VOAL

VOAL

EJA ME MUA NË NJË VEND QË ASKUSH NUK E DI – Poezi nga Pablo Neruda – Përktheu ROLAND GJOZA

June 27, 2020

Komentet

MEDITIME: JONUFËR – KORRIK 1966 – Nga Lutfi ALIA Siena – Itali

 

Në qershori të vitit 1966 përfunduam provimet e vitit të parë në Fakultetin e Mjekësisë. Atë vit, qershori bëri shumë nxehtë, çka i shtoi më shumë emocionet dhe lodhjen që na kishin krijuar përgatitjet për provimet. Më 29 qershor ishte provimi i fundit në kimi inorganike dhe kimi organike. Në mëngjesin e asaj dite, erdhi kryesekretaria e fakultetit Donika Buda, e cila na njoftoj se më 30 qershor, në orën 8.00 të paraqiteshim në sheshin para korpusit të Universitetit, pasi nga aty do të niseshim për në aksion në Jonufër të Vlorës. Përfundimin me sukses të vitit të parë e festuam në darkë te klubi i Mistos, me nga një gotë birrë, një bërxollë e një panine. Ishim unë, Krist Morcka, Kujtim Kotorri dhe Sofokli Eksarho. Ishte darkë gazmore, që e kaluam me humor, me kujtime të shumta në frekuentimin e leksioneve, të praktikave mësimore, të laboratorëve, kuj-tuam dhe çapkënlleqet tona të shumta.
1.
Në mëngjesin e ditës së nesërme të atij fundqershori, shkuam në sheshin para korpusit të universtietit, që ishte mbushur me studentët e fakulteteve të tjera, të caktuar për në aksionin e hapjes të brezareve në Jonufër. Një kolonë e gjatë me kamiona Škoda ishte rrjeshtuar në anë të sheshit. Organizatorët, me mikrofona njoftonin numërin e kamionit për çdo fakultet dhe sipas kurseve. Pasi u sistemuam në kamiona që ishin caktuar veç për djemtë dhe veç për vajzat, në orën 9.00 autokolona e kamionave nisi udhëtimin e gjatë. Kaluam nga rruga e Ndroqit. Mëngjesi ishte relativisht i freskët, por më pas filloi i nxehti përvëlues. Vetëm ata që ishin kë krye të karrocerisë rrinin në këmbë, të tjerët të gjithë ulur dhe me diellin e nxehtë mbi kokë. Vapa përvëlues na shtonte etjen, por asnjeri nga ne nuk kishte marrë shishe, apo pagure me ujë. Asi kohe nuk kishte shishe plastike për ujin e pijshëm. Para se të arrinim në Kavajë, i kërkuam shoferit të ndalej të pinim ujë. Kështu ndaluam në Rrogozhinë, në Lushnje, në Fier dhe në Vlorë. Rreth orës 13. 00 mbërrijtëm në Jonufër, ku ishte ngritur kampi i aksionit me kapanonet buzë detit.
2.
Zbritëm nga kamionat duke shkundur pluhurin që kishim marrë gjatë udhëtimit. Jonufri na u prezantua me bukuritë magjepse të detit dhe të kodrave të ulëta në lindje të mbuluara me gjelbërim. Të gjithë rendëm ne breg të detit, futëm këmbët në ujë dhe duke qëndruar përballë detit kundronim shtrirjen e gjërë të ujit me ngjyrë blu të ëmbël, ndjenim aromën e detit dhe flladin freskues. Në anën lindore të Jonufrës përtej kodrave me shkurre ndodhej fshati i Rradhimës, në jug-perëndim ishte Orikumi i famshëm, më tej shtrihej gadishulli i Karaburunit dhe përballë ishulli misterioz i Sazanit. Bregu i detit në Jonufër nuk kishte rërë, ishte breg i ashpër, mbushur me gurëza të vegjël e me ndonjë shkurre zvarritëse të rrallë, por na mbushi me gëzim dhe entusiazëm, se do të laheshim për ditë, madje filluam të lahemi që ditën e parë, kështu vepruam gjatë gjithë muajit korrik.
Organizatorët kishin ngritur dy tipe fjetoresh. Për djemtë ishte vargu i kapanoneve pesë metra larg bregut të detit, të ndërtuara me gardh me thupra frashëri dhe të mbuluara me beze të trashë. Na thanë se në Jonufër nuk bie shi, andaj të mos preokupoheshim, por në fakt ndodhi e kundërta, një natë meskorriku rigoi aq shumë shi, sa u lagëm të gjithë e të nesërmen nuk shkuam të hapim brezaret, por ndemë bataniat dhe rrobat e lagura mbi gardhet e kapanoneve, që të thaheshin në diellin përvëlues.
Nuk kishim dyshekë, por një shtresë bari të thatë, dy batanie, njerën e përdorëm për shtrojë dhe tjetrën për t’u mbuluar. Ne djemtë e vitit të parë na sistemuan në kapanonin e parë, në vazhdim studentët e vitit të dytë dhe në të tjerët djemtë e fakultetit Histori-Filologji. Pas kapanoneve të djemëve shtrihej një shesh i gjërë, më tej dy ndërtesa me mure të mbuluara më eternit, që ishin fjetoret për të gjitha vajzat aksioniste. Para këtyre ndërtesave ishte mensa, një ndërtesë me kolona, por pa mure, me çatinë të mbuluar me eternite.
Pasi u sistemuam nëpër fjetoret, na rrjeshtuan në shesh sipas brigadave. Komandanti i shtabit të aksionit na komunikoi se ditën e nesërme do zgjoheshim herët pa lindur dielli dhe do të ktheheshim në kamp kur të fillonte i nxehti i madh. Drekën e hëngrëm vonë në mensë. Tavolinat ishin pa mbulesa, ushqimet na i servirën në pjata alumini dhe si kamarjere na shërbenin vajzat e kursit.
Pasdreke u ulëm në bregun para kapanonit duke kundruar detin me dallgët, që ndiqnin ritmikisht njera tjetrën dhe çdo njera prej tyre, kur afrohej bregut shkumohej dhe thërmohej në breg si një muzikë adaxhio e shtyrë nga flladi i freskët i pasditës. Ishte një flladë përkëdhelës që fliste me detin dhe deti përgjigjej me dallgët, që këndonin butësisht. Pëshpëritjeve të detit i shtoheshin dhe klithmat e pulëbardhave, që fluturonin vrullshëm e në grupe. Deti na bëri të harrojmë lodhjen nga udhëtimi i gjatë dhe na largoi të nxehtin përvëlues të asaj dite fundqershori. Në pasdite dielli filloi të zbriste në horizont dhe sa më shumë ulej, gjithnjë e më shumë qielli përflakej, duke i dhënë dritë të ndryshme çdo dallge. Ndërsa meditoja duke vështruar me kënaqësi vallen dhe këngën e dallgëve, m’u kujtua një thënie e Albert Kamy: “Vetëm muzika është në lartësinë e detit”.
Rreth orës 20.00, dielli zbriti dhe u fsheh pas në vijën e largët të horizontit, por rrezet vazhdonin ta ndriçonin qiellin. Ishte çast i bukur, me natën që vinte nga lindja dhe ditën që largohej në perëndim me diellin.
Përhumbjen tonë në bukuritë dhe misteret e detit e të muzgut që afrohej ngadalë e me ndrojtje, e ndërprenë thirrjet në altoporlant, që na njoftonin të rrjeshtoheshim në shesh për të ngrënë darkën. Na servirën patate të ziera me nga dy feta buke. Hëngrëm me uri dhe njeri pas tjetrit u ngritëm dhe shkuam përsëri buzë detit, që ishte qetësuar me lëkundje të lehta valësh, që përfundonin me dallgë të vogla, që preknin bregun me delikatesë e me një pëshpëritje kënge ujore të shurdhët. Shumica e djemëve dhe vajzave shetisnin bregut të detit, ndërsa ne djemtë e grupit tonë u ulëm në breg dhe kundronim detin e qetësuar dhe flisnin për bukuritë e detit, kujtonim ditët e provimeve dhe komentonim regimet e pedagogëve ndaj përgjigjieve tona.
Këtë atmosferë magjike na e nderpreu thirrja në autoparlant, duke na urdhëruar të shkonim të flinim, se të nesërmen me 1 korrik do të zgjoheshim pa lindur dielli. U shtrimë në “dyshekun” me bar, por nuk vinte gjumi, ishte çorientuar nga lodhja dhe nga bukuritë e detit, andaj atë natë na braktisi. Rrija shtrirë me sytë mbyllur dhe dëgjoja pëshpëritjet e dallgëve, që lehtë përkëdhelnin bregun. Tepër vonë zbriti Morfeo e më pushtoi gjumi.
3.
Në orën 3. 30 ushtoi autoparlanti me muzikë dhe me thirrje të zgjoheshim e të rrjeshtoheshim në shesh. U ngrita me vështirësi. Më dhimbte shpina nga shtrati i gurtë. U vesha e së bashku me shokët e kursit dolëm dhe u rrjeshtuam në shesh. Qielli në lindje kishte një ndriçim të bardhë me nuancë të kaltërt, ku ndahej nata me ditën që po lindëte ngadalë, e shoqëruar nga ylli Aferdita që ende vezullonte. Ishte një ditë e freskët, e pushtuar nga qetësia e mëngjezit, që ngadalë u shua nga bisedat e aksionistave që kishin mbushur sheshin.
Pasi na dhanë udhëzimet e para, u nisëm drejt kodrave të mbuluara me shkurre dhe me pemë të egra. Pylli ishte i dendur dhe fillonte me shkurre të shumta, ndër ato dallohej një bimë halore, e quajtura Sabina zvarritëse, që rritej me degët e dendura të shtrira horizontalisht dhe vazhdonte me një lloj kaçube me degë të holla, që e quanin Fshesa e bardhë; ashtu si kishte plot gjineshtra luleverdhake, ferra, shqopa, dëllenja, trëndafila të egër, koçomare dhe pemë gjetherënëse si shkoza, driza, frashëri, ndonjë dushk i vogël dhe ndërmjet tyre barishte të shumëllojshme, shumica me lule, që shpërndanin një aromë të këndëshme.
Detyra e jonë ishte t’i prisnim, t’i shkulnim të gjitha shkurret, pemët, barishtet dhe të gërmonim dheun për të hapur brezaret, ku në të ardhmen do të mbilleshin portokalla, limona, mandarina e pemë të ndryshme frutore. Pasi na paisën me kazma, me lopata, me sopata dhe me karroca dore, normisti na caktoi frontet e punës ku do të punonim, duke na porositur të respektonim nivelin horizontal të brezares dhe pjerrësinë e skarpatës, ashtu si ishin përcaktuar me piketat që kishin vendosur gjeometrat. Normisti na udhëzoi si të punonim, si t’i prisnim shkurret dhe si t’i shkulnim me rrënjë, që të mos mbinin përsëri, ku dhe si do ta zbraznim dheun e gërrmuar. Komandanti i brigadës tonë Sul Mema na njoftoi orën kur do të hanim mëngjezin, që do të na e binin në vendin e punës dhe se do të ktheheshim në kampin e aksionit pas orës 11. 00, kur zhegu i asaj vere bëhej i padurushëm. Si të mos mjaftonin gjithë këto këshilla, Sula theksoi të plotësonim punimet e caktuara, ta mbyllnim ditën e aksionit me realizimin 100 % të normave. Në fakt ky objektiv nuk ishte preokupimi i jonë. Realizimi i normës varej nga intensiteti i impenjimit tonë në punë, por dhe nga terreni, se kur kishte pemë të shumta nuk arrinim të plotsonim normën, që na caktonte normisti. Një ditë, pas një lodhje cfilitëse, u ulëm të pushonim dhe Kujtimi bëri një pyetje: “Në seee neee nuk e realizojmë normën, çfarë dooo të na bejnë?” Ne qeshëm dhe iu përgjigjëm: “Asgjë nuk do të na bëjnë, se ne do t’i themi, se faji ishte i Kujtimit që nuk punonte”.
Skuadrën tonë e caktuan në një terren me mbizotërim të shkurreve dhe ne menduam se ishte me e lehtë t’i prisnim e t’i çrrenjosnim, por në fakt na munduan shumë. Në skuadrën tonë isha unë, Krist Morcka, Kujtim Kotorri, Sofokli Eksarho, Rifat Shahi, Liman Sheshi, Vasil Kacorri, Bujar Isaku dhe pesë vajza Mine Struga, Drita Kotrri, Manila Selimi, Xhevrie Karamuça, Mira Katragjini e Lamiha Laçi. Më shumë punonin Kujtimi, Sofokliu, Rifati dhe Vasili, ne të tjerët më pak dhe me ngadalë, ndërsa vajzat me rradhë shkonin dhe mbushnin gjymat me ujë, që e pinim për të shuar etjen, por e përdornim dhe për t’u freskuar dhe pse na kishin porositur të mos abuzojmë më ujin, ta përdornim vetëm për të pirë. Vajzat shkonin e merrnin dhe na shërbenin mëngjesin, që ishte dy feta buke më djathë të bardhë, ose me një fetë marmallatë molle. Me që vëllai i Kujtimit, student në Fakultetin e Histori – Filologjisë ishte përgjegjësi i mencës, e ngarkonim Kujtimin me mision të shkonte e të na merrte ndonjë racion suplimentar buke, ose djathi, ose marmallate, që të shuanim urinë. Racioni i bukës dhe i djathit, që na jipnin në mëngjes, nuk na mjaftonte për të përballuar intensitetin e punës.
Tre ditët e para ndjenim dhimbje muskujsh, kuptohet pas një muaji mbyllur për provimet, muskujt ishin plogështuar, nuk po përshtateshin punës fizike, ndjenim dhimbje dhe lodheshim shpejt, por më pas muskujt u tendosën dhe u aktivizuan mirë, çka ndikoi në rritjen e rendimentit të punës. Kështu punonim çdo ditë, të impenjuar e me ritëm normal, ndërsa dita e djelë ishte pushim. Me punën tonë shkurret dhe pemët bregdetare u çdukën gradualisht dhe nga dita në ditë brezaret filluan të merrnin formë, të vendosura paralel njera mbi tjetrën dhe të shtrira si gjerdanë në gjërësinë e kodrinave, që e ndërruan pamjen dhe ngjyrën. Kodrat filluan të çvishen, e gjelbërta u zhduk dhe kodrat morën ngjyrë gri në bezhë të turbullt.
4.
Kohën pas pune e kalonim duke u larë në det, duke pushuar në kapanonet dhe në mbrëmje duke shetitur në
grupe buzë detit. Atë muaj e përjetuam detin me bukuritë, me përmasa të paana, me ngjyrat që i ndryshonte gjatë ditës dhe natës, me simfoninë joshëse të dallgëve, me misteret e shumta që fshihte në thellësi. Deti ishte binomi i shpirtit tonë rinor, deti ishte muzika që na frymëzonte ëndërrat e shpirtit. Ndërsa rrinim shtrirë në breg duke marrë rreze dielli, vështronim dallgëzimin blu të detit dhe kaltërsinë e qiellit, që bashkoheshin në horizont me një kaltërsi të ndritëshme. Qielli dhe deti janë si dy pasqyra, ditën reflektojnë njeri tjetrin, ndërsa natën dëgjojnë njeri tjetrin dhe ne rrinim mes tyre si spektatorë të vëmëndshëm, duke admiruar simfoninë e detit, që na krijonte kënaqësi dhe qetësi shpirtërore.
Deti nuk është kurrë i qetë, vazhdimisht lëkundet me valë, hidhet me dallgë duke zhurmuar ëmbël, si një simfoni me melodi ritmike. Edhe ne jemi si dallgët e detit, të cilat dhe pse thërmohen kur përplasen me bregun, ato vazhdojnë të rilindin përsëri ritmikisht, ashtu si ne rifillojmë jetën çdo ditë nga e para. Dhe jeta është si deti, një ditë e qetë, një ditë tjetër e trazuar. Deti kundrohet dhe dëgjohet kur lind e kur perëndon dielli dhe ne i përjetuam këto situata të magjishme në mëngjes dhe në darkë, por nuk patëm fatin të shikonim të egërsuar, si ndodhte në dimër, kur zemërohej dhe përgjigjej me dallgë të larta e të shkumëzuara. Atë verë, korriku ishte i ngrohtë dhe deti valëzonte butësisht dhe me qetësi mahnitëse.
Detit i gëzoheshim shumë në mesditë, kur ktheheshim nga puna, sepse jo vetëm laheshim e pastroheshim nga pluhurat, por dhe freskoheshim dhe përballonim të nxehtin përvëlues. Të shtrirë në breg kundronim me qetësi dhe me endje të madhe bukuritë dhe madhështinë e detit. Paanësia e detit na nxiste fantazinë, memoria rendëte sa në të kaluarën, aq dhe me imagjinatën për të ardhmen. Kur kundronim bukuritë e detit fillonim të ëndërronim me sy hapur. Mos u çuditni për këto që iu tregoj, sepse ëndërrat si shprehje e jetës mendore për ne të rinjtë, janë një formë komunikimi simbolik i emocioneve dhe i mendimeve. Ëndërronim dhe bisedonim mes nesh për të ardhmen, kur pas katër vite do të përfundonim studimet në mjekësi dhe do të shkonim të punonim mjekë. Nuk ishin ëndërra në sirtar, por ëndërra frymëzuese dhe reale.

Në mënyrë të veçantë i përjetonim bukuritë e detit në mbrëmje. Shtrirja në pafundësi, takimi me horizontin, mbuluar me qiellin e yllëzuar, lëkundjet me valëzime të lehta dhe ngjyra blu e errët e detit, na krijonin ndjenja hipnotike. Kënga e ëmbël e dallgëve na frymëzonte meditime, na krijonte qetësi shpirtëror dhe relaks, madje harronim kohën, mbeteshim rob i botës së madhe të detit, harronim gjithçka për rreth, harronim lodhjen, urinë, gjumin, kështu atë muaj u shndërruam në robër të detit, në një farë mënyre ishim spektatorë dhe bashkautor me detin. Deti bëhej më i bukur në netët me hënë, sidomos kur hëna fillonte të zbriste në perëndim dhe drita e saj e zbehtë projektohej në sipërfaqen e valëve të detit, si një shirit i ndritshëm, që arrinte deri në breg para nesh dhe ky shirit drite herë ngjyrë argjendi, herë ngjyrë të verdhë na lidhte me hënën. Ne rrinim përballë dhe flisnim me Selenën, hyjneshën e natës, që shtegëtonte ngadalë e shoqëruar nga moria e yjeve vezullimtar.
Deti, dielli dhe hëna na kishin bashkuar në miqësinë tonë rinore të pastër e të sinqertë, sepse ato shprehin momente melankolie dhe misterjoze, krijonin qetësi, paqe dhe gëzim, kështu shpirtat tonë ndriçoheshin herë ngë dielli që na ngrohte, herë nga deti që na relaksonte, por dhe nga hëna bukuroshe me rreze të argjendëta, që ndriçonte mbrëmjet e jetës tonë rinore. Dita bëhej më e bukur dhe më romantike, kur në qiellin e kaltër të Jonufrit ishin të dy, dielli rrezeartë dhe hëna e fildishtë, një duet hyjnor, që udhëtonin së bashku në qiellin e kaltër. Në këto ditë hëna shoqëronte diellin që zbriste ngadalë në perëndim dhe terri pllakoste kudo. Në netët e errëta pa hënën, ne shtriheshim në breg dhe vështronim yjet, duke bërë garë midis nesh kush të identifikonte më shumë konstelacione. Konstelcionet e Arushës së Madhe dhe të Arushës së Vogël i identifikonim shpejt, ndërsa konstelacionet e tjera me vështirësi.

Dielli dhe hëna, atë pasdite korriku 1966, pas shiut që rigoi në Jonufër.
5.
Deti fshihte dhe të papritura të pakëndëshme. Që ditën e parë u përballëm me iriqat e detit, me gjembat e shumtë e të mprehtë që na nguleshin në tabanet e këmbëve sapo hynim në ujë. Fundi i detit në Jonufër ishte guror dhe i mbushur me iriqa deti. Nuk i njihnim vlerat ushqimore të tyre, për pasojë, sa herë na çponin këmbët i kapnim me kujdes dhe i hidhnim në breg. Kështu shfarosëm një numër të madh iriqa deti dhe me siguri Poseidoni u zëmëru më këtë masakër që kryem atë muaj. Ndërsa shumica prej nesh nuk i njihte vlerat ushqimore të iriqave të detit, disa djem vlonjatë i hanin krudo, pasi e hapnin guackën me thikë.
Pasdite dhe në mbrëmje, kur rrinim në breg të detit dëgjonim muzikën që ushëtinte në autoparlantet e kampit. I vetmi aktivitet argëtues që u organizua atë muaj aksioni, ishte një lundrim me anije në gjirin e Vlorës, deri përballë shpellës të Haxhi Aliut. Kjo shpellë gjithmonë kishte tërhequr vëmëndjen tonë për emrin e veçantë dhe vendndodhjen dhe kur e pamë, u mahnitëm për madhësinë dhe formën natyrale e me stalaknitet në harkun e sipërm të hyrjes. Kurioziteti na shtynte të dinim pse kjo shpellë mbante emrin e Ali Ulqinakut, por ciceroni që na shoqëronte në këtë lundrim, nuk e kishte të qartë, nuk dinte të na spjegonte në se Ali Ulqinaku ishte pirati që fshihej në këtë shpellë, apo ishte kapedani ulqinak që luftonte kundër piratëve turqë dhe italianë, që i sulmonin dhe i grabisnin banorët e trojeve tona bregdetare. Kjo enigëm mbeti pa një spjegim bindës.
Ky ishte lundrimi i parë me anije dhe sinqerisht iu them, më ka lënë mbresa të këndëshme e të pashlyshme.
6.
Aktivitetet argëtuese na mungonin. Gjatë muajit të aksionit nuk organizuan asnjë koncert me këngëtarë, as shfaqie estrade, as mbrëmje vallëzimi, vetëm muzikë në autoparlantët e kampit dhe larja në det. Pasi hanim darkën, mbrëmjen e kalonim me shetitje buzë detit. Në mbrëmjen e të shtunës së dytë të muajit, kur unë, Krist Morcka dhe Kujtim Kotorri po shetisnim bregut të detit dhe larg nga kampi i aksionit, takuam Kristofor Zhukën me të fejuarën e tij Teftën dhe ato studenta në mjekësi, që kishin përfunduar vitin e dytë. Kristofori kishte në krah një kitarë, madje e dinim se jo vetëm luante në kitarë, por dhe këndonte bukur. Pasi u përshëndetëm, Kristofori na ftoi t’i shoqëronim. U larguam shumë nga kampi dhe pasi nuk takuam aksionista të tjerë, u ulëm buzë detit. Bisedat miqësore ndiqnin njerë tjetrën, tregonim barcaleta, flisnim për provimet, kujtonim çaste të vështira, por dhe çaste të bukura, madje Krist Morcka improvizonte me humor rastet kur ndonjë nga shokët e grupit, në provim gabonte në përgjigjie dhe pedagogu jo vetëm e korigjonte, por dhe e ironizonte duke i thënë: “Të lutem më thuaj ku i ke lëxuar këto, se unë nuk i kam thënë në leksione?!”
Kështu kaluam një pjesë të kohës atë mbrëmje e më pas Kristofori mori kitarën dhe filloi të këndonte. Fillimisht ne e dëgjonim, por më pas kur këndoi këngë korçare, që ishin shumë të preferuara nga rinia, sidomos kur subjekti ishte dashuria, atëhere filluam të këndonim edhe ne, por stononim aq shumë sa Kristofori qeshte dhe na korigjonte tonalitetin. Këtë koncert buzë detit e mbyllëm me këngën përmetare “Do marr çiften do dal për gjah”, madje vazhduam ta këndonim dhe kur po ktheheshim, por e ndërpremë kur u afruam shumë kampit, sepse Kristofori duke qeshur në tha: “E mbyllim tani, se rrezikohet të zgjojmë shokët e shtabit, se ata flenë me pulat”. Para se të ndaheshim Kristofori na tha: “Të shtunën tjetër do të takohemi përsëri, se do të vij dhe një miku im, një këngëtar i talentuar, që në të ardhmen do të bëhet i famshëm”. E besuam Kristoforin, mbetej të prisnim deri të shtunën e ardhëshme, që të njihnim e të dëgjonim këngëtarin misterioz. U përshëndetëm dhe shkuam në kapanonet tona. Ndjeheshim të lumtur për atë mbrëmje të bukur e gazmore, por ishim kureshtarë të dinim kush ishte ky këngëtar i talentuar. Përmendnim ndonjë student të fakultetit tonë, që mendonim se këndonte bukur, por asnjeri prej tyre nuk na bindëte. Takimi të shtunën e ardhëshme u shndërrua në një enigëm, që na shoqëroi gjatë tërë javës.
Atë natë bëmë një gjumë të qetë. Dihet se muzika dhe këngët ushtrojnë efekte pozitive në mirëqenien psiko-fizike dhe shpirtërore të atyre që i dëgjojnë. Nuk është vetëm kënaqësia që na krijojnë këngët, por ato ndikojnë pozitivisht në mendjet tona, në gjendjen tonë shpirtërore, ulin stresset, përmirësojnë humorin, influencojnë në rregullimin e aktiviteteteve të zemrës dhe të frymëmarrjes, largojnë lodhjen, fuqizojnë funksionet konjitive, shtojnë endorfinat në sistemin nervor qendrorë, të cilat krahas efekteve të më sipërme, rrisin autostimën, rregullojnë një gjumë të thellë e çlodhës. Këto efekte i përjetuam atë natë të shtune të muajit korrik dhe me padurim prisnim të takoheshim në shtunën e ardhëshme.
7.
Erdhi dhe e shtuna e tretë e atij muaji aksioni. Dita kaloi në rregullin e zakonshëm, zgjimi herët pa lindur dielli, puna në brezaret, dreka në mensë, pasditja në det dhe pasi hëngrëm darkën, unë Kristi, Kujtimi dhe Sofokliu, u nisëm ngadalë për në vendin ku ishim takuar të shtunën e kaluar. Ndërsa po ecnim bregut të detit, takuam dy shoqe të grupit, Drita Kotrri dhe Manila Selimi, që dhe ato po shetisnin. Pasi u përshëndetëm i ftuam të vinin me ne, i treguam për takimin tonë dhe ato pranuan ta kalonim atë mbrëmje së bashku. Manila ishte vajzë e shkathët dhe hokatare, ndërsa Drita ishte serioze dhe e rezervuar, por shumë e mirë në mësime. Ajo i filloi studimet në fakultet në moshën 16 vjeç dhe është e vetmia studente shqiptare, e diplomuar mjeke në moshën 21 vjeçe. Me që ishte më e vogla e grupit e ngacmoja me humor, duke i thënë Manilës: “Mama Manila, si po shkon pioneria me mësimet? Drita rrinte serioze e nuk reagonte, ndonëse mes nesh ishte krijuar një miqësi e bukur dhe me respekte reciproke, ndërsa Manila e kishte gati përgjigjien: “Më mirë se ju çunat, merrni shembull nga Drita dhe ju banda e dembelave …”
Ndërsa shetisnim bregut të detit, arrijtën Kristofori, Tefta, me ata ishte Sokrat Meksi dhe një djalë simpatik, që e takonim përherë të parë. Pasi u përshëndetëm, Kristofori e prezantoi: “Ky është miku im Sherif Merdani, student në fakultetin e dhaskalëve dhe këngëtar i talentuar”.
U ulëm në rreth e pas nje bisede të shkurtër miqësore ata filluan të këndonin, së pari këngë korçare sepse Sherifi ishte korçar, mjeshtër i i këngëve qytetare korçare, më pas vazhduan me këngët e Agim Prodanit, të dedikuar nënës dhe mjekut. Për ta bërë atmosferën më gazmore dhe më miqësore, të dy kënduan këngë nga qytetet tona të origjinës, si këngë qytetare elbasanase, tiranse, durrsake dhe shkodrane. Kristofori dhe Sherifi këndonin, ndërsa ne të entusiazmuar admironim talentin e tyre, dëgjonim zërat e tyre melodioz dhe të ëmbël, ndërsa ne dëgjonim, sepse si të stonuar që ishim, nuk donim t’ua prishnim bukurinë e këngëve. Kur erdhi rradha e këngëve shkodrane ndodhi e papritura më e bukur. Sherifi i tha Kristoforit se do të këndonte një Jare shkodrane. Të gjithë u befasuam. Kristi e pyeti: “Ç’kuptim ka fjala Jare?” Para se të fillonte të këndonte Sherifi na spjegoi: “Jare është modifikim në të folmen shkodrane i emrit arie e operave lirike. Melodia e Jareve shkodrane është si arie me një shtrirje të gjërë tonaliteti, kalon mbi dy oktavë, rritet deri në notat akute, të cilat nuk i kanë këngët lirike, çka i dallon jaret nga format homofonike liriko – epike dhe sidomos nga këngët e ahengut qytetar shkodran, në të cilat ndjehet ndikimi i muzikës orientale. Kritikët e muzikës, i konsiderojnë jaret krijime origjinale të këngës qytetare shkodrane, plot ngjyra tingullore, pra nuk janë këngë folklorike”.
Sherifi filloi të këndoi jaret “O moj Shkodër, Shkodra e jonë”, vazhdoi me “Për mua paska kenë kismet”, “Edhe i herë du me kja hallin” dhe e mbylli me këngën “Lule borë”. Kristofori e shoqëroi mjeshtërisht me kitarë, ndërsa ne dëgjonim dhe admironim talentin dhe bukurinë e interpretimit të këngëve. Po përjetonim një mbrëmje magjepse. Mëkat që askush nuk organizoi një koncert për të gjithë aksionistat me këta dy artista. Grupi i jonë ishte i privilegjuar dhe i lumtur, që asistoi dhe përjetoi bukurinë e kësaj mbrëmje të mrekullushme muzikore, plot emocione dhe me gëzim të papërshkrushëm. Pasi përfundoi së kënduari dhe pas përgëzimeve nga të gjithë ne, Kristofori e pyeti: “Sherif, na befasove me interpretimin e jareve shkodrane, madje i këndove si shkodran i vërtetë. Ti je korçar, ku i i mësove këto këngë, kush është mjeshtri tënd?”
Më një buzëqeshje të çiltër, Sherifi na tregoi: “Nuk ka asnjë mister. Babai im është korçar, por nëna ime është shkodrane, unë jam nip shkodre, gjyshi im Sait Hoxha është i mirënjohur si autori i disa jareve shkodrane. Që kur isha i vogël, nëna dhe gjyshi më mësuan këngët shkodrane. Ju duhet të dini së jaret shkodrane janë kompozuar mbi 300 vjet më parë dhe vazhdojnë të këndohen në ditët e sotme. Gjyshi më tregonte për këngët dhe jaret e kompozuara nga Palok Kurti, Jonuz Shiroka, Gjon Kraja, Kol Gurashi, Oso Dibra, Adem Mani, Nush Pali etj, etj. Këta kompozitorë popullor krijuan tempullin e këngëve qytetare shkodrane, janë me mijëra këngë, por ne pak njohim prej tyre”.
Këto që tha Sherifi ishin një syrprizë tjetër e bukur, që na e shtoi respektin dhe simpatinë për këtë këngëtarë të talentuar dhe ne nuk reshtnim t’i bënim komplimenta. Të gjithë ishim përfshirë në këtë atmosferë gazmore, po përjetonim bukurinë dehëse të këngëve që këndoi Sherifi, disa prej tyre në duet me Kristoforin.
Kështu kaluam një kohë të gjatë, por nuk e ndjemë, se ishim përfshirë në entusiazmin dhe kënaqësinë e këngëve. Edhe ky koncert buzë detit në atë natë të shtune, do të duhej të mbyllej, duhej të ktheheshim në kamp, andaj Kristofori e pyeti Sherifin: “Me çfarë kënge do të mbyllim?” Pasi u mendua pak, Sherifi i kërkoi kitaren Kristoforit dhe filloi të luaj një melodi melankolike, me një kreshendo të pëlqyeshme, që befas ndalonte sapo fillonte të këndonte. Këndoi këngën “Kaçarrulat e tu”. E dëgjonim për herë të parë këtë këngë, me një tekst mallëngjyes, që tregonte një dashur të thyer dhe të shprehur me një melodi që të krijonte emocione drithëruese. Ende i kujtoj disa vargje: “Sytë e mi m’i kanë verbu, m’i kanë verbu/kaçurrelat e tu, ooo kaçurrelat e tu,/se me ty moj vashë më ka zanë maraku/ oh marakun ma kanë shtue kaçurrelat e tu, ooo kaçurrelat e tu…….”.
Kur përfundoi këngën ne rrinim shtangur e nuk po reagonim. Mga kjo gjendje na nxorri Manila, e cila duke qeshur tha: “Unë nesër do të shkoj te parrukieria, t’i bëj flokët kaçurrela, se me këto bishat që kam unë, s’ka për të më kënduar askush një këngë”. Qeshëm të gjithë dhe përgëzuam Sherifin për këtë epilog të shkëlqyer e me plot emocione. Para se ta mbyllnim, na tregoi se këtë këngë e kishte kompozuar Gac Çuni, që kishte punuar mësues në Koplik, por kishte përfunduar në burgun e Burrelit, ku dhe e kishte kompozuar këtë këngë për vajzën që kishte dashuruar, e cila kishte mbetur imazh i largët dhe brengë e dashurisë së humbur për zemrën e Gacit. Pasi na tregoi këtë histori të dhimbëshme të Gac Çunit, na kërkoi me insistim të mos e diskutonim me të tjerët këto që na tregoi dhe na tha ta ruanim në kujtesat tona si një mirazh i bukur, të asaj të shtune korriku që kaluam së bashku në bregun e detit të Jonufrit. Natyrisht nuk do të tregonim këtë ngjarje dhe nuk ua treguam të tjerëve, ishte me rrezik në ato kohë, por unë nuk e kam harruar atë këngë të mrekullueshme.
8.
Ndërsa po përgatiteshim të ngriheshim, nga larg dalluam një personi që vinte drejt grupit tonë. Ishte Shezai Braho, komandanti i shtabit të aksionit dhe pedagogu i lëndës së farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Pasi na përshendeti, u ul me ne dhe buzagaz iu drejtua Kristoforit: “Po mua pse nuk më ftoni të dëgjoj këngët tuaja? Pse nuk këndoni dhe këngë labe, apo nuk iu pëlqejnë? Kaq u desht dhe menjherë Sherifi filloi të këndoi këngën “Moj leshverdha trëndelinë”. Shezaiu dhe Kujtimi ia kthenin dhe ne të tjerët mbanim isso, por një iso e çakorduar, me një ioooeee që jehonte dhe thuente terrin e asaj nate, por Kristofori në bënte shenjë ta ulnim tonalitetin, të ruanim bukurinë e asaj kënge popullore labe. Pas këtij çasti të bukur, u ngritëm dhe u nsiëm për në kampin e aksionit dhe për ta mbyllur atë natë ne filluam të këndojmë këmgën përmetare “Do marr çiften do dal për gjah”, këndonim dhe qeshnim me shpirt. Nuk u mblodhëm herë tjetër, se e shtuna tjetër ishte dita e fundit e aksionit dhe ne u kthyem në Tiranë e të nesërmen më 31 korrik, në qytetet tona.

“A duhet t’i pranojmë…?”- Biseda e Stalinit me Titon më 1946 për kërkesën e Enver Hoxhës! Si u bë ish-diktatori “shërbëtor” i tre udhëheqësve komunistë! Tragjedia e kombit të copëtuar- Nga SKIFTER KËLLIÇI

 

PJESA E PARË

Trafaldinoja është një riosh mendjehollë dhe djallush, personazh i komedisë së famshme të komediografit të madh italian, Goldoni, (1707-1793) me titull “Shërbëtori i dy zotërinjve”, shkruar dhe shfaqur më 1775 në shumë skena të Italisë dhe Evropës. Këta dy zotërinj janë sa fodullë, aq edhe ngrahalucë, dhe kësisoj, që të mos dalin në shesh gënjeshtrat e tij dhelpërake dhe për të vijuar rehat-rehat qëllimin e tij të vetëm, të hajë e të pijë qyl, deri sa të velet në kurriz të këtyre dy afendikonjve teptilë, Trafaldinoja, thur ndaj tyre turli historish të pagjasa, plot keqkuptime, belara dhe, doemos, plot hoka.

Thuajse 300 vjet pas daljes në dritë të kësaj komedie, pra, më 1945, një tjetër Trafaldino u shfaq, jo në një skenë teatri, por në një skenë të madhe politike që niste në Shqipëri, vijonte në Jugosllavi dhe përfundonte në Bashkimin Sovjetik. Ky ishte Enver Hoxha, me personazhe të tjera, puthadorë që e rrethonin, i cili fillimthi që u bë shërbëtor i Titos dhe pastaj i Stalinit, për t’u prishur pastaj, por këtë radhë jo vetëm për faj të tij, me zotërinë e fundit sovjetik, Hrushovin dhe, më së fundi edhe me Mao Ce Dunin, duke ia kaluar Trafaldinos, sepse na u bë jo shërbëtor i dy, por i tre zotërinjve. Me një ndryshim sepse nuk qe shërbëtor hokatar, si ai, por vrastar, i zotërinjve po të tillë prej të cilëve kishte mësuar me aq zell këtë zanat të llahtarshëm, dhe me të cilët pati guximin të prishej, por duke vazhduar zanatin e vrasësit të popullit të vet dhe duke e lënë të mjerë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky qe pra, Enver Hoxha.

Është vështirë të gjesh sot në Shqipëri një njeri që të mos dijë se si janë zhvilluar marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e orbitës komuniste, menjëherë pasi në vendin tonë u vendos diktatura e egër komuniste, para së gjithash marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe pastaj me Bashkimin Sovjetik. Mirëpo, kur për këto marrëdhënie në një libër me kujtime shkruan, as më shumë dhe as më pak, por Ramiz Alia, të cilin diktatori e mbajti pranë që nga viti 1960 dhe pas vdekjes e bëri edhe trashëgimtar të tij, punët ndryshojnë. Dhe kjo, sepse ky trashëgimtar, siç do ta shohim në këtë dosier, bazuar në librin e tij “Jeta ime”,(2010), rendit fakte dhe ngjarje që i ka përjetuar, për të cilat ka diskutuar dhe është konsultuar vetëm për vetëm me Enver Hoxhën, veçanërisht pas vdekjes së Hysni Kapos në tetor të vitit 1979, deri atëherë njeriu më i afërm i tij, dhe më pas të Mehmet Shehut, (dhjetor 1981). Ja përse kujtimet që Ramiz Alia hodhi në këtë libër, para se të largohej nga kjo botë, (2011), veçanërisht rreth raporteve të Shqipërisë me vendet e ishkampit socialist, marrin kuptim më të gjerë. Siç dihet, marrëdhëniet midis Shqipërisë me Jugosllavinë u kushtëzuan nga prishja e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, për shkak se Tito, sipas Stalinit, tradhtoi parimet e ideologjisë marksisto-leniniste dhe u bë shërbëtor i imperializmit. Dhe mirë që ndodhi kështu, sepse, ashtu siç po zhvilloheshin ngjarjet, Enver Hoxha, si shërbëtor i neveritshëm i Titos, edhe me miratimin e Stalinit, i la atij dorë të lirë që të zbatonte planin që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë.

E dëshmojnë këtë fakt dy shembuj: Gjatë bisedës që Stalini zhvillonte me Titon në Kremlin, më 27- 28 maj të vitit 1946, në prani edhe të udhëheqësve të tjerë të të dy vendeve, lidhur më kërkesën e vazhdueshme të Enver Hoxhës që në krye të një delegacioni qeveritar të shkonte në B. Sovjetik, Stalini pyeste Titon: ”Ne vazhdimisht e shtyjmë ardhjen e tyre. Si mendoni ju, a duhet t’i pranojmë?”. Dhe më poshtë: “Tani nuk është e përshtatshme as për ata, as për ne. Më mirë i ndihmojmë ata nëpërmjet jush”. (Sipas studimit të pr. dr. Hamit Kabos dhe pr. asc. Ethem Cekut, bazuar në arkivat ruse dhe jugosllave). Me fjalë të tjera diktatori sovjetik porosiste Titon që të ndërmjetësonte në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe B.Sovjetik(?!). Dhe, megjithatë, përulësia prej shërbëtori të bindur e Enver Hoxhës ndaj “miqve të shtrenjtë jugosllavë”, veç të tjerash, arrinte deri në atë pikë, sa në programet shkollore frëngjishtja, gjuhë ndërkombëtare, që e kishte mësuar në liceun francez të Korçës, të zëvendësohej me…serbokroatishten. Dhe nismëtarët e këtij vendimi të çmendur ishin Nexhmie Hoxha dhe Ramiz Alia, aso kohe dhe drejtues kryesorë të Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-Jugosllavi. (Por Ramiz Alia në kujtimet e tij i bishtënon kësaj së vërtetë poshtëruese).

Pas prishjes së marrëdhënieve me Titon, babait të tij shpirtëror dhe shpëtimtar të Shqipërisë, Enver Hoxha bëri diktatorin e tmerrshëm sovjetik, Stalin. Kështu vendi ynë u lidh pas Bashkimit Sovjetik dhe filloi të zbatonte si në politikën e brendshme dhe të jashtme, jo më porositë e Titos, por të Stalinit. Pastaj me vdekjen e tij , dhe ardhjes në fuqi të Hrushovit, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike filluan të ashpërsoheshin.

Ndaj kapitullin e librit të tij “ “Jeta ime” ku analizon këtë periudhë të miqësisë shqiptaro-sovjetike,(1953-1961), Ramiz Alia e ka titulluar: “Bashkimi Sovjetik-miku dhe armiku ynë”, me nënkapituj të tillë si: “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik”, “Shtimi i divergjencave me sovjetikët”, “Bisedimet shqiptaro-sovjetike, prill 1957”, “Thellimi i mosmarrëveshjeve me PK të BS”, “Në komisionin për përgatitjen e Deklaratës së 81 partive”, “Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste e punëtore” dhe së fundi “Ndarja me sovjetikët”.

Këto kujtime janë shkruar me kaq mall, me kaq frymëzim, me kaq krenari për këtë periudhë dhe për këtë diktator, kur dihet se pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste dhe lidhjes dhe forcimit të marrëdhënieve me Kinën e largët, Shqipëria nisi të shkonte edhe më në lindje, drejt këtij vendi shumë të madh vend të madh dhe shumë të varfër, të izolohej nga bota dhe të katandisej në vendin më të shtypur, më të prapambetur në Evropë, deri kur Mao Ce Duni, e kuptoi se ky izolim po i sillte dëm Kinës dhe nisi hapjen me botën kapitaliste.

Nuk veproi kështu Enver Hoxha, që e cilësoi të gabuar këtë politikë dhe u shkëput kështu edhe nga Kina. Si pasojë, ai e shkëputi Shqipërinë krejtësisht nga bota, dhe e cilësoi si të vetmin vend në botë që “ndërtonte socializmin”, ndërkohë , që, si$ dihet ky diktator si pasojë e këtij izolimi, u bë ai shkaktari që ne, shqiptarët, të katandiseshim në gjendjen e mëposhtme, që e përcakton shumë qartë dhe Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime” :

“Në vitin 1990 , ne hymë me mungesa të mëdha që ndiheshin në të gjitha fushat. Industrisë i mungonte lënda e parë, gjë që e detyroi qeverinë të ndalojë punën në disa fabrika. Të ardhurat nga eksporti nuk mjaftonin për të sjellë nga importi mallrat më të domosdoshme për të cilat kishte nevojë vendin. Papunësia shtohej veçanërisht në disa qytete të mëdha, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë etj. Valuta e lirë që dispononte Banka Kombëtare, kishte mbaruar, ndërsa për të kërkuar kredi, as që mund të flitej, askush nuk i jepte Shqipërisë…” (faqe 332).

Bazuar përsëri në librin e mësipërm të Ramiz Alisë, të bëjmë së pari një vështrim të shpejtë mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë.

Më pak se katër vjet, (1944-1948), vazhdoi “besa e përjetshme” me fqinjët kufitarë veri-lindorë, sa thirrjet “Enver-Tito!”, na u ngjitën në buzë e mezi na shqiteshin. Është e çuditshme të mendosh se si Stalini, siç e pamë më lart, nuk shfaqi interesa ndaj Shqipërisë, derisa ia la atë që ta mbikëqyrnin “vëllezërve”, sllavë të Jugut, siç pohon edhe vetë Ramiz Alia në librin e tij, kur shkruan: “Bashkimi Sovjetik, nga ana e tij, menjëherë pas çlirimit , u tregua i përmbajtur për të ndihmuar vendin tonë, sepse ai, siç u duk, “kujdesin” për Shqipërinë ia kishte e lënë Jugosllavisë.”(faqe 131)

Nën dritën e librit të mësipërm , le t’i analizojmë tani më hollësisht marrëdhëniet shqiptaro-jugosllavo-sovjetike, që luajtën rol përcaktues në fatet e popullit shqiptar, për t’u ndalur në një dosier tjetër në marrëdhëniet shqiptaro-kineze.

“Lufta e Dytë Botërore, – shkruan Ramiz Alia në librin e tij , u fitua nga aleatët, ku rolin kryesor në Evropë e pati Bashkimi Sovjetik. Dihet, gjithashtu, se bashkë me të gjitha vendet e Evropës Lindore Shqipëria u përfshinë në zonën sovjetike të influencës”. (faqe 134)

Njëmendësi me të vërtetë e hidhur. Dhe kjo ndodhi, sepse këto vende, që nga Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Jugosllavia dhe pjesa lindore e Gjermanisë, u çliruan nga Ushtria e Kuqe. Por jo Shqipëria. Ajo u çlirua nga ushtria Nac. Cl., natyrisht pasi forcat aleate, si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi po i jepnin goditjen përfundimtare Gjermanisë naziste. Ndryshe, pushtuesit nazistë nuk dihet se sa gjatë do ta mbanin të pushtuar vendin tonë.

Më poshtë Ramiz Alia shkruan: “Pas Luftës së Dytë Botërore nuk qemë ne shqiptarët që vendosëm se në cilën zonë të influencës do të qëndronim. Ishte Jalta, Konferenca e tre të mëdhenjve të Luftës, Stalinit, Ruzveltit dhe #ërcilit, e cila Shqipërinë, (pa e përmendur fare), e la në zonën e sovjetikëve.” (faqe 136).

Çfarë fataliteti! Është me të vërtetë për t’u $çuditur se si në vendimet e Konferencës së Jaltës, (shkurt 1945), pra më pak se tre muaj pasi komunistët shqiptarë uzurpuan pushtetin për ta mbajtur më dhunë për gati 45 vjet, Shqipëria nuk është përmendur në këtë konferencë, thua se nuk ekzistonte fare në këtë botë?!

Mirë që Stalini, siç do të shohim më poshtë, nuk kishte fare haber për këtë vend, i cili nuk kishte pasur kurrë të bënte më sllavët , këtë e marrim me mend, por si është e mundur që të “harronin” Ruzvelti, (1882-1945) dhe Çërçilli, (1874-1965), ndryshe nga presidenti Uillson, (1856- 1924), që mbrojti me këmbëngulje interesat territoriale të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Versajë, (1919- 1920)!…Pra, si është e mundur që në Evropë ekziston një vend i vogël, por me histori dhe tradita të lashta, që ka, gjithashtu, kulturë të lashtë, që prej 500 vjetësh ka qenë e pushtuar nga Perandoria Osmane dhe, megjithatë, ka arritur të ruajë gjuhën, që nuk ngjan me asnjë gjuhë tjetër të Ballkanit, ose Evropës, traditat, kulturën, që jo më shumë së 6 vjet para kësaj konference ishte pushtuar nga Italia fashiste dhe pastaj nga Gjermania naziste…Si ishte e mundur?!…

Nuk mjaftonte ky paradoks, por ndodhte ajo më e tmerrshmja, shpjegimin e së cilës na e jep përsëri me sinqeritet Ramiz Alia, kur vazhdon të trajtojë këtë çështje:”Kjo mund të ishte edhe pasojë e “ndarjes” së zonës së influencës në Jaltë që bënë Çërçilli me Stalinin, kur flitej për Jugosllavinë dhe Greqinë, por nuk bëhej fjalë për Shqipërinë, mbase duke e quajtur pjesë të Jugosllavisë.”(faqe 131)

Kjo është një tjetër e vërtetë tragjike që dëshmon edhe njëherë se Evropa, madje me keqardhje, duke përfshirë këtë radhë edhe Amerikën, nuk tregoi vëmendje për këtë vend dhe për këtë popull, duke na kujtuar kështu vargjet njohura të Fishtës, të shkëputura nga “Lahuta e malcis”:

“Uh ,Evropë, ti kurva e motit, /Qi t’ra mohit besës e Zotit, / Po ky a shenji i gjytetnis, /Me da tokën e Shqypnis, /Për me mbajt klysht’ e Rusis?”.

Pra, ashtu si Kongresi i Berlinit, më 1878, ku kancelari gjerman Bismark mohonte ekzistencën e kombit shqiptar, kongres që me vendimet e tij arbitrare dhe këmbënguljen e diplomacisë ruse shkëpuste nga trungut shqiptar vise të tëra të Veriut, si Plava dhe Gucia, për t’ia dhënë Malit të Zi, kurse Serbisë toka të tjera me popullsi shqiptare në krahinat e Vranjës, Nishit etj., deri në afërsi të Gjilanit, ashtu si Konferenca e Ambasadorëve,(1913), instrument i gjashtë Fuqive të Mëdha: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Rusisë, që lanë brenda kufijve të Shqipërisë gjysmën e tokave shqiptare me vetëm 28 mijë km katrorë dhe i dhuruan plotësisht Serbisë Kosovën, Greqisë Çamërinë, Malit të Zi vise të tjera, me rreth 800 mijë shqiptarë, këtë radhë “Tre të mëdhenjtë e mësipërm” vepronin në Jaltë edhe më keq, sepse, pa asnjë vendim, e nënkuptonin Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë. Pra, i jepnin asaj të drejtën që një ditë ajo edhe ta përlante atë.

LINDJA-FATI KOBZI I SHQIPËRISË!

Ramiz Alia e vazhdon më tej këtë argument që solli si pasojë që Shqipëria të bëhej vend komunist: “Në Jaltë,- shkrua ai, – midis Çërçillit dhe Stalinit u vendos që Rumania dhe Bullgaria të ishin 80 për qind nën influencën e Bashkimit Sovjetik, ndërsa 20 për qind nën atë të Perëndimit. Jugosllavia 50 për qind nën influencën e BS dhe 50 për qind në atë të Perëndimit. Greqia 80 për qind nën influencën e Perëndimit dhe 20 për qind në atë të BS. Për Shqipërinë nuk është folur fare konkretisht, por ajo, siç duket qartë nga zhvillimet e mëvonshme, është përfshirë në kuadrin e Jugosllavisë, e cila kaloi plotësisht nën ndikimin rus.” (“Jeta ime”, faqe 136) Ky fat pra i ra “për hise” Shqipërisë.

Çdo të ndodhte sikur “Tre të mëdhenjtë” të merrnin në Jaltë një vendim posaçërisht për vendin tonë, pra që ai të mos konsiderohej në mënyrë trashamane pjesë e Jugosllavisë, sepse nuk ishte vend sllav, por të ishte 80 për qind nën influencën e Perëndimit dhe 20 për qind e BS? Ose, të paktën, ashtu siç kishte gjykuar Sejfulla Malëshova, që Shqipëria të ishte e lidhur njëlloj si e Lindjen, pra me Bashkimin Sovjetik, meqë Luftën e Nac.Çl. e kishte udhëhequr Partia Komuniste dhe me Perëndimin, sepse në këtë luftë kishin marrë pjesë edhe forca që nuk ishin komuniste dhe përfaqësonin edhe drejtime të tjera politike? Atëherë do të ishin krijuar parti të tjera, të cilat, në fakt, u krijuan, por atyre nuk iu dha kohë që të zhvillonin fushatën e tyre zgjedhore, sepse zgjedhjet u bënë në fillim të dhjetorit të vitit 1945.

Ishte periudha kur midis Shqipërisë dhe vendeve aleate duhej të vendoseshin marrëdhënie diplomatike. Por aleatët perëndimorë vunë disa kushte: “Së pari, – shkruan Ramiz Alia, – shtruan çështjen që zgjedhjet të ishin të lira dhe të kontrolloheshin nga vëzhgues të huaj. Në fakt, në ditën e zgjedhjeve erdhën vëzhgues të ndryshëm, por sipas opinionit amerikano-anglez zgjedhjet nuk ishin plotësisht të lira.”(“Jeta ime”, faqe132) Kështu, siç do të shohim, pas zgjedhjesh me dhunë të egër e premtime për liri demokraci dhe jetë të lumtur, që kurrë nuk u realizuan, komunistët shqiptarë erdhën në fuqi dhe u lidhën fort e më fort pas qerres jugosllave edhe më pas sovjetike.

/Gazeta Panorama

LAMTUMIRË SHABAN NOKSHIQI!….- Nga TAHIR BEZHANI

 

Jeta i ngjan një romani të cilin e lexon, shijon dhe vlerëson nga fillimi deri ne fund. Patjetër se fundi i vjen çdo fillimi. Gjithmonë fundi është i dhembshëm, si çdo ndarje në jetë. Të dhimbshme janë edhe këto momente të ndarjes nga ju, i dashur mik, Shaban Nokshiqi! Virtytet tuaj njerëzore, fisnikëria prej malësori shembullorë, bujaria dhe traditat e trashëguara brez pas brezi, nga Nokshiqi historik, mbeten vlera të thelluara I dashur mik, Shaban Nokshqi, sado të shkruanim për Juve, për meritat e veprës sate dhe të atyre para teje, si trung me thesar kombëtar nëpër breza, do ishte pak, pak fort në krahasim me begatitë tuaja jetësore në çdo aspekt të jetës. Me veprat tuaja madhore, do mbetesh ikonë e balsamosur në kujtesën tonë. Pushofsh në Paqe përgjithmonë, mik i dashur e i paharruar kurrë!

 

Pamje gjatë vizitave që i bënim në shtëpi mikut Shaban Nokshiqi. Ishte me neve edhe i ndjeri (tani) Sejdi Berisha gjithmonë.

Gjakovë,
19.maj,2025

 

Teksti i këngës “Zjerm” (varianti i saktë)

Në këtë minut
në këtë çast
no paranoia
pas shiut
e ylbertë duket bota
nëpër rrugë
asnjë ambulancë
kurrkush s’të flet
me arrogancë
edhe sot na thanë
që s’prishet koha
.
Përfundova nën ujë
kurrë s’m’u tha goja
imagjino një minut
pa ushtarë
pa jetimë
as një shishe në oqean
naftës i vjen era jargavan
lirinë e fjalës
ta mëson shkolla
.
Krijo në mua një zemër t’pastër
në natën time, të dërgoj dritën
aman miserere
aman miserere
.
Në zemrën time
në zemrën teme
ky minut do të vazhdojë
njerëzit e mirë
njerëzit pa emër
kërcejnë valle në shpirt
jarna ne ti toka ime
ku kam lindë s’do të harroj
jarna ne ti bota ime
vazhdo me shndrit
shndrit
shndrit
shndrit
shndrit
.
Zjerm!
bjer mbi vallet tona tribale
që ushtojnë sa orteku kur bjen n’male
.
Zjerm!
njerz’t pa emën e njerz’t e dlirtë
njësoj kputen e bijnë
si 7 thika që t’ngulen n’shpirt
.
Zjerm!
këtu flen deti, rana e hana
e yjet s’i shohim se yjet na i shkelë kamba
kur ecim n’jerm
.
Zjerm!
jena t’untë për flakë e dritë
e t’kërkojmë…
n’kyt terr që s’pranë tuej shndritë

Shtëpi, e ëmbla Shtëpi!- Poemë nga Përparim Hysi

“O shtëpi! O Shtëpi!”
Të kem një varr si ti”

Popullore

Shtëpi! O e ëmbla shtëpi! A nuk thashë që do kthehem një ditë?
Së shpejti,do jem aty; hap derën e dil e më prit.
Në ika dikur e të”braktisa”,s’e bëra atë për vakancë
Vërtet rrugë të gjatë nisa,por malli nuk m’u nda,m’u vu pas.
2
Nuk doja të ikja,ti vet e pe: a nuk qeshë unë hundë e buzë?
Si një qiell ngarkuar me re(gojëmbyllur,si i mbytur në pus)
Dhe ZOTI ma lexoi dëshirën(rrebeshe e stuhi dërgoi)
E bëri të qajë natyrën dhe mua as që më flitej me gojë.
3
A kini parë një të vdekur të gjallë(i vdekuri qeshë unë atë ditë)
E kujtoj atë ditë dhe ma “shpallë”(atë ditë më qenë mbytur gjemitë)
Sosa në AMERIKË dhe u çudita(nëntori këtu qenka behar)
Gjiri i PERËNDISË është FLORIDA,por unë me mendje në MBROSTAR:::) *
4
Dëgjoja që këndonte bilbili,pas pak xërr-xërr një gjinkallë
OH,por këtu nuk njihet dimri,ndaj ky vend është si përrallë.
Njerëzit dalin me të shkurtëra (me të shkurtëra shtyj karrocën e mbesës)
Po pse me”gropa” është rruga, apo s’shoh mirë prej debulesës?

5
Është malli. Malli nuk më lë:si shpata e DEMOKLEUT mbi kokë
NJë lemëz griq-griq më zë…një lemëz që s’më ndahet:më kot!
Më shpie djali të shohë çudira: në ORLANDO a në BUSH-GARDEN
Ku ka ferra për “iriqa”?Nuk ka dhe nga mendja-ujem!!!
6
Ujem se mendja arratiset;tutje-tutje dhe çan oqeanin
Dhe mu në SHQIPËRI bitiset,se atje dua të jap xhanin.
Erdha këtu për pak (për pak,se sa të rritim mbesën)
Por mbetëm goxha gjatë,por hiç nuk e humb shpresën.
7.
E freskët është shpresa e mallit; e gjallë,e prekshme çdo ditë
Në rritet vëllimi i oqeanit,ndodhë se e mbushin të ikurit me mërzitë.
Mërzia asnjëherë nuk m’u hoq,sado që AMERIKA është e bekuar prej ZOTIT
Shpirti im mbi prush u poq, u poq dhe u dogj prej lotit.
8
Se hyra si doku në ujë dhe koka m’u mbulua me thinja
Çdo ditë nga mendja rrëmujë(me mendje jam nga SHQIPËRIA)
Kam shtëpinë atje në një pallat(në fshatin MBROSTAR-URA në FIER)
E kujtoj dhe zë”hedh shtat”(mjerë,kush përpara më del?!!!)
9
Atje marr fuqi si ANTEU.sa prek me këmbë SHQIPËRINË time
Dhe djalli të dalë nga dheu,unë e bëj copë e thërrime
Pa lëre kur mbrrij në FIER (më ikën mërzia tak-fap)
FIERI është mjaltë e sheqer dhe ëmbëlson shpirtin tim farmak.
10
NË MBROSTAR-Ura ngjitem mbi kodër(kodër plot ullinj e vila) *
Pa zë e bërtas si i vogël:-Ku dallon ky fshat nga ZVICRRA?
Tani po:-Jam i plotë.Tani asnjë gjë nuk më mungon.
Çdo ditë me miq e shokë (Mërgimtar,ku je?A më dëgjon?)

11
Nuk ka si vendi yt;aty ku të ka rënë koka
Mëgimtar nga mërgimi ik(SHQIPËRIA shtë më e bukur nga gjithë bota).

* jam larguar nga Shqipëria më 9 nëntor 2000 dhe jam kthyer më në 4 shkurt 2012.
MBROSTAR_URA-fshati ku kamjetuar 50-vjet tri-katër km larg FIERIT.
4 shkurt 2012
Tiranë,17 maj 2025

ZËRI I NËNËS ( Nga varri) – Poezi nga TAHIR BEZHANI

ZËRI I NËNËS
( Nga varri)

Një zjarrmi e etshme më zuri
Mall i çmendur u fut në zemër
Varri i nënës më vjen para syve
Ka kohë që nuk e kam vizituar
Rrëmujë mendimeve të mia
Palë mbi palë ngarkuar
Dita gdhiu e bukur, me rreze dielli
Përmallshëm ecja rrugës
Mbytur në kujtime….

Arrita te varri me zemër të ganduar
Heq bar të keq, ndonjë rrënjë fier
Një ushtimë dika më vjen, një zë….

Një dredhë pluhuri rrugëve të fshatit
Ngrihej deri në qiell
Më mbështolli në boshtin e saj
Më lidhi si në djep lilak
E një zë i ëmbël ,si në vaj flet:
“ A ishe në Zogaj o biri im
A gjete kënd, a të priten mirë?!
A të thanë ndonjë fjalë
Te varret a ke qenë
Folëm lumi im, folëm çdo gjë?…
Që gjashtëdhjetë vite kam ikur
Akoma shkrumin e kam në buzë
E mallin në sy e mbaj….”

Pasi iki dredha në rrugëtimin qiellor
U shkreha në lot e vaj mbi varrin e saj
Kujtoja vajtimin në dyshekllak të kullës
Kur loti i saj thante dushk e bar
Tani zërit të saj i përgjigjem me radhë
Ia kam plotësuar dëshirën ,amanetin
Radhë me radhë, duke i thënë:
Po e dashura nënë,
Kam qenë në Zogaj e fort jam çmallë
Tërë Bytyçin e Tropojën shëtit i kam
Lule ishte vendlindja ku ke lindë e rritë
Ato boka e kodra, fusha e male
Vizituar të gjitha i kam
Themelet e shtëpisë i gjeta pa kate
Beso ,shumë jam mërzitë!
Dajë të dashur: Alushi, Ademi, Sadiku
E gjithë ajo djalëri
U gëzuan shumë e thanë:
“ O na erdhi nipi, djali i Razës
Pas pesëdhjetë vitesh! Sa lumturi!….”
Lotët e tyre flisnin, gojët ishin ngri!…
U bashkua Bytyçi shpi për shpi…
Nga gëzimi dashin e theren për gosti

Pastaj takova motrën tënde
Hyrën në Padesh
U përqafuam gjatë, qanë zemrat fort nënë
Çdo gjë u tregova për ty, për ne
Gati harrova pa të thënë,
Te varri i gjyshit Zenun u përula në Zogaj
Gjyshja Tahe në Padesh ishte varrosur
Shkova edhe atje
Për hatrin e zemrës sime nënë
Tani fli e qetë nënë e dashur
Kufijtë janë rrënuar
Kudo në Shqipërinë tënde kam shkuar
Më kanë dhënë shumë mirënjohje
Bytyçi e gjithë Tropoja
Kam shkruar libra nënë
Poezi për Zogaj e Valbonën
Me lot i ka qa
Si ti dikur frëngjive të kullës
Kur unë isha fëmijë….

Të gjithë më duan në Tropojë
Kur shkoj edhe gurët gëzohen
Bokat qeshin e natyra gjelbërohet

Mos rënko si dikur, mos fshaj
Ti në jetën e gjatë
Na në të rrejshmen
Një ditë atje do bashkohemi….

Tani dita iku, nata po vjen
Përshëndeta nënën te varri
Një zë si ushtimë sërish dëgjoj
“Faleminderit loke
Shpirtin ma qetësove
Shkrumin ma largove!….”
Ecja si i këputur në brez
Do vite ngarkuar trokasin gjymtyrëve
Do mjeshtër dembelë po punojnë…

Mendimet bluanin ngjarjen e ditës
Ktheva kokën prapa
Sikur diçka nga brenda foli
Natën e mirë nënë, sërish do vij
Nuk di sa vonohem!….

Shtëpia më tërhiqte, edhe fëmijët
Dy botë të ndara
Kaluan bashkë një ditë
Imagjinata ushqen shpirtin e plagosur….
Shkruar në pakohësi!….

EKZISTENCIALE- Poezi nga HASAN MUZLI SELIMI

Ju them të drejtën
Një natë fjeta në stanisht breg detit
Kujtoja të vdekurit, të gjallët i harrova
Në heshtje ngjit me Butrintin, çati me vrima, numëroja yjet
Të nëndheut shëtisnin mbi ne, llafosnin për bëmat
Deti irritueshëm u ngjit në strehën e fjetores time
Të përtej dheut u treten, kapërcyen pragun e galaktikës
U largua ujë, të vdekurit n`dukje pa gjurmë, udhë boshe
.
Mëngjesi erdhi si zakonisht, kullonte çatia, tavani i zhdukur
Të gjallët heshtje, s`shikonin, as nuk dëgjoheshin
Më fytyrë prej qiellit, retë parakalonin, shtypnin mbulojën time
Ëndërroja të jem re, të ec qiellit, të kthehem i gjallë
Një gumëzhitje mbi mua, mendova erdhën të më marrin ato
Vdektinat e panjohura as në të gjallë
Prej lart një pëllumb, mbi jargan shkundi pendët
Nën krah ngjit me brinjë mbante një kartë
.
Përkëdhela shpendin si një foshnje mjerane
Qava për të, sikur të ishte …, në gjirin tim e thava, lëvizi
Dilem e radhës, të lexoj letrën a ta tres, nuk ishte porosi,
Hereoglife të zakonshme, histori
Pulëbardha shikonte, lëvizte kokën, sytë
Donte të tregonte sa herë është përplas në brigje, sa herë është gdhi
.
Lotët e mia derdhen, thajnë detin
S’kam një varkë, ta ndërtoj nuk di
Në fund të botës, të shënoj këtë kartë
Njerëzia të shoh sa kam udhëtuar,
Cilat ishin brigjet, shpend si ky, ku kam takuar
Dielli ngjitej drej diellit, lexoja letrën, përsërisja veten.
.
Sot me datë 17.05.2025
.
Hasan MUZLI Selimi

SURGITE,  MORTUI  ! (ÇOHI, TË  DEKUN !)- Nga AT GJERGJ FISHTA OFM.

 

 

 

  1. Shqyptarë, a ndiet ? Evropa, mrrutë e ndyt,

Shkerdhye me Evrej t’ Parisit e t’ Londonit,

( Se cillës dreqi ia plasi të dy syt

E marren ma s’ e sheh, njitash n’ e s’ vonit)

E bani gjyq, qi t’ nipat e Kastriotit

Shkjevet t’ Balkanit urë t’u rrijn mbas sotit.

  1. Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Evropa,

                                    Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,

Të cillët Kishat rrënue ua kanë me topa

E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:

Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekun ûni.

  1. E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;

E gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?

Hajnat lapera zotëni do t’ thrrasin,

E t’ pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;

Me armë shqyptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,

Sogje Shqyptari shkjaut do t’ rrijë sod  m’ kamë.

  1. Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?

                        A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…

Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:

Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:

Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:

Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –

  1. Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:        

E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;

E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;

E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej

Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,

A e ka uficiali kalin at’ a pélë.

  1. E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,

Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: – 

Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue

Me malazez të shkyem a me serbjan:

Por per me mujtë me xjerrun kund ndo ‘i grosh

Tue rrêjtë me to ndonji hingliz balosh.

  1. Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes…

Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e presin,

E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:

Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,

S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot

Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.

  1. Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun

                        Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa

                        T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun

                        Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa

                        Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,

                        E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!

  1. Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u kam… Ku jéni?…

                        Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…

                        Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…

                        Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…

                        Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,

                        E, shk’ asht ma zi, né vlla me vlla na dau!

  1. Ah! M’ kambë, brè burra! Shka jini mshehun

                        Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…

                        Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;

                        Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.

                        Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!

                        A gjallë me ndérë, a dekun grue e trim.

  1. Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…

                        Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!

                        Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;

                        E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.

                        Ku themra e jote per Atdhé të shklase,

                        Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!

  1. Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde

                        Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!

                        Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,

                        – Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…

                        Mblidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptari

                        Qindro, s ‘i herë qindrove me trimni.

  1. M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i  t’ biri t’ shkinës

                        Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn

                        Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:

                        A i mend, thue, ti, kaq marre do t’ a bâjn;

                        Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,

                        Qi aq gjak kanë derdhun per Liri t’ Shqypnis?

  1. Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri

                        Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,

                        Aty kufin e ka, per ball me Viri,

                        E ké me pá ti atëherë, se rrokullija

                        Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;

                        Pse per Shqypni Malcorët janë msue me dekun.

  1. Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,

                        Pse Perendija s’ ka me u lanë me u thye.

                        T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra

                        E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.

                        Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,

            N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

  1. E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,

                                    Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,

            Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli

            Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –

            Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë

            E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

  1. Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri

                                    E porsi krandja e that n’ nji flakadâ,

                                    U shoftë me arë, me farë me mal me vrri

                                    Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,

                                    Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë

                                    Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Sajë!

 

Shenim nga Fritz Radovani:

Asht marrë pa asnjë ndryshim nga libri “LIRIKA” i At Gjergj FISHTES.

Botue në librin “LIRIKA” në 1941 prej At Viktor VOLAJ OFM.

Mundeni me e botue!

Melbourne, 15 Maji 2025.

ARBËRESHET- Poezi nga Neki Lulaj

(Për datëlindjën e Gjergjit)

Nga matanë detit arbëreshët na erdhën të malluar.
Sollën gëzimin nga shpirti i tyre hyjnor
Për datëlindjen e Princit të Arbërit uruan
Veshur bukur me kostum arbëror.

Na i zbukuruan tërë rrugët e Prishtinës
Me plot gaz e hare zgjuan grimcat e dheut
Ka ardhur brezi i ri i gjakut të Arbërit
Bashkë ta festojmë ditëlindjen e Skënderbeut.

Mallin sa një oqean e kemi në sytë e gëzuar
Ky det me dallgë tërbuar na ndanë në mes
Në për ju gjithmonë kemi  menduar
Në Kalabri që prej  gjashtë shekujsh jetojnë si arbëreshë.

-Nuk erdhëm me  Jeronim De Radën
Se ai të gjithë juve atje ju pret
Kësaj radhe erdhi Zefi me Gavril Darën
Ka shumë shekuj qe këtë ditë e pret.

Pa ejani t’i shtrëngojmë bashkë duar e zemra
Se ne ruajmë një gjuhë e një gjak në damar na rrjedh
Fara e arbërit është kaltërsi hyjnore
Pa ejani, vëllezër se Lungëra krahëhapur ju pret.

Schwarzvald 6 maj 2025

Ndoshta kjo foto është shkrepur një ditë të diele. Musine Kokalari, si gjithmonë me libër në dorë

Ndoshta kjo foto është shkrepur një ditë të diele. Musine Kokalari, si gjithmonë me libër në dorë, në çaste pushimi me familjarët.
Ndoshta ishte një ditë maji, kur në oborrin e shtëpisë gëzonin të gjithë bashkë rrezet e diellit pranveror.
Janë dy gjëra me të cilat Musinea ishte lidhur dhe ishin pjesë e qënies së saj: natyra dhe libri.
Këtë që edhe ajo e pohon shpesh në shënimet dhe librat autobiografikë, e gjejmë të pasqyruar në çdo foto të saj, ku Musinea do të ketë gjithmonë në duar një libër, apo një tufë lulesh të egra, apo do të shfaqet duke admiruar peizazhin natyror.
Ajo shpesh herë i bashkonte të dy këta elemente, kur ulej dhe lexonte në stolat e lulishtes së Rrëshenit, ashtu siç tregojnë bashkëkohësit me të në atë qytet të vogël./Muzeu Kokalari

HISTORIA E PATHËNË E PAPËS SË SAPOZGJEDHUR, ROBERT PREVOST: PAPA LEO XIV- Nga Markon Eugenio Alat- Në shqip: Eda Zhiti

Mori një vendim befasues në vitin 1975:
Ai refuzoi Fakultetin Juridik të Harvard-it për t’u shërbyer fshatrave më të varfra të Perusë
Tani, ai është Papa i 267-të.
• Flet gjuhën e lashtë inkase.
• Ecte 8 orë për të ndihmuar të varfërit
• Amerikan i parë i Shteteve të Bashkuara që bëhet Papë.
Në vitin 1975, Robert Prevost ishte në kulmin e suksesit. Mësues matematike në Çikago. Katolik i devotshëm. I pranuar në Fakultetin Juridik të Harvardit. Kishte gjithçka që një i ri mund të ëndërronte. Por pastaj mori një vendim që askush nuk e priste. Ai tha jo për Harvardin.
Jo për një të ardhur me gjashtë shifra. Jo famës. Jo rehatisë.
Dhe po për diçka që pak njerëz guxojnë ta zgjedhin: një jetë dorëzimi të plotë. Ai iu bashkua një grupi misionar dhe u zhvendos në Peru. Jo në qytete. Jo në vendet turistike.
Por në fshatrat më të largëta ku fëmijët vdesin nga sëmundje të shërueshme dhe familjet ecin kilometra për ujë të pastër. Nuk kishte rrugë. As ujë të rrjedhshëm. As WiFi.
Vetëm male. Heshtje. Dhe varfëri. Por ai e përqafoi si shtëpinë.
Roberti nuk jetoi thjesht mes njerëzve. Ai u bë njëri prej tyre.
• Mësoi keçuan—gjuha e inkasve.
• Mbante ushqim për ditë të tëra, teksa ecte në këmbë.
• Flinte në dysheme balte me fshatarët.
• Lutjet i bënte nën yje.
Ai u jepte mësim fëmijëve të zbathur nën çati të dëmtuara. Kur nuk jepte mësim, ai bartte të sëmurët mbi gomarë për të dhënë ndihmë.
Ai dëgjonte, dëgjonte me të vërtetë historitë që askush tjetër nuk i dëgjonte.
Ndërsa miqtë e tij nga Amerika bëheshin avokatë dhe mjekë, ai u bë diçka krejt tjetër:
Një bari,
Një vëlla,
Një luftëtar i qetë i besimit.
Dhe dalëngadalë legjenda e tij u përhap. Veprat e tij nuk transmetoheshin, por jehuan nëpër Ande.
Ipeshkvijtë e vunë re.
Priftërinjtë e vunë re.
Me kalimin e kohës Vatikani e njohu.
Ata e thirrën për të udhëhequr të gjithë urdhrin e tij augustinian. Nga shërbimi në një fshat, tek drejtimi i 2,800 vëllezërve në mbi 40 vende.
Megjithatë—mbante të njëjtat sandale
Ende ecte me të varfrit.
Ende refuzonte luksin.
Pastaj erdhi thirrja që ndryshoi gjithçka:
Roma e donte më afër. Në vitin 2020, ai u emërua Arqipeshkëv dhe iu ngarkua të qeveriste ipeshkvij në nivel global. Ishte e rrallë. Por Roberti kurrë nuk kishte ndjekur thjesht traditën. Ai nuk ishte thjesht i rrjedhshëm në latinisht apo në të drejtën kanonike.
Ai ishte i rrjedhshëm në dhembshuri.
Në përunjësi.
Në dëgjim.
Në prani.
Vatikani nuk pa thjesht një prift. Ata panë një udhëheqës me shpirt. Më 30 shtator 2023, Papa Françesku e bëri zyrtare: Robert Prevost u shpall Kardinal. Vetëm një hap larg Papës.
Dhe pastaj… në vitin 2025
U bë historia. Për herë të parë ndonjëherë një amerikan.
Një ish-mësues matematike.
Një misionar për të harruarit,
U ngrit si Papa i 267-të i Kishës Katolike
Dhe ai nuk harron njerëzit që e formuan. Deri sot, Papa Robert ende kthehet në të njëjtat fshatra.
Ende lutet në Keçuan.
Ende ulet në dysheme balte.
Ende mban duart e të moshuarve në heshtje.
Sepse udhëheqja, sipas tij:
Nuk ka të bëjë me pozitën, por me praninë.
Bota është e fiksuar pas pushtetit.
Por Robert Prevost dëshmon:
• Titujt s’kanë vlerë pa shërbim.
• Dija është e kotë pa dashuri.
• Dhe besimi pa sakrificë është zhurmë.
Ai e la pas botën, për ta ndryshuar atë.

SALI BERISHA MISIONAR NË MES TË MISIONARËVE- Nga HASAN MUZLI SELIMI

Thonë se Cicëroni, babai i gojëtarisë romake, fjalimet e veta i fillonte me një farë rrënqethje që dukej jo në formë, gati-gati belbëzonte. Fabi i pari i fisit Fabius  e arsyeton: “Ky është shembulli i oratorit të vyer, që është i vetëdijshëm ndaj përgjegjësisë” Nuk e mbaj mend sa kohë që e kam lexuar, por është e vërteta është në origjinal. Fjala “Fabius” është përdorur si emër i individëve të zakonshëm, siç është Gajus Fabius Maximus, i njohur për strategjitë e tij gjatë Luftës së Dytë Punike.

Të gjithë do thonë. çka është ky kod i kurthuar për të cilin duhet të mendojmë ku don ta dërgoje këtë ujë, në të cilin mulli. Krejt e thjeshtë, mendova ta përfoli pak Sali Berishën. Të bëj edhe unë si ata që duan të bëhen përsona publik e fillojnë me Saliun. Pata dëshirën, shfrytëzova mundësin sivjet të marr pjesë në takimet e Prof. Dr. Sali Berishës. Një ngarkesë në mendjen time, e vështirë për ta administruar këtë kohë që është tjetërsuar, një punë, vullnet, përkushtim, energji që rrallë e takon tek ndonjë individ.

Fillon takimin me një të grithur të fytit. Ngadalë, sikur me përtesë ai del në skenën e të pa arritshmes. Po e dëgjoja me vëmendje në një takim me shumë të rinj e zonja. Aty vëmendja ishte në maksimum. Bashkëpuntorët e tij civil e me shumë ide, të shkolluar me mjaft vizion, të rinj e plot energji. Ai e mbizotëronte krejt ambientin plot e përplot. Kjo nuk vjen nga funksioni, por nga aftësia administruese e masës. Individi, masat i drejton, i orienton, i ekzalton i dërgon deri në ekstazë. Ky është roli i një individi. Sali Berisha politikan e ka arrit këtë mision.

Ai po fliste, unë mendoja, për vitin 2013, vit kur u dorëhoq nga të gjithë funksionet politike, administrative e shoqërore. Po përpiqem ta them në mënyrën më të përmbledhur deklaratën e tij atë pasdite: “ … edhe njëmijë demokrat po të mbeten unë jam njëri prej tyre, edhe njëqind demokrat po të mbeten unë jam njëri prej tyre, edhe një demokrat po të mbetet unë jam njëri nga ju…”. Nuk e kam zakon të flas, të përbetohem për parashikime, por në fakt iu kam thënë dy miqve të mi atëherë se ky njeri nuk e ka përfunduar misionin. Të dy qeshen, bilës me shpotiten. Situatat erdhën si erdhën, Sali Berisha u ringrit sërish si Sfinks.

Njoftoi për një takim në Rogner, do të takohet me gazetar. Çensura e madhe, por gazetarët morën pjesë kënaqshëm. Në një tavolinë me shumë miq bëhej diskutim për aksionin politik të Sali Berishës. Nuk flisja, dëgjoja me vëmendje deklaratat e një deputeti të suspenduar politikish në këtë rast Sali Berisha. Diskutimet e bashkëbiseduesit që nuk ishin pak për nga niveli, madje as për kah rëndësia në jetën politike.

Unë iu thashë, ju kujtohet sulmi i papritur ajror që shkatërroi fuqinë detare amerikane në Paqësor? Ai sulm nxiti hyrjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Presidenti Frenklin Ruzvelt e quajti 7 dhjetorin “një datë turpi”. Përfshirja e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore shihet si pikë kthese e madhe në konfliktin kundër fuqive të Boshtit nazi-fashist, Gjermanis, Italisë dhe Japonisë. Për këtë është bërë një film, ka marrë shumë çmime. Po,- më thanë, diçka na kujtohet. Unë tani kryej rolin e ushtarakut lart Japonez lidhur me ngjarjen ton, me Dr.Berishen. Do ta përsëris ushtarakun Japonez. Zgjuam Luanin nga gjumi. Qeshen, madje edhe më shpotiten. Sulmi mbi Pearl Harbor ishte planifikuar nga Admirali Isoroku Jamamoto, komandanti i përgjithshëm i flotës japoneze. Jamamoto një aviator i marinës, studiuar në Universitetin në Harvard. Po ashtu gjatë viteve 1920, ai shërbyeu si atashe ushtarak në ambasadën Japoneze në Uashington. Nuk e di arsyet e tij personale, por di të them se pas sulmit tha: “Zgjova Luanin nga gjumi”. Me qetësi prapë këmbëngula. Nëse nuk doni ta shihni Sali Berishën në karrigen e Kryeministrit dilni dhe eliminojeni. Kështu iu thashë atë natë. Koha po afron profetësia ime po heshtë.

Nuk ka mendim të analizoj konjukturat, rrethanat, interesat botërore për rikthimin e tij, sepse pak a shumë dolën më lart, por unë do analizoj Sali Berishën si njërin prej demokratëve misionarë. E kam ndërmend të prek në tre aspekte krejt të dukshme, të njohura, të vërteta që demokratet i janë borxhli.

Sali Berisha e ndjen veten krenar që është njëri prej demokratëve Shqiptar. Ne na kujtohet se si janë trajtuar demokratët në vitin 1990-1992, në vitin 1997-2000, si janë trajtuar demokratët në vitet 2013 e deri tani. Janë rrahur brutalisht në sheshe, janë shoqëruar në komisariatet e policisë dhe troturuare si …, sepse ishin kundër sistemit, janë dënuar për vepra penale të sajuara, kanë vuajtur dënime të pa drejta, janë larguar nga puna vetëm e vetëm se mendonin ndryshe.

Sali Berishën e shoqëruan në 1998 në polici në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. E morën me dhunë, në atë kohë ishte deputet e kryetar opozitë në fakt shumë maxhoritare edhe pse numërimi i votave bëhet gjithmonë nga shteti, është parimi Stalinist. E mbajtën në polici, ushtruan presion psikologjik mbi të, sikur ishte një njeri i zakonshëm që atakohet për hobi me ligjin.

E njëjta si me demokratët në tërësi që i kanë dhunuar në rrugë, kafene, në shtëpinë e tyre sidomos në vitet e para të pluralizmit e në mënyrë të veçantë në vitet 1997-1998. Ne kemi pa të filmuara edhe eksponent të kulturës shqiptare duke u dhunuar, sepse ishin me Sali Berishën. Më kujtohet një që e dhunuan barbarisht afër Ministrisë së Rendit. Nuk mund të nominoj të gjithë ata njerëz që aderonin në partinë Demokratike që  janë pa të filmuar nga televizori të gjakosur me dhunë.

Sali Berisha filloi ofensivën e madhe kundër një shteti që luan e nëpërkëmbë dinjitetin. Organizoi një tubim ditën, kur në Shqipëri, në Tiranë kishte një samit nga e gjithë Europa. Gjithmonë Sali Berisha ka thënë jemi në luftë, kjo është kryefjala e tij që në vitin 1990. E lufta, or lum miku ka viktima, ka edhe plagë që mbeten, jo vetëm fizikisht, por plaga shpirtërore është e pashërueshme. Sali Berishën e goditën në mes të sheshit, përpara gjithë kamërave. Sipas tyre e përdhunuan, menduan se me një gur  vrasim dy zogj. Thonë se lufta është e pamëshirshme. Gjithmonë në luftë ke humbje, kur aty brenda vetes ke të shitur, jo vetëm tek kundërshtari, por tek egoja dhe faktori racial. U plagos Sali Berisha. Njerëzit pranë e larg tij menduan se tani ky po përmbys Tiranën. Në fakt me një të lëvizur të dorës prej tij, gjendja nuk riparohej kurrë. Ai u ngrit më shumë se sa një Politikan, ai u ngrit si një klerik, në anën humane, kaloj përmasat e mjekut, apo të politikanit e shkoi deri tek adhurimi. Në fjalimin e tij tha: Atë mjeran e kam fal. Është i gënjyer, i shpërblyer. Lëreni të ik në shtëpi. Në fakt ai ishte njeri me identitet të sajuar që nuk iu gjet familja kurrë.

Me këtë akt burrëror, prej humani, politikani vizionari dhe ideatori primar shmangu gjithçka mund të ndodhte. Ruajti Shqipërinë, veten, partinë e tij që e krijoi, e mbajti, e rriti, e riorganizoi me aq mund. Figura e tij u naltësua.

Sa e sa demokrat janë burgos me e pa të drejtë ligjore. Sali Berisha u vendos në masën e sigurisë pa kaluar procedurat imunitare të parlamentit. Bëri gjithë atë betejë politike e ligjore të çojë në vend dinjitetin e parlamentit dhe u shpërblye me masën e sigurisë përsonale atë të arrestit shtëpiak. Prej aty u bë zëri i shumicës së shqiptarëve. Bisedat me qytetarët nga dritarja e shtëpisë ishin një aksion vetëmohimi. Prej aty energjia e tij u shndërrua në uraganin që sjell një ortek që fillon sa një kokërr arre.

Ja pra, ky është Sali Berisha. Tani asnjë demokrat nuk mund të thotë se kam heq më shumë se Kryetari i tyre, se misioni nuk arrihet pa vuajtje, pa përplasje. Tani demokratët kanë shumë më shumë arsye ta ndjekin për përmbushjen e këtij misioni biblik.

Gladiatori i familjes demokratike ka hyrë në arenë. Ai betejën e filloi, po e vazhdon në kushte krejt të pabarabarta. Me një shtet që prodhon vetëm terror. Me një sundimtar, siç e thotë vet Berisha narko-shtet. Tani si e vlerësoni Sali Berishën. A është një prej demokratëve me mision për atdheun, për demokracinë?

Me datë 02.05.2025

Hasan Muzli Selimi


Send this to a friend