VOAL

VOAL

“DIMRI I GJATË I VITIT 1945” – NË KUJTIM TË MASAKRËS SË TIVARIT – Nga Frank Shkreli

March 27, 2019

Komentet

Kumbulla e fëmijërisë Poemë nga Elida Buçpapaj

Kumbulla
e oborrit të fëmijërisë
arqipelag i përhumbur
mjegullnajash malli
në lisharësin prej resh
më përkund
gunga malesh
karvani devesh
më mban të lidhur fort
me venat e gjakut
litar shtrënguar rrotull pas trungut
hijet e Carl Jungut

***
treshja perfekte
Mix, Max, Mex 1)
një çift i ri me një fëmijë
trinom trinie
një zgjua që vlonte
ëndërrash të zjarrta rinie
në apartamentin 84
shkalla 12
Pallatet e Aviacionit
Tirana e re
kati i tretë
parashutë qielli
aty ku ndërtonin
foletë dallandyshet
e ktheheshin çdo pranverë
përballë Dajtit
kuvlisë djep
ku lind dhe sot dielli

***

një mbrëmje
im atë nuk u kthye në shtëpi
ime më u përpoq
të më shpjegonte
me gënjeshtra të bardha më kot
veshët i mbaja përpjetë
të dëgjoja trokitjen e nxituar
ta shihja tim atë të hynte
të më ngrinte në duar
pastaj të më vinte në gjumë
me përrallën e shpikur
enkas për mua
atë natë
mosha e përrallave
kish perënduar
bota e madhe ish futur e gjitha
në syrin e një dritareje
e zvogëluar

***

sa ngrinte qerpikët dita
lavjerrësi i frikës
binte me ding dong
kērceja si sustë
shtrati ishte me ethe
nga mardhësia
në dritare
pa abrakadabra
ja behte gjithësia –

***

bota që shfaqej
oborri i lojrave
shoqja ime besnike
kumbulla
dhe pallati përballë
ndërtuar gjatë
pushtimit italian
banohej nga ish gjeneralë
dikur djem të trimëruar
të luftës antifashiste
trimëri e thërmuar
pa nam e pa nishan

***

për kumbullën
çdo ditë dilja
nga koraca e kërmillit
ku fshihesha kruspull
m’i vrente lastarët
me antenat e bisqeve
kumbulla e bukur manekine
bënte pasarela mode
e ngulur në oborrin tonë
të lojrave
në varësi si i lakoheshin
rrezet e diellit,
shirat, stinët
ndërronte veshjet,
me kostume marsi,
prilli, maji, qershori…
në dimër dremiste përzishëm
më ngjasonte me gjyshen
ia dëgjoja këshillat
m’a largonte frikën

***

kur i fryheshin
e i plasnin sythet
gjelbërore
deri sa shpërthenin petalkat
nga fryma pranverore
për ne vajzat e vogla
të dy pallateve përballë
fillonin shtegtimet
mbi kuaj flatrorë
ditë vellobardha nusërore
me lulekumbullat
kurora aureole

***

sa hapja sytë
t’i ikja lakut gotik
me padurimin vrik
që se fshihja
zija vend në dritare
kiçin e anijes së shpëtimit
pikën e vrojtimit
gjithë rruzullin
një grusht fëmije
si në pëllëmbën e dorës
ta shihja

***

e para ishte sythesumbulla
gjumin aty e bënte
edhe zgjimin
ku kishte ngulur
këmbët e drunjta
e ngritur me degëza
shtëpizën e saj kumbullore
pa kumt tingëlluar
kumbuese kumbanore
hija e lulzimi i saj
na shoqëroi si shenjtore
në rritjen zemërmardhur
në ditë të paluajtura
lojrash fëmijënore
faltore e pafajësisë
në kohë fatkeqësish
prej marramendjes
me habinë që na mbështolli
qoftë e bekuar
ajo dorë e panjohur që e mbolli

***

e pavarur nga mjergullat
sorrat e zeza të reve,
e pa ndikuar
nga fatthënat e rreshjeve
kumbulla botën
360 gradë
rreth e rrotull e kundronte
larg nënqeshjeve
oborri i lojrave
një pus i mbyllur,
me kova imagjinare
të zbrazura e mbushura
me ujë të bekuar
një furrë tavëpjekëse
me prush të valë
në jetën reale
ishin kontinente më vete
dy pallatet kundruall
dy shtete
banuar me fëmijë, të rinj
prindër e gjyshër
që donin të jetonin plot poterë
nën syrin e vigjilencës
njëri pallat i zbukuruar
me mermere e porta druri
rimeso të stilizuar
ndërtuar nga arkitektë italianë
gjatë pushtimit fashist
tjetri kur kisha lindur unë
i thjeshtë, skematik,
si letërsia socrealiste
ndērtuar sipas thatësirës moniste
pa shfaqje të huaja
perëndimore
me ornamente të fshehura
veshësh përgjimi
që gjithësesi
gumëzhinte nga zërat fëmijnore

***

kumbulla shoqja ime unike
alter egoja binjake
e pandashmja
si kukulla fëmijës
nga duart nuk më shqitej
shoqja ime fisnike
me lapsat magjikë të bojrave
ia ndryshonte ngjyrat kohës
e vishte me imagjinatë futuriste
oborrin e lojrave

***

një botë më vete
ishte furxhiu tiranas
që piqte me gruan e tij
tavat e gjithë lagjes
radion e hapte në kupë të qiellit
për këngët e Hafsa Zymerit

***

në furrë sillnin
tava me perime, speca të mbushura e patëllxhanë imam bajëlldi
byrekë gjithëfarësh
të holluar nga duar të rrudhura gjyshesh
gjirokastrite, labesh, e korçaresh,
shkodranesh, sarandiotesh e lushnjaresh
për Vitin e Ri dyndeshin
e viheshin në rradhë tepsitë
me gjela deti e bakllava
të prera në forma trekëndëshash
e me rombe,
revani e kadaif
gjyshet kremtonin në fshehtësi
Krishtlindje, Bajram e Pashkë
e në Netët e Mira
gatuanin hallvë
për shpirtrat e burrave të tyre
por ne fëmijëve nuk na tregonin
qysh e përse
era e gjalpit përhapej
e ngjitej në çdo kat
deri kur doli shpikja e tollonit
hyri në çdo shtëpi
si shpikja sot e ajfonit
dhe era e gjalpit mori fund
e zëvendësoi 100% policia popullore
spiunimi u bë meny kursimi
shkallë më shkallë
e pallat më pallat
atëherë furra u mbyll me qepena
kumbulla dhe unë qamë me lot
u përmbyt një kontinet
nga gjithësia
askush nuk mërmëriti
një të vetme Ave Maria

***

im atë ishte shtatë Dajte larg
pranë gjirit të klasës punëtore
saldonte nëpër skela
dimrat e ftohtë
mendimet që kishte në kokë
e urdhëronin t’i digjte
me saldatriçe

***

tek tavëpjekësi
në pushimet verore
unë fëmija çova tavën time të parë
patate me kripë e vaj ulliri,
kur erdhi ime më nga puna
drekuam nënë e bijë
patate të pjekura në furrë
me thëngjij të kuq si kratere
vullkani të shuar
dreka e përgatitur
me duart e mija të vogla
ishte sikur dhashë koncert
një kapriçio Paganini me violinë
në guzhinën tonë të thjeshtë buiti
në tavolinën ku ishim ulur ajo dhe unë
ime më e mahnitur më duartrokiti

***

kumbulla me durim priste
t’i shpërthenin
nga lulkat bardhoshe
frutet e vogla gjelbëroshe
e ne fëmijët
e dy pallateve përballë
të linim oborrin e lodrave
t’i kacavareshim si majmunë
nëpër degë deri në lartësirë
duke shtrëmbëruar
fytyrkat e bukura
prej thartësirës

***

poshtë pemës na luteshin
më të vegjlit fare
ej na jepni edhe ne ca
kumbulla
ështē e të gjithë fëmijëve
nuk është vetëm juaja
asnjëherë frutet nuk
i lamë të rritën,
nuk u bënë rrumbullake
topka të blerta
ping-pongu,
po kumbullës nuk i bëhej vonë
në këtë periudhë të vitit
kur rreth saj roisnim
si bletët në hoje
kumbulla harenë
e vinte në pah
e gatëshme të fluturonte
në qiellin e shtatë
me krahë

***

oborri i lodrave
fushëz e baltosur kur binte shi
lëndinëz e gjelbëruar
ditëve me diell
shesh i vogël pikpjekje, piktakimi
nga dritaret përballë
njëri tjetrin thërrisnim
me emra, me tinguj, me jehona,
me personazhet e librave e filmave
hej Spartak, Guliver, Paris
Helenë e Trojës
me shenja, me mimikë,
me gishtrinj, alfabete fëmijësh
ej do vish të luajmë,
erdha më prit,
s’kam bërë ende
detyrat e matematikës
sot nuk mundem
kam gabuar
po vij sa të hapesh
e të mbyllësh sytë
po hidhem direkt
nga dritarja sa mirë
që jemi kati i parë
dhe oborri gumëzhinte
vinin fëmijë nga pallatet fqinjë
futboll, me cingla, hapa dollapa
kukafshehtas, ne vajzat
kërcenim në litar
e kujdeseshim
mos të na dukeshin breçkat
në atë oborr lodrash
deshëm të mbeteshim
Piter Panë në përjetësi
nën të njējtin qiell, diell e hënë
nën sytë e spektatores
kumbullës Shën Mëri
por nuk ishte e thënë

***

fëmijë moshatarë
orë pas ore zgjateshim
çdo ditë na ngushtoheshin
rrobat e trupit
na rritej këmba e numri i këpucës
Zoti na përgatiste
të nisnim fluturimin
në sheshin e lojrave të shpikur
mes dy pallateve tona
një fushë e baltosur kur binte shi
aty ku lodrat vriteshin
e ne kishim frikë të rriteshim

***

një mëngjes herët
pa u zbardhur
i dridhur, i mardhur
erdhi kamioni i internimit
nga pallati i ish gjeneralëve
mori shokët tonë të lodrave
bashkë me prindërit,
vëllezër e motra
kamionët e internimit atë ditë
kishin ngarkuar familje në masë
me plot fëmijë të lagjes sonë
kryeqyteti ish boshatisur
nga armiqtë e klasës

***

kur u ktheva atë ditë
nga shkolla
dhe vrapova në pikën e vrojtimit
sytë më mbetën tek dritaret bosh
ku shoket e shoqet e mia
nxirrnin kokat
bota ishte shuar
të dyja me kumbullën
qamë prapë me lot
kur u takuam

***

në oborrin e lojrave
atë ditë nuk dolëm të luanim
por të nesërmen
asnjëri nga ne
nuk pyeti për shokët
që na mungonin aq shumë
ishin pyetje të ndaluara
që na shkaktonin të dredhur
pyetje që ia bënin vetëm vetes
si këngët e Bitëllsave
që i dëgjonim fshehur

***

një ditë shtatori
një kamionçinë e mori
edhe familjen tonë
asnjë nga fëmijët
e dy pallateve nuk na përcolli
me ne nuk u përshëndet
kokat e tyre fshiheshin
në dritare pas perdeve
vetëm kumbulla
më qendroi besnike
fëmijëri e çrrënjosur
hedhur si një rreckë
gjithë pluhur
në një kamion rrangallë
me një adresë
në një fshat të humbur
me kujtesën e helmuar
vëth në vesh
thoni shyqyr që mbetët gjallë

***

kumbulla mbeti aty
nuk mundi t’i ndalte ikjet
e fëmijve të oborrit të lodrave
midis dy pallateve kundruall
fëmijëri e prerë në mes dhunshëm
kumbulla mbeti aty
gjethetharë
deshmitare e fëmijërisë sonë
të vrarë

***

kur u ndamë
i premtova se do të kthehesha
sido të më hidhte fati
sa për t’ia prekur
me gishta trungun e ledhatuar
e për t’i thënë se kurrë
nuk e kam harruar
në labirintet tunel
nga ku ma hodhën
si breshëri automatikun terrin
mbulesë qielli e tokë përfund
arkitektët e zinj të ferrit
që na dizajnonin jetët
ku drita nuk dukej askund

***

mallin për kumbullën
e mora me vete
në çdo kontinent e vend të botës
që i rashë rrotull të gjeja strehë paqeje
ku humba si një grimcë atomike
në qiellin pa kufij e praqe
në çdo metropol të rruzullit,
bulevarde, lulishte e parqe
pashë si lulëzonin lumturisht kumbullat
prej mrekullisë e kujdesit
të gjithë Perëndimit demiurg
nga Central Park
në Jardin du Luxemburg
asnjëra nuk e pati atë hijeshinë
e kumbullës sime
mrekulli mes ditësh e fëmijërish
të djegura nga inkuizicioni
sidomos kur lart në degët e saj
një zog i friksuar fshihesh
përballë dritares së pallatit
në katin e tretë
parashutë qielli ngrihesh
ku shfaqej ime më
një e bukur grua a perëndi
në kohë të shterpëra apokaliptike
krijuar prej shkumës së detit dhe erës
që më thërriste
“Zbrit nga kumbulla Lidka se do të biesh”
me kumtin e Herës.

***

1) Tre personazhë të një romani të Luis Sepúlveda-s
Janar-Prill 2024
(Nga libri në përgatitje Skaterr)

FLORIDA PËRFORCON ME LIGJ STANDARDET SHTETËRORE TË EDUKIMIT MBI RREZIQET, KRIMET DHE TË KËQIAT E KOMUNIZMIT Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, Guvernatori i shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, Z. Ron DeSantis nënshkroi legjislacionin që përforcon standardet e arsimit në atë shtet – standarde të cilat detyrojnë mësimin në shkollat e Floridës mbi krimet, të këqiat dhe rrreziqet historike të komunizmit ndërkombëtar. Sipas një njoftimi për median, të shpërndar me këtë rast nga zyra e Guvernatorit DeSantis, i pari i shtetit jugor të Amerikës u shpreh në lidhje me këtë vendim se, “Ne nuk do lejojmë që studentët tanë të jetojnë në injorancë, as që të indoktrinohen nga apologjetët e komunizmit në shkollat e shtetit Florida. Përkundrazi, ne do sigurohemi, ka shtuar ai, që studentëve në Florida t’u mësohet e vërteta mbi të këqiat, krimet dhe rreziqet e komunizmit”, ka thenë Guvernatori republikan, DeSantis me rastin e nënshkrimit të ligjit. Ligji shtetëror (SB1264) që nënshkroi Guvernatori DeSantis, javën e kaluar, përforcon mëtej standardet ekzistuese për mësimin e historisë së komunizmit në Shtetet e Bashkuara si dhe taktikat vepruese të lëvizjeve komuniste, anë e mbanë botës.

Gjatë viteve, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington ka bashkpunuar me shtetin Florida dhe me shtete të tjera anë e mbanë Shteteve të Bashkuara në kujtim të viktimave të komunizmit në botë – përfshirë promovimin e mësimit në shkollat amerikane mbi krimet dhe rreziqet që vijnë nga komunizmi. Florida – një shtet me popullsi dërmuese me origjinë kubane, të arratisur nga regjimi komunist diktatorial i Fidel Castros gjatë dekadave – por dhe një numër shtetesh tjera amerikane — kujtojnë viktimat e komunizmit, ndërsa kanë caktuar 7 Nëntorin si Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit, që është caktuar si e tillë, origjinalisht, me vendim të Bashkimit Evropian (BE-së), në përputhje me vendimet e Bashkimit Evropian, në kujtesë, pra dhe nderim të gjithë atyre që janë vrarë, kanë vdekur dhe që kanë vuajtur burgjet dhe kampet e përqendrimit, nën regjimet barbare komuniste në Evropë dhe në mbarë botën.

Ligji i sapo nënshkruar nga guvernatori i Floridës përforcon standardet ekzistuese të arsimit në shtetin Florida e të cilat mandatojnë mësimdhënien mbi rreziqet dhe krimet e komunizmit, sipas njoftimit të dale nga të zyra e Guvernatorit të Floridës. “Është tepër me rëndësi jetike që çdo student të mësoj mbi rreziqet e komunizmit”, u shpreh ndërkaq, Komisioneri Arsimit të shtetit Florida, Manny Diaz. “Nga përvoja ime personale, unë i njoh mirë të këqiat që vijnë nga komunizmi dhe jam krenar që isha pranë guvernatorit DeSantis, ndërsa ai nënshkroi legjislacionin mbi forcimin e standardeve mësimore, ligj ky që siguron se Florida do mbetet një kështjellë e lirisë”, nënvijoi me atë rast Komisioneri i Arsimit të shtetit Florida, Manny Diaz, (me origjinë nga Kuba). Në të vërtetë, ky ligj është pak si i jashtzakonshëm pasi në Amerikë nuk ka pasur ndonjëherë komunizëm zyrtar dhe si rrjedhim nuk ka pasur as viktima dhe as krime të komunizmit. Por janë shtetasit amerikanë me prejardhje nga vendet ish-komuniste – sin ë këtë rast, kubano-amerikanët në shtetin Florida, ata që këmbëngulin që fëmijt e tyre të mësojnë të vërtetat e historisë së komunizmit ndërkombëtar, përfshir krimet gjysëm shekullore të komunizmit anë e mbanë botës.

Përveç rritjes së standardeve arsimore mbi historinë e komunizmit dhe krimet e tij, ligji autorizon gjithashtu edhe degën legjislative të shtetit Florida që në atë shtet të hap një muze të historisë së komunizmit. Ligji, njëkohësisht, ndihmon dhe përgatit studentët që të mund të ballafaqohen dhe të kundërshtojnë indoktrinimet komuniste në kolegjet dhe universitetet e atij shteti. Autoritetet e shtetit Florida miratuan ligjin për përforcimin e standardeve arsimore për mësimin e historisë së komunizmit, në përvjetorin e invadimit të Gjirit të Derrave në Kubë (Prill, 1961) — një përpjekje kjo që dështoi, e financuar dhe e organizuar nga ana e Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të rrëxuar regjimin komunist të diktatorit Fidel Castro. Ky muaj i Prillit shënon gjithashtu disa data të rëndësishme në ldihje me kujtesën e viktimave të komunizmit në botë, siç është edhe 15-vjetori i miratimit të rezolutës nga parlamenti Evropian (2 Prill, 2009) mbi caktimin e Ditës zyrtare për Kujtimin e Viktimave të gjithë Regjimeve Totalitare dhe Autoritare që shënohet me 23 Gusht të çdo viti në Evropë dhe më gjërë. Texts adopted – European conscience and totalitarianism – Thursday, 2 April 2009 (europa.eu) Duke filluar nga viti 2009, anë e mbanë Evropës shënohet Dita e Kujtesës për vikitmat e regjimeve totalitare dhe autoritare, në përpjekjet për të mbajtur gjallë në radhët e brezave të ardhëshëm, kujtimin e viktimave të komunizmit, anë e mbanë Evropës, me qëllim që ajo e kaluar mizore e komunizmit barbar ndërkombëtar të mos përsëritet më.

Shqipëria bën përjashtimin — Për fat të keq, Shqipëria sikur nuk është pjesë e Evropës, sepse ajo deri më sot nuk ka caktuar me ligj një ditë zyrtare mbarëkombëtare – në përputhje me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara — për të kujtuar viktimat, krimet dhe të këqiat e komunizmit të regjimit totalitar të Enver Hoxhës. Koha e diktaturës së regjimit komunist në Shqipëri tregoi fytyrën më të vrazhdët të njeriut kundër njeriut – shqiptarit kundër shqiptarit — dhe të një shoqërie pa Zot. Megjithkëtë, krimet e komunizmit dhe vikitmat e tij të pafajshme të diktaturës enveriste në Shqipëri nuk kanë kaluar pa u njohur nga ente dhe personalitete ndërkombëtare gjatë tre dekadave të fundit. Po i kujtojmë ata me këtë rast duke rikujtuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri me 25 prill, kur udhëheqsi I Kishës Katolike, kujtoi viktimat e komunizmit shqiptar, sidomos klerikët e Kishës Katolike shqiptare duke iu drejtuar shqiptarëve me këto fjalë: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! … Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Pastaj Pap Gjon Pali II – 31-vjet më parë, gjatë asaj vizite, inkurajoi shqiptarët me një mesazh për të sotmen duke iu drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto fjalë atërore: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, ndërsa bëri thirrje për kujtesën e përhershme të viktimave të pafajshme të komunizmit, ashtuqë të “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”… Kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pik të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin, dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror…Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, ka deklaruar Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri (31-vit si sot) duke u gjunjëzuar për të puthur tokën e lashtë të Arbërisë.

Për fat të keq, e kam thenë shpesh se këto 30-vjet tranzicion, klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave – sa i përket kujtesës së viktimave të komunizmit, nuk i ka kryer detyrat e saj në lartësinë që pritej e që duhej e për të cilën bëri thirrje Papa Gjon Pali i II në vizitën e tij në Shqipëri (Prill 1993). Kjo klasë politike vazhdon me arrogancën e saj të pa ndërgjegjshme dhe të pa dinjitet ndaj kujtimit të viktimave të komunizmit barbar në Shqipëri dhe ndaj krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Në mungesë të një kujtese zyrtare dhe përballjes serioze eme të kaluarën komuniste, siç ndodhë anë e mbanë Evropës për vikitmat e pafajshme të regjimeve totalitare, Shqipëria ka zgjedhur që me heshtjen e saj ndaj krimeve të komunizmit, të përjetësojë ashtu në heshtje regjimin kriminal të Enver Hoxhës – një sjellje dhe politikë anti-kombëtare e pa denjë dhe e papërgjegjshme, që së bashku me faktorë të tjerë shoqërorë e ekonomikë –po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga më të mirët bijë e bija të saj.

Por në mungesë të kujtesës së tyre nga Tirana zyrtare, ne si individë kudo që jemi të lirë neper botë, nuk na ndalon kush t’i kujtojmë ato viktima të pafajshme dhe krimet e komunizmit në Shqipëri, sepse besojmë që “liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.” Si e tillë kjo liri duhet mbrojtur gjithmonë duke kujtuar viktimat që u vranë nga ai regjimi dhe me ta komunizmi vrau edhe lirinë e çdo shqiptari për pothuaj një gjysëm shekulli. Këtë liri që gëzon sot Shqipëria ua ka borxh shumë viktimave të pafajshme të regjimit komunist, por me këtë rast po përmendim viktimat e një ndër gjyqeve më famëkeq të regjimit komunist, ai i zhvilluar në Kishën e Motrave Stigmatine, në rrugën Gjuhadol të Shkodrës, në Prillin e vitit 1968, që sot kujtohet në faqen e Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook

Ai gjyq, sipas faqës së internetit të Muzeut, është zhvilluar pas 8 muajsh hetuesie, shoqëruar kjo me cinizëm, fyerje, përbuzje, rrahje e tortura. Më 1 prill 1968 dosja hetimore në ngarkim të Dom Frano Illisë, Dom Zef Bicit, Dom Mark Hasit, Dom Mark Dushit, At Gegë Lumës, Alfons Radovanit dhe Kol Marlacajt, nga prokurori i rrethit Shkodër Faik Minarolli, i përcillet për gjykim Gjykatës së Qarkut Shkodër. Gjykata e Qarkut të Shkodrës me kryetar Nuri Resmja, i shpalli të gjithë të akuzuarit fajtorë, nën aprovimin e duartrokitjeve të publikut në sallë dhe pjesës tjetër jashtë saj, që e ndiqte me altoparlantë. Dom Zef Bici dhe Dom Mark Dushi u dënuan me pushkatim, ndërsa Dom Frano Illia dhe Dom Mark Hasi u dënuan me 25 vjet, ky i fundit vdiq në burg, sipas kujtimit të tyre në faqen e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Nëqoftse vizitoni Shkodrën, mos anashkaloni të vizitoni Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, Vendin e Dëshmisë e të Kujtesës — në atë qytet të vuajtur dhe të nepërkëmbur ndër dekada. Nëse vetëm kaq mund të bëni si individë e si shqiptarë të lirë në kujtesë të viktimave të komunizmit, jo vetëm në Shkodër, por edhe anë e mbanë Shqipërisë, bëjeni këtë si kujtim në nder të tyre por edhe si edukim për ju. Kjo HESHTJE zyrtare ndaj krimeve të komunizmit dhe refuzimi zyrtar për tu ballafaquar me atë histori të tmershme nuk i bën nder Kombit shqiptar as nuk e radhitin atë me kombet e tjera në Evropë dhe Amerikë të cilët me ligje dhe përballje, zyrtarisht, me të kaluarën kanë përjetësuar tashmë kujtesën e viktimave të komunizmit, me ligje dhe monumente, dhe kanë dënuar krimet në vendet e tyre dhe anë e mbanë botës – me shpresën që ato krime të mos përsëritën më. Është një trashëgimi kriminale që nuk mund të mbrohet më as nga pozita, as nga opozita politike shqiptare!

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të komunizmit!

Frank Shkreli

 

 

 

Guvernatori i shtetit Florida, Ron DeSantis

 

Fotot nga faqja e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Nga vizita e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri, 25 prill i vitit 1993

Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri më 1914?- Nga Shaban Murati

 

Presidentja e Greqisë K.Sakellaropoulou evokoi në 24 prill 2024 të ashtuquajturin gjenocid armen të vitit 1915. E kishte më lehtë të mos shkonte aq larg deri në Armeni, por të shkonte në shtetin fqinj Shqipëri, ku këtë vit është 110 vjetori i gjenocidit grek, kur ushtria grek dhe bandat ushtarake greke masakruan me dhjetra mijra banorë shqiptarë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet, në Ersekë, në Korçë, në Skrapar, në Berat, etj. Sipas shkencëtarëve gjermanë, vetëm në Gjirokastër forcat greke masakruan 20 mijë banorë shqiptarë. Ishte një gjenocid shtetëror etnik dhe fetar, që synonte spastrimin etnik të popullsisë shqiptare të Jugut të Shqipërisë, të pushtuar nga ushtria greke. Presidentja greke mund dhe duhet t’u kërkonte falje Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë 110 vjetor të gjenocidit grek mbi popullsisnë civile shqiptare.

Presidentja geke nuk e bëri dhe nuk e ka bërë asnjë president apo kryeministër grek që nga 1914 e deri në ditët tona. Mirë Athina nuk e ka bërë dhe nuk e bën dhe i ka vënë kapakun shtetëror të varrit të vërtetës historike, sepse shtetin vrasës nuk e vret ndërgjegja ndërkombëtare dhe as morali ndërkombëtar.

Po Tirana kur do të ngrihet t’ia kujtojë Athinës këtë gjenocid grek mbi popullsinë shqiptare? Edhe dele të kishin qenë ata dhjetra mijra gra, fëmijë e pleq të masakruar në mënyrë masive nga ushtria greke në territorin shqiptar, Tirana duhet t’i kishte kërkuar reparacione Greqisë. Unë nuk e di nëse kryeministrat shqiptarë të tranzicionit e kanë lexuar kryeveprën e historianit, priftit dhe patriotit të madh shqiptar, Papa Kosta Tomorri, i cili si dëshmitar okular i gjenocidit grek botoi në ShBA qysh në vitin 1917 librin e famshëm “Barbaritë greke në Shqipëri”. Nuk e di nëse udhëheqësit e Shqipërisë e njohin historinë e shtetit të tyre dhe nëse e kanë lexuar që paraardhësi i tyre, kryeministri i Shqipërisë, Turhan Pashë Përmeti, kërkoi zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 reparacione nga Greqia për masakrat dhe shkatërrimet në qytetet dhe fshatrat në Shqipëri në vitin 1914.

Sivjet është 110 vjetori i gjenocidit grek në Shqipërinë e Jugut. Kaloi një e treta e vitit dhe nuk shihet gjëkundi që Tirana të organizojë sesione përkujtimore, konferenca apo mbledhje solemne zyrtare dhe akademike për këtë ngjarje tragjike të historisë shqiptare. Tirana nuk po ngre një memorial në kryeqytet në përkujtim të dhjetra e dhjetra mijra shqiptarëve të masakruar gjatë gjenocidit grek. Tirana ndërkohë i ka dhënë lejen Greqisë të ndërtojë në territorin e Shqipërisë së Jugut katër varreza të mëdh greke për të nderuar ushtarët e ushtrive pushtuese greke. Tirana, që nuk ka ngritur një memorial për dhjetra e dhjetra mijra të vrarët shqiptarë në gjenocidin grek të 1914, që nuk ndërton asgjë  për të përkujtuar holokaustin e popullit të vet, po ndërton në mënyrë absurde dy Muzeume në Tiranë dhe në Vlorë për holokaustin çifut, sepse kështu iu tek kryeministrit aktual internacionalist të Shqipërisë. Dhe që turpi shtetëror e qeveritar të arrijë kulmin botëror, kemi faktin e turpshëm që autoritetet shqiptare nuk lejojnë dhe nuk japin të ashtuquajturën leje ndërtimi për memoralin në kujtim të 217 banorëve shqiptarë të masakruar nga forcat greke vetëm në fshatin Hormovë në vitin 1914.

Tirana nuk po guxon t’ua kujtojë presidentes greke apo kryeministrit grek se duhet t’u kërkojnë falje Shqipërisë dhe popullit shqiptar për gjenocidin grek në Shqipëri. Gjaku dhe memoria e dhjetra e dhjetra mijra qytetarëve shqiptarë në këtë 110 vjetor historik të holokaustit shqiptar duhet t’u prishin gjumin e inferioritetit diplomatik qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë.

Shqipëria e regjimit të «rilindjes», shtet mafioz- Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Gangsteri kryesor, përndryshe tradhtari me famë botërore në projektin e qëndisur nga armiqtë e jashtëm: “Shpopullimi i Shqipërisë”, vazhdon aktivitetin e tij kriminal. Nëpërmjet varfërisë kryen spastrimin etnik të shqiptarëve vendas (autokton), dhe zëvendësimin e tyre me “refugjatë” afrikano-aziatikë (të cilët asnjë shtet evropian nuk i do), duke e bërë Shqipërinë nevojtore të globit. Brenda 3 viteve, këta “refugjatë” do të jenë shumicë në Shqipëri.
***
Kur kryeministri është mafiozi kryesor në një rrjet kriminal, shoqëria shembet dhe vendi shpopullohet.
Kombi shqiptar është në prag të shpërbërjes, zhdukjes përfundimtarëve. Ka pak gjëra në botë aq të rrezikshme sa një grup njerëzish gjumash. Errësira nuk mund të dëbojë kurrë errësirën, këtë mund vetëm drita.
Ne shqiptarët (si dhe e gjithë bota) e kemi parë dhe ndjerë papërgjegjshmërinë e regjimit mafioz antikombëtar (qeverisë aktuale) ndaj njerëzve dhe vendit gjatë 12 viteve: Nën udhëheqjen e kryeministrit mafioz më shkatërrues dhe armiqësor ndaj Shqipërisë së epokës së pasluftës, diktatori i sëmurë mendsh i cili ka kapur të gjitha pushtetet.
Ai dhe partia e tij “rilindja” dhe tru-shpërlarë të saj mendojnë se është shumë mirë t’i shiten pasuritë marramendëse dhe vlerat e atdheut dhe të popullit interesave të huaja me kapital të fortë e kriminal. Sigurisht që paratë shkojnë në xhepat e këtyre kriminelëve të gërditshëm.
Ai dhe bashkëpunëtorët (zagarët) e tij kanë treguar gjithashtu një përbuzje të dukshme si për Ligjin shqiptar ashtu edhe për Kushtetutën e Shqipërisë. Problemi është se as ai dhe as lakenjtë (shërbëtorët) e tij që shesin votën për 10 lek nuk duan ta pranojnë, aq më pak të dëgjojnë për të.
Është koha për t’i dhënë këtij regjimi kriminal kuisling vdekjeprurës për popullin dhe vendin një pasaportë të përhershme nga politika shqiptare, si dhe dhoma të përhershme në burgjet më të sigurta. Dhe dalin prej andej, vetëm pasi të kalben.
Aty ku zhduken kafshët më fisnike, fiton lepuri, i cili nuk ka kërkesa, jeton i kënaqur dhe vazhdon të riprodhohet pafundësisht.
***
PS: Më poshtë postoj një letër të datës 14 tetor 2022 (kritike ndaj meje) nga një zonjë e nderuar e cila më shkruan:
Aurel Dasareti ju pershendes! Kur bën deklarata kaq të forta qoftë ai kryeministri apo kushdo tjetër, më duhen fakte ku e mbështesni ju opinionin tuaj. Një intelektuali nuk i lejohen deklarata pa fakte dhe duhet të mësohemi të flasim me fakte dhe jo mllef.”
Përgjigja ime ishte:
“Përshëndetje e dashura zonja (…) dhe faleminderit për komentin tuaj. Politika praktike është arti i injorimit të fakteve.
Konflikti i interesit – i referohet, në një kontekst kërkimor, kushteve që mund të ndikojnë në kërkimin në një drejtim të caktuar. Një konflikt interesi mund të lindë kur aktorët në procesin e publikimit (vlerësues, autorë  dhe redaktorë) mund të kenë interesa që mund të ndikojnë në vlerësimin në një mënyrë ose në një tjetër.
Në shkrimet e mia nuk kam asnjë konflikt interesi. Zero. Nëse dikush që më kritikon sepse mendon se kam, duhet ta bëjë të ditur, me fakte.  
Ndaj e nderuar zonjë, më tregoni të gjitha faktet nga letrat e mia ku unë kritikoj pa fakte. Sa i përket kryeministrit, të gjithë shqiptarët dhe bota e kanë faktin se ai nuk është i përshtatshëm të “drejtoj” (sundojë) atdheun e gjyshërve të mi. A ka ndonjë fakt më të padiskutueshëm se kjo?
Nuk më intereson aspak (zero) kush bëhet kryeministër i Shqipërisë, por kush jo.
Gjithkush ka të drejtë të ketë mendimin e vet, por askush nuk ka të drejtë të jetë faktikisht i pasaktë.
(…) Duhet të shmangim komentet me ata që janë në Konflikt interesi sepse janë të paguar të mbrojnë punëdhënësin që qëndron dhe vëzhgon në hije.
Fryma e së vërtetës dhe lirisë – është mbështetja e kombit dhe shoqërisë. O shqiptar! Duaje të afërmin tënd, por mos lejo që ai të të mashtrojë!
 Gjiganti legjendar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ka thënë: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta mes jush”!
Vogëlsi-a ime ju thotë: “Pisllëkun, kriminalitetin, korrupsionin, hajninë, jo-burrërinë, pabesinë, indiferencën (mos-reagimin) ndaj ligësive të “baballarëve të kombit”
përndryshe kalbësirave qoftëlarg në: Shqipëri, Kosovë, FYROM, Kosovën Lindore dhe Mal të Zi, shtypjen ndaj grave, keqpërdorimin e rëndë të fesë, indoktrinimin (detyrimin) jo vetëm të grave por edhe të vogëlusheve për të mbuluar me qilim edhe sytë, shkatërrimin e arsimit, shkakun e ikjes së të rinjve, humbjen e shpresës, boshatisjen e vendit, xhelozinë e sëmurë dhe armiqësinë ndaj njëri-tjetrit, paaftësinë për të identifikuar manipuluesit, paaftësinë (mungesën e vullnetit) për të identifikuar bojkotuar apo distancuar nga mediumet amatore antikombëtare të financuara nga tradhtarët dhe armiqtë e jashtëm të cilët duan që ne të mos ekzistonim, shitblerjen e diplomave universitare, trafikimin e femrave, trafikimin e fëmijëve, legalizimin e drogës, vrasjet e njëri-tjetrit, servilizmin ndaj të huajve, dashurinë e pakufishme ndaj egërsirave që kanë kryer shumë gjenocide ndaj jush (dhe përdhunime seksuale), mercenarizmin, mendjelehtësinë kinse të tjerët do të na mbrojnë jo vetëm nga armiqtë e jashtëm por edhe nga vetvetja, tradhtinë ndaj Kombit dhe Vendit etj., – nuk jua solla unë, ato i gjeta mes jush.
“Historia e lirisë është një histori rezistence”, – Woodrow Wilson

NJË REFLEKTIM PËR PAQË E PAJTIM NDËR SHQIPTARË! 45-vjet më parë Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqë Nga Frank Shkreli

Ishte viti 1979, viti kur Çmimi prestigjoz Nobel për Paqë iu dorëzua në Oslo të Norvegjisë, Nënë Terezës, sot Shën Nënë Tereza – e para dhe e vetmja figurë shqiptare në histori me një Çmim Nobel për paqë, një njohje botërore dhe shpërblim për veprat dhe veprimtarinë e saj jetësore, për paqë në botë dhe për kujdesin ndaj më të varfërve.

Për paqë në botë dhe për paqë e pajtim, edhe “për popullin tem Shqiptar”. “Që paqja e Zotit të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona”, është shprehur Shenjtja Nenë Tereza ndërsa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel për Paqë, 45 vjetë më parë (1979). Pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj, Nënë Tereza ka shkruar këto fjalë: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën”, sipas biografit të njohur të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, Dom Lush Gjergji.

Po e kujtoj këtë 45-vjetor të dhënjes së Çmimit Nobel Për Paqë, sidomos fjalët e Nenë Terezës për paqë “në familjet tona”, drejtuar shqiptarëve në atë kohë, si një rast reflektimi sot, pasi bota shqiptare ka aq shumë nevojë sot për paqë, për paqë me njëri tjetrin. “Familja shqiptare” nuk ka sot paqë, paqë me veten e paqë me të tjerët. Unë nuk besoj që shoqëria shqiptare në përgjithsi dhe politika shqiptare në veçanti, të ketë qenë ndonjëherë — në këto pothuaj 35-vite tranzicion të ashtuquajtur “post-komunist” — më konfliktuale, më e acaruar dhe me mungesë respekti e dashurie për njëri tjetrin, se ç’është sot. Thirrjen e Nenë Terezës për paqë e pajtim 45-vite më parë– po e kujtoj dhe si një pjestar i komunitetit shqiptaro-amerikan — prej më shumë se gjysëm shekulli në Amerikë – modestësisht – duke shfaqur nevojën për reflektim në këtë përvjetor, për gjëndjen e krijuar plot konflikte e në çdo nivel, por edhe mungesës së diskursit normal publik me njëri tjetrin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporën e shpërndarë anë e mbanë botës edhe në mbarë trojet shqiptare, sikur bota shqiptare është në luftë me vet-eveten. Sidomos, diskursi politik, jo vetëm që është keqësuar, por duket se ka vdekur vitet e fundit.

Po përdori rastin e 45-vjetorit të dhënjes së Çmimit Nobel për Paqë Nenë Terezes dhe thirrjes së saj për paqë, dashuri, e pajtim ndër shqiptarët – duke i kujtuar lexuesit se në të vërtetë ishte mrekullia e Nenë Terezës, ajo që 14-vite më parë, për herë të parë, këto tre dekada, që bashkoi politikën shqiptare në një ceremoni të shkurtër në Tiranë në kujtim të lumturimit të saj. Ishte viti 2010 kur është inauguruar e ashtuquajtuara “Rrugë e Paqës”, në Tiranë, simbol i nderimit për Nenë Terezën me rastin e 7-vjetorit të lumturimit të saj – e njohur si, “Rruga e Milleniumit të Paqës”, në hyrje të Liqenit Artificial në kryeqytetin shqiptar.

Me atë rast, afër 30-udhëheqës botërorë i janë përgjigjur thirrjes së Presidentit të atëherëshëm të Shqipërisë, Z. Bamir Topi që të merrnin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Rrugës së Paqës në Tiranë. Një numër i madh liderësh botërorë iu përgjigjën thirrjes së Presidentit shqiptar. Por gjëja më e rëndësishme ishte pjesëmarrja në atë ceremoni e të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë të asaj kohe, por dhe sot, përfshir ish-Presidentin Topi, ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Tiranë, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, sot Kryeministër Edi Rama. Për ata që e mbajnë mend, ishte një ecje e lirë e të gjithë liderve politikë shqiptarë së bashku me qytetarë të Tiranës në rrugën që besoj edhe sot mban emrin “Rruga e Milleniumit për Paqën”. Një foto historike kjo që ndoshta ia vlen të nxirret nga arkivat si një simbol paqeje e bashkimi, për të parë – sidomos në rrethanat e sotme të konflikteve aktuale politike në Shqipëri — se çfarë është e mundur, me vullnet të mirë: bashkimi simbolik i politikës shqiptare për një rast me rëndësi për të gjithë — megjithse merita e bashkimit të tyre qoftë edhe për një kohë të shkurtër, ishte meritë e kujtimit të Nenë Terezës.

Siç dihet, “Rruga e Milleniumit për Paqën”, kushtuar Nenë Terezës, është ndër rrugët më të veçanta në kryeqytetin shqiptar, sepse aty gjënden të vendosura në rrugë pllaka me nënshkrime të nja 28 udhëheqësve botërorë kushtuar paqës – duke nderuar, në këtë mënyrë, jetën dhe veprimtarinë e Shënjtores shqiptare, Nenë Terezës, por edhe shqiptarët, në përgjithësi. Ishte një gjest simbolik, por shumë domethënës. Në të vërtetë, ishte në ceremoni natyrale, spontane, asgjë e jashtzakonshme, në nderim të Nënë Terezës, për në një botë normale, ku udhëheqsit politikë të një vendi, pa marrë parsysh ndryhimet politike mdis tyre – kanë gjëra dhe kauza të përbashkëta që mund dhe duhej t’i bashkonin.
Në këtë mënyrë, ky ishte një mesazh simbolik që iu është dhënë edhe qytetarëve shqiptarë në përvjetorin e shtatë të Lumturimit të Nënë Terezës, 14 vjetë më parë. Ishte një rast me të vertetë i bukur dhe i mirëseardhur, megjithse i jashtzakonshëm dhe ndoshta i papritur kur të merren parasysh konfliktet dhe antagonizmat politike midis politikanëve deri në ditët e sotme, midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Por, megjithkëtë ishte një ditë e bukur, një fotografi simbolike që i mungon shumë sot jetës politike shqiptare. Ishtë një fotografi e politikanëve kryesorë të Shqipërisë, duke i shtërnguar dorën njëri tjetrit, një akt që i pelqen syrit dhe disi qetëson edhe zemrat e shqiptarëve kur shohin politikanët e tyre të merren vesh me njëri tjetrin. Për fat të keq, në këndvështrimin e sotëm të zhvillimeve politike në Shqipëri, por edhe kudo tjetër midis shqiptarëve, paqa për të cilën kishte bërë thirrje Nenë Tereza 45 vite më parë në Oslo, “në të gjitha familjet tona” — pikërisht aty ku e donte Nënë Tereza paqën, midis shqiptarëve, në familjet tona — është vështirë të identifikohet ose të dallohet paqa si e tillë sot në jetën publike dhe politike në marrëdhëniet midis shqiptarëve në nivele të ndryshme. “Rruga e Milleniumit për Paqën” ndoshta e mban gjithnjë emrin dhe na kujton thirrjen për paqë midis nesh të Nenë Terezës, por në jetën e përditshme, të gjithë e dijmë se, kryesisht, nuk ka paqë as dashuri midis njëri tjetrit, ndërkohë që në sallat e qeverisë e të shtetit – aty ku do duhej të ushtrohej respekti dhe paqa midis shqiptarëve për hir të shqiptarëve – aty mbetëron vetëm konflikti, urrejtja dhe mos respekti për njëri tjetrin, e nganjëherë edhe dhuna.

Në fjalimin e tij me rastin e emërimit, “Rruga e Milleniumit për Paqën”, në Tiranë, kushtuar Nenë Terezës, në vitin 2010, Presidenti i atëhershëm Bamir Topi ka folur për modelin e paqës së Nenë Terezes, për një paqe që ndërtohet e kultivohet çdo ditë e çdo kund dhe nga cdo kush. Në një referencë drejtuar klasës politike shqiptare në atë kohë, Presidenti Topi ka thekësuar me atë rast, paqën shoqërore, që sipas tij, është një “detyrë themelore e një shteti demokratik…e që duhet të jetë gjithashtu objektiv parësor i politikës, si fuqi lëndore e demokracisë. Për t’a ruajtur e për ta persosur atë metej, në perputhje me standardet evropiane, duhet angazhim i thellë i të gjithëve”, ka theksuar ish-presidenti Topi, duke nënvijuar “bashkpunimin, bashkjetesën, e tolerancën”, si, “forca morale e kulturore, në dispozicion të së sotmes dhe të ardhmes… në shërbim ndaj demokracisë dhe shtetit.”

Për fatin e keq, ai rast fotografik paqeje më 2010 midis udhëheqsve më të lartë politikë të shqiptarëve, në vend që të kishte simbolizuar një fillim të ri të zhvillimeve paqësore në Shqipëri, konfrontimet politike kanë ardhur duke u shtuar dhe vazhdojne gjithnjë edhe sot, madje janë edhe më të thekësuara se kurrë më parë.  Kriza politike nepër të cilën po kalon Shqipëria dhe Kombi shqiptar është një
krizë e madhe morale – një trashëgimi e gjysëm shekulli komunizëm – me besimin se kundërshtari politik është armik dhe si i tillë duhet të zhduket me çdo kusht.

Në ketë periudhë kritike për Kombin shqiptar, vazhdimi i një sistemi të polarizuar politik, jasht kontrolli, dhe dështimi i klasës politike për t’u marrë seriozisht, me problemet madhore të vendit e të Kombit — në të gjithë botën shqiptare pa përjashtim — do të ketë pasoja tragjike afatgjatë për të gjithë shqiptarët.  Abraham Lincolni citohet të ketë thenë se, “Një shtëpi e ndarë dhe e perçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në këmbë pa u shembur”.

Thuhet se “politika është arti i kompromisit”.  Prandaj të ulurit në tryezë me ata që kanë pikepamje të ndryshme për të biseduar, me qellim të mirë dhe në paqe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, nuk duhet të shikohet si një dobësi, si diçka që nuk është burrënore.  Nuk është burrëri as nuk janë burrshtetas ata që interesat partiake e personale i venë mbi përparimin dhe interesat e Kombit, ndërkohë që konfliktin e vendosin mbi kompromisin, në kurriz të paqës në shoqëri dhe në familjen e madhe të shqiptarëve.

U kërkoj falje atyre që këto fjalë mund t’i shikojnë si një predikim apo një pontifikim moral. Por shumë politikanë shqiptarë konsiderojnë se pozita politike që kanë tani është e drejtë e tyre dhe askujt tjetër dhe nuk e shikojne atë –për atë që në të vërtetë është — një përgjegjësi e privilegj qe ua ka besuar atyre, përkohësisht, votuesi shqiptar.  Në të njëjtën kohë, edhe elektorati duhet të jetë më i përgjegjëshëm e të perkrahë kandidatë/e për poste politike ata të cilët flasin me respekt e dinjitet për kundërshtarët e tyre politikë dhe qnedrimet e tyre dhe të cilët kanë parasysh, mbi të gjitha, interesin e vendit e të Kombit. Thomas Jeffersoni do tu bënte thirrje udhëheqsve politikë shqiptarë të gjitha ngjyrave, “Ejani e na ndihmoni me talentet tuaja si edhe me peshën e karakterit tuaj, të punojmë së bashku, drejtë vendosjes së demokracisë.” Kombi shqiptar gjendet para një kthese historike dhe është një detyrë urgjente morale dhe kombëtare e këtij brezi politikanësh që t’i japin rrugën e duhur, “Rrugën e Paqës”, fatit të shqiptarizmit dhe shpresës për pranvera të reja për Kombin shqiptar, ashtuqë që shqiptarët të gjejnë sigurinë, paqën dhe rehatinë e vet, në vendin e vet, me bashkombasit e vet.

Momente të tilla si përurimi i “Rrugës së Milleniumit Për Paqën”, në nder të Nenë Terezës në Tiranë në 2010 — një ngjarje kjo që bashkoi klasën politike shqiptare të asaj kohe — do të bënin që të huajt, sidomos miqtë e Kombit shqiptarë të thonin sot — ah sa burra të mirë qenkan këta shqiptarët, kur bashkohen për të mirën e përbashkët. Për fat të keq, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë, me njëri tjetrin, kam drojë se nuk gjëndet kush të pohojë sot një gjë të tillë – pasi duket se është harruar mesazhi i Nenë Terezës i 45-viteve më parë në Oslo të Norvegjisë: Paqë në familjet tona, si parakusht i paqës dhe bashkimit në familjen e madhe shqiptare të përhapur anë e mbanë botës.

Nga Frank Shkreli

Pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj, Nënë Tereza ka shkruar këto fjalë: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën”, pohon biografi i njohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, Dom Lush Gjergji.

“Një shtëpi e ndarë dhe e perçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në këmbë, pa u shembur”.

“Nëqoftse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan duke i dorëzuar Nenë Terezës Medaljen Presidenciale të Lirisë (1985), dekorata më e lartë që jep Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

NIKKI HALEY, ISH-GOVERNATORE, ISH-AMBASADORE, KANDIDATE DERI KOHËT E FUNDIT PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA DHE “NUSJA SHQIPTARE” * I BASHKOHET INSTITUTIT TË NJOHUR KONSERVATIV “HUDSON” NË WASHINGTON Nga Frank Shkreli

Në një njoftim për media ditën e henë, Instituti i njohur konservativ, Hudson, në Washington tha se Nikki Haley, ish-governatore e shtetit Karolina e Jugut dhe ish-ambasadore e Shteteve të Bashskuara të Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, do i bashkohet këtij instituti amerikan në zë si promovues i politikave konservative të mbrendshme dhe të jashtme si dhe i sigurisë kombëtare.

Në njoftimin e Institutit Hudson me këtë rast citohet Nikki Haley të ketë thenë duke pranuar emërimin, se “Kur politikanët tanë dështojnë të identifikojnë armiqtë tanë si të tillë, ose kur dështojnë të vlerësojnë rëndësinë e aleancave tona, atëherë bota është më pak e sigurt”, duke shtuar se “kjo është arsyeja se pse puna e Institutit Hudson është aq e rëndësishme”, në këtë kohë. Instituti Hudson, vazhdon të citohet ish-ambasadorja dhe ish-kandidatja për presidente, “Beson se populli Amerikan duhet të ketë faktet për problemet dhe politikanët duhet të gjejnë zgjidhjet, në mbështetje të një të ardhmjeje të sigurt, të lirë dhe të begatë. Mezi pres që t’u bashkohem kolegëve në Istitutin Hudson, që në parttneritet me ta, të mbrojmë parimet që e bejnë Amerikën vendin më të mirë në botë”, është shprehur, Zonja Nikki Haley.

Ndërsa Presidenti i Institutit Hudson, Z. John P. Walters e priti Zonjën Haley me fjalë të ngrohta duke thenë se, “Nikki është një udhëheqse e sprovuar dhe efektive si në fushën e politikës së brendshme ashtu edhe të politikës ndërkombëtare. Në një periudhë ngjarjesh politike të pakontrollueshme dhe konfliktesh, Nikki Haley ka vazhduar të jetë mbrojtëse e patundur e lirisë dhe mbështetse e bindur dhe efektive e sigurisë dhe begatisë amerikane. Jemi krenarë që ajo po i bashkohet Institutit Hudson”, ishin fjalët e Presidentit të Institutit Hudson, duke mirëpritur Nikki Haley-n në radhët e këtij instituti shkencor, një ndër më të njohurit, botërisht. Në të kaluarën si edhe tani shumë personalitete të njohura të politikës amerikane kanë qenë bashkpuntorë të Institutit Hudson, përfshiur Henrz Kissingerin, ish-Zevendës presidentin Dan Quale, ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Ppmpeo e të tjerë.

Ambasadorja Nikki R. Haley i bashkohet Institutit Hudson, një ent konservativ me fame botërore që merret me politikat e brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara

Gjatë fushatës për president si kandidate e Partisë Republikane, Nikki Haley ka promovuar një politikë të jashtme amerikane të fortë dhe vendimtare përball krizave globale siç është lufta Rusi-Ukrainë, luftimet Izrael Hamas e të tjera konflikte ndërkombëtare. Qendrimi i saj ishte në contrast të plotë me qendrimin e ish-presidentit Donald Trump i cili kembëngulë për të mbajtur Shtetet e Bashkuara jasht konflikteve ndërkombëtare. Ishte Shkurti i vitit që kaloi, kur Zonja Haley shpalli kandidaturën e saj për presidente të Shteteve të Bashkuara, por në fillim të muajit që kaloi ajo njoftoi anullimin e fushatës së saj për detyrën numër një në vend – pasi në përballim me ish-Presidentin Trump, ajo humbi 14 nga 15 zgjedhjet në shtetet që mbajtën votime në të ashtuquajturën “super Tuesday”, në fillim të Marsit. Megjithkëtë, sipas njoftimeve në media, Nikki Haley është shprehur se ndonëse anulloi fushatën e saj si kandidate e Partisë Republikane për President, ajo nuk e ka ndër mend të heshtë në lidhje me çështje të rëndësishme të politikës së brendshme e të jashtme dhe sigurisë kombëtare.

Siç duket, Haley ka zgjedhur si platformë institutin e njohur Hudson në Washington për të vazhduar të “përdor zërin e saj për të folur në mbështetje të çeshtjeve me rëndësi, në të cilat ajo beson”, siç është shprehur ajo me rastin e anullimit të fushatës për president fillim muajin e kaluar. Deri më tani, Zonja Haley nuk ka mbështetur Z. Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane për president.

* “Nusja Shqiptare” – Nikki Haley ka thenë më heret në takime me grupe shqiptaro-amerikanësh, kur ajo shërbente në Nju Jork se ajo është e martuar me një biznesmen amerikan me origjinë shqiptare. Në atë kohë ajo është angazhuar, publikisht, duke premtuar se do të punonte për rritjen e numrit të njohjeve — nga vendet anëtare të OKB-së — të Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur.

Frank Shkreli


Nikki Haley me bashkshortin Michael, në ditën e inaugurimit të saj si governatore e shtetit Karolina e Jugut, 2015.

NJË KATASTROFË, MASAKËR MASIVE, GENOCID I VËRTETË U BËHET VOTUESVE SHQIPTARË NGA NDRYSHIMET KUSHTETUESE TË 2008! – Nga BESIM NDREGJONI

“Një demokraci pa vlera, –kan shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia 34 vjeçare e pluralizmit shqiptar!

Vuajmë ende hijet e tejzgjatuna të sistemit kriminal stalinian që trullosi mendjet tona”.

Kështu shkruante disa vite  më parë në gazetën “Panorama” Sami Repishti, një nga ata që vuajti vetë për 10 vite ferrin shqiptar të diktaturës, por që nuk reshti kurrë që të kërkojë nga shoqëria shqiptare që të guxojë të hedhë sytë nga e shkuara nën diktaturë për ta lexuar atë me gjithë tronditjen e madhe të saj.

Gjatë këtyre 34 vjetëve, politika shqiptare, vazhduese e komunizmit, tri shtylla kryesore dhe të pacenueshme të demokracise i ka shkelur dhe i ka denigruar.
Ato janë:
1.Të drejtat dhe liritë e njeriut, sidomos në fushën e së drejtës kushtetuese të të përndjekurve politikë dhe në aktet ndërkombëtare për dënimin e terrorit të shkaktuar nga diktatura.
2. Prona, pronarit të ligjshëm.
3. Vota e lirë.

Misioni i votës së lirë asht një përgjegjesi  e paevitueshme  për botën ku jetojmë. Këtu lind shpresa  për një nji jetë që nuk është skllavëri,.Me votën e lirë, të gjithë ngrihemi nalt e fitojmë betejën morale, shpresën për të gjithë ata që kërkojnë lirinë, pa lejue që fitorja e përbashkët të kthehet në tragjeditë tona individuale, si në komunizëm. Sot shqiptarët janë të djegun  për liri e demokraci. Shqiptarët janë të sigurtë që, nëse e tashmja është  në  duar të politikanëve, të oligarkëve të  pseudopushtetit  në Shqipëri, e ardhmja i takon  lirisë dhe demokracisë.

Partia Demokratike që mori përsipër në 90 për të i sjellë lirinë, demokracinë dhe ta bënte Shqipërinë si Europa ,nuk e kreu me sukses këtë mision të madh kombëtar që kishte nevojë shoqëria poskomuniste por u zhyt në ideologjinë komuniste për pushtet duke anashkaluar parimet bazë të ndërtimit të demokracisë. Demokracia shqiptare u godit që në lindjen e sajë nga kjo klasë politike sunduese, nga mosdenimi i krimeve të diktaturës, Partia që kishte kryer krime makabre jo vetëm nuk u denua me ligjë por u bë bashkëudhtuese në pluralizëm dhe përdori tërë ideologjinë e gënjeshtër, ideologjinë e mashtrimit të denigrimit kundra sistemit demokratik që sa kishte lindur.Kjo force politike ka tre dekada që mbron parardhsit e saj, xhelatët që kryen krime në dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe misioni i sajë ishte marrja e pushtetin me anën e dhunës siç ndodhi me revolucjonin e 97 ku nëpërmjet bandave të krimit mori pushtetin e ashtuquajtur me “Votë” falë dhe dakortsimit të udhëheqjes së ashtuaquajtur Partia Demokratike

Partia Demokratike erdhi si lëvizje populiste me parulla dhe dogma komuniste dhe nuk e ndërtoi filozofine e saj me program konservator, për të cilën kishte nevojë shoqëria e traumatizuar nga genocidi diktatorial enveristë. Përdorte parulla bolshevike “Poshtë komunizmi” dhe krimet e komunizmit nuk i denonte, dhe vazhdon të mos i denoi edhe sot mbas 34 vite pluralizëm politikë. Ju bashkua heshtjes së mos denimit të krimeve të komunizmit që i kishte kryer Partia e Punës që mbrohej në demokraci me ndrrimin e emrit si Parti Socialiste.

Në vitin 1997 mbasi mori pushtetin Partia Socijaliste vazhdoi e qetë sundimin duke dhunuar votën e lire, duke tjetërsua pronën e ligjshme, duke dhunuar të drejtat dhe liritë e të përndjekurve politikë, dhe duke i kthyer institucjonet e shtetit në shërbim të pushtetit të sajë. Gjykata Kushtetuese e 1997 u  mbush me Gjygjtarë e Prokurorë të diktaturës që kishin kryer krime, dhe i dhuroi pushtetin PS në 2001 me vendime të Femi Avdiut ish Gjygjtari i komunizmit që kishte varun në litar Havelin shqiptar Havzi Nelën dhe kjo gjykatë jepte mandate deputetësh me shumicë në favor të PS pa pyetur për vota. 

Misionin i sajë ishte  dhunimi i institucjonit të  votes së lire. Dhe vota e shqiptarve ka 34 vite që denigrohet dhe përsëritet çdo pale zgjedhje se po e rregullojmë me ligjëdhe e kan politizuar në atë mënyrë barbare vetëm vota mos të jetë në shërbim të qytetarve por të pushtetit të dy forcave politike.

Në vitin 2005 u ndrrua pushteti, jo falë votës së lire të qytetarve, por marrveshjeve të fshehta në mes të dy forcave politike PS e PD. Goditja e dytë që ju dha Votës së lire të shqiptarve ishte marrveshja e 2008 e cila për nga përmasat ligjore është e barabartë me kushtetutën e viti 1976 të diktatorit Hoxha, kjo marrveshje e shëndrroi votën e lire jo në shërbim të popullit votues dhe konkurencës politike por në shërbim të Kryetarit të Partisë, duke shkatruar pluralizmin e duke e kthyer Kryetarin e partisë në një diktator që i mer të gjitha pushtetet dhe i përdor për të mbajtur sundimin e tij apsolut.

Jemi i vetmi komb në Europë që nuk lejojmë votën e lire dhe nuk lejojmë konkurencën dhe kemi politikan sundues prej tre dekash duke u mohuar shqiptarve lirinë, kjo klasë politike ska asnjë ndryshim me diktaturën. Të njëtët udhëheqës politike në 90, të njëtët në 2024.

Marrveshje e 2008 u muar nga sistemi Spanjoll një sistem monarkist që skishte asnjë lloj baze ligjore me sitemin republikan parlamentar siç trumbetojnë këto parti në Shqipëri.

Në dekleratat publike udhëheqësit e këtyre partive e urrejnë sistemin monarkist, por kodin zgjedhor e marrin nga monarkia, kjo është“demokracia që na sërvisin këta kryetar Partish.

Vota është ndërgjegjja e qytetarit dhe nuk ka të drejtë ta tjetërsojë atë, asnje lloj institucioni politik kushdo qoftë ai, me pushtet apo pa pushtet. Përse nuk lejohet që vota e lirë të shkojë, aty ku dëshiron e voton qytetari? Përse-të e kësaj lloj demokracie alla komuniste nuk kanë fund. 
Vota e lirë është shpirti i demokracisë. Ҫdo deformim i saj e çon atë drejt vdekjes së sigurt. Demokracia shqiptare ndodhet sot në një lëngim të vazhdueshëm, po vuan pasojat e këtij fenomeni që riciklohet herë pas here nga ata që duan pushtet për para, e para për pushtet. 

Kjo klasë politike  po i shtrin çdo ditë e më shumë metastazat e veta kanceroze në jetët e shqiptarëve, duke u kthyer në një shpresvrasëse një gijotinë ëndrrash për ta. 

Sot shqiptarët janë një popull në arrati, ku vetëm pamundësia për t’u larguar nga ky vend ka zëvendësuar klonin e dikurshëm të diktaturës. Shoqëria shqiptare duhet të bëjë përgjegjëse politikën shqiptare për gjëndjen e mjerueshme ku ndodhen sot shqiptarët. Shqiptarët sot përjetojnë dhimbshëm një vdekje për së gjalli në atdheun e tyre që është kthyer në një varrezë gjigande për këdo që është i ndershëm dhe i drejtë, dhe parajsë për çdo horr e bandit, kusar e kriminel. 
Ne sot jemi kthyer në një popull të pafuqishëm nga një pamundësi e detyruar për të ndryshuar këtë gjëndje ku jemi, nga deformimi i vazhdueshëm i votës dhe nga kornizat e hekurta që ka krijuar sistemi në përcaktimin e saj. Ky sistem zgjedhjesh u bë terren i favorshëm për lindjen, vegjetimin e harlisjen e pushtetit i cili sot harbon pa zot, i shpenguar në shkretëtirën saharjane të politikës shqiptare.

”. Nji katastrofe, nji masaker masive, nji gjenocid i vertetë u bëhet votuesve shqiptar. 

Këta poitikan që mendojnë vetëm për të marr mandatin e deputetit dhe jo për të ndërtua demokracinë për të cilën vuajtën shqiptarët për 50 vite.. Katrahura politike që ngriti koken mbas shembjes se turpshme të komunizmit ashte nji plagë e rande .Shqiperia meriton ma shume se terheqja e “karrikes” në pushtet, dhe përfitimi nga korrupsioni. Shqiperia meriton nji shtet e nji shoqeni të lire, të lire nga frika, sidomos frika qeveritare, dhe tëlire nga uria, papunesia dhe varferia…. Shqiperia meriton nji sistem politik të hapet, transparent, dhe plot respekt për cdo qytetar të lire. Shqiperia meriton nji emën që të respektohet nga bota e jashteme.

Shqiperia meriton këtë respekt sepse e ka pague rande detyrën që vuni mbi shpatullat e saj nji histori e egër e imponueme mbi shqiptaret pa pelqimin e tyne. Shqiperia meriton nji të ardhme tëlumtun e premtuese sepse ka derdhe gjakun si lum për liri, prone e vote të lire.

Zotrinj deputet Shqipëria ka nevojë për Votë të lire, për pluralizëm, për liri konkuruese dhe aspak për deputet që nuk denojnë krimin dhe nuk lejojnë popullin të votojë i lire. 

Historia do të ju denoj nqs ju i mohoni votën qytetarit . Aborgoni marrveshjen e 2008 dhe kthejani pluralizmin dhe konkurencën shqiptarve. Kjo, nuk ashte Shqiperia për të cilën kemi luftue. Kjo nuk ashte Shqiperia demokratike , Shqiperia e qytetarit te lire për të cilën ne kemi andrrue  “Mos harroni, sepse harresa ashte vdekja e jone e dytë

Mos na mohoni votën e lire, se drejtesia do të ju denoi Zotrinj Deputet!!”

 

Besim NDREGJONI

Një bisedë e munguar me dijetarin Jup Kastrati…- Nga PËRPARIM KABO

Nuk është e thënë që takimi apo kënaqësia për të biseduar, siç thonë francezët, të ndodhë në të gjallë të një personi. Shpesh, dialogu apo biseda brenda një digjitaliteti njerëzor, ndodh në dykohësi, nëse bashkëbiseduesi ka vepra të shkruara, ka kontribute dhe idetë i tij janë një traktat i hapur mendimi, ku mund të hyhet, por sigurisht me disa kushte intelektive.
Më 15 prill, 2024, dijetari Jup Kastrati mbushi 100 vjeç. Nuk dëgjova gjë të flitej për të, të kishim studio referimi për veprën e tij apo përfundimet në të cilat ai mbërriti me botimet që na ka lënë, e që nuk janë pak, 35 libra! Ndaj unë dua të bëj me zë, hapur dhe bashkë me ju, miq, një bisedë me prof. Jup Kastratin. Shumë pyetje kanë mbetur pezull, ndaj po ja nisim.
– Profesor i nderuar Jup Kastrati, ju punuat me përkushtim tërë jetën tuaj për shqipen, fillnisjen e saj historike, zhvillimin e saj e në veçanti atë gramatikor për forma të veçanta të të shprehurit , etj. A jemi atje ku duhet sot, në detyrimin historik që kemi ndaj gjuhës?
Profesor Jup Kastrati: – Së pari, ju faleminderit që po më kujtoni dhe po më konsideroni, duke kërkuar mendimin tim. Mendoj se studimet për shqipen nuk janë atje ku duhet të ishin. Pas vitit 1990 do duhej të rishikoheshin shumë përfundime të arritura dhe zgjerimi i këndvështrimeve për gjuhën tonë në fonetikë, sintaksë e në morfologji. Psh: në fonetikë do duhej që të vazhdonin matjet e tingëlloreve, si në gjuhën e standardizuar, por më së shumti në gjuhën dialektore dhe në të gjitha format e shfaqjes së saj.
Përpos matjeve dhe përfundimeve laboratorike, lypsen përgjithësime që kahen nga identiteti i brendshëm i gjuhës dhe jo thjesht nga statistikat krahasuese. Do duhej qe një tjetër” Bletë shqiptare”, fshat më fshat e katund më katund, të qëmtonte dhe të mblidhte fjalët e hershme, ato më të moçmet, me qëllim që të zbritej te gjuha primitive. Sa më e vjetër fjala, aq më e vlerë për studiuesin. Por kjo nuk bahet në zyrë dhe me kompjuter. Është dashtë me fjetë ndër male, me qenë aty për mort dhe për lindje, për darsëm dhe për shtegtim. Nëse fjala e parë, ajo e agut të mendjes njerëzore, humb, edhe muzika e kreut e çka mbetet pas, ashtë një muzikë e përpunueme, një lloj mbivendosje, ku shtresa më e re muzikale shtyn të bjerrë në greminë atë që ka gjetur…Eh, çka ndodh ! Studiuesi i ri gërmon cekët, mbledh , grumbullon dhe analizon një material fonetik të vërtetë, por jo të mjaftueshëm.
Profesor Kastrati, po dua të zbresim poshtë në kohë. 20-25 nëntor, 1972. Ju ishit atë vit 48 vjeç, pra, goxha i pjekur si njeri dhe si studiues. Në atë vit, në atë muaj e në ato data zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit. Ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova , Maqedonia, Mali i Zi, si dhe arbëreshë nga Italia. Pyetja që dua t’ ju shtroj është: çfarë ndodhi aty, që u kërkua heqja e paskajores, duke e parë më shumë si një trajtë gati- gati krahinore dhe duke e lidhur me gegënishten?
Profesor Kastrati bën një hop heshtje, nxjerr frymën nga thellësia e kraharorit dhe mendohet…
Ndoshta shkon larg në kujtime, kur ai nuk ishte në një mendje për ta hequr këtë formë të shprehuri të veprimit foljor, më sheh në sy e më thotë:” E çka po të duhet kjo tash? Me u pendue nuk është aq e lehtë!”
Unë:- Sa bukur e përdore paskajoren në këtë rast!( me u pendue) Sa bukur tingëllon!
Pse duhet që në vend të saj të përdoret lidhorja “ që të pendohesh, nuk është aq e lehtë”?
Pse do duhej të trajtohej si shprehje e kufizuar, kur edhe në jug, si në Çamëri dhe në Gjirokastër, ndoshta më rrallë, por e takojmë këtë formë?
Me sa di unë, të thirri në atë kohë ish ministri i arsimit dhe të mbajti nja tri orë në zyrë, që të të detyronte, por ti , me atë qetësinë tënde, u mundove me e bindun se, nëse e sakrifikonin atë mënyrë të shprehuri, do humbshin edhe nja 7 lloj fjalish.
Profesor Kastrati :- Po, ashtu ka ndodh, qe një takim i gjatë dhe tejet i vështirë. Ai qe njeri i shkolluem dhe jo arrogant, por qe i zanun në çark prej atyne që e kishin urdhnue. Unë e bana timen, më së paku fola hapun dhe e mbrojta me argumenta atë që menojsha. Sot s’e di se çfare ndodh. Kam nij se po përdoret fort hapun dhe po shkruhet, duke mos e besue ma atë vendim zyrtarësh. Eh! Gjuha është si drita që nuk e kap dot për brinash, por është dhe si uji i malit, që, kur bien prej majash, ka shumë furi dhe zhgulm.
Këtu ku jam qysh nga shtatori i vitit 2003, kur e lashë frymën e fundit në atë tokë, kam taku shumë gjuhëtarë dhe albanologë, flas e bisedoj me ta, me profesorët e nderum: Çabej, Domi, Demiraj, Shuteriqi, Uçi, etj.
Por takimet më të bukura dhe mësimdhënëse janë me Ferenc Nopçen. Ai ka kujtesë shumë të pasun dhe mjaft të gjallë. Më tregon fjalë të vjetra të shqipes, mbledhun malësive ku ai jetoi dhe punoi, takoi njerëz dhe bani me ta miqësi. Kam dashur të takoj edhe Johan Thunmmanin, por ende nuk kam mujt. Ma ka shty disa herë takimin. Veç një fjalë më tha, kur u paraqita tek ai si shqiptar prej veriut. “ Ah,- më tha,- studimi im për shqipen është pengu i jetës! Isha vetëm 32 vjeç , kur ma prenë jetën në mes ata që nuk donin që unë t’i hyja kësaj pune , që do përmbyste shumë teza jokorrekte dhe në disa raste edhe të gabuara. E ndjeva rrezikun qëkur u mora me fjalorin e Kavaljotit…
‘Shqipja është dashuri, ashtu siç thuhej në lashtësi, dashuria është një shpirt që digjet…!’ “
Profesor Kastrati, edhe një pyetje të fundit: – A ke dëgjuar për një studim të fundit mbi vjetërsinë e shqipes, që është botuar në një revistë tejet të rëndësishme shkencore?
– Po, po, na e sollën. Të vërtetat vijnë edhe këtu në qytetin e frymës. E lexuam dhe kemi nisur një bisedë shumëshikuese. Ka të dhëna shumë interesante, që ne aso kohe nuk i kishim. Edhe metodat krahasuese tani janë komplekse, deri duke përdorur formula matematikore që zvogëlojnë gabimin në pothuaj zero. Fillimisht nuk po e gjenim fillin, por mes nesh është mendjethelli Petro Zheji.Ai na ftilloi gjithçka dhe pati goxha ndikim, pasi shumë nga shpjegimet e tij kombinojnë disa shkenca që mund të bëjnë argument studimi gjuhën. Ajo që la gjurmë është fakti që shumë dijetarë të botës na uruan dhe na thanë:” Ju keni një gjuhë shumë të vjetër, mos u mundoni ta bëni të re, sepse do humbisni shumë vlera dhe thesare jo vetëm gjuhësore! “Të pranosh ndryshimin e mendimeve dhe bindjeve që ke pasur falë zbulimeve të reja, është shprehje e kurajos që të ndihmon ta shohësh botën në mënyrë kritike, dhe kjo e ushqen mendimin dhe kërkimin shkencor.
Unë :- Faleminderit, dijetari Jup Kastrati, mendjehapur ke qenë dhe i tillë ke mbetur në 100 – vjetorin e lindjes …!
Jam gazmend që biseduam, me vonesë, por denjësisht, ndaj ju shpreh mirënjohjen time më të thellë!
Profesori-Faleminderit Ju që më kujtuat! Gjithëherët e kam pasun frikë harresën, asht e rrezikshme për popujt e vegjël!
P.Kabo. 16 prill, 2024.

A kërcejmë drejt jetës apo kërcejmë prej saj?- Nga AUREL DASARETI

 

Mjaftë me grabitësit gjysmë të arsimuar marrë direkt nga rruga.

Krimineli kryesor aktual i shtetit amë, Shqipërisë, është një përzierje e një djalli, një shakaje dhe një tragjedie për mbarë kombin. Pa asnjë (zero) dinjitet njerëzor.

***

Nuk jam aq i shqetësuar për t’i bërë njerëzit të më kuptojnë më. Unë besoj në konflikt. Ka shumë kreativitet në të.

Dhe, nëse këta sunduesit aktual janë nga politikanët më të mirë që ka Shqipëria, atëherë të gjithë duhet të pyesim veten se sa të këqij janë të tjerët…E tmerrshme! 

Këta banditë janë të frikësuar nga humbja e “pushtetit dhe kontrollit”. Është një nga “flamujt e kuq” të një psikopati.

Nëse pas kësaj ligësie gjithëpërfshirëse që ndodhë në trojet pellazge-ilire ke besim te politikanët shqipfolës (me përjashtime nderi), je thjesht një budalla.

Kjo është një përmbledhje e mirë e gjendjes së punëve në politikën shqiptare. Kualifikimet do të thotë pak ose aspak, libri partiak dhe farefisnia do të thotë gjithçka. Kuvendi dhe qeveria duhet të pasqyrojnë disi popullsinë? A nuk duhet t’i lihet qeverisja e vendit më të kualifikuarve – profesionalisht dhe personalisht – dhe jo kundërshtuesve, gjysmë-analfabetëve, hajdutëve, vasalëve, spiunëve, kriminelëve?

Për fat të mirë, ne kemi disa media shqiptare të lira në mbarë botën, të themeluara nga disa patriotë shqiptarë që përshkruajnë realitetin në mbarë botën, përfshirë edhe atë në Shqipëri, Kosovë, FYROM, Kosovën Lindore, Mal të Zi…

Tash e tutje, kërkesa për ministrat duhet të jetë të kenë kryer shkollën fillore, dhe të paktën 10 vjet në punë praktike, duke përfshirë edhe mësimin e mirësjelljes, se gënjeshtra ka gjithmonë pasoja etj.

Nëse ata kanë ndonjë aftësi në të folur, atëherë shumica dërrmuese e tyre do të jenë në gjendje të bëjnë shumë më mirë se ky grup përfundimisht i madh i krijuesve të shkatërrimit që kanë sunduar dhe plaçkitur për një kohë të gjatë dhe janë bërë miliarderë, kështu që kanë mundësi t`i mbjellin edhe flokët…

Mendoni se sa mund të ishin zbuluar në sektorin publik, elitën, policinë etj., do të kishin qenë në burg nëse të gjitha mediumet të kishin bërë punën e tyre, në vend që të bashkëpunonin realisht me këta kriminelë të korruptuar dhe në disa raste bisha të rrezikshëm, sepse po të kontaktosh me median e ligët do të përballesh me një ngurrim të dhunshëm.

Të gjithë ata që qeverisin janë të korruptuar (me përjashtim qeverisë së Kosovës; por në Kosovë opozita është e korruptuar dhe antikombëtare). Ata janë më të rrezikshmit e vendit.

I gjithë peizazhi politik përbëhet nga politikanë të pakualifikuar. Ka qenë kështu për shumë vite dhe është përkeqësuar në mënyrë dramatike me kalimin e viteve.

PS: Letrën e shkrova brenda 15 minutave. Jam në punë dhe i shfrytëzova këto minuta të pushimit.

Përshëndetje të veçantë themeluesve të portaleve (gazetave) kombëtare që i botojnë letrat e mia: https://www.botasot.info/, https://www.voal.ch/, https://www.zemrashqiptare.net/Zemra.html

https://www.drini.us/

Kalofshi mirë. Respekt për ju, Aurel Dasareti

NJË THËNIE ME DOMETHËNIE E MESIÇIT* Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

“Marrëveshja për Konfederatën Jugosllave do të jetë e mundshme vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb.”
Kjo është thënie e Stipe Mesiçit, e shqiptuar në dhjetor të vitit 1990, të cilën e kam shënuar saktësisht atëherë dhe e sjell këtu fjalë për fjalë, gërmë për gërmë, pikë për pikë e presje për presje. Para se të kem zgjeruar vetë thënien e Mesiçit, do kthyer në zhvillimet e mëvonshme të derisotme.

Stipe Mesiç në atë kohë ishte nënpresident dhe pak ditë më vonë do të fillonte detyrën e presidentit të Jugosllavisë, i fundit para shpërbërjes së federatës. Më herët ai kishte qenë gjyqtar, kryetar bashkie, nënkryetar i parlamentit krotat, kryeministër i Kroacisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kroacinë e pavarur do të ishte kryetar i parlamentit, kryetar i Partisë së Kroacisë së Pavarur, më vonë Partisë së Popullit. Pas vdekjes së Tuxhmanit do të ishte dy mandate (10 vjet) president i Kroacisë, duke qenë gjatë gjithë kohës në krye të sondazheve si politikani më popullor i Kroacisë.

Domethënia kuptimplotë e thënies së Mesiçit, saktësia e përkufizimit që Mesiçi ia bën nacionalizmit serb, mjerisht u provua dhe u vërtetua në gjithë periudhën e mëvonshme deri në çastin kur unë jam duke i hedhur këto radhë.

Mesiç i thoshte fjalët e mësipërme në përgjigje të interesimit të gazetarëve nëse ishte e mundur që Jugosllavia të mbijetonte duke u shndërruar në konfederatë, pra në një bashkim të republikave të pavarura, një projekt ky që tashmë tingëllonte vetëm si nostalgji utopistësh të sëmurë.

Qysh në vitet e fundit të jetës të Titos ishte pranuar botërisht se Jugosllavia ishte brejtur në themel nga përplasja mes nacionalizmit serb dhe nacionalizmave republikane. Në kundërpërgjigje të nacionalizmit serb pranohej se ishte ngjallur nacionalizmi sidomos në udhëheqjet e republikave, në elitat e tyre, në intelektualët dhe në masën e rinisë. Kur Mesiç e shqiptonte thënien e lartshënuar, Millosheviçi kishte rreth dy vjet në krye të Serbisë, ia kishte hequr në mars 1989 autonominë Kosovës, duke prishur përfundimisht baraspeshat e konfederatës të krijuara nga Tito. Revanshi nacionalist serb me në krye Millosheviçin ndaj pjesëtarëve të tjerë të federatës kishte nisur pikërisht në Gazimestan më 28 qershor 1989, në shënimin e 600 vjetorit të humbjes së Betejës së Kosovës përballë Osmanëve, me pjesëmarrjen e 1 milion serbëve. Aty kishte lindur edhe sllogani i hedhur nga Millosheviçi se ku ka serbë i thonë Serbi, aty kishte filluar maratona e trenave plot nacionalistë serbë nëpër gjithë territorin e federatës, kishte filluar mbushja e stadiumeve, e shesheve me tubime nga ato që mund të jenë parë vetëm tek fashistët e Musolinit dhe nazistët e Hitlerit në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930.

E pra, çdo logjikë normale, do të thoshte se orekset e nacionalizmit serb, duke pasur nën zotërimin e tyre një hapësirë sa rreth 40% e sipërfaqes së Jugosllavisë, do të ndiheshin të kënaqura.

Mbretëria Serbe, më vonë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, pastaj Mbretëria Jugosllave e, në fund, Republika Federative Jugosllave, siç provoi koha, ishte një gjeopolitikë e sajuar, ishte një krijesë artificiale e Evropës së Vjetër, në trysninë dhe për hatrin e Rusisë. Kjo miniperandori do të ushqente idenë e Serbisë së Madhe dhe nacionalizmin përkatës, me orekse të pangopshme. Kjo do të sillte dukurinë famëkeqe të “ballkanizimit”, do të sillte serbocentrizmin në trajtimin e rajonit nga ana e Evropës dhe bashkisë ndërkombëtare, pra vënien e interesave serbe në qendër të vëmendjes në dem të interesave të fqinjëve të tyre, madje duke i flijuar këto interesa.

E arnuar si mos më keq nga pjesë të mbetura të Perandorisë Austro-Hungareze, qytetarët e të cilës e ndienin evropianë, si dhe me pjesë të mbetura të Perandorisë Otomane, sajesa artificiale e krijuar nga dy Frankenshtajnë – Evropa e Vjetër dhe Rusia, do të ishte një koniunkturë dyshekullore në duart e serbëve, e financuar nga Lindja dhe Perëndimi. Edhe në periudhën e Titos, serbët arrinin të mbajnë në duart e tyre forcat e armatosura, pra ushtrinë, policinë, shërbimet inteligjente. Në fund të viteve 1980 ata kishin në duart e tyre makinerinë jugosllave të luftës, një nga më të shtrenjtat e kohës. Kjo makineri pothuaj gjatë gjithë viteve 1990 do të përdorej kundër kombeve fqinje – kryesisht kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Kroatët – 12 shekuj katolikë, ndër ta Mesiçi, e ndienin dhe e ndiejnë veten evropianë dhe vendin e tyre Evropë gjatë gjithë kohës, aq sa serbët – 11 shekuj ortodoksë e ndienin dhe e ndiejnë veten shumë më afër rusëve dhe Rusisë.  Kjo kundërthënie kaq e pazgjidhshme do të ishte në qendër të shpërbërjes përfundimtare të federatës së mbisunduar nga serbët. Pamundësia për marrëveshje me serbët do të ishte dhe do të jetë në qendër të destabilitetit që ende vazhdon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht, nacionalizmi më i fuqishëm, i përftuar si pasojë e drejtpërdrejtë e nacionalizmit serb, do të ishte nacionalizmi kroat, i cili do ta gjente veten tek Franjo Tuxhmani, presidenti i çlirimit të Kroacisë dhe konsolidimit të saj shtetëror. Duke folur për presidentin nacionalist kroat Tuxhman, Mesiç thotë se ai ishte ‘udhëhequr nga ideja se kur Millosheviçi rrëmbente një pjesë të Bosnjës, atëherë edhe Kroacia duhej ta rrëmbente një pjesë të saj.

Kroacia do të ndeshej e para me makinerinë serbe të luftës dhe do të shndërrohej në shkollë edhe për disa nga komandantët dhe luftëtarët e shquar shqiptarë, në krye të luftës për liri disa vite më vonë në Kosovë.

Nacionalizmi shqiptar, në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të figuronte si nacionalizmi më i goditur, si gjatë gati një shekulli në Jugosllavi, ashtu edhe gjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri. Në Jugosllavi u ushtrua genocid sistematik ndaj çdo shfaqjeje të nacionalizmit shqiptar. Për këtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, u përdorën edhe partizanët e Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Fat do të ishte që nacionalizmi shqiptar i ditëve tona do të formulohej nga Ibrahim Rugova, me prejardhje të mirëfilltë nacionaliste shqiptare, Rugovës i ishin vrarë nga partizanët serbo-malazezë gjyshi Rrustemi dhe babai Uka, me të cilin nuk u pa kurrë dhe nuk e njohu kurrë, sepse e la në barkun e nënës. Rugova do të zgjidhte rrugën paqësore të kundërshtimit ndaj serbomëdhenjve dhe do të përcaktohej për Kosovën e pavarur dhe sovrane, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbi bazën e këtij vizioni, oreksi i nacionalizmit shqiptar do të ndjehej i përmbushur me konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me realizimin e statusit shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët e Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës e të tjerë, të cilëve t’iu njihen të drejtat e pakicave kombëtare, sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian.

Antonomia midis kroatëve dhe serbëve, siç e pamë, do të ishte një antonimi e plotë. Ndonëse sllavë të jugut, ata përbënin dy kultura të ndryshme, e para vinte si kulturë dhe qytetërim i mirëfilltë evropian, e dyta vinte nga përvoja bizantine dhe postbizantine (otomane), pra përfaqësonte kulturën më të sofistikuar aziatike.

I njëjti këndvështrim vlen për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Serbisë dhe shqiptarëve. Kjo u provua edhe gjatë dy shekujve të fundit. U provua edhe gjatë dy-tre dekadave të fundit sidomos në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Në të njëjtin këndvështrim do parë edhe situata aktuale e përpjekjeve të Brukselit për të bindur Serbinë të nënshkruajë me Kosovën një marrëveshje të hartuar nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje i detyron të dyja palët barabar t’i përmbahen fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, duke respektuar ndërsjelltas pavarësinë dhe sovranitetin, çka është në të mirë të të dy vendeve, përkatësisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në tërësi e veçanërisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë e në Serbi.

Zyrtarët dhe analistët evropianë dhe perëndimorë pranuan se Beogradi nuk e nënshkruan marrëveshjen për shkak të presionit të kishës ortodokse serbe dhe të nacionalistëve serbë. Kështu pranohet se nacionalizmi serb është nacionalizëm i frymëzimit fetar. Ndërkohë që dihet se nacionalizmi me frymëzim fetar është një ndër rreziqet më të mëdha të kohës sonë. Pra, këtë nacionalizëm e udhëheq dogma fetare. E udhëheq edhe dogma e përpunuar nga shkenca serbe. Dihen platformat e prodhuara nga kjo akademi, sidomos në dëm të shqiptarëve. Dihen edhe elaboratet famëkeqe të Cubrilloviqit, Andriqit e të tjerëve, analistët perëndimorë edhe sot citojnë thënien e një ish kryeministri serb, Vlladan Gjoergjeviqit se shqiptarët “kanë bisht si majmunët dhe kur i zë nata në pyll, ngjiten në pemë, e lidhin bishtin në degë dhe flenë”.

Në fakt, në fuqi në Beograd janë pikërisht dy parti nacionaliste. Partia e Sheshelit – nacionaliste e djathtë, ka presidentin e Serbisë, ndërsa partia e Millosheviçit, nacionaliste e majtë, ka kryeministrin e Serbisë, repsektivisht Nikoliqin dhe Daçiqin.

Mjerisht, asgjë nuk pritet nga këto parti të damkës së vjetër, aq sa nuk pritet nga një parti si ajo e Tadiçit, tashmë e Gjilasit. Asgjë nuk pritet as nga brezi më i ri i politikanëve të Serbisë, ndër të cilët, Vuk Jeremiq, i njohur si krahu i djathtë i Tadiçit.

Jeremiç, i datëlindjes 1975, me shkollim kryesisht perëndimor, në periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ka lobuar kundër njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë, Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut, Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi, Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri, Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo, në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane , në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë, Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit, Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega, Antonio Saka, Álvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo. Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër i Jashtëm i Serbisë.

Jeremiç, natyrisht, nuk ka si të krenohet me faktin se ai i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jepte mendimin ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë “një precedent”, sepse gjykata dha vendimin bumerang për Jeremiçin dhe Serbinë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i cënon ligjet ndërkombëtare.

Ishte hera e parë që një deklaratë pavarësia dërgohej në gjykatë. Dhe gjykata e shpalli opinionin e saj më 22 korrik 2010. Me një votim 10 me 4, ajo deklaroi se “deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk e shkeli ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, (1)sepse ligji ndërkombëtar nuk përmban ndalim të deklarimit të pavarësisë, (2) deklarata e pavarësisë nuk e shkeli as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa kjo nuk e përshkruan statusin përfundimtar të Kosovës, (3) as vetë Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes vendimin për statusin përfundimtar.”

Në vend që Jeremiçi dhe vetë qeveria e Tadiçit të jepnin dorëheqjen e menjëhershme për këtë humbje të rëndë, atyre iu hodh varka e shpëtimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare me Rezolutën për Kosovën të 9 shtatorit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutë që ia linte Bashkimit Evropian pajtimin e palëve, pra Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e mënyrës së zbatimit të planit Ahtisari, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe ishte bazuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Me përkrahjen e Rusisë, Kinës, shumicës së vendeve në zhvillim dhe një numri të vendeve perëndimore, i kundërshtuar nga vendet kryesore perëndimore, Jeremiç arrit të zgjidhet kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, detyrë të cilën e filloi në shtator të vitit 2012. I pyetur se a do të lejonte anëtarësimin e OKBsë në Kosovë gjatë mandatit të tij në OKB, Jeremiç deklaroi se pa kaluar mbi trupin e tij Kosova kurrë nuk do të anëtarësohet në OKB.

Serb nga babai, boshnjak nga nëna, ortodoks nga babai, mysliman nga nëna, Jeremiç duket se e vuan çmendurisht dyzimin e tij, saqë nuk njeh skrupuj në shërbimet ndaj projekteve të çmendura nacionaliste për Serbinë e Madhe.

Pak muaj pasi ka filluar detyrën në Pallatin e Qelqtë, Jeremiç ka futur në përmbyllje të koncertit të Vitit të Ri në Kombet e Bashkuara këngën e paraqitur si ‘Marshi i Madh i Paqes’, i kënduar nga kori serb ‘Viva Vox’, i cili ishte në fakt një himn serb, i titulluar ‘Marshi për në Lumin Drina’ i kënduar nga ultranacionalistët serbë gjatë luftërave të viteve 1990. Më 15 janar Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës Veriore postonte një letër të hapur në ueb-faqen e vet për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në të përfshiheshin nënshkrimet e liderëve të Institutit për Hulumtimin e Gjenocidit, të Këshillit Konsultativ për Bosnje dhe Hercegovinën dhe të Institutit Boshnjako-Amerikan për Gjenocid dhe Qendrës Edukative. Në letër thuhej: “Koncerti ishte një ofendim skandaloz i viktimave të gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, sepse orkestra interpretoi këngën famëkeqe dhe nacionaliste serbe “˜Marshi në lumin Drina’. Gjenocidi që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Zepa, si dhe në pjesë të tjera të Bosnje e Hercegovinës, është kryer nga agresorët serbë, të cilët këndonin këtë këngë, derisa kryenin dhunimet, vrasjet dhe bënin spastrimin etnik të popullatës joserbe.” Sapo mori vesh të vërtetën për këngën e futur kontrabandë nga Mesiçi, e cila nuk ishte as në listën e programit zyrtar, nxiti zëdhënësin e Ban Ki Munit  që të shprehte keqardhjen.

Por skandali më i madh i Jeremiçit në Kombet e Bashkuara është organizimi këto ditë i debatit për rolin e Tribunalit të Hagës, ku praktikisht Jeremiçi, Nikoliqi e Mërkiqi vënë Hagën në bankën e të akuzuarit, ku madje Nikoliqi e konsideron inkuzicion Gjykatën Ndërkombëtare kundër Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Njerëzimit në ish Jugosllavi. Nuk ka pranuar të marrë pjesë presidenti i Tribunalit Theodor Meron, i cili e ka kritikuar debatin duke thënë se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”. Debati do të bojktohej nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet kryesore perëndimore.

Të nesërmen pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i ditës së djeshme për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në një polemikë “çekuilibruar” dhe “nxitëse” e përsëriste edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker: “Debati ishte një mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm punën e Tribunalit të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të Bashkuara. Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin parasysh përpjekjet për të sulmuar Tribunalin e Hagës.

Fakte të tilla nuk mund të mos përforcojnë bindjen se nacionalizmi serb është i vetmi nacionalizëm revanshist në rajon e më gjerë. Të gjithë nacionalizmat e tjerë i kanë përmbushur ose përkufizuar kënaqshëm objektivat e tyre. I vetmi nacionalizëm që nuk mund të parashikohet as në synimet, as në mjetet, as në skrupujt është nacionalizmi serb.

Rruga e integrimit të Serbisë dhe të serbëve në Evropë dhe në Perëndim është një formë e drejtë edhe për paqësimin dhe përparimin afatgjatë të rajonit e të kontinentit. Kjo nuk do të thotë që integrimi me çdo kusht i tyre t’i vonojë apo t’i mbajë peng si deri sot fqinjtë e tyre. Fakti është se Serbia, nëpërmjet Republikës Serbe, po e mban të paralizuar Bosnjën, duke ia mohur çdo perspektivë asaj. Fakti është se Serbia, nëpërmjet pranisë së saj të shtrirë në formë metastazash, po e mban gjithnjë e më të paralizuar Kosovën. Një autonomi e veriut të Kosovës do të ishte rrënim i Kosovës.

Me rastin e refuzimit nga Beogradi të nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Brukseli për fqinjësinë me Kosovën, shumë analistë dhe zyrtarë perëndimorë shfaqën mendimin se Serbia mund ta nënshkruajë marrëveshjen vetëm nën diktat dhe se këtë diktat nuk mund ta ushtrojë Bashkimi Evropian, mund ta ushtrojnë vetëm Shtetet e Bashkuara, prandaj procesin duhet të marrin në dorë Shtetet e Bashkuara.

Shumë analistë, ndërkohë, me të drejtë, shprehen se Serbia nuk është serioze në zbatimin e marrëveshjeve, edhe kur i nënshkruan ato, ashtu si ka ndodhur me marrëveshjet e pjesëshme të nënshkruara me Kosovën, ndonëse atje Kosovën e ka katandisur si mos më keq, me fusnotë.

Prandaj është e domosdoshme që Serbisë, përfundimisht, t’i vihet kusht sine qua non njohja e Kosovës së pavarur dhe sovrane, si pikënisje kryesore për hapat e mëtejshëm integrues të Serbisë në Evropë dhe në Perëndim, sepse çdo marrëveshje është e mundshme, siç thotë Mesiçi “vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb”.

*Ribotim. Është botuar për herë të parë më 14 prill 2013

30-VJET MË PARË ËSHTË INAUGURUAR KISHA E RINOVUAR NË HOT TË MALËSISË SË MADHE Nga Frank Shkreli

Malli për Atdheun – Trashëgimia e At Gjergj Fishtës – Tiranët do harrohen

Demokracia nënkupton harmonizim vullnetesh e qëllimesh

Ishte viti 1994. Ashtu siç kishte ndodhur me shembjen e komunizmit në vendet ish-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore, edhe në Shqipëri, më në fund, kishin filluar proceset demokratike. Me ndryshimet politike në vend në fillim të 1990-ave, vihej re edhe hapja e kishave, teqeve dhe xhamive – ente këto që ishin mbyllur ose shkatërruar dhe shumë prej klerikëve jan[ pushkatuar, burgosur ose dërguar në kampe përqendrimi — për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm – si pasojë e shpalljes së Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si shteti i parë ateist në botë në vitin 1967 – duke i shpallur luftë edhe Zotit. Njëra prej objekteve të para fetare që është rinovuar në Shqipëri me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan – ka qenë edhe Kisha e Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe. Autori ka qenë ftuar nga autoritetet kishtare të asaj krahine për të marrë pjesë në ianugurimin e asaj kishe në vitin 1994. Pason fjala e autorit, mbajtur me atë rast në Kishën Katolike të Shën Gjonit – e pa botuar deri më tani:

“Të nderuar klerikë, të dashur besimtarë. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithë ju pjesëmarrësve në këtë inaugurim të kësaj kishe të rinovuar pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Jam jashtzakonisht i kënaqur që gjëndem sot këtu në mesin tuaj me këtë rast të inaugurimit të Kishës së Shën Gjonit — Kishës së Hotit – ku për një kohë ka shërbyer si famullitar, i Madhi At Gjergj Fishta, i cili bëri të pavdekshme tiparet e Shqiptarit – ndërkohë që kujtojmë edhe bajraktarin e Hotit, Mulë Delinë me rastin e kthimit të eshtërave të tij nga mërgimi, që më në fund të pushojë këtu në Hot të Malësisë së Madhe.

Them se jam i kënaqur të jem me ju këtu sot se ndonëse kam vizituar Shqipërinë disa herë me delegacione zyrtare amerikane nga viti 1991, kjo është hera e parë që vizitojë këto anë të Shqipërisë. Jam shumë i përmalluar të vizitojë këto male, pasi jo larg prej këtu, pikërisht në Shkrel, e kam origjinën e familjes dhe të parëve të mi, e nënën nga Vermoshi.

Jam ardhë pra, nga brigjet përtej oqeanit Atlantik, nga trojet e Xhorxh Washingtonit dhe Thomas Xhefersonit, nga Amerika e madhe dhe e largët — strehuasja e të përbuzurëve dhe të shtypurëve – ku jo vetëm mua por edhe mijëra shqiptarë të tjerë, shumë edhe nga Hoti, nga dëboi tufani i egër i komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik. Kemi ardhur dhe jemi mbledhur këtu me ju nga Amerika mike e shqiptarëve për tu thenë këtyre burrave e burrneshave shqiptare në varrezat përjashta: lëkundni eshtrat, çojeni kokën dhe hapni sytë për të parë, mos kini frikë! Gëzonju se ende ka shqiptarë. Emërat e tyre janë të shkruar, jo vetëm në zemërat tuaja, por kujtimi i tyre i kapërcen kufijt e Shqipërisë dhe mbërrin deri në Amerikën e largët.

Dëshmi e kësaj është prania e shumë shqiptarëve këtu të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Për shqiptarët e Amerikës dhe shqiptarët e tjerë jasht Atdheut, për pothuja 50-vjetë shkëputje nga trojet tona – ishte Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës që na mbante të lidhur me Shqipërinë dhe ajo që na ndihmoi të ruanim sadopak thesarin kombëtar, gjuhën, historinë, kulturën dhe karakterin. Fjalët e Fishtës qëndrojnë si shtyllë drite për breznitë e tashme dhe të ardhëshme. Veprat e tij venë në dukje shkëlqimin e trashëgimisë stërgjyshore të shqiptarit.

Në këtë periudhë të vështirë të tranzicionit nga komunizmi në demokraci – për të gjithë shqiptarët sot duhet të shë ndrisin figurat historike të Lahutës së At Gjergj Fishtës në Rrëzhanicë e në Deçiq – ashtuqë të vihet në pah përsëri vet-mohimi i Patër Gjonit, guximi e burrëria e Ded Gjo’ Lulit, e po edhe fisnikëria dhe trimëria e Tringës.

Do të harrohen tiranët dhe veprat e tyre. Do harrohen ata që tretën edhe eshtrat e Gjergj Fishtës, por shqiptari kujton sot dhe do të kujtojë gjithmonë bijat dhe bijtë e sajë të denjë. Kujtimi i tyre do të frymëzojë breznitë e reja kah veprat e mira e të mbara sepse qëllimi i tyre dhe bashk-kohësve të tyre ishte vetëm që Shqipëria të vazhdonte në atë rrugë të ngadalshme e të vështirë, por kurrë të ndërprerë të qytetërimit perendimor, sipas traditave më të shëndosha të Kombit. Ata nuk dëshironin që Kombi shqiptar të futej në një rrugë zhdukjeje e të gjithë vlerave dhe pasurive kombëtare me qëllim për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, në bazë të një ideologjie barbare sllavo-komuniste. Të fat të keq, shumë bijë e bija të Malësisë së Madhe kanë renë martir në mbështetje të demokracisë. Pjesëmarrja juaj sot këtu dëshmon se shpirti i tyre nuk është shëndrruar në një ankesë të kotë, ose në një shpirt vëllavrasës. Por, përkundrazi, dëshmon se ajo frymë vazhdon të jetë ndërtuese e një ndërgjegjeje kombëtare me mendime e caqe të mprehta dhe me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi të shqiptarëve.

Zonja e Zotëri, askush nuk pohon se demokracia është një sistem i lehtë qeverisjeje, siç është shprehur dikur Vinston Çurçilli. Fjala demokraci nënkupton pjesëmarrje e njerëve të lirë në proceset demokratike. Për më tepër, nënkupton njerëzillëk, respekt dhe tolerancë ndaj mendimeve të njëri tjetrit, sado të kundërta të jenë ato, e jo pështjellim ideshë e panjerzi sjelljesh. Demokracia kërkon hamonizim vullnetesh e qëllimesh nepërmjet diskutimesh të lira e të kthiellta. Demokracia nuk duron që të ngujohemi në “kullat” e ideve tona, duke mos u hapur dritaren ideve të ndryshme dhe qëndrimeve të tjerëve, me qëllim arritjen e objektivave për të mirën e përbashkët.

Kur mendoj për Shqipërinë, e mendoj mbushë me luftëra e përpjekje gjithmonë për mbijetesë, si një vend me histori të lashtë, të vështirë por edhe të lavdishme, me një potencial për një të ardhme madhështore. Mendoj për falëtoret që do të ndërtohen e rindërtohen siç është kjo Kisha e Shën Gjonit që po inaugurohet sot këtu në Hot. Mendoj për brezat e rinjë të shqiptarëve, të cilët pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste, me punën e tyre, shpresojnë në premtimet dhe në realizimin e endërrave që sjellë liria dhe demokracia.

Unë besoj se demokracia e re shqiptare — megjithë vështirsitë fillestare që janë kryesisht, pasojë e komunizmit barbar sllavo-aziatik – do të jetë aq e fortë dhe e qendrueshme sa ishte kjo kishë që po ripërtrihet sot – e të cilën ideologjia komuniste enveriste mendonte se do ta zhdukte jo vetëm si ndërtesë,por edhe si institucion.

Zonja e Zotërinj, uroj që të bëhemi të denjë të kujtimit të At Gjergj Fishtës (i cili thuhet se ka shërbyer në këtë kishë për një kohë) dhe i të gjithë atyre patriotëve që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike – dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit që ky vend, më në fund, të gëzojë lirinë, sot për ju e nesër për pasardhësit tuaj – për një të ardhme më të mirë të mbarë Kombit shqiptar.

Konsideroj se tranzicioni politik nga komunizmi në demokraci do të jetë një moment historik për Shqipërinë dhe për shqiptarët — që pas një gjysëm shekulli komunizëm, më në fund, të kthejnë vëmendjen e tyre kah traditat, vlerat dhe të shfaqin rishtas — ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — bashkimin, besën dhe vëllazërimin me njëri tjetrin, me shpresën që t’i sjell Kombit shqiptar agime të reja për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.

Ceremonia e sotëme e inaugurimit të kësaj kishe në Hot të Malësisë së Madhe duhet të jetë një dëshmi e fortë se njerëzimi gjithnjë ringjallet dhe ripërtrihet, ndërkohë që e mira, rishtas, triumfon mbi të keqën. Prandaj, sot në këtë vend dhe në këtë moment, me shpresë dhe me arsye mund të brohorisim me Plautus-in, (dramaturgun romak) se, “Victi, vincimus”: Megjithse të mundur, i kemi mujtë”.

Frank Shkreli

*Fjalim i pa botuar nga autori – mbajtur me rastin e inaugurimit (1994) të Kishës së rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë. Po botohet me rastin e 30-vjetorit të
Inaugurimit.

Autori duke mbajtur fjalimin e rastit në Kishën e rinovuar të Shën Gjonit
në Hot të Malësisë së Madhe pas shembjes së Murit të Berlinit, (21 Gusht 1994)

Në një festë fetare kujtoj Profesor Shefqet Ndroqin- Nga Elida Buçpapaj

Kam patur fatin të njihem me Prof Ndroqin si mjek dhe mik i familjes.

Sot do ta kujtoj në kontekstin e festës së Fiter Bajramit.

Prof.Ndroqi njihet ndryshe si babai i Pneumologjisë shqiptare, i dalluar prej viti 1945 për luftën kundër turberkolozit, minizimin e tij dhe më vonë kurimin e sëmundjeve të mushkërive, që pati në krah emra të shquar mjekësh si Prof.Dhimiter Lito, Prof. Sezai Agalliu, Prof.Elez Selimaj, Prof. Hektor Çoçoli, emra që do të nderonin klinikat më të famshme të botës. Veç kësaj, ky ekip i shkëlqyer akademikësh, me në krye Prof.Ndroqin, edukoi breza të tërë mjekësh dhe, prej 2008, Spitali Universitar mban emrin e tij.

Prof.Ndroqi ishte një tiranas dok, njeri i kulturuar, i civilizuar, studimet i kishte përfunduar në Francë, i nderuar me medaljen Kalorës i Urdhrit të Palmës Akademike të Francës dhe i propozuar për titullin e lartë të Legjioni i Nderit.

Për veprimtarinë e tij shkencore dhe humaniste Prof.Ndroqi nuk do të harrohet kurrë, por unë po e kujtoj sot kur festohet Fiter Bajrami.

Përse do të thoni ju.

Sepse shoh se në rrjetin social kjo festë fetare urohet periodikisht me foto që mbajnë mbishkrime dhe hieroglife arabe deri tek emoji me simbole islame.

Myslimanizmi shqiptar është unik brenda idientitetit europian shqiptar.

Në vitin 1991, kur regjimi diktatorial ndihej shumë i friksuar dhe pa të ardhme, diktatori i fundit Ramiz Alia i hapi burgjet për të burgosurit politikë dhe, po ashtu, lejoi besimin fetar, por pa kërkuar kurrë falje as për krimet kundër njerëzimit dhe as për luftën ndaj përfaqësuesve të fesë, të burgosur, të pushkatuar dhe të masakruar.

Pikërisht në këtë moment, për të mos lejuar që myslimanizmi shqiptar të përzihej me islamizmin arab dhe sektet fondamentaliste të tij, Dr.Shefqet Ndroqi u kujdes personalisht për organizimin e besimit mysliman në Shqipëri.

Ishte fat që një njeri si Prof.Ndroqi, i edukuar dhe shkolluar në Perëndim dhe me rrënjë qytetare tiranase t’i kushtohej këtij misioni kaq të rëndësishëm, pikërisht duke u druajtur nga interferimet fanatike arabe, të cilat e cënonin integritetin e myslimanizmit shqiptar.

Për herë të parë Kuranin, këtë libër të shenjtë, unë e mora në duar si dhuratë nga Prof.Ndroqi dhe e lexova shqip, sikur edhe Biblën që po ashtu kishte filluar të shpërndahej në gjuhën e bukur shqipe.

Pra, Prof. Shefqet Ndroqi, për të shmangur trushplarjen, u mor personalisht me Kuranin, që Libri i Shenjtë të vinte në Shqipëri në gjuhën shqipe dhe t’ju shpërndahej besimtarëve.

Ne jemi shqiptarë, populli më tolerant sa i përket besimeve fetare, me një harmoni religjioze shembullore për gjithë botën. Myslimanizmi shqiptar është kombëtar, element i shqiptarizmës që nuk ka nevojë për arabishten, sikur edhe arabishtja nuk ka nevojë për shqipen. Secila gjuhë përdoret nga popujt e vet, edhe sa i përket liturgjive fetare apo konotacioneve festive. Shqipja, një gjuhë  indoeuropiane, nuk ka lidhje me arabishten që hyn në grupin e gjuhëve semite në familjen gjuhësore afro-aziatike, as hieroglifet nuk kanë asfare afërsi me gërmat tona shqipe. Lutjet ndaj Zotit tingëllojnë bukur shqip, sepse jemi shqiptarë.

Nëse sot do të ishte gjallë, Prof.Shefqet Ndroqi natyrisht që do të alarmohej kur të shihte shqiptarët si këmbejnë urimet me sloganë arabisht dhe jam e sigurt se do të fillonte një lëvizje që të ndalej ky shpërfytyrim.

Prof. Shefqet Ndroqi lindi në Tiranë më 1912 dhe u nda nga jeta në 2001, pra ishte rreth 80 vjeç kur u mor vetë personalisht me institucionalzimin e fesë myslimane në Shqipëri, menjëherë pas rrëzimit të diktaturës.

Dhe gjëja e parë që bëri ishte që libri i shenjtë i myslimanëve shqiptarë, Kurani, të ishte në gjuhën shqipe, që shqiptarët ta kuptonin lutjen dhe t’i luteshin Zotit në gjuhën e bukur amtare, e njëjta detyrë edhe për përfaqësuesit fetarë.

 

 


Send this to a friend