Dhjetori shënoi katër momente të rëndësishme për politikën dhe diplomacinë greke në planin Euro- Atlantik dhe rajonal. Më 13 dhjetor, bashkë me sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ministri Alternativ i Punëve të Jashtme, Georgios Katragoulos nënshkroi në Uashington dokumentin dypalësh “Dialogu strategjik”. Ai mbështetet në pesë shtylla kryesore: bashkëpunimi rajonal, mbrojtja dhe siguria, zbatimi i ligjit&lufta kundër terrorizmit, energjetika&investimet dhe kontaktet njerëzore.
Siç është nënvizuar edhe nga analistët, këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë lëvizje historike, siç ishte vizita e ish-Presidentit Klinton në Athinë më 1999 dhe pak vite më vonë lançimi i Planit grek për Rindërtimin e Ballkanit Perëndimor prej 500 milion dollarë; dihet se në ato vite, ish-kryeministri George Papandreu shpalli edhe objektivin për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE brenda vitit 2014. Ndonëse i ekzagjeruar, bashkë me Samitin e Selanikut më 2003, ky objektiv shërbeu si nxitje dhe inkurajim i madh për vendet e Ballkanit Perëdimor.
Gjithsesi, ky “Dialog Strategjik” shënon një moment cilësor në politikën dhe diplomacinë greke, rrjedhojë kjo edhe e realiteteve të reja gjeopolitike në Greqi, Ballkan, Evropë dhe më gjerë; plasaritjet e mëparshme turko-amerikane, roli në rritje i Rusisë dhe Turqisë në Ballkan etj., e kanë nxjerrë më në pah rolin grek në këtë rajon të trazuar. Me dallimin se 15 vjet më parë Greqia pretendonte të ishte “forca lëvizëse”, ndërsa tani “stabilizator rajonal”. Veç të tjerash, ngritja e “stekës” diplomatike greke është dhe rezultat i vlerësimit ndërkombëtar të Marrëveshjes së Prespës për emrin me Maqedoninë, ftesën së saj për SHBA si i ftuar nderi në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut dhe një sërë projektesh të tjera jetike ekonomike dhe tregtare.
Ndërsa më 19 dhjetor, Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos bëri një vizitë zyrtare në Bruksel. Ai zhvilloi bisedime me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, drekoi me Kolegjin e Komisionerëve etj. Kjo ishte vizita e parë e një presidenti grek në Bruksel nga viti 1981 kur Greqia aderoi në BE.
Me këtë rast, ra në sy atmosfera tejet miqësore plot me komplimente reciproke, si kompensim i viteve të mëparshme të mbushura me mllef dhe etiketime.
Me një tiradë lëvdatash, presidenti grek e konsideroi Junckerin “shpëtimtar të anijes evropiane dhe mik të popullit grek në kohët e saj më të vështira”. Natyrisht që dhe Junckeri tregoi reciprocitetin e tij bujar me shumë vlerësime për arritjet greke. Edhe “kumbari” i kësaj vizite, komisioneri grek Avramopoulos nuk mbeti pas me lavdeve për të dy presidentët, kur ai po lobon për t’u konfirmuar në postin e tanishëm ose dhe në një tjetër pas zgjedhjeve evropiane më 26 maj 2019.
Veç aspektit dypalësh, në Bruksel u fol goxha edhe për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Pavlopoulos veçoi respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të historisë si kushte të vetme që “dyert e BE-së të mbeten të hapura” për Maqedoninë dhe vendet e tjera. Ndonëse Juncker theksoi se është në favor të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, sipas tij ky proces do të kërkojë kohë të gjatë. Ai përsëriti zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve dhe problemeve kufitare si kusht të domosdoshëm përpara përcaktimit të kalendarit kohor të anëtarësimit në BE. Sipas tij, kjo është e nevojshme që destabiliteti dhe deficitet demokratike në vendet e rajonit të mos transferohen në BE.
Lëvizja e tretë diplomatike greke ishte Samiti i Katërshes – Greqi, Serbi, Bullgari dhe Rumani, më 22 dhjetor në Beograd, ku Rumania, e cila më 1 janar merr presidencën e radhës së BE-së, premtoi bashkë me Greqinë dhe Bullgarinë mbështetjen e hapur për Serbinë për anëtarësimin në BE.
Ky grupim që është “ngjizur” katër herë më parë e ku Greqia luan rolin e “violinës së parë” duket se synon të jetë kundrapeshë ndaj Grupit të Visegradit, Benelux, vendeve nordike etj., në peizazhin e ri që po konturohet në gjirin e BE-së. Nëpërmjet tij, Greqia synon të zgjerojë gjeografinë politike të ndikimit të saj brenda BE-së. Si nxitje në këtë drejtim shërben edhe shqetësimi i krijuar në Athinë nga afrimi i javëve të fundit Turqi-SHBA, pas tërheqjes së trupave amerikane nga Siria dhe vizitës së pritshme të Presidentit Trump në Ankara. Këto zhvillime të reja turko-amerikane, por edhe turko-ruse sinjalizojnë një “behar” të ri diplomatik ndërmjet këtyre tri vendeve të mëdha, duke rrezikuar të zbehin e lenë në hije rolin e politikës dhe diplomacisë greke në rajonin tonë të trazuar.
Së katërti, politika greke, në pushtet dhe në opozitë ka nisur një seri lëvizjesh politike dhe diplomatike, me qëllim të sigurimit të sa më shumë posteve kyçe në institucionet kryesore evropiane pas zgjedhjeve evropiane të 26 maj 2019. Natyrisht, kjo do të jetë në vartësi të fituesve të tyre në Greqi dhe në një plan më të gjerë evropian. Në rasti fitoreje të opozitës, “Nea Demokracia” siç tregojnë sondazhet, lideri i saj Mitsokaqis ushqen shpresa të mëdha; kjo pasi ai është ndër mbështetësit kryesorë të gjermanit Manfred Weber, president i Partive Popullore Evropiane dhe kandidati i tyre kryesor si president i Komisionit Evropian. Veç të tjerash, përflitet se Greqia synon të marrë dhe postin e Mogherinit.
Lidhur me lobin e fuqishëm grek në BE, ndër të tjera njoftohet se krahas Komisionerit D. Avramopoulos, ndër personat/lobistët më të fuqishëm në Evropë për “Nea Demokracia” është kryezëdhënësi i Komisionit Evropian, Magaritis Schinas; sikundër bashkëshortja e tij spanjolle, Mercedes Alvargonzales, shefe e Kabinetit të Manfred Weber në Parlamentin Evropian.
Pretendime të mëdha ka dhe kryeministri Tsipras, duke përfshirë veten e tij në rast se humbet zgjedhjet në Greqi dhe personalitete të tjera të njohura të majta.
Kësisoj, Greqia synon të shfrytëzojë koniunkturën e favorshme politike dhe institucionale pas kapërcimit të krizave financiare, Marrëveshjen e Prespës, predispozicionin për zgjidhjen e konfliktit në Qipro dhe moderacionin e Tsipras që po synon të spostojë Syrizën drejt qendrës së majtë, për forcimin e imazhit ndërkombëtar; bashkë me të dhe pozitat e saj në BE, të cilat do t’i jepnin fakte dhe argumente të tjera për promovimin e saj si lider në Ballkanin Perëndimor.
Si diplomat për një kohë të gjatë, e di se diplomacia jonë, por edhe e Kosovës i ndjekin me vëmendje këto lëvizje diplomatike greke, duke bërë vlerësimet pozitive së bashku me mësimet dhe përfundimet përkatëse, për një kujdes më të madh në marrëdhëniet me fqinjin tonë. Sidomos tani që ndodhemi në prag të kërkesës për çeljen e negociatave. Duam, s’duam, veç skepticizmit nga vende të tjera, në kushtet e tanishme, ndoshta mund të na duhet të përballemi sërish me një trysni më të madhe e në rritje greke që i gjen/sajon shume lehtë pretekset. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kosovën, ku qëndrimet greke pritet të jenë edhe më të forta kundër saj. Këtë e paralajmëroi vetë Tsipras në takimin me Presidentin serb Vuçiç më 21 dhjetor kur tha se “Kosova po i hedh benzinë zjarrit”, e duke dënuar ashpër taksën 100 për qind ndaj importeve serbe dhe krijimin e ushtrisë. Ndërkohë që konfirmoi qartë mbështetjen për Serbinë si aleat strategjik, duke e ftuar të jetë dhe në ceremoninë e Marrëveshjes së Prespës. Tsipras foli edhe mbi rrjetin hekurudhor Selanik-Shkup-Beograd- Budapest; kurse për Shqipërinë jo vetëm nuk e tha një fjalë të mirë, por indirekt na kërcënoi me pasoja për “mosrespektim të të drejtave të pakicave greke”!
Faktor tjetër që na shtrëngon të jemi të matur dhe pragmatistë, natyrisht pa humbur kurrsesi frymën e parimeve dhe objektivave tona është miratimi dhe nënshkrimi i pritshëm i Marrëveshjes problematike të Detit; mesa duket, ajo do të jetë për të dyja palët, por sidomos për ne “Shpata e Demokleut” dhe “Thembra e Akilit”. Synimi mbetet që ajo të jetë një marrëveshjeje e drejtë dhe e balancuar, por jo me çdo kusht dhe çmim e ca më pak në dëm të interesave tona. Ndaj, në vend të euforisë së parakohshme, prononcimeve populiste dhe dilentateske kërkohet realizëm, vizion dhe vendosmëri.
Gjithashtu, transparenca me publikun është kërkesa numër një dhe urgjente lidhur me suksesin e këtij operacioni të ndërlikuar dhe delikat. Pa nënvleftësuar konfidencën e nevojshme diplomatike, me të nuk duhet abuzuar, ndryshe mund të kthehet në bumerang e të kompromentojë të gjithë procesin dhe suksesin e pritshëm.
Po ashtu, në marrëdhëniet me Greqinë, ka shumë vend dhe hapësirë që diplomacia jonë të shfrytëzojë koniunkturat e reja politike, sidomos marrëdhëniet tona me SHBA-të dhe Turqinë si aleatë strategjikë; kështu, nuk do të biem pre e lëshimeve pa ndonjë rezultat dhe në dëm të kohezionit tonë të brendshëm politik.
Së fundi, në këto kushte dhe rrethana të reja më të favorshme për palën greke, objektivi ynë mbetet që në vend të përplasjeve dhe “gër-vëreve” për interesa të ngushta, të bëjmë maksimumin drejt mirëkuptimit, krijimit të besimit dhe sheshimit të tyre, duke ushqyer vazhdimisht jo vetëm dialogun zyrtar, por pa mbetur “skllevër” të tij e duke forcuar më tej gjithë marrëdhëniet miqësore parlamentare, ekonomike, publike dhe njerëzore me Greqinë.
Padyshim, që krahas diplomacisë, qeverisja e mirë, veçanërisht mirëkuptimi dhe konsensusi ndërpartiak brenda vendit, që pse ta fshehim është “për tokë” është kusht vendimtar për qëndrime konsekuente, solide dhe pa gabime nga ana jonë. Sepse siç thoshte Ish-kryeministri britanik William E. Gladstone: “Parimi i parë për politikën e jashtme është qeverisja e mirë brenda vendit”.
Komentet