Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndërmarrë një sërë kontrollesh në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve që po zhvillon për çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Zvërnecit.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas burimeve pranë hetimit, kontrollet janë urdhëruar për mbledhjen e provave që lidhen me një skemë të dyshuar të përvetësimit dhe falsifikimit të dokumentacionit të pronësisë në këtë zonë bregdetare.
Mes personave ku po ushtrohet kontroll është edhe Pëllumb Petriti, ish-avokat, i cili dyshohet se ka luajtur rol në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë në favor të Artur Shehut. Kontroll po mbahen edhe te Redi Struga, inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k.
Kompania e Strugës i ka blerë pronat nga zotërues të tjerë, përfshirë kompaninë “SERE” të grupit Balfin. Struga shërben përmes kompanisë “Albanian Land Development” si ura lidhëse me vëllezërit miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, të cilët investojnë krah Kushnerit. bw
Zvërneci nën hetim nga SPAK, policia pranon dështimin
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për zhvillimet në Zvërnec. Në fokus të verifikimeve janë procedurat e ndjekura për ndryshimin e statusit të zonës dhe të truallit ku parashikohet të zhvillohet projekti në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.
SPAK konfirmoi se çështja është në hetim, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Çështja është në hetim dhe nuk kemi komente”, bëri me dije zyra e shtypit pranë institucionit në një reagim për mediat.
Sipas informacioneve paraprake, në kuadër të hetimeve janë kryer kontrolle dhe janë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e dokumentacionit që lidhet me procedurat administrative dhe vendimmarrjet përkatëse.
Ndërkohë, për zhvillimet në Zvërnec ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Gjatë një konference për mediat në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ku prezantoi drejtuesin e ri të kësaj strukture, Hita tha se ngjarja përbën një mësim për Policinë e Shtetit.
Sipas tij, gjatë protestës policia “u shfaq e fjetur dhe jo profesionale”.
Hita shtoi se ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për ngjarjet e 30 majit, i cili do të verifikojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës. Ai ka kërkuar gjithashtu që Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit të nisë hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri me dije se u është hequr licenca dy subjekteve të sigurisë private, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”.
Aktualisht, institucionet kanë urdhëruar heqjen e gardhit rrethues, elementi që solli përshkallëzimin e ngjarjeve të së shtunës. Gjatë protestës, kur qytetarët tentuan të kapërcenin rrethimin, një prej tyre u tërhoq zvarrë nga rojet private, në prani të Policisë së Shtetit.
Megjithëse reagimet institucionale erdhën pas dhunës në terren, qytetarët janë mobilizuar kundër tjetërsimit të zonës së Zvërnecit.
Ata protestuan të dielën përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa një tjetër protestë është paralajmëruar për të hënën, në orën 18:00, në qendër të qytetit./Citizens.al