Me anë të një postimi në Truth Social, Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e rendit për reagimin e shpejtë dhe profesional ndaj personit të armatosur.
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka reaguar pas të shtënave me armë në Shtëpinë e Bardhë, Me anë të një postimi në Truth Social, Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e rendit për reagimin e shpejtë dhe profesional ndaj personit të armatosur, për të cilin tha se kishte një histori dhune dhe një “obsesion të mundshëm” me Shtëpinë e Bardhë.
“Falënderojmë Shërbimin Sekret të mrekullueshëm dhe Zbatimin e Ligjit për veprimin e shpejtë dhe profesional që ndërmorën sonte kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte një histori të dhunshme dhe një obsesion të mundshëm me ndërtesën më të dashur të kombit tonë”, shkroi Trump.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, kur një person iu afrua një pike kontrolli sigurie pranë Shtëpisë së Bardhë dhe hapi zjarr ndaj agjentëve të Shërbimit Sekret. Sipas Shërbimit Sekret, i dyshuari nxori armën nga një çantë dhe filloi të qëllonte ndaj oficerëve të vendosur në pikën e kontrollit. Agjentët iu kundërpërgjigjën me zjarr, duke e plagosur autorin, i cili më vonë u shpall i vdekur në spital.
Mediat amerikane raportuan gjithashtu se një kalimtar mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, megjithëse autoritetet ende nuk kanë përcaktuar nëse plagosja u shkaktua nga të shtënat e autorit apo nga kundërpërgjigjja e forcave të sigurisë. Në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, por sipas një zëdhënësi të Shërbimit Sekret, ai nuk u rrezikua.
Sa i përket autorit, thuhet se Nasir Best kishte pasur edhe më herët probleme me autoritetet. Në korrik të vitit 2025 ai ishte arrestuar pasi tentoi të hynte në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas ishte dërguar në një institucion psikiatrik për shkak të problemeve të shëndetit mendor./Dosja.al