VOAL

VOAL

Freedom House: Pa llogaridhënie, populistët do të vazhdojnë të prishin Bashkimin Evropian nga brenda

April 4, 2017

Komentet

Gjenerali Rahim Adem që detyroi më 1995 Kasapin e Srebrenicës me ushtri të merrte ikën komentoi rreth Ratko Mladić: Ai nuk ishte ushtar, ai tregoi “guxim” duke vrarë civilë!

Gjenerali Rahim Ademi, shqiptar nga Kosova, me veprimtari në Kroaci i cili gjatë Operacionit Stuhija mundi forcat e komanduara nga Ratko Mladić, komentoi vdekjen e Kasapit të Srebrenicës. “Ai nuk ishte aspak ushtar. Ai kurrë nuk demonstroi aftësi të vërteta ushtarake në luftë. Ai tregoi ‘guximin’ e tij vetëm kundër civilëve të pafajshëm, duke vrarë civilë dhe njerëz të paarmatosur”, tha Ademi. Në gusht të vitit 1995, në Operacionin Stuhia gjenerali Rahim Ademi dhe forcat e tij mundën njësitë serbe të komanduara nga Ratko Mladić në luftimet pranë Shibenikut, duke e detyruar Mladić me forcat e tij të marrin ikën.

Operacioni Stuhia (i njohur ndërkombëtarisht si Operation Storm ose në gjuhën kroate si Operacija Oluja) ishte ofensiva vendimtare ushtarake e ndërmarrë nga Ushtria Kroate (HV) dhe policia speciale, në bashkëpunim me Ushtrinë e Bosnje-Hercegovinës (ARBiH), nga 4 deri më 7 gusht 1995. Ky operacion i dha fund Luftës Kroate për Pavarësi.

Sa për “Kasapin e Bosnjës”, Beogradi vazhdon ta trajtojë si hero pasi sipas njoftimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit serb ai “do të varroset me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore”. Beogradi vijon të mos heqë dorë as të distancohet nga krimet dhe kriminelët e dënuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit, që dikur i adresoheshin Milosheviçit.

Kryeministri Spajiç njoftoi veprimtari për destabilizimin e Malit të Zi nga rajoni, “Vijesti”: Bëhet fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ka paralajmëruar publikisht për praninë e një aktiviteti të koordinuar hibrid që synon të destabilizojë vendin dhe të bllokojë avancimin e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Përmes një deklarate në rrjetin social X, Spajić bëri me dije se autoritetet malazeze disponojnë të dhëna serioze operative, sipas të cilave mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat me BE-në pritet të shoqërohet me sulme hibride ku dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.

Kreu i qeverisë malazeze nëlëviz se këto përpjekje synojnë destabilizimin e vendit përmes mbështetjes nga aktorë të caktuar politikë dhe një pjesë e skenës mediatike vendase. Megjithatë, Spajić siguroi se këto ndërhyrje nuk do të arrijnë të ndryshojnë kursin dhe as të ndalin integrimin evropian të Malit të Zi.

Ndonëse kryeministri Spajić zgjodhi të mos përmendte me emër shtetet e dyshuara, mediat lokale kanë zbardhur prapaskenat e deklaratës së tij. Gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar burimeve konfidenciale, raportoi se dy vendet e rajonit për të cilat fliste indirekt kryeministri lidhur me veprimtarinë hibride janë Serbia dhe Shqipëria. bw

Ratko Mladiçi do të varroset me të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore të Serbisë

 

VOAL- Ish-gjenerali serb i Bosnjës, Ratko Mladiç, i quajtur “kasapi i Ballkanit” për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, do të marrë një funeral me “nderime të plota ushtarake dhe shtetërore që i takojnë”. Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujic, e njoftoi këtë në radiostacionin lokal K1. I sëmurë rëndë prej muajsh, Mladiç vdiq dje, të enjten, në Hagë, ku vuante një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. “Gjenerali Mladiç është një gjeneral dhe protokolli është i njohur mirë”, shtoi Ministri i Drejtësisë për stacionin televiziv serb të Bosnjës ATV. Qeveria e tij respekton të drejtat e Mladiçit, shtoi Vujic. Megjithatë, për momentin, e vetmja gjë që është e sigurt është se Mladiç do të varroset në varrezat Topcider të Beogradit. Kjo do të respektonte dëshirën e tij për t’u varrosur pranë vajzës së tij Ana, e cila i mori jetën vetes në vitin 1994 në moshën 23 vjeç. Një datë për funeralin nuk është caktuar ende.

Kush ishte Ratko Mlladiç?

 

Ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës vdiq dje, të enjten, në Hagë. Ai po vuante një dënim me burgim të përjetshëm atje për krime lufte që kreu gjatë luftës në Bosnjë (1992-1995). Ai ishte dënuar për gjenocid nga një gjykatë ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara. Ndër të tjera, ai u mbajt përgjegjës për masakrën e Srebrenicës të korrikut 1995. Gjatë asaj masakre, milicitë serbe të Bosnjës nën komandën e tij vranë më shumë se 8 000 njerëz, kryesisht burra dhe adoleshentë meshkuj. Agjencitë

Vdiq Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim te përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë

Radio Evropa e Lirë

Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Republikës Sërpska.

 

Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë.

I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000.

Mlladiq po ashtu u shpall përgjegjës nga Tribunali edhe për rrethimin dhe bombardimin e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë – një krim kundër njerëzimit që sipas gjykatës ndërkombëtare rezultoi me vdekjen e 4.548 ushtarëve boshnjakë dhe 4.954 civilëve. Vlerësohet se po ashtu 50.000 persona ishin plagosur gjatë rrethimit.

Tribunali i Hagës gjeti po ashtu presidentin e kohës së luftës në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, se kishte ndërmarrë politika që çuan në akte të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq Mlladiq, komandanti i tij kryesor i ushtrisë, sipas gjykatës, i kishte ekzekutuar këto plane.

Mlladiq dhe Karaxhiq u akuzuan se kishin udhëhequr një zinxhir komandues mbi operacionet me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës nga joserbët, përmes torturës, frikësimit, dëbimeve të detyruara të popullsisë dhe vrasjeve masive.

I cilësuar nga nacionalistët serbë dhe shumë serbë të Bosnjës si hero, Mlladiq komandoi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995, konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 100.000 persona.

Tribunali i Hagës konstatoi se kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, Mlladiq dha urdhra të drejtpërdrejta që trupat serbe të Bosnjës të grumbullonin dhe të ekzekutonin burrat dhe djemtë boshnjakë, që po përpiqeshin të largoheshin nga zona.

Gjykata po ashtu gjeti se forcat serbe të Bosnjës më pas tentuan të fshihnin dëshmitë e gjenocidit duke rivarrosur trupat e viktimave në varre masive, të shpërndara në zona të izoluara rurale përreth Srebrenicës.

 

Gjenocidi në Srebrenicë ishte edhe më tronditës për shkak se qyteti ishte vlerësuar nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt për refugjatët, të cilët po iknin nga lufta në pjesë të tjera të Bosnjë e Hercegovinës.

Trubunali tha se Mlladiq kishte udhëhequr rrethimin e Sarajevës, që nisi në prill të vitit 1992 dhe zgjati për më shumë se tre vjet.

Në fakt, bllokada e Sarajevës nga trupa nën komandën e Mlladiqit zgjati nga prilli i vitit 1992 deri në shkurt të vitit 1996 – më shumë se dy muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës. Atëbotë, ky ishte rrethimi më i gjatë i një qyteti në luftën moderne.

Karaxhiq u dënua për gjenocid më 2016, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë, dhe u dënua me 40 vjet burgim. Apeli i tij ndaj vendimit të gjykatës u refuzua në mars të vitit 2019 dhe dënimi iu rrit në burgim të përjetshëm.

Mlladiq iu shmang arrestimit për 16 vjet me ndihmën e ushtrisë serbe, të aleatëve të tij të kohës së luftës dhe të familjes së tij.

Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin Llazarevo, afër qytetit të Zrenjaninit në veri të Serbisë, pasi një informacion anonim iu dërgua Policisë nga dikush që kishte thënë se kishte parë një burrë që i përngjante në Mlladiqin.

Nga nisja e gjykimit ndaj tij në maj të vitit 2012, Mlladiq u deklarua i pafajshëm. Në një moment në fillim të procesit gjyqësor, Mlladiq bëri me duar gjestin e prerjes së fytit duke iu drejtuar një nëne të një prej viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

“Mlladiq vuri në lëvizje, nën kontrollin e vartësve të tij oficerë, operacionin në shkallë të gjerë, të mirëorganizuar që la të vrarë shumë se 7.000 burra dhe djem brenda pak ditësh”, deklaroi prokurori i Tribunalit të Hagës, Dermot Groome gjatë gjykimit.

“Krimet e kryera renditen në ndër më të tmerrshmet në historinë e njerëzimit dhe përfshijnë gjenocid dhe shfarosje, si krim kundër njerëzimit”, deklaroi gjyqtari kryesor Alphons Orie teksa lexoi përmbledhjen e vendimit ndaj Mlladiqit në nëntor të vitit 2017.

“Shumë nga këta burra e djem u mallkuan, u ofenduan, u kërcënuan dhe u detyruan të këndonin këngë serbe dhe u rrahën teksa prisnin ekzekutimin e tyre”, tha Orie.

 

Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Serge Brammertz, e cilësoi vendimin si “arritje të madhe” sepse ai e mbante përgjegjës Mlladiqin edhe për ndalimin e dhjetëra mijëra joserbëve në kampe ku shumë u rrahën e u përdhunuan, dhe po ashtu e mbante përgjegjës për zhvendosjen e mbi 1 milion personave në përpjekje për të rishkruar hartën demografike të Bosnjës.

Mlladiq ishte larguar nga gjykatorja disa minuta para se të lexohej vendimi për shkak se ai kishte nisur të bërtiste me zemërim: “Gjithçka që ju keni thënë është gënjeshtër e pastër. Turp. Të gjitha janë gënjeshtra!”.

Pas shpalljes së vendimit, viktimat dhe anëtarët e grupit të viktimave, Nënat e Srebrenicës, thanë se shpresonin që vendimi do të ndihmonte në pajtim, edhe pse shprehën keqardhje që Mlladiq nuk u shpall fajtor për të gjitha akuzat që u ngritën ndaj tij.

 

Familjarët që humbën më të dashurit e tyre në gjenocidin në Srebrenicë thanë se nuk kishte një dënim të duhur për të ndëshkuar Mlladiqin.

“Edhe nëse do të jetonte 1.000 herë dhe do të dënohej 1.000 herë me burgim të përjetshëm, drejtësia prapë nuk do të ishte vendosur”, u shpreh para shpalljes së vendimit, Ajsa Umiroviq, e cila humbi 42 të afërm në gjenocidin në Srebrenicë.

Vendimi ndaj Mlladiqit ishte i fundit i shpallur nga Tribunali, i cili u themelua në Hagë më 1993 për të ndjekur krimet e kryera në luftërat në Ballkan në fillim të viteve ’90.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi apelin e dorëzuar nga Mlladiqi dhe konfirmoi vendimin për burgim të përjetshëm.

Vitin e kaluar, Tribunali për krime të luftës i OKB-së refuzoi kërkesën e Mlladiqit për lirim urgjent në Serbi për shkaqe shëndetësore. Në vendim, gjykata tha se gjendja e Mlladiqit, ndonëse e pasigurt, ishte e qëndrueshme dhe trajtimi i tij në burgun në Hagë ishte në një standard të pranueshëm.

Mlladiq u lind më 12 mars 1942 në Kallinovik, që atëbotë ishte pjesë e Shtetit të Pavarur të Kroacisë – një shtet kukull i Gjermanisë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Si anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Mlladiq nisi karrierën e tij në Ushtrinë Popullore Jugosllave më 1965. Ai u bë figurë e njohur gjatë luftërave në Ballkan që shpërthyen pas shpërbërjes së Republikës Federative të Jugosllavisë.

Kroacia paralajmëron Perëndimin: Serbia po armatoset me armë sulmuese

Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokovic deklaroi se Evropa duhet të forcojë sigurinë dhe shtyllën evropiane te NATO-s sepse rendi ndërkombëtar po ndryshon, duke paralajmëruar gjithashtu se Serbia po armatoset me armë sulmuese.

Jandrokovic theksoi se është e rëndësishme të forcohet shtylla e NATO-s, sepse për dekada të tëra Evropa ka jetuar me ndjenjën se Amerika gjithmonë qëndron pas saj, prandaj Evropa dhe vendet individuale kanë harruar sigurinë e tyre.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe sulmuese dhe se këtë gjë duhet ta dinë aleatët.

“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe kjo duhet t’u thuhet aleatëve tanë perëndimorë.”, tha ai.

Jandrokovic shtoi se Kroacia duhet t’ia shpjegojë Perëndimit situatën në rajon, sepse elitat e reja politike shpesh nuk e kuptojnë zonën e ish-Jugosllavisë dhe as nuk e kujtojnë politikën e Serbisë së Madhe të Slobodan Millosheviçit. Panorama

Presioni i protestave studentore, Vuçiçi zbulon datën: Ja kur pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare në Serbi

 

Pas më shumë se një viti e gjysmë protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit, Serbia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi se votimet pritet të zhvillohen më 18 ose 25 tetor 2026.

Në një intervistë për televizionin shtetëror RTS, Vuçiç deklaroi se një nga këto dy data do të jetë dita e zgjedhjeve, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim. Zgjedhjet parlamentare, sipas afatit normal, do të duhej të zhvilloheshin në vitin 2027.

Protestat e udhëhequra kryesisht nga studentët kanë vijuar prej muajsh, me kërkesa që lidhen me përgjegjësinë institucionale, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Lëvizja studentore u forcua pas shembjes së një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

A do të rikthehet Vuçiq si kryeministër?

Njoftimi për zgjedhjet vjen në një moment kur e ardhmja politike e Aleksandar Vuçiqit mbetet një nga çështjet kryesore në Serbi.

Në fund të qershorit, presidenti serb deklaroi se do të largohej nga posti dhe se vendi do të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, ai nuk ka përcaktuar ende se kur do të japë dorëheqjen për të hapur rrugën për zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë, prej javësh qarkullojnë spekulime se Vuçiq mund të rikthehet në postin e kryeministrit, nëse Partia Përparimtare Serbe (SNS) fiton zgjedhjet parlamentare.

Vuçiq e ka mbajtur këtë post nga viti 2014 deri në vitin 2017, përpara se të zgjidhej president. Analistët vlerësojnë se një rikthim i tij në krye të qeverisë do t’i mundësonte të ruante ndikimin politik edhe pas largimit nga presidenca.

Protestat kanë tronditur pushtetin

Kriza politike në Serbi shpërtheu pas tragjedisë në Novi Sad, e cila u shndërrua në një lëvizje të gjerë studentore kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes së Vuçiqit.

Presioni i protestuesve ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka shtyrë autoritetet drejt diskutimit të zgjedhjeve të parakohshme. Tashmë, me dy datat e vendosura në tryezë, beteja politike pritet të hyjë në një fazë të re.

Nëse zgjedhjet zhvillohen më 18 ose 25 tetor, ato do të përbëjnë një test të rëndësishëm për SNS-në dhe për lëvizjen studentore që ka sfiduar prej muajsh pushtetin e Vuçiqit. bw

Vuçiq i kërkon NATO-s të ndalë tërheqjen e KFOR-it nga ura në Mitrovicë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i, misioni i aleancës në Kosovë, të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të Veriut.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

“Besoj se vlerësimi i tij do të jetë se paqja dhe stabiliteti rajonal janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar NATO-s për koment lidhur me kërkesën e Vuçiqit dhe është në pritje të përgjigjes.

Mitrovica, pas luftës së vitit 1999, u nda në pjesën veriore, me shumicë serbe, dhe atë jugore, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Sot ato funksionojnë si dy komuna të ndara.

Megjithatë, që nga përfundimi i luftës, KFOR-i e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën mbi Ibër, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Ura kryesore në Mitrovicë.

Ura kryesore në Mitrovicë.

Ai tha se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke mos përjashtuar as mundësinë e thirrjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq tha gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë “shumë të vështirë” dhe “të keqe” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Ulutash u takua më 12 gusht edhe me përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe që gjithashtu kundërshton zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.

Komandanti i KFOR-it tha atëherë se procesi i optimizimit të pranisë ishte nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe se ai do të zhvillohej gradualisht.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës.

Misioni i NATO-s ka theksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet përkatëse të secilit në fushën e sigurisë.

Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Hungaria përmbys epokën e Orbanit: Ish-kreu i Gjykatës Supreme propozohet president

Partia qeverisëse Tisza në Hungari ka nominuar Andras Baka, ish-kryetarin e Gjykatës Supreme, si kandidat për president të vendit. Baka u shkarkua nga posti në vitin 2012 nga qeveria e Viktor Orbanit, pasi kishte kritikuar publikisht reformat e saj në drejtësi.

Kandidatura u njoftua të shtunën nga kryeministri Peter Magyar dhe shihet si një tjetër hap i rëndësishëm i qeverisë së re për të dobësuar ndikimin e ish-kryeministrit Viktor Orban mbi institucionet shtetërore.

“Tisza” fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të prillit, duke i dhënë fund një periudhe 16-vjeçare të dominimit politik të Orbanit dhe partisë së tij Fidesz. Që prej ardhjes në pushtet, qeveria e re ka nisur një seri ndryshimesh që synojnë riorganizimin e institucioneve dhe rikthimin e pavarësisë së gjyqësorit.
Nominimi i Bakës vjen vetëm disa javë pasi parlamenti hungarez, me iniciativën e Tiszës, përdori një amendament kushtetues për të larguar nga detyra presidentin Tamas Sulyok, i cili ishte zgjedhur gjatë periudhës së qeverisjes së Orbanit.

Baka, 73 vjeç, pritet të zgjidhet president të martën, pasi Tisza kontrollon shumicën kushtetuese në parlament. Kandidatura e tij u miratua përmes një votimi të fshehtë brenda grupit parlamentar të partisë.

Kryeministri Peter Magyar e cilësoi nominimin si “një nga vendimet më të rëndësishme” të Tiszës deri tani.
Deputetët e partisë vlerësuan veçanërisht qëndrimin e Bakës për ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Sipas tyre, përvoja e tij do të jetë e rëndësishme në ndërtimin e asaj që e cilësojnë si “rendin e ri kushtetues” të Hungarisë.
Megjithatë, opozita e Fidesz ka paralajmëruar se do të bojkotojë votimin. Partia e Orbanit e ka akuzuar qeverinë e re për përdorimin e “taktikave autoritare”, pretendime që Tisza i ka mohuar.

Andras Baka ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor ndërkombëtar. Ai shërbeu për dy mandate si gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, përpara se të zgjidhej në vitin 2009 në krye të Gjykatës Supreme të Hungarisë.
Mandati i tij u ndërpre pas vetëm dy vitesh, pasi ai kundërshtoi publikisht disa prej reformave të qeverisë së Viktor Orbanit. Baka argumentonte se ndryshimet kërcënonin pavarësinë e gjyqësorit.

Çështja e shkarkimit të tij përfundoi më vonë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila vendosi se largimi nga detyra kishte shkelur të drejtat e tij për një gjykim të drejtë dhe lirinë e shprehjes. Këshilli i Evropës ka deklaruar më pas se Hungaria nuk e kishte zbatuar plotësisht vendimin.
Nëse zgjidhet president, Baka do të rikthehet në qendër të institucioneve shtetërore hungareze, këtë herë si një prej figurave kryesore të përpjekjes së Tiszës për të shkëputur institucionet nga trashëgimia politike e Orbanit. bw

Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

Dushan Komarçeviq

Një këshilltar nga radhët e partisë në pushtet në Vishegrad, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, ka promovuar organizatën ultranacionaliste ruse Rusov, anëtarët e së cilës marrin pjesë në agresionin rus kundër Ukrainës.

Siç ka raportuar më herët Radio Evropa e Lirë (REL), Lëvizja Ndërkombëtare Bashkimi dhe Ringjallja Ruso-Sllave (Rusov) mban kontakte me disa grupe të ekstremit të djathtë nga Serbia, ndërsa lideri i kësaj lëvizjeje, Andrei Rodionov, ka vizituar disa herë vendet e rajonit.

Në kanalin e këtij grupi në Telegram, në prill u publikua një fotografi ku shihet Velibor Zekoviq, këshilltar i Partisë Socialiste të Republikës Serbe në Kuvendin e Vishegradit, duke pozuar me flamurin e Rusovit në kodrën Zagllavak, pranë Vishegradit.

Në shoqërinë e tij është edhe Zhellko Gjuroviq, i cili rreth dhjetë vjet më parë prezantohej si shef i degës serbe të Lëvizjes Gjithë-Ruse Fronti i Kosovës, të cilën autoritetet ukrainase e kanë cilësuar si një entitet që organizon dërgimin e njerëzve nga Ballkani në frontin e luftës në Ukrainë. Gjuroviqi ka po ashtu në mëngën e xhaketës një emblemë me simbolin e Rusovit.

Në përshkrimin e fotografisë thuhet se Zekoviqi dhe Gjuroviqi janë “aleatë serbë të lëvizjes Rusov” dhe se ndodhen “te vendi ku në vitin 1993 vullnetarët rusë luftuan dhe derdhën gjak krah për krah me serbët për Bosnjën serbe”.

Velibor Zekoviqi nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të Radios Evropa e Lirë për të folur rreth lidhjeve të tij me lëvizjen Rusov” As nga Partia e tij Socialiste e Republikës Serbe nuk ka ardhur ndonjë koment për fotografinë.

REL-i i shkroi edhe Zhellko Gjuroviqit përmes rrjetit rus Vkontakte dhe postës elektronike, por ai nuk ktheu përgjigje.

Përgjigje nuk ka ardhur as nga lëvizja Rusov.

Lidhjet e politikës së Bosnjës me të djathtën ruse

“Është paradoksale që partitë që nominalisht quhen socialiste flirtojnë me organizata të krahut të djathtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me ideologjinë e së majtës”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) Gjorgje Vujatoviq, gazetar nga Banjalluka i cili ndjek temat që lidhen me ndikimet e huaja në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithatë, ai thekson se kontaktet e aktorëve politikë nga entiteti i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, me grupet e djathta ruse nuk janë përjashtim, por rregull.

“Në të kaluarën kemi pasur raste kur shumë zyrtarë dhe funksionarë të lartë kanë marrë pjesë në ngjarje ku ka qenë i pranishëm edhe Aleksandar Zaldostanov, i njohur me nofkën ‘Kirurgu’, lideri i grupit rus të motoçiklistëve ‘Ujqërit e Natës’, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”, thotë Vujatoviqi dhe shton.

“E gjithë politika kryesore është e lidhur me Federatën Ruse”.

Arsyet e afrimit të partive kryesore nga Republika S[ërpska me Rusinë, Gjorgje Vujatoviqi i sheh para së gjithash tek oportunizmi i aktorëve politikë. Ai thekson se opinioni publik në Republikën Sërpska është në masë të madhe i prirë ndaj narrativit rus dhe politikës së presidentit rus, Vladimir Putin.

“Aktorët politikë e kanë kuptuar se kjo është e leverdishme për të ardhur në pushtet dhe të gjithë po hyjnë në valën e këtij populizmi dhe po luajnë me kartën e lidhjeve historike me Rusinë, pansllavizmit dhe ortodoksisë si faktor bashkimi”, thotë ai.

Nga ana tjetër, shton Vujatoviqi, për organizatat nga Rusia më e rëndësishmja është që idetë e tyre t’i përhapin përtej kufijve të Rusisë.

“Ballkani, për shkak të lidhjeve historike, është hapësira më e përshtatshme për këtë veprimtari përmes përfaqësuesve dhe për shfaqjen e përkatësisë ndaj botës shumëpolare, siç e quajnë ata”, konsideron ai.

Lidhjet e luftës ruso-serbe

Zekoviqi dhe Gjuroviqi shpalosën flamurin e organizatës ruse pas një kryqi të improvizuar, të bërë nga kontejnerë bosh të granatahedhësve, në një vend ku gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë në vitet ’90 vepronin pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe vullnetarë nga Rusia.

Prej vitesh, shoqatat e veteranëve të luftës nga Republika Sërpska organizojnë shënimin e “Ditës së Vullnetarëve Rusë”. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit autoritetet e Bosnje e Hercegovinë ua ndaluan vullnetarëve rusë hyrjen në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, ndaj në shënim morën pjesë përfaqësues të shoqatave të veteranëve të entitetit më të vogël të Bosnjës dhe familjarë të vullnetarëve nga Federata Ruse.

Ndër personat të cilëve iu ndalua hyrja në Bosnje ishte edhe Aleksandar Kravçenko, ish-vullnetar rus në Bosnjë dhe themelues i organizatës Fronti i Kosovës, me të cilën është i lidhur edhe Zhellko Gjuroviqi. Organizata e tij ishte aktive edhe para fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, gjatë konfliktit në lindje të këtij vendi, në rajonin e Donbasit.

Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar Frontin e Kosovës si organizatë që luan rol në rekrutimin e vullnetarëve nga Ballkani, por Kravçenko e ka mohuar këtë në një intervistë që më herët ka dhënë për REL-in.

Në kontekstin e shtetasve që shkojnë si vullnetarë në frontin e luftës në Ukrainë, Gjorgje Vujatoviq konsideron se kontaktet mes aktorëve rusë dhe serbë nuk janë tepër shqetësuese për sigurinë e brendshme të Bosnje e Hercegovinës. Megjithatë, ai thekson se problemi qëndron te fakti se shteti rrallë i sanksionon shtetasit që marrin pjesë në luftëra të huaja.

“Shkuarja në fronte të huaja është e dënueshme, por shteti nuk reagon, pjesërisht edhe për shkak se disa prej këtyre njerëzve kanë marrë shtetësi ruse”, thotë Vujatoviq.

Danubi” dhe “Sava”,

Rodinov së bashku me vullnetarët serbë “Danubi” dhe “Sava”.

Lidhjet ruso-serbe mbetën aktive edhe pasi Kremlini nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022. Numri i saktë i shtetasve të Bosnjës që kanë shkuar si mercenarë në frontin e luftës në Ukrainë nuk dihet, por Europoli njoftoi në vitin 2025 se në mesin e qindra pjesëtarëve të identifikuar të grupeve ruse të mercenarëve Wagner dhe Redut ka edhe shtetas të Bosnje e Hercegovinës, pa dhënë të dhëna më të hollësishme.

Një nga figurat më të njohura është Davor Saviçiq, një serb i Bosnjës, i cili mban gradën e kolonelit në Drejtorinë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, e njohur si GRU. Autoritetet ukrainase kanë nisur procedurë penale ndaj tij për krime lufte.

Në fillim të vitit 2023, në Telegram u publikua një video e dy ushtarëve të maskuar, të cilët në gjuhën serbe thanë se i ishin bashkuar forcave ruse në Ukrainë, më saktësisht batalionit Sudoplatov.

Të prezantuar me emrat e koduar “Danubi” dhe “Sava”, ata e përshkruan veten si “patriotë serbë dhe rusofilë” që kishin ardhur për t’u ndihmuar “vëllezërve rusë”.

Identiteti i tyre nuk është përcaktuar zyrtarisht, por mediat në Bosnjë e Hercegovinë zbuluan se bëhet fjalë për shtetas të këtij vendi, ndaj të cilëve është lëshuar fletarrestim nga Interpoli për vepra penale.

Në videon ku flisnin “Danubi” dhe “Sava”, ata mbanin emblemën e lëvizjes Rusov.

Skifteri i verdhë me simbolin e kryqit diellor – i cili është i përhapur në ikonografinë e grupeve të ekstremit të djathtë – shihet edhe në flamurin që në prill të vitit 2026 e shpalosën Velibor Zekoviqi dhe Zhellko Gjuroviqi.

Çfarë është lëvizja Rusov?

Bëhet fjalë për simbolin e një shoqate ruse, e cila në manifestin e saj zyrtar rendit si një nga qëllimet themelore rikthimin e “Rusisë së Madhe historike, mbrojtëses së sllavëve, bastionit të vlerave tradicionale dhe garantueses së ndërtimit të një shoqërie të drejtë nga pikëpamja sociale”.

Lëvizja Rusov mbështeti separatistët prorusë pas shpërthimit të konfliktit në lindje të Ukrainës në vitin 2014. Rodionovi, sipas pretendimeve të tij, themeloi njësinë Feniks, e cila luftoi në kuadër të brigadës Prizrak, ku kishte edhe disa vullnetarë nga Serbia, për të cilën REL-i ka raportuar më herët.

Në një fotografi, për të cilën pretendohet se është bërë në vitin 2015 në territorin e të ashtuquajturës “Republikë Popullore e Luhanskut”, shihet Rodionovi me uniformë kamuflazhi duke mbajtur, së bashku me një burrë tjetër, një flamur të kuq me simbolin e ekstremit të djathtë, i njohur edhe si “svastika sllave”.

Pas fillimit të pushtimit, Rodionovi publikoi në Telegram fotografi të tij me uniformë dhe armë, duke pretenduar se në vitin 2023 iu bashkua Korpusit Vullnetar Sulmues të Federatës Ruse.

Rusov dhe Ballkani

Kjo lëvizje u themelua në vitin 2012, ndërsa themeluesi i saj, Andrej Rodionov, ka qëndruar disa herë në Ballkan, gjë që e ka dokumentuar me fotografi në rrjetet e tij sociale.

Në një intervistë për Radio Beogradin në vitin 2020, ai tha se në lëvizjen e tij anëtarësohen “jo vetëm organizata dhe lëvizje të tjera, por edhe parti”.

Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar se Rodionovi e ka vizituar këtë vend disa herë që nga viti 2017, ndërsa në afërsi të Shkupit, në vitin 2018, organizoi një kamp për mësimin e arteve marciale dhe të “traditave shpirtërore të Rusisë së Lashtë”.

Në Serbi, Rodionovi mban kontakte me grupin e paregjistruar të ekstremit të djathtë Patrulla Popullore, që njihet për aksionet kundër migrantëve. Me liderin e këtij grupi, Damnjan Knezheviqin, Rodionovi shënoi në Beograd, në vitin 2021, 100-vjetorin e eksodit të monarkistëve rusë nga Rusia pas Revolucionit të Tetorit.

Pak më herët, po atë vit, Knezheviqi kishte vizituar Moskën, ku, ndër të tjerë, u takua edhe me Andrej Rodionovin.

Andrej Rodionovi (i treti nga e majta) dhe simbolet të grupit të ekstremit të djathtë Skifteri Serb.

Andrej Rodionovi (i treti nga e majta) dhe simbolet të grupit të ekstremit të djathtë Skifteri Serb.

Ndërkohë, Rusov u lidh me grupin Skifteri Serb, një grup më pak i njohur i ekstremit të djathtë, i cili në korrik të vitit 2024 organizoi në Novi Sad një tubim kushtuar “çlirimit të Srebrenicës”, duke iu referuar përvjetorit të gjenocidit që forcat e Republikës Sërpska, nën komandën e Ratko Mlladiqit, kryen gjatë marrjes së kësaj enklave në vitin 1995.

Mlladiqi u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë për këtë dhe krime të tjera në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në një fotografi të publikuar në maj të vitit 2025 në profilin e grupit Skifteri Serb në Instagram, shihet Andrej Rodionovi duke pozuar me tre persona të maskuar, me uniforma dhe armë, ndërsa janë të shpalosur flamujt e Rusovit dhe Skifterit Serb.

Në përshkrimin e fotografisë shkruhet: “Bashkëluftëtarët rusë me skifterët serbë në frontin e mbrojtjes së ortodoksisë”, ndërsa si lokacion është shënuar Donjecku, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Flamuj me simbolet e lëvizjes Rusov janë valëvitur gjatë protestave në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës, të cilat në disa raste i kanë organizuar grupet e ekstremit të djathtë në Beograd.

Serbia arreston në kufi me Hungarinë një burrë nën dyshimin për krime lufte

Kalimi kufitar midis Hungarisë dhe Serbisë në Horgos, Serbi.

 

Radio Evropa e Lirë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më 2 gusht se në pikëkalimin kufitar me Hungarinë, Horgosh, e ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet M.M., i lindur më 1981, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krim lufte kundër popullsisë civile”.

MPB-ja serbe nuk bëri të ditur emrin e plotë dhe as shtetësinë e të arrestuarit.

Sipas njoftimit, ai dyshohet se më 26 korrik 1999, në fshatin Kllobukar të Kosovës, kishte “kryer krim lufte ndaj dy personave me inicialet T.S. dhe S.S”.

Autoritetet serbe thanë se arrestimi u krye nga pjesëtarë të Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Shërbimin për Luftimin e Terrorizmit dhe Policinë Kufitare.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, së bashku me kallëzimin penal, pritet të dërgohet në Prokurorinë Publike për Krime Lufte në Serbi.

Në të njëjtën kohë, avokati nga Kosova, Arianit Koci, shkroi në Facebook se autoritetet serbe kanë ndaluar shtetasin e Kosovës Mentor Mustafa, 44 vjeç, nga fshati Jasenovik i Komunës së Novobërdës.

Sipas tij, Mustafa u ndalua rreth orës 22:30 në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus nga Shtutgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.

Koci tha se, sipas vëllait të Mustafës, i cili ishte i pranishëm gjatë ndalimit, autoritetet serbe kishin thënë se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.

Ai shtoi se ka nisur të angazhohet për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar Mustafës ndihmë juridike.

Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë ende informacione për këtë rast.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë e Kosovës dhe avokatin Arianit Koci për informacione shtesë dhe për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin rast, por deri në publikimin e artikullit nuk mori përgjigje.

Rasti “Panda”: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin Radio Evropa e Lirë

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA) nuk u është përgjigjur kërkesave të saj për të intervistuar ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, si dhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të hetimeve për vrasjet në kafenenë “Panda” në Kosovë në vitin 1998.

Avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, më 27 korrik kërkoi reagimin e Kryeprokurorit Publik, duke theksuar se Prokuroria për Krimin e Organizuar prej më shumë se tre vjetësh nuk i është përgjigjur propozimit të tij për t’i marrë në pyetje si dëshmitarë Stanishiqin, Simatoviqin dhe Vuçiqin, lidhur me vrasjen e gjashtë të rinjve serbë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), Prokuroria tha se ka ndërmarrë veprime për të verifikuar nëse personat e propozuar posedojnë njohuri që do t’i bënin dëshmitarë të besueshëm në hetim.

“Për këtë qëllim, në disa raste i kemi kërkuar BIA-s të zhvillojë biseda me personat e përmendur lidhur me rrethanat që janë të rëndësishme për hetimin. Megjithatë, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje ndaj këtyre kërkesave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Sipas saj, hapat e mëtejshëm do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Avokati Niniq ka sqaruar se marrja në pyetje e Stanishiqit dhe Simatoviqit është propozuar për të verifikuar dëshmitë indirekte të një dëshmitari, të cilat lidhen me Simatoviqin dhe dijeninë e tij të mundshme për ngjarjen në kafenenë “Panda” në Pejë.

Ndërkaq, dëshmia e Vuçiqit është kërkuar pasi ai ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione të caktuara për vrasjet në “Panda”.

Në vitin 2013, kur ishte zëvendëskryeministër i parë i Serbisë, Vuçiq deklaroi se nuk kishte prova se krimin e kishin kryer shqiptarët dhe se opinioni publik në Serbi do të përballej me “të vërteta të tmerrshme” lidhur me këtë rast.

Sipas Niniqit, marrja në pyetje e Vuçiqit është propozuar duke pasur parasysh funksionet e tij shtetërore, veçanërisht detyrën si shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, të cilën e ka ushtruar që nga viti 2013, duke pasur kështu qasje në informacione tepër të ndjeshme nga sektori i sigurisë.

Në të njëjtën kërkesë drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq kërkoi gjithashtu që Prokuroria të verifikojë pretendimet se Radomir Boban Baqoviq është autori i drejtpërdrejtë i masakrës.

Këto pretendime u publikuan më 18 korrik në një video në rrjetin social Telegram nga Milosh Medenica, një shtetas malazez në arrati, i cili deklaroi se Baqoviqi “njihet që nga vitet ’90 si person që ka punuar për Shërbimin e atëhershëm të Sigurimit të Shtetit”.

Prokuroria i tha REL-it se Baqoviqi nuk është marrë kurrë në pyetje në asnjë cilësi në lidhje me rastin “Panda”, pasi deri më tani askush nuk e ka përmendur si dëshmitar të besueshëm në hetim.

Ajo shtoi se nuk kundërshton kërkesën e avokatit të familjeve të viktimave për një mbikëqyrje të jashtëzakonshme të punës së saj në këtë rast, hetimet për të cilin kanë nisur në vitin 2016 dhe ende vazhdojnë.

“Procedura nuk ka përfunduar sepse deri tani nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e bazuar se kush janë autorët e krimit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria deklaroi se është e gatshme t’i dorëzojë Prokurorisë Supreme Publike një raport për të gjitha veprimet e ndërmarra gjatë hetimit.

Pesë nxënës të shkollës së mesme – Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetislav Ristiq, Dragan Trifoviq dhe Vukosav Gvozdenoviq – si dhe studentja Ivana Radoviq u vranë më 14 dhjetor 1998, kur dy persona të maskuar hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr.

Vrasjet ndodhën në një periudhë kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin shumë të larta dhe lufta ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishte nisur.

Po atë ditë, në një pritë të forcave serbe u vranë disa pjesëtarë të UÇK-së, teksa transportonin armë nga Shqipëria.

Masakra në kafenenë “Panda” u konsiderua në atë kohë si një akt hakmarrjeje, gjë që çoi në arrestimin e disa shqiptarëve në Pejë.

Të gjithë të arrestuarit u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për shkak të mungesës së provave.

Hetues amerikanë mbledhin dëshmi nga ish-të burgosurit të kampeve në Derventa

Hetuesit amerikanë në Derventa më 20 korrik 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Një grup hetuesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur më 20 korrik në Derventa marrjen në pyetje të ish-të burgosurve që gjatë luftës ishin mbajtur në kampet Rabiq dhe Shtëpia e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), konfirmoi Shoqata e ish-të Burgosurve të Kampeve të Derventës.

Sipas informacioneve të Radio Televizionit të Republikës Sërpska (RTRS), pesë hetues amerikanë, me ndërmjetësimin e Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), në ditët në vijim do të marrin dëshmitë e tetë ish-të burgosurve në Gjykatën Themelore në Derventa.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, i cili nuk pranoi as ta konfirmojë dhe as ta mohojë se po zhvillon ndonjë hetim.

Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës, Agjencia Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Ambasada e SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për detaje lidhur me këtë vizitë.

Kryetari i Shoqatës së ish-të Burgosurve të Kampeve të Derventës, Drago Knezheviq, tha për RTRS-në se hetuesit amerikanë janë të interesuar për ngjarjet në kampet gjatë vitit 1992 dhe se ekziston dyshimi që disa persona të lidhur me krimet e luftës janë shpërngulur në SHBA pas luftës, duke shmangur kështu përgjegjësinë për këto krime.

“Ata kanë përzgjedhur tetë ish-të burgosur të kampeve. Sa u përket të dyshuarve, ekziston dyshimi se disa prej tyre janë shpërngulur në SHBA dhe se kanë ndryshuar emrat dhe mbiemrat. Ata menduan se drejtësia nuk do t’i arrinte”, tha Knezheviq.

Ai shtoi se kjo është hera e parë që hetues dhe prokurorë amerikanë vijnë në Derventa për të “mbledhur dëshmi për vuajtjet e civilëve serbë”.

SHBA-ja ka marrë pjesë edhe më herët në raste që lidhen me Derventën

Por, ky nuk është rasti i parë në të cilin autoritetet amerikane janë përfshirë në një çështje të krimeve të luftës të kryera në territorin e Derventës.

Ish-pjesëtarja e Këshillit të Mbrojtjes Kroate (HVO), Azra Bashiq, u arrestua në vitin 2011 në shtetin amerikan të Kentakit, ku jetonte nën emrin Isabella Bashich, dhe më pas ajo u ekstradua Bosnje e Hercegovinë.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi atë në vitin 2018 me vendim të formës së prerë me 14 vjet burgim për krime lufte ndaj civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës, të kryera nga prilli deri në qershor të vitit 1992 në territorin e Derventës.

Sipas aktgjykimit, Bashiq u shpall fajtore për vrasjen e civilit Bllagoj Gjurash, si dhe për keqtrajtimin fizik dhe psikologjik të të burgosurve në Shtëpinë e APJ-së në Derventë.

Gjykata konstatoi se të burgosurit ishin përballur me keqtrajtime të rënda dhe poshtërime, përfshirë rrahje dhe forma të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Përveç Bashiqit, nga SHBA-ja në vitin 2015 në Bosnje dhe Hercegovinë u ekstradua edhe Almaz Neziroviq, i cili më vonë u gjykua nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës për krime lufte ndaj civilëve serbë të mbajtur në kampin Rabiq, pranë Derventës. Ai u dënua me dy vjet burgim.

Çfarë ndodhi në Derventë gjatë luftës?

Në pranverën e vitit 1992, Derventa ishte skenë e luftimeve mes forcave të APJ-së dhe formacioneve ushtarake serbe, në njërën anë, si dhe Këshillit të Mbrojtjes Kroate dhe njësive të Mbrojtjes Territoriale të Bosnje e Hercegovinës, të cilat më vonë u integruan në Ushtrinë e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, në anën tjetër.

Në disa aktgjykime të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës është konstatuar se gjatë kësaj periudhe civilë serbë dhe të burgosur lufte ishin mbajtur në disa objekte, ndër të cilat Shtëpia e APJ-së, hangari Rabiq, Silosi në Polje dhe shkolla në Poljarë.

Gjykata ka konstatuar se të burgosurit në këto objekte ishin ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, rrahjeve, poshtërimit, mohimit të ushqimit dhe punës së detyruar, ndërsa disa prej tyre humbën jetën ose pësuan lëndime të rënda.

Në aktgjykime thuhet gjithashtu se të burgosurit në Shtëpinë e APJ-së (Dom JNA) ishin detyruar të ecnin zbathur mbi xhama, të lëpinin gjak dhe të hanin kartëmonedha të dinarëve jugosllavë të asaj kohe, ndërsa disa prej tyre ishin rrahur deri në humbjen e vetëdijes ose ishin vrarë.

Përveç Shtëpisë së APJ-së dhe kampit Rabiq, në procedurat gjyqësore përmenden edhe objektet e ndalimit në Polje dhe Poljarë, nëpër të cilat gjatë vitit 1992 kaluan civilë serbë.

Para drejtësisë vendore janë zhvilluar dhe ende po zhvillohen procedura për krime lufte të kryera në territorin e Derventës. Në mesin e tyre është edhe rasti kundër Damir Lipovacit, pjesëtar i Këshillit të Mbrojtjes, i cili u dënua me vendim të formës së prerë me shtatë vjet burgim, pasi në vitin 2015 u ekstradua Bosnje dhe Hercegovinë nga Holanda.


Send this to a friend