Ku s‘të peshon prang e izolimit,
ku s‘të vështron sy i dyshimit,
ku s‘të ther helm i intriges,
ku s‘të shqetson lehje zagarësh,
ku s‘të djeg zjerm i dashunisë,
që pa e shijue ta vrasin.
Ku vllau në ashtin e vllaut nuk grryen
për një kafshatë frymzanse,
ku s‘jetohet me tregti fjalësh.
Ku s‘të thon i huaj në atdheun tand,
ku s‘të thith brengë e mallit,
ku mundesh frymë lirisht me marr,
ku mundesh me gjet nji zemër që i beson,
ku mundesh me zgjedh dashuni dhe urrejtje,
ku ndergjegje njerzimi s‘e ka rrobën uniformë,
ku gjuha nuk shërben me msheh mendimn,
ku debati polemika kacafyten lirshëm
si boksjerët në ring;
duartrokitet fuqishëm
me forcat e veta në duel kush fiton.
Ku zemra s‘lëndon si shqipe e plagueme,
Por në krahët e shpresës fluturon në naltësi.
Ku hija e paragrafit vullnetit krahët
s‘ja cungon në fluturim,
qenjën dykambshe në krymb s‘e shndrron.
Rrëshen-Mirditë, 1972