VOAL

VOAL

Çfarë është Këshilli i Evropës, ku Kosova synon të aplikojë?

May 12, 2022
blank

Komentet

blank

HENRY KISSINGER: “RUSIA KA HUMBUR, POR TANI DUHET SHMANGUR SHKALLËZIMI BËRTHAMOR”- Nga FEDERICO RAMPINI Përktheu Eugjen Merlika

“Rusia ka humbur luftën, tani duhet të ndalojmë shkallëzimin e saj bërthamor.Mund ta mundim edhe n’atë skenar por natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i gjithë sistemi botëror do të çakërdiseshin. Diplomacia duhet të kthehet në veprim”

Henry Kissinger flet në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtëme të New Yorkut, një vënd për të i dëndur në kujtime. Në këtë qëndër studimesh të gjeopolitikës më 1957 ai botoi syzimin që u bë guri themeltar i mendimit strategjik amerikan: “Nuclear weapons and Foreign Policy”. Teorizonte lindjen e armatimeve bërthamore taktike – të paracaktuara për t’u përdorur vetëm në fushat e betejave e kundër një agresioni të trupave armike – dhe maste të gjitha pasojat.

Ai studim qe paralajmërues i një karriere të re, nga profesor universitar në krye të diplomacisë amerikane nën presidentët Richard Nixon e Gerald Ford. Në moshën 99 vjeçe urtësia dhe mëndjemprehtësia e tij janë pyetur për të kërkuar një përgjigje kërcënimeve të Vladimir Putinit, pikërisht për përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë.

Kissingeri ka botuar një libër të ri, “Leadership”, galeria e portreteve të gjashtë shtetarëve të mëdhenj të Nëntëqindës. Nuk tërhiqer mbrapsht mbi shkallëzimin bërthamor. “Që nga fillimi i mësyemjes së Ukrainës – thotë – duhej shmangur një fitore e Rusisë. Aq më tepër duhet shmangur që të kërkojë një hakmarrje bërthamore. Nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve bërthamore të bëhet i zakonshëm, të normalizohet. Jo vetëm për atë që do t’ishte përfundimi i llahtarshëm i menjëhershëm, por edhe për pasojat në ndërpretimin dhe ligjërimin e pushtetit nga ana e atij që i përdor.Nuk është e pranueshme që Rusia t’arrijë me armët bërthamore rezultatin që nuk ka qënë e aftë të mbërrijë pa ato”.

Ish sekretari i Shtetit shpjegon se çfarë lloj përgjigjeje do të duhej të jepte NATO, nëse Putini do të përdorte vërtetë bërthamoren. Është një temë mbi të cilën ka pasur së fundi komunikime ndërmjet drejtuesve të nivelit të lartë ushtarakë të SHBA e të Moskës. “NATO – vëren – duhet të kundërveprojë sa më gjatë me armët e zakonshme. Por drejtuesit rusë duhet të dijnë se në rastin kur të përdorin armët bërthamore caqet për një marrëveshje paqe do të bëhen më të rënda për ta, Rusia do të dalë si një komb më i dobët se më parë”.

I paditur herë herë për cinizëm në Realpolitikën e tij, Kissinger saktëson se një rrugëdalje nuk mund të kalojë mbi kryet e popullit ukrainas. “Ukraina nuk duhet demoralizuar. Duhet të ketë një rol të dorës së parë në proçesin e paqës”. Të hartojë një listë të gjithshkaje ka fituar Kievi në fakt që kur ka ditur të qëndrojë kundër pushtuesit e që duhet raktifikuar në çfarëdo marrëveshjeje paqeje. “Mbrojtjet e lirive ukrainase përfshijnë përkatësinë e saj në Bashkimin Evropian. Ndërsa për marrëdhëniet e saj me NATO-n tashmë është zgjidhur nga ngjarjet. Prandaj Rusija ka humbur. Në luftën e Parë e të Dytë botërore Rusia kishte treguar aftësinë e kërcënimit t’Evropës në terrenin e armëve të zakonshme, tashti kjo forcë e saj është mposhtur”.
Megjithatë teoricieni më i madh në jetë i diplomacisë don të kthehet pikërisht në këtë: diplomacia.

“Një bashkëbisedim, qoftë edhe vetëm zbulues, është thelbësor në këtë atmosferë bërthamore. Nuk ka rëndësi nëse Putini na pëlqen apo jo. Nëse arma bërthamore do të hynte në veprim, sistemi botëror do të pësonte një çakërdisje me rëndësi historike. Nuk duhet të lidhim veprimin diplomatik me njeriun që n’a rri përballë. Na takon ne të përftojmë një bashkëbisedim që të ruajë sigurinë tonë por që të na riçojë tek fryma e bashkëjetesës. Përmbysja e udhëheqësit kundërshtar nuk duhet të duket si një parakusht”. Nuk është i butë me të tijtë, nuk i bën zbritje gabimeve të së kaluarës. “Kur ra Muri i Berlinit e filloi riorganizimi i Lindjes evropiane, Shtetet e Bashkuara kërkuan të integrojnë gjithë zonën në një rend nën drejtimin e tyre. Nuk qe urtësi orvajtja për të futur Ukrainën në NATO. Kjo nuk është një arsye për mësyemjen e Putinit. Por problemi tani është nëse është e mundur të bëhet një paqe me të. Dhe ky duhet përballuar në një kuadër më të gjërë: e ardhmja afatgjatë e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Evropës, ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Një Rusi që është e vetëdishme për kufizimet e saj , do të dëshërojë të jetë pjesë e Evropës apo do të zgjedhë Azinë? Mbi këtë duhet të shtjellojmë bashkëbisedimin”.

Vëndin e tij në analet e Nëntëqindit, ai e pushtoi si regjizor i shkrirjes SHBA – Kinë më 1971 – 72. Ajo marrëdhënie ka mbetur në qëndrën e vëmëndjes së tij. Në krahasim me takimin e famshëm Nixon-Mao, sot marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit janë në minimumin e tyre historik. “Kina – përsiat Kissingeri – ka qënë gjithmonë një beleg i posaçëm për Amerikën, në sajë të përmasave të saj, sot më të fuqishme se kurrë në planin ekonomik, teknologjik e ushtarak. Nuk kemi patur të bëjmë kurrë me një Vënd kaq madhështor, filozofia e të cilit është praktikisht e kundërt me atë tonën. Kinezët e quajnë historinë si një proçes të vazhdueshëm që zhdërvjellohet në mijra vite. Problemet e veçanta – që ne i përballojmë një nga një – i shohin si shprehje të atij proçesi. Sot që raporti i forcave është pothuaj i barabartë, kërkimi i një modus vivendi duket i vështirë. Edhe se është thelbësor e ka të bëjë me t’ardhmen e njerëzimit.

“Gjatë dy administratave të fundit amerikane – vëren Kissingeri që ka vazhduar të jetë pyetur nga presidentët si në Washington po ashtu edhe në Pekin – ka zotëruar ndeshja. Duhet rivendosur një bashkëbisedim mbi tema dërmuese: një luftë ndërmjet mbifuqive do të kishte pasoja më të këqija se Lufta e Parë dhe e Dytë botërore. Së paku udhëheqësit amerikanë e kinezë e njohin se ky rrezik ekziston e që ata janë të vetmit që kanë mundësi t’a ndalojnë. Për pasojë venë në punë mekanizma paraprakë për të folur me njëri tjetrin në fazat e para të një krize. Pastaj janë temat e mëdha mbi të cilat bashkëpunimi i dyanshëm është i domosdoshëm: që nga ndryshimet klimatike deri tek e ardhmja e teknologjisë”. Përfundon me një thirrje Winston Churcillit mbi cilat janë tre kërkesat themelore për të bërë politikë të jashtëme: “Të studiohet historia. Të studjohet hiatoria, Të studiohet historia”. E me një përsiatje mbi rolin e Amerikës: “Kushtet për një drejtim tonin botëror janë përkeqësuar, veçanërisht për përhapjen e armëve bërthamore. Më shumë se kurrë, sot duhet të jemi krijues”

“Corriere della Sera”, 1 tetor 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

LETËRSIA DHE RISHKRIMI I HISTORISË – Nga Eugjen Merlika

(Mbresa nga leximi i librit “Vdekja e Enver Hoxhës” i P. Kullës)

 

Kohët e fundit në librat e botuara sërishmi u shtua një titull që pushton përfytyresën e vë në provë kujtesën për ngjarje të zhvilluara një të katërt shekulli më parë.”Vdekja e Enver Hoxhës” është titulli i librit, kurse autori i saj, z. Pëllumb Kulla është një firmë e njohur nga lexuesi shqiptar. I afirmuar që herët në botën e humorit, jashtë kafazit të “realizmit socialist”, vazhdoi krijimtarinë e tij që, në gjininë e saj, mbetet pa dyshim në nivelet më të larta të letrave të sotme shqipe. Vepra e re është një hap i madh para n’atë krijimtari, mbasi ka meritën që, nëpërmjet fjalës artistike, të japë ndihmesën e vet në zbulimin e një realiteti tepër të zymtë të së shkuarës sonë, për të cilin ende heshtet, madje ekziston edhe një farë malli.
Nëntitulli i veprës është “Shumë romane në një” dhe shënon drejtimin e parë që i jepet lexuesit në shtjellimin e një gjinije letrare disi të veçantë. Por në parathënien, tepër të shkurtër e po aq konçize, autori zbulon pjerrjen e qëllimin e shkrimit të veprës, që i largohet disi traditës së tij humoristike, duke e vënë në plan të dytë atë, për t’i dhënë më shumë hapësirë përmasave dramatike e tragjike të epokës. Vepra hedh dritë mbi Shqipërinë komuniste të dhjetëvjeçarit të fundit të qënies së saj, madje fokuson qëndrën e saj të gravitetit, majën e piramidës ku vendosej deri në imtësi fati i frymorëve nënshtetas, në një çast kulmor siç është ai i ndarjes së Enver Hoxhës nga kjo jetë.
Autori saktëson: “ Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale.” Është ky shqetësimi i shkrimtarit, ballafaqimi i popullit të tij me një epokë historike të gjatë e të vështirë siç qe ajo e jetuar në vitet 1944-1991, traumat kryesisht morale të kësaj dukurie. Lënda e trajtuar është shpërthyese, mund të japë shkas për diskutime pa fund mbi dobinë e paraqitjes, rrok një gamë të madhe problemesh, personazhesh e mjedisesh, duke vënë në pikëpyetje karakterin e një populli të tërë. Vepra trajton ngjarje të njohura në planin shoqëror e historik dhe autori që në fillim e siguron lexuesin mbi vërtetësinë e tyre. “Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur!”.
Vërtetësia e ngjarjeve të përshkruara, burimet e sakta të riprodhimit të tyre ndihmojnë lexuesin e ri, por edhe atë më pak të ri, të krijojë idenë e plotë mbi Shqipërinë e Enver Hoxhës, larg demagogjisë, retorikave dhe fasadave të një regjimi që, si objektiv të parë, kishte mbulimin e të vërtetave nëpërmjet një organizimi të përsosur që mund të krahasohej vetëm me atë të Rusisë staliniane. Ky realitet tragjikomik, i përshkruar me mjeshtëri nga autori, merr shkas nga vdekja e Enver Hoxhës, njeriut që hyri në historinë e popullit të tij si sundimtari më jetëgjatë e, ndoshta, më mizori, plot katër dhjetëvjeçarë. Vepra pasqyron ditët e fundit të qëndrimit të trupit të tij pa jetë në “kullën e fildishtë” ku e kishte futur përfytyresa legjendarizuese e një populli të traumatizuar nga terrori deri n’atë pikë sa nuk ishte në gjëndje të pranonte për udhëheqësin e tij as idenë e dukurisë më të zakonshme të ekzistencës njerëzore, atë të vdekjes.
Vepra, gjithmonë duke patur si bosht qëndror figurën e diktatorit dhe prapaskenën e organizimit mastodontik të funeralit të tij, shtjellohet në tre plane kryesore, që do t’ishin secili një roman me vete, por që përbëjnë një radiografi të plotë të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. I pari është ai i rrethit të ngushtë të udhëheqësit, duke filluar nga bashkëshortja e deri tek kuadrot kryesore të partisë e të Shtetit, nga qëndra deri në skajet më të largëta të Vendit, të përshkruara në përmasat e tyre të vërteta të mungesës së vlerave, të dinjitetit, të meritave, një klasë drejtuese e aftë vetëm për t’u jargavitur në lajka e hipokrizi karshi të parit të vet. I dyti është ai i militantëve të partisë, ish partizanëve, komunistëve, heronjve të punës, sigurimsave, të gjithë asaj hordhije jo të vogël shqiptarësh që e patën për nder e krenari të ishin baza besnike dhe e sigurtë e një diktature, e cila kishte si strategji kryesore të saj “luftën e klasave”, atë dukuri të pafund në kohë e mizori, një nga treguesit kryesorë të së veçantës së “socializmit shqiptar”. I treti është ai i viktimave të dhunës “proletare”, i asaj pjese të popullsisë që pagoi me vuajtje të pashëmbullta përkatësinë e të parëve të tyre në pjesën kundër komuniste të shoqërisë.
Episode komike, dramatike e tragjike përbëjnë lëndën e tre mini romaneve. Mjediset e përshkruara me mjeshtëri e vërtetësi janë terreni ku lëvizin personazhet, secili me botën e vet shpirtërore, secili me të veçantën e tij. Ata i ngjajnë një tufe insektesh që vërtiten rreth një llambe që i mban pranë me dritën e saj, por që në takimin me të përzhiten e bien në tokë. Llamba është arkivoli me trupin e Enver Hoxhës, ndërsa insektet janë njerëzit që, për mirë apo për keq, e kanë lidhur fatin e tyre me emrin e tij.
Në këtë galeri të gjërë personazhesh bien në sy, veç grimiorit që është treguesi në vetë të parë i ngjarjeve, Teloja, i plotfuqishmi i sigurisë së “shtëpisë mbretërore” të kuqe, njeriu në hije para të cilit rrijnë gatitu të gjitha kukullat e udhëheqjes së Vendit, Moisi Dhëmblani, një farë poeti oborri i qytetit të lindjes së diktatorit, nënkryetari i presidiumit të Kuvendit popullor në një episod sa komik aq kuptimplotë për të kuptuar mekanizmin infernal të regjimit, sosia e Komandantit që përfundon në arkivol për të ruajtur paraqitjen e jashtëme të tij në sytë e turmave, çifti Rico me kompleksin e tij të besnikërisë e adhurimit për Enverin por dhe me dëshirën për të festuar në një dasëm familjare, Kujtim Gjyzari, i “burgosuri i përjetshëm” i regjimit. Këta e të tjerë lidhen me figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës, qoftë për së gjalli, qoftë dhe kur ai gjendet pa frymë në arkivol.
Episodet, të cilat përshkruajnë këto lidhje, janë secili një hallkë e atij zinxhiri të gjatë që qe diktatura e personifikuar nga Enver Hoxha, një sistem në të cilin dhuna, pabesia e mashtrimi nuk njohën caqe, duke krijuar një shoqëri në të cilën frika ishte motivi zotërues i jetës. Kjo ndjenjë, që arrinte të kushtëzonte skajshmërisht çdo qelizë të shoqërisë, gjen shprehjen e saj më domethënëse në të gjitha veprimtaritë që përbëjnë skenën e shfaqjes së fundit të duetit Enver-Shqipëri, që përbën lëndën kryesore të veprës e shqetësimin më të madh të shkrimtarit. Depersonalizimi i bashkatdhetarëve, indoktrinimi skajor i tyre, tjetërsimi i karakterit që humbet vetitë tradicionale të racës, këto janë për autorin dëmet më të mëdha që komunizmi i solli Shqipërisë. Kriza morale në të cilën u zhyt shoqëria, simptomat e së cilës janë të gjalla ende, që i ktheu shumë qytetarë të këtij Vendi në automatë imoraliteti, duke patur për faltore ndërtesat e degëve të brëndëshme e për rrëfyes oficerët e Sigurimit, ishte ndoshta plaga më e thellë që infektoi trupin e Shqipërisë. Ai infeksion, për dobinë e zbulimit të të cilit vazhdojmë të diskutojmë ende sot, qe si një stuhi rrënuese që rrafshoi vlera e karaktere, pothuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë. Asaj stuhije gjysëm shekullore i qëndruan individët më të shëndoshë, jo si prejardhje, as si shtresë shoqërore, por si karakter vetiak. Kam përshtypjen se autori është mjaft pesimist e i pezmatuar n’atë drejtim. Në mjediset që paraqet gjen pak motive shpresëdhënëse, ata i shëmbëllejnë një bataku pa kufi, ku notohet nën rrezikun e zhytjes në çdo çast.
Në gjithë këtë katrahurë, që është Shqipëria e ditëve të funeralit, shkrimtari shpëton vetëm një personazh, Kujtim Gjyzarin. Ai është kanakari i autorit, i zgjedhuri i tij, simboli i qëndresës ndaj së keqes, i luftës së pabarabartë me të. Historia e personazhit përbën lëndën e një romani më vete. Jeta e tij është një pasqyrë e mizorisë së një regjimi, që synoi të çthurë moralisht qytetarin, e që nuk nguroi të përdorë dhunën më skajore tek ata që i bënë qëndresë kësaj prirjeje. Kujtimi arrestohet në moshën 17 vjeçare, sepse do të paguajë haraçin e një familjeje në të cilën babai ishte në burg e tre vëllezërit u arratisën për t’i shpëtuar atij fundi. Ishte një i ri idealist i mëkuar me veprat e rilindësve dhe autorëve kombëtaristë të dhjetvjeçarëve të parë të shekullit të shkuar. Ishte një i ri i çiltër e i sinqertë i edukuar me bindjen se e vërteta duhet pohuar në çfarëdo rrethane. Të vërtetën për dënimin e padrejtë të tij nuk e mohon kurrë, madje as para Enver Hoxhës, që shkoi të “vizitojë” burgun. Ky pohim i kushtoi shumë mundime, vite burgu e tortura, por ai nuk u dha edhe kur pësoi zhgënjimin e madh, rrahjen nga bashkëvuajtësit pragmatikë në kërkim të një luge sheqer.
Lotët e tij në birucë, kur merr vesh nga altoparlanti vdekjen e diktatorit, janë një gjetje shumë e bukur e autorit që krijon një tabllo të pashlyeshme nga mëndja e lexuesit. Ato lotë shprehin gëzim e shpresë, por edhe dëshpërim sepse me emrin që vajtonte atë ditë zyrtarisht Shqipëria, ishin lidhur shumë tragjedi e jetë të dhunuara si ajo e vetë Kujtimit, e prindërve të tij e sa e sa viktimave anekënd atdheut. Ata lotë nuk i bashkohen atyre të turmave servile e hipokrite anembanë Shqipërisë, ata lotë janë bilanci i hidhur që vetëdija e kësaj të fundit i bën vetes. Ata lotë shënojnë një fund e një fillim që duhet të burojë prej tyre. Aty duhet të marrë forcën e vet Shqipëria e ardhme për të filluar ngritjen e saj, në të cilën do të kenë një rol të rëndësishëm njerëzit si Kujtimi. Ky është mesazhi i shpresës që, tërthoraz përciell shkrimtari, ky është besimi i tij. Fatkeqësisht kjo nuk qe bindja e atyre që morën përsipër misionin e vështirë të ndërtimit të demokracisë shqiptare pas komuniste.
Për kushtet e veçanta të kombit tonë letërsia është binjakëzuar me historinë dhe ngjarjet e saj më të rëndësishme. Nëse për gjysëm shekulli kemi patur një letërsi që ka ndihmuar politikën për të krijuar realitetin “virtual” në mëndjet e shqiptarëve, duhet të kemi kurajon e forcën të krijojmë një tjetër letërsi që të vihet në shërbim të së vërtetës, mbasi ende “ kushtrimi i të parëve” vazhdon t’a mbulojë e tjetërsojë atë. Përgëzimet më të mira z. Pëllumb Kulla, që me veprën e tij të arrirë jep një ndihmesë themelore n’atë drejtim, duke i bërë një shërbim të çmuar kulturës shqiptare dhe popullit të tij.
Shkurt 2009

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011

blank

Sapo kishte mbushur 24 vjeç, kur Fahri Doçi hyri në klasën tonë të maturës – Nga PJETËR META

Sapo kishte mbushur 24 vjeç, kur Fahriu hyri në klasën tonë të maturës, më 1 shtator të vitit 1962 së bashku me drejtorin Hasan Neza, për të na e prezantuar.
“Këtë vit na tha mes të tjerash drejtori, do ta zhvilloni kiminë me mësues Fahri Doçin. Ai ka mbaruar Universitetin shtetëror të Tiranës dhe është dipllomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dega Bio-Kimi. Ju uroj suksese Fahri dhe ju shokë maturantë”
Atë ditë në orën e Kimisë thjesht bëri bisedë të lirë me ne, na pyeti me rradhë për emrat dhe nga vinim e ne përgjigjeshim shkurt dhe saktë. Nuk kishte marrë me vete asgjë, as libër e as fletore, as regjistër, pasi vinin nga Ministria e Arsimit dhe vononin disi deri në 10 ditë nga 1 shtatori. Mbaj mend pas atij prezantimi me ne mësues Fahriu, zuri vend në tavolinë dhe zuri të na shpjegojë në vija të përgjithshme për Kiminë si shkencë që merret me studimin e ndërtimit dhe vetive të materjes, përbërjes, strukturës dhe transformimeve të saj. Shkenca e kimisë, vazhdoi shpjegimin mësues Fahriu, përmbledh edhe disa disiplina si Kiminë organike, Kiminë inorganike, farmaceutikën, Kiminë industrial, kiminë ushqimore, kiminë mikro-molekulare dhe kiminë teorike. Kimia është një prej shkencave natyrore si Fizika, matematika e biologjia, e cila ka zanafillën e vet qysh në kohët e lashta. Me dijeninë tonë, sot po dëgjonim një mësues (përjashto drejtor Hasanin), që cicëronte aq mirë për lëndën e vet, për shkencën e kimisë. Aspak nuk dua që të zbeh punën e njohuritë e mësues Skënderit, i cili në tre vitet e para na kishte zhvilluar kimi. Por mësues Skënderi nuk e kishte lëndën e kimisë të profilit të vet. Edhe sot atë ditë më 1 shtator 1962 e kujtoj si një djalë i ri në moshën 24 vjeç, po deklaronte dhe po tregonte një përgatitje të lartë teorike në profesionin e mësuesit të kimisë. Ai po shpjegonte mësimin si një pedagog që jep mësime në auditor, ashtu edhe mësues Fahriu në atë orë mësimi na dha një leksion a një rezyme të përgjithshme për lëndën e kimisë. Nuk u habitëm aspak për njohuritë teoriko-shkencore që ai kishte fituar, në fund të fundit kishte studjuar 4 vite për këtë lëndë, duke fituar të gjitha aftësitë për të zhvilluar me profesjonalizëm kiminë në shkollat e mesme, por u befasuam në rrjedhshmërinë e shpjegimit, në aftësitë e përvetësimit të lëndës e veçanërisht për memorjen e tij, të mbajtjes mënd të emrave pak të vështirë. Shpjegim të tillë me kaq horizont, akoma nuk e kishim provuar në lëndën e kimisë. Tek Fahriu binin në sy shumë gjëra e disa veti, të cilat nuk njohin harresë. Ishte një djalë me tipare shumë të qeta, me një ecje elegante, siç mund të themi fort qytetare që nuk shkaktonte asnjë zhurmë, kur kontaktonte me dyshemenë, apo me shkallët e derdhura me granil. Ishte i vetmi mësues që në kushtet kur dera e klasës ishte e mbyllur nuk mund të merrnim asnjë sinjal që ai po vinte në klasë. Ecte sikur nuk kontaktonte me tokën, lehtë e pa zhurmë, veç kur e shikonim që po hapej dera dhe ne ngriheshim në këmbë aty ku ishim në bankë e jashtë saj. Na jepte një përshëndetje gjithë kulturë, të shoqëruar me “mirmëngjesi” ose “mirdita”, kur ora e mësimit ishte pas të 12-tës dhe ulej në tavolinë, bënte apelin dhe fillonte mësimin. Çdo veprim Fahriu e kryente me qetësi. Edhe të folmen, shpjegimin e lëndës e bisedat i bënte me shumë qetësi e me zë të ulët. Nën konteksin e zërit të ulët, apo të shpjegimit të mësimit me qetësi, që shumë herë edhe nuk e dëgjonim, dua të të tregoj një episod:
Disa prej nesh po hynin në të 18-tat, por disa të tjerë pak diferencë kishin me Fahriun, ndoshta 1 a 2 vjet. Siç duket Fahriu kishte konstatuar tek këta të rritur, 3 a 4 veta diçka si mosvlerësim, apo diçka si të rritur tashmë që i thonin vetes edhe ne jemi dikushi.
Mësues Fahriu kishte tipare shumë të qeta, por asgjë nuk i kalonte për mosnjohje. Ishte shumë hulumtues, siç i thonë fjalës “I shikon dhe koka mbrapa”. E siç duket i kishte rënë në sy nënvleftësimi. Ne ishim rritur tashmë dhe ai e kuptonte se nuk bëhej gjë me fjalë e as me të bërtitur. Si i zgjuar që ishte ai zgjodhi një rrugë që askujt nuk i shkonte ndër mend. Atë na e shpjegoi natën e maturës. “zgjodha që të flisja me zë të ulët, me qëllim që mos ta kuptonit kërkesën time, bile ndonjëherë kur e kishim marrë vesh gabim e nuk kishim pyetur dhe problemin e kishim zgjidhur gabim”. Ta pyetësh aq shpesh mësuesin, apo dhe t’i zgjidhësh gabim problemet e vështira të kimisë, medoemos ai nxënës binte nga niveli, nuk e kishte krenarinë e autoritetin si më parë, pra pësonte një lloj nënështrimi moral dhe të barazisë, duke e vendosur detyrimisht mësuesin mbi vete dhe si autoritet dhe si pozicion, por veçanërisht edhe si njohuri. Më pas duke i hedhur pas shpine qendrimet e fillimit ndaj mësues Fahriut, filluan të shkëlqenin në lëndën e kimisë, sidomos në zgjidhjen e problemave. Me një zgjuarsi të heshtur e me një teorikë pa rënë në sy, askush nuk mundi të zbulojë manovrën e tij. Ai fitoi autoritetin e mësimdhënies, dhe nxënësit kokëlartë u unifikuan në qëndrimin e të tjerëve në shumicë, pa u ndjerë e pa u ofenduar.
Fahri Doçi, një djalë simpatik, me trup elegant që çdo element i fytyrës së tij plotësonte harmonishëm njëri-tjetrin, kishte një inteligjencë të lindur dhe një bagazh intelektual të mirinformuar. Ai lindi në T’pla të Krasniqes me 13 mars 1938. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Luzhë, kurse shkollën shtatvjeçare në Kolgecaj sot qyteti Bajram Curri. Pasi mbaroi 7-vjeçaren familja e dërgoi në shkollë të mesme, në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, ku vijoi 3 vite mësim. Siç duket Fahriu në moshën 17-vjeçare kishte tjetër dëshirë, ndaj u regjistrua në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Uka” për dy vitet e fundit ku dhe mori diplomën për mësues. Pasi morri diplomën e shkollës së mesme pedagogjike, Fahriu emërohet si mësues në Tropojë, ku shërbeu vetëm një vit. Më 1 shtator të vitit 1958, filloi studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Bio-Kimi, të cilin e mbaroi në qershor të vitit 1962. Më 1 shtator te po këtij viti filloi mësimdhënien në maturën e parë të gjimnazit “Qemal Stafa” sot gjimnazi “Asim Vokshi”. Gjatë këtij viti akademik, me mësues Fahriun morëm aq njohuri të plota, duke plotësuar edhe shumë boshllëqe të viteve të shkuara, të cilat dilnin natyrshëm si një kërkesë për tu ditur që më parë, që të vazhdomin me njohje e zhvillime të reja në vijim të lëndës së kimisë. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, Fahri Daçi kishte një përgaditje të lartë teorike e praktike në lëndën e kimisë dhe ishte një metodist i formuar në mësimdhënie.
Siç shprehim në vlerësimin me shumë dashamirësi, pa patur arsye e as nevojë që të shtyjmë e as të zbukurojmë asgjë për Fahriun, po aq me dashamirësi shprehet dhe ai për maturën e parë, duke shprehur mbresa dhe vlerësime për ne. Në një bisedë me ish-maturantin e parë Sherif Dezdari, mësues Fahriu shprehet: “Pata fatin të kem një maturë si ju, me një formim qytetar të gjithanshëm, me një sjellje imponuese për t’iu quajtur më shumë se nxënës, të barabartë në mes të barabartëve, pra si shokë. Ju ishit të zotët për të asimiluar dijet që ne jua jepnim. E them me bindje se ju jeni maturantët e parë, jo vetëm për shkollën, por edhe për mua si mësues që e fillova për herë të parë punën me ju, çka më dha besim për të qenë mësues i paharruar në kujtesën e nxënësve. Gjithnjë në çdo vit shkollor, ju kujtoj me dashurinë e mësuesit për nxënësit shembullorë”. Në karrierën e tij 30-vjeçare 1962-1992 Fahriu ka ushtruar profesjonin e tij si mësues i këtij profile vetëm në gjimnazin “Asim Vokshi”, të qytetit Bajram Curri, me dy vite ndërprerje si mësues në shkollën e mesme bujqësore Tropojë. Motivi i këtij transferimi ka qenë: “Përforcimin e këtij profile në shkollën bujqësore në Tropojë”. Siç thamë më lart tek mësues Fahriu, hasim në disa veçori të punës së tij si mësues:
Së pari: Fahriu kishte një sjellje në marrdhënie me nxënësit dhe mësuesit aq të kulturuar, po aq edhe mbresëlënëse, në komunikim, në biseda shoqërore e shkencore dhe sidomos në ndershmëri. Ai po me aq ndershmëri e ndërgjegje bënte edhe punën pa u ndikuar nga askush i jashtëm apo i brendshëm qoftë. Aftësitë profesionale si ndër mësuesit më të zotë në lëndën e tij dhe korrektësinë në punë, bënë që të fitonte nderin e respektin brez pas brezi tek nxënësit, por edhe tek kolegët e tij.
Së dyti: Fahri Doçi, me punën e tij dhe aftësitë profesionale e pedagogjike dhe me metodat e tij të mirsjelljes gjatë gjithë atyre viteve, na imponoi me dëshirë ne nxënësve përgaditjen dhe përvetsimin shkencor të kimisë. Fahri Doçi realizoi më së miri objektivin e vet, për të nxjerrë nxënës sa më të përgaditur, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me literaturën e botimet e shtypit periodik, si revista e buletine shkencore dhe me literaturë profili bashkëkohor. Ai vetë pati vështirësi në fillimet e para, pasi edhe rastet ishin të reduktuara, mbi të gjitha mungonte tërësisht laboratori i Kimisë. Ai filloi ta ngrinte dhe bëri një laborator kimie të përmasave bashkëkohore që do tu jepte mundësi nxënësve për një përvetësim më konkret e më të qendrueshëm të teorisë së shkencës së kimisë, gjë e cila u vërtetua plotësisht me përparimin dallueshëm në mësime të nxënësve të këtij gjimnazi në shkollat e larta të vendit.
Së treti: Fahri Doçi, i dalluar në metodat pedagogjike të mësimdhënies, ka qenë kryetar i komisjonit në konferencat pedagogjike në shkallë rrethi.
1) Si kryetar i këtij komisjoni ka dhënë përvojën e tij me informacione shkencore, në diskutim e zbërthim temash e kapituj me rëndësi të veçantë e që paraqitnin më shumë interes për mësuesit e rinj e me pak përvojë.
2) Si zv.drejtor i gjimnazit ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës edhe në shkollat e tjera të rrethit, duke dhënë përvojën e tij në problemet e ballafaqimit në mes të cikleve të shkollës 8-vjeçare e të mesme, e të mesmes me të lartën, duke ndjekur vijueshmërinë e këtyre nxënësve nga cikli në cikël. Si mësues e kryetar i komisjonit me përvojë dhe si drejtues shkolle për disa vjet është dalluar për zbatimin e dokumentacionit të ri shkollor, në rradhë të parë nëpërmes përvojës e metodave të dijeve tek nxënësit.
Së katërti: Meritë të veçantë (siç cituam) ka në ngritjen e laboratorit të kimisë, bashkëkohore dhe shumë funksjonale në të dy shkollat ku ka punuar si mësues. Me efekt të veçantë ka qenë përvoja e tij edhe në ngritjen e kabineteve të kimisë në shkollat e tjera të rrethit, duke I bërë ato sa më funksjonale me bazë materjale.
Për të gjitha këto veçori të punës e të mirsjelljes Fahri Doçi është vlerësuar deri në shkallën më të lartë nga organet qëndrore të Republikës.
1- Në shkurt të vitit 1974 është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” nga Presidjumi i Kuvendit Popullor.
2- Urdhëri “Naim Frashëri” I klasit të III-të në prill të vitit 1985 nga Presidiumi i Kuvendit popullor
3- Në nëntor të vitit 1989, Presidjumi i Kuvendit Popullor i jep atij titullin “Mësues i Merituar”, me motivacionin “Është shquar si mësues e si drejtues në nivel të lartë shkencor e metodik”.
4- Titullin e lartë “Mësues i Popullit” nga Presidenti i Republikësnë prill të vitit 1995, me motivin ‘Për kontributin e tij të shquar në zhvillimin dhe konsolidimin e shkollës në rrethin e Tropojës.
Fahri Doçi ishte dhe mbetet njeriu më model dhe i kulturuar në fushën e mësimdhënies, shoqëror në mardhëniet mësues-nxënës në marrëdhëniet e punës, si dhe në krijimin e familjes.
blank

Genc Burimi në ‘Task Force’: Edi Rama mund të shpallet ‘non-grata’ nga SHBA

Gazetari Genc Burimi komentoi në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në Syri Tv shpalljen non grata nga SHBA të kryeministrit boshnjak, Fadil Novalliç, pasi ngriti rrjetin patronazhist në zgjedhje, ndërsa për kryeministrin shqiptar Edi Rama nuk ka ende një vendim të tillë. Genc Burimi tha se Edi Ramës mund t’ia nxjerrin më vonë.

“Mbase ja mbajnë dhe Ramës si Joker nën mëngë dhe ja nxjerrin më vonë. Po të shohës analizat në Bosnjë, nuk është kjo arsyeja e vërtetë.

Për Novalliç, arsyeja kryesore për boshnjakët është se kryeministri ra në një tjetër grackë, që mund t’i kritikohet fare mirë Ramës, për blerjen pa kandar në momentin e COVID-it, ky zotëria kryeministër prej 2015, firmosi një VKM për blerje 6 mln euro të aparateve respiratore me oksigjen.

Këtë e merr një ndërmarrje në vend të 9-të në tender. Kur u bë VKM, ishte dita e shpalljes së tenderit, ky ka dalë në gjyq, etj, akoma s’është dhënë vendimi.

Mendojnë shumë se për këtë është non-grata, por duke qenë në proces gjykimi, amerikanët nxorën rastin e përdorjes së të dhënave.”-tha Burimi. syri.net

blank

VITET  E HUMBURA TË  HISTORISË – Nga KISMETE HYSENI

 

 

Vështrim rreth fakteve dhe dëshmive për të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovës të periudhës 1945-1990

 

Baba im doli i gjallë nga burgu i Goli Otokut. Doli për të treguar se kishte qenë në ferr… Për të treguar për vete dhe për shokët me të cilët i kishte ndarë vuajtjet në atë kamp tmerri, brenda atij ferri. Doli për të treguar se shqiptarët tanë ishin të burgosurit e parë që pushteti serb dhe UDBA i hodhi në atë skëterrë të harruar në mes të detit. Për të treguar për ishullin e zhveshur ku të burgosurit torturoheshin pa mëshirë dhe vdisnin nga uria.

Baba doli për me tregu se në atë ishull me fytyrë prej guri, ku nuk mbijetonte asgjë e gjallë, fshiheshin aq histori tragjike.

 

Kur vdiq baba, neve na la dhimbje dhe krenari. Na la një grusht dëshmi dhe shumë kujtime për një të shkuar qe kurrë nuk duhet ta harrojmë. Ne që mbetëm pas tij, me shumë mall i ruajtëm ato kujtime. Me dashuri dhe me respekt do ti ruajmë përgjithmonë. Por, dëshmitë, librat, letrat dhe fotografitë, bashkë me shtëpi e katandi, na i dogji flakë ushtria serbe, gjatë luftës me 1999. Gjithçka patëm na i bëri shkrumb e hi.  Por nuk mujten me na shfarosë krejt. Ne mbetem gjallë.

Kështu, edhe një herë  e nisem jetën nga e para.

Një ditë nisa të kërkoj kudo neper biblioteka, arkiva, nëpër libra a letra se mos gjeja te dhëna a shënime për babën se me nevojiteshin për të dëshmuar përpara Komisionit Qeveritar për ish të burgosurit politikë të Republikës së Kosovës se: baba im IDRIZ MALË FETAJ nga Juniku, ka qenë i dënuar nga shteti Jugosllav me 8 vjet burg te rëndë dhe me punë të detyrueshme (për veprimtari politike kundër popullit dhe kundër shtetit) siç e ngarkonte aktakuza e RSFJ.

Libri që më ra në dorë ishte libri me titull: TË BURGOSURIT POLITIKË SHQIPTARË NË KOSOVË 1945-1990, ( gjatë viteve 1945-1990 ne ish Jugosllavi shqiptarët kaluan në burgje 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim) i autores Sabile Keçmezi- Basha, me recensent Adem Demaçi, Muhamet Shatri dhe Faruk Salihu, botuar nga Logos-A, 2009, Shkup, Prishtinë, Tiranë. U gëzova shumë dhe zura ta shfletoj librin faqe për faqe duke kujtuar se më në fund gjeta Baben.. Në faqen 144 nën numrin rendor 4, shkruante:

IDRIZ MALË FETAJ (1920) Junik, 23.12.1949, neni 3/7- 8, LP (3 vjet burg). Këtu ndodhi zhgënjimi im i parë. Idriz Malë Fetaj (3 vjet burg) shkruante ne libër. Ishte gabim, sepse babai im kishte vuajtur 8 vjet burg. Vazhdova të shfletoj librin më tej e më tej se mos gjeja të dhëna edhe për 5 vite të tjera, por nuk i gjeta. Aq kishte. Dhe shënimet mbylleshin. Mund të jetë ndonjë gabim teknik, mendova.

Për ta vazhduar kërkimin vajta ne Arkivin e Kosovës, sepse libri qe shfletova i referohej mu këtij burimi, dhe për fat të mirë ky institucion kishte shpëtuar pa u djegur e plaçkitur nga regjimi okupator serb. Në Arkiv ruheshin dosjet e të burgosurve përkatësisht të të dënuarve politik të vitit 1949-50, por edhe të tjerëve. Aty i mbaja shpresat edhe unë.

Punonjësit e Arkivit të Kosovës ishin ngritur të gjithë në këmbë, të gatshëm për të ndihmuar, për të kërkuar edhe për të gjetur dosje e dëshmi për vitet e tmerrit të personaliteteve shqiptare kaluar nëpër burgjet jugosllave. Punonjësit e zellshëm ishin po ashtu të gatshëm për ti kërkuar edhe vitet e “humbura” të babait tim.

Pas një kërkimi që kishin bërë, edhe ata më thanë se ne librin e të burgosurve të evidentuar të vitit që kërkoja, dhe konkretisht për të burgosurin Idriz Malë Fetaj janë shënuar vetëm tri vite, jo më shumë.

Mezi e përmbajta vetën pa shpërthyer në vaj, e ndjeja se po më zihej fryma nga zemërimi. Ndodhesha aq afër të vërtetës, kurse ajo po me shkiste përpara syve duke më kthyer sërish në fillim. Kush e dinte më mirë se unë për vitet e burgut të babës tem, kush i kishte përjetuar ato vite, ato vuajtje, ato përbuzje, sikur ne. Ndërsa librat, letrat i kishin zhbërë. Si është e mundur të kishin humbur gjithë ato vite të kaluara në Goli Otok, në burgun më famëkeq të ish-RSFJ-së? Ku ishin vitet që vuajti në burg babai im. Ku fshiheshin? Si mund të bëheshin të paqena? Nuk ishin pesë ditë, nuk ishin as pesë muaj, ishin pesë vjet.? Vetëm një ditë në burg ishte ferr, vetëm një ditë në Goli Otok ishte edhe më ferr se në ferr, që nuk mund të fshihej as të harrohej kurrë, kurse unë po i kërkoja edhe pesë vjet të ati ferri, edhe pesë vjet të jetës së babës, pesë vjet të familjes, pesë vjet të mijat? Mendja më shkoi se mos regjimi serb mund ti ketë ndryshuar edhe dosjet, mund ti ketë zhdukur edhe ato ashtu siç bëri me njerëzit, prandaj u pikëllova edhe më shumë.

Zyrat e Arkivit ishin mbushur plot me qytetarë, plot me familjarë, plot me kërkues sikur unë. Të gjithë kokë më kokë po shfletonin libra, po kërkonin fakte e dokumente për të vetët. Ashtu siç bëra edhe unë.

Mora vetë në dorë librin e të dhënave, për te burgosurit politik sipas gjykatave dhe sipas viteve qe ruante Arkivi i Kosovës. Një libër i vjetër me shumë fletë, me faqe të mëdha të gjitha të ndara në  rubrika dhe me shënime ne secilën rubrikë. Të dhënat ishin vënë në dy faqe, në serbisht dhe me shkronja cirilike. Nisa ti lexoj rubrikat një nga një që nga: 1) Redni broj, 2) Dan prijema,.. 4) Okrivleni, 5) Oznaka krivičnog dela,…15) Glavna kazna, dhe vazhdoja ta lexoj te njëjtin rresht në faqen në vazhdim : 16) Sporedna kazna,… 25-6) Zhalba…deri tek rubrika numër 27) Versta i velicina kazne (që ne shqip kanë kuptimin): 1) Numri rendor, 2) Dita e pranimit, 4) I dënuari, 5) Lloji i veprës penale,… 15) Dënimi kryesor, 16) Dënimi shtesë, 25-6) Ankesa. Deri tek rubrika 27) Lloji dhe gjatësia e dënimit. Pra ishin më se 30 rubrika me shënime vetëm për një të dënuar te cilat e tregonin ne hollësi tërë procedurën që nga arrestimi deri tek prerja e dënimit për secilin të burgosur shqiptar. Në faqen me numrin rendor 63 ne librin e të burgosurve të evidentuar të vitit 1950 – Gjykata e  Qarkut, Prishtinë , në serbisht me shkronja cirilike shkruante:

Fetaj Mala Idriz (Idriz Malë Fetaj)., i dënuar; Për vepër penale kundër popullit dhe shtetit; Dënimi kryesor: 3 vjet (rubrika numër 15)  kurse ne vazhdim të rreshtit të njëjtë dhe ne të njëjtën faqe shkruante: Lloji dhe gjatësia e dënimit: 8 vjet privim nga liria me punë të detyrueshme (rubrika numër 27). I gjeta, thash unë. Ja tek janë të gjitha shënimet, të gjitha vitet e burgut të babait tim. Dhe për habinë time 8 vjetët kishin qenë aty para syve tanë. Regjimi serb nuk kishte arritur ti fsheh as ti fshijë. Kishin qenë mu në atë libër, mu në ato faqe, madje ne rreshtat e njëjtë , por ata që u referoheshin këtyre dokumenteve, ata që i kishin mbledhur këto shënime nuk i kishim parë sepse nuk i kishin lexuar rreshtat deri në fund. Ata që i kishin mbledhur këto shënime nuk kishin pasur as aq durim sa ti  lexojnë të gjitha shënimet që ndodheshin në Arkivin e Kosovës në Prishtinë, e jo gjetiu. Nuk i kishin parë as i kishin lexuar fare më shumë se gjysmën e të dhënave që përmbante dokumenti, nuk i kishin lexuar  as shënimet nëpër ata katrorë të zinj ku fshihej jeta, vuajtja dhe vdekja e njerëzve tanë. Për ketë arsye unë kisha marr përgjigje të pavërtetë. Për këtë arsye në libër ishin vënë shifrat gabim.

Pas shumë kërkimeve,unë e gjeta baben tem, por këtë zbërthim më të hollësishëm e bëra që ti njoftoj të interesuarit dhe familjarët e ish të, të burgosurve politikë të tjerë, me sfidat e ngjashme me të cilat mund të përballen gjatë mbledhjes së dëshmive për vitet dhe vuajtjet e tyre. E bëra po ashtu për të dëshmuar se rasti për të cilin po flas nuk ishte gabim as teknik, e as i vogël. Nuk ishte gabimi i vetëm qe ishte bërë për të dhënat në faqen 63 tek i dënuari me numrin rendor 4. Por për të qenë dëshpërimi edhe më i madh të gjitha vitet e të dënuarve ne atë faqe, por edhe në tjetrën në vazhdim, qe i takonin Grupit të Junikut te vitit 1950, ishin dhënë gabim ne mënyrë sistematike:

Në librin “TË BURGOSURIT POLITIKË SHQIPTARË NË KOSOVË 1945-1990” shkruan:

Selim Idriz Gjocaj i dënuar (3 vjet), ndërsa të dhënat e Arkivit tregonin se është dënuar me 10 vjet burg.

Dervish Sali Bajraktari (5 vjet), ndërsa të dhënat e Arkivit tregonin se është dënuar me 10 vjet burg;

Mustafë  Hasan Berisha (3 vjet), ndërsa të dhënat e Arkivit tregonin se është dënuar me 8 vjet burg;

Idriz  Malë  Fetaj (3 vjet), ndërsa të dhënat e Arkivit tregonin se është dënuar me 8 vjet burg.

Idriz  Kurti  Gjocaj (4 vjet), ndërsa të dhënat e Arkivit tregonin se është dënuar me 10 vjet burg.

Vetëm pesë të dënuarve që i takonin grupit të Junikut të vitit 1950 u mungonin 28 vjet të vuajtura në burg. Uroj të mos ketë pasur gabime të ngjashme sistematike edhe nëpër faqet e tjera të publikimit në fjalë. Autorja Sabile Keçmezi – Basha bëri punë jashtëzakonisht të mirë kur ju rrek një pune aq të rëndësishme dhe të ndjeshme për të hartuar librin ku do ti evidentonte të gjithë të burgosurit politikë të Kosovës të periudhës 1945-1990, por shënimet që i mblodhi apo shënimet qe mund t’ia kenë dhënë, për ti publikuar në libër, i ka jo të plota dhe i ka venë gabim. Prandaj, është mirë të korrigjohen. Hapat e gabuar metodologjik gati kurdoherë të qojnë në përfundime të gabuara, prandaj edhe shifra se: Gjatë viteve 1945-1990 shqiptarët kaluan nëpër burgjet jugosllave, 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg, qe sjell autorja që në titull, është gabim. Kjo shifër është akoma më e madhe. Kësaj shifre duhet ti shtohen së paku edhe 28 vjet burg të vuajtura nga 5-pesë personalitetet e përmendura më lartë. Vetëm ky korrigjim bënë që të ndryshojnë edhe shekujt e shënuar. Mund të ketë edhe gabime tek te, të burgosurit e tjerë, të cilat po ashtu duhet korrigjuar.

Ketë shkrim po e sjell përsëri jo për të denigruar njeri, as për të mohuar punën a përpjekjet e atyre që merren me këto çështje, por dua që këtë argument tu ofroj historianëve, shkrimtarëve, hulumtuesve a veprimtarëve të tjerë, në mënyrë që gjatë kërkimeve që mund të bëjnë, të jenë të vëmendshëm në vërtetësinë e të dhënave që i përdorin, të kenë kujdes që ato t’i sjellin të plota.

 

Kismete Hyseni

 

blank

Piratimi i të dhënave- Emrat e krimit, politikës dhe gazetarëve në një listë

Një listë emrash të thuajse 100 mijë shtetasve shqiptarë u publikua në Telegram nga Homeland Justice. I njëjti grup, që organizoi sulmin ndaj sistemit kibernetik shtetëror ka publikuar 49 file me 1.7 Giga materiale.

Mbetet ende e paqartë se çfarë përfaqëson kjo listë, por të dhënat janë siguruar nga institucionet shtetërore.

Emrat janë regjistruar sipas një renditjeje të papërcaktuar. Aty disponohet foto e personit, emri, mbiemri, atësia, ditëlindja dhe vendlindja.

Raportimet e para në media qenë se të dhënat0 ishin përftuar nga sistemi Memex, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.

MEMEX njihet si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal dhe është mjeti kryesor në punën e Policisë së Shtetit. Aty janë depozituar të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal. Ky sistem shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione.

Sapo u mësua për publikimin e listës, në media qarkulloi menjëherë foto e Ervis Martinajt, një profil që policia e kishte në regjistrat e saj shumë vite më parë. Mes mijëra të tjerëve, gazetarët gjetën edhe emra të tjerë të njohur të krimit.

Debati për të dhënat nga sistemi MEMEX

Por në një njoftim për mediat, policia mohoi se janë prekur të dhëna sensitive në sistemin e saj.

“Nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore” njoftoi policia.

Por opozita e quajti këtë një nga momentet më të rrezikshme për vendin. Sipas kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lista që doli sot në internet është pjesë e MEMEX.

“Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet” tha Berisha.

Sipas tij, publikimi i të dhënave pati për qëllim paralajmërimin e elementit kontigjent, që është nën mbikqyrje nga policia.

Edhe politikanë në listë

Mes listës së emrave të publikuar ishte edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali mohoi se të dhënat e publikuara ishin nga sistemi MEMEX.

“Thotë Saliu lista Memex, vu portalet lista Memex. Përgënjeshtroi Policia nuk është lista Memex, por lajmet e portaleve mbetën. Shkurt, e hodhën ata një gur në lumë dhe tani o burra të gjejmë ç’lidhje ka Elisa, Niko, Mimi e të tjerë apo edhe disa gazetarë në listën e të dyshuarve të Policisë!” shkruajti ajo.

Në fakt, në listën e publikuar ka edhe gazetarë dhe zyrtarë të njohur të shtetit.

Gjatë debatit në parlamanent, kryeministri Rama e quajti të gjithë këtë një gallatë të madhe.

“Del një listë sot që nuk flet për hakerim sistemesh sensitive, por për diçka tjetër. Që çfarë terreni gjen në kanalet dhe portalet tona një grup që ka qëllime dashakeqe ndaj vendit dhe që me një listë të fotomontuar ku përzihen kriminelë me politikanë me gazetarë, fut në vorbull një dynja të tërë që hedh teza dhe hipoteza” tha Rama.

Dyshimet për piratimin e sistemit MEMEX erdhën pas bllokimit të sistemit TIMS, vjedhjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë në pikat kufitare dhe hakerimit të emaileve të ish-drejtorit të policisë Gledis Nano.

Çfarë tha FBI për sulmin kibernetik

Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, sipas së cilës qeveria iraniane, nisi sulmin në korrik të 2022 kundër portaleve qeveritare shqiptare duke bllokuar përkohësisht shërbimet online. Sipas deklaratës, hakerët iranianë kanë pasur akses në rrjetin e shërbimeve shqiptare afërsisht 14 muaj përpara se të fillonte sulmin keqdashës kibernetik. Hakerët iranianë kanë mbajtur akses të vazhdueshëm në faqet shqiptare përafërsisht një vit, akses i cili përfshinte një kodues skedarësh të stilit ransomëare dhe një malëare që fshinte disqet. Hakerët kishin mundësi të shfrytëzonin periodikisht të dhënat e qeverisë shqiptare në portalet online.

Midis majit dhe qershorit 2022, hakerët iranianë kryen sulmin e parë ndaj portaleve qeveritare shqiptare, duke nxjerrë të dhënat e qytetarëve. Më pas në korrik 2022, hakerët goditën sërish portalin qeveritar shqiptar, duke lënë edhe një mesazh për muxhaedinët që Shqipëria ka strehuar në Durrës.

Në qershor 2022, HomeLand Justice krijoi një faqe interneti dhe profile të shumta të mediave sociale që postonin mesazhe anti-MEK. Më 18 korrik 2022, Homeland Justice pranoi sulmin kibernetik ndaj portaleve qeveritare shqiptare. Më 23 korrik 2022, postoi HomeLand Justice video të sulmit kibernetik në faqen e tyre të internetit.

Nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit 2022, llogaritë e mediave sociale të lidhura me HomeLand Justice filluan të publikonin të dhënat e qytetarëve dhe qeverisë shqiptare online./Lapsi.al

blank

Raporti i antimafias italiane: Si shqiptarët janë lidhur me “Ndragheta”

Shqiptarët janë në gjendje të lëvizin sasi të mëdha kokaine dhe heroine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ky përfundimi një raporti të antimafias italiane. Lapsi.al sjell më poshtë pjesë nga raporti i dorëzuar në senatin italian për vitin 2021.

Aty theksohet se grupe kriminale shqiptare, përdorin lidhjet me banda të tjera kryesisht në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Austri, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Amerikën Qendrore dhe Jugore, por edhe në Shqipëri.

Në raportin me rreth 500 faqe, antimafia italiane ka zbërthyer veprimtarinë kriminale të bandave shqiptare të drogës. Aty thuhet se shqiptarët kanë arritur ta gjejnë gjuhën e bashkëpunimit të ngushtë me mafian italiane. Në menaxhimin dhe trafikun e drogës janë të përfshira edhe bandat kriminale shqiptare. Nga deti kalojnë ngarkesave të mëdha të marijuanës, vend prodhues i të cilave është Shqipëria.

Raporti vë theksin se lidhjet zakonisht bazohen në raporte familjare ose origjinës, për shkak se u bëhet më e lehtë duke qenë se përdorin të njëjtat kode të komunikimit si edhe një sjellje të njëjtë. Krimi shqiptar është aktiv edhe në trafikun e armëve, të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit, pasi në disa raste veprojnë në marrëveshje funksionale me fraksione të tjera kriminale.

PJESË NGA RAPORTI I ANTIMAFIAS ITALIANE

Krimi shqiptar

Prania e krimit shqiptar është evidentuar në një pjesë të madhe të territorit italian. Ai po shprehet nëpërmjet niveleve të ndryshme të funksionimit. Ndonjëherë ai vepron në grupe të vogla në disa raste multietnik për kryerjen e krimeve kundër pronës. Në raste të tjera u konstatua prania e organizatave kriminale të strukturuara dhe të qëndrueshme.

“Modus operandi” (mënyra e veprimit) i këtyre grupeve është e ngjashme me atë të “mafias tipike”. Lidhjet zakonisht bazohen tek ato familjare. Në çdo rast ka grumbullim të bashkatdhetarëve. Ata janë në gjendje të ndajnë të njëjtat kode sjelljeje. Krimi shqiptar është kryesisht aktiv në trafikun e drogës dhe armëve. Gjendet edhe në trafikun e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin e prostitucionit.

Në disa raste vepron në marrëveshje funksionale me fraksione të tjera të grupeve të tjera kriminale. Shoqatat me konotacion transnacional përdorin lidhjet me bandat kriminale të përbëra kryesisht nga bashkatdhetarë që veprojnë kryesisht në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Austri, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, si dhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe në Shqipëri.

Ky kapacitet për projeksion ndërkombëtar, i forcuar nga gatishmëria për të ofruar drogë me çmime konkurruese ka çuar në fillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes krimit shqiptar dhe organizatave mafioze italiane. Marrëdhëniet lehtësohen dhe forcohen nga mungesa e konfliktit për dominim mbi territorin. Normalisht shqiptarët kujdesen për furnizimin e drogës. Më pas ajo u shitet organizatave që menaxhojnë e dyqanet.

Një element tjetër që rezulton nga provat hetimore tregon se si, pavarësisht nga niveli i strukturimit, organizatat e brendshme shqiptare konfirmohen në trafikun e drogës si ndërmjetësit kryesorë ndërkombëtarë. Kjo për besueshmërinë dhe suksesin e tyre të padiskutueshëm në këtë sektor. Nën këtë profil ata janë në gjendje të lëvizin sasi të mëdha kokaine dhe heroine.

Kjo përmes bashkëpunimit të bashkatdhetarëve të pranishëm kryesisht në vendin amë, si dhe në Amerikën Latine dhe vende të tjera evropiane. Në menaxhimin e dërgesave janë të përfshira edhe bandat kriminale shqiptare. Nga deti vijnë ngarkesa të mëdha të marijuanës, vend prodhues i të cilës është Shqipëria. Si prodhues dhe bashkëpunues të besueshëm ata janë të lidhur me “Ndrangheta”, mafian puliane. Lidhje kanë edhe grupet nga Campania dhe Sicilia apo me matrica të tjera kriminale. ©Përshtati në shqip LAPSI.al

blank

‘Plani i paqes’- Elon MOSKA ra në kurthin e propagandës ruse – Nga Filipp Piatov, BILD

Ai prodhon makinat më të mira elektrike dhe dërgon raketa në hapësirë- por nuk kupton shumë nga politika botërore. Miliarderi amerikan, Elon Musk e futi veten në telashe me deklaratat e tij për luftën në Ukrainë.

Në një postim në Twitter, Musk shpalli vizionin e tij për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës- duke kërkuar lëshime drastike nga Ukraina, por asgjë nga rusët. Blogerët rusë të luftës dhe mediat shtetërore e duartrokitën, ukrainasit dhe ekspertët u tronditën.

Kjo për shkak se Musk, nga të gjithë njerëzit që mbështet Ukrainën me rrjetin e satelitëve Starlink, ra në kurthin e propagandës së Moskës.

BILD shpjegon se sa shumë propagandë ruse qëndron pas ideve të Musk!

Plani për paqen mes Ukrainës dhe Rusisë i Musk përmban katër pika. E para, referendumet duhet të përsëriten në territoret e aneksuara nga Rusia nën mbikëqyrjen e OKB. E dyta, Krimea duhet të bëhet zyrtarisht ruse sepse kështu ka qenë që nga viti 1783 deri në gabimin e Hrushovit. E treta, furnizimi me ujë i Krimesë duhet të garantohet. E katërta, Ukraina duhet të mbetet neutrale dhe të mos i bashkohet NATO-s.

Pika e parë e Musk është më absurdja. Rusia i ka pushtuar ushtarakisht katër rajonet e Ukrainës, i ka rrënuar shumicën e tyre, ka vrarë dhjetëra-mijëra banorë- dhe më pas ka kryer një votim të manipuluar. Para se se rusët të mbanin ‘referendumet e tyre’, ata dëbuan një pjesë të madhe të popullsisë.

Votimet në zonat e pushtuara nën mbikëqyrjen e OKB-së do të ishin një shpërblim për krimet e Rusisë. Rusët do nxiteshin edhe më shumë për të pushtuar dhe aneksuar ilegalisht sa më shumë zona. Përveç kësaj, propozimi i Musk është naiv. Diktatura e Kremlinit nuk do të pranonte kurrë një votë që nuk i korrespondon vullnetit të saj.

Pronari i Teslas e hëngri kështu karremin e propagandës ruse. Për vite me radhë, rusët thonë se shumë nga banorët e Donbasit duan të bashkohen me Rusinë. Në vitin 2014, Moska dërgoi trupa në lindje të Ukrainës dhe tentoi ta portretizojë këtë konflikt si një luftë civile ukrainase. Duke përdorur të njëjtën logjikë, Rusia mund të nisë konflikte dhe të kryejë votime të manipuluara kudo ku ka minoritete ruse, në Estoni, Lituani, etj. Sipas logjikës së Musk, referendumet duhet të mbahen nën monitorimin e OKB. Ajo që nuk përmend Musk është se në vitin 1991, ukrainasit votuan për pavarësinë e tyre. Rreth 90 përqind ishin në favor. Edhe në Krime, shumica e popullsisë, 54 përqind, votuan për një Ukrainë të pavarur.

Musk kërkon që Krimeja t’i lihet rusëve. Kjo do të thotë: Ukraina dhe Perëndimi duhet të njohin një grabitje të paligjshme, nën pushtetin e armëve. Veçanërisht interesant është fakti se Musk e justifikon propozimin e tij me faktin se Krimeja ka qenë pjesë e Rusisë që prej vitit 1783. Musk përshkruan faktin se sunduesi sovjetik, Nikita Hrushova, ia dha Ukrainës në vitin 1954 ‘gabimisht’.

Pra, Krimeja duhet të jetë pjesë e Rusisë vetëm pse Perandoria Ruse e aneksoi në vitin 1783 si rezultat i luftës ruso-turke? Sepse pikërisht në këtë mënyrë, propagandistët rusë e justifikojnë ‘kthimin’ e Krimesë te Rusia.

Se çfarë nënkuptonte sundimi rus për banorët e Krimesë, kjo nuk përmendet në postimin sipërfaqësor të Musk. Gazetarja ukrainase, Anastasia Lapatina shpjegon: “Pas aneksimit të Krimesë në shekullin e 18-të, Rusia nisi një fushatë shekullore ‘rusifikimi’ që përfshinte një gjenocid ndaj tatarëve të Krimesë. Fakt është se Rusia u përpoq të dëbonte dhe të zhdukte banorët tatarë të Krimesë. Përqindja e tyre e popullsisë u zvogëlua qëllimisht. E dinte këtë gjë Musk para se të bënte postimin? Është për të dyshuar…

A e shkroi Elon Musk ‘planin e paqes’ teksa ishte i droguar?

Ajo që është veçanërisht kurioze në ‘planin e paqes’ së Musk është se ai nuk ngre asnjë kërkesë të vetme ndaj Rusisë. Rusëve nuk u kërkohet të paguajnë dëmshpërblime ose të njohin legjitimitetin e qeverisë ukrainase, të cilën Moska e ka quajtur ‘regjim nazist’ prej vitesh.

Nga rusët, të cilën nisën një luftë agresive nën pretendime fiktive, vranë dhjetëra mijëra ukrainas, kryen krime të panumërta lufte, zhdukën qytete dhe dëbuan fëmijë, Musk nuk kërkon asgjë fare.

Politikani belg i BE, Guy Verhofstadt e komentoi thatë: ‘Vazhdoni të prodhoni makina Musk. Lëri ukrainasit të bëjnë atë që mund të bëjnë më mirë se kushdo tjetër- të mbrojnë jetën dhe vendin e tyre nga agresioni rus’.

Ndërkohë, një postim më i vjetër në Twitter nga shefi i Tesla-s po bën xhiron e rrjetit. “Të paktën 50 përqind e postimeve të mia vijnë kur tymos hashash,” deklaroi Musk në nëntor të vitit 2021. Ndoshta kjo i shpjegon sugjerimet e tij sipërfaqësore…

syri.net

blank

Instituti amerikan: Ukraina po i zmbraps njësitë më të mira ruse

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës shkroi se ushtria ukrainase po zgjeron zonën e kontrollit në verilindje, drejt Kreminnayas, Svatovit dhe në rajonin e Khersonit.

Në raportin e përditshëm, Instituti shkroi të martën, se në këto rajone, Ukraina po iu bënë ballë suksesshëm trupave ruse që dikur ishin më të fortat.

“Grupet ruse në rajonin e Khersonit dhe në frontin e Lymanit përbëheshin kryesisht nga njësi që para luftës konsideroheshin si një nga njësitet më të mira luftarake në Rusi”, thuhet në raport, duke u theksuar se bëhet fjalë për Divizionin e Gardës 144.

Sipas raportit, blogerët ushtarakë rusë dhe të dhënat nga burimet ukrainase, japin informacionin se trupat ukrainase po shënojnë rezultate në kontrollin e Lindjes.

“Sukseset e ukrainasve në rajonin Kherson godasin hapësirën tashmë të paqëndrueshme të informacionit ruse. Zyrtarët e administratave pushtuese ruse akuzojnë gjithnjë e më shumë inteligjencën e NATO-s për zbulimin e dobësive të mbrojtjes ruse në rajonin Kherson dhe u bëjnë thirrje forcave ruse të përgatiten për beteja në rrugë, për të ndërtuar linja të reja mbrojtëse”, thuhet në raport. syri.net

blank

Kievi fiton terren dhe grindet me Musk

Këmbësoria ukrainase të hënën pasi çliruan qytetin e Shevchenkivka në Kherson Oblast

Kundërofensiva lejon rimarrjen e pjesëve të territorit të pushtuar nga Moska – udhëheqësit ukrainas hyjnë në polemika me njeriun më të pasur në botë

 

VOAL- Në pellgun e Donbasit, humbja e Lyman, në rajonin e Donetskut të aneksuar nga Kremlini, përfaqëson një pengesë serioze për ushtarët e Moskës, të paaftë në këtë fazë për të kontrolluar të gjitha territoret që pushtojnë. Të hënën vendbanime të tjera në rajone të ndryshme në duart e trupave të Moskës u rimorën nga ukrainasit, si Tors’ke (Donetsk), Shevchenkivka (Kherson) dhe Borova (Kharkiv).

“Njoftimi i aneksimeve është në kontrast të fortë me realitetin ushtarak në terren,” vuri në dukje Michael Kofman i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane (CNAS). Për më tepër, kapja nga ushtria ukrainase e qytetit të Lyman, një kryqëzim i rëndësishëm hekurudhor, përbën një problem serioz për forcat ruse, në mbrojtje dhe të detyruara të krijojnë një vijë të re fronti.

Tani e tutje, “rrugët kryesore të aksesit në aglomeracionin Rubizhne-Lysychansk-Severdonetsk janë brenda mundësive të artilerisë ukrainase, sistemeve të saj më të reja, por edhe armëve të vjetra 152 mm, për të cilat ajo ka gjetur rezerva të mëdha municionesh të braktisura nga rusët. në zonën e Kupiansk ose Lyman”, vëren Joseph Henrotin, studiues në Institutin e Strategjisë Krahasuese (ISC) dhe kryeredaktor i revistës së specializuar DSI (Défense & Sécurité Internationale).

Të hënën në mbrëmje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se tani “më shumë se 450 vendndodhje” janë “çliruar vetëm në rajonin e Kharkiv”. Megjithatë, në rajonin e Khersonit, ende i kontrolluar shumë nga rusët, ushtria ukrainase vazhdon ofensivën e saj në përpjekje për të rrethuar ushtarët armik të dislokuar në bregun perëndimor të lumit Dnipro nga veriu dhe lindja. Por “situata mbetet e komplikuar, armiqësitë vazhdojnë,” tha presidenca ukrainase të hënën.

Nga ana e tyre, “rusët vazhduan të bombardojnë rajonet e Kryvyi Rig dhe Mykolaiv me drone iraniane”, në veri dhe në lindje të rajonit Kherson, thotë Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW). Në rajonin e Zaporizhia, rreth 70% e kontrolluar nga Moska, raketat ruse ranë të hënën dhe të martën kundër qytetit me të njëjtin emër dhe dy fshatrave përreth, thotë Kievi, i cili raporton lëshimin e “një duzinë raketash S300” në këto lokacione. Një sulm rus në rajonin e Kharkiv i mori jetën një 46-vjeçari të martën. Bombat ruse ranë gjatë natës edhe në Nikopol në Dnipropetrovsk Oblast, duke plagosur katër civilë.

Polemika mes Musk dhe Kievit në Twitter

Dhe të hënën, presidenti Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas u futën në polemika në Twitter me miliarderin Elon Musk për pushtimin rus të Ukrainës, me ambasadorin e Kievit në Gjermani që shkoi aq larg sa t’i thoshte themeluesit të SpaceX pa shumë kthesa të frazës “mbaj vendin tënd”.

Shkëmbimi filloi me propozimin e Elon Musk për një paqe midis Kievit dhe Moskës bazuar në referendumet e reja nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, dorëzimin e Krimesë në Rusi dhe një “status neutral” për Ukrainën. Miliarderi amerikan u ka lënë ndjekësve të tij në Twitter zgjedhjen për të votuar “Po” ose “Jo” këtij propozimi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përgjigj i habitur me një tjetër sondazh: “Cilin Elon Musk preferoni, atë që mbështet Ukrainën apo atë që mbështet Rusinë?” Nga ana e tij, këshilltari presidencial Mykhailo Podoliak propozoi “një plan më të mirë paqeje” me “çlirimin e territoreve të saj nga Ukraina, duke përfshirë Krimenë e aneksuar”, një “çmilitarizimin dhe denuklearizimin” e Rusisë dhe sigurinë se “kriminelët e luftës” do të sillen përpara drejtësisë ndërkombëtare. rsi-eb

blank

Të jap ç’të duash nga Shqipëria, më lër të bëj ç’të dua në Shqipëri… – Nga Apollon Baçe

1.  ‘Sulmi kibernetik iranian nuk e arriti qëllimin, praktikisht sistemet janë kthyer në punë’, deklaroi Rama të nesërmen e hakerimit të shtetit që drejton. Pavarësisht se në flea market  (pazarin e pleshtave),  togu  i rrangullinave shqiptare, nga targa e makinës sime tek videot e delinkuentëve, nga dosjet penale tek datat e vaksinimit të Covid-it, shitej dhe shitet për 557 $. Padyshim që ndër 20 blerësit e parë ishin SDB-ja serbe,  KYP-i grek, FSB-ja ruse dhe simotrat e FSB  dhe SDB-ve. Përse Irani shiit kreu kundër Shqipërisë pjesërisht shiite/bektashije, sipas Ramës një ‘agresion të mirëfilltë luftarak’?  Përse nuk ju vërsul Bosnies a Malit të Zi? Belgjikës a Zimbabves?

Për Spiegel-in gjerman ‘shkak i sulmit ishte prania në Shqipëri e mijëra Muxhahedinëve që tentojnë  të përmbysin regjimin e Iranit.’ Pas këtij konstatimi Spiegel i drejton Ramës pyetjen ballore ‘a do dëshironit që të largohet ky grupim ?. Vetë Rama, pas përqafimit simbolik të globit, ju përgjigj Spiegel-it me një jo të prerë: ‘Jo. Shqipëria është krenare për strehimin e njerëzve në rrezik’.

Me 23 shtator 2022, Rama ja zbërtheu hollësishëm tezën humane Alastair Campbell-it, gazetarit të mikut Tony Blair: ‘Në Irak, Muxhahidinët po masakroheshin nga shërbimi iranian… I  morëm në Shqipëri sepse ne gjithnjë i mirëpresim njerëzit në rrezik… Këtë e kemi në ADN tonë dhe nuk pendohemi kurrë për atë që kemi bërë dhe që do bëjmë.’

Po me 23 shtator 2022, Rama përcolli drejt burgut gazetarin Ahmet Olur, i cili kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri. Ashtu si dhe dy vjet më parë kishte përcjellë në burg mësuesin Harun Çelik dhe, po të mos e kishte ndalur Gjykata e Strasburgut, po përcillte edhe profesorin e shquar Selami  Şimşek. Humanizmi dhe Rama eksplodojnë po ranë bashkë. Si e tillë arsyeja e futjes në Shqipëri e Mujahidin Khalq-ëve, Luftëtarëve të Besimit Islam, është krejt tjetër.

Së pari cilët janë Mujahidin Khalq-ët ? Sa i përgjigjet të vërtetës supozimi se në vitet ‘70 ata vranë 6 amerikanë dhe hodhën në erë kompanitë amerikane në Iran (Nilo Tabrizy,  MEK.: The Group John Bolton Wants to Rule Iran, New York Times, May 7, 2018) ? Përse MEK-u u dëbua nga Franca në vitin 1986?

2.  Shkrimi  i Patrick  Kingsley në New York Times (Highly Secretive Iranian Rebels in Albania, Feb 17, 2020 ), analizon bindshëm pikpyetjet e mësipërme. Sipas tij ‘njerëzit që e kanë jetuar revolucionin, kur dëgjojnë emrin Muxhahediin dridhen… Pas rrëzimit të Shahut, Mujahidin Khalq-ët (MEK) kaluan në Irak ku u morën në mbrojtje nga Saddam Hussein-it,… por pas pushtimit të Irakut ata i dorëzuan armët dhe u morën në mbrojtje nga amerikanët… Qeveria amerikane, e cila e kishte damkosur MEK-un që në listën e parë si organizatë terroriste (8 tetor 1997), e rehabilitoi në vitin 2021 dhe pas një viti ata u mirëpritën nga qeveria Shqiptare… Ditmir Bushati, ministri i jashtëm socialist i viteve 2013- 2019, na deklaroi se ‘qeveria shqiptare shpresonte se një mikpritje e tillë do ti sillte simpatinë e Washington-it…’ [1]

Shumë persona e kanë braktisur kampin e MEK-ut në Manzë… Takova dhjetë syresh dhe secili më tregoi se flirti dhe seksi ishin rreptësisht të ndaluar, kontaktet me familjen krejtësisht të reduktuar dhe miqësitë të padëshiruara…  Në seancat periodike të rrëfimit, duhet të  rrëfeheshim dhe bënin  autokritikë nëse na kishte lindur ndonjë dëshirë seksuale ose mendim i gabuar. ‘Pak nga pak dhe ti je i dërrmuar’ thotë Abdulrahman Mohammadian i vetëlarguar nga kampi. ‘Ti nis t’i bindesh vetëm rregullave. Ti nuk je më vetvetja. Ti je një makinë’.

Shoqëruesit nuk na i treguan Troll factory-t, sallat e  internetit ku postohen fyerjet dhe provokimet… Në këto fabrika shahet qeveria iraniane, lëvdohet udhëheqja muxhahedine dhe promovohen lobistët. Ndër ta zëri më i mbrehtë i përket  John Bolton-it, Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare që ka marrë me dhjetëra mijë dollarë për cilësimin e MEK-ut opozitë legjitime e Iranit… Kapiteni Matthew Woodside, ish mbikëqyrës i kampit xhihadist në Irak, më tha MEK ‘është një organizatë e neveritshme. Jam shumë i habitur si u ndodhën  në Shqipëri’.

3. Shkrimi i New York Times të fut në realitetin e frikshëm të botës imagjinare të Nineteen Eighty-Four  të Orwell-it. Ku personi që po ekzekutohej ishte i lumtur, pasi i biri që e spiunoi ishte nderuar për këtë me titullin ‘Spiuni i Vogël’.

‘Big Brother  is watching you’. ‘Mos harroni asnjëherë! Patronazhistët ju njohin mirë… Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë’, një titull ky që në  mjedisin orwellian do konvertohej në ‘Spiuni më i Gjatë.’

Rituali i autokritikës më solli ndërmend edhe mbledhjen urgjente të tetorit ’96 për çështjen e E.S., i cili kishte munguar në leximin në kolektiv të artikullit të Enver Hoxhës. Veçanërisht fjalinë e fundit të E.S: ‘E kuptoj gabimin e madh që kam bërë, pavarësisht  se  isha në Butrint dhe nuk më lajmëroi kush’.

Kuintesencë e shkrimit të New York Times është mesazhi se bashkëkombësit e tij po përpiqen të zëvendësojnë jahjatollenjt e vrazhdët, të çmendur dhe fanatikë, me jahjatollenj po të vrazhdët, të çmendur dhe fanatikë. Si në paradoksin e Anubhav Sinhas: ‘Amerikës ju deshën 4 presidentë, mijëra jetë, triliona dollarë dhe 20 vjet kohë për t’i zëvendësuar talebanët me talebanë.’

Personalisht zhapinjtë e gjelbër dhe zhapinjtë ngjyrë kafe, i grupoj në specien zhapinj dhe për mua antipod i regjimit mbytës iranian nuk është  anëtarja e partisë që pozon me kostum të shëmtuar burrash dhe shami mavi në kokë, por Hadis Najafi e veshur sport dhe pa shami. Të cilën e vrau me 6 plumba ‘policia e  moralit’, simotra iraniane e ‘policisë së mendimit’ të Orwell-it.

Të jap ç’të duash nga Shqipëria, më lër të bëj ç’të dua në Shqipëri.

 

4. Sigurisht punët dhe synimet e Amerikës janë punët dhe synimet e Amerikës, por pyetja është ç’punë kemi ne me punët e Amerikës ? Përse duhet që të ngatërroheshim me superpotencën hakeriste që na ngjiti zgjeben e kuqe a të qenve, falë së cilës do kruhemi gjatë? Përse Amerika nuk i strehoi Mujahidin Khalq-ët në  Amerikë por i plasi në Shqipëri? Përse përveç Saddam Hussein-it dhe Edi Ramës asnjë shtetar nuk i pranoi Mujahidin Khalq-ët? Ramën e urdhëruan që t’i strehonte në Shqipëri Khalq-ët, apo si Dankos të Maksim Gorki-t ‘ju ndez zemra zjarr nga dëshira për të shpëtuar njerëzimin’?

Fraza ‘qeveria shqiptare shpresonte se kjo mikpritje do i sillte simpatinë e Washington-it’, e plotësuar me shprehjen  e Luigjit 14të ‘Shteti jam unë’, tregon se autor i zbarkimit Khalq  është Edi Rama. I cili në vitin 2013 nuk ju nda sekretarit Kerry dhe ministrit Lavrov, deri sa ja doli që ti merrte helmet kimike siriane në Shqipëri. Duke e kthyer Shqipërinë në koshin vullnetar të plehrave ndërkombëtare. Kaq sa për Iranin, për Afganistanin historia është disi më ndryshe.

Pas rakapjekthjes amerikane nga Afganistani, udhëzimet e menjëhershme nuk i dha Biden, por Rama : ‘Shtetet anëtare të NATO-s të kujdesen për njerëzit që punuan për ne (!), që besuan në atë që po sillnim ne (!), që u rreshtuan me atë që donim ne (!) për të ardhmen e Afganistanit’.[2] Këto udhëzime dhe strehimi imediat i 2500 afganëve, e shuguruan Ramën me medaljen dhe titullin ‘Global Innovator’, që sipas Vocabulary.com ka kuptimin  ‘Ndreqësi Novator i Planetit’. Në ceremoninë ë shugurimit Rama vetëm sa shqiptoi me modesti ‘thjesht bëra gjënë e duhur’.

Abigail Hauslohner shkroi në Washington Post (The wrong plane out of Afghanistan, Aug. 15, 2021), ‘Ndërkohë në Shën Gjin kanë lindur dy duzina bebesh, së paku një njeri ka vdekur dhe fatura e qëndrimit në hotelet është milionëshe… ‘Qeveria amerikane nuk mban asnjë përgjegjësi për këta njerëz’, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. ‘Taksapaguesi amerikan nuk do marrë asgjë përsipër’.

Pak a shumë mbajini me shëndet. Rama tashmë e ka medaljen e tij si ndreqës i planetit, taksapaguesi amerikan nuk do paguajë asnjë cent dhe taksapaguesi shqiptar do paguajë 8 euro/familje për medaljen e Ramës.

5. Për mos t’i tjerrur pafund bëmat ndërkombëtare të Ramës po ndalem te Durrësi, për të cilin Rama po kujdeset papushim që edhe ai të ketë bazën e tij detare. Jo për flotën shqiptare, pasi mbi 100 anijet dhe nëndetëset e periudhës komuniste ka kohë që janë kthyer në skrap, por për ADN e mikpritjes detare shqiptare. Pas sekretarit Stoltenberg, Rama ju saldua komandantit Wolters: ‘Do t’i tregojmë nesër gjeneralit se në këto kohë të rrezikshme, besoj se ai sërish do rikonsiderojë për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri’, u shpreh Rama me marshin zik-zak. Çka do të thotë se Wolters, ashtu si Stoltenberg ‘nuk e konsideroi’ ofertën e parë të Ramës.

Duke kapërcyer (në shikimi të parë pa lidhje) në Ottawa të Kanadasë, ndërtesat e saja kanë planimetri  drejtkëndëshe, por ambasada amerikane u lut që selinë e saj ta ndërtonte paksa të harkuar. Referendumi ‘ottawasit zotër të Ottavës’ nuk e pranoi këtë dhe ambasada u ndërtua po katërqoshelie.

Duke u rikthyer Durrësit, në këto kohë sipas Ramës ‘tepër të rrezikshme’, lufta atomike nuk është më nocion abstrakt por realitet konkret dhe bazave ushtarake, veçan atyre  ‘të fjalës së fundit’ u rezervohet nga një ‘nuk’, siç dhe quhen me përkëdheli armët nukleare. Nëse ottawasit referenduan harkimin e lehtë të ndërtesës, a duheshin pyetur edhe durrsakët duan apo jo një ‘nuk’ mbi kokë. Kjo pasi ‘nuku’ do avullonte tërë shtëpitë durrsake bashkë me ato që kanë brenda shtëpitë durrsake. Nga lavatriçja tek frigoriferi, nga macja tek e zonja e shtëpisë.

6. Këto bëma, nga 1 tek 5, shpjegojnë arsyen përse katranjos kompleti nuk ngeli në asnjë klasë të 9 vjeçares. Falë qylymizmit Zjush! Me leje zjush! A ta pastroj koshin e plehrave zjush? Kjo, e lidhur edhe me thënien e Roosevelt-it për Anastasio Somozan ‘He may be a son of a bitch, but he’s our son of a bitch’ (ai mund të jetë biri i një ….., por ai është biri ynë i ……) kuadron bukurmirë. Donan -donan thonë spanjollët, më jep- që të të jap. Të jap ç’të duash nga Shqipëria, më lër të bëj ç’të dua në Shqipëri.

Shënime

 [1] ‘The Albanian government hoped its hospitality would curry favor with Washington.’ Sipas Collins Dictionary, Would curry: përpjekja për të fituar mbështetje nëpërmjet servilizmit.

[2] Si dëshmi se grotesku nuk është shpikje e imja por emfazë e Ramës, po e sjell tekstin në origjinal ‘The NATO member states need to take care of the people that were there for us and worked for us, believed in what we were bringing there and aligned with what we wanted for the future of Afghanistan’

blank

Njihuni me ‘Aligatorin’- Ukrainasit po luftojnë me këtë armë monstruoze – Nga Jeanne Plaumann, BILD

 

Kjo pushkë e Forcave të Armatosura të Ukrainës është një përbindësh i vërtetë.

Emri: Snipex Alligator. Pesha: 35 kilogramë!

Me një gjatësi totale prej dy metrash, kjo pushkë e prodhimit ukrainas nuk është për njerëzit me nerva të dobëta.

-Me një kalibër prej 14.5 milimetra ajo mund të depërtojë një armaturë me trashësi prej një centimetër nga një distancë prej rreth 1.5 kilomtra. Kjo është e mjaftueshme për të depërtuar në armaturën e trashë të blindave rusë BTR-80.

-Predha fillimisht fluturon me një shpejtësi prej 980 metra në sekondë.

-Distanca standarde është rreth 2 mijë metra. Sipas prodhuesit, diapazoni maksimal i Aligatorit në versione të modifikuara më tej shkon deri në gjashtë kilometra. Goditjet e sigurta janë të mundshme deri në 2 kilometra.

Me fuqinë e saj të lartë depërtuese, pushka Aligator është projektuar për të luftuar automjetet, sistemet e mbrojtjes ajrore, bunkerët dhe në rrethana të caktuara edhe mjetet fluturuese.

Për të zbutur efektin zmbrapsës të kësaj mega-pushke ukrainase është instaluar një gojëz me katër-pesë dhomëza.

Në korrik të vitit 2020, prodhuesi ukrainas e prezantoi këtë armë për herë të parë. Në dhjetor të të njëjtit vit, Forcat e Armatosura Ukrainase e miratuan këtë armë.

Aktualisht përdoret në luftën kundër ushtrisë pushtuese të Rusisë. Nuk dihet se sa nga armët janë në përdorim efektiv në fushën e betejës.


Send this to a friend