VOAL

VOAL

Gjermania ka nisur një hetim kundër kreut të Facebookut

November 5, 2016

Komentet

Instalacioni “Mendoj për Ty” shfaqet para selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg

Instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. (Fotografi nga arkivi)

 

Radio Evropa e Lirë

Instalacioni “Mendoj për ty”, i një artisteje nga Kosova – i cili i kushtohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës – është shfaqur para selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg të enjten.

Alketa Xhafa-Mripa shfaqi instalacion e saj në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte të Armatosura, e cila shënohet më 19 qershor.

Dhjetëra fustane të varura në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura dhe nga figura publike në shenjë solidariteti, u shfaqën para ndërtesës së Këshillit të Evropës të enjten.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se puna e Alketa Xhafa-Mripës e ka kthyer dhimbjen në motiv dhe heshtjen në kujtesë të fuqishme publike.

“Si një artiste nga Kosova me famë ndërkombëtare, ajo vazhdon të flasë për ato e ata që nuk do të harrohen kurrë. Ajo kujton, por edhe kërkon. Zgjon ndërgjegjen, bën thirrje për llogaridhënie dhe këmbëngul që drejtësia duhet të mbizotërojë”, shkroi Kurti në Facebook.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20.000.

Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg shkroi në Facebook se, duke e sjellë këtë instalacion në zemër të Evropës, “Mendoj për Ty” është shndërruar “në një simbol të qëndresës dhe mbijetesës, dhe shërben si një rikujtim se eliminimi i dhunës seksuale në konflikte është i mundur vetëm nëse i japim mbështetje të pakushtëzuar të mbijetuarave dhe vendosim autorët përballë drejtësisë”.

Ajo tha se përurimi zyrtar i instalacionit do të mbahet më 23 qershor, gjatë sesionit veror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në prani të deputetëve të Asamblesë, përfaqësueseve të përhershëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe autoriteteve më të larta të organizatës.

Ndërsa, më 27 qershor, instalacioni do të vendoset në një nga hapësirat publike më të frekuentuara të qytetit të Strasburgut, në Rue des Hallesbardes, duke e sjellë mesazhin në zemër të veprës edhe më afër qytetarëve, sipas njoftimit.

Zyrtarja e BE, Singrid Brettel: Po ndjekim nga afër atë që po ndodh në Shqipëri, ne presim raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR në korrik

Shefja e Sektorit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Singrid Brettel, pasi dëgjoi të dy delegacionet shqiptare, nga PS dhe PD, në forumin e sotëm në Strasburg, u shpreh se është ende herët për të thën se çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri.

Brettel, mes të tjerash vuri theksin se duhet pritur raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR që del në korrik për të dhënë një pasqyrë të qartë mbi zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri.

Fjala e Brettel:

“Në Komisionin e Stabilizim-Asocimiit në Strasburg, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka referuar problemet me median, sigurine e gazetarëve dhe lirinë e tyre gjatë fushatës elektorale por edhe në periudha normale

Faleminderit shumë të gjithëve për komentet tuaja. Siç thashë edhe më herët, ne po ndjekim nga afër atë që po ndodh. Aktualisht jemi ende në një periudhë paszgjedhore. Mendoj se është ende pak herët për të nxjerrë të gjitha përfundimet. Ende po vijon edhe rinumërimi në disa pjesë të vendit. Ne presim raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR në korrik. Do ta ndjekim nga afër këtë proces dhe gjithashtu zbatimin e rekomandimeve, përfshirë edhe ato të mëparshmet që janë ende pezull.

Sa i përket lidhjes me negociatat e anëtarësimit, ekziston, si pjesë e pikave të ndërmjetme, një pikë horizontale që ka të bëjë me monitorimin e hartave të rrugës që vendet kanë miratuar, përfshirë edhe atë për funksionimin e institucioneve demokratike. Kështu që duhet të ketë edhe një mekanizëm raportimi për këtë, të cilin ne sigurisht do ta shqyrtojmë dhe vlerësojmë.

Më pas, si pjesë e raportit të vendit, që do të publikohet më vonë gjatë vitit, mendoj se do të kemi edhe më shumë distancë për të parë se çfarë ka ndodhur, përfshirë edhe punën e SPAK, KQZ, dhe Prokurorisë së Përgjithshme – le të themi, grupeve të posaçme të monitorimit. Do të shohim gjithashtu se si është ndjekur më tej ky proces.

Pra, vetëm për të theksuar se jemi shumë të vetëdijshëm, dhe kjo është bërë e qartë edhe deri tani si pjesë e konkluzioneve të para të raportit të OSBE/ODIHR. Natyrisht edhe eurodeputetët që kanë marrë pjesë në misionin vëzhgues e dinë këtë shumë mirë, dhe kjo çështje do të mbetet një prioritet i lartë për ne. Faleminderit.” bw

‘Tankerët’ amerikanë zbarkojnë në Evropë, Bildt: Duket sikur Trump do të futet në luftë

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, ka publikuar një fotografi të fluturimeve nga SHBA drejt Evropës, ku janë një numër i madh i aeroplanëve ushtarakë amerikanë.

Bildt ka shkruar se një numër i madh avionësh cisternë po vendosën në Evropë dhe sipas tij kjo nevojitet për një fushatë ajrore të madhe dhe të qëndrueshme.

“Kjo është ajo që ju nevojitet për një fushatë ajrore të madhe dhe të qëndrueshme”, ka shkruar ai.

Sipas Bildt, “duket sikur Trump do të futet në luftë”.

Sipas fotografisë, një numër i madh avionësh cisternë kanë zbarkuar në Gjermani e Poloni, dy shtetet evropiane ku SHAB ka baza të mëdha ushtarake./Express/

Kopenhagen zë vendin e parë, duke zëvendësuar Vjenën si qyteti më i mirë për të jetuar në botë

Kopenhageni ka marrë vendin e parë në Indeksin Global të Jetueshmërisë për vitin 2025 të EIU-së (Economist Intelligence Unit), duke i dhënë fund dominimit trevjeçar të Vjenës. Kopenhageni arriti pikë të plota, 100, për qëndrueshmëri, arsim dhe infrastrukturë, duke u ngjitur nga vendi i dytë në atë të parin si qyteti më komod për të jetuar në botë. Indeksi i EIU-së vlerëson 173 qytete në mbarë botën në bazë të 30 treguesve, të kategorizuar në qëndrueshmëri, kujdes shëndetësor, kulturë dhe mjedis, arsim dhe infrastrukturë.

Pikët mesatare për këtë vit mbeten të pandryshuara nga viti i kaluar, në 76.1 nga 100. Megjithatë, rezultatet e këtij viti pasqyrojnë një rënie të vazhdueshme në qëndrueshmërinë globale, të nxitur nga konflikte gjeopolitike në rritje dhe trazira civile.

Copenhagen2
Copenhagen2

Qytetet në Evropën Perëndimore dhe Azinë e zhvilluar vazhdojnë të dominojnë pjesën e sipërme të renditjes. Melbourne u rendit i katërti, ndërsa Sydney dhe Adelaide gjithashtu u futën në dhjetëshen më të mirë. Qytete të tjera kryesuese janë të shpërndara në Japoni, Zelandë të Re dhe Kanada. Megjithatë, disa qytete të Evropës Perëndimore figurojnë gjithashtu në listën e lëvizjeve më të mëdha në rënie për vitin 2025. Të gjitha qytetet e përfshira në Mbretërinë e Bashkuar (Londra, Manchester dhe Edinburgu) kanë rënë në renditje, si pasojë e trazirave të gjera dhe rritjes së numrit të të pastrehëve. Dy qytete kanadeze (Calgary dhe Toronto) janë gjithashtu në mesin e atyre që kanë rënë, pasi janë ulur pikët për kujdesin shëndetësor për të katër qytetet kanadeze në indeksin tonë. Megjithatë, qytetet e Amerikës së Veriut mbeten vende shumë të kërkuara për të jetuar, me të gjitha 21 qytetet që raportojnë në nivelin më të lartë të jetueshmërisë (të përcaktuar si një pikë prej 80 ose më shumë).

Në një aspekt më pozitiv, pikët për kujdesin shëndetësor, arsim dhe infrastrukturë kanë parë përmirësime të lehta mesatare. Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut regjistroi rritjet më të mëdha në jetueshmërinë e përgjithshme, kryesisht falë përparimeve në kujdesin shëndetësor dhe arsim në qytete të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.bw

Von der Leyen: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, pa asnjë diskutim

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të dielën se i kishte përcjellë Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se zgjidhja më e mirë për çështjen e Iranit mbetet diplomacia. Megjithatë, ajo nuk bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në një bisedë telefonike me Netanyahun, Von der Leyen u shpreh: “Jam dakord që Irani nuk duhet të ketë një armë bërthamore, pa asnjë diskutim.”

Ajo ka kritikuar më parë veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, por në deklaratën e saj theksoi se mospërputhjet e Iranit me kërkesat e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) i japin Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur.

“Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në rajon,” shtoi Von der Leyen.

Aktualisht, ajo ndodhet në Kanada për të marrë pjesë në Samitin e G7-ës, ku pritet të diskutohet konflikti mes Izraelit dhe Iranit, së bashku me agresionin e vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Të njëjtat dronë dhe raketa balistike të dizajnuara dhe prodhuara nga Irani po godasin në mënyrë të pakontrolluar qytete në Ukrainë dhe në Izrael. Prandaj, këto kërcënime duhet të trajtohen së bashku,” deklaroi ajo. bw

Ukraina riatdheson trupat e më shumë se 1.200 ushtarëve të vrarë

Radio Evropa e Lirë

Ukraina tha se ka riatdhesuar më shumë se 1.200 trupa të ushtarëve të vrarë gjatë luftës së nisur nga Rusia më shumë se tre vjet më parë. Kthimi i trupave të pajetë u bë në kuadër të një sërë shkëmbimesh të të burgosurve të luftës dhe të të vrarëve që palët kanë realizuar së fundi.

“Si rezultat i masave të riatdhesimit, trupat e 1.212 mbrojtësve të rënë janë kthyer në Ukrainë”, thuhet në një njoftim të Shtabit Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, më 11 qershor.

Agjencia përgjegjëse për shkëmbimin e të burgosurve të luftës tha se trupat janë kthyer me ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Kjo agjenci nuk dha detaje të tjera rreth shkëmbimit dhe tha se ende është në proces të identifikimit të trupave të pajetë. Ky shkëmbim është pjesë e një marrëveshjeje me Rusinë, përmes së cilës të burgosurit e luftës janë transportuar me autobusë në të dy anët e kufirit.

Kryenegociatori i Rusisë në bisedimet e paqes të mbajtura në Stamboll më 2 qershor, ku u arrit marrëveshja për shkëmbime, tha më 11 qershor se Rusia ka pranuar 27 trupa nga Ukraina.

Marrëveshja synon riatdhesimin e rreth 12.000 trupave të ushtarëve të vrarë gjatë luftës. Edhe pse bisedimet në Stamboll prodhuan një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, ato nuk sollën asnjë përparim drejt përfundimit të konfliktit.

Kievi ka shprehur gatishmëri për të pranuar propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor. Moska e ka kundërshtuar këtë ide dhe ka deklaruar se disa kushte – të papranueshme për Ukrainën – duhet të plotësohen paraprakisht.

Më herët gjatë kësaj jave, të dyja palët shkëmbyen të burgosur të luftës nën moshën 25-vjeçare. Ndër të liruarit kishte pjesëtarë të marinës, forcave tokësore, forcave të mbrojtjes territoriale, forcave ajrore, gardës kombëtare, dhe të tjerë.

Çfarë dihet deri tani për sulmin në Austri?

Një grua përqafohet me një nxënëse të shkollës së mesme në Grac, ku pati të shtëna me armë zjarri. 10 qershor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një 21-vjeçar, ish-nxënës i një shkolle të mesme në Grac të Austrisë, ka hapur zjarr në këtë shkollë, duke vrarë nëntë persona.

Ai më pas ka vrarë veten teksa qëndronte në një tualet të kësaj shkolle, thanë autoritetet.

Kancelari gjerman, Christian Stocker, tha se kjo është një “ditë e errët në historinë e shtetit tonë”, teksa shtoi po ashtu se do të shpallen tri ditë zie.

I dyshuari kishte përdorur një armë të gjatë dhe një pistoletë, thanë zyrtarët policorë gjatë një konference për media më 10 qershor, duke shtuar se ende janë duke e hetuar motivin e këtij sulmi.

Familjarët duke u ribashkuar pas të shtënave vdekjeprurëse në Grac.

Familjarët duke u ribashkuar pas të shtënave vdekjeprurëse në Grac.

Të dy armët e zjarrit, i dyshuari i kishte me leje, thanë autoritetet.

Nga nëntë viktimat, gjashtë ishin meshkuj dhe tre femra, tha ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.

Dymbëdhjetë persona po ashtu janë plagosur dhe disa, sipas Karnerit, kanë plagë serioze.

Punonjësit shëndetësorë dalin në vendngjarje pas të shtënave në Grac

Punonjësit shëndetësorë dalin në vendngjarje pas të shtënave në Grac

Kryetarja e qytetit të Gracit, Elke Kahr, e përshkroi sulmin si “tragjedi e tmerrshme”.

Policia austriake tha më herët se beson se sulmuesi veproi i vetëm.

Të shtënat në gjimnazin BORG Dreierschützengasse ishin raportuar në orën 10:00 të mëngjesit dhe pas kësaj edhe forcat speciale ishin dërguar në vendngjarje.

Rreth një orë më vonë, policia njoftoi në rrjetin social X se të gjithë janë evakuuar nga shkolla dhe janë dërguar në vend të sigurt.

Policia shtoi se situata është “nën kontroll” dhe se nuk ka më rrezik.

 

Zyrtarë policorë shihen pranë vendit ku ndodhet shkolla e mesme në Grac.

Ngjarja në Grac është dënuar nga udhëheqësit kryesorë evropianë.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “shkollat janë simbol i rinisë, shpresës dhe të ardhmes”, duke shtuar se është e rëndë kur “shkollat bëhen vende të vdekjes dhe dhunës”.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Friedrich Merz, po ashtu kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

Ndërtesa e shkollës ku ndodhën të shtënat në Grac të Austrisë.

Ndërtesa e shkollës ku ndodhën të shtënat në Grac të Austrisë.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj tha se shkollat duhet të jenë vend ku “fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit”.

Graci, qyteti i dytë më i madh i Austrisë, ndodhet në juglindje të vendit dhe ka rreth 300.000 banorë.

Pas sanksioneve të SHBA-së, BE ofron mbështetje për Gjykatën Ndërkombëtare Penale

 

Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pasi Uashingtoni ka sanksionuar katër gjyqtarë të këtij institucioni. Sllovenia ka thënë se do t’i bëjë thirrje Brukselit që të shfrytëzojë fuqinë e vet për të garantuar që sanksionet amerikane nuk do të zbatohen në Evropë.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale i mban përgjegjës kryesit e krimeve më të rënda në botë, dhe u jep zë viktimave. Duhet të jetë e lirë dhe pa asnjë presion”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një postimi në X.

Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, i cili përfaqëson qeveritë kombëtare të 27 vendeve anëtare, e ka quajtur gjykatën “themel i drejtësisë ndërkombëtare” dhe ka thënë se duhet të mbrohet pavarësia dhe integriteti i saj.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj katër gjyqtarëve të kësaj gjykate, si shenjë hakmarrjeje lidhur me lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun dhe për shkak të një vendimi paraprak për të hapur rast pas dyshimeve për kryerje të krimeve të luftës nga ushtarët amerikanë në Afganistan.

Me vendim amerikan janë sanksionuar gjyqtarët: Solomy Balungi Bossa nga Uganda, Luz del Carmen Ibanez Carranza nga Peruja, Reine Adelaide Sophie Alapini Gansou nga Benini dhe Beti Hohler nga Sllovenia.

Sanksionet amerikane nënkuptojnë se gjyqtarët janë në listë të individëve të sanksionuar, do t’iu ngrihet çdo aset që mund të kenë në SHBA, dhe gjithashtu janë futur në listën që u pamundëson hapjen e llogarive bankare jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të botës.

Në vendimin fillestar të Trumpit për sanksione ndaj gjykatës, është thënë se shtetasit amerikanë që ofrojnë shërbime në të mirë të individëve të sanksionuar, do të përballen gjithashtu me gjoba.

Gjykata, e cila përfaqëson 125 vende anëtare, ka dënuar të premten vendimin e Qeverisë amerikane./REL/

 

Deklarata – Takimi me Berishën, Kovatchev i shqetësuar: Do të ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe përmbushjen e standardeve…

Gjatë një takimi në Parlamentin Europian me delegacionin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të kryesuar nga Sali Berisha, eurodeputeti Andrey Kovatchev shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e demokracisë në vend.

Ai deklaroi se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet politike dhe integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se rruga drejt BE-së kalon përmes zgjedhjeve të ndershme, respektimit të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve.

Në takim u trajtuan problematikat e evidentuara gjatë zgjedhjeve të 11 majit, përfshirë ndikimin e krimit të organizuar dhe presionin ndaj votuesve. Kovatchev theksoi se mbështetja për Shqipërinë mbetet e fortë, por duhet të shoqërohet me përmbushjen e standardeve demokratike.

Pjesë nga deklarata:

Takimi i delegacionit të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kryesuar nga z. Sali Berisha me Eurodeputetin Andrey Kovatchev

Bruksel, 3 Qershor 2025

Në kuadër të vizitës zyrtare në Parlamentin Europian, delegacioni i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari z. Sali Berisha, zhvilloi një takim të rëndësishëm me eurodeputetin Andrey Kovatchev, përfaqësues i Partisë Popullore Europiane (EPP) dhe anëtar i Parlamentit Europian nga Bullgaria.

Gjatë takimit, z. Berisha e informoi z. Kovatchev mbi përkeqësimin dramatik të gjendjes demokratike në Shqipëri, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Ai denoncoi represionin politik të ushtruar nga qeveria ndaj opozitës në të vetmin narko-shtet që ekziston sot në kontinentin europian, tre liderët e partive më të mëdha opozitare janë ndeshur me arrestime e burgosje politike, etj.

Z. Berisha solli në vëmendje deklaratën fyese të Kryeministrit Edi Rama, i cili e ka quajtur Kodin Zgjedhor “kinezëri”, duke e zhvlerësuar në mënyrë të qëllimshme dhe duke e shkelur sistematikisht gjatë gjithë fushatës. Ai theksoi:

* Shpërdorimin e burimeve shtetërore, përmes bonuseve për 760 mijë pensionistë (që përbëjnë rreth 48% të elektoratit), faljes së gjobave dhe prokurimeve elektorale pa procedura ligjore;
* Riaktivizimin e patronazhistëve të Partisë Socialiste, të cilët ushtronin presion sistematik mbi qytetarët, duke i joshur ose shantazhuar përmes aksesit në shërbime publike;
* Lidhjen e maxhorancës me kartelet më të rrezikshme të drogës dhe krimit të organizuar, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor në 10 qarqe dhe 20 bashki të vendit;
* Ndërhyrjen brutale të Kryeministrit Rama ndaj misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë për të zbutur dhe ndryshuar përmbajtjen e raportit final mbi zgjedhjet e 11 majit – një përpjekje e papranueshme për të minuar kredibilitetin e organizatave ndërkombëtare dhe për të fshehur manipulimet masive.

 

Eurodeputeti Andrey Kovatchev shprehu shqetësimin e tij për zhvillimet në Shqipëri. Ai theksoi se disa nga këto problematika janë tashmë të reflektuara në raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, i diskutuar dhe votuar sot në Komisionin e Punëve të Jashtme (AFET).

Z. Kovatchev garantoi se, në emër të Grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP), do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe procesin pasues të vlerësimit nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë për aspiratën europiane të Shqipërisë, e cila sipas tij mund të realizohet vetëm përmes respektimit të demokracisë, të drejtës së votës së lirë dhe ndarjes së pushteteve.

Të miturit gjithnjë e më shpesh në shënjestër të propagandës terroriste, paralajmëron EUROPOL-i

Radio Evropa e Lirë

Agjencia Evropiane e Policisë [EUROPOL] bëri të ditur se pas një operacioni të gjerë në fund të muajit maj, ka hequr nga interneti mbi 2.000 linqe që përmbanin propagandë xhihadiste dhe ekstremiste të djathtë, e cila kishte për synim të shënjestronte të miturit.

Në këtë aksion morën pjesë Shqipëria, Austria, Belgjika, Bosnja e Hercegovina, Çekia, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Malta, Portugalia, Serbia, Sllovenia, Spanja, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ky aksion i Agjencisë policore të Bashkimit Evropian vjen vetëm disa javë pasi EUROPOL-i krijoi një grup të ri operacional të punës, të dedikuar për luftimin e praktikës gjithnjë e më të përhapur të rekrutimit të të miturve në krim të organizuar dhe të rëndë.

“Grupet terroriste gjithnjë e më shpesh i synojnë të rinjtë, duke shfrytëzuar dobësitë e tyre, por edhe aftësinë e tyre për të përdorur mjete digjitale, për të përhapur ide të dhunshme dhe ekstremiste”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle.

“Mbrojtja e fëmijëve nga shfrytëzimi nga rrjetet kriminale është një nga prioritetet tona kryesore”, theksoi ajo.

Në raport përmenden taktika shqetësuese të reja të grupeve ekstremiste, të cilat përdorin inteligjencën artificiale (AI) për të krijuar tekste, imazhe dhe video me qëllim që të afrohen te publiku i ri.

Sipas EUROPOL-it, propaganda shpesh përfshin: kombinime të imazheve të fëmijëve me mesazhe ekstremiste, përmbajtje në formë memesh dhe video të shkurtra me elemente nga lojërat kompjuterike, glorifikim të të miturve që kanë marrë pjesë në sulme terroriste – ku djemtë paraqiten si “luftëtarë” dhe “shpresa e shoqërisë”, ndërsa vajzat si mbështetëse të luftëtarëve të ardhshëm.

Veçanërisht shqetësues është trendi i përdorimit të narrativës së viktimës, ku përmes imazheve të fëmijëve të plagosur apo të vrarë në zonat e luftës, nxitet identifikimi emocional dhe ndjenja e nevojës për hakmarrje, thekson EUROPOL-i.

Qendra Evropiane për Luftën kundër Terrorizmit në kuadër të EUROPOL-it (ECTC) vazhdon t’i mbështesë vendet anëtare në parandalimin dhe hetimin e përhapjes së përmbajtjes terroriste në internet, me qëllim krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt për qytetarët e BE-së, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Riaktivizohet vullkani Etna, turistët vrapojnë për t’i shpëtuar tymit dhe llavës

Një alarm është dhënë në Siçili, pas shpërthimit të vullkanit Etna. Vullkani orët e fundit ka qënë shumë aktiv teksa janë publikuar video të shpërthimeve. Gjithashtu në video duken turistët që vrapojnë në panik për t’i shpëtuar resë së hirit dhe llavës.

Shpërthimi i sotëm karakterizohet si strombolian, sepse përfshin shpërthime të shpeshta dhe shpërthyese të lavës dhe gazeve, pa qenë masivisht shkatërrues. Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë i Italisë lëshoi ​​një njoftim në lidhje me shpërthimet e vullkanit Etna të hënën në mëngjes.

#Etna éruption en live pic.twitter.com/EUeurtMVSN

— 🥗Aurelien Pouzin🍯 (@aurelienpouzin) June 2, 2025

“Në orët e fundit, aktiviteti i përmendur në njoftimin e mëparshëm të lëshuar në orën 4:14 të mëngjesit (3:14 të mëngjesit BST) vazhdoi me shpërthime të tipit strombolian me intensitet në rritje, të cilat, për momentin, janë të forta dhe pothuajse të vazhdueshme. Në orët e fundit, një sasi e vogël hiri të imët ka rënë në zonën e Piano Vetore,” thuhet në njoftim.

Mali Etna, i vendosur në bregun lindor të Siçilisë, është një nga vullkanet më aktive në botë dhe ka qenë veçanërisht aktiv në pesë vitet e fundit. sn

Euroskeptiku Nawrocki fiton zgjedhjet presidenciale në Poloni

Radio Evropa e Lirë

Kandidati nacionalist opozitar, Karol Nawrocki, ka fituar rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Poloni me 50.89 për qind të votave, sipas komisionit të zgjedhjeve, duke i dhënë një goditje agjendës reformuese të qeverisë proevropiane të Polonisë.

Rivali i tij, Rafal Trzaskowski, kryetar liberal i Varshavës dhe aleat i qeverisë së udhëhequr nga Donald Tusk, mori 49.11 për qind të votave, raporton Reuters.

Një ‘exit poll’, të dielën, e kishte paraparë Trzaskowskin fitues.

Rafal Trzaskowski.

Rafal Trzaskowski.

Nawrocki, 42-vjeçar, historian euroskeptik, i cili kishte udhëhequr një institut përkujtimor, ka bërë fushatë duke premtuar se do të siguronte që politikat ekonomike dhe sociale do të favorizonin polakët karshi nacionaliteteve të tjera, përfshirë refugjatët nga Ukraina fqinje.

Boksieri amator fitoi pavarësisht se e kaluara e tij dominoi ditët e fundit të fushatës presidenciale – nga pyetjet për blerjen e një banese nga një pensionist, deri te pranimi se ai kishte marrë pjesë në përleshje të orkestruara.

Përderisa Parlamenti i Polonisë ka më së shumti pushtet, presidenti mund t’i vërë veton ligjeve, ndërsa votimi u përcoll me interesim në Ukrainë, si dhe në Rusi, në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian.

Nawrocki, i mbështetur nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), pritet të vazhdojë politikat e paraardhësit të tij, presidentit Andrzej Duda, po ashtu aleat i partisë më të madhe opozitare, përfshirë bllokimin e çfarëdo përpjekjeje nga qeveria për të lejuar abortin apo për reformimin e gjyqësorit.

Në mediat sociale, Duda falënderoi polakët për pjesëmarrje të madhe në zgjedhje. Dalja në votime ishte 71.31 për qind, tha komisioni i zgjedhjeve, që përbën rekord për balotazhin presidencial.

“Ju faleminderit! Që morët pjesë në zgjedhjet presidenciale. Që dolët. Që kryet obligimin tuaj qytetar. Që morët përgjegjësinë për Poloninë. Urime fituesit! Qëndro e fortë, Poloni!”, shkroi Duda në rrjetin social X.


Send this to a friend