Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, ka folur për drejtësinë dhe punën e SPAK-ut.
Bushati tha se prokurorët e SPAK, edhe sikur të jenë të përkryer, nuk mund të bëjnë dot punën e tyre, pasi vendi ka rrëshkitur në diktaturë.
“Kur ishin entuziastët e mëdhenj të sukseseve të SPAK, kam thënë, edhe sikur të kishim 20 prokurorë të përkryer, ti kishim bërë me inteligjencë artificiale, ata do të dështonin. Le që nuk i kemi të tillë, i kemi të kriminalizuar. Edhe sikur ti kishim fantastikë, do të dështonin. Pse? Sepse mendoj se ne jetojmë në diktaturë, po i referohem asaj shoqatës suedeze, e cila është nga më prestigjiozet, që na klasifikoi si autokraci elektorale, pra që bën zgjedhje por nuk ke shtet ligjor. Në një vend ku bën zgjedhjet, por nuk ke shtet ligjor, është e pamundur që edhe superman në drejtësi të funksionojë, SPAK për mua edhe në rastin më të mirë, është si një OJQ, që ben ndonjë punë, merr ca fonde, si TCH dhe Klan që bëjnë ndonjëherë kritikë por në fund i shërbejnë regjimit. Edhe si ne këtu po të doni, që e kemi të pamundur të nxjerrim këmbën nga një rreth i caktuar, sepse në regjime anti-demokratike, askush nuk ka mundësi të bëjë punën e vet. Është iluzion të thuash që ne nuk jetojmë në demokraci por kemi ca prokurorë dhe gjykatës… “, deklaroi Bushati.
Analisti u shpreh se Edi Rama ka qenë përfituesi më i madh i reformës në drejtësi dhe e ka thelluar atukoracinë pas implementimit të kësaj reforme, ndaj nuk ka asnjë interes për ta ndryshuar drejtësinë.
“A do të ngrihet ndonjëherë pushteti të thotë, na falni se bëmë gabim me këtë reformë në drejtësi? Jo. Për sa kohë, në periudhën e reformës në drejtësi dhe të SPAK, Rama e ka shfrytëzuar për të na çuar nga një demokraci në autokraci. Fitimtari më i madh i reformës në drejtësi, është njeriu që përforcoi pushtetin e vet. Ju doni nga njeriu që ka përforcuar pushtetin e vet, të zhbëjë atë që i ka dhënë më shumë pushtet. Sot me SPAK dhe me reformë në drejtësi, Rama është më i fortë apo më i dobët?
A kemi patur ne ndonjëherë autokrat në këto 30 vjet me plotfuqishmëri aq të madhe sa e kemi tani? Asnjëherë. Nuk do të pres sa kohë të jetë Rama në pushtet, që ai t’i kundërvihet kësaj reforme në drejtësi, sepse është përfituesi par excellence i kësaj rrokopuje që ka bërë. Si të prishë Klanin dhe Top Channel-in Rama…”, tha ndër të tjera Bushati.