VOAL

VOAL

Bushati kritikon Ramën: Mbështeti tezën serbe të shekullit të 19-të

May 30, 2019

Komentet

Afera e Ballukut- SPAK nis hetimet, sekuestron dokumentet e tenderit të tunelit të Llogarasë, nis verifikimi ndaj kompanisë “Hill International NV”

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar dokumentet e kompanisë ‘Hill International NV’ e cila ka ndërtuar tunelin e Llogarasë.

Gazetarja Klodiana lala raporton se urdhri për sekuestrimin e dokumenteve është firmosur nga prokurori Dritan Prençi.

Ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda për këtë tender, duke akuzuar Belinda Ballukun dhe kryeministrin Edi Rama për abuzime.

Vijon/…

Shqipëria e fundit në rajon për proceset industriale, nuk integrohet me zinxhirët globalë

Vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria mund të çojnë ekonomitë e tyre përpara duke zhvilluar prodhimin industrial dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre duke krijuar klastera në disa industri, referon një studim i fundit Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Por siç tregojnë të dhënat Kosova dhe Shqipëria janë pas në proceset industriale dhe integrimin me prodhimet e tyre në tregjet globale. Industria automobilistike, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ka shfaqur rritje përmes integrimit në zinxhirët globalë, me aftësi në rritje për komponentë të automjeteve elektrike. Procesimi i metaleve, i përqendruar në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi, ofron ekspertizë në shfrytëzimin më të plotë të burimeve.

Agro-përpunimi, prodhimi i Shqipërisë paketim në Serbi

Në industrinë Agro-ushqimore shihet premtuese promovimi i markës rajonale “Ballkan Fresh”: Observatori Ekonomik Rajonal mund të financojë studime fizibiliteti për produkte dhe tregje premtuese, si dhe të hartojë skema për vlerë shtesë në zinxhirë rajonalë të vlerës. Një fushatë e unifikuar brandimi “Balkan Fresh” do të përmirësonte dukshmërinë e produkteve agro- ushqimore të Rajonit në tregjet ndërkombëtare, me certifikim për cilësi dhe qëndrueshmëri. Organizimi i panaireve ndërkombëtare agro-ushqimore (vjetore, me rotacion të qyteteve pritëse) do të afronte blerës globalë.

Plani sugjeron se në fushën e Agro-industrisë Shqipëria bashkë me Kosovën duhet të forcojë më tej prodhimin vendas dhe të lidhen me qendrat e përpunimit në Serbi e Mali i Zi, duke përmirësuar kështu shkallën e përpunimit dhe vlerën e shtuar në destinacionet e eksportit.

Gjithashtu sugjerohet ndërtimi i një platforme digjitale për siguri ushqimore “nga ferma te tryeza” në të gjitha vendet.

Shqipëria si një promotorë e Agroturizmit duhet të mundësojë një lidhje më të mirë të sektorit me prodhimin vendas, sugjeron plani.

Krijimi i Qendrës Rajonale të inovacioni Agri Ushqimor, një institucion që bashkon kërkimin, trajnimin dhe teknologjinë mund përshpejtuar praktikat e mira të prodhimit ekologjik dhe organik me vlerë të lartë.

Industria Automobilistike, Shqipëria për montime të thjeshta

Industria automobilistike në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut është në rritje brenda zinxhirëve globalë, me potencial për të avancuar drejt segmenteve me vlerë më të lartë, përfshirë automjetet elektrike. Plani sugjeron se, Shqipëria propozohet të fokusohet në montimin e nën komponentëve (kabllo dhe module elektronike), por për këtë duhen stimuj fiskalë për investitorët që sjellin teknologji montimi në vend. Për tu përfshirë në këtë industri Shqipëria duhet të përmirësojë kualifikimin e fuqisë punëtore për prodhimin e nën komponentëve elektrikë dhe duhen krijuar partneritete me universitetet teknike dhe qendrat profesionale në rajon, me fokus në automjetet elektrike dhe autonome.

Çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria

Që të bëhet përfituese e klasterave rajonale industriale Shqipëria duhet të investojë në rrjetin rrugor, hekurudhor dhe multimodal, si dhe të digjitalizojë kalimet kufitare për të ulur kostot e transportit dhe përshpejtuar logjistikën. Plani i sugjeron lehtësimin e aksesit në financa për SME-të. Gjithashtu Shqipëria duhet të promovojë produktet alternative financiare (faktoring, leasing) dhe të krijojë kushte për tërheqjen e fondeve private (private equity), duke reduktuar barrierat e kolateralit.

Shqipëria gjithashtu duhet të miratojë kriteret e përbashkëta mjedisore në tenderët publikë mbi pragje të caktuara, duke nxitur kërkesën për produkte dhe shërbime me ndikim të ulët mjedisor.

Strukturat rajonale, të tilla si Observatori Ekonomik Rajonal mund të ndihmojnë me studime fizibiliteti për të identifikuar drejtimet premtuese, mirëpo kërkohet vullnet politik nga vendet./ Monitor

Osmani: Populli i Kosovës në zi për vdekjen e Papës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se trashëgimia e Papa Françeskut, i cili vdiq sot në mëngjes, do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku.

Vjosa Osmani ka shkruar në X se populli i Kosovës u bashkohet miliona njerëzve në zi për vdekjen e Papës.

“Populli i Republikës së Kosovës i bashkohet miliona njerëzve anembanë botës në zi për vdekjen e Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut – një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë. Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, shkruan Vjosa Osmani në X.

Papa Françesku vdiq të hënën e 21 prillit, në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani. Lajmin e trishtë e njoftoi Eminenca e Tij, Kardinali Farrell.

Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen sn

OKB: Shqipëria e para në botë për rënie të lindjeve si pasojë e emigrimit

Raporti i projeksionit të popullsisë nga organizata e Kombeve të Bashkuara, ka parashikime aspak optimiste për vendin tonë, pasi Shqipëria po tkurret dhe plaket.

Ndërsa mendohet se deri në 2054 lindjet do të përgjysmohen, duke bërë që nga 22 mijë bebe të lindura në 2024, të kemi rreth 10-11 mijë bebe në 2050, ekspertët kanë dalë në përfundimin se emigracioni është shkaku kryesor i rënies së lindjeve.

Ata e kanë renditur Shqipërinë të parën në botë, për numrin e lindjeve të humbura si pasojë e emigracionit. Sociologët e shohin me shqetësim këtë situatë, duke thënë se pasojat do të jenë të shumëfishta.

Këto do të reflektohen në radhë të parë në tkurrjen e popullsisë së republikës së Shqipërisë, në radhë të dytë në uljen numrit të martesave, në radhë të tretë në plakjen e popullsisë”, thotë Entela Binjaku.

Sipas projeksioneve të kombeve të bashkuara, të gjitha vendet e rajonit prite të kenë rënie drastike të lindjeve si pasojë e emigrimit të grave në moshë riprodhuese. Edhe më i ndjeshëm është në vendet që kanë norma të ulta të fertilitetit, ku çiftet nuk zëvendësojnë as veten. Itali dhe Greqia janë dy vendet që bëjnë përjashtim, pasi janë vende ku ende që përfitojnë rritje të lindjeve nga emigrantët./gazetablic sn

UGSHPD: RËNDËSIA E MONITORIMIT TË MEDIAS PËR ZGJEDHJET

(6 fjali nga një njoftim i policisë kur shtrembërohen, hedhin poshtë një javë fushatë)
 
Dëmi i kryer nga mediat që e mbështesin propagandën e pushtetit në morinë e ngjarjeve që prodhon fushata mund të zbulohet dhe të mbahet qëndrim edhe vetëm në njërin prej tyre. Nga një tjetër këndvështrim mediat pro qeverisë treguan se vota e paska një çmim aty rrotull 500-eurove sikurse edhe po në të njëjtën ditë me Ramën ato pohuan se për pushtetin atij i duhen 74 mandate.
Në fillim lajmi dhe pastaj numrat.
Kjo prirje si e dalë nga një strategji fushate e Rilindjes Socialiste që e ka me vete median, u gjet edhe në nënvizimet editoriale ku u theksua njëzëri dhe me plot siguri se blerësi ishte një 38 vjeçar nga Lushnja që i përkiste opozitës, madje edhe Berishës prej titujve; 500 euro votë për Berishën, PS e Fierit i përgjigjet PD-së: Janë kapur në krim elektoral, edhe tani bëjnë viktimën” (Shqiptarja .com) dhe  “I premtoi para në këmbim të votës për PD-në e Berishës, arrestohet 38-vjeçari në Lushnjë” (Tema) etj. në disa televizione.
Për një monitorues me ndërgjegje ajo që të bie në sy është brendësia e lajmit. I ardhur si një njoftim prej policisë dhe i ilustruar  edhe me videon e një sheshi pranë komisariatit prej ku nga një automjet me shenja dritash, del i ndaluari dhe ngjit shkallët drejt zyrave hetimore ku ai do të njihet me ‘flagrancën’  dhe ‘masën e sigurisë’, ai nuk mbaron këtu. Por i jepet formë që të përpunohet shikuesi.
Në asnjë nga 6 fjalitë e informacionit nga policia veç fjalëve subjekt politik, nuk përmendet as partia në opozitë dhe as emri i kryetarit të saj siç shkruhet me të mëdha në titujt e nënvizuar nga botuesit që punojnë në një front me propagandën për të dëmtuar një palë dhe lartësuar e ledhatuar imazhin e një pushteti që po kërkon mandatin e katërt.
Pyetja është se; ku mund ta kërkojnë këto media të vërtetën dhe t’ja japin atë si një informacion publikut në mënyrë që ai të jetë i formuar dhe i vendosur për të ardhmen që e pret pas zgjedhjeve që atij përmes ushtrimit të mbrojtjes së votës së lirë që do t’i duhet vendosë vetë?
A ka mundësi publiku ta ndajë lajmin dhe ngjarjen nga gënjeshtra në qoftë se mediat nuk sillen me profesionalizëm dhe për më keq bëhen vegël dhe zëdhënës të partisë në pushtet? 
Për ta sqaruar këtë situatë po ju tregojmë se njoftimi i policisë i dërguar në media ndër të tjera thotë:
-“…Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, 
për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”. Nga hetimet  e kryera 
në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien 
e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të 
datës 11.05.2025. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme”.
 
Përmbajtja kryesore, atë që policia dhe drejtësia po ndalojnë krimin zgjedhor synon të parashtrohet, ajo nuk ka më rëndësi t’i futet një arsyetimi me disa të panjohura nga “mendja e mbrapshtë” e propagandës, ku lajmi i kësaj natyre të shpjegon se tentativa për blerjen e votës ekziston dhe se është; 1- një fenomen i pashmangshëm, 2 – është opozita që e bën këtë dhe 3 – vota e ka një ofertë prej 500 eurosh 1 muaj para datës së zgjedhjeve.
Atëherë  le ta vazhdojmë më tej kërkimin se si do të veprojë “tregu i blerjes së votës” në qoftë se krimi zgjedhor nuk parandalohet nga veprimi i ligjeve.
Mos reagimi së pari dhe mos dalja e përgjegjësisë për mediat të cilat qëllimshëm shtrembërojnë, kjo do të thotë se fushata zgjedhore bëhet nën presion, nën frikë dhe dekurajim për zgjedhësit një tre javë para hedhjes së votës në kuti.
Por në të kundërt, ne dëgjojmë në raste të tjera edhe ngjarje që e plotësojnë propagandën edhe më tej në luftën e numrave të kryeministrit Rama në kërkim të mandatit të 4 dhe të 5 me parullën BE-2030.
Rama hapur ka kërkuar 74 deputetë e lart ose i rrumbullakos ata me domosdoshmërinë 1 milion vota e më shumë dhe se kjo shifër përmendet si qëllim sa herë që ai del me drejtuesit e qarqeve dhe  të  patronazhistëve të Rilindjes Socialiste dhe pohon që kjo forcë politike ka një makineri të fuqishme elektorale. 
Pra blerja e votës për pjesën e pavendosur është një mundësi kur varfëria sundon dhe premtimet e mandatit të katërt nuk janë bindëse. 
Po sa 500 -“euroshe” do të nevojiten për të marrë mbi 1milion vota ose 74 deputetë?
Në një përllogaritje këto disa qindra milion nuk janë problem për një pushtet të korruptuar. 
Paratë gjinden!
Gjinden në pretimet e Ramës për mandatet 4 dhe 5 të Ramës edhe në ligjëratat mashtruese të fushatës kur thotë se: -“Me pasaportën e BE-së, Shqipëria bëhet e madhe sa BE-ja. BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria, pa llogaritur pjesën e të mirave. Ne flasim për bujqësinë, për mbështetjen e bujqësisë e të tjerë. Kemi bërë ne, kemi bërë e do bëjmë akoma. Do ti flasim të gjitha këto, por kjo është kryesorja sepse çfarëdo që të bëjmë ne, ne 300 milion euro ekstra për bujqësinë në vit nuk i gjejmë dot. Ekstra, grant, jo kredi. Nëse futemi në BE, i kemi çdo vit”.
Kjo dhe të tjera grante që do të shlyhen si borxhe nga taksat mund ta bëjnë popullsinë të mendojë se përse pushteti është kaq i pasur dhe popullsia shqiptare që mplaket çdo ditë bëhet më  e varfër para dhe pas çdo zgjedhjesh që në Shqipëri zhvillohen dhe pushteti mbahet nga korrupsioni.
Në javën e parë të zhvillimit të saj fushata ka marrë ngjyrime interesante përsa i përket kërkesës për ndryshim në raport me premtimet boshe të mazhorancës. Gjithnjë e më shumë vërehet se ka një interes dhe energji në rritje për opozitën dhe programin e saj që sjell ndryshimin për sa i përket interesit të qytetarëve në qarqet ku janë zhvilluar takimet brenda vendit si edhe në diasporë (Itali, e Shtuna e kaluar), në raport me ato të mazhorancës ku infrastruktura shtetërore, baza materiale , transporti, burimet njerëzore /administrata dhe rrogëtarët e sigurisht paraja  dhe mediat që nuk mungojnë. Janë këto mënyrat se si u imponohet njerëzve edhe dalja për të marrë pjesë në takimet elektorale të pushtetit. 
Të gjitha këto janë dëshmi të një regjimi autoritar që kontrollon dhe manipulon çdo hapësirë të jetës së shqiptarëve, të cilat mund të ndryshohen edhe atëherë kur drejtësia mungon vetëm me ndërgjegjësimin qytetar për ta mbrojtur integritetin e votës dhe pjesëmarrjen masive për të zgjedhur dhe sjellur ndryshimin. 
Pavarësisht formës dhe përmbajtjes kjo ndeshje po ashpërsohet çdo ditë.
 
19 Prill, 2025
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Pas horizontit jeta vazhdon! E Premtja e Zezë dhe Pashkët

E Premtja e Zezë dhe Pashkët janë sipas kuptimit kristjan ngjarje me rëndësi universale për njerëzit. Të dyja së bashku mund të japin shpresë si festë e krishtërimit.

Festat e mëdha të kishave orientohen tek jeta e Jezu Krishtit. Pa dyshim: festa më e dashur e gjermanëve janë Krishtlindjet, festa e lindjes së Krishtit. Kjo është një ngjarje e gëzueshme. Shpërndahen dhurata dhe atmosfera e shenjtë e Krishtlindjeve ngjall shumë emocione. Sado e rëndësishme që është lindja e Jezuit, pra kthimi në njeri i Zotit, edhe më të rëndësishme janë e Premtja e Zezë dhe Pashkët. E Premtja e Madhe, apo e Premtja e Zezë është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit, Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit.

Të dyja festat kanë megjithatë një fazë përgatitore. E ashtuquajtura “java e zisë” fillon me të dielën që paraprin dhe është java më e rëndësishme në kalendarin e kishës. Për këtë shkak, në ditën e vdekjes së Jezusit, në të Premten e Zezë, në qendër të përkujtimit janë zia dhe pendimi.

Lidhja e vdekjes dhe e ringjalljes

Më parë, e Premtja e Zezë ishte festa më e madhe e të krishterëve evangjelistë. Ndërkohë, në të gjitha konfesionet e krishtera kanë rënë dakord që dita që shënon vdekjen e Krishtit për fajin e njerëzve është pjesë e pandarë e Pashkëve, pra ditës së Ringjalljes. Festa më e madhe e Krishtërimit përbëhet nga e Premtja e Zezë, nga e Shtuna e Zezë dhe nga e diela e Pashkëve e këto shihen ndërkohë si një e vetme.

Intriga, shpifje, proces

Ajo që ndodhi të Premten e parë të Zezë të historisë nisi që një mbrëmje më parë. Jezusi kishte ngrënë darkë së bashku me 12 këshilltarët e tij më të ngushtë – për herë të fundit ata dëgjuan së bashku fjalët e mjeshtrit. Pak pas kësaj pasuan tradhëtia dhe burgosja.

Të Premten e Zezë, Krishtit iu desh të durojë dy procese – njërin të krerëve hebrej, të cilët donin ta mënjanonin Jezusin për shkaqe teologjike dhe një proces të sundimtarëve romakë. Shpesh lufta me vdekjen e të akuzuarve zgjaste disa ditë.

Në informacionet e Testamentit të Ri të Biblës raportohet se në kohën e vdekjes së Jezuit dielli u errësua, toka u drodh dhe ndodhën gjëra të tjera të pashpjegueshme. Jezui përjetoi pasojën e fundit të të qenit njeri, deri në vdekjen brutale.

Fundi vetëm një tranzicion

Ajo që ne e quajmë sot Pashkë, u kthye për ithtarët e Jezuit megjithatë në ditë të surprizës. Në mëngjesin e ditës së tretë pas kryqëzimit, varri ku vendosën Jezuin e vdekur qe bosh. Dëshmitarë u ndeshën me të ringjallurin. Vetëm përballja fizike me atë, që qe ringjallur nga të vdekurit, i bindi të krishterët e parë se ai vërtet jeton.

Perspektiva deri sot

Për të krishterët, e Premtja e Zezë dhe ngjarjet e Pashkëve janë të lidhura me idenë e shpresës. Pashkët hapin për të Krishterët një dimension, që e tejkalon jetën dhe vdekjen në tokë. bw

Prokurori Special paraqet në Gjykatë pamje që tregojnë se si nisi plani për sulmin në Banjskë

Tre të akuzuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit të enjten kanë dalë para Gjykatës.

Prokurori Special, Naim Abazi ka paraqitur në Gjykatë video që tregojnë planin për sulmin në Banjskë.

“Marrin pjesë struktura të larta të shtetit të Serbisë, si dhe pjesëtarë të strukturave ilegale të cilët kanë vepruar në pjesë veriore të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Millan Radoiçiq. Të akuzuarit tjerë, ndër ta edhe Vladimir Radivojeviq,, gjatë takimit kërkojnë armatosjen e fillimit të rezistencës kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht në katër komunat të pjesës veriore të Mitrovicës”, deklaroi ai në Gjykatë.

“Video tjetër të nxjerrura nga dronët e konfiskuar nga grupi terrorist në të cilat do të vërtetohet se ky grup në një kohë të gjatë ka kryer ushtrime fizike, përgatitje fushore, ushtrime taktike me armë të ndryshme, shpërthime me eksploziv, makina ushtarake në lëvizje në hapësirat e poligonit serb”, deklaroi tutje ai.

“Kjo Prokurori do ta dëshmojë se grupi ishte mirë i organizuar, i ushtruar dhe se kishte për qëllim saktësisht sulmin më 24 shtator 2024”, tha Abazi. sn

Image

Presidentja Osmani kërkon që seanca konstituive të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.

“Ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituiv ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në përgjigjen e Osmanit për kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.

Dehari i ishte drejtuar Osmanit të mërkurën në mëngjes me një letër për të sqaruar se si të veprohej më tutje pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.

Osmani tha se është e gatshme të takohet me Deharin dhe me kryetarët e partive politike parlamentare, për të biseduar për rrugën përpara, nëse ato e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

Përgjigjja e Presidentes Osmani ndaj Avni Deharit.

Përgjigjja e Presidentes Osmani ndaj Avni Deharit.

Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.

Deputetët e zgjedhur nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Osmani tha të mërkurën në Facebook se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese tashmë kanë përcaktuar obligimin e të gjithë deputetëve “që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se e mirëpret përgjigjen e presidentes, por e përsëriti se partia e tij do të kërkojë përsëri nga Kurti me ministra të japin dorëheqje formale.

Disa orë më herët, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se thirrjet që anëtarët e ekzekutivit që janë zgjedhur deputetë të japin dorëheqje formale nga Qeveria, janë thirrje “të pamatura”, që do të rrezikonin një vakum institucional.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.

Nga LVV-ja i kanë akuzuar PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe – që abstenoi – se kanë shkaktuar një krizë, duke e futur shtetin në një terren të panjohur.

Miratimi i këtij raporti do t’i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, do të mund të bëheshin hapa drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.

Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.

Kurti mesazh opozitës: Qeveritë e kaluara qëndruan në detyrë pavarësisht krizave, na kërkuat të lëmë ‘pa zot’ shtëpinë’

Kryeminsitri i vendit, Albin Kurti ka thënë se edhe pse partitë tjera politike gjatë mandatit të tyre qeverisë nga e kaluara kanë pasur pothuajse të njëjtin fat, Lëvizja Vetëvendosje sipas tyre, “duhet të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”.

Deklarata u bë nga mbledhja e qeverisë, teksa Kurti tha se ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatit e deputetit, po kërkojnë që formalisht të mos jetë kryeministër dhe të lënë ‘pa zot’ shtëpinë.

‘Konstituimi i Kuvendi i cili dje u pamundësua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, pasi nuk votuan raportin për verifikimin e mandateve si deputetë. Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatit e deputetit, por kërkojnë nga unë që formalisht të mos jetë kryeministër. Qeveria jonë dhe ky kabinet qeveritar është në detyrë, dhe efektivisht e dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti kur edhe e kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katër vjeçar. Nga ajo ditë dhe deri zgjedhjen e Qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësit që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kemi vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se ajo që ndodhi të martën në Kuvendin e Kosovës ishte e papranueshme, ndërsa theksoi vendosmërine LVV, si forcë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, për të krijuar qeverinë e re.

“Në historikun tonë të formimit institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK – ndonëse me kuvend të shpërndarë – , një qeveri e udhëhequr nga AAK – ndonëse e dorëhequr -, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK – ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme –  kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! – ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar – duhet të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”, u shpreh kryeministri në detyrë Albin Kurti. sn

26 vjet nga eksodi- 1 milion shqiptarë u detyruan të largohen nga Kosova nga forcat paramilitare serbe

Sot shënohet 26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vitet e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke, raporton KosovaPress.
Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

Deri në orën 24.00 të 27.03.1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapuna etj) për 2500 persona në muaj.
Me datë 28 mars vazhdoi fluksi i kosovarëve drejt Kukësit, të dëbuar me forcë prej trojeve nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinit ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.
Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.

Për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.
Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur./Kosovapress/

”Mbështetja e NATO-s është e palëkundur”, Mark Rutte pas takimit në Odesa me Zelenskyn: Përkrahim Trumpin për paqen

Kreu i NATO-s, Mark Rutte, ishte sot në Odesa të Ukrainës, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Zelensky.

“Sot vizitova Odesën së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Populli ukrainas ka duruar kaq shumë, jo më pak sulmin e Rusisë të së dielës ndaj Sumy. Mbështetja e NATO-s është e palëkundur.

Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet sot dhe të pengojmë agresionin e ardhshëm, duke siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.” Kështu ka shkruar në rrjetet sociale Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Mark Rutte.

Mark Rutte, gjatë vizitës së tij të papritur në Odessa, tha se përpjekjet e Donald Trump për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Ukrainë “nuk janë të lehta”, duke e quajtur “gjurmën e tmerrshme” të sulmeve të Rusisë kundër civilëve ukrainas si “të egër”.

Rutte tha për bisedimet e udhëhequra nga SHBA: “Këto diskutime nuk janë të lehta, veçanërisht në vazhdën e kësaj dhune të tmerrshme. Por ne të gjithë mbështesim shtytjen e Presidentit Trump për paqe.”

“Ukraina ka një nevojë urgjente për sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. bw

Dështimi i konstituimit të Kuvendit, reagon Kurti: Sulm kundër Republikës dhe zgjedhjeve demokratike

Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas dështimit për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Kurti akuzoi opozitën se ka penguar një proces formal e teknik, duke vënë në pikëpyetje respektimin e rendit demokratik.

Sipas tij, deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve, një hap procedural që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së dhe që i hap rrugë betimit të deputetëve dhe formimit të institucioneve të reja.

“Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike,” shkroi Kurti, duke e quajtur situatën të paprecedentë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

Ai theksoi se ndërsa qeveria e tij ka qeverisur “mbarë e mirë”, opozita “la nam dhe bën lajm të keq për shtetin”.

“Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, u shpreh Kurti. bw


Send this to a friend