Thaçi ishte i dyshuar për pengmarrje si krim lufte, të Cen Deskut dhe Jakup Kastratit më 30 tetor 1998. Ata ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme rreth një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte lëshuar komunikatë për arrestimin e tyre. Konsideroheshin të dëmshëm për luftën e UÇK-së.
Dy aktivistët e LDK-së që ishin liruar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e kishin akuzuar Thaçin se ka qenë pjesëmarrës në kidnapimin e tyre. Dëshmitë fillimisht ia kanë dhënë misionit verifikues dhe më vonë edhe UNMIK-ut.
Sipas tyre, Thaçi ishte prezantuar me emrin “Sabit Geci” dhe “Ibrahim Gashi”, në momentin e kidnapimit.
Mirëpo, ky hetim është mbyllur para pak kohësh nga prokurori special, Reshat Millaku, me arsyetimin se viktimat, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë tërhequr dëshmitë e tyre të dhëna në UNMIK.
Mbi këtë bazë, prokurori Millaku ka vendosur që dëshmitë e dhëna në UNMIK të mos i pranojë si prova të besueshme, por t’u besojë dëshmive të dhëna para tij nga viktimat.
Takimi i Thaçit me “viktimën e tij”
Paraprakisht Thaçi, ishte kujdesur që ta takonte personalisht, Deskun në Malishevë. Një takim ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e Isni Kilajt, zëvendësministër i Financave nga radhët e PDK-së. Desku, e ka konfirmuar takimin në të cilin ka thënë se kanë sqaruar disa “keqkuptime” të luftës.
Prokuroria arsyetohet se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të dhëna gjatë hetimeve para hetuesve të UNMIK-ut, nuk janë marrë në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Mirëpo, në të njëjtën kohë dhe mënyrë janë marrë edhe deklaratat e dëshmitarëve në rastin kundër Fatmir Limajt. Aktakuza kundër tij e dëshmon se ato janë marrë në pajtim me Kodin e Procedurës Penale.
Prokuroria në anën tjetër nuk ka vepruar më të njëjtat standarde kundër Fatmir Limajt. Ai është akuzuar për krime lufte në rastin e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Dëshmitari kyç ka ndërruar deklaratën. Në UNMIK ka thënë se në kohën kur ndodhej afër kufomave, Limaj me një person tjetër ia kishte marrë armën dhe ishte larguar. Kur është marrë në pyetje javë më parë, nuk e ka pranuar se i është marrë arma. Por, prokurorja Drita Hajdari e ka pranuar dëshminë e dhënë në UNMIK si të vërtetë, e jo dëshminë e dhënë para saj.
Insajderi ka siguruar dosjen hetimore në këtë rast.
Vendimi për hetime i prokurorit të EULEX-it
Prokurori i EULEX-it, Cezari Mihalcuk kishte nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër Sabit Shalës Kleçkës, Fatmir Limajt, Sabit Shalës, Lulzim Shurdhës dhe Hashim Thaçi, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte: Vrasje – si krim luftë kundër popullsisë civile [….] sepse siç thuhet në aktvendim më 2 tetor 1998, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, të pandehurit duke vepruar me një plan të dakorduar bashkërisht, kanë vrarë Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin.
Në vendim më tej thuhet se hetimi është hapur edhe për veprën penale: Marrje e pengjeve – si krim lufte kundër popullsisë civile [….] “sepse më 30 tetor 1998, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, të pandehurit duke vepruar me një plan të dakorduar bashkëshkrish, e kanë mbajtur Cen Deskun dhe Jakup Kastratin kundër vullnetit të tyre dhe pa ndonjë urdhër të ndonjë agjencie legjitime të rendit, për një muaj në një shtëpi që ndodhet në Sedllar, duke i privuar nga liria.
Prokurori sqaron se më 30 tetor 1998, Cen Desku e Jakup Kastrati janë kidnapuar dhe rrahur nga anëtarë të UÇK-së.
Ata janë mbajtur për rreth një muaj në një shtëpi në Sedllar, nën akuzat se kanë qenë kolaboracionistë të Selman Binishit e Ramiz Hoxhës.
“Jakup Kastrati ka deklaruar se Sabit Shala ka qenë shoferi dhe se arrestimi i tij është urdhëruar nga Hashim Thaçi”, thuhet në vendim.
Më 18 gusht të vitit 2000, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë dëshmuar para hetuesve të UNMIK-ut për rrethanat e arrestimit të tyre. Cen Desku ka thënë se kidnapuesit e tij janë ushtarët e UÇK-së Skender Hoti, Demush Kastrati, Femi Kryeziu, Shefqet Mazreku dhe Ibrahim Gashi, që e paraqiste veten si Sabit Geci, por që më vonë është identifikuar si Hashim Thaçi.
“Kastrati ka sqaruar se janë keqtrajtuar dhe privuar nga liria për shkak të afërsisë politike që kanë pasur me LDK-në dhe artikujve që ai i ka publikuar dhe që nuk kanë qenë të favorshëm për UÇK-në.
Të dy kanë dhënë dëshmi para prokurorit special, Cezari Mihalcuk më 14 prill 2016.
“Hetimi bazohet në një rast të zhvilluar më herët, por të mbyllur më vone nga Policia e UNMIK-ut, me numrin 2000-00116. Më 14 mars 2014, Njësiti për Hetime të Krimeve të Luftës i EULEX-it transferoi rastin e UNMIK-ut 2000-00116 tek EULEX SPRK ku e mori numrin PPS 91/2014.
Mbyllja e hetimeve nga prokurori Reshat Millaku
Më 13 prill, rasti është transferuar nga prokurori i EULEX-it, tek prokurori kosovar, Reshat Millaku.
Në vendim sqarohet se prokurori ka intervistuar dëshmitarët Femi Kryeziu më 21 prill 2016, Demush Krasniqi më 20 prill 2016, Skender Hoti më 20 prill 2016, Shefket Mazreku më 3 maj 2016. Në cilësi të të dyshuarve, prokurori ka intervistuar Sabit Shalën më 29 prill 2016, Lulzim Shurdhajn më 3 maj 2016, Hashim Thaçin më 6 maj 2016 dhe Fatmir Limajn më 12 maj 2016.
Në dosjen hetimore thuhet se më 16 maj të vitit 2016, prokurori special i Kosovës ka vendosur të mbyllë hetimet kundër të pandehurve Sabit Kleçka, Fatmir Limaj, Sabit Shalla, Lulzim Shurda dhe Hashim Thaçi në lidhje me dyshimet për marrje të pengjeve – Jakup Kastrati, Cen Desku.
“Prokurori ka konstatuar se nuk është gjetur ndonjë provë gjatë hetimeve për të mbështetur akuzat e lartpërmendura”, thuhet më tej.
Prokuroria ka mohuar se e ka mbrojtur presidentin Hashim Thaçi. Arsyeja pse nuk i ka pranuar dëshmitë e dhëna në UNMIK, ka thënë se janë marrë në mënyrë të paligjshme. Por, vetë Cen Desku jep një version tjetër. Thotë se në kohën kur ka dëshmuar në UNMIK ka folur me fjalë të njerëzve. Ka thënë se nuk e ka arrestuar Thaçi.
“Ju informoj se deklaratat e dëshmitarëve dhe deklaratat e të dëmtuarve të dhëna gjatë hetimeve para hetuesve të UNMIK-ut, nuk janë marrë në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, ka thënë Prokuroria e Shtetit . “Te njëjtit para se të japin deklarata nuk janë njoftuar për të drejtat dhe obligimet e tyre si dëshmitarë apo të dëmtuar.
Për rastin e Limajt ka dhënë një version tjetër. Nuk është deklaruar se pse është e pranueshme deklarata e dëshmitarit e dhënë në UNMIK, ani se janë marrë në të njëjtën kohë me ato të hetimeve kundër Thaçit.
“Ndërsa, Fatmir Limaj është akuzuar për përgjegjësi komanduese, që sipas Prokurorisë është vërtetuar në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të dhëna gjatë hetimeve dhe në bazë të provave materiale”, ka thënë Prokuroria e Shtetit.
Insajderi ka kërkuar nga Prokuroria një kopje të aktvendimit për mbylljen e hetimeve kundër Thaçit, por ka refuzuar ta ofrojë atë.
Desku: Me Thaçin kemi sqaruar disa keqkuptime të luftës
Cen Desku, ndërkaq ka thënë se nuk e ka njohur Hashim Thaçin, ndonëse vetë ka deklaru se ai personalisht e ka arrestuar.
“O nuk i kom njoftë bre ata, unë veç si ngjarje. S’jom tërjek prej saj, ngjarje… Nuk i kom njoftë, këta njerëz veç kanë thanë simbas fjalëve, jo u kanë ky, jo u kanë ky. Unë s’i kom njoftë se ata janë kanë azil. Unë jam kanë këtu gjithë kohën, kështu që nuk i kom njofto veç sipas fjalëve, njerëzve që kanë thanë”, ka thënë Desku për Insajderin.
Kur është pyetur se pse ka deklaruar se Thaçi e ka arrestuar, Desku ka insistuar se nuk e ka njohur atë. Ka deklaruar se Thaçin e kishte akuzuar bazuar në fjalët e të tjerëve.
Ndërkohë, Desku dhe Thaçi janë takuar të paktën tri herë gjatë këtij viti. Takimin e fundit e kanë pasur në shtator të këtij viti. Desku ka mohuar se është bindur nga Thaçi në këto takime që të heq dorë nga dëshmitë e dhëna më herët. Në këto takime ka thënë se pos tjerash i kanë sqaruar “disa keqkuptime”.
“Jemi taku përmes një shoku tem ni Isnik Kilaj. Jemi themelues të Lidhjes Demokratike prej viteve të’ 90-ta edhe ai është kryetar i partisë të Thaçit në Malishevë edhe hajde takohum, pimë kafe. Po takohum unë pse jo, s’kom unë ndaj shqiptarëve asni…”, ka thënë Desku.
Desku ka thënë se në këtë takim kanë biseduar më shumë për punët gjatë viteve të ‘90-ta. Ka thënë se kanë folur për qëndresën ndaj Serbisë.
“Na kena pas organizmin politikë dhe ushtarak në Kosovë. Kemi ba qëndresë këtu edhe tani kanë ndodhë ato kufizimet gjatë luftës. Kanë ndodhë edhe do keqkuptime, kështu që kanë kaluar ato”, ka thënë Desku.
Në zyrën e Presidentit nuk kanë folur për këtë rast e as për takimin që kreu i shtetit ka pasur me dëshmitarin kundër tij.
Insajderi nuk ka mundur të kontaktojë ndërkohë me Jakup Kastratin.
Prokurori Reshat Millaku i cili i ka mbyllur hetimet kundër Thaçit, pak javë më parë është emëruar kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit e kishte marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Komunikata numër 4 flet për motivet e arrestimit. Aty përmendet edhe vrasja e dy civilëve, për çka po akuzohet Fatmir Limaj për përgjegjësi komanduese.
“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.
“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.
Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3./Insajderi/.
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me lajmin që Bahamas është shteti më i ri që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një postim në “X”, Begaj shkruan se ky vendim është një kontribut domethënës për paqen e stabilitetin në rajon.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Bahamas për njohjen e Kosovës, një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë” shkruan kreu i shtetit.
Bahamas, vend në Karaibe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të premten, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.
Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas u arrit në kryeqytetin e Bahamas, Nasau.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi ajo.
Bahamas është bërë tani shteti i 121-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Marrëveshja për njohjen e Kosovës nga vendi ishullor i Oqeanit Atlantik dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahamas, Philip Davis.
Në një deklaratë të përbashkët, Kosova dhe Bahamas thanë se janë të përkushtuara ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Ato u pajtuan për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
“Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv”, thuhet në komunikatë. bw
Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj së bashku me ligjvënësin tjetër Erald Kapri nuk janë lejuar që të futen në mbledhjen e Këshillit për Imunitetin ku do të diskutohet heqja e mandatit për Belinda Ballukut.
Shehaj dhe Kapri thonë se kanë bërë një kërkesë, por nuk kanë marrë përgjigje dhe nuk janë lejuar nga Garda.
Sipas tij, ky është një pazar që bëjnë dy forcat politike.
“Kjo është çmenduria, ne do vazhdojmë do luftojmë. Këta e kanë paralajmëruar, Edi Rama do të marrë në mbrojtje Belinda Ballukun.
Pse më shtyni? Sepse preka kryetarin. Me dhunë. Vazhdon avazi PS-PD, vazhdon pazari PS-PD”, tha Shehaj.
Pasi u betua në Parlament, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, lëshoi një puthje për të 35 deputetët e opozitës që i dhanë firmën për ta përfshirë në listën finale të kandidaturave. Gjesti i Shabanit ishte cinizëm malinj, por puthja e tij ngjan me prekjen e vdekjes së moralit opozitar.
Paradoksalisht, në ditën që opozita protestonte disi dhunshëm në Parlament kundër qeverisë dhe zevëndëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar leje për ta arrestuar, në pritje për të bërë betimin ritual ishte edhe Avokati i Popullit.
Ai u shfaq. Mezi dukej, por i kishte krijuar vetes një pompozitet fals, që e ka pasur, e ka dhe do ta ketë, ndonëse vetëm sytë e errësuar të opozitës lanë litarin jashtë me “fenomenin Shabani”. Nuk është i rëndësishëm posti që mban. Në një vend që çdo institucion është zhul dhe i kapur, s’ka si të bëjë dritë Endriti.
Opozita u degradua moralisht mjaft rëndë kur Endrit Shabani, kanakari i Ramës, mori plot 35 vota nga deputetët e opozitës si një nga shtatë kandidaturat e mbështetura prej tyre.
Po kujt ia dhanë këto vota? Ai nuk është fshehur kurrë. Kushdo që njeh “Shab-politikën” e kishte të qartë se oportunizmi ishte moto e jetës së shtirur profesionale, duke u vetëshpallur si Oksfordist, paçka se askush nuk ia ka parë një copë fletushkë që e vërteton.
Më shumë se dija vlen morali dhe Shabani i kishte dhënë provat se për një copë post u vetëofrua të shkatërronte edhe krijesën e vogël “Shqipëria Behet”, duke e “shthurur” me nismën e tij. Ky koalicion siguroi 64 mijë vota në rang kombëtar dhe vetëm një deputet, që “Shaban-politika” e vuri në një pazar me dajën, hallat, tezet dhe farefisin që vrau qoftë edhe një fije shprese.
Që Shabani ishte thika në duart e Ramës fare mirë e dinte Partia Demokratike por në një proces të pisët u zhyt vetë në këtë llum, teksa i dhanë 35 vota mbështetëse dhe pasi panë reagimin e anëtarësisë, PD kërkoi falje, por një falje që nuk pati asnjë vlerë.
Shabani me firmat e deputetëve të PD-së dhe me votat e PS-së u zgjodh Avokat i Popullit ndërsa në ditën e betimit u dha një puthje deputetëve mbështetës të PD-së me ironi therëse duke u treguar se çdo nismë ka një çmim, në mos menotar çmim degradimi për të cilin opozita u vetëofrua të bëhej konkubinë e orgjisë qeveritare, ku edhe Shabani pati orën e tij të harbimit.
Apeli i Posaçëm lë në fuqi bllokimin e pasaportës për Ballukun, ndersa ‘Ngrin’ pezullimin nga detyra
Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dhënë vendimin pasditen e kësaj të enjte (18 dhjetor 2025) për zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila kishte ankimuar masat e sigurisë të caktuara ndaj saj nga shkalla e parë.
Apeli ka lënë në fuqi masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit për Ballukun, ndërsa sa i takon masës ndaluese që lidhet me pezullimin nga funksionet zyrtare, Apeli ka vendosur ta pezullojë shqyrtimin e kësaj pike deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet në themel për këtë rast.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses Belinda Balluku.
2. Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses Belinda Balluku. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë,- thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërkohë sa i takon dy vartësve të Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, Apeli ka vendosur të mos ndryshojë masat e sigurisë ndaj tyre, pra do vijojnë të mbeten në arrest shtëpie.
SPAK me prova të reja për Ballukun/ Detajet nga seanca me dyer të mbyllura në Apelin e GJKKO-së
Gjatë seancës së sotme, prokurorët se SPAK kanë kërkuar lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë përfshirë edhe pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut me arsyetimin se Kushtetuesja ka pezulluar vetëm efektet jo masën në vetvete.
Po të njëjtat burime konfirmojnë se prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë paraqitur prova të reja, përfshirë ato dërguar Kuvendit që rëndojnë pozitat e numrit dy të qeverisë Rama.
Nga ana tjetër avokatët e Ballukut kanë kërkuar pushimit e gjykimit sa i takon masës së pezullimit me argumentin se për të është shprehur Gjykata Kushtetuese.
Dosja Balluku/ Akuza për kërcënime ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve
Kryedemokrati, Sali Berisha ka deklaruar se kryeminisitri Edi Rama ka kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët në lidhje me dosjen “Balluku”.
Referuar deklaratave të Ramës i cili sulmoi gjyqësorin duke e quajtur vendimin për Ballukun si “precedent të rrezikshëm” dhe “aventurë të gjyqësorit”, Berisha thotë se ky është sipas tij një akt mafioz.
Ai ka përmendur edhe një deklaratë të bërë nga Rama më herët e cila përkoi me seancën në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Rama publikoi një citat të ish-prokurorit amerikan Robert H. Jackson, por Berisha e interpretoi këtë si një mesazh kërcënues për gjyqtarin dhe prokurorin që trajtojnë çështjen. Sipas tij, kryeministri ka përdorur një mënyrë simbolike për të ushtruar presion ndaj drejtësisë.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama me citatin e publikuar ka kërcënuar haptas me vdekje gjyqtarin dhe prokurorin që ka dhënë vendimin për Belinda Ballukun.
“Kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes; dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.”
Citimi i këtij paragrafi, ndërkohë që Lubi Balluku me peshën e 90 milion eurove të vjedhura së bashku me Ramën, nisej për në sallën e gjyqit, ishte një kërcënim madhor me vdekje për ata që kanë vendosur pezullimin e bashkëvjedhëses së tij, zv/kryeministres. Ky është kërcënim me vdekje i zyrtarëve në detyrë nga njeriu që për pushtetin e tij është i gatshëm të kryejë çdo krim. Ky nuk është kërcënim për pezullimin e Ballukut, por drejtpërdrejt kërcënim me vdekje, sepse në aferën e Tunelit të Llogarasë dhe afera të tjera, Rama është Hajduti i Parë, Lubia vjen fill pas tij.”,- u shpreh kryedemokrati.
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ Sot mblidhet Këshilli i Mandateve
Prokuroria Speciale SPAK, i kërkoi dy ditë më parë, Parlamentit heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Paraditen e së martës në zyrën e kreut të Kuvendit mbërriti zyrtarisht kërkesa për leje për dhënie autorizimi për arrestimin e Ballukut.
Në një njoftim zyrtar, duke iu referuar bazëz ligjore prokuroria dha argumentet se: “… në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ ministrit/ zëvendëskryeministrit: Belinda Balluku”.
Nga momenti i mbërritjes së kërkesës, mazhoranca nuk humbi kohë, duke njoftuar anëtarët e komisionit se mbledhja do të mbahet ditën e nesërme ( e premte 19 dhjetor 2025).
Kështu ditën e nesërme, në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve në Kuvend, pritet të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit të Ballukut, që do të sillte lejimin e arrestimit të saj.
Akuzat ndaj Belinda Ballukut
Më 31 tetor të këtij viti, Prokuroria Speciale SPAK i komunikoi zyrtarisht akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrsve në tendera ose ankande publike”, zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitkës, Belinda Balluku, për çështjen e tenderit të Tunelit të Llogarasë.
Vetëm 20 ditë më pas, më 20 nëntor me kërkesë të SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), vendosi masën “pezullim nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit”, ndaj Ballukut.
Masa shtrënguese, sipas SPAK, u mor pas hetimeve dhe dyshimit se përveç tenderit të Tunelit të Llogarasë, Balluku dhe tre vartës të saj, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë paracaktuar fituesit edhe në Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Vendimi i GJKKO-së u ankimua nga kryeministri Rama në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se ky vendim binte ndesh me Kushtetutën për ndarjen e pushteve, pasi sipas tij të drejtën për pezullim, shkarkim apo emërim të një anëtari kabineti e ka kryeministri.
Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor mori vendimin për ta shqyrtuar çështjen në themel më 22 janar, ndërsa njëkohësisht rrëzoi vendimin e pezullimit nga detyra.
Tashmë në kërkesën për masën e arrestit SPAK ka referuar edhe shtatë raste të tjera të dyshimit për shkelje të barazisë në tendera të ministres Balluku, që lidhen me shtatë lotet e Unazës së Madhe./Boldnews.al
Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, duke vendosur 8 persona nën akuzë për një seri veprash penale, mes të cilëve edhe drejtoreshën e kësaj Agjencie, Mirlinda Karçanaj.
Sipas hetimit, Ergys Agasi, një personazh kontrovers dhe biznesmeni Ermal Beqiraj krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-it, duke përdorur dhunë dhe pengmarrje. Ndërsa Agasi dhe Beqiraj I shpëtuan arrestimit, janë nën masën arrest shtëpie si pjesë e këtij grupi kriminal dy krerët e kësaj agjencie, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për cënim të Sigurisë Kombëtare, pasi kjo agjenci është një prej institucioneve më sensitive në vend.
AKSHI menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe të ashtuquajtën ministrja “Diella” e krijuar me Inteligjencë Artificiale. AKSHI menaxhon sisteme dhe të dhëna që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike kombëtare, çka e bën funksionimin e këtij institucioni një provë lakmusi për stabilitetin dhe besueshmërinë e administratës publike. Në këtë aspekt, ndikimi I punës së agjencisë nga një grup kriminal ka ngritur shqetësime mbi kufirin mes korrupsionit administrativ dhe cenimit të Sigurisë Kombëtare.
Sipas ekspertëve të sigurisë, kur një institucion që administron infrastrukturë digjitale kritike kapet nga interesa kriminale, shteti humbet kontrollin mbi informacionin që garanton funksionimin, vendimmarrjen dhe sigurinë e tij.
“AKSHI është një institucion që menaxhon infrastrukturën digjitale kritike të vendit dhe, për këtë arsye, çdo devijim serioz në mënyrën se si funksionon ai përbën rrezik për sigurinë kombëtare,” tha Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
“Fakti që drejtues të kësaj agjencie dyshohen se kanë bashkëpunuar me një grup të strukturuar kriminal, duke manipuluar procedura prokurimi dhe duke përdorur dhunë për të ndikuar rezultatet, tregon që është vënë në rrezik jo vetëm integriteti i tenderëve, por vetë integriteti dhe sovraniteti digjital i shtetit,” theksoi ai.
Rreziku merr një dimension edhe më konkret në këndvështrimin e ish-kreut të Forcës Detare, Artur Meçollari, i cili thotë se të dhënat kritike që përpunon AKSHI mund të jenë sot në duart e kompanive që kanë mirëmbajtur sistemet duke fituar tenderat, të cilët, nga hetimi, dalin se janë diktuar nga një grupi kriminal.
“Një nga filtrat, i cili pengon rënien në dorë të këtyre të dhënave të grupeve kriminale është besueshmëria e kompanive kontraktore që garanton AKSHI,” tha Meçollari për BIRN, duke shtuar se “nëse këto kompani, të cilat janë nën akuzë nga Prokuroria si grup i strukturuar kriminal, kanë qenë të pajisur me çertifikatë sigurie nga DSIK, çështja është edhe më e rëndë, pasi vë në diskutim të gjithë sistemin e sigurisë kombëtare”.
AKSHI konsiderohet infrastrukturë kritike kombëtare për shkak të informacionit që zotëron dhe përpunon dhe kjo është arsyeja, sipas Meçollarit, që një pjesë e procedurave tenderuese janë klasifikuar si sekrete.
“Zotërimi nga grupet kriminale i këtyre të dhënave krijon mundësi për tregtimin e tyre në tregun e zi për qëllime përfitimi dhe që mund të bien në duart e grupeve kriminale ndërkombëtare ose shteteve jo dashamirëse apo armike të Shqipërisë,” paralajmëroi më tej ai.
Ekspertët besojnë se korrupsioni në tenderat publikë në një agjenci të tillë shtetërore është një indicie e drejtpërdrejtë për cënimin e sigurisë kombëtare, një akt që ka treguar se institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e saj nuk kanë reaguar në kohë ose janë kompromentuar.
Sipas Dyrmishit, rasti ekspozon dobësi serioze strukturore brenda AKSHI-t; një dështim të thellë të kontrollit dhe mbikëqyrjes; mungesë kontrolli efektiv mbi drejtuesit dhe mekanizma të brishtë dhe lehtësisht të manipulueshëm të prokurimeve publike. Përdorimi i dhunës “ për t’u mbyllur gojën atyre që dalin kundër”, e bën sipas Dyrmishit edhe më të rrezikshme situatën.
“Në një institucion të tillë që menaxhon sisteme kritike, kjo klimë frike e bën sigurinë operacionale jo funksionale, pasiqë vendimet merren për të garantuar funksionimin e skemës kriminale, jo për të mbrojtur shërbimet dhe të dhënat shtetërore,” tha Dyrmishi.
Rezultatet e hetimeve të deritanishme, sipas Dyrmishit, tregojnë se depërtimi i krimit të organizuar në drejtimin e institucionit ka sjellë pasoja që nuk janë vetëm ligjore apo morale, por kanë prekur drejtpërdrejt funksionimin e shtetit, besimin e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare në kuptimin e saj modern: garantimin e sovranitetit, mirëqenien dhe stabilitetin e vendit.
Për ish-drejtuesin e Forcave Detare, Meçollari, rasti ngre gjithashtu pikëpyetje për funksionimin e institucioneve të tjera, kur sipas tij, fakti që hetimi është iniciuar dhe çuar përpara nga SPAK “tregon se hallka të tjera të sistemit të sigurisë kombëtare nuk kanë funksionuar siç duhet, si SHISH, DSIK, Policia Kriminale, etj”.
“Pasiviteti i shtetit në çështje të tilla sensitive për të dhënat personale të qytetarëve, të dhënat e biznesit dhe sigurisë kombëtare, ka inkurajuar shkelësit e ligjit të jenë të pacënueshëm dhe të veprojnë lirshëm në bashkëpunim me elementët e korruptuar brenda sistemit. SPAK-u e bëri detyrën dhe shumë mirë,” shtoi më tej Meçollari.
Hetimet për tenderat e AKSHI-it duket se do të testojnë kufijtë mes përgjegjësisë penale, dështimeve institucionale dhe debatit politik mbi mekanizmat shtetërorë që duhet të garantojnë të dhënat jetike të qytetarëve dhe ato shtetërore.
Mazhoranca është mjaftuar me përshëndetjen e aksionit të SPAK pa marrë përgjegjësi dhe akte llogaridhënie. “Unë gëzohem sa herë që SPAK-u realizon operacione,” deklaroi të enjten për mediat kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Por për opozitën, ngjarja nuk mund të kalojë si një aksion rutinë i Prokurorisë, por duhet të shërbejë për një llogaridhënie dhe nxjerrje të përgjegjësive për institucionet shtetërore që duhet të garantojnë sigurinë e vendit.
“Siguria kombëtare ka rënë, jo thjesht kompromentuar,” tha Erald Kapri, anëtar i komisionit parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen si përfaqësues i Partisë Mundësia
Ai sugjeron që deputetët e opozitës në këtë komision të kërkojnë seancë dëgjimore urgjente me Shërbimin Informativ Shtetëror, Ministren e Brendshme, ndërsa konsideron të nevojshme thirrjen e Këshillit për Sigurinë Kombëtare si dhe pezullimin e çdo veprimtarie nga personat nën akuzë.
“Ende ka procedura të hapura tenderimi nga AKSHI, çka flet qartë për kaosin qeveritar dhe drejtuesit e akuzuar janë ende në detyrë,” i tha Kapri BIRN, duke shtuar se ai deputet do të këmbëngulë në ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, NATO dhe BE.
“Që të marrim garanci nga partnerët, pasi qeveria e ka humbur besueshmërinë,” thekon ai.
Edhe Klevis Balliu, deputet I Partisë Demokratike dhe anëtar i komisionit parlamentar që merret me çështje të sigurisë kombëtare, e quan rastin si alarmant dhe “cënim të rëndë të sigurisë kombëtare”.
“Kur një institucion kaq kritik shndërrohet në mjet shërbimi për kartele kriminalë dhe interesa familjare të pushtetit, atëherë rrezikohen drejtpërdrejt siguria shtetërore, ekonomike dhe personale e qytetarëve,” tha Balliu për BIRN, duke shtuar se “përballë kësaj situate, opozita do të veprojë me të gjitha mjetet kushtetuese dhe parlamentare për të rikthyer ligjshmërinë dhe përgjegjësinë”./BIRN
Partia Mundësia ka thirrur për sot (e premte, 19 dhjetor), një protestë popullore përballë Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, për të kërkuar heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën Prokuroria e Posaçme SPAK kërkon arrestin me akuzat për shkelje të barazisë në tendera.
Pikërisht nesër është edhe mbledhja e Këshillit të Imuniteteve, ku do diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres, për abuzimet e dyshuara me tenderët e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.
Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës që nis në orën 10:30, kundër pushtetarëve shqiptarë të korruptuar që po dalin një nga një përpara drejtësisë.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, ai thekson se:
“Mundësia apelon qytetarët se kjo është ora e fundit e të korruptuarve në zyrat e shtetit shqiptar, si dhe koha për të mbrojtur drejtësinë nga mashtrimet e “pengmarrësve”. Është koha për një Shqipëri të drejtë për të gjithë. Ku qytetarët kanë të drejta! Ju pres nesër përballë Kryesisë së Kuvendit, në Bllok, të protestojmë kundër këtyre. Këta ikën, ju ka ardhur fundi. Duhet të mbështesim drejtësinë!”.
Reagimi i plotë i Agron Shehaj:
“Tani do ju pyes sinqerisht. Ju preferoni të jeni me këta apo me këta?
Këta janë pengmarrësit, kurse këta janë drejtësia. Më në fund në Shqipëri, të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Mos dëgjoni ata që ju mashtrojnë çdo natë nëpër televizione, nëpër debate. Janë të paguar nga pengmarrësit për të sulmuar drejtësinë.
Jo rrogat, jo grusht shteti; janë të gjitha gënjeshtra. Mashtrime, për të mbajtur në këmbë këta.
Këtyre u ka ardhur fundi. Ikën, mbaruan! Është koha e drejtësisë.
Është koha për një Shqipëri të drejtë për të gjithë. Ku qytetarët kanë të drejta! Ju pres nesër përballë Kryesisë së Kuvendit, në Bllok, të protestojmë kundër këtyre. Këta ikën, ju ka ardhur fundi. Duhet të mbështesim drejtësinë! Nesër, në orën 10:30, përballë Kryesisë së Kuvendit”. gsh
S’e pranojmë kurrë një regjim hajdut si ky! Më 22 dhjetor të gjithë në Tiranë
Kryedemokrati Sali Berisha, nga podiumi i tubimit festiv në Kavajë për 35-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike, u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që më 22 dhjetor të mblidhen në Tiranë për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
Ndërsa nënvizoi se historia i thërriste për herë të dytë kavajasit që të rrëzonin diktaturën e radhës, kryetari i selisë blu theksoi se qeveria qëndronte në pushtet bashkë me kryeministrin e saj, për shkak se nuk ngriheshin ata në protesta.
“Qytetarë dhe qytetare të Kavajës, historia ju thërret përsëri, thërret të gjithë shqiptarët që të ngrihemi për të përmbysur diktaturën e dytë. Edi Rama qëndron në pushtet jo se ka fuqi e mbështetje, por se nuk ngrihemi ne! Por ne do ngrihemi, qytetarë të lirë, se nuk pranojmë kurrë një regjim si ky”, u shpreh ai në fjalën e tij.
Duke iu kthyer akuzave për vjedhje dhe aferat skandaloze të zyrtarëve të lartë, ai përmendi emrin e Ergys Agasit, për dosjen e AKSHI-t ku ka 6 të pandehur deri tani nga SPAK, mes tyre edhe drejtoresha Mirlinda Kërçanaj, ai denoncoi se ishin bërë 50 mln euro transaksione jashtë vendit.
“Një emër që keni dëgjuar ditët e fundit, Ergys Agasi, i larguar apo jo, vetëm me një transaksion jashtë shtetit, ka vjedhur 50 mln euro shqiptarëve. Vjedhjet e tyre janë të pafundme e do marrin atë që meritojnë. Ndaj ftoj qytetarët e Kavajës të jenë në krye të lëvizjes së tyre”, tha lideri i opozitës.
Në fund Berisha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 22 dhjetor të mblidheshin në Tiranë për të rrëzuar regjimin, njëlloj si më 22 shkurt 1991.
“Vetëm një ditë s’kam për ta harruar, 20 shkurtin e vitit 1991, se mos diktatori ua bllokonte rrugën e s’do vinin dot. Janë gdhirë gjithë natën e kanë mbërrit në Tiranë për t’ju bashkuar të gjithë shqiptarëve atje. Ndaj duke ju falënderuar nga këtu, para të gjithë qytetarëve e qytetareve të Kavajës, ju ftoj të nisim betejën tonë pa kthim, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Shqipërisë. Gëzuar”, përfundoi kryedemokrati fjalën e tij.
Më pas ceremonia kaloi në momente festive me prerjen e tortës nga vetë kryedemokrati Berisha, dhe trokitjen e gotave mes mbështetësve demokratë.
Adriatik Lapaj në ditën e natën e 11-të – me moton e protestës takohemi çdo ditë në 18:00 dhe të shtunën masivisht në orën 12:00.
Ai komunikon me të gjithë ata që i shkruajnë duke u bërë ftesën: “Të pres në sheshin përballë Kryeministrisë të shtunën, dt. 20, ora 12.00. Njofto këdo mundesh!”
Znj. Ministre, në pavionin e Anatomi Patologjisë në Qsut (vendi ku bëhen biopsitë për personat që dyshohen me kancer) pacientët kalojnë stres, ankth e nuk marrin në kohë përgjigjet. Përgjigjet dalin, por nuk hidhen në sistem, dhe pacientët përballen me faktin dhe dëmin e mosnisjes së trajtimeve të tyre.
Konkretisht një zonjë, ka rreth 2 javë që pret përgjigjen. Përgjigjia ka dalë, por nuk hidhet në sistem. Zonja nuk nis dot mjekimin, për pasojë, dhe po humbet ditë të rëndësishme. Tani njerëzit në pikë të hallit tentojnë t’i gjejnë “mik” dhe të bëjnë gati edhe kafe.
Të tjerë nuk kanë as mik e as kafe, këtyre u shkojnë vonesat edhe një muaj.
Dhe përgjegjëse për këtë është Shefja e Anatomi-Patologjisë, Majlinda Ikonomi. Njeri me krahë të ngrohta, e me pushtet shumë. Njeriu që nuk pyet për asnjë, që shkel çdo kënd, sepse miqësia e saj me ish-ministra, jep garanci se çdo gjë të bën, është pa pasoja.
Znj. Ikonomi çon pacientë nga Spitali Onkologjik, drejt klinikës LDM. (klinikë private).
Znj. Ikonomi çon pacientë edhe nëpër klinika të tjera private.
Znj. Ikonomi bashkëpunon me mjekë të sistemit publik në rrethe. E ata biopsitë në vend t’i nision në Laboratorin e Anatomi-Patologjisë, i nisin drejt laboratorit LDM, duke marrë para nën dorë.
Znj. Ministre, nëse jeni në nivelin që pretendoni, ngrini grup auditimi të pavarur, dhe shihni çfarë është bërë ndaj pacientëve me kancer, të cilët kanë humbur kohë të vyer, me vonesat e pajustifikuara të përgjigjeve të biopsive.
Bëjeni auditimin. Ndërsa unë këto që them, i kam me dokumenta. Çdo kush u bën keq pacientëve, më ka mua përballë.
Dhe ju znj. Ministre, do të jeni përgjegjëse, nëse nuk ndërhyni. (Të paktën mësoni të vërtetën)
Seanca e kësaj të enjteje është shoqëruar me debate, tensione dhe kaos, pasi deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë lejuar zhvillimin normal të punimeve. Kjo pas skandaleve të fundit të Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të AKSHI-t.
Në një moment, deputeti i PD, Belind Këlliçi ka ndezur një flakadanë.
Ndërkohë i pranishëm Sali Berisha iu drejtua deputetëve të pranishëm në Kuvend duke i thënë “Sillni hajdutët këtu. Parlament nuk ka pa sjellë Lubinë dhe Agasin”.
Ndërsa Gazment Bardhi, iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë: Niko e ke mbyllur Belindën e kasafortë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fotografohet përkrah presidentit të Këshillit të BE-së, Antonio Costa, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë samtitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, 17 dhjetor.
Radio Evropa e Lirë
Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.
Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.
Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.
Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.
“Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se blloku po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë asaj 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026.
BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.
Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.
Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.
Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.
Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.
Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Komentet