VOAL – PRISHTINË, 2 GUSHT – Opozita, në një nga rastet e saj të rralla në gjithë jetën politike të Republikës së Kosovës, ka gjetur unitet të plotë. Në seancën e së hënës ajo do të votojë kundër riprocedimit të amendamenteve kushtetuese, nëpërmjet të cilit do t’i hapej rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte. Sipas tyre, riprocedimi është në kundërshtim me rregullat e Kuvendit dhe në mosrespektim të vendimeve të Kuvendit dhe të Kushtetutës. De fakto, deri sot themelimin e Gjykatës Speciale – ose Gjykatës së Posaçme, e ka penguar Qeveria e Kosovës, e mëparshmja e drejtuar nga Thaçi dhe aktualja e drejtuar nga Mustafa. Kjo dukuri e ka komprometuar Qeverinë, sepse ajo, përveçse nuk ka pasur vullnet, nuk ka qenë as në gjendje të mbajë një qëndrim të qartë lidhur me themelimin e kësaj gjykate të Kosovës. Veçanërisht PDK-ja e Thaçit ka dëshmuar konflikt të thellë interesi ndaj gjykatës. Kjo parti e ‘dalë prej luftës’ as partitë e tjera, po ashtu ‘të dala prej luftës’ në fakt nuk kanë bërë ndonjë gjë të dukshme për të mbrojtur imazhin e UÇK-së dhe, nëpërmjet kësaj, imazhin e Kosovës. Përkundrazi janë marrë me mbrojtje individuale dhe grupore, duke pasur si pikësynim të fundit identifikimin e UÇK-së me ata, çka, në të vërtetë, nuk e ka ndihmuar as Kosovën, as UÇK-në. Themelore në shqetësimin e editorialit është se opozita e Kosovës, ndonëse ka pasur kohë të bollshme që nga miratimi i Rezolutës përkatëse të Këshillit të Evropës, për të paraqitur alternativën e saj ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës, ashtu si Qeveria e Kosovës, nuk e ka bërë këtë gjë. Prandaj paraqitja e tanishme e opozitës në thelb me të njëjtin qëndrim dhe të njëjtën mungesë vizioni sikurse Qeveria, e komprometon shumë atë. Nëse Qeveria, për arsyet e saj, nuk ka qenë e zonja të përballet me sfidën që paraqet kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës dhe përmbushjen e synimeve për të cilat themelohet ajo, rreshtimi pa argumente i opozitës në një pozicion si ai deri tani, në fakt, ia bën UÇK-së dhe Kosovës të njëjtin shërbim që ia bën shumica në pushtet. Opozita pritej të kishte vullnetin, vendosmërinë, si dhe qartësinë e zotësinë për të ofruar zgjidhjen e besueshme në interes të Kosovës, çka, siç dëshmohet, nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë Qeveria e Kosovës.
Komentet