VOAL

VOAL

Ekspertët: Këmbëngulja e SHBA-së, kontrast i BE-së

September 22, 2020

Komentet

Analiza e DW: A duhet të rrëzojë NATO dronët rusë mbi Ukrainë?

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, 8 shtator, dy avionë luftarakë rumunë F-16 u ngritën nga baza ajrore në Borca, një qytet afër kufirit me Ukrainën. Banorët e rajonit u paralajmëruan me mesazhe në celular për mundësi rreziku. Paralajmërimi u dha pasi sistemi rumun i vëzhgimit me radarë zbuloi një dron rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune. Droni thuhet se qëndroi atje për më shumë se 30 minuta dhe përfundimisht u kthye përsëri në drejtim të Ukrainës.

 

Nuk ishte ky incidenti i parë i këtij lloji në Rumani në territorin e NATO-s. Vetëm një ditë më parë, një dron rus u rrëzua në Letoni. Numri i incidenteve të tilla është rritur në katër javët e fundit dhe Rusia duket e gatshme të rrezikojë edhe më shumë. “Situata po përkeqësohet dhe NATO duhet të gjejë një përgjigje tani,” tha për Deutsche Wellen, Jamie Shea, ish-zëvendës ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfidat e reja të sigurisë.

Shea, tani një bashkëpunëtor i lartë në Friends of Europe, një institut kërkimi në Bruksel, argumenton se aleanca duhet “t’u japë anëtarëve të saj mbrojtje më të madhe”. Aleanca ka premtuar se do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

A po teston Rusia NATO-n?

NATO ka dënuar shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nga Rusia, duke i quajtur ato “të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme”. Megjithatë, në një postim në rrjetin social X, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s në largim, Mirce Joana, theksoi se aleanca nuk ka asnjë informacion që “tregon një sulm të qëllimshëm nga Rusia ndaj aleatëve”.

Ekspertë të tillë si Jan Kalberg, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me qendër në Uashington, dyshojnë se Rusia mund të shqyrtojë përgjigjen e NATO-s dhe të përpiqet të gjejë mospërputhje “midis asaj që themi dhe asaj që bëjmë”. Ata gjithashtu mund të përpiqen të testojnë aftësinë e aleatëve për të komunikuar, tha ai për DW.

Kjo çështje ishte ndër temat e diskutuara gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel këtë javë. Presioni ndaj NATO-s për të shkuar përtej masave tashmë të vendosura, duke përfshirë rritjen e mbikëqyrjes, patrullimet ajrore dhe vendosjen e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore në rajonet lindore të aleancës, duket se po rritet.

A duhet që NATO të rrëzojë dronët rusë?

Në një intervistë të fundit me “Financial Times”, ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski tha se Polonia, ashtu si vendet e tjera në kufi me Ukrainën, kanë “detyrë” të rrëzojnë raketat ruse përpara se ato të hyjnë në hapësirën e tyre ajrore. Në nëntor 2022, dy fermerë u vranë kur një raketë – këtë herë një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase – shpërtheu jashtë fshatit Pshevodov, rreth pesë kilometra në perëndim të kufirit ukrainas.

Si një komb sovran, Polonia me siguri mund të bëjë gjithçka që e sheh të nevojshme për mbrojtjen e saj, por qeveria polake nuk ka gjasa të lëvizë në këtë drejtim pa një vendim kolektiv të Aleancës. NATO e ka kundërshtuar deri tani propozimin, duke përmendur rrezikun që aleanca të bëhet pjesë e konfliktit.

A mund të ndihmojë një zonë tampon në kufirin me Ukrainën?

Zgjerimi i mbrojtjes ajrore polake ose rumune mbi Ukrainën perëndimore do ta ndihmonte Poloninë jo vetëm të mbrojë qytetarët e saj, por edhe qytetet ukrainase si Lviv, thotë Berzina. Ky do të ishte një efekt anësor i rëndësishëm dhe i mirëpritur për Ukrainën me afrimin e dimrit, kur Rusia mund të sulmojë edhe më shumë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Shea pret po ashtu një rritje të incidenteve në hapësirën ajrore të NATO-s duke pasur parasysh numrin në rritje të sulmeve ruse në Ukrainën perëndimore. “Pyetja e vërtetë është: a duhet të vdesë dikush tjetër, përveç dy polakëve, dhe sa duhet të përkeqësohet situata përpara se të zgjidhet një çështje e tillë?

Por Shea theksoi, se nëse NATO vendos të përdorë sistemet e saj kundërajrore përtej kufirit me Ukrainën, “përdorimi duhet të jetë mjaftueshëm i kufizuar” për të shmangur përshtypjen se “Perëndimi po futet në luftë”. Megjithatë, mburoja “duhet të jetë operative efektive” jo vetëm për të kapur dronët, por edhe raketat balistike përpara se ato të mund të kalojnë në territorin e NATO-s. Sipas tij, një zonë prej 100 kilometrash brenda territorit ukrainas është ndoshta “minimumi që siguron kohë të mjaftueshme për zbulim, vëzhgim dhe përgjim”.

Pengesat politike për aleatët e NATO-s

Në fund të fundit, ky është një vendim politik. Ekspertët pajtohen se NATO ka burimet për të krijuar një zonë sigurie në kufirin me Ukrainën, nëse vendos ta bëjë këtë. Por me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe me politikën komplekse të brendshme në Francë dhe Gjermani, qeveritë e këtyre vendeve duket se kanë pak dëshirë të marrin vendime që mund të kritikohen si sjellje e vendeve të tyre buzë luftës me Rusinë. “Derisa rusët të na sulmojnë qëllimisht, ne do të mbyllim një sy”, tha ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea. Por nëse një dron rus kërcënon seriozisht një zonë civile në territorin e NATO-s, kjo mund të ndryshojë të gjithë situatën

Analiza e REL: Pse askush në BE nuk kujtohet për aplikimin e Kosovës?

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar.

 

Presidenca hungareze, me mandat deri në fund të këtij viti, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të bëjë ndonjë hap. Qeveria e Kosovës shpreson që po.

“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar politik i Qeverisë së Kosovës.

Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.

Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues.

Përmes një pyetësori, pastaj, Komisioni vlerëson gatishmërinë e vendit aplikues për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, përkatësisht për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Në proces të zgjerimit janë aktualisht dhjetë shtete, gjashtë të Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se janë dy arsye përse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ka mbetur në sirtar për gati dy vjet.

“E para është arsyeja formale, ose fakti që Kosova nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së [Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja], ndërsa procesi i zgjerimit është mes vendeve anëtare dhe vendit që aplikon – nuk është proces me institucionet e BE-së. Andaj, për të avancuar më tej, duhet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare ose, së paku, asnjë vend anëtar të mos e kundërshtojë”.

“E dyta është mungesa e vullnetit politik nga ana e BE-së, pasi disa vende duan ta lidhin këtë edhe me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Palokaj.

Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë. BE-ja, si ndërmjetësuese, ka theksuar rëndësinë e rezultateve në këtë proces, si parakusht për përparimin e tyre në rrugën evropiane.

Por, përkundër kësaj, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe shumë prej marrëveshjeve të arritura, nuk zbatohen.

Udhëheqësit politikë, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiç i Serbisë, nuk janë takuar saktësisht një vit. Qeveria e Kurtit, ndërkohë, ka bërë disa veprime, si heqja e dinarit serb nga përdorimi apo mbyllja e institucioneve paralele serbe, të cilat Bashkimi Evropian i ka konsideruar si të njëanshme dhe me ndikim negativ.

Kosova, për më shumë se një vit, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat lidhen me tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Kosova nuk u është përgjigjur as kërkesave të vazhdueshme të disa vendeve anëtare të BE-së për të ndërmarrë hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vend të tyre, Qeveria akuzon Serbinë për qasje jokonstruktive dhe BE-në për trajtim jo të barabartë, edhe pse kjo e fundit nuk pajtohet.

“Sa u përket ‘hapave të njëanshëm’ dhe kritikave të BE-së, parë në kontekstin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, ato do të duhej të vlerësoheshin pozitivisht dhe si hapa shtytës të funksionimit dhe sundimit të ligjit në vend, si dhe të luftimit të aktiviteteve ilegale dhe bandave kriminale. Pra, ata nuk do të duhej të ndikonin në prolongimin e procesit evropian”, thotë këshilltari i Qeverisë, Kadiu.

Tefta Kelmendi, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, vlerëson për Exposenë se perspektivat evropiane të Kosovës, tash për tash, janë të zymta. Sipas saj, BE-së, fillimisht, i duhet të gjejë një mënyrë se si ta vazhdojë ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si ta rikthejë besimin e Qeverisë së Kosovës.

“Ekziston një perceptim [në Kosovë] për njëanshmëri dhe trajtim jo të barabartë nga BE-ja. Kjo mund të mendohet kështu për faktin se BE-ja aplikon masa të caktuara kundër Kosovës, ndërkohë që udhëheqësit evropianë udhëtojnë në Beograd për të bërë marrëveshje të rëndësishme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është një figurë problematike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, thotë Kelmendi.

Që gjërat të lëvizin përpara, Kelmendi i rekomandon edhe Kosovës një angazhim më strategjik, të përmbahet nga marrja e vendimeve të pakoordinuara dhe t’i qaset dialogut me një vizion më afatgjatë, duke u fokusuar edhe në sigurinë dhe besimin e qytetarëve në veri.

“Në kontekstin e një lufte në Evropë dhe gjithashtu të një politike të paparashikueshme të SHBA-së në rajon, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ta kuptojë se duhet t’i mbajë miqtë afër. Ajo duhet t’i rimendojë vërtet pasojat nëse vazhdon të mbetet e izoluar nga BE-ja ose shtetet e saj anëtare”, thotë Kelmendi.

Palokaj paralajmëron se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE mund të mbetet në sirtar për kohë të pakufishme, pasi, siç thotë, nuk ka ndonjë afat që e obligon shtetin që kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së, për ta nxjerrë në rend dite.

Për shembull, në rastin e Shqipërisë, nga koha e aplikimit deri te marrja e statusit të vendit kandidat kanë kaluar pesë vjet.

Palokaj thotë se vendimi është krejtësisht politik.

“Do të duhet një shtytje e madhe politike sidomos nga dy vendet kryesore të BE-së, Gjermania dhe Franca. Ato janë në krye të përpjekjeve për të detyruar Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë raportet. Këto dy vende kanë edhe fjalën kryesore në QUINT. Po ashtu, kanë qenë vendimtare për të mos e mundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe nuk ka dyshim se ato do ta lidhin edhe çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën me ecurinë e dialogut”, thotë Palokaj.

Në fillim të këtij muaji, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka rikonfirmuar angazhimin e saj për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ashtu si edhe të Ukrainës dhe Moldavisë, por ka paralajmëruar se duhen edhe vendime të vështira.

Si vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të përballen me zgjedhje të vështira. Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të trajtohen. Integrimi në BE do të varet nga qeveritë dhe nga marrja e vendimeve të vështira, e ndonjëherë edhe jopopullore. Por, kjo është koha në të cilën jetojmë. Shtyrja e vendimeve nënkupton marrjen e vendimeve të gabuara”, ka thënë von der Leyen në Forumin e Bledit.

Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë vendet e para në Ballkanin Perëndimor që i kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE, më 2012, përkatësisht më 2014.

Ndërsa Serbia mbetet më mbrapa, për shkak të mospërshtatjes së politikave të saj me ato të BE-së, për Malin e Zi flitet me data konkrete.

Në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian tashmë ekziston një plan i përgatitur kalendarik, sipas të cilit Mali i Zi do të mund ta përmbyllte të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2026 dhe, në rrethana ideale, të bëhet anëtar i BE-së më 2028.

BE-ja, për herë të fundit, është zgjeruar me Kroacinë në vitin 2013.

Sipas një studimi që ka bërë Qendra e Kërkimeve Pew, janë dashur mesatarisht nëntë vjet për secilin nga 21 anëtarë aktualë që t’i bashkohen BE-së. Qipros dhe Maltës u janë dashur pothuajse nga 14 vjet për t’u bërë zyrtarisht anëtare.

E, në Prishtinë disa qytetarë të anketuar janë më optimistë; disa të tjerë shpresat i varin te politikëbërësit.

“Shpresoj që [Kosova] në dy-tre vjetët e ardhshëm të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret ende, por shpresoj të shkojë në këtë rrugë”, thotë Fitore Mataj.

“Pse të mos anëtarësohet Kosova në BE, kur dihet se ka një rini shumë të shëndoshë, një mentalitet shumë të shëndoshë?”, pyet Drin Makolli.

“Është duke avancuar nëpër shumë fusha dhe profesione të ndryshme. Unë mund ta shoh Kosovën brenda pesë vjetësh si anëtare të BE-së”, thotë ai.

Për Samir Hasanin, “kjo varet nga politikanët tanë, nga politikat e tyre në raport me evropianët”.

“Ndoshta brenda pesë vjetësh, ndoshta brenda mandatit pas zgjedhjeve që do të vijnë”, thotë ai.

“Mendoj se çështja e anëtarësimit në BE është komplet e kushtëzuar nga dialogu dhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Sa më shpejt që të ndodhë kjo, mendoj se edhe [çështja e anëtarësimit] do të kryhet më shpejt”, shpreh bindjen Emir Ademi.

Kryeministri Kurti, më herët, ka kërkuar që dialogu me Serbinë të ndahet prej procesit të integrimit evropian, pasi, sipas tij, procesi i normalizimit të marrëdhënieve varet më shumë nga Serbia sesa nga Kosova. Por, BE-ja këmbëngul që këto procese nuk mund të ndahen.

Rruga përpara mund të jetë e pasigurt, edhe aplikimi i Kosovës mund të mbledhë pluhur në sirtar, por vendosmëria në mesin e autoriteteve për integrim duket e palëkundur.

40 minuta në luftë me grupin e Radojiçiqit: Si ndodhi sulmi ku u vra polici Afrim Bunjaku sipas aktakuzës së PSRK

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pas gati një viti pas sulmit në Banjskë për 45 persona, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Por, si ndodhi ngjarja sipas aktakuzës së PSRK-së?

Një ekip i Policisë së Kosovës ishte nisur në drejtim të Kushtovës. Me të arritur në fshatin Banjskë, vërejnë se në urën në hyrje të fshatit, dy kamionë ishin vendosur duke bllokuar rrugën.

Dyshimet e para ishin se kamionët përdoreshin për kontrabandë, e pasi njoftuan Dhomën Komanduese, dy vetura të stacionit policor të Zveçanit erdhën si asistencë në vendin e ngjarjes, e me ta ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Prita ishte përgatitur ashtu që ekipet policore të qëndronin në dritë derisa ambienti përreth ishte i errët. Urdhri erdhi të largohen kamionët nga rruga.

Derisa zyrtarët policorë po tentonin t’i largonin kamionët, ndodh një shpërthim në afërsi të rreshterit.

Bunjaku kishte marr plagë në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe. Në momentin që policët tentojnë ta tërheqin rreshterin, rreth 50 persona nga 20 pozicione, e disa në afërsi prej 10 metrave, fillojnë të qëllojnë pa ndërpre në drejtim të tyre.

Si kundërpërgjigje, edhe zyrtarët policorë shkrepin andej kah vinin predhat.

Në mënyrë që të dobësohet dukshmëria, policët e Kosovës qëllojnë ndriçimin e rrugës.

Policët e Kosovës arrijnë ta tërheqin rreshterin dhe me veturën që vazhdimisht qëllohej nga plumbat, nisen për Mitrovicë të kërkojnë ndihmë emergjente. Atje kuptohet se rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë.

Zyrtarët policorë kishin luftuar kundër të akuzuarve për terrorizëm për afro 40 minuta. /Betimi për Drejtësi/

Pas sulmit ku u vra Bunjaku, grupi i Radojiçiqit ishin strehuar në hotelin e Banjskës – rrëfejnë dëshmitarët

300 metra larg Manastirit të Banjskës, mysafirët në hotelin “Rajska Banja” ishin zgjuar nga gjumi si pasojë e luftimeve.

Të shtënat nuk ishin ndalur deri në agim. Atëherë mysafirët kishin parë se hoteli ishte mbushur njerëz me armë të gjata dhe të maskuar në uniforma të gjelbra, në mesin e tyre kishte edhe të plagosur.

Kur dëshmitari “kishte zbritur në recepcion për të pyetur se çfarë po ndodhte, kishte marrë informatë se nuk kishte ndonjë sulm dhe duhet të kthehej në dhomë.”

Të frikësuar për gjendjen e jashtëzakonshme, dëshmitari rrëfen në Prokurori se janë nisur për në bodrumin e hotelit bashkë me të tjerë ku edhe kanë qëndruar deri në mëngjes.

Mysafirët s’ishin lejuar të largohen nga hoteli deri në ora 10 e mëngjesit. /BetimipërDrejtësi/

Frikë në kampin republikan? Mbështetësit e Trumpit të shqetësuar për paraqitjet e tij pas debatit

Republikanët kanë shprehur shqetësimet e tyre pas debatit presidencial të së martës mbrëma midis ish-presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris, sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Prolific.

Gjatë debatit, ku Trump dhe Harris diskutuan çështje të rëndësishme si ekonomia, aborti dhe emigracioni, 86 për qind e votuesve republikanë konfirmuan se ende planifikojnë të mbështesin kandidatin e tyre. Megjithatë, 40 për qind e tyre pranuan se ishin të shqetësuar për performancën e Trumpit, i cili tashmë është 78 vjeç, sipas raportimeve të Newsweek.

“Këto rezultate tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në ndjenjat e votuesve, me shumë republikanë që shprehin shqetësim, pavarësisht mbështetjes së tyre të vazhdueshme për Trumpin. Performanca e fortë e Kamala Harris ka marrë vlerësime pozitive nga votuesit e të dyja palëve,” tha Andrew Gordon, një konsulent i lartë kërkimor në Prolific.

Vetëm 16 për qind e republikanëve e vlerësuan performancën e Trumpit si të shkëlqyer, ndërsa 24 për qind e tyre menduan se Harris kishte bërë një performancë të shkëlqyer ose të mirë. Po aq përqindje republikanësh menduan se Harris kishte dalë fituese nga debati.


Në total, 57 për qind e të anketuarve e shpallën Harris si fituese të debatit.

Komentet e Trumpit që u pritën më me kritika përfshinin refuzimin për të dhënë një përgjigje të qartë nëse do të vendoste veto ndaj një ndalimi kombëtar të abortit, dhe deklaratën se kishte “koncepte” për një plan të kujdesit shëndetësor.bw

Kërkesat e panumërta të Beogradit, eksperti austriak: Vuçiç, nën ndikimin e Putinit, po krijon pretekst për konflikt me Kosovën

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, rikthimi i serbëve në Policinë dhe gjyqësorin e Kosovës, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni verior, janë disa nga kërkesat kryesore të përmendura nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në lidhje me Kosovën.

Këto kërkesa të Vuçiçit janë komentuar nga eksperti austriak Gunther Fehlinger, i cili ka ndarë mendimet e tij mbi këtë çështje.

Fehlinger argumentoi se Vuçiç, ndoshta nën ndikimin e Putinit, po përpiqet të krijojë një pretekst për konflikt me Kosovën, por ai është i vetëdijshëm se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja serioze nga ana e Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti Vuçiç duket se po përpiqet të ndërtojë një skenar që mund të çojë në luftë me Kosovën, veçanërisht duke pasur parasysh sezonin e vështirë të dimrit që po afrohet. Aleati i tij kryesor, Putin, duket i dobësuar pas dështimeve të fundit, dhe me ofensivën e pritshme të Ukrainës në Krime, Putini është i dëshpëruar për të ndezur konflikte diku tjetër, përfshirë Ballkanin. Megjithatë, Vuçiç e di se një luftë e vërtetë mund ta rrëzojë atë nga pushteti, me ndërhyrjen e SHBA-së.”

Gjithashtu, Fehlinger sugjeron se Vuçiç po përpiqet të shpërqendrojë publikun serb dhe liderët e Kosovës për të larguar vëmendjen nga qeverisja e tij e korruptuar.

Eksperti austriak ka bërë thirrje që NATO të marrë një qëndrim të fortë dhe të paralajmërojë Serbinë për pasoja të rënda ushtarake nëse ajo ndërmerr veprime agresive ndaj Kosovës.

“Vuçiç po zhvillon një luftë virtuale në dy fronte: kundër liderëve të Kosovës dhe për të mashtruar publikun e tij. Fatkeqësisht, kjo strategji po ndikon negativisht në Kosovë, duke ulur besimin e publikut dhe të investitorëve, ndërkohë që pengon integrimin evropian të Serbisë dhe Kosovës. Veprimi më i mirë për NATO-n do të ishte të japë një paralajmërim të qartë Beogradit, duke sinjalizuar se çdo veprim i mëtejshëm i dhunshëm do të përballet me forcë ushtarake.”

Fehlinger përfundon duke theksuar se NATO duhet të braktisë qasjen e mëparshme të pajtimit dhe në vend të kësaj të adoptojë një qëndrim të ashpër, përfshirë kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake, nëse është e nevojshme.

Emigracioni, një fenomen shqetësues në Malësi të Madhe

VOA

Në Shqipëri të dhënat e Censit të vitit 2023, puplikuar kohët e fundit, dëshmojnë për një rënie të ndjeshme të numrit të banorëve, një pjesë e madhe për shkak të nivelit të lartë të emigracionit. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm nga viti 2018 deri në vitin 2022, nga Shqipëria janë larguar rreth 195 mijë persona. Një nga zonat më të prekura është edhe Malësia e Madhe. Studiuesi shqiptaro- amerikan Lulash Palushaj paraqiti në Malësi të Madhe librin e tij të fundit kushtuar plagës së emigracionit në këtë zonë.

Studiuesi dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan Lulash Palushaj, autor i 15 librave, që i kushtohen historisë dhe traditave të Malësisë së Madhe, paraqiti sot përpara studiuesve dhe autoriteteve nga Malësia e Madhe, këndej dhe andej kufirit të sotëm shtetëror, librin e tij të fundit “Ku vojte o Malësi e Madhe, ka vete o shqiptar ”, kushtuar asaj që ai e quan plaga më e madhe e malësorëve, emigracioni.

“Plaga më e madhe është se kemi lënë ato pleq nëpër shtëpija të zbrazura. Plaga më e rëndë është lotët që derdhin pleqtë se ku i kanë njerëzit e shtëpisë. Se nuk mund të ketë shtëpi pa njerëz dhe njerëz pa vendlindjen e vet. Kjo është më e rëndësishmja që unë kam pasqyruar në këtë vepër”, tregon ai.

Për nënkryetarin e Bashkisë “Malësi e Madhe”, Sytki Ndreca, studiuesi Palushaj ka arritur të prekë një ndër problemet më kryesore që vazhdon të ketë Malësia e Madhe.

“ Ikja dhe emigrimi jashtë territorit të Malësisë së Madhe, por edhe jashtë Shqipërisë, në emigracion, në diasporë, ka marrë një përmasë të madhe, ç’ka është shumë e frikshme”, thotë ai.

Nënkryetari i bashkisë thotë se të dhënat e fundit, të publikuara nga censusi i popullsisë dhe banesave, dëshmojnë edhe përmasat e largimit të banorëve nga Malësia e Madhe, si drejt emigracionit, ashtu edhe zonave të tjera në brendësi të vendit.

Sipas census-it të vitit 2023 Malësia e Madhe ka 21640 banorë ose më pak se 15 mijë banorë në krahasim me vitin 2011 dhe rreth 32 mijë më pak se regjistrimi i vitit 1991.

Pjesëmarrësit nga shqiptarët në Mal të Zi theksuan gjatë takimit se tema e emigrimit është shqetësuese për malësorët që jetojnë në të dy anët e kufirit dhe se trajtimi i kësaj teme ka të bëjë me nevojën e ndalimit të shpopullimit të trojeve shqiptare.

“Kjo temë përbën një fenomen shqetësues edhe për Lulashin se edhe ai vetë po e jeton emigracionin në SHBA. Pothuajse në shumicën e veprave të tij ai trajton këtë fat të hidhun të malësorëve, si andej, si këndej kufirit”, thotë Rrok Gjolaj. këshilltarë në Minsitrinë e Arsimit në Mal të Zi.

Shqipëria, thotë Lulash Palushaj, ka potenciale natyrore dhe ekonomike për të mbajtur në vendin e vet shqiptarët, por është e nevojshme të nxitet punësimi dhe të përdoren të mirat natyrore në dobi të zhvillimit.

Poetja Mimoza Rexhvelaj, banore e Malësisë së Madhe, thotë se tashmë në malësi ka fshatra që kanë mbetur bosh për shkak të braktisjes dhe largimit të banorëve drejt emigrimit, kryesisht në Amerikë dhe Angli. Ndaj, libri i fundit i Lulash Palushajt, thotë ajo, është një klithëm për ndryshimin e këtij realiteti.

“Klithma dhe ulurima në fakt, që bën professor Palushaj në librin e tij, është kthehuni në atdhe, kthehuni tek pragu, kthehuni tek familja, tek nëna, tek baba që ju presin”.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, nga viti 2011 deri në vitin 2023, Shqipëria ka rreth 600 mijë banorë më pak. Ndërsa brenda një periudhe 5 vjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2022, nga Shqipëria janë larguar 194.900 persona, me një mesatare prej rreth 39 mijë personash në vit.

Gjermania: Open Balkan projekt për të izoluar Kosovën- Si mbrohej Rama

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka bërë të premten një deklaratë shumë të fortë në televizionin e Kosovës RTK.

Duke u përpjekur që  të bindë Kosovën që ti bindet ndërkombëtarëve për të bërë të pamundur kthimin pas të Open Balkan ai ka deklaruar se nisma e Ballkanit të hapur ishte konceptuar si një akt kundër Kosovës.

“Ballkani i Hapur u krijua për ta anashkaluar Kosovën” tha ai në ligjëratë të drejtë.

Kjo deklaratë kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e troçtë i hedh benzinë zjarrit që ka flakëruar fort prej disa vitesh debatin politik në Tiranë dhe Prishtinë. Deri sa të bënte një piruetë të beftë prapaktheu nga Ulqini, kur në korrik 2023 shpalli daljen nga kjo nismë, kryeministri shqiptar ka qenë mbrojtësi më i flaktë i saj.

Lapsi.al ka bërë një përmbledhje të shkurtër të këtij kalvari. Edi Rama u bë zëdhënësi kryesor i idesë që  filloi si mini Shengen, me gjenezë në Beograd dhe e mbështetur fort nga Alex Soros. Jo më kot presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që sot me sa duket ndihet i braktisur, e përgëzonte publikisht Ramën se, “pa vendosmërinë dhe këmbënguljen e tij“ Ballkani i Hapur” do të qe i pamundur”.

Kryeministri ynë u përlesh pothuajse me të gjithë faktorët shqiptarë, përfshirë edhe opozitën vendase, për ta shpënë përpara Open Balkan.

Ndërsa në arenën ndërkombëtare ai u bë propagandisti dhe zëdhënësi i tij. Tashmë janë të arkivuara qëndrimet që ka mbajtur. Në samitin e Bërdos në Slloveni, mes BE dhe vendeve të rajonit, në tetor 2021, ai e fshikulloi ashpër komunitetin e 27-shes dhe i kërkoi atyre një pazar: ‘nëse nuk na fusin në familjen tuaj, së paku mos na pengoni për Open Balkan”.

Rama i kërkon pazar BE: “S’po na integroni, por mbështesni Ballkanin e Hapur”

Disa muaj më pas, në krah të dy partnerëve të tij maqedonë dhe serbë ai kërcënoi se do e bojkotonte samitin e përbashkët me BE-në duke ngritur pyetjen: “Çfarë të bëjmë atje”? Por, ama kur më në fund shkuan “atje”, Rama gati i kërcënoi vendet evropiane:“Nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet, mbështesni Ballkanin e hapur”.

Ai përmendi në fjalimin e tij përpara liderëve evropianë terma si luftë, konflikt, gjakderdhje ndërkohë që po në atë date, në 24 qershor 2022, Vuçiç i thoshte të njëjtit auditor: “ne nuk duam që rajoni ynë të përfundojë si Ukraina”, duke dhënë si alternativë Open Balkan.

Komenti/Poshtë Brukseli, rroftë Ballkani i Vuçiçit

Me artikulim më të mirë se homologu i tij serb dhe me diferencë nga një kuadrovik timid se ai maqedonas, Rama mori përsipër rolin e lobuesit. Ai filloi ti kërkonte llogari BE-së, për moshapjen e negociatave, veton Bullgare, mosliberalizimin e vizave për Kosovën duke u bërë presion se Ballkani i Hapur do qe një hapësirë e vogël lire, në mungesë të pranimit në hapësirën e madhe.

Këtë rol zëdhënësi të treshes serbo-shqiptaro-maqedone ai e luajti edhe përballë Albin Kurtit. Kur ky i fundit shkroi një letër se përse kjo nismë qe e keqe për Kosovën, kryeministri ynë iu përgjigj nga Ohri: “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton, është i destinuar të humbë kohë”.

Deri më tani perendimorët nuk e kishin pohuar kurrë kaq troç se ideja e Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit ishte një nismë serbë kundër Kosovës. Atë e kishte pohuar vetëm Moska me gojën e ministrit të saj të jashtëm në qershor 2022. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov e pati pohuar me plot gojën se Ballkani i hapur është një nismë serbe dhe se ndryshe nga Brukseli që do një gadishull të mbyllur, Moska e mbështet atë si të tillë.

Për t’iu kundërvënë asaj kryeministri shqiptar vuri në punë të gjithë mekanizmin e propagandës që kishte në dispozicion. Një nga argumentat që Edi Rama jepte për të vazhduar aventurën e tij me Vuçiçin për të shpënë përpara “Open Balkan” ishte edhe ajo se këtë nismë e mbështesnin 59% e shqiptarëve. Në prilli të 2022 kryeministri zhvilloi të ashtuquajturin Këshillim Kombëtar, ku nga mbi gjoja 500 mijë të pyetur rezultonte se shumica ishin pro një rajoni me lëvizje të lirë të njerzve mallrave dhe ideve. Madje disa ditë pasi i shpalli këto rezultate publikisht Rama shkoi gjatë një vizite zyrtare në Berlin dhe tha në krah të kalcelarit Sholtz se pavarësisht se Gjermania i kërkonte fokusim tek procesi i Berlinit, ai kishte mandatin e Shqiptarëve për të shpënë përpara idenë Serbo-maqedono- shqiptare.

Megjithëse edhe gjatë vizitave në Shqipëri, si ish kancelarja Merkel në shtator 2021, si shefja e Komisionit Europian Van der Leyen po jatë atij statori u shprehën kundër, propaganda nuk rreshti. “Besoj se ishte e qartë e thënë nga komisioneri Varhelyi se Komisioni Europian e mbështet Ballkanin e Hapur dhe fton të treja vendet e tjera t’i bashkohen”, tha Rama gjatë një konference të përbashkët me Zaevin dhe Vuçiçin në dhjetor 2022. Komisionari hungarez për zgjerimin, i cili është akuzuar nga shtypi si njeri që lobon për interesat e presidentit serb, e pati pohuar këtë në një video konferencë gjatë takimit të tre liderëve ballkanikë.

Tani të gjitha këto gënjeshtra janë shembur si kështjellë rëre. me ojën e emisarit të saj më të rëndësishëm për Ballkanin Gjermani e ka pranuar se Open Balkan ishte një nismë e Beogradit për të anashkaluar Kosovën. Fatkeqësisht e mbështetur fort nga Tirana.

Rashiq për shëndetësinë dhe arsimin serb: Duhet të jemi gati për çdo skenar

Sandra Cvetkoviq

Pas mbylljes së disa institucioneve që funksiononin nën sistemin e Serbisë në veri të Kosovës, disa pjesëtarë të komunitetit serb shprehin frikën se autoritetet e Kosovës mund t’i mbyllin edhe institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sllagjana nga Leposaviqi thotë se serbët në veri janë “nën presion nga të gjitha anët” dhe shpreson të ketë një zgjidhje që do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve të thjeshtë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të të cilave janë arritur disa marrëveshje, por shumica e tyre nuk zbatohen.

Sllagjana ka një fëmijë që ka filluar klasën e parë në gjuhën serbe dhe për të është e paimagjinueshme që institucionet arsimore të funksionojnë jashtë sistemit serb.

“Ne kemi të drejtën e arsimimit në gjuhën tonë, në shkollën tonë”, thotë ajo.

Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucione, të cilat punojnë nën sistemin e Serbisë, përfshirë të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore.

Për Kosovën, këto institucione janë të paligjshme, ndërsa për pjesëtarët e komunitetit serb “kanë një rëndësi të madhe për mbijetesë”.

Rafaillo dhe Sllagjani nga Leposaviqi thonë se për ta është “i tmerrshëm” vetë mendimi se në periudhën e ardhshme, Qeveria e Kosovës mund të fillojë t’i mbyllë institucionet shëndetësore apo arsimore.

“Njerëzit po flasin [për mbylljen e institucioneve arsimore dhe shëndetësore]. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse diçka e tillë ndodh, do të ishte fundi i fundit”, thotë Rafaillo.

“Ne do të luftojmë që kjo të mos ndodhë, jemi të tronditur nga gjithçka që po ndodh”, thotë Sllagjani.

Rashiq: Duhet të planifikohen opsionet

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, shpreh besimin se këto institucione, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shton se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.

“Duhet të planifikohen opsionet, sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë [mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë], por kur do të ndodhë. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.

Me marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel në vitin 2013, është rënë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, për ngritjen e komunave dhe të institucioneve të tjera sipas sistemit të Kosovës, si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili do të rregullonte funksionimin e disa institucioneve serbe dhe financimin e tyre.

Përkundër kësaj, Kosova nuk e ka formuar Asociacionin dhe Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë institucionet e saj paralele.

Por, nga fillimi i këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë filluar t’i mbyllin institucionet serbe, me arsyetimin se puna e tyre cenon rendin kushtetues të Kosovës.

Këto veprime janë kritikuar nga komuniteti serb dhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thotë se lëvizjet e tilla “të pakoordinuara” mund t’i rrisin tensionet në terren.

Institucionet e Serbisë që janë mbyllur deri më tani, janë: organet e përkohshme komunale në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec, Dragash, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, pastaj Qarku i Kosovës në Mitrovicë, Fondi për sigurim pensional dhe invalidor në Mitrovicë të Veriut, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Posta e Serbisë në veri të Kosovës dhe banka Kursimorja e Postës.

Kosova ka ndaluar edhe përdorimin e dinarit serb – gjë që e ka vështirësuar edhe më shumë financimin e institucioneve që punojnë në Kosovë nën sistemin serb, përfshirë këtu shëndetësinë dhe arsimin.

A ka zgjidhje?

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës për planet e ardhshme, kur bëhet fjalë për të punësuarit në institucionet serbe, dhe nëse është duke shqyrtuar integrimin e tyre në sistemin e Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Ministri Rashiq thotë se duhet të gjenden modele që e “inkorporojnë” të gjithë sistemin serb në atë të Kosovës, në mënyrë që të mos dëmtohen as qytetarët, as punonjësit.

Ai nuk mund të thotë se cilat janë ato modele, por thekson se shëndetësia dhe arsimi janë “shtylla të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të serbëve”.

Ai rikujton se Plani i Ahtisaarit – dokument në bazë të të cilit është hartuar Kushtetuta e Kosovës – parashikon formimin e një grupi ekspertësh, që do ta përshtaste kurrikulën për pjesëtarët e komunitetit serb.

Sipas tij, institucionet shëndetësore dhe arsimore serbe duhet të bashkëpunojnë me Kosovën për të gjetur një zgjidhje për funksionimin e tyre.

Rashiq thotë se, mesa di, tash për tash nuk ka një bashkëpunim të tillë.

“Duhet të gjejmë hapësirë në ligjet e Kosovës, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të mos pësojnë dëme”, thotë ai.

Trajkoviq: Arsimi dhe shëndetësia nuk duhet të rrezikohen

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova me banim në Beograd, thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, pas luftës së vitit 1999, janë themeluar me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe se mbyllja e tyre nga autoritetet e Kosovës do të ishte “e paprecedentë”.

Trajkoviq, e cila në periudhën e pasluftës ishte drejtore e Shtëpisë së Shëndetit – nën sistemin e Serbisë – në Graçanicë dhe deputete në Kuvendin e Kosovës, beson se çdo keqkuptim rreth funksionimit të institucioneve serbe, mund të zgjidhet me negociata.

Ambulanca në Graçanicë që menaxhohet dhe financohet nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë.

Ambulanca në Graçanicë që menaxhohet dhe financohet nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë.

Ajo thotë se pret që arsimi dhe shëndetësia në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, të mos rrezikohen.

“Këto janë institucione të rëndësishme dhe luajnë rol në mbijetesën e serbëve në Kosovë. Në asnjë shoqëri normale nuk mbyllen institucionet që janë në funksion të sigurisë shëndetësore dhe arsimore, të sëmurëve dhe fëmijëve, apo të rinjve në sistemin arsimor”, thotë Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në fillim të shtatorit se në Kosovë funksionojnë ende institucionet më të rëndësishme, përkatësisht shëndetësia dhe arsimi.

Ai ka thënë se është “shumë i trishtuar” për mbylljen e institucioneve të tjera serbe dhe se autoritetet e Kosovës nuk duan paqe.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

30 shkallët e Universitetit të Vlorës – Nga ALBERT HABAZAJ

 

  1. Shkurtesë

Viti 2024 është viti i festimeve të 30 vjetorit të çeljes së Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që do të kulmojnë me festën jubilare më 3-4 tetor 2024. Përgatitjet kanë filluar me kohë me ngritjen e Komisionit të Festës në rektorat, ku marrin pjesë pedagogë të njohur nga të katër fakultetet, si dhe staf nga administrata: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.as.dr. Frosina Londo, prof.as. dr. Kristofor Lapa, Msc. Albert Habazaj, Rezarta Sinanaliaj, Harikla Beduli, Roksana Novak, Gentjana Belulaj, Marieta Mërkuri dhe Eloina Tozaj, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni, që ka hartuar programin e punës, ka ndarë detyrat për secilin anëtar dhe të gjithë si grup dhe ka nisur punën me takime me titullarët dhe pedagogët e vjetër për t’u marrë kujtimet e tyre, si dhe për grumbullimin e materialeve, fotove, videove e dokumenteve origjinale, (dorëshkrime, vendime, urdhëra etj.), që kanë të bëjnë me fillimin e Udhëtimit Universitar të Vlorës Ismailqemaliste, krijimin e një minimuzeu, arkivit historik, botimit të një almanaku, broshure të vogël, librit të Universitetit, filmit dokumentar, Akademi nderimi etj. Ka filluar e ndihet atmosfera e festës, e cila shfaqet në entusiazmin dhe përgjegjësinë e pedagogëve dhe stafit në departamente, laboratore, biblioteka e deri në auditoret e studentëve.

  1. Fjalëza si historik

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë u hap në 10 Tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 105, datë 28.02.1994. Fillimisht mësimi filloi si Universiteti Teknologjik i Vlorës “Ismail Qemali”, me tri fakultete: Fakulteti i Tregëtisë, Fakulteti i Inxhinierisë Detare dhe Fakulteti i Infermierisë.

Përzgjedhja e këtyre fakulteteve u bë mbi bazën e traditës që tashmë ekzistonte në Vlorë për disa nga këto disiplina. Në 8 Nëntor 1924 në Vlorë u hap Shkolla e Mesme Tregtare, një ndër shkollat më të mira të vendit në atë kohë. Gjatë viteve 1970-1980, u hap filiali i Universitetit të Tiranës për degën e Ekonomikut, Shkolla e Lartë e Marinës, si dhe Shkolla e Mesme Mjekësore, të cilat në shumë vështrime shërbyen si bazë për ngritjen e fakulteteve të Universitetit të Vlorës.

Për organizimin e gjithë punës përgatitore të ngritjes së Universitetit u ngrit një grup pune i krijuar nga Dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri. Në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vazhdon të jetë në detyrë edhe sot, deri në përfundimin e mandatit të dytë.

Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Gjatë periudhës 30-vjeçare të ekzistencës së vet, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka bërë përpjekje serioze e të vazhdueshme për rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore. Universiteti filloi punë në dy godina që u rikonstruktuan (sot Godina e Rektoratit dhe Godina B) me 162 studentë në të katër degët e tij dhe vetëm 10 pedagogë me kohë të plotë. Aktualisht në Universitetin e Vlorës janë 4154 studentë. Deri tani janë diplomuar rreth 12 mijë studentë në të tre nivelet e studimit. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Humane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.

Në këtë 30 vjetor, studentët tanë janë të pajisur me Kartën e Studentit, e cila do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët e Universitetit të Vlorës, ndërkohë që ata marrin një shërbim arsimor universitar cilësor dhe bashkëkohor.

Sikurse të gjithë IAL publike shqiptare, edhe ne synojmë modernizimin e universitetit tonë, përmes politikave me impakt të drejtpërdrejtë në institucion, me mbështetje financiare, nëpërmjet agjencive të ndryshme jo vetëm të MAS. Festa dhe e nesërmja e studentëve tanë kërkon nga drejtuesit dhe personeli akademik i UV, një angazhim më cilësor dhe më bashkëkohor të njësive dhe stafeve të tyre, në fushën e projekteve kërkimore-shkencore të cilat duhet të finalizohen me produkte shkencore të prekshme dhe me impakt të drejtëperdrejtë në zhvillimet ekonomiko-shoqërore të rajonit, në lidhjen e procesit mësimor, kërkimit dhe publikimit me ekonominë turistike të qytetit të Vlorës, sepse vetëm përmes kësaj metodologjie bashkëkohore universitare, UV do të jetë në sinkron me zhvillimet universitare, kulturore dhe sociale, jo vetëm të rajonit, por edhe me ato të rrafshit kombëtar e ndërkombëtar.

Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Leçe, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është zgjedhja e duhur për studentët, sepse ai është i akredituar dy herë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe Bordi i Akreditimit. Gjithashtu, të gjithë programet e ciklit të parë Bachelor janë të akredituara dhe në proces akreditimi (drejt finalizimit) ndodhen programet e ciklit të dytë Master Profesional e Shkencor. Kjo ju jep mundësinë fëmijëve tanë që të vijojnë serizisht studimet në një Institucion si UV, ku diploma ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Përmes marrëveshjeve të shumta që UV ka nënshkruar me Universitete partnere në gjithë Europën, studentët mund të zhvillojnë pjesë të studimeve (semestrale) në një prej këtyre institucioneve dhe kostoja e studimeve nuk do rëndojë mbi buxhetet familjare, por do të mbulohet nga programi Erasmus+. UV ka disa vlerësime ndërkombëtare në fushën “Mobility of students and openess”. UV është vlerësuar si “Praktikë e mirë” për implementimin e ICM, prej Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri si dhe prej universiteteve të vendeve të programit si Universiteti i Padovës, Universiteti i Pireut etj.

UV ka një staf akademik e administrativ të kualifikuar dhe me përvoja pune ndërkombëtare

Analisti serb Zoran Vuletiç: Ura e Ibrit do të hapet, Vuçiçi duhet të pranojë planin franko-gjerman

Kryetari i Forumi Qytetar Demokratik në Serbi, Zoran Vuletiç, duke folur për situatën në veri të Kosovës, vlerëson se shkaktari i gjithçka që po ndodh, jo vetëm këto ditë, por në muajt paraprak apo vitin paraprak, është padyshim realizimi dhe zbatimi i asaj që është dakorduar përmes marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Analisti serb tha për N1 se problemi më i madh lidhur me të gjitha ngjarjet në Kosovë është se e vërteta nuk u është thënë njerëzve, në radhë të parë serbëve dhe komunitetit serb në Kosovë, prandaj po ndodh e gjithë kjo.

“Atyre njerëzve duhej t’u thuhej e vërteta, dhe jo të detyrohen të dalin në barrikada dhe të demonstronin rreth çdo zbatimi të asaj që ishte rënë dakord, t’i thyenin kokën njëri-tjetrit dhe pastaj, pas shpine, të zbatonin atë për çfarë ishin pajtuar për targat dhe transaksioneve të pagesave. Do të hapet edhe Ura në Ibër, po të kishin mend, as nuk do të mbyllej”, sqaron ai.

Sipas tij, propaganda e mediave pro-qeveritare, e cila krijon narrativën se Kurti po arreston serbët, vetëm i dëmton ata njerëz.


“Sikur të mos ishte një propagandë e tillë dhe një informim i tillë, po të mos ishte gënjeshtra e atyre njerëzve dekada më parë, jo nga dje por dekada më parë, këta të rinj nuk do të kishin shkuar të përleshen me policinë para 3-4 ditës, që pastaj prindërit e shqetësuar, të angazhojnë avokatë për t’i shpëtuar dje dhe sot”, thotë Vuletiç.

Ai thekson se pranimi i marrëveshjes franko-gjermane mund ta vendos Serbinë në rrugën e duhur sa i përket negociatave me Kosovën.

“E vetmja masë që mund ta kthejë këtë tragjedi të Kosovës në kah pozitiv është që presidenti t’i drejtohet Qeverisë së Serbisë, të caktohet një seancë e jashtëzakonshme e parlamentit, që ai të shpjegojë dhe ai të përgatisë mirë marrëveshjen franko-gjermane, të cilin verbalisht e ka pranuar, kurse këtu po mohohet. Tjetër gjë, mendoj se do të ishte shumë mirë nëse ajo marrëveshje do të pranohej me aklamacion në Serbi, po të votohet që Serbia ta pranojë zyrtarisht dhe ta nënshkruajë atë marrëveshje, do të ishte shumë mirë që edhe të gjitha grupet parlamentare të opozitës ta mbështesin, d.m.th. e vetmja gjë që më pas e çon Serbinë në drejtim pozitiv në ato negociata dhe në atë moment Serbia në partneritet me Bashkimin Evropian, e cila po udhëheq atë proces negociator edhe me Qeverinë e Kosovës, ndërmerr iniciativën dhe pranon realitetin”, shpjegon Vuletiç.

Duke komentuar njoftimet e disa portaleve pro-qeveritare se presidenti Vuçiç mund të shpallë, siç thonë ata, okupim të një pjese të territorit në fjalimin e tij të premten para qytetarëve, ai thekson se është e mundur, por që kjo sjell pasoja.

“Nëse shoqëria serbe është e gatshme të paguajë atë çmim, në rregull. Unë mendoj se ne nuk jemi të aftë dhe të gatshëm të vazhdojmë të paguajmë çmime të tilla, por nëse miratohet, qytetarët duhet ta dinë se kjo kushton dhe se absolutisht nuk është i lirë. Kurse  paguhet me një standard edhe më të ulët, dhe më me pak institucione, me akoma më pak liri dhe me akoma më pak perspektivë në të ardhmen. Dhe aq më tepër me largimin e të rinjve, më të arsimuarve dhe atyre më potentë në botë”.

“Nëse jemi të gatshëm ta paguajmë atë çmim, në rregull. Fatkeqësisht, ne e humbëm Kosovën me atë politikë të viteve ’90-ta, u mundëm dhe kjo tani është dërrmuese dhe një lloj sukcesioni që po luhet para nesh këto 20 vitet e fundit dhe falë politikanëve të këqij nga Boris Tadiç, Vojislav Koshtunica, sot Vuçiç, Daçiç dhe Tomislav Nikoliç. Asnjëri prej tyre nuk është i aftë dhe i gatshëm t’ua thotë të vërtetën qytetarëve dhe t’u thotë popull kështu janë punët, mos t’ia thyejmë njëri-tjetrit kokën. Mos e akuzoni njëri-tjetrin për tradhti”, thotë Vuletiç.bw

“Do okupojmë veriun e Kosovës”/ Bedri Elezi për deklaratën e Vuçiçit: Rreziku u nuhat edhe nga shefi i CIA-s. Ndërkombëtarët të marrin vendimet e duhura

Drejtori i Institutit për Siguri Bedri Elezi, në një lidhje live me Skype, ka komentuar deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, që sipas medieve serbe, ka thënë se “do ta shpallë nesër okupimin e veriut të Kosovës”.

Elezi tha se rreziku që Vuçiç po përmend sot u nuhat nga shefi i CIA-s, që takoi zyrtarë të lartë në Beograd dhe në Prishtinë. Më tej, Elezi u shpreh se ndërkombëtarët duhet që të marrin vendimet e duhura.

Drejtori i Institutit për Siguri, Bedri Elezi,  Duket se këtë rrezik e ka nuhatur edhe shefi i CIA-s. Ndërkombëtarët të marrin vendimet e duhura. Deklaratat janë kërcënime serioze për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Kemi parë nga KFOR forca të shtuara, në zona ku shihet se mund të ketë rrezik për sigurinë. Në kufi me Kosovën, në Serbi dyshohet se grupe të rriturish po bëjnë stërvitje dhe presin urdhër që të nisen drejt territorit të Kosovës.bw

 


Send this to a friend