VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Bukë misri me vaj ulliri – Receta me butësinë dhe aromën më të mirë

By | August 27, 2019

Komentet

Kungull i pjekur në furrë – Mënyra më e mirë e përgatitjes

Fibra, kaliumi dhe vitamina C, që ndodhen tek kungulli e mbështesin fort shëndetin e zemrës.

Është ndër ëmbëlsirat e veçanta dhe të shëndetshme që i japin gjallëri dhe fuqi organizmit.

Një recetë e freskët, e shijshme, e mrekullueshme në aromë dhe e lehtë në përgatitje është padyshim ajo e kungullit të pjekur furrë. Bëhet fjalë për kungullin e dimrit, i cili aktualisht gjendet në treg.

Kungulli i dimrit është jo vetëm i bukur në ngjyrën e tij portokalli të ndezur por edhe i pasur në vlera.

Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitaminë A në trup. Ai rritet pothuajse në të gjitha zonat e vendit.

Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e radikaleve të lira, mbron nga azma, sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen.

Të ushqehesh me kungull i bën mirë zemrës. Fibra, potasi dhe vitamina C, që ndodhen tek kungulli e mbështesin fort shëndetin e zemrës.

Falë vlerave që ka, jo më kot konsiderohet si një ndër ushquesit më të mirë në çdo recetë gatimi, ashtu si edhe kjo ëmbëlsirë  e veçantë dhe e shëndetshme që i jep gjallëri dhe energji organizmit.

AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë krejt të lehtë për të përgatitur ëmbëlsirën e kungullit të dimrit në shtëpi.

Receta e Përgatitjes në Shtëpi

Përbërësit

1 kungull

Pak sheqer

Mjaltë

Arra

Fruta të thata

Kanellë

Përgatitja

Si fillim bëjmë kujdes në zgjedhjen e një kungulli të freskët.

E lajmë me ujë të rrjedhshëm dhe përmes një thike të mprehtë e ndajmë në dy pjesë.

Përmes një luge, pastrojmë pjesën e brendshme të kungullit duke larguar farat, të cilat mund t’i përdorim në një tjetër recetë ( të pjekura në furrë me kripë).

Të dyja pjesët i presim në formën e fetave. Pasi i kemi prerë të gjitha fetat, i rendisim me rregull në tavë një e nga një.

Para se t’i fusim në furrën e nxehur më parë, i spërkasim me pak sheqer e mjaltë.

Furrën e lëmë në 250 gradë celcius. Fetat e kungullit do të piqen mesatarish përreth 30-35 minuta.

Pasi i heqim nga furra, fetat e pjekura të kungullit të ëmbëlsuar mund t’i konsumojmë sa janë ende të ngrohta. Por edhe kur ftohen, ato janë njëlloj të shijshme.

Një mënyrë e shijshme e servirjes së kësaj ëmbëlsire, është edhe ajo e spërkatjes me mjaltë dhe shtimit të arrave, frutave të thata apo kanellës mbi fetat e kungullit të pjekur./AgroWeb.org

Truket që çdo amvise i duhet të dijë në kuzhinë

Disa këshilla praktike shumë të nevojshme për gjithkënd që kërkon shkathtësi në kuzhinë.

Amvisat shqiptare përballen me vështirësi të ndryshme çdo ditë. Jo gjithçka shkon vaj në shtëpi, pavarësisht fjalëve se të qëndruarit në shtëpi është njësoj si të bësh pushime.

Në këtë artikull, AgroWeb.org synon t’ua lehtësojë sa më shumë punën nënave dhe grave shqiptare që kalojnë një kohë të konsiderueshme në kuzhinë.

Çfarë mund të bëni për të riparuar disa dëme? Po sikur të keni edhe ca ide praktike?

Biskota të forta

Nëse biskotat tuaja të preferuara janë forcuar dhe kanë humbur butësinë e mëparshme, AgroWeb.org ju rekomandon që në enën e biskotave të fusni edhe një fetë bukë.

Mbylleni në një tas me kapak dhe lërini të qëndrojë bashkë për një ditë.

Të nesërmen, hapni kapakun, nxirreni bukën. Do të shikoni që biskotat janë të buta dhe të shkrifëta si me magji.

Buka e ndenjur

Nëse buka që keni blerë në dyqan është bërë bajate, atëherë vendoseni në një tepsi. Spërkateni me pak ujë dhe futeni në furrë në 160 gradë.

Pas 8 minutash nxirreni nga furra dhe do të shikoni se ajo është zbutur tërësisht.

Si të qëroni një xhenxhefil

Nëse zhardhoku mirëbërës ju duket i çuditshëm ose nuk dini si ta qëroni ka zgjidhje. Ju nevojitet vetëm një lugë dhe mund ta qëroni shpejt e shpejt të gjithin njëlloj sikur qëroni një patate apo karrotë.

Si të qëroni një hudhër

Nuk është nevoja që të rrini me minuta të tëra për të qëruar hudhrat.

Merrni një kokë hudhër dhe shtypeni me dorë. Thelpinjtë do të ndahen nga njëri tjetri.

Futini në një enë qelqi, mbylleni kapakun dhe tundeni enën fort për pak minuta.

Kur ta hapni enën do të shikoni që thelpinjtë janë qëruar nga goditjet. Çdo cipë e mbetur është krejt e lehtë për t’u hequr.

Veza e zier që mezi qërohet

Të njëjtën metodë mund të përdorni edhe për vezën që është zier më shumë seç duhet dhe mezi qërohet.

Futini vezët në një enë qelqi. Hidhni fare pak ujë dhe mbylleni kapakun. Qërimi i vezës do të jetë shumë i lehtë dhe i shpejtë pasi ta keni tundur enën.

Si të përfitoni më shumë lëng nga agrumet

Nëse dëshironi të nxirrni më shumë lëng nga limoni i verdhë apo ai jeshil, mjafton ta fusni në mikrovalë për 15 sekonda.

Nxirrini, pritini dhe më pas shtrydhini. Lëngun mund ta ruani për më vonë duke e hedhur në mbajtësen e akullit dhe futur në ngrirje.

Kubikët e lëngut të akullt të limonit mund t’i përdorni për limonata, çajra, supa ose në përgatitjen e lëngjeve të plota me bazë perimesh ose frutash.

Si të prisni e qëroni frutat

Prisni pjesën fundore dhe të sipërme të portokallit dhe më pas priteni për së gjati.

Në këtë mënyrë fruti do të hapet me lehtësi në një shtresë të gjatë prej së cilës mund të merrni tulin e frutit shumë më shpejt se mënyra tradicionale.

Mangoja është një frut i ëmbël dhe me shumë vlera, por shkakton kokëçarje në hapje për shkak të bërthamës së madhe dhe tulit të rrëshqitshëm.

Prijeni mangon në feta duke kaluar thikën përreth bërthamës. Pasi keni prerë disa feta nga fruti, merrni një gotë dhe kalojeni secilën fetë në buzët e gotës. Në këtë mënyrë lëkura dhe tuli do të ndahen me lehtësi.

Luleshtrydhet mund të shkëputen nga lulkat në majë të tyre duke përdorur një pipëz lëngjesh.

Kjo e fundit depërton luleshtrydhen në pjesën fundore dhe lulkat shkëputen lehtë pa pasur nevojë të shkulen.

Në këtë mënyrë, luleshtrydhet mund të mbushen edhe me produkte të tjera, si arrat ose bajamet

Si të përgatisni vetë krem ëmbëlsirash

Merrni një kavanoz qelqi. Hidhni një gotë krem pana ose ajkë a kajmak qumështi. Shtoni një lugë çaji me vanilje pluhur dhe një lugë gjelle me sheqer pluhur për ëmbëlsira.

Mbylleni kapakun dhe tundeni për disa minuta. Kremin e përfituar mund ta përdorni në shumë prej ëmbëlsirave tuaja të preferuara dhe të gjithë do t’ju njohin si një talent në kuzhinë.

Hasude e pjekur me petë – Receta e ëmbël e traditës

Hasude me Petë.

Një ëmbëlsirë e thjeshtë për t’u përgatitur dhe fantastike në shije, kombinuar me petë dhe e pjekur.

Në doni të ëmbëlsoni veten apo më të dashurit tuaj në familje kjo është zgjidhja e duhur.

Nuk kërkon shumë kohë në përgatitje e as shumë mund por rezultati final padyshim do t’ju përfshijë tërësisht.

Përgatitja e Hasudes në Shtëpi 

Përbërësit 

6 peta të gatshme ëmbëlsirash (i gjeni në markete)

300 gr niseshte

300 gr sheqer

500 ml ujë

100 gr gjalpë të freskët

Përgatitja 

Hedhim në një tas masën e ujit dhe niseshtenë dhe i përziejmë mirë me njëra tjetrën derisa niseshteja të shkrihet plotësisht dhe të njëtrajtësohet me ujin.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtojmë gjalpin dhe sheqerin.

I trazojmë derisa sheqeri të shkrijë plotësisht dhe të marrë ngjyrë karamel dhe të forcohet pak.

Në këtë moment, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni ujin me niseshte dhe të përzjeni gjithë masën pa ndërprerje përmes një luge druri.

Nëse preferoni të shtoni të tjerë përbërës përveç atyre bazë, në momentin kur shtoni ujin me niseshtenë mund të shtoni gjithashtu edhe arra apo bjame të thërrmuara, apo përbërës të tjerë dhe vijoni të përzieni derisa masa të trashet ne formën klasike xhelatinoze të hasudes.

Sekreti i Hasudes qendron tek përzierja pa ndëprerje e gjithë masës  që është në zjarr.

Më pas, lyeni një tepsi me pak vaj, shtroni tre peta një nga një duke i spërkatur me pak vaj, shtoni më pas të gjithë hasuden e përgatitur siç e keni të ngrohtë, dhe në fund shtroni tre petat e tjera një nga një duke i spërkatur sërish me disa pika vaj.

Futeni të piqet në furrë të parangrohur në temperaturë maksimale deri sa petët të marrin ngjyrën e artë të pjekjes.

Kur ta servirni, nëse dëshironi spërkateni me pak sheqer pluhur dhe kanellë për më shumë shije.

Lakër e pjekur me vaj ulliri dhe lëng limoni – Shije e përkryer

Është një gatim ideal për të shoqëruar vaktet e drekës apo darkës, i lehtë por i plotë në shije.

Një recetë fantastike në shije, e lehtë në përgatitje e mbi të gjitha krejt e shëndetshme, e pasur në vlera ushqyese.

Është një gatim ideal për të shoqëruar vaktet e drekës apo darkës, i lehtë por i plotë në shije.

Përgatitja e Lakrës së Pjekur

Përbërësit

Gjysmë lakre mesatare e ndarë në katër pjesë ose feta

3 lugë gjelle vaj ulliri

2-3 thelpinj hudhër të shtypur

Pak piper i kuq djegës

Kripë

Piper i zi

Një kokërr limoni

Një filxhan çaji me ujë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të parangrohni furrën në temperaturë maksimale.

Lakrën prijeni në feta të mëdha rrethore në katër pjesë.

Lyejeni secilën prej pjesëve të lakrës së bardhë me vaj ulliri nga të dyja anët.

Spërkatini me kripë, hudhrat e shtypura, piper dhe pak spec djegës.

Vendosini në një tavë, ku më parë keni shtruar letër pjekjeje.

Spërkatini me lëng limoni sipër duke u kujdesur që të hiqni farat e tij, kjo pasi mund të hidhërojë shijen e lakrës.

Shtojini ujin dhe futini në furrë, në pjesën e poshtme të saj dhe lërini të piqen përreth 15 minuta, kthejini pjesët e lakrës nga ana tjetër dhe lërini të piqen derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrën e artë të pjekjes.

Vlerat e Lakrës së Bardhë

Lakra e bardhë është e pasur me polifenolë, kalcium, magnez, hekur, fosfor, sulfur, kalium, jod si dhe vitaminat A, B1, B2, B6, C, K por edhe acid folik.

Lakra përmban shumë polifenolë ose siç njihen ndryshe si antioksidantë që pakësojnë shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene dhe atyre kronike.

Mineralet e rëndësishme që përmban ky lëng e bëjnë atë të rëndësishëm në mbrojtjen e kokcave por edhe në uljen e tensionit të gjakut.

Vitaminat që gjenden tek lakra dhe lëngu i saj janë të dobishme për sistemin riprodhues, atë imunitar, shëndetin e syve por edhe shëndetin e flokëve, lëkurës, mëlçisë, nervave, syve e shumë të tjera.

Lakra është një burim i shkëlqyer i vitaminës C që e ndihmon organizmin të jetë më rezistent ndaj baktereve, radikaleve të lira dhe virozave.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, lakra përmban më shumë vitaminë C se portokallet, një karakteristikë që e bën lakrën të domosdoshme kundër shumë sëmundjesh.

Lakra është një nga 10 ushqimet më të pasura me vitaminë K, e cila është thelbësore kundër sëmundjeve të zemrës dhe kockave.

Byrek role – Receta super e shpejtë shtëpie me shije të mrekullueshme

Role byreku

Është koha perfekte për një byrek, por nëse stepeni nga mundi që kërkon për t’u përgatitur, kjo recetë nga AgroWeb.org ju vjen në ndihmë.

Fantastike dhe të mrekullueshme në shije, roletë e byrekut janë aq të lehta për t’u përgatitur sa do të kthehen në recetën tuaj të preferuar.

Të shijshme dhe të kombinuara me mbushje të ndryshme, me djathë, me hithra a lakra të egra, me qepë e domate apo preshë e spinaq, të gjitha mënyrat e gatimit të tyre janë të mrekullueshme.

Ndiqni më poshtë nga AgroWeb.org mënyrën më të shpejtë për të përgatitur në shtëpi këtë recetë të mrekullueshme e cila do t’ju tundojë menjëherë me shijen e saj.

Përbërësit

10-12 peta të gatshme për byrek

300 g gjizë

3-4 lugë gjelle me kos

vaj ulliri

kripë

piper

Përgatitja 

Në një tas hidhni gjizën, kosin, kripë e piperin dhe përzjejini me një lugë derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Merrni një petë dhe shtroheni në tavolinën e kuzhinës, spërkateni me pak vaj ulliri dhe paloseni në gjysmë.

Në anën e ngushtë të petës hidhni përreth 2-3 lugë nga përzierja me gjizë dhe kos.

AgroWeb.org ju këshillon që me mbushjen të krijoni një shirit përgjatë gjerësisë së petës duke lënë pak hapësirë nga skajet e saj.

Teknika e mbledhjes së petës është shumë e lehtë, mjafton që të palosni skajet e petës në mënyrë që mbushja të mos derdhet dhe ta rrotulloni atë derisa të krijohet një role.

Këtë role vendoseni në një tavë që e keni spërkatur me pak vaj, ose nëse dëshironi mund të përdorni letrat e pjekjes.

Këto hapa përsëritini derisa të keni mbaruar me të gjithë petët.

AgroWeb.org ju sugjeron që të lini pak hapësirë nga njëra role në tjetrën kur t’i vendosni në tavë për t’u pjekur.

Para se t’i fusni nue furrë lyejini sipër me pak qumësht dhe vaj ulliri.

Kjo do të evitojë tharjen e petave gjatë pjekjes duke qenë se petat janë të gatshme.

Më pas futini në furrë për t’i pjekur me 200 gradë përreth 15 – 20 minuta, ose derisa petët të kenë marrë ngjyrën karakteristike të artë të pjekjes.

Këto role me gjizë janë perfekte për një drekë duke i shoqëruar me supa të ndryshme apo edhe sallata të freskëta të stinës si dhe turshi të ndryshme gjithashtu.

Por mund të jenë të përkryer dhe për një darkë të shpejtë dhe pa shumë mundim.

Reshedi e pjekur me petë dhe sherbet – Receta me ëmbëlsi të pëkryer

Reshedia është një ëmbëlsirë tipike tradicionale shqiptare e zonave jugore të vendit.

Një ëmbëlsirë fantastike, me shije të mrekullueshme, e cila kërkon mjeshtërinë e amvisave për t’u përgatitur.

Reshedia është një ëmbëlsirë tipike tradicionale shqiptare e zonave jugore të vendit.

Ndiqni më poshtë nga AgroWeb.org hapat për të përgatitur reshedinë me petë e sherbet, këtë ëmbëlsirë fantastike krejt lehtë në shtëpi.

Përbërësit e Reshedisë me Petë

 400-500 gr niseshte

300 gr sheqer

1 l ujë

Vanilje pluhur

200 gr gjalpë i freskët

1 filxhan kafeje me vaj (Për një gatim të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër)

10 peta të gatshme ose të bëra vetë

Sheqer pluhur

Përgatitja

Si fillim, merrni një tepsi mesatare. Lyejeni me pak vaj përmes një furçe kuzhine në të gjithë sipërfaqen e saj.

Më pas, shtroni katër petë një e nga një duke i spërkatur secilën me disa pika gjalpë të tretur.

Ndërkohë nisni përgatitjen e reshedisë.

AgroWeb.org ju udhëzon që të hidhni në një tenxhere, ujin, gjalpin dhe vajin dhe vendosini në zjarr derisa masa të nisë të vlojë.

Në një tas më vete, bashkoni sheqerin me niseshtenë duke i përzjerë me njëra tjetrën.

Në momentin kur tenxherja që keni në zjarr me ujin gjalpin dhe vajin nis të vlojë, shtoni nga pak nga masa e sheqerit me niseshte dhe përzjeheni pa ndërprerje masën derisa të shtoni të gjithë masën e sheqerit dhe niseshtesë.

Gjatë kësaj kohe, shtoni vaniljen dhe përzjejeni masën pa ndërprerje duke ulur temepraturën e zjarrit në mënyrë që masa të mos ngjitet nga fundi.

Vijoni ta përzjeni derisa masa e reshedisë të jetë tërësisht kremoze dhe e lidhur, dhe të shkëputet nga anët e tenxheres.

Në këtë moment, gjysmën e masës së reshedisë shtrojeni në tepsinë ku keni vendosur më parë petët.

Pasi të keni shtruar dhe hapur gjysmën e reshedisë në gjithë hapësirën e tepsisë shtroni dy petë duke i spërkatur me disa pika gjalpë të tretur.

Më pas, shtroni dhe gjysmën tjetër të reshedisë dhe vijoni të shtroni katër petat e tjera të mbetura duke i spërkatur me disa pika gjalpi gjithashtu.

Në fund, mblidhni petët anash duke i përthyer me kujdes dhe përmes një thike të mprehtë ndajeni në rombe apo katrorë të vegjël.

Futeni të piqet në furrë, në 200 gradë derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë të kuqërremtë.

Ndërkohë që reshedia me petë piqet nisni të përgatisni sherbetin. 

Përbërësit për sherbetin

2 gota ujë me sheqer

1 gotë e gjysmë me ujë

Në një tenxhere bashkoni sheqerin dhe ujin dhe vendosini në zjarr derisa sheqeri të ketë shkrirë plotësisht.

Rezultati më i mirë për shurupin, është që të mos e përzjeni me lugë apo tel kuzhine, por duke tundur lehtë tenxheren sipas akrepave të orës.

AgroWeb.org ju këshillon që ta tundni tenxheren me metodën e më sipërme, kështu shurupi nuk do të ngjitet.

Lëreni të zjejë përreth 10 minuta dhe më pas largojeni nga zjarri.

Në fund sherbetin e vakur hidhjani reshedisë e cila duhet të jetë e ftohtë dhe lëreni disa minuta në mënyrë që ëmbëlsira të pijë shurupin.

Në fund, sipas dëshirës spërkateni me pak sheqer pluhur sipër.

Receta klasike e përgatitjes së fasuleve plot shije

E mbushur me proteina, fasulet përbëjnë një vakt të plot dhe që ju mban gjatë të ngopur.

Mund të quhet pa frikë receta më karakteristike dhe tradicionale e Shqipërisë.

Nuk ka shtëpi që të mos e ketë përgatiur të paktën njëherë e të jetë mrekulluar me shijen e saj.

Kur temperaturat ulen, një pjatë e ngrohtë me fasule është perfektja për të rizgjuar organzimin.

E mbushur me proteina, fasulet përbëjnë një vakt të plot dhe që ju mban gjatë të ngopur.

Mënyrën e përgatitjes sigurisht që të gjithë e dimë, por AgroWeb.org po e sjell në vëmendjen tuaj si pasojë e kërkesave të shumta.

Përbërësit

1 karotë

1 qepë

1 spec

2 e gjysmë filxhanë çaji me fasule (ose një grusht me fasule për çdo person)

2 lugë gjelle salcë domateje

3-4 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Pipër i zi

Rigon

Përgatitja

Amvisat e dinë që nëse fasulet nuk i lini në ujë mëparë, ato mezi do të ziejnë.

Ndaj ky hap është shumë i rëndësishëm.

Pra merrni fasulet dhe lërini në një tas me ujë të ftohtë për 3-4 orë.

Ose nëse dëshironi mund t’i lini dhe përgjatë natës e t’i përgatisni ditën tjetër.

Pasi koha të ketë kaluar, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shpëlani me ujë të rrjedhshëm.

Ndërkohë lani dhe qëroni perimet që janë të përcaktuara në recetë.

Karotën thjesht priteni në gjysmë, po ashtu edhe me qepën dhe specin.

Futini të gjitha perimet bashkë e fasulet në një tenxhere dhe mbusheni atë me ujë.

Vendoseni në zjarr dhe shtojini 2 lugë gjelle me vaj ulliri.

AgroWeb.org ju këshillon që t’i lini të ziejnë në zjarr mesatar derisa të shihni që fasulet të jenë çarë.

Ose mjafton dhe që t’i provoni në janë zbutur aq sa duhet.

Kur fasulet të kenë zierë, në një pjatë merrni perimet; karotën, qepën dhe specin.

Shtypini në formën e një salcë duke përdorur kulloren e makaronave dhe një lugë.

Nëse dëshironi një rezultat më të shpejtë përdorni dhe blenderin e perimeve.

Në zjarr vendosni një tigan me dy lugë gjelle vaj dhe lëreni që të ngrohet pak.

Tani AgroWeb.org ju sugjeron që të shtoni dy lugë gjelle salcë domateje dhe t’i jepni një skuqje të lehtë.

Bashkoni tek salca dhe atë që përgatitët me perimet e ziera.

Lëreni në zjarr derisa të shikoni që në sipërfaqe të krijohen disa bulëza dhe vaji të dallohet mbi salcën.

Këtë salcë hidheni tek fasulet që i keni lënë në zjarr të ngadaltë.

Përziejeni me një lugë druri dhe kur fasulet të kthejnë valë shtoni erëzat.

Kripa dhe piperi janë ato baziket, ndërsa rigoni i jep një shije krejtësisht të veçantë.

Por nëse ju dëshironi mund t’i hidhni edhe pak spec djegës, pasi kështu e do tradita.

Ju sugjerojmë t’i konsumoni të ngrohta duke i shoqëruar me sallatë me lakër të bardhë, bukë misri ose pilaf.

Presh i pjekur në qumësht – Receta e stinës plot vlera

Por ju premtojmë që dhe i kombinuar me qumështin, preshi ka një shije fantastike.

Duke qenë se stina e tij është pikërisht tani, AgroWeb.org ju sjell një recetë plot shije.

Preshi gjen përdorim në shumë pjata si ato tradicionale por edhe tek të rejat.

Më shpesh e përgatisim si mbushjen e byrekut, ose burani me oriz.

Por ju premtojmë që dhe i kombinuar me qumështin, preshi ka një shije fantastike.

Ndiqni shkurt hapat që duhet të dini dhe provojeni këtë recetë.

Përbërësit për 4-5 persona

700-800g presh

200 ml qumësht

2 lugë e gjysmë me miell

100 ml pana

250 g djathë i bardhë

100 gjalpë (AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni vaj ulliri për një recetë më të shëndetshme)

3 vezë

Kripë

Piper

Përgatitja

Pastroni preshin duke e qëruar dhe larë me ujë të bollshëm.

Pasi të keni hequr disa nga gjethet e trasha, priteni në rrathë më të vegjël se kur përgatisni burani apo gjellë me presh.

Vendosini në një tas me ujë të ftohtë, kështu largoni dhe papastërtitë që mund të kenë mbetur.

AgroWeb.org ju sugjeron që pasi t’i kulloni nga uji, t’i thani me një letër kuzhine.

Ndërkohë keni vendosur një tigan në zjarr ku keni shkrirë gjalpin ose ngrohur vajin e ullirit.

Skuqni lehtë preshin duke e përzierë herë pas here.

Jepini shije me kripë dhe piper të zi, por nëse dëshironi mund të përdorni edhe arrë myshku.

Sapo të jetë zbutur, AgroWeb.org ju këshillon që t’i vendosni kapak tiganit dhe ta lini preshin për dy minuta në zjarr.

Në një tas hidhni qumështin dhe përzjejeni me miellin dhe vezët.

Kur të shihni që mielli është tretur plotësisht, shtoni panën dhe djathin e thërrmuar.

Lyeni një tavë me pak gjalpë dhe aty hidhni preshin dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Kështu dhe do të ftohet për të mos priten vezët që keni tek salca e qumështit.

Këtë salcë hidheni mbi preshin dhe mund ta spërkatni nëse dëshironi me pak kripë.

Futeni për t’u pjekur në 200 gradë për 30-40 minuta, ose derisa qumështi të jetë mpiksur.

Tava e shijshme e dimrit – Si ta përgatisni në shtëpi

Sekreti qëndron tek shtresa e patateve që piqen me lëngun e perimeve.

Kur jashtë bën ftohë dhe moti duket sikur nuk do të hapet, zgjidhja është të rrish në shtëpi e të gatuash gjëra të shijshme.

E tillë është dhe receta që do t’ju tregojmë sot, e cila është një kombinim i shijshëm e plot aromë.

Specat apo domatet e mbushura me oriz sigurisht që i keni gatuar, por me mënyrën e AgroWeb.org nuk besoj se i keni provuar.

Sekreti qëndron tek shtresa e patateve që piqen me lëngun e perimeve.

Ndiqni këshillat dhe përgatiteni këtë recetë që ju ngroh organizmin dhe i mbledh të gjithë pranë tryezës.

Përbërësit

300-400 g patate

4 lugë gjelle vaj ulliri

3 qepë

6-8 speca

5-7 domate

3 gota e gjysmë uji me oriz

1 tufë majdanoz i grirë

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Ajo që duhet të bëni në fillim, është të ndizni furrën në 180 gradë në mënyrë që të jetë e ngrohtë kur të fusni tavën.

Patatet pasi t’i keni larë dhe qëruar, pritini në disa copa.

Ndërkohë në zjarr keni vendosur një tigan me 2 lugë vaj ulliri.

AgroWeb.org ju këshillon që të skuqni lehtë patatet për 4-5 minuta, ose derisa të marrin një ngjyrë të artë.

Kalojini tek tava e pjekjes dhe vazhdoni me hapat e tjerë të recetës.

Merrni specat dhe domatet dhe pritini kapakët.

Me një lugë hiqni pjesën e brendshme të domateve duke treguar kujdes që të mos i çani.

Këtë tul priteni me thikë në copa sa më të vogla dhe lëreni në një ta të vogël.

Tek tigani shtoni dhe vajin e mbetur dhe aty skuqni qepët e grira me rende.

Kini kujdes që qepa të mos marrë ngjyrë të errët e të digjet.

Hidhni dhe orizin dhe skuqeni lehtë bashke me qepën.

Tani AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni tulin e domateve.

Lëreni në zjarr derisa lëngu i saj të ketë avulluar.

Mos harroni të hidhni majdanozin, kripë dhe piper sipas dëshirës.

Mbushni perimet me ndihmën e një luge dhe vendosini në tavë.

AgroWeb.org ju kujton që të mos i mbushni plot specat dhe domatet që t’i jepni orizin një mundësi të fryhet.

Nëse ju ka tepruar pak orizi hidheni atë anash perimeve dhe përzjejeni me patatet.

Spërkateni ë gjithë tavën e perimeve me vaj ulliri dhe futeni për ta pjekur për 50-60 minuta.

Sigurohuni që orizi të jetë zbutur dhe patatet të jenë pjekur.

Shërbejeni të ngrohtë duke e shoqëruar me tarator ose sallatë me perime të freskëta.

Papare me gjizë në vetëm pesë minuta – Shija e ngrohtë

Paparen e shërbejmë në pjata dhe sipër e spërkasim me disa pika gjalpë të shkrirë.

Quhet papare (pa para) sepse përbërësit e saj janë të thjeshtë, të paktë dhe jo të kushtueshëm, e gjenden lehtësisht në kuzhinën e çdo familjeje shqiptare.

Dikur, Paparja ka qenë një ndër gatimet më popullore të nënave dhe gjysheve, të cilat e përgatisnin atë sidomos për mëngjes.

E ngrohtë dhe fantastike në shije, Paparja edhe sot, mbetet padyshim një gatim unik i traditës së kuzhinës vendase.

Në zona të ndryshme ajo ka emërtesa të ndryshme ashtu siç edhe receta e saj mund të ndryshojë në elementët e përbërësve, disa përdorin kos ose qumësht në vend të ujit të nxehtë apo lëngut të mishit.

E megjithatë, ajo shijon mrekullisht në të gjitha mënyrat e gatuara nga amvisat.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përgatitjes së Papares me gjizë, për të rikthyer edhe njëherë traditën e dikurshme por me një përbërës ndryshe për t’i dhënë një shije krejt të veçantë gatimit.

Përgatitja e Papares me Gjizë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona. Përbërësit përzgjidhen bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani)

4-5 feta bukë

3-4 lugë gjelle me gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit)

1 gotë ujë të nxehtë ose lëng mishi

Kripë

Piper

Nenexhik ose majdanoz sipas dëshirës

3-4 lugë gjelle me gjizë të freskët

Hudhra të shtypura (Sipas dëshirës)

Përgatitja

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin ose shtojmë vajin e ullirit.

Shtojmë bukën e ndarë në copëza të vogla dhe e skuqim përreth 10 minuta duke e kaurdisur me një lugë druri.

Shtojmë kripën dhe ujin e nxehtë ose lëngun e mishit dhe vazhdojmë të kaurdisim derisa buka të thithë të gjithë lëngun.

Në fund, shtojmë gjizën, hudhrat e shtypura nëse i preferoni, rigonin dhe nenexhikun e grirë hollë i kaurdisim të gjitha bashkë dhe i largojmë nga zjarri.

Paparen e shërbejmë në pjata dhe sipër e spërkasim me disa pika gjalpë të shkrirë.

Musaka me spinaq dhe mish të grirë – Ngrohtësi dhe aromë në shtëpi

Por me kalimin e kohës receta e musakasë është pasuruar, duke u përgatitur me perime të ndryshme.

Musakaja është një recetë që është përdorur për vite të tëra edhe nga amvisat shqiptare.

Sigurisht receta e saj klasike është ose me patëllxhanë ose me patate.

Por me kalimin e kohës receta e musakasë është pasuruar, duke u përgatitur me perime të ndryshme.

Por duke qenë se spinaqi është një nga barishtet me më shumë vlera dhe që tani është nëpër tregje.

AgroWeb.org ju sugjeron që të provoni musakanë e përgatitur me spinaq për shije dhe vlera në vetëm një pjatë.

Përbërësit

3-4 lugë gjelle vaj ulliri

600 g spinaq

3 gota me ujë

400 g mish i grirë

Gjysmë qepe

1 karrotë e grirë imët

2-3 thelpinj hudhër

Gjysmë gote me oriz

Kripë

Piper i zi dhe i kuq

Për salcën beshamel

3 lugë gjelle miell

2 lugë gjelle gjalpë të freskët

2 deri 3 gota qumësht

2 kokrra vezë

3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë

Kripë

Përgatitja

AgroWeb.org ju sugjeron që të filloni përgatitjen e recetës duke qëruar qepën dhe karrotën.

Për t’i grirë përdorni rende, pasi bëhen më të imëta dhe treten mirë me perimet e tjera.

Në një tenxhere hidhni vajin dhe skuqni qepën derisa të ulet volumi i saj.

Pasi qepa të jetë skuqur, shtoni karrotën e më pas mishin e grirë.

AgroWeb.org ju këshillon që të hidhni erëzat e në fund orizin.

Mos harroni që ta përzieni herë pas here masën që përbërësit të mos ngjiten.

Hidhni 3 gota me ujë përzjejeni dhe kur uji të fillojë të vlojë shtoni spinaqin.

Mbulojeni me kapak tenxheren dhe lëreni 10 minuta që lëngu të ketë avulluar pothuaj i gjithi.

Shtrojeni masën në një tavë dhe ndërkohë që ajo ftohet AgroWeb.org ju sugjeron që të përgatisni salcën beshamel.

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni. Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Hidheni këtë salcë mbi spinaqin dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Piqeni musakanë për 15-20 minuta në furrë të ngrohur më parë me 250 gradë.

Pasi të jetë pjekur, largojeni nga furra dhe lëreni pak që të mpikset.

Shërbejeni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallatë me perime te freskëta.

Jahni me presh dhe mish viçi – Receta dimërore

Mund ta shoqëroni me sallata nga më të ndryshmet ose dhe me bukë të ngrohtë.

Preshi duke qenë se është një perime sezonale, e mira është që ta konsumoni pikërisht tani.

I kombinuar me mishin e viçit, ju do të krijoni një pjatë vërtet speciale.

Copat e mishit mbeten të buta dhe plot lëng, e ndërsa preshi i jep shijen e veçantë.

Mund ta shoqëroni me sallata nga më të ndryshmet ose dhe me bukë të ngrohtë.

Mësoni shkurt përgatitjen dhe provojeni që sot shijen e saj.

Përbërësit

2 lugë gjelle vaj ulliri

600g mish viçi

1 qepë mesatare

3 thelpinj hudhër

500g presh

2 gota lëng mishi ose ujë

2 karrota

4 gjethe dafine

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Në një tenxhere hidhni vajin dhe lëreni të ngrohet.

Pasi ta keni tharë pak mishin vendoseni për t’u skuqur lehtë në tenxhere.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes dhe t’i ktheni nga të dyja anët telat e mishit.

Largojeni mishin nga tenxherja dhe aty shtoni qepën të cilën e keni grirë imët.

Gjithashtu hidhni hudhrën e shtypur dhe përziejeni gjatë gjithë kohës që të mos ngjitet.

Tani është momenti që të shtoni karrotat e prera në rrota për t’i skuqur.

Preshin priteni në copa aq të mëdha sa kur përgatisni burani apo gjellën me presh.

Futini për t’i skuqur në tenxhere me zjarr mesatar për 1-2 minuta.

Vendosni përsëri thelat e mishit në tenxhere, jepini shije me kripë, piper dhe gjethet e dafinës.

Shtoni ujin dhe mbulojeni me kapak tenxheren, lëreni të ziejë derisa uji të ketë shteruar.

Mos harroni është shumë e rëndësishme që zjarrin ta ulni, kështu uji nuk do të avullojë shpejt duke i lënë perimet e pa ziera.

Pasi të jetë gati, AgroWeb.org ju sugjeron që ta shërbeni të ngrohtë të shoqëruar me sallatë me perime të freskëta.

Nëse dëshironi më shumë shije mund ta spërkatni pjatën me pak lëng limoni ose uthull të bardhë.