Gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i kërcënimeve, frikësimeve dhe shantazhit për shkak të ushtrimit të profesionit të tyre. Në takimin“ Sfidat e gazetarëve të rinj”, mbajtur në Shkodër me një grup gazetarësh të rinj,
Kryetari Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, tha se përfolja dhe shantazhimi i gazetarëve përmes mediumeve dhe kryesisht atyre online, përbën një shqetësim serioz për komunitetin e gazetarëve.
“Vetëm për vitin 2024, tre mujorin e parë, kemi mbi 12 raste të kërcënimeve dhe shantazhimeve që janë bërë. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me raste që kanë publikime. Përmes mediave janë sulmuar kolegë, janë akuzuar kolegë dhe janë përfolur kolegë”, thotë ai.
Sipas zotit Çipa, më të kërcënuar janë gazetarët që trajtojnë probleme të korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.
“Dy prej kategorive më të rëndësishme profesionale, reporterët e terrenit dhe reporterët e investigimit, janë në sfida të kërcënimit, agresionit, shantazhimit, intimizimit dhe, pse jo, edhe të shantazheve që shpesh krijojnë insinuata. Në jo pak raste, shumë prej pjesëtarëve të komunitetit tonë të gazetarëve kanë rënë pre duke u vendosur si stigmatizues të kolegëve, të cilët përballen me grupe të interesave të prekura nga raportimi i thelluar i tyre dhe nga investigimet që bëjnë për çështje, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me korrupsionin ose përdorimin e fondeve publike”, thotë zoti Çipa.
Në kushtet kur mediat sociale po njohin një shtrirje gjithnjë e më të madhe, sipas zotit Çipa, është e rëndësishme që diferencën ta bëjë gazetaria profesionale, në mënyrë të veçantë përsa i përket të vërtetave që adresohen për opinionin publik dhe për shërbimin publik.
Mes gazetarëve të shumtë, që raportojnë nga rrethet për mediat në Tiranë, është edhe Elvis Hila, i cili mbulon Qarkun e Lezhës, një nga zonat më problematike në Shqipëri përsa i përket kriminalitetit, por edhe korrupsionit me pronat në vijën bregdetare.
Një vit më parë, pas raportimit të një rasti fallsifikimi dokumentash, ai u sulmua dhunshëm në prani të bashkëshortes. Raporti i Këshillit të Europës mbi vlerësimin vjetor të lirisë së shtypit në Europë, i publikuar në fillim të muajit mars, e rendit sulmin ndaj gazetarit Hila mes 41 alarmeve ndaj sigurisë fizike dhe integritetit të gazetarëve përgjatë vitit 2023 në Europë.
“Të sigurosh burimin e informacionit nuk është aspak e lehtë pasi shpesh herë përballemi me presione, me kërcënime nga individë të ndryshëm. Por, më e keqja është kur përballesh me presione edhe nga përfaqësues të institucioneve, të cilëve nuk ju pëlqen e vërteta dhe realiteti në terren. Ndaj mundohen t’i pengojnë gazetarët të pasqyrojnë zërin e qytetarëve dhe atë çfarë ndodh në realitet”, thotë gazetari Hila.
Edhe më i vështirë bëhet raportimi për gazetarët e rinj që raportojnë nga zonat e largëta ku, përveç presionit të pushtetarëve dhe grupeve kriminale, ka një perceptim jo fort dashamirës për gazetarët.
Nereida Vitoja e ka nisur profesionin e gazetarit në vitin 2019, kur nisi të raportojë nga terreni për situatën e tërmetit dhe pandeminë. Ajo thotë se është sfidë puna në terren për shkak të vështirësive që ai paraqet, sidomos për mediat lokale.
“Jo gjithmonë qytetarët janë miqësor me gazetarët. Ndoshta ka ndikuar shumë edhe propaganda në disa televizione, e cila ka ndikuar që qytetarët të humbasin besimin tek media. Kjo është reflektuar edhe tek mediat lokale. Besoj se ka ende shumë punë për tu bërë përsa i takon zonave rurale për ndërgjegjësimin dhe rëndësinë që ka pasqyrimi i problematikave të tyre në media”, thotë gazetarja Nereida Vitoja.
Incidentet me kërcënime, frikësime dhe shantazhe ndaj gazetarëve sa vijnë e po bëhen më të shpeshta me përhapjen masive të mediave sociale, aq sa shumë prej tyre nuk arrijnë të raportohen dhe as të ndëshkohen.