Graz, me 13 fruer 1953
Fort i dashtuni mik,
Librin tand e mora e të falem nderës fort e fort. Kishem me dashtë me t’u lutë qi të ja degojsh nji kopje edhe Angjelin Kujxhís, pse m’âsht ankue ka dit se nuk din aspak gramatikë e po e harron krejt shqipen, si po e harrojm ka pak edhe na të gjith tjerët. Ai banon në “KATHOLISCHES HOCHSCHÜLERHEIM” ktû në Graz e ka rasë me folë shqip fort rráll. Vetem me shokun e vet, Fejzi Domnin, qi flet shpesh herë shqip e ndoj leter qi shkruen, se per tjeter nuk ka rasë me u marrë me shqipen. Adresa e tij âsht kjo: Angjelin Kujxhija, Carnerigasse, 34, Graz, (Autriche). Ai âsht krejt i vorfen e prandej zor e ka me të dergue ndoj send per at liber. Po të diftoj edhe se ai nuk e din se ka dalë ky liber, jam vetë qi po kujdesem qi edhe ai t’a két në dorë ket liber të dobishëm per të gjithë refugjatët e sidomos per tê. Nji herë tjeter kam me pasë rasë me të dhânë përshtypjet e mija per sá i perket ktij libri. Perposë parathânjes, deri tash nuk kam mujtë me e studjue me vemendje.
Po due me të bâ disá pyetje, e po m’ep rasë libri i Stadtmüller me t’i bâ kto pyetje. Un nuk jam kenë kurr në Mat e prandej kishem me dashtë me dijtë prej teje a âsht Matja e rrethueme prej malesh së pashkapërcyeshme e a thue influksi i Tyrqve nuk ka mujtë me depertue atŷ? Stadtmüller thotë se URALBANER kanë dalë prej MATIGAU e mandej janë shperdám prej andej nder krahina tjera. Mue më duket se Mati nuk âsht ashtu i mbyllun prej malesh të pashkapercyeshme si thotë Stadtmüller, por tue mos pasë kenë kurr atje, deshta me të pvetë tý per ket punë. Të keshë mirsín me më diftue edhe per fushen e Arbnit. A âsht kjo nji fushë e madhe e me taminâ syperfaqen e saj. Ti e din prej ILLYRISCH-ALBANISCHE FORSCHUNGEN, ku edhe vetë e kam lexue, se ktu âsht kenë gjyteti i vjeter ALBANOPOLIS e kndej ka banue fisi i vjeter illyr ALBANOI, prej kah ka rrjedhë emni Albanenses, Albanese, Arvanites, Arnaut etj. etj. M’intereson me dijtë a ké vû oroe ndoj herë ti ndoj rrenim të ktij gjyteti ALBANOPOLIS.
Edhe nji pyetje tjeter po m’ep rasë me t’a bâ numri i mbram i gazetës FLAMURI, qi e mora dje. N’artikullin frengisht mbi Korçë lexohen kto fjalë: “C’est que Korytsa n’a jamais apparteny à la Grece ancienne ou moderne; ces habitants sont d’origine et de nationalità albanaise, parlent albanais e ne connaissent pas le grec; des ecoles grecques y ont fonctionné jadis, pendant la domination ottomane, qui avait interdit l’enseignement en albanais, pour des raisons politiques”.[1]
A mund të pohohet se tyrqit kanë ndalue shkollat shqipe për arsyena politike, si thotë ky artikull i gazetës? Pse kanë lejue at herë shkollat greke? Mue më duket se tyrqit nuk janë interesue aspak per kulturë e se prandej as kurr s’u ka rá rasa me ndalue shkollat shqipe, posë se ndër kohët krejt të vona. Si thue ti nw ket pikë?
Për me kthye te fjalët e Stadtmüller-it, ai thotë se tue pasë kenë Mati i rrethuem prej malesh së pashkapërcyeshme, nuk ka depertue ifluksi i Tyrqvet aty e prandej edhe âsht ruejtë mâ teper se tjeter-kund gjuha shqipe, e cilla mandej prej kndej âsht perhapë kah nord-lindja, kahë lindja, kah veri-lindja e gjithkahë. Mue më duket se ktû e ka krejt angllisht zoti profesor Stadtmüller-i.
Shpresoj se kjo leter nuk ka me u ndeshë rrugës me letren tande, me pergjegje të letres së kalueme.
Po e mbylli tue të diftue se 7 dollarët i kam marrë prej djalit t’and e të falem nderës, si edhe vetë i jam falë nderës me nji leter t’êmen.
Shum shndet e të mira t’uron nga zemra
Miku i yt
- P. MargjokajO.F.M
Ramleh, 28. II. 1953
I dashuni mik,
Kam marrë t’ânden me 13 k.m. Mâ e mbrapmja para ksaj ka qênë me 7 dhetuer. Kam qênë habitun për nji heshtje kaqë të gjatë prej anës s’ate, mbasi un t’isha përgjegjun edhe jo fort vonë, me gjith qi s’e mbaj mênd kur. Tash po e marr vesht prej letrës s’ate se na paska ndodhun edhe ksi shtegu si nji herë tjetër : na paska humbun edhe nji letër. Por s’po dij me i dhânë dum në se ka qênë e jotja apo e imja. Me gjithë këtê, po ka fort gjâsë qi ka qênë e jotja. Se ti shkruen tash: “Shpresoj se kjo leter s’ka me u ndeshun rrugës me letrën t’ânde, me përgjegjen e letrës së kalueme”. Prej këtyne fjalve del se ti m’a ke nisun edhe nji letër tjetër tash vonë para ksaj të fundit, qi un s’e kam marrë. Nuk besoj se letrat e shkëmbyeme ndërmjet neve të dyve i ndal cenzura, se kuj jemi tue i a çamë kryet na të shkretët me politikë. Këtê mâ va kemi lânë specjalistavet! Apo mâ mirë me thânë profesjonistavet? Prandej kisha me thânë se ka humbun gand, ndoshta pse disa përdasa të postave të këtushme mund të mos dijnë me i kënduem adresat në gjuhë të hueja. Për kët’arsye ksi shtegu po të mbyll këtu edhe dy zarfe të shkrueme arabisht e ti shtoju, kur të shkruejsh, edhe latinen.
Librin, atij studentit qi po më porosit kam me i a dërguem pa tjetër. Mundesh me më porositun edhe kêdo tjetër qi t’a dijsh se i vjyen. Ky libër âsht shkruem për nji qëllim kombtar e po për atë qëllim duhet shpërdamë në sa mâ shumë duer, ku nuk shkon kot.
Tý due me t’imtuem në mënyrë të posaçme qi t’a studjojsh me sŷ kritiku e jam gati me të dhânë çdo kthiellim qi të më kërkojsh, e kisha me dashun, madje, qi të më rrjedhin letra me kso kërkesash prej gjithandej. Por kush ka ngé sod me çamë kryet për gjuhën shqipe?!
Matja âsht lugin’ e lumit të njiêmënt e rrethueme me male në tri anë dhe e hapët vetëm në perëndim ku përpiqet me bajrakun e Bazes e Bishkashit prej tre bajrakve t’Ohrit. Malet e saja nuk janë përnjimênd aqë të nalta sa me u quejtun të pakapërcyeshme. Besoj se nuk i kalojnë 1200-1500 metrat kurrkund. Âsht e vërtetë se sundimi tyrk ka qênë edhe n’atë krahinë sa për emën si ndër gjithë malet tjera të Gegnisë. Por feja mohamedane, qi âsht mjaft e vonë atje, ka bâmë efektin e vet si në gjuhë ashtu edhe ndër doke. Matjanët tash vonë, ndoshta nja njiqind vjet e këndej, kanë rrahun mjaft rrugat e mërgimit për punë në Stamboll e ndër qytete tjera të mbretnisë. E kur janë kthyem ndër votrat e tyne kanë sjellë me vete fjalë e zakone të hueja. Sa për me e qujtun Maten gurrë të popullit shqiptar, siç po dashka Stadtmülleri, kishte me qênë nji gabim trashanik. Auktorët e IAF njimênd pohojnë nji gjâ të këtilë, por për gjithë Shqipnin’e Mesme e jo për Maten vetëm. Un madje i ap këtij pohimi nji tjetër kuptim. U shtri prej Shqipnisë së Mesme jo populli, por emni i Arbanvet-Arbnorvet-Arbnet-Arbneshvet – thuej si të duesh -, përmbi krahinat tjera, të cilat ishin të banume prej së njâjtës farë, ndonse me emna fisesh qi kemi edhe sod.
Âsht e vërtetë edhe se Krahin’ e Korçës s’ka qênë kurrë greke, as heret as vonë, posë kur ka sundue mbi tê mbretnija byzantine, sikur mbi Shqipninë tjetër.
Për shkolla e kulturë tyrke kam folë rrëshqitas në krye t’Abetarit t’em. Por âsht krejt e vërtetë qi Tyrqit e kanë ndaluem këndimin e shkrimin e gjuhës shqipe për arsye politike. Abdyl-Hamidi II – se vetëm në kohë të tij kanë nisun shqiptarët e Shqipnisë me u kujtuem për shkrimin e gjuhës së tyne – e quente vêndin e popullin t’onë si mâ të fortën fortesë të mbretnisë n’Evropë e dronte – me të drejtë ndoshta – se shkolla do t’u çilte sŷtë e do të fillojshin mbandej me kënduem tjera kângë, e jo atë të babës dovlet. Ky ndalim s’pështetej në ligjë, por bâhej me veprime arbitrare, si të gjitha punët e atij sundimi autokratik. Edhe mbas shpalljes së regjimti kushtetuer në 1908, Tyrqit e rij po nj’ashtu bânë e të gjitha ndeshjet e intelektualvet shqiptarë me Tyrqit ato katër vjet, deri në luftën balkanike, andej filluen.
Kujtoj se me kaqë, ndonse shkurt, u jam përgjegjun gjithë pyetjeve të tua.
Sod mora nji letër prej t’im bir qi më kallzon edhe për letrën t’ânde “molto gentile”. I kam dhânë vetë lêjë me më shkruem italisht. Ai âsht rritun n’Italí qysh tri vjetsh e shqipja i vjen e vështirë në shkrim e un i lyp letra të gjata.
Me shumë shëndet e urime qi mos të na hupin mâ letra tjera.
MKruja
- S. Qe se paskam harrue nji pyetje pa i u përgjegjun: ALBANOPOLIS, mbas auktorëve të IAF ka qênë afër Krujës ku sod gjindet katund’ i Zgurdheshit (Skorteshe e shkruejnë ata) e ku gjinden edhe shumë gërmadha, qi un s’kam pasë rasë kurrë me i pamë vetë.
Graz, me 4 Marc 1953
I dashuni mik,
Edhe nji herë paska pasë hupë nji leter e êmja. Kta po e xjerri prej letres s’ate qi e mora njetash mjesditë. Po vêhem me t’i bâ edhe njiherë pyetjet e asaj letre, me sá të më bíjn nder mend, pse kso heret nuk po e kam para vedit kopjen e asaj.
Të pata pyetë n’at leter se sá fjalë kishe n’at fjalorin t’and, gati per shtyp, qi kanë rrjedhë prej gjuhës latine ase italjane. Prap edhe ktu âsht Stadtmüller-i qi po m’ep rasen me t’a bâ ket pyetje. Ky thotë, tue persritë fjalët e Meyer-it, qi nuk ka pasë veç 5000 fjalë para duersh, se gjuha shqipe ka mâ se nji të katërt të fjalve të rrjedhuna prej latines. Kishe me dashtë me dijtë me taminá se sa fjalë me rrâjë latine ké pasë në fjalorin t’and të pabotuem. Natyrisht s’ka nevojë me më dhânë nji numer egzakt, por vetem me më thânë se sá per qind, e kta vetem me gjasë.
Pyetje tjeter kje, në se ti mundesh me më diftuem, se ku mund i gjêj me i lexue kta libra të shkruem prej dores së palodhshme tande : Librin e Kuq, qi ké pasë shtypë në Romë në rasen e konferencës së Parisit e librin e Gjorçeviqit, qi ké pasë perkthye prej serbishtje e botuem në Zarë. Mbas të tana gjasësh vetë do t’udhtoj njandej kah gjysa e prillit per Bologna e Romë, e due me dijtë ku mundem me i shtî në dorë kta dy libra, sa me i lexue nemose.
Edhe ksaj letre, pra, ké me mujtë me m’i pergjegjë, pse deri në gjysen e prillit jam sugurisht endè ktû në Graz, per mâ vonë tash kam me mujtë me të njoftue me sugurí vetëm mbas gjysës së prillit. E puna e jote si u bâ, qi nuk po mundesh me kalue n’Amerikë? E miku yt i madh si nuk po shkon n’ Amerikë? A thue âsht ndonji hundë-lesh qi nuk po e lên me kalue atje, a si âsht puna?
Ndoshta mâ vonë tash më bien nder mend pyetjet tjera të letres së hupun.
Librin t’and endè nuk e kam kndue, ashtu si e kam zanat vetë, por vetem sa marrë neper dorë e shfletsue sa grima. Më vjen keq qi nuk ké pasë para sysh Botimin e katert të “MRIZI I ZANAVET”, të shtypun në vjetën 1941 me komentim prej A. Viktor Volaj. Aty në faqe 15-17 âsht vjersha “Hymni i Flamurit Kombtar”. Perkthesen “Bini Toskë, ju, bini Gegë” etj. në rasen e njizet e pesë vjetorit, kúr u rrah çashtja e flamurit kombtar, per të zhdukë çdo regjonalizem, P. Gjergji e ka pasë shndrrue. Rreshtin e tretë e ka pasë vjerrshue kshtu:
“A njadhnjyesë a t’gjith deshmorë!”. Mbasi më rrshiti nji gabim, po më duhet me t’a shkrue krejt strofen si âsht në ket botimin e katert të MRIZIT:
“Bini, Toskë, ju bini Gegë!
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnjyesë a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Kështu âsht taman, pa kurrnji gabim, krejt si në liber! – Tash nji grimë humor e gaz. Ket strofë nji i pahajr, nuk e dij as vetë se kush, me gjasë P. Gjergji vetë, e ka pasë dredhë sá per gaz njiherë kshtu: “Bini, kokës, ju bini krés – se u ka mblue jú faqja e zezë – Bini n’pshesh, bini në laknorë – Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!”. Në nji botim të dytë të librit t’and, mos gabo me vû ket të dyten si perkthesë, por atë të sypermen!…
Me kaq po i ap fund edhe ksaj letres së shkurtë s’ême, me shpresë se nuk do të hupë ndokund neper ujnat e njelmta të Mjesdheut.
Shum shndet e të mira të dergon nga zemra.
I yti
- P. MargjokajO.F.M.
Ramleh, 22. III. 1953
I dashuni mik,
Po i përgjegjem s’ates me 4 të këtij mueji.
Un s’i kam pasë njehun fjalët qi ka marrë gjuha shqipe prej latinishtes e gjuhësh tjera romane e neolatine. Me thânë të drejtën, as numrin e përgjithshëm të fjalve të fjalorit t’em s’e dij me të saktë. Por të thânat e Meyerit tashmâ janë vjetruem e duhet me kërkuem ndër shkrimet e Joklit ndonji të vërtetë mâ të sigurtë. Mue mjerisht pak më ka râmë me këndue prej veprave të këtij albanologu të madh. Stadtmülleri âsht nji publicist, por jo nji dijetar as studjues, sidomos jo nji gjuhtar, as nji historjan. Ai ka qukrruem andej e këndej edhe ka nxjerrë nji libër qi mund të ketë ndonji vjeftë të përgjithshme si shumë libra tjerë qi janë shkruem mbi Shqipninë e Shqiptarët. Natyrisht edhe me shumë gabime ndoshta si ndodh gati kurdoherë për këtë kategorí shkrimtarësh jo të specjalizuem. Ai ka cituem tekstualisht mbase, apo gati ashtu, fjalët e Meyerit qi ka gjetun 1420 vokabuj me rrâjë latine në shqipet. Jireceku mbandej shkruen, e kushdi se cili tjetër mâ qi “mbasi shqipja s’ka mâ shumë se 5000 fjalë gjithsejt”, don me thânë se mâ tepër se e katërta e tyne kanë rrjedhun nga latinishtja e gjuhët latine. Por tekembramja, edhe si të jetë kështu e në dashtë le të jetë edhe gjymsa e fjalëvet shqipe t’ardhuna prej latinishtes, ç’del prej ksaj? Âsht vetëm nji çâshtje gjuhtare. Fakti âsht qi shqipja themelisht âsht nji gjuhë indevropjane e vjetër e provueme me prova shkencore të pakundrështueshme. Bullgarët me racë janë Tatarë, siç e din gjithë bota e me gjuhë janë sllavizuem aqë sa janë Sllavë Sërbt e Rusët. Ç’u ka mbetun vallë hungarvet prej gjuhës tyrko-tataro-mongolle? E Finvet?
Librin e Kuq besoj se do të mundesh me e gjetun në Romë. Mâ mirë se kushdo tjetër mundet me e ndriçuem Dhimitër Beratti qi gjindet atje. Se edhe ky ka qênë delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit në konferencën e Paqës e âsht edhe ky nji biblijofil, si na. N’e gjeça un këtu nji të dytë do t’a kemë për ty. “Shqipnija e Fuqit’ e Mëdhá” do të gjindet ndoshta n’ Amerikë, se i kam pasë dërguem nja 500 copë atje e njeriu qi i ka pasë marrë prej meje gjindet ende gjallë. S’e kam gërgamë, por po shpresoj se nji ditë kam me votun vetë e… kur të më shohë me sŷ mund të merrem vesht mâ lehtë me tê se me letër a me ndërmjetës! Edhe për këtê mund t’a pyetsh Berattin kur të vetsh në Romë. Tjetër udhë s’po dij me të kallzuem. Po të premtoj veç edhe për këtê të dytin qi në më rafshin në dorë ndonji herë edhe vetëm dy, njâni ka me qênë i yti.
Or po a e ke pasë marrë fotografinë t’eme? Më duket se t’a kam pasë dërguem.
Amerik’ e ime âsht ende pezull. Kam me të shkruem për tê kur të jetë damë ndo andej ndo këndej. Sa për mikun t’em, ky s’kishte me pasun ndonji pengim prej Amerikanvet, për këtê mundem me të siguruem. Por se ç’arsye tjetër âsht tue e penguem, këtë as un s’e dij. E shi ky ngurrim i tij m’a ka ngatrruem kryesisht lâmshin edhe mue.
Ah, lum miku, me e dijtun ti me sa vështirsina, ngutë e pa mjete âsht përgatitun ai Abetar i të Mërguemit! Kurrgjâ s’kam pasun këtu qi të më vjyej për tê, jo se mâ botesën e re të Mrizit të Zânavet. Të falem nderës fort për versjonin humoristik të strofës qi më çove. Më ka kënaqë. Po kush tjetër mund t’a ketë kthyem ashtu, veç P. Gjergjit? A e din me ça kam pasë dashun t’a mbyll Abetarin? Me Nakdomonicin! Por kam plasun tue i kërkuem në këtë mërgim Anzat e Parnasit e Gomarin e Babatasit e kurrsesi s’kam mundun t’i gjêj. Në këtë gjêndje shpirtnore, jo Lahuta e Malcisë, por ato kishin me më kënaqun.
Me kaqë e më gzofsh edhe Pashkët. Borxh’ i vonë ngushllon të zonë thonë ndër ne. Po e kundërta, dmth. kur t’a lán kush borxhin para kohet?
Mustafa
[1] Fren. : “Fakti âsht qi Korça s’ka qênë kurrë pjesë e Greqisë as të hershme, as moderne. Banorët e Korçës janë me origjinë dhe kombsí shqiptare, flasin shqip dhe greqishten nuk e dijnë ; ekzistojshin disa shkolla greke gjatë pushtetit otoman, qi kishte ndalue mësimin e shqipes për arsye politike.”
Ilustrime dhe sqarime me vlere per forcat e armtosura te “Ballit Kombetar” qe luftuan per lirine e atdheut te bashkuar, jo si forcat partizane qe vepronin vetem brenda kufijve te Shqiperise Londineze si i urdheoi Miladin Popovici. Mosshtrirja e veprimtarise organiztive dhe ushtarake e forcave partizane ne mbare territorin e Shqiperise se bashkuar ishte nje tradheti kombetare qe filloi qe ne diten e krijimit te PKSh-se kur nuk u permend fare Kosova si pjese e Shqiperise se bashkuar dhe as vete Shqiperia e bashkuar qe ne gusht te vitit 1941.