Nganjëherë, për të njohur jetën e një artisti, duhet të takosh njerëzit që e kanë dashur më shumë. Kështu më ndodhi edhe mua kur, në kërkim të të dhënave për piktorin Tish Staka, trokita në derën e motrës së tij, Anna Gjoni.
E gjeta Anën në ballkonin e shtëpisë së saj, duke shtrirë rrobat. Kur e pyeta nëse ishte ajo që kërkoja, më pa me kureshtje dhe më ftoi të bisedonim. Pak më vonë u ulëm në një lokal të vogël pranë shtëpisë së saj. Ajo porositi vetëm një kafe turke, ndërsa unë një pije freskuese. Kështu nisi një rrëfim i gjatë për jetën dhe veprën e të vëllait.
Anna kishte ardhur në Laç pas martesës me Martin Gjonin, specialist mekanik nga Durrësi. Ishte fillimi i viteve gjashtëdhjetë, kur qyteti industrial i Laçit kishte nevojë për specialistë e kuadro të rinj. Fillimisht u vendosën në Pallatin Nr. 1 të qytetit të ri, ku pak kohë më vonë erdhi edhe vëllai i saj, Tish Staka.
I lindur në lagjen Rus të Shkodrës më 1933, Tishi kishte kryer shkollimin në gjimnazin jezuit të qytetit dhe më pas studimet e larta për pikturë dega skenografi. Megjithatë, rruga e tij profesionale nuk ishte e lehtë. Fillimisht punoi si bojaxhi në Parkun e Automjeteve të Laçit, ku lyente mjetet pas remontit. Por talenti nuk mund të mbetej gjatë i fshehur.
Në vitin 1970, falë mbështetjes së drejtorit të Pallatit të Kulturës, Mal Berisha, ai u afrua pranë jetës artistike të qytetit. Aty punoi mes dizenjatorëve dhe artistëve të njohur si Ndue Pepa e Gjin Zajsi, ndërsa në të njëjtin mjedis vepronte skulptori i mirnjohur Vasil Rakaj, edhe muzikanti e kantautori shkodran Ruzhdi Keraj, kangtaret Paulin Trieshi e Sokol Preci, . Ishte një periudhë e gjallë artistike për Laçin.
Më vonë, për shkak të aftësive të tij profesionale, Tish Staka u transferua në Shtëpinë e Kulturës së Krujës, ku vazhdoi veprimtarinë si skenograf. Edhe pse familja mbeti në Laç, ai udhëtonte çdo ditë drejt Krujës, duke ndarë jetën mes dy qyteteve dhe duke iu përkushtuar artit me një disiplinë të admirueshme.
Sipas motrës së tij, Tishi trashëgoi shumë nga karakteri i të atit, Kol Matish Stakës, mësues i njohur për seriozitetin dhe përkushtimin ndaj dijes. Përveç skenografisë, pasioni i tij ishte piktura. Punonte portrete, natyra të qeta dhe riprodhime të veprave të mjeshtërve shqiptarë.
Një ndër frymëzimet e tij ishte Simon Rrota dhe tradita e pikturës shkodrane, ndërsa ndër veprat më të dashura për familjen mbeti portreti që i dhuroi motrës së tij Anna në ditën e martesës. Megjithëse ishte artist me formim të lartë, mbi jetën e tij rëndonte hija e biografisë. Shkollimi në gjimnazin jezuit të Shkodrës shihej me dyshim nga regjimi i kohës.
Ndoshta edhe kjo ndikoi që ai të largohej nga qyteti i lindjes e të kërkonte hapësira të reja krijuese në Laç e Krujë.
Ndryshimet politike të viteve nëntëdhjetë e gjetën Tishin të sëmurë. Një pjesë e veprave artistike të ruajtura në institucionet kulturore të Laçit u dëmtuan ose humbën gjatë trazirave të tranzicionit.
Megjithatë, kujtimi i tij mbeti i gjallë tek familjarët, kolegët dhe miqtë.
Në fund të bisedës sonë, Anna e përmblodhi figurën e të vëllait me pak fjalë, por shumë domethënëse: “Tishi ishte njeri i thjeshtë, i dashur, i komunikueshëm, një vëlla i mirë, një shok besnik dhe një baba i përkushtuar.” Ndoshta ky është portreti më i bukur që mund t’i bëhet një artisti.
Sepse përtej pikturave, skenografive dhe veprave të artit, mbetet njeriu. Dhe Tish Staka, sipas kujtimeve të atyre që e njohën, ishte para së gjithash një njeri i mirë. Ja si e komentoi keto dite ESE-n time kolegu i tij Vasil Rakaj(sot ne ShBA, autor i shume veprave skulpturore nga udheheqes te kryengritjeve shqiptare si vellezerit Coku, te vendosur ne qytetin e Lezhes deri te udheheqes botnor): Me vjen shum mire qe ju z.Ndue Hoti sidhni nje emer te nderuar , Tish Staken, si nje artist skenograf, qe ka dhane kontribut ne edukimin artístiko -patriotik gjate kohes se tij ne qytetin industrial te Lacit. Tishi, nje kontribut te mire ka dhane edhe per ekspozitat e kultures popullore ne Kruje e Shkoder, ku eshte nderuar dhe me çmime. Ishte nje tip shoqeror dhe aktivist ne organizimin e ekspozitave ne Lac e ne Kruje.
Tishi ishte i emruar piktor I Pallatit te Kultures ne Laç, detyre qe e mbulonte me kompetence>>. Tishi ishte nje drite permes artit qe la pas. Ai u nda nga jeta më 26 gusht 2004 dhe prehet në varrezat e Rrmajit në Shkodër. Por ngjyrat që solli në jetën kulturore të Laçit dhe Krujës vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Pallatit të Kulturës të qytetit te Laçit, duhet te promovoje veprat e ketij piktori skenograf me fotografi, ritrata të veprave të tij dhe me një listë të punimeve të njohura, duke u kthyer në një studim më të plotë për figurën e piktorit Tish Staka. ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
VO: Mendoj se kjo ESE për Tish Stakën, ne 22 vjetorin e ndarjes nga jeta, ka vlerë jo vetëm biografike, por edhe dokumentare për historinë kulturore të Laçit në gjysmën e dytë të shekullit XX.