VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Botohet libri i ri i diplomatit Shaban Murati “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”

By | October 11, 2018

Komentet

Rastet e krimeve të luftës nga Gjykata Themelore përfundojnë në Hagë

Ish-udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, kohë më parë ka qëndruar në Kosovë. Pos takimit me krerë të sistemit të drejtësisë, ai nuk është kthyer duar thatë për në Hagë. Me vete ka marrë disa lëndë nga Gjykata Themelore në Prishtinë e Prizren, e që kanë të bëjnë me krime lufte.

Në një takim të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj kishin marrë pjesë i gjithë niveli i lartë i sundimit të ligjit.

Megjithatë, në këtë takim që është mbajtur kohë më parë shihet se kanë munguar dy nga drejtuesit e dy institucioneve shumë të rëndësishme në vend: Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi e Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Të dy këta udhëheqës institucionesh kishin një arsye të fortë pse munguan në këtë takim.

Të njëjtën ditë në Kosovë ka qëndruar Kwai Hong Ip, që në atë kohë pas largimit të David Shwendeman-it, ishte udhëheqës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.

Ky zyrtar i lartë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, është takuar me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri e Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi.

Ky i fundit në një bisedë telefonike me T7, e ka konfirmuar këtë takim. Sipas Idrizit, aty është biseduar për bashkëpunimin e ndërsjelle në mes të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Organeve Gjyqësore në Kosovë.

Por burime të Televizionit 7 tregojnë se këta të dy nuk ishin zyrtarët e vetëm që i takoi kreu i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në atë kohë.

Kwai Hong Ip, sipas burimeve brenda sistemit të drejtësisë, është takuar edhe me disa nga Kryetarët e Gjykatave në Kosovë. Në mesin e tyre edhe me udhëheqësit e Gjykatave Themelore në Prishtinë e Prizren.

Burime të Televizionit 7 bëjnë me dije se Kwai Hog Ip ka marrë me vete një mori lëndësh. Që të gjitha kanë të bëjnë me raste të Krimeve të Luftës. Bile në mesin e atyre lëndëve që janë marrë për në Hagë, ka edhe raste që tashmë kanë përfunduar në Kosovë.

Po në këtë ditë, Kawi Hong Ip, ka bërë me dije se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të hapë zyre edhe në Beograd.

Ndërsa, ky organ i ndjekjes ka kohë që është duke bërë hetime në Kosovë, në lidhej me krimet e supozuara të pjesëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku janë intervistuar një numër i madh i dëshmitareve të mundshëm.

Ndërkohë tani me Zyrën e Prokurorit të Specializuar udhëheq prokurori Jack Smith, që ka pasuar David Shwendimanin. /Televizioni7/

Tiranë: Nderohet shkencëtarja e pushkatuar nga diktatura komuniste Sabiha Kasimati

Në Tiranë, studiuesja Sabiha Kasimati, njihet më së shumti si një zonjë e pushkatuar nga diktatura komuniste për pikëpamjet e saj politike.

Por sot, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentat e Sigurimit famëkeq të Shtetit, publikoi një mori dokumentash mbi sukseset e saj shkencore, të cilat diktatura i zhduku, bashkë me pushkatimin e saj.

Muzeu i Natyrës Shqiptare, themeluar nga Sabiha Kasimati mbi 70 vjet më parë, sot mban emrin e saj.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përuroi në Muzeun e Shkencave të Natyrës këndin e kujtesës për studiuesen Sabiha Kasimati, një shkencëtare e pushkatuar nga diktatura komuniste në fillim të vitit 1951 për motive politike, pas një akuze dhe një gjyqi të rremë, së bashku me 22 intelektualë të tjerë.

Zonja Kasimati ishte shkencëtare me personalitet të lartë, dhe për të ndricuar figurën e saj bashkëpunuan historianë, biologë, arkivistë e kërkues shkencorë.

Krahas studimeve të saj mbi natyrën e Shqipërisë, janë botuar studime mbi shpërthimin e sajuar pranë legatës sovjetike në 1951, ngjarje që u përdor nga diktatura për të asgjësuar 22 intelektualë perëndimorë dhe kundërshtarë politikë, mes tyre edhe Sabiha Kasimati.

Këndi i kujtesës për zonjën Sabiha Kasimati u përurua sot në ditën e parë të vitit të ri akademik në Muzeun e Shkencave të Natyrës, i cili me vendim të senatit të Universitetit të Tiranës, tashmë mban emrin e saj.

Rektori i Universitetit, Munir Koni, tha se emri dhe studimet e zonjës Kasimati u fshinë krejt nga diktatura për 40 vjet, deri në ardhjen e demokracisë, kur vlerat e saj dolën sërish në dritë.

Një pjesë e të dhënave ekspozohen për herë të parë, dokumente, shkresa, raporte e fotografi të rralla.

Shkencëtarja Sabiha Kasimati mban titullin më të lartë shtetëror “Nderi i Kombit” së bashku me 22 intelektualët e pushkatuar në 1951.

Muzeu i Natyrës shqiptare, që ajo vet themeloi para 7 dekadash, sot mban emrin e saj.

Sabiha Kasimati ishte nxënëse e më vonë mësuese e Liceut Kombëtar të Korçës dhe punoi në Shkollën Amerikane të Kavajës dhe në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë” në vitet 20-30 të shekullit të kaluar.

Ajo studio për 4 vjet në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë në Torino, ku u diplomua mbi faunën në liqenet kryesore të Shqipërisë dhe në rrjedhat e tyre lumore.

Gjatë regjimit fashist dhe regjimit komunist, zonja Kasimati botoi studimet e veta, si dhe ideoi e punoi si akademike për ngritjen e Muzeut Shqiptar të Shkencave të Natyrës me koleksione të kafshëve, peshqve, bimëve dhe mineraleve të Shqipërisë, dhe me bibliotekë e laborator shkencor.

“Mora një pako të mirë”, “Nuk kam kthim prapa”, PD zbardh përgjimet e Alizotit

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Partia Demokratike ka publikuar të tjera përgjime të Prokurorisë për shtetasin Fredi Alizoti, për të vërtetuar se ai është një aktor i stisur i qeverisë për të mbyllur skandalin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, publikoi përgjime të bisedave telefonike të Alizotit, personit që pranon se në audiopërgjimin e Albert Veliut (Babales), luan rolin e Agron Xhafajt.

Alibeaj thekson se nga përgjimet e Prokurorisë del qartë se aktori i Edi Ramës është vetofruar në Prokurori në orën 8:00 të darkës, ndërkohë që ai është kapur, duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë “hap gojën sa do”. “Në datën 1 qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij, Fredi Alizoti, është vetofruar në Prokurori në orën 8:00 të darkës, ai është kapur duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë “hap gojën sa do”.

Menjëherë pas kësaj, ai telefonohet nga Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, me numër telefoni 0694110316, dhe lë takim te QTU në Fier.

Në orën 17:13 minuta, Fredi Alizoti i drejtohet Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, me fjalët: “Do ta zgjidhësh ti këtë punë apo ta zgjidhë shefi lart?” Vetëm 7 minuta më vonë, aktori i Edi Ramës, nga zona e QTU Fier, vendi ku është lënë takimi me vartësin e Fatmir Xhafës, telefonon dikë dhe i drejtohet me fjalët: “Mora një pako të mirë”.

Më 7 qershor 2018, aktori i vetëshpallur nga Edi Rama telefonohet përsëri, personalisht nga drejtori i Policisë, Qarku Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet dhe Alizoti i përgjigjet “lart, ku më latë”.

Alizoti i kërkon drejtorit të Policisë Fier që të takojë “shefin e madh” me patjetër atë ditë, duke e garantuar se “nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa”. Prej 5 muajve, Fatmir Xhafaj ka braktisur detyrën dhe është angazhuar drejtpërdrejt në një skenar mafioz të mbrojtjes së trafikantit të drogës Agron Xhafaj”, deklaroi Alibeaj.

Deputeti i PD i kërkoi Ramës dhe Xhafës shpjegime në lidhje me ‘pakon’ që Fredi Alizoti thotë se ka marrë dhe kush e ka dhënë atë? Kush është Taulanti nga Librazhdi, që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”? Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë?

(BISEDA 1) DATA 01/06/2018 ORA-16:52:23

PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT

+316: Përshëndetje

+091: Përshëndetje, si ia kalon?

+316: Si je?? Kush jeni ju zotëri?

+091: Unë jam Fredi Alizoti

+316: O Fredi, unë jam drejtori i Policisë së Qarkut

Fierit

+091: Unë jam te QTU-ja dhe po të pres

+316: Te QTU-ja?

+091: Po

+316: Unë jam në Lushnje

+091: Dëgjo vëllanë?

+316: Po

+091: Të flas nga afër unë dhe t’i shpjegoj të gjitha rrethanat

dhe do ikim në Tiranë

+316: Po ti ku rri me shpi?

+091: Unë po të them te QTU-ja?

+316: Hë?

+091: Po të pres te QTU-ja

(BISEDA 2) DATA 01/06/2018 ORA-17:13:40

PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT

+091: Do ta zgjidhësh ti këtë punë apo ta zgjidhë shefi

lart, e vlla, se unë po marr taksi tani e po iki lart.

+316: Do vij të marr unë thashë, ore

+091: Me ça do vish ti?

+316: U ktheva nga rruga, do vij të marr unë

+091: Po në rregull, hajde se po të pres këtu.

(BISEDA 3) DATA 01/06/2018 ORA-17:20:14

PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT

+091: O vlla, çfarë bën?

+700: Hiç

+091: Ej, mbaroi ky muhabet

+700: Mirë boll e vlla ca të them vllai

+091: Dëgjo, mua, dëgjo. ej. 5 minuta vjen më merr drejtori

i Përgjithshëm i Fierit këtu. Pesë muhabete i ka bërë.

Mora një pako të mirë

+700: Ok, lali

+091: Ej, do ta dëgjosh, do ta dëgjosh

(BISEDA 4) DATA 07/06/2018 ORA-17:37:30

PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT

+316: Fredi

+091: Përshëndetje

+316: Po ça bën o? Po ku je ti o?

+091: Unë në kryeqytet- ejj a dëgjon. Thuaj çik atij shefit

të madh, unë jam lart, doja ta takoja një çik sonte.

+316: Ça do?

+091: Doja ta takoja një çik atë shefin tënd

+316: Po ku je o?

+091: Lart, ku më latë thashë o burrë

+316: Shiko, mua nesër në orën 9. Po çne ti, ike direkt?

+091: O vlla, unë nuk kam kthim prapa, ato që janë bërë

janë bërë unë nuk kthehem më mbrapa.

+316: po po pop o po

+091: mere një çik shefin dhe jam këtu lart, e ke parasysh

e du ta takoj se s’bën sonte.

+316: Sonte?

+091: Sonte se s’bën gjallë a vdekur.

Presidenti Meta në Curraj të Epërm: Perlë e Alpeve shqiptare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte prezent sot në Curraj të Epërm. Ai kreu një vizitën në bujtinën e Lazër Ndue Kolbuçaj në Vranë, siç e bën vetë të ditur në një status në Facebook.

Ai ftoi të gjithë shqiptarët të bëjnë një vizitë në Curraj të Epër pas hapjes së rrugës së re që e lidh atë me Lekbibaj.

 

Statusi i Metes

 

Në bujtinën e Lazër Ndue Kolbuçaj në Vranë të Curraj të Epërm. E falënderoj për mikpritjen dhe bujarinë.
Me hapjen për herë të parë të rrugës që lidh Lekbibaj me Curraj të Epërm ju ftoj ta vizitoni këtë perlë të jashtëzakonshme të Alpeve shqiptare, bukuritë natyrore të së cilës janë të rralla e magjepsëse.
Banorëve të mrekullueshëm të kësaj treve iu uroj: Pritshi mirë gjithmonë në kullat tuaja në Nikaj-Mërtur!

Trump: Kemi mundësinë për marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është takuar në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë me pastorin amerikan, Andrew Craig Brunson, pasi gjykata në Izmir vendosi që ai të lirohet.

Presidenti Trump pasi ka bërë të ditur se kanë punuar shumë në çështjen e Brunson kryesisht kohët e fundit, tha se “Falënderoj shumë presidentin Erdoğan. Është një hap i madh për t’u kthyer në marrëdhëniet e mëparshme. Tani kemi mundësinë për të patur marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë”.

Ai ka shtuar se pas lirimit të Brunson kanë një qasje të ndryshme ndaj Turqisë në krahasim me ditën e mëparshme.

“E duam Turqinë, e duam popullin turk”

Ndërsa pastori Brunson në fjalën e tij ka shprehur falënderimet ndaj zyrtarëve amerikanë që janë përpjekur për lirimin e tij.

Ndaj pyetjes së Trump nëse dëshiron apo jo të rikthehet sërish në Turqi pastroi Brunson tha se “E duam Turqinë, e duam popullin turk. Atje kemi jetuar 25 vite”.

Edhe Trump pas fjalës së Brunson ka bërë vlerësimin e tij se “Populli turk është një popull i madh, e di këtë”.

Dje gjykata në Izmir të Turqisë dha dënimin me tre vite e një muaj e gjysmë burgim, ndaj pastorit amerikan, Andrew Craig Brunson, i cili ndodhej në arrest shtëpie dhe ndaj të cilit kërkohej dënimi me 35 vite burg me akuzat se kishte kryer spiunazh dhe vepra penale në emër të organizatave terroriste FETO dhe PKK.

Duke marrë parasysh kohën prej afër dy vitesh që ai ka qëndruar në arrest, gjykata vendosi që ai të lirohet. Brunson i cili u lirua dje pas heqjes së arrestit të shtëpisë dhe ndalesës për udhëtim jashtë vendit, udhëtoi drejt SHBA-ve. aa

Shqipëria ndër 15 vendet që i ka ikur më shumë “truri”, ja ku emigrojnë shqiptarët e ditur, diaspora jonë shkencore

Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracionin e lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore. Emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. \

Ekspertët Gëdeshi dhe King zhvilluan një sondazh me 720 doktorantë, PHD dhe 303 studentë që jetojnë jashtë vendit për llogari të një studimi të PNUD. Sondazhi gjeti gjithashtu se shumica e diasporës shkencore shqiptare nuk dëshiron të kthehet.

Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë në këto dekadat e fundit që është vënë nën presionin e vazhdueshëm të emigracionit të lartë. Përpos ikjeve, mbetet i frikshëm fakti se Shqipëria kryeson listën botërore për potencialet e larta të emigrimit. Një sondazh i Gallup në 2017 gjeti se, 56% e shqiptarëve duan të emigrojnë. Numri i atyre që duan të ikin shënoi rritje me 20 pikë përqindje në raport me sondazhin e vitit 2012, ku 36% e shqiptarëve kishin në plan të emigronin. Rritja e dëshirës për emigrimin në këto katër vitet e fundit është më e larta në botë, sipas rezultatit të sondazhit, por mbetet i frikshëm fakti se Shqipëria ka nivel të lartë të emigracionit të trurit.

Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, për llogari të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) i publikuar së fundmi, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.
Në vitin 2010 dhe 2011, u gjet se rreth 31.3% e popullatës shqiptare me arsim të lartë ishte në emigracion. Ikja e njerëzve me arsim të lartë është një problem i brendshëm i vendeve ku mungon ekonomia e shkallës dhe tregu i punës nuk paraqet potencial. Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. Kjo rritje ishte më e madhe se emigrimi për pjesë të tjera të popullatës me arsim të mesëm dhe të ulët.Ana-tjeter-e-medaljes-850

Ekspertët Gëdeshi dhe King zhvilluan një sondazh me 720 doktorantë, PHD dhe 303 studentë që jetojnë jashtë vendit. Pas intervistave me ta, gjysma e tyre afërisht 49% nuk kishin ndër mend të ktheheshin në Shqipëri, 32% u përgjigjën se “vijnë në Shqipëri për të punuar, pas një periudhe kohore jashtë vendit”, dhe vetëm 4% thanë: “do të kthehem në Shqipëri pas diplomimit, të punoj”. Numri i studentëve shqiptarë në vendet e OECD u rrit me 430% në vitin 2016 në raport me vitet 2000.

Studimi i ekspertëve thotë se përgjigjet nuk ishin të improvizuara ose të rastësishme, por ishin të bazuara mirë në arsyetime, duke reflektuar jo vetëm një dëshirë për përvojën ndërkombëtare, por edhe një perceptim të së ardhmes, mbi punësimin dhe kushtet e jetesës në Shqipëri.
Andra, një studente shqiptare në Itali tha: “Kthimi im është i kushtëzuar nga punësimi. Për këtë arsye, shumica e studentëve shqiptarë dëshirojnë të dinë se çfarë i pret ata”. “Me një pikëpamje të zymtë të punësimit në Itali, shumë studentë shqiptarë përgatiten të emigrojnë në vende të tjera”.
Jola, një studente shqiptare në Itali, tha: “Ka vetëm pak studentë shqiptarë që duan të kthehen në Shqipëri. Nëse nuk gjejnë punë në Itali, ata synojnë të shkojnë në Gjermani, Spanjë apo Austri”.

Sondazhi gjeti gjithashtu se shumica e diasporës shkencore shqiptare nuk dëshiron të kthehet. Shumica e të anketuarve thanë se ata mendojnë se janë integruar mirë në vendin pritës, i cili siguron komoditet (në aspektin e strehimit, transportit, infrastrukturës) dhe sigurimin e jetës dhe mundësi më të mira për karrierë. Përveç kësaj, fëmijët ndjekin shkolla cilësore, jeta shoqërore dhe kulturore është e pasur, kujdesi shëndetësor dhe arsimi janë të një cilësie të mirë, etj. I frikshëm mbetet fakti se edhe për ata doktorantë që duan të kthehen për të kontribuar në universitetet shqiptare u është mbyllur dera.

Arsyet pse ikin jashtë me studime

Të rinjtë nga Shqipëria kanë një dëshirë të pazakontë për të studiuar jashtë vendit në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ekspertët Gëdeshi dhe King kanë vërejtur disa arsye për këtë tendencë. E para është se shqiptarët dëshirojnë të sigurojnë një arsimim më cilësor për fëmijët e tyre. Hipoteza e dytë supozon se për t’u diplomuar nga një universitet i BE-së, do të ishte më e lehtë për personin të gjejë një punë dhe të integrohet në vendin pritës. Anketa e zhvilluar me 303 studentë shqiptarë jashtë vendit kryesisht në Itali, Gjermani, Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pa se 70% konsideruan studimet universitare si hapi i parë për të banuar jashtë vendit dhe 24.4% u përgjigjën “Ndoshta”. Vetëm 5.6% iu përgjigjën se kishin nisur studimet jashtë jo si një mundësi për të jetuar atje.

Arbeni, një ish-emigrant në Itali që tani drejton një kompani të suksesshme shërbimesh në Shqipëri, tha: “Në fillim të viteve 1990, si shumë shqiptarë, emigrova ilegalisht në Itali. Pas disa vitesh pune, u ktheva dhe ngrita biznesin tim në Shqipëri. Duke pasur parasysh situatën aktuale, shoh të ardhmen e djalit tim në një nga vendet e BE. Sidoqoftë, nuk dua që djali im të emigrojë dhe të jetojë siç e kam bërë atëherë. Prandaj, unë do të blej migracionin e tij: Do të financoj studimet e tij në një universitet të mirë në BE, duke krijuar kështu hapësirat për punësim dhe integrim më të lehtë në vendin pritës”.

Genti sheh perspektivën për fëmijët e tij përgjatë vijave të ngjashme: “Kur u martova, dukej se gjërat po ktheheshin mirë dhe vendosëm të ndërtojmë jetën tonë në Shqipëri. Por tani, ne mendojmë se fëmijët tanë duhet të ndërtojnë jetën e tyre jashtë vendit. Të dy fëmijët e mi studiojnë në shkolla private dhe mësojnë gjermanisht, duke u përgatitur për të studiuar në një universitet gjerman”.

Në lidhje me kthimin në Shqipëri pas diplomimit, përgjigjet e nxënësve shqiptarë janë edhe më të qarta. 49% e tyre pohojnë se nuk kanë ndër mend të kthehem në Shqipëri në të ardhmen e afërt”, 32% u përgjigjën se “vijnë në Shqipëri për të punuar pas një periudhe kohore jashtë vendit”.
Studimet tregojnë se ka një lidhje të fortë midis potencialit dhe migrimit real. Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë po emigron elita e studentëve të vendit, ku më të zgjuarit dhe më të mirët ikin dhe nuk kthehen më.

Profesor Gëdeshi thotë se, pasojat socio-ekonomike të këtij fenomeni janë të qarta: çdo vit, burimet njerëzore dhe financiare të kualifikuara, ose më mirë elita rinore dhe financiare e Shqipërisë, e lënë vendin në mënyrë të pakthyeshme dhe kostot që lanë pas janë miliona euro. Sipas një artikulli të kohëve të fundit, vendet që tërheqin të diplomuar nga vendet e varfra furnizohen gratis me burime njerëzore të arsimuara të talentuara. Kjo formë migrimi është bërë shqetësim i madh për të ardhmen e Shqipërisë. Erinda, një e intervistuar e cila mori doktoratën në Francë, tha: “Përmes rrjedhjes së trurit, shteti shqiptar po humbet investimin e vet. Kjo është një nga humbjet më të mëdha për Shqipërinë”.

Diaspora shkencore po rritet me shpejtësi

Madhësia dhe cilësia e diasporës shkencore shqiptare po rritet me shpejtësi. Pothuajse dhjetë vjet më parë, u vlerësua se rreth 200 doktorë shqiptarë punonin në universitete, laboratorë dhe institucione shkencore, si dhe në departamentet kërkimore të korporatave të vendeve të zhvilluara të OECD-së. Aktualisht, ky numër është shumë herë më i madh. Studimi i PNUD ka anketuar 752 të tillë nga Shqipëria me gradë PhD dhe punonim jashtë vendit. Rreth 62% e tyre punonin në universitete dhe institucione kërkimore. Shqiptarët e tjerë me doktoraturë, jo të integruar në universitete apo institucione kërkimore, janë të aktivizuar me trajnimin e tyre profesional në biznese, industri, administratë etj. Për shembull, anketa zbuloi se pothuajse 97% e tyre, që ishin të pajisur me doktoraturë jashtë vendit, janë në punë që përputhen gjerësisht me nivelin e kualifikimit.

Studimi tregon se në vendet e OECD-së janë së paku 2,500 doktorë dhe kandidatë. Për një vend të vogël si Shqipëria, ky grup hulumtuesish përfaqëson rreth 40% të shqiptarëve të cilët kanë një doktoraturë dhe rreth 25% të potencialit akademik të vendit. Ky rezervuar gjithnjë në rritje i “trurit” mund dhe duhet të mobilizohet për të mirën e zhvillimit socio-ekonomik të vendit, veçanërisht nëse ekzistojnë kushte specifike. Shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia me doktoraturë gjithashtu kontribuojnë në diasporën shkencore shqiptare, në aspektin cilësore dhe sasiore, dhe përbëjnë një të pestën e diasporës shqiptare në tërësi.

Ja cilët janë “shkencëtarët” emigrantë

Diaspora shkencore shqiptare është relativisht e re, me një moshë mesatare prej 37 vjetësh, ku 72% janë më të rinj se 40 vjeç dhe vetëm 2.3% janë 60 vjeç ose më të vjetër. Një grup tjetër (12.3%) përbëhet nga ata që emigruan me prindërit e tyre kur ishin 15 vjeç ose më të rinj. Ky grup përfundoi vetëm një pjesë të arsimit parauniversitar në Shqipëri dhe është më pak i lidhur emocionalisht me vendin e origjinës.

Diaspora shkencore shqiptare dominohet nga gratë rreth 57.4%. Pothuajse gjysma e tyre emigruan për herë të parë gjatë dekadës së parë të tranzicionit në vitet 1990, 37.6% në dekadën e dytë dhe 11.5% në të tretën (2010). Të dhënat tregojnë se vetëm 3.9% e të anketuarve kishin përfunduar studimet e tyre gjatë viteve të fundit të sistemit socialist. Gati 48% e të anketuarve nga diaspora shkencore kishin punuar në Shqipëri para emigrimit dhe 36.9% kishin punuar në universitetet publike ose private të vendit dhe institucionet kërkimore.

Arsyeja kryesore për emigrimin e përfaqësuesve të diasporës shkencore është shumë e ndryshme. Për shumicën, arsyeja ishte për të studiuar në një universitet prestigjioz (66.2%) ose për të ndjekur mundësi profesionale dhe trajnimi (4.5%) jashtë vendit se ato të ofruara në vendin e origjinës. Të tjerë, ata që kryesisht emigruan me prindërit e tyre ose që nuk largoheshin për qëllime studimi, theksuan faktorët ekonomikë (14.9%), ose, në një masë më të vogël, faktorët politikë (3.3%). Një numër i vogël, kryesisht pedagogë dhe hulumtues (2.8%), përmendën infrastrukturën e dobët dhe kryesisht mungesën e pajisjeve për punë kërkimore në Shqipëri.

Zgjedhja e vendit të destinacionit është e kushtëzuar nga faktorë të tjerë. Në këtë drejtim, vërehen dy grupe. Grupi i parë përbëhet kryesisht nga kandidatët e doktoratës, të cilët e rendisin reputacionin e universitetit, ose mundësinë e një burse, si arsyeja kryesore. Grupi i dytë përbëhet nga ata që tashmë kanë një doktoraturë, të cilët theksojnë mundësitë e punës dhe faktin se tashmë e njohin gjuhën. Vetëm një numër i vogël deklaruan se zgjedhin vendin pritës për shkak të pranisë së të afërmve apo miqve.

Një karakteristikë e diasporës shkencore shqiptare është se ajo po rritet me shpejtësi. Numri i mbajtësve të doktoraturës shqiptare (bazuar në vitin e përfundimit) është rritur me shpejtësi që nga rënia e komunizmit. Ndarja e periudhës 1988-2017 në tre dekada të veçanta vërehet se përqindja e mbajtësve të doktoratës është 2.6 herë më e lartë në dekadën e dytë sesa në dekadën e parë dhe 3.3 herë më e lartë në dekadën e tretë se sa në të dytën.

Kjo rritje e shpejtë pritet të vazhdojë. Numri i kandidatëve të doktoratës nga viti i parë u rrit me gati 154%, e nxitur nga një numër faktorësh. Së pari, numri i emigrantëve shqiptarë në vendet e OECD po rritet dhe një nga objektivat e emigracionit të tyre është të sigurojnë një arsimim të mirë për fëmijët e tyre. Fëmijët e tyre ndjekin shkollat dhe universitetet në vendin pritës, dhe disa vazhdojnë studimet e doktoratës. Skënderi, një profesor i informatikës në Gjermani dhe anëtar i institutit Alb-Shkenca, vuri në dukje:

“Migrantët shqiptarë erdhën në Gjermani kur ishin të rinj dhe tani ata janë bërë prindër këtu. Ata vlerësojnë arsimin dhe dëshirojnë të sigurojnë që fëmijët e tyre të arsimohen këtu. Për këtë arsye, unë them se numri i atyre që marrin grada akademike po rritet”.

SHBA dhe Italia, përfituesit e doktorantëve shqiptarë

Edhe pse e shpërndarë në pesë kontinente dhe 40 vende të ndryshme, pothuajse 72% e diasporës shkencore shqiptare është e përqendruar në vendet më të industrializuara të OECD-së: SHBA, Itali, Francë, Kanada, Mbretëri e Bashkuar dhe Gjermani.

SHBA udhëheq me 28.3% dhe është destinacioni kryesor i doktoraturës shqiptare në udhëtimin e tyre të gjatë. Të dhënat e anketës tregojnë se 18% e doktorëve shqiptarë, që aktualisht jetojnë në SHBA, përfundojnë studimet e tyre në Itali, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Holandë. Italia është në vendin e dytë (15.3%).

Afërsia gjeografike dhe ngjashmëritë kulturore, stoku i madh i emigrantëve shqiptarë dhe politikat e favorshme për studentët janë ndër faktorët që shpjegojnë përqendrimin e madh të diasporës shkencore shqiptare në këtë vend. Grupi tjetër i vendeve janë Franca, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Gjermania, pak a shumë në të njëjtin nivel, rreth 7% secila, edhe pse pozicionet e tyre kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Franca, për shembull, ishte destinacioni kryesor në vitet e hershme të tranzicionit, por tani renditet më ulët.

Kohët e fundit janë shndërruar në destinacione edhe Britania e Madhe dhe Gjermania. Një pjesë tjetër e diasporës shkencore shqiptare (18%) është pozicionuar në vendet e zhvilluara në Europën Perëndimore, si Holanda, Zvicra, Norvegjia, Suedia, Austria, Belgjika dhe Danimarka. Këto vende ofrojnë një cilësi të lartë të jetës dhe doktoraturat shqiptare janë të punësuar në universitete dhe institucione kërkimore të njohura ose kompani shumëkombëshe.

Ndryshe nga diaspora shkencore nga Shqipëria, pothuajse gjysma e asaj nga Kosova dhe Maqedonia janë të përqendruar kryesisht në vendet e destinacionit tradicional të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe në Skandinavi. Megjithatë, SHBA është vendi i tyre i zgjedhjes parësore (15%). Shumë të rinj të talentuar kanë ndjekur studimet fillestare universitare në Itali, Greqi, Turqi, Bullgari apo Qipro dhe kanë vazhduar me një studim Master ose PhD në vende të tjera. Drini përfundoi studimet e tij bachelor në Bullgari, një master në Austri dhe një PhD në Mbretërinë e Bashkuar. Mimoza, vajza e një emigranti në vitet 1990, përfundoi studimet bachelor dhe master në Itali, doktoraturën e saj dhe karrierën post-diplomike në universitetet në Itali, Angli dhe Japoni dhe tani është anëtare e një grupi kërkimor me famë botërore në Kembrixh.

Përfaqësues të tjerë të diasporës shkencore kanë vazhduar udhëtimin drejt SHBA. Petriti, profesor në një universitet amerikan tha: “Kam përfunduar studimet e mia bachelor në Turqi dhe më vonë shkova në SHBA për masterin tim. Më vonë, vazhdova të kryeja doktoratën time, pas së cilës fillova të punoja si pedagog në universitet”. Të dhënat sasiore nga anketa tregojnë se shumica e doktorëve shqiptarë që kanë emigruar nga vendet e BE në SHBA kanë studiuar lëndë shkencore si biologjia, matematika, informatika, fizika ose kimia. Ndërkohë, të tjerët, duke ndjekur një karrierë të suksesshme, u transferuan në universitete të tjera brenda BE-së në mënyrë që të përparonin në karrierën e tyre akademike.

Agimi, i cili gjithashtu fitoi doktoraturën e tij në Francë, punon për një kompani multinacionale në Azinë Juglindore dhe është një nga gjeologët më të shquar atje. Rreth 19% e diasporës shkencore ka studiuar (ose janë duke studiuar) shkencat sociale, 18% biologji, matematikë ose fizikë, 17% për ekonomi dhe biznes, 14% mjekësi dhe lidhje, 13% në inxhinieri apo ndërtim dhe 10% informatikë apo elektronikë.

Diaspora shkencore, e interesuar për Shqipërinë

Diaspora shkencore shqiptare, veçanërisht gjenerata e parë, mban lidhje të ngushta me vendin e origjinës. Sipas studimit, 96% e doktorëve shqiptarë mbajnë kontakte të rregullta me Shqipërinë, përmes një sërë mjetesh të komunikimit (Skype, telefon, e-mail) me të afërmit, miqtë dhe kolegët nga universitetet dhe institucionet kërkimore ku ata kishin punuar më parë. Rreth 75% vizitojnë Shqipërinë gjatë pushimeve, një herë ose më shumë gjatë vitit, për të vizituar prindërit, të afërmit dhe miqtë.

Gjergji, një profesor i universitetit në SHBA, tha: “Çdo ditë kam shpenzuar rreth 15 minuta duke lexuar për zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Një mik i imi shpenzon rreth një orë e gjysmë në lajme të hollësishme nga Shqipëria. Kur më duhet të di diçka në detaje, e pyes. interneti është burimi i informacionit tonë”.

Gjergji vazhdoi: “Jam me fat që kam miq shqiptarë në universitetin tim. Ata janë njerëz të arsimuar mirë dhe akademikë dhe ne bashkohemi të paktën dy herë në javë për një kafe, ashtu siç bëmë në Shqipëri dhe diskutojmë politikën në vendin tonë”. Afërdita, një studiuese e re, e cila sapo ka përfunduar doktoratën në Holandë, tha: “Mendja ime është ajo e një shqiptari. Kur zgjohem në mëngjes, e lexoj lajmin e parë nga Shqipëria, pastaj lajmin holandez. Natyrisht, unë kam përditësime edhe për Holandën. Kur mbërrita, isha 23 vjeç dhe ndihesha tërësisht shqiptare. Ndoshta unë mund të ndihem gjithnjë e më shumë holandezë gjatë viteve, por besoj se gjithmonë do të mbetem shqiptare”.
Ndërsa Arbeni, profesor në një universitet amerikan, tha:

“Unë e konsideroj veten një qytetar amerikan; Unë kam jetuar këtu për dhjetë vjet, kam punën time, interesat e familjes sime dhe jetën time, këtu. Prandaj, mund të them bindshëm se jam një qytetar amerikan. Sidoqoftë, u largova në një moshë të pjekur dhe, për ata si unë, do të ishte e vështirë të thuash se nuk më intereson se çfarë ndodh në Shqipëri. Unë jam i lumtur kur dëgjoj për gjëra të mira dhe më vjen keq kur dëgjoj për gjëra të pakëndshme që po ndodhin.

Gjithashtu, vëllai im dhe motra jetojnë atje. Kam kujtimet e mia. Të dy vendet janë të rëndësishme për mua, këtu qëndron e ardhmja e fëmijëve të mi dhe e fëmijëve të tyre. Prandaj, jam shumë i etur për atë që ndodh në Amerikë. Nga ana tjetër, jam i interesuar edhe për atë që ndodh në Shqipëri”. Shpëtimi, një studiues i cili aktualisht jeton në Itali, tha: “Para së gjithash ndihem shqiptar, megjithëse ndihem disi qytetar i botës. Unë kam qenë rreth e rrotull në shumë shtete amerikane, në Europë dhe në shumë vende të tjera, kudo kur më kërkon puna ime. Ndihem disi një qytetar i botës, por me një vulë të dallueshme shqiptare”.

Për shkak të këtyre lidhjeve, diaspora mund të shërbejë si një urë midis universiteteve dhe institucioneve kërkimore në vendet e origjinës dhe në vendet pritëse. Përveç kësaj, me kapitalin e saj të pasur social, mund të mobilizojë figura të shquara shkencore dhe akademike në vendin pritës për të bashkëpunuar me universitetet dhe institucionet kërkimore në Shqipëri. Kjo u konfirmua nga Shpresa, një profesor i ekonomisë në një universitet europian: “Kam diskutuar me burrin tim, i cili është gjithashtu akademik, për krijimin e një rrjeti dhe për të sjellë në Shqipëri figura të njohura nga fusha e ekonomisë për të mbajtur leksione ose për të marrë pjesë në shkollat verore. Ata do të vijnë me kënaqësi madje pa pagesë, sepse ata janë miqtë tanë”. Kur u pyetën për mundësinë e angazhimit të kolegëve të tij në një formë bashkëpunimi në Shqipëri, Altini, profesor universiteti në SHBA, tha: “Unë do të angazhohesha, po jo vetëm unë, por edhe kolegët e mi amerikanë që janë më të kualifikuar dhe kanë kontribuar në vende të ngjashme me Shqipërinë, në fushën e arsimit profesional”.

Sipas të dhënave sasiore, pjesëmarrja në rrjete dhe organizata kulturore dhe shkencore është e ulët. Vetëm 18.1% e diasporës thonë se ata marrin pjesë në një ose më shumë organizata, më shumë se gjysma në aktivitete kulturore. Një nga organizatat më të mëdha dhe më të vjetra shqiptare të diasporës është Alb-Shkenca, me rreth 400-500 anëtarë dhe që bashkon studiues dhe hulumtues shqiptarë nga e gjithë bota, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Anëtarët e Alb-Shkenca diskutojnë problemet aktuale në vendin e tyre dhe shumë shprehin angazhimin e tyre ndaj vullnetarizmit për përparimin e shkencës dhe teknologjisë në Shqipëri. Ambasadat shqiptare në vendet me përqendrim të diasporës shkencore shqiptare mund të japin kontribut të rëndësishëm për përforcimin e organizimit të diasporës shkencore.

Roli i Diasporës Shkencore

Shumë vende, duke përfshirë Hungarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Indinë, Kinën, Korenë e Jugut, Singaporin, Tajvanin, Tunizinë, Marokun, Kilin, Afrikën e Jugut dhe Kolumbinë tani u kushtojnë më shumë vëmendje akademikëve, studiuesve dhe inxhinierëve të tyre emigrantë, duke i mobilizuar dhe duke i organizuar në dobi të vendit të tyre të origjinës. Këto vende kanë zhvilluar mënyra të ndryshme të formalizimit të lidhjeve me diasporat e tyre përkatëse shkencore, ku akademikët dhe kërkuesit emigrantë kanë vendosur lidhje me qarqet shkencore në vendin e tyre të origjinës.

Në vitin 1991, një grup hulumtuesish kolumbianë që studionin dhe punonin jashtë vendit, krijuan rrjetin e “Kaldas të Kolumbisë”, me qëllim të forcimit të komunitetit kërkimor kombëtar. Në të njëjtën kohë, emigrantë profesionistë nga India dhe Kina krijuan shoqata dhe rrjete në Silicon Valley në SHBA për të bashkëpunuar me vendet e tyre të origjinës. Në fillim të viteve 2000, shkencëtarët rumunë krijuan Rrjetin Ad-Astra në favor të reformës së sektorit të kërkimit në vendin e tyre.

Studimi i PNUD vlerëson se, diaspora shkencore shqiptare mund të ndikojë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit në dy mënyra kryesore. E para është përmes kthimit të mbajtësve të doktoraturës në Shqipëri. Kthimi i emigrantëve të kualifikuar, të trajnuar për shumë vite në universitete, laboratorë dhe institucione kërkimi në vendet e avancuara të OECD, do të sillte në vend aftësi dhe njohuri të reja, të afta për të dhënë një impuls dinamik për jetën akademike dhe shkencore në Shqipëri.

Ermali, një profesor në një universitet në Kanada, dha një vlerësim tipik racional: “Edhe nëse shumë persona nga diaspora shkencore ishin të gatshme të ktheheshin, do të ishte e vështirë që kjo të materializohej, sepse nuk ka laboratorë të specializuar dhe universitetet në Shqipëri nuk funksionojnë siç duhet. Në vend të fitimit të të huajve për të ofruar konsulencë apo leksione, ose të përfshihen në projekte të rëndësishme në Shqipëri, ekspertët nga diaspora mund të jenë një zgjedhje shumë e mirë”.

Burimi: Monitor.al

Rama shpall paketën antishpifje për opozitarët: Gjysmagjela, e keni vendin në burg!

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në “Twitter” ka folur në lidhje me vendimin e paketës antishpifje.

Kryeministri shprehe se 25 vendet e BE kanë në fuqi ligjin kundër shpifjes , teksa thekson se; “Gjysmagjelat tanë të majmur nga xhepat e nga trutë, që kanë bërë karriera politike e mediatike duke sharë e akuzuar pa prova, s’meritojnë as 1 supë burgu! Ata thjesht do të paguajnë gjobën e ndotjes për çdo fëlliqësi që u jashtë nxjerr goja.”

Postimi i plotë

“Shpifja dënohet me burg në 25 vende të BE! Gjysmagjelat tanë të majmur nga xhepat e nga trutë,që kanë bërë karriera politike e mediatike duke sharë e akuzuar pa prova,s’meritojnë as 1 supë burgu! Ata thjesht do të paguajnë gjobën e ndotjes për çdo fëlliqësi që u jashtë nxjerr goja.”

Trumpi takon pastorin Brunson, falënderon Erdoganin për lirimin e tij

Presidenti Donald Trump përshëndeti kthimin në Uashington të pastorit amerikan Andrew Brunson.

Trump dhe Brunson u takuan në Zyrën Ovale të shtunën, pak orë pas mbërritjes së këtij të fundit në tokën amerikane.

Presidenti i tha Brunsonit “ne kemi qenë duke biseduar gjatë dhe kemi bërë negociata të vështira” për lirimin e tij duke shtuar se “ne nuk paguajnë shpërblim në këtë vend”.

Një gjykatë turke të premten dënoi Brunsonin për lidhje me terrorizmin dhe e dënoi atë me vetëm tre vjet burg. Por gjykata e liroi pastorin ungjillor 50-vjeçar, pasi ai kishte kaluar gati dy vjet në paraburgim, raporton VOA.

“Do të jetë e mrekullueshme të takohem me të”, shkroi Trump në Twitter të shtunën në mëngjes. “Ai është një i krishterë i mirë që ka përjetuar një përvojë kaq të vështirë”.

Trumpi falënderoi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për kthimin e Brunsonit, i cili u lirua të premten nga një gjykatë turke. Trump vuri në dukje se SHBA nuk negociuan një marrëveshje me Turqinë për lirimin e Brunsonit, duke thënë, “Unë nuk bëj marrëveshje për pengje.” Ankaraja gjithashtu ka kundërshtuar fuqimisht çdo sugjerim për një marrëveshje.

Lirimi i Andrew Brunson të premten shënoi fundin e një mosmarrëveshjeje të ashpër diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Brunson përballej me 35 vjet burg nëse do të dënohej për terrorizëm dhe akuzat për spiunazh, që Uashingtoni i quajti të pabaza.

Opozita në Kosovë: Zgjedhjet e parakohshme të pashmangshme

Partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Kjo pasi sipas tyre, Qeveria aktuale nuk mund t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend që të kalojë çështjet me rëndësi për vendin, e lërë më të marrë vendime të mëdha.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fatmire Kollçaku, tha se akuzat e kryeministrit dhe presidentit ndaj njëri-tjetrit janë paralajmërim për zgjedhje, derisa shtoi se zgjedhjet janë mundësia e vetme që vendi të zhbllokohet. “Ne si opozitë e kemi vlerësuar qysh moti që ka nevojë për zgjedhje, sepse kjo Qeveri tashme nuk e ka shumicën. Ju po e shihni që edhe në Kuvend nuk po kanë mundësi asnjë iniciative mos të them që asnjë projektligj ta shtyjnë pa prezencën e opozitës”, tha ajo.
“Mirëpo tashmë kjo siç e cekët edhe ju, jo serioziteti i dy njerëzve siç janë kryeministri dhe presidenti me akuza dhe kundër akuza të cilat me të vërtetë nuk janë asgjë tjetër, por janë paralajmërim që mund të ketë vërtet zgjedhje”. “Prandaj duke e parë këtë situatë, e vetmja zgjedhje e duhur janë zgjedhjet të parakohshme të cilat duhet ta prodhonin një Qeveri legjitime një Qeveri që do ta ketë shumicën, që do ta ketë një shumicë edhe në Kuvend për t’i shtyrë proceset përpara”, tha Kollçaku, për Ekonomia Online.

 

Edhe Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, thotë se situata në vend është e ndërlikuar prandaj sipas saj, shkuarja në zgjedhje është e domosdoshme. “Jo vetëm që LDK është e gatshme dhe këtë po e thonë edhe sondazhet, por nuk duhet të diskutohet se cili subjekt është i gatshëm dhe cili nuk është. Nuk ka rëndësi cilido subjekt që do të legjitimohet nga qytetarët e vendit duhet të marr përgjegjësit dhe nuk duhet të ndodhë çfarë po ndodhë”. “Prandaj LDK-së i përforcohet për çdo dite mendimi dhe qëndrimi i saj që ky vend duhet të shkojë urgjentisht në zgjedhje sepse zgjidhja e këtyre problemeve behet vetëm përmes zgjedhjeve duke u ofruar tek sovrani dhe ai të jap besimin atij subjekti politik i cili mendon që do ta përfaqësoj siç duhet”.

 

Për kryetaren Alternativës, Mimoza Kusari, vendi është në bllokim të tërësishëm, derisa sa ka theksuar se partia që drejton është e gatshme të hyjë në zgjedhje, raporton EO. “Ajo çka po shohim është një rrezikim i vazhdueshëm i pushteteve të njeri-tjetrit. Nëse kemi bllokim të tërësishëm të Kuvendit në vazhdimësi, mos-performancë dhe neglizhencë dhe gjithashtu praktika të korruptuara të qeverisë në vazhdimësi atëherë ndryshimi është i domosdoshëm”.

 

“Natyrisht që i marrim përgjegjësit dhe obligimet shtetërore. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që për proces të dialogut të ketë konsensus, të gjitha palët të ulën dhe të vijnë më një platformë të përbashkët dhe natyrisht pasi që të gjenden zgjidhjet për këtë temë kaq të madhe dhe me rëndësi për Kosovën, pastaj të përcaktohet bashkërisht dhe data e zgjedhjeve, sepse në këtë konglematurë politike dhe strukturën se si është krijuar sot në Kosovë nuk do të ketë mundësi që të ecim shumë përpara”, tha Gaxherri.

Eksperti amerikan: SHBA nuk e ka aprovuar korrigjimin e kufijve

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, në një intervistë për “kallxo” thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.

Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, tha se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.

Deri para pak ditëve, Phillips ka qenë i angazhuar në ekipin e ekspertëve të huaj të Presidentit Thaçi, por ka dhënë dorëheqje duke shprehur hapur mospajtimet me idenë për ndarje të Kosovës.

“Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile”, ka thënë eksperti amerikan i politikës së jashtme.

Meta në Tropojë vlerëson Sali Berishën e Azem Hajdarin

Gjatë vizitës në Tropojë, kreu i shtetit Ilir Meta është ndalur në Bajram Curri, ku është shprehur se ky qytet përbën një epos plot histori dhe personalitete.

 


 

“Tropoja i ka dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për indentitetin dhe dinjitetin kombëtar. Mbarë populli shqiptar i është mirënjohës popullit të Tropojës për atë çfarë i ka dhënë kombit.”- Është shprehur Meta ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe Azem Hajdarin.

 

“Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’.  Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë.” -Theksoi Meta ndërsa shton se Tropoja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.

 

Në vijim Meta kërkoi nga të gjithë më shumë punë e përpjekje që sic tha ai këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara.

 

“ Tropoja ka qenë dhe mbetet një krahinë me rëndësi të veçantë strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithçka e lidh Tropojën me Kosovën, asgjë nuk e ndan prej saj.” – tha Meta.

Përcillet pa bujë e zhurmë Fatos Arapi

ALMA MILE/ “…Atdheu është varr i hapur, është varr./Një jetë drejt tij shkon me besë që lind./Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë./ Në një pikë loti lirinë e lind”.

 

Dje, trupi i Fatos Arapit iu dorëzua tokës, bashkë me lotin parak të lindjes dhe të fundit, të vdekjes. Iu bashkua të vdekurve të vet, ndërsa të gjallëve nuk mund t’u ikë. Një nga poetët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë u nda nga jeta në moshën 88- vjeçare. Ndoshta shumë nuk e mendonin të gjallë. Ashtu si Lasgushi. Prej vitesh ishte tërhequr brenda mureve të shtëpisë. As miqtë e tij nuk i takonte.

Thoshin se ishte i sëmurë, ose ai vetë kishte zgjedhur të mos takonte më askënd. Dhe ashtu, larg çdo zhurme, ai u shua dhe iku përgjithmonë nga kjo botë. Të tillë deshën ta mbanin lajmin e vdekjes edhe familjarët e tij. Asnjë njoftim në media. Lajmi ishte i vështirë edhe për t’u konfirmuar, por i biri, Tolja, iu përgjigj gjithsesi mesazhit të ngushëllimit.

Asnjë ceremoni zyrtare siç do ta meritonte një poet i madh si ai, ndërsa kemi parë ceremoni pompoze me shi karafilash të bardhë me poezi e këngë. Por fundja, siç thoshte im gjysh: “Kur të vdes, mund të më hidhni edhe në kanal, po mbylla sytë, nuk shoh më”. Fatos Arapi kishte nevojë ta nderonin sa qe gjallë. Nuk pati për të as përvjetorë lindjesh, as vlerësime presidenciale kur e dimë fare mirë që të tilla urdhra e dekorata janë ngulur në gjithfarë gjoksesh, ndër ta edhe figura të pavlera dhe të diskutueshme. Dhe kështu nuk është aspak e çuditshme pse Fatos Arapi, prej ndoshta 10 vitesh e refuzoi këtë realitet, që nuk njeh sistem vlerash.

Siç do të thoshte poeti Bardhyl Londo, ai ishte i tmerruar nga e përditshmja e ashpër e dhunshme dhe preferoi realitetin e tij të ëndërruar. “Hej, vënd!/Plot diell e pa dritë!/Pagan dhe fron për perënditë./Jetojmë nër male të lartë,/ku qiellin me dorë mund të zëmë/dhe prapë:/në ç’humnera kemi rënë!/ Hej, vënd,/ që ngjyrat e Jonit,/ erërat e portokallit plot me lule/ mbyll/ në një vorbë fasule./Dhe ndihesh/ i pasur në varfërinë tënde,/i lirë/në robërinë tënde… / Hej, vënd,/që, prej dhimbjes,më bën të çmendem”. Kështu shkruan vetë poeti. Dje politikanët i dedikuan nga një status homazh poetit, por ndoshta duhet të ishin kujtuar më herët për të… “Sikur ta kishim dashur pak më shumë…”.

Dhe trupi i pajetë i Fatos Arapit u përcoll dje në një ceremoni të mbyllur familjare, në orën 14:00. Shumë miq e shokë nuk e mësuan në kohë dhe nuk arritën t’i hidhnin një grusht dhe. Por askush nuk nguroi të flasë për të. Të gjithë janë në një mendje: Fatos Arapi është një poet i rrallë, ndoshta më i miri, që foli me vetë poezinë e tij, pa pasur nevojë për t’u përlyer me angazhime politike.

Madje as për veprën e tij nuk dëshironte të fliste më. Rreth katër vjet më parë, dolën në qarkullim katër vëllime me poezitë e zgjedhura të tij, përzgjedhur prej tij e përgatitur prej të birit. Nuk doli ta promovonte askund. Me sa duket, ky ishte testamenti i tij. Aty ku ai kishte mbledhur poezitë e tij të dhimbjes dhe të lotit, për vendin, për dashurinë, për detin, për Tanjën, që dikur la në Sofje e qau me të si fëmijë kur e takoi pas 50 vjetësh… Trupi i Fatos Arapit u përcoll dje për në banesën e fundit, por Fatos Arapi është mes atyre katër vëllimeve e shumë të tjera syresh, sepse siç thotë poeti Preç Zogaj, “Fatos Arapi është nga brumi i poetëve të mëdhenj lirikë që e kanë kohën përpara”.

Kadare: Arapi, i veçantë dhe i çmuar në letërsinë shqipe

ISRAEL-ALBANIA-LITERATURE-NOBEL-KADARE

Të dhimbshme e ka quajtur ndarjen nga jeta të poetit Fatos Arapi, shkrimtari Ismail Kadare. Ky i fundit, që bashkë me Agollin dhe Arapin hapën një tjetër epokë në poezinë shqipe në vitet ’60, e kujton si një mik dhe koleg të dashur, që do të ketë një vend të veçantë në letërsinë shqipe.

Përmes një mesazhi, Kadare shprehet për humbjen e poetit. “Pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit. Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX dhe XXI. Dëshmia e tij artistike do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kronikën e gjatë të letërsisë shqipe”.