Në bagazhin e makinës ku ndodhej prokurori i Durrësit, Arian Ndoja, së bashku me një person me precedent kriminal, janë gjetur disa thasë me dokumente.
Sipas “Top Channel”, ndër këto dokumentet është gjetur edhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit disa kohë më pare, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi!
Ndërsa citon burime brenda Policisë së Shtetit, “Top Channel” shkruan se pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduara nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni!
Në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumentave nga persona të paidentifikuar të cilët kishin arritur të dëmtonin edhe serverin. Në atë kohë u tha se asnjë dokument nuk kishte humbur sepse ishte i dubluar.
Dokumentat e tjera të gjetura lidhen me ish gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i cili u ekzekutua me një bombë në vitin 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon në bulevardin Vlorë-Skelë. Një nga pistat kryesore të vrasjes së Konomit, mbetet çështja e pronave që paraardhësit e 33-vjeçarit zotëronin në Hamallaj të Durrësit./ Top Channel
Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj informon se me urdhër të SPAK agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar aktualisht nga Ermal Nufi, ose siç e quan Arben Ahmetaj Ermal Raketa, pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre.
Kontrollet kanë pasur në fokus sekuestrimin e materialeve me vlerë për hetimin. Mësohet se SPAK iu drejtua pak kohë më parë GJKKO-së me një kërkesë për ushtrimin e kontrollit në banesën e biznesmenit izraelit Rony Yeffet, dhe Arjeta Puca administrator e TIMAK që ia shiti aksionet Ron Yeffet dhe krijuan së bashku kompaninë Timak Defense, por dhe zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.
Me vendim të gjykatës janë sekuestruar praktika dhe dokumente që mund të jenë të vlefshme për hetimet. Pjesë e kontrolleve, me firmën e GJKKO-së ka qenë dhe kontrolli fizik, çka nënkupton se nuk përjashtohet që të jenë sekuestruar dhe telefona celularë, informon gazetari Gjinaj.
Kujtojmë se SPAK ka administruar audiopërgjimin që ish zv/kryeministri vuri në dispozicion dhe u bë publik në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv mbrëmjen e 7 shtatorit.
Pse quhet Ermal Raketa
Ermal Nufi përflitet shpesh në audiopërgjim si një nga pikat kryesore të kontaktit të Ron Yeffet në qeveri, edhe për afera të tjera.
“Ermal Raketa është pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre. Nga brenda më ka ardhur. Kur kreu i organizatës i ka thënë: ‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa” do të deklaronte Arben Ahmetaj tek Çim Peka live më 7 shtator 2026
Në intervistën e pestë për gazetarin ‘Çim Peka’ në Syri Tv Ahmetaj denoncoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve, nëpërmjet biznesmenit izraelit Ron YEffet, ndërsa demaskon qeverinë, e cila pretendon se vendi ynë do të prodhojë municione nëpërmjet KAYO.
Në intervistën e pestë për emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, publikoi audiopërgjimin, ku Ron Yeffet pranon se qeveria shqiptare e ka kontraktuar për të bërë punët e pista. Biseda e biznesmenit izraelit zhvillohet me dy sipërmarrës ukrainas, të cilët i fton të bëhen pjesë e trafikut të armëve. Ron Yeffet zbulon gjithashtu se armët prodhohen në vendet e afrikës, por amballazhohen në Shqipëri dhe më pas shiten pa tendera në vende të ndryshme të botës si prodhim shqiptar.
Sipas Yeffet, municionet prodhohen në vende të Afrikës, më pas sillen në Shqipëri për amballazhim dhe tregtohen pa tender edhe në vende të tjera të NATO-s.
Arben Ahmetaj, përmend edhe një ngarkesë me armë që është kapur pak ditë më parë në Itali. Ai publikoi gjithashtu edhe pasqyrat financiare të kompanisë së Ron Yeffet, e cila me 14 punonjës ka marrë rreth 10 milionë euro paga nga buxheti i shtetit. Në audiopërgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, flitet edhe për planin e Ron Yeffet, që të marrë fushat gazmbajtëse të Delvinës dhe termoncentralin e Vlorës, ku përsëri ndërmjetësi është Ermal Nufi. Për këto pasuri publike, Yeffet u prorpozon sipërmarrësve ukrainas që të përdorin kompani prestanome amerikane, me qëllim që t`i mbyllet goja ambasadës së SHBA në Tiranë.
Ndërkohë mbrëmë po në emisionin ‘Çim Peka Live’ u publikua një pjesë e re nga audiopërgjimi i Ron Yeffet, që disponon ish-zëvendësKryeministri Arben Ahmetaj. Në pjesën e re të audiopërgjimit, Ron Yeffet flet me sipërmarrësit nga ukrainas, për ndërtimin e një fabrike armësh në Afrikë. Për të shuar skepticizmin e ukrainasve, Ron Yeffet u tregon atyre se ka udhëtuar në Sudan me Arjeta Pucën për çështjen e armëve. Armët pasi prodhohen në Sudan, sillen në Shqipëri ku paketohen dhe më pas shiten në vendet e BE apo vendet në konflikte.
SPAK ka ndërmarrë një seri kontrollesh në kuadër të hetimeve të nisura pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve dhe aktivitetit të kompanive të lidhura me KAYO. Një nga kontrollet është kryer në vilën në periferi të Tiranës, që raportohet se përdorej nga biznesmeni Ron Yeffet, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në ambiente të tjera dhe në institucione shtetërore.
Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala raportoi se hetimi ka nisur kryesisht pas publikimit të audiopërgjimeve dhe administrimit të tyre nga BKH. Sipas saj, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te banesa e Yeffet, por janë shtrirë edhe në ambiente të tjera dhe në disa kompani që lidhen me çështjen.
Sipas raportimit, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, kontrata private dhe materiale të tjera, ndërsa janë kontrolluar edhe ambiente të lidhura me KAYO-n. Hetimi, sipas Lalës, po mbahet me shumë rezervë nga SPAK dhe numri i kontrolleve është i lartë.
Kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas burimeve të raportuara, janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktika dhe kontrata. Po ashtu, në kuadër të hetimit janë kryer kontrolle personale, ndërsa pritet që të merren në pyetje persona të ndryshëm, përfshirë edhe Ron Yeffet. Raportimet e sotme konfirmojnë se kontrollet janë kryer me miratim gjykate.
Lala tha se në hetim mund të përfshihen edhe zyrtarë të lartë, ndërsa burime të rezervuara kanë bërë me dije se po bashkëpunohet edhe me autoritetet e huaja për verifikimin e aktivitetit që dyshohet si i paligjshëm. Hetimi pritet të shtrihet edhe jashtë Shqipërisë.
Emri i Ron Yeffet është përmendur nga Arben Ahmetaj në audiopërgjimet e publikuara prej tij, ku ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe ka lidhur këtë çështje me KAYO-n dhe kompani të sektorit të mbrojtjes. Këto janë pretendime të bëra publike nga Ahmetaj dhe tashmë janë objekt verifikimi nga autoritetet.
Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë kontrolleve janë marrë edhe materiale elektronike, dokumente dhe kompjuterë. Ajo raportoi gjithashtu se kontrollet vijojnë dhe se, për shkak të natyrës së hetimit, nuk përjashtohet marrja në pyetje e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për çështjen. Hetimi vijon, ndërsa priten të dalin më shumë detaje mbi objektin e kontrolleve, personat që do të pyeten dhe materialet e sekuestruara.
Pas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj se Shqipëria po bën trafik armësh, sot janë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Mësohet se kontrollet janë ushtuar në banesën në periferi të biznesmenit amerikano-izraelit. Nga përgjimet e publikuara nga Ahmetaj, Yeffet dilte garant për të bërë trafik armësh, ku përdorte qeverinë shqiptare si mekanizëm. Yeffet është një biznesmen izraelito-amerikan, i cili është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes. Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.
Në përgjimet e Ahmetajt, ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.
Edison Lika, një prej protestuesve, ka njoftuar një aksion të ri të paralajmëruar nga grupi i studentëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Në një deklaratë nga protesta, Lika tha se muaji tetor do të shënojë, sipas tij, një fazë të re të aksioneve të tyre.
Lika tregoi se së bashku me një grup studentësh kishin shkuar në QSUT, ku kryeministri Edi Rama ndodhej për të përuruar disa investime. Sipas tij, studentët i kanë bërë thirrje Ramës dhe kanë përsëritur kërkesën e tyre për arrestimin e tij.
“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, deklaroi Lika.
Ai tha se protestuesit synojnë të ndjekin aktivitetet publike të kryeministrit dhe qeverisë edhe gjatë ditëve në vijim, duke paralajmëruar protesta në takime dhe dalje të ndryshme publike.
“Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë, në fushata, takime, do t’ua nxijmë jetën siç na e kanë nxirë ne gjithë këto vite”, u shpreh ai.
Lika deklaroi gjithashtu se protestuesit do të vijojnë me forma simbolike proteste gjatë daljeve publike të kryeministrit.
“Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Edison Lika.
Deklaratat e tij janë pjesë e paralajmërimeve të protestuesve për intensifikimin e aksioneve gjatë muajit tetor. gsh
Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë.
Projektligji përjashton nga masat e arrestit veprat penale ku maksimumi i dënimit është deri në pesë vjet, vendos filtra të rinj në kryerjen e hetimeve dhe kërkimin e provave nga prokurorët si dhe forcon regjimin e sekretit hetimor, deri në atë pikë sa ndalon bërjen publike të faktit se një person është nën hetim.
Kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale” dhe tha se 10 vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.
Në të kundërt, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë si projekt që synon të mbrojë zyrtarët e lartë nga drejtësia përmes cënimit të themeleve të reformës në drejtësi.
“Shqetësimi kryesor i Ramës muajt e fundit apo në muajt e ardhshëm është raporti i tij me pushtetin dhe post-pushtetin dhe kjo do të thotë që ai nuk e ka projekt reformën në drejtësi, as nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës dhe as llogaridhënien e transparencën publike,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.
“Përpjekja e fundit është për të krijuar mekanizma mbrojtës në një rast hetimi ndaj tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe sidomos në periudhën kur ai s’do jetë kryeministër,” shtoi Krasniqi.
Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale propozohen në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama është tronditur nga skandale të reja korrupsioni, të cilat përfshijnë ish.zv.kreyeministren Belinda Balluku, ish-kryetaren e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni dhe drejtues të tjerë të lartë.
Këto përvoja, sipas Krasniqit, kanë ndikuar që kryeministri Rama të mendojë për mekanizma shtesë në raport me drejtësinë, ndërkohë që publikisht e konsideron atë të suksesshme.
Rrezikun që dispozitat e reja të ndikojnë në punën e institucioneve të drejtësisë e ngre edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndonëse në parim ai vlerëson orientimin e paketës drejt kufizimit të paraburgimit dhe forcimit të alternativave ndaj tij.
Ai thotë se efektiviteti i reformës së re do të varet nga mënyra se si do të zbatohen dispozitat e reja dhe nga konsistenca e gjykatave në vendimmarrje, ndërsa sugjeron që qeveria të sanksionojë në këtë paketë që dënimet të llogariten për çdo episod të përsëritur të një vepre penale, duke argumentuar se trajtimi i disa shkeljeve si një rast i vetëm mund të krijojë probleme në luftën kundër korrupsionit.
Në të kundërt, paralajmëron Preçi, “amendimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk do të jenë gjë tjetër veçse një mekanizëm makiavelist politik për të frenuar SPAK-un, duke mbajtur të shtrënguara radhët e funksionarëve të qeverisë dhe politikanëve të mazhorancës së drejtuar nga z.Rama, që de facto janë kandidatë për t’u hetuar në vijim nga SPAK-u.”
Për Migen Qiraxhi nga “Qendresa Qytetare”, janë skandalet e fundit ato që e kanë nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime që sipas tij kanë si target punën e SPAK.
“Ka një paradoks: sa më shumë SPAK ka rezultate dhe godet nivele të larta të politikës, aq më shumë shohim iniciativa politike që prekin aktivitetin e SPAK”, tha Qiraxhi, duke shtuar se ndryshimet vijnë pikërisht atëherë kur ky institucion ka fituar një nivel të konsiderueshëm legjitimiteti publik.
Ndryshime që rrezikojnë reformën në drejtësi
Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 pas ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, kishte si qëllim forcimin e pavarësisë së institucioneve kryesisht atyre të posaçme kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar dhe një riorganizim të bazuar mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorisë.
Një dekadë më pas, ekspertët e shoqërisë civile i vlerësojnë ndryshimet e reja të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale si rrezik për këtë reformë, pavarësisht se ato paraqiten si korrigjime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos në çështjet e masave të paraburgimit.
Problematika kryesore, sipas tyre, është mungesa e një konsultimi real me aktorët e drejtësisë dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështetën këtë reformë 10 vite më parë.
Krasniqi e quan këtë nismë “një lëvizje politike personale” dhe deri diku si “një nga ligjet e porositura në axhendën ligjore të qeverisë”.
Ai e konsideron absurd faktin që nismat që prekin thelbin e drejtësisë vijnë vetëm nga mazhoranca socialiste, duke shpërfillur opozitën parlamentare dhe institucionet e drejtësisë, gjë që sipas tij tregon se “koncepti i partisë-shtet vijon të jetë dominues dhe personalizimi i pushtetit logjikë dominuese”.
Sipas tij këto tentativa bien në kontrast dhe me procesin e integrimit ku i vetmi evolucion pozitiv në kapitullin e drejtësisë dhe luftës anti-korrupsion konsiderohet puna që bën SPAK dhe GJKKO.
Migen Qiraxhi nuk e konsideron suprizë këtë nismë të qeverisë, por e lidh atë me tentativa të vazhdueshme për të prekur kompetencat apo hapësirën e veprimit të SPAK me nisma që paraqiten si reforma kundër korrupsionit.
“Nese kjo sot është një nisme e qeverisë, ekziston rreziku që gradualisht të formalizohet një interes i përbashkët i pjesëve të politikës së vjetër, majtas dhe djathtas, për të rimarrë kontroll ose për të ngushtuar hapësirën e një drejtësie që për herë të parë po godet realisht në nivelet e larta,” thotë ai, duke këmbëngulur se ky është konflikti themelor.
Në këtë kontekst, Qiraxhi beson se debati duhet të fokusohet tek legjitimiteti I SPAK dhe jo tek përmbajtja teknike e propozimeve.
Ndërkohë, Zef Preçi vlerëson se pavarësisht rrezikut që paketa mbart ndaj pavarësisë së drejtësisë, në planin parimor ajo duket se adreson disa nga problemet më të kritikuara të sistemit penal shqiptar lidhur me masat e paraburgimit.
Por ai thotë se sërish mbeten pikëpyetje të forta, kryesisht për mungesën e tekstit të plotë publik në momentin e prezantimit dhe me zbatimin e tij në praktikë nga gjyatatat./BIRN/
Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm.
Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.
Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.
Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.
Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?
Deputeti socialist Bledi Çomo një vit pasi mori mandatin si ligjvënës i Pogradecit, ka vendosur t’i “shpërblejë” zgjedhësit e tij duke u ngulur një përbindësh betoni 23 kate mu në zemër të qytetit.
Në fund të korrikut, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet për një numër të madh kullash dhe resortesh nëpër Shqipëri. Mes tyre, u miratua dhe një kullë e quajtur Feneri i Pogradecit, e cila do të jetë 23 kate e lartë.
Kompania ndërtuese e kullës është Molos shpk. Ajo zotërohet nga deputeti socialist Bledi Çomo dhe vëllai i tij Genci Çomo.
Në shtator të vitit të kaluar, pasi u zgjodh deputet, Bledi Çomo hoqi dorë nga zotërimi aktiv i kuotave të tij duke caktuar një shtetas të quajtur Kristi Kokoneshi si person të besuar. Kjo është një manovër fiktive, që diktohet nga Kushtetuta, e cila nuk i lejon deputetët të marrin asete, liçenca apo leje publike.
Por zotërimi pasiv nuk heq pronësinë. Pronari i Molos vazhdon të jetë Bledi Çomo. Me pak fjalë, Edi Rama i dha leje deputetit të tij të Pogradecit për të ngritur një përbindësh betoni 23 kate në zemër të qytetit.
Që nga zgjedhja e tij si deputet, ky është ndoshta kontributi më i madh që përfaqësuesi i popullit Çomo ka dhënë për zgjedhësit e tij pogradecarë. Aktiviteti i tij në Parlament është thuajse inekzistent, përtej votimit me besnikëri të ligjeve që dikton Edi Rama.
Kjo maxhorancë është e zhytur gjer në fyt në konflikt interesi. Ministra që marrin status investitori strategjik, deputetë që marrin leje për kulla, drejtor që ndërtojnë kompani private për të marrë kontratat e institucioneve të tyre e shumë bëma të tjera.
Por oreksi i zyrtarëve të maxhorancës nuk kursen asgjë. Jo vetëm tenderat, por tani as qytetet. Të ngulësh kullë 23 kate në Pogradec, është babëzi në kufijtë e kriminales./ Kapitali
Kryeministri Edi Rama ka qenë sot më 1 tetor për një vizitë në QSUT.
Ai kishte ardhur për të inauguruar kardiokirurgjinë e re, raporton gazetari Osman Stafa.
Mirëpo, është pritur nga protesta. Protestuesit kanë thirrur në kor “Arrestoni Ramën”.
Kanë ndërhyrë policët dhe civilët, duke shoqëruar në komisariat një aktivist dhe një student.
Prej kohësh, në rrugët e vendit protestohet kundër qeverisë, teksa kërkohet dorëheqja e kryeministrit. Protestuesit shprehen se kjo qeveri duhet të ikë, pasi korrupsioni ka arritur në nivele alarmante. bw
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi më 30 shtator që Shqipëria të përqendrohet te zbatimi i reformave, nga drejtësia te mbrojtja e mjedisit, duke ruajtur njëkohësisht dialog të fortë me shoqërinë.
Von der Leyen e nisi turin e saj në Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku zhvilloi takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përbashkët me Ramën, ajo e cilësoi Shqipërinë si një ndër vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Objektivi është në horizont”, tha von der Leyen, duke theksuar megjithatë se ka ende shumë punë përpara.
Ajo kërkoi reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur të negociatave, duke veçuar drejtësinë, kuadrin zgjedhor dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Miratimi i reformave është i rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është që ato të zbatohen tërësisht, që të sjellin ndryshime të vërteta për qytetarët. Kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike, si dhe një dialog të fortë e të vazhdueshëm me shoqërinë, për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të saj”, tha von der Leyen.
Rama shprehu një “vullnet të hekurt” për ta çuar përpara procesin e anëtarësimit, i cili, sipas tij, ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave.
Ai tha se me presidenten e Komisionit Evropian diskutoi edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se të dyja palët konstatuan përparim të Shqipërisë në këtë drejtim.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, më 30 shtator 2026.
Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe rasti Hyseni
E pyetur për rastet e zyrtarëve të lartë të dyshuar apo të akuzuar për korrupsion në Shqipëri, von der Leyen tha se hetimet janë tregues se sistemi po funksionon.
“Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë provë që sistemi po funksionon”, tha ajo, duke e cilësuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si thelbësore edhe për BE-në.
Rama tha se disa zhvillime që në Shqipëri shihen si kthim pas, sipas tij, për Komisionin Evropian janë tregues se vendi është një partner serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Për herë të parë, ky vend ka një sistem që ka fituar dhe fiton dita-ditës aftësi vetëkorrigjuese, vetëpastruese, pra ato antikorpe që i ka çdo sistem demokratik, falë ndarjes së pushteteve, ku çdo pushtet bën punën e vet”, tha Rama.
Ai theksoi përgjegjësinë individuale të zyrtarëve që hetohen dhe tha se përgjegjësia e tij politike është të sigurojë vazhdimin e reformës në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
I pyetur për rastin e ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, Rama tha se deri tani asnjë partner ndërkombëtar nuk i ka shprehur qeverisë shqetësim për cenimin e sigurisë kombëtare apo të besueshmërisë në marrëdhëniet me partnerët.
Hyseni po hetohet për dyshime për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete.
“Procesi do të tregojë nëse ka apo nuk ka gjëra të cilat kanë cenuar çfarëdo qoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo me besueshmërinë që ka të bëjë me partnerët, por lajmi që kam për ju është që një shqetësim i tillë nuk na ka ardhur deri tani nga asnjë partner”, tha Rama.
Në Shqipëri, hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë përfshirë ministra, ish-ministra dhe drejtues të institucioneve qendrore e vendore. Dosjet lidhen me dyshime për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale.
Projekti në Zvërnec dhe protestat
Rama tha se gjatë takimit e informoi von der Leyenin edhe për ecurinë e projektit të investimit në Zvërnec, i cili ka nxitur protesta për mbrojtjen e mjedisit.
“E kam informuar për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes, kur tanimë jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor, si dhe për hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun shqiptar dhe të ndërveprimit të qeverisë me publikun”, tha Rama.
Ai premtoi se në ditët në vijim do të bëhen publike të gjitha dokumentet e projektit.
Ndërkohë që zhvillohej takimi, dhjetëra protestues u mblodhën para Kryeministrisë, duke kërkuar që Bashkimi Evropian t’i dëgjojë shqetësimet e tyre.
“Shqipëria në BE pa Edi Ramën” ishte një prej thirrjeve të protestuesve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Protestues para Kryeministrisë në Tiranë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 30 shtator 2026.
Protestat nisën si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec dhe më pas përfshinë kërkesa më të gjera politike, si dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie tranzitore dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Projekti në Zvërnec parashikon ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe ka nxitur protesta për ndikimin në mjedis dhe çështjet e pronësisë së tokës.
Në qershor, Parlamenti Evropian i kërkoi Shqipërisë të pezullonte lejet e reja dhe punimet në zonat e mbrojtura deri në një vlerësim të plotë e të pavarur të ndikimit mjedisor dhe ligjor, pa përmendur ndonjë projekt specifik në rezolutën e miratuar.
Propozimet për zgjerimin e BE-së
Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do të paraqesë javën e ardhshme rishikimet e politikave në kuadër të përgatitjeve për zgjerimin.
“Ne do të shqyrtojmë institucionet tona, politikat tona, do të shikojmë dhe buxhetin tonë për t’u siguruar që Bashkimi Europian është gati për t’u zgjeruar, për të mirëpritur anëtarët e tjerë, anëtarët e rinj”, tha ajo.
Sipas von der Leyenit, do të përcaktohen edhe udhërrëfyes për të siguruar që angazhimet për vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit të respektohen edhe pas anëtarësimit.
E pyetur nëse ndryshimet do ta përshpejtojnë integrimin apo do t’i kufizojnë të drejtat e anëtarëve të rinj, ajo tha se nuk mund të jepte shumë hollësi, pasi procesi është ende në zhvillim.
Megjithatë, ajo theksoi nevojën për masa që garantojnë respektimin e angazhimeve edhe pasi një shtet të bëhet anëtar i BE-së.
Rama, ndërkaq, tha se e drejta e vetos nuk i bën mirë Bashkimit Evropian. Ai e cilësoi Shqipërinë si viktimë të këtij mekanizmi dhe tha se vendi nuk humbet asgjë nëse ai shfuqizohet.
Komisioni Evropian pritet të miratojë më 7 tetor një strategji për zgjerimin. Sipas draftit të dokumentit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (REL), kandidatët duhet të përmbushin kushte të rrepta për anëtarësim, ndërsa BE-ja duhet të përgatitet institucionalisht, financiarisht dhe politikisht për të mbetur funksionale edhe pas zgjerimit.
Drafti parashikon mekanizma që do të synonin kufizimin e mundësisë së anëtarëve të rinj për të bllokuar vendimet gjatë viteve të para të anëtarësimit. Ai parashikon gjithashtu instrumente për të reaguar nëse këto shtete devijojnë nga detyrimet e marra përsipër.
Elementi më i ndjeshëm lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, të përshkruar në dokument si “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.
Komisioni Evropian, me shumë gjasë, në kuadër të pakos së zgjerimit, të cilën do ta publikojë në fund të tetorit, do të dalë edhe me një hartë individuale të rrugës për kandidatët që janë në procesin e negociatave për anëtarësim.
Edhe pse në grupin e zgjerimit janë dhjetë shtete (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova, Turqia dhe Ukraina), burimet e REL-it konfirmuan se KE-ja me shumë gjasë do ta publikojë hartën e rrugës për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Bëhet fjalë për shtetet e vetme nga grupi i zgjerimit që deri tani po përparojnë në procesin e anëtarësimit.
Sipas propozimit, anëtarët e ardhshëm do të zotoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet unanimitet. Këto masa janë ende propozime në draft dhe jo rregulla të miratuara.
Von der Leyen nuk e përmendi shprehimisht veton gjatë konferencës në Tiranë.
Pas Shqipërisë, von der Leyen do të vizitojë Kosovën dhe Malin e Zi më 1 tetor, ndërsa turin do ta përmbyllë më 2 tetor në Maqedoninë e Veriut. Sipas Komisionit Evropian, vizitat në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi janë planifikuar për një datë të mëvonshme, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto vende.
Qytetarët vijojnë protestën pranë Kryeministrisë ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen po zhvillon një takim kokë më kokë me Edi Ramën.
Ata nuk arritën që të afrohen pranë godinës së Kryeministrisë për shkak të përplasjeve që patën me policinë, e cila nuk i lejoi që të depërtonin më tej drejt institucionit ku mbahet takimi.
“Shqipëria në BE, pa Edi Ramën” brohorisnin qytetarët, ndërsa bënin thirrje gjithashtu edhe për arrestimin e kryeministrit dhe vënien para drejtësisë. Panorama
Policia ka rrethuar zonën para Kryeministrisë, ndërsa qytetarët vijojnë protestën e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Ky takim vjen në kushtet e një shtetrrethimi dhe se policia ka marrë të gjitha masat që protestuesit të mos jenë pranë Kryeministrisë, duke bërë që të vendosen në lokacione të ndryshme
Kjo protestë vjen teksa mbahet edhe takimi i Von der Leyen me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në 17:30 pritet të mbahet edhe konferenca mes tyre.
Në disa momente pati edhe tensione pasi efektivë të policisë tentuan të shtyjnë protestuesit për t’i larguar nga Bulevardi.
Protestuesit janë vendosur edhe te Bulevardi Dëshmorët e Kombit. gsh
Aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar këtë të mërkurë në Tiranë, në kohën kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndodhet në kryeqytet për takimin me kryeministrin Edi Rama.
Forcat e Policisë nuk kanë lejuar protestuesit të afrohen pranë Kryeministrisë, ndërsa mes efektivëve dhe qytetarëve ka pasur momente tensioni.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e pranishme në protestë, kritikoi kufizimin e protestuesve nga Policia, ndërsa deklaroi se mesazhi i tyre për presidenten e Komisionit Europian është që Bashkimi Europian të mos mbështesë, sipas saj, drejtues autokratë.
“Rama nuk na përfaqëson. Kemi 122 ditë në protestë që themi se Rama dhe qeveria nuk na përfaqësojnë. Në BE vetëm nëse largojmë autokratët. Jemi këtu për t’i thënë Von der Leyen se nuk duhet të mbështesë autokratët”, deklaroi Vatnikaj.
Duke iu referuar pranisë së shtuar të forcave të rendit dhe pengimit të protestuesve për t’u afruar pranë godinës së Kryeministrisë, ajo e krahasoi situatën me një burg.
“Po e kthejnë Shqipërinë në 313”, u shpreh aktivistja, duke iu referuar burgut të Tiranës. bw
Komentet