Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi me rastin e 203-vjetorit të lindjes, arbëreshin e shquar Dhimitër Kamarda.
Kamarda ishte filolog, folklorist dhe studiues i shqipes. Së bashku me Jeronim De Radën, arbëreshi Dhimitër Kamarda ishte ndër zërat më pompozë të lëvizjes kulturore arbëreshe në Itali gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, dhe një ndër mbështetësit e flaktë të idesë kombëtare. Vetë atdhetari Dhimitër Kamarda ishte gjuhëtar intelektual dhe botues i folklorit. Ai lindi në Horë të Arbëreshëve në Itali më 23 tetor 1821, afër Palermos, nga një krahinë që kishte lidhje të ngushta me Greqinë në lashtësi dhe kjo prejardhje ndikoi më pas edhe në studimet e tij.
Pasi mbaroi një kolegj në Romë, u vendos më Livorno më 1851 dhe aty bëri pjesë në një Rreth Filologjik. Vepra e tij kryesore është “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” (1864), me një “Shtojcë” dy vite më vonë. Në këtë punim, që u vlerësua edhe nga gjuhëtarë të njohur të Italisë të asaj kohe, ai mbështeste mendimin, se shqipja bënte pjesë në “çiftin pellazgjik”, duke i dalë e afërt me greqishten. Kamarda është interesuar edhe për përkthimet biblike në arbërishten e Italisë dhe për këtë ka qëndruar në Londër te princi Lui-Lysien Bonaparti, nipi i Napoleonit,i cili kërkonte të paraqiste përkthimin e pjesëve biblike në 200 gjuhë të botës me rastin e Ekspozitës Botërore. Në nëntor 1878 i është drejtuar A. Tomsonit në Stamboll, që ta ndihmonte për shpërndarjen e librave të veta. Një nga punimet e para në fushën e filologjisë diakronike për shqipen u hartua nga filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda. Vëllimi i parë italisht doli në Livorno më 1864 me titullin “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” dhe u pasua nga vëllimi i dytë “Appendice al Saggio di grammatologia comparata” më 1866.
Që nga fillimi i shekullit XIX shqipja filloi të njihej si pjesëtare e pavarur e familjes së gjuhëve indo-europiane. Gjuhëtari i njohur gjerman Franz Bopp-i e vërtetoi prejardhjen e saj indo-europiane më 1854, porse për një kohë të gjatë mbeti e hapur çështja, se me cilën apo me cilat gjuhë të kësaj familjeje ajo afrohej më shumë. Për shkak se një pjesë jo e vogël e lëndës folklorike ishte mbledhur prej studiuesve të huaj nga goja e arbëreshëve të Greqisë, ishte përftuar mendimi më i parë, se shqipja bënte pjesë në grupin helenik. Një ndër përkrahësit më të rëndësishëm të kësaj hipoteze ka qenë pikërisht Dh. Kamarda. Ai ka bërë edhe një paraqitje të kësaj hipoteze, duke kërkuar mbështetjen historike. Nga dija shkencore që në vitin 1774 me autoritetin e historianit suedez H. E. Thunmann-it ishte shprehur ideja për prejardhjen ilire të shqiptarëve mbi bazën e të dhënave të historisë. Kjo ide e frytshme u mor nga arbëreshi i Italisë Engjëll Mashi (Angelo Masci), i cili e shtjelloi në punimin “Ligjëratë mbi prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tashme të kombit shqiptar” (Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione albanese), Napoli, 1807. Mjaft prej propozimeve të tij për vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm të shqipes kanë qenë mjaft të afërta me zgjidhjen përfundimtare të çështjes më 1908.
Vëllimin e dytë (Shtojcën) e hartoi për të treguar pasurinë e shqipes, nivelin e lëvrimit të saj dhe mundësitë shprehëse të folklorit e të letërsisë shqipe. Në fund të këtij vëllimi gjendet një listë prej rreth 4000 fjalësh. Ishte fjalësi më i gjerë si numër i shqipes, i botuar deri në atë kohë. Gjurmimet rreth shqipes prej atëherë kanë ecur mjaft përpara. Për ta dëshmuar këtë do të kufizohem vetëm me pak shembuj prej punimit të tij. Në kreun për fonologjinë autori diskuton shkallët e zanoreve dhe ndërrimet e vetvetishme. Për të treguar fatin e tingullit a- në krye të fjalëve, ai merr si shembull fjalën anije dhe e ndan kështu: a-ni-a. Ne e dimë sot se rrënja e fjalës ka qenë “an” dhe nuk ka asnjë mundësi që të shkëputet prej saj një a-. Për Kamardën folja “dua” lidhet me sanskr. day dhe greq.äåùìáé, mirëpo etimologët sot japin një shpjegim krejt të ndryshëm: shq. dua, sanskr. jusate, gr.ãåõìáé.
Lidhur me formimin e fjalëve Kamarda i përfshin gjithë ndajshtesat në korrespondenca të veçanta grekoshqiptare. Ky është përgjithësisht një prej gabimeve të tij kryesore nga ana metodike. Te shembujt e tij gjejmë po ato manipulime me dorë të lirë ndaj lëndës gjuhësore. Te folja “arnoj” ai gjen prapashtesën –na-, mirëpo rrënja është arn- dhe jo ar-. Autori ynë gjen prapashtesën –m(ë) te fjala “helm”, por sërish asnjë prapashtesë nuk ka kjo fjalë. Dhe është pak e papritur që ai gjen po atë prapashtesë te fjalë “sermë”, e cila është një huazim prej turqishtes. Numërorët janë një pikë qendrore në diskutimet për marrëdhëniet ndërmjet gjuhëve indo-europiane. Po edhe këtu Kamarda, duke e renditur shqipen me latinishten e greqishten si gjuhë kentum, bën sërish një gabim të rëndë metodik. Ndonëse kjo ndarje e gjuhëve indo-europiane sot vështrohet ndryshe, shqipja është quajtur kryesisht gjuhë satem dhe i përket degës lindore. Dhimitër Kamarda u shua më 13 prill 1882 në Livorno./Gazeta Panorama
Urat e komunikimit mes kulturës çame dhe greke- Faik Konica dhe shformimet greke, si lindi vallja “Çamiko”- Nga ENVER KUSHI
Problemi i dhënies dhe marrjes mes kulturës çame dhe asaj greke në veçanti, por edhe asaj shqiptare e greke apo kulturave të popujve ballkanikë në përgjithësi, është pak e studiuar, por edhe kur është trajtuar, vihet re jo vetëm një subjektivizëm i skajshëm, apo edhe shovinizëm kulturor “alla ballkanik”. Do të mjaftonte të sjell në kujtesë studiuesit serbë, të cilët të paktën prej një shekulli, për të mos thënë më shumë, kanë shkruar qindra faqe duke derdhur shumë energji, për të “provuar” se “Eposi i Kreshnikëve” u përket popullit serb e se shqiptarët si “endacakë dhe ardhës të vonshëm në Ballkan”, e kanë marrë atë nga sllavët. Jo vetëm “Eposi i Kreshnikëve”, por edhe mitet gojëdhënat, legjendat, siç është ai i kalasë së Shkodrës janë të tyret. Ballkani ynë, ky truall befasues i kulturave nga më të çuditshmet, që ka rrezatuar përtej maleve të tij vlera të padiskutueshme në Europë, për fat të keq brenda vendit është shquar jo vetëm për sherrnaja e luftërave për territore në dëm të fqinjëve, si edhe për ca sherrnaja të tjera absurde, siç janë ato për kulturën.
Për fat të keq fjala “URË” në kuptimin e mirëfilltë si lidhje mes brigjeve dhe në kuptimin metaforik edhe si lidhje mes popujve e në fushën e kulturës si dhënie e marrje reciproke, është shpërdoruar keq në Ballkan. E megjithatë, popujt e Ballkanit përtej këtyre sherrnajave absurde, kanë ditur që në mijëra vjet fqinjësi të ndërtojnë dhe rindërtojnë ura komunikimi. Ata kanë pasur dhe kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit herë të qarta e të dukshme, herë- herë të mjegullta me simbole nga më të çuditshmet.
Ballkanasit edhe në kulmet e acareve nxitur nga politikat përçarëse, ideologjitë ekstremiste nacionaliste, stinët e shpeshta të përgjakshme që ka shoqëruar historinë e tyre, janë marrë vesh me ca kode që vetëm ata mund t’i kuptonin. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë, por edhe të mençur, herëherë kapadainj dhe me ca gjeste teatrale në sjellje, gjaknxehtë si ata, por edhe mikpritës trima të çartur dhe herë- herë naivë si fëmijë, të habisin me urat e komunikimit kulturor. Një këngë, valle, melodi, veshje e bukur, fjalë e urtë, legjendë, befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur dhe qindra kilometra më në jug, veri, lindje, perëndim, por edhe më pranë bëhej, pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi. Udhëtarë anonimë që flinin nëpër hane, tregtarë, që me karvanët e tyre lëviznin lirshëm nëpër trojet ballkanike, barinj që veronin dhe dimëronin nëpër fushat e buta bregdetare apo alpe, rapsodë dhe grupe instrumentistësh ose këngëtarë të njohur, që ftoheshin nëpër dasma etj. ishin padyshim këmbë të forta “urash mes kulturave të Ballkanit…”
Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve, që janë popujt më të lashtë të gadishullit, ku në historinë e hershme të tyre ka një substrat të përbashkët gjuhësor dhe kulturor. Kështu ka ndodhur veçanërisht mes shqiptarëve çamë të Thesprotisë dhe fqinjëve të tyre grekë. Këto dhënie dhe marrje në fushën e kulturës, sidomos asaj shpirtërore, kanë qenë normale dhe të natyrshme.
Çamëria është trualli ku pikafrimet dhe pikëtakimet mes kulturës shqiptare dhe asaj greke janë të prekshme dhe të dallueshme. Të gjendur pranë njëri-tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë, në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë, kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme, se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit, çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame, që ishte homogjene, por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj. ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinorëve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse, në Ballkan, dhe veçmas në Çamëri, mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore. Ka pasur, por ka edhe sot, studiues seriozë grekë, ndonëse shumë të pakët në numër, që kanë vlerësuar kulturën e çamëve, këngët dhe vallet e tyre, veshjet, mënyrën e jetesës dhe banesën në qytet dhe fshat. Bota çame, shpirti i patjetërsueshëm çam ka vulën e vet në kulturën origjinale dhe befasuese të krijuar dhe trashëguar nga brezi në brez. Trashëgimia kulturore në Çamëri në tërësinë e saj është unike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Do të gabonim në qoftë se këtë kulturë do ta veçonim nga ajo e së tërës, pra shqiptare, siç do të gabonim edhe nëse atë do ta quanim një ishull më vete të mbyllur e pa komunikuar me fqinjët e saj grekë. Kultura lëndore, e quajtur ndryshe materiale dhe ajo shpirtërore në Çamëri janë shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë. Ajo bart shtresëzime të hershme të formuara në epoka të ndryshme. Siç janë vënë në dukje nga studiues të ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (pellazgë) e pastaj ilirë dhe që u trashëguan në Mesjetën e Hershme. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve” (Berlin 1965) se “ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur, na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare.”
KOSTUMI POPULLOR ÇAM, FAIK KONICA DHE SHFORMIMET GREKE
Në mungesë të botimeve shkencore nga Greqia fqinje për vlerat dhe marrëdhëniet e kulturës çame me atë greke, por në mungesë edhe të studimeve shqiptare në këtë fushë, do na duhej të zhvendoseshim në kohë dhe hapësirë, pra të riktheheshim dekada më parë, ndoshta edhe më shumë se një shekull, si dhe në trojet e Çamërisë për të analizuar jo mekanizmin e marrëdhënieve mes kulturës çame dhe asaj greke si shpirt dhe lëndë, por mekanizmin e përvetësimit të njëanshëm të kulturës çame prej grekëve, deri në grabitje dhe duke mohuar autorësinë e saj. Këtu jo popujt, por doktrinat nacionaliste greke kanë shembur njërën këmbë ose tërësisht “urën” e komunikimit kulturor.
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, duke u marrë me këtë temë ka thënë: “Lufta për autorësinë e vlerave artistike zhvillohet prej kohësh në zonën ballkanike, ku ajo është veçanërisht e komplikuar, për shkak të marrëdhënieve kulturore të popujve të Ballkanit gjatë shekujve. Nënshtrati ndërballkanik, i krijuar si rrjedhim i këtyre marrëdhënieve, motivet e përbashkëta të epikës e të legjendës kanë qenë një terren tepër i përshtatshëm për incidente e shkelje kufijsh kulturorë, kacafytjet për përvetësimin e vlerave shpirtërore kanë qenë disa herë jo më pak të egra se kacafytjet e përgjakshme për kufijtë”.
Popujt e Ballkanit “duke i huazuar njëritjetrit motive, tinguj ngjyra dhe teknika poetike, asnjëherë nuk kanë menduar se këto dhënie e marrje të bukura e sublime do të shfrytëzoheshin prej shovinistëve për qëllime të ulëta e krejtësisht të huaja për artin”.
Do të duheshin studime serioze, mbështetur në argumente shkencore për të trajtuar jo vetëm marrëdhëniet mes kulturës çame e asaj greke, por veçanërisht huazimet reciproke. Gjithashtu, do të duheshin edhe fushat, ku grekët fillimisht kanë huazuar, por më pas i kanë shformuar dhe përvetësim kulturën shpirtërore dhe materiale të çamëve. Pikërisht në këto shformime e përvetësime ka vepruar tinëzisht politika e qarqeve ultranacionaliste greke, një mekanizëm djallëzor, duke përbaltur shpirtin sublim të dy popujve në dhëniet e marrjet e bukura në fushën e kulturës.
Do përpiqem të trajtoj përvetësimin dhe shformimin që grekët i kanë bërë kostumit dhe valles çame. Studiues seriozë, por jo vetëm ata, kanë vlerësuar kostumin popullor të çamëve. Poeti i madh anglez Bajron i mrekulluar nga ky kostum ka dhe një pikturë, ku ka pozuar i veshur me të. Udhëtarë të tjerë europianë, në librat e tyre kanë bërë të njëjtën gjë: kostumin çam e quajnë një nga vlerat e kësaj popullsie dhe asnjë prej tyre nuk vë në dyshim, se ai u përket shqiptarëve të Çamërisë.
Sipas citimit që bën studiuesi i mirënjohur Hajredin Isufi në librin “Çamëria studime historike – sociologjike shek XIII – XX” Çajrëll ka qenë në vitin 1880 mes çamëve në fshatin Mazërek dhe jep këtë përshkrim: “Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat dhe fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbërt e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell…”
Edhe konsulli francez në Janinë Pukëvil, që siç dihet nuk kishte ndonjë simpati për shqiptarët, nuk e fsheh entuziazmin dhe vlerësimin për kostumin e çamëve: “Udhëtari që do të shikojë ata çamë që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe nga rënia e mortajës, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur me ato qëndisma të bukura lara- lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir.” Edhe historiani grek Spiro Mela (sipas citimit që i bën Hajredin Isufi) shkruan për “çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisur anash me ar.”
Kur është huazuar kostumi popullor i çamëve nga grekët? Është një pyetje, përgjigja e së cilës do të kërkonte hulumtime serioze.
Në qoftë se do t’i riktheheshim kontakteve, por edhe fqinjësisë mes çamëve e grekëve, dhënieve e marrjeve reciproke në fushën e kulturës, kur popujt tanë nuk vuanin nga komplekse dhe ishin normale që në gëzime, veçanërisht në dasma, të ftoheshin apo të merrnin pjesë në pazare, që organizoheshin në Prevezë, Paramithi etj. e që sot quhen panaire, duhet të ketë qenë i hershëm huazimi i kostumit çam. Jam i bindur se në këto periudha grekët fqinjë të çamëve admironin fustanellën palë- palë, jelekët e qëndisur dhe mëngoret që vareshin, festet e gjata me majë, këpucët me xhufka, levendërinë në të kërcyer të çamëve….
Faik Konica, një nga shkrimtarët dhe kulturologët e mëdhenj shqiptar, përmend shek. XIV, kur kostumi shqiptar “ka hyrë ndër grekët, kur shqiptarët nën Bua Shpatën sulmuan dhe nënshtruan Greqinë”. Po Faik Konica, duke u marrë me këtë problem, shkruan: “Shumë më vonë, nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, greku praktik e pa se ishte në të mirën e vet që ta pranonte veshjen shqiptare në disa rrethana dhe për disa arsye, që i kanë paraqitur disa autorë”.
Koloneli Lik në ditarin e udhëtimeve të tij nëpër More, më datën 28 mars 1805, shënon: “Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme si në More, edhe në pjesën tjetër të Greqisë…. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”. Ndërsa admirali Zhyrjen dë la Gravjerë shkruan: “Shqiptarët përbëjnë një racë të veçantë në Evropë…Veshja shqiptare u bë e modës dhe osmanët më fodullë e mbanin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut. Vetë grekët, kur djali i dytë i Aliut, Veli pasha, qeveriste Morenë, e morën këtë veshje si simbol të trimërisë dhe e bënë uniformën elegante të palikarëve. “Faik Konica, gjithashtu, duke ju referuar të huajve, citon edhe G. Finlay, i cili në librin “A history of Greece” ka shkruar: “Ka qenë fama e shqiptarëve që i ka detyruar grekët e sotëm të pranonin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Është pasojë e këtij adhurimi për shqiptarësinë, që oborri i mbretit Oto merr pamjen e vet melodramatike dhe shkëlqen me një imitim të shtirë e verbues të veshjes së ndritur e të pasur, që ka tërhequr vëmendjen e Çajld Haroldit në galeritë e pallatit të Tepelenës, por fustanella prej basmeje u varet rreth këmbëve grekëve si fund grash prej letre, ndërsa fustanella e bardhë e toskëve, e përbërë nga cohë e fortë e endur në vegjën vendëse, bie me pala të hijshme si cohët e lashtësisë”.
Nuk ka nevojë për shumë koment për të arritur në konkluzionin që siç shprehet Konica, “i ashtuquajturi kostum modern “grek” në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar” dhe se në shformimin grek të veshjes shqiptare ka një element të palaçove, që i bën shumë shqiptarë të qeshin, ndonëse të tjerët janë të pakënaqur e të zemëruar. Faik Konica është i pari që vë në dukje dallimet kryesore ndërmjet veshjes së mirëfilltë shqiptare dhe karikaturës greke. Xhaketa në veshjen shqiptare ka një të çarë të lirë te mëngët, për të lënë të kalojë krahu, ndërsa mëngët të qepura vetëm në pjesën e sipërme të supeve hidhen prapa. Ato edhe mund të përdoren, por përgjithësisht nuk u futen krahët. Ndërsa grekët, nënvizon Konica, gjithmonë i fusin duart dhe nuk e kanë vënë re ose nuk e kanë kuptuar këtë tipar, që nga koha e mbretërimit të mbretëreshës Elizabeta ka tërhequr vëmendjen e një poeti të madh anglez. Edmond Spenser flet për mëngët, që u vareshin si të shqiptarëve. Është me interes të nënvizojmë se në këtë shformim nuk ka shpëtuar as fustanella, që përbën elementin kryesor të kostumit çam. Sipas Konicës, në veshjen origjinale shqiptare, fustani ka një numër të vogël palësh, zakonisht gjashtëdhjetë. Veç kësaj ai bëhet me pëlhurë liri të rëndë, të endur në shtëpi dhe është mjaft i gjatë sa mbulon tërësisht kofshët dhe le të pambuluara vetëm pulpat. Burrat më të vjetër e mbajnë fundin tetë deri dhjetë centimetra nën gju. Sipas Likut, por edhe autorëve të tjerë, përshtypja e përgjithshme që krijon fustanella shqiptare është ajo e cohëve të lashtësisë. Si e kanë shformuar fustanellën shqiptare grekët? Ky shformim ka prekur jo vetëm gjatësinë, numrin e palëve, por edhe cohën. Ata “kanë shtuar palat e fustanit nga gjashtëdhjetë në rreth dyqind ose më shumë; në fillim ata kanë ruajtur gjatësinë e rregullt të fustanit, por meqë nuk ishin të zotët ta mbanin në vend rreth këmbëve, nisën ta shkurtonin gjithnjë e më shumë, derisa sot ka arritur një shkurtësi të pahijshme dhe ata përdornin një pëlhurë të lehtë pambuku. Në fakt, ata e kanë rrëgjuar fustanin në një fund të lirë baleti e në tërësi ai të jep përshtypjen e diçkaje të neveritshme, që nuk u shkon burrave.”
VALLJA ÇAME DHE “ÇAMIKO” E KËRCYER NGA GREKËT
Ndryshe ka ndodhur me vallen çame. Grekët deri më sot kanë njohur çamët si krijues dhe bartës të valles. Në të gjitha grupet folklorike jo vetëm të trevës së Çamërisë së sotme, por edhe ato greke apo ansamblet, programet televizive, shfaqjet kulturore brenda e jashtë Greqisë, ajo quhet vallja “Çamiko” ose thënë ndryshe “vallja e çamëve”. Unë kam pasur rastin në vitet ’70 e më vonë të shekullit që lamë pas, të shoh disa ansamble greke që kanë dhënë shfaqje në Tiranë, Durrës e gjetkë. Jam mrekulluar nga niveli i lartë dhe muzika moderne greke si dhe këngëtarët e mëdhenj Marinela Mariza Koh Janis Parios etj. Gjithashtu jam mrekulluar edhe nga traditat folklorike të krahinave të ndryshme të Greqisë fqinje. Emocione të veçanta kam ndjerë kur kam parë në skenë valltaret virtuozë grekë, që interpretonin vallen çamiko. Ato ishin djem të rinj shumë të talentuar, që e kërcenin me shpirt këtë valle.
E megjithatë, kur kam dalë nga këto shfaqje më janë kujtuar shumë valltarë çamë, që unë i kisha parë në dasmat çame. Atëherë isha i ri dhe në qytetin e vogël të Rrogozhinës, ku jetonte një numër jo i vogël çamësh kisha parë disa valltarë virtuozë. Nuk do të harroj kurrë Shaban Osmanin nga Salica. Ai ishte një burrë i gjatë shumë elegant, që atëherë më dukej një njeri kockalli. I thatë, me një fytyrë të mprehtë, kërcinj të gjatë me një mirësi të spikatur në tërë qenien e tij Shaban Osmani ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj të valles çame. Mbaj mend se ai nuk dilte menjëherë në valle. Sheshi ishte bosh i rrethuar vetëm nga burra dhe orkestrën ulur në krye. I pari çohej në këmbë klarinetisti. Ai quhej Karaman dhe vinte nga Tirana. Karamani ishte i njohur që në Çamëri dhe thoshin se për të klarineta ishte e shenjtë…
Pas Karamanit ngriheshin në këmbë violinisti dhe ai që i binte defit. Karamani ja niste melodisë së valles. Asnjë nuk pipëtinte. Burrat ndërprisnin muhabetin dhe ata që pinin cigare i shuanin ato. Vështrimet e syve të trishtuar e plot mall të çamëve, ishin drejtuar nga Karamani. Atje kam parë pleq që vinin duart në dy anët e kokës e disa të tjerë që shihnin herë sheshin bosh e herë- herë qiellin. Ndoshta nga qielli prisnin të vinte vallja çame. Sepse vallja çame kishte shumë nga qielli, siç kishte shumë edhe nga toka… Kalonin kështu një, dy minuta… Karamani ulte e ngrinte klarinetën. Dukej sikur thërriste shpirtërat e valles çame ose më saktë shpirtin e valles çame… Dhe ai vinte në minutën e tretë, krejt befasisht, sikur kishte rënë nga qielli ose dalë nga thellësia e tokës. Nuk ishte Shaban Osmani që njihja unë, dhe që e takoja thuajse çdo ditë. Ishte Shaban Osmani i valles çame, që ulej e ngrihej me një lehtësi të habitshme nga toka, shtrihej për t’u ngritur prap në ajër… Shaban Osmani ishte edhe ëndërr edhe qiell, edhe ditë, edhe natë, edhe lot edhe gëzim. Shaban Osmani ishte triumfi i njeriut çam krenaria dhe levendëria e Çamërisë, sakrifica sublime, tallaz dhe dehje në beteja…
Kur kam lexuar librin e Aristidh Kolës “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, valltarët e talentuar të ansableve greke që i kisha parë duke kërcyer vallen çamiko m’u dukën si hije të zbehta dhe vallja jonë e bukur tërësisht e shformuar prej tyre. Atëherë m’u kujtua Shaban Osmani nga Salica e Çamërisë, mjeshtëria dhe virtuoziteti i kërcimit të tij. Aristidh Kola, ashtu si Faik Konica më parë, që publikisht denoncoi përvetësimin dhe shformimin e kostumit shqiptar çam, në librin e tij ka argumentuar nga njëra anë madhështinë e papërsëritshme të valles çame dhe nga ana tjetër shtrembërimin dhe deformimin e saj nga grekët. Studiuesi i mirënjohur arvanitas qartësisht jep thelbin e valles çame, si një valle që pasqyron shpirtin shqiptar… Ajo, sipas Aristidh Kolës, ka levenderi, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike. Por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja çame është valle triumfale. Diçka që më bën të dyshoj nëse mund të ketë të dytë në botë, nënvizon Kola. Vallja çame përmbledh me lëvizjet bukurinë, levenderinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimtarit të parë. Sepse duhet theksuar këtu se vallen çame nuk e kërcejnë të gjithë por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejt” dhe mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas, duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj, që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.
Ç’ka ndodhur me vallen e famshme çame në Greqi? A është ruajtur origjinaliteti i saj në kërcim? Përveç emrit “Çamiko” që grekët çuditërisht nuk e kanë ndryshuar, të tjerat janë të shformuara. Valltarët e rinj e të talentuar grekë përveç lëvizjeve prej atletësh dhe figurave që krijojnë gjatë kërcimit të kësaj valleje, nuk japin asgjë më tepër se kaq. Ky nuk është faji i tyre, por i koreografëve. ‘Çamikos’’ greke i mungon kryesorja: shpirti shqiptar çam dhe bukuria, levendëria, burrëria, dhe krenaria, që karakterizon popullsinë çame. Studiuesi Aristidh Kola me të drejtë konkludon: “Ata njerëz që kanë marrë në duar vallen çame që prej disa kohësh, me sa duket qartësisht as arbëreshë nuk janë dhe as idenë s’ia kanë se ç’lloj valleje është vallja çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame që po jua them haptazi, kur e shohin arvanitasit nisin e qeshin. E quajnë “Shkollore’’, sepse mësuesit që dërgoheshin nëpër fshatrat arbëreshe pa ditur gjë prej gjëje rreth saj, përpiqeshin t’ua mësonin vallen çame popullit që e krijoi atë, duke e bërë kështu imitimin mjaft qesharak”. Ndryshe ndodh me vallet çame të kërcyera edhe sot nga çamët e krishterë, apo vllehët, ose grekët, kur popullsia myslimane e krahinës së Çamërisë nuk është më atje, e shpërngulur dhunshëm në vitet 1944-45, nga bandat zerviste. Kur I shoh këto valle më duket se atje është shpirti i vërtetë i valles, shpirti i vërtetë i Çamërisë. Gjej rastin t’i përshëndes vëllezërit e mi të krishterë në Çamëri, që vazhdojnë të ruajnë të patjetërsueshme karakterin e kësaj valleje të mrekullueshme.
URAT E REJA TË SHPIRTIT BALLKANIK
Shumë vite më parë, kur shekulli që lamë pas po rrokullisej drejt fundit të tij, pata fatin të marr pjesë në një festival ballkanik që organizohej në Ankara. Ishte maj dhe nuk do të harroj kurrë qiellin e Ankarasë, erërat e ngrohta, tingëllimin poetik të gjuhës turke, por veçanërisht atmosferën e krijuar në kryeqytetin e Turqisë nga shfaqjet e grupeve folklorike, ardhur nga gjithë vendet e Ballkanit. Ndryshe nga acaret, makthet, sherrnajat e pafund, luftërat e përgjakshme që kishin ndodhur në Ballkanin tonë gjatë shekullit që po rrokullisej ankthshëm e me përtim, në Ankara, gadishulli tragjik nëpërmjet melodive, këngëve, valleve, larmisë së kostumeve, sillte shumë nga shpirti i tij. Ndihej, siç shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare “nënshtrati ndërballkanik” si dhe motivet e përbashkëta. Urat e komunikimit që risillnin popujt e Ballkanit në këtë festival ishin të lashta sa vetë ata, solide dhe ndryshe nga baladat e tyre, që prisheshin natën për t’u rindërtuar ditën… Ishte maji i vitit 1991. Shqipëria ime përpiqej të largonte përgjithmonë mantelin e përgjakur komunist, ndërsa Ballkani në veri të tij, ishte në prag të gjakderdhjes së tij të fundit… Kanë kaluar gati 20 vite që nga festivali Ballkanik i Ankarasë dhe gadishulli ynë mitik ndodhet në proceset e evropianizimit ose thënë ndryshe, po punon për të ringritur urat e komunikimit të shumanshëm. Në Jug të tij, shqiptarët dhe grekët popujt më të moçëm të Ballkanit, gjithashtu janë në këtë proces rindërtimi urash, pavarësisht fantazmave të fundit që ringrihen nga varret e ideologjive përçarëse. Çamët e shpërngulur me dhunë nga bandat kriminele greke të Napolon Zervës në vitet 1944- 1945, kërkojnë të rivendosin ura komunikimi shpirtëror me vëllezëri e tyre të një gjaku, çamët e krishterë, vllehët dhe grekët, që jetojnë në Çamërinë e sotme. Jo vetëm kaq. Ata janë për ura komunikimi edhe me grekët, sepse çamët e grekët, pavarësisht nga e kaluara e tyre e hidhur, kanë ditur që në fushën e kulturës të marrin dhe japin me njëri- tjetrin.
Çamëria ime mitike kërkon rikthimin në trojet e saj të shpirtit çam: baladave, këngëve, kostumeve popullore, valleve, rikthimin e miqësive të vjetra jo vetëm me vëllezërit e saj të krishterë, por edhe me grekët, vllehët etj. Ballkani ka nevojë për ura të reja komunikimi mes kulturave të tij nga më befasueset jo vetëm të gadishullit, por edhe në rrafshin europian./Gazeta Panorama
Ndërsa po vizitojsha qytetin mesjetar të Raguzës (Dubrovnik)- Kroaci në vjetin 2006, shoqnuesja kroate me pyeti: E dini ju se si quhet lumi prej të cilit furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Dubrovnikut? Iu përgjigja menjiherë që nuk e dijsha dhe ajo vazhdoi; lumi quhet Omla, asht fjalë iliroshqiptare të cilën e keni në përdorim edhe sot në gjuhën tuej!
Mbas pak si për konfirmim të deklaratës së saj më pyeti përsëri:
– Po si quhet në gjuhën shqipe fjala “dolce”? (komunikojshim në italisht).
Këtë radhë përgjigja ime qe e shpejtë: amel, omel, ëmbël!
Lumi Omla pozicionohet në veri të qytetit të Dubrovnikut, zonë ku historikisht pat qenë banue prej ilirve, çka përligj origjinën ilire të emnit Omla. Nga ana tjetër hidronimi “Omla” i lumit që furnizon me ujë të pijshëm Dubrovnikun merr kuptim të plotë në gjuhën shqipe bashkëkohore sepse tregon se uji asht i omel, amel (jo i krypun). Kujtojmë se në fjalorin e përditëshëm shqip, simbas rastit, përdoren edhe shprehje: “e amla, e omla” për muzikën etj., çka ndërlidhë direkt hidronimin “omla” me shqipen e sotme.
Episodi i masipërm pat shoqnue mendimin tim dhe se si, nji ditë me intuitë bana lidhjen e fjalëve “amel, omel, ëmbël” me fjalën “tamel”. Në gjuhën shqipe ndërlidhja në mes tyne pasqyrohet jo vetem prej shkrimit, por edhe prej kuptimit, por si spjegohen etimologjikisht këto fjalë?
Për origjinën dhe kuptimin e fjalës “tamel”, studiuesi i mirënjohun Aleksandër Hasanas shkruen (Wikipedia shqip) se fjala “ tamel” ka origjinë pellazgjike:
“Duke lexuar enciklopedinë greke mbi kuptimin e emrit “Amalthea” gjejmë: Amalthea = “èåÜ ôïõ äéáãùíéóìïý” – “Hyjnesha e konkurrencës”. Amalthea është e përfaqësuar shpesh si = “Dhi” që ushqen me “gji” fëminë e perëndisë në një shpellë të Kretës në malin “Aegaion” – “Goat Mountain”. Ndonjëherë si një Dhi, ndonjiherë si nimfë me prindër të pasigurt (e bija e Oceanus, Haemonius, Olenos, ose sipas Lactantius, e Melisseus. Sot të gjithë e dinë mire se “Amalthea” ishte Dhia (ÄE) e malit (ose, Nimfa ) mëma e perëndisë “Zeus” e cila ushqeu atë me qumështin e saj në një shpellë të malit Ida (AÄe, A’Äi – AÄi – Ata=mëmë-Dhia) kur ai ishte i vogël fëmi. Pra ky mal ruan emërtimin e “Dhisë” si Amë, mëm/Dhia e Zeusit. Në fakt, historianë grek dhe studiues të tjerë europiane në përpjekje për t’i rrëshqitur të vërtetës, por pamundur t’i largohen asaj kanë pranuar se “Amalthea” do të thotë; “Qumësht- ushqyese” (a’mel/go) ose thënë më shqip duke iu referuar fjalës së pastër po shqipe; “gji” dhe emërtimit të “Qumshtit” në dialektin Geg kemi; mjel, t’mjel, të tamëlin, Am’el, të Ambël, – Mel (Mjaltë) pra Amel/thea = t’amël Dhie – qumësht Dhie, duke anashkaluar fjalën shqipe të pastër “DHI” Janë fjalët e pastëra shqipe “AMEL, T’AMEL, mel, mjel, i ambël, (qumësht) të cilat gjenden të huazuara prej gjuhës shqipe në gjuhën, angleze, latine, greke etj.
“Prej arsyetimit ma sipër del se fjala “t’amel”, që na jep me kuptue ‘langun ushqyes të gjiut’, lidhet edhe me konceptin e ‘amelsisë’ dhe të energjisë që përmban mjalta. Në krahasim me ujin “tamli i gjiut” asht i “amel”, pra karakteristika kryesore e mjaltës – “amëlsia” kaloi te “langu ushqyes i gjiut: “tamli” dhe në vazhdim përgjithësohet për cilësimin e shijes së “amel” të elementeve në mjedisin rrethues. Kujtojmë se vetëm shqiptarët përdorin ende sot në fjalorin e tyne fjalën mija vjeçare pellazgjike – protoindoeuropiane “amel”, kurse në gjuhët e tjera europiane kjo nuk konstatohet, megjithëse fillimi i rrugëtimit të evolucionit gjuhësor për konceptin e “amëlsisë” duhet të ketë qenë afërsisht e njajtë (shija e mjaltës) për të tanë popujt europianë; në italisht fjala “amel” emnohet “dolce”, në greqisht – glykós, në anglisht – sëeet, në kroatisht – slatko, në turqisht – tatli, në gjermanisht – süss, në rusisht – milaja etj. Këto fjalë; omla, amel, omel, ëmbël dhe tamel” – pellazgjike – proto indo europiane, që falë thesarit gjuhësor të gegnishtes, vetëm gjuha shqipe i ka sot në përdorim, provojnë qartë autoktoninë në thellësinë e shekujve të shqiptarëve.
Gegnishtja që na sot e flasim dhe e shkruejmë, falë shpirtit konservator të shqiptarëve të cilët pranuen vetëizolimin në shkrepat e maleve si mënyrë jetese për mosasimilimin e tyne, gjatë rreth 2200 vjetëve pushtim e rrethim, na mundëson sot dëshmi të rralla të vlerave kulturore iliro – arbnore, në shërbim edhe të pasunimit të kulturës së përbashkët europiane./Gazeta Panorama
Agjencia amerikane e hapësirës NASA deklaroi se dielli ka arritur ciklin maksimal të nxehtësisë, që mund të vazhdojë edhe për një vit, duke ofruar mundësi për të dalluar aurora borealis në muajt e ardhshëm.
Studiuesit e NASA-s shpjeguan se maksimumi aktual diellor, i cili filloi rreth dy vjet më parë, mund të zgjasë edhe më shumë, por konfirmimi përfundimtar do të varet nga analiza e mëtejshme e të dhënave të mbledhura deri më tani.
”Kjo fazë zakonisht zgjat rreth tre deri në katër vjet”, thanë shkencëtarët.
Aktiviteti diellor ndjek një cikël 11-vjeçar, duke u luhatur midis periudhave të qetësisë dhe aktivitetit intensiv.
Gjatë një maksimumi diellor, ndezjet e rritura diellore dhe nxjerrjet e masës koronale (CME) çojnë në një valë stuhish gjeomagnetike, që shpesh rezultojnë në shfaqje spektakolare të aurora borealis ose dritat veriore.
“Ky njoftim nuk do të thotë se ky është kulmi i aktivitetit diellor që do të shohim këtë cikël”, thekson Elsayed Talaat, drejtor i operacioneve të motit hapësinor në Administratën Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA).
“Ndërsa dielli ka arritur periudhën e tij maksimale, muaji në të cilin aktiviteti diellor arrin kulmin në diell nuk do të identifikohet për muaj apo vite”, shtoi ai.
Ditët e fundit, aurorat e kuqe dhe jeshile të ndezura ishin të dukshme në rajone të ndryshme, duke përfshirë Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe madje edhe në jug, deri në rajonin e Mesdheut.bw
Martin Camaj-figurë e shquar e albanologjisë dhe e letërsisë shqiptare- Nga Akademik Emeritus Gjovalin Shkurtaj
Në këtë tubim shkencor e ditunor të rëndësishëm, duke falënderuar organizatorët dhe dr.Mujë Buçpapajn, ish-studentin tim, që më ftoi të jem edhe unë sot midis jush, po ritheksoj disa prej vlerësimeve meritore që i kam shprehur edhe më parë, në shkrimet e mia dhe në kumtesën time “Martin Camaj-figurë e shquar e albanologjisë dhe e letërsisë shqiptare”në konferencën shkencore të Universiteti të Shkodrës, po edhe në artikuj e pjesë të librave të mi. të dialektologjisë dhe të etnografisë së të folurit.
Të pranishmit e nderuar në këtë tubim, po edhe masa e gjerë e studjuesve dhe e shkollarëve shqiptarë e më gjerë, Martin Camajn e përkujtojmë me nderim e vlerësime të larta meritore për atë çfarë bëri e la mbi dhe (e për këtë dheun tonë të vuajtur e të pleksur me mall e lot), pavarësisht se qe i shtrënguar të rronte për pjesën më të madhe të jetës në Itali e në Gjermani dhe, as mbas viteve ’90, ndonëse liria tashmë kishte ardhur, ai nuk e pa kurrëmë Shqipërinë dhe do t’i mbyllte sytë larg Temalit të vet, në Gjermaninë e madhe, ku të tilla (të mëdha e të të vyera) qenë edhe bëmat e ndihmesat që kreu ai si studiues e si profesor në Universitetin e Mynihut. Diku në poezinë e tij, Camaj thotë në mënyrë metaforike se ndërsa kishte lindur në një vend të varfër e ku, kur vdiste dikush, bëheshin drekë të mëdha “me ngi të unshmit e thneglat e lamit”, ai u nda së gjallësh “në një vend të ngimë”, në Gjermaninë e pasur, ku në drekët mortore japin “vetëm kafe të hidhëta”.
Martin Camajn e përkujtojmë sot si studjues dhe si poet e shkrimtar të përmasave të mëdha, si profesor të disa universiteteve me emër të madh, si Universiteti i Romës “La sapienza”, ku ai qe edhe “krahu i djathtë” i Ernset Koliqit në Institutin e Albanologjisë e bashkë me të cilin drejtoi edhe revistën e mirënjohur “Shejzat” (Le Pleiadi); në Mynih e gjetiu në universitete gjermane, ku themeloi qendrën albanologjike dhe katedrën e shqipes e përgatiti atje një çetë studjuesish, ish-studentë të tij, sot albanologë të mirënjohur si Walter Breu, Armin Hetzer, Elvira Glaser, Gabirele Birken -Silverman etj., të cilët kanë hulumtuar me kujdes e zell në lëmin e filologjisë e të albanistikës arbëreshe e shqiptare, duke ecur me nderim e mirënjohje në hullitë e mjeshtrit e mësuesit të tyre, prof. Martin Camajt.
Martin Camaj jetoi e punoi kryesisht në dhe të huaj, sepse vetëm vitet e fëminisë e të rinisë i kaloi në vendlindjen e tij, në Shqipëri, porse ai kudo që u gjend diti të mbahej fuqishëm në rrënjët shqiptare dhe pohoi aq fisnikërisht, kudo e kurdoherë, se i përkiste një visi të vogël, por të shtrenjtë për të : malësisë shqiptare, Dukagjinit malor e Shkodrës sonë, të dalluar ndër shekuj për bijtë e saj të mëdhenj që ka nxjerrë e që e kanë nderuar dhe e nderojnë në botën e jashtme.Lindi në Temal dhe mësimet e para i mori në Kolegjin Saverian të Shkodrës, në atë qendër të shquar të kulturës shqiptare,prej nga kishin dalë edhe më parë breza veprimtarësh e atdhetarësh, që i dolën zot shqiptarisë. “Camaj – siç e ka theksuar me të drejtë studiuesi arbëresh F.Altimari, – ishte eksponenti i fundit i asaj tradite të lashtë e të lavdishme kulturore shkodrane”.
Në vitin 1946, kur u mbyllën Kolegji Saverian dhe të gjitha shkollat fetare në Shqipëri, Martini u detyrua t’i ndërpriste studimet dhe më 1949 la atdheun, u arratis në Jugosllavi, ku menjëherë u regjistrua në Universitetin e Beogradit.Atje studioi sllavistikë dhe u njoh me poezinë popullore ballkanike. Pikërisht në atë kohë shhkroi edhe vjershat e para dhe nisi t’i botjë ato në Prishtinë .Më 1950 doli përmbledhja e tij e parë me vjersha, e cila do të kishte ndikim të mirë në formimin e brezit të parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë. Më 1956 Martin Camaj shkon në Itali dhe regjistrohet në Universitetin e Romës “La sapienza” në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë, ku, më 1960, mbron tezën e laurës me një temë rreth “Mesharit” të Gjon Buzukut. Në vitet që studioi në Romë ai ndoqi ligjeratat e Giuseppe Ungaretit dhe ra në kontakt me hermetizimin, rrymë letrare që pati një farë ndikimi në krijimtarinë letrare të mëpastajme të Martinit. Gjithashtu, asokohe, u njoh me kulturën dhe me letërsinë e arbëreshëve të Italisë e me disa nga përfaqësuesit e tyre në zë, si Antonio Guxeta (Guzzetta), Françesko Solano, Xhuzepe Gradilone etj. me të cilët lidhi miqësi dhe bashkëpunoi ngusht e për kohë të gjatë. Në Romë Martini jetoi dhe veproi për një kohë të gjatë, bashkëpunoi me shkrimtarin e njohur Ernest Koliqi dhe me revistën e tij “Shejzat”, duke u bërë, më vonë, edhe kryeredaktor i saj. Për disa vjet në Romë Camaj punoi si ligjërues (lektor) i gjuhës shqipe në katedrën që drejtonte Koliqi dhe nisi, kështu, karrierën e tij të shklëqyeshme letrare si poet e si romancier, po edhe u bë i njohur si studiues i problemeve letrare dhe i dialekteve të shqipes, sidomos të arbëreshevë et Italisë. Në vitin 1965 Camaj u transferua në Gjermani, ku do të vazhdonte edhe më me fryt karrierën e tij akademike në fushën e albanologjisë, duke u emëruar, në fillim, docent e më 1971 profesor titullar i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut.
Në Gjermani, Camaj gjeti një mjedis të përshtatshëm për studime dhe ku, qysh para se të mbërrinte ai atje, kishte pasur edhe një kah të mbarë studimesh të dialektologëve gjermanë me theks e prirje të veçanta ndaj të folmeve të diaspoirës arbëreshe të Italisë. Mund të përmendim se, në vargun e romanistëve, për interesimin që tregoi për të folmet arbëreshe të Italisë, vend të veçantë zë gjuhëtari gjerman Gerhard Rolfs (Rohlfs) (1892-1986). Fusha e përhershme e studimeve të tij, siç dihet, kanë qenë gjuhët romane, por ai, në këtë kuadër, kur studioi dialektet dhe onomastikën e Italisë Jugore, u ndesh edhe me mjediset aloglote të arbëreshëve dhe jo vetëm nuk u kaloi anash, por u dha vend të mirë në veprat e tija. Përmendim se, Rolfsi, si anketues dhe realizues i pikave të Italisë Jugore dhe të Sicilisë për “Atlasin gjuhësor dhe etnografik të Italisë dhe të Zvicrës Jugore” (që u botua midis viteve 1928 dhe 1940 nga Jakob Judi e Karl Jabergu), midis tetëdhjetë pikave të anketuara futi edhe një ngulim arbëresh e pikërisht Firmozën (Acquaformosa) që figuron në hartat e AIS me numrin 751.
Mbi të dhënat e mbledhura nga Rolfsi në Firmozë, një tjetër dialektolog gjerman, Rypresht Ror (Ruprecht Rohr) përpunoi një studim doktorati me titullin Firmoza, një ngulim arbëresh në Veri të Kalabrisë, Pika 751 në AIS (Acquaformosa eine albanische Kolonie in Nord Kalabrien, Der Punkt 751 auf dem Sprach- und Sachatlas Italiens und Sudschweiz), që e mbrojti më 1954-n në Universitetin e Lirë të Berlinit. Më pas, Rori e zgjeroi edhe më tej kërkimin e tij rreth së folmes arbëreshe të Firmozës, duke u përqendruar më fort në sistemin morfologjik të saj, po edhe në një varg dukurish të tjera të sintaksës e të leksikut. Ai jep, gjithashtu, shqyrtime interesante e të hapëta me karakter sociolinguistik dhe historiko-kulturor, si dhe përsiatje rreth arbërishtes si gjuhë në kontakt e nën ndikimin e italishtes.
Fryt i kësaj vëmendjeje të posaçme që Rori u jepte të folmeve arbëreshe në Italinë e Jugut e në Sicili ka qenë edhe vijimi i kërkimeve në ato mjedise nga prof.Martin Camaj dhe nga nxënës të Rohrit e të tij, si Gabriele Birken-Silverman, e cila me shumë përkushtim po merret me studimin e dialektologjik e sociolinguistik të së folmes arbëreshe të Piana deli Albanezit e të Kuntisës. Gjithashtu, këto vitet e fundit, me shumë interes po kërkojnë nëpër të folmet arbëreshe të Italisë disa studiues të rinj gjermanë, ish- nxënës të Martin Camajt, si Valter Broi (Breu) dhe Elvira Glaser.
Martin Camaj për të folmet arbëreshe të Italisë
Në kuadrin e ndihmesave dhe punës për njohjen, studimin dhe vlerësimin e të folmeve arbëreshe të Italisë nga ana e studiuesve gjermanë, meritë të veçantë ka edhe Martin Camaj (1925-1992), i cili nuk qe gjerman, por jetoi dhe punoi për shumë vjet në Gjermani dhe ku, prej vitit 1965 deri në vitin 1990 drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin e Mynhenit. Martin Camaj, një nga albanologët më të shquar të fundshekullit tonë, para se të shkonte në Gjermani si profesor e titullar i katedrës, kishte marrë një formim të gjerë filologjik e gjuhësor në Universitetin e Romës, në fillim si nxënës e pastaj si asistent i Ernest Koliqit pranë katedrës së gjuhës e të letërsisë shqipe. I përket pikërisht asaj periudhe “romane” të tij njohja e parë me mjediset dhe të folmet e diasporës arbëreshe të Italisë. Pasi u transferua në Mynhen, për rreth tridhjetë vjet, Camaj pjesën kryesore të kërkimeve të tija ua kushtoi pikërisht gjuhës, folklorit dhe letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Kështu, që nga fillimi i viteve ’60 deri në fund të viteve ’80, ai kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes. Këto studime dialektologjike të Camajt, të mbështetura në metodologjinë gjuhësore strukturale sipas modelit të gjuhësisë funksionale të A. Martinesë etj. përbënin një ndryshim rrënjësor në kërkimet dialektologjike në trevat arbëreshe e përgjithësisht në dialektologjinë shqiptare. Mund të përmendim këtu studimin për të folmen e Greçit “La parlata albanese di Greci” (1971), që është monografia e parë e plotë e një të folmeje arbëreshedhe që u ndoq pastaj me një numër përshkrimesh të tjera dialektologjike. Ai ka botuar, gjithashtu, një numër të madh artikujsh e ndihmesash rreth dukurive të veçanta të të folmeve arbëreshe të Italisë, si p. sh. rreth dygjuhësisë italo-arbëreshe, rreth tipologjisë së arbërishtes, mbi disa mbeturi të së folmes arbëreshe të Villa Badesës, si dhe rreth plurilinguizmit ndër arbëreshët e Amerikës.
Prof. Martin Camaj e mbajti postin shefit të katedës së shqipes në Universitetin e Mynihut për njëzet vjet radhazi, deri më 1990-91, kur doli në pension. Rasti e kërkon të theksojmë se, për hir të veprimtarisë së tij të zhvilluar në atë qendër, si dhe nga emri i mirë e reputacioni i gjerë që kishte Martin Camaj në Gjermani, u arrit që në Universitetin e Mynihut albanologjia të bëhej një “Fachstudium” dhe është i vetmi universitet i Evropës Perëndimore që lëshon tituj pasuniversitarë “Magister-artium” dhe “Doctor philosophie”. Ky, sigurisht, është nder i madh dhe krenari për kombin e popullin shqiptar, nga gjiri i të cilit kanë dalë pinjoj të tillë të shquar. Mjerisht, ai nderoi Shqipërinë dhe shqiptarët me veprat që u blatoi e me një jetë të tërë vepruese e të përkushtuar ndaj gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, kurse atij, sa qe gjallë, në Shqipëri studiuesve dhe shkollarëve nuk iu lejohej as t’ia lexonin veprat, as t’ia përmendnin emrin në radhën e shkrimtarëve dhe studiuesve.Pa dyshim, një qëndrim i tillë ka qenë dhe mbetet një njollë e zezë e një turp për historinë e Shqipërisë, në faqe e zezë që urojmë të mos përsëritet kurrëmë me asnjë krijues a studiues, po edhe që duhet rikuperuar me aq sa është e mundshme në kohën tonë. Kurrë nuk është vonë për t’ua vënë në vend nderin që u takon bijve më të shquar të kombit shqiptar. Pa dyshim, një prej atyre bijve të shquar është edhe prof. Martin Camaj, poet, shkrimtar, dramaturg dhe albanolog i dallaur shqiptar, që punoi e jetoi kryesisht në dhe të huaj, porse ai, me zemrën e tij të pavdirë, qe kurdoherë në Shqipëri e në çdo vis të saj.
Ky bir i maleve tona, i gjatë e i pashëm si pak të tjerë, qe edhe i pajisur me zell për studim e talent për shkrimtari dhe, mbi të gjitha, me vullnetin e shpirtin e papërkulshëm e me zemër liridashëse, kishte një personalitet vetanak ku takohen dy përmasat njerëzore për të cilat fliste shpesh studjuesi i madh rumun Mirçea Eliade: “dimensionin diellor, që synon në njohjen shkencore, dhe dimensionin hënor, që synon krijimin artistik”. Është fakt që, shkenca dhe letërsia, apo sipas përfytyrimit eladian: dielli e hëna, shkrihen në zotimin intelektual të kësaj figure të shquar të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili gjakoi në një impenjim të drejtuar në mënyrë konvergjente mbi hulumtimin e një kulture mijëravjeçare, që për shumë shekuj kishte rrojtur vetëm si traditë gojore, e pashkruar dhe që Camaj i qaset, nga një anë, me kërkimet e tij gjuhësore mbi tekstet e vjetra të shqipes e mbi të folmet arkaike të diasporës arbëreshe dhe, nga ana tjetër, me shfrimin e ndjeshmërisë së tij moderne në krijimtarinë letrare si poet e prozator. Pra, në saje të dy palë dhuntive: shkencore e letrare, Martin Camaj do të lëvronte në drejtime të ndryshme, por me një bosht e taban të përbashkët mbarëshqiptar: në albanologji e në fushën e letërsisë dhe, për të dyja fushat, jep vepra të mëdha e që për hir të tyre ai u njoh dhe mbeti si figurë e shquar në botën e qytetëruar evropiane ku jetoi dhe qe, për shumë kohë, si një dëshmitar e pohues i vlerave dhe i historisë së popullit shqiptar, pavarësisht se (për një paradoks që ndodhi vetëm nën diktaturën komuniste të kohës) emri dhe veprat e tij konsideroheshin krejt të ndaluara në Shqipëri deri në periudhën e shndërrimeve demokratike. Kjo gjë, sigurisht, e hidhëronte dhe e brengoste krijuesin e shquar, por nuk e ligshtonte e nuk rreshti për asnjë çast nga puna e tij e palodhur për t’ia bërë të njohur botës së qytetëruar të mirat dhe virtytet e Shqipërisë së lashtë. Ai shkruan për vlerat e pavdira të kulturës së popullit shqiptar, që ishte mbërthyer në “rrathë gjaku” nga pushtuesit e huaj në të kaluarën e nga diktatura e kuqe në gjysmën e dytë të shek.XX,por që, prapëseprapë, ishte popull vital e që meritonte tjetër të ardhme, tjetër hapësirë kulturore, tjetër hapësirë jetike.
Kështu, autori ynë merr pjesë në të tashmen historike të kombit shqiptar, por tashmë edhe në një përmasë të kohës më komplekse në të cilën kujtimi i së shkuarës dhe projeksioni i së ardhmes shkrihen në një ideim të vetëm dhe vërtetë original, siç e gjejmë në vjershat dhe sidomos në romanet e tij “Rrathët”, “Karpa’, “Diella” etj.
Gjatë gjithë viteve të karrierës së tij akademike, si docent e profesor i gjuhës shqipe në universitete të ndryshme të Evropës, si dhe me veprën e tij letrare, Martin Camaj ka përfaqësuar një pikë referimi të sigurtë për të gjithë studiuesit e huaj që merren me albanologji dhe për intelektualët e diasporës.
Martin Camaj nuk la trashëgimtarë, as djalë as vajzë, porse ai na ka lënë veprën e tij në shumë vëllime: në poezi, në prozë dhe studimet shkencore rreth gjuhës e dialekteve arbëreshe e më gjerë, një përmendore e artë dhe vertet e shndritshme, për hir të së cilës, emri dhe lavdia e tij do të jenë përherë të gjalla në zemrat e mendjet e breznive të sotme e të atyre që do të vijnë.
U lumtë organizatorëve që na mblodhën sot për ta përkujtuar e për të shprehur vlerësimet meritore për këtë burrë të madh të letrave shqipe, që jetoi e punoi në dhe të huaj, në Itali e në Gjermani,por që jo vetëm nuk u shpërshqiptarizua, por, përkundrazi, aty ku rrojti ai krijoi një “shtëpi të vetën”, një shtëpi shkencore, një qendër, katedër e më vonë edhe institute të studimeve shqiptare; ai, për ta thënë malësorçe ”si çmoskush tjetër”, me sa shkroi e ligjëroi ndër vite, mendjen e zemrën i pati te Shqipëria e te shqiptarët, ashtu si e tha edhe në fjalët e tij të mbrame: “Unë jam i jueji e ju jeni të mitë”.
Me tubimin e sotëm, me sa thamë këtu, po edhe me sa kemi shprehur edhe më parë vlerësimet e nderimin që i takojnë një burri të shquar si Ai, qoftë edhe me vonesë, ia kemi shpluhuruar sadopak përmendoren e artë që i takon në lëmin e albanologjisë dhe të letërissë shqiptare. Po e mbyll, duke parafrazuar pikërisht atë thënien e tij të bukur: Martin Camaj ishte dhe mbetet i yni, se edhe ne, qoftë edhe kur nuk e kemi munduar as t’ia përmendnim emrin, kemi qenë gjithmonë të tijtë.
Tiranë, 10 tetor 2024
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.
N.Frashëri
Në relievin e letërsisë shqiptare Naim Frashëri me veprën dhe fjalën e tij të frymëzuar shënon majën më kulmore të mendimit poetik, duke u bërë një burim dritëdhënës për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në dekadat e fundit të shekullit XIX dhe më pastaj. I pushtuar nga angazhimi i madh i atdhetarisë ai u tret për idealin e shenjtë të përlindjës së kombit të vetë. Naim Frashëri digjej nga dëshira për ta parë Shqipërinë të çliruar nga robëria shekullore turke. Poeti e donte Shqipërinë një vend të lulëzuar, që të “zgjohej atëherë, kur u ngrohmoti,“ si shoqet përqark:
“Pa shiko lulet e tjera,
Q’u çel e lul’e u lulëzuan,
Shih, pa shih ç’u zbukuruan,
I ngjalli përsëri vera.
I ndërgjegjshëm për qëllimin e tij si atdhetar i flaktë, poeti ka kënaqësinë ta quaj Shqipërinë “Mërmë” dhe veten djalë i saj i përgjëruar :
Shqipëri! të qofsha falë!
Të kam mëm’ e më ke djalë.- (poezia “Parajsa”)
Duke studjuar misionin e shkrimtarit në veprën e Naim Frashërit, Prof. E. Çabej ka shkruar për të: “Poeti e ndjen veten të dërguar që me anë të fjalës së tij të zgjojë kombin nga gjumi i gjatë i shekujve. Rëndësia e tij qendron kryesisht këtu, që ai në kohë të sundimit të huaj ndezi pishtarin e lirisë, që e hodhi këtë në literaturë dhe e mbajti ndezur ne dorë. Ai përmbushi detyrën që i pat caktuar vetes……ai i derdhi të gjitha fuqitë e tij mendore e fizike dhe në këtë punë shkriu veten në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qiriri që ai këndon në një nga vjershat e tij, i cili digjet vetë për t`u ndritur të tjerëve, është një simbol i poetit vetë dhe i veprës së tij..”
I frymëzuar nga dëshira e zjarrtë për t`u dhënë shqipëtarëve“pakëz dritë”, Naim Frashëri shkroi më gjithë fuqinë e shpirtit vjersha patriotike, me qëllimin e lartë që të ngjallte në zemrat e bashkëkombësve dashurinë për Atdheun dhe lirinë dhe të forconte në mbarë popullin e tij vetëdijën kombëtare,duke u bërë ashtu me veprën e përkushtimin e vetë Apostull i Shqipëtarizmës, i ndërgjegjshëm për misionin historik të poetit, ai përgjërohet para bashkëkohësve:
Në mes tuaj kam qendruar
E jam duke përvëluar
Që t`u jap pakëz dritë,
Natën t`ua bëj ditë.
…………………………..
Për ju do rri të tretem
Asnjë çik të mos mbetem.
“Kurrë ndonjë poet s`është nisur ashtu vetëdijshëm rrugës së vetmohimit për hir të një qëllimi të shenjtë” – ka shkruar për të Prof. R.Qosja, dukë analizuar përkushtimin e madh të këtij poeti. Një personaliteti të tillë dritëdhënës i përshtaten fare mirë fjalët e novelistes amerikane Edith Wharton : “Janë dy mënyra për të shpërndarë dritë: të jesh qiri, ose pasqyrë që e reflekton atë”. Themi kështu, pasi Naimi me veprën e tij ndriti si qiri nga njëra anë, po nga ana tjetër pasqyroi dhe mendimin progresiv të kohës.
Figura iluministe e Naim Frashërit u shfaq në horizontin shqiptar në momentin historik më të nevojshëm, atëherë kur Perandoria Turke po numëronte vitet e fundit, kur vendet fqinjë kishin fituar pavarësinë dhe atdheu kish nevojë për dritë. Me veprën e tij ai u bë Volteri dhe Russoi i parë i Shqipërisë.
Si poet romantik dhe përçues i iluminizmit, Naim Frashëri u përpoq të rilindte ndërgjegjen kombëtare së pari përmes evokimit të së kaluarës historike, duke treguar lashtësinë e popullit dhe heroizmat e figurave më të shquara. Ashtu ai përpiqej poetikisht të rriste krenarinë kombëtare, të shtonte dashurine për Shqipërinë dhe ndjenjën e të qenurit shqipëtar:
“Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjallë ka qënë.
Pellazg` u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.
Përkrahës i teorisë pellazgjike lidhur më origjinën ë kombit tonë, Naim Frashëri rreh të kumtojë se “Neve jemi më të parët” në Evropë krahas helenëve dhe romakëve e madje dhe më të lashtë se ata. Tek rrëfen lashtësinë e kombit, poeti gjen rast dhe përmend figurat më të shquara të së kaluarës, thur vargje për trimërinë e heronjëvë të dikurshëm:
Pirrua ish nga Shqipërija
Trim q` e lëvdon historija,
Skënderbeu Kastrioti,
Q`u rrëfye aq i zoti,
Ishte burr` i Shqipërisë
Kështu gjithnjë po me këtë synim patriotik poeti tregon po me atë ndjenjë krenarie:
E kush e bëri Morenë?
Gjith shqipëtarë qenë.
S` ish shqiptar Marko Suli?
Xhavella e Miauli?
Bubulina e Kanari?
Shqipëtar bir shqiptari.?
Po ndjenjën e patriotizmit dhe të krenarisë kombëtare, më tepër se në çdo vepër , poeti do ta shfaqte te poema epike “Histori e Skënderbeut”. Është e vërtetë se autorë të hershëm shqiptarë si Marin Barleti, Tivarasi, Dhimitër Frangu , Gjon Muzaka, e më pastaj, Frang Bardhi e kishin vënë në qendër të librave dhe të shkrimeve të tyre heroin tonë kombëtar,Gjergj Kastriotin, Skënderbeun. Po ashtu qe vlerësuar dhë ngritur lart Skënderbeu edhe nga përsonalitete të shquara të botës. Papa Kalisti III do t`i jepte tiullin e lartë të “kapitenit të përgjithshëm të Selisë së Shenjtë “. Ky papë e lavdëronte dhe e propagandonte Skënderbeun si një “mbrojtës të krishtërimit” dhe i shkruante atij më 1457: “Nuk ka njeri në botë, i cili të mos dijë trimëritë që keni bërë, dhe i cili të mos ju lavdërojë gjer në qiell si një kryengritës të vërtetë dhe si një kryeluftëtarë bujar të krishtërimit” [Hist.ë Shqipërisë – f -310, 1959]. Po ashtu do ta çmonte heroizmin e Skënderbut më vonë, në kohën e iluminizmit, filozofi i famshëm francez, Volteri. Poeti angles, Bajroni, do ta kujtojë në veprën e tij “Çaild Harold”. Shkrimtarë e piktorë europianë e deri tek Longfellow në Amerikë do të trajtojnë në veprat e tyre figurën e Skënderbeut. Po rëndësia e veprës së Naim Frashërit për Skënderbeun qendron në atë se ai e shkroi në radhë të parë për gjithë popullin shqiptar dhe në një periudhë që ajo nevoitej aq shumë. Me poemën e tij ai e ngriti dhe e lartësoi Skënderbeun.“Naimi i jep dimensione të gjëra fytyrës madhore të Skënderbeut dhe e ngriti atë njeri (të ngritur në veprat e veta luftarake dhe morale) në nivelin e simbolit kombëtar të luftës për liri e pavarësi.”
Për ta dhënë sa më madhështore dhe tërheqëse figurën e heroit kombëtar, Naim Frashëri përdori gjithë talentin e tij poetik dhe përvojën letrare, që kish fituar nga letërsia klasike botërore. Përmes një imazhi gjysëm mitologjik, si tek “Íliada” dhe “Eneida”, ngrihet natën hija e të atit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit dhe endet në hapsirat e luftës, për të gjetur të birin, Gjergjin, e mbiquajtur Skënderbe:
U ngrit fat`i Shqipërisë,
Si i vdekuri nga varri,
Mori rrugën e Asisë,
Duke rendur si i marri.
Dhe kur hija e fanepsur e takon heroin, fillon t`i flasë. Ashtu si në një pamje danteske, si në një legjendë, hija bisedon me të birin, si i vdekuri më të gjallin:
Flë, i thotë, o jetëgjatë,
Nuk e di se ç`është bërë!
Ç`e gjëti të zinë tët atë
Dhe Shqipërinë të tërë.
Po qëllimi kryesor i poetit nuk është vetëm që të jap informacion për epokën e trimërisë Skënderbejane, por dhe të ndezë te lexuesit zjarrin e luftës kundër sulltanit dhe zgjedhës së robërisë turke. Jo më kot hija e të atit e vë në pozitë të vështirë heroin, kur do që ta nxisë për kryengritje:
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë!
Muratit i pinja gjaknë,
S`gënjehesha sot më fjalë.
Kuptohet se këto vargjëe kishin një tingëllim aktual. Analogjia historike është më se e qartë: Ashtu si luftuan Skënderbeu dhe i ati kundër sulltanëve, ashtu duhet të bënin edhe bashkëkohësit e poetit, që të shpëtonin Shqipërinë dhe të fitonin lirinë.
Me përmasa madhështore dhe si me imazhe homerike jepet edhe kthimi çlirimtar i Skënderbeut në Krujë.
Zjente fusha tundej mali
Nga armët e trimërisë,
Hingëllin e s` mbahej kali,
Që sjell mbrenë e Shqipërisë.
Poeti ishte i sigurt se çdo shqiptar, po të dinte dhe të njihte luftrat dhe trimëritë e Skënderbeut, do të krenohej me të dhe të kaluarën e atdheut. Për këtë arsye Naim Frashëri përpiqet të nënvizojë çdo vlerë morale e pamje heroike të kryëtrimit të Shqipërisë, aq sa edhe për armët e tij, kur i pa në muzeun e Vjënës, u mrekullua dhe shkroi i mahnitur e gjithë frymëzim:
Lum ti moj Shqipëri,thashë,
Armët ` e tij kur i pashë,
Ndë Belvedere, në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Ndjenjat patriotike poeti mundohet t`i forcojë jo vëtëm duke evokuar të kaluarën heroike dhe lashtësinë e kombit, po edhe duke treguar me gjithë frymëzimin e tij bukuritë e natyrës shqiptare. Me mall të patreguar dhe gjithë krenari ai shkroi për bukuritë e madhështinë e vendlindjes poemën e famshme lirike “Bagëti` e Bujqësija”. Tek këndon me dashuri të zjarrtë për malet e larta, për fushat e gjera me lule, për lumenjtë e kulluar dhe pyjet e gjelberuar të atdheut të tij, mbushet me krenari dhe flet me eksklamacion:
Ti , Shqipëri më ep nder, më ep emërin shqiptar,
Zemërënë ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr.
Kjo poemë qe një hymn madhështor për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët e kohës së Rilindjes, që ushtroi një ndikim të jashtëzakoshëm për edukimim e ndjenjave patriotike dhe forcimin e ndërgjegjes kombtare. Poema “Bagëti e Bujqësija” ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite një burim i pashtershëm atdhedashurie për të gjithë brezat.
Rigjallërimin e vetëdijës kombëtare poeti përpiqej ta bëntë edhe duke shtuar dashurinë për gjuhën amëtare, që ajo të mësohej e këndohej sa më mirë. Për poetin gjuha shqipe është e shenjtë dhe e lashtë sa vetë kombi. Sipas poetit shqipëtarët kanë atë “Gjuh` që flisnin Përënditë, /Atë flisnin Pëllazgjitë” Po gjuha e nënës sonë nuk është vetëm e lashtë, po edhe e bukur dhe e lehtë, prandaj duhet ta duan e ta mësojnë të gjithë:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël! Sa e gjerë!
Sa e lehtë! Sa e lirë!
Sa ë bukur ! Sa ë vlërë!
Naim Frashëri i pushtuar nga frymëzimi i zjarrtë i shqiptarizmës, shkruan më ndjenjë krenarije po edhe me një kënaqësi dhe admirim për bukurinë magjepsëse të gjuhës shqipe:
E ku shkruhen në kartë
Fjalët e gjuhës së zjarrtë!
Poeti me të drejtë vlerësonte lartë mësimin e gjuhës aq sa mësimin e saj e lidhte me përparimin kombëtar:
Vëllezër shqiptarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëmë udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.
Të shkruajmë gjuhën tënë,
Kombin ta ndriçojmë,
Gjithë ç`është e ç`ka qënë,
Nga dalëz ta mësojmë.
Naim Frashëri,që shkroi me kaq dashuri për bukurinë e gjuhës shqipe, u përpoq me gjithësa mundi intelektualisht me veprën e tij për lartësimin e nivelit kulturor të saj. Këtë anë të rëndësishme të veprës së poetit nënvizonte edhe albanologu i famshëm Norbert Jokl-i , i cili, duke shkruar për autorin e “Historisë së Skënderbeut” dhe të “Qerbelasë”, theksonte rolin e madh të veprës së këtij poeti për formimin e gjuhës letrare shqipe. Me veprat e Naimit gjuha shqipe u pasurua edhe nga ana leksikore me shumë fjalë të reja. Është shumë e dukshme përpjekja e tij si edhe dëshira e madhë për ta pasuruar, po edhe për ta pastruar gjuhën shqipe. Kjo anë e krijimtarisë së poetit duket edhe në titujt e librave shkollore e diturake, që botoi siç janë “Vjersha për Mësonjëtoret e Para” dhe “Këndimi i Çunave”, ku fjala “mësonjëtore “ zëvëndësonte fjalën “shkollë” dhë fjala “Këndim” fjalën “lexim”.
Naim Fashëri si poet mbarëkombëtar, i pushtuar tërsisht nga ideja patriotike e bashkimit dhe vëllazërimit të të gjithë shqiptarëve, ngrihet mbi ndasitë fetare. Shpirti i tolerancës e lartëson edhe më tepër figurën e tij si Apostull i shqiptarizmës. Nuk është e rastit që në librin “Lulet e Verës” midis vjershave me motive të ndryshme, ndodhet edhe poezia “Para Krishtit”. Në këtë poezi autori nuk e shikon Krishtin as si shenjtor, as si fetar, po si një njeri tokësor, si përfaqësues i humanizmit më të thellë, që predikon mirësinë dhe drejtësinë dhe që sakrifikon veten për njerëzinë.
Se kjo fytyrë
Është paqyrë,
Dhe na rrëfenë,
E s’na gënjen.
Gjithçka hequr njeriu i mjerë
Nga veth’ e tinë e nga i vëllaj
Që kanë vrarë e kanë prerë
Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.
Toleranca fetare e Naimit nuk e çudit aspak lexuesin, pasi ajo është edhe tolerancë e popullit të tij , gjë që flet për një psikologji të qytetëruar, për një civilizim mbarëshqiptarë. Poeti mbi gjithçka vë mëmëdhenë. Ai i drejtohet Nënës Shqipëri me apoteozë, duke u përfalur me përgjërim: “Shqipëri të qofsha falë,/ Të kam mëmë e më ke djalë”. Kështu, heroi lirik i Naimit u jep shëmbullin e tij shqiptarëve, që ta ndjejnë veten si ai, bijë të Nënës Shqipëri, që në radhë të parë Shqipëria të jetë metaforikisht “Parajsa” e tyre, kurse feja të mos i përçajë, se jemi vëllezër të një kombi, të një gjaku, të një gjuhe dhe një bese:
Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë,një besë.
Të bashkuar dhe jo të ndarë, shqipëtarët do ta shpëtojnë mëmëdhënë, prandaj ai i këshillon bashkëkohësit:
“Lëreni më nj`anë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë”
(Parajsa)
Po është e vetëkuptueshme se me këtë këshillë poeti shtron nevojën e bashkimit kombëtar, duke u ngritur kundër ndasive fetare, që viheshin re gjithandej. Pra, Naimi, kur thotë “Lëreni më nj’anë fenë”, nuk ngrihet kunder feve dhe as nuk tregohet “ateist”. Për më tepër, për të qënë sa më i vërtetë, pas kësaj porosije, ai bën edhe pak didaktikë, kur shkruan :
“Fet` e besët t`i kemi,
Po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë,
Priftër e kallogjër’ e kishë
Nderë që kanë ta kenë,
Po të duan mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë
Dhe tërë Shqipërinë
Kjo ide e Naim Frashërit, që feja të mos na ndajë, që për Shqipërinë “ t`i lëmë më nj’anë besimet fetare”, për analogji na kujton vetiu thirrjen e famshme të Pashko Vasës :
“ Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju,
Si vëllazën në një besë shrëngonju
Dhe mos shikjon kisha e xhamia
Fe e shqyptarit asht shqyptarija”
Pra dy autorë të famshëm të Rilindjes kanë ide të njëjtë për bashkimin kombëtar, duke kërkuar që ndasitë fetare të mos bëhen pengesë për idealin patriotik të unitetit mbarëkombëtar.
.
* * *
Vargje e më sipërme të marra nga poezitë e këtyre dy autorëve të Rilindjes sonë flasin për një dukuri të psikologjisë sonë kombëtare, për atë që shqipëtarët ndjenjën patriotike e kanë të shenjtë dhe mbi gjithçka.
Kjo ide e fuqishme e karakterit atdhetar të shqiptarit i pat tërhequr vemëndjen studjuesit austriak J. G. Hahnit, i cili rreth 150 e ca vjet më parë, më 1867, siç e thekson edhe Prof. Çabej, kur në veprën e tij shkruante: “Greku dhe vëllahu lirinë politike ia sakrifikon besimit. Shqiptarit i vjen aq rëndë të durojë zgjedhën, sa lirimin nga kjo zgjedhë e paguan me besimin e të parëve”.
Për ta përforcuar edhe më shumë këtë ide le të kujtojmë edhe deklarimin e ish kryeministrit të Malit të Zi, Vojvodës, Mark Milani, i cili pohonte se “sa herë që ne përpiqeshim të ndërsenim në Shkodër katolikët kundër muslimanëve, apo anasjelltas, e kishim betejën të humbur, sepse shqiptarët e kishin ndjenjën kombëtare shumë më të fortë” .
Më një fjalë, thënë më shkoqur, te shqiptari ndjenja kombëtare qendron e fuqishme dhe mirëkuptimi ndër fetar midis tyre është gjë normale. Aspekt i kësaj dukurie janë edhe martesat midis mijëra e mijëra shqiptarëve me besime të ndryshme, gjë që dëshmon realisht pohimet e J. G. Hahnit dhe M. Milanit.
* * *
. Po edhe kur shkruan për Abas Aliun dhe Qerbelanë, Naim Frashëri nuk është se do të propagandojë dogma fetare; përkundrazi, ai do të japë një mesazh, duke marrë anën racionale, humane dhe përparimtare të ngjarjeve. Qendrimi ideoemocional i autorit është pro me Alinë dhe me të bijtë, po është kundër palës regresive të përfaqësuar me Mauvian dhë Jezidin. Në një analizë për poemën “Qerbelaja”, Prof. Kristo Frashëri, njohës i historisë së Orientit, ka shkruar se Naimi ka marrë anën e Aliut dhe të bektashizmit, për arsyen se ky ishte drejtimi më progresiv, ishte si një lloj protestantizmi brenda muslimanizmit.
Lidhur me bindjen pantheistike të Poetit duhet nënvizuar edhe ideja e tij botëkuptimore për ndeshjen e së mirës me të keqen. Kjo gjë duket në natyrë siç është fenomeni i ditës dhe i natës , i dritës dhe i errësirës; në jetën njerëzore, ku ndeshet e vërteta me gënjeshtrën. Ashtu si ndodh edhe në jetën vetiake të njeriut, ku përzihen:
Dhe Parajsi dhe Skëterra,
Dhe ëngjëlli dhe djalli,
Edhe gjithçka të tjera,
Janë brenda tek i gjalli.
Këtë dualizëm konfliktuos poeti e shtrin edhe te puna e njeriut si edhe te subjekti i veprës letrare. Siç ka vënë re me kohë Prof E.Çabej “Te “Istori e Skënderbeut” të tërheq vëmendjen fakti se përfaqësuesit e së keqes janë sulltanët turq, Muradi II dhe Mehmëdi II, përfaqësuesi i së mirës i krishteri Skënderbë ( lë të nënkuptojmë këtu edhe të atin dhe gjithë njërëzit e tij të afërt – shënimi ynë -A.M.). Në këtë mënyrë trajtimi duhet t`ia çmojmë aq shumë poetit, kur që ky vetë ishte muhamedan. Kjo ndodh në frymë të karakterit të popullit shqiptar, tek i cili ndjenja etnike ka qenë gjithmonë më e fortë se ndjenja religjioze . Naimi i shikuar dhe nga kjo anë na tregohet pjella e thjështë e kombit të tij. Ai është frymë nga fryma jonë dhë gjak nga gjaku ynë”.
Naim Frashëri qe në të njëjtën kohë dhe poet dhe edukator i kombit të vet. Si një sociolog largëpamës ai këshillonte shoqërinë shqiptare që “gruaja duhet të jet` e mësuar më shumë nga burri, se fëmija së pari nga mëma e marrën arësimin dhe mësimet…..Gruaja është mëmë e fëmijësë, zonjë e shtëpisë dhë krei i njerëzisë”. Të shtroje para opinionit shoqëror ide të tilla progresive, kur në Shqipëri dhe në gjithë vendet fqinjë patriarkalizmi ishte aq sundues, do të thotë të ishe njeri me autoritet intelektual të jashtëzakonshëm, një dijetar me aureolë qiellore, para të cilit burrat e rëndë ulin kokën. Në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë nuk duhë harruar edhe thënia tjetër e Naimit për arsimimin e rinisë, që çdo prind të kujdesej më sa të mundej për të mësuar fëmijët , se ata, siç shkruante ai “janë për një kohë më tej nga koha juaj”. Ndërsa vetë të rinjtë i këshillonte me fjalën e urtë “Trupi shëndoshet me të punuar,,/ Mendja ndritohet me të mësuar”…. Po si edukator i kombit ai nuk mjaftohej vetëm me këshilla, po vriste mëndjen të ndihmonte konkretisht duke bërë libra diturakë për fëmijët e atëhershëm të Shqipërisë siç janë “Vjërshat për Mësonjëtoret e Para”, “ Këndimet e Çunave”, vjersha “Dituritë” , “Istori e përgjithshme”. Sot këto botime shkollore do të dukëshin didaktikë dhe miturake, por për në atë kohë, kur në Shqipëri kishte vetëm një shkollë shqipe dhe asnjë libër, rëndsia e tyre ka qënë e jashtëzakonshme. Përmes atyre teksteve të shkruara më një gjuhë të rrjedhëshme dhe të natyrëshme, autori përpiqej të jepte mësime edukative dhe informacoine shkencore. Me gjithë paraqitjen didaktike të atyre librave, ne , po të thellohemi në realitetin shqiptar të asaj kohe, gjejmë tek ato vepra edhe edukatorin, edhe dijetarin edhe artistin e fjalës, poetin e përkushtuar për gjithë çështjen kombëtare. E rëndësishme është të theksojmë me këtë rast se edhe nga ato tekste të thjeshta shkollore marim vesh mendimet përparimtare, që kishte përqafuar autori. Naimi kishte një kutpim materialist për Universin, sistemin diellor dhe planetet”:
Dheu është në mes të qiellit,
I vjen rreth e rrotull diellit.
Po kështu edhe për vetë diellin ai shkruan në përputhje me idenë e heliocentrike të N.Kopernikut
Dielli ësht` një yll i zjarrtë
Që ndrin posi lëmsh i artë,
Është me mijëra herë
Nga dheu m`i math e m`i gjërë.
Në mënyre realiste shpjegon Naim Frashëri edhe fenomenet e natyrës, reshjet atmosferike, vetëtimën, gjëmimet,elektrikun, për botën e gjallë shtazore,bimore, njeriun dhe evolucionin e tij nga barbaria deri në kohët e reja. Dikur njeriu “Me egërsirat luftonte”, po pastaj “Zu kafshët e i përdori,/Metalet nga dheu i nxori,/ Gjithë ç` kish nëvoj`,/ Mihu ,lëroi, mbolli korri,/ Shoshi, bloi, mbrujti e gatoi.”
Po t` i hedhësh një sy gjithë veprës letrare të Naim Frashërit, si në poezi ashtu edhe në prozë, dallon me një herë së ai kishtë një informacion shumë të gjerë kulturor; ai njihtë mirë letërsinë antike greko- romake, sidomos Homerin e Virgjilin, letërsinë europianë, Danten e autorët romantikë si Shatobriani, Lamartini e V.Hugoi; mbështetej në filosofinë e iluministëvë dhe idetë e dijetarëve materialistë si Volteri, Russoi, Lajbnici, Darvini e të tjerë,ashtu siç njihte edhe poetët e dijetarët orientalë si Firdusi e Rumiu.
Si u tha më sipër, Naimi, si ish student i gjimnazit Zosimea, pati ndikime të ndjeshme nga iluminizmi, që ka qënë rrymë filozofike e shek.XVIII. Iluminizmi qe një revolucion në mënyrën e të menduarit, që parapërgatiti ideologjikisht njerëzit dhe i priu revolucionit demokratike ne Europë dhë në Amerikë. Ishte koha e shkëlqimit të dritës mendore, kur Volteri në Francë i kishte hapur luftë obskurantizmit, dhe kërkonte që bota të drejtohej nga mbretëria e arsyes,duke lartësuar diturinë. Ish koha, kur Emmanuel Kanti në Gjermani reklamonte se motoja e jetës duhët të jetë “ Të guxosh për të ditur”-”Dare to know”, kur Th. Jeffërsoni në Amerikë, i ndikuar nga filozofia e Lockut dhe Volterit, përpiqej për diturinë e gjithë popullit the deklaronte “Dituria është fuqi”- (Knowledge is power). Ide të tilla përparimtare lëshonin dritë në mendjet e njerëzve. Ishte pikërisht ajo dritë që ënderronte dhe dëshironte Naim Frashëri me vargjet e
poezisë së tij:
Jak` o drit` e uruar,
Që lind nga perëndon.
At` an` e ke ndrituar,
E ne pse na harron?.
Si iluminist poeti ka shumë besim te dituria, se dritë e diturisë përpara do të na shpjerë, prandaj ai u bën thirrje të gjithëve për të fituar dituri dhe dritë:
O burra shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s` është koh` e parë,
Tani lipset dritë. Poetin e ngazëlleu hapja e shkollës së parë shqipe dhe me një lavdërim të veçantë shkruan për qytetin, që pat nderin të çelte i pari derën e saj:
Lumja ti , moj Korç` o lule,
Që i le pas shoqet e tua,
Si trime në ball` u sule,
Ta paçim për jetë hua.
Shkollat që po hapeshin dhë forcimi i përditshëm i ndërgjegjës kombtare e bënin optimist Naim Frasherin për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i Turqisë:
Se shqipëtari
E gluha e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipëria.
Besimi i poetit për ardhmërinë e Shqipërisë ishte i patundur, sepse ai e kuptonte që drita e diturisë po e mundte errësirën:
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë.
Shkoi errësira.
Naim Frashëri qe i bindur se dita e Pavarësisë nuk do të ishte ë largët. Me frymëzimin e tij poetik ai parandjente dritën e agimit të Shqipërisë:
Lum kush ta shoh
Për pak kohë.
Po ai vet, ai që u tret tërë jëtën si qiriri, nuk arriti ta shikonte atë ditë aq të dëshiruar. Për gjithë këto ane të personalitetit të tij intelektual dhe krijues ai qe bërë një apostull i shqiptarizmit. Naim Frashëri vdiq më 20 Tetor të vitit 1900, në Stamboll, dukë lënë pas dritën e veprës së tij dhe dëshirën e madhe që “Shqipëria të ndritohet, të lulezohet”. Ashtu, më veprën dhë fjalën e vetë, poeti qe futur në mendjen dhë në zemrën e gjithë shqiptarëvë. Si apostull i shqiptarizmës ai që bërë pjesë e ndërgjegjës kombëtare. Poeti e ndjente dashurinë e njerzëve, prandaj edhe shkroi:
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.
Dhe vërtetë ai është e do të jetë në mendjën e kombit shqiptar me vargjet e tij patriotike dhe dritën e mendimit poetik. Vepra e Naim Frashërit bëri epokë në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Së pari se me fjalën e tij edukoi gjithë popullin me dashurinë për atdhenë dhe së dyti se krijoi shkollën e parë poetike shqiptare, që nga morrën e marrin dritë breza të tërë poetësh deri në ditëtë tona..
Illyria, 20 tetor, 2003
MASHTRIMET E KISHËS ORTODOKSE SERBE ME AUTOQEFALINË DHE PASOJAT PËR SHTETIN E KOSOVËS Nga Jusuf BUXHOVI
Bektashizmi është urdhër mistik sufist, i themeluar nga Bektash Veliu (1209 – 1271), mistik, filozof dhe poet nga Horasani i Persisë. [Algar H. Khorä-sanian Sufi Häji Bektäs. Enciclopedia Iraniana, 2006, V, 117.]. Bektash Veliu e themeloi urdhërin e ri duke përvhetësuar parimet, rregullat dhe aspektet më pozitive të doktrinave fetare pararendëse të themeluara në lindje, kështu mori elemente nga Zarathutrizmi, Budizmi, Hinduizmi, Krishtërimi dhe Islamizmi, të cilat i përshtati mjeshtërisht në doktrinën e urdhërit të ri, duke i dhënë origjinalitet dhe fizionomi dalluese me urdhërat e tjerë.
Bektashizmi është urdhër autonom, i shquar për karakterin paqësor, tolerant, liberal, patriot, arsimdashës dhe ekumenik, pra bashkëpunon me të gjitha besimet e tjera fetare. Antonio Baldacci ka theksuar: “Saktësisht, bektashijtë nuk janë as myslimanë dhe as të krishterë” [Baldacci Antonio. l’Albania, Roma 1930, p 212 – 220]
Dishepulli i Bektash Veliut ishte persiani Sari Salltik (1267 – 1298), i mirënjohur si Piri i parë, i cili ndikoi në shprehjen e spiritualitetit, të mistiçizmit dhe përhapjen e bektashizmit në Persi, në Anadoll dhe në vendet Ballkanike. Për këto merita të Sari Salltik, shumë vende, ku u përhap bektashizmi, pretendojnë se kanë varrin e tij, nga rezulton se Ai ka shtatë varre, në shtatë vende të ndryshme: në Persi, në Turqi, dy në Shqipëri (në manastirin Shen Naunit në Pogradec dhe në malin e Krujës), në Korfuz, në Bullgari dhe në Budapest, krye-qyteti i Hungarisë, që shënon kufirin verior të përhapjes të bektashizmit.
Në shekujt XV – XVI, në përhapjen e bektashizmit u shquat Piri i dytë Ballem Sulltani (1457 – 1517). Ballem Sulltani ishte murg ortodoks bullgar, i konvertuar në bektashi, i cili ndikoi fuqishëm në përhapjen e bektashizmit, por në veçanti ka meritat se kodifikoi rregullat dhe normat e doktrinës të bektashizmit dhe në organizimin e institucioneve të urdhërit me Kryegjyshatën, Gjyshatat, Teqet dhe Tyrbet.
Ballem Sulltani përcaktoi veshjen tipike të klerikëve bektashi, shenjat dalluese dhe vendosi që klerikët të ruajnë virgjërinë, pra Dedei, Babai dhe Dervishi nuk martohen dhe për të shprehur këtë aspekt dallues, praktikoi në klerikët bektashi çpuarjen e veshit të djathtë dhe vënien e vathit të virgjërisë.
Karakteristike janë dhe rangjet e besimtarëve bektashi, të cilat cilësohen në gjuhë perisane:
⦁ Ashiku, ndjekës i pasionuar, i dashuruar me bektashizmin.
⦁ Myhib – ithtar. Ashiku bëhet Myhib (Ithtar) pasi kalon ritin e dëlirjes dhe deklaron besnikëri ndaj bektashizmit gjatë një ceremonie në teqe.
⦁ Dervishi (perisisht – i varfër), kleriku shërbyes në teqe dhe predikuesi i riteve fetare të bektashizmit. Dervish bëhen vetëm myhibët dhe janë Myxherë, persona me përvojë në jetë dhe të pamartuar.
⦁ Babà – kleriku drejtues i një teqeje.
⦁ Halife-Babà – gjysh, drejtues i gjyshatave.
⦁ Dede-Babà, – Kryegjyshi, autoriteti më i lartë i Urdhërit Bektashi, drejtuesi i Kryegjyshatës Botërore
Urdhëri Bektashi, ka diferenca të dukëshme me fenë islame. Myslimanët synitë nderojnë binomin Zoti – Muhameti, ndërsa urdhëri Bektashi, nderon dhe udhëhiqet nga trinia e shenjtë: Zoti – Muhameti – Aliu.
Doktrina bektashiane ndjek katёr parime themelore:
⦁ Hakikati – sinqeriteti, e vёrteta, e drejta.
⦁ Tarikati – thirrja e brendёshme shpirtërore.
⦁ Marifeti – dituria, arsimimi.
4. Sheriati – zbatimi i ligjeve, i rregullave, i dokeve dhe i dhe i normave etiko – morale të shoqërisë.
Bektashijtë nuk mbajnë Ramazan, por për 10 ditë mbajnë Matem, që evokon martirët e luftimeve në Karbala, ku imam Aliu ndejti 10 ditë pa pirë ujë. Gjatë ditëve të Matemit bektashijtë e devotshëm nuk pijnë ujë, por ndryshe nga myslimanët, hanë ushqime në të tre vaktet, pёrdorin pijet alkoolike, rakinë, venën dhe lëngje frutash. Në tre ditët pas matemit, organizohet festa e Hashures.
Në ritet dhe në festat e bektashijëve marrin pjesë edhe gratë.
Urdhëri Bektashi e ndalon mbulimin e fytyrёs të grave.
Bektashijt nuk hanë mish lepuri, ndërsa konsumojnë të gjithë llojet e mishrave të kafshëve shtëpijake dhe të egra, përfshi dhe mishin e derrit të egër.
Që në zanafillat e përhapjes në trojet shqiptare, bektashizmi i ka kryer të gjitha shërbesat dhe ritet fetare, vetëm në gjuhën shqipe, në ndryshim nga të gjitha besimet e tjera fetare në Shqipëri, që ende vazhdojnë të predikojnë në arabisht, greqisht dhe latinisht.
Profeti i bektashizmit shqiptar, poeti Naim Frashëri ka thënë: “Bektashizmi është filozofia e shprehur në besim, në letërsi, në art, në arkitekturë, në mënyrën e jetesës, në patriotizëm edhe në shqiptarizëm”.
Bektashizmi në Shqipëri u përqafua së pari nga myslimanët e në vazhdim nga banorët ortodoksë, që u lidhën me urdhërin e ri, si kundërvënie ndaj turqëve myslimanë synitë.
Historikisht bektashijtë ishin dhe janë faktor ekuilibri, me ndikim në shuarjen e konflikteve ndërfetare, ndërmjet banorëve myslimanë me të krishterët. Është meritë e Urdhërit të Bektashive, që në Shqipëri nuk janë zhvilluar luftra fetare.
Në trojet arbërore bektashizmi filloi të përhapet në fund të shekullit XVI, fillimisht në Tetovë. Dervishi Sersem Ali Baba, poet, teolog dhe filozof tetovar, në vitin 1548 filloi ndërtimin e Teqes Harabati në Tetovë (Harabat – Tempulli i shenjtë). Në vitin 1799, mjediset e Teqes Harabat në Tetovë u zgjeruan, si janë dhe aktualisht. Në vitet e më pasme Bektshizmi u përhap dhe në trojet e tjera arbërore.
Elvija Çelebia kur vizitoi trojet arbërore në gjysmën e dytë të shekullit XVII, tregon se pas vitit 1660 ishin ngritur teqe të Bektashive në Mitrovicë dhe në Kaçanik të Kosovës, në vitin 1670 isht ngritur teqet në Kaninë dhe në Vlorë. Pas këtyre teqeve të para, në vitin 1780 Asim Babai hapi teqen e Zallit në Gjirokastër. Nga viti 1790 – 1870 bektashizmi u përhap masivisht në trojet shqiptare. [Roberet Elsie. The Albanian Bektashi: The history and culture of a drevish order in the Balkans. Edit: I. B. Tauris, 2021].
Bektashizmi ka dhënë një kontrubut të madh në rilindjen kombëtare shqiptare, për arsimimin në shqip dhe pavarësinë e vendit tonë nga shtypja pesëshekullore e pushtetit obskurantist të Perandorisëë osmane.
Pas Kongresit I të Bektashive i mbledhur në Prishtë të Skraparit në Janar 1922, bektashinjtë shqiptarë e shpallën veten të pavarur nga bektashinjtë e Turqisë.
Në Kongresin II Kombëtar të Bektashijve, që u mbajt më 8 – 9 korrik 1924, nën drejtimine Baba Ahmet Turani, komuniteti bektashi vendosi të zhvendosi selinë e urdhërit në Tiranë.
Në Kongresin III Kombëtar të Bektashive, që u mblodh më 23 shtator 1929 në Teqen e Turanit në Korçë, nën drejtimin e Baba Zylfo Melçanit, Bektashizmi u deklarua bashkësi fetare mëvehte dhe u shpall sistemi i krygjyshatës botërore me seli në Tiranë.
Në vitin 1929, në trojet e banuara nga shqiptarët funksiononin 65 Teqè.
Pas një periudhë politike absurde atesite të sistemit komunist, Urdhëri Bekashi u ripërtëri dhe u forcua në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët dhe më 22 mars 1991, në festën e Novruzit, në Tiranë u rihap selia botërore e Urdhërit Bektashi, me Kryegjysh Haxhi Reshat Bardhi dhe nga viti 2011 Haxhi Edmond Brahimaj.
Në fillimet e shekullit XXI, besimtarët bektashi përbëjnë 25 % të popullatës.
Kur Toka bllokon rrezet e diellit, hija e saj bie në Hënë, duke krijuar një spektakël magjepsës të njohur si një eklips hënor. Këto ngjarje qiellore ndodhin kur Toka është drejtpërdrejt midis Diellit dhe Hënës, duke bërë që hija e Tokës të mbulojë Hënën. Eklipset hënore mund të ndodhin vetëm gjatë Hënës së Plotë kur Dielli, Toka dhe Hëna rreshtohen pothuajse në mënyrë të përsosur.
Çfarë është një eklips hënor?
Një eklips hënor ndodh kur hija e Tokës bie në Hënë. Ekzistojnë tri lloje: totale, e pjesshme dhe gjysmë. Gjatë një eklipsi total hënor, e gjithë Hëna kalon nëpër hijen e Tokës, pjesën më të errët të hijes së saj, shpesh duke marrë një nuancë të kuqërremtë për shkak të dritës së diellit që filtron nëpër atmosferën e Tokës, një fenomen që zakonisht quhet Hëna e përgjakur. Në një eklips të pjesshëm hënor, vetëm një pjesë e Hënës hyn në hije, duke rezultuar në një pjesë të Hënës që duket e errët. Një eklips gjysmë hënor është më delikat, me Hënën që kalon nëpër pjesën e jashtme më të lehtë të hijes së Tokës, duke shkaktuar një zbehje të lehtë që mund të jetë e vështirë të vërehet.
Çfarë e shkakton një eklips hënor?
Eklipset hënore janë rezultat i shtrirjes së Diellit, Tokës dhe Hënës. Atmosfera e Tokës përkulet dhe shpërndan dritën e diellit, duke filtruar pjesën më të madhe të dritës blu dhe duke lejuar gjatësitë e valëve të kuqe të arrijnë në Hënë, duke i dhënë asaj një pamje të kuqërremtë gjatë eklipseve totale. Megjithatë, pavarësisht orbitës 29.5-ditore të Hënës rreth Tokës, eklipset hënore nuk ndodhin çdo muaj për shkak të animit të orbitës së Hënës rreth 5 gradë në krahasim me orbitën e Tokës rreth Diellit, duke bërë që të tre trupat të mos rreshtohen gjithmonë në mënyrë të përsosur.
Sa shpesh ndodhin eklipset hënore?
Mesatarisht, ka rreth dy eklipse hënore çdo vit, megjithëse disa vite mund të kenë asnjë ose deri në tre. Jo të gjitha janë eklipse totale hënore, por ndryshe nga eklipset diellore, të cilat janë të dukshme vetëm nga pjesë të veçanta të botës, eklipset hënore mund të shihen nga kushdo në anën e natës së Tokës. Faza totale e një eklipsi hënor, ku Hëna është plotësisht brenda hijes së Tokës, mund të zgjasë deri në rreth 1 orë e 40 minuta, duke e bërë atë një spektakël më të gjatë në krahasim me eklipset diellore.
Si duken eklipset hënore?
Gjatë një eklipsi total hënor, Hëna mund të kthehet në një ngjyrë të kuqe të thellë, duke krijuar një pamje mahnitëse. Nuanca e saktë e së kuqes mund të ndryshojë në bazë të kushteve atmosferike të Tokës, si pluhuri vullkanik ose tymi i zjarrit. Në eklipset e pjesshme hënore, Hëna duket pjesërisht me hije, me një kontrast të mprehtë midis zonave të errëta dhe të ndriçuara. Eklipset penumbrale janë më delikate, me Hënën që shfaqet vetëm pak më e zbehtë, duke e bërë të vështirë vëzhgimin pa vëmendje të kujdesshme.
Dallimi mes eklipseve diellore dhe hënore
Ndërsa të dy llojet e eklipseve përfshijnë shtrirjen e Diellit, Tokës dhe Hënës, ato ndryshojnë ndjeshëm. Një eklips diellor ndodh kur Hëna është midis Diellit dhe Tokës, duke hedhur hijen e saj në Tokë, e dukshme vetëm nga zona të veçanta dhe që kërkon syze të posaçme për shikim të sigurt. Në të kundërt, një eklips hënor ndodh kur Toka është midis Diellit dhe Hënës dhe mund të shihet i sigurt nga kudo në anën e natës së Tokës pa pajisje mbrojtëse.
Shikojeni vetë!
Eklipset hënore nuk janë vetëm fenomene natyrore magjepsëse, por edhe mundësi të shkëlqyera për t’u përfshirë me sistemin tonë diellor. Qoftë duke parë Hënën të kthehet në të kuqe gjatë një eklipsi të plotë ose duke vëzhguar zbehjen e lehtë në një eklips gjysmënumbral, këto ngjarje ofrojnë një shans për t’u lidhur me qiellin e natës. Eklipsi tjetër hënor është natën e 17/18 shtatorit, një eklips i pjesshëm ku një pickim i vogël do të jetë i dukshëm në diskun e Hënës. Mos e humbisni!/Discover – Syri.net
Huawei ka prezantuar zyrtarisht telefonin e parë në botë me dy mekanizma palosjeje dhe tre ekrane, një pajisje që është po aq e shtrenjtë sa pritej. Çmimet në Kinë për modelin Mate XT Ultimate Design fillojnë nga 19,999 juan (rreth 2,809 dollarë) për versionin me 256GB hapësirë ruajtjeje, që është rreth 300 dollarë më shumë se një MacBook Pro i ri 16 inç. Ky model është pjesë e linjës “Ultimate Design” të Huawei, e cila është e njohur për produkte luksoze dhe inovative.
Mate XT ka një dizajn të dyfishtë me palosje në formë “Z”, që lejon përdorimin në formate të ndryshme. Ekrani OLED është 6.4 inç kur është i mbyllur si një pajisje tradicionale, ndërsa kur hapet plotësisht, zmadhohet në 10.2 inç duke ofruar një përvojë të ngjashme me një tablet. Pajisja mund të përdoret edhe në një konfigurim më të vogël prej 7.9 inç kur nuk është hapur plotësisht.
Telefoni ka një bateri 5,600mAh dhe mbështet karikim me kabëll prej 66W dhe pa kabëll prej 50W. Ka gjithashtu një sistem treshe kamerash në pjesën e pasme, përfshirë një kamerë kryesore 50 megapiksel, një kamer me kënd ultra të gjerë prej 12 megapikselësh dhe një kamerë periskop prej 12 megapikselësh. Për selfie, ka një kamerë 8 megapiksel të pozicionuar në ekranin e majtë kur pajisja është e hapur plotësisht.
Telefoni është lansuar fillimisht në Kinë dhe çmimi fillon nga 19,999 juan (rreth 2,809 dollarë) për modelin me 256GB memorie të brendshme, duke e bërë atë më të shtrenjtë se një MacBook Pro 16-inç. Gjithashtu, janë në dispozicion modele me kapacitet më të lartë për 21,999 juan (rreth 3,089 dollarë) për 512GB dhe 23,999 juan (rreth 3,370 dollarë) për 1TB.
Për shkak të çmimit të lartë dhe inovacionit të ri, Mate XT pritet të përbëj konkurrencë të fortë në treg, sidomos me telefonat e palosshëm të tjerë si seria Galaxy Z Fold nga Samsung. Gjithashtu, markat e tjera si Xiaomi dhe Oppo po zhvillojnë versione të ngjashme të telefonave me tre ekrane të palosshëm.
Për momentin, nuk ka informacione të qarta në lidhje me disponueshmërinë e Mate XT jashtë Kinës, por pritet që Huawei të japë më shumë detaje së shpejti edhe për blerësit e interesuar jashtë territorit të Kinës.bw
Lajmet me interesante
-
“Votoni! Le të bëjmë histori duke votuar Kamala Harris”, Biden mesazh qytetarëve amerikanë nga Shtëpia e Bardhë
November 5, 2024
-
Përkujtohet Bedri Alimehmeti, kujtohet dhe vlerësohet nga personalitete të shquara
November 3, 2024
-
ALI PASHË TEPELENA NE KOMITET- Tregim humoristik nga Shkëlqim HAJNO
November 2, 2024
-
Pier Paolo Pasolinit Poezi nga Elida Buçpapaj
-
U nda nga jeta pedagogia veterane e pianos Elsa Veizi – Lajmin e hidhur e dha djali i saj
November 7, 2024
-
KUR TË VJEDHIN JETË… – Intervistë e shkrimtarit italian Renato Minore me Visar Zhitin –
November 3, 2024
Lajmet e fundit
-
DËSHMIA BINDËSE DHE DINJITOZE E FADIL GECIT NË HAGË- Nga IDRIZ ZEQIRAJ
By voal.ch | November 8, 2024
-
Zbulohet peshkaqeni fantazmë në Shqipëri, befasohen shkencëtarët
By voal.ch |
-
GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kalon për gjykim 7 të pandehur të dosjes “Metamorfoza”
By voal.ch |
-
OKB: Gati 70% e të vdekurve nga lufta në Gazë janë gra dhe fëmijë
By voal.ch |
-
Inceneratori i Tiranës- Alqi Bllako merret i pandehur për korrupsion
By voal.ch |
-
Protesta- “Mbroni jetën e fëmijëve”, me foton e 8-vjeçarit që humbi jetën në aksident, banorët e Pajovës bllokojnë qarkullimin e makinave
By voal.ch |
Komentet