Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj informon se me urdhër të SPAK agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar aktualisht nga Ermal Nufi, ose siç e quan Arben Ahmetaj Ermal Raketa, pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre.
Kontrollet kanë pasur në fokus sekuestrimin e materialeve me vlerë për hetimin. Mësohet se SPAK iu drejtua pak kohë më parë GJKKO-së me një kërkesë për ushtrimin e kontrollit në banesën e biznesmenit izraelit Rony Yeffet, dhe Arjeta Puca administrator e TIMAK që ia shiti aksionet Ron Yeffet dhe krijuan së bashku kompaninë Timak Defense, por dhe zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.
Me vendim të gjykatës janë sekuestruar praktika dhe dokumente që mund të jenë të vlefshme për hetimet. Pjesë e kontrolleve, me firmën e GJKKO-së ka qenë dhe kontrolli fizik, çka nënkupton se nuk përjashtohet që të jenë sekuestruar dhe telefona celularë, informon gazetari Gjinaj.
Kujtojmë se SPAK ka administruar audiopërgjimin që ish zv/kryeministri vuri në dispozicion dhe u bë publik në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv mbrëmjen e 7 shtatorit.
Pse quhet Ermal Raketa
Ermal Nufi përflitet shpesh në audiopërgjim si një nga pikat kryesore të kontaktit të Ron Yeffet në qeveri, edhe për afera të tjera.
“Ermal Raketa është pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre. Nga brenda më ka ardhur. Kur kreu i organizatës i ka thënë: ‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa” do të deklaronte Arben Ahmetaj tek Çim Peka live më 7 shtator 2026
Në intervistën e pestë për gazetarin ‘Çim Peka’ në Syri Tv Ahmetaj denoncoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve, nëpërmjet biznesmenit izraelit Ron YEffet, ndërsa demaskon qeverinë, e cila pretendon se vendi ynë do të prodhojë municione nëpërmjet KAYO.
Në intervistën e pestë për emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, publikoi audiopërgjimin, ku Ron Yeffet pranon se qeveria shqiptare e ka kontraktuar për të bërë punët e pista. Biseda e biznesmenit izraelit zhvillohet me dy sipërmarrës ukrainas, të cilët i fton të bëhen pjesë e trafikut të armëve. Ron Yeffet zbulon gjithashtu se armët prodhohen në vendet e afrikës, por amballazhohen në Shqipëri dhe më pas shiten pa tendera në vende të ndryshme të botës si prodhim shqiptar.
Sipas Yeffet, municionet prodhohen në vende të Afrikës, më pas sillen në Shqipëri për amballazhim dhe tregtohen pa tender edhe në vende të tjera të NATO-s.
Arben Ahmetaj, përmend edhe një ngarkesë me armë që është kapur pak ditë më parë në Itali. Ai publikoi gjithashtu edhe pasqyrat financiare të kompanisë së Ron Yeffet, e cila me 14 punonjës ka marrë rreth 10 milionë euro paga nga buxheti i shtetit. Në audiopërgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, flitet edhe për planin e Ron Yeffet, që të marrë fushat gazmbajtëse të Delvinës dhe termoncentralin e Vlorës, ku përsëri ndërmjetësi është Ermal Nufi. Për këto pasuri publike, Yeffet u prorpozon sipërmarrësve ukrainas që të përdorin kompani prestanome amerikane, me qëllim që t`i mbyllet goja ambasadës së SHBA në Tiranë.
Ndërkohë mbrëmë po në emisionin ‘Çim Peka Live’ u publikua një pjesë e re nga audiopërgjimi i Ron Yeffet, që disponon ish-zëvendësKryeministri Arben Ahmetaj. Në pjesën e re të audiopërgjimit, Ron Yeffet flet me sipërmarrësit nga ukrainas, për ndërtimin e një fabrike armësh në Afrikë. Për të shuar skepticizmin e ukrainasve, Ron Yeffet u tregon atyre se ka udhëtuar në Sudan me Arjeta Pucën për çështjen e armëve. Armët pasi prodhohen në Sudan, sillen në Shqipëri ku paketohen dhe më pas shiten në vendet e BE apo vendet në konflikte.