VOAL

VOAL

Drejtoresha e CIA-s dëgjoi audioregjistrimin e vrasjes së Khashoggit

October 25, 2018

Komentet

“Serbia u çlirua si pasojë e rezistencës dhe mobilizimit të gjerë politik e shoqëror“- Ditmir Bushati godet Ramën: Askush nuk e ndalon dot erën e ndryshimit

Nga Ditmir Bushati:
ERA QË NUK NDALET MË!
Regjimi katërmbëdhjetë vjeçar i Aleksandar Vučić përfundoi. Serbia u çlirua, si pasojë e rezistencës dhe mobilizimit të gjerë politik e shoqëror brenda vendit dhe në diasporë. Lëvizja e udhëhequr nga studentët shënon një fitore historike. Koha do ta tregojë nëse ky mobilizim dhe angazhim do të përkthehet në ndryshime të qëndrueshme politike dhe demokratike.
Rrëzimi i Vučić nuk është provë se pushtetet despotike mund të mposhten në kushte normale. Kur studentëve u duhet të braktisin auditorët për të shpëtuar vendin e tyre, kjo nuk do të thotë se demokracia po funksionon siç duhet. Përkundrazi, është dëshmi se si duhet të “rrotullohen yjet” që një pushtet despotik të mundet.
Fakti që Lëvizja Studentore, e organizuar në mënyrë të disiplinuar dhe të decentralizuar, pa burime financiare, pa udhëheqës, pa mbështetje nga jashtë, pa infrastrukturë partiake dhe pa përvojë politike, arriti të mposhtë një makineri të fuqishme shtetërore të bazuar në klientelizëm, do të studiohet gjatë në kurset universitare apo në punimet akademike.
Pushteti i Vučić bazohej te kontrolli i jetës politike dhe ekonomike; patronazhimi i administratës publike; mediat e nënshtruara; mënjanimi dhe përjashtimi i personaliteteve politike në parti; përçarja dhe joshja e opozitës; keqpërdorimi i institucioneve të sigurisë dhe shtrëngimit të ligjit; korrupsionit si normë qeverisëse dhe aleancës me krimin e organizuar. Për një përiudhë kohe njerëzit u lodhën dhe u dorëzuan përballë këtij modeli.
Gjithçka nisi të ndryshojë më 1 nëntor 2024, kur streha prej betoni e një stacioni hekurudhor të rinovuar rishtazi në Novi Sad u shemb. Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën, mes tyre fëmijë dhe studentë. Ndryshe nga skandalet e mëparshme, përballë të cilave qytetarët kishin reaguar me indiferencë, këtë herë studentët u ngritën në këmbë. Brenda pak muajsh, ata organizuan protesta, asamble të hapura, ku diskutonin se çfarë duhej të bënin më tej. Bojkotuan auditoret, marshuan me qindra kilometra, fjetën në palestrat e shkollave dhe biseduan me të gjitha shtresat dhe brezat e shoqërisë. Nga kjo dinamikë, lindi më vonë një lëvizje politike pa udhëheqës, e larmishme nga pikëpamja e vlerave, nga e majta në të djathtë, dhe e përfaqësimit të brezave të ndryshëm, në një listë zgjedhore, me synim çlirimin e shtetit dhe ndërtimin e një shteti demokratik.
Megjithëse kjo lëvizje është përballur me një pushtet thuasje absolut që kontrollon mekanizmat shtetërorë, me sulme, kërcënime dhe arrestime, ajo ruajti karakterin e saj jo të dhunshëm, duke dëshmuar se demokracia mund të ushtrohet edhe jashtë institucioneve politike tradicionale: në klasa, rrugë, dhe sheshe, duke bërë bashkë njerëz që dikur kishin pak arsye për të bashkëpunuar.
Fitorja e studentëve në Serbi, pas fitores së Peter Magyarit në Hungari, shënon fundin e brezit të parë të politikanëve të pas komunizmit. Në të njëjtën kohë, është sinjal i qartë shprese për Shqipërinë. Pavarësisht rrethanave dhe orientimit të ndryshëm gjeopolitik të vendeve tona, skemat dhe taktikat e Vučić për të mbajtur pushtetin kanë hedhur rrënjë edhe në Shqipëri. Në shumë raste inspiruesit janë të njëjtët lobistë, oligarkë, sondazhierë e gjithfarësoj teknologësh të komunikimit.
Nuk është fjala për shpresën se një pushtet mund të zëvendësohet me një tjetër. Por për mundësinë e një ripërtëritje demokratike, si përgjigje ndaj zhgënjimit e zemërimit të një brezi që është rritur mes skandaleve të shumta, vështirësive të panumërta dhe të njëjtëve udhëheqës. Një brez që ka lindur dhe është rritur duke parë të njëjtat probleme, pa marrë përgjigje për to.
Askush nuk e ndalon dot erën e ndryshimit që po fryn në rajonin tonë. Një ndryshim që vjen përmes solidaritetit, guximit dhe veprimit të përbashkët shoqëror. Një ndryshim që nuk do të jetë i lehtë, nuk do të vijë si dhuratë nga jashtë, dhe as produkt i një grupi personash. Përkundrazi,do të vijë si pasojë e përpjekjeve të përbashkëta që kërkojnë strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Ky ndryshim fillon me ndarjen e shtetit nga pushteti, rregulla loje dhe garë politike të barabartë, institucione demokratike, prerjen e lidhjeve të krimit të organizuar e korrupsionit. Garancia më e mirë për këtë është bashkëveprimi qytetar.

Letra e gruas së vrarë për Prokurorinë e Pejës: Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime

Prokuroria Themelore në Pejë. Foto: PTHP.

Arbrita Uka

26.10.2026 – 08:56

Gruaja që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekaj, më 25.10.2026, pretendohet se e kishte dorëzuar një letër tre ditë para vrasjes së saj në Prokurori Themelore të Pejës.

Në letrën që tashmë po qarkullon në rrjete sociale, Zekaj i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke i kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj zyrtarëve që sipas saj kishin dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja [Qendra për Punë Sociale].” – kishte shkruar në letër Zekaj, më 22.10.2026.

Zekaj madje kishte paralajmëruar se kjo ishte shkresa e saj e fundit.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gjendja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri! E dhimbshme deri në asht!!” – ka theksuar tashmë e ndjera.

Letra e Arlinda Zekajt, Foto: Vlora Çitaku/Facebook

KALLXO.com raportoi për këtë rast në të cilin i dyshuari ende ndodhet në arrati.

Policia bëri të ditur se viktima, rreth orës 19:00 të së dielës, më 25.10.2026, kishte paraqitur një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë.

Siç njoftoi Policia, viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar, e më pas është dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Sipas Policisë, ajo ishte kthyer në shtëpi me vullnetin e saj.

Organet e rendit kanë deklaruar se, pas raportimit për dhunë në familje, burri i viktimës ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Rreth orës 21:10, pasi viktima ishte kthyer në shtëpi, Policia ka marrë informatën se ajo ishte vrarë.

Bazuar në të dhënat fillestare, Policia deklaron se dyshohet që vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili gjithashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Aktualisht janë duke u  ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e arrestimin e personit të dyshuar”- ka deklaruar Policia.

Media gjermane: Opozita paralajmëron rezistencë ‘dhëmb për dhëmb’ ndaj masave të Edi Ramës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se do të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj protestuesve, pas protestave të fundit të dhunshme. Qeveria e tij synon të paraqesë që javën e ardhshme një projektligj që parashikon gjoba mbi 500 euro dhe kompetenca të reja për policinë, tha Rama të dielën në një videomesazh. Opozita ka paralajmëruar rezistencë.

STERN

Sipas planit të Ramës, në të ardhmen do të gjobitet kushdo që qëndron në një turmë nga e cila ushtrohet dhunë ose kryhen grabitje. Edhe fshehja e identitetit do të ndëshkohet. Përveç kësaj, policia do të ketë të drejtën të kufizojë tubimet në zona të caktuara deri në 72 orë, nëse ekziston një rrezik i menjëhershëm për shpërthimin e dhunës.

Projektligji parashikon gjithashtu dëmshpërblime për bizneset e vogla që pësojnë dëme nga protestat. Sanksione do të përballen edhe personat që nxisin nxënës të mitur të marrin pjesë në demonstrata ose organizojnë pjesëmarrjen e tyre.

Rama deklaroi se dorëheqja e tij nuk mund të imponohet. Megjithatë, ai pranoi se jo të gjitha kërkesat e protestuesve janë të pabazuara.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, i hodhi poshtë masat e paralajmëruara. Qytetarët nuk do t’i pranojnë ato dhe do t’i përgjigjen Ramës “dhëmb për dhëmb”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.

Ndërkohë, të dielën disa qindra persona protestuan sërish para selisë së kryeministrisë në Tiranë. Të shtunën, protestuesit dhe forcat e sigurisë u përfshinë në përleshje të ashpra. Si pasojë, 13 persona mbetën të plagosur. Policia arrestoi 23 persona, ndërsa ndaj 13 të tjerëve nisi procedimi penal. Për 30 të dyshuar të tjerë ishte shpallur kërkimi.

Që nga maji, në Shqipëri zhvillohen vazhdimisht protesta kundër qeverisë. Protestuesit e akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe kërkojnë, ndër të tjera, përmirësimin e kushteve të studimit, uljen e tarifave të studimeve dhe dorëheqjen e Ramës. sn

“Retorika e Ramës ndaj protestuesve, një ‘reminishencë e diktaturës’”- BIRN: “Damkosje kolektive” e ngjashme me luftën e klasave të para viteve ’90!

Sulmet verbale të kryeministrit ndaj protestuesve interpretohen nga ekspertët e historisë dhe të psikoterapisë si një përpjekje për “damkosje kolektive” të ngjashme me luftën e klasave të para viteve ’90.

Që prej përshkallëzimit të protestave në përplasje të dhunshme me policinë, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet dhe po përdor një retorikë përçarëse dhe ndëshkuese ndaj studentëve, që shkon përtej paralajmërimit për zbatimin e ligjit.

Ai pretendoi fillimisht, pa paraqitur prova, se pas mobilizimit të të rinjve qëndrojnë shërbime të huaja si Rusia apo Irani, apo lëvizja ANTIFA, e shpallur si organizatë terroriste nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Më pas, ai kërcënoi me heqje bursash, kufizim të shërbimeve dhe me masa të tjera që prekin drejtpërdrejt të drejtat e garantuara në Kushtetutë.

“Do t’ju mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, nëpër hotele, nëpër trena, nëpër të gjitha mjetet e transportit dhe natyrisht që do të bashkëpunojmë dhe e kemi nisur punën me vendet e Bashkimit Europian për t’ua ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm,” deklaroi ai.

Retorika e përdorur nga kryeministri nuk ngre vetëm shqetësime për bazën kushtetuese dhe ligjore, por rikthen sipas studiuesve të historisë, reminishencat e së shkuarës totalitare të Shqipërisë.

“Njësoj si para viteve ’90, ai po i paraqet protestuesit si armiq të popullit, agjentë dhe bashkëpunëtorë të fuqive të huaja,” i tha BIRN Hasan Bello, studiues i historisë politike shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës komuniste.

Sipas Bellos, kryeministri po synon të delegjitimojë studentët përmes termave përjashtues, kërcënimeve dhe një polarizimi të shoqërisë, të ngjashme me “luftën e klasave”.

“Kjo i hap rrugën shtimit të tensionit social dhe represionit nga organet ligjzbatuese,” theksoi Bello.

Edhe Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, vëren reminishencat e një kulture autoritare në retorikën e Ramës. Ai thotë gjithashtu se sjellja e kryeministrit reflekton ‘personalizimin e pushtetit’ deri në atë pikë, sa shfaqet si “burim i autoritetit ligjor për gjithçka”.

“Diktatorët japin urdhëra e direktiva pa marrë në konsideratë infrastrukturën ligjore në fuqi,” tha Hoxha, duke nënkuptuar se Rama po vepron në tejkalim të kufizimeve demokratike.

Për pedagogen Enriketa Papa, kjo retorikë është e dëmshme dhe aspak produktive në një moment kaq delikat, kur tensionet sociale janë tepër të nxehta.

“Përpos reminishencave të kulturës së dhunës dhe mendësisë autoritare si trashëgimi të së kaluarës komuniste, retorika nxit konfliktin dhe jo uljen e tensioneve dhe paqen sociale,” tha Papa për BIRN.

Ndarja mes “nesh” dhe “atyre”

Regjimet totalitare e kanë përdorur historikisht gjuhën përjashtuese për të ndarë shoqërinë mes qytetarëve të konsideruar të pranueshëm dhe atyre të shpallur armiq – një proces që nën diktaturën totalitare 45-vjeçare në Shqipëri njihej si ‘lufta e klasave’. Kjo gjuhë përjashtuese e justifikon përjashtimin dhe ndëshkimin e një pjese të popullsisë si domosdoshmëri për mbrojtjen e shoqërisë.

Në këtë linjë, psikoterapisti Neli Demi e analizon retorikën e kryeministrit Edi Rama si një formë stigmatizimi që shkon përtej ndëshkimit të veprimeve të dhunshme, duke krijuar idenë e një kategorie qytetarësh që duhen përjashtuar nga jeta shoqërore.

“Kjo gjuhë ushqen ndarjen mes ‘nesh’, qytetarëve të pranueshëm, dhe ‘atyre’, njerëzve prej të cilëve duhet të mbrohemi,” tha Demi, ndërsa shtoi se “frika mund ta bëjë publikun më të gatshëm të pranojë përjashtimin, ndërsa zemërimi mund ta kthejë poshtërimin e tjetrit në diçka mëse të merituar”.

Në një demokraci, konstaton Demi, përgjegjësia e drejtuesit politik është që të vendosë kufij ndaj dhunës, duke ruajtur dallimin mes autorit të një veprimi të paligjshëm, protestuesit dhe kundërshtarit politik. Por retorika e përdorur nga kryeministri mbart sipas tij rrezikun që të rrisë edhe më tej mosbesimin dhe konfliktin.

“Përgjegjësia individuale kërkon prova dhe shqyrtim individual, ndërsa damkosja kolektive, si në rastin e reagimeve të Kryeministrit Rama, i shkrin këto dallime,” tha Demi për BIRN.

Gjithsesi, Demi thekson se “historia dhe psikologjia, na kanë mësuar e vërtetuar vazhdimisht që forca mund të imponojë bindje, por nuk mund të prodhojë besim”.

Masa antikushtetuese

Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat dhe liritë themelore të individit dhe parashikon se kufizimi i tyre bëhet vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, dhe duhet të jenë proporcionale me gjendjen që i ka diktuar ato.

Kushtetuta garanton gjithashtu të drejtën për të lëvizur lirisht, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa mbron të drejtën për një proces të rregullt ligjor kur cenohen të drejtat, liritë apo interesat kushtetuese dhe ligjore të individit.

Studiuesit e historisë theksojnë se në çdo rast, përgjegjësia për veprime të paligjshme në një demokraci përcaktohet përmes procedurave ligjore dhe nga institucionet kompetente, jo përmes listave dhe urdhrave politikë të shpallur publikisht.

Sipas Çelo Hoxhës, vullneti politik i kryeministrit nuk mund të përcaktojë pasoja ligjore për qytetarët.

“Kërcënimi për ndalimin e hyrjes në BE për persona të caktuar ekspozon mangësitë e formimit juridik të Kryeministrit,” thotë Hoxha, ndërsa shton se “dëshirat e tij nuk janë akte normative, por shenja totalitarizmi”.

Më tej, ai argumenton se e drejta e lëvizjes është e drejtë natyrore dhe drejtë kushtetuese dhe si e drejtë kushtetuese ajo nuk mund të kufizohet me vendimarrje ekzekutive, por vetëm me vendim gjykate, për arsye të bazuara në ligj.

E njëjta gjë vlen edhe për faturimin e dëmit ndaj protestuesve ose gjobitja e prindërve në vend të fëmijëve të mitur që, sipas Hoxhës, “nuk mund të bëhen me vendim ekzekutiv ose politik”, por vetëm pasi t’i nështrohen procesit ligjor përmes gjykatës.

Edhe historiani Hasan Bello i konsideron mjetet që Rama kërkon të përdorë kundër protestuesve si antikushtetuese dhe në kundërshtim me vlerat demokratike europiane.

“Është në nderin e tij personal dhe detyrim ligjor që të heqë dorë nga gjuha e përdorur deri sot dhe reminishencat që të kujtojnë atë që përdorte regjimi komunist kundër studentëve në vitin ’91,” përfundoi Bello./BIRN

‘Vrasës me pagesë’ Mesazhi që lanë studentët për Ramën dhe Policinë e Shtetit para ministrisë së Arsimit

Protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës ka lënë pas një tjetër mesazh të fortë në rrugët e kryeqytetit. Në asfaltin e Rrugës së Durrësit, protestuesit kanë shkruar fjalët “Vrasës me pagesë”, duke shprehur zemërimin ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit gjatë tubimeve të fundit.

Mbishkrimi vjen në ditën e 13-të të revoltës së të rinjve, në një klimë të tensionuar nga përplasjet me policinë dhe përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës kundër protestuesve.

Përmes këtij mesazhi, të rinjtë artikulojnë revoltën e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë dhunë policore, ndërsa vijojnë qëndresën kundër qeverisë dhe kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. sn

 

Ore shqiptarë pa plisa të bardhë, qysh po i delni Ramës përballë!- Nga Florim Zeqa

 

Hej, o moj Kosovë me kësulë të bardhë,

shtati yt po digjet flakë,

shtati yt me dyzet plagë,

shtati yt është bajrak i gjallë,

sa mirë po i rri hasmit përballë.

 

E fillova shkrimin me vargjet e këngës “Hej, o moj Kosovë në kësulë të bardhë”, këngë e cila ishte bërë himn i shqiptarëve të Kosovës në vitet e rënda të pushtimit serbo-jugosllav, jo për shkak të mesazhit të këngës, por, për faktin se ishin pikërisht shqiptarët plisbardhë të Dardanisë që përballeshin me dhunën sistematike dhe forcën e policore serbo-jugosllave në protestat studentore përgjatë viteve 1981-1999 në Kosovë!

Nga ajo kohë e deri më sot, nuk ka ndodhur të ketë pasur manifestim, protestë apo demonstratë kundër regjimeve antipopullore pa pjesmarrjën e plisbardhëve në mesin e qytetarisë shqiptare!

 

Historia e Plisit të Bardhë dhe e Flamurit Kuq e Zi

 

Plisi i bardhë daton që nga lashtësia pellazgo-ilire, mbi 5000 vjet më parë. Plisi për ne, shqiptarët, ka rëndësi të veçantë historike, pasi e prezanton identitetin tonë kombëtar dhe autoktoninë tonë në trojet etnike ku jetojmë. Plisi i bardhë përfaqëson lashtësinë, lirinë, trimërinë, nderin dhe pastërtinë e karakterit të shqiptarëve.

Plisi në popull dhe krahina të ndryshme shqiptare thirret edhe me emra të tjerë varësisht prej regjioneve banuese, si për shembull: kësulë, qeleshe, qylah, qylaf, etj.

Bashkë me gjuhën dhe traditat e lashta popullore, plisi është simbol i identitetit kombëtar shqiptar, të cilin populli ynë e ka ruajtur me fanatizëm e krenari ndër shekuj dhe mileniume.

Shqiponja dykrenare është simbol i vjetër i përdorur që nga lashtësia në Perandorinë Bizantine, e më pas u bë simbol i fiseve shqiptare në mesjetë. Flamuri kombëtar shqiptar u zyrtarizua si flamur shtetëror i Shqipërisë me Shpalljen e Pavarësisë nga Perandorinë Osmane së saj më 1912.

Fusha e kuqe ka domethënien e gjakut që kanë derdhur paraardhësit tanë, që lidhet me trimërinë dhe fuqinë shpirtërore të shqiptarëve.

Shqiponja i ka njëzet e pesë pendë, që përfaqësojnë njëzet e pesë betejat e fituara të Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane.

Thënë ndryshe, flamuri ‘Kuq e Zi’ përfaqëson unitetin, historinë dhe shtetësinë e kombit shqiptarë.

Por, nuk duhet harruar edhe faktin se flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata, në trojet etnike apo në mërgatë.

 

Ku mbeti Plisi (Kësula) e Bardhë, identiteti ynë më i vjetër kombëtarë?!

 

E shtrova këtë pyetje, duke u nisur nga fakti, që nga fillimi i protestave paqesore studentore 4-5 muaj më parë, të kthyera së fundmi në revoltë popullore kundër regjimit të Edi Ramës në Shqipëri, në mesin e protestuesve mund të shohës çfarëdo lloj mbulesash në kokat e njerëzve, filluar nga ato “kaçketat” e vjetra, të zakonshmet e kohës deri tek ato fetare, por, pa asnjë Plis të Bardhë në kokë!

Dhe, instiktivisht më lindi pyetja, pse ore shqiptarë pa kësulë të bardhë po i delni Ramës përballë?!

Ku mbeti Plisi (Kësula) e Bardhë, identiteti ynë më i vjetër kombëtarë, simboli i trimërisë, fisnikërisë dhe pastërtisë shqiptare?!

Të kërkosh largimin e një ‘tiranie’ dhe ‘diktature’ pa simbolin e identitetit dhe karakterit të shqiptarëve, lë shumë hapësirë për të dyshuar në të ardhmen tonë si komb në rajonin e trazuar të Ballkanit!

 

Plisi i bardhë përveqse simbol lavdie dhe krenarie kombëtare, bardhësia e tij paraqet zemrën, shpirtin dhe bujarinë e shqiptarëve. Plisi (Kësula) e bardhë rrezaton dritë dhe shpresë, e paraqet shqiptarin si princ e si mbret në trojet e veta etnike!

 

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

Plagosja e Vishkullit në protestë, Duka në mbështetje të tifozit kuqezi: Ja çfarë do bëjë FSHF

 

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas plagosjes së rëndë të Erjon Vishkullit në protestë, pjesëtar i Tifozëve Kuq e Zi dhe mbështetës i përkushtuar i Kombëtares shqiptare.

Përmes një postimi, Duka ka shprehur afërsinë dhe solidaritetin e tij me Erjonin dhe familjen e tij në këtë moment të vështirë, duke theksuar gjithashtu gatishmërinë e FSHF-së për të ofruar ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen.

Postimi:

Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit, pjesëtar i Tifozëve Kuq e Zi dhe mbështetës i përkushtuar i Kombëtares sonë.

Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen.

Erjoni ka qenë pranë Kombëtares me zemër e pasion. Sot, familja kuqezi është pranë tij.

Nga zemra, shërim sa më të shpejtë, Erjon!

© BalkanWeb

“Nuk ka kthim pas” – BIRN: Përpjekja për të shtypur protestën shton zemërimin në Tiranë

Rreth orës 2:30 të pasdites së shtunë, gjithçka ishte e qetë para Kryeministrisë. Punonjësit e policisë, një pjesë e mirë e të cilëve vajza të vendosura në shkallë apo përgjatë bulevardit, dukeshin po ashtu të qetë. E vetmja zhurmë vinte nga radiot e tyre.

“Shpërndajini. Janë dyzet veta… Është ai me blu organizatori,” kumbon në radio urdhri për protestuesit, që gjendeshin në atë moment përpara Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit.

Në më pak se 10 minuta, qindra qytetarë që po protestonin para Ministrisë së Arsimit u zhvendosën në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët paralele, në përpjekje për t’i shpëtuar gazit lotsjellës, për t’u grupuar më pas përpara Kryeministrisë.

Këtu radhët u shtuan. Nga rrugët e shumta që dalin në bulevard, mijëra protestues, kryesisht të rinj e të reja, u dyndën në shesh. Mes protestuesve kishte grupe të organizuara, të veshura me një uniformitet të sajuar, që dolën në krye të marshimit. Pas tyre, disa mijëra qytetarë të tjerë marshuan në paqe me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.

Tubimi i së shtunës është pjesë e valës së protestave anti-qeveritare, të cilat nisën më 31 maj paqësisht kundër projektit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur në Zvërnec. Në tetor, protestat morën një kthesë të dhunshme me përplasje të përditshme mes policisë dhe protestuesve. Të ushqyera nga skandalet e njëpasnjëshme të qeverisjes, rritja e kostos së jetesës dhe dhjetra pakënaqësi të tjera, protestat kanë bashkuar në rrugë studentë, profesionistë e qytetarë të thjeshtë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në orën 3:05 të pasdites, qytetarët ishin ende duke marshuar në bulevard. Në krye të protestës, para Kryeministrisë, kishin filluar ndërkohë përplasjet e zakonshme mes disa dhjetëra protestuesve dhe policisë, por kjo nuk dukej se e prekte pjesën tjetër të turmës. Megjithatë, 5-6 minuta më vonë, mijëra protestues paqësorë, që ndodheshin qindra metra larg pikës ku kishte përplasje, u goditën pas shpine me gaz lotsjellës.

Brenda pak minutash, dhjetëra forca policie dhe autoblinda të pajisura me topa uji i ndanë protestuesit në mes, duke rrethuar një pjesë të mirë të tyre që ndodheshin mes urës së madhe mbi Lanë dhe Galerisë së Arteve. Të zënë “në kurth”, protestuesit tentuan të rezistonin duke qëlluar me gurë në të dyja drejtimet, por policia e mbuloi të gjithë bulevardin me gaz lotsjellës. Dhjetra granata të tilla gazi u hodhën në pak minuta, duke krijuar mjegull mbi parkun “Rinia” dhe bulevardin përkrah, ndërsa protestuesit u shpërndanë në drejtim të rrugës “Myslym Shyri”, në Pedonale, në Unazë dhe në rrugët e tjera lidhëse. Shumë shpejt sheshi mbeti i zbrazur, teksa grupe të policisë i ndoqën protestuesit në disa rrugë.

Megjithatë, protestuesit u riorganizuan brenda 30 minutash. Një grup prej gati 200-300 personash qëndroi përballë policisë në hyrje të parkut “Rinia”. Mijëra të tjerë u rimblodhën në sheshin “Skënderbej”, përballë një mase policie që ndalonte daljen në bulevard. Këtu protestuesit hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa policia u përgjigj me gaz dhe plumba gome.

E lagur kokë e këmbë nga uji i hedhur prej policisë dhe me sy të skuqur nga gazi, një vajzë 28-vjeçare i tha BIRN se rezistenca ishte e vetmja zgjidhje.

“Po ikna sot, s’kena të ardhme. Do ikim krejt nga këtu, po ikëm sot nga Tirana,” tha ajo, ndërsa po mblidhte veten në një zonë pa gaz.

Shumica e protestuesve ndajnë bindje të ngjashme.

“Unë di të them që nuk ka kthim pas,” thotë një burrë që prezantohet si pedagog në Universitetin Politeknik, i cili tregon se në protestë ka dalë për shkak të pakënaqësive të akumuluara. Sipas tij, fakti që njerëzit i rezistojnë bombardimit me gaz dhe rikthehen në protestë është tregues se ajo nuk ndalet. Megjithatë, burri nuk e tregon emrin, sepse, ashtu si një pjesë e mirë e protestuesve, punon në administratë.

“Administrata është më e pakënaqura me kryeministrin”, thotë ai, duke shtuar se të gjitha skandalet që kanë ndodhur e kanë bërë administratën publike të ndjehet keq e më keq, ndaj nuk sheh zgjidhje tjetër përveç vijimit të protestave.

Një protestuese që e shoqëron tregon se ata ishin kthyer bashkë në Shqipëri në vitin 2013, pasi kishin studiuar jashtë, dhe tani ndodheshin në shesh me shpresën që vendi të mund të ndryshohej dhe të mos shtyheshin të iknin sërish. Gruaja, e cila thotë se ka studiuar për piano, vëren se pakënaqësitë janë masive.

“Po të shikosh ka njerëz të shtresave dhe të moshave të ndryshme, fizionomive të ndryshme. Tregon që kjo gjë e ka prekur një pjesë shumë të madhe të popullsisë sesa një grupim,” tha ajo.

Frika e punonjësve të administratës për të mos u identifikuar nuk duket e pabazë. Një ish-punonjëse e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, tregon se u shkarkua nga puna në korrik, pasi kishte marrë pjesë në protestat e qershorit. Ajo thotë se e kishte mësuar arsyen e largimit përmes miqve të saj brenda institucionit dhe thekson se në administratë nuk ka meritokraci, por vetëm “patronazhistë”.

“Unë aktualisht jam hequr nga puna, edhe pse kisha CV-në më të plotë e të kualifikuar në ARRSH pas një vit e gjysmë punë atje. I kam bërë mesazh në privat Kryeministrit për ta vënë në dijeni për situatën, dhe zoti Kryeministër nuk i dha dot zgjidhje. Nuk i jep dot më zgjidhje Shqipërisë ai,” thotë ajo, ndërsa tregon në telefon mesazhin e mbetur pa përgjigje.

Pas 12 ditësh protesta të dhunshme, ajo shton se zemërimi i qytetarëve vetëm sa është rritur.

“Ajo që shikoj unë është që populli është akoma më i acaruar, sepse këto reformat që ne deri tani ngrinim tabelat në mënyrë paqësore që të mos miratoheshin në Parlament, ai nuk i dëgjoi fare,” thotë gruaja.

“Populli do jetë, do vazhdojë të jetë në shesh edhe për shumë kohë. Edhe për shumë kohë, paqësisht apo me dhunë”.

Në sheshin “Skënderbej”, mes granatave të gazit lotsjellës që rrëshqasin në pllaka e të tjerave që hidhen mbi kokë, Ardi, një 19-vjeçar që studion Mjekësi në Budapest, tregon se ka ardhur enkas për protestën, me shpresën se vendi mund të ndryshojë. Shoku i tij që e shoqëron në protestë shtrëngon hundët për t’u mbrojtur nga gazi, ndërsa e sheh ndryshimin të lidhur vetëm me ndryshimin e klasës politike.

“Pse ky shtet kontrollohet nga persona që nuk ia duan të mirën këtij vendi? Unë jam 18 vjeç, ai ka qenë shumicën e jetës time në fuqi edhe nuk na ka lënë mundësi përveç një sistemi të ri,” thotë ai, teksa një valë e re gazi mbulon sheshin.

Ndërsa heq maskën kundërgaz dhe syzet, Mishel, një studente e Regjisë së Filmit në Akademinë e Arteve, shprehet se e vetmja arsye pse ajo dhe qindra moshatarë durojnë prej ditësh me radhë gazin lotsjellës dhe dhunën, është shpresa se gjërat do të ndryshojnë.

“Shpresa. Shpresa se ndoshta, Shqipëria jonë e vogël me kaq shumë histori dhe me kaq shumë vlera do t’ia dalë që të bëhet një shtet ku të gjithë shqiptarët janë të lumtur. Shpresa është ajo që na mban çdo ditë këtu,” thotë Mishel.

Për të dhe të rinjtë e tjerë, protestat e fundit janë e vetmja shpresë përballë një mase të madhe pakënaqësish.

“Gjithë studentët shqiptarë vuajnë, sakrifikojnë për të bërë një copë shkollë dhe për të marrë dije. Dija duhet të ishte kudo pa pagesë. Dija duhet të ishte kudo e dhuruar, sepse është ajo që i çon përpara që të gjithë,” vijon Mishel, teksa përshkruan një Shqipëri ku familjet mezi ia dalin në fund të muajit.

Ndërsa mbrëmja bie mbi Tiranë, era e rëndë e gazit lotsjellës mbetet ende pezull mbi rrugët e qytetit. Protesta ndërkohë vijoi për orë të tëra, me përplasje në disa pjesë të tjera të qytetit. Një bilanc i të lënduarve nuk ishte ende publik deri pas orës 20 të mbrëmjes, ndërsa pas rënies së muzgut, policia përsëriti skemën e sulmit në rrugica duke ndaluar dhe goditur qytetarë./ BIRN

Skandali tjetër- Mercenarët e Ramës arrestojnë fotoreporterin amerikan të National Geographic

Dhuna dhe arrestimet e paligjshme të mercenarëve të kryeministrit Edi Rama kalojnë përtej çdo imagjinate.

Syri mëson se mes të arrestuarve është edhe një fotoreporter amerikan.

Fotoreporteri i arrestuar është identifikuar si Michael Mats i National Geographic dhe po mbahet në komisariatin nr 2 bëjnë të ditur burimet.

 

Për orë të tëra Tirana iu bë edhe sot skenë e dhunës policore dhe arrestimeve të paligjshme ndaj qytetarëve të cilët edhe sot dolën me mijëra në bulevard re rrugët e Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

 

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi sot në mbrëmje se ‘fotoreporteri nuk kishte asnjë lidhje me protetën thjesht po fotografonte’

Tirana sot 24 tetor 2026

LE FIGARO: Të dielën priten protesta të reja në Tiranë, përshkallëzohet revolta kundër korrupsionit

Janë bërë thirrje të reja për protesta të dielën në Tiranë.

LE FIGARO

Të shtënat me plumba gome nga policia kundër mortajave të fishekzjarrëve të protestuesve: zhurma e shpërthimeve tronditi për disa orë zemrën e kryeqytetit shqiptar të shtunën, gjatë një përshkallëzimi të ri të protestave kundër korrupsionit dhe kushteve të studimit. Një re granatash lotsjellëse mbuloi sheshin kryesor Skënderbej në Tiranë në fillim të mbrëmjes, raportuan gazetarët e AFP-së, përpara se kryeqyteti të rifitonte qetësinë gjatë mbrëmjes.

Ndërsa në rrjetet sociale po qarkullonin thirrje të reja për të protestuar të dielën në orën 14:00 në Tiranë, qindra gëzhoja municionesh të policisë, si dhe gurët e kalldrëmit që kishin mbuluar arterien kryesore që të çon drejt selisë së qeverisë, u larguan me anë të një ekskavatori.

300 të plagosur

Të shtunën, për më shumë se katër orë, policia u përpoq t’i shpërndante grupet e protestuesve, veçanërisht me anë të autobotëve të ujit. Disa prej protestuesve synonin të sulmonin, me mjete ndezëse në duar, ndërtesa ministrore ose selinë e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

Që nga mesi i tetorit, me rifillimin e vitit shkollor dhe daljen në rrugë të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve, protesta që nisi kundër një projekti kompleksi turistik të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump ka marrë një dimension tjetër. Tubimet paqësore, kryesisht jo të dhunshme, ia kanë lënë vendin demonstratave të shoqëruara me akte dhune, të cilat, sipas autoriteteve, kanë shkaktuar më shumë se 300 të plagosur.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se vetëm gjatë ditës së shtunë u plagosën trembëdhjetë persona. Mes tyre ishin tetë protestues, njëri prej të cilëve u godit në sy nga një plumb gome, si dhe dy gazetarë dhe tre policë. sn

“Rama është në panik, kapitullimi i tij është firmosur” – Evarist Beqiri: S’mund të dialogohet me një njeri që po dhunon fëmijët e vendit

Analisti Evarist Beqiri u shpreh i bindur se largimi i kryeministrit Edi Rama është i afërt dhe se “kapitullimi i tij është i firmosur” teksa po komentonte protestat e studentëve, të cilët kanë dalë në shesh kundër tij.

“Nga frika dhe paniku më shumë gabime ka bërë. Fiton kohë. Kapitullimi i tij është i firmosur, shtyn vetëm ditët.”, deklaroi analisti.

Në një intervistë për News24, ai theksoi se nuk mund të dialogohet me një njeri që po ushtron çdo ditë e më shumë dhunë ndaj të rinjve që protestojnë.

“I ka thyer urat e dialogut. Me ato që bëri mbrëmë është thyerje përfundimtare e dialogut. Kush mund të ketë gjykimin e shëndoshë dhe të dialogojë me një njeri që dhunon fëmijët e këtij vendi. Ça ishte ai djali që rrezikon syrin. Ça ishte ai që desh i këputën shtyllën kurrizore dhe kafkën, apo ai që i thyen këmbën.

Na thoshte se këta janë të futur e të infiltruar. Ça mund të themi ne për qeverinë e tij dhe që gjysmat e tyre janë në burg. Me këtë logjikë, themi që operon si kartel kriminal. Duhet të mbajë përgjegjësi ai dhe institucionet e tij që ka lejuar që të ndodhë kjo gjë në Shqipëri. Policia, SHISH. Ku i ka? Nxjerr alibi. Fakte dhe prova nuk ka.”, theksoi analisti.

Protestat kundër Ramës bëjnë jehonë në SHBA, The New York Times: Qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama

Protestat e studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë edhe gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times”. Në një artikull të publikuar më 17 tetor, me titull “Çfarë duhet të dini për protestat e dhunshme në Shqipëri”, media amerikane e vendos në fokus valën e demonstratave që ka përfshirë vendin dhe pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë.

Në përshkrimin e artikullit, The New York Times evidenton bashkimin e protestave studentore për arsimin me pakënaqësitë më të gjera të qytetarëve për rritjen e kostos së jetesës dhe projektin turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Ajo që nisi si një lëvizje kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura bregdetare është shndërruar në një valë protestash me kërkesa politike dhe sociale. Studentët kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar kushtet në universitete, kostot e arsimit dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të policisë, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës, si dhe dëmtime të pronës publike e private.

Edhe agjencia ndërkombëtare Reuters ka raportuar për përshkallëzimin e protestave, duke evidentuar se lëvizja studentore është përhapur përtej Tiranës dhe se demonstruesit kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti.

Ndërkohë, kryeministri ka refuzuar thirrjet për dorëheqje, duke argumentuar se trazirat rrezikojnë aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Jehona në mediat ndërkombëtare vjen në një moment kur protestat kanë hyrë në një fazë të re, me studentët dhe të rinjtë që vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale në vend. bw


Send this to a friend