Jup Kazazi ishte veprimtar politik, Zministër i Partisë Fashiste në qeverinë e Mustafa Krujës, udhëheqës i Ballit Kombëtar.
Lindi në vitin 1909, në Shkodër. Studioi për ekonomi në Beograd dhe pasi u dëbua prej Mbretërisë serbo-kroatosllovene më 1920, studimet i vazhdoi në Torino (Itali). Jupi, pasi ishte student universiteti në Beograd, qeveria jugosllave e kishte burgosur për veprimtari patriotike që kishte zhvilluar atje. Për të njëjtat motive, në një rast të dytë, e kishte dëbuar përfundimisht prej Jugosllavisë, gjë që e detyroi që studimet për ekonomi politike, ai t’i vazhdonte e t’i kryente mandej në Itali. Zotëronte serbokroatishten, italishten, frëngjishten dhe anglishten. Në Shkodër zgjidhet kryetar i grupit ‘Djelmënia’. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia bëhet pjesë e Ballit Kombëtar, punon ekonomist në ministrinë e Financave. Me këmbënguljen e miqve bëhet ministër i Partisë Fashiste, edhe pse ishte kundër fashizmit. Pas disa kohësh jep dorëheqjen nga kabineti, së bashku me Hasan Dostin.
KRYENGRITJA E POSTRIBËS
Më 18 gusht 1943 organizoi bashkë me nacionalistë të tjerë Luftën e Reçit, një luftë që më vonë historianët komunistë e interpretuan si të organizuar nga komunistët. Jup Kazazi bashkoi tri forcat politike që e patën zgjedhë kryetar të Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë dhe qe organizues kryesor i Luftës Reçit, një nga betejat më të mëdha kundër pushtuesit me 30-31 gusht 1943. Pas ardhjes së gjermanëve doli në mal përsëri. Atje ishte bashkë me misionin anglez për Veriun, kolonelin Neel (Nil) e kapitenin Hebberdine të R.A.F. Për këtë periudhë, koloneli Neel më 19.10.1991, i ka shkruar vajzës së Jupit Lirisë, se Jup Kazazi ka qenë një hero e se ai e kapiteni kishin mbetur gjallë në atë kohë dhe kishin shpëtuar nga gjermanët në sajë të tij. Me ardhjen në pushtet (1944), komunistët e dënuan me vdekje. Jupi e pasqyron në ditar këtë fakt. Ditari i tij nis më 25 nëntor 1944, Salvator Kurti e lajmëron që Jupi me të katër vëllezërit janë dënuar me vdekje nga partia komuniste. Kështu për herë të tretë u detyruan të dalin në mal. Ai u bë udhëheqësi dhe simboli i asaj që njihet sy kryengritja antikomuniste e Postribës (1946). Më 9 shtator 1946, duke synuar që me “Postribën” të lironin të burgosurit e të merrnin institucionet, shpërtheu para kohe ajo që sot njihet si Kryengritja e Postribës, me disa qindra kundërshtarë të regjimit, mes të cilëve, vëllezërit Kazazi. Duke qenë më të paktë në numër dhe me armë, kryengritësit dështuan, ndërsa pushteti u bë më i egër duke arrestuar mbi 1200 veta, hapur 11 burgje të përkohshme e vrarë dhjetëra të tjerë. Jupi shpëtoi, por u detyrua të fshihej dhe u strehua te daja i tij. Me 17 shtator, shtëpia ku fshihej u zbulua, pasi u torturua një dëshmitar që kishte dijeni.
Rrethimi dhe vetëvrasja
Mesnatën e 16 shtatorit 1946, duke u gdhirë data 17, në bodrumin e një shtëpie ku ishte fshehur, pasi zbulohet nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të Shtetit, vret veten për të mos rënë në duart e komunistëve Jup Kazazi. Pasi nuk e kapin dot të gjallë, forcat e ndjekjes e marrin kufomën e tij dhe nisin të propagandojnë me të madhe se e vranë ata. Madje, duke kërcënuar se i njëjti fat i priste të gjithë kundërshtarët e regjimit, ata e ekspozuan kufomën e tij në mes të Shkodrës duke bërë me këtë rast edhe fotografinë makabër që u ekspozua për dekada me radhë. Duke mos dashur të binte i gjallë në duart e komunistëve, Jup Kastrati thirri “Rrnoftë Shqipëria! Nuk u dorëzohem këlyshëve tËStalinit” dhe vrau veten më 17 shtator 1946. Pas vetëvrasjes forcat e Mbrojtjes së Popullit e morën kufomën e tij dhe e shëtitën nëpër qytet si një formë presioni dhe terrori. Ekzekutorët futën në shtëpi të kontrollonin të vdekurin, nipin 16- vjeçar, Ahmet Kopliku. I biri i Jupit, Hamza Kazazi është shprehur më parë se të atin e masakruan edhe për së vdekuri, kënduan e hodhën valle dhe e ekspozuan në qytet. Pas ngjarjes, 7 anëtarë dhe të afërm të familjes Kazazi u ekzekutuan, vranë veten ose vdiqën, ndërsa dhjetëra të tjerë u internuan. Trupat e të vrarëve nuk iu kthyen kurrë familjeve. Sipas dokumenteve arkivore të kohës, Jup Kazazi vrau veten pas një shkëmbimi zjarri në Shkodër me Brigadën e Mbrojtjes së Popullit, një organ i ministrisë së Mbrojtjes së regjimit komunist. Trupi i tij u ekspozua në publik për të mbjellë terror, por nuk iu kthye kurrë familjes dhe nuk dihet se ku është varrosur.
DOKUMENTI I SIGURIMIT
Një dokument i publikuar vite më parë nga “Kujto.al”, zbuloi pikërisht faktin se komunistët duke gënjyer, kishin propaganduar se Jup Kazazin e kishin zënë dhe e kishin vrarë ata dhe e kishin fshehur lajmin e vetëvrasjes së tij dhe faktin që s’mundën ta zënë të gjallë. Bëhet fjalë për telegramin tepër urgjent që Zoi Themeli i dërgon Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në datën 17.09.1946. Zoi Themeli që drejtonte në atë kohë forcat e ndjekjes në Shkodër, raporton kështu në Drejtorinë e Sigurimit: “Mbrëmë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi ai e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau veten. Këtu popullarizohet se e vramë neve. Kemi gjetur disa dokumente, por ma t’randësishmet do t’ua dërgojmë”. Në dokument vihet re se është nënvizuar fraza “këtu popullarizohet se e vramë neve” dhe poshtë saj lihet shënimi me shkrim dore nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit: “Mirë”. Shënimi nënkupton se përhapja e këtij lajmi, do t’i jepte fuqi forcave të ndjekjes dhe punës së Sigurimit të Shtetit për të mposhtur Veriun dhe për të mbjellë terror menjëherë pas kryengritjes së Postribës. Se sa i rëndësishëm ishte për lëvizjen antikomuniste roli i Jup Kazazit dhe sa i rrezikshëm ishte për regjimin e tregon edhe dokumenti tjetër, ku shkruhet një biografi e tij pas vdekjes. “Jup Kazazi – Rrjedh nga shtresa e naltë, studimet i ka kryer jashtë. Në kohën e Zogut ka qenë emnue si sekretar i një Ministrije. Aktivitetin politik e ka fillue më tepër me ardhjen e fashizmit Italian nga i cili emnohet Federal, prefekt e ma vonë edhe ministër i partisë fashiste në Shqipni. Ka qenë nji nga eksponentët e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar. Komiteti qendror i Ballit Kombëtar e ka pas dërgue këtë si të deleguemin e tij në Qarkun e Shkodrës. Jup kazazi ka qenë në këtë qark elementi ma i rrezikshëm për lëvizjen N.Ç.L. ka qenë pengesa ma e madhe për përhapjen e frymës të lëvizjes N.Ç.L. në krahina të ndryshme të qarkut të Shkodrës. Ka bashkëpunuar me të gjithë reaksionin e brendshëm për të shtyp e shue Lëvizjen e Popullit Shqiptar si p.sh. me fashizmin italjan, a m’vonë me atë gjerman, me qeveritë kuislinge, të ndryshme dhe me çdo tjetër që ishte armik i lëvizjes N.Ç.L. Jup Kazazi lidhej ngushtë dhe me të huaj që ishin në vendin tonë gjatë okupacionit, si p.sh. me majorin Englez Nil etj, të cilët mbanin anën e reaksjonit. Me çlirimin e Shqipërisë ky nuk largohet nga Shqipnija por mbetet n’arrati me qëllim të organizojë lëvizjen kundër pushtetit të vendosun në fuqi. Në këtë drejtim ka ba mjaft tentativa. Ka qenë organizator i lëvizjes së janarit 1945 në Shkodër, kur Llesh Marashi sulmoi Koplikun me të cilin Jup Kazazi ishte në lidhje siç dukej edhe me kriminelë të tjerë si Hasan Isufi të cilin vran partizanët në Belloj. Gjatë ilegalitetit asht vue në lidhje me shtresa reaksionale të ndryshme si p.sh. me tregtarë, pronarë dhe intelektualë me qëllim që të organizoheshin këto forca kundra Pushtetit. Jup Kazazi ka qënë një ndër nxitësit kryesor të lidhjes që u ba në Shkodër më 9 shtator. Të gjitha këto i pagoji me këtë (u vra).
PËRNDJEKJA E FAMILJES
Tre nga vëllezërit u pushkatuan dhe burgosën, i katërti Saiti vrau veten për mos me ra në duart e komunistëve. Ishte plagosur duke luftuar kundër çetnikëve në Kosovë në formacionin e batalionit “Besnik Çano” ku ishte komandant. I veshur si partizan arrin në Shkodër ku strehohet tek shtëpia e kushëririt, Ixhlalit, ku kreu aktin e vetëflijimit. Haliti, më i madhi ndër vëllezër bujti në një katund të Shkodrës, ku e pritën e i shtruan për ta çarmatosur kur ishte në gjumë. E dorëzuan tek autoritetet, dhe këta e pushkatuan. Vëllai i tretë, major Zeneli u gjet i plagosur me dy plumba në trup, u dënua me pushkatim, mandej me 25 vjet burg prej të cilëve 18 në Burgun e Burrelit. I vogli, Hamidi sa kishte përfunduar gjimnazin bëri 10 vjet burg në Burrel e në kampe si Maliqi e më pas u dënua 23 vjet në internim. Kushuriri Nuh Kazazi u pushkatua në Degën e Brendshme të Shkodrës nga Zoi Themeli. Xhaxhai Abdullah Kazazi, daja Rifat Kopliku u pushkatuan. Rasim Kazazi, djali i xhaxhait, i vdekur në qeli pas torturave, Osmani kushëriri i tyre, i pushkatuar. Sabriu, djali i xhaxhait, i dënuar me 20 vjet burg. Daja tjetër Shyqyri Kopliku, i dënuar me 10 vjet burg. Kushërinjtë Bektesh e Bexhet Kazazi, 5 vjet burg. Po kështu edhe fisi i bashkëshortes së Jupit, Nasibes, u persekutua. Adem Boletini, djali i heroit Isa Boletini, u tha se u vra “gabimisht” duke i bërë atentat komandantit të xhandarmërisë, ndërkohë që thuhet se atentati ndaj tij u bë me urdhër të Vasil Shantos. Asim Shpuza, djali i tezes së Nasibes, intelektual, farmacist pushkatohet. Asimi u akuzua si agjent, motra e Nasibes, Adile Boletini (Bekteshi) pasi i pushkatuan të shoqin, e dënuan pesë vjet burg, si bashkëpunëtore e Jup Kazazit.
NË KËRKIM TË VARREVE
I biri i Jupit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar në Kir, sipas dëshmive të një 13- vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), në vendin ku më vonë u vu Drejtoria e Ujërave, pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër. Ndërsa kërkon 7 të zhdukurit e tij prej 30 vitesh, ka arritur të kuptojë se “procesverbalet baheshin të rrejshme”. Në qershor 2017, Jup Kazazit, qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe Presidenti i Republikës, Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).
/Gazeta Panorama