VOAL

VOAL

Bullgaria e gatshme të përforcojë kufirin me Turqinë

March 19, 2017

Komentet

Vuçiq në Globsec: Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Forumin GLOBSEC në Pragë. 13 qershor, 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Forumin GLOBSEC në Pragë se anëtarësimi i një shteti në Bashkimin Evropian (BE) është “vendim politik” dhe jo çështje merite.

“Njerëzit në Evropë flasin vazhdimisht për një qasje të bazuar në meritë, me formulime të tilla. Por, kështu s’ka ndodhur asnjëherë”, tha Vuçiq, duke theksuar se për Serbinë pengesa kryesore në këtë rrugë mbetet mosgatishmëria për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Bëhet fjalë për Kosovën. Siç e dini, ne i përmbahemi Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244, e cila thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Njëzet e dy nga 27 vendet anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa pesë prej tyre jo – dhe ky është problemi. Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të cilës i referohet Beogradi, i dha fund luftës në Kosovë. Ajo, ndër të tjera, përcakton mandatin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) – KFOR, për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, me ç’rast përfundoi edhe bombardimi i NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme. Kosova shpalli pavarësinë më 2008.

Gjatë forumit në Pragë, Vuçiq u takua edhe me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin, sipas tij, pati një “bisedë përmbajtjesore dhe konstruktive” për vazhdimin e bisedimeve nën ndërmjetësimin e BE-së, sfidat rajonale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Përsërita përkushtimin e plotë të Serbisë për të gjetur zgjidhje kompromisi përmes dialogut, me respekt të plotë për partnerët ndërkombëtarë dhe me një vlerësim të qartë për interesat e popullit tonë. Nënvizova se për vazhdimin e dialogut është thelbësore kthimi te bazat që janë lënë pas dore – siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, deklaroi Vuçiq.

Forumi i sivjetmë GLOBSEC po mbahet në një kohë kur vendet evropiane po e rishikojnë me intensitet të shtuar rolin e tyre në një mjedis global që po ndryshon.

Ballkani Perëndimor është pjesë e agjendës, por Kosova nuk është e përfaqësuar në këtë ngjarje.

Miqësia me Putinin – Vuçiç në samitin në Ukrainë refuzon të nënshkruajë deklaratën që dënon agresionin rus

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, që nga fillimi i agresionit rus, se “nuk e ka tradhtuar Rusinë” dhe se në samitin e mbajtur në Odesa nuk e ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin, pasi ajo bënte thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ai tha se Serbia ka qëndruar neutrale dhe se askush nuk ka ushtruar ndonjë “presion të madh” ndaj tij që ta nënshkruante këtë deklaratë.

“Sërish kam qenë i vetmi që nuk e kam pranuar deklaratën. Ndryshe nga ata që pranojnë çdo gjë kundër Rusisë, çdo gjë që munden”, tha Vuçiç më 11 qershor para gazetarëve në Odesa, ku mori pjesë në samitin Ukrainë – Evropa Juglindore.

Ai theksoi gjithashtu se është “krenar për politikën e Serbisë” dhe për “pavarësinë dhe vetëvendosjen” e saj. “Kështu do të vazhdojmë”, shtoi Vuçiq.

Deklarata, e nënshkruar në samitin e Odesës nga liderë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë nga Rumania, Moldavia, Greqia dhe Kroacia, dënon agresionin rus, bën thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe dënon krimet e luftës të kryera nga Rusia, sipas agjencisë AFP.

Dokumenti, ndër të tjera, i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe dënon dëbimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, për në Rusi.

Gjatë fjalimit të tij në samit, presidenti serb deklaroi se Serbia do të vazhdojë të respektojë të drejtën ndërkombëtare, përfshirë “mbrojtjen e integritetit territorial të vendeve që janë të njohura nga Kombet e Bashkuara”.

“Gjithmonë kemi mbrojtur këtë qëndrim dhe do të qëndrojmë të palëkundur në këtë pikë. Mendoj se në një mënyrë kjo mund të jetë edhe e dobishme për Ukrainën”, tha Vuçiq.

Në një deklarim për gazetarët, ai shtoi se e ka falënderuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për “respektimin e plotë të Kartës së OKB-së dhe të integritetit territorial të Serbisë”.

“Dhe këtu nuk kishte Prishtinë dhe përfaqësues të Prishtinës”, tha Vuçiq.

Në fjalimin e tij në samitin në Odesë, ai deklaroi gjithashtu se Beogradi “do të dëshironte të ndihmonte në rindërtimin e një ose dy qyteteve apo një rajoni të vogël” në Ukrainë, si shenjë mbështetjeje për qytetarët ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për pjesëmarrjen në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore dhe për ndihmën ndaj Ukrainës. Ai theksoi rëndësinë e kësaj vizite, e para e Vuçiqit në Ukrainë, sidomos në kohë lufte, duke vlerësuar praninë e tij në terren.

Zelensky tha se ata diskutuan për mbështetjen e ndërsjellë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, bashkëpunimin dypalësh dhe rindërtimin e Ukrainës. Ai falënderoi Serbinë për iniciativën për të ndihmuar në procesin e rimëkëmbjes dhe për të marrë nën patronazh rindërtimin e disa vendbanimeve ukrainase – një formë shumë efektive bashkëpunimi, sipas tij.

Në fund, Zelensky vlerësoi mbështetjen e Serbisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Në fillim të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Serbia kishte shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, por deri sot ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Zyrtarët serbë kanë vazhduar të ruajnë lidhjet me Rusinë, dhe Vuçiq ishte më 9 maj në Moskë, në Paradën e Fitores me rastin e 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin. Atje, ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Presidenti serb publikoi në një postim profilin e tij në Instagram se më 11 qershor, ku thuhej se në Odesa ishte angazhuar për intensifikimin e dialogut dhe arritjen sa më të shpejtë të paqes.

Në margjinat e samitit, ai u takua edhe me presidentin e Ukrainës.

“Shkëmbyem mendime për rëndësinë e arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme, respektimin e të drejtës ndërkombëtare, si dhe për rolin e diplomacisë në kapërcimin e konflikteve”, shkroi Vuçiq në Instagram, postim që e shoqëroi me një fotografi me Zelenskyn.

Ai shtoi se biseduan edhe për çështje ekonomike dhe për qëllimet e përbashkëta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme shoqërore.

Gjatë tre vjetëve luftë, Serbia ka thënë se ka një politikë të neutralitetit dhe ka mohuar se furnizon me armë palët e përfshira në konflikt.

Megjithatë, Shërbimi i Jashtëm i Sigurisë së Federatës Ruse më 28 maj e akuzoi Serbinë se, “pavarësisht deklaratës zyrtare për neutralitet”, Beogradi vazhdon të furnizojë Ukrainën me municione dhe se me këtë po e “godet Rusinë pas shpine”.

Reagimi nga Moska erdhi pasi për vite me radhë media të ndryshme kishin raportuar se armë dhe municione serbe, përmes vendeve të treta, kanë përfunduar në duart e ushtarëve ukrainas.

Beogradi zyrtar ka mohuar disa herë që Serbia ka eksportuar drejtpërdrejt armë në Ukrainë apo Rusi, si dhe ka theksuar se nuk mund të ndikojë në atë se ku përfundojnë armët e shitura përmes ndërmjetësve.

Pas deklaratës së shërbimit rus, Vuçiq tha se do të ndërpriten kontratat për shitjen e armëve dhe municioneve kur të ketë dyshime për abuzim dhe dërgim të tyre në frontin ukrainas./REL/

Arbnor Spahiu dyshohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë

Policia e Kosovës në afërsi të Banjskës.

Radio Evropa e Lirë

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radion Evropa e Lirë.

Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.

“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.

Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.

Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë, Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.

Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë rast dhe me pretendimet e avokatit.

Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.

Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

Ish-polici kosovar, Arbnor Spahiu, merret në pyetje në Serbi

Radio Evropa e Lirë

Shtetasi kosovar, Arbnor Spahiu, i ndaluar më 7 qershor në Serbi, është transferuar nga Qendra e Ndalimit në Kanjizhë drejt Suboticës, bëri të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

Duke folur për gazetarët në Prishtinë, Koci tha se ka dorëzuar disa prova që, sipas tij, dëshmojnë pafajësinë e klientit, dhe shprehu besimin se ai do të lirohet së shpejti.

“Presim tash, brenda një ore a dy do ta kuptoj nëse prokurori do të kërkojë paraburgim për ish-policin apo do ta lirojë menjëherë”, tha Koci.

Megjithatë, nga Prokuroria në Suboticë i thanë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ai “ende nuk është sjellë tek ata për t’u marrë në pyetje” dhe se “është lënë në paraburgim deri në 48 orë”.

Spahiu, i cili, sipas avokatit, është ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Koci tha se ai po merret në pyetje në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se Spahiu pritet të dalë sot para Gjykatës Themelore të Kikindës në Serbi.

Por, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë konfirmoi nga kjo gjykatë se “nuk ka një rast të tillë”.

MPJD-ja tha, po ashtu, se “do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet përmes kanaleve diplomatike përkatëse” dhe se “do t’i mbajë të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo informacion të ri të konfirmuar zyrtarisht”.

Ndërron jetë ‘Mandela i Plavës dhe Gucisë’

Ka ndërruar jetë në moshën 102 vjeçare Rexhep Gali Balidemaj, një figurë emblematike e qëndresës dhe atdhetarizmit shqiptar i njohur si “Mandela i Plavës dhe Gucisë”.

Për vdekjen Balidemajt ka njoftuar nëpërmjet një postimi në facebook, djali i tij Naim Balidemaj.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se më 8 qershor 2025, ndërroi jetë në moshën 102-vjeçare i dashuri ynë Rexhep Gali Balidemaj (19 dhjetor 1922 – 8 qershor 2025) Një jetë e gjatë, e përkushtuar ndaj vlerave të larta njerëzore. Varrimi dhe ceremonia e lamtumirës do të bëhen me njoftim të mëvonshëm. Për më shumë informata do të kontaktoheni në vijim”, ka shkruar ai.

Rexhep Gali Balidemaj, i njohur si “Mandela i Plavës dhe Gucisë”, është një figurë emblematike e qëndresës dhe atdhetarizmit shqiptar. Lindi më 19 dhjetor 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë, nga Gal Shabani dhe Sutë Goçaj – Balidemaj, në një familje të njohur për angazhimin e saj atdhetar.

Në vitin 1941, Rexhepi u regjistrua në gjimnazin e Tiranës me ndihmën e ministrit Qazim Koçulli. Atje u lidh me grupe rinore antifashiste dhe mori pjesë aktive në aksione kundër pushtuesve. Në vitin 1943, u bashkua me radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke luftuar deri në Trieste të Italisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Rexhepi ndoqi një karrierë ushtarake. Në vitin 1946, u dërgua në Kiev për t’u trajnuar si pilot, duke u bërë piloti i parë shqiptar i aviacionit ushtarak. Në vitin 1948, filloi punën si pilot në Zagreb. Pas Rezolutës së Informbyrosë, ai u identifikua si mbështetës i Shqipërisë dhe u arrestua në vitin 1949, duke vuajtur një dënim prej 6 vjetësh në Goli Otok, një nga burgjet më famëkeqe të ish-Jugosllavisë. Pas kësaj, ai u arrestua dhe u dënua edhe pesë herë të tjera për veprimtari atdhetare, duke kaluar gjithsej mbi 16 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë .

Në vitin 1983, Rexhepi u bë pjesë e një grupi të quajtur “treshja”, një formë e organizimit të fshehtë për të shmangur infiltrimin e shërbimeve sekrete. Ai u arrestua sërish dhe u dënua me 5 vjet burg për agjitacion dhe propagandë armiqësore. Pas një angazhimi të avokatit Bajram Kelmendi, dënimi u ul në 3 vjet, të cilat i vuajti në burgjet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjurakovcit .

Pas çlirimit të Kosovës, Rexhepi vazhdoi angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Në vitin 2024, ai u nderua me mirënjohje nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm. Në vitin 2025, ai u takua me gjeneralin amerikan Ëesley Clark, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e tij gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 .

Rexhep Gali Balidemaj jetonte në Nju Jork me tre djemtë e tij, Naimin, Nerimin dhe Kujtimin. Ai mbetet një simbol i qëndresës dhe atdhetarizmit për shqiptarët e Plavës, Gucisë dhe mbarë kombit shqiptar. Populli i Plavës e Gucisë e nderon me krenari si “Mandela i Plavës dhe Gucisë” për jetën e tij të shërbyer në dobi të çështjes kombëtare . sn

Çdo i dyti i huaj me leje qëndrimi në Serbi vjen nga Rusia- Kinezët në vendin e dytë, të ndjekur nga indianët dhe turqit

Ana ka arritur në Serbi në vitin 2023.

 

Jovana Kërstiq, Svetllana Bozhiq-Krainçaniq

“Dua të mbijetoj”. Kështu e fillon rrëfimin e saj Ana, shtetase e Rusisë, për zhvendosjen dhe jetesën e saj në Serbi.

Ajo u zhvendos në Beograd në korrik të vitit 2023 dhe pas një muaji vendosi të hapte një biznes – gjë për të cilën, deri atëherë, thotë se kishte ëndërruar.

“E kuptova se duhej të bëja diçka që dua dhe e dua vërtet. Unë kam dashur gjithmonë të hap një bibliotekë. Dhe këtë vendosa ta bëj në Serbi”, thotë Ana për Radion Evropa e Lirë.

Ajo mori me qira një hapësirë në komunën e Vraçarit të Beogradit dhe hapi një vend ku njerëzit “lexojnë libra dhe shoqërohen, ndërkohë që hanë dhe pinë”.

Ana punonte në industrinë e teknologjisë informative, ndërsa sot kafeneja e saj është e mbushur me rafte librash.

“Biblioteka është e vogël, por veprat janë përzgjedhur me dashuri. Janë librat që unë i dua”, thotë ajo.

Janë librat që unë i dua, thotë Ana.

Janë librat që unë i dua, thotë Ana.

Ana shton se është e kënaqur me mënyrën se si mjedisi e ka pranuar.

“Është fantastike. Kam shumë miq në mesin e serbëve. Shumë fqinj me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera”, shprehet ajo.

Ana është një prej dhjetëra mijëra qytetarëve rusë që kanë shkuar në Serbi prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Për disa, Serbia ka qenë vetëm një destinacion i përkohshëm, por të tjerë kanë mbetur atje.

Kafeneja e saj bibliotekë është një vend takimi për banorët vendas, por edhe për pjesëtarë të shumtë të komunitetit rus në Beograd.

Librat në raftet e saj janë në rusisht, anglisht dhe serbisht, por ka edhe romane nga autorë serbë të përkthyera në rusisht.

“Kjo është dëshira ime, të kontribuoj në përparimin e komunitetit rus, por edhe të komunitetit në të cilin jetojmë. Të përmirësoj komunikimin dhe lidhjen e ndërsjellë”, thotë Ana, duke shtuar se hapësirën e saj, do që ta bëjë​një “shtëpi për të gjithë”.

“Shumë nga ata që vijnë këtu, më thonë se ndihen si në shtëpi. Për momentin, kjo mjafton për mua”, thotë Ana.

Kafeneja bibliotekë e Anës në Beograd.

Kafeneja bibliotekë e Anës në Beograd.

Më shumë se gjysma e të huajve në Serbi janë rusë

Të dhënat zyrtare tregojnë se çdo i dyti i huaj me leje qëndrimi në Serbi vjen nga Rusia.

Nga afërsisht 100.000 të huaj që banojnë ligjërisht në Serbi, më shumë se 53.000 janë rusë, sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave të Serbisë (RZS).

Kjo është hera e parë që numri i të huajve që kanë qëndrim të rregullt në Serbi, është i detajuar në statistika.

Hulumtimi është kryer nga RZS-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe rezultatet janë prezantuar në prill.

Demografi Vlladimir Nikitoviq nga Instituti i Shkencave Sociale në Beograd thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe se mbërritja e tyre është një lajm i mirë për Serbinë.

“… sepse në Serbi kemi ende një bilanc negativ të migrimit – kur e krahasojmë se sa njerëz vijnë dhe sa largohen, pavarësisht nëse janë shtetas tanë apo të huaj. Pra, të dhënat janë pozitive në kuptimin demografik”, thotë Nikitoviq.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mosha mesatare e atyre që kanë emigruar në Serbi, është 32.6 vjeç, që është më e ulët se mesatarja kombëtare.

Nikitoviq thotë se kjo mund “t’i përmirësojë” statistikat e Serbisë.

“Mesatarja jonë tani është afërsisht rreth 43-44 vjeç. Në këtë kontekst, ky është një efekt pozitiv dhe do të ishte mirë nëse modelet e tilla, do të vazhdonin”, thekson Nikitoviq.

Të rinj dhe të arsimuar

Sipas të dhënave, të cilat i referohen vitit 2023, qytetarët rusë që jetojnë në Serbi, janë mesatarisht 30 vjeç.

Shumica janë burra, 54.4 për qind, ndërsa gratë përbëjnë 45.6 për qind.

Rreth 83 për qind e tyre jetojnë në komunat qendrore të Beogradit dhe në Novi Sad.

“Ata kanë zgjedhur mjediset që besojnë se mund t’u ofrojnë më shumë. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një mundësi për ato mjedise – në njëfarë mënyre”, beson demografi Nikitoviq.

Sa i përket demografisë, sipas tij, është mirë për komunitetet lokale kur një popullsi që është mesatarisht më e arsimuar se popullsia e përgjithshme, shpërngulet – siç është rasti me qytetarët rusë.

“Ata, gjithashtu, kanë një portofol aftësish që këtij komuniteti i mungojnë, sepse është kryesisht popullsi që vjen nga pjesët më urbane të Rusisë – niveli i zhvillimit të të cilave është shpesh mbi mesataren e Bashkimit Evropian”, shpjegon Nikitoviq.

“E, tani, praktikisht varet nga shoqëria jonë se si do ta përdorë këtë impuls”, shton ai.

A e kanë të shtrenjtë jetën në Serbi?

“Jeta është e shtrenjtë në Beograd. Qiranë e apartamentit e paguaj 750 euro, kjo është shumë! Është tepër e shtrenjtë. Tregu është i shtrenjtë”, thotë Ana.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës dhe mbërritjes së një numri të madh rusësh në Serbi, rritja e çmimeve është bërë një nga temat dhe shqetësimet e përditshme të banorëve serbë.

Nikitoviq thotë se do të ishte “e padrejtë t’i hidhej faji popullsisë ruse”.

“Nuk është shkaktuar drejtpërdrejt nga mbërritja e popullsisë ruse. Por, momenti është përdorur për t’i rritur çmimet për arsye të ndryshme – jo vetëm për strehimin, por për të gjitha shërbimet”, beson ai.

“Duket se kjo valë [e rritjes së çmimeve] ka kaluar”, thotë ai dhe shton se migrimet e tilla e përshpejtojnë procesin e urbanizimit.

“Shikojeni Beogradin sot, i cili është një qytet shumë më metropolitan sesa ishte vetëm shtatë ose tetë vjet më parë. Rusët kontribuuan në këtë, por edhe migrimet e tjera që po ndodhin dhe për të cilat jemi të vetëdijshëm edhe pa këto të dhëna statistikore”, thotë ai.

Për Anën, hapja e një biznesi në Serbi ishte gjithashtu sfidë.

“Ende nuk mund ta kuptoj politikën tatimore në Serbi… Është vërtet shumë vështirë t’i paguash të gjitha këto taksa. Të ardhura nuk kemi shumë, ndaj punojmë vetëm”, thotë Ana, e cila punon bashkë me një mik të sajin.

Ajo shton se situata aktuale është e tillë që nuk të ofron përmbushje materiale, por ajo personale është e madhe, sipas saj.

“Kështu është për momentin, po përpiqemi ta rregullojmë. Nuk e di se si, por shpresojmë se do ta bëjmë”, shton ajo.

Kthesa pas fillimit të luftës në Ukrainë

Serbia nuk ka qenë gjithmonë një destinacion tërheqës për emigrantët rusë.

Pika e kthesës ka ndodhur në mars të vitit 2022, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në atë kohë është regjistruar vala e parë e të arriturve të regjistruar në Serbi – ku qytetarët rusë ende mund të hyjnë pa viza, ndryshe prej shumicës së vendeve të tjera evropiane.

Disa kanë shkuar atje, sepse nuk kanë mundur t’i vazhdojnë bizneset në vendin e tyre. Kjo për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Moskës, të cilave Beogradi nuk u është bashkuar.

Disa të tjerë, ndërkaq, janë larguar nga Rusia për shkak të mospajtimit me luftën ose nga frika e mobilizimit ushtarak.

Që atëherë, qindra mijëra qytetarë rusë kanë hyrë në Serbi, por jo të gjithë kanë qëndruar.

Për ata që vendosin të qëndrojnë, është e nevojshme një leje qëndrimi. Në vitin 2022, më shumë se 19.000 rusë i kanë marrë ato.

Me vazhdimin e luftës edhe në vitin 2023, leje qëndrimi në Serbi kanë marrë edhe qytetarë të tjerë rusë – gati 23.000.

Shkalla e ndryshimit shihet më së miri në krahasim me vitet e kaluara.

Gjatë vitit 2012, më pak se 500 qytetarë rusë kanë marrë leje qëndrimi në Serbi, që do të thotë se numri i imigrantëve rusë, ndërkohë, është rritur pothuajse 47 herë.

Ana thotë se do një pasaportë serbe, por se motiv i saj nuk është liria e lëvizjes.

“Dua një pasaportë serbe, sepse dua të jetoj këtu. Nuk ka të bëjë me udhëtimin e lirë apo qëndrimin pa viza”, sipas saj.

A mendojnë rusët të qëndrojnë në Serbi?

Në vitin 2023, në Serbi kanë lindur mbi 230 foshnje nga prindër me shtetësi të huaj.

Më shumë se gjysma e këtyre fëmijëve kanë prindër që janë shtetas rusë.

Edhe pse beson se ky është një lloj treguesi se qytetarët rusë jo vetëm që qëndrojnë më gjatë në Serbi, por edhe krijojnë familje atje, demografi Nikitoviq thotë se është e vështirë të vlerësohen qëllimet e tyre në lidhje me qëndrimin e përhershëm në Serbi.

“… sidomos duke marrë parasysh situatën [në Rusi]. Dihet që sa më gjatë që të qëndrosh diku, aq më të mëdha janë shanset për të qëndruar aty”, shton ai.

Sipas tij, praktika demografike tregon se, mesatarisht pas shtatë vjetësh, shanset për të qëndruar diku rriten me shpejtësi.

“Mbyllja e dyerve” për kundërshtarët e Putinit

Edhe pse Beogradi dhe Moska tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dhe publiku serb dominohet nga narrativi i “kombeve vëllazërore”, ky vend u ka treguar një fytyrë paksa ndryshe disa qytetarëve rusë, duke ua shkurtuar mikpritjen.

E përbashkët e tyre është kundërshtimi i pushtimit të Ukrainës dhe i politikave të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kështu, në vitin 2023, aktivistëve kundër luftës, Vladimir Volohonski dhe Jevgeni Irzhanski, u janë refuzuar kërkesat për të zgjatur qëndrimin e tyre në Serbi, për shkak të, siç është thënë, “shqetësimeve për sigurinë”.

Një mesazh të ngjashëm ka marrë edhe aktivisti kundër luftës, Ilya Zernov, disa muaj më vonë. Policia kufitare nuk e ka lejuar të hyjë në Serbi, edhe pse ai ka arritur atje nga Gjermania, për të marrë pjesë në gjyq për një sulm ndaj tij, i cili ka ndodhur më herët në Beograd.

Në këtë grup bën pjesë edhe historia e Elena Koposovas, kërkesa e së cilës për qëndrim të përhershëm është refuzuar vazhdimisht nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Ajo jeton në Serbi me bashkëshortin dhe fëmijët e saj tash e pesë vjet.

Në justifikim përmenden “arsyet e sigurisë”, por Koposova beson se arsyeja e vërtetë lidhet me nënshkrimin e një letre publike kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kinezët në vendin e dytë, të ndjekur nga indianët dhe turqit

Pas qytetarëve rusë, kinezët përbëjnë numrin më të lartë të qytetarëve të huaj në Serbi.

Sipas të dhënave nga fundi i vitit 2024, çdo i dhjeti i huaj në këtë vend vjen nga Kina.

Në total janë rreth 12.300 prej tyre.

Ky numër është rreth tetë herë më i lartë se në vitin 2012, kur ishte rreth 800.

Shumica e tyre janë të vendosur në Bor dhe Zrenjanin – gjë që tregon se është puna ajo që i ka çuar në Serbi.

Dy kompani të mëdha kineze operojnë në këto dy qytete – kompania minerare Zigjin në Bor dhe Linglong në Zrenjanin, e cila po ndërton një fabrikë të gomave të makinave.

Kinezët pasohen nga qytetarët e Indisë (4.574), të Turqisë (4.029), të Maqedonisë së Veriut (1.952) dhe të Ukrainës (1.472).

Pjesa e shtetasve të tjerë në numrin e përgjithshëm të të huajve në Serbi është rreth 17.7 për qind.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Ukraina dhe Rusia zhvillojnë bisedime në Stamboll me gjithë intensifikimin e sulmeve

Delegacioni ukrainas gjatë rundit të parë të bisedimeve, në Turqi, më 16 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

 

Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia pritet të takohen më 2 qershor, në Stamboll, për rundin e radhës të bisedimeve për paqe, me gjithë intensifikimin e sulmeve ajrore ndaj njëra-tjetrës.

Media shtetërore ruse raportoi se ekipi negociator i Kremlinit ka arritur në aeroportin Ataturk të qytetit turk në orët e vonshme të 1 qershorit, para bisedimeve që pritet të nisin të hënën në orën 13 (mesditë në Prishtinë).

Ndërkohë, përmes një dekreti presidencial, Kievi tha se ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, do ta udhëheqë delegacionin ukrainas, që përfshin mbi dhjetë zyrtarë të tjerë. Dekreti nuk theksoi nëse ekipi tashmë ka mbërritur në Turqi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka folur përmes telefonit me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, më 1 qershor, për të diskutuar rreth bisedimeve të radhës.

Sipas DASH-it, telefona u zhvillua me kërkesën e Rusisë, dhe Rubio ka përsëritur thirrjen e presidentit Donald Trump për bisedime të vazhdueshme të drejtpërdrejta për “arritjen e një paqeje të qëndrueshme”.

Para bisedimeve, Ukraina u duk se forcoi pozicionin e saj negociues, pasi forcat e saj goditën disa aeroplanë bombardues nëpër Rusi, me dronë që u futën tinëz në vend përmes disa kamionëve, dhe më pas u lëshuan nga lokacione të afërta.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha se të paktën 40 bombardues mund të jenë goditur gjatë sulmit të 1 qershorit, i përshkruar si “rezultat absolutisht i shkëlqyeshëm” nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili shtoi se janë dashur mbi një vet e gjysmë për përgatitjen e operacionit.

Në prag të bisedimeve, të dyja palët ende duken të jenë larg arritjes së një pajtimi për ndërprerjen e luftimeve, ndërsa ekspertët thonë se gjasat për një marrëveshje mbeten të vogla.

Zelensky tha më 30 maj se Kremlini “po bën gjithçka” për t’u siguruar që bisedimet e propozuara për paqe nuk do të prodhojnë asnjë rezultat, pasi një sulm i madh me dronë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës plagosi disa persona, dhe pasi një varg sulmesh ajrore ndaj Kievit goditën vende të shumta civile dhe banimi.

Ukraina është pajtuar në prill për një armëpushim 30-ditor, sipas në propozimi nga SHBA-ja, por Rusia nuk ka shfaqur gatishmërinë për ta nënshkruar, dhe shumë prej aleatëve të Ukrainës e kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se po përpiqet ta zvarrisë procesin, në mënyrë që të shfrytëzojë situatën aktuale në fushëbetejë, ku Rusia ka përparuar në territoret që synon t’i mbajë të pushtuara.

Protestë masive e studentëve në 32 qytete serbe, do të bllokohen dy ura në Beograd

Nesër, më 1 qershor, në 32 qytete të Serbisë do të mbahen protesta me emrin “Çohu Serbi” dhe siç zbuluan studentët, “Brankov Most” dhe “Gazela” do të bllokohen.

Protesta do të nisë në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri në orën 21:16, të paktën për kaq kohë është marrë leje nga autoritetet policore në Serbi.

Protesta “Çohu Serbi”, e cila mbahet me sloganin “Duam zgjedhje”, fillimisht ishte paralajmëruar për Pozharevc dhe tani në listë janë gjithsej 32 qytete:

Aleksinac, Beograd, Bela Palanka, Bor, Čačak, Jagodina, Kikinda, Kosovska Mitrovica, Kragujevc, Kraljevo, Krushevc, Leskovac, Loznica, Novi Pazar, Novi Sad, Pançevo, Pirot, Priboj, Prokuplje, Ruma, Senta, Sombor,  Sremska Mitrovica, Subotica, Surdulica, Shabac, Uzhice, Valjevo, Vlasotince, Vršac, Zrenjanin dhe Niš. bw

Ulqinakët presin që miliarderi arab Mohamed Alabar të tërhiqet zyrtarisht nga marrëveshja për plazhet

Plazhi i Madh, Ulqin.

 

Jasna Vukiqeviq

Tenderi i këtij viti për dhënien me qira të plazheve në Mal të Zi është karakterizuar nga përfshirja e miliarderit arab, Mohamed Alabar, kompania e sapokrijuar e të cilit, Eagle Hills, u rendit e para për menaxhimin e nëntë plazheve në Ulqin.

Megjithëse Alabar ka deklaruar disa herë se do të tërhiqet nga ky projekt dhe se pjesëmarrja e tij në tender ka qenë “gabim”, tërheqja ende nuk është bërë zyrtare, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Petar Deliq.

“Nëse Alabar tërhiqet, siç ka paralajmëruar sërish në mes të majit, atëherë presim që të ftohen ofertuesit e renditur të dytët për nënshkrimin e kontratave,” deklaroi Deliq.

Tenderi përfshinte rreth 60 plazhe të rivierës së Ulqinit. Kompania e Alabarit paraqiti oferta për 19 prej tyre, dhe nëntë i fitoi si ofertuesi më i mirë.

“Në shumicën e rasteve, oferta e tij ishte rreth 5.000 euro më e lartë se ajo e ofertuesve të dytë,” shton Deliq.

Mohamed Alabbar

Mohamed Alabbar

Negociatat me kompaninë e Alabarit

Ndërkohë, një prej qiramarrësve të mëparshëm, emri i të cilit njihet nga redaksia, ka treguar për REL se një pjesë e pjesëmarrësve në tender janë duke negociuar me përfaqësuesit e kompanisë së Alabarit për garancitë bankare.

Përveç ofertës, çdo pjesëmarrës në tender duhet të paraqesë edhe një garanci bankare në vlerën e çmimit fillestar të secilit lokacion veçmas. Nëse ofertuesi i parë tërhiqet, ndërmarrja publike Morsko Dobro aktivizon këto garanci.

Sipas kësaj ndërmarrjeje, garancia për qiranë e nëntë plazheve nga kompania Eagle Hills është rreth 600.000 euro.

Një prej opsioneve të tërheqjes së Alabarit është që të ndajë këtë kosto me ofertuesin e renditur të dytë, sipas të njëjtit burim.

Për shkak të negociatave në vazhdim, burimi që kërkoi anonimitet nuk dha më shumë detaje, duke shtuar se “gjithçka do të qartësohet” më së voni më 31 maj – afati i fundit për nënshkrimin e kontratave.

Kompania Eagle Hills nuk iu përgjigj pyetjeve të REL se për çfarë konkretisht dhe me çfarë kushtesh po negocion me qiramarrësit e mëparshëm.

Rregullat e tenderit

Në rast se Alabar tërhiqet zyrtarisht nga kontrata katërvjeçare për qiranë e nëntë plazheve, Morsko Dobro do të aktivizojë garancitë bankare dhe do të lidhë kontratë me ofertuesit e renditur të dytë.

Për sa i përket transferimit të kontratës tek një palë e tretë, ndërmarrja publike thotë se kjo është e mundur vetëm me pëlqimin e tyre paraprak.

Nënqiraja – pra funksionimi përmes një pale tjetër – lejohet vetëm pas nënshkrimit të kontratës dhe qiramarrësi mbetet përgjegjës për të gjitha detyrimet kontraktuale.

Në këtë rast nuk aktivizohet garancia e tenderit, por në rast të shkeljeve mund të aktivizohet garancia kontraktuale (çinidbena garancija) – një angazhim i bankës për të paguar shumën e garantuar në rast se qiramarrësi nuk përmbush detyrimet.

Biznesmeni arab nuk ka shpjeguar pse mori pjesë në tender nga i cili po tërhiqet, dhe nuk iu përgjigj pyetjes së REL për arsyet e kësaj tërheqjeje.

Nga qiratë e plazheve te mega-projekti ndërtimor

Ekonomisti Mirza Krniq nga lëvizja “Preokret” thotë se motivet e këtij veprimi nuk janë të qarta, ndërsa në opinion qarkullojnë dezinformata të shumta që ndryshojnë nga dita në ditë.

Ai kujton se kompania e Alabarit aplikoi për tenderin pas shtyrjes së afatit dhe e lidh këtë me planet e shpallura më vonë për ndërtim në prapavijën e Plazhit të Madh.

“Duket se gjithçka ishte përgatitje për një projekt më të madh: ndërtim në Plazhin e Madh, dhënie e tokës shtetërore, sigurim i infrastrukturës dhe përshtatje e ligjeve me interesat e investitorit. Pozitive është që opinioni u bashkua dhe ushtroi presion të drejtë ndaj kryeministrit,” vlerëson Krniq.

Kompania e Alabarit aplikoi për tender vetëm pasi u shty afati fillestar (4 shkurt) për shtatë ditë të tjera. Vetëm dy ditë pas kësaj, u regjistrua Eagle Hills Montenegro me kapital prej një euro.

Sipas analizave të Fidelity Consulting, kompania siguroi dokumentet dhe 19 garanci bankare në vlerë prej 1.85 milionë eurosh për disa ditë.

Pas publikimit se EHM ishte renditur e para për nëntë nga 19 plazhet, banorët dhe autoritetet e Ulqinit protestuan për çmimet trefish më të larta dhe rregullat që favorizonin kompanitë e mëdha ndaj operatorëve lokalë.

Në fund të marsit, qeveria njoftoi se, me nismën e kryeministrit Spajiq, Alabar do t’ua kalonte plazhet e fituara sipërmarrësve lokalë.

Gjatë vizitës së tij në Ulqin, Spajiq tha se Alabar ka një “vizion për zhvillimin e Plazhit të Madh”. Fjala është për një sipërfaqe prej 13 kilometrash ku, sipas paralajmërimeve, do të investohen 30 miliardë euro.

Ky mega-projekt është pjesë e një marrëveshjeje të bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në turizëm dhe patundshmëri, e miratuar në Kuvend më 23 prill.

Por marrëveshja është kundërshtuar nga shoqëria civile, aktivistët dhe autoritetet lokale në Ulqin, që pretendojnë se bie ndesh me Kushtetutën, ligjet dhe procedurat tenderuese.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e ktheu marrëveshjen për rishqyrtim në Kuvend, duke ngritur shqetësime për pezullimin e ligjeve vendore dhe mungesën e analizave të rrezikut dhe përfitimeve.

Rivotimi në Kuvend është caktuar për 29 maj.

Dyshime për manipulime me ofertat e larta për plazhet

Tenderi i sivjetshëm u shënua edhe nga oferta astronomike për disa prej plazheve të vogla në rivierën e Budvës.

Për 15 lokacione janë dorëzuar oferta të pabesueshme, deri në 6 milionë euro. Asnjë kontratë nuk është nënshkruar për këto lokacione.

Plazhi Slloveni në Budvë

Plazhi Slloveni në Budvë

“Morsko Dobro” thotë se disa ofertues nuk kishin qëllim t’i realizonin ofertat, por të ndikonin në renditje.

Një ofertues me çmim shumë të lartë fiton pikët maksimale, ndërsa qiramarrësi i mëparshëm – për shkak të përvojës – renditet i dyti. Pasi ofertuesi i parë tërhiqet, i dyti mund ta fitojë kontratën me çmim minimal.

Në këto raste, janë aktivizuar garancitë bankare, dhe ndërmarrja publike ruan të drejtën të shpallë tender të ri me rregulla shtesë mbrojtëse.

Drejtori i Morsko Dobro, Mladen Mikijelj, ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme të hetojë këto oferta të dyshimta, por deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar.

Brigjet malazeze kanë 563 plazhe publike, 70 të hoteleve dhe rreth 1.500 objekte të përkohshme në zonën e Morsko Dobro. Nga dhënia me qira e këtyre resurseve, këtë vit priten rreth 35 milionë euro.

Kallas në Beograd: Serbia duhet ta dëshmojë se e ka përnjëmend anëtarësimin në BE

Radio Evropa e Lirë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, Kallas tha se me zyrtarë të lartë serbë bisedoi për anëtarësimin në BE, dialogun e Brukselit dhe çështje të tjera.

“Është e qartë se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Serbisë, megjithatë, dua të theksoj se ne duhet të shohim veprime që e dëshmojnë këtë dhe i mbështesin këto fjalë. Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Kallas.

Ajo theksoi se përparimi duhet të ndodhë “këtu në Beograd” dhe shtoi se hapat e radhës që Serbia duhet t’i ndërmarrë janë shumë të qartë, dhe ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore.

“Reformat do të sjellin përfitime të vërteta për qytetarët dhe popullin e Serbisë, siç kanë kërkuar qindra mijëra studentë kanë kërkuar në javët e fundit. Autonomia e universiteteve duhet të respektohet. E ardhmja e Serbisë në BE varet nga vlerat që ajo zgjedh t’i ndjekë”, tha ajo.

Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinji e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.

“Ka ardhur koha të tejkalohet e kaluara dhe të përqendroheni në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj t’i ftoj në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.

“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X.

Kallas tha se është “thellësisht e përkushtuar” për t’i inkurajuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë “me të vërtetë momentumin aktual që kemi në procesin e zgjerimit”.

“Po, ky proces ka qenë në zhvillim prej mjaft kohësh, por gjithmonë ekziston një moment politik, dhe ky moment politik është tani – Evropa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë”, theksoi ajo.

Kryediplomatja e BE-së do ta qëndrojë në Kosovë më 22 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.

Gjatë vizitës në Beograd, Kallas është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.

Presidenti i Serbisë ka pohuar, në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.

Ai ka thënë se Kallasit i ka theksuar se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”.

Vuçiq ka thënë se ia ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, për edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.

Ajo u takua edhe me kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare.

Për vizitën e Vuçiqit në Moskë

E pyetur nga gazetarët nëse kishte biseduar me presidentin Vuçiq për vizitën e tij në Moskë më 9 maj, Kallas tha se kishte shprehur qëndrimin e saj, i cili është “shumë i qartë”.

“Nuk e kuptoj pse është e rëndësishme të qëndrosh krah për krah me dikë që po udhëheq një luftë të tmerrshme në Ukrainë”, shtoi ajo.

Ajo përsëriti se Bashkimi Evropian pret nga vendet kandidate që të harmonizohen me politikën e tij të jashtme.

“A dëshironi të jeni me ne? Nëse po, atëherë do të punojmë së bashku dhe kjo është ajo që presim nga vendet kandidate”, theksoi ajo.

Pas vizitës në Beograd, Kallas udhëtoi drejt Prishtinës

“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, ka bërë të ditur BE-ja.

Para takimit me ta, shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë një konferencë për media, në Prishtinë, në pasditen e së enjtes.

Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson.

BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon membylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.

Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.

Revoltë në burgun e Korfuzit! Të burgosurit shqiptarë dhe gjeorgjianë protestojnë pas kontrolleve, i vënë flakën dyshekëve

Një revoltë e papritur ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në burgun e Korfuzit, ku disa të burgosur shqiptarë dhe gjeorgjianë kanë refuzuar të kthehen në qelitë e tyre. Si shenjë proteste, ata i vunë flakën dyshekëve dhe disa objekteve të tjera brenda sektorëve E dhe Z, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje emergjente.

Zjarri u vu nën kontroll pas një kohe të shkurtër nga shërbimet zjarrfikëse, ndërsa drejtori i policisë së ishullit dhe dy negociatorë ndodhen aktualisht në vendngjarje për të hetuar rrethanat dhe për të biseduar me të burgosurit.

Sipas mediave greke, incidenti lidhet me pakënaqësinë e të dënuarve për një kontroll të fundit në qeli, gjatë të cilit u sekuestruan disa telefona celularë. Të burgosurit ndodhen në sektorët A dhe Z, aty ku nisi edhe përplasja. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të identifikuar organizatorët e rebelimit dhe për të vlerësuar masat e mëtejshme disiplinore. bw

Parlamenti i Hungarisë miraton tërheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale

Radio Evropa e Lirë

Parlamenti hungarez ka miratuar të martën propozimin për tërheqjen e vendit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), me 134 vota pro, 37 kundër dhe 7 abstenime.

Iniciativa u paraqit nga zëvendëskryeministri Zsolt Semjen.

Sipas arsyetimit të qeverisë, GJNP është shndërruar në një aktor politik.

Portali 24.hu raportoi në korrik të vitit të kaluar se pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm të GJNP-së për lëshimin e një fletarrestimi ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të veprimeve ushtarake në Gazë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte ngarkuar tre ministra të kabinetit të tij që të shqyrtonin pasojat e një tërheqjeje të mundshme nga Gjykata – si vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që do ta bënte një hap të tillë.

Sipas Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë, qeveria e Orbanit e interpretoi si sinjal pozitiv deklaratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, më 5 shkurt, kur ky i fundit paralajmëroi sanksione ndaj GJNP-së pas fletarrestimit për Netanyahun.

Pas lëshimit të urdhrit ndaj Netanyahut, Orban akuzoi GJNP-në se “po ndërhyn për qëllime politike në një konflikt në zhvillim”, dhe tha se ky vendim e minon të drejtën ndërkombëtare.

Ai deklaroi se do ta kundërshtonte urdhrin dhe do ta ftonte Netanyahun për vizitë në Hungari, duke i garantuar se nuk do të arrestohej.

Sipas Qeverisë hungareze, kjo ishte e mundur sepse Parlamenti hungarez nuk e kishte ratifikuar kurrë statutin e GJNP-së, prandaj ajo nuk kishte fuqi juridike në Hungari dhe nuk mund të zbatohej asnjë arrestim në bazë të saj.

Më 25 shkurt, ministri Gergely Gulyas tha se Qeveria po shqyrtonte seriozisht tërheqjen nga GJNP-ja, e cila kishte pasur edhe një gjykatës hungarez në përbërje deri në fund të mandatit të tij, vitin e kaluar.

Ai tha se Gjykata, që dikur ishte një nismë e respektueshme, tani ishte “shndërruar në një aktor politik”.

Më 1 prill, ministri i Drejtësisë, Bence Tuzson, kishte paraqitur në një takim të ambasadorëve, të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, skicën e procesit të tërheqjes.

Dy ditë më pas, Gulyas njoftoi publikisht në rrjetet sociale se vendimi për t’u tërhequr ishte marrë.

Ky vendim u konfirmua më 7 maj, me votimin përfundimtar të Parlamentit.


Send this to a friend