptarit t’lëshoi, e fatosat / Gjikim po lypin…

Drejtësia vjen me vonesë, por vjen. Në një skenë pothuaj mitike, paraqitet shpirti i Mehmet Beut, gjyshit të tij , themeluesit të Pashallëkut të Shkodrës, që vjen nga varri për të kërkuar llogari dhe për të vendosur një vlerësim moral për fatin e atdheut dhe për fajtorët e tij.Në vargun përmbyllës, Mustafa Pasha përballet me një dënim të dyfishtë: atë moral dhe fizik:

Zgaq i përbuzshëm, Shqypnija t’volli: / Ty shpina e detit, ty, vend robnijet, / T’pret Anadolli.

Shqipëria – në kuptimin e vetëdijes kombëtare – e refuzon pashain, e largon si trup të huaj. Anadolli nuk është thjesht vendi ku ai internohet, por simbol i rrënjës së huaj, të cilës ai i përket më shumë se Shqipërisë.

Ndre Mjeda nuk e sheh figurën e Mustafa Pashës me sytë e historisë zyrtare, por me sytë e popullit dhe të ndërgjegjes kombëtare. Ai përqafon idealet e Rilindjes Kombëtare, ku vlerësohen: Vetëflijimi për Atdheun, largimi nga ndikimi osman, rivendosja e drejtësisë historike dhe ngritja e figurës së luftëtarit dhe delegjitimimi i bashkëpunëtorëve me Perandorinë. Kjo poezi kthehet në një akt akuzë, vajtim kombëtar dhe një thirrje për llogaridhënie për gjithë ata që, si Mustafa Pasha, kishin fuqinë por nuk patën vizionin për të ndërtuar një Shqipëri të lirë.

Historikisht, Mustafa Reshit Pasha Bushatlliu ishte një figurë e fuqishme: reformator, ushtarak, ndonjëherë edhe në konflikt me Stambollin. Ai kontribuoi në infrastrukturën dhe arsimin e Shkodrës, por po ashtu u pa si pengesë për konsolidimin e një vetëdijeje kombëtare shqiptare, sepse ruajti lojalitetin ndaj strukturës osmane dhe i kundërshtoi përpjekjet për organizim të brendshëm autonom. Ndre Mjeda përfaqëson atë brez rilindas që e shkëput gjykimin historik nga meritat individuale të një administratori osman dhe e zhvendos te përgjegjësia kombëtare. Në këtë këndvështrim, Mustafa Pasha, pavarësisht se shqiptar, shihet si përfaqësues i huaj në trojet shqiptare, si një mohues i misionit kombëtar.

Poezia “Mustafa Pasha në Babunë ” nuk është vetëm një poezi për një betejë të humbur; ajo është një epitaf moral për një epokë të gabuar, një akt ritual i ndarjes së Shqipërisë së re nga Shqipëria e nënshtruar. Për Ndre Mjedën dhe për elitën rilindase, Pashallëku i Shkodrës nuk ishte një gur themeli i shtetësisë shqiptare, por një shans i humbur, një formë e tjetër e nënshtrimit.

Përmes këtij teksti, Ndre Mjeda vendos në qendër parimin e përgjegjësisë kombëtare, duke e shndërruar poezinë në një gjykim poetik dhe historik të elitës së vjetër feudale shqiptare dhe në një manifest për lindjen e një elite të re, të vetëdijshme për identitetin dhe të ardhmen kombëtare.

Mustafa Pasha në Babunë

===========================

E pranë vallet ndër male unji

E ushtima e pushkve ndër lugje mejti;

Ndër festa e t’kremte n’fushë e n’malci

Burrnimi u dejti.

.

E djerr â toka: krrut ndër livadhe

Shkon kau, e avllin qi del prej arve

Erton e nepet për stinë të madhe,

Për rreth t’kularve.

.

Por mb’zgjedhë mbërthye kulartë pushojnë

Vjerrun nën trena, e rri n’gardh parmenda;

E n’mal pa nieri berret firojnë,

O dridhen mbrenda

.

Vathit, ku unshem sillet ulkoja,

E rrmon me kthetra dyert që barija

Dikur pertrini, sot hull e zoja

Pa burrë te shpija.

.

Mbas teje, Shqype, burrat fluturuene

Ndër male t’reja, n’nji lugje t’re;

Gadhnjim o deken tuj lyp’ u lshuene

T’gjith për atdhe.

.

E luftojnë rrebtas: nën breshni plumbit

Qi karajfilet lëshojn’ e bershanat,

Turren, o Shqype, si rrjedha e lumit

Trimat si zanat.

.

E pasha, ndejun mbi thasë t’florive

Ndër valle jevgash, n’lodër dudumash,

Tallet i knaqun prej zanit t’fqive,

Si qen mbas trumash.

.

O pjellë e keqe! O dhunë!, o kore!

Qe, shtojzovallet, pa e dijt’, po kcejnë

Me ty e zgërdhihen, e j’kangë mortore

Nën za shpërthejnë.

.

Ora e shqyptarit t’lëshoi, e fatosat

Qi n’luftë, pa shkrepun, shkrine në marri,

Gjikim po lypin, e thekshem kosat,

Shpirtna me mni,

.

Sjellin n’shpi tande. Qe Mehmet Begu,

Eshtna t’shpluemun, mbi vorr tu’ u çue,

Idhun prej s’largut t’thotë: “Ktu â shtegu

Me folë me mue.

.

Ktu t’prita ç’moti: ktu do tpaqohet

Vaji i nji femnës, qi n’mjerim lëshova

Pa faj; shqyptari ktu do t’kujtohet

Se hupës nuk shkova.”

.

E prej gjith fushash bajnë valle t’mnershme

Arët e livadhet qi j ditë grabite:

Sot, vonë, ma t’rrebshëm për faje t’hershme

Gjikimin prite.

.

Del, mizuer, këndenaj, del; prej mërzijet

Zgaq i përbuzshëm, Shqypnija t’volli:

Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,

T’pret Anadolli

.

1-Mustafa Pashë Bushatlliu

2-Malet Babunë në Maqedoninë e Veriut

3-Ndre Mjeda.

NJË DITË NË NJËSINË ADMINISTRATIVE HORË- Nga Albert HABAZAJ

 

Buzë Lumit në Horë, nën malet me borë dhe në verë…

 

Në çdo kohë, sidomos sot, njerëzit kanë halle, shqetësime, përplasje, probleme e çështje që të çojnë në zyrat e shtetit, sepse kërkohet zgjidhje administrative, ligjore.

Duke qenë se kemi në Tërbaç shtëpinë, trojet dhe tokat e prindërve, largimi i tyre nga jeta, më ka detyruar që tok me vëllezërit, të merremi me pronat që na lanë prindërit, por që sorollatemi kaq kohë nëpër zyrat e administratës, nëpër noterë, avokatë e sekserë të tyre, që janë mjeshtra të mëdhenj të rraskapitjes së ngadaltë të njeriut që kërkon atë që i takon nëpër ato dyer të errëta, që të shfaqen me një heshtje të trembshme.

Jo kudo është kështu. Sikurse ka zyrtarë liliputë, që karrigen e postit funksional ku ulen e quajnë të gjithmonshme dhe zyrën e shtetit pronë private, patjetër që ka mjaft zyrtarë e sidomos specialistë shumë të mirë, të aftë dhe të gatshëm për të të shërbyer qytetarisht, që e meritojnë mirënjohjen tonë.

Rikthehemi tek objekti i këtij shkrimi:

Tërbaçi, sikurse fshatrat Vranisht, Bolenë, Kallarat, Kuç e Kuç Buronja janë në përbërje të Njësisë Administrative Horë – Vranisht, bashkia Himarë. Historikisht këto treva të Labërisë së Brendshme, Himarë kanë qenë dhe ashtu janë quajtur përgjatë rrjedhave të kohës. Dhe jo vetëm këto, por kënga e vjetër thotë: “Që në Gumenicë e lart/ Himarë i thonë çdo fshat…”. Himara dhe Labëria kanë qenë sinonime të njëra-tjetrës. Sot ne ndihemi mirë që na thonë himariotë, se jemi.

Në këto ditë të nxehta vere, më çoi nevoja në Horë, tek Komuna, i themi ne. Nuk më kishte çuar asnjë problem për të shkuar më parë në ato zyra. Katër qenë dokumentet/ vërtetimet që m’u deshën e s’është nevoja të citoj lëndën përkatëse të tyre, por atë ndjesi të fuqishme vlerësimi nga shërbimi i kulturuar qytetar i atij personeli teknik në zyrat e asaj njësie administrative sipër, në malësi të Labërisë, dua ta ndaj me lexuesin tonë, sepse më la përshtypje shumë të mira.  Kur shkova, e them me pastërti, që u ndjeva shumë mirë dhe mendova me kënaqësi që ka zyrtarë të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të devotshëm, të zotë e idealistë, mendjehapur dhe guximtare si Elena Memushaj (Administratore e Njësisë Horë – Vranisht, Bashkia Himarë, e cila di ta bëjë organizmin e vogël të punës në mënyrën më të mirë të mundshme) apo specialistët aq të mirësjellshëm, të thjeshtë dhe punëmbaruar, si Eliona Cacaj, Bjonkina Metaj, Emanuela Shirokaj, Santel Kapaj, Dionis Kapaj etj.

Atje pashë një shërbim korrekt të standardeve, që kërkon detyra, koha dhe integrimi në Bashkimin Europian.

Atje pashë një disiplinë të rreptë, si të ishe në mjediset e një reparti ushtarak të dalluar.

Atje pashë një komunikim të ngrohtë, sikur kishe të bëje vërtet me motra e vëllëzër.

Atje pashë një edukatë të njerëzishme, një edukatë pune, një edukatë estetike të shëndoshë, që të bën të ndihesh i vlerësuar si njeri.

Atje e pashë me sy humanizmin, si një ndjenjë e lartë dhe fisnike dhe dashuri të thellë ndaj njerëzve, kujdes e vëmendje për banorët, që mbulon kjo njësi administrative.

Dyert e Njësisë Administrative Horë – Vranisht, janë të hapura çdo ditë për çdo banor. Me përkushtim dhe përgjegjësi, punonjësit e saj janë pranë komunitetit për të dëgjuar, orientuar dhe gjetur zgjidhje për çdo shqetësim.

Njësia Administrative Horë ka një staf shembullor, që punën e shtetit e bëjnë me profesinalizëm dhe dashuri, jo rrallë herë edhe jashtë orarit të punës, jo thjesht për shkak të shtrirjes gjeografike dhe terrenit malor, por sepse e ndjejnë së brendshmi kryerjen e detyrës si shërbestarë të atij komuniteti.

Padiskutim, që mjeshtëria në drejtim dhe organizimi i punës në grup, aftësia, vizioni, dija, përvoja, marrëdhëniet e shëndosha me vartësit, virtytet dhe vlerat morale dhe qytetare të dr. Vangjel Tavo si kryetar i Bashkisë Himarë kanë efekt të fuqishëm dhe lënë gjurmë jo vetëm tek drejtuesit e njësive administrative të bashkisë që ai drejton, sikurse është dhe Hora jonë, por tek mbarë populli i kësaj zone, buzë Detit a buzë Lumit qofshin. Doktor Tavo nuk punon për efekte politike, por profesionale, se ndjen dhe ka mundësi të bëjë punë të mira, siç ka bërë e po bën e gëzon respekt jo vetëm në Tërbaçin tim, por nga mbarë himariotët e Detit dhe të Lumit.

Ndërkohë, Elena Memushaj, Administratorja e Nj.A. Horë, kjo vajzë labe e mancipuar, e  qetë, e matur, e urtë në gjykim e vendimarrje, e dëlirë si ujët e gurrës mbi krye, është edhe një artiste popullore, dashamirëse dhe përkrahëse e folklorit të zonës. Ajo di t’ia marrë bukur, pastër e ëmbël këngës labe; di të heqë vallen e kënduar labërisht, sipas stilit muzikor të Vranishtit, Kallaratit etj., në variantin grarisht; ajo di ta mbushë këngën labe me eee – në magjike.

Elena është edhe poete, shkruan vjersha lirike për kënaqësi të saj së pari e jo për t’u dukur. Ka një familje të mrekullueshme që e çmon të shenjtë. Lena ka ngritur edhe një kënd libri, një mikrobilibiotëk tek zyra e saj, me besim e shpresë që, edhe atje në mes të maleve të Çikës, Bogonicës dhe Çipinit të jetë një bibliotekë e merituar për ata banorë të mirë, bujarë, punëtorë e të etur për dije dhe kulturë. Pashë që në raftet e saj, ajo bibliotekë e vogël, porsi kukull drite, kishte libra tekniko-profesionalë dhe ligjorë, literaturë të huaj, sikurse m’u bë zemra mal, kur pashë libra të prof. dr. Bardhosh Gaçes, të prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, të prof. dr. Rami Memushaj (Lena, kjo bijë Vranishti është nuse në Kallarat, tek nipi i profesor Ramiut); pashë libra të shkrimtarit vlonjat Çlirim Hoxha etj. Edhe unë i dhurova librin “Buçet kënga labe: Festivali Folklorik, Drashovicë, 2018”, botuar para një muaj, në qershor 2026. Shkrimtarët e qytetit, veçanërisht poetët dhe shkrimtarët e Lumit të Bardhë (Lumit të Vlorës) është mirë të kenë libra të tyre edhe në Njësinë Administarive Horë.

Kemi nevojë të ndihemi njerëz dhe për këtë vlerë identitare ndikojnë për mirë apo shqetësim edhe drejtuesit, që nga qeliza zyrtare deri në kupolë. Elena Alikaj Memushaj është një nga ata drejtuese lokale, që e vë pikën mbi ì dhe na bën të ndihemi njerëz.

LETRA E PAPA LEONIT NUK ËSHTË VETËM PËR KARDINALIN TONË, POR PËR TË GJITHË NE, (EDHE PËR ATA QË S’DUAN TA LEXOJNË…)- Nga VISAR ZHITI

Screenshot1.

Letra e Papës:

VËLLA I NDERUAR,

me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete.

Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese. Sa shumë lutje do të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa përgjërime janë pëshpëritur në zemër! Sa shumë njerëz, të shënuar nga mundimi dhe privimet, ia kanë besuar Zotit shpresën e tyre të fundit!

Memoria na e kujton se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Vet dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Hyjit (krh. Rom 8,35-39).

Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen.Të gjithë të pranishmit ia besoj ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, Nënës së Shpresës, dhe, duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutje, i jap me gjithë zemër Eminencës Suaj dhe të gjithë pjesëmarrësve në kremtim Bekimin Apostolik të kërkuar.

Nga Vatikani, më 30 korrik 2026

LEONI PP. XIV

2.

EMOCION IMI:

Vëlla i nderuar! – i shkruan Papa Leoni bashkëvuajtësit tonë, tani Kardinalit dom Ernest Simoni, që është rikthyer atje ku ka qenë i burgosur dhe po mban Meshën e Shenjtë.

Vëlla i nderuar, – i thotë. Sa mallëngjyes është mallëngjimi i Tij! Njerëzor, që arrin qiejt…

Dy fjalë: “vëlla” dhe “i nderuar”, që na mungojnë aq shumë…

Kujtoj me dhimbje të thellë bashkëvuajtësit e mi, ata që s’janë, që i vrau shteti e u vranë në minierë e ferrit, kujtoj miqtë e miqtë e mi të prangave me flokët e bardhë e plagë në zemër, ku nuk shohin dot të gjithë…Papa është me ne, me vuajtjen tonë…

Letra është dhe për shtetarët e tanishëm, politikanë e deputetë, Kryeministrin e Presidentin, që nuk bëjnë asgjë me rëndësi për kujtesën kolektive, muzeume të diktaturës, BunkArt 1 e sikur të mos mjaftonte edhe BunkArt 2, Shtëpi me Gjethe e të Socrealizmit, jo muze Spaçin, as filmin per revoltat në burg, as Burrelin, Tepelenën, Savrën, etj, veç barriera të padukshme dhe te dukshme per letërsinë që erdhi prej andej, per poezinë e romanet e përkthimet e mëdha, jashtë teksteve të edukimit shkollor… dhe sa trishtim, kur ka nga ata, edhe intelektualë, që duhet të ishin vërtet vëllezërit e ish të burgosurve politikë, empatikë për vuajtjen e tyre, kur vetë ishin me ata që shtypnin, me veprat dhe fjalën, vazhdojnë të dalin kunder si policët të veshur civilë, jo vetëm me braktisje dhe heshtje, por dhe me urrejtje e xhelozi kriminale, madje dhe me sulme, sa duket se duan të mbulojnë kështu nga vetvetja e dikurshme dhe e tanishme, për atë që bënë e që s’guxuan të bëjnë, qortojnë si Judë me talent ish të burgosurit… Në qoftë se kjo shoqëri ka ende nder e moral, në eshtër e ka prej të burgosurve politikë, që tani duan t’i nëpërkëmbin, se pa ata do të dukeshin ata që nuk janë dot… por fali, o Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë!

Apo e dinë shumë mirë, pyes prapë…

Vëllezër të nderuar, – kështu siç thotë dhe Papa!

Lexojeni sërish letrën e Shenjtërisë së Tij, është e thjeshtë si Letrat Biblike, e pakët si metaforat e saj, po ka aq botë me thirrjen se ku duhet të jemi…

3.

PËRGJIGJE LETRËS:

Shenjtëri, Papa Leoni,

Si një ish i burgosur i Spaçit, ju falënderoj dhe unë me gjithë zemër për letrën tuaj drejtuar Kardinalit tonë, Dom Ernest Simoni

Troshanit me rastin e Meshës së kremtuar në atë vend vuajtjeje dhe martirizimi.

Edhe Krishti ishte aty…

Letra Juaj është për të gjithë ne.

Fjala juaj i prek thellë shpirtrat tanë. Ajo na kujtoi se, edhe në errësirën më të madhe, “Drita shndrit në errësirë dhe errësira nuk e mundi.” (Gjn 1,5). Ky ngushëllim dhe ky bekim do të mbeten të pashlyeshëm në kujtesën tonë.

Unë ju shoh shpesh si vegim para Zonjës së Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e Shqiptarëve, ku Ju, Shenjtëri, bëtë vizitën e parë jashtë Vatikanit…

Zoti ju bekoftë dhe Shpirti Shenjtë ju udhëheqtë gjithmonë në shërbimin tuaj për Kishën dhe mbarë njerëzimin.

Me nderim dhe lutje,

një ish i burgosur politik i Spaçit,

Visar Zhiti

nga Chicago-ja Juaj,

31 Korrik 2026

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë reagon pas deklaratës së presidentit serb se “Kosova është pjesë e Serbisë”

KUNDËR RETORIKËS SË URREJTJES DHE KËRCËNIMIT TË PAQES NË BALLKAN NGA PRESIDENTI SERB ALEKSANDËR VUÇIÇ
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për deklaratat e fundit të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili, në ceremoninë e promovimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura Serbe, deklaroi se “Kosova është pjesë e Serbisë”, duke e shoqëruar këtë pretendim me njoftime për fuqizimin e mëtejshëm të potencialit ushtarak të vendit të tij. Po aq alarmuese janë edhe deklaratat e ministres serbe Snežana Paunović, e cila shprehu publikisht mbështetje për konceptin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës, një gjuhë që është dënuar me të drejtë edhe nga Bashkimi Evropian si e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të qytetërimit evropian.
Ne reagojmë jo si aktorë politikë, por si përfaqësues të ndërgjegjes kulturore të kombit shqiptar. Historia ka dëshmuar se luftërat nuk fillojnë me armët; ato fillojnë me fjalët. Ato lindin nga manipulimi i historisë, nga mohimi i së vërtetës dhe nga shndërrimi i miteve nacionaliste në doktrina shtetërore. Për këtë arsye, intelektualët nuk kanë të drejtë të heshtin kur gjuha politike fillon të rrëshqasë drejt revizionizmit historik dhe legjitimimit të konflikteve të reja.
Pretendimi i Presidentit të Serbisë se Kosova është pjesë e Serbisë përbën një shtrembërim të së vërtetës historike dhe një mohim të realitetit juridik ndërkombëtar. Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e e shtetit serb, ndërsa që nga lashtësia ka qenë një nga trevat qendrore të qytetërimit iliro-arbëror dhe shqiptar. Ndarja e saj nga shteti shqiptar nuk ishte rezultat i vullnetit të popullsisë autoktone shqiptare, por pasojë e vendimeve të Fuqive të Mëdha, veçanërisht e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), e cila, për arsye që dihen la jashtë kufijve të Shqipërisë pjesën më të madhe të territoreve shqiptare.
Pohimi se “Kosova është pjesë e Serbisë” nuk përbën vetëm një deklaratë politike për konsum të brendshëm, e nxitur nga dështimet e Vuçiçit, frustrimet nga protestat e gjata kundër pushtetit të tij dhe ethet e zgjedhjeve të vjeshtës në këtë vend. Ajo është një mohim i realiteteve juridike, historike dhe ndërkombëtare të krijuara pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran që nga 17 shkurti 2008. Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 konstatoi se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky është një fakt juridik me rëndësi themelore në arkitekturën bashkëkohore të së drejtës ndërkombëtare, i cili nuk mund të zëvendësohet nga deklarata politike apo interpretime të njëanshme kushtetuese.
Po aq i padiskutueshëm është edhe dimensioni historik. Kosova përfaqëson zemrën e Dardanisë antike, një nga hapësirat më të rëndësishme të qytetërimit ilir në Ballkan. Kur fiset sllave filluan të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik gjatë shekujve VI–VII, qytetërimi iliro-dardan kishte tashmë një vazhdimësi shumë shekullore, me organizim politik, kulturë urbane, traditë juridike dhe jetë kishtare të konsoliduar. Pikërisht nga Dardania kanë dalë figura të shquara të qytetërimit evropian, ndër ta edhe perandorë romakë si Konstantini i Madh dhe Justiniani i Madh, si dhe personalitete të rëndësishme të krishterimit të hershëm.
Historia nuk mund të përdoret si instrument propagande. Ajo është disiplinë shkencore dhe kërkon argumente, burime dhe metodologji. Pretendimet territoriale të shekullit XXI nuk mund të mbështeten mbi mite politike të shekujve të kaluar.
Është po ashtu e domosdoshme të kujtohet se kufijtë politikë të Ballkanit nuk janë rezultat i një vazhdimësie historike lineare, por produkt i proceseve komplekse ndërkombëtare. Pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913, më shumë se gjysma e territoreve etnike shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar të sapokrijuar si pasojë e vendimeve të Fuqive të Mëdha. Ky është një fakt i njohur në historiografinë evropiane dhe duhet të shërbejë si kujtesë për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes në rajonin e Ballkanit.
Shqetësimi ynë bëhet edhe më i madh kur deklarata të tilla shoqërohen me retorikë militarizuese dhe me një proces të intensifikuar armatimi. Asnjë shtet nuk mund të qortohet për forcimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse, por kur kjo shoqërohet me pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj, mesazhi politik fiton një kuptim krejt tjetër. Historia evropiane e shekullit XX dhe luftërat shfarosëse të nxitura nga Serbia në vitet 1990 në ish-Jugosllavi, na mësojnë se nacionalizmi agresiv, revizionizmi historik dhe militarizimi i diskursit publik kanë qenë paraprirësit më të rrezikshëm të konflikteve.
Ne nuk mund të harrojmë se në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin pikërisht shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës ata që paralajmëruan se politika e Serbisë së Madhe do ta çonte ish-Jugosllavinë drejt tragjedisë. Paralajmërimet e tyre nuk u dëgjuan me seriozitetin e duhur. Pasojat janë të njohura: luftëra shkatërrimtare, qindra mijëra viktima, miliona njerëz të zhvendosur dhe plagë që vazhdojnë të rëndojnë ndërgjegjen e Evropës.
Prandaj, çdo rikthim i gjuhës së viteve nëntëdhjetë duhet të konsiderohet një sinjal alarmi.
Veçanërisht të papranueshme janë deklaratat që relativizojnë ose justifikojnë spastrimin etnik. Krimet kundër njerëzimit nuk mund të bëhen objekt nostalgjie politike. Ato nuk mund të relativizohen dhe as të paraqiten si alternativa legjitime të veprimit shtetëror. Një retorikë e tillë cenon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor, kujtimin e viktimave dhe themelet morale mbi të cilat është ndërtuar Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Këshillit të Evropës, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha institucioneve demokratike ndërkombëtare që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të vendosur kundër çdo retorike që cenon sovranitetin e shteteve, nxit urrejtjen etnike ose krijon klimë pasigurie në Ballkan.
Procesi i integrimit evropian nuk mund të jetë i shkëputur nga përgjegjësia historike. Serbia, ende pa marrë përgjegjësinë për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirat etnike shqiptare të ish-Jugosllavisë, ka nisur sërish një retorikë që rikthen kujtesën e politikave të dhunës, agresionit dhe spastrimit etnik.
Çdo shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të dëshmojë jo vetëm përmbushjen e kritereve teknike, por edhe pranimin e plotë të kulturës demokratike, të së drejtës ndërkombëtare, të pajtimit dhe të respektit për fqinjësinë e mirë.
Retorika serbe që mohon shtetësinë e një vendi fqinj ose rehabiliton koncepte të lidhura me spastrimin etnik bie ndesh me vetë frymën e projektit evropian.
Shkrimtarët dhe artistët nuk shkruajnë histori për të ndezur urrejtje, por për të mbrojtur kujtesën. Ata nuk mbrojnë kufij me armë, por mbrojnë qytetërimin me fjalë. Pikërisht për këtë arsye, ne e konsiderojmë detyrim moral të ngremë zërin përpara se historia të përsëritet.
Serbia, e cila ende nuk ka pranuar përgjegjësinë historike, politike dhe morale për krimet e rënda dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirat etnike shqiptare të ish-Jugosllavisë, spastrimit etnik dhe krimet e kryera ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve gjatë luftërave të viteve 1991–1999, po rikthen një retorikë revanshiste që evokon politikat e dhunës, agresionit shtetëror dhe spastrimit etnik.
Ballkani nuk ka nevojë për mite të reja lufte. Ai ka nevojë për një kulturë paqeje, për dialog, për respekt reciprok dhe për pranimin e së vërtetës historike.
Vetëm mbi këto themele mund të ndërtohet një e ardhme evropiane për të gjithë popujt e rajonit. Shqiptarët do të jenë bashkë në përgjigje të çdo sfide dhe agresioni ngado që të vijnë.
LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË
Dr. Mujë Buçpapaj
KRYETAR

Tradita gojore për Millosh Kopiliqin në Kosovë te popullsia shqiptare

 

Tradita gojore për Millosh Kopiliqin në Kosovë te popullsia shqiptare, Beteja e Kosovës dhe roli i heronjve shqiptarë në këtë betejë në romanin „Skënderaj i Skënderbeut“ të Sokol Demakut

Romani „Skënderaj i Skënderbeut“ i autorit Sokol Demaku është një vepër letrare ku ndërthuren historia, tradita gojore dhe kujtesa kombëtare. Një vend të veçantë në roman zënë rrëfimet popullore për Millosh Kopiliqin, lidhja e tij me Kosovën dhe interpretimi i Betejës së Kosovës nga këndvështrimi i traditës popullore shqiptare.

Në traditën gojore shqiptare, Millosh Kopiliqi konsiderohet një hero i shquar me prejardhje nga Drenica, përkatësisht nga fshati Kopiliq në Kosovë. Sipas kësaj tradite, trimëria, besnikëria dhe gatishmëria e tij për flijim përbëjnë një shembull kalorësie që është përcjellë brez pas brezi. Në romanin e Sokol Demakut, këto rrëfime janë integruar në strukturën letrare për të paraqitur lidhjen shpirtërore dhe historike të banorëve të këtij rajoni me të kaluarën e tyre.

Beteja e Kosovës në roman nuk paraqitet vetëm si një ngjarje historike, por edhe si simbol i qëndresës, lirisë dhe luftës kundër pushtimit osman. Autori thekson rolin e heronjve shqiptarë, të cilët, sipas traditës popullore dhe kujtesës historike lokale, morën pjesë në betejë krah për krah me luftëtarët e tjerë të krishterë. Trimëria dhe sakrifica e tyre paraqiten si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive të popullsisë së Kosovës.

Vëmendje e veçantë i kushtohet figurës së Millosh Kopiliqit, i cili në roman paraqitet si simbol i nderit, dinjitetit dhe qëndresës. Vepra dhe flijimi i tij marrin një vlerë të fuqishme simbolike, ndërsa personaliteti i tij bëhet një urë lidhëse midis traditës gojore dhe interpretimit letrar të historisë.

Përmes romanit „Skënderaj i Skënderbeut“, Sokol Demaku synon të paraqesë pasurinë e traditës gojore, rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vendin që zë Beteja e Kosovës në kujtesën kolektive të popullsisë shqiptare në Kosovë. Njëkohësisht, vepra paraqet një interpretim letrar të së kaluarës, duke u mbështetur në traditën, legjendat dhe rrëfimet gojore që janë ruajtur ndër shekuj në mesin e popullit shqiptar.

Mendoj se ky publikim zë një vend të rëndësishëm në letërsinë dhe historiografinë shqiptare. Ai vjen në një kohë kur, pothuajse çdo ditë, në mediume të ndryshme, një pjesë e historiografisë serbe përpiqet të përvetësojë figurën e Millosh Kopiliqit dhe ta paraqesë atë jashtë kontekstit të traditës dhe kujtesës historike shqiptare. Ky botim sjell në vëmendje burime, nga tradita popullore dhe dëshmi që pasqyrojnë vendin e Millosh Kopiliqit në kulturën dhe kujtesën kolektive shqiptare, veçanërisht në Drenicë, ku ai nderohet si një hero i shquar.

Në këtë mënyrë, libri nuk ka vetëm vlerë letrare, por edhe historike e kulturore, sepse kontribuon në pasurimin e debatit shkencor mbi një nga figurat më të rëndësishme të mesjetës ballkanike. Ai i jep lexuesit mundësinë të njohë një këndvështrim të mbështetur në traditën shqiptare dhe në burime të ndryshme, duke nxitur një qasje kritike dhe të argumentuar ndaj interpretimeve historike. Në këtë kuptim, ky botim përfaqëson një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë historike shqiptare dhe të kujtesës për heroin drenicak Millosh Kopiliqi.

 

Më poshtë po paraqesim disa fragmente nga romani i përmendur, në të cilat Beteja e Kosovës është përshkruar në një mënyrë origjinale.

 

 

                              Fusha e Mëllenjave

 

Vapa ka kapluar Fushën e Mëllenjave në të katër anët. Është muaji maj e, si duket këtë vit kjo verë do jetë e nxehtë, përvëluese. Nuk kanë thënë kot të vjetrit “Dita e mirë shihet në mëngjes”. Kjo vapë përvëluese e kësaj vere, kishte pjekur çdo gjë që ishte në sipërfaqe të tokës. Edhe korja e tokës ishte çarë.

Koha dhe moti janë një, nuk ndryshohen. Por më e keqja e këtyre njerëzve ishte sundimi grabitqarë i osmanve, të cilët shtrinë zullumin në këtë troje.

Kishte kohë që nuk kishte rënë pikë shiu. Duket se edhe natyra është hidhëruar në troje, të cilat durojnë zullumin e sunduesve të huaj. Dimri pa borë, vera pa shi, pra thatësi që vështirë të përballohet, por duhej bërë si bëhet, e si nuk dinte askush këtu.

Edhe Fusha e Drenicës digjej nga të nxehtit, ishte bërë shkrumb e hi çdo e mbjellë, po edhe drurët kishin filluar të thahen në bjeshkë. Ishte vit i prapë, të nxehtit dhe thatësira, ishin një pengesë për jetën normale të banorëve. Kishte filluar të zvoglohej uji dhe ushqimi. Edhe lumit të Fushës së Drenicës po i pakohej uji. Nuk kishte atë fuqi rrjedhëse si dikur. Kishte kohë kur te Guri i Plakës grumbullohej rinia dhe kalonte kohën rreth zjarreve të natës në stinën e verës. Por ja kaloi ajo kohë. Ishte një kohë tjetër tani. Kishin ardhur agallarë e bejlerë të tjerë në këto troje.

Po Milosh Kopiliqi, ku e kalonte kohën ky trim i këtyre anëve?

Ai kishte pasuri dhe toka nga të cilat siguronte jetën dhe ndihmonte edhe bashkëfshatarët në ato kohë të vështira të atij viti të brisht. I ndihmonte fshatarët me bukë, me veshmbathje, por edhe me kujdesin për bagëtinë, që ata rrisnin e që në këtë kohë thatësire nuk ishte e lehtë të kujdeseshe për to.

Atë mengjes Miloshi ishte ngritur që herët në mengjes. Kishte dalë në çardak dhe përshkoi me një vështrim pronat e tij që shtriheshin nga bjeshka në bjeshkë, në fushat e fshatrave të Drenicës. Sa çudi, çdo kund mbretëronte një heshtje mbytëse, heshtje e cila të kujtonte se diçka nuk shkonte, se diçka nuk është në rregull. Nuk punonin të bekuarit, sepse nuk kishte ujë, kishin shterrur të gjithë lumenjtë, po edhe puset.

Eh! I shkoi mendja atje, tek pashallarët dhe agallarët, të cilët me urdhër të Lartmadhërisë kishin shterrur krojet dhe burimet e ujit në Fushën e Drenicës. Nuk qëndroi shumë trimi në fusha, por me të shpejtë u kthye në shtëpi.  Dukej në fytyrë se kishte shumë vrerë në shpirt. E ndjente atë të keqe, që pushtuesi kishte ndërrmarë për të nënshtruar këto anë.

Me të shpejtë, së bashku me bashkëfshatarët dhe të afërmit e tij u fut në kullë. Ishte një kullë guri me frëngji, e cila kishte një pamje në gjithë pasurinë e trimit. Kishte një pamje në të katër anët. Kishte një pozitë nga ku shihej dhe përcillej çdo lëvizje dhe ecje në këto anë.

U ngjit lart në kullë, vuri xhezvetë në prush, në mangall, edhe për vete por edhe për ata që e shoqëronin. Piu tri kafe pa ndërprerë.

Eh, edhe kjo tregonte mllefin dhe vrerin që kishte në shpirt. Kafet i piu pa sheqer, që nuk ishte traditë e tij, por si duket ishte mllefi ndaj pushtuesit dhe keqbërësve të fshatarëve  të pafajshëm të kësaj ane, ajo që  e kishte hidhëruar pa masë dhe kafenë e donte pa sheqer. Kjo nuk i kishte ngjarë prej kohësh. Ishte një shenjë e keqe, ishte një shenjë trazimi e trimit, ishte një trazim shpirtëror për të, e ndjente në shpirt vuajtjen e bashkëfshatarëve të tij. Po, po ky popull është trim, është i zoti për veten e vet, nuk i nënshtrohet pushtuesit, jo, kurrë!  Nuk ishin vetëm turqit që e hidhëronin trimin, ishin edhe fqinjët e tyre që bënin zullume në fshatrat e anës.

Trimi nga Drenica kishte miqësi me princa shqiptarë nga troje dhe vilajetet shqiptare nga të katër anët. Ishin këta princa, ata të cilët do i dilnin zot kësaj toke në këto kohë të vështira. Edhe Princi nga Drenica kishte autoritet në trojet shqiptare.

Drenica ishte pjesë e Fushës së Mëllenjave, sikur edhe pjesë të tjera që ishin ngjitur me të. Turku kishte shtrirë zullumin në të katër anët.  Në Fushën e Mëllenjave, Sulltani, me të arritur në Ballkan kishte ngritur çadrat. Kishte shpërndarë ushtrinë thujase në të gjithë territorin arbëror. Por, edhe princat shqiptarë e, ndër ta edhe Miloshi së bashku me 2000 luftëtarët e tij prej Drenice, ishte i gatshëm në dyluftim me ushtarët e Sulltanit

Ishte një mrekulli, të gjithë princat shqiptarë ishin bërë një, ishin të gatshëm për atdhe, ishin të gatshëm për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Mbi qiellin arbërorë, mbi Fushën e Mëllenjave, mbi Fushën e Drenicës për çdo ditë shpërndaheshin re të zeza, të cilat e ngulfatninin jetën. Re të cilat nuk lëshonin shi por rrezik për jetën e njerëzve të këtyre trojeve.

Sulltani kishte bërë përgatitjet e duhura për një luftë të ashpër me princat e Ballaknit, të cilët nuk i nënshtroheshin udhërave të Portës së Lartë. Këtu kemi të bëjmë me princër nga të gjitha kombet, të cilët jetonin këtë kohë në trojet ballkanike. Ishte krijuar një lidhje bashkëpunimi mes tyre dhe ushtrive të tyre. Donin që të ishin sa më të fortë në betejën që i priste kundër ushtrisë pushtuese turke. Ishte formuar Lidhja Ballkanike për të përballuar ushtrinë  osmane. E, në atë Lidhje Ballkanike sigurisht që kishte edhe ushtri nga kombet e tjera. Këto kohë, Sulltani, në Arbëri, kishte pësuar humbje të mëdha nga luftëtarët shqiptarë, nga ushtritë e princave shqiptarë në truallin arbëror, sepse bashkim bënë fuqinë, sa herë e zbatonin këtë, ata fitonin kundër armiqve. Ishin krahë për krahë me 2000 luftëtarët e Miloshit, edhe luftëtarët e Muzakajve, Balshajve, por edhe të vet gjyshit të Gjergj Kastriotit.

Kjo betejë u humb. Ushtria osmane e komanduar nga Sulltan Murati dhe dy bijtë e tij fitoi mbi ushtrinë e Lidhjes Ballkanike.

Në betejë ranë dëshmorë edhe shumë trima dhe luftëtarë shqiptarë.

Sulltani ishte përgatitur në mënyrë speciale për këtë luftë, kishte angazhuar forca nga të gjitha pjesët e tokave të pushtuara.

Ishte ditë e premte.

Agu i mëngjesit i gjeti ushtarët osmanë në gatishmëri. Ishte e premtja e fundit e muajit qershor. Në Fushë-Kosovë kishte mbërritur edhe Sulltani, i cili do të drejtonte betejën. Kishte sjellë ushtarë nga më të zgjedhurit,nga ata që ishin gati të flijoheshin për rrugën e Allahut. Shigjetarët ishin në pozicione, ata ishin të parët që do të qëllonin armikun, i cili ishte përballë tyre.

Ranë trumpetat dhe daullet e luftës.

Të parët në sulm kundër ballkanasve u drejtuan këmbësoria osmane, që ishte në mbi dyqindmijë. Të gjithë të veshur në çelik, që, nga shkëlqimi i parzmoreve dukej si një mal i dendur në të zi. Pas sulmit me shigjeta, në anën kundërshtare, shihej se si kuajt binin për tokë ose vraponin duke braktisur kalorësit. Por edhe luftetarët e Lidhjes e, sidomos lufëtaret e princave shqiptarë dalloheshin në këtë luftë të pabarabartë për nga numri  me osmanët. Në të dy taborret shiheshin të rënë të panumurt. Degjoheshin britma njerëzish, hingëllima kuajsh, fërshëllima të gjyleve.

Ushtarët turq filluan tu bien borive. Ishte kohë e riorganzimit të sulmit ku mendohej t`i jepej edhe një goditje tjetër e fuqishme ushtrisë së Lidhjes. Nisën përsëri sulmet njëri pas tjetrit, ushtritë e Lidhjes nuk po i përballonin dot. Shumë princër ose ishin vrarë, ose ishin zënë rob në duart e armikut. Ishin zënë robë gati treqind princër.

Beteja e Fushë – Kosovës përfundoj në mënyrë katastrofale për princat e Ballkanit dhe ushtrinë e Lidhjes Ballkanike. Sulltan Murati I doli fitimtar.

Fusha e Mëllenjave u la me gjak dhe beteja e Kosovës u humb. U humb një betejë vendimtare për trimat e Ballkanit.

Në taborrin e trimit nga Drenica kishte mbi 2000 luftëtarë e, në mesin e tyre ishte edhe Labi, një trim me vlera atdhetare e kombëtare. Edhe Meti, po të ishte në jetë, sigurisht që do të ishte krah për krah me luftetarët e Miloshit dhe trimat e Drenicës në atë betejë.

Ishte shkatërruar çdo gjë, edhe toka sikur qante nga lëngimi, edhe drurët ishin në vaj nga ajo çka kishin përjetuar në dyluftimin mes turqve dhe forcave ballkanase.

Turqit kishin marrë urdhër nga Sulltani të mblidhnin plaçkat e luftës dhe robërit, dhe të dërgoheshin në Stamboll, në Portën e Lartë si dhuratë për fitoren e madhe të Sulltan Muratit në Betejën e Fushës së Kosovës.  Dëgjoheshin daulle e buri për fitoren e famshme të turqve, për fitoren e Sulltan Muratit dhe të dy bijëve të tij, Bajazitit dhe Jakupit. Me atë fitore të madhe kundër Lidhjes Ballkanike, osmanëve u hapej rruga për në perëndim.

 

Taborri i Sulltanit në Vendin e Shenjtë

 

Fusha e Mëllenjave ishte mbuluar në të bardhë nga çadrat e ushtrisë turke në vendin e Shenjtë.

Fusha e Mëllenjave, apo Fushë – Kosova ishte në zi, dukej e shkretë. Në të katër anët, në një hapësirë të paparë shtriheshin mijëra kufoma njerëzish, koka të prera, kuaj të vrarë, hanxharë, shpata, topuze dhe lloje të ndryshme të armëve, të cilat ishin përdorur në betejë. Të mbijetuarit e forcave ballkanike ishin tërhequr dhe nuk u dukej as koka, as bishti. Secili kishte marrë rrugën e  tij për të shëruar plagët dhe dëmtimet nga beteja e madhe dhe e pabarabartë me forcatë e Sulltan Muratit dhe bijëve të tij.

Trimi i kohës, kreshniku i Drenicës Milosh Kopiliqi, me ushtarët e tij, edhe para betejës kishte vendndodhjen e tij në malet e Qyqavicës, atje kishin shtëpinë e dytë kreshnikët e Drenicës.

Por ishte interesante se Kryetrimin e Drenicës nuk e  kishin pranuar të ishte pjesë u ushtrisë së forcave Ballkanike pasi të gjithë flisnin pas shpine për të. Nuk i ishte besuar asnjë formacion ushtarak, që të luftonte nën drejtimin e tij.

Kështu, ushtarët trima nga Drenica do t`i bashkangjiteshin dhe do të radhiteshin krah për krah në formacionet e Gjergj Balshajt, Dhimitër Jonimasë dhe të Theodhor Muzakës.

Në kampin turk kishte edhe pështjellime të përfundimit të betejës, kishte dhe eufori për fitoren e madhe kundër forcave ballkanike, por, gjithsesi, siguria dhe kujdesi për të ruajtur Sulltanin ishte në shkallën më të lartë.

Fusha e Mëllenjave, me gjithë rrethinë, por edhe pjesa tjetër e tokës arbërore ishte shkretuar nga beteja. Ngado ndjehej era e luftës, shihej trishtimi nga ajo dhembje për humbjen e madhe.

Sulltani, cili udhëhoqi vet me dy të bijët betejën, kur pa se fitorja ishte afër, u tërhoq në çadrën e tij, ku e prisnin vajza nga haremi, të cilat  do të kujdeseshin që ai të çlodhej dhe ndjehej mirë pas asaj fitoreje të madhe.

Trimat e kreshnikut Milosh Kopiliqi, ishin vendosur nën kurorën e maleve të Qyqavicës dhe qëndronin në gatishmëri, nëse do krijohej ndonjë rrethanë e befasishme sulmi mbi trupat osmane.

Vetë kreshniku i Drenicës mbante në vete një fshehtësi të madhe, fshehtësi e cila kishte kohë që e mundonte sepse princat kishin dyshimin se ai do t`i tradhtonte, por kjo ishte siç dukej një lojë e ndyrë e disa princave të vilajeteve fqinjë.

Krenshniku nga Drenica nuk kishte vënë gjumë në sy me ditë e javë. E mundonte ajo humbja dhe shkatërrimi total i çdo gjëjë në këto toka.

Dita e premte kishte qenë ditë fatale, dita më e vështirë edhe në jetën e tij.

Pasdrekja e asaj dite ishte dita e shkatërrimit. E pikërisht atë pasdreke ai kishte bërë gati kalin, ishte veshur luftëtar me parzmoren e hekurt, që e mbante veshur kur shkonte në beteja të vështira.

Bashkëluftëtarët ende ishin në Fushën e Mëllenjave. Do vizitonte Vendin e Shenjtë pas disfatës së pësuar atë ditë dhe do të takonte Sulltanin e madhërishëm. Kështu kishte vendosur.

Nuk kishte asnjë mëdyshje në fitoren e tij ndaj Padishahut. Ishte i brumosur së bashku me luftëtarët e tij në ditën e sakrificës, – këtë e përsëriste shumë herë.

Mori atin, u përshendet me nënloken me një përqafim të përmallshëm dhe fillikat doli në majë të Qyqavicës.

Vështroi me kujdes Fushën e  Drenicës, Fushën e Mëllenjave, atë rrafsh të pafund, që nuk i dukej skaji.

Çfarë të shihte!

Një çmenduri dhe mizëri në çdo anë.

Çadra në të katër anët, që kishin mbulua atë bukuri të natyrës dhe e kishin shëmtuar me pamjen e tyre, me lloj – lloj ngjyrash. Lëvizje kaotike njerëzish.

Me një nervozizëm prej trimi, i ra kryq e tërthor asaj bjeshke krenare dhe kaloi nëpër Gjytet sepse kishte vendosur për ta çuar fjalën e dhënë në vend.

Princi nga Drenica Milosh Kopiliqi u nis për në Vendin e Shenjtë, në Fushën e Mëllenjave, ku kishte suitën dhe çadrën e tij Sulltan Murati, nën kujdesjen e gocave nga harremi i tij, të cilat e ledhatonin  atë në çdo pjesë trupi e, sidomos mjekrrën e tij. Ndihej mirë kur e ledhatonin dhe tregonte krenari për lajmet që i vinin ga froni i betejës. Të gjithë osmanët ndiheshin mirë dhe krenarë me fitoren.

Me kalin e  tij të praruar në çelik, por edhe vet i veshur në tërë trupin me parzmore çeliku, Miloshi u gjend para rojeve turke, të cilët kujdeseshin për sigurinë e Sulltanit dhe suitës së tij. Kërkoi ta takonte Sulltanin, sepse donte që t`i thoshte disa sekrete, që vet kreshniku i Drenicës mund t`ia thoshte sy më sy Sulltanit, donte ta  informonte për të kaluarën e tij, për të bamat dhe trimëritë, për të cilat dukej se edhe Sulltani ishte në

dijeni dhe ishte i interesuar për të sikur edhe për princat fqinjë, të cilët kishin filluar me thashetheme…

Sulltani u dha urdhër me kokë rojeve që ta lejonin Milloshin të futej në oborrin e çadrës së tij. Shpejt kreshniku Millosh u gjend përpara Padishahut.

Sulltani largoi nga çadra vajzat që e përkdhelnin dhe  thirri një zadrazem, të cilin e urdhëroi që ta çarmatoste mysafirin. Ishte njëri nga zadrazemët më të besuar të sulltanit, tek i cili Padishau kërkonte edhe këshilla. E pikërisht ai zadrazem e këshilloi Sulltanin, që në vend që t`i jepte dorën për mirëseardhje, t`i zgjaste këmbën, në shenjë nënçmimi.

Kjo ishte një shenjë, që princi shqiptar ta kuptonte se ai ishte nën sundimin apo më mirë me thënë, nën thundrën e pushtetit të Sulltanit.

Kreshniku nga Drenica, trimi i kohës, ishte përgatitur për këtë vizitë speciale. Duke e vështruar Sulltanin dhe duke iu afruar, në kokë i silleshin mendime nga më të ndryshmet. Thoshte me vete: Ky mendon se unë do t`ia urojë fitoren, se ndoshta unë do t`ia puthë dorën, se ndoshta unë do t`i nënshtrohem pas kësaj fitoreje. Por unë nuk jam tradhtar, unë  e dua atdheun tim, kurse ti Sulltan ke gabuar që ke ardhur të pushtosh këto troje e këto fusha, të cilat ne i mbrojmë me trupat tanë dhe me gjakun tonë. Ke gabuar rëndë, që ke trazuar vendin e  shqipeve, ato hakmerren për këtë që ti po bënë.

Këto mendime i silleshin në kokë trimit, teksa ndodhej përpara vet Sulltan Muratit.

Unë kam ardhur këtu, jo që të të puth ty këmbën dhe të të uroj për fitoren, por që të të bëj me dije Ty dhe Portës së Lartë se ky është vendi i shqipeve, se ato kërkojnë të jenë gjithmonë të lira, se i keni bërë gabim llogaritë ju atje në Dardanele.

U përkul përpara Sulltanit, duke tentuar t`i puthë dorën, por, për çudi ai i zgjati këmbën. Atëherë trimi nga Drenica nxorri biçakun e tij të helmuar nga mënga dhe me shpejtësi vetëtimë e goditi me të disa herë drejt e në zemër Sulltan Muratin.

Me të kryer këtë veprim trimi tentoi të largohej nga vendi me hapa të shpejtë në drejtim të kalit të tij, që e mbanin për freri ushtarë turq, diku aty afër Lumit të cekët.

Disa herë iu shmang rojeve turke, që tentuan ta kapnin të gjallë. U krijua një rrëmujë e hatashme në çadrën e Sulltanit. Rojet i ishin vënë në ndjekje nga të katër anët. Me çdo kusht duhej ta zinin trimin të gjallë.

Në ikje e sipër, në atë poterë, ushtarët turq e rrethuan dhe ia arritën që ta zënë të gjallë Milloshin.

Lajmëruan të birin e Muratit, Pajazitin, i cili erdhi me të shpejt. Ishte urdhëri i tij i prerë, që t`i prisnin kokën Milloshit, ta ekzekutonin sa më parë, që t`i lehtësonin vdekjen të jatit që po përpëlitej.

 

    Rrëfimi popullor për Millosh Kopiliqin

 

Legjenda thotë se kreshniku Millosh, ia arriti të marrë kokën e tij, të hidhet në kalë dhe ashtu vazhdoi rrugën tutje, në mënyrë që mos të binte në dorë të turqve. Ai mori rrugëtimin e tij drejt perëndimit, drejt vendlindjes se atje e kishte shpirtin, atje e kishte jetën. Siç dukej ishte bërë njeri i padukshëm. Zanat e malit ishin kujdesur që të ndoidhte një gjë e tillë.

Kjo ndodhi, i habiti turqit, i mahniti. Mbetën pa mend dhe pyesnin veten dhe njëri – tjetrin të habitur sesi ishte e mundur që njeriu pa kokë t`u ikte përduarsh, hipur në kalin e tij të shpejtë. Sigurisht që do të ishte diçka  e panatyrshme, një njeri me një forcë të paimagjinueshme mbinatyrore, të paparë. Osmanët vazhdonin ta ndiqnin, kurse ai vazhdonte të ngiste kalin me shpejtësi buzë lumit të cekët.

Më në fund osmanët e arritën kalin dhe kalorësin pa kokë. Por nuk e mbanin dot, aq i fuqishëm ishte. Atëherë ishte një grua  e pabesë, e cila u tregoi turqve se, që t`i hiqnin fuqitë, ata duhej t`i hiqnin nga dora një byzylyk dhe, vetëm atëherë, kreshniku do ta humbiste fuqinë e mbinatyrshme dhe do të dorëzohej i vdekur.

Duke vepruar siç u tregoi gruaja e pabesë, turqit ia arritën t`i hiqnin nga dora byzylykun dhe ia arritën ta zënë Milloshin. I morën bylyzykun nga dora. Fuqia e trimit u dobësuan. Kur po jepte frymën e fundit iu drejtua ushtarëve osmanë që e kishin rrethuar:

-A ka mundësi t`i lë një amanet kësaj gruaje pasi unë po vdesë?

Si për çudi ushtrët turq pranuan këkesën e Milloshit.

Ai pa një pa dy, konkretisht koka e tij u drejtua nga shtriga plakë, e kafshoi me dhembë dhe e hodhi në Lumin e Cekët. Këtu përfundoi jeta e një tradhtare dhe shtrige serbe.

Trimi vazhdoi vrapin e kalit fliuturimthi për në vendlindje. Në rrugëtim e  sipër disa vajza, që po lanin rroba në lumë panë duke flutura Miloshin pa kokë dhe njëra prej tyre, si për çudi u tha të tjerave: “Shikoni motra, si fluturon një njeri pa krye”. Në fluturim e sipër mbi kalin e tij, Miloshi ua kthen përgjgjen: “Unë pa krye, ju pa sy” dhe, mu  në këtë çast bie në tokë koka e Miloshit. Vajzat i zë mallkimi tij dhe verbohen.

Kreshniku arrin në vendlindje i vdekur.

 

Ndërkohë ushtria osmane ishte shumë e tronditur nga humbja e prijësit Sulltan Muratit nga dora e një armiku të vetëm. Për këtë shkak ushtarët osmanë filluan hakmarrjen ndaj popullatës së pafajshme në gjithë fshatrat e Fushës së Mëllenjes, po ashtu edhe në fshatrat përreth, por edhe në Fushën e  Drenicës dhe në shumë vilajete të tjera shqiptare të kohës.

 

Si zakonisht, edhe këtë ngjarje, e përjetësoi në tel të lahutës populli i këtyre trojeve. Këngëtari popullor e paraqiti shumë realisht nё kёngёn:

 

Prej Drenice del nji djalё
N’Fushë-Kosovë Murati i Parë,
Kamb turqisht rrin fitimtar.
Prej Drenice del një djalë,
Fluturon me kalë të bardhë,
Mes për mes i bjen ushtrisë,
Shkon e i falet Naltmadhnisë:
-Tungjatjeta, Naltmadhni,
jam një arbër, vendali.
E jam ardhë ktu pa vonua,
Me t’puth dorën, me t’nderua.
Zgjatet mbreti, i jep kamёn,
Ngrihet djali, i ban gjamёn,
Mik pa thirrë ke ardhë, dai,
Prej Azie n’Dardani,
Me na marrë magjet e miellit,
Me na zanë hisen e diellit,
Gjithë ushtrinë e paç me shndet,
Kjo Arbni ka bijt e vet,
Ta ven kryet maje kapicës,
Jam Mileshi prej Drenicës..
Mbret e krajla shpesh gabohen,
Bijtë e Arbrit nuk pushtohen,
Një ushtri iu hodh djaloshit.
Zogjtë e malit bajnë çudi,
Kush po ngjitet për njat bri?
Ec një trup me krye n’dorë
Bahet mal i bardhë dëborë!

 

 

Pas këtij akti qyqar dhe të paskurpullt të ushtarëve turq dhe të vet Bajazitit, bashkëluftëtarët e kreshnikut nga Drenica morën trupin e  pajetë të trimit dhe e dërguan në fshatin Rezallë, ku e varrosën. Edhe sot e kësaj dite prehet në qetësi trupi i tij pranë një Bungu të madh, i cili i bën hije këtij varri, kësaj legjende të Drenicës dhe trojeve arbërore. Rapsodi popullor shqiptar me kujdes dhe respekt i thuri këngë heroit, trimit, i cili iu kundërvu dhunës së egër barbare të kulshedres së Bosforit, e cila me çdo kusht kërkonte të vinte sundimin në këto troje jetike dhe etnike të shqiptarëve, por Miloshi trim e drangua iu kundërvu Sulltanit, kurse fitoren e ushtrisë turke e zbehu krejt dhe e vuri në dyshim.

Kqyr Mileshi n’kamë na u çue
tanë me hekur e paskan thakrue
edhe atkís hekur i kan veshun
mirë Mileshi n’shpinë iu ka gjue
me askerë te mbreti kánka shkue

Nibetxhija hiç s’e paska lshue
haber mbretit m’i kanë kallxue:
-A me lshue Mileshin a mos me lshue?
Mirë dovleti haber i ka dhanun:
-Lshone Mileshin ktu me ardhun!

Kqyr veçilve mbreti çka u ka thanun:
-A t’ja japi unë dorën e djathtë?
-A t’ja japi tha kambën e majtë?
-Jepja babë, qat kambën e majtë
se gjithëmonë raja jet nër neve!

Mirë Mileshin ma paskan lshue
te dovleti Milloshi á shkue
kam’n e shmajtë Sulltani ja ka dhanun
Me ni dorë tha kambën ia ka marrë
paj me tjetrën hanxhar i ká mshue

zorr e mushkni n’tokë i kan ra
Njizet e katër orë Sulltani ka rrnue
at’her jetë Sulltani ka ndrrue
Luftë e madhe na kánka marue
Shih, Mileshin gjá e gjallë s’pe pret

e gjujnë pushkë, pushka nuk e zen
edhe shpata hiç nuk pe pret.
Nji shkinë plakë kqyr çka ka thanun:
-U vraftë Zoti askert e dovletit!
A s’po shihni Mileshi krejt u preu?

Tanë për tokë tha pushkët me i shtrimun!
Bylyzykt atkís i paskan ramun
gjallë me dorë Mileshin e kanë nxanë
I bín pushkë tha, pushka s’po ja len
I bín shpatë tha, shpata nuk pe pret

Kqyre shkina askerin e ka msue:
-Shtat kerr dru, biro, ju me i kallë
n’grop t’zjarmit Mileshin me çitë!
Kqyr Mileshi at’her çka ka thanë:
-Amanet, more askert e dovletit!

Qat shkinë plakë tha, ktu e due!
Se shum mall, thot, m’ka qillue
qasaj shkine po due me ja lanë!
Se zhag shkinën ma kanë afrue
se me dhambë Mileshi e ká kafshue.

At’her shpata Milloshit i ká mshue
kryet Milloshit, tha, i ka flutrue
se n’Magrip Mileshi kur á shkue
gra e çika tuj la janë qillue:
-Kqyrne, motra, nji njeri pa kry!

-Un pa kry kish thanë, ju pa sy!
Qat’her kryet Mileshit n’tok i ra.

 

 

 

Hakmarrja

 

 

Trimëria dhe heroizmi i princit drenicar mori dhenë dhe për të flitej në çdo cep të trojeve arbërore.

Kulshedra e Bosforit nuk u ngjinj me vrasje dhe krime të njëpasnjëshme mbi popullin që kërkonte liri. Përbindshi i zi vazhdoi të derdhë gjakë të pafajshëm nëpër fshatrat  e Fushës së Mëllënjes, fushën e  Drenicës, pothuajse në të gjitha vilajetet shqiptare të kohës. Ishte një hakmarrje e papaparë nga ata barbarë të pashpirtë të Dardaneleve.

Ushtarë dhe jeniçerë mësynin të tërbuar në fshatrat arbërore, u vinin flakën, i shkatërronin, vrisnin dhe torturonin të pafajshëm, bënin krime nga më çnjerëzoret.

Ishte një hakmarrje ndaj një populli të pafajshëm, ndaj një populli me kulturë dhe me tradita, i cili kërkonte vetëm që të jetonte i lirë në trojet e tij. Por, pushtuesi është pushtues, ai nuk ka as ndjenjë, as kulturë, ai është thellësisht barbar dhe i pamëshirshëm. I vetmi qëllim i tij është të pushtojë e të shkatërroj gjithçka. Të tilla ishin hordhitë e Anadollit, që kishin mësyrë trojet arbërore.

Mllefi më i madh e më i shfrenuar i përbindshit të zi, ishte drejtuar veçanërisht  në Drenicën Kreshnike, e cila duke mos  e pranuar nënshtrimin reagonte dhe përpiqej të mbronte jetën, popullin, gratë, fëmijët, të moshuarit. Bijët e saj më të mirë, viheshin në ballë të luftës, ata nuk mund të pranonin që toka e tyre, familjet dhe fiset e tyre, të viheshin nën këmbët e osmanëve dhe sulltanëve arogantë.

Sulltani  embajti nën rrethim Drenicën heroike, me ushtarë dhe jeniçerë, dogji e  poqi çfarë gjeti, shkatërroi fshatra, pasuri e prona, robëroi dhe mori peng mijëra djem, të cilët i dërgoi në Stamboll.

Fshatin e Kryetrimit e bënë shkrumb e hi, duke djegur e shkatërruar gjithçka. Të gjithë e dimë atë fjalën e  popullit “Që ku shkel turku, as bari nuk mbinë”. E pikërisht atë bëri ai pushtues mizorë mbi truallin tonë arbëror.

Shumë familje nga këto vise filluan të braktisin shtëpitë dhe trojet  e tyre. Kjo ishte mënyra e vetme për të shpëtuar dhe për të mbijetuar nga  ai tmerr dhe nga vala e dhunës, nga raprezaljet e bishës së Dardaneleve.

Edhe familja e  kryetrimit të Drenicës kishte vendosur të lëshonte vendin. I ati i Milloshit kishte shkuar në Raguzë, me një pjesë të familjes, pjesa tjetër në Shqipëri.  Elbasani do të ishte streha e tyre e ardhshme.

Në qytetin e Vushtrrisë,  ku Sullatani kishte shtënë në dorë dhe kalanë e këtij qyteti, kishte vendosur t`i zinte robër dhe t`i torturonte deri në vdekje banorët, në mënyrë që ata të pranonin të pranonin sundimin e tij.

Ishte koha kur nën presionin otoman shumica e shqiptarëve kaluan  në fenë myslimane. Ishin torturat e turqve në popullatën e pambrojtur të këtyre viseve që ata të bëheshin shërbëtorë të Sulltanit dhe të përqafonin fenë islame, vetëm ajo ishte mënyra e vetme për të mbijetuar.

Lidhur me qëndrimin e të vëllait të Miloshit në burg, në Kalanë e Vushtrrisë, ka disa variante. Tregohet veçanërisht për qëndrimin e tij heroik  dhe të papërkulur përpara dhunës dhe torturave çnjerëzore që i bënin pushtuesit.

Por në fund të fundit ai pranoi të ndërronte fenë, nga i krishterë – në musliman, me qëllim që të shpëtonte të bijtë dhe të bijat nga hordhitë gjakatare aziatike, të cilat synonin që bijat e tij t`i dërgonin në haremin e Sulltanit, në Stamboll, kurse djemtë në forcat turke për luftime në Azi e Afrikë.

Hili nuk e pranoi këtë poshtrim të familjes, edhe sepse e gjithë prona dhe pasuria e tyre ishte shkatërruar. Vendosi të ndërtojë në fshat një xhami, kishte pre njëqind kurbanë dhe ndërroi emrin në Hysk.

Ky ishte i vëllai i kreshnikut nga Drenica Milosh Kopiliqi, i cili ishte zënë rob nga Sulltani së bashku me familjen e tij dhe ishte vendosur në kalanë e Vushtrrisë.

Xhamia që ndërtoi Hysku, siç dukej pati jetë të shkurtër, ajo u zhduk sa çelë e mbyll sytë.

Pronat e tij, edhe sot e kësaj dite, mbajnë emrat e tyre në fshatin Kopiliq. Kur fshatarët pyesin njëri – tjetrin se ku do të shkojnë sot për të bluar, ata përgjigjen:

-Po ku tjetër more, po në ”Mullinin e Hyskut”. Ose,

-Ku ishe sot që herët?

-Po ja, kisha pak punë në mëhallën e Hyskëve, në “Vreshtat e Miloshit”, apo dhe te”Kisha e Miloshit”.

Këto janë shenja dhe dëshmi të ekzistencës së familjes së kryetrimit të Drenicës Milosh Kopiliqi nga fshati Kopiliq i Drenicës.

Por, është edhe më interesante se atje ende janë të ruajtura themelet e Kullës së Miloshit dhe ato sikur flasin dhe tregojnë për kohën e kaluar dhe trimëritë e të bëmat e bijëve të Drenicës nën pushtimin turk.

Me javë e muaj e mbajti nën rrethim këtë trevë arbënore pushtuesi i egër, por arbënorët nga Fusha e Drenicës nuk u dorëzuan edhe pse u shaktërruan, u dhunuan, dhe sakatosën.

Jeniçerët  dhe ushtarët që mbanin nën rrethim fushën e  Drenicës ndiheshin të lodhur, të raskapitur, pasi kishin javë që mbanin shpirtin e  tyre vetëm me kunguj nga arat e fshatarëve drenicas.

Flitet gjithashtu se shumë prej tyre, ato ditë ishin bërë ushqim për korbat dhe sorrat. Këtë e dëshmojnë edhe shumë topinime, të cilat edhe sot e kësaj dite janë gjallë dhe jetojnë në këto troje heroike si “Lugu i Korbave” apo edhe “Kodra e Kungujve”. Janë toponime që vijnë gojë më gojë që nga ato kohë kur barbarët osmanë vinin si pushtues në këto vendbanime.

Unë, ZENELI  i MIGJENIT dhe KOSOVARI SHERIF! – Tregim i jetuar nga Përparim Hysi

Shtysën për të shkruar këtë tregim të jetuar,ma ka dhënë  së pari ,FAN NOLI që ka thënë:” Përpiquni të shkruani mbi ato që kini provuar vet në jetë,por pa fshehur asgjë, sepse librat më të mirë që janë shkruar deri sot,janë pikërisht librat autobiografikë”.  Dhe ja edhe një porosi tjetër. Këtë radhë flet teologu,poeti dhe aktivisti social amerikan,THOMAS MERITON. Ky shkruan:” Çdo moment dhe ngjarje e jetës të çdo njeriu mbi tokë,mbjell diçka në shpirtin e tij”. Dy shtysa janë shumë dhe ja,ç’më ka ndodhur.
*
Unë me profesion jam mësues dhe,për çdo lexoni më poshtë, ka ndodhur nga marsi i vitit 1991 deri në tetor të po këtij viti. Kisha 32 -vite në arsim dhe  në vitin  shkollor 1991-1992,isha drejtor në shkollën  8-vjeçare në fshatin tim  MBROSTAR-URA në rrethin  e FIERIT. Ndërkaq,sa qe përmbysur pushteti i vjetër,unë qeshë aktivizuar në rreshtat e PARTISË DEMOKRATIKE dhe qeshë një nga kandidatët për deputet të PD në zonën time elektorale. Nuk fitova as unë dhe asnjë nga 19 të tillë që kishte FIERI. Kryesia e PD në FIER,në votimet pluraliste për pushtetin lokal,më emëroi KRYETAR të KOMITETIT EKZEKUTIV PLURALIST për Rajonin nr.1 në FIER. Unë përfaqësoja PD dhe në zyrë me mua,sekretarja që përfaqësonte Partinë Socialiste.  Është vendi këtu që të them fjallën time për sekretaren. Sado opozitare qe shumë luajale. Jo vetëm e justifikonte detyrën,por meriton që ta përmend me emër: ADELINA,sado nuk e di se ku je, të paftë ZOTI  në çdo çap të jetës!
Zyra jonë e punës ishte në pallatin ku ishin zyrat e fermës apo ND.B.”ÇLIRIMI”,një nga më të mëdhatë e vendit. Pa u futur mirë në zyrë,vërshuan nevojtarët. Kërkesat e tyre qenë jetike: kërkonin punë,truaje për të ndërtuar dhe kërkesa më akute:shtëpi. Disa nuk kishin shtëpi fare dhe disa se jetonin dy familje të ndryshme në një hyrje. Kishte dhe alabakë rrugësh apo ish të burgosur ordinerë që në emër të demokracisë shfrynin,ofendonin apo kërcënonin dhe me jetë sikur unë dhe ADELINA aq e mirë,t’i kishim burgosur apo të kishim mbyllur dy familje në një hyrje?! Sado “banale” disa nga kërkesat apo ankesat,mos u mërzisni nëse do rrreshtoj disa na ato.

– Ti je kryetari?
-Po. Unë jam.
– Ma ha…
Tjetri,çau kordonin e nevojtarëve dhe,sa më pa mua dhe ADELINËN,tha:- Dilni nga zyra se që tani e tutje kjo zyrë është imja(sikur t’ia kish lënë babai).Në dorë mbante një dryn të madh sa një patkua kali. Dilni,-urdhëroi, U mundova t’ia zbutë disi urdhërin. I thashë se zyra  është e shtetit;në të ka dokumente dhe një arshivë të tërë,por”kapoja” i preu drutë shkurt:- Ore ti nuk më njeh,por unë rrobat i kam atje në burg,lidhu me degën( kimisariati tani) dhe të thonë kush jam unë. Dil,- tha mos të mbyll me atë çupën e botës brenda që të lëshë kokrrën e namit.
-Dil ti.i them ADELINËS dhe”kapoja” hyri brenda.  Pas një orë debati,iku. Po nuk mbaroni presionet: njëri o do më japësj shtëpi,ose do të vrasë. Tjetri qe më i “butë”:- Shtëpi a do të zë me fllacka në mes të qytetit?
Ditët kalonin,por “samari i halleve” mbi kurrizin tim,nga dita në ditë, shtohej,
Sa të drejtë ka  patur STENDALI,kur shkroi:” Pushteti të lë  pa kohë të lirë dhe të prishë gjumin”. Unë u binda që e bleva belanë me para,kur pranova këtë detyrë.
Sado që prisha zyrat e fermës dhe strehova disa familje;sado që ndërtesën e konviktit  në shkollën bujqësore e ktheva në banesa familjare,trysnia e kërkesave i ngjante një lumi gati në vërshim. Një herë bukë nuk po haja rehat dhe gjumin po e bëja me copa.
*
Po ç’hyn ZENELI i MIGJENIT në  tregimin tim jetësor? MIGJENI  ka qenë gjeni. Ai e ka parashikuar të ardhmen e nxënësit ti tij,ZENELIT. Ndodhi që gjatë jetës, në regjimin tjetër, rinjihemi me ZENELIN e MIGJENIT. Ky paska marrë pjesë në luftë për çlirimin e vendit dhe partia e ka dërguar si student në shkollën e partisë në Tiranë. Përkon që mësues letërsie në këtë shkollë është një PROFESOR ne emër:PROFESORi i shquar NONDA BULKA. Atë ditë PROFESORI po fliste për MIGJENIN (profesori shquhej për humorin e vet) dhe thotë;-Sot do flasim për ZENELIN e MIGJENIT dhe,sa hedh sytë mbi regjistër, ngre studentin ZENEL. Ngreu dhe na i lexo “skicën”. Studenti,u ngrit,po në vend të kexonte, u mbyt me lot.
-Profesor,- ndërhyri dikush,- po ky është vetëdora,ZENELI  MIGJENIT!!!
Tani qau PROFESORI me këtë përkim dhe,për ta përjetuar,shkroi skicën letrare”DY ZENELAT”. Dhe më tej:ZENELI është ZENEL ISLAMI nga PUKA,për të cilin MIGJENI thotë: “…pjesa ime fataliste e ndërgjegjes më thotë:-Lëne ZENELIN të bëjë jetën e tij stërgjyshore,se me ba vaki me ardh në pushtet dhe nuk mujt me i ndihmue njerëzit e shtresës sëvetë, ka me u hedhë në greminë”!!! Fatkeqësisht,kështu ndodhi. ZENELI I MIGJENIT alias ZENEL ISLAMI që në krye të pushtetit në ELBASAN dhe,kur festohej 10-korriku,si DITA E KRIJIMIT të USHTRISË POPULLORE, vrau veten. I biri,BEDRI ISLAMI,shkrimtar e gazetar,thotë që e vranë. Unë nuk hyj në”hulli” të tjera,por më  alarmon ky përkim kaq tragjik.
*
Ka kaluar mbi katër muaj me kërkesa,me kërcënime e presione dhe,dalëngadalë,po mendoj të jap dorëheqje. Trokiti dera dhe,sa thashë :-Hyr, dha ballë një burrë rreth 60-70-vjeçar,Fytyrën e kish brazda-brazda,si një çopë tokë e pluguar rëndë.
– Urdhëro,- i them. Përsa je munduar?
Më tha:- Jam Sherifi dhe qeshi pak si trishtueshëm.
Mirë Sherif,përse ke ardhur?
Tani,tjetri, u pematua dhe tha:
-Po unë jam SHerifi! Jam SHerifi i”shahut”!!!
Tanimë nuk e doja veten. KY,SHERIFI i”shahut” është kosovar dhe shok imi për 4-vjet në Shkollën Pedagogjike”LUIGJ  GRAKUQI” në  ELBASAN. Kur ishte në shkollë, qe kampion i shahut në shkollat e mesme dhe veç shahut që si akrobati  i lindur. Më kujtohet që në Palestrën e Shkollës sonë,ato kohë,vinte bënte stërvitje MJESHTRI i SPORTIT,BUJAR BUJARI, që i vinte notën pesë ( pesa ishte nota më e lartë në vlerësim) Sherifit.   Unë   e shoh tani pas 32-vjetësh të shpërfytyruar sa dukej jo 50-vjeç sa ishte,po afër 70-vjeç.
. Nuk e fala veten për kujtesën shterpë,  por siç mora vesh, ai sapo kish dalë nga burgu ku e kishin  tortuar dhe dhunuar aq,sa nuk kish mbetur qoftë dhe një dëshmi nga ai kosovari bukurosh si mjehtërshahu e akrobat i lindur. E kishin futur në burg Se”mund të arratisej” se qe”agjent” i dërguar UDB-ja. Kishte ardhur këtu,qe pa plangë e shtëpi,dhe kërkonte punë. I tregova se isha në ikje e sipër dhe dukej sikur dhe unë kisha faj për atë që i kish ndodhur,
Sa u ndava me të, futa një letër të bardhë mbi makinën e shkrimt dhe shkrova me gërma kapitale:-JAP DORËHEQJE  TË PAREVOKUESHME”! I vura firmën dhe drejt  dhe tek KRYETARI i PD në rreth.  Ky u orvat të ma kthente,por i thashë:- Kam mallkuar veten që pranova  një punë që nuk e bëj dot. Pushteti për mua është kalë që më hipën mbi shpinë. Kam shtyllëlurrizore të brishtë dhe”kali i pushtetit” ma theu. U ktheva në arsim dhe shpëtova nga “andrallat”. Më çuditin pushtetarët që nuk japin dorëheqje dhe ca më shumë ata që kanë qenë  në pushtet dhe tentojnë të ulen prapë në karriken e pushtetit.
* veç emri i kosovarit nuk është i vërteti,për etikë.
Tiranë,25 korrik 2026

Send this to a friend