Si mësues që shkonim nga qyteti në fshat për të dhënë mësim çdo ditë, flinim ndonjëherë dhe në fshat kur kishim mbledhjet me prindër. Ditët e enjte.
Qyteti ndodhej pesëmbëdhjetë kilometra larg dhe në grupi i mësuesve iknim për në shtëpi me autobuzin ndërqytetës mbi pasarelën e lumit Drino. Autobuzi qëndronte për ne pranë një lapidarit që përkujtonte
luftimet e partizanëve në një pritë me gjermanët që vinin nga Gjirokastra, në dyzet e katrën.
Por, të qëndroje në fshat dhe të mos shkoje nga MAPO, që ishte njëlloj marketi i kohës ku shiteshin artikuj industrialë dhe ushqimorë, ishte aso vitesh si të shkoje në mal në mes të gushtit dhe të mos pije ujë nga kroi
që të shfaqej befas në udhë.
Mësues Përparimi i historisë dhe gjeografisë, miku im i mirë, me cigare në dorë, para dhe unë, si mësues jabanxhi *) ( i ardhur nga një vend tjetër), pas tij. Hymë te dyqani METRAZHE. Qetësi prozaike e
prajshme. U përshëndetëm miqësisht me shitësen dhe Përparimi bëri për nga dera. E ndoqa pas.
– Shkojmë nga ana tjetër, andej ka zhurmë dhe pak gallatë se është dita e rrogave sot. Kanë marrë paratë e pesëmbëdhjetditëshit punëtorët e sektorit të fermës *) (ndërmarrje bujqësore) tonë- tha kolegu im.
Hymë te dyqani:
BYLMET-FRUTA PERIME. Zhurmë e zallahi. Majtas, radha e burrave. Njeri pas tjetrit. Të qetë. Pothuaj, të pagojë.
Dikush thithte cigaren i menduar paf-puf.
Djathtas, radha e grave, ku zoti kishte hedhur pa kursim hiret e së bukurës që dallohej lehtë megjithë stërlodhjet e ditës në fushat e bujqësisë. Nga aty vinte zhurmimi më i madh po edhe një gazmend i pakuptueshëm për mua. Nga kjo radhë ishte pothuaj trefishi i blerësve të radhës së majtë, asaj të burrave.
Ndryshe nga muzgu i krahut të majtë, ato, ishin më të qeshura dhe u ndrinte fytyra siç thuhej aso kohe, si fillim pesëmbëdhjetditëshi*) sapo ishin marrë rrogat) ku optimizmi atë mbrëmje rrogash, ishte ngritur në
pikën më të epërme të kolonës së zhivës.
Hyn nga jashtë një burrë me mustaqe që unë e njihja.
Ishte Demo, një traktorist me pamjen e Pugaçovit te “Vajza e kapitenit” e Aleksandër Pushkinit. Me pak mustaqe namusli dhe një vështrim të mprehtë, pas pak, kuptova tipin e tij prej hokatari.
Shkon direkt i pari në radhë. Burrat reaguan të indinjuar që ai prishi drejtësinë e radhës së blerësve dhe ritualin socialist: një burrë- një grua.
– More juve, ç’keni që bërtisni“!?-u foli të majtëve të radhës.
Dhe shtoi duke vendosur ngjitur me peshoren në banak, një torbë të madhe doku me doreza plastike.
– E di edhe unë radhën e dyqaneve që vij nga industria, nga traktori: një burrë- një grua- një polic , thonë në Shkodër po, meqë polic në fshat nuk ka, unë do blej sikur të isha polic dhe të kisha një ngut për shkak të
shërbimit dhe detyrës. Gratë qeshën me zë lartë. Burrat u ngrysën dhe mërmëritën mes vedi.
Shitës Beluli, një burrë shtatlartë përballë klientëve që dukej si një sfinks që shërbente me drejtësi, tha:
-Ç’ keni me mua? Me mua ç’keni! Mos bëtisni. Gjejeni me njeri- tjetrin.Unë shërbej, ju e mbani radhën vetë”- dhe hodhi syë nga Përparimi në mes të dy radhëve nga fundi dhe unë që shkelja për herë të parë në atë dyqan.
Beluli, si për të vendosur qetësinë dhe duke vështruar nga ne të që po qëndronim veçmas thjesht për të parë, jo si blerës, shtoi:
-Tregoni ju lutem, kulturën shekullore të fshatit tonë, o njerëz të mirë!
Atë çast ai po i mbante duart mbi një arkë me marmallatë molle vendosur anash peshores dhe gramarëve të saj sistemuar në resht nga madhi tek më i vogli, sipas peshës.
Demo pa me bisht të syrit nga ne dhe iu kthye shitësit.
-Belul, mbaje mendjen në mësim! Këtu, në frontin e punës.
Gratë u shkrinë së qeshuri, por ai shto:
-A kemi thënë: bujqësi, plus industri janë si gishtat e njerës dorë të bashkuar. Unë vij nga industria, nga traktori, po, merre kalemin edhe shkruaj!
-Si urdhëron!-tha Beluli.
-Merre mellanin!
Beluli mori lapsin mbi fletoren e trashë me vija ku bënte llogaritë e artikujve që shiste për çdo klient.
-Urdhëro Demo!
– Bëja edhe një herë majën kalmit të mellantë se i është thyer, më duket!
Beluli e pa edhe njëherë majën e lapsit, mori thikën e madhe ngulur në marmallatë molle dhe nisi ta mprehë lapsin.
-Ashtu, de! Mprehja majën, bëje xixë!
Ashklat e vockëla që dilnin nga lapsi hidheshin sa nga radha e grave aq edhe e burrave. Në çast, qetësia në dyqan ishte vendosur si me magji.
-Ja bëre mirë majën? Të lumtë!
-Gati, siç e doje Demo.
-Tani shkruaj, Belul: Një shkrepëse!
Beluli shënoi shpejt e shpejt: shkrepëse.
-Sa copë?
-Pesë copë njëherë, pa këtu jemi.
Beluli shkruajti: 5 X 5=25 lekë
-Ec poshtë!-urdhëroi Demo.
Nga radha e djathë, sy e veshë të dëgjonin artikujt e shumtë dhe llojet që do të blinte klasa punëtore nga mekanika e bujqësisë.
-Dy: Një konservë peshku, me vaj ullinxri* (kupto:ulliri)
Beluli: -Sa copë?
-Një, një, se na vrasin…
Beluli shkroi: copë 1 X 27 =27 lekë
-Tjetër, shokun Demo!?
-Ah se harrova, qirinjtë për dritat që na ikin çdo natë kur bëjnë detyrat fëmija dhe u heq veshin mësues Përparimi pastaj, dhe pa me bisht të syrit nga ana jonë.
-Sa copë?
-Dhjetë copë.
Beluli shtoi te lista.
-Tjetër?
-Hiqe vizën në fund! Pa mblidhi një herë se vanë shumë, më duket!
– Nga e djathta gratë çuçurisnin dhe nisën të qeshin.
-Pse habiteni? -tha Demo.-
Do hamë sënte, do dërckosemi!*( do shqepemi)
Gratë dhe burrat në radhët e gjata, nisën të qeshin me të madhe.
Ishte koha e tollonave, e racioneve të detyrueshme për cdo artikull ushqimor për familje që sot, nuk ka asnjë kuptim por, atëbotë që iku, tridhjetë e gjashtë vite më parë, ironia dhe humori i Demos ishte si një lloj bombole oksigjeni. I nevojshëm për të gjithë, në radhën e burrave dhe të grave .///
__o0o__
*Nga libri në proces “SPARTAKU NË URËN E KARDHIQIT”
