VOAL

VOAL

FOTOT- Bastisja e vilës së ish-Presidentit amerikan, FBI kontrolloi veshjet e Melanias, kaloi orë të tëra në zyrën private të Trumpit

August 10, 2022
blank

Komentet

blank

MARLENE LARUELLE DHE SHËMBJA E PUTINIT – Nga PAOLO LEPRI – Përktheu Eugjen Merlika

 

“Rusia është e shqetësuar”, shkruan Marlene Laruelle, doçente e çështjeve ndërkombëtare në George Washington University. Në fakt, së bashku me të tjerë shënja që tregojnë një pakësim të miratimit, zhvillimet johenike të luftës në Ukrainë, kanë nxjerrë njerëzit nëpër sheshe me një vendosmëri befasuese. Si do të përfundojë? “Nuk ka siguri që skajorët në pushtet të pranojnë shtypjen e brëndëshme në këmbim të suksesit ushtarak”, vëren studjuesja franceze në një artikull në New York Times, duke shtuar që “me një ushtri të drobitur”, Putini “duhet të gjejë një mënyrë për të patur një rezultat ushtarak që të mund të inkuadrohet së paku si një fitore e pjesëshme “. Nuk e ndihmon pastaj fakti që Kina dhe Hindia, “kanë filluar të shprehin shqetësimet e tyre”. Kjo nuk do të thotë se për presidentin rus po avitet përfundimi. “Edhe me të gjitha këto vështirësi – vazhdon – do t’ishte një gabim parashikimi i një shëmbjeje. Por Putini, ashtu si çdo drejtues, varet nga përligjia që siguron pushtetin e tij. Në javët e muajt e ardhshëm mund të zbulojë që toka nën këmbët e tij ka filluar të lëvizë”.

Me gjithë maturinë thelbësore të tyre, përimtimet e drejtoreshës së studimeve evropiane, ruse e dhe evroaziatike të universitetit amerikan – 49 vjeçe, studimet e kryera në Inalco dhe Sciences-po të Parisit – duken të përpikta dhe hapin një rreze shprese mbi mundësinë e ndryshimeve në kohë të shkurtëra në ish mbifuqinë, që synon , siç ka thënë Joe Biden, të “fshijë të drejtën e Ukrainës për të qënë si popull”. Më pak bindëse duken qëndrimet e saj mbi shkaqet e konfliktit, përgjegjësia e të cilit bie tërësisht mbi projektet zotëruese të Putinit. Autore e një syzimi të botuar vitin e shkuar, Is Russia fascist?, Marlene Laruelle pohon se ideologjia në pushtet në Rusinë e sotme është “iliberalizmi”. Një shëmbëllesë mjaft aktuale, që gjen të tjerë ndërpretues ende më të afërt me ne, si Hungaria e Orbánit – pikat e palëvizëshme të të cilit janë ngjitëse rrezikshmërisht: mos pranimi i institucioneve shumëpalëshe, përparësia e Shtetit-komb, sulmi të drejtave të pakicave.

“Corriere della Sera”, 23 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

SI NDIHET NDIKIMI I KINËS- Nga DANILO TAINO – Përktheu Eugjen Merlika

 

Njëheret, regjimet autoritare, në krye Bashkimi Sovjetik, përdornin shpesh keqnjoftimin për të bërë të dukeshin më të mira politikat e tyre e më të këqia ata të kundërshtarëve. Më vonë, veçanërisht mbas lindjes së rrjeteve sociale, janë zhvilluar fake news. Tani që jemi të pranishëm në shkrepëtimat e një lufte të re të ftohtë, përdorimi i armëve të komunikimit është më I ndërlikuar, pjesë thelbësore e një lufte të përzjerë. Freedom House, organizata që mbikqyr ndryshimin e shkallës së lirisë e demokracisë në botë, ka sendërtuar një studim të thelluar mbi veprimtarinë e Kinës në kërkimin e shtimit të ndikimit të saj ndërkombëtar nëpërmjet përdorimit të propagandës, fushatave të keqnjoftimit, çensurës së fituar nëpërmjet frikësimit, kontrollit të infrastrukturave vendore të njoftimit, shpërndarjes të përmbajtjeve të favorshme për të.

Përimtimi ka marrë në shqyrtim ndërhyrjen e Pekinit në 30 Vënde dhe përgjigjen e tyre ndërmjet janarit 2019 e dhjetorit 2021. Në 16 prej këtyre 30 Kombeve, fuqia e përpjekjeve kineze është vlerësuar e “lartë” apo “shumë e lartë”. E në periudhën, në 18 Vënde përpjekja është shtuar. Gazetarë, akademikë dhe grupe të shoqërisë qytetare i janë përgjigjur këtyre sulmeve në të gjitha situatat e shqyrtuara, por vetëm 50 % e Vëndeve ka ligje dhe liri njoftimi të tillë që t’i bëjnë “të qëndrueshëm”; gjysma tjetër është e “dëmtueshme”. Raste frikësimi ose nxitjeje të çensurës për kë qorton Pekinin janë regjistruar në 24 Vënde në 30. Në 17, ka patur ndërhyrje qeveritare ose të vetë mediave për të asgjësuar njoftimet e pafavorshme për Kinën. Në 16 Vënde , autoritetet kineze kanë frikësuar gazetarët. Në tetë , kanë qënë raste të shtrigërive që kanë kryer dhunime të rrjeteve sociale. Në shtatë Vënde janë kryer sulme kibernetike. Në të gjithë këto veprimtari Italia është përfshirë gjithmonë.

Përpjekjet kineze në territorin italian janë gjykuar nga Freedom House “të larta”, në nivelin 43 një një shkallëzim që shkon nga zeroja në 85 (më i larti). Edhe niveli italian i “qëndresës e përgjigjes” është vlerësuar “i lartë”, 45 në 85. Përimtimi kushtuar Italisë është një lexim mjaft interesant: kujton përkujtesën e famshme of understanding të marsit 2019 për hyrjen e Italisë në Rrugën e Re të Mëndafshit dhe përmënd marrëdhëniet e politikanëve e organizatave me Pekinin. Bën thirrje të kenë kujdes.

“Corriere della Sera”, 21 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

MUSTAFA KRUJA (Formimi, karakteri, personaliteti në shoqëri e ne familje) Nga Eugjen Merlika

 

Kanë kaluar plot 50 vite nga ajo mbrëmje e 27 dhjetorit 1958, kur në një klinikë amerikane, n’afërsitë e ujvarës së famshme të Niagarës mbyllte sytë përgjithmonë Mustafa Merlika Kruja. Një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth, në dukje e thjeshtë, shënoi fundin e parabolës së një jete të ndërlikuar, të filluar në një natë marsi me stuhi të 71 viteve më parë në Krujën legjendare të kryetrimit t’Arbërit, të ndërthurur me shumicën e ngjarjeve të trazuara të të parit shtet të bashkuar e të pavarur në historinë e shqiptarëve e të përfunduar në vetminë trishtuese të një mërgimi të gjatë nëpër Vënde të ndryshme, deri në strehimin mikpritës të Vëndit simbol të demokracisë.

Në qytetin ku lindi kaloi vetëm fëmijërinë, por Kruja mbeti në zemrën e Mustafait, jo vetëm si vendi me të cilin u lidhën kujtimet e para e të pashlyeshme fëminore, të shoqëruara nga portretet e familjarëve, ndër të cilët spikat ai i nënës me dhimbjen e thellë të largimit të saj të parakohshëm, por edhe sepse emri i saj i u bashkangjit mbiemrit të tij për të formuar atë tog fjalësh, që do të dukej në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, duke u bërë një pikë riferimi në jetën politike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë.

Në moshë ende të njomë, n’agim të djalërisë, mori rrugët e botës për të studjuar, më parë në Janinë e më pas në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në një periudhë vendimtare për formimin e vetëdijes kombëtare dhe themelimin e Shtetit shqiptar. Djaloshi nga Kruja i kaloi me sukses të gjitha provat shkollore, duke ngjitur një nga një shkallët e dijes, në sajë të një vullneti të hekurt, të një zgjuarsije mbi normalen e të një vendosmërie të pazakontë për të arritur synimet. Këto ishin disa nga tiparet më të spikatura të personalitetit të fortë të Mustafa Merlikës. Një ligj madhor hipotetik kompensimesh të mundësive potenciale e të kushteve reale, në rastin e tij ndoshta shërbente si një shtysë e fuqishme për të shkuar përpara.

I lindur në një familje të mesme krutane, pa ofiqe e pa pasuri, i vetëdijshëm se vetëm me forcat e tij do të hapte rrugën e jetës, u shqua që në të ri për horizontin e gjërë të interesave kulturore në fusha të ndryshme të dijes. Poezitë e Naim Frashërit, “ lyriku shqiptar mâ i kënduemi, mâ i ndiemi, mâ i kuptuemi e mâ i çëmuemi” e traktati i Sami Frashërit, “mâ i madhi dijetar qi ka pjellë deri sod raca e jonë”, mbi Shqipërinë e mbanin të lidhur me vendin e lindjes, por frëngjishtja e mësuar heret i hapte horizontet e Iluminizmit, e fuste në shtigjet e eseizmit të shekullit 17 (La Bruyère, La Rauchefoucauld), madje dhe në teoritë e socializmit. Shkolla turke që ndiqte i jepte mundësi të depërtonte në fushat e gjëra të kulturës arabe, persiane e orjentale në përgjithësi.

Me këtë pasuri kulturore në mëndje, në moshën 23 vjeçare, u diplomua në Mylkijen e famshme të Stambollit për Shkenca politike e administrative. Veprimtaria atdhetare, e nisur me shkrimet në fletoret turke të kohës, që nga ai çast trupëzohet e merr formë me kthimin n’Atdhe e mospranimin e postit të zv.guvernatorit të një province të Perandorisë. Mbi veprimtarinë e Mustafa Krujës në fushën politike, të studimeve gjuhësore e historike, e mbi mendimin e tij politik folën studjuesit e shquar në Konferencën shkencore përkujtimore, të mbajtur në Tiranë, në ditën e 50 vjetorit të largimit të tij nga jeta tokësore. Un do të mundohem të ravijëzoj këtu portretin e njeriut Mustafa Kruja, një portret i skalitur më së miri nga autoritete të kulturës shqiptare si Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Tahir Kolgjini, Lazër Shantoja etj., që e njohën nga afër e bashkëpunuan me të.

Un kam fatin të mbaj në deje gjakun e tij, jam nipi i lindur n’atë vit në të cilin ai u largua përfundimisht nga Atdheu. Isha vetëm pesë muajsh, kur gjyshi u nis me nxitim për në Austri, ku xhaxhai im i vogël, Besimi, ishte shumë i sëmurë në një klinikë të Vjenës. Para se të nisej, në një ditë fundi gushti 1944, më mori në krah, më puthi, e me një ofshamje dëshpërimi pëshpëriti: “ Të mijtë nuk i rrita dot vetë, as këtë nuk do të mundem t’a rris”. N’albumin e vjetër të vitit të parë të jetës është një fotografi e tij me mua në krahë. Kështu, “i mërguemi i përhershëm”, siç do t’a përkufizonte Koliqi, filloi ciklin e fundit të mërgimit të tij, atë më të dhimbëshmin e më të vështirin. E përballoi me forcën e karakterit dhe me ndershmërinë, për të cilën ishte shquar që në të rit e tij.

Nëse do të hartohej një listë e cilësive vetiake të Mustafa Krujës, mendoj se në krye të saj do të ishte ndershmëria, në kuptimin më të gjërë të fjalës. Ishte një cilësi e lindur por edhe kultivuar në një familje patriarkale, ku vlerat njerëzore i mëkoheshin fëmijës që kur thithte qumështin e nënës. Ishim një popull i varfër në mjete të jetesës, në përvojë qytetërimi e në kulturë, por i pasur në tradita, parime e vlera njerëzore siç ishin besa, mbajtja e fjalës së dhënë, respekti për të moshuarin, për familjen, për prindërit, për mikun e dashamirin. Mustafa Kruja ishte bir i kësaj Shqipërie që, fatkeqësisht, është në grahmat e fundit. Gjatë gjithë jetës së tij punoi që këtë Shqipëri t’a fuste në hullinë e qytetërimit t’Evropës e të zhvillimit bashkëkohor, kryelartë e pa kompleksin e përulësisë, në sajë të ruajtjes së atyre vetive. Krenaria për virtytet njerëzore të popullit të tij e shoqëroi kudo e kurdoherë. Çaste të shfaqjes së saj i gjejmë tek “Kujtimet …” e tij që nga episodet e tregtarëve të Vjenës e të Selanikut e deri tek “bujtina” e Krujës e kujtimet e Dom Nikoll Kaçorrit.

Ndershmëria, e shfaqur në të gjthë çastet e jetës së tij vetiake, familjare e shoqërore, ishte një motiv krenarie për gjthë fisin e Merlikve që e deshi deri n’adhurim “Lalën” e tij. Në vitet e gjata të mërgimit, në “vetmitoret” e Egjyptit, të Italisë, të Francës apo të SHBA ai i thonte motrës Haxhire apo djalit Bashkim, të vetmit familjarë pranë, që ta thërrisnin “Lalë”. Kështu, thonte ai, më duket se kam pranë gjithë familjen e fisin…Ishte një formë vetë hipnotizimi për të lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë që kishte në shpirt. Ndershmëria e tij admirohej nga miqtë e bashkëpuntorët por vlerësohej edhe nga kundërshtarët. Ndershmëria ishte korrektësi e përkryer në marredhëniet me të tjerët, por ishte edhe respekt i bindjeve që ai i shfaqte hapur në lojën e ndërlikuar të politikës. Ka mbetur proverbiale korrektësia e tij në kuadrin e jetës bashkëshortore. Në “Kujtimet e vogjlisë e të rinisë” tregohet një episod i një bisede të autorit me Luigj Gurakuqin e At Gjergj Fishtën, në një restorant të Parisit, pikërisht mbi këtë temë. Luigj Gurakuqi ishte beqar, ishte një burrë i hijshëm, shpirtmadh, i lakmuar nga gratë. Në jetën e tij vetiake, sidomos n’Itali këto të fundit nuk i mungonin. Megjithëse Luigji për Mustafain ishte një idhull ai nuk i a kursente kritikat n’atë drejtim e shoku, “i martuar me Shqipërinë”, i kujtonte atij “gabimin” që kishte bërë, duke krijuar familje në një Vend në të cilin shpesh pasojat e veprimeve të politikanëve binin mbi familjarët e tyre. Por për Mustafain familja ishte institucioni më i domosdoshëm e më i respektuar në jetën e njeriut, një detyrë së cilës nuk duhej t’i shmangej në çfarëdo rrethanash. Kështu vrejtjes së të birit, Petritit, mbi papërshtatshmërinë e aktit të martesës në periudhën e luftës, ai i u përgjigj me një letër të gjatë në të cilën mbronte tezën se luftërat nuk kanë qenë asnjëherë, në historinë e njerëzimit, pengesa për martesat e njerëzve dhe lindjet e fëmijëve. Kështu ngulmimi i tij arriti synimin t’a martonte të birin me vajzën e mikut të tij të vjetër, Sotir Gjikës, Elenën. Kjo qe nusja e vetme që ai pati në shtëpi, një nuse që në pak kohë u bë për të një bijë e vërtetë, jo rastësisht ishte e vetmja në familje që e thërristë “Babë”, duke gjetur në të dashurinë e munguar të të jatit që e la jetime në moshën 7 vjeçare. Dhe ajo e deshi dhe e respektoi me gjithë forcën e shpirtit të saj e gjatë kalvarit më se dyzetvjeçar të përndjekjes komuniste, i përballoi vuajtjet e gjata kryelartë sepse ishte e reja e Mustafa Krujës. Zemra prej prindi u gëzua shumë kur mori vesh se edhe djali i dytë, Fatosi, ishte martuar me mbesën e një miku e bashkëpuntori, të Kolë Bibë Mirakajt. Ai nuk arriti të marrë me vete gëzimin e martesës së djalit të tretë, Bashkimit, por letrave të nuses së ardhëshme i përgjigjej gjithmonë me ngrohtësinë e prindit.

Në moshën 25 vjeçare, në Vlorë, ishte sekretar i Ismail Qemalit, për të cilin ruajti gjithmonë respektin e bindjen se “Plaku i Vlorës” ishte një atdhetar i panjollë që punonte për Shqipërinë. Besnik i kësaj bindjeje u kundërvu ndaj Esat Pashë Toptanit, njeriut që kishte vendosur drejtimin e shkollimit të tij, gjë të cilën për pak e pagoi me kokë. I dorëzuar tek Esati si pasojë e kërcënimit të tij për të vrarë të gjithë meshkujt e familjes, nuk nguroi t’i thotë atij në sy arsyen e qëndrimit të tij. Para një rreziku vdekjeje duhej guxim e kurajo të shpalosje bindjet dhe armiqësinë ndaj të fuqishmit, duke patur duart e lidhura. Guximi dhe kurajoja ishin pjesë përbërëse të karakterit të tij që nuk parapëlqente dredhat dhe transformimet e politikës. Ishte më shumë një Burrë Shteti se sa një diplomat, punonte më shumë i shtyrë nga parimet e bindjet se sa nga interesat vetiake. Madhore për të ishin vetëm interesat e Shqipërisë, ashtu siç i konceptonte ai. Para tyre mund të sakrifikoheshin të gjitha: fitimi, pozita madje edhe familja. Për të mbrojtur ata interesa, nuk nguron të sfidojë opinionin publik, të rrezikojë “komprometimin” e të verë në lojë karjerën e mirëqënien. E bëri më 1915 përballë Esat Pashës; më 1922 kur organizoi me Zija Dibrën kryengritjen e marsit; më 1927 kur u largua nga KONARE, mbasi pa të mbizotëronte në të fryma filosovjetike; më 1936, kur i u drejtua shokëve të mërgimit me një letër, në të cilën propozonte ndryshimin e qëndrimit ndaj Mbretërisë shqiptare, mbas ardhjes në fuqi të Qeverisë së Mehdi Frashërit; më 1938, kur përfaqësuesit të qeverisë italiane në bisedime i u drejtua me fjalët “Le të qëndrojë Zogu edhe njëqind vjet të tjera në qeverisjen e Shqipërisë…”; në nëntor 1941 kur mori përgjegjësinë e qeverisë nën pushtim me të vetmin qëllim për të shmangur një fitore të komunizmit n’Atdheun e tij; më 28 nëndor 1942 kur i priu demostruesve në Vlorë me flamurin në dorë; në janar 1943, kur dha dorëheqjen si Kryeministër në shenjë thyerjeje të bashkëpunimit me italianët; më 1952 kur i u drejtua Departamentit Amerikan të Shtetit për strehim politik, duke argumentuar arsyet e qëndrimit pro boshtit në luftën e dytë botërore.

Sa i vendosur ishte të mbronte bindjet e tij politike, shkencore apo morale, po aq i gatshëm ishte t’i diskutonte ato hapur, ndershmërisht. I ndjeri Mark Temali më tregonte në kampin e Gradishtës se si një bisedë prej dy orësh me ish kryeministrin e kishte kthyer nga një kundërshtar të Qeverisë në një bashkëpuntor të saj, duke pranuar detyrën e federalit në Korçë.

Mbas fjalimit në kinema “Savoja” me titull “Në hullí të historisë” qe i gatshëm të priste këdo që dëshironte të bisedonte sy më sy me të për problemet e Vendit dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Nuk kishte paragjykime t’asnjë forme, prandaj ishte i gatshëm të dëgjonte pikpamjet e të tjerëve, të çdo moshe, të çdo sëre, të çdo krahine, të çdo bindjeje politike, mjaft që t’i shërbenin çështjes shqiptare.

Ishte një njeri që i pëlqente rregulli në jetën e zakonshme dhe serioziteti në punë. I përkushtohej skajshmërisht çdo lloj aktiviteti që ndërmerrte, si atij intelektual e shkencor apo politik, si dhe çështjeve familjare, të farefisit apo të rrethit shoqëror e miqësor. Ishte një kundërshtar i vendosur i anarkisë, i çrregullimeve, i punës shkel e shko, i mungesës së seriozitetit. Në konceptet e tij për jetën publike një vënd të veçantë zinte elementi disiplinë, pa të cilën ai nuk e kuptonte mbarëvajtjen e Shtetit dhe të institucioneve të tij. Disiplina nuk ishte një nënshtrim i verbër ndaj autoritetit epror, por një ndjenjë respekti ndaj detyrës që kishte secili, një ndjenjë përgjegjësie ndaj zbatimit të rregullave e ligjeve të miratuara nga institucionet.

Një veti tjetër e karakterit të Mustafa Krujës ishte mungesa e ndrojtjes për të njohur gabimet edhe në hapësirë kohe. Në “Kujtimet..” ai, djegien e shtëpisë në Krujë mbas dështimit të lëvizjes së marsit 1922, nuk i a vesh “barbarisë” së Shtetit, por fajit të tij. Në fakt atë lëvizje, së bashku me revolucionin e qershorit 1924, mbas kalimit të viteve, i quajti veprime të dëmshme për ecurinë demokratike të jetës politike shqiptare. Në këtë kuadër mund të vendosen edhe ndryshimet e qëndrimit ndaj kundërshtarit të rreptë të tij, Ahmet Zogut. Tërësia e marredhënieve të tyre, që nga njohja në moshë fare të re në një shkollë të Stambollit e deri tek fqinjësia vëllazërore n’Aleksandri t’Egjyptit, përmban ne vetvete gjithshka nxori në pah politika shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Ajo ishte shprehje e idealeve por dhe e interesave, e respektit ndaj kundërshtarit por edhe e luftës së pamëshirshme ndaj tij, e vlerësimit të tij privatisht por edhe e denigrimit publik, e qëndrimit ngulmues në bindjet por edhe e ndryshimit të përkatësive politike.

Në vjeshtën e vitit 1943, kur u pa se fitorja e Boshtit, me të gjitha përfitimet e Shqipërisë etnike, po largohej gjithënjë e më tepër, ndërsa ajo e Aleatëve, me rrezikun e mbizotërimit të komunistëve në strukturat e qëndresës antifashiste, bëhej më e prekëshme, Mustafa Kruja ariti në përfundimin se Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: mobilizimin e të gjitha forcave të shëndosha të Kombit nën drejtimin e Mbretit të mërguar. Që nga shtëpia e Kapidan Gjonit në Shkodër niset mesazhi për kundërshtarin e shumë viteve: “ Si mue si Kapidanin e Mirditës do t’na kesh bashkëpuntorë e përkrahës!”. Ishte dora e shtrirë Mbretit dhe njohja e vetëdijshme e rolit dhe aftësive të tij, jo për komoditet politik apo përfitim vetiak, por për një bindje të thellë se kjo ishte rruga e shmangies së një katastrofe, të cilën ai e kishte paralajmëruar në të gjitha mënyrat. Para këtij synimi të gjitha vlerësimet, qëndrimet, mëritë e së shkuarës liheshin mënjanë, i dorëzoheshin kohës e historisë. Ishte pa dyshim një tregues burrërie e shqiptarizmi, ashtu siç kishte qënë, një vit më parë, mbrojtja e tezës se Shqipëria e bashkuar me Kosovën në gjysëm lirie ishte më e pranueshme se ajo pa Kosovën në liri.

Kjo ishte me pak fjalë figura e Mustafa Krujës, mbi të cilën është hedhur sistematikisht balta e shpifjeve dhe diskreditimit. Ajo është e lidhur me një epokë, tashmë të largët, me një mendësi, një mënyrë të konceptuari të çështjes shqiptare, në një nga periudhat më të ndërlikuara të një shekulli të shënuar nga tragjedi të të gjitha niveleve. Ashtu sikurse ajo mendësi, në tërësinë e saj, po ashtu edhe ajo figurë presin sot një rivlerësim objektiv e të paanshëm, nga sita e historisë së vërtetë. Fatkeqësisht strukturat shkencore, politike, kulturore të Vendit tonë nuk janë ende në gjëndje t’a bëjnë, ato mbeten të ngujuara në kullat ideologjike të mendimit komunist. Konferenca përkujtimore në sallën Balsha të Hotel Tirsanës qe një hap i fuqishëm n’atë drejtim. Kumtesat e mbajtura në atë sallë, nga studjuesit e shquar që shpalosën opinionet e tyre janë një dëshmi. Atyre u shkon falënderimi i përzemërt jo vetëm i familjes e farefisit të Mustafa Krujës, por dhe i atij opinioni shoqëror që është i etur të njohë, në termat e tij të vërteta, të shkuarën e Vendit të tij.

Rishkrimi i historisë, kryefjala e këtij tubimi, duhet të jetë një proçes i thellë, i pandërprerë, i tejdukshëm, cilësor, në vazhdimësi, një proçes rindërtimi mbi kritere të së vërtetës të së shkuarës sonë, dukuri kjo e domosdoshme për të davaritur mjegullnajën e stërmadhe të mashtrimit që, për më shumë se gjysëm shekulli, ka errësuar mëndjet e shqiptarëve duke çoroditur idetë e tyre.
Dhjetor 2008

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA -1
Tiranë 2011

blank

Raportet e këqija me Vjosa Osmanin, Edi Rama orkestron sulme kundër saj

Tashmë janë evidente raportet e tensionuara mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama. Ato u manifestuan edhe në Nju Jork gjatë ditëve të fundit, ku le që nuk u takuan me njëri-tjetrin, as sa për kurtoazi, por nga qëndrimi i tyre atje lindi edhe një konflikt i ri. Në vend të një reagimi nga Rama, kundër Osmanit u sulën gazetarët e tij dhe mediat që kanë seli në Tiranë.

Aty ku u bie të takohen, në forume ndërkombëtare, Edi Rama e Vjosa Osmani, sillen sikur të ishin nga dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Njësoj ndodhi edhe në Nju Jork gjatë 7-8 ditëve të fundit qëndruan të dy. Si pjesëmarrës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, Osmanit e Ramës u ra të shihen në takimin që e organizoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në pamjet që i publikoi Kryeministri në largim i Malit të Zi Dritan Abazoviq, Rama e Osmani nuk u panë duke i shtrënguar duart.

Kur Presidentja Osmani dha një intervistë për Zërin e Amerikës nuk e la pa u marrë me Ramën.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore”, tha ajo.

Tutje, Presidentja i përmendi raportet me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, me të cilin tha se “ka raporte të shkëlqyeshme”.

“Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve” tha Osmani.

Rama, i cili kohëve të fundit ka rregulluar pak raportet me Kryeministri Kurti, në fjalimin e tij në OKB një pjesë të madhe ia kushtoi Kosovës, më saktësisht raportit të Dick Martyt, të cilin e  ka marrë përsipër ta kontestojë aty ku është miratuar, në Këshill të Evropës.

Për këtë fjalim, te një pjesë e eksponentëve politikë u thanë fjalë të mëdha ndërsa u kritikuan Kurti e Osmani, të cilëve iu kërkua që t’i bëjnë jehonë fjalimit të Ramës për krerët e UÇK’së që ndodhen në Hagë.

Ai nuk u mor fare me Vjosa Osmanin. Por këtë e bënë media të afërta, të cilat iu sulën Osmanit.

U shkruan se ajo e ka përjetuar më keq fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në sallën e OKB, se vetë Serbia.

“E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës dhe Shqipërisë, e ka përjetuar si një e ftuar e papërfillur e Asamblesë dhe mbi të gjitha, si një fjalim që ajo nuk di as ta lexojë, dhe jo më ta shkruajë” shkruante një media në Tiranë.

“Duket qartë se ajo nuk e duron dot Shqipërinë as kur e mbron Kosovën. Dhe për të justifikuar sikletin e saj në sallë, kur vendin e saj e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ndërsa ajo i kërkonte foto presidentit të SHBA me Dua Lipën, shpërtheu tek Zëri i Amerikës, duke akuzuar Edi Ramën se po ja shpëton fytyrën Serbisë”, vazhdon artikulli.

Lajmi që implikon edhe Dua Lipën, u dha në një media tjetër që ka raporte të ngushta me Ramën.

Sipas tyre, Osmani ka kërkuar takim me Presidentin Biden duke thënë se do të shkojë te ai me Dua Lipën, yllin kosovar të muzikës në skenën ndërkombëtare.

Ky lajm u përgënjeshtrua shpejt nga Presidenca.

“Demant. Presidentja Osmani asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në të cilën thotë se do ta marrë me vete edhe Dua Lipën në takim. Të gjitha letrat e Presidentes dërguar Presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk e kanë pasur një përmbajtje të tillë.

Prandaj, raportimet e tilla nga disa mediume, janë të pavërteta” shkroi Bekim Kupina këshilltari për media i Presidentes.Express

blank

Mediat turke ‘shuplakë’ Ramës: Shkolla dhe kopshti u mbyllën me kerkesë të Erdogan

Ndërsa kryeministri Edi Rama vazhdon të mohojë se pas vendimit të qeverisë për mbylljen e kolegjit Mehmet  Akif dhe kopshtit Turgut Ozal, fshihet plotësimi i kërkesës së vazhdueshme të  Presidentit  Rexhep Taip Erdogan,  duket se ne Turqi, situata është e qartë. 

Sipas mediave turke, insitucionet arsimore, të Kompanisë Turgut Uzal, u mbyllën me kërkesë të Presidentit të Turqisë, Erdogan.  “Takvim”, një gazetë pranë qeverisë në Turqi, shkruan se mbyllja e kopshtit dhe shkollës erdhën “pas përpjekjeve të gjata diplomatike dhe vizitës së fundit të Presidentit të Turqisë në Ballkan”.

Sipas “Takvim”, qeveria shqiptare vendosi mbylljen e këtyre shkollave dhe përzënien e mësuesve prej tyre pas aktivitetit të shtuar të diplomacisë turke.

Shkollat u mbyllën pas përpjekjeve diplomatike të Turqisë. Menjëherë pas vizitës së Presidentit Erdogan në Ballkan filloi edhe mbyllja e aktivitetit të tyre duke i përzënë prej andej. Pas kopshtit të kompanisë “Turgut Ozal”, u mbyll edhe kolegji “Mehmet Akif”, shkruan Takvim në faqen e saj.

Në të njëjtën linjë e kanë raportuar ngjarjen edhe gazetat  “Aksam” si edhe televizioni shtetëror turk, TRT.

Kryeministri Edi Rama, e ka argumentuar,  mbylljen e  këtyre insitucionev e arsimore, të cilësuara si të financuara nga Fondacioni Gylen, me moszbatimin e ligjit, për marrjen e licensës pas ndryshimit të godinës.  Por vendimi  I qeverisë,  erdhi disa muaj, pas ultimatumit  të presidentit Erdogan, I cili  kërkoi të merren masa kunder  organizates FETO në Shqipëri, në mënyre qe marredheniet mes dy vendeve mos të erresohen.

Pas mbylljes së kopshtit dhe kolegjit të vajzave,  në nisje të vitit  të ri shkollor, më shumë se 400 fëmijë dhe adoleshentë, u lënë jashtë bankave të shkollës ndersa dhejtra mesues,  ngelen te papune.   syri.net

blank

Pse e mohoi Rama kapriçion 3.7 milionë euro në kryeministri

Që Edi Rama është maniak i arredimit, fasadave dhe gjithçka që lidhet me imazhin, kjo nuk është lajm. Prekja e piktorit u dha ngjyrë korridoreve dhe fasadës së Ministrisë së Kulturës. Nuancat në veshje bënin gjithnjë diferencën me kostumet gri të politikanëve të kohës.

Kurimi i imazhit provokativ i dha formë politikanit kontravers, që e përshtati zyrën e Bashkisë së Tiranës sipas shijes së tij, bojatisi pallatet, mbrojti idenë e mbjelljes së pëmve të shtrenjta në rrugët e kryeqytetit, vendosi “kërpudhën” kuqeblu në oborrin e kryeministrisë, markizën që pulson si në hyrjen e një diskoje, COD-in, mini-kinemanë, pikturat në mure, koshin e basketbollit dhe lapsat e panumërt. Estetika e definon Edi Ramën. Ka qenë kartvizita e tij si politikan. Dikur ai mburrej me të.

Prandaj mohimi që i bëri instalacionit gjigand, të quajtur “Parku Eden” që do të vendoset në kryeministri, ishte i pazakontë. Në vend të formës, ai theksoi përmbajtjen. Në vend të estetikës, funksionin.

“Qeveria ka ndërmarrë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do të shtrihet në të gjitha institucionet, nga kryeministria tek ministritë, dhe nuk bëhet fjalë për një vepër arti, por për një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me krijimin e një mikroklime dhe mjediseve të reja të punës që ka nevojë aty dhe nuk është diçka që bëhet për mua apo për ne” u shpreh kryeministri, kur doli nga mbledhja e kryesisë së PS.

Instalacion 3.7 milion euro dhe thirrje për kursim

Ndryshe nga çfarë thotë Edi Rama, investimi në oborrin e kryeministrisë është në radhë të parë një atraksion, që merr kuptim vetëm për hir të prejardhjes së Edi Ramës si artist.

“Parku Eden” është projekt i studios “Precht” e themeluar nga arkitekti austriak Chris Precht, e specializuar në përdorimin e materialeve natyrale me ndikim të pakët në mjedis.

Mohimi që i bëri Rama si një projekt atraksioni në radhë të parë, vjen si pasojë e krizës ku po kalon vendi. Qeveria ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për të nxitur kursimin e energjisë.
Në fillim të muajit hyn në fuqi një llogaritje e re e faturimit të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë do ta paguajnë 4 herë më shumë pjesën e mbetur.

 

Në anën tjetër, zv.kryeministrja Balluku ka këshilluar qytetarët të ecin në këmbë dhe të shmangin lëvizjen me makinë, ndërkohë që duhet ta mbajnë sa më pak hapur derën e frigoriferit.

Rritja e çmimeve ka rënduar xhepat e konsumatorëve, që nga ushqimet bazë deri tek karburantet.
Kësisoj, kur qytetarëve iu kërkohet të shtrëngojnë rripat se ka luftë në Ukrainë, si mund të justifikohet shpenzimi i 3.7 milion eurove për një kapriçio të kryeministrit?

Në këtë situatë, zgjedhja e Ramës për të shpenzuar miliona euro mbi këtë projekt ngjan me një tekë personale të tij, tipike për politikanët që për nga mënyra e jetesës i ndan me qytetarët një hendek i madh./Lapsi.al

blank

Pesë mësime nga Italia – Nga Ditmir Bushati

Të mësuar me “rrëmujën” e politikës italiane, por edhe me faktin se lidhja mes Shqipërisë dhe Italisë është e fortë dhe shtrihet përtej qeverive të radhës, nuk para i japim vëmendjen e duhur ndryshimeve politike atje, të cilat janë të shpeshta. Aq më tëpër që këto ndryshime nuk përjetohen me dramaticitet nga vetë italianët, por janë pjesë organike e sistemit demokratik. Edhe pse shpesh na pëlqen ta krahasojmë veten me italianët për stilin e jetës, veshjeve dhe ushqimit dhe përpiqemi të nxjerrim në pah përkatësinë tonë mesdhetare, për nga mënyra sesi e lexojmë dhe ushtrojmë politikën jemi të prapambetur.
Përjetimi i zgjedhjeve të sapopërfunduara në Itali nga komentet e ndryshme në rrjetet sociale dhe hapësirën mediatike shqiptare më sollën në vëmendje të njëjtat përjetime si me fitoren e Presidentit Trump në vitin 2016 në SHBA; zgjedhjet e 2018-ës në Itali që konfirmuan si forcë të parë politike Lëvizjen e Pesë Yjeve; apo fitoren e Syrizas dhe referendumet e njëpasnjëshme në Greqi. Me pak fjalë, më shumë sesa tek pylli (fenomeni) e kemi huq të keq të përqendrohemi tek pema (individi), në funksion të agjendës politike të ditës.
I.
Mesazhi kryesor nga zgjedhjet e sapopërfunduara në Itali është se mbështetësit më të vendosur të qeverisë së unitetit të Mario Draghit humbën keq. Biles më keq se sa parashikonin sondazhet. Fratelli d’Italia, partia kryesore opozitare e drejtuar nga Giorgia Meloni, e cila nuk u bë pjesë e qeverisë Draghi është fituesi i madh. Lëvizja e Pesë Yjeve, e cila i “hoqi prizën” qeverisë Draghi gjithashtu arriti një rezultat më të mirë krahasuar me parashikimin e sondazheve. Megjithëse qeveria Draghi ka bërë një punë të lavdërueshme dhe është e respektuar në arenën ndërkombëtare, mesa duket italianëve ju sos durimi për qeveritë që formohen jo si rezultat i votës popullore, por për shkak të algoritmeve të kulisave politike e financiare.
II.
Mesazhi i dytë nga këto zgjedhje është se nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis të majtës dhe të djathtës, përsa i përket mbështetjes popullore. Por natyrisht, brenda koalicionit fitues të së djathtës bie në sy rezultati historik i partisë së Giorgia Melonit. Ndërkohë, rezultati për Legën e Matteo Salvinit është zhgënjyes, krahasuar me zgjedhjet e 2018-ës. Kjo, pa dyshim, e dobëson pozitën e partisë së tij brenda koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Është fakt i pamohueshëm se që prej rënies së qeverisë Draghi, Meloni konsiderohej si kryeministrja në ardhje. Ndaj, ajo nuk nguroi të lëshonte sinjale qetësimi në drejtim të tregjeve financiare dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Meloni u zotua për të rinegociuar me BE-në fondin e rimëkëmbjes së Italisë. Ndërkohë që qëndrimet e saj për agresionin rus në Ukrainë dhe rolin e NATO-s nuk lënë vend për spekulime.
Për herë të parë në historinë e saj Italia do të ketë një grua kryeministre. Çështjet sociale, shkalla e ulët e lindshmërisë në Itali, çështjet e identitetit përkundrejt politikave skllavëruese të tregjeve financiare, janë disa prej temave ku Meloni është pozicionuar qartë dhe ka siguruar mbështetjen e italianëve. Ajo dhe partia e saj mbrojnë gjithashtu një sistem presidencial për Italinë, megjithëse kjo ka pak gjasa të realizohet. Mendimet e saj mbi politikën ekonomike nuk shtrihen shumë përtej taksimit të sheshtë dhe rolit më ndërhyrës të shtetit tek ndërmarrjet e mëdha.
Mbetet të shihet se si do të veprojë Meloni në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Italinë dhe Europën. Eksperienca e saj e vetme në qeveri, deri më tani, ka qenë si ministre e rinisë gjatë mandatit të fundit të kryeministrit Silvio Berlusconi. Ajo është bërë e njohur gjatë kohës së saj si politikane në opozitë. Ndryshe nga më parë, asaj do t’i duhet të përballet me një krizë të mundshme të borxhit sovran apo një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë. Gjithashtu, Meloni do të duhet të bashkëpunojë me partnerët e koalicionit, Salvinin dhe Berlusconin, për të garantuar qëndrueshmërinë pesë vjeçare të qeverisë.
III.
Mesazhi i tretë i këtyre zgjedhjeve është gabimi në strategjinë e përballjes me Melonin dhe përçarja e partive të qendrës së majtë. Është e vështirë të thuash saktësisht se çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike pas dorëheqjes së parevokueshme të Enrico Lettës, i cili u rithirr në skenën politike për të marrë drejtimin e partisë, pas përçarjeve të mëdha dhe humbjes së lidhjeve me rrënjët, që e kanë gjenezën tek koha e drejtimit të partisë nga Matteo Renzi. Zgjedhjet dëshmuan se linjat e sulmit të Partisë Demokratike dhe nxitja e frikës në popull për të parandaluar ardhjen e Melonit në krye të qeverisë, sikundër strategjia e “djegies së urave” me aleatë të mundshëm si Pesë Yjet, dështoi. Një koalicion parazgjedhor i PD-së me Pesë Yjet mund të sillte një tjetër rezultat.
E majta italiane është përballë sfidave të mëdha, për të evituar kësisoj eksperiencat e hidhura të të “majtës së kaviarit” në Francë, apo të laburistëve në Mbretërinë e Bashkuar, që për shkak të arratisjes nga boshti i programatik dhe ai i vlerave në qeverisje dje janë të pafuqishëm për të frenuar ndryshimet e njëpasnjëshme të konservatorëve që tranzitojnë pushtetin brenda llojit sot.
Nga ana tjetër, Pesë Yjet ndihen të kënaqur me rezultatin e tyre. Natyrisht që rezultati është më i dobët krahasuar me vitin 2018, por më i mirë seç pritej pas përçarjeve dhe traumave të brendshme që kaloi partia. Rezultati është deri diku një sukses për ish kryeministrin Giuseppe Conte, me të cilin ai legjitimon rolin e tij përcaktues në rënien e Mario Draghit në muajin Korrik.
IV.
Mesazhi i katërt ka lidhje me të ashtuquajturën votë kundër mënyrës së funksionimit të BE-së. Them kështu, sepse në media gabimisht është lexuar bardhë e zi, si votë anti-europiane. Ndërkohë që partitë fituese kanë parashtruar kritika për mënyrën e funksionimit të BE-së, por jo për daljen e Italisë nga BE-ja. Dhe kjo është normale për një vend që është ekonomia e tretë e BE-së.
Analiza e shifrave na çon në përfundime më të drejta sesa zhytja në detin e paragjykimeve që na imponojnë rrjetet sociale. Në vitin 2018, shumica e italianëve votuan për partitë me qëndrime kritike ndaj mënyrës së funksionimit të institucioneve të BE-së. Asokohe, Lëvizja Pesë Yjet shënoi 32.4%, Partia Lega 17.5% dhe Fratelli d’Italia 4.3%. Pra, në total rreth 54.2% të votave. Në zgjedhjet e këtij viti, mbështetja për partitë që kundërshtojnë mënyrën e funksionimit të institucioneve europiane ra në në 34.9%. Fratelli d’Italia shënoi 26%, Partia Lega 8.9%. Ndërkohë, partia Italexit që promovon daljen e Italisë nga BE-ja mori vetëm 1.9% të votave, duke mos e kaluar dot pragun e përfaqësimit në Parlament. Ndonëse tingëllon paradoksale, një mënyrë e të lexuarit të shifrave ka lidhje me punën e lavdërueshme të qeverisë Draghi me lëvrimin e fondit të rimëkëmbjes nga Pandemia, apo të programit të BE-së për brezin e ardhshëm.
V.
Përtej mësimeve të mësipërme, në planin afatgjatë, ka edhe një mësim tejet të rëndësishëm që vlen gjithandej për politikën. Italisë do t’i duhet të llogarisë faktin se besimi i qytetarëve në sistemin e saj politik po shterret. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte e ulët, me një rënie prej 9% nga zgjedhjet e kaluara. Vështruar në këtë prizëm, mbetet të shohim nëse Giorgia Meloni mund ta kthejë erën në drejtim tjetër, apo nëse do të çimentojë zhgënjimin e përhapur.

blank

Operimi me dronë, një front i ri në luftën e Ukrainës

Ushtarët ukrainas duke u trajnuar për operimin e dronëve në shkollën Kurk. 22 shtator 2022.

Sam Skove

Ruslan, 41-vjeçar, ish-menaxher i shitjeve që kërkoi që të mos i publikohej mbiemri për arsye sigurie, nisi të mësonte sesi të operonte dronët e luftës në fillim të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit.

Njësia e rezervistëve e Ruslanit ishte afër aeroportit Gostomel të Kievit në ditën e parë të luftës kur parashutistët e njësive elite të Rusisë nisën sulmin. Teksa forcat ukrainase u përpoqën të zmbrapsnin forcat ruse, njësia e Ruslanit mësoi se njësia e 72-të e artilerisë kishte nevojë që të shënjestroheshin forcat ruse.

Edhe pse njësia e Ruslanit nuk kishte asnjë trajnim për të operuar dronët, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vendosën të merrnin përsipër këtë detyrë.

“Një prej ushtarëve në ekipin tonë kishte një dron”, kujton ai. “Ne kishim vetëm tetë ushtarë: njëri e fluturonte dronin, të tjerët e ruanim atë”.

Shtatë muaj më vonë, Ruslan është në rotacion nga fronti për të përmirësuar aftësitë e tij dhe po mëson për operimin e dronëve në shkollën e dronëve Kruk në Kiev, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë ukrainase dhe organizatave joqeveritare për të trajnuar mijëra persona për të operuar me dronët gjatë misioneve të rëndësishme ushtarako-zbuluese.

I ulur në një stol së bashku me ushtarë të tjerë pas ndjekjes së ligjëratave, Ruslan shprehu vendosmërinë e tij për të mësuar më shumë: “Ne asnjëherë nuk kemi pasur kohë për të parë pjesën e kontrollit” të dronëve në vijën e frontit, tha ai.

“Problemi më i rëndësishëm”

Përderisa në mediat sociale ukrainase vazhdimisht shfaqen fushata për mbledhjen e parave për blerjen e dronëve për ushtrinë, “problemi më i rëndësishëm për ne është mungesa e pilotëve”, tha Maks, një instruktor 45-vjeçar në Dronarium, një tjetër shkollë në Kiev ku personeli ushtarak mëson për përdorimin e dronëve.

Edhe Maks kërkoi që mbiemri të mos i publikohej për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

“Ka një problem të madh me operatorëve e dronëve në Ukrainë”, tha Anton Frolov, kryeinstruktor në shkollën e dronëve në Kruk.

“Ne nuk kemi mjaftueshëm pilotë me përvojë”.

Nevoja për operatorë të tillë është e madhe për shkak të rolit të rëndësishëm që këto pajisje mund të luajnë në zbulimin e pozicioneve të armikut dhe të pikave të tij të dobëta.

“Nëse e fitojmë qiellin, ne e fitojmë luftën”, tha Frolov.

Edhe pse janë më pak të avancuar, dronët komercialë që janë në dispozicion “janë asete kyçe” sipas Samuel Bendett, analist në Qendrën për Analiza Detare me seli në Shtetet e Bashkuara.

 

Lufta e dronëve

Në luftën në shkallë të gjerë e Rusisë me Ukrainën – që tani ka hyrë në muajin e tetë – janë shfaqur dronë që përdoren për shumë role. Të dyja palët kanë dislokuar dronë ushtarakë të avancuar, të aftë për të fluturuar deri në 300 kilometra dhe për të mbledhur informacione të inteligjencës apo për të kryer sulme vdekjeprurëse.

Dronët civilë, megjithatë, përdoren më shumë, veçmas nga pala ukrainase.

Dronët komercialë – që kushtojnë shumë më pak se dronët ushtarakë – që fillimisht u ndërtuan për fotografime nga ajri, tani po përdoren për të zbuluar vendndodhjen e tankeve të armikut dhe depove të furnizimit.

Në fillim të korrikut, ushtria ukrainase në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital, nisi nisëm e “Ushtrisë së Dronëve”.

 

Kjo nismë mbledh para për blerjen e dronëve ushtarakë, po ashtu udhëheq një program të donacioneve civile për dronët dhe punon me shkollat e dronëve civilë për t’iu ofruar trajnime për operimin e dronëve nga ushtria.

Një pilot i dronëve për çdo togë

Por, më të çmueshëm se dronët janë operatorët e kualifikuar të dronëve, të cilët janë të trajnuar për të shfrytëzuar sa më shumë teknologjinë.

Kur nisi lufta, shumë civilë entuziastë ngarendën që të bëheshin pilotë të dronëve. Por, këto kuadro të patrajnuara shkaktuan humbje të mëdha, tha instruktori i shkollës Dronarium, Maks.

“Ata pësuan humbje të mëdha”, tha ai. “Ata e panë fluturimin në luftë përmes prizmit të fluturimeve në kushte civile”.

Në disa raste, Rusia i identifikoi dhe i shënjestroi pozicionet e operatorëve, duke shfrytëzuar një veçori kyçe të sigurisë për t’iu ndihmuar forcave të rendit, u tha në deklaratën e ministrit të Transformimit Digjital, Mykhailo Federov.

Nevoja shumë e madhe për operatorë të kualifikuar po nxit ambiciet e Ukrainës për të arritur qëllimet sa i përket operatorëve të trajnuar.

“Ne planifikojmë të trajnojmë rreth 2.000 operatorë në dy apo tre muajt e ardhshëm”, tha Fedorov në gusht për Forbes Ukraine.

Shkollat e dronëve Kruk dhe Dronarium kanë pranuar donacione për të vazhduar operacionet e tyre, por edhe kanë pranuar ndihmë financiare nga Ministria e Transformimit Digjital.

Shkolla për operimin e dronëve, Kruk, që nga prilli ka trajnuar 400 operatorë, tha për Radion Evropa e Lirë instruktori i kësaj shkolle, Frolov. Ndërkaq, shkolla Dronarium ka trajnuar 871 operatorë që nga nisja e luftës, sipas informacioneve të postuara në ueb-faqen e kësaj shkolle.

Oleksandr, shef i trajnuesve në Dronarium, tha se shkolla aktualisht po trajnon rreth 400 operatorë në muaj, në tri qendra në Ukrainë.

Ai tha se dëshiron që çdo togë të ketë një operator të dronëve. Duke pasur parasysh se madhësia e ushtrisë së Ukrainës në kohë lufte është prej 700.000 trupash, arritja e këtij objektivi nënkupton se duhet të trajnohen mijëra operatorë.

Pesë minuta

Në qendrën për trajnime në Kiev të shkollës Kruk, instruktori 25-vjeçar, Ilya Trokhin, po trajnonte një grup studentësh në një mëngjes të ftohtë shtatori.

“Largoje kokën që aty”, u dëgjua duke i bërtitur Trokhin një studenti, që po ushtronte nisjen e një droni nga pëllëmba e dorës së tij.

Instruktori i operimit të dronëve, Ilya Trokhin.

Instruktori i operimit të dronëve, Ilya Trokhin.

Disa minuta më vonë, një student tjetër preu gishtin në helikat e dronit.

Trokhin, që ka mësuar operimin e dronëve para nisjes së luftës pasi ai xhironte miqtë e tij duke skijuar, tha se një tregues i fuqishëm sesa mirë një student do të performojë në kursin pesëditor, është niveli i interesimit që shfaq.

“Është shumë e rëndësishme që vetë kadeti të dëshirojë të mësojë”, tha ai për REL-in, teksa disa studentë po praktikonin se si të nisnin dhe ulnin një dron.

Instruktorët në Kruk dhe Dronarium thanë se është shumë e rëndësishme që studentët të mësojnë se si të shmangin zbulimin teksa janë duke operuar me dronë. Në shkollën Dronarium, studentët mësojnë se si të përdorin tendat e kamuflazhit për të fshehur pozicionet e tyre.

Operatorët po ashtu mësojnë se si të reagojnë nëse njësitë ruse marrin kontrollin e dronëve të tyre. Oleksandr nga Dronariumi tha se kjo varet krejt nga situata: një operator i dronëve mund të vazhdojë të fluturojë pajisjen për aq kohë sa e ka kontrollin e lëvizjeve të tij, edhe nëse humb kontrollin e disa prej funksioneve të tjera.

Shkolla Kruk po ashtu ofron trajnime për operacione të bombardimeve për ata studentë që janë të interesuar. Ata trajnohen për lëshim të bombave të vogla që kanë peshë të njëjtë me ato që përdoren gjatë luftimeve.

Një bombë e rreme që përdoret për trajnim në shkollën Kurk.

Një bombë e rreme që përdoret për trajnim në shkollën Kurk.

Rrëfimet e instruktorëve reflektojnë natyrën ad-hok të nxitimit të Ukrainës për të trajnuar numër sa më të lartë të operatorëve të dronëve.

Një instruktor 28-vjeçar në Dronarium, më herët kishte shërbyer si asistent i operatorit të dronëve afër Harkivit, edhe pse nuk kishte pasur asnjë eksperiencë praktike të fluturimit të dronëve. Kur operatori i dronëve u largua nga batalioni, ai u promovua në postin e operatorit, duke mësuar aty për aty punën.

Shkolla Dronarium ofron trajnime vetëm për dronët komercialë. Oleksandr tha se manuali 30T është veçanërisht i dobishëm, pasi modelet e dronëve që kushtojnë 10.000 dollarë zakonisht shiten për përdorime në sektorët e bujqësisë dhe industrisë sesa për zbulimin e ushtarëve rusë.

Dronët nuk përdoren menjëherë sapo të nxirren nga kutia. Pa dhënë specifika, Oleksandr tha se modifikimet bëhen për të mbrojtur dronët nga detektimi i forcave ruse.

Një ushtar ukrainas, i njohur me nofkën Akela, konfirmoi se sistemet ruse kundër dronëve janë shumë aktive në frontin e luftës. Sipas Frolovit, jetëgjatësia e një droni civil në fushëbetejë është rreth pesë minuta, për shkak të pajisjeve ushtarake elektronike të Rusisë.

Përpjekja e Ukrainës për të trajnuar më shumë operatorë të dronëve është një garë me Rusinë, e cila po ashtu po trajnon ushtarët për përdorimin e dronëve komercialë.

Më herët gjatë këtij muaji, civilët rusë – së bashku me operatorët e “vijave të frontit në zonat e pushtuara nga Rusia në lindje të Ukrainës – mbajtën një garë për dronët dhe një seri ligjëratash në qytetin perëndimor rus të Novgorodit, në mënyrë që të ndanin njohuritë në mesin e operatorëve të dronëve ushtarakë.

Një kanal në mediat sociale, që ishte i lidhur me këtë ngjarje ruse, postoi përfundimet kyçe të këtij ngjarje, duke theksuar se “ka një deficit të madh të operatorëve të kualifikuar të dronëve, por edhe një deficit edhe më të madh të instruktorëve të mirë”.

Pjesëmarrësit në këtë kurs, sipas organizatorëve, thanë se komanda e ushtrisë ruse ka mbyllur veshët sa i përket nevojës për më shumë dronë.

Ukraina, ndërkaq, po përshpejton fushatën e trajnimit të operatorëve dhe të blerjes së dronëve shtesë.

“Ata nuk na lanë asnjë zgjidhje tjetër”, tha Fedorov për REL-in. Duke bërë me dorë drejt një karrigeje që gjendej pranë tij, ai shtoi: “Nëse kjo karrige do të mund të fluturonte, ne do ta përdornim atë në luftime”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, gisht në sytë e Perëndimit

Më 23 shtator, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Selakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve.

Maja Zhivanoviq, Dushan Komarçeviq

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan shpjegim nga Serbia për atë që ministri i Jashtëm i këtij vendi ka nënshkruar me homologun e tij rus në Nju Jork, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Duke folur për gazetarët në Beograd, Hill ka thënë se, javën e kaluar, në Nju Jork janë mbajtur bisedime të shkëlqyeshme midis delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë, por se në fund të tyre është mësuar për nënshkrimin e një protokolli.

“Në këtë kohë, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë. Shumë pak edhe e bëjnë këtë. Vetëm ata rekrutë të mjerë që po mobilizohen për të shkuar në luftë [në Ukrainë]”, ka thënë ambasadori amerikan.

Dokumenti për bashkëpunim që kanë nënshkruar Serbia dhe Rusia, ka shkaktuar reagime të furishme brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë kanë thënë se duhet të mendojnë edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Marrëveshja e nënshkruar nga udhëheqësit e diplomacisë së Serbisë dhe të Rusisë, në rrethana të rregullta gjeopolitike, është një dokument i zakonshëm në diplomaci, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.

Por, shton ai, pushtimi i Ukrainës nga Rusia hedh një dritë tjetër mbi këtë veprim, nga i cili, siç thotë, përfiton kryesisht Federata Ruse, e cila aktualisht është e izoluar nga marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Çdo letër, qoftë edhe e kësaj natyre, bie në sy, shkakton dyshime dhe paraqet një hap të rëndësishëm për Rusinë… se ky izolim është thyer dhe se ka vende që po e kontaktojnë atë dhe po nënshkruajnë marrëveshje me të”, thotë Gjukiq.

Sipas tij, edhe Serbia ka bërë një lëvizje të pamenduar.

“Me këtë lëvizje, Qeveria serbe u ka futur gishtin në sy si Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe Bashkimit Evropian, ku i ka interesat e saj më të mëdha – ekonomike, politike, investuese e të gjitha”, thotë Gjukiq.

Serbia, edhe pse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht kërkesave të Perëndimit.

Serbia është e varur nga gazi rus dhe hulumtimet tregojnë se shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si vend mik dhe kundërshtojnë masat kundër saj.

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se respektojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

Por, kjo nuk e ka penguar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë që të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë dhe të konfirmojë vazhdimin e bashkëpunimit me atë vend.

Nënshkrimi i marrëveshjes

Më 23 shtator, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, kanë nënshkruar Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve për dy vjetët e ardhshëm.

Sellakoviq është ministër me mandat teknik, pasi në Serbi pritet të formohet Qeveria e re, pas zgjedhjeve që janë mbajtur në prill të këtij viti.

Sellakoviq është zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq, e cila ka fituar më së shumti vota në këto zgjedhje.

Kryeministrja e deritashme e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka fituar mandatin për të formuar edhe Qeverinë e re, por nuk dihet nëse Sellakoviq do të mbajë ose jo ndonjë post në Qeverinë e re.

Plani i Konsultimeve i Ministrive të Jashtme për periudhën 2023-2024 është nënshkruar në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka postuar në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.

Nga videoja mund të konstatohet se Plani i Konsultimeve është nënshkruar në ambientet e misionit rus në Kombet e Bashkuara.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia ka nënshkruar me Rusinë që nga 24 shkurti, kur shteti rus ka nisur pushtimin e fqinjit të tij.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike.

Dënimet nga Brukseli

Bashkimi Evropian ka kritikuar marrëveshjen diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se blloku është “seriozisht i shqetësuar” për afrimin e Serbisë me Rusinë.

“Ne po jetojmë në kohën e një agresioni të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër shtetit sovran të Ukrainës. Marrëveshja për Konsultime të rregullta midis Ministrive të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë agresore, në këtë moment, jep një sinjal veçanërisht të fortë të synimit [të Serbisë] për të forcuar bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë Stano.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se në rrethanat aktuale, BE-ja “pret që Serbia të qëndrojë krah saj, në mbrojtje të vlerave evropiane dhe ligjit ndërkombëtar”.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me Rusinë, Serbia ka dërguar një mesazh krejtësisht të kundërt, edhe pse ka thënë se nuk do t’i njohë rezultatet e [të ashtuquajturave] referendume që Rusia po zhvillon në territorin e pushtuar të Ukrainës”, ka thënë Giaufret.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, ka thënë se nënshkrimi i “planit për konsultime” midis Serbisë dhe Rusisë është një “goditje” mbi procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar Ukrainën, një vend kandidat për në BE. Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, ka thënë Billçik.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, e ka cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes si “skandal të rëndë”. Sipas saj, Serbia ka nënshkruar marrëveshje me agresor “në mes të një lufte të furishme”.

“…ndoshta është vetëm një sinjal për ne që t’i ngrijmë negociatat e pranimit evropian [të Serbisë], sepse hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka thënë ajo.

Dënimet nga opozita

Partia opozitare serbe për Liri dhe Drejtësi (SSP) ka thënë se “është e pabesueshme që në momentin kur e gjithë bota po shikon me frikë lëvizjet e Moskës, që kërcënojnë paqen botërore, dhe po shikon vuajtjet e përditshme të popullit ukrainas”, ministri Sellakoviq nënshkruan marrëveshje me një shtet që “shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territorin e një vendi tjetër, të njohur ndërkombëtarisht”.

“Kur e gjithë bota dënon sjelljen e Moskës, ministri ynë teknik i fut gishtin në sy të gjithë botës së qytetëruar dhe nënshkruan një marrëveshje që nuk duhej të nënshkruhej”, kanë thënë nga SSP-ja.

Zyrtari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), Aleksandar Marton, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të anulojë, siç ka thënë, planin skandaloz dhe të dëmshëm.

“Në një luftë në të cilën të gjitha shtetet paqësore dhe demokratike janë në njërën anë – në anën e Ukrainës si viktimë e agresionit – Serbia ka zgjedhur të jetë në anën e gabuar të historisë, së bashku me regjimet kriminale në Kremlin, Damask, Phenjan, Teheran dhe Minsk”, ka thënë Marton.

Deputeti i listës opozitare “Na duhet së bashku”, Gjorgje Miketiq, ka kërkuar që Sellakoviq të shpjegojë në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Serbisë se çfarë saktësisht ka nënshkruar në Nju Jork.

“Në emër të kujt e ka nënshkruar dhe me urdhër të kujt? A ka qenë akt i tij personal, është nënshkruar me urdhër të presidentit të Serbisë apo presidentit të Rusisë? Apo, Qeveria me mandat teknik ka marrë vendim që Serbia të braktisë rrugën e anëtarësimit në BE, për të cilën gjë nuk ka të drejtë”, ka thënë Miketiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë përfshin plani dhe çfarë mesazhi i dërgon Bashkimit Evropian, ministri Sellakoviq ka thënë se “ai dokument po sulmohet nga ata që as nuk e kanë parë”.

Ai ka thënë se Plani i Konsultimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet” dhe ka theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike, siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

Politika balancuese

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në daljet e tij publike shpesh flet për politikën e balancimit. Edhe pse Kushtetuta e Serbisë thotë se ky vend bazohet në parimet dhe vlerat evropiane, zyrtarët në Serbi mbajnë marrëdhënie të ngushta edhe me Rusinë.

Vuçiq është takuar më 24 shtator në Nju Jork me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Ndonëse detajet e atij takimi nuk janë nxjerrë në ueb-faqen e Presidencës së Serbisë, ato mund të gjenden në atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Sipas saj, Lavrov dhe Vuçiq kanë shkëmbyer mendime për situatën në Ballkan dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare. Ata kanë theksuar vendosmërinë e tyre të ndërsjellë për të vazhduar “zhvillimin dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe, thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe dialogun intensiv në nivel të lartë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë ruse.

Vetë Vuçiq, atë ditë, ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq. Ai ka thënë se është ulur në një restorant amerikan dhe se ka porositur një supë ruse.

Iracionaliteti i politikës serbe

Nënshkrimin e dokumentit të fundit nga krerët e diplomacisë së Serbisë dhe Rusisë, Sreqko Gjukiq e vlerëson si një tjetër dëshmi të iracionalitetit të politikës së jashtme të Serbisë.

“Përmes këtij iracionaliteti, ajo dëshiron të tregojë pavarësinë e saj dhe në fund do të ketë pasoja negative”, paralajmëron Gjukiq.

Megjithatë, ai nuk mendon se ky hap mund të ketë pasoja në rrugën evropiane të Serbisë.

Përgatiti: Valona Tela
blank

NË VËND TË NJË TUFE ME LULE (Kujtimit të një mësuesi) Nga Eugjen Merlika

 

“Edhe kur kryet të na e mbulojnë thinjat
Ndër mend do të sjellim nji emën nderues,
Emën të dashun porsi fëminija,
Emnin e thjeshtë por të madh, mësues”
Llazar Siliqi

I kam kujtuar shpesh gjatë jetës sime këto vargje të ngulitura herët, në fillimet e moshës para rinore, kur konceptet mbillen si fara në nji farishte pjellore, mbijnë e vazhdojnë të rriten me kalimin e kohës. Sa më shumë i largohem asaj periudhe, sa më shumë rrjedhin vitet, aq më tepër ata vargje mbeten të freskëta në kujtesën, tashmë të lodhur, nga pesha e viteve e nga bombardimi i pamëshirshëm i botës së larmishme që na rrethon.

Në gjithë kuadrin e zymtë të fëminisë e rinisë sime, të kaluara në kampet e vdekjes e t’internimit, në atë morí figurash njerëzore, me të cilat, dashje pa dashje, lidheshin episodet e përditëshme të të qenurit, figura të ndryshme, shumica e të cilave vazhdon të projektojë në kujtesë diktaturën, në mënyrë të pavetëdijshme veçohen ato të mësuesvet. Ndoshta n’atë realitet të zymtë e t’errët, kur ballafaqimi me botën ishte një vazhdimësí sinjalesh armiqësore që, çdo ditë, më kujtonin vargun madhor të Dantes “… Lini çdo shpresë….”, ndër të pakët njerëz, në të cilët nuk shihnja egërsinë e sistemit, ishin mësuesit. Për vetë thelbin e misionit të tyrë, ata së bashku me mjekët ishin më pak të prirur për të pasqyruar fytyrën e përbindëshme të regjimit. Si të tillë ata mbetën në kujtesë edhe pse ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli që u ndava nga bangat e shkollës.

Shumë prej tyre në vite kanë mbyllur sytë. Shkëputja e gjatë ka bërë që shpesh lajmi i humbjes së tyre më ka ardhur me shumë vonesë dhe keqardhja ka mbetur thellë në zemër e mendime, pa u trupëzuar në një ngushullim për familjet e tyre. Por më datën 14 shkurt një thirrje nga Shqipëria më lajmëroi se ish mësuesi im, z. Shefqet Karaj, kishte ndërruar jetë në apartamentin e tij modest e të vjetër, në qytetin e Durrësit. Diçka më sëmboi në shpirt n’atë çast dhe dhimbja, thellë në vete, më solli para sysh takimin e fundit me të, në tetorin e shkuar, kur ai më paralajmëroi, me qetësi e stoiçizëm, fundin e afërt të tij. Sëmundja e gjatë e kishte lodhur fizikisht, kurse gjëndja e vështirë ekonomike familjare peshonte mbi humorin e tij të rënduar nga vitet. Por mendimi ishte i kthjellët, bindjet e konsideratat të sinqerta, të brejtura e të ndryshuara, në një pjesë të tyre, nga ndërrimi i kohëve.

Duke biseduar me të më vinte në mëndje figura e një djaloshi të hijshëm rreth 25 – vjeçar, që kisha njohur në të largëtin vit 1956, një fytyrë e qeshur e optimiste për jetën. Ishte mësuesi im i letërsisë, në klasën e parë të të parit gjimnaz të rrethit të Lushnjës. Ishte me origjinë nga Peza. Ishte rritur pa prindër sepse, fatkeqësisht, prindërit ishin vrarë gjatë luftës. Fëminia e rinia e parë kishin rrjedhur konvikteve ku ngrohtësinë prindërore e kishte zëvendësuar propaganda e partisë që synonte, krahas marrjes në mbrojtje dhe shkollimit, t’i edukonte me frymën e saj, si modelët e zgjedhur të “ njeriut të ri “. Me diplomën e Institutit dyvjeçar të Shkodrës në xhep, mësuesi erdhi në Lushnjë, qëndra m’e madhe e kampeve t’internimit në Shqipërinë e viteve të komunizmit. Mësuesi i ri u bë antar partie, madje thuhej se ishte dhe oficer sigurimi, nuk di akoma sa ishte e vërtetë. Nuk dua të hyj në këtë vështrim të jetës, që mund të ketë patur dritë – hijet e tij, por mund të them me bindje se mësuesi djalosh, në marredhëniet mësues – nxënës, me mua dhe shokët e mij, t’ashtuquajtur “armiq të klasës”, mbeti thjesht një mësues i mirë, duke marrë përsipër edhe barrën e prindit apo vëllait të madh, të këshilltarit apo shokut.

Ai ishte një i ri, të cilit i pëlqenin librat, e tërhiqte arti i madh, e shikonte botën me syrin e idealistit. Si mësues pati një meritë të madhe profesionale : nxënësve të tij u rrënjosi dëshirën për dije, pasionin për librat, u mbolli farën e vlerësimit të tyre e të kulturës në përgjithësi, futi tek ta konceptin e “ambicjes fisnike”, siç e quante ai dëshirën për të treguar konkretisht vlerat vetiake në studim e nxënie. Ende, mbas më shumë se një gjysëm shekulli, un ruaj ndonjë fletore të referateve dhe analizë – komenteve, që çdo fund jave ne do të mbushnim mbas leximit të detyrueshëm të një libri. Ishte një përvojë për të cilën, ish nxënësit e tij, i janë ende mirënjohës, mbasi i bëri të dashuronin librin e t’a vlerësonin atë me kokën e tyre. Qe një metodë pune që zbatohej në vitin e parë të gjimnazit e të cilën nuk e kam gjetur n’asnjë shkollë tjetër brënda e jashtë Shqipërisë….

Jam takuar me mësues Shefqetin mbas gati dyzet vitesh, kur Shqipëria kishte ndërruar sistem e jetët tona kishin përshkuar hullí krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Ai kishte patur karierën e tij shtetërore, gjithënjë në fushën e arsimit, ndërsa un kreva “universitetet e mija” në fushat dhe objektet e ndërtimit të Myzeqesë, për të përfunduar në kampin famëkeq të Spaçit, apo dhjetë vitet e fundit si i internuar në Grabian të Lushnjës. Botkuptimet nuk ishin të njëjta, por konsiderata dhe respekti i ndërsjelltë kishin mbetur ato të viteve të shkollës, mbasi për ne vlerat njerëzore ishin shumë më të çmuara se bindjet politike.

Na bashkonte një përfundim i hidhur, ai i zhgënjimit nga Shqipëria e ditëve tona. Në këtë përfundim ne arrinim duke u nisur nga pika të ndryshme, nga këndvështrime jo të njëjta, por të dy ishim të ndërgjegjshëm se Shqipëria “demokratike”, me të gjitha të metat e saj, ishte më e mirë se parardhësja e saj “socialiste” e se përparimi, me të gjithë mangësitë e shanset e humbura, ishte një fakt i vërtetë.

Ndërmjet nesh u ringjall ajo ngrohtësi njerëzore e më shumë se pesëdhjetë viteve të shkuara, kur ai mësues i ri, i rritur jetim, shihte tek një fëmijë 12 vjeçar, jo vetëm nxënësin e tij të zgjedhur, përsa i përkiste rezultateve të studimit, por edhe një gjysmë jetimi, që nga mosha dyvjeçare nuk shihte babanë se ishte në burg e për vite nuk kish parë as nënën mbas telave me gjëmba të kampeve të punës së detyruar. Jetimi e kuptonte se ai dhe të tjerë si ai kishin nevojë për një përkëdhelje, për një buzëqeshje, për një inkurajim, për një vështrim miqësor. Ai m’i dhuroi këto kur un kisha më shumë nevojë. Sot, kur ai nuk është më fizikisht në këtë jetë dua që, nëpërrmjet këtyre rrjeshtave të thjeshtë, të botuara në gazetën që ai lexonte çdo ditë, t’a kujtoj me shumë respekt e dashamirësi, duke i shprehur këto ndjenja të mijat, që besoj se përkojnë edhe me ato të bashkënxënësve të mij, edhe familjarëve të tij si një formë, sado të vogël, ngushullimi e keqardhje, pjesëmarrjeje të sinqertë në dhimbjen e tyre.

Ju qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë, profesor, i asaj toke që ju, në idealizmin entuziast të profesionit tuaj na mësuat t’a duam shumë e t’i shërbejmë me të gjitha forcat tona për t’a përmirësuar vazhdimisht e për t’i zbukuruar imazhin. Kujtimi juaj do të na shoqërojë gjithmonë, si ai i një njeriu të dashur, të cilit i urojmë të prehet i qetë në botën e amshimit, në paqen e përjetëshme.
Shkurt 2011

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011

blank

FUKUYAMA: “ËSHTË HAKMARRJA E DEMOKRACIVE LIBERALE. ME PUTININ HUMBET SHËMBËLLESA AUTORITARE” Nga FEDERICO FUBINI – Përktheu Eugjen Merlika

 

Francis Fukuyama ka ndjekur kthesën e Vladimir Putinit në një ditë të veçantë: politologu i shquar i Stanfordit merr pjesë në Budapest Forum, ngjarja e Political Capital Institute dhe Central European University që mbledh kritikët e brëndshëm e ndërkombëtarë të Viktor Orbánit.
Francis Fukuyama, 69 vjeç, jep mësim në Universitetin e Stanfordit.

Profesor, Putini duket në vështirësi. Çfarë është në lojë për Evropën nëse diktatori fiton ose humbet në Ukrainë?
Në lojë nuk është vetëm fati I Ukrainës, ndërlikimet për Evropën janë me të vërtetë të mëdha. Çështja është të vendoset se cila është forma zotëruese e qeverisë në botë . Së bashku me udhëheqësin kinez Xi Jinping, Putini prej disa vitesh thotë se demokracia liberale është e vjetëruar. E ka thënë më 2019, duke shpjeguar se demokracitë liberale nuk janë t’efektëshme në marrjen e vendimeve e në kryerjen e gjërave të mëdha për popujt e tyre. Pra një dështim në përmasat e asaj në të cilën jemi të pranishëm minon krejtësisht mesazhin e tij”.

Me çfarë pasojash?
“Shumë drejtues populistë – Orbán, Marine Le Pen, Donald Trump, Eric Zemmour, Vox në Spanjë – shprehin admirim për Putinin. Jo mbi baza ideologjike, por sepse ka këtë çehre të burrit të fuqishëm që bën të ndodhin gjërat. Edhe udhëheqësit populistë në Perëndim dëshërojnë një pozitë të tillë: nuk do të dëshironin të jenë të kontrolluar nga mediat, nga parlamentet, nga gjykatat dhe nga institucionet e tjera që janë zëmra e demokracisë liberale. Por nëse tani del se pikërisht autoritarizmi ka lehtësuar një nga dështimet më të mëdha të dhjetëvjeçarëve të fundit, atëherë kjo joshje bëhet shumë më pak e fuqishme”.

Si e vlerëson përgjigjen e demokracive deri këtu?
“Solidariteti ka qënë i rëndësishëm. Duke mbajtur parasysh atë që mund të pritej para shkurtit, mbështetja e botës së lirë Ukrainës ka qënë tronditëse. Tregon se nën trysni, demokracitë dijnë të kundërveprojnë”.

Tani arrijnë rezervistat rusë, por duket se janë pa bindje: Putini është një burrë i fuqishëm i një sistemi të dobët, që nuk frymëzon e nuk bind qytetarët e tij?
“Në librin tim Fundi i historisë dhe njeriu i fundmë i kushtoj shumë faqe dobësisë të burrave të fuqishëm. Po shohim një vërtetim. Shumë njerëz para shkurtit besonin se Putini kishte një Shtet skajshmërisht të fuqishëm, sepse kishte një ushtri në letër të stërmadhe e harxhonte për të gjithato para. Por tani kuptohet se asnjë ushtri nuk është kurrë më e fuqishme se sa njerëzit që e përbëjnë. E motivimi i tyre është i dobët: korrupsioni është gjithandej, ushtarët nuk kuptojnë përse duhet të luftojnë e, kur e kuptojnë nuk e bashkëndajnë. Me gjasë është kjo arsyeja e thellë që ata në Ukrainë po humbin. Ndërsa ukrainasit e dijnë saktësisht përse luftojnë: për familjet e tyre, tokën e tyre, sovranitetin dhe lirinë e tyre. Janë motivime të forta”.

Në Kinë Xi Jinping-u vazhdon të detyrojë lockdowne shumë t’ashpra kundër Covidit dhe nuk arrin të mbarështojë krizën e ndërtimeve: probleme të ngjajshme me ata të Putinit?
“Ka një paralelizëm ndërmjet Putinit e Xi-së. Të dy i kanë bërë sistemet e tyre, jo vetëm shumë të përqëndruar por edhe shumë vetiakë. Xi është aq shumë i lidhur me strategjinë “zero Covid” sa që nuk arrin t’a përshtasë edhe kur është e qartë se ajo nuk shkon. Dështimet paralelë të Rusisë e Kinës dëshmojnë se sa mirë është të kemi demokraci liberale me rregulla e lidhje mbi pushtetin ekzekutiv”.

Por edhe në demokracitë liberale diçka nuk shkon: protesta populiste tashmë duket e rrënjosur.
“Gjindja voton për populistët sepse është e pakënaqur. Pjesërisht sepse nuk sheh rritje ekonomike dhe mundësi, pjesërisht sepse elitat nuk i venë kujdes jetës së gjindjes që nuk është si e tyre. Prandaj mendoj se lëvizjet populiste do të vazhdojnë”.

N’Itali Giorgia Meloni është e përkëdhelura e qartë e zgjedhjeve. Çfarë mendoni?
“Është e qartë se nuk është një gjë e mirë. Me Mario Dragin Italia ka patur një rol drejtues në organizimin e përgjigjes krizës ukrainase e në ndërtimin e institucioneve evropianë. Arritja e një udhëheqësje populiste mbas Dragit është një kthim i madh mbrapa. Megjithatë më duket se Meloni nuk është si Matteo Salvini. Nuk është kundër-amerikane, nuk është kundër-Ukrainës, nuk bashkëndan prirjet e tmerrshme të populistëve të tjerë evropianë. Më duket e mundëshme që duke u gjëndur përballë vështirësive të qeverisjes s’Italisë do të bëhet diçka më e ngjajshme e një politikani mainstream.

Për shumë zgjedhës sanksionet kundër Rusisë kuptohen vetëm faturat e shtrenjta. Sa vlen që Evropa të mbajë vendosmërinë?
“Është e rëndësishme. Edhe Amerika nuk është shumë e qëndrueshme në mbështetjen e Ukrainës: në çdo votim mbi ndihmat në Kongres, gjithënjë e më tepër republikanë kanë votuar kundër. Nëse del që disa Vënde të aleancës mënjanohen, kjo nuk ndihmon. E nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesit të legjislaturës kjo prirje mund të shpejtohet”.

“Corriere della Sera”, shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

Ditën e marrëveshjes së 17 majit Rama-Basha, kompania e lobimit të PS kontaktoi 4 herë Donald Lu

Partia Socialiste ka paguar kompani lobimi në vitin 2017 për të ndikuar te ambasadori i atëhershëm Donald Lu.  

Në dokumentin e siguruar nga Syri Tv, që i takon vitit 2017, rezulton se lobistët e PS të cilët ishin paguar 140 mijë dollarë, kanë pasur kontakte të vazhdueshme me Lu.

Për të arritur suksesin në lobimin e saj, kompania “Ballard Partners”, kontraktoi si konsulent dhe ndërmjetësues ish-kongresmenin demokrat Robert Wexler.

Ditën që Basha dhe Rama firmosën marrëveshjen e 17 majit, kompania lobuese Balard ka kontaktuar 4 herë ambasadorin e SHBA, Donald Lu.

 

Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi zbardhi detaje nga kontrata e PS me Ballard dhe kontaktet e këtij të fundit me Donald Lu, në mënyrë që ky i fundit të shprehte në publik qëndrimet që i interesonin Edi Ramës për Reformën në Drejtësi dhe çështje të tjera politike.

“Për lobimet në SHBA paguhet për të lobuar te zyrtarët e lartë kongresmenë. Kurse në këtë rast bëhet një pagesë, është pajtuar Ballard, është marrë si konsulent Robert Wexler, ish-kongresmen republikan, ka mbajtur kontaktet me ambasadorin Donald Lu. Puna më e rëndësishme e tij ka qenë në datën 17 maj. Atë ditë ka qenë ditë mjaft intensive për ambasadorin e SHBA, që ka bërë takime për 2-3 orë me Bashën në selinë e PD, nga aty shkoi në Kryeministri ku ka qëndruar disa orë të tjera dhe në fund erdhi ky takimi i Ramës me Bashën që ishte i papritur atë ditë për të gjithë gazetarët. Janë të deklaruara nga Ballard që atë ditë Robert Wexler ka folur në telefon dhe email dhe specifikimi është për negociata mes partive politike përpara zgjedhjeve lokale dhe reformës në drejtësi. Pra është specifikuar edhe natyra e përmbajtjes së bisedës. 17 maj 2017, pra për zgjedhjet politike“, tha Saraçi.


Send this to a friend