VOAL

VOAL

Clinton formon një organizatë politike anti-Trump

May 16, 2017

Komentet

Kongresi Amerikan paraqet rezolutën: T’i jepet fund pandëshkueshmërisë së krimeve të dhunës seksuale nga forcat serbe në Kosovë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), njofton se Kongresi Amerikan paraqet Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve të dhunës seksuale në Kosovë.

“Një betejë e gjatë, e dhimbshme dhe e heshtur që më në fund po merr vëmendjen që meriton. Mirënjohje për Vasfije Krasniqi Goodman – simbol i guximit – dhe Vera Mjeku për përkushtimin dhe zërin e palodhur në këtë rrugëtim drejt së vërtetës. Kjo rezolutë sjell shpresë për çdo të mbijetuar që ka pritur drejtësi për vite me radhë. Shyrete Tahiri Ramadan Nishori”, thuhet në njoftim. bw

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Trumpi urdhëron që flamujt amerikanë të ulen në gjysmështizë

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi që flamujt të ulen në gjysmë shtize si “shenjë respekti për kujtimin” e Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta të hënën.

Urdhri zbatohet për “të gjitha ndërtesat dhe terrenet publike, në të gjitha postet ushtarake dhe stacionet detare, dhe në të gjitha anijet detare të Qeverisë Federale në Distriktin e Columbias dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Territoret dhe zotërimet e saj deri në perëndimin e diellit, në ditën e varrimit”, shkroi Trump në shpalljen zyrtare.

Ai gjithashtu përfshiu “ambasadat e Shteteve të Bashkuara, legatat, zyrat konsullore dhe objektet e tjera jashtë vendit, duke përfshirë të gjitha objektet ushtarake dhe anijet e stacionet detare.

Në oborrin jugor të Shtëpisë së Bardhë, ku po zhvillohej aktiviteti tradicional “Easter Egg Roll”, flamuri amerikan në majë të Shtëpisë së Bardhë ishte ulur në gjysmë shtize të hënën në mëngjes. bw

Osmani pret që Kongresi ta kalojë rezolutën që kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Kongresistët amerikanë përmes një rezolute të propozuar kanë kërkuar drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për këtë rezolutë të propozuar ka shkruar presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se pret që ajo të miratohet.

Kongresistët amerikanë përmes një rezolute të propozuar kanë kërkuar drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se e pret “me padurim” miratimin e kësaj rezolute, ndërsa ka falënderuar kongresistët amerikanë.

“Falënderoj ligjvënësit amerikanë që kërkuan drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës gjenocidale të Serbisë kundër popullit të Kosovës. Zërat e të mbijetuarve tanë – si ai i Vasfijes dhe i Shyhretes – thyen heshtjen dhe u dhanë forcë mijëra të tjerëve. Për të gjithë ata, drejtësia nuk është një zgjedhje – ajo është një e drejtë e mohuar prej kohësh. Derisa i afrohemi 14 Prillit – Ditës Kombëtare të Kosovës për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës – kjo njohje është një hap i fuqishëm përpara. Pres me padurim miratimin e kësaj rezolute”, tha ajo në një postim në X.

Trumpi thotë se e ka kaluar testin mjekësor dhe ndihet në “formë të mirë”

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ndihet “në formë shumë të mirë”, pasi iu nënshtrua kontrollit të parë mjekësor prej se u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Trump, 78 vjeç, iu nënshtrua kontrollit mjekësor, i cili përfshiu teste kardiake dhe të shëndetit mendor, 11 prill në Qendrën Mjekësore Walter Reed në periferi të Uashingtonit.

Ai u tha gazetarëve në avionin presidencial se “u përgjigja saktë në çdo pyetje” në testin për shëndetin mendor dhe shtoi se jo vetëm që ka “zemër të mirë” por ka edhe “shpirt shumë të mirë”.

“Mendoj se shkoi mirë”, tha Trump për ekzaminimin mjekësor, duke shtuar se i ishte nënshtruar “çdo testi që mund ta paramendoni”. Ai theksoi se raporti pritet të publikohet më 13 prill.

Presidentët amerikanë e kanë zakon të japin hollësi për shëndetin dhe mirëqenien e tyre, megjithëse nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë.

Trump është akuzuar vazhdimisht për mungesë transparence në lidhje me shëndetin e tij, por Shtëpia e Bardhë tha se mjeku presidencial Sean Barbabella do të japë një përmbledhje të ekzaminimit dhe se “natyrisht” kjo do të bëhet publike.

“Mund të konfirmoj se presidenti është në formë shumë të mirë, siç e shihni pothuajse çdo ditë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Trump, një adhurues i madh i golfit i cili nuk pi alkool apo cigare, është mburrur vazhdimisht për energjinë e tij që nga fillimi i mandatit të dytë, megjithatë është e ditur se ushqimi i shpejtë është dobësia e tij.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të tij të parë, Ronny Jackson, tha në vitin 2018 se me një dietë më të shëndetshme Trump mund të “jetojë deri në 200 vjet”.

Ekzaminimet e bëra gjatë mandatit të parë treguan se Trump po merrte ilaçe për të trajtuar kolesterolin e lartë.

Raporti i Jacksonit sugjeronte se Trump duhet të humbiste 4.5 deri në 7 kilogramë, por në përgjithësi ishte me “shëndet të shkëlqyer” dhe pa shenja të “ndonjë problem me shëndetin mendor”.

Një vit më vonë, një ekzaminim tregoi se presidenti 1.9 metra i gjatë peshonte 110 kilogramë. Që atëherë, Trump duket se ka humbur pak peshë.

Mosha dhe shëndeti mendor u bënë një çështje kryesore në zgjedhjet e vitit 2024, kur Trump dhe presidenti i atëhershëm, Joe Biden, u përballën si kandidatët më të vjetër në histori nga partitë kryesore.

Biden, tani 82 vjeç, u detyrua të tërhiqej nga gara pas një debati televiziv kundër Trumpit në qershor, gjatë të cilit pati vështirësi në të folur, duke shtuar shqetësimet për shëndetin e tij.

Që nga rikthimi në detyrë, Trump ka krahasuar vazhdimisht energjinë e tij me atë të Bidenit, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka akuzuar administratën e mëparshme për fshehjen e asaj që ajo e quan dobësim të shëndetit të Bidenit.

Tarifat! Donald Trumpi: Po kërkojnë të negociojnë, shtetet duan të na puthin të pasmet

Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar përpjekjet e shumta të vendeve të huaja, përfshirë Kinën, për të negociuar me Shtetet e Bashkuara pas vendosjes së tarifave të reja. Kjo situatë vjen në një moment të tensioneve, pasi Shtëpia e Bardhë ka njoftuar vendosjen e një tarife totale prej 104% ndaj importeve nga Kina dhe 20% ndaj Bashkimit Evropian, duke përshkallëzuar luftën tregtare që ka përfshirë ekonomitë më të mëdha të botës.

Tregjet aziatike reaguan menjëherë me rënie, ndërsa diplomatët evropianë dhe kinezë janë duke kërkuar mënyra për të shmangur përshkallëzimin. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një bisedë telefonike me kryeministrin kinez Li Qiang, kërkoi “përmbajtje dhe zgjidhje të negociuar”.

Por retorika e Trumpit duket se shkon në drejtim të kundërt, duke sinjalizuar kënaqësi nga presioni që tarifat po ushtrojnë mbi partnerët tregtarë të SHBA-së. “Po vdesin të bëjnë marrëveshje! Po na thërrasin për të na puthur të pasmet,” tha ai, duke përdorur stilin e tij të njohur, të drejtpërdrejtë dhe sfidues, që ka ndarë opinionin si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Analistët janë të ndarë në mendimet e tyre: disa e shohin këtë si një lëvizje taktike për të detyruar partnerët të ulen në tryezën e bisedimeve me kushte më të favorshme për SHBA-në, ndërsa të tjerë shprehen se një përshkallëzim i tillë mund të thellojnë ndarjet.

Për momentin, sytë janë të gjithë te Pekini dhe Brukseli dhe se si ata do t’i përgjigjen jo vetëm tarifave, por edhe fjalëve të Trumpit. bw

Rripi i Gazës, presidenti Donald Trump: Pronë e rëndësishme, duhet të kontrollohet dhe posedohet nga SHBA-ja

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ngriti sërisht pretendime ndaj Rripit të Gazës. “Ajo është një copë pasurie e paluajtshme tepër e rëndësishme,” tha ai gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

 

Sipas Trumpit do të ishte një “gjë e mirë” që atje të kishte një “forcë paqeje, si Shtetet e Bashkuara, të cilat të kontrollojnë dhe posedojnë Rripin e Gazës”.

Trumpi përsëriti në këtë mënyrë një deklaratë të ngjashme, me të cilën kishte shokuar në fillim të shkurtit opinionin ndërkombëtar gjatë një konferencë shtypi krah për krah me Netanyahun.

“Pronë buzë detit”

Trumpi deklaroi tani se ai prej vitesh “dëgjon vetëm për vrasje, për Hamasin dhe për probleme” në zonë. Izraeli e “posedonte” dikur “këtë pronë buzë detit” dhe më pas hoqi dorë nga ajo në emër të paqes – por sipas mendimit të tij kjo gjë ka dështuar, tha Trumpi.

“Unë nuk e kuptoj pse Izraeli hoqi dorë asokohe prej kësaj zone? Ajo i përket Izraelit,” tha Trumpi. “Izraeli vërtet nuk duhet të kishte hequr kurrë dorë prej Rripit të Gazës.” – tha Trumpi.

Netanjahu: Vizion i guximshëm

Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se gjatë takimit me presidentin Trump kishte folur për planin e tij për t’i zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës, ndërsa zona të rindërtohet. Netanyahu e quajti këtë ide të Trumpit një vizion “të guximshëm”.

Konferenca e planifikuar për shtyp mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë u anulua në mënyrë të papritur. Një punonjës i Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë njoftim pa dhënë asnjë arsye./DW

Trump: BE u krijua për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara, na kanë mashtruar në tregti dhe kanë qenë të këqij me ne

Shtetet e Bashkuara nuk do t’i ndalojnë tarifat, ka thënë Donald Trump, i cili gjithashtu konfirmoi se shumë vende kanë negociuar me Uashingtonin.


Presidenti amerikan tha se do të përpiqet të bëjnë “marrëveshje të drejta” me secilën prej tyre.

Gjithashtu Trump thotë se SHBA ka 36 trilion dollarë borxh “për një arsye” dhe administrata e tij do të bisedojë me shumë vende, përfshirë Kinën, për ta rregulluar këtë.

Ai gjithashtu thotë se SHBA-ja “është grabitur nga shumë vende gjatë viteve”.

“Nuk mund ta bëjmë më. Nuk mund të jemi më budallenj,” theksoi ai.

Nga Zyra Ovale, Trump i është përgjigjur një pyetjeje edhe për tarifat që ai vendosi ndaj Bashkimit Evropian.

Blloku “u formua për t’i bërë dëm SHBA-së. Vendet u formuan së bashku për të krijuar pak situatë monopoli, një forcë të unifikuar kundër SHBA-së për tregti. Ata kanë NATO-n dhe kanë përfituar nga ne në aspektin e parave dhe ushtarakisht”.

Ai thotë se BE-ja “po na mashtron në tregti” dhe ata “kanë qenë të këqij me SHBA-në”.

“Ata nuk i marrin makinat tona. Ata nuk i marrin produktet tona bujqësore dhe megjithatë dërgojnë miliona makina në SHBA. Nuk do të jetë kështu. Nuk është e drejtë. Tregtia me BE-në duhet të jetë “e drejtë dhe reciproke”, theksoi Trump. gsh

Trumpi e kërcënon Iranin me bombardime dhe tarifa, pas refuzimit të bisedimeve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke folur në bordin e avionit Air Force One, 30 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kërcënoi Iranin me disa masa – nisur nga sanksionet dhe tarifat e reja deri te veprimet ushtarake.

Kjo, pasi presidenti iranian refuzoi mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor.

“Do të shohim nëse mund të bëjmë diçka. Nëse jo, do të jetë një situatë e keqe”, u tha Trump gazetarëve më 30 mars, derisa fluturonte nga Florida për në Uashington.

“Unë do të preferoja një marrëveshje në vend të alternativës tjetër, që mendoj se të gjithë në këtë aeroplan e dinë se çfarë është. Ajo nuk do të ishte një gjë e bukur”, shtoi ai.

Më herët, Trump paralajmëroi se “nëse nuk bëjnë marrëveshje, do të ketë bombardime dhe do të jenë bombardime që ata nuk i kanë parë kurrë më parë”.

Në përgjigje, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi “hakmarrje të fuqishme”, nëse Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre bombardojnë Republikën Islamike.

Trump, gjithashtu, tha se është duke shqyrtuar vendosjen e tarifave ndaj vendeve që blejnë naftë nga Irani, si pjesë e strategjisë së tij për “presion maksimal” kundër Teheranit.

Më herët gjatë ditës, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e kundërshtoi publikisht mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor – gjë që ishte propozuar në një letër që Trump i kishte dërguar Teheranit në fillim të këtij muaji.

“Edhe pse në këtë përgjigje është hedhur poshtë mundësia e negociatave të drejtpërdrejta mes dy palëve, është theksuar se rruga për negociata indirekte mbetet e hapur”, tha Pezeshkian.

Zyrtarë të lartë iranianë edhe më parë kanë folur kundër idesë së mbajtjes së bisedimeve direkte me Shtetet e Bashkuara, por komentet e Pezeshkianit shënojnë refuzimin e parë zyrtar nga Irani.

Në përgjigje, Departamenti amerikan i Shtetit tha se “presidenti Trump ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Iranin të ketë armë bërthamore”.

“Presidenti shprehu gatishmërinë e tij për të diskutuar një marrëveshje me Iranin. Nëse regjimi iranian nuk dëshiron marrëveshje, presidenti është i qartë: Ai do të ndjekë opsione të tjera, të cilat do të jenë shumë të këqija për Iranin”, tha ai.

Prej se Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, administrata e tij ka theksuar vazhdimisht se Irani nuk duhet të lejohet të ketë armë bërthamore, ndërsa ka paralajmëruar se veprimet ushtarake janë po ashtu në tryezë, nëse Irani refuzon idenë e Trumpit.

Irani pohon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Por, një raport i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, i publikuar në shkurt, nxori në pah se Irani ka përshpejtuar prodhimin e uraniumit, që përdoret për armë.

Mediu takon LaCivita: Ekipi i Chris vjen në Shqipëri javën tjetër, do qëndrojnë deri në fitoren e 11 majit

Presidenti i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim pune me Chris LaCivita, strateg i fushatës së Donald Trump dhe drejtues i fushatës së PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Në takim me ta ka qenë edhe Phil Griffin, një personazh i njohur në botën e televizionit dhe ish-president i MSNBC.

Në një postim në Facebook, Mediu njoftoi se duke nisur nga java e ardhshme, ekipi i LaCivita do të jetë i pranishëm në Shqipëri për të ndihmuar opozitën deri më 11 maj.

“Kënaqësi që të takohem edhe me mikun tim, Prof. Edward P. Joseph, një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve në Washington DC”, ka shtuar ai në postimin e tij.

  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i plotë:

 

Mbas një dreke pune me strategun e fushatës Trump dhe drejtuesin e fushatës së PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore Chris LaCivita dhe Phil Griffin. Prej javës tjetër ekipi i Chris do jetë non stop në Shqipëri në krah të opozitës deri në fitoren në 11 Maj.

Po ashtu kënaqësi që të takohem me mikun tim Prof Edward P Joseph një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve në Washington DC

Screenshot 40

(BalkanWeb)

Kongresmeni Keith Self që mbështet PD-në dhe opozitën në Shqipëri, person i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë

Kryetari i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan, Keith Self, është takuar ditën e sotme në SHBA me Fatmir Mediun, kreun e PR-së dhe aleatin e liderit të opozitës, Sali Berisha.

Në takimin mes Mediut dhe kongresmeni Self, është diskutuar për situatën politike në Shqipëri dhe rajon, si dhe zgjedhjet e 11 majit, duke nënvizuar detyrimin e vendit si anëtar i NATO-s për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të mbrojtura nga ndikimi i krimit dhe korrupsionit, blerja e votave dhe intimidimi i votuesve.

Kongresmeni republikan Keith Self është një prej personave më me ndikim në administratën e re të presidentit Donald Trump për çështjet e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë.

Vetëm pak minuta më parë Shtëpia e Bardhë ka shpërndarë një shkrim të kongresmenit Keith Self në mediumin ËashingtonExaminer, në lidhje me sulmet kundër rebelëve Houthi në Jemen dhe udhëheqjen e fortë të Presidentit të ShBA, Donald Trump, duke siguruar suksesin e jashtëzakonshëm.

Falë udhëheqjes së fortë të Presidentit Trump dhe koordinimit të pandërprerë të ekipit të tij, sulmet e fundit kundër Houthis ishin një sukses i jashtëzakonshëm.

Terroristët u eliminuan, kërcënimet u neutralizuan dhe interesat amerikane u mbrojtën.” – Kongresmeni Keith Self’, shkruhet në postimin e bërë nga Shtëpia e Bardhë. sn

Akuzat e forta të Donald Trumpit: Sorosi po financon sulmet ndaj kompanisë Tesla të Elon Muskut. Agresion ndaj makinave në 13 shtete

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se George Soros dhe miliarderë të tjerë liberalë mund të qëndrojnë pas financimit të sulmeve ndaj Tesla-s në Shtetet e Bashkuara.

“Unë besoj se është pjesë e saj, po, ka disa prej tyre që ishin të përfshirë në gjyqet kundër meje, që mendoj se janë ndoshta të përfshirë edhe me këtë. Dhe, ju e dini, Elon [Musk] ka bërë një punë shumë të mirë. Ai ka gjetur humbje të jashtëzakonshme, mashtrime dhe abuzime në nivele që nuk i keni parë kurrë,” tha Trump për Newsmax kur u pyet nëse ai besonte se Soros mund të ishte i përfshirë në sulmet ndaj bizneseve të Musk.

Të hënën, mediat amerikane raportuan, duke cituar policinë, se disa pajisje “ndezëse” u gjetën në një pike shitjeje të Tesla-s në qytetin e Austin në Teksas.

Pajisjet thuhet se janë hequr në mënyrë të sigurt nga policia pa asnjë incident.

Në javët e fundit, automjete të shumta Tesla janë shënjestruar në të paktën 13 shtete në të gjithë Shtetet e Bashkuara, sipas raporteve të mediave. bw

Gjykata amerikane shqyrton padinë e REL-it kundër USAGM-së

Selia e Radios Evropa e Lirë në Pragë

 

Radio Evropa e Lirë

Një gjykatë amerikane mban sot një seancë për padinë e Radios Evropa e Lirë kundër Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), për bllokimin e fondeve.

REL-i e sheh bllokimin e fondeve të miratuara nga Kongresi, si përpjekje të agjencisë për t’ia ndërprerë krejtësisht financat.

Gjykata e Qarkut e SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë do t’i dëgjojë argumentet e të dyja palëve duke filluar nga ora 14:00, sipas kohës lokale.

REL-i kërkon që USAGM-ja – e cila mbikëqyr transmetuesit e mbështetur nga Qeveria amerikane, si Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës – t’ia lëshojë 7.5 milionë dollarë për periudhën nga 1 marsi deri më 15 mars – ditën kur USAGM-ja njoftoi se financat nga granti i miratuar nga Kongresi për REL-in, janë ndërprerë.

Padia argumenton se mohimi i qasjes në fondet e miratuara nga Kongresi për Radion Evropa e Lirë, shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin përfundimtar për shpenzimet federale.

Padia kërkon gjithashtu nga gjykata që të japë një urdhër ndalese të përkohshme, me qëllim lirimin e fondeve të marsit.

Padia kërkon edhe pjesën e mbetur të fondeve të grantit për vitin e plotë buxhetor 2025, i cili përfundon më 30 shtator.

Një seancë paraprake për këtë të fundit është planifikuar të mbahet në mes të prillit.

“Përfundimi i kontratave të punonjësve tanë të pavarur dhe pezullimi nga puna i punonjësve do t’i pengojnë ndjeshëm aftësitë tona për të dhënë lajme të pacensuruara në 23 vendet ku shërbejmë”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, në dosjen për gjykatën.

USAGM-ja tha në dosjen e saj se Gjykata e Qarkut është vendi i gabuar për rastin dhe se Kongresi i ka dhënë USAGM-së “diskrecion të gjerë për të mbikëqyrur përfituesit e saj”.

“Edhe nëse kjo gjykatë do të kishte juridiksion për të miratuar kërkesën e paditësit, për anulimin e vendimit të USAGM-së, një gjë e tillë nuk do të ishte në interesin publik”, thuhet po ashtu në atë dosje.

Rreziku për mbylljen e REL-it shkaktoi reagime nga audienca në 27 gjuhë dhe në 23 vende ku ka transmetim.

Reagimet në Kosovë për mbylljen eventuale të REL-it

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë riafirmoi rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësja Ioanna Lachana tha se nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin “vetëm ata që përhapin narrativë përçarës”.

Ambasada gjermane në Kosovë e përshkroi REL-in si “fener të raportimit të lirë dhe të paanshëm” dhe konfirmoi se BE-ja po shqyrton mënyra për ta mbështetur atë.

Për eksperten kosovare të medias, Flutura Kusari, ndërprerja e fondeve për REL-in paraqet një goditje serioze mbi informimin publik.

“Radio Evropa e Lirë është shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”, tha Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

Ish-kryeredaktori i programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë, Melazim Koci, tha se mbyllja e mundshme e REL-it do të ishte një “fatkeqësi” për lirinë e medias dhe demokracinë.

Ndërsa, gazetari dhe publicisti Enver Robelli e vlerësoi REL-in si një prej burimeve më të besueshme të informacionit për botën shqiptare.

“Ndonjëherë ishte si një rreze drite që depërtonte në errësirën e gënjeshtrës”, shkroi në Facebook lexuesi ukrainas, Oleh Prozorov, duke e falënderuar Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë për, siç u shpreh, “mbrojtjen e lirive politike”.

Direktiva për ndërprerjen e fondeve u dha disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë USAGM-në.

Granti i Radios Evropa e Lirë u ndërpre me një letër, e cila u nënshkrua nga Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së.

Në letër thuhej se “vendimi nuk i zbaton më prioritetet e agjencisë”.

Shpjegime të tjera nuk u dhanë.

Përplasjet e Trumpit me USAGM-në

Lake u nominua nga Trump për të marrë postin e udhëheqëses së Zërit të Amerikës, megjithëse emërimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillimor i Transmetimeve Ndërkombëtare (IBAB).

Anëtarët e IBAB-së – një organ konsulence i krijuar nga Kongresi për të mbikëqyrur aktivitetet e USAGM-së – u hoqën nga pozicionet e tyre nga administrata amerikane në janar dhe nuk u zëvendësuan më.

Trump – i cili ndërmori disa veprime për zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare, prej se nisi mandatin e dytë në janar – është përplasur qysh në mandatin e parë me USAGM-në për pavarësinë editoriale dhe programet.

Por, mbështetësit e transmetuesve thonë se ata janë një krah i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

“Është jetike që Kongresi ta mbrojë USAGM-në, të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të riafirmojë angazhimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi një grup prej 28 organizatash për lirinë e shtypit dhe gazetarëve nga e gjithë bota, në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë, më 19 mars.

A do të ndërhyjë BE-ja?

Me të ardhmen e pasigurt të Radios Evropa e Lirë, politikanët e Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë mundësi për ta mbështetur transmetuesin.

USAGM-ja është një agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacioneve në pothuajse 50 gjuhë, për rreth 361 milionë njerëz çdo javë.

Buxheti që ka kërkuar USAGM-ja nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025, është 950 milionë dollarë, për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Sipas dokumenteve të USAGM-së, buxheti i kërkuar për REL-in për vitin 2025 ishte rreth 153 milionë dollarë.

Përgatiti: Valona Tela

Send this to a friend