I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë 31 janar 2022.
RFE/RL
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut nisi me takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak pritet të takohen me lidershipin politik, si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.
Ndonëse Hovenier nuk i ka përmendur në mënyrë specifike ato modele, Osmani ka thënë të hënën se institucionet e Kosovës janë të vendosura që “të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional”.
“Propozimet, për të cilat po përflitet, për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk u janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës”, u ka thënë Osmani gazetarëve gjatë një vizite në Podujevë.
“Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani, e cila ka qenë e shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia vazhdimisht ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për mosgatishmëri për dialog, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje palëve që të angazhohen në këtë proces, që synim ka arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.
Në fund të vitit të kaluar, Kurti ka deklaruar se duhet gatishmëri më e madhe edhe nga Serbia për vazhdimin e dialogut.
“Duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia. Se kur zhvillohen takimet në Bruksel, nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time”, ka deklaruar Kurti më 29 dhjetor,2021.
Më herët, ai ka thënë se është e pritshme që marrëveshja të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 7 dhjetor se Serbia e dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, porse Prishtina është ajo, e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.
Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviq, ka thënë më 30 janar se “fajtor” për moszhvillimin e rundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prejse Kurti ka nisur udhëheqësinë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos”, ka thënë Sellakoviq.
Që nga koha kur Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës në mars të vitit 2021, ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Që të dyja takimet kanë qenë të pasuksesshme dhe kanë dëshmuar se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.
Pikërisht kjo i ka detyruar zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.
Serbia insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë që është kundërshtuar nga Kosova.
Për Prishtinën zyrtare, çështja e personave të zhdukur e lëvizja e lirë janë në mesin e prioriteteve.
Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011.
Ndonëse, fillimisht, është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të kenë dialog teknik, të cilin do ta udhëheqin grupet punuese të të dyja vendeve, në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik.
Marrëveshja e parë, që është arritur në vitin 2011, ka qenë për librat e amzës dhe më pas është nënshkruar edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.
Kanë pasuar edhe marrëveshje të tjera, si ajo për vulat doganore, për pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufijve, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomunikacionin dhe vizitat zyrtare, për energjetikën, për gjyqësorin etj. Por këto marrëveshje nuk janë zbatuar të gjitha në terren.
Prishtinë – Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë, por që sipas tij, Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase.
“Mund të jenë grupe të ngjajshme sikurse grupi i Banjskës, ndoshta me numër më të vogël se ata, por që që ata mund të jenë më të përgatitur profesionalisht, mund të jenë ekspert të fushave të caktuara që mund ta godasin policinë e Kosovës për interesat e tyre në veri të vendit. A do të ketë ndonjë invazion, agresion nga Serbia në territor të Kosovës, kjo është çështje që duhet të diskutohet në nivele tjera, mirëpo ne si polici i kemi kapacitet tona, të përgatitura profesionale për tu ballafaqu me çfarëdo sulmi të këtyre grupeve kriminale. Ndërsa për pjesë të tjera është përgjegjësi e KFOR-it, FSK-së normalisht edhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha.
Drejtori i Policisë ka folur edhe për lëvizjet e mjeteve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, duke deklaruar se ushtria serbe po u hap rrugë dhe shtigje terroristëve që synojnë destabilizimin e vendit.
“Këto janë tentativa të Serbisë që të tregojë se është afër kufijve të Kosovës. Ka qenë një prezencë e ushtrisë serbe gjatë javës që shkoi. Janë informacione dhe pamje të siguruara nga institucione të sigurisë së Kosovës që punojnë rreth kufirit. Ne e kemi alarmu KFOR-in dhe kemi qenë në kontakt me KFOR-in rreth kësaj prezence dhe poashtu gjatë javëve të fundit ne kemi qenë në përgatitje maksimale sa i përket mundësisë së levizjes së depërtimit të qoftë forcave kriminale, qoftë ndonjë veprimi diverzant të ndonjë grupi të caktuar nga institucione të sigurisë së Serbisë”, tha drejtori Hoxha.
Ai gjithashtu informoi se makineritë serbe të ushtrisë shpesh herë po punojnë rreth kufijve të Kosovës, duke riparuar ose hapur rrugë e që sipas tij kjo ndodh për të krijuar mundësi që grupet si ai i “Banjskës” të depërtojnë më lehtë.
“Është një kërcënim por që ne po vazhdojmë ta monitorojmë dhe jemi të gatshëm të i dalim ballë”, deklaroi Hoxha.sn
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova i takon Bashkimit Evropian dhe se çdo vend demokratik brenda BE-së e di se Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon.
Në takimin e 11-të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, Bislimi ka thënë se Kosova i është bashkuar vendeve që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë.
“I jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kemi qenë të angazhuar edhe në planin e rritjes të Komisionit Evropian. Progresi demokratik nënkupton anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i dërgohet pyetësori. Mosnjohja nga pesë shtetet nuk ka qenë problem për vendimin për vizat. Institucionet do të jenë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori. Çdo vend demokratik brenda BE e di se Kosova është një ndër vendet më demokratike në rajon”- ka thënë Bislimi.
Sipas Bislimit, përgjigjja e BE-së dhe e NATO-s ndaj kërcënimeve që i janë bërë Kosovës, ka qenë shumë e qartë.
“Përgjigjja e BE-së dhe NATO-s në rajonin lindor të Evropës ka qenë shumë e qartë, kështu duhet të trajtohet edhe kërcënimi i sigurisë për Ballkanin Perëndimor”, ka vijuar ai.
Kosova, sipas Bislimit, i vlerëson rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bislimi ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja dhe duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.
“Duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka theksuar Bislimi.sn
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën, pasi “erdhi për të na provokuar” të enjten.
“Nuk është normale që ato automjete ushtarake të mbërrijnë vetëm pak metra larg kufirit. Jam i kënaqur që nuk janë sot, nuk kanë qenë deri në orën 16.00”, tha Kurti duke folur në një konferencë për media në Prishtinë.
Ai tha se autoritetet kosovare e regjistruan lëvizjen e tyre përgjatë kufirit kosovar, por “ne nuk bëmë asgjë”.
“Ne ishim të kujdesshëm, shikonim nëse do të kalonin kufirin, por ata nuk e kaluan kufirin”, shtoi ai.
Kurti tha për herët të parë të enjten pak para mesnatës së ushtria serbe u pa duke lëvizur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si “provokime të qëllimshme”.
Të premten më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”.
Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.
Më herët gjatë ditës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.
“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha O’Brien.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, dhe u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.
I pyetur në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kurti, KFOR-i tha se “qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”.
“Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përshkallëzuan në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin verior kosovar, Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor.
Tre sulmues serbë u vranë nga shkëmbimi i zjarrit më vonë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë se ka gisht në këtë sulm dhe se u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës, por kjo është mohuar nga Beogradi zyrtar.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit.REL
Populli i Kosovës renditet i 29-ti në Raportin e Lumturisë i publikuar sot. Sipas këtij, raporti të rinjtë në Kosovë janë më të lumtur se grupmosha më e vjetër.
Te grumposha nën 30 vjet, kosovarët zënë vendin e 23-të si më të lumturit në botë. Ndërsa te grumposha mbi 60 vjet, kosovarët bien në vendin e 39-të si më të lumturit në botë.
Në Raportin e Lumturisë për periudhën 2021-2023, kosovarët del të jenë ngritur në ranglistën e lumturisë.
Finlandezët zënë vendin e parë si më të lumturit në botë. Pas tyre janë danezët e islandezët. Suedezët dhe izraelitët kompletojnë top-pesëshen.
Afganët janë populli më i palumtur në botë. Libani, Lesoto, Sierra-Leone dhe Kongo e pasojnë.
Raporti është publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë. Ky raport mbledh të dhëna nga anketat në më shumë se 140 shtete. Ato rangohen bazuar në vlerësimin e jetës që e bëjnë njerëzit në tri vitet paraprake, në këtë rast nga 2021 deri më 2023.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.
Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.
Toka, që u regjistrua në pronësi të Manastirit, gjendet rreth këtij manastiri, në kadastër kishte qenë e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e kishin zbatuar, duke argumentuar se kjo sipërfaqe ishte marrë me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Nga Manastiri i Deçanit kishin thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në vitin 1997, manastirit iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i ishin marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit.REL
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit ka qenë kompromisi më i dhimbshëm i kësaj qeverie.
Sipas tij, zbatimi i vendimit u kthye në formë kompromisi në janar të këtij viti, për të siguruar vendin në Këshillin e Evropës.
“Manastrin e Deçanit, për nëntë vite na kanë thënë bëjeni se e keni obligim. Tash për herë të parë, prej janarit nuk është më bëjeni se e keni obligim, por bëjeni se mund të arrini një arritje shumë të madhe për Kosovën, që është Këshilli i Evropës, që i bie e ka formën e kompromisit e nuk mund të bëhet vetëm si diçka që Kosova e ka obligim sepse është vendim i dhimbshëm ky. Ky është vendimi më i dhimbshëm që Kosova e ka marrë”, tha Konjufca në Kanal 10.
Gjatë javës së kaluar kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës ta zbatojë vendimin e Kushtetueses lidhur me 24 hektarë rreth Manastirit të Deçanit, për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës kishte para vetes dy opsione – të zbatojë vendimin e Kushtetueses e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, andaj tha se vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.
Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.
“Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.
Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo ka thënë se janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.
“Të mos shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës”.
Osmani ka thënë se ka shpresa që shumë shpejt do të arrihet pajtueshmëri edhe për pikën e dytë.
Prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.
Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.
Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër.
“Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”.
Tek jo e fundit, ajo e ka përmendur nevojën e sigurimit të kufirit me Serbinë, e cila, sipas saj, shqyrton vazhdimisht mënyra për ta sulmuar Kosovën.REL
Shërbimet e inteligjencës gjermane kanë përgatitur për qeverinë në Berlin një analizë të kërcënimit ushtarak nga Rusia, ku parashikohet se Rusia deri më 2026 mund të sulmojë territore të NATO-s.
Kjo mund të sjellë edhe fuqizimin e Rusisë në pikëpamjen e fuqisë së saj ushtarake. “Nuk përjashtohet mundësia që Rusia të pushtojë një vend të NATO-s deri më 2026. Më tepër të rrezikuara janë vendet baltike, por edhe Finlanda”, thuhet në relacion.
Bussines Insider raporton se selia e NATO-s gjithashtu ka ndarë shqetësime për faktin se Rusia mund të fuqizohet ushtarakisht, por se nuk mendon se Moska do të hapë një luftë të re. Duke parë rreziqet që vijnë nga Rusia, vendet anëtare të NATO-s do të rrisin investimet e tyre në ushtri.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier.
Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.
Kryeministri tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.
Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.
Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb.
Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë.
Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thirrur seancë shënjuese me të gjitha ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”.
Siç bëhet e ditur, seanca ka nisur në orën 11:00.
Në fillim të seancës e mori fjalën Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, pastaj Tinka Kurti, kryetare e Grupit të Grave Deputete.
Po ashtu fjalime mbajtën edhe Albana Gashi nga LVV, Flora Brovina nga PDK, Besa Gaxherri nga LDK, Teuta Haxhiu nga AAK dhe Myfera Sërbica-Shinik nga Grupi Multietnik.sn
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ministria që ajo drejton, raportin për sulmin terrorist në Bansjkë e ka përcjellë te ndërkombëtaret qysh në tetor të vitit të kaluar.
Ajo thotë se ndërkombëtarët janë të tronditur kur e shohin atë raport, për shkak se aty ka edhe fotografi të ndryshme që e tregojnë sa masiv ka qenë sulmi.
“Në përgjithësi, janë shumë të tronditur kur ua japim atë raport, sepse aty ka edhe fotografi të ndryshme të cilat e shpjegojnë, jo vetëm sa masiv ka qenë ai sulm, por shpjegojmë edhe origjinën e armëve, që janë aty, sasinë e armëve, përshkrimin e armëve e tjerë e tjerë. Zakonisht, partnerët me të cilët bisedoj dhe u jap në dorë, janë mjaft të tronditur nga përmbajtja e tij. Por, është shumë me rëndësi të thuhet që informacionet janë dhe informacionet, faktet që ne i kemi futur në atë raport janë të verifikueshme në Kosovë”, tha Gërvalla.
Ajo thotë se nuk e di ende përse Prokuroria ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.
“Nuk është që ne nuk kemi përfaqësues ndërkombëtarë që po të ketë dilema rreth vërtetësisë së atyre fakteve, u dashka të presim Prokurorinë dhe Gjykatën. Krejt tjetër temë është për ne, pse Prokuroria ende, gjashtë muaj më pas nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë të vetme për rrethana të cilat qartë e tregojnë”, tha Gërvalla./EXPRESS
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit.
Komandanti i KFOR-it, Oezkan Ulutash, ka thënë se njësitë e këtij misioni do të vazhdojnë të kujdesen për sigurinë përreth manastirit.
“Mirëpresim vendimin e institucioneve të Kosovës, i cili njeh pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Agjencia Kadastrale e Kosovës tashmë është udhëzuar të zbatojë këtë vendim”, tha ai për “Zërin e Amerikës”, duke shtuar se njësitë e KFOR-it, që janë të angazhuara për mbrojtjen e kësaj zone fetare do të vazhdojnë të kryejnë këtë detyrë të rëndësishme, në përputhje me bashkëpunimin e gjatë e të mirëvendosur me autoritetet lokale fetare.
Më herët edhe shtetet e QUINT-it mirëpritën këtë vendim duke e cilësuar si “hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve të Kosovës në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.
Qeveria e Kosovës njoftoi të mërkurën se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.
Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Komentet