…pasi e lexova një artikull nga Prof. Ksenofon Krisafi – “U bëmë apo na bënë?” (publikuar në gazetën Dita, unë iu qasa në Albspirit), po jua nis këtë si “shtojcë-materie”, si materie përplotësuese rreth tematikës së shkrimit të Prof. Krisafit do ishte mirë t’i materies dhe kjo pjesëza nga libri i amerikanit Jacob Schurman, “Luftërat Ballkanike: 1912-1913″… meqë nga Profesori në shkrimin e vet janë përmendur qëndrimet e shumë kokave atëbotë të qarqeve evropiane (qëndrimet e tyre rreth shtetit shqiptar), do ishte mirë t’mos harrohet as qëndrimi i personaliteve amerikane atëbotë rreth shtetformimit shqiptar, pasi Jacob Schurman ishte prezent atëbotë në skenën ballkanike, Ambasador i ShBA në Greqi pikërisht gjatë periudhës së Pavarësisë shqiptare, ishte akademik dhe diplomat amerikan, pati shërbyer si President i Universitetit Cornell për pothuaj 3 dekada, plot 28 vite (1892-1920), përveç punëve “universitare” ishte i angazhuar dhe si diplomat, psh. pati shërbyer si Ambasador i ShBA në Greqi (1912-13), në Mal të Zi (1913), në Kinë (1921-25) dhe Ambasador i ShBA në Gjermani (1925-29) – në fund po e ngjes dhe shkrimin e Prof. Krisafit…
(s. guraziu)
– – –
Arbitraritet i paturpshëm – Kur ambasadorët e diplomatët i kapin penat e “historisë”!
(Senad Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2022 – dy-tri fjalë, diç si koment-parathënie)
Duke u marrë me materiale të ndryshme referenciale (lidhur me një shkrim në punë e sipër, rreth “protektoratit francez të Krahinës Autonome të Korçës, 1916-1920”), më ka rënë t’i shfletoj mjaft gjërash, ndër to dhe librin “Luftërat Ballkanike: 1912–1913”, 1916 – nga Jacob Schurman (1854-1942), pedagog dhe diplomat amerikan, pati shërbyer si President i Universitetit Cornell për pothuaj 3 dekada, plot 28 vite (1892-1920), përveç punëve “universitare” ishte i angazhuar dhe si diplomat, psh. pati shërbyer si Ambasador i ShBA në Greqi (1912-13), në Mal të Zi (1913), në Kinë (1921-25) dhe Ambasador i ShBA në Gjermani (1925-29).
Them se disa pena, disa komentues të “historisë”, disa autorë qoftë ndër artikuj qoftë nëpër librat e tyre, vërtet janë për keqardhje. Më shkoi mendja t’i shkëpus ca fragmente nga libri i autorit Jacob Schurman “Luftërat Ballkanike: 1912–1913” dhe t’i ndajë me ju. Sepse ashtu më lehtë, s’do ketë nevojë as për komente as për argumente. Sepse vërtet “arbitraritet” qesharak dhe i ulët autorial, aq sa madje për keqardhje.
Derisa serbët, malazezët, bullgarët, grekët, si aleatë të “krishterë” kundër Turqisë, autori Schurman i ngre në qiell me atributet pozitive dhe të simpatisë, për shqiptarët (e sidomos nëse “muhamedanë” të prapangelur, të shtypur e të shkelur) ai e shpalosë “antipatinë” më të pandershme, komenton për historinë aq padenjësisht!
I lavdëron serbët për pushtimin heroik të tokave shqiptare deri në Adriatik, i lavdëron grekët për pushtimin e Shqipërisë në “jug”, i shan diplomatikat austro-hungareze dhe ato italiane, sipas tij malazezët do duhej ta mbanin dhe Shkodrën për vete, kompenzimi me Kosovën dhe me trojet tjera etnike ishte “pak” po aq sa dhe “turpërim” për lavdinë, për heroizmin e Serbisë…
Nuk i harron viktimat e ushtrive sllavo-aleate, gjakderdhjen e ushtrive, kostot e luftës ballkanike, padrejtësitë e Fuqive të Mëdha me ndryshime papritur të “kursit” të politikave… por psh. madje as “shkitazi” s’i përmend masakrat e ushtrisë serbe ndaj popullatës shqiptare. Përkundrazi, derisa duke fituar betejën kundër Turqisë, Serbia e “merr hakun” e betejë-Kosovës së dikurshme, sipas autorit Schurman, disfatën e para 500 viteve Serbia tashmë e kthen në Lavdi të përjetshme, ja pse zhbërja “kombëtare” e shqiptarëve duhej të kishte ndodhur, sepse ata s’dinë as si krijohet shtetësia, as si organizohet kombi, as si qeveriset shteti, Serbia thjesht e meritonte tokën e tyre me gjithë Adriatikun.
Ajme, ç’të thuhet, “histori” se jo shaka, President Universiteti për 3 dekada të tëra, diplomat, “shkëlqesi ambasador-iale”, penë e denjë autoriale, komenton për “historinë” ballkanike, jo nga larg por duke qenë dhe vetë “prezent”, duke parë me sytë e vet si diplomat sa në Greqi, në Shkup, në Mal të Zi, boton pastaj libra në kohën kur sytë e kombit shqiptar ende “pa dritën” e mirëfilltë, pllakosur nga errësira dhe mjerimi disashekullor, shkelur e shtypur nga zezona e perandorisë aziatike…
(më poshtë fragmente nga: “Luftërat Ballkanike: 1912–1913” )
|…|
Shqiptarët, ndonëse më tepër i kundërshtuan sesa i ndihmuan aleatët [ serbët, bullgarët, malazezët dhe grekët – shën im ] në luftën kundër Turqisë, u bënë një komb i pavarur nga Fuqitë e Mëdha me nxitjen e Austro-Hungarisë dhe me mbështetjen e Italisë. Përcaktimi i kufijve të shtetit të ri ishte rezultat i forcave konfliktuale të politiko-koncertit evropian. Derisa Shkodra në veri, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë iu dha Shqipërisë, ndikimi rus ishte mjaft i fortë të siguronte për Serbinë dhe aleatët qendrat shqiptare të Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe të Dibrës në lindje.
Ky ishte një lloj kompensimi për Serbinë rreth humbjes të daljes në Adriatik, në kohën kur lufta mes aleatëve ishte e destinuar aq shumë t’i zgjeronte territoret e Serbisë (kjo humbje, e Adriatikut – shën. im) nuk ishte parashikuar. Por derisa në këtë mënyrë shqiptarët përjashtoheshin nga territoret e shtetit të ri në veri dhe lindje, ata u kompensuan me diç që nuk përputhej në jug, me shtrirjen e pajustifikueshme në Epirin e Veriut, popullsia e të cilit territor është kryesisht greke.
Pozita e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë së Re u imponua prej Fuqive të Mëdha, imponim i arritur me qëndrimin e Italisë. Gjatë luftës së parë grekët e kishin pushtuar Verio-Epirin, ose Shqipërinë e Jugut deri në veri, si një vijë e tërhequr pakëz mbi Himarën në bregdet, dhe tutje në lindje drejt liqenit të Prespës, në mënyrë që Tepelena dhe Korça të përfshiheshin në zonën greke. Por Italia kundërshtoi, me pretekstin se pushtimi grek i territorit në dy anët e ngushticës së Korfuzit do ta kërcënonte kontrollin e Adriatikut. Italia këmbënguli që kufiri greko-shqiptar duhej të fillonte nga një pikë në bregun përballë pjesës jugore të ishullit të Korfuzit. Në përputhje me rrethanat, Greqia u detyrua ta evakuonte pjesën më të madhe të territorit që e kishte pushtuar mbi Janinë. Dhe Shqipëria më pastaj u përpoq të ushtronte juridiksionin mbi këtë territor.
Mirëpo “shtetësia” e Shqipërisë është e vështirë. Sepse, edhe pse Fuqitë e Mëdha ua kanë “instaluar” një sundimtar – Princin gjerman Wied – shqiptarët s’kanë shtet të organizuar. Shqiptarët janë njëra ndër racat më të vjetra në Evropë, në mos më e vjetra. Por ata kurrë s’kanë krijuar ndonjë shtet. Dhe sot e kësaj dite janë pa shpresë të ndarë e të përçarë. Është një vend i kundërshtisë universale – veriu kundër jugut, fisi kundër fisit, beu kundër beut. Shumica e popullsisë janë muhamedanë, por ka dhe mjaft romano-katolikë në veri, dhe në jug mbizotëron Kisha Ortodokse Greke. Banorët e veriut, të cilët quhen gegë, janë të ndarë në fise të shumta, preokupimi kryesor i të cilëve është lufta me njëri-tjetrin nën një sistem gjakmarrjesh të vazhdueshme dhe hakmarrjesh të pashuara.
Në jug nuk ka fise por populli, i njohur si toskë, jeton nën magnatët territorialë të quajtur bej, të cilët praktikisht janë sundimtarë absolut të rretheve të tyre. Vendi në tërësi është një farë-përzierje e çuditshme e mbijetesave në kushte primitive. Dhe s’është vetëm vend pa art e letërsi, por s’ka as prodhimtari, tregti apo dhe as bujqësi. Nuk është çudi që grekët e Epirit të ndihen të indinjuar nga fati që Fuqitë Evropiane ua kanë imponuar – shkëputjen nga djepi i tyre i qytetëruar dhe i krishterë dhe t’u nënshtrohen ndikimit të muhamedanëve barbarë që e pushtojnë Shqipërinë. As s’është për t’u habitur që, meqë ushtritë helene e kanë evakuuar Epirin e Veriut në përputhje me dekretin e Fuqive të Mëdha, banorët e rrethit nga Santi Quaranta e deri në Korçë po e shpallin pavarësinë e tyre dhe po i luftojnë shqiptarët që përpiqen t’i fusin në zgjedhë.
E ardhmja e Shqipërisë është përplot pasiguri. Megjithatë, shteti nuk krijua për shqiptarët, të cilët, përveç tjerash, s’janë në gjendje ta administrojnë apo ta mbajnë atë. Shteti u krijua për interesa të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Këto fuqi, ka të ngjarë dhe ta formësojnë të ardhmen e Shqipërisë.
|…|
( lavdia dhe “hakmarrja” shekullore serbe )
|…| Ushtritë serbe përparuan përmes Serbisë së vjetër në Maqedoninë veriore dhe qendrore. Me fitoren e tyre të madhe ndaj forcave turke në Kumanovë ata u hakmorën për disfatën e të parëve dikur në Kosovë, pesëqind vjet më parë |…| Territoret e pushtuara nga Serbia 55.000 milje katrore. Serbia u jep aleatëve të saj në lindje dhe jug 3800 milje katrorë. Serbia i jep Shqipërisë 15.200 milje katrorë. Serbisë i mbeten 36.000 milje katrore tokash të zaptuara |…| Padyshim “zhgënjimi” më i madh ishte shpërbërja e planeve të aleatëve (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi – shën. im) me krijimin e një Shqipërie të pavarur (nga Fuqitë evropiane). Kjo mbretëri e re (Shqipëria) u krijua nga “zëri” politiko-koncertal evropian me kërkesën e Austro-Hungarisë, mbështetur nga Italia |…| Doli politika austro-italiane e Shqipërisë së pavarur. Sa e natyrshme dhe thelbësore, siç ishte kjo politikë për Italinë dhe Austro-Hungarinë, ishte fatale për ëndrrën e Serbisë të zgjerimit në Adriatik |…| E detyruar nga Fuqitë e Mëdha t’i tërheq trupat e saj nga Shqipëria, pasi e kishin fituar triumfalisht rrugën e Adriatikut |…| Koncerti politik Europian ia zhbëri Serbisë çmimin e pritur të Shqipërisë me bregdetin e saj shumë të dëshiruar të Adriatikut |…|
( guximi, shkëlqimi dhe burrëria malazeze )
|…| Ushtarët trima të mbretit Nikolla, sundimtarit të shquar të shtetit të vetëm ballkanik (Malit të Zi), të cilin turqit s’e pushtuan kurrë, po i jepnin goditje vdekjeprurëse armikut si në Novi Pazar ashtu dhe në Shqipëri |…| I pashë nga hoteli im në Shkup 15.000 ushtarë malazezë, të cilët kishin mbërritur vetëm një ose dy ditë më parë me tren nga Mitrovica, ku kishin marshuar nëpërmjet Novi Pazarit. Të gjatë, të zhdërvjellët, të guximshëm, me fytyra që tregonin jetë të pastër, dukeshin si trupa të shkëlqyer njerëzish që s’i gjenë kund në botë, figurat e tyre komanduese dhe qëndrimi burrëror ishin vënë në avantazh të madh nga uniformat e mrekullueshme dhe piktoreske |. ..| Mali i Zi gjithashtu e mori shpërblimin e vet me shtrirjen e territorit në jug deri në kufirin e Shqipërisë (siç e caktuan Fuqitë e Mëdha), dhe me një shtrirje akoma më të lirshme në lindje nga Sanxhaku e Novi Pazari. Kjo mbretëri patriarkale ndoshta do të mbetet e pandryshuar për aq kohë sa t’jetojë Mbreti aktual, Mbreti shumë i dashur Nikolla, një Atë vërtetë Homerik i Popullit të vet |…|
( kostot njerëzore dhe materiale te aleatëve )
|…|Luftërat ballkanike kanë qenë të përgjakshme dhe të kushtueshme. Ne kurrë s’do dimë për mijëra burra, gra dhe fëmijë që vdiqën nga mungesa e ushqimit, nga sëmundjet dhe masakrat. Por humbjet ushtarake, të vdekurit dhe të plagosurit ishin 11.200 për Malin e Zi, 68.000 për Greqinë, 71.000 për Serbinë, 156.000 për Bullgarinë, dhe për Turqinë po aq sa për Bullgarinë (dmth. rreth 160.000). Humbjet në “thesarin e kostove” ishin po aq kolosale sa ato të gjakut
|…|
– – – – – – – – – – – – më poshtë shkrimi nga Prof. Krisafi – – – – – – – – – – –
U bëmë apo na bënë?
Prof. Ksenofon Krisafi
Pavarësia dhe shteti shqiptar ishin rezultat i kontributit të faktorit vendas, i luftrave dhe i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për t’u shkëputur nga perandoria osmane dhe për të konstituuar shtetin e tyre. Por, ngandonjëherë kujdesi i tepruar për të afirmuar rolin e tij ka shkuar deri në ekstrem, deri në injorimin e faktorit të jashtëm.
E vërteta është se faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm, në një periudhë të caktuar historike, vepruan bashkërisht, interferuan te njeri-tjetri dhe sollën si rezultat daljen e Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht njohjen e saj nga aktorët kryesorë të skenës ndërkombëtare të kohës, që u realizua pikërisht nga Konferenca e Ambasadorëve e Fuqive të Mëdha, mbajtur në Londër, në dhjetor 1912- gusht 1913.
Në këtë optikë nuk mund të lihen mënjanë dhe pa vlerësimin e duhur edhe kontributet relative të diplomacisë ndërkombëtare. Nuk mund të mohohet fjala vjen se disa prej kancelerive europiane, nisur nga interesat e tyre, ndërmorën nisma për përkrahjen e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe mbështetjen e disa prej eksponentëve kryesorë të saj për shpalljen e pavarësisë, siç ndodhi p.sh. me Austro-Hungarinë.
Nuk mund të mohohen gjithashtu edhe veprimtaria dhe kontributet relative të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), të krijuar dhe të instaluar në Shqipëri nga Konferenca e Ambasadorëve, për organizimin e shtetit të pavarur shqiptar. U tha jo pa qëllim kontribute relative, sepse KNK ndërpreu ekzistencën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe veprimtarinë e saj. Ndërkohë që statusi dhe kompetencat veçanërisht të gjera që i ishin njohur KNK, përbënin një kufizim të ndjeshëm të sovranitetit të shtetit shqiptar, që tejkalonin së tepërmi precedentët e aplikuar nga diplomacia e Fuqive të Mëdha ndaj vendeve të tjerë, si Greqia apo Bullgaria gjatë shekullit të XIX.
Çështja nuk mund të gjykohet objektivisht nëse nuk pranohet bashkëveprimi ndërmjet faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.
Faktori ndërkombëtar nuk do të ishte aktivizuar dhe nuk do ta kishte marrë në shqyrtim çështjen shqiptare, nëse vetë shqiptarët, nëpërmjet kryengritjeve të vazhdueshme, veçanërisht në vitet 1910-1912, nuk do të kishin treguar se nuk pranonin më të mbeteshin pjesë e perandorisë osmane. Ata iu dëshmuan Fuqive të Mëdha se ishin një popull, që, si gjithë të tjerët, kishin aftësitë e duhura politike dhe organizative për të ngritur dhe mbajtur në këmbë shtetin e vet, çka e realizuan me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të 28 nëntorit 1912 dhe me veprimtaritë shtetformuese e organizuese që ndërmorrën në vazhdim.
Nga ana e vet segmente të caktuara të faktorit ndërkombëtar, robër të simpative të tyre ndaj fqinjëve të Shqipërisë, mbajtën qëndrime të rezervuara ndaj të drejtës së shqiptarëve për të pasur shtetin e vet, të organizuar në të gjitha hapësirat shqiptare. Por, ndërkohë nuk mund të gjykohej objektivisht për rolin dhe rëndësinë e faktorit vendas në raport me faktorin ndërkombëtar dhe anasjelltas, nëse skenari i zhvillimeve shqiptare do të përfytyrohej i zbatuar në kushtet e mungesës së reagimit, për aq dhe ashtu si ishte, të diplomacisë europiane për Shqipërinë e asaj kohe.
Më konkretisht çështja shtrohet në formën e pyetjes se çdo të ndodhte me Shqipërinë e pavarur, të shpallur nga Kuvendi i Vlorës, nëse Fuqitë e Mëdha dhe shtetet e tjerë, pjesëtarë të bashkësisë ndërkombëtare dhe fqinjët, do ta ndëshkonin përgjithmonë me bojkot dhe do ta shpërfillnin krijesën politike shqiptare të porsaformuar, duke mos e marrë në konsideratë?
A do të ishte e mundur që ajo të mbijetonte dhe a do të ishte në gjendje që, në kushtet e mungesës së njohjes ndërkombëtare, të konstituohej dhe të vazhdonte të ekzistonte si subjekt i së drejtës ndërkombëtare?
Në literaturën e huaj historiografike mbizotëron mendimi se shteti shqiptar ishte krijesë e diplomacisë europiane. Në këtë pikëpamje mund të ketë ndikuar edhe fakti që organizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, njohjen dhe afirmimin e tij ndërkombëtar, krahas Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, e morën në dorë edhe Fuqitë e Mëdha. Ato përcaktuan statusin politik të Shqipërisë, kufijtë e saj shtetërorë, si dhe përpunuan një kuadër juridik, që ngërthente aspektet kryesore të organizimit të një shteti shqiptar “eksperimental”.
Vendimi i 29 korrikut të vitit 1913, i cili nëpërmjet 11 neneve të tij, përveç pranimit të njohjes së një shteti të pavarur, neutral e me kufij të përcaktuar, shprehej edhe për çështjet e tjera të rëndësishme të organizimit të brendshëm, që nga caktimi në krye të shtetit të një princi të huaj, dërgimi i një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli, i cili do të kontrollonte administratën civile dhe financat e vendit dhe do të hartonte një projekt për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik nga një xhandarmëri ndërkombëtare etj.
Strukturimi i mekanizmit shtetëror në Shqipëri nga ana e Konferencës së Ambasadorëve ishte një tregues i dukshëm i “ndërkombëtarizimit” të skajshëm të punëve të saj të brendshme dhe monopolizimit relativ të marrëdhënieve me botën e jashtme. Në institucionet që do të krijoheshin, elementi vendas dallohej me vështirësi për shkak të rolit dekorativ e formal që i ishte caktuar.
Përballë realitetit kompleks shqiptar, disa autorë që janë marrë me studimin e kësaj çështjeje, nuk kanë mundur të identifikonin ekuilibrin e duhur ndërmjet faktorit lokal dhe atij ndërkombëtar. Shqipërinë e pavarur ia dedikojnë tërësisht apo me tepri faktorit ndërkombëtar. Pohimet e tyre të vendosura ndonjëhere në kontekst sensacionesh, iu bëjnë jehonë qëndrimeve tradicionale antishqiptare të fqinjëve dhe të disa prej Fuqive të Mëdha.
– Në këtë grup bëjnë pjesë zakonisht politikanë dhe autorë si Vlladan Gjeorgjeviç, i cili shkruan se pavarësia e Shqipërisë ishte një gabim, që duhej koregjuar duke e ndarë territorin e saj, sepse përbënte “një rrezik të madh, jo vetëm për serbët, por për krejt Lidhjen Ballkanike”, siç plotësonte serbi tjetër, Nikolla Pashiç.
– Dragutin Nikoliç shprehej se popullit shqiptar “me anë të një rezolute të thjeshtë, me një dekret, iu dha diçka që popujt e tjerë e kanë fituar pas luftrash të përgjakshme e të vështira”.
– Në të njëjtën linjë qëndrimi antishqiptar ishin edhe grekët, përfaqësues të të cilëve deklaronin se “është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”.
– Përsa iu përket Fuqive të Mëdha përmendet ministri i jashtëm rus, Sazonov, që thoshte se “shqiptarët nuk ishin homogjenë dhe të denjë për një shtet”, sepse siç plotësonte ambasadori i tij ne Paris, Izvolski, nuk besohej “se do të ishte e mundshme të organizoheshin në një shtet autonom malësorët e egër që nuk njihnin e nuk zbatonin ligje”.
– Përfaqësuesi britanik në Beograd Ralph Paget, i cilësonte shqiptarët “turmë… të papërshtatshëm për vetqeverisje.” Kurse Eduard Grey thoshte se “Shqipëria në të vërtetë qe krijuar vetëm për hir të interesave të ltalisë dhe të Austro-Hungarisë”.
– Një vlerësim tjetër, në fakt një zhvlerësim, vjen nga Berlini, i shkruar nga dora e Vilhelmit të Dytë, me fjalinë “një shtet hajdutësh nuk mund të bëhet kurrë i aftë për të jetuar”.
– Kambon, ambasadori i Francës, shprehet se “pranuam që të krijohej Shqipëria për t’i dalë para një konflagracioni europian që mund të rridhte nga konflikti austro-rus”.
-“Krijimi Shqipërisë ishte një suprizë…, souvenir historik ose pothuajse arkeologjik…, hipokrizi diplomatike”, thoshte francezi Gabriel Lui Zharé.
– Nicole Guy, mendon se “krijimi i Shqipërisë kishte shërbyer për të formatuar një ekuilibër të ri forcash në Ballkan dhe në Adriatik dhe për pasojë kishte ruajtur interesat e Fuqive të Mëdha…”.
– Dhe së fundi ambasadori italian Ferdinando Salleo, ka shkruar se vendimet e Konferencës së Londrës ishin shprehje e nevojës së Fuqive për “të rikrijuar ose më mirë të themi, për të shpikur një shtet europian, pikërisht atje ku nuk ekzistonte kurrfarë tradite për shtetin”.
Gjithëçka që u citua më sipër shumë shkurt, dëshmon qartë se diplomacia e Fuqive të Mëdha, për të cilën nuk kursehen vlerësimet për të ashtuquajturën dhuratë të jashtëzakonshme që iu bëri shqiptarëve, shtetin e tyre, s’ka dyshim se ajo veproi e nisur nga interesi i vet, për ruajtjen e ekuilibrave midis fuqive, si dhe për plotësimin e ambicjeve ekspansioniste të klientëve të vet ballkanike.
Këtë e ka pohuar haptazi dhe pa nguruar vetë kryetari i Konferencës së Londrës, Eduard Grei, kur, të nesërmen e përfundimit të punimeve të saj, deklaroi se “Une e di fare mire se kur gjithshka do te behet e njohur, kjo zgjidhje në shume pika do te jape kritika te forta nga kushdo qe e njeh vendin……por… qellimi ka qene te ruhej Marreveshja midis Fuqive te medha dhe, neqoftese vendimi per Shqiperine e ka siguruar kete, atehere ai ka bere punen me te mire ne dobi te paqes ne Europë…”
Nëse Konferenca do të nisej vërtetë nga interesi i shqiptarëve, do të duhej që shtetin, t’ua “dhuronte” të plotë, të ngritur në të gjitha hapësirat shqiptare dhe jo në më pak se gjysmën e tyre, që të mos ndodhte ajo që shkruan Xhorxh Fred Uilliams, që “Shtetet e Europës … prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë”.
Ajo ishte bërë therror në emër të paqes europiane, që gjithsesi rezultoi e paqëndrushme, sepse pas jo më vonë se një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore, që prishi ekuilibrat e vendosur, zhvendosi kufij shtetesh, shkatërroi disa prej tyre dhe krijoi të tjerë.
Çështja e faktorit prioritar në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar ka qenë objekt trajtimi edhe në literaturën juridiko-ndërkombëtare. Në një pjesë të saj dallohet sërish i njëjti qëndrim nihilist ndaj faktorit vendas dhe rolit të tij në krijimin e shtetit shqiptar, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
– P.sh. zvicerani Pol Gugenheim, e përmend Shqipërinë si një shembull të shteteve të krijuara nga e drejta e traktateve (konvencionale, ndërkombëtare) dhe e rendit së bashku me qytetin e lirë të Krakovit, shtetin e ishujve Jonianë, qytetin e lirë të Danzingut etj. që, siç thotë ai, janë krijuar nga diplomacia e Fuqive të Mëdha. Ishin ato, vazhdon ai, që vendosën ndarjen e Polonisë në vitin 1815, që njohën neutralitetin e Zvicrës më 1815 dhe që krijuan Belgjikën në 1831, Bullgarinë në 1878 dhe Shqipërinë në 1912.
Interesant është fakti se te Gugenheimi dallohet pothuajse për herë të parë në doktrinën e së drejtës një vlerësim juridik për ilegjitimitetin e pushtetit të Fuqive të Mëdha për të vendosur për fatet e popujve të tjerë. Ai thotë se ato ushtronin një pushtet të uzurpuar, ilegjitim, sepse përfaqësimi permanent i interesave europiane që ato i kishin dhënë vetes pa të drejtë, i kundërvihej parimit të barazisë së shteteve.
– Lui Kavaré, duke iu referuar krijimit të shtetit shqiptar shkruan, se Shqipëria u krijua si shtet në saje të traktatit të Londrës të 1913, nëpërmjet të cilit Turqia ua la Fuqive Europiane kujdesin e rregullimit të situatës.
– Në të njëjtat pozita shfaqet edhe ndërkombëtaristi tjetër francez Sharl Ruso, i cili thotë se shteti shqiptar u krijua nëpërmjet një vendimi të një organi ndërkombëtar, që ishte Konferenca e Ambasadorëve.
– Finlandezi Rafael Waldemar Erich, duke përkrahur të njëjtin qëndrim nihilist, shkruan se Shqipëria “nuk u formua si shtet si rezultat i ndonjë lufte për pavarësi në kuptimin e vërtetë të fjalës, por në sajë të faktit që në Traktatin e Londrës të majit 1913, Perandoria Otomane ua pati lënë Fuqive të Mëdha kujdesin për të rregulluar pozitën e saj”.
Interpretimet që e lidhin themelimin e shtetit te pavarur shqiptar me 29 korrikun e vitit 1913, kane nje pikenisje te gabuar teoriko-juridike, disa prej tyre, madje të motivuar politikisht. Prof. Kristo Frashëri, lidhur me këtë thotë se “historianët që përkrahin tezën se pavarësinë e Shqipërisë e farkëtuan Fuqitë e mëdha dhe jo vetë shqiptarët, i përkasin kryesisht historiografisë serbe dhe greke. Si argument kryesor në mbështetje të tezës së tyre ata përdorin faktorin gjeopolitik-pozitën gjeografike të Shqipërisë në brigjet e Adriatikut jugor dhe interesat strategjike që kishin disa prej Fuqive të Mëdha në këtë sektor.”
Të vlerësuara në aspektin juridik, pohimet e mësipërme mbeshteten në teorine konstitutive të njohjes ndërkombetare të shteteve, reminishencë e kohëve kur jetën politiko-nderkombetare e përcaktonin Fuqite e Medha. Sipas saj, është njohja ndërkombëtare akti i krijimit të një shteti.
Doktrina e sotme juridiko-nderkombetare e konsideron të kapercyer atë. Vendin e saj e ka zënë teoria deklarative, që thotë se shteti ekziston realisht pavarësisht nëse njihet ose jo prej shteteve të tjera. Njohja ndërkombëtare vetëm e konstaton, e deklaron faktin e lindjes dhe i jep mundësi shtetit që të drejtat inherente që ka, t’i ushtrojë efektivisht.
Ky qëndrim doktrinar është përqafuar dhe është adoptuar si qëndrim zyrtar nga disa organizma ndërkombëtare autoritare, si p.sh. Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare, Konferenca Europiane për Paqen në ish Jugosllavi, e vitit 1991, Komisioni i Arbitrazhit i Konferencës për Paqen në ish Jugosllavi, Karta e Organizatës së Shteteve Amerikane, etj.
Mbi bazën e kësaj teorie vlerësohet edhe ajo që ndodhi me Shqiperinë. Ajo u krijua si shtet i pavarur me 28 nentor 1912. E themeluan shqiptarët. Të huajt, diplomacia e Fuqive të Medha, vetëm e njohu dhe ofroi mbështetje në përshtatje me interesat e veta.
Politikanët dhe autoret e permendur më lartë, që ia atribuojnë diplomacisë europiane krijimin e shtetit shqiptar, flasin nga pozitat e teorise konstitutive të njohjes. Teorikisht dhe juridikisht, gjykuar në optiken e të drejtës ndërkombëtare, Shqipëria e pavarur është produkt i luftrave dhe përpjekjeve, aftësive organizative dhe inteligjencës politike të shqiptareve dhe jo krijesë e ndërkombëtarëve.
Në favor të këtij pohimi, flet edhe nje akt juridiko-kushtetues me rëndesi dhe vlerë të pakontestueshme. Është Statuti Organik i Shqipërisë, i përgatitur nga Komisioni Ndërkombetar i Kontrollit, në Vlorë, më 10 prill 1914. Në pikën 22, të kreut të tretë të tij, thuhet shprehimisht: “Janë shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”.
Nje interpretim i thjeshte të çon drejtpërsëdrejti në konkluzionin se Shqiperia, si shtet, si subjekt i se drejtes nderkombetare, u krijua me 28 nentor 1912, datë që merret si pikënisje e përcaktimit të shtetësisë së shtetasve të saj. Nëse do të ishte Vendimi i 29 korrikut të vitit 1913, që është vetem akt i njohjes ndërkombëtare, Statuti do t’i referohej atij dhe jo vendimit te Kuvendit te Vlores.
Pikerisht ky percaktim, që ka formen e një perkufizimi juridik, zgjidh në menyrë të plotë, te qarte dhe perfundimtare çeshtjen e madhe, me të cilën studiues dhe politikanë nga qarqet antishqiptare në vendet fqinjë dhe protektorët e tyre kanë mashtruar dhe spekuluar vazhdimisht.
Ai përkon plotësisht edhe me pohimin e profesorit Robert Redslob, i cili thotë: “Kur Fuqitë e Mëdha pretenduan të ngrinin Shqipërinë si principatë më vete me Princ Vidin në krye dhe i dhanë edhe një Statut, kjo ishte nga ana e tyre një vepër pa themel. Monarkia e re nuk u krijua veçse në letër dhe në imagjinatën e diplomatëve. Ajo nuk jetoi kurrë për arsyen e thjeshtë, se nuk hodhi rrënjë në popull. Pastaj plasi Lufta e Madhe dhe vetëm pas një periudhe të gjatë anarkie, përleshjesh dhe trazirash, Shqipëria mundi të bëhej vetë me forcat e saj, me vullnetin e saj kombëtar, që është edhe e vetmja mënyrë me të cilën mund të themelohet një shtet i vërtetë”.
asd
http://sauveur.almahdyoon.org/index.php/forum/user/13212-ecidub